• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rama, Caka dhe Makiaveli

January 30, 2019 by dgreca

1 Edi-Rama-Gent-Cakaj

…. Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli? /

1 Rafael Floqi

Nga Rafael Floqi/

“Metoda e parë për vlerësimin e inteligjencës së një sundimtari është të shohësh burrat e shtetit që ai ka rreth tij,  thotë tek Princi  Niccolò Machiavelli, pastaj vazhdon  “Nuk jam i sigurt për këshilltarin e mbretit. A ka ndonjë gjë në kokën e tij, apo është e zbrazët?”

Çfarë do të thotë kjo po të spotrohemi në kohë dhe hapësirë në Shqipëri dhe të shohim ty “mbretin tone”, z. Edi Rama dhe ministrat e tu të rinj?

Le të shohim CV e ministrit më të përfolur, gjeniut të lëçitur, të cilit më së fundi iu zbulua edhe përvoja. “Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990, është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari. Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti. ( Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli?  Ndërsa studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

E keqja është z Rama se ne dimë të lexojmë në rreshta dhe ndërmjet rreshtave. P.sh. pas studimeve ku sipas sugjerimit të Batonit siç ka deklaruar ai vetë  ia coi si stazhier Vali Bishga duke e caktuar këshilltar  dhe rrogën e parë të punës e ka nisur me ju z Rama si këshilltar, por më thuaj a kishte ndonjë ditë përvojë punë zyre.

Gent Cakaj thuhet se ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë thuhet, por “Metafizika është dega e filozofisë që shqyrton natyrën themelore të realitetit, duke përfshirë lidhjen midis mendjes dhe materies, midis substancës dhe atributit, dhe mes mundësisë dhe aktualitetit, thotë American Heritage® Dictionary of the English Language (5th ed.). 2011, ndërsa Diplomacia është arti i të mundshmes me mjetet e te pamundshmes, një art ashtu si shahu, që sado të kesh mundësi dhe te jesh një mendje e ndritur do edhe përvojë. Pasi siç thotë një thënie amerikane “ There is no replacement for experience.” Nuk ka zëvendësues për përvojën.  Në politikën e jashtme sidomos kur je një vend i vogël nuk ka vend për voluntarizëm dhe as për akrobacia, eksperimente dhe dëshira personale në një kohë mjaft me rëndësi, kur priten marrëveshje të rëndësishme për kufijtë me Greqinë, miratimi i anëtarësimit në BE, kryesimi i OSBE-së dhe bisedimet me Serbinë për ndryshimet e kufijve me Kosovën.  Kush e merr seriozisht Shqipërinë me këtë “enfant prodige” që vetëm Ju dhe Batoni e shihni?

Ne si analistë, mund të analizojmë operacionet e sistemeve ndërkombëtare, por burrështetasit i ndërtojnë ato. Dhe ekziston një dallim i madh midis perspektivës së një analisti dhe atij të një burri shteti. Analisti mund të zgjedhë problemin që dëshiron të studiojë, ndërsa problemet e burrështetasve i imponohen atij. Analisti mund të japë çdo kohë që është e nevojshme për të arritur një përfundim të qartë; sfida e madhe për burrështetasin është presioni i kohës. Analisti nuk rrezikon. Nëse përfundimet e tij provojnë gabim, ai mund të shkruajë një tjetër shkrim. Apo jo Baton? Burrështetasit i lejohet vetëm një mendim; gabimet e tij janë të pakthyeshme, z. Rama.

Prandaj z. Rama duhej më shumë kujdes. Këmbëngulja juaj mund të shërbejë si djep për teori konspirative me emërues te përbashkët Sorosin, Ju edhe Thaçin. Gjë që unë nuk ngutem t’i besoj, por nuk e kuptoj ku e gjen të drejtën një analist si Baton Haxhiu të kërcënojë presidentin Meta. Kjo më le të dyshoj, edhe pse nuk dua, por prapë se prapë më bren një pyetje. Si shpjegohet se që të dy ministrat kosovarë të qeverisë Rama vijnë nga Universiteti i Sorosit? A mund të më japësh ndonjë shpjegim për këtë ?

Personalisht mendoj se ndër të 7 ministrat që ndërrove, nga sa e kam dëgjuar në intervista në TV, Gent Caka është një djalosh i ri, i lexuar, me llogore, e fjalor argumenti shkencor, por pa eksperiencë, dhe duke qenë në një fushë të vështirë, mendoj se risku është shumë më i madh se shpatullat e tij, ndaj dhe Meta ta futi, kur të tha që të bëhesh dhe ti Ministër, duket se të ka hequr siguresën .

Ju Ministër i Jashtëm de jure shkëlqesia juaj z. Edi Rama mund të mendoni se shkuarja me atlete në mbledhjet e BE-së është diplomaci, mund të mendoni, se provokimet, apo kërcënimet ndaj BE-se janë diplomaci, se deklaratat kundër presidentit, atëherë kandidatit Trump janë diplomaci, se deklaratat për Kosovën në Beograd mund të ngjallin një frymë entuziazmi patriotik, por cili është rezultati …. Ja Vuçiçi po vjen shpejt në Tiranë, dhe ai është bërë figurë e Ballkanit dhe jo Ju. Besoj Macroni ju bleu mendjen nga atletet, dhe Merkel nga veprat…

Politika e jashtme e Shqipërisë ka vuajtur nga personalizimi i saj nga kryeministrat. Dhe Ju besoj se ndryshimet në qeverinë e re nuk i bere nga qefi por  e bëre nga halli i situatës të brendshme, se sa nga përpjekjet për të rilindur Rilindjen. I bëre ndryshimet jo si thua, në intervista me shtypin e huaj, për rigjallërim të punës, sepse ministrat nuk kanë qenë autoritete të ardhura nga jeta politike e vendit, as dhe nga PS-ja, por janë përzgjedhja e juaj dhe e Lindës në atë që përbën enturazhin tuaj.  Prandaj, ministrat për ju nuk personifikojnë autoritete të fushës, por individë që do të ndihmojnë në realizimin e idesë suaj. Prandaj, ishte edhe një numër kaq i madh ministrash 7-të, të shkarkuar për 7 minuta, në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS, ku emrat e ministrave të rinj vetëm t’i i dije.

Dhe kjo ka ndodhur se politika e jashtme gjatë qeverisjes së Rilindjes ka qenë dhe ka vijuar si një diplomaci show, pa asnjë vizion i qartë, pa asnjë vazhdimësi për të siguruar stabilitetin dhe sovranitetin e Shqipërisë, por ka qenë një personalizim i politikës së jashtme nga ju z. kryeministër dhe tani dhe ministër i Jashtëm adintering, Rama. Nuk besoj se Bushati ka bërë ndonjë belbëzim, pro Merkelit a kufijve të Kosovës me Ju.. Këtu ka do gjëra të errëta. Pse duhej të na e kujtonte i pari, ish ministri i jashtëm Grek, Kotzias se Bushati po largohej se nuk pranonte shkëmbimin e territoreve Kosovë –Serbi?

Dhe një çështje tjetër. Nëse një shtet është njëkohësisht shtet i vogël, politika e tij e jashtme kërkon shumë përpjekje për të pasur sukses.  Me gjithë mundësitë e kufizuara shtetet e vogla e të reja, mund të realizojnë këto synime dhe të gjejnë vendin e tyre në marrëdhënie ndërkombëtare, sidomos nëse janë të afta të përcaktojnë dhe të realizojnë ndonjë pozicion specifik të tyre në kuadër të rrethanave ndërkombëtare. Në kësi situate, diplomacia publike efektive paraqet një mbështetje të madhe për realizimin e interesave të jashtme të shtetit.

Një nga veçoritë e diplomacisë publike të shteteve të vogla është se ato duhet të përqendrohet në aktivitete që synojnë tërheqjen e vëmendjes së publikut ndërkombëtar. Kjo nuk arrihet lehtë. Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme.  Po ka një pyetje këtu pse fshihej kjo biografi . Ka pasur ndonjë sugjerim të eminencës gri, Baton Haxhiut, nuk dua t’u besoj komenteve nga Kosova, por figura e tij ka shume hije se dritë.

Duket se arsyeja e vetme, që i ndërrove ministrat nuk është puna e pesëvjetëshit, se ajo është loja. Kuajt nuk ndërrohen kur janë të suksesshëm. Siç pohove se ishin ministrat e larguar, z. Rama. Por shkaku i vërtetë s’qenka jo rigjallërimi i qeverisë siç i pohove gazetares gjermane, por sic i deklarove vetë opozitës, se” ministrat e rinj s’kemi mundësi të m’i shani për korrupsion”.  E në këtë mes nuk e besoj se kundërshtimi i ish-ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati për korrigjimin e kufijve nuk mund të jetë shkaku.

Një palë iku, një palë erdhi, dikush erdhi si rilindas, por nuk lindi asnjëherë. Anonimati i ministrave të rinj besoj se të shërben. siç u shprehe vetë për t’u mbrojtur përkohësisht nga akuzat e opozitës për figura të korruptuara. Dhe aman më qafsh, Bracen e zgjodhe zëvendëskryeministër se të bënte zhurmë e s’doje të bezdiste me kuisjet e tij në Parlament?

Duke ju referuar fjalimit të parë të këtij Cakaj dukej se artikulimi i tij diplomatik ishte i papranueshëm. Si mund të jetë ministër i jashtëm një që s’ka koncepte e artikulim serioz e që emocionohet para kryeministrit të tij si një fëmijë që reciton para shkollës  Kur dëgjon dikë që ka një dalje publike dhe është e pamundur të komunikojë me audiencën, sigurisht që nuk të krijon një habi të madhe, si gjeni, enfant prodigue, sikur e ke prezantuar . Si mundet që ky njeri të mund të drejtojë një ministri kaq të rëndësishme. Në mënyrën se si ai u pozicionua kur mori kompetencat, tregonte mosdije totale për detyrat e shtetit. Po ishte i lexuari i paditur.

Këto gjëra thotë Machiaveli, mund të ju tregojnë shumë për një sundimtar, për sjelljen e tyre, për prirjet e tyre dhe inteligjencën e tyre. Nëse të gjithë të tjerët janë duke u përulur shpesh, ose duke lavdëruar sundimtarin, mund të jeni në gjendje të mendoni rreth nivelit të pasigurisë. Po njësoj, nëse gjithkush do t’i nënshtrohet liderit  “Më të zgjuarit prej nesh të gjithëve!”

Dhe ajo zonjëza Besa Shahini në atë intervistën me atë ekscentrikun Çani, pikërisht këtë gjë tregoi. Se me gjithë përvojën e madhe me politika për arsimin, ajo nuk gjykonte dot me kokën e saj po me atë tënden, jo më me kurrikulën e fillores. Po me këmbënguljen e pacipë të Çanit, u zbulua edhe ajo tjetra, se shoqja Veliajt dhe e ministres tjetër Elisa Spiropalit vinte dhe ajo nga studimet e Universitetit të atij mikut tënd, Sorosit, aty ku edhe ajo hartonte politika zhvillimi si edhe metafiziku ynë i jashtëm.

Ore kam një ide tani që Sorosit ia mbyllën Universitetin në Hungari, pse si thua ta hapë atë në Shqipëri, pasi mund të nxjerrësh ndonjë para, edhe për ata të gjorët, studentët e Universitetit të Tiranës, tani që je vënë në krye të revoltës së tyre….

Mu dhimbs ai Genti sa në siklet qe. E  kuptoj e kishte hallin të mos zhgënjente kryeministrin, ty pra, e jo të kryente detyrën për Shqipërinë. Pasi marrëdhëniet nuk janë brenda institucionit, por marrëdhënie kanalizohet në mënyrë personale, si dishepulli për mjeshtrin. A nuk po e bën punën edhe Ministri i Brendshëm ish-gjenerali Sandër Leshi, që u degradua dhe u gradua në lesh,  nga dashuria për ty ?  Kjo mund të jetë një çelës për inteligjencën e vërtetë të ministrave (si dhe për mençurinë e tyre).

Po pse i ndërrove aman, në Shkodër në kohën e Enverit qarkullonte në barsaletë .U mor vesh se fatorinot e autobusëve merrnin lekët dhe nuk jepnin biletat pasagjerëve , do të hiqeshin nga Parku. Ato protestuan pse na hiqni do të kaloj ca kohë dhe të rinjtë do mësojnë hilet tona, ne jemi ngopur disi por të rinjtë janë më të uritur, është më mirë të na lini ne. Morali kuptohet.

E kuptoj që je zënë ngushtë, dhe pse bëre ndryshime në aparatin qeveritar, po këto ekzibicione politike si duket nuk po të sjellin sukses. Ministria e Punëve të Jashtme, është një post që të solli kokëçarje. Më lind pyetja mos vallë në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi ndoshta i duhet patjetër një ministër i tillë sa për firmë.

Nuk e kuptoj o kryeministri ynë pse mediat e kazanit, siç i quan ti si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë, duke i parë sjelljet e tua po të krahasojnë me Putinin dhe Erdoganin. A man më thuaj sa për qind te Putinit pëlqen dhe sa për qind të Erdoganit ? E prapë ai Makiaveli më porosit shikoni njerëzit me të cilët ai rrethohet?  Çfarë mendoni për ta, inteligjencën e tyre dhe shijen e tyre?  Z. Rama si ju percepton bota ju, shpesh bazohet në atë që ju dukeni ( me atlete) si dhe në njerëzit që keni përreth pa asete.

E di se autoriteti i juaj nuk pranon që të ketë dikë tjetër si sfidues në qëndrime, duke i menduar ministrat të gjithë në funksion të politikës suaj dhe jo si përfaqësues institucionalë në bazë të Kushtetutës.  Sepse po të shohim atë që e shite si një hap pozitiv në Ballkan në marrëdhënien e re mes Serbisë dhe Shqipërisë, sot po e shohim se me shumë zgjuarsi është përdorur nga Serbia për të fituar dhe realizuar skenarin për rikthimin e Serbisë në rajon si protagoniste, duke përdorur elementin shqiptar, pas një humbjeje të madhe morale dhe politike me gjenocidin ndaj Kosovës? Kur është në pyetje pozita reale e një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aftësia e tij për të realizuar interesat e jashtme, burime të fuqisë si madhësia, pozita gjeografike, resurset ekonomike, fuqia ushtarake apo kultura… janë përcaktuese. Edhe tradita e gjatë shtetërore është përparësi e madhe. Zotërimi në masë të kufizuar i këtyre dhe burimeve tjera të fuqisë, nga ana e shteteve të vogla dhe të reja ka ndikim të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe zbatimin e politikës së jashtme. Prandaj duhet mençuri dhe përvojë z. Rama dhe jo cicmice dhe provokime koti në Amarcord si me Greqinë. Nuk na duhet amarkordi apa amorpropri yt, para Çamërisë dhe kufijve detarë të Shqipërisë.

Winston S. Churchill, thoshte se diplomacia Diplomacia është arti i njerëzve që u thonë bashkëbiseduesve shkofsh në djall por në mënyrë të tillë që ata vetë t’i kërkojnë drejtimet e rrugës ” dhe Genti Caka, sado djalë i lëçitur qoftë, në metafizikën e Kantit, nuk i di ende rrugët dhe adresat. E tregoi fakti që ndërroi adresën e Twitterit pa u zgjedhur ende ministër e tregon foshnjërinë e tij … Z Rama nuk kam asgjë ndaj ministrave kosovarë dhe është gjë e mirë që të vazhdojë tradita e ministrave nga Kosova në qeverinë shqiptare, por duhet duhet një Hasan Prishtine, për të zgjidhur çështjet e mëdha kombëtare të kufirit me Greqinë dhe me Serbinë. Diplomacia nuk është lojë xing z. Rama. Është lojë që nuk të fal. Ti e di si kujtohet Zogu për Shën Naumin.

Çfarë lloj njerëzish e rrethojnë një lider? A është ajo një bandë e “yes –menësh ” apo janë ata ekspertë të lëndës, të gatshëm për t‘ia përplasur me shuplakë sundimtarin të tyre?  Asnjë ministër se ka bërë këtë gjë gjer më sot në Shqipëri. Madje as dhe një dorëheqje. Të gjithë flasin vetëm sa hiqen. Aman ai Manjani!  Por sa janë ata në qeveri janë të gjithë të butë, të pangopur, kukulla goxha, shkurt, pak më shumë se lodra për të gudulisur egon tënde prej buratinai?

Në fakt më fal se këto pyetje, s’janë të miat por të Makiavelit, dhe 500 vjet më parë.

PS :Nëse ka një ngjashmëri me Ju qeverinë e re tënde të re , kjo mund edhe  të mos jetë e rastit.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Caka dhe Makiaveli, Rafael Floqi, Rama

Enigma “Koçula”. Qytetërimi ilir 17 mijë vjet më i lashtë se ai grek

January 4, 2019 by dgreca

image1image2image3image4image5OLYMPUS DIGITAL CAMERAimage7image8image9

Nga Rafael Floqi/ Dielli/

Korçula është një nga ishujt më të mëdhenj të Dalmacisë jugore. Është një vend i bukur dhe i gjelbëruar, i dalluar si një qytet mesjetar i mrekullueshëm, ku ndjehet atmosfera dhe historia e tij e gjatë e veprimtarisë njerëzore aty, e cila shkon prapa dhjetëra mijëra vjet, siç tregohet nga gërmimet e rëndësishme në shpellën Vela Spila në perëndim të ishullit. Ju mund ta eksploroni qytetin e Korçulës të ndodhur në bregun kroat të Dalmacisë: nga Spliti deri në Dubrovnik dhe anasjelltas dhe me anë të disa itinerareve të tjerë të lundrimit në Kroaci Gjithashtu, duket se Korçula ka luajtur një rol në kolonizimin e lashtë grek të ishujve të Adriatikut. Emri i saj grek, është Korkyra Melaina, dhe është mjaft i vërtetuar në literaturën antike. Kjo do të thotë “Korkyra e Zezë “, Korkyra është emri i lashtë i Korfuzit të sotëm, ishulli më verior grek në Adriatik. Në mënyrë intriguese, gjeografë të ndryshëm antikë grekë, të tillë si Straboni, i referohen Korçulas si Korkyra Melaina i themeluar nga qytet-shteti i Knidos – i ndodhur shumë larg në Egjeun lindor. Periudha kur Knidos ishte në pozitë ekspansioni për të gjetur koloni, i takon shekullit të VI-të para Krishtit. Kjo do ta bënte Korkyra Melaina apo Korçulan e sotme koloninë më të hershme greke në Dalmaci dy shekuj para të tjerave. Historikisht e mundshme? Asnjë mister ende ?…

Misteri 1. Po ku është vendbanimi grek i njohur si Korkyra Melaina?

Më intriguese, e bën zbulimi në shekullin e 19-të, të një fragmenti të rëndësishëm të zbuluar si fragment, në Lumbarda, ( vini re ngjashmërinë me shqipen Lum Bardha.RF ) në një zonë pjellore pranë qytetit të Korçulës. Ky objekt është një Psephisma, pra një dokument që regjistron ndarjen e parcelave të tokës për kolonët grekë që nguliteshin në një koloni të re dhe është e qartë, që i përket shekullit të 3-të apo i 2-të para Krishtit. Emrat e individëve, me emrat e familjeve greke (më së shumti me origjinw nga Issa / mbarojnë me Vis, ndryshe nga ato. që rridhnin nga grekët sicilianë), si njerëz që kanë tokë dhe të drejtën për të jetuar në një qytet të rrethuar me mure, një strukturë tipike për një koloni të re. Në rastin ideal, kjo do të thoshte se në ishull kishte dy vendbanime të veçanta greke, njëra nga shekulli i gjashtë p.K, dhe një shekull më vonë.

Por cilat janë dëshmitë arkeologjike për praninë e mëparshme dhe të mëvonshme greke në ishull? Ato janë zero, asgjë, none, nada, rien, nichts, e në kroatisht: ništa.

Ky është misteri ynë!

Ne kemi dëshmi të mira për kolonizimin e ishullit Issa (Visi modern, ishulli tjetër në perëndim) në fillim të shekullit IV para Krishtit, të përvetësuar nga kolonët nga Sirakuza në Sicili dhe ata nga Pharos (Hvar, ishulli tjetër më në veri) të cilët janë në të njëjtin brez, apo më vonë por në të njëjtin kontekst, kemi edhe disa koloni të mëvonshme të tjera në bregun dalmat. Kështu ishujt Vis dhe Hvar, janë vendbanime greke që janë vërtetuar arkeologjikisht, rrethuar me mure, varre, themele shtëpish dhe monumenteve të tjera, duke përfshirë edhe një teatër në Vis, ndërsa në Hvar gjendet edhe një sistem mahnitës sistemimi të fushës së Starigradit, ku fermerët modernë ende përdorin po atë një ndarje toke, të përcaktuar 2400 vite më parë.

Misteri i 2-të. A është Korçula një vendbanim liburn ?

Ndërsa në Korçula, arkeologët nuk kanë zbuluar ndonjë koloni greke. Por ata kanë gjetur aty vendbanime dhe vendvarrime të fiseve lokale dalmato-ilire, të shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë qeramikë greke, që me sa duket, përdoreshin si objekte të një statusit ekzotik, por nuk ka gjurmë të ndonjë vendbanimi grek, të shekullit të 6-të ose të 5-të, apo më të vonë të 4-të apo të 3-të p.K. Madje edhe në Lumbarda, ku është gjetur mbishkrimi i famshëm, elementët e parë jo-lokalë që arkeologjia zbuloi, janë disa elemente romakë, të shekujve të më vonshëm.

Ky është problemi. A ka pasur vazhdimësi arkeologjike dhe historike aty? A janë referencat arkeologjike të shekullit të 6-të thjesht trillim, propagandë apo keqkuptim? Apo a ka ndodhur një përpjekje e hershme kolonizimi? A arrinin kolonët të vendoseshin gjithnjë, apo ka pasur raste që disi dështonin? A u refuzuan ata nga banorët vendas? A ekzistojnë prova historike për konflikte midis kolonëve grekë dhe vendasve ilirë në vende të tjera të zonës? Të njëjtat pyetje lindin edhe për dokumentin e shekullit të 3-të / 2-të. Si ka ndodhur: cilët janë njerëzit që kanë ndarë parcelat e tokës, dhe pse nuk mund të gjejmë ndonjë gjurmë nga prania e tyre?

Që ishujt Vis dhe Hvar, janë vendbanime të dukshme greke shihet edhe përmes mbetjeve arkeologjike, por çfarë ka, dhe çfarë ka ndodhur në Korçula? A ka qenë ajo koloni greke?

Arkeologët lokalë nuk pajtohen me këtë konkluzion ata thonë ose ka pasur ndonjë ngulim të pazbuluar grek (ose dy?) diku në ishull, ose të gjitha përpjekjet për kolonizimin e ilirëve, dështuan dhe historia dhe mbishkrimet shprehin se ka vetëm një enigmë, për t’u zgjidhur në Korçula. Pra a kemi një mister të hapur, apo kemi një histori të thjeshtë, dhe veç fjalë që nuk përputhen me faktet? Ta shohim…

Misteri i 3-të.  Historia Ilire duhet të rishkruhet

Në foto keni një kopje të mbishkrimit të Lumbardës në shekullin e 3-të apo të 2-të që ndodhet në muzeun lokal. Por le të përballemi me atë. Ne ende nuk e dimë se çfarë të bëjmë dhe për emrin  Korkyra Melaina. Por ka arkeologë që punojnë në ishull, e ndërsa po flasim: le të shohim se çfarë kanë zbuluar …

Kanë kaluar disa muaj nga lajmi i jashtëzakonshëm i zbulimit të arkeologëve kroatë, që kanë arritur në konkluzionin se historia Ilire duhet të rishkruhet dhe me të edhe historia e Ballkanit dhe Evropës.

Më së miri këtë zbulim për ilirët e ka vlerësuar gazeta “New York Times”, kur duke iu referuar zbulimit të arkeologëve kroatë, shkruante: “Paraardhësit tanë të lashtë, i njohim për gjuajtjen e mamutëve, por zbulimet e fundit në ishullin e Korçulës na dëshmojnë se njerëzit kanë ditur ta përpunojnë qeramikën që nga koha e akullit”.

Dhe këta njerëz që kanë ditur të bëjnë shumë më shumë se sa gjuetia, kanë pasur kulturë, dhe zhvillim teknik, dhe kanë ditur shumë më shumë, sesa ndoshta po hamendësojmë ne tani. Dhe arkeologët kroatë e ata amerikanë, dhe se librat që kemi lexuar, mund të jenë të shkretë, me  mësime të gabuara, të historisë dhe arkeologjisë së deritanishme. Arkeologët kroatë kur e bënë publik zbulimin e tyre, thanë se këto gjetje do të ndryshojnë kuptimin e historisë së përgjithshme botërore. Si, qysh?…

Misteri i 4-t. E gjithë historia e species njerëzore në një vend

Zbulimet në ishullin e Korçulës, në lokalitetin Kopile kanë zbuluar një nekropol ilir, në të cilin janë gjetur copëza qeramike, të cilat datojnë ndërmjet viteve 17.500 deri 15.000 para Krishtit, raportonin mediat kroate në vjeshtën e shkuar, kur prezantuan punën kulmore të hulumtimeve katërvjeçare të ekipit të udhëhequr nga arkeologu kroat, Dinko Radiç, i cili tha se ata kanë zbuluar varre dhe thesare të tjera, që do të ndryshojnë historinë e botës.

“Varret si këto nuk janë gjetur ndonjëherë deri tani përgjatë brigjeve të Adriatikut. Organizimi, dimensioni dhe bashkëngjitjet e tyre shënojnë fillimin e një kapitulli të ri në historinë e fiseve lokale ilire “, tha arkeologu Dinko Radiç, para se të shtonte se: “Hulumtimi i tejkaloi të gjitha pritjet, sepse zbulimi ndodhi në varret monumentale me një skeme rrethore, me blloqe të mëdha guri të rregulluar. Pjesa qendrore e këtij rrethi gurësh, është e përbërë nga varre të mëdhenj, ku rreth dhjetë të vdekur mund të varroseshin së bashku me qindra vazo, armë hekuri dhe bronzi, argjendi, xhami dhe xhevahire prej qelibari “.

Dhe profesori i Kembrixhit, Preston Miracle, i cili ka qenë pjesë e hulumtimit në Vela Spila dhe në Vela Luka në ishullin e Korçula për disa vjet, erdhi në Kroaci për të dëshmuar edhe ai për zbulimin. Të gjitha këto gjetje, do të paraqiten përmes një ekspozite në Zagreb, në Klovićevi dvori. Kujdestarja e ekspozitës Jasmina Bavoljak tha se “Korçula është një nga ishujt më të mirëeksploruar mesdhetarë dhe se përpjekjet e ardhshme të shkencëtarëve evropianë do të thellojnë njohuritë e sotme edhe më tepër”.

Kurse ekipi i Radiçit thotë: “Ne kemi mundësi të zbulojmë të gjithë historinë e species njerëzore në vetëm një vend.” Vela Spila mban dëshmi të jetës nga Epoka e Gurit deri në Epokën e Bronzit, shkruante gazeta kroate Jutarnji list “Paradoksalisht me bindjet dhe librat historikë dhe arkeologjikë, ky zbulim e përafron kohën dhe kulturën ilire dhe atë njerëzore, me moshën e piramidave të Bosnjës, që arkeologu Samiragiç, pretendon se e ka zbuluar, dhe që janë rreth 20 mijë vjet më të vjetra, shkruan siti syri.net.  Pa hyrë këtu në spekulimet e qytetërimeve të ardhura nga alienët, alla History Channel.

Pra, shkencërisht kufiri i kulturës ilire dhe asaj ballkanike dhe evropiane, është zhvendosur për më shumë se 12 mijë vjet para qytetërimit botëror, dhe më shumë se 17 mijë vjet para asaj që njihet si qytetërimi helenik, dhe që Evropa e quan, themel të qytetërimit të saj dhe atij botëror. Ajo që është për t’u habitur është se në këto varreza, u gjetën përveç qeramikës, edhe armë prej hekuri, stoli prej bronzi, argjendi, qelqi dhe qelibari, e të gjitha këto, tregojnë pavarësi dhe zhvillim më të hershëm nga qytetërimi helenistik.

Varrezat e këtij lloji nuk kanë qenë të njohura, kurse sa i përket organizimit, dimensioneve dhe përmbajtjes paraqesin një gjetje të re në studimet historike të banorëve ilirë për kohën para Krishtit, thuhet në vlerësimet e arkeologëve kroate. Arkeologu, Dinko Radiç, kryesues i ekspeditës arkeologjike, pat deklaruar se ata ndjehen të privilegjuar, që në një vend të vetëm mund të shfaqet e tërë historia e panjohur njerëzore.

Misteri i 5-të. Lashtësia s17.500 vjeçare e qeramikës Ilire

. Nga ana tjetër Nju Jork Times duke shkruar për këtë zbulim shton se “ata (paraardhësit tanë) njiheshin vetëm për gjuetinë e mamutëve, por zbulimet e fundit në Kroaci, sugjerojnë se njerëzit në fillim të kohëve kishin arritur të përpunonin shumë më shpesh qeramikë se sa nga sa besonim ne”. Kjo mund të provojë më tepër edhe për mundësinë e një bashkëjetese të mëvonshme apo simbioze midis kolonëve grekë dhe ilirëve vendas, dhe jo për një dominimin të gjerë kulturor të grekëve. “Tridhjetë e gjashtë fragmente të argjilës së pjekur të gërmuara në shpellën Vela Spila në Kaçula, përbëjnë koleksionin e dytë më të madh të gjetur deri më tani me eksperimentet më të hershme që ka bërë njeriu me artin qeramik. Ato janë 15,000 deri në 17,500 vjeçare – qw është dëshmia e parë evropiane e artit qeramik në periudhën,  pasi akullnajat ndalën përhapjen”, shkruan New York Times.

Koleksioni më i vjetër dhe më i madh i qeramikës, është bërë rreth 30.000 vjet më parë dhe është gjetur në Republikën Çeke, dhe përfshin një figurinë të zhveshur të njohur si Venusi i Dolni Vestonices. Përveç kësaj, arti qeramik i pjekur është para kohës përpara shpërthimit të prodhimit të poçeve qeramike 10.000 vjet më parë, pasi akullnajat u tërhoqën dhe njerëzit e hershëm u vendosën në toka duke u marrë me bujqësi.

Misteri i 6-të. Ilirët nuk ishin popull margjinal

Në ishullin Korçula janë zbuluar dëshmi të jetës njerëzore, që nga epoka e gurit deri në epokën e bronztë. “Mendohet se zbulimet në Kopilë, do ta ndryshojnë mënyrën se si ne e shohim historinë në këto hapësira. Ilirët, shpesh i perceptojmë si margjinalë, veçanërisht në raport me kolonët grekë. Megjithatë, kërkimet tona kanë treguar se roli i ilirëve në këto hapësira ka qenë më i madh sesa është menduar dhe paraqitur deri tani”, thotë Radiç.

Kjo mund të shërbejë si teza edhe në gërmimet arkeologjike në Shqipëri, se në ç’ masë kultura e Komanit apo e Maliqit është protoilire apo e banorëve të tjerë më të hershëm indigjenë?

Sot kanë dalë madje dhe arkeologë grekë që pohojnë një simbiozë në mes të grekëve antikë dhe ilirëve, madje kanë hedhur edhe tezën se ilirët nuk krijuan alfabet dhe përdorën atë grek, pasi gjuha e tyre ngjasonte.

Misteri i 7-të. Pyetje pa përgjigje…

Sipas Dinko Radiçit dhe Igor Borziç në konkluzionet e punimit të tyre “The Island of Korčula: Illyrians and Greeks shkruhet se “Nekropoli e kodrës Kopila’ u formua nga fundi i shekullit të 4 p.K, dhe ajo zgjati deri në fund të shekullit të 1 p.K. Përsa i përket sasisë së gjetjeve dhe sasisë së tyre, cilësisë së zejtarisë, mallrat e varreve dhe gjetjet e tjera dëshmojnë për fuqinë e konsiderueshme ekonomike të popullsisë lokale, por edhe për përfshirjen e tyre në rrjedhat tregtare të kohës. Por përveç këtyre elementeve, në shikim të parë, dukshëm tregohet begatia e ekonomisë së kësaj popullsie edhe komuniteteve të tjera indigjene. Është e qartë se kërkimi në bazën dhe përdorimin ekonomik të burimeve lokale ende nuk ka filluar mirë. Dhe deri më tani është i kufizuar vetëm për një seri pyetjesh, p.sh.:  A kultivonin komunitetet indigjene të Korçulas rrushin dhe ullinjtë, çfarë kokrrash mbillnin ata dhe në çfarë mase, cilat kafshët të zbutura mbizotëronin, në çfarë shkalle ishin peshqit të pranishëm në dietën e tyre, nëse ata në mënyrë aktive merrnin pjesë në tregtinë detare a krijuan ata produkte prej hekuri, cilat ishin kushtet klimatike të kohës, sa ka ndryshuar jeta lokale e bimëve nga ajo e sotmja? Këto janë pyetje që kanë të bëjnë me vetë thelbin e përpjekjeve të jetesës së popullatës lokale që ende nuk kanë përgjigje.

Në këtë pikë, praktikisht asgjë nuk dihet, për strukturën dhe organizimin e shoqërive indigjene, por ka spekulime të justifikueshme, që nga fundi i shekullit të 4 para erës sonë, në disa mënyra  u krijuan disa aleanca ushtarako-politike në mes të komuniteteve, sigurisht të nxitura nga qendra e Shtetit ilir, i cili duket se ishte i mirë shtrirë edhe në zonën periferike. Megjithatë, fillimet e kësaj renditjeje ngjarjesh në të dyja vendbanimet e lartpërmendura u ngritën gjatë epokës së vonë të hekurit dhe, sigurisht, u zhvilluan edhe më shumë. Gjatë kohës dhe hulumtimit jashtëzakonisht të dobët bronzi i vonë dhe pothuajse i panjohur në hekurin e hershëm.  Korçula qëndronte në periferi të botës ilire, e cila kishte qendrën e saj të thellë në brendësi të Adriatikut, e krijuar nga proto ilirët pas migrimeve panoneze-ballkanike. Ndikimet kulturore që dolën në drejtim të ishullit tregon se popullsia lokale rridhte nga Liburnët, por edhe nga zona Glasinac, dhe materialet e gjetura ishin kryesisht të natyrës, tregtare dhe mjaft të dukshme, para së gjithash në format e bizhuterive.

Misteri i 8-të. Proto-ilirët dhe pellazgët

Pas këtij zbulimi ne shqiptarët dhe arkeologjia gjuhësia, historia, antropologjia edhe gjenetika, duhet të tregojnë gjithnjë e më shumë se jemi pasardhës të ilirëve, por dhe të pellazgëve, dhe të dyja tezat nuk përjashtojnë njëra tjetrën, ndaj historia jonë kur flet për proto ilirët, duhet ndryshojnë pikëpamjet për zhvillimin dhe civilizimin ilir, lidhjet pellago- ilire por dhe në ndikimin e zhvillimit të civilizimit botëror.

Një varg aluzionesh të vjetra historike e poetike për pellazgët përkojnë fare mirë me përfundimet e arkeologëve e gjuhëtarëve të sotëm. Edhe pa u përpjekur të bëjmë një vlerësim apo harmonizim te dorëshkrimeve te vjetra, në to vërehet një rregullsi e përgjithshme. Pellazget parahistorike bënin pjesë në familjen indoevropiane të kombeve. Në të kaluarën e largët këta popuj banonin në kufirin midis Evropës dhe Indisë. Ata të gjithë flisnin një gjuhë të njëjtë. Bënin një jetesë primitive si nomadë në tenda, merreshin me rritjen e dhive, mbledhjen e frutave, peshkim e gjueti kafshësh te egra për ushqime e veshje. Me sa duket, aty rreth viteve 3000 p.K. ndodhi një shpërbërje e madhe, qe i shpërndau këto familje fisnore në mënyrë centrifugale në të gjitha drejtimet. Nga burimi arian u bë një shpërngulje ne jug për në Indi; kurse të tjerët u shpërngulën nga ky djep indoevropian i njerëzimit drejt perëndimit.

Lajmet e para mbi fiset Ilire dhe vendin e tyre i gjejmë që në monumentet më të hershme të letërsisë helene, që në poemat e Homerit e të Hesiodit.  Në poemat e Homerit gjejmë edhe disa që kanë për subjekt historinë e Ilirisë, p.sh. poema mbi pjesëmarrjen e panionëve në luftën e Trojës , për lokalizimin e vendbanimeve të tyre, për pjellorin e tokës së thesprotëve (Epirit), etj. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve panionë në luftën e Trojës kundër akejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Panonia pjellore” me prijësit e akejve dhe të trojanëve.

Misteri i 9-të – Djepi i origjinës së proto-ilirëve

Ka shumë të ngjarë që djepi i origjinës së proto-ilirëve të jetë brendësia e viseve ballkanike, mjaft më në lindje ose në verilindje në krahasim me brigjet adriatike. Ajo përzierje mes aborigjenëve neolitikë, bartës të kulturës së « Evropës së vjetër » dhe të ardhurve rishtas gjithmonë neolitikë – të cilët që nga mijëvjeçari i V ose i IV p.e.s. duket se depërtuan në Ballkan – domosdoshmërisht ka prodhuar një përplasje kulturash, skemat e të cilës janë përshkruar në të gjitha veprat serioze, që flasin mbi indoevropianët e parë. Elementi kryesor që sugjeron idenë është ajo lidhje gjinore e natyrës gjuhësore me proto-trakët, gjë e cila sugjeron edhe rajonin gjeografik ku ka ndodhur fillimisht përzierja, e ndjekur nga përplasja.

Ky fenomen nuk është as i izoluar as edhe i përveçëm për proto-ilirët pasi, e njëjta logjikë mund të përdoret edhe për proto-helenët ose edhe proto-maqedonët, të ngjizur sikundër të parët nga përzierja e aborigjenëve neolitikë ballkanikë dhe neolitikëve proto-indo-evropianë. Shkrirja e « proto-ilirëve » me grupimet autoktone të tipit evropian ose ballkanik « të vjetër » që jetonin ndërkohë në viset Adriatike dhe joniane, ndodhi diku në mijëvjeçarin e III- të p.e.s. Por në dritën e këtij zbulimi ajo mund të jetë edhe më e hershme. Këta të fundit ndërkohë njohin metalurgjinë e bakrit dhe fillimet e metalurgjisë së bronzit.

Në këtë stad, historia jonë përputhet me atë të historianëve shqiptarë, të cilët ngulmojnë – me të drejtë – për atë vazhdimësi të shquar të kulturës materiale lokale që vendoset që prej kohëve të errëta të bronzit të mesëm. Për më tepër, kjo vërejtje shkon në drejtimin e hipotezës së mësipërme, pasi tretja e krijuar rishtas, nuk ka asgjë të përbashkët me përplasjen : jo vetëm që « proto-ilirët » kanë mundur të fitojnë nivelin kulturor « mesatar » ballkanik si edhe teknikat industriale të indigjenëve përgjatë asaj kohe që ata kanë jetuar në brendësi të gadishullit por edhe « autoktonët » që mund të kenë pasur ndërkohë kontakte të shumta të parakohshme me popullsitë e stepave.

Në fund të fundit, të ardhurit rishtas sjellin dhe imponojnë praktika të reja varrosjeje siç është rasti i tumave, procese të reja poçerie « me shirita » si edhe elementë të reja gjuhe, duke tërhequr në këtë mënyrë pas vetes masën e popullsisë lokale që ata gjetën në vend, në atë proces të gjatë të « ilirizimit » që zgjati disa shekuj, duke filluar nga epoka e bronzit.

Misteri i 10-të-Etnogjenza e Ilirëve në plan evropian

“Pikëpamja e zhvilluar nga arkeologët shqiptarë në gjysmën e shekullit të XX ka krijuar teorinë e formimit të ilirëve dhe të kulturës ilire në vend pa ndërprerje, pra, kjo është teoria e autoktonisë. Në këtë kuptim teza që i lidh ilirët me bartësit e kulturës së fushave me urna bije, ose zbehet. Gjithashtu, të dhënat arkeologjike flasin se dyndja Panono-ballkanike nuk e ka përfshirë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, pra edhe territoret e Shqipërisë. Etnogjeneza ilire nuk duhet parë vetëm në lidhjen me dyndjen Panano-ballkanike, pavarësisht nga disa ndikime të saj. Kjo dyndje e cilësuar indoeuropiane në fundin e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë ndikoi në kultura neolitike të Ballkanit, por nuk është totalitare për territorin shqiptar të sotëm. Kaçula e tregon këtë. ” Etnosi ilir i krijuar në epokën e bronzit është edhe një unitet, që ka brenda diversitet dhe, përgjithësisht, sot nënvizohen dy grupe të mëdha kulturore ilire: ai jugor dhe ai verior, thotë me të drejtë studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo.

Pas këtij zbulimi, është e nevojshme të braktisen për një çast misteret e ilirologjisë dhe koncepti i autoktonisë, që shpesh kthehet në obsesion, për të shtruar çështjen e gjenezës së ilirëve në një kuadër më të gjerë, në atë ballkanik dhe evropian. Rasti i Kaculës është hapi i parë në këtë drejtim.

Literatura

Eterović Borzić 2017a A. Eterović Borzić, Jantarni nalazi, in: Grad mrtvih nad poljem života. Nekropola gradinskog naselja Kopila na otoku Korčuli, I. Fadić, A. Eterović Borzić (eds.), Zadar 2017, 117-124.

Dinko Radić, Igor Borzić , Otok Korčula: “Iliri i Grci”, The island of Korčula: Illyrians and Greeks.

Zaninović 2015 M. Zaninović, Ilirski ratovi, Zagreb 2015.

https://hrcak.srce.hr/index.php?show=clanak&id_clanak_jezik=284913

Vela Spila – Korčula (photo credit: Marija Radovanovic) Archaelogical blato discovery kopila

https://www.croatiaweek.com/archaeological-sensation-on-the-island-of-Korçula/

https://www.petersommer.com/blog/archaeology-history/mystery-croatia-Korçula

Alanna Mitchell, Ceramic Fragments Point to Artistry in the Ice Age, , https://www.nytimes.com/2012/09/11/science/ceramic-fragments-point-to-ice-age-artistry.html

Moikom Zeqo, Etnogjeneza iliro-shqiptare në vështrimin e Gimperas , Ballkan web,

19 Shtator, 2016 , https://balkanweb.com/etnogjeneza-iliro-shqiptare-ne-veshtrimin-e-gimperas/

Filed Under: Opinion Tagged With: Enigma “Koçula”. Qytetërimi ilir 17 mijë vjet, më i lashtë, Rafael Floqi, se ai grek

Hartat e lashta të Francois Belforest të Durrësit, Vlorës dhe të porteve shqiptare

January 1, 2019 by dgreca

NGA RAFAEL FLOQI/

1 harte 32 Harte 4

Pas disa gjurmimeve në arkivat e Bibliotekës Kombëtare të Francës kam gëzimin t’u njoftoj se  zbulova një përshkrim të historisë dhe gjeografisë të Shqipërisë, të Durrësit dhe të qyteteve porte të Shqipërisë mesjetare që prej Durrësit deri në Igumenicë, nga hartografi i Mbretit të Francës Fransua  Bellforest, botuar në shek. e XVI-të.  Në të cilin vendin kryesor e zë një hartë e Durrësit dhe Vlorës e kësaj kohe.

1 François de Belleforest

Por cili ishte François de Belleforest (1530 – 1 janar 1583).Ai ishte një autor mjaft frytdhënës francez, poet dhe përkthyes i Rilindjes. por dhe një hartograf i mbretërisë Franceze, https://en.wikipedia.org/wiki/Fran%C3%A7ois_de_Belleforest.

Ai në librin e tij me harta, Kosmografia në zërin “ L’Albanie” bën një përshkrim të qyteteve shqiptare, duke dhënë dhe hartat përkatëse. Ai në këtë vepër na ka dhënë gjithashtu edhe një historik të shkurtër enciklopedik të Durrësit të lashtë dhe të porteve: të Vlorës, Orikumit Butrintit dhe Igumenicës,  të bazuar tek historianët antikë, interesant për t’u ditur, të cilat i quan, porte tipike të Shqipërisë, sipas të vërtetës historike të kohës dhe të autorëve antikë. Kozmografia është shkenca që përshkruan karakteristikat e përgjithshme të kozmosit ose të universit, duke përshkruar si qiellin ashtu edhe Tokën (por pa kaluar në gjeografi ose astronomi të mirëfilltë ). Vepra e parë është ajo e mjekut persian të shekullit të 14-të Zakariya al-Qazwini.
Belforest lindi në Comminges, në një familje të varfër dhe babai i tij ishte një ushtar që u vra kur ai ishte shtatë vjeç. Ai kaloi disa kohë në oborrin e Marguerite të Navarre, udhëtoi për në Toulouse dhe Bordeaux (ku takoi George Buchanan), pastaj në Paris, ku erdhi në kontakt me anëtarët e brezit të ri letrar, përfshirë poetët: Pierre de Ronsard që hartoi një poemë për Skënderbeun, përkthyer së pari nga Konica tek revista “Albania”, si dhe Jean Antoine de Baif, Jean Dorat, Remy Belleau, Antoine Du Verdier dhe Odet de Turnèbe. Në 1568 ai u bë historian i Mbretit Henry III, por u desh të heqë dorë për shkak të pasaktësive. Ai punoi si përkthyes dhe përkthyes i Kozmografisë së Sebastian Munster në frëngjisht. Kozmografia Universale e të gjithëve u botua 1575 në Paris dhe u krijua nga Nicolas Chesneau dhe Michel Sonnius. Ai nuk e ka përdorur Sebastian Munster si burim i vetëm, disa harta dhe pikëpamje bazohen tek  Ortelius dhe Braun / Hogenberg, por ka mjaft burime të panjohura por dhe pune origjinale të tij, sipas https://www.vintage-maps.com/en/de-belleforest-francois-165?p=3

Në vitin ai 1568 u bë historiograf i mbretit. Ai vdiq në Paris duke lënë vepër që konsiderohet të jetë një vepër e hershme e kozmografisë, ai është edhe autori i Hartës dhe tekstit te mëposhtëm, për Durrësin, Vlorën dhe qytet e tjera të Shqipërisë, botuar në frëngjisht në vitin 1575.

Durrësi

Durrësi apo Epidauri, është një qytet që shtrihet përtej Deltës së Drinit dhe Kepit te Rodonit, duke kaluar përtej bregdetit të Lissus, në jug ne do të mbërrijmë në qytetin e lashtë të Dyrrahut, apo nëse preferoni Durrazze, (Durrës) i quajtur kështu nga romakët, por që kishte një emër më të lashtë Epidaurie, (Epidamus) që mesa duket qe emri i parë, por që banorët e ndërruan pasi kishte rezultuar fatkeq (qyteti qe shembur nga tërmeti RF).

Ky qytet u quajt Durrahie siç thotë historianin romak Pausania në emër të themeluesit te tij megjithatë  ishte Epidauri i cili i hodhi themelet në kodër, po kur shekujt kaluan me tej qytetit iu shtua dhe porti dhe e pagëzuan me emrin Dyrrache, Starboni e quan si një koloni te korfiotëve     ( banorëve te Korfuzit të cilët e pagëzuan qytetin, por historianë të tjerë thonë se ishin kolonët Korinthas ata të cilët i dhanë emrin Ephire, por ajo që është më e mbështetur, ashtu, siç thotë, dhe Tukididi edhe Korfuzi ishte i populluar nga epirotas (Ephirien) pra Corithianë që qenë gjithashtu dhe Korfiotë të cilët e pagëzuan qytetin Epidaurie, por se nuk duhet harruar se themelet e këtij qyteti i atribuohen zotërinjve kolonë të Korinthit.

Por ka nga ata, në mes së cilëve, historiani Apian Alexandrini, i cili në librin Lufta Civile shkruan:” Një mbret barbar i quajtur Epidauri  ndërtoi një qytet pranë detit, dhe se ai mendon se e mban këtë emër, për nder të themeluesit të tij. Me emrin Durrache njihet (në mitologji RF) i biri dhe e bija e një nimfe dhe e Neptunit (siç besohet) ndaj dhe porti i qytetit u quajti Durrache. Nga ana tjetër, sipas tij meqë Herkuli luftoi aty, qyteti i Epidmamit e zgjodhi atë si Zot Mbrojtës dhe si qytetar të qytetit, kështu ndodhi madje që edhe deti Jon mori emrin e Jonit, të birit të Durrahut. që na le të mendojmë dhe prandaj Herkuli e zgjodhi atë qytet, pasi ishte afër detit. Ne këtë qytet kanë banuar dhe popullsi të ndryshme si Frigasit, pastaj Taulantët, Ilirë dhe Liburnët te cilët kishin anije shumë, të lehta të cilat mund të përdoreshin për pirateri, banorët vendas ilirë në atë kohë u shkëputën nga korfiotët, të  cilët e banonin atë më parë. Dhe ishte po në Durrah, apo në Durrës, ku ndodhën edhe betejat Pharsalike midis Cesarit dhe Pompeut, një ndër betejat më të mëdha që përshkruhet në Luftërat Romake, sipas Lukianit.

Ky qytet mbështetet nga një shkëmb që hyn në det, duke krijuar gati një ishull, edhe qe ky qytet që e ndihmoi me ushqime dhe drithë, Kampin e Pompeut, edhe pse qyteti është i rrethuar nga deti, ka një shkëmb që futet thellë në det, por ajri është moçalor dhe malarik deri sa më vonë qyteti u shpopullua fare, saqë Lukiani e përmend ne poemën e tij të Luftërave Romake, kur thotë që arritja në qytet nga greminat ishte mjaft e vështirë.

Ky qytet deri vonë zotërohej nga venecianët. Këtu ata mbanin shumicën e forcave që kontrollonin Shkodrën. Drishtin dhe Lezhën, por aktualisht, Durrësi zotërohet nga turqit ashtu si dhe pjesa tjetër e Shqipërisë, të cilën do ta përshkruajmë më poshtë

Orikumi dhe Vlora

Duke filluar me qytetin e Orikumit, që tani quhet Orche, si te thuash i Lidhur me Valonën në Maqedoni në Gjirin e Lodrin (Drinit) është gjithashtu një vend ilirik që e merr emrin nga emri i mbretit ilir Aulon.  Onche është ndërtuar në breg të detit në një fushë ballë për ballë me Italinë, që quhej atëherë Hydrus dhe sot Otranto, në Lindje ka Antagoninë, malet Ceraune dhe Amantian një qytet maqedonas në mes dhe në Perëndim ka detin dhe Italinë. Ajo banohej nga Colchiens. Larg 2 milje prej aty është ishulli i Sazanit, ndërsa Italia është larg 25-30 milje. Orche zotëron kontinentin dhe portin si edhe ishullin e banuar nga Dardanët, sipas Domenique Marie , Geografia. libri 11. (Interesant ky autor bën si banorë të Sazanit Dardanët. RF)

Ky qytet përmendet nga Tit Livi ne librin e tij “Lufta në Maqedoni” dhe për faktin se nuk ka ushtri dhe burra të fortë për të kapërcyer muret, megjithatë ata u kapën në befasi natën nga Filipi, i biri i Dhimitrit, i cili dhe aty ai ndeshi me rezistencë. Romanët e përmendin këtë qytet, pasi ai u qëndroi me shumë forcë ushtrive të Romës , të cila donin të ndalonin aty para se të kalonin në Greqi, duke kaluar në Thesali përmes Epirit. Nga ana tjetër, ishte e nevojshme për ushtarët e Romës, që të ndalonin në Orikum, apo Oche para se të kalonin në Itali për në Brunduse, qytet i Kalabrisë, që tani quhet Brindes (Brindisi, RF)

Por ai që përfitoi nga ky qytet ishte Jul Qezari dhe Apiani e përmend në luftërat civile të Romës që thuhet se kanë ndodhur aty. Pranë Orches ndodhet edhe qyteti i Antigonës i ndërtuar nga mbreti Antigon që mund të jetë dhe Gjirokastra e sotme, që ndodhet në këtë pjesë të Epirit, që përmendet në kohët e shkuar si Kaonia ose ajo që sot është Shqipëri e vërtetë.

Butrinti

Pas kësaj mbërrijmë në Hercatompe që mund të quhet kolonia më e lashtë e Thesprotëve, Buthrote  që dhe tani mban emrin Butrinti, që ka formën e gadishulli pranë një liqeni, që ka po të njëjtin emër, si në kohën e atij që e ndërtoi. Fundi i liqenit ka mjaft lym edhe baltë dhe shume pellgje të cekët. Të tjerë autorë tjerë lënë të besohet se ka një arsye tjetër për emrin e Butrintit, ata thonë se Helena e Trojës deshte të kalonte në Perëndim për t’u sakrifikuar zotave, por duke kaluar detin vetëm me një këmishë dhe e plagosur, por qëndroi në breg dhe mbeti aty e vdekur, dhe thuhet se i dha emrin këtij qyteti . Por kjo gojëdhënë mbetet mjaft e dobët për t’u besuar, kundrejt madhështisë së trojanëve dhe të historisë që ata përçojnë, po edhe për faktin se ai që e zuri Helenën robinë, ishte Pirroja biri i Akilit. Por ky ishull përmendet nga Virgjili, kur flet për aventurat e Eneas, në udhëtimin e tij si thuhet për në Dodonë.

Menjëherë tokat e Feakëve ne tej i lamë

Dhe Tokat e Epirit para nesh u shfaqën ;

Mbërritëm në portin e bukur të Kaonëve ,

Dhe në qytetin e madh të Mbretërisë së Epirit,

Në Buthrot më në fund ne mbërritëm.

Virgjili , Eneida

Dhe thuhet se këtu qëndroi Enea, duke dashur të gjente një breg ku të ndërtonte qytetin e ri të Trojës për këtë bën aluzion edhe Ovidi tek Metamorfozat , për të përjetësuar kujtimin e atij vendi, ndërtoi Trojën e Re, siç thotë Halicarnassi tek Romanët.

Nga tmerri se Feakët qenë afër ata ngritën velat,

Anash fushave të bukura plot pemë i shtynë erërat

Dhe mbërritën në Epir ku zotat i patën komanduar

Dhe drejt Buthrotit kjo turmë ikanake u ndalua,

Duke imagjinuar një Trojën e tyre të re

Ashtu si i pat urdhëruar prijësi  i tyre

Ovidi, Metamorfoza e 13

Çamëria, Igumenica

Përveç kësaj porti i Butrintit ishte shumë me baltë dhe me lym nga se ai është i vendosur në një luginë rrethuar me male dhe me pyje në afërsi të një kepi te madh që në kohët e lashta quhej Tchamis, i cili fatkeqësisht është i vështirë për t’u ngjitur, që tokat janë krejtësisht djerrë, që fatkeqësisht shkojnë për gjatë këtij bregu të quajtur Nifte, ne brendësi të së cilit e ka burimin lumi që i jep emrin këtij kepi që quhet Kalamas dhe tokat e grykëderdhjes se këtij lumi në det thonë se u takonin tokave të fisit të Kasiopeasve , në përfundim të tokave te Kaonëve, prijësve të Epiriotëve. Më poshtë  shohim një gji të vogël të cekët,  gati kalueshëm me va, që nuk lejon të ankorohen një numër I madh anijesh e që tani quhet Gumenica, jo larg prej të cilit ndodhet një port. që quhej Suite, tani Sibote (Vola sot Gr RF)  që e merr emrin nga ishulli që ka po të njëjtin emër Siute , të cilin Korinthasit ua kishin marrë si një trofe pasi kishin mundur, Korfiotët në një betejë detare.

Dodona

Dhe të gjithë të lashtët përmendin fatthënat, e Orakullit profetik të Dodonës prandaj dhe ne po përshkruajmë këtu qytetin e Dodonës, në përmjet dëshmive që na kanë lënë autorët e lashtë, por edhe ata autorë kanë qenë kaq e paqartë, për përcaktuar se kujt u takonin tokat e Epirit, saqë dikush i quan ato të Thespriotëve dhe dikush të Mollosëve.  por, ata thonë se  sidomos tokat bregdetare në shumicë u takonin Thesprotëve.

Këto toka ishin populluar shumica me pyje dushku që në lashtësi i përkushtoheshin Jupiterit/Zeusit, prandaj një guvë frekuentohej nga orakujt, për shkrimet për këtë janë të shpeshta, ndër të cilat më i lashta i takon historianit grek Herodoti, i cili thotë se qe ngritur për nder të Dodonës, nimfës së Oqeanit të cilët e quajnë, si bijë të Zeusit dhe e Evropës.

Ne u munduam jo pa vështirësi, për t’i përkthyer këto shënime nga frëngjishtja mesjetare në shqip. Në to për mbahen shumë të dhëna nga autorët antikë, greko-romakë për qytetet e lashta bregdetare shqiptare një pjesë e tyre të sakta por ka edhe mjaft pasaktësi të kuptueshme për kohën, pasi autori nuk i pat shkelur vetë ato që përshkruan.

Filed Under: Histori Tagged With: François de Belleforest, Hartat, Rafael Floqi

Diplomacia e Mid’hat Frashërit shpëtoi Shqipërinë Veriore nga pushtimi serb

November 12, 2018 by dgreca

1-rafael

Nga Rafael Floqi/

image241 mithatfrasheri18 tavol Mithatimage26image27image25

Si diplomacia e Midhat Frashërit shpëtoi Shqipërinë Veriore nga pushtimi serb

 

Nga Rafael Floqi

Midhat Frashëri, delegati shqiptar, ngriti zërin e tij me një frëngjishte elokuente pa asnjë të metë. Ai me fjalë të zjarrta nga shpirti gërshetoi në paraqitjen e tij, mjerimin e madh të Shqipërisë, nga ndryshimet e vijës kufitare, nga e serbëve,  të vendosur qysh nga armëpushimi i vitit 1913, që ai e përshkroi “jo si rrugë automobilash, por vetëm si një vijë elastike, hipotetike kufiri”. Sa për Marka Gjonin, ai tha, se ai kishte hyrë në territorin shqiptar, me trupat e paguara nga qeveria serbe. “Pasi nuk ka as trupa, as fabrika Schneider në Mirditë. Atëherë, cili është burimi magjik i fuqisë së Marka Gjonit? “- Sipas shtypit francez të kohës

 

Si e zbulova Midhat Frashërin

Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer jo vetëm veprat, por dhe fotografitë e Midhat Frashërit nga fotoja historike të Shpalljes së Pavarësisë, në një përpjekje për t’i zhdukur atë përgjithmonë nga historia, por, megjithëkëtë veprat e tij mbetën gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Sidomos kjo shihet në ballafaqimet diplomatike në mbrojtje të kufijve tanë kombëtarë, një ballafaqim të tillë jo fort të njohur në Lidhjen e Kombeve, bazuar në burimet e shtypit francez,  ndriçon më thellë një veçori të personalitetit të tij prej atdhetari, jo aq të njohur, të cilën po përpiqemi t’ia japim lexuesit të gjerë .

I rritur nën mendimin e përgjithshëm të induktuar në vite nga diktatura mbi figurën e Midhat Frashërit, si drejtues i Ballit Kombëtar,  unë u befasova pozitivisht dhe u dashurova me figurën dhe me veprën e tij, kur mu dha mundësia në vitin e vështirë 1998, të përktheja nga gjuha frënge, një nga esetë më të rëndësishme të tij, ku ai analizonte raportet mes dy kombeve më të mëdhenj të Ballkanit, shqiptarëve dhe sllavëve, të titulluar “Shqiptarë dhe Sllavë”, “Albanais et Slaves”, që qe botuar, së pari, në frëngjisht në Lozanë më 1919. (Këtu po përdor formën si e shkruante emrin e tij dhe atë që e gjeta në shtypin francez jo Mit’hat Frashëri por Midhat Frashëri, po ashtu, siç e shkruante në frëngjisht).

Ishte koha e Luftës të Kosovës, situata e impononte, por, duke punuar mbi përkthimin, mbeta i mbërthyer nga analizat e tij të thella, botëkuptimi dhe literatura, si dhe tezat e tij origjinale, për raportet mes dy kombeve të mëdhenj të Ballkanit, midis shqiptarëve dhe sllavëve. Teza të cilat kanë vlerë edhe sot kur flitet për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ese është një vepër gur themeli, ashtu si janë edhe ato për Epirin.  Kur ke mbaruar së lexuari atë vepër, të mbetet në mendje urimi dhe vlerësimi se, pikërisht, Midhat Frashëri, ky i anatemuari i madh si tradhtar, mbetet padyshim, jo vetëm një patriot i madh, por dhe ndër themeluesit tanë të historiografisë dhe të analizës historike shqiptare.

“Nëse në mjaft vepra të tij, nëse në mjaft ligjërata të mbajtura në Paris e Gjenevë tërhoqën vëmendjen e intelektualëve të viteve 20-të, kjo padyshim, vjen nga qartësia dhe pjekuria meditative e këtij apostulli të shqiptarizmës, në pasqyrimin, vlerësimin  dhe ardhmërinë e situatave tepër të vështira, “Në çdo fjalë të birit të Frashërllinjve, veçmas, në ato kundër grekëve dhe serbëve, nuk mund të gjesh askund qarje ankesa apo dënesa patetike. I madhi Midhat Frashëri e kishte kuptuar prej kohësh, se vetëm përmes dinjitetit, aktit të mençur diplomatik, dhe pse jo të trimërisë së popullit, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë prej fuqive të kohës, kjo është e vetmja rrugë e atyre popujve të vegjël që e duan lirinë, dhe në këtë rrugë ai ishte dhe mbeti kalorës nderi gjer në çastin e mbramë”, shkruante Eugen Shehu, në parathënien e tij me titull “Apostull i shqiptarizmës” për librin, në fjalë, “Shqiptarë dhe Sllavë” përkthyer prej meje dhe botuar nga shtëpia botuese “Koha” në vitin 1998.

Regjimi komunist Mithat Frashërin, këtë trashëgimtar i denjë i Rilindjes kombëtare, e ka etiketuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhtar” të kombit. Dhe kë pra? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashërin e Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip! Midhat Frashërin e Konferencës së Paqes në Paris edhe aty së bashku me Mehmet Konicën, At Gjergj Fishtën e Mons. Luigj Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Midhat Frashërin, i cili me fjalime e shkrime, nëpër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanatizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar! Dhe askush tjetër sa emri dhe figura e Midhat Frashërit nuk ka krijuar një dyzim në histori në politikën por edhe në letërsinë dhe filozofisë shqiptare sa ai. Shqipëria është ende e ndarë pro dhe kundër tij edhe tashmë që pritet që më 10 nëntor në SHBA dhe 14 nëntor në Tiranë të zhvillohen dy ceremonitë e zhvarrimit të eshtrave dhe të varrimit e tij në tokën për të cilin e la amanet në vitin e largët 1949.

Për të paraqitur dhe vlerësuar figurën e tij ja vlen të sqarohet qëndrimi, strategjia, inteligjenca diplomatike për të fituar me mjetet e së pamundshmes të mundshmen,  që ai mbajti në ruajtjen e kufijve kombëtarë, nga pushtimi i ndërhyrjes së Federatës-Serbo-Kroate- Sllovene, ku ushtritë serbe dhe me ndërmjetësinë e Marka Gjonit kishin hyrë thellë në Shqipërinë Veriore dhe kishin krijuar të ashtuquajturën Republikë të Mirditës. Ishte viti 1921 pas humbjes të Kosovës dhe trojeve të tjera e gjithë Shqipëria e Veriut rrezikonte të bindte në duart e serbëve por si mundi një burrë shqiptar të shpëtonte Atdheun?

 

Republika separatiste e Mirditës

Republika e Mirditës ka qene lëvizja separatiste më antishqiptare që ka ndodhur ndonjëherë mes shqiptareve. Mbas vdekjes te Preng Bib Dodë Pashës që nuk la trashëgimtar biologjik, qeverisjen politike të Mirditës e mori “kapedan” Gjon Markagjoni. Shteti Shqiptar, kishte vetëm 9 vite që kishte shpallur pavarësinë dhe ishte akoma ne procesin e njohjeve diplomatike nga shtetet e huaja. Kufiri ndarës verior i Shqipërisë që ishte caktuar nga Fuqitë e Mëdha ne vitin 1913, nuk ishte pranuar akoma nga fqinjët tanë. Serbia po bënte përpjekje maksimale për të sabotuar procesin e njohjeve diplomatike të Shqipërisë. Synimi i saj, ishte ose shkatërrimi i plotë i shtetit shqiptar dhe me mbrapa, copëtimi i Shqipërisë mes fqinjëve te saj, ose krijimi artificial i një minishteti mbi baza fetare që do ta dobësonte akoma me shume shtetin shqiptar. Kjo ishte situata politike në Shqipëri, kur në 17 Korrik të vitit 1921, Gjon Markagjoni, mblodhi në një takim krahinor në Prizren të gjithë krerët e 12 bajraqeve të Mirditës dhe shpalli Republikën Separatiste Antishqiptare të Mirditës. Sigurisht, shpallja e pavarësisë të krahinës të Mirditës, erdhi jo vetëm në një kohë të vështirë për shqiptarët, por kjo lëvizje separatiste me motive te qarta fetare, u nxit e financua edhe nga Serbia.

Republika Separatiste e Mirditës doli ne skenë në momentin më delikat për shqiptarët, se në këtë periudhë (Nëntor 1921), komuniteti ndërkombëtar po vendoste përfundimisht për kufirin zyrtar te Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, Serbia e autorizuar edhe nga vetë “presidenti” Gjon Markagjonit, kishte shpallur një ofensivë diplomatike dhe denonconte Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, me akuza absurde, sikur shteti shqiptare po u grabiste tokat katolikëve të Mirditës dhe ia dhuronte ato agallarëve myslimanë shqiptarë. Serbia ishte shprehur se; “në Shqipëri ekzistojnë dy qeveri, kurse vet shqiptarët janë të ndarë mes tyre e nuk mund të bashkëjetojnë kurrë së bashku”.

Veç interesave evropiane pas përfundimit të Luftës së Parë botërore, Evropa i druhej një zjarri të ri në Ballkan, dhe i druhej sidomos hapjes të plagëve të vjetrave pasi nuk ishin mbyllur ende plagët e Luftës së Parë Botërore. Në këtë atmosferë qeveria shqiptare paditi Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene në lidhjen e Kombeve dhe një rol të pa diskutueshëm pati diplomacia që luajti Midhat Frashëri.

Midhat Frashëri dhe beteja diplomatike shqiptaro -serbe

“Një tablo të kësaj lufte diplomatike në Lidhjen e Kombeve e gjejmë në Shtypin francez të kohës, shkrimi më i plotë i kësaj ngjarjeje  tregohet në revistën e specializuar diplomatike  “ L’Europe nouvelle”,  Paris 26 nëntor 1921, me titull “L’affaire d’Albanie “  Çështja e Shqipërisë ” e cila e përkufizon këtë debat si një , ” Sesion i posaçëm i Këshillit që ishte një dramë me tre akte dhe një prelud.” Në fakt, ky ishte një gjykim në arbitrazhin e Lidhjes së Kombeve, ku vendet anëtare paraqisnin ankesat e tyre para fuqive të mëdha garantuese të Lidhjes së Kombeve.

Të mërkurën, më 16 nëntor 1921 , ishte një preludi, i cili u hap me kërkesën e z. Fisher, përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, mbështetur nga konti Bonin-Longare, përfaqësues i Italisë, pas kësaj hyrjeje Këshilli vendosi të dalë në sesion me dyer të hapura. Të enjten në mëngjes, u mbajt sesioni i parë publik. Ku një turmë Ishte mbledhur në hotelin Petit-Luksemburg, ku u zhvillua një spektakël i ri rreth një qilimi të gjelbër, ku u ulën tetë anëtarët e Këshillit, në kolltukët  e tyre të artë; ndërsa në karriget më modeste u takuan katër paditësit, dy serbë, dhe dy shqiptarë, të ndarë në dy grupe të veçuara vetëm nga përkthyesit.”

Të gjitha këto akuza te rreme te Serbisë dhe përfaqësuesve të Gjon Markagjonit u kundërshtuan fuqishëm nga Britania e Madhe qe e revoltuar i kërkoi Serbisë të ndalte menjëherë përkrahjen diplomatike e financiare qe i jepte Republikës te Mirditës, ose në të kundërt do të përballej me sanksione te renda dhe ndoshta edhe me luftë. Ky kërcënim serioz që iu bë Serbisë nga fuqia me e madhe e kohës, e detyroi Serbinë të tërhiqej menjëherë nga përfaqësimi politik në arenën ndërkombëtare Republikës të Mirditës dhe të ndërpriste urgjentisht të gjitha ndihmat që i jepte separatistit Gjon Markagjoni. Me kërkesë e Kryeministrit Britanik, Lloyd George, Lidhja e  Kombeve u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe te gjitha shtetet pjesëmarrëse ne këtë takim, afirmuan njëzëri paprekshmërinë e kufijve të Shqipërisë, të caktuara nga Fuqitë e Mëdha ne vitin 1913. Një seri krizash të politikës së jashtme i dhanë Lloyd George, shansin e tij të fundit për të mbajtur udhëheqjen kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithçka shkoi keq. Lidhja e Kombeve mori një fillim të ngadalshëm dhe ishte kryesisht joefektiv. Sistemi funksionoi dobët. Asambleja e ambasadorëve u anulua në mënyrë të përsëritur dhe u shndërrua në një entitet tjetër dhe kjo shihej nga kryeministri britanik si një mundësi për të pasur në dorë frenat e politikës së jashtme pas Luftës së Parë Botërore. Këtë situatë me intuitën e tij diplomatike diti si ta kuptonte dhe ta shfrytëzonte me intuitë në favor të Shqipërisë Midhat Frashëri.

Sipas gazetës, “L’Europe Nouvelle” z. Fisher e mori fjalën që në fillim. Ai rikujtoi nenin 12 të Konventës, sipas së cilës, anëtarët e Lidhjes e kishin pranuar, nëse midis tyre u ngrihej një mosmarrëveshje që mund të shkaktonte një pushim, ose në procedurën e arbitrazhit ose në shqyrtimin nga ana e Këshillit. Ky qëndrim ishte larg nga ashpërsia e nenit 16, i cili ishte vendosur kundër serbëve z. Lloyd George  më 7 nëntor. Tani sikur ishin pajtuar, që të mos zbatohet bllokada kundër shtetit serbo-kroat -slloven. Është e vërtetë se Z. Fisher numëroi si arsye të qëndrimeve të ashpra britanike ndaj serbëve faktin, ku dukej se Beogradi dëshironte ta shkëpuste Shqipërinë e Veriut nga qeveria e Tiranës, duke inkurajuar disa udhëheqës rebelë katolikë shqiptarë, si  Marka Gjoni për të shpallur një Republikë të pavarur në Mirditë.

Te premten, më 18 nëntor, z. Boskoviç-i, (përfaqësuesi serb)në emër të Qeverisë së Serbisë, protestoi kundër procedurës së Konferencës së Ambasadorëve, e cila, sipas tij, krijoi një vijë kufitare pa u thirrur përfaqësuesit e të dy shteteve, në fjalë. Ai gjithashtu, tha se përdorimi i nenit 16-të , që ishte  përmendur, në takim ishte veçanërisht i dhimbshëm, sipas vetëvlerësimin të vendit të vet. Më pas ai u shpërndau anëtarëve të Këshillit një hartë, në të cilën paraqitej në mbështetje të tezës së tij linja e armëpushimit Franchet d’Espérey, që qe përdorur në caktimin e kufijve të vitit 1913.

Midhat Frashëri, delegati shqiptar, ngriti zërin e tij me një frëngjishte elokuente pa asnjë të metë. Ai me fjalë të zjarrta nga shpirti gërshetoi në paraqitjen e tij, mjerimin e madh të Shqipërisë, nga ndryshimet e vijës kufitare, nga ana e serbëve,  të vendosur qysh nga armëpushimi i vitit 1913, që ai e përshkroi “jo si rrugë automobilash, por vetëm si një vijë elastike, hipotetike kufiri”. Sa për Marka Gjonin, ai tha, se ai kishte hyrë në territorin shqiptar, me trupat e paguara nga qeveria serbe. “Pasi nuk ka as trupa, as fabrika Schneider në Mirditë. Atëherë, cili është burimi magjik i fuqisë së Marka Gjonit? “-

 

Pastaj M. Frashëri u ul përsëri, dhe pasi iu shpërndau anëtarëve të Këshillit një hartë në të cilën paraqiteshin kufijtë e vitit 1913, dhe linjat e armëpushimit ,etj. dhe sqaroi se ku ai e mbështeste tezën e tij”.

Ndërsa në gazetën franceze “Le Temps”  me titull “Rasti i Shqipërisë”,  Paris, 18 nëntor 1921 sqarohej qëndrimi anglez. Ambasadorët kishin paraqitur disa korrigjime miqësore brenda kufijve të Shqipërisë, të hartuara në vitin 1913, sepse kishin frikë nga mundësitë e çrregullimit në kufirin verior të Shqipërisë, për sa kohë autoriteti i qeverisë së Tiranës të ishte shtrirë plotësisht në të gjithë Shqipërinë.

Qëndrimi britanik i kryeministrit Loyjd George kundër Serbisë

Qeveria britanike, duke përmendur disa artikuj në shtypin serb në lidhje me luftimet në rajonet kufitare të Shqipërisë, arriti në përfundimin se duhet të kishte një plan serb për ta shkëputur Shqipërinë e Veriut nga qeveria e Tiranës, duke inkurajuar disa udhëheqës rebelë të fiseve të Mirditës që të revoltoheshin dhe të shpallin një Republikë të pavarur. Fisheri paraqiti provat e armatosjes së trupave në Mirditë dhe paraqiti faktin se bastisësit mirditas u larguan nga territoret të ndodhura nën pushtimin ushtarak jugosllav dhe mes tyre pati edhe trupa ruse të bardhë që qenë pjesë e kuotave të e ushtrisë Wrangelit. Nga ana tjetër, dëshmitë në duart e qeverisë britanike tregonin se masa më e madhe e popullsisë, duke përfshirë udhëheqësit e Kishës së katolike ishin në favor të një Shqipërie të bashkuar dhe se nacionalizmi shqiptar është më i fuqishëm se afinitetet fetare. Prandaj, duket, përfundonte z. Fisher, se dëshira për të krijuar një Republikë të pavarur në Mirditë është vetëm një pretekst për t’u përdorur nga serbët, kundër Shqipërisë.

  1. Fisher kritikoi sjelljen e trupave serbe në territorin që ata zunë në Shqipëri pas armëpushimit në urdhrin e komandantit të përgjithshëm të trupave aleate, dhe përmendi një telegram nga Konsulli britanik në Durrës, sipas të cilat një numër i madh fshatrash shqiptare ishin shkatërruar, nga trupat jugosllave. Në mbyllje, Z. Fisher shprehu shpresën se këto incidente mund të zgjidheshin shpejt. Ai shprehu kënaqësinë ai kishte ndjerë pasi kishte mësuar se qeveria serbe-kroate sllovene pranuan vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë dhe shtoi se ai kishte tërhequr shpejt dhe mjaft nga trupat jugosllave nga kufijtë e tyre”.

Jugosllavia ndoqi një politikë grabitqare ndaj Shqipërisë, dhe pasi banoret e fiseve shqiptare u përleshën me forcat serbe që kishin pushtuar pjesën veriore të vendit, trupat jugosllave pushtuan vendin, duke djegur fshatrat dhe vrarë dhe dëbuar civilët. Beogradi pastaj rekrutoi Gjon Markagjoni, i cili udhëhoqi fiset e tij katolike Mirdite në një rebelim kundër regjimit dhe parlamentit. Markagjoni shpalli themelimin e një Republike të pavarur në “Mirditë” me qendër në Prizren, i cili kishte rënë në duart e Serbisë, gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Së fundi, në nëntor të vitit 1921, trupat jugosllave pushtuan territorin shqiptar përtej zonave që tashmë i kishin pasur pushtuar. I zemëruar nga  sulmin jugosllav të Beogradit, Lidhja e Kombeve dërgoi në komisionin e përbërë nga përfaqësues të Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë që rikonfirmuan kufijtë e Shqipërisë të vitin 1913. Jugosllavia u ankua me hidhërim, por nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse të tërhiqte trupat e saj. E ashtuquajtura Republika e Mirditës u zhduk, sipas burimeve të Bibliotekës Amerikane të Kongresit.

I madhi Midhat Frashëri e kishte kuptuar prej kohësh, ai i njihte dhe i shfrytëzoi divergjencat mes fuqive ai e dinte se në kushtet e një vendi të vogël si Shqipëria ,vetëm përmes dinjitetit, aktit të mençur diplomatik, dhe pse jo të trimërisë së popullit, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë prej fuqive të kohës, dhe kësaj teze i qëndroi gjer në fund.

Fuqitë e mëdha të lodhura me Ballkanin

“Duket se dialogu shqiptaro-serb mund të vazhdonte për një kohë të gjatë akoma. Por Z. Fisher, Markezi Imperiali, z. Leon Bourgeois flisnin vazhdimisht mes tyre. Dhe asnjë prej tyre nuk dëshironte të shikonte hartat ose të shkonte prapa.  Ndërkohë kryeministri serb Pashiç dërgoi telegraf nga Beogradi, se edhe përkundër protestave dhe kërkesave për sqarime, ai e pranonte kufirin e ri të Ambasadorëve dhe se pranonte që territoret e pushtuara nga trupat jugosllave do të evakuoheshin pa vonesë?

Ndërsa M. Bourgeois shtoi se “është e padobishme të nxiten nga hiri gacat që mund të shkaktonin, flakë pasi që të dyja palët pranonin kufijtë e Konferencës së Ambasadorëve.” Për të siguruar paqen e botës, është e nevojshme të dimë se si të ngrihesh mbi dallimet e vogla që mund të ekzistojnë midis fqinjëve.”, shtoi ai .

Akti i tretë dhe i fundit i Këshillit ishte miratimi një projekt-rezolute më 13 nëntor. Duke vënë në dukje deklaratat pajtuese nga qeveritë shqiptare dhe serbo-kroate-sllovene, që ajo i jepte Komisionit Hetimor të drejtën të dërgonte në Shqipëri një komision me udhëzimet e mëposhtme. Komisioni do të raportonte në Këshill e tërheqjen e trupave jugosllave. Nga kufiri shqiptar në të dy anët e zonës së demarkacionit të përkohshëm të parashikuar nga vendimi i Konferencës së Ambasadorëve më 18 nëntor. Komisioni do të ruante  marrëdhëniet me Komision kufitar, dhe në qoftë se ishte e dobishme, dhe do t’i  vinte në rezultatet në dispozicion të autoriteteve lokale për të lehtësuar evakuimin, në mënyrë që për të shmangur ndonjë incident. Më në fund, Komisioni do të siguronte  që asnjë ndihmë nga jashtë nuk do të vinte për të ndihmuar rebelët shqiptarë.

Arritja ne këtë përfundim, sipas “Les Temp” të datës 8 nëntor 1921 u bë pas tërheqjes së delegatit serb z. Boskoviç,( delegat i shtetit serb-kroato- slloven), që tha se trupat serbe nuk kishin tentuar ndonjëherë për të avancuar përtej vijës së demarkacionit, të asaj që ekzistonte që prej përfundimit të luftës, dhe argumentuan se iniciativa luftarake ishte marrë nga trupat shqiptare. Dhe se  z. Boskoviç e përfundonte prezantimin e tij, duke deklaruar se qeveria e tij do të kishte ishte e lumtur të shihte një farë garancie për fiset e krishtera të Shqipërisë së Veriut.

Si i mundi Midhat Frashëri diplomatët serbë

Ndërsa sipas shkrimit të gazetës së përditshme politike franceze “ La Lanterne “, Paris, 18 nëntor ,1921  me titull “Këshilli i Lidhjes së Kombeve, merret me çështjen shqiptare” shkruhej “Z. Midhat Frashëri, përfaqësues i qeverisë shqiptare, afirmoi vullnetin e Shqipërisë, …” pastaj kundërshtoi pohimet e delegacionit serb. Ai mohoi se fshatrat e shkatërruara ishin të përfshira në territorin serb, brenda së ashtuquajturës vijën të demarkacionit dhe ai pohoi se, sipas një deklarate të bërë nga një delegat në Gjenevë përpara Lidhjes së Kombeve, se këto fshatra , ishin në fakt, të vendosura përtej kësaj linje.”
Midhat Frashëri, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, sipas  “Les Temps” afirmoi vullnetin e” Shqipërisë, e cila është i mbuluar nga shkatërrimet e luftës edhe pse popullsia e saj është e vendosur për të jetuar në harmoni me fqinjët e saj. Qeveria e Tiranës ka dhënë shumë prova për këtë vullnet paqësor, por e sheh veten të detyruar të mendojë për parandalimin e kthimit të ngjarjeve të ngjashme me ato nga të cilat ajo ka vuajtur”. Përfaqësuesi i Shqipërisë “u shpreh i kënaqur që po dëgjonte nga qeveria në Beograd se forcat e saj do të evakuoheshin  së shpejti nga territoret shqiptare, por përvoja e hidhur e së kaluarës i çonte shqiptarët të sugjerojnë, krijimin e një komisioni të përhershëm të kufirit që do të përfshinte një zyrtar shqiptar, një serb dhe një delegat të emëruar nga Lidhja e Kombeve, dhe se misioni i të cilit do të ishte monitorimi i kufijve shqiptaro-serbë dhe parandalimi i çdo ngjarje që mund të prishte paqen. Luftimet në këto zona i kushtuan Shqipërisë 7 milionë franga ari, duke mos llogaritur humbjet (e 150 fshatrave të shkatërruara), për cilat Shqipëria rezervonte të drejtën për të kërkuar reparacione. Si rezultat qeveria jugosllave iu nënshtrua procedurës së Këshillit të Lidhjes së Kombeve.

Në takimin e mëngjesit, Konferenca e Ambasadorëve pohoi se kishte marrë një telegram nga Kryeministri i Shtetit Serbo-Kroat-Slloven, Z. Pashiç, në lidhje me vendimin e Fuqive lidhur me Shqipërinë.  Pashiçi ankohej se vendimi i kufirit shqiptar, nuk ishte marrë me pëlqimin e Qeverisë Mbretërore. dhe se  procedura e miratuar krijon një atmosferë kërcënuese të ngjashme me  ultimatumet. Në fund Z. Léon Bourgeois. mori në konsideratë, në emër të Këshillit, pranimin që dy qeveritë, që ngritën një protestë, kishin arritur me vendimit e Konferencës së Ambasadorëve.

Mbas këtij vendimi të Lidhjes se Kombeve , trupat ushtarake te Shtetit Shqiptar u dërguan menjëherë ne veriun e Shqipërisë për te shtypur me dhunë lëvizjen separatiste antishqiptare. Me mbërritjen në Mirditë të trupave ushtarake qeveritare shqiptare, Republika Separatiste Antishqiptare e Mirditës (qe pati një jetëgjatësi vetëm pesë muajshe) u shkri menjëherë, kurse të gjithë kryetaret e 12 bajraqeve u tërhoqën ne panik dhe pa luftë në shtëpitë e tyre. Sigurisht qeveria e kohës bëri disa arrestime mes titullarëve te kësaj republike, kurse vet Gjon Markagjoni ja mbathi dhe u fsheh ne Prizren i mbrojtur nga Serbia qe ai ne deklaratën e tij te turpit e quante një popull vëlla.

Përsiatje për një epilog

Midhat Frashërin e kanë akuzuar si nacionalist, por nuk duhet harruar se  kombet nacionalizmi i së cilëve është shkatërruar janë subjekte për t’u rrënuar. Por Midhati ishte patriot, pse e donte popullin e vet dhe jo nacionalist pse urrente kombet e tjera. Po e përforcoj këtë mendim me një citat të tij ,nga libri “Shqiptarë dhe sllavë “ Në se do të bazohemi në të drejtat historike, ne duhet të njohim si Shqipëri të gjithë territorin që zinin fiset iliro-epirioto– maqedone, atëherë do të duhej jo të kufizohej shtrirja e Shqipërisë, por të zmadhohej përtej kufijve që kërkojnë shqiptarët. Sepse, çfarë është në fakt e drejta e grabitur përmes një pushtimi në krahasim me të drejtën, më të madhe, më natyrale që shqiptarët kanë mbi këto vise ? Për këtë racë, e drejta historike ndodhet në harmoni me të drejtën aktuale si e shkuara me të tashmen”, “Shqiptarë dhe sllavë”, faqe 89.

Burimet

 

Mithat Frashëri “Shqiptarë e sllavë”, përkthyer nga frengjishtja “Albanais et slaves” nga Rafael Floqi, Shtëpia botuese Koha, Tiranë 1998

“ L’Europe nouvelle  Paris 26 Novembre 1921, “La question albanaise”

Le Temps,  Paris, 18 nëntor 1921

“Au Conseil de la S.D.N”, Le Petit journal, 1921/11/19 (Numéro 21492).

“Le Conseil de Société des Nations s’occupe de la question albanaise “, La Lanterne: journal politique quotidien (Paris) -18- 11- 1921

https://en.wikipedia.org/wiki/Republic_of_Mirdita

Austin, Robert Clegg (2012). Founding a Balkan State: Albania’s Experiment with Democracy, 1920-1925. Toronto: University of Toronto Press.

8  Besier, Gerhard; Stokłosa, Katarzyna (2014). European Dictatorships: A Comparative History of the Twentieth Century. Newcastle upon Tyne Cambridge   Scholars Publishing.

Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog: Independence, republic and monarchy 1908–1939. London: Centre for Albanian Studies. ISBN 1845110137.

10 Pula, Besnik (2013). “Binding Institutions: Peasants and Nation-state rule in the Albanian highlands, 1911-1939”. In Go, Julian. Decentering Social Theory. Bingley: Emerald Group Publishing. pp. 37–72.

11 Tomes, Jason (2011). King Zog: Self-Made Monarch of Albania. Stroud: The History Press.

  1. http://countrystudies.us/albania/25.htm. Library of Congress

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: diplomacia, e Mid'hat Frashërit shpëtoi Shqipërinë Veriore, nga pushtimi serb, Rafael Floqi

Përfundimi i zgjedhjeve jo një dallgë blu, por një luftë blu

November 7, 2018 by dgreca

Rezultatet e zgjedhjeve 2018 , tregojnë se zgjedhjet u fituan nga të gjithë dhe nga askush, me gjithë sulmet për të rrëzuar Trump-in./

1 a Presid Trump.jpg

– Dhoma e Re e Përfaqësuesve Demokratike së shpejti do të mësojë deri ku i ka kufijtë e pushtetit të saj/

Nga  Rafael Floqi/Dielli

Demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës të Përfaqësuesve ne Kongres (The House), por pavarësisht kësaj ata do të përballen me pengesa të mëdha në Senatit. Vitet e ardhshme të politikës amerikane mund të duken si ajo që ka ndodhur në vitin 1874, thonë komentuesit amerikanë . Pas rezultateve së natës të së martës, shtrohet çështja nëse shumica Demokratike e Dhomës së Përfaqësuesve kryesisht do të bëjë hetime në vend që të bëjë ndryshime ligjore, pasi sido që të jetë, ata nuk kanë mandat vendimmarrës, pasi këtë e ka Senati dhe Presidenti.

Zgjedhjet afatmesme të 2018 po vazhdojnë atë çka është bërë një traditë e re amerikane, qeverisja e ndarë. Katër presidentë me radhë kanë hyrë në zyrë me një Kongres miqësor dhe më pas kanë parë që partia opozitare merr shumicën gjatë zgjedhjeve afatmesme, dhe Trumpi nuk është përjashtim. Kjo i ndodhi edhe Bill Clinton-it në vitin 1994, George W. Bush në 2006, Barack Obamas në 2010, dhe tani Donald Trump-it.

Nga të gjitha këto kalime, ky i fundit është më pak dramatik. P.sh. fitorja e Tea Partie në vitin 2010 ishte më e thellë pasi republikanët morën 63 vende në Dhunën e Përfaqësuesve dhe morën kontrollin e Senatit me një fitim prej gjashtë senatorësh. Në zgjedhjet “Kontratë me Amerikën” në vitin 1994, GOP fitoi +54 vende, dhe gjithashtu mori Senatin. Demokratët fituan të dyja Dhomën e Përfaqësuesve  dhe Senatin në vitin 2006 në zgjedhjet që u konsideruan gjerësisht si një referendum kundër Luftës në Irak.

Demokratët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë shumë punë

Megjithatë, kësaj radhe demokratët e morën House, duke i dhënë terren të rëndësishëm Senatit. Dhe totali përfundimtar i fitoreve te vendeve ne Dhomën e Përfaqësuesve ka të ngjarë të jetë shumë më poshtë parashikimeve më optimiste të  “Blue Wave” të verës së kaluar. Nuk është patjetër një referendum vendimtar mbi Presidentin Trump dhe në asnjë mënyrë nuk jep një mandat ligjvënës opozitës.

Udhëheqja e re demokratike – ndoshta e kryesuar nga Nancy Pelosi, ose ndoshta jo, pasi ka shumë demokratë që se mbështesin pasi duan gjak të ri – duhet të zgjedhë se ku duhet të fokusohet në promovimin e agjendës së tyre legjislative. Po për këtë do të duhet të ndjekin një politikë bipartizane.  Megjithatë, demokratët treguan pak interes në bashkëpunimin me Presidentit Trump në dy vitet e para, megjithëse ai vazhdimisht u kërkoi atyre të gjejnë një bazë të përbashkët për buxhetin dhe çështje të tjera. Demokratët u dukën shumë më të interesuar në vazhdimin e hetimeve të fushatës së Trumpit 2016 dhe pretendimeve për  “ndërhyrjen  ruse”. Ndonëse demokratët rrëzuan flamurin e fajësisë në fushatën e fushatës 2018, sa për strategji, por rrëzimi i Donald Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve e Bardhë ka të ngjarë të jetë çështja numër një e demokratëve.

Kështu rezultatet e zgjedhjeve 2018 , tregojnë se zgjedhjet u fituan nga të gjithë dhe nga askush, me gjithë sulmet për të rrëzuar Trump-in.

Demokratët e Kongresit gjithashtu përballen me disa kufizime të rëndësishme në ndjekjen e prioriteteve të tyre legjislative. Disa propozime, të tilla si Medicare për të Gjithë, ose mbyllja  e Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave ICE , që mund të jenë të njohura si motive me bazën Demokratike, janë tepër radikale për të fituar mbështetjen e zgjedhësve të zakonshëm. Shkuarja më shumë larg majtas, do të rrezikojë vendet e tyre që i sapo fituan, çka mund të krijojë më shumë mundësi për një rizgjedhje te Trump më 2020.

Gjithashtu, çdo iniciativë e rëndësishme legjislative që ata do të duhej të marrin do të vuajë nga fakti se ata kurrë nuk mund të kalojnë projektligjet në ligje ligj pa bashkëpunimin e Senatit dhe nënshkrimit të Presidentit Trump (vendosja e vetos). Kështu shumica e Demokratëve të Dhomës mund të jenë tërësisht të gatshëm për të bërë kompromiset e nevojshme. Atëherë ne ka të ngjarë të shohim më shumë përpjekje sa për të fituar duartrokitje, sesa një ligj bërje serioze, dhe do të ketë një kthim tek bllokimit legjislativ.

Historia sesi ka ndodhur, dhe si mund të ndodhe me Demokratët e Dhomës se Përfaqësuesve  thonë komentuesit mund të duket e njëjtë si ajo që ndodhi në 1874, kur demokratët morën atë për herë të parë qysh nga Lufta Civile dhe filluan hetimet e vazhdueshme ndaj administratës së Presidentit  Ulysses S. Grant. Demokratët – sidomos ata nga jugu – e përçmonin Grantin dhe kërkuan me çdo mjet për ta (impeach) shkarkuar atë. Ata ishin aq të fiksuar për ta poshtëruar  Grantin sa ata madje e kishin fajësuar Sekretarin e Luftës William Belknap pasi i kishte dhënë dorëheqjen nga posti i tij i kabinetit. Senati me shumicë republikane dështoi ta dënonte Belknap, por sulmet hetuese për këtë  dhe raste të tjera e dëmtuan Grantin politikisht dhe bënë zgjedhjen e tij  për një term të tretë të papërshtatshëm.

Presidenti Trump gjithashtu mund të llogarisë mbështetjen e Senatit për të siguruar një kundërpeshë të dobishme ndaj ekseseve të Shtëpisë. Për çdo hetim që Dhoma e Përfaqësuesve vjen me Senatin mund të ngrejë hetimin e vet. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton për fajësimin e Trump me  disa akuza të prodhuara, ka shumë të ngjarë qe nisma të vdes në katedrën e Senatit. Dhoma e Përfaqësuesve do të synojë  për të rikonfiguruar Gjykatën e Lartë ose për të hequr gjykatësin në Kavanaugh ajo do të dështonte gjithashtu. Prandaj radikalët në grupin Demokratik nuk mund të kujdesen për këtë megjithëse ata mund të marrin një veprim simbolik që ta plagosin presidentin Trump politikisht.

Presidenti amerikan Donald Trump, po flet me krenari “për një fitore shumë të madhe” në zgjedhjet për kongres, pasi republikanët forcuan pozitat e tyre në kontrollin e Senatit edhe pse demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë pas tetë vitesh.

“Ata që kanë punuar me mua në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, ata të cilët përqafuan disa politika dhe parime, dolën shumë mirë,” shkruante zoti Trump në një postim në Twitter të mërkurën përpara konferencës të paralajmëruar për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me zgjedhjet.

“Ata që nuk e bënë këtë, thanë lamtumirë! Dje u shënua një fitore shumë e madhe dhe nën presionin e një medie armiqësore e të ligë!”

Rezultatet e bëjnë më të vështirë për zotin Trump të marrë miratim për iniciativat e tij legjislative. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve gjithashtu kanë premtuar se do të nisin hetime të shumta lidhur me financat e zotit Trump dhe politikat e administratës së tij, të cilat udhëheqësi amerikan tha se do të marrin të njëjtën përgjigje me hetime që do të zhvillohen nga Senati për Demokratët.

Zoti Trump e telefonoi udhëheqësen e Partisë Demokrate Nancy Pelosi për ta uruar për fitoren e arritur në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se ligjvënësit demokratë, disa prej të cilëve kanë thënë se partia ka nevojë për udhëheqje të re, duhet ta bëjnë atë përsëri kryetare të Dhomës.

Pjesëmarrja e lartë të martën pason një numër rekord votimesh të hershme gjatë javës së kaluar. Megjithëse emri i Presidentit Donald Trump nuk ishte në fletët e votimit, shumë votues në gjithë vendin, i shohin këto zgjedhje si një referendum për dy vitet e para të tij në detyrë.

Arsyetimi për një valë gjigante blu që do të përfaqësonte një mohim të rezultatit të zgjedhjeve të 2016-ës se miliona amerikanë do kërkonin të largoheshin nga masat e presidenti Trump dhe axhenda e tij dhe do te ishte në atë masë sa do t’i dorëzojë me shumicë të madhe Kongresin demokratëve, për të dëshmuar atë që thonë urrejtësit e Trumpit, se zgjedhja e tij ishte një anomali dhe se politika amerikane shpejt do të kthehej në rrugën e mërparshme, duket që nuk do të ndodhë – sepse mbështetet në një premisë të rreme.

Republikanët nuk duan të kthehen në epokën Bush-McCain-Romney më shumë se demokratët duan të kthehen në klintonism. Por qysh nga seancat e Kavanaugh, dhe nga mënyrë se vepruan demokratët, republikanët janë po aq energjikë dhe të bashkuar ashtu si demokratët. Kjo do të thotë që çdo gjë është gati për ndeshje. Këto zgjedhje, me fjalë të tjera, janë pjesë e një procesi në të cilin elektorati po punon drejt një periudhe të re politike që do të zëvendësojë atë që mbizotëronte qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri diku nga fundit administratës së Obamës.

Kështu Amerika do të  përballet me dy vjet teatër politik mjaft të intensifikuar në prag të garës presidenciale të vitit 2020. Do të jetë një shfaqje interesante për t’u parë .

Filed Under: Featured Tagged With: lufta blu, Perfundimi i zgjedhjeve SHBA, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 32
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT