• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zbulesa…“Nën petkun e vdekjes”

October 12, 2013 by dgreca

Lirikja dhe Psikikja në vargjet poetike të poetes e psikologes –Genta KALOCI/

Shkruar nga-Raimonda MOISIU/

Poetët janë  shprehës dhe emërtuesë të emocionit të fortë, që shpërthen nga  bukuria  e psikikes, njerëzores e shpirtit artistik. Poetët e  vështrojnë botën jo nga fasadat e pikturuara e të  stolisura me gjithfarë ngjyrash, ata janë krijuesit e  universit të intimitetit të bukurisë shpirtërore e verdiktit për  vazhdimësinë e njerëzores. Poetët  janë  Sovranë të  heshtur e modestë.  Liria dhe përjetësimi i dialogut me veten e botën që e rrethon, -mes brengës e mallit, nostalgjisë e kujtimit, urtësisë e mencurisë, vlerës e antivlerës, bukurisë e groteskes, vdekjes e jetës, admirimit dhe respektit,  nën aureolën e njerëzores  e dashurisë. Bota dhe vargjet poetike të Homerit janë aq të cmueshme e të admirueshme për Homerin, si fitoret e Agamemnonit që  janë të  Agamemnonit, ashtu janë bota dhe vargjet poetike të cdo poeti për poetin. Poetët nuk presin  të cfaqen heronjtë e të urtët, apo të bëjnë sehirxhiun e ndihmësin në studion e piktorit,-jo-poetët janë “arkitektët” e ekzistencës njerëzore  nën efektin e frymës dhe muzës poetike. Poetët njohin lirinë e të shprehurit, jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti!  Poezia është liria  e ndjenjës, moment, gjendje emocionale e shpirtërore që ndodh në jetë. Të krijosh  poezi është përpjeka për të arritur të njëjtën përgjigje emocionale në akord me lexuesin. Poezia është gjerdani i artë i fjalës, i ëndrrave, pasioneve, dëshirave, psikikes e shpirtërores. Poetët janë të kulturuar, pasionantë,ëndërronjës të shoqërisë me parametra qytetare dhe intelektuale. Poezia është ndjenja, mendimi i shprehur në pak fjalë dhe histori e tërë,  e dhimbshme, reale  dhe e bukur. “ Nën petkun e vdekjes” titullohet vëllimi poetik i Poetes e Pedagoges së Psikologjisë, Genta Kaloci, koleksion poetik me vargje që kanë në qendër simbolikën e lidhjes së fortë me lirinë e psikiken e shpirtit, imtësira psiko-analitike  e figura të goditura metaforike, imazhin e dhimbjes e dashurisë, përjetimit të përvojave jetësore e  fantazisë, pasionit e shpresës mes kontrasteve të jetës e artit, raportin mes natyrës e njerëzores, sikundër i ka ndjerë e jetuar. Që në hyrje të vëllimit do të lexoni dedikimin shpirtëror: “Këtë libër i’a dedikoj babait tim, Petrit. Më mungon!” Kam pasur fatin e mirësinë t’i njoh prindërit e poetes, kam biseduar me Atin e saj të Shtrenjtë, burrë fisnik e idealist, plot urtësi e mëncuri mendimi, me zemër të madhe. Poetja, që në titullin e kopërtinës  dhe dedikimin ndaj Atit të saj, lë të kuptosh se ajo mundohet të përshtatet me rrethanat e reja, gjen ngushëllim e qetësi duke krijuar  vargje në prani të reales. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar së kaluarës së dhimbëshme  është duke biseduar me vende dhe njerës që nuk do të mund t’i shohë përsëri, duke na folur për të munguar e të vdekur, mban në cdo varg të shkruar me ta marrëdhëniet në kohë, për të mos i harruar të dashurit e saj që i mungojnë e ndahen nga jeta. Në rastin konkret heroi i poetes është Ati i saj,  shpirti psikik e idealist i tij, që e frymëzojnë Gentën edhe në mungesë të tij: “Vdekjes, vargje i thurra,paqe të vendosja,/ vdekjen, desha të korruptoja. /Vdekjes nanulla i këndova, por ty kurrë s’të shpëtova.”  Poetesha Genta është në kërkim të normalitetit  brenda shpirtit dhe ekzistencës njerëzore, brenda asaj normales, ajo e konsideron njeriun e natyrën thelbësore,  përpiqet  të merret me të kaluraën,  i  kushton vëmendje të vecantë, përpiqet të përshtatet me bërthamën e kuptimit të vdekjes e jetës, si  intimitet shpirtëror dhe human,  mes mendjes së njeriut e natyrës, kohës e hapësirës nga humbja dhe poetesha vazhdon të jetojë ëndërrojë e shkruajë: Të humba në tokë, në qiell të gjeta,/ ëngjëllin mbrojtës u shëndrrove, me shenja më flet,/ në çdo figurë të reve fjalët e tua lexoj,/ në çdo fëshfërimë të gjetheve ty të dëgjoj.” Pëermes matierialit gjuhësor të spikatur me “bisturinë e psikologes”, Genta shpreson të arrijë përkohëshmërinë gjuhësore poetike dhe  të paarritshmen –Lirinë e pafrikëshme  dhe fabulën e poezisë! Në saj të strukturës së vargut, poetesha është në kërkim të dickaje më shumë se kaq:Ballafaqimin me realitetin e përvojat e jetës; mungesën, dhimbjen e shpresës,  nën lëkurën poetikë na jep thelbin e jetuar të një jete,  ashtu si ai  historiani që tregon më shumë se poezia. Me talent e mëncuri, me shpirtin artistik dhe  thelbin filozofik të psikikes, poetesha ndërton urën e takimit me Atin e saj- mes tokës e qiellit, në kohë e hapësirë, dhe provon se asgjë nuk është statike, ajo demonstron ndryshmin me forcën e fjalës e vargut. Disa poezi konsistojnë në një strofë të vetme, por që vargjet e tyre mbartin simboliken e esencialen, poezi ta tilla si p.sh. ”Unë”, “Vdekja”,   “Njeriu dhe Hëna”,  “Mirësia”, “Vetmia”, “Dobësia”, etj, të cilat kanë dicka impresive, përceptimin e poezisë dhe ndjeshmërinë e autores (e një femre)  në zemër të këtyre poezive, vecanërisht në ato vargje të drejtpërdrejta-që fillojnë me fëmijërinë, qytetin e lindjes, peisazhin, dashurinë, eliksirin e dashurisë, aventurat e moshës,  jetën e vdekjen, bashkimin e ndarjen, të cilat janë karakteristike në këtë vëllim poetik.

“Me hirin tim buzë detit luaj/ jeta bëri të sajën,/në paralel u ndamë,- (poezia,”Hiri im”)- poetja përcjell metafizikën e plakjes, e cila është e pashmangëshme, nuk është mallkim, por është  jetësorja, psikikja, hyjnorja dhe vdekja  në lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë  mes hyjnores e njerëzores. Genta në disa poezi ka përdorur vargun linear, por ka edhe poezi që përbëhen nga linja rrëfyese, që përsos poezinë tradicionale, vargjet  lëvizin e nguliten në hapësirën e memorjes;

Sytë mbi ty ngul/ e s’mundem veҫ se të të shoh/ mundohem të të prek,/ nëpër gishta më rrëshqet/ zhurma e dallgëve në breg godet/ një melodi ritmike në qetësinë tënde/ ku ndonjë ҫift sinfoninë e vet po kompozon,/ unë aty në një cep vështroj,/Flladi i verës më ledhaton si nëna fëmijën e saj,/ aromat e ditës të grumbulluara nën dritën e hënës,/ shijohen në kulmin e tyre,/ etjen ma ruajnë minutat e orët kalojnë,/ vetmia më shumë më pushton./”(poezia-“Nata). Poetesha Kaloci nuk ka frikë nga urat e padukëshme, ajo vetëm është e frikësuar për pjesën e traditës poetike, për  lexuesin e poezisë,  të mos dalë jashtë këtyre  “urave të padukëshme”. Fuqia poetike e lidhur fort me filozofiken, njerëzit e gjithcka që e rrethon shpërthejnë nga thellësia e psikikes, shpirtit artistik e filozofik,  për të shprehur dicka të re, të ndryshme; impresive, optimiste e shpresëdhënëse, sikundër bënin poetët e metafizikes. Genta përdor gjuhën poetike me fjalë dhe elementë substacionalë  të pastër e dimensionalë, mendimi filozofik është implozion jo rrëfyes, ekspresionizmi abstrakt është në shpërthim. Forca  sociale, intelektuale, qytetare e historike, dëshmojnë labirinthin e fjalës e vargut, zërin dhe autoritetin e tyre, në poezi të tilla; “ Modestia”, “Zgjuarsia”, “Inteligjenca”, “Vetëkënaqësia”, etj. Intuita, lidhjet psikike me artistiken nëpërmjet figurave të goditura letrare janë të besueshme në këto poezi, ato janë në stilin meditativ, poetja është e interesuar më tëpër të vargëzojë përvojën e një momenti e mendimi të castit, që përbëjnë estetika të reja;  “Inteligjenca e dija, ne zemër të butë,/ e humanizëm,/ është thjesht vetëvrasje,/-(poezia-“Inteligjenca”). Poetja kërkon të ndjehet e mendojë atë, c’ka  do të ndjejmë  edhe lexuesi kur të lexojë poezinë, dhe lexuesi të shohë atë që poetesha sheh.  Genta Kaloci në poezitë e saj demonstron magjishëm procesin e saj të mendimeve e ideve në fabulën poetike.

“Krenaria,/ heroizmi,/ sedra e sëmurë,/ shkallë të përcaktimit,/ të budallallëkut, idiotësisë, injorancës./U arsimova,/ udhëtova,/ jetova,/ eksperimentova,/ këtë njollë,/ vetes kurrë s’ia hoqa”/.(poezia-“Njollë Njerëzore”).

Me një timbër original, autoritar e shprehur artistkisht, pa sforco fizike, kujdes psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, duke prekur elementë  të kohës, plagë të shoqërisë e farsave sociale, elementë që shqetësojnë cdo poet e intelektual, se cfarë do të bëhet në këtë botë të bukur- duke i stigmatizuar ato- poetja Kaloci  transmeton te lexuesi  mesazhin pozitiv nëpërmjet kodit poetik,  mesazhin e mirësisë, mirëkuptimit, përkushtimit  e hedh dritë  për shoqërinë shqiptare. Në poezinë “Shqiponja mërgimtare”, poetesha  shpreh dhe shtjellon plagën e mërgimit. Të gjithë shqiptarët që mërgojnë ajo i lidh si një marrëveshje rreth ciklimit eternal të riaftësimit të së kaluarës me të tashmen –mërgimin e sotëm, gjallëria poetike rrjedh në brendësi të psikikes e shpirtit artistik-unfikimi i kohës me hapësirën, i së tashmes me të kaluarën.  “Ankthi më përpin, dhëmbjet përvëluese më përshkojnë,/ nën lëkurë i ndjej,/mrekullia fillon e merr formë./. Fluturimin nis,/ horizonte të përshkoj,/ me shpejtësinë e ëndrrave të fluturoj/”. Subjekti i fabulës poetike merr rol aktiv në funksion të kohës e  hapësirës, projekt i vetekzistencës, shëndrrohet në një strukturë medituese e vajtuese e dyzuar –të vetvetes e të tjerëve –marrëdhenies humane—botës njerëzore e materiale brenda reales e psikikes.  Ndjenja e dashurisë përfshin disa poezi të poeteshes Genta Kaloci. Gjetjet poetike janë të goditura si nga ana figurative e letrare, mesazhe që ripërsërisin atë që të gjithë kemi nevojë; dashurinë e jetën.

“Çdo frikë e imja,/ me ty nuk ekziston,/ çdo puthje nga ty,(tënden),/ akoma llahtaroj,/çdo prekje,/ sërish kërkoj të përjetoj,/ çdo përkëdhelje e ëndërroj./Disa momente nga jeta e dikujt tjetër,/ vodha/ të drejtën mbi trupin tënd,/ përvetësova/ në skutat e shpirtit tënd,/u dorëzova/ në epshet tona u lëshova.”

Është poezia  “ Të përshëndes”, një poezi që e kapërxen mishin dhe trupi i njeriut është thjesht anija që lundron në këtë emocion të fuqishëm. Dashuria në këtë poezi nuk është e përfaqësuar si një ndjenjë e bazuar në mënryë rigoroze në perceptimet e jashtme apo në cektësinë e bukurisë, por dicka më tepër; ajo është  ngritur mbi termin e dashurisë në kuptimin e pastër e shpirtëror. Duke përdorur imazhe specifike dhe tematika të përzjerë, struktura poetike e kësaj poezie, merr shumë kuptim e domethënie, se duket që poetja ka një nocion të fuqisë së dashurisë. Këto ide të formës e përmbajtjes si një temë e vetme-janë të gërshetuara nga poetja me gjuhën poetike në kohë e hapësirë.

Poezia  “Ekziston vallë dicka?”- Ndjesi e çuditshme,/ ajri dorën më përkëdhel,/ ajri vetëm më prek ajër,/ e çuditshme vetëm ajër…”

Kjo poezi kryen funksionin e saj, trajton marrëdhëniet mes natyrës (ajrit) së papeshë dhe e paprekëshmja e një emocioni të brishtë,  të pastër e të fuqishëm, pra-duke vendosur idenë e dashurisë në një numur kontekstesh të ndryshme. Ajo është njëherë në krahasim dhe kontrast, ndërmjetësuese mes natyrës, ajri,  hyjnores  dhe njerëzores.

 

“Sytë,/ sa herë mbyll,/ aty do më gjesh./ Flladin,/ sa herë në trup ndjen,/ përkëdheljet e mia do jenë./ Perëndimin,/ sa herë të shohësh i shoqëruar në vetmi,/ kodi i përshëndetjes sonë do të jetë./Rrezet e diellit,/ sa herë të të ngrohin,/ afshi nga puthjet e mia,/ nga një tjetër dimension,/ të papërfunduara.” ( poezia- ‘ELIKSIR, SA HERË!)

Përzierja e përdorimi i termave të tilla;- “syve, përkëdheljeve, flladit” me trupin-pra mes botës së mishit (trupi), natyrës dhe botës së shpirtit të pastër, psikikes së shpirtit artistik,  i japin formë poetike emocionit të brishtë e të pastër të eliksirit të dashurisë, që poetja e ka hulumtuar në mënyra të ndryshme në të gjithë poezinë dhe në vargje lirike.Biles, në të njëjtën kohë është  një proces për të unifikuar mendimin artistik me atë filozofik, që endet mes dy ideve shpirtërores e psikikes.

Vëllimi poetik “Nën petkun e vdekjes” i poetes   dhe psikologoes Genta Kaloci-kumton llojshmërinë e thellësinë e shpirtit poetik, i botës njerëzore e përvojave jetësore, i vetëdijes mitike e tragjike,  të kohës e me kohën, mes lirisë të pakufi të vdekjes, imazhit tronditës të saj  dhe vazhdimësisë së jetës-mes të fshehtave të saj dhe dashurisë për jetën-nën frymën poetike të psikikes shpirtërore, hyjnore e njerëzore.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Genta Kaloci, nen petkun e vdekjes, persiatje rreth, Raimonda Moisiu

Ju rrëfej Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

October 3, 2013 by dgreca

Esse –nga Raimonda MOISIU/

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë lindi në sajë të  devotshmërisë, forcës qytetare e intelektuale, kurajos e përkushtimit, të ritregojë e njohë historinë, ngjarjet themelore të saj,  duke i njohur ato u japim rëndësinë e vërtetë  marrëdhënieve universale, instikteve të tyre- mbështetur në idealet patriotike dhe atdhetare, vlerat kombëtare, kulturën, traditën e gjuhën, dëshmi këto e trashëgimisë së kozmopolitizmit që forcon shpirtin dhe sikush kultivon në vetvete atributet për të njehsuar pikën e origjinës të  identitetit kombëtar të  kombit nga vjen, në afinitet me kulturat e tjera në Amerikën multinacionale. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës,  ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro-amerikane, pohojnë të kaluarën e pararendësve, -elitës së shquar  të Rilindjes Kombëtare në ekzil, nga Fan Noli e Faik Konica, Arshi Pipa dhe Prof.Isuf Luzaj, Zef Oroshi, Qerim Panariti, Sotir Peci, Josif e Vasil Pani, Peter Prifti, Kristaq Trebicka, Anthony Athanas, Baba Rexhep Bardhi, Peter Lucas, At’Arthur Liolini, Prof.dr.Selaudin Velaj, etj. Ata mbartin me vete nderimin, respektin e kockës së erudicionit intelektual e krijues të tyre, dëshmi të njerëzores e shpirtërores, emocionuese dhe edukative. Vetë natyra, koha dhe liria u dha mundësinë të ngrenë strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, të idealeve e virtyteve të  kombit, pjesë e kulturës amerikane. Në pamje të parë bie në sy gjallëria e integritetit individual e kontributit dimensional krijues, kontribut që të bën të përfytyrosh si kanë qenë ëndrrat e paraardhësve, plot sfida e dhimbje, sakrifica e arritje, përkushtimin pakompromis e shkrimtarëve shqiptarë të parë në ekzil. Sikush prej tyre ka pasur ëndërr e  shpresë, kanë parë ecjen në kohë të gjeneratave, dinjitetin kombëtar të ngrihej e integrohej nga dita në ditë, nga dekada në dekadë, duke kapërxyer shekullin.

Kush ishte ideatori dhe mbështetësit e parë në themelimin e SHSHSHA-së.

Konfident në erudicionin dimensional qytetar, intelektual e krijues të tij,  i pari që  studio idenë  për të formësuar e paralelizuar atë  me idetë e  të gjitha ngjarjeve, privilegjin për të qenë pjesë e  historisë së popullit shqiptar në të dyja kahjet e Atlantikut, me idetë e parardhësve  të atyre që shënuan fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e  “Vatra”-ës dhe Rilindjes Kombëtare , ishte   -Gjekë Marinaj -duke mundësuar kështu  vazhdimësinë e integritetit të letrave shqipe me kurajon, forcën dhe mundin e shkrimtarëve të vjetër e të rinj, -Pikën e Bashkimit të Letërsisë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare.Si një metaforë për të kuptuar të kaluarën  interesante në kontekstin e trashëgimtarëve të atdhetarizmit e shqiptarisë, penës e dijes, për të përjetësuar  vlerat  dhe identietin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane,-duke qartësuar të tashmën dhe hapur udhë të ardhmes. Me idenë e dëshirën e mirë se e ardhmja i përket gjeneratës së re, djaloshi nga Malësia e Madhe, Gjekë Marinaj  karakterizohej nga karizma dhe kultura, që maturoheshin nga dita në ditë, për të lëvizur drejt fazës të bashkëpunimit, të natyrës universal, e tashmja  me të kaluarën.

Si  personazh që duket sikur vjen nga Muzeu Historik Kombëtar i kohës, Gjekë Marinaj  në vitin 1990-botoi poezinë satirike antikomuniste e titulluar “Kuajt”, poezi që do të ndryshonte krejt rrjedhën e jetës së tij. I ndodhur përballë kufirit izolues dhe arrestimit  të pashmangshëm më 12 Shtator të atij viti,  Marinaj sfidoi  me trimëri liridashëse, arratiset nëpërmjet kufirit shqiptaro-jugosllav në Jugosllavi. Më vonë ai kapërxeu oqeanin dhe u vendos në SHBA-ës. Ardhja e Gjekë Marinaj në Amerikë ishte moment moral, shpirtëror e historik në jetën e tij.  Me përpjekje e sakrifica,ngarkesë emocionale, lumë atdhedashurie për Shqipërinë e vendlindjen, me pasionin dhe talentin për letërsinë,  ai vazhdoi studimet  në  Shkencat e Përgjithshme,  u diplomua  në Brookhaven College. Më pas diplomohet në degën e Letërsisë Bashkëkohore, i  akordohet grada shkencore; Magna Cum Laude. Në të njëjtin Universitet mbaroi edhe Master-in në vitin 2008-ë, mbrojti gradën Ph.D. në Letërsi, në Universitetin e Teksasit, Dallas. Sot Prof. Gjekë Marinaj jep mësim gjuhën, komunikimet angleze dhe letërsinë botërore në Richland College. Është autor i  dhjetra librave me poezi, studiuese e shkencore për letërsinë bashkëkohore,  publicistikë e prozë, i vlerësuar nga Kritika e kohës me Cmime Kombëtare e Ndërkombëtare. Në kapërxyellin  e shekullit 21-ë, poeti, përkthyesi, kritiku letrar dhe publicisti shqiptaro-amerikan Prof. Gjekë Marinaj  doli me  teorinë në lidhje me Letërsinë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare; Grupimin e krijuesve, autorëve, poetëve e shkrimtarëve në ekzil, në  Shoqatë apo Lidhje Shkrimtarësh, – ide që pati efekt të thellë dhe mbështetje nga figura të njohura të Letrave Shqipe, mërguar në SHBA-ës, në  dekadën e fundit të shekullit të kaluar,-ide që do të bënte rrotacionin spektakolar dhe historik në letërsi; Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Prof. Peter R. Prifti- një nga personalitetet e shquara të kulturës shqiptaro-amerikane, dishepulli i devotshëm dhe nxënësi i fundit,  i drejtpërdrejtë i Fan Nolit., -u anëtarësua në ditën e themelimit të saj,  qëndroi deri në ditën që u nda nga jeta. Përgatitja e tij arsimore, përvoja jetësore që nga diplomimi në  Penn State College me  “Bachelor of Arts degree in Arts and Letters,” më 1949, më vonë ndoqi “University of Pennsylvania” ku fitoi diplomën “Master of Arts degree in Philosophy”. Punoi  si sekretar i Vatrës dhe redaktor i gazetës “Dielli”, që e afroi me Nolin, e ndihmoi të njihte më mirë komunitetin shqiptar, ndërsa puna shumë vjeçare në M.I.T. e aftësoi për t’u marrë me studime politike.

Përpos potretit e staturës intelektuale, qytetare e krijuese,  Prof. Peter R.Prifti cmohet nga mbarë bota shqiptare si; patriot, dijetar i shquar historian, filozof, politolog, gjuhëtar, përkthyes e letrar.

Me të parin që e konsumoi idenë e tij në lidhje telefonike–ishte poeti, shkrimtari, publicisti dhe kineasti Kolec Traboini,   nga mbështetësit e parë dhe bashkëthemelues i Shoqatës me  ndihmesë të admirueshme. Kolec Traboini është i njohur si  ndër lirikët më të zjarrtë të vargjeve lirike shqiptare në letrat shqipe, ai është nga ata autorë që shpreh shpirtin fenomenologjik me qartësinë e mendimit filozofik e artistik nën efektin e njerëzores. Është autor i mbi 20 librave poezi, prozë, esse e publicistkë, 12 prej të cilave me poezi, të mirëpritura e vlerësuara nga kritika e kohës, audienca e lexuesve dhe dashamirësëve të artit e letërsisë. Pena poetike e Kolec Traboinit është nga zërat poetikë më të rreptë i gjendjes sociale në stilin migjenian, me ide shprehëse dhe emocionale,  krejt e vecantë në poezinë bashkëkohore.

Në arkivën e themelimit të SHSHSHA-së, vend të vecantë zë, shkrimtarja e gazetarja Albana Mëlyshi Lifschin, antarësohet e para,  për eksperiencë e bashkëpunim, ajo do të marrë  kontakte të drejtpërdrejta me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëvë Shqiptarë në tokën mëmë, asokohe, Limoz Dizdarin. Albana Mëlyshi Lifschin është nga pioneret e para të gazetarisë shqiptare për femra dhe e cilësuar si pionere e tregimit me temën e emigrimit në USA. Emigruar në SHBA-ës në fillim të viteve ’90, ajo ka njohur vetëm ngjitje në krijimtarinë e saj duke botuar dhjetra libra  në disa zhanre; poezi, prozë, publicistikë e përkthim. Zonja Mëlyshi -Lifschin është  shkrimtarja shqiptaro-aemerikane, që ka shkruar librin dokumentar në Anglisht & Shqip-“Children of Kosova-stories of horror”- për ngjarjet e vitit 1999-të, genocidit të popullsisë kosovare nga rregjimi i Miloshevicit,  libër i vlerësuar denjësisht e respektivisht, nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton e Bordi i Arsimit i Shtetit të Neë York-ut, si tekst shkollor në shkencat sociale.  Botimi i këtij libri dokumentar historik, për cdo shqiptar, politikën e jashtëme amerikane e botërore ishte drita realiste e tragjizmit, shpërnguljes biblike, masakrat, heroizmi, epiciteti e gjithë historia horror e përgjakur e popullit martir të Kosovës, nga egërsia, mizoria e genocide sërbe, ndaj  popullit të pafajshëm. Ky libër tronditi mbarë opinionin amerikan e botëror,  i vuri ata në lëvizje për zgjidhjen e cështjes së Kosovës, mbrojtjen e popullit kosovar e të ardhmen e tij. Mbështetës e bashkëthemelues i SHSHSHA-së, është shkrimtari i mirënjohur, pionier  e figurë dominuese e letrave shqipe,  Mjeshtëri i rrëfimit e dialogut, -Naum R.Prifti. Personazhet e veprave të tij letrare janë njerës të thjeshtë, përvojat e jetës  me  fuqi të magjishme plot jetë në të kaluarën, të ardhmen e lirinë e tyre.  Shkrimtari Naum Prifti është shkrimtari që ka shkruar tregime për fëmijë e të rritur, disa prej tyre janë bërë filma, i vlerësuar nga kritika e kohës me cmime për veprat e tij letrare. Në mesin e komunitetit të bashkëthemeluesve vend të vecantë zë shkrimtarja dhe publicistja e talentuar,  “dardharja” e Bostonit në Amerikë, Rozi Theohari, autore e dhjetra vëllimeve me poezi në shqip e anglisht. Lexuese dinjitoze e veprës së Fan Nolit, intervistuese e  bashkëkohësve,  patriotëve, atdhetarëve të vjetër e të rinj, e kanë shëndrruar Rozi Theoharin në transmetuese e përhapjes së humanizmit, cuarjes e përjetësimit të veprës së Nolit, penë dominuese profesionale,  historike e publicistikës shqiptaro-amerikane. Poetja e Diellit, intelektualja, shkrimtarja, publicistja dhe Aktivistja e “Vatra” dhe “Dielli” në Amerikë, Merita Bajraktari McCormack, me  aktivitet prodhimtar,  krijues e atdhetar, e vlerësuar me Penën e Artë, është anëtare e parë e Shoqatës.

Nga më të admiruarit e të vlerësuarit mes shkrimtarëve modernë e bashkëkohorë, me kontribut të jashtëzakonshëm në letrat shqipe, bashkëthemelues i SHSHSHA-së  është  prozatori Ramiz Gjini. Në më shumë se një dekadë ai botoi gjashtë përmbledhje me tregime, dy romane e rikrijoi kohën këtej e përtej Atlantikut, përpjekjet e njerëzve të zakonshëm që u është kërkuar të sakrifikojnë rehatinë dhe çrrënjosin jetën e tyre, përpjekjet autentike në domethënien e natyrës njerëzore. Shkrimtari shqiptaro-amerikan, nga Qeparoi i Vlorës, Petraq Janko Pali, rradhitet si  mbështetës në themelimin e Shoqatës së  Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, duke qënë për dy mandate në Kryesinë e saj. Ai është biri i  eruditit e mësonjësit të Shquar të Bregut të Detit,”Mësuesit të Popullit” Janko Pali.  Altruist në thelb, shkrimtar profilik,  mjaft popullor, ai njihet  si  autor produktiv, i përkushtuar, pasionant, vecanërisht në rradhët e krijuesve shqiptaro-aemerikanë. Autor i dhjetra vëllimeve me poezi, prozë dhe publicistikë,  nën kujdesin e tij hulumtoi e botoi dorëshkrimet në tre vepra të Atit të Tij, eruditit Janko Pali, dhurata të cmuara historike e vlera kombëtare, shërbim  i  cmuar,  historisë e kombit. Prof. dr. Selaudin Velaj, aktivist i shquar  i cështjes kombëtare, kontributi  akademik e krijues, realiteti dhe përvojat jetësore, bashkëpunëtor i drejtëpërdrejtë prej mëse 30 vjetësh i At’Arthur Liolinit, klerikut të nderuar e  pasardhës i Fan Nolit,  kanë formuar tek Dr.Velaj, portretin e njeriut, që janë mishëruar, ndershmëria, dinjiteti, bujaria dhe fisnikëria. Me këtë rast  dua të përcjell  emra të tjerë të zërit intelektual e krijues, figura të njohura të letrave shqipe, mbështetës dhe anëtarëve të Shoqatës që me themelimin e saj:poetin martir të Demokracisë Viktor Martini, Prof. dr.Thanas Gjika, shkrimtarin Spiro Gjikondi, poetja Julia Gjika, Genc Leka, poetja bilingual e vlerësuar nga kritika amerikane, Sidorela Risto, Kreshnik Ndreu, poeti i dhimbjes e atdhedashurisë, Lek Gjoka, Marash Mali, Tom Paloka, Nikolin Markaj, Ferhat Ymeri,etj.

Të gjithë këta autorë në unitet mendimi e ideje, shënuan  kthesën e parë historike në hyrje të shekullit të ri-pikërisht në vitin 2001-themeluan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në përputhje me Ligjet amerikane,  shoqatë jofitimprurëse, me President,  ideaotorin, i konsideruar tashmë themeluesi i saj, Prof. Gjekë Marinaj e Kryetar i Kryesisë së Parë të SHSHSHA-së, shkrimtarin e shquar Naum R.Prifti,  sekretar: Sami Milloshi, publicistin e mirënjohur herët në median shqiptare dhe poet.  Me  kontribut përkushtues e konstruktiv  me opinione dhe mendime,  i apasionuar pas letërsisë, vecmas në gjininë e poezisë,  Sami Milloshi është autor i disa librave me poezi në shqip dhe anglisht, të vlerësuara nga kritika e kohës shqiptare dhe amerikane. Ndërkohë Milloshi ka hedhur idenë se historia e letërsisë shqipe duhet të rishkruhet mbi bazën e vlerave letrare, ashtu si në botën e qytetëruar.

Luigj Cekaj, djaloshi shkodran,  në moshë të njomë u  përball  me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si  biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetaën “Besa”, Shkodër. Emigron në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, aktualisht punon në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës  Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës, Hardsdale, Neë York. Anëtar i Shoqatës dhe sekretar i saj. Në mbledhjen e parë të Shoqatës do të vendosej për zgjedhjen e Kryesisë së re njëherë në cdo tre vjet e më pas në cdo dy vjet. Nga viti në vit anëtarësimet në Shoqatë rriteshin, reputacioni i saj  forcohej e maturohej, me besimin  se individi krijues është arbitri kryesor i zërit krijues letrar, intelektual, qytetar e shqiptar.Cdo anëtar ka lidhje të drejtëpërdrejtë ndaj parimeve që udhëheqin Shoqatën, bazuar në mendimin e vlerën, krijimtarinë e korifejve të letrave shqipe në dy kahjet e Atlantikut, trojet shqiptare e tokën amerikane. Në raport me vitet duke njohur vetëm ngjitje e progress,  kryetar i Shoqatës u zgjodh Ramiz Gjini, në dy mandate  dhe me tërheqjen e Prof. Gjekë Marinaj si President Nderi i  Shoqatës,  u zgjodh,  poeti dhe publicisti i mirënjohur nga Presheva, Adnan Mehmeti,  figurë emblematike e dominuese e Letërsisë Postkomuniste të Diasporës,  status që vazhdon  aktualisht. Z.Adnan Mehmeti është autor i disa librave me poezi në gjuhën shqipe, angleze, me aforizma  dhe publicistikë, fitues i disa cmimeve kombëtare e ndërkombëtare, jeton e punon prej vitit 1995-së në SHBA-ës. Poeti e Publicisti, Mehmeti, konceptin filozofik për jetën,  e ka kthyer në parim jetësor e krijues. Ai mendon se nuk  mjafton vetëm të jetosh, jeta matet me vepra. Lum ata që bëjnë vepra. Vepër nuk është vetëm të botosh  libër. Vepër është të mbjellësh pemë para shtëpisë për ta gjelbëruar qytetin dhe t’i japësh kuptim e shpresë asaj. Puna e shkrimtarit është e lidhur me librat,-shprehet Mehmeti. Në fëmijëri ka lexuar për Fan Nolin, gjithmonë e mundonte kurreshtja se ku kishte lindur, Noli ynë.  I apasionuar dhe  dashamirës i veprës së Nolit, -Mehmeti  studioi në Universitetin e Prishtinës,  mësoi  jetën dhe veprën e tij. Ka brengën, që herë -herë e trondit, për vendlindjen; Se kujt i takon Lugina e Preshevës. Deri kur kështu?!-pyet poeti, brengë që e ndan me bashkëkombësit, familjen,  në poezitë e librat e tij. Nën presidencën e z.Adnan Mehmeti, Shoqata  ka pasur  rritje në anëtarësim dhe krijimtari në nivel të admirueshëm artistik e krijues, aktivitete të ndryshme me taban historik, kombëtar, atdhetar e letrar. Nga sukseset më simbolike e historike, nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të  Mehmeti, është dalja në dritë e revistës “Pena” , organ letraro-artistik, kombëtar e historik.  Aty pasqyrohen shkrime letrare, poezi, tregime, dhe publicistikë, nga autorë të ndryshëm, anëtarë të shoqatës, komunikimi me lexuesin dhe dashamirësit e letrave shqipe, në evoluimin modern të penave poetike dhe prozë.  Revista “Pena’ gjendet në Bibliotekën Amerikane, në atë të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, dhe Bibliotekën e Kishës Autoqefale Shqiptare e Shën Gjergjit, e Fan Nolit, Boston.

Në vazhdën e traditës, dy mandate rradhazi si Kryetar i SHSHSHA-së ka qënë poeti dhe prozatori Dalan Luzaj, djali i vetëm  i Prof. Isuf Luzaj, një nga personalitet më të shquara të nacionalizmit në Shqipëri, kulturës shqiptaro-amerikane, bashkëthemelues i Partisë Social-Demokrate me Musine Kokalarin dhe Kastriot Mucon,  poet, mësonjës e filozof. Shkrimtari e poeti Dalan Luzaj karakterizohet nga mirësia e paqja shpirtërore,  pjekuria e fisnikëria intelektuale e qytetare, i heshtur, tejet modest, i ngrohtë në komunikim, njerëzor e shoqëror, shpërthyes në pikat kulmore të situatave të ndryshme të farsave sociale e historike, i kursyer në ndërtimin e strukturës poetike dhe përsosmërisë së artit të bukur e të vështirë poetik. Dalan Luzaj, autor i disa vëllimeve me poezi e prozë, hulumtues dhe mbledhës i veprës së Atit, i 12 vëllimeve filozofike, nën titullin “Kujdesi i Bletës”, etj, vazhdon të mbajë figurën dhe trashëgiminë e penës së  tij.Pena krijuese  e Dalan Luzajt ecën  me të njëjtin ritëm e kredibilitet të cmuar, të freskët,  figurë model për brezin e ardhshëm, kohën, kujtesën, historikun e kombit e letrave shqipe në Diasporë. Po sjell në vëmendje kontributin e Nënkryetarit të Shoqatës, për disa mandate e poetit e prozatorit, Mëhill Velaj, nga Peja e Kosovës, me banim në Stamford, Connecticut.  Është anëtar i Shoqatës me themelimin e saj, dashamirës, enthusiast e  optimist i artit e letërsisë,  nuk kursen talentin, kontributin krijues e intelektual, aktivist e shpirtëror, filantropist në botimin dhe përjetësimin e veprave krijuese. Autor i dhjetra librave me poezi, në gjuhën shqipe, angleze, frënge e  rumune, me prozë; në gjininë e tregimit e romanit dhe publicistikë. Shkruan herë pas here në shtypin shqiptaro-amerkan,gazetat “Illyria”, “Dielli”,  ” Bota sot” SHBA,  Shqipëri e Kosovë,  “Fjala e lirë“, Londër , ëebsite e forume bashkatdhetare në internet. Ajo cfarë e bashkon poetin, prozatorin dhe publicistin Kostaq Duka me SHSHSHA-ë dhe kolegët e tij, është  tematika që trajtojnë në veprat e tyre, dhe  padyshim Duka mbetet autori që i jep formë letrare-artistike e mendim filozofik në gjini të ndryshme; tradicionales, qytetares, sociales, dashurisë, mallit, kuptimit për jetën, vepra që identifikojnë vlerat e vërteta, shkrimtari që jeton brenda detajit artistik.Kostaq Duka i diplomuar për Shkenca Politike Juridike, dega filozofi-është nga pionerët e parë të gazetarisë e publicistikës shqiptare me reportazhe, kolumna, opinione në gazetat e Korcës e të Tiranës. Për dy mandate ka qenë Sekretar i SHSHSHA-së. Shkruan rregullisht në gazetat; Iliria, Dielli, Fjala e Lirë, Londër, Korca, Devolli etj.

Në  mesin e shkrimtarëve në ekzil,  anëtar i hershëm i SHSHSHA-së është shkrimtari dhe publicisti Pierre Pandeli Simsia. I lindur në qytetin antik të Beratit, në familje autoktone, intelektuale e qytetare beratase, e njohur në fushën e farmaceutikës. I diplomuar për ekonomi-financë, ai u dashurua me muzikën e  letërsinë në adoleshencën e hershme. Autor i disa librave në prozë e publicistikë, romancier, shkrimtar profilik, shtjellon tema të ndryshme së; fëmijëria nën diktaturë, dramat  sociale, zakonet e tradita, emigrimi, shtjellimi i dukurisë së gjakmarrjes, etj,   janë pjesë e rrëfimeve të autorit. Prej vitit 1997-ë jeton, punon e krijon në Neë York.Është aktiv në artin e kulturën shqiptaro-amerikane,  prodhimtar në letërsi e publicistikë, boton në median shqiptare, Diasporë e libra. Për krijimtarinë e tij është nderuar me disa çmime, në SHBA, si: “Pena e artë”, “Petro Marko” etj. Për këto merita, ai është zgjedhur sekretar  i SHSHSA-së, në dy mandate.

 

Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës aderojnë figura të njohura të letrave shqipe.

 

Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës, e cila tashmë është grupuar në SHSHSH-ë aderojnë figura të njohura të letrave shqipe; Poetja dhe Publicistja Iliriana Sulkuqi, autore e dhjetra vëllimeve me poezi, në gjuhën shqipe e angleze, kritikë letrare e publicistikë, një mandat, Nën/Kryetare e Shoqatës, e shpallur Ambasadore e Paqes. Poeti e Prozatori Fatjon Pajo, autor i disa librave me poezi, romane e tregime, në gjuhën shqipe e angleze, i vlerësuar me Cmime kombëtare, Pena e Artë  në Atdhe e Diasporë. Tema me  drama sociale e traditicionalja e kanë bërë Fatjon Pajon shkrimtar dhe poet bilingual në gjuhën shqipe e angleze, i admiruar e kërkuar  në qarqet letrare të Diasporës e trojet shqiptare.  Shkrimtarja simpatike nga Mitrovica Teuta Shabani Toëler  jeton e punon në SHBA-ës,  bën pjesë në  grupin e parë të autoreve femra të anëtarësuara në Shoqatë, autore e disa romaneve investigativë. Eleonora Gjoka Kosta apo Elko-vajza e valëve të Bregut të Detit, poete dhe studiuese e imazhit të gruas nga mitologjia në botën reale.

Autor i dhjetra romaneve, tematika që romancieri i afirmuar  Vlash Fili shtjellon e trajton, është metamorfoza e një populli të tërë në diktaturë. Midis fillimit dhe fundit të romaneve të Filit,  ekziston dinamika e përvojave të  jetës në  krijimin e formave të reja,  lidhjen që iu bën personazheve, kalvarin e dhimbjeve, sakrificave, lidhjet e forta familjare, burgun, internimin, të cilin ai e ka provuar, Vlash Fili ia arrin qëllimit të bëjë të prekshmen dhe njerëzoren. Meritë të vecantë zë organizimi i Ditës së Letërsisë në Michigan, cdo vit në muajin e letërsisë,  nga poeti, shkrimtari e Botuesi i Revistës KUVENDI  në Diasporë,  Pjetër Jaku, me  mbështetjen e SHSHSHA-së, revistë ku konkurojnë vlerat letraro-artistike. Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, tashmë është bërë simbol epoke në Diasporë e njohur për aktivitetet e larmishme disa herë në vit, me tema të ndryshme nga arti, letërsia, tradita e temat sociale, histor8ike e atdhetare, gjithmonë në bashkëpunim me SHSHSHA-së.Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Skifter Këlliçi  me biografi të pasur letraro-artistike, publicistike, gazetar sportiv e televiziv. Autor i njohur për krijimtarinë produktive,  i përket muzeut historik të letrave shqipe mes  dy epokave. Roland Musta poet e prozator, Bardhyl Mezini, poet e fabulist, Përparim Hysi, poet, esseist e prozator, Ivzi Cipuri, poet, publicist e diplomat, Klajd Kapinova studiues, kritik letrar, shkrimtar e publicist, Uk Lushi shkrimtar e publicist shqiptaro-amerikan, dalë nga gjiri i luftës së UCK-së, Rita Saliu poete, luftëtare  dhe veprimtare e shquar e cështjes së Kosovës, e nderuar me Certefikatën e Mirënjohjes nga ish-presidenti Bamir Topi, Tom Mrijaj studiues, monografist, esseist, shkrimtar e publicist, Shpresa Vrana romanciere dhe esseiste trajton temën e gruas, Yllka Filipi, shkrimtare bilinguale, në gjuhën shqipe, spanjolle e angleze, e  vlerësuar nga kritika  e kohës si  zë unikal në letërsinë moderne shqiptare. Anton Ceta,poet, shkrimtar, kritik letrar e studiues, Pal Ndrecaj, shkrimtar, esseist e kritik letrar,  dr.Adem Harxhi, seksolog e publicist, autor i disa librave,  Dedë Elezaj poet e filantropist i Shoqatës, Makfire Canolli poete, Sabije Veseli, romanciere bilinguale në dy gjuhë; shqip e anglisht, poetë e krijuesë; Ramiz Mujaj, Aulona Goxhaj,  Këze Zylo,  Gjeto Turmalaj, Ndue Hila, Guri Stefani, Skënder Kodra, poeti e pikturisti, Nexhat Imeraj, Eduard Dilo, Margita Markaj, Isuf Grejcevci, etj.

Brenda e jashtë SHSHSHA-së  jetojnë, punojnë e shkruajnë në ekzil figura të shquara të letrave shqipe; Shkrimtari e poeti Petraq Risto, shkrimtari, poeti e publicisti Roland Gjoza, shkrimtarja e  gazetarja e shquar, Elvira Dones, Shkrimtari i Shquar Fatos Kongoli, bën  jetën mes Amerikës, Europës dhe Shqipërisë, poeti prozatori dhe kritiku letrar Vaid Hyzoti, shkrimtari e poeti i mirënjohur Thani Naqo, shkrimtari e publicisti Agim Bacelli, poeti i talentuar, martir i demokracisë, Alfons Grishaj, ”,  poetja e talentuar Elinda Marku, publicisti e akademiku Shpëtim Nazarko, poeti i shquar i vargjeve lirike shqiptare Nexhip Ejupi, poeti e publicisti devolli, Luan Kalana,  poetët Hekuran Miraka, Genci Kastrati, Sami Gjoka, Valbona Dardha, Aida Dismondy-i, Vasil Makoci, Monda Hamitaj Vera Kurti, etj. Ndihmesë dhe mbështetje ee admirueshme e historike,  të Federatës Pan Shqiptare Vatra nga dr.Gjon Bucaj  dhe Editori i gazetës Dielli, publicisti i mirënjohur Dalip Greca, ndihmesën e mbështetjen e dr.Anna Kohen, Presidente e Shoqatës”Motrat  Qiriazi”, bisnesmeni e filantropisti Zef Balaj,  ndihmesa dhe mbështetja Prof.dr Fatmir Terziut në botimin dhe lëvrimin e letërsisë në ekzil,nëpërmjet, “Fjala e Lirë”, ndihmesa e artistit piktor, i kudogjenduri Astrit Tota e artisti aktor Shaban Lajci, gazetarit Beqir Sina, etj.. Në  Amerikën e Veriut,  jetojnë, punojnë e krijojnë në Kanada, njerës të shquar të letrave; dramaturgu, shkrimtari, eseisti, poeti e kritiku, Prof. Vangjush Ziko, poetja e talentuar Majlinda Bashllari, poetja Sose Dumani, shkrimtari, prozatori i talentuar, i mirënjohuri,  Faruk Myrtaj, Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Kristaq Turtulli, shkrimtari, publicist e eseisti Vangjush Saro,  shkrimtari e publicisti Nexhip Bashllari, shkrimtari për fëmijë Janaq Pani, Sillo Mucko, etj.

Sot  Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon e mbështet shkrimtarë, poetë dhe  artistë,  që  identifikojnë Letërsinë Postkomuniste të Diasporës, i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes,  të gjithë ata, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj. Letërsia Post-komuniste e Diasporës dhe  SHSHSHA-së sjellin  zbulimin e zërit të veçantë e veprave të Rilindjes, shpirtit shqiptar, shqiptaro-amerikan e krijues të letrave shqipe,  ideve të artit si frymëzim shpirtëror, dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes,  formimit fizik e intelektual, shprehin më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë. Në dashuri, në art, jetën social-ekonomike-politike njeriu është gjysma, gjysma tjetër është figura, vepra, mendimet dhe filozofia e tij. Jemi ne që bëjmë art e jetë, në një trup e mendje të vetme, në mbrojtje dhe integrimi të vlerave kombëtare, gjuhës shqipe, traditës, kulturës, letrave shqipe e historisë–mesazhin e dashurisë njerëzore, njehsojmë identitetin kombëtar shqiptar në formë e përmbajtje.

Postscriptum

Më 14 shtator 2013, në mesditë, në një nga sallat e Librarisë të qytetit Stamford në Connecticut, USA , organizoi takimin zgjedhor Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë e zgjodhi Kryesinë e re;

President –Poetin e Publicistin, Adnan Mehmeti

Kryetare-Shkrimtaren e publicisten, Raimonda Moisiu

Nën/Kryetar –Shkrimtarin e Kritikun, Pal Ndrecaj

Sekretare –Shkrimtaren e poeten, dr.Yllka Filipi

Anëtarë-Romancierja Sabije Veseli, poeti Ramiz Mujaj

 

Hartford CT USA

Tetor 2013

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: e shkrimtareve, Raimonda Moisiu, rrefn shoqaten, Shqiptaro-Amerikan

Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat…

September 18, 2013 by dgreca

Intervistë ekskluzive per DIELLIN me shkrimtaren, poeten, esseisten, kritiken letrare dhe Sekretaren e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, dr.Yllka FILIPI/

 Bisedoi Raimonda MOISIU /

      Dr.  Yllka FILIPI  ka mbrojtur  Doktoraturën në fushën e Letërsisë së Krahasuar, Universiteti i Tiranës  (2009-2012). Është specializuar në degën e Letërsisë duke përfunduar  Studimet e Thelluara Pasuniversitare, Master Shkencor (2006-2008), pranë këtij Universiteti. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, dega  Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1995-1999). Shkruan kritikë, poezi, prozë dhe ese. Ka botuar në periodikë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare,  si një zë unikal në letërsinë moderne shqiptare. Aktualisht jeton dhe punon në New York, ku bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Illyria dhe revistën Kuvendi në Michigan. 2011 e në vazhdim Zv/Kryetare e Katedrës së Studimeve e Hulumtimeve, të Mendimit Kritik Modern të Presidencës së LNSHP, U.S.A

Është autore e këtyre veprave:

*Trekëndëshi universal i Bermudeve, Dante-Migjeni-Kadare, studim krahasues, 2012

*Post Hekuba vëllim poetik, Ombra GVG, 2011

*Me ipsum ames (roman postmodern), M. Barleti, 2010

*Eternitas  (vëllim poetik, ) M. Barleti, 2009

*Eshtra tempujsh, (cikël poezish të zgjedhura,) 2009

*Dante-Kadare, studim kritik, Albas 2008

Ka fituar këto çmime letrare

 Qershor 2012  Çmimi poetik Ndërkombëtar “Azem Shkreli II”, Ennepetal, Gjermani

Maj 2011 Çmimi i Parë, në Festivalin Ndërkombëtar të poezisë, TPSH, Vushtrri, Kosovë

Prill.2011 Çmim Special, Fituese në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Poetik, Muza Poetike Pegasi Albania 2011.

Krijimtaria e saj është përfshirë në disa antologji si

* 100 Poetë për dashurinë, (Lirika shqiptare dhe botërore) 2012,

* Korsi e hapur,  2012, në 14-gjuhë të botës, etj.

–Dr.Yllka,- Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në gjininë e prozës, poezisë apo publicistikës? Ç’mund të na thoni mbi fillimet e karrierës suaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?

Poezia është arti ku shpirti nënvizon epërsinë e tij, që herët në shkrimet e mia. Grimcat e para filluan të gëlonin që në fëmijërinë e hershme, por eksperiencat e vërteta morën formë të përcaktuar qartë, vetëm në vitet e gjimnazit, e më tej. Aftësitë imagjinative më jepnin dorë të lirë në pikturimin e tablove të ndryshme shpirtërore, aty ku rridhnin brengat, dramat, idilet e njerëzimit dhe nuk e lejonin intuitën të mbetej pezull. Udhëtim i bukur? Udhëtim mbreslënës? Unë do ta quaja udhëtim i përjetshëm drejt jetës, drejt dashurisë.

 -Isadora Duncan shkruan: Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë,  megjithëse  arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithcka,  ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?

Një përfaqësim i tillë i artit i gërshetuar edhe me faktin e të qenurit femër, pavarësisht “mbikqyrjes” së vështirë dhe të rreptë si edhe përkushtimit fizik, nuk e ka lënduar aspak dashurinë time për të. është gjëja më e bukur që buron nga shpirti dhe niset fluturim për në shpirtra të tjerë, si një lloj ngushëllimi hyjnor ndaj dhimbjeve të njërëzimit. Si një shpresë.

-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, prindërit, artet, letërsia apo  njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?

E gjithë kjo është një kompleksitet figurash, imazhesh reale dhe fiktive, një galeri e tërë detajesh që kanë ndikuar në frymëzimet e mia, por padiskutim një mbështetje e jashtëzakonshme për të ecur përgjatë kësaj rruge me të papritura, shira e stuhi, kanë qenë prinderit e mi. Simbol i vetësakrifikimit për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Burim i pashtershëm frymëzimi për mua, është Eros-i, im bir 9-muajsh.

-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj  Eshtra tempujsh, Eternitas, Post Hekuba) në gjuhë të huaj dhe bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

Kanë rrjedhur natyrshëm, ashtu një e nga një si pikat e shiut mbi xham, e formohen rrëkeza, më vonë ndoshta luginëza…është një kënaqësi e jashtëzakonshme tek i sheh të rriten…

-Kur shkruani, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

Frymëzimet janë spontane, Muzat nuk trokasin asnjëherë, vijnë ashtu papritur, në studio, në natyrë, në rrugë, në vetmi, mes turmës, në rërë, në kafene, shpesh edhe në gjumë…

 -Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj? Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi proteste me ton qytetar e intelektual?

Unë e shoh si një energji që buron nga një tjetër energji supreme e cila trazon shpirtin njerëzor, ngacmon, flijohet. Shpërfillja, nëpërkëmbja, dhunimi i të drejtave të gruas më irriton pa masë. Shën Maria ishte grua…Muzat janë gra tronditëse gjithashtu.

 -Shumë lirika dashurie. Çfarë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

Dashuria është formë e finalitetit të forcës për të mbijetuar, sa kohë jeton veçan çdo koncepti intrigues, ajo perceptohet larg nga urrejtja, si një formë finale e gjallimit të së mirës së përjetshme, gëzimit dhe madhështisë universale.

-Romane, studime poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë?

Me secilën prej tyre përjetoj një lidhje të veçantë e nuk mund t’i dalloj, por mund të them se kam shumë dobësi për poezinë… Aty ndihem më e sigurtë. Një shtëpizë prej qielli, realitet i dytë trupi e shpirti.

 -Ju jeni edhe prozatore, biles keni sjellë një formë të re në prozën bashkëkohore . -kujtojmë këtu romanin Me ipsum ames (Të më duash mua, vetëm), tashmë një shkrimtare e afirmuar, autore e disa librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë?

Ky roman është shkruar në kohën kur isha ende një studente e apasionuar e letërsisë, në vitin e tretë dhe për vite me radhë qëndroi në sirtarët ku ruheshin dorëshkrimet e mia. Nuk guxoja ta hidhja në treg me frikën e asaj risisë që nuk përqafohet kurrë në fillim… Tanimë më kanë mbetur  shumë pak kopje nga ky libër.

Për mendimin tim është më i thjeshtë kalimi nga poezia në prozë. Blatohet mrekullisht me nënvetëdijen. Të kundërtën nuk mund ta perceptoj dot. Shtysa vjen natyrshëm nga dëshira për t’u vetëshprehur në mënyra të ndryshme.

–Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të tregimit apo romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

Do të citoja këtu një mbishkrim të zbuluar në tempullin e Isis-it (Nëna natyrë): Unë jam gjithçka ç’ka qe, është e do të jetë gjithmonë. E asnjë mortor s’do të mund të ma ngrejë vellon që më mbulon fytyrën. Shpesh i sjell personazhet nga koha në akohorësi dhe i preh në gjirin e natyrës. I ngjan një sfide nga ku buron pafundësisht , një tjetër lloj sfide e vetvetes për të mos u rrëzuar në grackat e kohës, harrimit.

-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

Subjekti i këtij romani ka lindur si një shëmbëlltyrë reale dhe virtuale e qenies bashkëkohore me përthyerjet, dritëhijet apo qerthujt simbolikë të jetës, tej destinëve ekzistencialë që vërtiten paralelisht  midis dashurisë dhe vdekjes. Ai është drama e asgjësimit fizik dhe shpirtëror të qenies mbi të cilën kumti i dashurisë ngadhnjen mbi gjithçka. Një vepër e hapur  në të cilën konotacionet artistike gërshetohen me dramën e njeriut të kohëve moderne. Erdhi ai tek unë! Tepër insistues!

–Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?

Inspirimi është thjesht një energji supreme nga e cila pashpjegueshmërisht buron forcë, tharm, limfë. Ajo bëhet ujë dhe shuan zjarrin e shpirtit tim.Realiteti është ngacmues, misteret gjithashtu. Ushqim shpirtëror, sui generis në llojin e vet. Proporcion i bollshëm dhe alternativ.

 Ju shkruat librin “Dante, Migjeni, Kadare”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, për   argumentimet  tuaja rreth letërsisë bashkëkohore, si  reminishencë mesjetare, a mund të dimë diçka më shumë mbi të?

Kjo nismë është një përçapje hulumtuese për të ndriçuar hijet dhe gjysmëhijet e ambjenteve ku lëvizin figurat të cilat japin përmasat fantazmagorike të ferrit deri në kohërat moderne. Pra, jemi në kërkim të një strukture të ferrit gjithkohor. Të parë në këtë këndvështrim (përtej parapëlqimeve personale), janë ngritur paralelizma duke hyrë kështu në tejhorësinë arkitekturore  infernale që shpalosin veprat, gjë për të cilën kritika ka folur pak ose aspak. Janë alternuar metoda polidimensionale studimore si ajo strukturaliste, semiotike, komparativiste, simbolike, psikoanalitike etj, të cilat kanë krijuar mundësinë e ndriçimit të mjegullës infernale e cila bashkon këta autore, në dukje, jo fort të ngjashëm. Vizionet reale që sjell Migjeni mbi mjerimin e viteve’30 dhe lëngatën e kombit të tij, përkojnë intuitivisht me  imagjinatën danteske në  përfytyrimet fantastike   të përtejbotës.   Ndërsa Kadare, me vetëdije të plotë, është i përgjegjshëm kur huazon prej Dantes tablot vizionare të skëterrës. Ferri migjeno-kadarean ngrihet mbi strukturën e ferrit dantesk, duke harmonizuar arkitektonisht universalizimin e vuajtjes brenda tij.

-A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

E kam menduar disa herë. Skena dhe libri në fakt kanë dallime të dukshme midis tyre. Mendoj se ka goxha tkurrje dhe shpesh copëtim të membranës imagjinative të autorit në momentin kur në skenë hyn regjisori. Bëhet një lloj binomi sintagmatik që nuk ka lidhje varësie mes veti. Regjisori shpesh është bashkëautor e rëndon edhe një autor i mëvetësishëm i cili mund të krijojë (i detyruar nga rrethanat)”një vepër të re”.Veçse trilli dhe dialogu, sigurisht zbehen, dhe vepra humb shumë…A mund të gjendet ky binom brenda një njeriu të vetëm…?

-Teoritë e përkthimit janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme për kohën tonë. A e ka nxitur përkthimi i veprave tuaja,  ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?

Patjetër, pasi ti e di tashmë, se diku, pas një dere a një pragu zemre dikush pret me padurim një ngushëllim shpirtëror edhe në një gjuhë ndryshe nga ajo e nënës…është gati si një ëndërr e cila merr kuptim në konfiguracionet globale të subkoshiencës, pa njohur kufij nacionalë, etnikë, gjuhësorë…Zgjohet më shumë dëshira për komunikim virtual me lexuesin tënd, i cili nuk të braktisë kurrë, veç ti duhet gjithnjë, të mos e zhgënjesh asnjëherë.

–Shkrimet e veprat tuaja të përkthyera, kanë një reputacion për një lloj vitaliteti, në të cilin fokusi është i qartë dhe i gjallëruar. Kjo vërehet tek të gjithë librat tuaj. A mendoni se një lloj kurioziteti intelektual është burim edhe për ta shkruar veprën në dy gjuhë?

 Sigurisht, kjo është një shtysë e cila krijon natyrshëm një lidhje dyjare harmonike dhe luhatëse drejt të njëjtit shpirt që diktohet në dy gjuhë. Atij shpirti që sipas Kant-it,nga pikëpamja e ndijimit estetik nënkupton një parim gjallues të mendjes…

–Në cdo lloj karriere –nënkuptoj karrierën tuaj në letrat shqipe dhe në botën e artit, a keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qënë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?

Zhgënjimet janë pjesë e pandashme e atij parashtrimi arbitrar që na dikton destini substancial jetësor. Dhe kur është pjesë e jetës, kuptohet ndodh edhe në art. Por  fatmirësisht unë e përceptoj atë si jashtë qënies, ndaj shpesh e gjej veten në kërkim të self-reliance…dhe kjo më jep  impulse aktive të cilat shndërrohen shpejt në forcë për të vazhduar…

Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?

 Volteri thotë: Qielli na ka falur vetëm dy gjëra për të na shpërblyer nga të gjitha mizeriet e jetës, shpresën dhe gjumin. Shpesh ndihem e tkurrur si një amebë në turbullirë, por që çuditërisht e gjen shpejt atë ujin e kthjellët e gjithë romancë të sipërfaqes duke u larguar nga kthetrat e filozofisë së dëshpërimit në këtë botë të thërrmuar copë e çikë. Për ku? Drejt sublimes.

 – Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti  “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si shkrimtare, studiuese  e poete, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore   dhe ato ndërkulturore. Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?

Ka një kompleksitet idesh lidhur me këtë çështje, por në fakt në të gjitha epokat, realitetet janë gjendur të përzier, të ndërthurur, siç shpesh gjendet i ndërthurur vetë njeriu mes qerthujve të rrugëtimit së tij. Konfuzionet janë thjesht hije që zhduken me lindjen e  agimeve të reja. Vetëm atëherë kur një komb do tentojë ta mbyllë hendekun mes kulturës dhe primitivizmit brenda vetes, vetëm atëherë do të kemi arritje standartesh, idealesh, besimesh, shpresash. Shën Agustini ka thënë se një popull bëhet nga njerëz të bashkuar në dashurinë për diçka. Ne duhet ta duam më shumë diçka veten, vendin tonë. Nga kjo dashuri do të lindë ardhmëria e kombit.

 Pse shkruan dr. Yllka Filipi …?

Katharsis. Sikur ta dinit se sa magjepsëse janë Muzat… lufta bëhet paqe, shpirti bëhet dritë.  Si një lloj rilindjeje e brendshme e krijuesit… mbi të zakonshmen dhe vulgaren duke marrë trajtat e së epërmes. Një ngazëllim i subkoshiencës  drejt të pazakonshmes.

-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

Kjo rrugë është e gjatë dhe pothuaj e pafund. Mbetet shumë e shumë për të bërë. Kam në duar surpriza të këndshme për horizontin e pritjes, atë lexues që shpreson se gjithnjë gjendet diku për ty: ti, i gatshëm për t’ia vjedhur kohën, ai, i gatshëm për të ta dhuruar. Në projektet e mia gjenden disa guacka gjigande ku strehohen rregullisht Muzat. Ato thjesht më magjepsin dhe unë thjesht jam gjithnjë në kërkim të jehonave… si në një gjysmëëndërr. Më zgjon shpesh klithma e kojrilave, ajo klithmë që trondit të gjithë poetët në mërgim…

–Kush është dr.Yllka Filipi,-ku jetoni aktualisht? 

Kur isha fëmijë më joshnin po aq sa edhe më tmerronin misteret, (i përfytyroja kurdoherë të zeza në intuitën dhe kërshërinë e vocërrakut), ndërsa sot përpiqem të zbuloj enigma gjithfarëlloj. Ndoshta është kjo një mënyrë arratisjeje e individit ndaj botës së trazuar, apo një përpjekje cisterciane për të zbuluar të panjohurat, a enigmat e shpirtit njerëzor, me një ndjenjë puritanizmi sociocentrik duke gjetur strehë në këto limane të braktisura nga stuhitë e të mbushura me dritë. Një formë e skajshme  e ultrabotës, në përtej oqeanin ku jetoj, në NewYork.

–A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot? Sapo jeni zgjedhur Sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, cfarë do të thotë kjo për ju?

Jeta njerëzore është e gjitha një ngjarje madhore gjurmët e së cilës e shoqërojnë individin nga e shkuara drejt ardhmërisë, si pjesë e pashkëputur e nënshtrimit të vetes nga ëndrrat, vetmitë, pasionet, zhgënjimet, racionaliteti i pastër. Janë të gjitha hallka të një zinxhiri të vetëm paradigmatik. Me emrin e guximshëm jetë.

Këtë zgjedhje e shoh si një detyrë e cila kërkon përkushtim, devotshmëri dhe dëshirë për të mbajtur gjallë amanetin mbi një shekullor të udhëheqësve shpirtërorë të intelektuakëve shqiptarë në Amerikë Noli, Konica e më tej, me veprimtarinë e pasur atdhetare, artistike dhe shkencore,  në skalitjen e tipareve të diasporës mbarë. Të gjithë mërgimtarët duhet të jenë Ambasadorë të Kulturës së vendit të tyre, gjuhës, historisë, traditave dhe shpirtit të kombit. Një matricë universale vlerash.

–Sa ju mungon Shqipëria në New York?

Atdheu, është një ndjesi e çuditshme manjetike që të thith kah vetja, edhe pse kah brenga. Perceptimet poetike e konvertojnë këtë të fundit intuitivisht me të dy kahet nga  lumturia. Dhe ti si i verbër vrapon përjetësisht me shpirt e me zemër drejt tij. Dhe koka Të mbet’ gjithnjë mbrapa…

-Autorët tuaj më të preferuar…

Nga letërsia botërore: Homeri, Dante, Kafka, Kamy, Sartri, Pamuk… Nga letërsia shqiptare: Kadare, Camaj, Podrimja, Shkreli…

-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

Sigurisht që ekziston. Në formate dhe mënyra universale. E shoh me shume optimizëm këtë gjini, pasi pas viteve’90,  bumi i shpërthimeve, sipas këndvështrimeve të reja, gëloi edhe aty. Koha do të bëjë seleksionimin e vet të rreptë, kuptohet, pasi koha nuk e njeh komercializmin, ajo rrjedh e rrëmben tentativat e brishta, por argumentimet e cimentuara mirë do të mbeten. Kështu që dalëngadalë ajo integrale e turbullt konfiguracionesh kriticiste do të qartësohet duke u bërë kështu një bazë e shëndoshë për veprat e ardhshme.

-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe  për shkrimtaret femra në përgjithësi…

Të jesh femër, të dhurosh jetë do të thotë të jesh poezi, të jesh univers. Midis kufijve të ngushtë të filozofisë transhendale të jetës, femra është i vetmi privilegj: njësi qiellore e substancës së postuluar.  Aty ka shpirt, ujë, tokë, diell dhe energji, ndoshta supreme. Qoftë talentet e reja, qoftë ato të konsoliduarat duhet të memorizojnë se Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat.

 Ju Faleminderit!Intervistoi: Raimonda MOISIU

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: dr. Yllka Filipi, Interviste, Raimonda Moisiu

RAIMONDA MOISU U ZGJODH KRYETARE E SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

September 14, 2013 by dgreca

Zëvendës Kryetar u zgjodh shkrimtari Pal Ndrecaj, sekretare dr. Yllka Filipi, ndërsa  anëtarë të kryesisë Ramiz Mujaj dhe Sabina Veseli./

Ne Foto: Disa nga pjesmarresit ne takim/

Stamford, Connecticut- Të shtunën me 14 shtator, në mesditë, në një nga sallat e Librarisë të qytetit Stamford në Connecticut, organizoi takimin zgjedhor Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, që ka për president nderi, themeluesin e saj, Shkrimtarin Gjekë Marinaj, president Adnan Mehmeti dhe për mandat është udhëhequr nga kryetari  Dalan Luzaj.

Në takim ishte i ftuar edhe Prof. Dr. Selman Sheme, i ardhur në SHBA me ftesë të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra për të promovuar librat për Camërinë të shkruar prej tij.

Në këtë takim u bënë dhe tre anëtarësime të reja në radhët e shoqatës; Dr. Yllka Filipi, Aristotel Mici dhe Artur Vrekaj.

Takimin e ka hapur shkrimtari Mhill Velaj, i cili u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve dhe ka prezantuar të ftuarit. Takimin e ndoqi Gazeta Dielli me anë të editorit Dalip Greca dhe Adem Belliu, president i Televizionit Kultura Shqiptare.

Presidenti Adnan Mehmet ka përshkruar rrugën dy vjecare të shoqatës për, prurjet letrare të anëtarëve të Shoqatës, duke vecuar më të suksesshmit. Ai sqaroi se ky takim vjetor ishte planifikuar që të organizohej në 100 vjetorin e lindjes të filozofin dhe mdndimtarit Isuf  Luzaj,  Nderi i Kombit, c’ka ishte paramenduar edhe zhvillimi i një Simpoziumi me studiues edhe nga Shqipëria, por problemet teknike  për marrjene  vizave nga referuesit bëri që simpoziumi të shtyhej në një kohë tjetër.

Më pas presidenti Mehmeti kujtoi të pranishmit se Shoqata nderon në shkallën më të lartë, me plot mirënjohje, themeluesin e saj, poetin  Gjekë Marinaj. Librii i tij më i fundit sapo është promovuar në Bukuresht.Marinaj mbanë Gradën Doktor i Shkencave në Letërsi.

Po ashtu, z. Mehmeti falenderoi poetin Dalan Luzaj, që e drejtoi shoqatën për dy mandate radhazi. Fjalë përgëzuese tha presidenti Mehmeti edhe për liriken e shquar të Letërsisë Shqipe, poeten  Iliriana Sulkuqi, e cila ishte në poziconin e nëkryetares së Shoqatës. Kontribut të vecantë dha edhe Shkrimtari Mhill Velaj në postin e nëkryetarit së bashku me Kostaq Dukën.

Në kronikën e veprimtarive të shoqatës, Adnan Mehmeti renditi:

-Konkursi letrar “Pena e Artë” për vitet 2010-2013;

-Edicioni i dytë –Dita e Librit shqip në formën e një panairi(23 Maj 2010 në Bronx)

-Një sesion Shkencor në nderim të 100 vjetorit të Nënë Terezës së bashku me Federatën Panshqiptare të Amerikës, VATRA (Stamford)

– Po në bashkëpunim me Vatrën u organizua një akademi përkujtimore për Prof. Peter Prifti(16 nëntor 2010 në Bronx)

-Në Dhjetor 2010 u organizua takimi vjetor i Shoqatës në bibliotekën e Neë Yorkut

-Me 2 prill 2011 u festua me madhështi 10 vjetori i themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

-Veprimtari festive me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë e shoqatës në Alendalle NJ

Presidenti Mehmeti përmendi edhe festat promovuese të librave të anëtarëve të shoqatës.

Kryetari Dalan Luzaj, në hyrje të fjalës së tij tha: Sa herë që shoqata do të festojë përvjetore apo festa librash ne do të përshëndesim me respekt, krijuesin e kësaj shoqate, poetin Gjekë Marinaj. Ai evidentoi faktin e rritjes së shoqatës dhe përmendi suksesin e arritur nga shkrimtari i talentuar Ramiz Gjini, fitues i Cmimit Kombëtar “Pena e Artë” për gjininë e romanin. Po ashtu vecoi suksesin e poezisë së Gjekë Marinaj, duke e cilësuar si biblën e poezisë shqipe. Luzaj vlerësoi krijimtarinë e Petraq Pali, Rozi Theohari, Albana Melyshi, Kostaq Duka, Shpresa Vranari, Kozeta Zylo, Raimonda Moisiu, Mhill Velaj, Pal Ndrecaj, Fatjon Pajo, Pandeli Simsia e të tjerë.

Duke analizuar aktivitetin e shoqatës Luzaj tha se me shpërndarjen e saj në të gjithë shtetet e Amerikës, ka qenë e vështirë mbledhja bashkë, ndërsa ana finaciare, po ashtu ka qenë një arsye që e ka ulur shkallën e veprimtarive.

Posti i kryetarit, tha ai, është një obligim, por kryetari është një nga anëtarët, është një nga”ne”, s’është kryetari stimulus i anëtarëve, as mësonjësi i tyre. Këtë post ka mundësi që ta provoi secili prej anëtarëve pasi ai është i ndërrueshëm cdo dy vjet. Suksesi krijues i secilit anëtar të shoqatës përbën gëzim për secilin. Në këtë shoqatë jemi me dëshirën dhe vullnetin tonë, nuk na detyron kush, por duke qenë bashkë i ndajmë së bashku gëzimet e krijimtarisë. “Karatin”, ia ngre secili prej nesh vetes, tha Luzaj, duke komentuar rëndësinë e vlerave krijuese. Më pas ai diskutoi për vështirësitë financiare që has shoqata në organizimin e veprimtarive të saj. Përsa i përket shtimit të anëtrësisë , ai theksoi faktin se shoqata nuk i ka të mbyllura dyert, cdo krijues është i mirëseardhur.

Prof.dr Skënder Sheme ka përshëndetur të pranishmit dhe ka vlerësuar rëndësisnë e jashtzakonshme të diasporës shqiptare në Amerikë dhe rolin e saj historic në Lëvizjen Kombëtare , përfaqësuar me Federatën Panshqiptare të Amerikës e deri në ditët e sotme. Vecmas ai është ndalë në rolin e figurave të ndritura të Camërisë dhe kontributin e  tyre Lëvizjen Kombëtare. U ndal në mënyrë të vecantë edhe në figurën e poetit të Baldës Came, shkrimtarit Bilal Xhaferri, që një pjesë të veprimtarisë e kreu në SHBA. Profesor Sheme u ndal edhe në zhvillimet e sotme të cështjes came.

Studiuesja dhe shkrimtaja Dr.Yllka FILIPI, solli për të pranishmit qasjen mes strukturës së kantikës së parë të “Komedisë Hyjnore”, “Ferri” (Dante Aligeri), strukturës së “Vargjeve të lira” e “Novelat e qytetit të veriut” (Migjeni), si edhe strukturës së variantit të përpunuar të veprës “Pallati i ëndrrave” (Ismail Kadare.) Ajo sqaroi se baza e  këtij misioni krahasimtar ka nisur nga pikëtakimet e vetëdijshme të Kadaresë me Danten dhe remineshencat instiktive  të Migjenit me Ferrin dantesk. Analogjitë mes botës infernale danteske dhe asaj kadareane janë tashmë një përfundim i konsoliduar nga autori i cili e konstaton një gjë të tillë. Kadare e pohon tundimin  nga ferri dantesk, ndërsa Migjeni konstaton ferrin shqiptar.Argumentet për ndriçimin e kësaj teze i  konfirmon hulumtimi ndërtekstor në gjetjen e paraleleve si edhe i mbështet këndvështrimi i kritikës së deritanishme mbi këtë autor. Analogjitë mes Dantes dhe Migjenit janë parë si instancë e realiteteve që përsëriten gati njësoj pas pothuajse 7-shekujve diferencë në ekzistencën e jetëve zinxhir, në komunikimim telepatik mes tyre. Ky hulumtim krahasues është përpjekja e parë deri më tani në letrat shqip, për të përcaktuar nivelin dhe thellësinë e ndikimeve të Migjenit dhe Kadaresë nga vepra e Dantes. Interpretimi i veprave të të dy autorëve shqiptarë do t’i referohet këndvështrimeve danteske të cilat i përshkojnë ato përtej niveleve gjuhësore nëpërmjet një komunikimi superior, tejet të veçantë me bazë Ferrin, sipas metodologjisë së punimit. Ndërmarrja e kësaj teze synon hulumtimin në strukturën e kantikës së parë të ferrit të Dantes dhe gjetjen e pikave të përbashkëta me veprën e Migjenit për Ferrin shqiptar të viteve’30 dhe me veprën e Kadaresë për Ferrin modern, duke krijuar kështu në mënyrë të plotë edhe profilin letrar të dy autorëve shqiptarë. Personaliteti i 3-krijuesve reflektohet mbi veprat e tyre si të vetmet burime informacioni të pakontestueshme mbi botën infernale, duke u lexuar vertikalisht. Rrafshet paralele jemi përpjekur t’i heqim mbi afritë ekzistente që përcjell strukturimi i ideve, teknikave, vizioneve të cilat na shpien drejt thellësive arkitekturore mes teksteve.

Përshëndetën takimin: Shkrimtari Pandeli Simsia, Dalip Greca- editor i Diellit, Artur Vrekaj, studuesi dhe shkrimtari Aristotel Mici.

Në fund u bënë edhe zgjedhjet për kryesinë e re të Shoqatës, duke u bazuar tek anëtarët prezent dhe ata që ksihin dhënë vlerësimet e tyre përmes emaileve.

Kryetare e Shoqatës u zgjodh shkrimtarja Raimonda Moisiu, e cila sipas rregullave të shoqatës përzgjodhi edhe kryesinë: Nën/Kryetar Pal Ndrecaj, Sekretare- Yllka FILIPI, anëtarë të Kryesisë- Sabina Veseli dhe Ramiz Mujaj.

Kryetarja e sapo zgjedhur, zonja Raimonda Moisiu falenderoi shoqatën për besimin që i dhanë dhe premtoi se më mbështetjen e anëtarëve  të Shoqatës dhe angazhimin e kryesisë do ta kryente me pasion e vullnet detyrën.

Në fund u shtrua një kokteil i pasur me ushqime.

(Korresp. i DIELLIT)

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Mhill velaj, Raimonda Moisiu, Shoqata e Shkrimatreve, shqiptaro-amerikane, zgjedhjet e reja

LAURA KONDA: JU FLET ZERI I AMERIKES!

September 12, 2013 by dgreca

Rrëfehet  gazetarja e njohur e “Zërit të Amerikës, Laura Konda: Momenti më i vështirë ka qenë 11 shtatori i vitit 2001.Ndërsa jepja lajmin me pamjet rrënqethëse në televizor, mezi i mbaja lotët…/

         Në mesin e komunitetit të gazetareve të një nga pesë transmetuesit ndërkombëtar- Zëri i Amerikës, qe transmeton në 45 gjuhë të ndryshme, që prodhojnë mbi 1 mijë e 500 orë programe lajmesh në javë, me një audiencë prej 134 milionë vetësh, me misionin për nxitjen e lirisë dhe demokracisë përmes komunikimit të informacioneve të sakta, objektive dhe të balancuara.– një vend të veçantë zë edhe profili i gazetares dhe intelektuales shqiptare  Laura Konda –e  cila së bashku me stafin e këtij institucioni  nëpërmjet programeve në gjuhën shqipe promovojnë lirinë dhe vlerat e demokracisë amerikane, mbajnë audiencën shqiptaro-amerikane, botën shqiptare ngado, të mirëinformuar me ndryshimet social –ekonomike, politike e kulturore, proceset demokratike, ngjarjet historike e aktuale, brenda e jashtë trojeve shqiptare. Znj. Laura Konda  si  gazetare e Zëri i Amerikës në shqip  jep transmetimin e programit “Ditari”, një emision sot shumë popullor dhe me një audiencë të madhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, si dhe në Diasporë, dhe përmes internetit. Znj. Laura Konda e kemi parë duke intervistuar  qoftë udhëheqës, politikanë, analistë, artistë, shkencëtarë, studentë, përfaqësuesë të shoqërisë civile. Të intervistuarit përzgjidhen kurdoherë duke patur parasysh moton për t’i dhënë publikut informacion të saktë dhe transmetimin e vlerave. Redaktore e emisionit, gjithashtu që përkthehet nga anglishtja në shqip,  për Voice of Amerika, Washington DC.

Ajo është bija dy prindërve intelektualë të shquar për erudicionin e tyre shumëdimensionale, dy personazhe historikë nga më të rëndësishmit
 në botën shqiptare e letrave shqipe. Eshtë bija e Drago Siliqit që pati një karrierë të shkurtër, por të shkëlqyer si poet, kritik letrar e botues, dhe e Drita Siliqit një nga personalitetet e shquara intelektuale, pedagoge, publiciste dhe përkthyese, e cila u nda nga jeta para disa ditësh,. Në këtë intervistë interesante e mbresëlënëse, Znj.Konda rrëfehet si kurrë më parë për veten e për prindërit e saj; Drago e Drita Siliqi, genin e formimit të  saj intelektual dhe profesional , pa harruar të kujtojë e të shprehë mirënjohjen për ta e njerëzi që e rrethonin,  vecmas për korifjtë e letrave shqipe.

 Bisedoi:Raimonda MOISIU

  -Znj.Laura, pranoni ngushëllimet e mija të sinqerta për humbjen e nënës tuaj, Znj. Drita Siliqi, një nga personalitetet e shquara intelektuale, pedagoge, publiciste dhe përkthyese.Si ishin momentet e fundit të saj?

 Laura Konda: Zonja Moisiu, fillimisht ju falenderoj për ftesën që më bëtë për intervistën. Nëna ime u fik si qiriri, pas një lufte kurajoze shumëvjeçare me sëmundjen e zemrës.Ajo luftoi deri në fund për të jetuar dhe nuk u dorëzua deri në momentet e fundit, për këtë e admiroj edhe më shumë.

-Çfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë nënën tuaj  të çmuar e të vlerësuar për kontributin e saj qytetar e intelektual?  Si do ta përshkruani erudicionin e saj krijues, në fushën e dijes e arësimit, botimeve, patriotik e atdhetar?

Laura Konda: Nëna ime,Drita Shundi Siliqi lindi në një familje qytetare tiranase, me vlera atdhetare dhe intelektuale.Babai i saj, Athanas Shundi ishte një nga intelektualët e Tiranës dhepatriot.Ai ishte mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës.Më pas shkoi për studime në Napoli, ku për rezultatet e shkëlqyera ju dha titulli i rrallë”Cavaliere d’Italia”.Mbas përfundimit të studimeve në Napoli ai u kthye në Shqiperi dhe hapi farmacinë e tij në Tiranë.Ai ishte delegatnë Konferencën e Beratit të vitit 1922, ku u vendos që shqipja të ishte gjuha e liturgjisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.Nëna e Dritës vinte nga familja Spiru e Durrësit, një familje qytetare dhe patriote, por që vuajti shtetëzimet nga sistemi komunist, madje disa të afërm të saj vuajtën edhe burgjet komuniste.Kjo trashëgimi familjare i dha nënës sime edukatën që gjithëkush e merr gjatë kohës së fëmijërisë, e u reflektua gjatë gjithë jetës së saj.Babai i vdiq kur ishte vetëm 6 vjeç dhe ajo u rrit nga e ëma dhe familja e xhaxhait që mori edhe drejtimin e farmacisë pas vdekjes së të vëllait.Drita ishte një nxënëse e shkëlqyer, ku inteligjenca bashkohej me dëshirën e pa fund për të mësuar, si dhe me punën e palodhur.Kështu e kujtojnë sot shoqet e saj të klasës.Vetë ajo kujtonte me shaka kur mësuesi i historisë, Prof. Aleks Buda, pas përgjigjes së shkëlqyer në provim, u ngrit nga katedra ku qëndronte komisioni dhe me një gjest respekti dhe vlerësimi i dha dorën dhe e përcolli deri tek dera.Inteligjenca dhe vullneti për të mësuar u reflektuan më vonë në të gjithë karrierën e saj si profesoreshë, redaktore, e kryeredaktore, kritike letrare dhe së fundi, përkthyese.Ajo edukoi dhjetra breza nxënësish nga shkollat e mesme të Tiranës “Sami Frashëri” e “Petro Nini”, nga gjimnazi i Shkodrës, nga Instituti Bujqësor dhe nga Fakulteti i Letërsisë në Universitetin e Tiranës.Më habiste kur kujtonte me emër shumë prej tyre, megjithëse kishte kaluar një jetë e tërë.Ndjehem krenare për punën e saj me përkushtim të veçantë dhe nga fjalët e mira që kam dëgjuar në vite nga ish-studentë e ish-kolegë të saj.

…Gjatë viteve të para të rinisë ajo ndjeu peshën e rëndë dhe padrejtësinë e luftës së klasave, kur edhe pse kandidate për medalje ari nuk ju dha e drejta të studionte jashtë venditsi shumë shokë e shoqe të saj.  Jeta e saj mori një kuptim të veçantë pas njohjes me poetin e ri Drago Siliqin, babain tim. Kështu, ajo e gjeti veten në mesin e shkrimtarëve të rinj e të vjetër, miq me babain tim, ajka e intelektualëve të ndershëm të Shqipërisë në vitet ’50 dhe ’60, mes të cilëve dua të përmend Andrea Varfin, Zisa Cikulin, Sterjo Spassen, Petro Markon, Spiro Çomorën, Llazar Siliqin, Met Myftiun, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Vangjush Zikon, Fatos Arapin, Jakov Xoxën, etj. Ajo u bë dëshmitare e zhvillimit të vrullshëm të botimeve në fundin e viteve ’50 dhe fillimin e viteve ’60, kur babai im ishte drejtor i shtëpisë së vetme botuese, asaj “Naim Frashëri”. Në atë kohë im atëbashkëpunoi ngushtë meintelektualë dhe përkthyes të shquar, si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Vedat Kokona.Gjithashtu ai punësoi në shtëpinë botuese intelektualë të tjerë, ish-të burgosur, të cilët do ta kujtonin me mirënjohje dhe respekt tërë jetën e tyre. Mamaja më ka treguar për përpjekjet e guximshme që ka bërë im atë për t’i dhënë të drejtën e botimit një numri krijuesish dhe përkthyesish të shquar, të cilët kishin qenë të burg dhe i ishte hequr e drejta e botimit.

– Pra ju jeni edhe vajza e poetit, shkrimtarit e kritikut, një vlerë kombëtare e letrave shqip-Drago Siliqit.A ka lënë dorëshkrime pas vdekjes tragjike?Kush u kujdes për botimin e tyre?

Laura Konda: Babai im vdiq ne një aksident ajror kur ishte vetëm 33 vjeç. Ai pati një karrierë të shkurtër por tëshkëlqyer si poet, kritik letrar dhe botues.Edhe sot, pas 50 vjetësh, ai kujtohet si një emër i rëndësishëm i letrave shqipe. Njohja dhe nderimi i emrit të babait tim i dedikohen në një masë të konsiderueshme nënës sime, bashkëshortes së tij, Drita Siliqi. Ajo i redaktoi, i botoi e ribotoi veprat e tij disa herë.Drago Siliqi u bë ylli i saj polar, siç u shpreh me të drejtë shkrimtari Betim Muço në fjalën e lamtumirës në funeralin e nënës sime, emrin e të cilit ajo e ruajti me nder dhe përkushtim gjatë të gjithë jetës së saj.

-Përpos portretit dhe staturës intelektuale të prindërve tuaj, a do t’i nxirrni për botim dorëshkrimet e tyre të pabotuara? Nëse po, cili do të jetë roli hulumtues i tyre?

Laura Konda:  Nëna ime botoi çdo dorëshkrim që kishte lënë babai im i ndjerë. Ajo po ashtu u kujdes të botonte edhe librat e saj studimorë “Probleme të Gruas në Shtypin e Rilindjes dhe Pavarësisë”, përmbledhjen me përkthime dhe studimin mbi Dora D’Istrian, si dhe përkthimet e dy prej librave të autores së njohur italiane Oriana Fallacci, “Seksi i Shpërfillur” dhe “Intervistë me Historinë”.

-Znj. Laura, a pati ndikim erudicioni dimensional i prindërve tuaj, që Ju zgjodhët të jeni gazetare?

Laura Konda:  Në vitet e fëmijërisë unë u rrita me një mungesë të madhe, atë të babait që më la kur isha pa mbushur 2 vjeç.Por ajo çka nuk më mungoi kurrë ishin dashuria dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e nënës sime, tezes sime, si dhe e të afërmve.Gjithashtu unë u rrita në një shtëpi, ku gjendesha e rrethuar nga librat.Kishim një bibliotekë të madhe me libra të gjyshit nga mamaja dhe të babait tim: botime të shumta të autorëve më të shquar rusë, si dhe shumë libra në italisht e në frengjisht, që më vonë në adoleshencën time fillova t’i lexoja një nga një. Gjithashtu një numër i madh miqsh të babait dhe nënës, shkrimtarë dhe intelektualë, ishin gjithmonë të pranishëm në familjen time.Kujtoj që në çdo përvjetor të vdekjes, apo ditëlindje të babait, në shtëpinë tonë vinin shumë njerëz, miq të babait dhe nënës, intelektualë si Sterjo Spasse, Zisa Cikuli, Andrea Varfi, Petro Marko, Spiro Çomora, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Llazar Siliqi, Nasho Jorgaqi, Qamil Buxheli, Vandush Vinçani, Fatos Arapi, Jakov Xoxa, Dhurata Xoxa, Arsinoi Bino, Eglantina Mandia, Drita Lazëri, Dalan Shapllo, Alfred Uçi, Luan Dibra, Aleko Minga, Mark Gurakuqi, Bedri Dedja, Agim Cerga…Bisedat, natyrisht kishin të bënin me letërsinë, me botimet… Në moshën 14-vjeçare fillova të shkruaja poezi, të cilat u botuan në shtypin letrar, si gazetat “Drita” dhe “Nëntori”.Më vonë dëshira për të shkruar dhe botuar u refletua tek zgjedhja e profesionit të gazetarisë.

-Aktualisht jeni gazetare në një nga institucionet ndërkombëtare e prestigjioze: Zëri i Amerikës, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente  nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni dhënë lajmet për herë të parë aty?

Laura Konda: Unë e quaj veten me fat që fillova punë tek Zëri i Amerikës, një radio prestigjioze, të cilënnë rininë timee dëgjojasi shumë të tjerëduke e ulur në minimum volumin e radios. Unë fillova punë tek Zëri i Amerikës në fund të vitit 1998, në një periudhë me shumë zhvillime për Shqipërinë dhe Kosovën. Më ka lënë mbresë të veçantë kriza e refugjatëve nga Kosova, kur ekranet e televizionëve të botës transmetonin pa pushim karvanët e shqiptarëve të Kosovës që largoheshin nga vendi, për t’i shpëtuar shfarosjes nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Ato ishin momente shumë të trishtueshme për mua, që i përjetova me dëshpërim e me shumë emocione, trojet e Kosovës po zbrazeshin nga populli i saj, gjaku i saj… Ne hapëm tek Zëri i Amerikës një linjë telefonike 24-orëshe, ku njerëzit linin mesazhe për familjet e tyre, për vendodhjen e tyre… Mijëra familje të ndara nuk dinin për fatin e të dashurve të tyre. Ne i regjistronim mesazhet në bobina manjetofoni dhe i trasmetonim më pas në emisionet tona të radios… Pastaj erdhi pavarësia e Kosovës.Përjetova emocionetë jashtëzakonshme kur përktheva”live” në televizion përshëndetjen e Deparatmentit Amerikan të Shtetit për shtetin e ri të Kosovës… Një tjetër moment mbresëlënës që nuk do ta harroj kurrë ka qenë 11 shtatori i vitit 2001. Sulmet terroriste ndodhën rreth orës 9 dhe 10, ne transmetuam “live” në orën 12:00 pamjet rrënqethëse. Atë ditë, ndërsa jepja lajmin në televizor mezi i mbaja lotët.Të gjitha zyrat e Washingtonit u boshatisën pas sulmit në Pentagon.Rrugët e qytetit u boshatisën.  Ne dhe gazetarët e tjerë tëZërit të Amerikës ishim nga punonjësit e paktë të kryeqytetit amerikan që na duhej të qëndronim në zyrë, për të informuar publikun.

-Çfarë”mëkati” i njihni vetes nga puna si gazetare  e  dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?

Laura Konda: Ndjej keqardhje për veten dhe brezintim. Ishim të izoluar nga bota dhe nuk ishim të lirë të thonim çfarë mendonim.Nuk ka gjë më të rëndë për një gazetar, se sa t’i privohet e drejta e fjalës së lirë. Por gjithashtu mund të them se kam qenë me fat që kam punuar me gazetarë dhe krijues tënjohur si Preç Zogaj, Ilirian Zhupa, Petraq Risto, Nadire Cakaj, Xhevdet Shehu, Lazër Stani e të tjerë. Sot vlerësoj shumë faktin që gëzoj të drejtën për t’u shprehur lirshëm.

–A mund të na përshkruani shkurtimisht Departamentin e Zërit të Amerikës, si qendra e promovimit të lirisë e vlerave të demokracisë amerikane, por edhe ku ndërrthurren shumë kultura të tjera, –në sa gjuhë operohet aty?

Laura Siliqi: Zëri i Amerikës, është një media serioze, që i qëndron larg gazetarisë sensacionale.Ne japim pikëpamjet e ndryshme, mendimet e analistëve dhe përpiqemi gjithmonë që lajmi të jetë i ballancuar. Kur flasim për politikat amerikane, japim pikëpamjet e të dy partive. Këtë përpiqemi ta bëjmë edhe me informacionet nga rajoni, përmes korrespondentëve tanë atje. Tek ne kërkohet një nivel i lartë profesional në dhënien e lajmit, që nuk bazohet vetëm tek një burim. Zëri i Amerikës transmeton në 45 gjuhë të ndryshme, që prodhojnë mbi 1 mijë e 500 orë programe lajmesh në javë, me një audiencë prej 134 milionë vetësh, me misionin për nxitjen e lirisë dhe demokracisë përmes komunikimit të informacioneve të sakta, objektive dhe të balancuara. Të gjitha gjuhët kanë një zyrë të përbashkët lajmesh. Po ashtu edhe aksesin tek burimet e tjera, agjencitë e ndryshme të lajmeve e kemi njëlloj, por secili shërbim bën përzgjedhjen e vet mes temave dhe kronikave të ndryshme që na ofrohen nga Zyra Qendrore e Lajmeve dhe agjencitë e tjera.

– Si ju lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë amerikane, Zërit të Amerikës, e shtypit shqiptaro-amerikan e asaj shqiptare -si  pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?

Laura Konda: Familja ime, unë me bashkëshortin Gjergji dhe dy djemtë Tedi dhe Martini, u vendosëm në Shtetet e Bashkuara në vitin 1995. Erdhëm në Uashington në vitin 1996, pasi Gjergji, përfundoi masterin për ekonomi në Universitetin Columbia të Nju Jorkut dhe filloi një internship me Bankën Botërore. Më pas ai u punësua nga IFC-ja, pjesë e Bakës Botërore dhe ne vendosëm të qëndrojmë këtu.Fillimisht, me ardhjen në Washington, unë dhashë mësim shqip për diplomatët dhe ushtarakët amerikanë në një shkollë të specilizuar për mësimdhënien e gjuhëve të huaja. Por, duke patur pasionin për gazetarinë dhe dëshirën e vazhdueshme për të punuar në shtyp, si dhe pas një eksperience disa vjeçare si redaktore në gazetën “Zëri i rinisë”, dhe me një diplomë në gjuhën angleze nga Universiteti i Tiranës, mendova se Zëri i Amerikës do të ishte institucioni i përshtatshëm ku unë mund të punoja. Kërkova punë tek kjo media,që në atë kohë ishte vetëm radio, dhefillova punën këtu në vitin 1998.Në vitin 1999, Zëri i Amerikës në shqip filloitransmetimin e programitteleviziv “Ditari”, një emision sot shumë popullor dhe me një audiencë të madhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, si dhe në diasporë përmes internetit.Disa muaj pas hapëm edhe faqen tonë në internet, që sot gjithashtu ka lexues të shumtë.

Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë amerikane, bazuar në ato ç’ka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?

Laura Konda: Në Shqipëri ka gazetarë shumë të mirë, një pjesë e tyre ish-kolegë të mi.Por mendoj seshtypi në Shqipëri vuan nga politizimi. Sipas mendimit tim, gazetari pushon së qeni i tillë kur fillon të mbajë anën e njërit apo tjetrit politikan, njërës apo tjetrës parti, dhe akoma më keq kur fillon të shajë duke përdorur epitete dhe fjalë fyese, ashtu sikurse politikanët. Kam një këshillë për disa nga koleget më të reja të televizioneve: mos imitoni, jini vetja juaj.

-Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?Në ditët e sotme tradita dhe realiteti  “përziehen” me vlerat fetare.Në opinionin tuaj si gazetare profesioniste dhe e karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera?

Laura Konda:  E quaj veten me fat që punoj tek Zëri i Amerikës dhe puna që bëj me pëlqen shumë.Çdo ditë që shkoj në punë ndjej pulsin e globit në lajmet që vijnë.Puna si gazetare më mban të lidhur me bashkëkombësit e mi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, SHBA e kudo në botë.

Për çështjen e fesë.Fatkeqësisht njerëzit shpesh e përdorin fenë, e shfrytëzojnë atë për të ndarë njerëzit.Shpesh politikanët e shfrytëzojnë fenë për arritjen e ambicieve të tyre.Kulturat e ndryshme nuk kanë arsye që të mos bashkëjetojnë.Në fund të fundit të krishterët, myslimanët, apo hebrejtë kanë fe të ndryshme, por të gjithë besojnë në një Zot. Jam e kënaqur që Shqipëria i ka qëndruar larg përçarjes fetare, një amanet i lënë nga rilindasit tanë.  Politikanët nuk duhet ta harrojnë këtë gur themeltar të forcës së kombit tonë.

– Si jeni ndjerë kur keni dhënë lajmet për herë të parë tek  Zëri i Amerikës? Cili ka qenë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj si gazetare?

Laura Konda:  Fillimisht kam patur emocione para mikrofonit. Por kjo kaloi shpejt.Unë ndjej gjithmonë një përgjegjësi të madhe para mikrofonit dhe përpiqem që informacioni që përcjell të jetë përherë i saktë dhe i paanshëm.

-Ju gjithashtu intervistoni personalitete të politikës, social-ekonomike dhe kulturore. Si lind ideja e intervistimit, -si  pjesë narrative jetësore e  personazheve që përzgjidhni të vijnë në  jetën e përditëshme, apo thjesht dëshirë…?

Laura Konda: Aspak dëshirë. Përzgjedhja e intervistave bëhet në redaksi, bazuar nëatë që përfaqëson i intervistuari dhe përvojat e tij: qoftë udhëheqës, politikan, analist, artist, shkencëtar, student, përfaqësue i shoqërisë civile. Të intervistuarit përzgjidhen kurdoherë duke patur parasysh qëpublikut t’i jepeninformacionedhe pikëpamje të ndryshme.

-Si jeni ndjerë kur keni intervistuar për herë të parë, ku dhe kush ka qenë ai/ajo? Na tregoni  cilat janë disa nga sfidat për të bërë intervistimin? A e keni të vështirë për të artikuluar pyetjet?

Laura Konda: Ishte nëntori i vitit 1999.Në emisionin e parë televiziv të Zërit të Amerikës ka qenë edhe intervista ime e parë.E ftuar në studio ishte gazetarja e njohur nga Kosova Afërdita Saraçini Kelmendi.Ishte kënaqësi që në studio kishim një kolegen tonë, ish-gazetare e Zërit të Amerikës, e cila kishte ardhur në Uashington për të dëshmuar në një seancë për Kosovën.Ishte një intervistë tepër e veçantë dhe me nota dramatike, se e tillë ishte edhe situata në Kosovë.Që nga ajo kohë unë kam patur rastin të intervistoj qindra të ftuar të tjerë në studiot e Zërit të Amerikës në Uashington, Nju Jork, Londër ose me telefon, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia: presidentë, kryeministra, politikanë, bankierë, analistë, artistë, shkencëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ligjvënës amerikanë, analistë, ekspertë të Ballkanit. Unë mendoj se thelbi i një interviste të mirë natyrisht që lidhet me aftësinë e të shprehurit të personit që intervistohet, por edhe me pyetjet dhe njohjen e problemit nga gazetari.Pyetjet mendoj se duhet të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të drejpërdrejta.Gazetari nuk duhet të harrojë, që ai i cili intervistohet është i ftuari.Gazetari bën pyetje që shqetësojnë opinionin publik.Mund të themi që një intervistë e suksesshme është një bashkëbisedim i të intervistuarit me publikun dhe gazetari eshtë personi që ndihmon në këtë proces.

Në jetën e përditëshme në Washington, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe të politikës shqiptare dhe amerikane. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, veçmas ajo e Kosovës e Çamërisë  në marrëdhëniet me ta?

Laura Konda: Natyrisht,në të gjithatakimet që marr pjesë, qoftë të organizuara nga Ambasada Shqiptare në Uashington, seancat në Kongresin Amerikan, apo takime të tjera të organizuara nga organizata lobiste për çështjen shqiptare, fokusi ka qenë Shqipëria dhe Kosova, më pak çështja çame. Kujtoj protestat që janë organizuar gjatë luftës në Kosovë, ku kërkohej ndihma e Uashingtonit për t’i dhënë fund dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve, më pas ato ku kërkohej mbështetje për pavarësinë e Kosovës, me një pjesëmarrje të madhe shqiptarësh nga Kosova dhe Shqipëria me banim në zonën e Uashingtonit, por edhe nga qytetet kryesore amerikane, ku ka komunitet shqiptar, si Nju Jorku, Bostoni, Detroiti, Çikago. Në Uashington ka shumë njohës të çështjes shqiptare dhe në saje të lobizimit dhe punës së mirë të komunitetit shqiptaro-amerikan Shqipëria dhe Kosova janë bërë vazhdimisht objekt diskutimesh në seanca të posaçme në Kongres. Natyrisht, që kemi qenë me fat që ne shqiptarët jemi në rrethin e vendeve mike të Shteteve të Bashkuara.

A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste jo vetëm  e shtypit shqiptar në tërësi, por edhe e Zërit të Amerikës?

Laura Konda: Po, mund të them se kam patur një fëmijëri të lumtur, edhe pse kam patur mungesa, si shumë moshatarë të mi. Por, shprehja në anglisht “i lumtur si fëmijë”, mendoj se është shumë e vërtetë.Hallet janë për të rriturit. Siç thashtë, edhe më parë, edhe pse jam rritur vetëm me një prind, kam patur fatin që nëna ime më ka patur mua dhe motrën në dritë të syrit dhe na rrethoi me një përkujdesje dhe dashuri të veçantë. Unë kam patur një fëmijëri me libra dhe me shumë dashuri nga njerëzit e mi të afërt. Në vitet e fëmijërisë kam ëndërruar që të bëhem një ditë gazetare dhe jam e lumtur që sot e kam realizuar atë ëndërr.

Si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi?Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?

Laura: Natyrisht, që ndjehem shumë keq. Mendoj se shoqëria shqiptare duhet të bëjë shumë më tepër në aspektin e edukimit dhe të nxitjes së vlerave. Nuk mendoj se zgjidhja është vetëm që ata që ushtrojnë dhunë ndaj gruas duhen ndëshkuar, mendoj se është e rëndësishme që vetë gruaja të jetë më e përgjegjshme, më e pjekur dhe ta marrë vetë drejtimin e jetës së saj. Por kjo, natyrisht që arrihet me një nivel të caktuar kulturor dhe në një nivel të caktuar ekonomik, pra i kthehem përsëri mendimit se pozita e gruas lidhet drejpëtdrejt me zhvillimin e shoqërisë.Edhe droga dhe krimi, mendoj se janë të kurueshme, kur familja është e fortë dhe komuniteti nuk është indiferent.

 –Si gazetare dhe intelektuale cili është koncepti juaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë në vendin tonë?

Laura Konda: Unë mendoj se duke qenë një komb i vogël dhe i dobët ekonomikisht, edhe vlerave kulturore nuk i është kushtuar rëndësia e duhur.Gjithasht qeveritë duhej t’i kishin kushtuar shumë më tepër vëmendje, burime financiare dhe njerëzore, ruajtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike që janeADN-ja e kombit. Kjo ka bërë, sipas mendimit tim, që edhe demokracia shqiptare në përgjithësi te jetë më e brishtë, e pakonsoliduar dhe me mungesa serioze. Shqipëria nuk arriti dot të bëhet siç e dëshëronim, një “Zvicër” bregdetare. Pas dekadash nën diktaturë na u dha një shans për t’u zhvilluar të paktën si vendet fqinjë, por ky shans, sipas meje, megjithë arritjet që ka patur gjatë këtyre viteve, nuk u shfrytëzua si duhej.

-Kur shprehemi  “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush?Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?

Laura Konda: Unë i përkas brezit të viteve ’70-’80, pra këto janë vitet që lidhen me rininë time.Brezi i mëparshëm për mua janë brezi i viteve ’60 e më parë. Kam shumë autorë të preferuar, ndër shqiptarët do veçoja ata që kanë lënë më shumë mbresë tek mua në vitet e fëmijërisë dhe rinisë, kur i kam lexuar, kryesisht poetë, por edhe prozatorë: Naim Frashëri, De Rada, Ndre Mjeda, Migjeni, Noli, Kadare, Jakov Xoxa, Sabri Godo, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Natasha Lako, Mimoza Ahmeti,… autorë të huaj: Shekspiri, Balzak, Hugo, Tolstoi, Dickens, Dreizer, Servantes, Gogol, Çehov, Mark Twain, Remark, Markez, Byron, Longfellow, Mitchell, Essenin, Hemingway, Walt Whitman, e shumë të tjerë…

Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua  se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?

 Laura Konda: Për mua dashuria është jeta, dhe jeta merr një kuptim kur ka dashuri. Nuk dua të citoj thënie të ndryshme, por dua të shprehem siç e ndjej, se dashuria të jep krahë, lumturi, të bën më të mirë dhe të bën ta duash jetën më shumë. Po, kam shkruar disa poezi për dashurinë, pak prej tyre janë botuar në shtypin letrar të kohës, gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”.

 Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?

 Laura Konda: Pa dashur të jap leksione, mendoj se ndershmëria, guximi dhe integriteti janë disa karakteristika që e bëjnë një gazetar të mirë. Unë do t’u thoja gazetarëve të rinj: mbroni fjalën e lirë, ushtroheni këtë të drejtë të mrekullueshme,mos u bëni pjesë e politikës, mos humbi lirinë tuaj duke u bërë vasalë të bosëve tuaj.

 A është i lirë shtypi sot?

 Laura Konda: Jo plotësisht, ka individë që kanë guximin të shprehin lirisht mendimin e tyre, por ka edhe nga ata që bien pre e interesavetë bosëve, apo pronarëve të tyre. Përsa kohë që politika është e korruptuar dhe “blen” shtypin, nuk do të ketë liri shtypi.

26-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….-veçmas për komunitetin shqiptaro-amerikan…

Laura Konda: Ne si komb duhet të jemi më shumë patriotë dhe të mos lejojmë të na marrin nëpër këmbë, si ka ndodhur në të kaluarën. Kjo mund të arrihet në radhë të parë, duke patur më shumë respekt dhe dashuri për njëri tjetrin.Politikanët shqiptarë duhet të punojnë më shumë për vendin dhe më pak për veten, të flakin gjuhën e urrejtjes dhe ta shohin me përgjegjësi dhe seriozitet detyrën e vet para vendit dhe historisë.Ju faleminderit!

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ju flet Zeri i Amerikes, Laura Konda, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT