• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poeti përballë vlerësimit të lexuesit

August 1, 2016 by dgreca

Nga Minella Aleksi/*
 Në këtë bashkëbisedim mbi vëllimin poetik “Midis dy kontinentesh” të autorit Dalan Luzaj kam mirë parasysh raportin rezervues, jo dashamirës që kam krijuar në vetvete me ceremonitë promovuese. Ceremoni në të cilat opinionet vlerësuese të pa përgjegjëshme në shumicën e tyre me të drejtë i bën objekt përfoljesh, për të mos thënë çfaqje sjelljesh hipokrite.
 Bazuar në përshtypjen që marr prej një krijimi poetik bëj një klasifikim. Autorët i ndaj në ata të cilët thjeshtë i quaj “krijues” ngaqë kanë guxuar që të krijojnë një produkt për tregun e lexuesve, dhe në ata që me produktin e tyre artistik arrijnë në nivel më të lartë, në atë të poetit të mirëfilltë, të cilët me talent artistik i imponohen auditorit serioz.
Natyrisht që egzistojnë dhe janë pranuar nga shoqëria nivele të ndryshme krijimesh të cilat u korespondojnë gradëve të ndryshme energjish, talentesh krijuese të poetëve.
 Te krijimtaria poetike e Dalanit janë ndjeshëm të pranishme dy linja të domosdoshme bazë të cilat në vetvete konvergojnë: Kreativiteti dhe Refleksioni. Dalani është shumë i përgjegjshëm si poet ngaqë e kupton mirë peshën e fjalës artistike. E ndjen dhe e shkruan poezinë si një nevojë të shprehjes së shpirtit, e që me dhuntinë e talentit e vesh këtë formë shprehjeje me stil artistik të admirueshëm. Mbas publikimit të një poezie ai bie në heshtje në pritje me durim të një gjykimi realist. Sa më shumë e shqetëson cilësia artistike e krijimit të tij aq më e vështirë të bëhet ta komplimentosh. Duket që te ai vetpërmbajtja ndaj modës së lëvdatave ecën paralel me bindjen se niveli i mirë artistik e gjen natyrshëm rrugën për te lexuesi. Kondensimi i vargut te ai të bind se ka kaluar përmes një proçesi të ngjashëm me cikatricën-shenjën e veçantë që mbetet në lëkurë si rezultat i një plage të thellë e të dhimbëshme, si shenjë e pa ndryshueshme e një plagosjeje të kapërcyer. Mjerimin e vendit në diktaturë e vuan njëlloj si fatin e tij të keq si individ. Mendoj se kjo e karakterizon poezinë e këtij autori: një rezultat-cikatricë e një Ideograme Emocionesh që kanë pasqyruar me rrahje të furishme gëzimet e forta të zemrës, zemërimet e pa përmbajtura si valvula të shkarkimit shpirtëror, frikërat dhe ankthet që i kanë bllokuar gjoksin, trishtime që i kanë konservuar energjinë krijuese, që i kanë nxiur sensibilitetin perceptiv dhe që, si një valë e pandalshme i kanë influencuar mendimet drejt refleksioneve artistike si poet. (sidomos në krijimet: E çuditëshme jeta,.Rrufepritëset, O Njeri, Trishtimi s’të kuron, Kosova, Larg te Nëna, Fshati në agoni, Kur u largua babai, etj).
 Ndiej keqardhje kur dëgjoj autor poezish që ankohen se në kohën që jetojmë shoqëria nuk është mirëpritëse e poezisë. Kur poezia vjen po aq natyrshëm njëlloj si vijnë gjethet e pemëve në pranverë kontakti me lexuesin është i pa frenueshëm. Është si është koha shoqërore, arti poetik i vërtetë imponohet me forcën e talentit artistik dhe me novitetin e ideve që transmeton.
 Nuk do nxitesha të shprehja këtë opinion në rast se do kisha ndonjë rezerve në drejtim të vlerës artistike që përmban krijimtaria artistike e poetit Dalan Luzaj. Ai vet nuk flet për çfarë ka krijuar. E lë krijimin mbi tavolinë njëlloj si vendoset në raft një produkt përpara blerësit bazuar në parimin ofertë – kërkesë. Më pas lexuesit e vëmendshëm njëlloj si blerësit selektiv janë ata që s’mund të heshtnin, që kanë diskutuar dhe përhapur fjalët për përmbajtjen me vlera artistike të kësaj krijimtarie.
 Shumica e krijuesve kanë një ngutje, shpejtojnë në mbledhjen e lëvdatave. Madje janë këta që i bëjnë shërbimet më të mira pompozitetit të ceremonive promovuese. Këtu dallon Dalani nga shumë krijues të tjerë.
 Dallohet qartë se në punishten e tij artistike e ka filtruar imtësisht realitetin, ëndrrën dhe fantazinë nëpërmjet mënyrës së tij të të shikuarit, të ndjerit dhe të interpretimit. Përpara një krijimi të tillë artistik lexuesit s’i mbetet tjetër përveçse të përvetësoj, të ushqej mendjen e shpirtin me këtë material artistik. E rikujtoj shpesh definicionin e përcaktuar nga poet të mëdhenj se poezia është si muzika. Ajo me fjalë duhet të përmbaj logjikën e saj, duhet të jetë e interpretueshme, duhet të zgjojë sensacione, emocione, kujtime gërvishëse të largëta e të afërta, të ndjekë mendimin, të jetë spontane, e sidomos ti shmanget stilit “ndërtues”të vargut. Në shumë prej poezive të këtij vëllimi ndjehet qartë që poeti lirohet shpirtërisht ku, me dy fjalë të thjeshta të hap një botë të tërë. (Qershitë, Urim për Shën Valentin,, Murishtja, Je gjethe tërfili, Mikja ime e vjetër, Kujtesë, Pajtim, Një tjetër shije, etj).
 Shumë komentues poezish përdorin shprehjen “nikoqir i fjalës”. E mendoj të papërshtatëshme këtë shprehje pasi poezia nuk është titrim fjalësh, ajo rrjedh. Në rastin e diskutimit mbi krijimtarinë e Dalanit do thoja se, në shumicën e poezive të tij të spikatura kam qëndruar më gjatë i mbërthyer nga harmonia midis metrikës dhe rimës. Këto ka të vetat poezia jo shprehjen “nikoqir i fjalës”. Metrika është ritmi, loja e thekseve me ulje ngritje të tonit, muzikaliteti i vargut. Jo më kot metrika nënkupton “masë” nga greqishtja, është pikërisht respekti i masës midis vargut dhe ritmit muzikal. Shumica e vjershëtorëve masivë e kuptojnë poezinë si rimë. Nuk mund të bësh rimë, stonon pa metrikën e duhur. Poezia pa metrikën është një kontradiksion mendimesh pa muzikalitet. Aq e nevojshme është metrika për poezinë sa thuhet që po të jetë se egziston muzika pa nota atëhere mund të egzistojë edhe poezia pa metrikën. Ka shumë amatorë të poezisë të cilët përpiqen që të imitojnë metrikën e poetëve të mëdhenj. Mungesa e talentit artistik nuk i lejon që të rriten artistikisht për të gjeneruar origjinalitet. Reçensuesit konformistë nxitojnë që tu shprehin lëvdata të pamerituara, të bardhën ua bëjnë të kuqe, të zezën ua bëjnë të verdhë, mirëpo një biçikletë sado e bukur nuk mund të jetë një automobil apo e kundërta.
   Në kapakun e mbrapmë të vëllimit Autori shkruan: “S’ka prind që të gjykoj fëmijën para turmës, në vazhdim të këtij ligji të pa shkruar u sjell për gjykim këtë vëllim”. Më ngjan që me tonin e akullt ka krijuar atmosferë si gjatë një proçesi gjyqësor. Me durim qëndron si ai i pandehuri në pritje të verdiktit. Nuk më habit ky qëndrim prej poeti ndaj krijimtarisë së vet i cili me përgjegjësi artisti përulet modestisht përparaçdo gjykimi të ftohët realist. Madje çfarë kam shkruar më sipër me bindje më ngjan se shkon në mënyrë logjike me nivelin e admirueshëm artistik të krijimtarisë së poetit. 

 Ne foto: Poeti Dalan Luzaj
Click here to Reply or Forward

Filed Under: ESSE Tagged With: ballë vlerësimit, Dalan Luzaj, Minella Aleksi, Poeti për, të lexuesit

Dalan Luzaj, “Nderi i qytetit të Vlorës”

May 1, 2016 by dgreca

Sic e njoftoi redaksine e Diellit gazetari Duro Mustafaj, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka shpallë poetin Dalan  Luzaj, me banim ne Chikago, SHBA,  “Nderi i qytetit të Vlorës”, për kontribut në  fushën e krijimtarisë letrare. Dalan Luzaj u lind në Vlorë ne vitin 1944. Babai Isufi qe një nga krerët e organizatës së Ballit Kombëtar Shqiptar. Pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet Isuf Luzaj u largua nga Shqipëria dhe në vend të tij familja u ndoq dhe u persekutua…

Per kenaqesi te lexuesit po publikojme dy poezi nga Dalan Luzaj:

1- Nje Nene

Sa lot kish derdhur ne vetmi,
sa “ah”! tek zoti pat derguar,
kete vec shpirti i saj e di
dhe zoti lart n’e paste degjuar.

Gjithcka qe prekte behej lot
dhe loti ndriste syte e tretur;
ah, mrekullite qe kish kjo bote,
kaq mizorisht ia pati fshehur.

Gjithe zine e mbledhur neper jete
a thua vdekja do t’ia trese?
E luti vdekjen “eja shpejt”-
dhe vdekja s’mund te mos e merrte.

2- Drita

Drite quhej nena ime,
E mjera drite nuk pa kurre,
helmin qe la pas,
s’e ka as gjarperi nen gure.

Lodhje. Plage. Trishtim.
Te njohu emrin qe le pas,
te njohu brenga e shpirtit tim.
me ligje vdekja qan mbi ty;
tani je larg, moj e shkrete,
mbi ballin tend,
hedh hijen nje selvi.
Nene e braktisur… Pese femije…
Dheu s’te tret,
nga dheu me ben drite.

3- Fjala

Ne qafen e holle te fjales
nje zilke e ngjyrosur troket;
fryn ere neper vite,
zilken as shpata se pret.

4- Shpella

Asnje rreze djelli nuk le te hyje brenda;
bragtisur ne shpella: myshk lageshti;
ne barkun e erret bluan njolla te renda,
komite, pirate, vrau ne tradheti.

Vjega erresiren pjell e rrit,
buzeplasur a e pa goje,veten fsheh;
kur tinez hyn e hap hone ne shpirt,
Tomorri ne prag, ti s’e sheh.

4- Naim Frasheri/

Nga burimi i lajthishtës
tej në Frashër mbi Përmet
mjalti i gjuhës valë-valë
Nëpër faqe,
nëpër fletë

S`mbeti mal pa hyrë në penë
s`mbeti fjalë pa hyrë në varg;
syve hyn e del Atdheu,
. ja Tomorri

Fjalë-fryma që po flasim
Shoshi shekujt madhështori
Shqip –
. Naimit i përkasim !

Gjuha shqipe hodhi shtat
skaj më skaj blerimi i dheut;
dy herë kombi bëri lart,
ndriti pallë e Skëndëbeut.

Nëpër shekuj rrjedh burimi,
nga lajthishta mbi Përmet
maje malesh flet Naimi
Gjuhën shqipe: AMANET…

5- Më fal poezi

U nisa drejt teje në agimin e jetës,

Si fëmijë i larë e i ndërruar.
Ecja shpresat ushqeja: një ditë do të mbërrija tek ti.
Cikloni i tmerrshëm ma mjegulloj rrugën.
Më fal, poezi

 

Filed Under: Komunitet, LETERSI Tagged With: "Nderi i qytetit të Vlorës", Dalan Luzaj

DALAN LUZAJ DHE POEZIA E NXJERR NGA DHIMBJA NJERËZORE

February 3, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Nëse lexon poezinë e autorit Dalan Luzaj nuk ke nevojë të vërtitesh rreth qëllimit për të cilën autori shkruan në vëllimin e fundit poetik:”’Vargje që udhëtojnë”.Poezia e nxjerr prej dhimbjes njerëzore është si mushti,produkti që del nga shtrydhja e rrushit që prodhon dhe të ëmblën verë. Poezia e autorit D.Luzajt dhe e krijuesve e të tjerë ,që kanë dalë të traumatizuar prej diktaturës së një shteti është dhimbje,pasqyrë e saj dhe nëse ajo nuk shfaq ndenja prej të cilës rrodhi nuk është në të vërtetë poezi. Unë e di se mjaftë prej strofave të poezisë së Dalan Luzaj janë ndjenjat e tij të lënduara, kur askush nuk ka mundur dot ta ndihmojë në kohët e trazuara .Shqipëria pas luftës së dytë botërore ishte protagoniste e një regjimi të ashpër klasor ku dhimbja njerëzore mori mjaftë nga jetët. Horizonti ishte një sistem i frikshëm i luftës së brendshëm dhe të jashtme. Dalan Luzi shprehet se pas këtij rrënimi,pra rrëzimi i mureve të diktaturës ,shpërthyen ndenjat emocionet, që u pasqyruan në veprime dhe dëshira të shprehuara gjithandej. Mes mijëra librash,krijimesh të zhanreve të ndryshme,si një pikë uji,rinisa të shkruaj edhe unë poezinë time të cilën pata nisur herët,por që u struk në thellësi të ndërgjegjes sime prej dukurisë më barbare,të ashtuquajturës:Lufta e klasave’,që çuditi botën.
Këto janë ndjenja, që ne të gjithë i kemi në jetë tonë diku ose në një tjetër çast . Në shumicën e herëve ne fshehin këto ndjenja dhe përpiqemi të bëjnë të dukemi sikur ne jemi të lumtur. Unë gjykoj se ne të gjithë mund të shohim këto se jetët tona janë bërë nga veprimet në jetën tonë. Mirë apo e keqe do të ndodhë. Pra si dhe qysh shqyrtohet që ju nuk hapët zemrat tuaja për të sëmurët dhe të varfrit dhe tu tregojmë se ne i kuptojmë problemet e tyre në këtë jetë. Dhimbje në jetën time në kohë është aq e thellë kjo më bën të ndihem sikur nuk mund të lëviz. Diktatura ishte në të vërtet një makinë e çmendur. Dhe emocionet, që sjell një poezi nuk është vetëm në lidhje me autorin,por kjo është një pjesë e të gjithë njerëzimit. Një koleksion e poezive origjinale që kanë të bëjnë me temën e dhimbjes është shkruar me aq pasion, në çdo fjalë dhe rimë. Dhimbshëm poezia nga poeti- që i cili kanë derdhur përvojën e tyre dhe formulohen çdo ndjenjë me një ndjenjë të thellë të mallit. Poezi për dhimbje ndodh kur zemra mund të konsumojnë më shumë dhimbjen, dhe poezi të tilla të dhimbshme bëhen kryevepra. Poezi për dhimbjen. Ajo ishte vetëm një plumb. Një plumb që ndryshoi gjithçka që e bëri tokën me lot në një mijë, milion lotët që rëshkasin menjëherë në mijëra zemrat të mbushur me pikëllimin të palodhshme. Duke përjetuar poezitë e ndjera të nxjerra nga vëllimi ’Vargje që udhëtojnë” të poetit shqiptaro-amerikan Dalan Luzajt po hedh disa fjalë poetike :Në detin e heshtjes, është një mbeturinë e së vërtetës se thelbi, mbretëron zemrën. Një luftë në heshtje të qëndrueshme, e një kujtim i vetëm, me një ndjenjë intensive. Qielli ka u kthye ngjyra ishte e kuqe; Megjithatë ndjenjat në zemrën time nuk janë të vdekura. Dielli është gati të rritet. Unë nuk mund të harroj ato sy të bukur,ngase edhe unë njeri isha dhe sytë kullosnin lehtë përmbi atë bukuri femërore. Unë kam qenë i fortë, siç kam menduar se kjo do të jetë. E vërteta nuk mund të çlirohet.E vërteta është lider i vetëm për të përkulesh para. Dhe lutu:I nderuar Zoti më ke mbajtur nga rreziku. Më ruante nga e keqja. Më mbaj nga mëkati i nderuar Zoti im,më vunë zjarrin në zemrën time. I nderuar Zoti im, kaloje frymën tënde në fytyrën time, më ruaj nga djalli,kështu që unë mund të bërtas në paqe.
2. Dalan Luzaj u formua si poet ,vetëm kur muret e herëta ranë në dhjetorin e rinisë. Poetët janë rebelë për një arsye kryesore, e cila është absolutisht thelbësore: është gjuha e tyre , më e rëndë se shpata dhe që vret më tepër se pushka.letrësia që kishte lexuar D.Luzaj dhe të tjerë ishin një farë soji me atë cfarë shkruante Vid,(Universiteti i Mariborit,Slloveni) se:Pas revolucionit të tetorit në Rusi, qeveria sovjetike ka filluar zbatimin e një ideologjie të re të quajtur “realizëm socialist” si standard zyrtar për artin dhe letërsinë. Sipas propagandës së re ideologjike, vepra letrare duhej të lartësoj përmirësimin e jetesës për shoqërinë komuniste në Bashkimin Sovjetik, për të rritur punëtorin e përbashkët duke paraqitur jetën e tij, të punës, dhe rekreacion si të admirueshme, si dhe për të paraqitur një pamje negative të mjerueshme nga jeta e punëtorëve dhe fshatarëve në vendet kapitaliste. Me fjalë të tjera, qëllimi i saj ishte për të edukuar njerëzit në qëllimet dhe kuptimin e komunizmit. Art i prodhuar sipas realizmit socialist është dashur të jetë realist, optimist, dhe heroik. Praktika e saj është shënuar me respektimin rigoroz ndaj doktrinës partiake dhe të teknikave konvencionale të realizmit. Nën udhëheqjen e Stalinit, shkrimtarët shërbyen si “inxhinierë të shpirtrave njerëzore” dhe romanet e prodhuara, tregime, artikuj, editorialeve, kritikat, dhe satirat brenda një kornize të kufizuar në të cilën ata u përpoqën ta lavdërojnë shoqërinë Sovjetik dhe socializmin. Kështu ngjau edhe te ne gjithsesi kjo ishte formulë për gjithë vendet që kishin aspiruar socializmin. Dalan Luzaj edhe por të kishte kërkuar të bëhej poet në atë kohë askush nuk do ta merrte parasysh ngase ai mund të shkruante të hiqte mënjan kohë të vyera dhe nga produkti i shpirtit të tij të prodhoheshin vlera të vërteta, që do të zhvillonin këtë impuls personal dhe emocional ,mirëpo ky produkt shpirtëror ,mund të merrej pothuajse në drejtim të kundërt ajo e një përdorimi krijues që të vuajnë vetë,nga produkti i tij si instrument i luftë së klasave,nga biografia e të atit ,një filozof me përmasa botërore dhe i vlerësuar nga president të disa shteteve. Ndonjëherë jeta vë njerëzit në situata ku zgjedhja është e qartë: ose për të jetuar në paqe me veten e tij, ose për të negociuar një jetë më të mirë kompromentuar me ndërgjegjen e tyre shkruan, Héctor R. Romero për Raúl Riveron. Edhe rasti i Dalan Luzaj ngjet duke zgjedhur si alternativë,do të flas koha edhe pse koha priti dhimbshëm më gjatë se kurrë për tu shfaqur si poet në moshën e tij të tretë një kohëzgjatje të tillë ka është gdhendur shkrimet në lëkurën e shpirtit, duke pritur shuarjen e diellit të Atlantidës në akujt e jugut. Vet autori për këtë periudhë shkruan:Kur komunizmi dha shpirt i sëmurë ne shtratin rus, ishte rrjedhoje edhe për lindjen e mbarë, që kanceri i kuq s gjeti me gjak te ushqehej gjer te ne. Pas këtij rrënimi, shpërthyen ndjenja e emocione që u pasqyruan ne veprime dhe ne dëshira te shprehura gjithandej.Mes mijëra librash, krijimesh te zhanreve te ndryshme, si një pike ujë, rinisa te shkruaj edhe unë poezinë time, të cilën e pata nisur herët, por qe u struk në thellësi të ndërgjegjes sime prej dukurisë me barbare, të ashtuquajturës “lufta e klasave”që çuditi boten.E fillova herët me shprese se do thosha fjalën me zjarrin e shpirtit, me bukurinë dhe sinqeritetin e çdo te riu, por koha tha diçka tjetër, qe shqiptaret s’do ta besojnë ne breza. Ëndërroja për qiell e drite, për fjalën e ndjenjës se kulluar, por zhgënjimi fshiu te gjithë të ardhmen time dhe bashke me jetën dhe atë grimce talenti qe priste te rritej. Pra edhe unë u shfaqa mes turmës se shkrimtareve për të thënë atë, që mund të thotë një zë i ndrydhur, mes kësaj stuhie dhe s “dihet se cili do te ketë forcën për ti qëndruar erozionit kohor, që është konkurrenca më e ashpër mes krijuesve. S ‘jane shprehjet e miqve dhe shokëve vlerat e një libri apo poezie, ato janë me tepër pengesa, qe te ndalin, vlera e vërtetë e një krijuesi do te duket vone, edhe kur te mos jemi ne.
Autori D.Luzaj shprehet se poetet e vërtetë janë shume pak, të privilegjuarit e Zotit, që koha është e pafuqishme për t i’ hedhur në harresën e saj. Dëshira është ndryshe, e vërteta është më e besueshmja, të tjerët do ti lexojnë poetët e vërtetë, kur stuhia do ti nxjerrë në anë dhe ata do të kenë te drejtën e jetës, pa mundur që tua heqë askush privilegjin që u dha Zoti.
Lidhur me kohë,frymëzimin e tij autori D.Luzaj thotë:Në qëndresa të veçanta, shpesh te çuditshme dhe tq pa besueshme, më ka gjetur muza dhe i kam marre mjaltin dehjes se saj, kam shkruar ndonjë varg i dashur lexues se erdhi dhe … nuk te vjen me!Jam i gëzuar dhe i privilegjuar kur më lexon lexuesi i çdo moshe, se pas leximit lind gjykimi dhe pas gjykimit bëhet vendimi në sallat më të bukura dhe të ndritshme, të shpirtit atje ku zemra dhe truri në njësinë hyjnore bëhet një dhe poeti qëndron apo flaket jashtë.
Bënë një ndarje të saktë autori kur shprehet rreth krijuesve të poezisë
Poetet janë dy grupe, te zemrës dhe te mendjes! Çdo grup ka vlerat e tij dhe simpatizantët e tij. Çdo gjë e thënë nga shpirti e ka te hapur rrugën për ne shpirt
te lexuesit, është e besueshme sepse është e vërtetë. Kam shkruar poezinë e ardhur, kurrë s ‘e kam kërkuar, se ajo as gjendet, as kapet. Kam shkruar poezinë e zemrës, jo të trurit që shpesh behet prozë poetike dhe e mërzitshme.
Është i vërtetë postulati se poezia është bija e parë bukurisë hyjnore dhe për të ngjitur do shkallë për atje duhet të gjesh të gjitha udhët por ato udhët e zemrës janë edhe ato udhë mistike.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dalan Luzaj, DHE POEZIA E NXJERR NGA, DHIMBJA NJERËZORE, Gezim Llojdia

RAIMONDA MOISU U ZGJODH KRYETARE E SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

September 14, 2013 by dgreca

Zëvendës Kryetar u zgjodh shkrimtari Pal Ndrecaj, sekretare dr. Yllka Filipi, ndërsa  anëtarë të kryesisë Ramiz Mujaj dhe Sabina Veseli./

Ne Foto: Disa nga pjesmarresit ne takim/

Stamford, Connecticut- Të shtunën me 14 shtator, në mesditë, në një nga sallat e Librarisë të qytetit Stamford në Connecticut, organizoi takimin zgjedhor Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, që ka për president nderi, themeluesin e saj, Shkrimtarin Gjekë Marinaj, president Adnan Mehmeti dhe për mandat është udhëhequr nga kryetari  Dalan Luzaj.

Në takim ishte i ftuar edhe Prof. Dr. Selman Sheme, i ardhur në SHBA me ftesë të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra për të promovuar librat për Camërinë të shkruar prej tij.

Në këtë takim u bënë dhe tre anëtarësime të reja në radhët e shoqatës; Dr. Yllka Filipi, Aristotel Mici dhe Artur Vrekaj.

Takimin e ka hapur shkrimtari Mhill Velaj, i cili u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve dhe ka prezantuar të ftuarit. Takimin e ndoqi Gazeta Dielli me anë të editorit Dalip Greca dhe Adem Belliu, president i Televizionit Kultura Shqiptare.

Presidenti Adnan Mehmet ka përshkruar rrugën dy vjecare të shoqatës për, prurjet letrare të anëtarëve të Shoqatës, duke vecuar më të suksesshmit. Ai sqaroi se ky takim vjetor ishte planifikuar që të organizohej në 100 vjetorin e lindjes të filozofin dhe mdndimtarit Isuf  Luzaj,  Nderi i Kombit, c’ka ishte paramenduar edhe zhvillimi i një Simpoziumi me studiues edhe nga Shqipëria, por problemet teknike  për marrjene  vizave nga referuesit bëri që simpoziumi të shtyhej në një kohë tjetër.

Më pas presidenti Mehmeti kujtoi të pranishmit se Shoqata nderon në shkallën më të lartë, me plot mirënjohje, themeluesin e saj, poetin  Gjekë Marinaj. Librii i tij më i fundit sapo është promovuar në Bukuresht.Marinaj mbanë Gradën Doktor i Shkencave në Letërsi.

Po ashtu, z. Mehmeti falenderoi poetin Dalan Luzaj, që e drejtoi shoqatën për dy mandate radhazi. Fjalë përgëzuese tha presidenti Mehmeti edhe për liriken e shquar të Letërsisë Shqipe, poeten  Iliriana Sulkuqi, e cila ishte në poziconin e nëkryetares së Shoqatës. Kontribut të vecantë dha edhe Shkrimtari Mhill Velaj në postin e nëkryetarit së bashku me Kostaq Dukën.

Në kronikën e veprimtarive të shoqatës, Adnan Mehmeti renditi:

-Konkursi letrar “Pena e Artë” për vitet 2010-2013;

-Edicioni i dytë –Dita e Librit shqip në formën e një panairi(23 Maj 2010 në Bronx)

-Një sesion Shkencor në nderim të 100 vjetorit të Nënë Terezës së bashku me Federatën Panshqiptare të Amerikës, VATRA (Stamford)

– Po në bashkëpunim me Vatrën u organizua një akademi përkujtimore për Prof. Peter Prifti(16 nëntor 2010 në Bronx)

-Në Dhjetor 2010 u organizua takimi vjetor i Shoqatës në bibliotekën e Neë Yorkut

-Me 2 prill 2011 u festua me madhështi 10 vjetori i themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

-Veprimtari festive me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë e shoqatës në Alendalle NJ

Presidenti Mehmeti përmendi edhe festat promovuese të librave të anëtarëve të shoqatës.

Kryetari Dalan Luzaj, në hyrje të fjalës së tij tha: Sa herë që shoqata do të festojë përvjetore apo festa librash ne do të përshëndesim me respekt, krijuesin e kësaj shoqate, poetin Gjekë Marinaj. Ai evidentoi faktin e rritjes së shoqatës dhe përmendi suksesin e arritur nga shkrimtari i talentuar Ramiz Gjini, fitues i Cmimit Kombëtar “Pena e Artë” për gjininë e romanin. Po ashtu vecoi suksesin e poezisë së Gjekë Marinaj, duke e cilësuar si biblën e poezisë shqipe. Luzaj vlerësoi krijimtarinë e Petraq Pali, Rozi Theohari, Albana Melyshi, Kostaq Duka, Shpresa Vranari, Kozeta Zylo, Raimonda Moisiu, Mhill Velaj, Pal Ndrecaj, Fatjon Pajo, Pandeli Simsia e të tjerë.

Duke analizuar aktivitetin e shoqatës Luzaj tha se me shpërndarjen e saj në të gjithë shtetet e Amerikës, ka qenë e vështirë mbledhja bashkë, ndërsa ana finaciare, po ashtu ka qenë një arsye që e ka ulur shkallën e veprimtarive.

Posti i kryetarit, tha ai, është një obligim, por kryetari është një nga anëtarët, është një nga”ne”, s’është kryetari stimulus i anëtarëve, as mësonjësi i tyre. Këtë post ka mundësi që ta provoi secili prej anëtarëve pasi ai është i ndërrueshëm cdo dy vjet. Suksesi krijues i secilit anëtar të shoqatës përbën gëzim për secilin. Në këtë shoqatë jemi me dëshirën dhe vullnetin tonë, nuk na detyron kush, por duke qenë bashkë i ndajmë së bashku gëzimet e krijimtarisë. “Karatin”, ia ngre secili prej nesh vetes, tha Luzaj, duke komentuar rëndësinë e vlerave krijuese. Më pas ai diskutoi për vështirësitë financiare që has shoqata në organizimin e veprimtarive të saj. Përsa i përket shtimit të anëtrësisë , ai theksoi faktin se shoqata nuk i ka të mbyllura dyert, cdo krijues është i mirëseardhur.

Prof.dr Skënder Sheme ka përshëndetur të pranishmit dhe ka vlerësuar rëndësisnë e jashtzakonshme të diasporës shqiptare në Amerikë dhe rolin e saj historic në Lëvizjen Kombëtare , përfaqësuar me Federatën Panshqiptare të Amerikës e deri në ditët e sotme. Vecmas ai është ndalë në rolin e figurave të ndritura të Camërisë dhe kontributin e  tyre Lëvizjen Kombëtare. U ndal në mënyrë të vecantë edhe në figurën e poetit të Baldës Came, shkrimtarit Bilal Xhaferri, që një pjesë të veprimtarisë e kreu në SHBA. Profesor Sheme u ndal edhe në zhvillimet e sotme të cështjes came.

Studiuesja dhe shkrimtaja Dr.Yllka FILIPI, solli për të pranishmit qasjen mes strukturës së kantikës së parë të “Komedisë Hyjnore”, “Ferri” (Dante Aligeri), strukturës së “Vargjeve të lira” e “Novelat e qytetit të veriut” (Migjeni), si edhe strukturës së variantit të përpunuar të veprës “Pallati i ëndrrave” (Ismail Kadare.) Ajo sqaroi se baza e  këtij misioni krahasimtar ka nisur nga pikëtakimet e vetëdijshme të Kadaresë me Danten dhe remineshencat instiktive  të Migjenit me Ferrin dantesk. Analogjitë mes botës infernale danteske dhe asaj kadareane janë tashmë një përfundim i konsoliduar nga autori i cili e konstaton një gjë të tillë. Kadare e pohon tundimin  nga ferri dantesk, ndërsa Migjeni konstaton ferrin shqiptar.Argumentet për ndriçimin e kësaj teze i  konfirmon hulumtimi ndërtekstor në gjetjen e paraleleve si edhe i mbështet këndvështrimi i kritikës së deritanishme mbi këtë autor. Analogjitë mes Dantes dhe Migjenit janë parë si instancë e realiteteve që përsëriten gati njësoj pas pothuajse 7-shekujve diferencë në ekzistencën e jetëve zinxhir, në komunikimim telepatik mes tyre. Ky hulumtim krahasues është përpjekja e parë deri më tani në letrat shqip, për të përcaktuar nivelin dhe thellësinë e ndikimeve të Migjenit dhe Kadaresë nga vepra e Dantes. Interpretimi i veprave të të dy autorëve shqiptarë do t’i referohet këndvështrimeve danteske të cilat i përshkojnë ato përtej niveleve gjuhësore nëpërmjet një komunikimi superior, tejet të veçantë me bazë Ferrin, sipas metodologjisë së punimit. Ndërmarrja e kësaj teze synon hulumtimin në strukturën e kantikës së parë të ferrit të Dantes dhe gjetjen e pikave të përbashkëta me veprën e Migjenit për Ferrin shqiptar të viteve’30 dhe me veprën e Kadaresë për Ferrin modern, duke krijuar kështu në mënyrë të plotë edhe profilin letrar të dy autorëve shqiptarë. Personaliteti i 3-krijuesve reflektohet mbi veprat e tyre si të vetmet burime informacioni të pakontestueshme mbi botën infernale, duke u lexuar vertikalisht. Rrafshet paralele jemi përpjekur t’i heqim mbi afritë ekzistente që përcjell strukturimi i ideve, teknikave, vizioneve të cilat na shpien drejt thellësive arkitekturore mes teksteve.

Përshëndetën takimin: Shkrimtari Pandeli Simsia, Dalip Greca- editor i Diellit, Artur Vrekaj, studuesi dhe shkrimtari Aristotel Mici.

Në fund u bënë edhe zgjedhjet për kryesinë e re të Shoqatës, duke u bazuar tek anëtarët prezent dhe ata që ksihin dhënë vlerësimet e tyre përmes emaileve.

Kryetare e Shoqatës u zgjodh shkrimtarja Raimonda Moisiu, e cila sipas rregullave të shoqatës përzgjodhi edhe kryesinë: Nën/Kryetar Pal Ndrecaj, Sekretare- Yllka FILIPI, anëtarë të Kryesisë- Sabina Veseli dhe Ramiz Mujaj.

Kryetarja e sapo zgjedhur, zonja Raimonda Moisiu falenderoi shoqatën për besimin që i dhanë dhe premtoi se më mbështetjen e anëtarëve  të Shoqatës dhe angazhimin e kryesisë do ta kryente me pasion e vullnet detyrën.

Në fund u shtrua një kokteil i pasur me ushqime.

(Korresp. i DIELLIT)

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Mhill velaj, Raimonda Moisiu, Shoqata e Shkrimatreve, shqiptaro-amerikane, zgjedhjet e reja

Dalan Luzaj feston ditëlindjen në kasollen e Internimit

August 6, 2013 by dgreca

Nga Novruz Shehu/

Tiranë-Megjithse me dy operime në zemër, në moshën 69 vjec, poeti Dalan Luzaj, , kryetari i shkrimtarëve shqiptaro- amerikanë, këto ditë ndjeu të domosdoshme të kapërcejë Atllantikun, që nga Cikago Illionis  dhe mbrriti këto ditë në Shqipëri, të festojë në 3 gusht ditëlindjen në kasollen e Interrnimit, në Sherishte Vlorës, së bashku me bashkëshorten etij, Burbuqen.
Të dy nuk i kishin njohur baballarët, mbasi të dyve u ishin larguar në Amerikë të përndjekur nga komunistët, të dy ishin shoqëruar kudo me zellin e vigjilencës ndaj “armikut”, të dy u fejuan në kushtet e kësaj “barazie”paradoksale, u martuan, lindën katër fëmijë dhe për 23 vite kaluan interrnimin në një Kasolle me kashtë në fshatin e Sherishtës, kasolle që do të mbetet në kujtesën e tyre për tërë jetën.
E kisha takuar në qershor të vitit 2010, në hotel Tirana, ku kish shoqëruar poetin anglo-amerikan  Frederik Turnerin së bashk me studjuesin Gjek Marinaj, në takim me shkrimtarë e artistë të Shqipërisë.
Në 27 korrik , të këtij viti , ndërsa pija kafe, në një nga mijëra karriget e vendosura në tortuaret e Tiranës, më qëndroi pranë një burrë simpatik, që rrezatonte mirësi, paqe e fisnikëri të dukëshme.
”Më falni, a njihemi, bashkë ?!…” më pyeti.I thashë  se duhej të njiheshim patjetër…”Jam Dalan Luzaj…”, pohoi dhe ky emër më kujtoi fjalët e dhëna në një intervistë për” Illyria”, zonjës Kozeta Zylo: “Asnjëherë në jetë s’e kam  ngatërruar Atdheun me Partitë… Ai ngeli  një dhimbje mbi dhimbjet, që përcjell çuditë e bijve  …”
Më dhuroi librin e tij Kasollja e Interrnimit, botuar mbas katër vëllimeve poetike.Pyetjes se c’përfaqësontë Kasollja, ju përgjigj se fëmijërinë  e kaloi në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku kreu dhe shkollën fillore.  Në vitet 1962-1963 mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë.

Punoi pak vite si mësues në fshatrat e Tepelenës, por u kujtuan se ai ish biri i Profesor Isuf Luzit, një nga personalitetet më të shquar të nacionalizmit në Shqipëri, bashkthemelues I Partisë Social-Demokrate me Musine Kokalarin e Kastriot Mucon, ..
Prof Isufi edhe  pse   ishte për një kohë shok në Paris me Enver Hoxhën , dhe më vonë mësonjësa në të njejtin Lice, në Korçë , si dhe me vajtje ardhje  familjare, u vendos në shinjestrën e pushkatimit, të cilit i shpëtoi me largim të menjëhershëm nga Atdheu në  tetor të vitit 1944, duke lënë mbrapa gruan dhe pesë fëmijë, të cilët u përndoqën e u mbajtën nën ankthin e ferrit e kërkëllimave të zinxhirave për në cdo natë në ëndërr.
Pikërisht kjo kasolle në Sherishtë, e mbuluar me llamarina, që pikonin në dimër, me mure kashte e balte që sa s’binin jo pak herë nga stuhitë, me ujin që shkonte jo pak herë në mes të krevatëve të sajuar, nuk mund të harrohej dhe do të vendosej në kujtesën e Dalanit, motrave e vëllezërve e nipave e mbesave, për të kryer peligrinazh në atë vend …Ajo kasolle është prishur, por vendi është dhe Dalani ka porositur një pllakë për ta vendosur me diciturën:”Miq bij e bashkëatdhetarë të cdo shtrese ohore…, këtu qëndruam për 23 vite, të interrnuar pa asnjë faj …Të most ë harrojmë kurrë, të most ë përsëritet kurrë…”
Në vitin 1990, Dalani niset në Ambasadën amerikane , ku punonjëses Gabriela  I pohon se kish 45 vite pa e takuar babanë dhe e kish në Amerikë…Gabriela ‘smund të fliste…Nuk dihet se cllahtarë e dramë ndjeu në ato moment …Vetëm shkroi në një letër “Thuaj babait ti shkruaj ambasadës amerikane  se është I sëmurë…”Eh, Gabriela vendosi të kërkojë të gënjehet , qoftë të ndëshkohet, por vetëm të zhdukte nga faqje e dheut dramen e këtij djali që ….
Në këtë moment, pikërisht unë nuk mund të shkruaj…E kam të pamundur ta përshkruaj, I përfshirë nga një ndjesi që s’mund ta duroj , po përsëris fjalë për fjalë, ( duke i kërkuar ndjesë që si kam marrë leje) ato që Dalani ka shkruar më  2010:
“Dola  nga zyra dhe renda në postë, i spjegova babait ç’më tha Gabriela.
-Po bir m’u pergjigj babai, tani ma lërë mua në dorë.
Ai kishte biseduar me ambasadorin italian dhe ne na ngeli përgatitja për nisje.
Në një telefonatë të shkurtër e pyeta:
-Po mirë që do nisem, por unë s’të njoh?
-Njeriu që do shikosh veshur me të bardha te porti në Trieste, është yt atë.
Nisja u bë një ditë gushti 1990 me një traget modern PALLUMBJA.  O Zot sa e gjatë ishte rruga nga porti, hyrja gjer te trageti!…  Emocione dhe frika e kthimit, apo më keq ndonjë arrestim na shoqëroi tërë udhëtimin.  Kjo luftë nervore, motivesh shoqërohej me një lëvizje të vazhdushme timen, pa parë dhe ndierë që gjjthë trupi ishte ujë, djersën e ndjeja gjer në këpucë, dhe më bëhej sikur të isha në Sherishte me çizmet e prera me ujin brenda…Isha  ndarë, trupi ne traget, ndërsa mendja e shthurur s’gjente vend ku të rrinte.  Më solli në vete tronditja e tragetit që lëvizi, ende s’më besohej…

Trageti dolli në ujërat neutrale dhe unë fillova të thoshja BABA, bëja prova si e thoshja, si e shqiptoja, kjo ishte nje fjalë e një fjalori të panjohur për mua, a do ta thoshja duke i dhënë edhe ndjenjën, se fjalet mëmë edhe baba kanë brenda ëmbëlsinë dhe dashurinë, detyrën dhe përgjegjsinë që na mungonin, ndaj dhe s’i ndërtoja saktë.
S’më flihej, përkrah kisha bregdetin “Dalmat” dhe sipër  një hënë e plotë që udhëtoi me ne gjer sa ra mugëtira e mëngjesit.
Ngadalë, që për mua ishin largësi mujore, po afrohej Triestja, në të cilën dalloheshin ndërtesat dhe njerëzit. Në një port të thjesht detar dukej një turmë njerëzish.
Ja i thashë zemrës, mes turmës një njeri shtatlartë me të bardha i cili mes tyre binte në sy për i huaj mes të huajve.
Sapo trageti preku tokën, pa u hedhur cimat, kalova në tokë.

Po i afrohesha po  kujt?…
Dielli të digjte, im atë s’e priste që të dilja kaq shpejt dhe po bisedonte me dikë në një gjuhë që edhe sot s’e kam marrë vesh, s’e kuptova ngaqë s’e pyta.
Iu afrova, O Zot, më jep  forca po lutesha!
I dola përballë!…  Dashuri, dhimbje, tronditje, mungesa dhe pikëllimi i nënës, të cilën  një vit më parë e lamë nën selvi dhe s’pa një ditë të bardhë, dhe sot mungonte, vuajtjet dhe gjithë shqetësimet e jetës u bën xhëng në grykë dhe s’më lejonin të flisja…
Këto lloj emocionesh janë tepër të rralla qe i kam provuar, por e keqja ime është se s’mund të përciellë as pjesën më të vogël të tyre…
Isha plot me djersë dhe më ndodhi një fenomen i çuditshëm si: “në se ndonjë nga ju e ka provuar në gjumë, mes një ëndrre të frikshme që kërkon ndihmë, kërkon të flasë dhe s’flet dot”…
BABA, s’di se ç’më doli nga shpirti një pjesë e tij apo ai xhëngu që më merrte frymën…  Nga sytë e Tij zbritën nje zinxhir lotësh, ne ishim ballë per ballë.  Ai ishte truphedhur, më rroku, koka ime ishte në gjoksin e tij.  Unë ndjeva aromën e babait pas 45 vjetësh, për ta besuar që ishte im atë ndjeva mbi flokë pikat e strehës së kasolles, ku na internuan, që në vjeshtë pikonte mbi mua.

Isha në në një botë të panjohur, është e madhe bota e prindrit dhe sidomos e atij që na kishte lënë një boshllëk aq të madh?  S’di sa ndenjëm se s’isha i përqëndruar, ish  kohë, apo endërr e jetuar?…  Më largoi dhe me duart e tij në supet e mij më vështroi thellë që hyri gjer në gjak ai vështrim…
-Përse kaq i dobët mor bir?…
Dëgjova bir per herë të parë e cila erdhi dhe u bë si një ombrellë.  Unë ndjeja një lloj ngrohtësie që s’e kisha ndjerë, ngrohtësi shpirti jo lëkure.
Më rroku dhe ndjeja një lëkundje sizmike të përqëndruar në ato centrimetra katrore ku shpirtrat tanë komunikonin me një urdhër hyjnor.
Ai që kish humbur luftën dhe familjen i trokiste brenda vetes e kaluara e hidhur dhe
padyshim mbante pohueshëm pjesën e “fajit” që Atij i kish rënduar gjithë  jetës.
Hodha sytë në qelqet e Triestes që dërgonin gjithë diellin me një dritë që sikur ishte shpirti i asaj Drite (emri i nënës sime) që vuajti aq shumë dhimbje të cilat s’na u ndanë kurrë…”

– Dalani, ka katër fëmijë.Në Amerikë, në vitin 2000, disa ditë para vdekjes, I ati, prof Isufi  u la detyrë të botonin  kolanin prej 120 librave të shkruara më dorë e të vendosura në kasafortë të koduar.Deri tani janë botuar 10 libra të professor Isuf, prej poetit dhe studjuesit XhevatBeqaraj …Për fat të keq media ka bërë shumë pak, ose më sakt, intelektualët shqiptarë nuk kanë përqëndruar seriozisht vëmëndjen ndaj kësaj figureje poliedrike:Filozof, poet, shkrimtar, politikanvlerësuar nga presidentët e Amerikës Regan dhe Bush, personalitete nga më të mëdhenjtë në Itali, Francë , Argjentinë etj.

Vepra e prof Isuf Luzaj, me gjithë përkushtimin e pazakontë të Xhevat Beqaraj , nuk është përhapur e propoganduar sa duhet.
Akademia e Shkencave dhe Universitetet shqiptare s’po e vendosin në programe, këtë personalitet të shquar të universiteteve amerikane e më tejë.Shtëpia Botuese Omska, s’ka kryer shpërndarjen dhe reklamimin në nivelin që e mëriton ky burrë i madh i kombit…
Jeta në arrati dhe kulmet e karrierës

Isuf Luzaj (1913-2000) Isuf Luzaj lindi në Kaninë më 21 shkurt 1913 në një familje fetare, i ati ishte hoxha i fshatit.Isuf Luzaj shkollën fillore e kreu në Vlorë me 1926. Gjimnazin e vijoi në Shkodër, ku e kreu më 1933. Në vitin e dytë fitoi bursë nga gjimnazi për të studjuar jashtë vendit, aplikoi për bursë por iu refuzua. Për të shkuar me studime u detyrua ta shesë pjesën e vet të tokës me ullinj.Me 1933 shkoi  në Paris.

Pasi ishte regjistruar dhe kreu liceun u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës.N.ga pamundësia ekonomike u detyrua të tërhiqej nga studimet në Francë.Në Shqipëri kthehet me 1936. Pas betimit para mbretit Zog fillon punën në Normalen e Elbasanit si mësues frëngjishteje, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Mandej u transfeua në liceun e Korçës po si mësues frëngjishteje në periudhën 1936-’38, ku asokohe punonte dhe udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërsisë  Enver Hoxha .

Pas Protestës së Bukës të mbajtur në Korçë më 28 nëntor të vitit 1938, e kalojnë në Institutin Tregtar të Vlorës ku jep letërsi.[Në vitin 1938 botoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Rrëfime”. Pasi botoi këtë përmbledhje, e cila nuk arriti as të shpërndahet si duhet, u burgos, dhe si shkas ishte poezia “Neroni”. Pasi u hodh në gjygj , mbas 94 ditëve burg u lirua si i pafajshëm….Me 120 studentë kishte vendosur të luftojë kundër trupave italiane të cilat zbarkoheshin më 7 prill të vitit 1939 bashkë me Hysni Lepenicësn, Skënder Muçon  merr pjesë ndër protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate me 28 nëntor 1939 me flamurin shqiptar pa shenjat e liktorit.

I dyshuar për vrasjen e një polici italian burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës nga ku, pas disa muajve, transferohet në Brindisi të Italisë me 12 studentë të Institutit Tregtar të Vlorës, andej në Gaeta e prej andej në Ventotene (ishull) , deri në 1942. Mandej nga këtu transferohet në kështjellën e Cortona D’Arezzo për shkak të disa poezive kushtuar Luftës së Vlorës. Aty ra në kontakt me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, Fuad Bej Dibrën e Lef Nosin të cilët  në kështjellë kishin shkruar Dekalogun e Ballit Kombëtar. I sufi propozoi që në Dekalog të hynte pika e shtatë: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.

Lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri në tetor 1942. Organizon çetat e Ballit në Dukat. Në Selenicë komandon luftën prej 13 orësh dukë dalë fitimtarë ndaj pushtuesit. Në vitin 1943 në fshatin Vajzë futet brenda një autoblinde Italianë ku lufton më tepër se një orë. Iu bashkua patriotëve të vendit dhe ishte pjesëmarrës aktiv i Konferencës së Mukjes. Merr pjesë në themelimin e Partisë Social-Demokrate në rrethet Shkodër, Tiranë dhe Vlorë me Musine Kokalarin dhe av. Skënder Muço me 12 tetor 1943…Në vitin 1944 më 28 nëntor largohet  nga Shqipëria, duke lënë në Kaninë gruan më 5 fëmijë të mitur.

Djali i madh nuk kishte veç 7 vjet, Shkoi në Itali e aty arrestohet, si i dyshuar për vrasje e gjeneralit Zanini. Kërkohet nga qeveria komuniste shqiptare të riatdhesohet që t’i nënshtrohet “gjyqit të popullit për krime lufte”. Punoi më tepër se 2 vjet, me rekomandim të Sandro Pertinit, me të cilin ishte njohur në Ventotene, në Bibliotekën e Vatikanit, gjatë vuajtjes të dënim-internimit.Pas amnistisë del nga burgu, vendoset në Brescia ku jep mësim latinisht në një seminar pranë qytetit. Me 1948 largohet drejt Argjentinës. Fillon punë në Ministrinë e Arsimit si përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes, në spanjisht.

Përveç kësaj punë ai përgatiste edhe lajmet për radion Europa e Lirë, dhe gazetën “Laprensa”. Njihet me shkrimtarin Jorge Luis Borges Me 1957 diplomohet në letërsi e filozofi. Po atë vit fillon punë në Universitetin e Buenos Airesit. Me 1960 emërohet drejtor i institutit francez.”La France à l’étranger” i cili përshëndetet dhe vizitohet personalisht nga ish-presidenti i Francës De Gaule. Në vitin 1961-1962 emërohet këshilltar i Ministrit të Arsimit në Argjentinë, ku përgatiste programet akademike për universitetet  e vëndit.. Më 1965 dekorohet me medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.Në vitin 1965 anëtarët e Ballit e thërrasin në Amerikë, pasi kishte vdekur Ali Këlcyra më 1963.

Në kongresin e mbajtur në Neë York zgjidhet kryetar i Balli Kombëtar.Në ShBA fiton konkursin në frëngjisht dhe fillon punë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge, në Universitetin e Neë Hampshire (Nju Hempshajer). Në vitin 1966 në Ministrinë e Arsimit Ëashington D.C., Bën unifikimin e diplomave që kishtë marre në Argjentinë. Mes 1966 e 1968 emërohet shef katedre po në Universitetin e Neë Hampshire. Vitin akademik 1968-’69 punon profesor i letërsisë spanjolle, frënge, dhe drejtor i përgjithshëm i departamentit të gjuhëve të huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois. Vitin tjetër akademik, 1969-’70 emërohet profesor i letërsisë frënge në St. Joseph College, Indiana, SHBA. Punon shef katedre në Universitetin e Indiana-s, ku programonte dhe drejtonte kurset e 59 profesorëve të filozofisë.

Del në pension më 1980, por gjithnjë aktiv qëndron në krye të katedrës së filozofisë në Universitetin e shtetit të Illinois-it ku ishte emëruar që nga viti 1979. Në vitin 1979 ishte emëruar titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinois-it. Më 29 Dhjetor 1990 jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore.

Vepra të prof Isuf Luzaj të botuara:

Në vitin 1946 përfundon librin “Ideoligjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë. Në vitin 1954 boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar. Në vitin 1965 boton “Metodologjinë për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme. Ndër vitet 1963-’90 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë. I janë botuar 10 libra  gjatë 15 viteve të fundit në Shqipëri.

Isuf Luzaj ka marrë titullin “Professor emeritus” në SHBA, një dekoratë që mban shënimin “Profesor i Amerikës” dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti Regan, se kishte dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Në këtë ceremoni merrte pjesë presidenti i atëhershëm i ShBA George H. Ë. Bush, guvernatori i shtetit të Illinoisit dhe Sekretari i Arsimit. Në dhjetor 1990 Shoqata e Gazetarëve të Amerikës i jep “Medalje nderi” për 94 artikuj të botuar tek “Edistenologjia e Materializmit Historik”.

Në Shqipëri dekorohet me Urdhëri i Punës, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë , në vitin 2012, Ndërsa 100 vjetori i lindjes së tij, që iështë  pikërisht këtë vit asqë u përkujtua.

Një projekt pranë kasolles së interrnimit.

Dalan Luzaj, ka sjell bashkë me projektin për një pelegrinazh ne Kasollen e Interrnimit, edhe 12 vëllime filozofike, nën titullin “ Kujdesi Bletes “, te Prof Isuf Luzaj.Ai, ju ka bërë thirrje një grupi akademikësh e studjuesit ta paraqitin të tërë kolanën  e këtij filozofi të përmasave botërore…

Mbas varrimit në vendlindjen e tij, Kaninë, sipas amanetit të tij të lënë (vdiq 25 nëntor 2000 në Cikago), botimi i kësaj kolane do të jetë zbatimi i një amaneti tjeter të rëndësishëm për kombin tonë.

I vlerësuar nga personalitetetet më të mëdhënjë në Itali, Francë, Argjentinë, Amerikë, besoj se edhe në vëndin e lindjes do të marrë vlerësimin e plotë e të merituar.Kjo wshtw nw nderin e Akademisw, tw presidencws, tw twrw popullit shqipfolws brwnda dhe jasht hartws gjeografike.

Dalan Luzaj
KASOLLJA E INTERRNIMIT

Kasolles, shiu  ia  zhveshi  baltën mureve  për  rreth,
Paralele   purtekat, si  brinjët  tona, pentagram,
Druri  që  lidhte  purtekat në mes.,
Si një  solfezh ngulu  në shpirt  ende e kam.

Paralele  hynin  te  shpejta  vetëtima,
Larg  ishin  gjëmimat, qaseshin  ngadalë
Pentagramit, pikat  e  shiut, notat  më  të  vështira.,
Kompozohej  melodrama  e  ferrit  fatal.

Uji  brinjëve  të cara, uji  dhe  nga  lart,
Fëmijët  në  mes, ne  për  rreth,
Një  duf  errësire  dilte  jashtë,
Te  hollat  vetëtima , i  shkelnim  baltës  në  mes.

Më  zgjodhi fati, tjetër  gjë  do  të zgjidhja,
Internimi   ngeli kycur, pa  spjegim,
Një  qind  ferre  shpirtit  do  t`ia  hidhja,
Në  se  gjeja  fajin  që  zgjodhi  fatin  tim.

Kur gjëmon, edhe sot ndjej frikë,
Mos vërshon uji, brinjëve, në kasolle.,
Ndal o mesnatë!Jam në Amerikë,
O ëndëerr përvëlonjese dhe këtu ma sollle?

Herë shkoj në Sherishtë , herë vjen ne Oak Parke,
Zbërthyer brinjët , kalbur , duke tretur,
U kërrus nën vuajtje, shkrihet pak nga pak,
Interrnimi dhe kasollja, bashkë  kemi për të vdekur.

Qytetare në shpirt, detin kam në gen,
Ky vend , m’i  mjekoi plagët që më dhe,
Plagosur malli im vjen dhe të gjen,
Mbret  në Amerike , rob  në  Mëmëdhe.

(Kortezi: Novruz Xh Shehu-Shqiptarja.com)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dalan Luzaj, feston ditelindjen, ne kasollen e internimit

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT