• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARDHË NË TAKIM NGA DY KONTINENTE, KU GJUHA DHE GJAKU I SHKRIU NË NJË…

July 31, 2016 by dgreca

(Refleksione nga perurimi I librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë” (Aktivitete dhe krijimtari) të përgatitur nga Presidenti i kësaj shoqate, zoti Adnan Mehmeti)/

NGA ZYBA HYSEN HYSA/

Pas emocioneve të forta të ditës së djeshme në muzeun Historik Kombëtar, në përurimin e librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë” (Aktivitete dhe krijimtari) të përgatitur nga Presidenti i kësaj shoqate, zoti Adnan Mehmeti, sot në pushimin e pasdites ia kushtova këtij libri, ku në mjaft shkrime të përfshira në të, isha e njohur më parë përmes internetit, por ajo që më tërhoqi vemendjen, ishte përcaktimi i qëllimit të shoqatës, ku në faqen 4 shkruhej:

“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari letrare të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur, që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botror.”

Përherë sytë e shqiptarëvet kamë qënë e mbeten përtej oqeanit, në Amerikën e Madhe, në shtetin e Demokracisë më të besueshme, kjo për një arësye të madhe, se kurrë nuk u besojmë më demokracive europiane, të cilat me falsitetin e tyre dogmatik, kanë ndikuar historikish në coptimin dhe skllavërimin e kombit shqipar, ku na duket vetja, sikur jemi në gërhamat e fundit të egzistencës sonë kombëtare…

Dhe vërtet, po të kthehesh pas, të mendosh masakrat antinjerzore, antishqiptare, ndër shekuj, habitemi që “projekti” i politikës shqiptare është “drejt BE” drejt asaj Be – je që na do të shuar, të zhdukur, pa identitet, përderisa ajo pengon bashkimin e kombit tonë. Kjo, për një njeri që ka dy gram mend, e detyron të qëndrojë pak çaste e të mendojë: “Kur Be – ja bashkon shtete, si vallë nuk na jep mundësi të bashkojmë kombin dhe më pas të futemi në familjen e madhe europiane, në të cilën na vendos thjesht të qënurit në Europe e jo në Azi…?

Të më falni që u zgjata pak, se nuk është vendi në këtë shkrim, por dua të them, që shansi i shqiptarëve është vetëm Amerika dhe si ylber shprese për këtë lidhje, janë pikërisht, shqiptarët që kanë emigruar historikisht në Amerikë. Këtu dua të përmend të madhin Fan Noli, Faik Konicën, Kostë Çekrezin… për të mos vazhduar me emra se do ishin pafund, (por s’më lë shpirti pa përmendur edhe Prof. Dr. Isuf Luzaj, i cili ka pasur korrespondencë me personalitete të lartë të të shtetit amerikan për çështjet shqiptare, sidomos në lidhje me Kosovën),  që kanë ngritur zërin deri në kupë të qiellit për të drejtën kombëtare, ndaj duke parë gjithë këtë vëmendje dhe besim që kemi ndaj jush, duhet që kjo shoqatë letrare ku në gjirin e saj mban jo vetëm letrarë, por edhe veprimtarë dhe intelektualë të mirfilltë, t’i shkapërthejnë kornizat e këtij qëllimi që i kanë vënë vetes (i cili është madhor) dhe në bashkëpunim me shoqatat e tjera, si “Vatra” që nuk po ia ndjejmë më ngrohtësinë e kohës së Nolit, “Akademinë e Shkencave Shqiptaro – Amerikane” ku zëri i shkencëtarëve shqiptarë jo vetëm të ndihet, por të imponojnë Akademinë Shqiptare të Tiranës të tunden se kanë zënë myk dhe sapo futesh në derë vjen ere e ngordhur, shkurt, të bëheni bashkë me të gjitha llojet e shoqatave, të sensibilizojnë krijuesit, intelektualët, shkenëtarët e vërtetë shqiptarë në Shqipëri, të cilët janë përdhosur nga llumi që ka pushtuar institucionet tona fantazmë, ku përveç emrave dhe kukullave që rrinë nëpër karrike e marrin rrogë, asnjë funksion nuk kryejnë, që përmes kësaj lidhjeje Amerikë – Shqipëri, të vijë ari i demokracisë amerikane tek ne e kjo vjen vetëm duke e njohur demokracinë, këtë mund ta bëni vetëm JU që jetonë në demokraci, se populli ynë, i detyruar të jetojë në skllavëri dhe diktaturë, dashje pa dashje u mësua me skllavëri, me diktat, me varfëri, më nënshtrim… Demokracinë kurrë nuk e sjellin qeveritë, atë e sjell kultura demokratike e popujve e ne kemi nevojë për këtë kulturë, jo vetëm përmes krijimtarisë (për fat të keq edhe kjo nuk shkon në popull), që kjo është primare e shoqatës, por edhe nëpërmjet kontakteve dhe shkëmbimeve të eksperiencave.

Unë u shpreha dhe në një status në facebook, se: “Një ditë e veçantë, një ditë që do mbetet gjatë në memorie, se mbrenda saj u thurën dije dhe kulturë, kënaqësi dhe mall…

Nga dy kontinente, ku gjuha dhe gjaku i shkrinë konteinentet dhe u bënë NJE, në një sallë me libra në Muzeun Historik Kombëtar këtu në Tiranë… Mbresëlënës takimi, frytdhënës bisedimi…
U njohëm me njëri – tjetrin, biseduam me njëri – tjetrin, u ndamë për tu takuar në përurime librash tjerë nga autorë shqiptarë këtej e përtej oqeanit…
Nuk do t’i harroj fjalët e poeteshës Sulkuqi, që na nxitën lotë, të Reshat Arbanës që drodhën tokën, kur tha që “Dua të vdes në Atdhe!” fjalët e autorit, Adnan Mehmeti, që fliste me gjuhën e shokëve dhe të miqve të shoqatës së tij, ku udhëheq prej vitesh si President, duke përmendur veprimtarët Gjek Marinaj, Naum Prifti, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu… ku krahas krijimtaruisë së tyre, kanë dhënë një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e shoqatës…”
Dhe këtë e bëra pa lexuar librin, por sinqerisht, u përgëzoj me gjithë shpirt: U lumtë!

 

Të bashkosh krijues nga gjithë Amerika, vetëm ta mendosh të duket absurde, se ne jemi një pëllëmbë Shqipëri dhe janë dhjetra shoqata dhe klube shkrimtarësh, ku secili mbidhet skutave të veta, plotësojnë dekorata për njëri – tjerin, bëjnë vlerësime duke i krahasuar me korifejtë e letërsisë botërore, saqë, kanë harruar emrat e tyre, por dikush quhet dhe vetquhet “Esenini i Elbasanit”, “Kafka e Vlorës”… dhe nuk po shfaqet një autor të përfaqësohet me dinjitet, me individualitetin e tij artistiK e pse ka të tillë, shoqatat i mbysin ata në vend që ti ndriçojnë. Kjo është katraura e letërsisë shqiptare, kjo lloj katraure e mbështetur fuqishëm nga politika shqiptare, ka bërë që dhe “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë” të shkrihej për të kaluar në ilegalitet, për të vetmen arësye, që të mos shtoheshin radhët e saj me krijues modernë, por ata të jenë degë – degë, pa trung e rrënjë, në erë, ndërsa krijuesit e ngritur me taksat e popullit, përsëri ata sponsorizohen nga shteti, botohen tonelata libra dhe lëvrohem miliona para duke i hapur shtigje një korrupsioni të paparë, ashtu si dhe në çdo fushë tjetër në Shqipërinë tonë të droguar nga popitika pa politikë shqiptare.

 

Marr shkas nga fjala e Ilirjana Sulkuqit, në takim që tha: “Nipërit dhe mbesat e mia, Shqipërinë e kanë Atdhe të dytë, ndërsa unë kam Amerikën Atdhe të dytë…”, mendim, i cili u kundërshtua me fanatizëm nga disa tjerë, duke ngritur zërin me një patriotizëm folklorik, do të thosha, se ne shqiptarët vuajmë, se jemi thjesht APARENTË, nuk thellohemi në REALITETIN. Po si të them unë që mbesa dhe nipi im e kanë atdhe të parë Shqipërinë, kur nuk i krijoi kushte vajzës sime kjo Shqipëri të jetonin dhe kontribuonin në atdhe, por ikën nga sytë këmbët me nga dy diploma për tu kthyer shërbëtorë nëpër botë? Bota, mirë – keq, i punësoi, u krijoi mundësi të lindnin të vegjlit dhe ti ushqejnë e shkollojnë shumë herë më mirë e më paqësisht se në mëmëdhe? Ç’faj ka vogëlushi që nuk lindi në Atdheun e prindërve? Ai lindi dhe mori shtetësi të vendit ku lindi, atdheu i prindërve, mbetet në plan të dytë, ky është FAKT.

 

Tani që të tregohemi patriotë, duhet të mendojmë si patriotë të vërtetë. Meqë jetoni në Amerikë, ku çdo komunitet është i lirë të ruajë gjuhën, kulturën, traditën, bile nxitet edhe nga shteti, atëherë pyesni veren: “Çfarë kemi bërë për këtë? A kemi hapur shkolla shqipe? A jemi marrë seriozisht me ruajtjen e kulturës dhe kultivimin tek të vegjlit dhe rinia që lindën dhe rriten në Amerikë? Si veprojnë komunitetet tjera? Ku jemi ne? Duke shtruar këto pyetje, del nevoja e diskutimeve dhe jo vetëm fjalëve, por edhe punëve konkrete, jo duke e nisur për fitim material, por më shumë pasurim shpirtëror e me kohën, shtohen edhe të ardhurat po në shërbim komunitetit, që siç u shpreha në mënyrë të figurshme në fjalën time atë ditë “Të krijojmë një Atdhe të vogël në Amerikë”. Kjo është e mundur, por kjo mundet vetëm kur janë bashkë të gjithë, por sa kam informacion, përcarja i ka lëshuar kthetrat fort edhe në diasporë…

Kam dashur të bëj një shkrim me kohë për shoqatat në përgjithësi, por pse ta fsheh, roli i drejtuesve të shoqatës suaj në Amerikë, ka qënë vetmohues për kushtet dhe rrethanat ekonomike dhe shpirtrore të antarëve dhe me punën tuaj keni lënë gjurmë, por tani ka ardhur koha të BËNI HAPA dhe këto HAPA, kurrë nuk mund t’i bëni vetëm, por në bashkëpunim si komunitet shqiptar, duke mos financuar më politikanë e soj e sorollop që vjen atje duke u dhënë një dekoratë, në shkëmbim të miliona dollarësh, gjoja për të kontribuar për kombin dhe një zot e di se ku shkojnë këto para.

 

U bëj thirrje, mos lëshoni më asnjë dollar për politikën shqiptare, se asnjë çentes nuk shkon në dobi të kombit, popullit, zhvillimit, por në xhepat e djallit. Ato dollarë mblidhini si lagje, si shtet dhe ngrini një kopësht fëmijësh ku të flasin të gjithë shqip, një shkollë në gjuhën shqipe, por jo thjesht të mësojnë ta shkruajnë atë, siç e ka ngritur Kozeta Zylo, që gjej rastin ta përgëzoj, por nuk mjafton, por të jetë me programe për të shkuar deri në universitet në gjuhën shqipe.

Aq shumë më nxiti ky libër për të shkruar, saqë s’po di ta mbyll këtë shkrim, S’po gjej fjalë për tu faleminderuar që më ndryshuat opinion për shoqatat, se më ishin bërë alergji, mbase gjeta pak ajër tek ju, apo më mirë të them, pak besim për të besuar se do jeni vërtetë përcjellës i demokracisë amerikane përmes veprave e kontakteve tuaja me atdheun mëmë…

 

Së fundmi, që u kërkoj ndjesë, duhet ta kisha shkruar në fillim këtë pjesë, por shqetësimet nuk na lënë mendjen në vend për të vendosur gjërat siç duhet, por e rëndësishme është, që unë u kam ndjekur, si në aktivitete, si në krijimtari, si në kontakte me individë të veçantë, duke biseduar, marrë intervista, apo dhe kam qënë në përurime librash dhe kjo më ka dhënë mundësi të njoh edhe krijimtarinë e disa prej anëtarëve të kësaj shoqate. Vlen të përmend këtu të madhin Gjekë Marinaj, i cili mundësoi në 14 maj të vitit 2011 të sjellë në Tiranë poetin e madh, kandidat për çmimin Nobel në letërsi, Frederik Turner. Falënderoj gjithashtu, poetin brilant, Dalan Luzaj, që na mundësoi të merrnim pjesë në këtë takim mbresëlënës, ku mora një leksion të vyer për letërsinë e në veçanti për poezinë, nga dy njerëz të mëdhenj, nga Gjek Marinaj dhe nga Frederik Turner. Jo kushdo i bën këto mrekulli, po i ka bërë, Gjek Marinaj, themeluesi i kësaj shoqate që është në nderin e të gjithëve ta kujtojnë e ta nderojnë këtë njeri të madh të letrave shqipe përherë e vazhdimisht.

 

Intervistën e gjatë me poten Raimonda Moisiu titulluar “Korca për mua është aroma e blirit, serenatës, inteligjencës e qytetarisë… – Unë për Korçën jam bijë e saj!”, më 23 janar 2014, jam njohur me poezinë e Dalan Luzaj dhe kam bërë shkrimin “Dalan Luzaj, poet i dhembjes dhe i humbjes” (Refleksione nga libri “Kasollja e Interniomit”), po kështu me poezinë e poetit Përparim Hysi, ku përsëri shkrova refleksionet e mia të librit “Mbeta Dashurive” me titull “Dashuria ka kodet e saj, kode që e dallojnë nga jo dashuritë…” në maj 2012, kam marrë pjesë në përurimin e librit “Nuse në Derën e Hasmit” të autorit Pierre Simsia, ku nisa dhe refleksionet e mia për këtë roman, ku trajtonte temën e gjakmarrjes mrekullisht, në një këndvështrim krejt modern, ku jep dy panorama këtej dhe andej, ku helmi i gjakmarrjes i ndjek edhe përtej diellit, në Amerikë… por i kërkoj ndjesë këtij autori që nuk mund a ta realizoj këtë shkrim, për arësye kohe… Kam lexuar gjithashtu, disa libra të Petraq Palit, poezi nga Rita Saliu…

Kërkoj ndjesë që nuk po më kujtohen më tani, por nuk do lë pa përmendur fabulistin e mrekullueshëm Bardhyl Mezini, të cilit ia kam lexuar pothuaj të gjithë librat, por ai që më frymëzoi ka qënë libri “Mendimi i Fjalës” (Aforizma), i cili më frymëzoi dhe bëra shkrimin me titull: “Kur një libër të rrëmben, i dorëzohesh tërësisht…” botuar më 28 korrik 2016…

Shpresoj që librat e antarëve të shoqatës suaj jo vetëm të më sjellin kënaqësi, por edhe frymëzim për të shkruar në të ardhmen dhe dua të them se këtë ta sjellin vetëm librat cilësorë, qëllim i së cilës është dhe i kësaj shoqate.

 

Ëmbëlsira thonë është për në fund, një falënderim të veçantë i dërgoj poetit të madh Gjekë Marinës, i cili dha një kontribut të çmuan në redaktimin e librit studimor për filozofin, poetin, historianin, politikanin e shquar të kombit tonë Prof. Dr. Isuf Luzaj me titull “Isuf Luzaj – Një shtizë Diell mbi Atdhenë” botuar në vitin 2015.

Me kaq sa kam mundur unë të jem në kontakt me antarët e kësaj shoqate, them se natyrshëm është realizuar lidhja Amerikë – Shqipëri, se si unë, ka shumë e shumë tjerë, të cilët kanë pasur fatin edhe të shkojnë në Amerikë e bashkëpunimi ka qënë edhe më i madh, le të jetë kjo ura ylberore që të na mbajë lidhur për të marrë e dhënë njëri – tjetrit eksperienca dhe letërsi cilësore…

Duke i renditur këta autorë, të cilët i kam takuar, i kam lexuar dhe kam shkruar për ta e duke qënë se unë s’jam anëtare e asnjë shoqate këtu në Shqipëri, pa vetëdije, paskam qënë anëtare e shoqatës suaj!

Sivjet festoni 15 vjetorin e shoqatës, ndaj le të jetë urimi mi i pari për ju: Gëzuar ditëlindjen dhe suksese të mëtejshme!

 

Tiranë, 30 korrik

Filed Under: Komunitet Tagged With: Shoqata e Shkrimatreve, shqiptaro-amerikane, Zyba Hysa

PROMOVIM NE NEW YORK NGA VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE

April 27, 2014 by dgreca

Promovimi i dy librave të shqiptaro-amerikanit Halit Nezaj, “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” dhe “Udha e ëndrrës së thyer” u organizua nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan në restorantin EastWood Manor në një sallë të mbushur plot.
Ky promovim përkoi me shënimin e 102 vjetorit të Vatrës, përvjetor që u përcoll përgjatë veprimtarisë.
Takimin e ka moderuar mjeshtrisht shkrimtari Mhill Velaj, i cili interpretoi fragmente dhe vargje. Pjesmarërsit i ka përshëndetur fillimisht zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati. Folësja kryesore ishte Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro amerikan Raimonda Moisiu. Përshëndetën dhe përgëzuan autorin: Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Neë Jork, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan Adnan Mehmeti.Një kumtesë rreth librave të z. Halit Nezaj e mbajti Mehmet Kadrija. Diskutuan rreth librave edhe editori i Diellit Dalip Greca, kryetari i degës së Vatrës në Hartford Iliam Peci, Prend Cetaj, Shaban Gashi e të tjerë.U duartrokit gjatë edhe aktori nga Kosova Halil Teta, që recitoi fragmente poetike.
Autori falenderoi pjesmarresit, organizatoret dhe diskutantet.
Në fund nga familja Nezaj u shtrua një kokejl i pasur me ushqime tradicionale dhe pije të shumëllojshme.

Filed Under: Vatra Tagged With: Bekim Sejdiu, Gjon Bucaj, Halit Nezaj, Raimonda Moisiu, Shoqata e Shkrimatreve, Vatra

KUVENDI VJETOR I SHOQATES SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË NË ÄNGELHEOLM TË SUEDISË

January 19, 2014 by dgreca

Nga Sokol DEMAKU/

Në qytezën e vogël të Krahinës së Skånës në Ängelholm të Sueisë u mbajt Kuvendi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Suedi Pappa Klemnti i XI Albani.

Fillim viti cdo herë është koha kur bëhen rezymet e punës së shoqatave, asociaocioneve të ndryshme për vitin që lem pas, e kjo është një kënaqësi e vertetë për të gjitha ata të cilat në këte apo atë mënyrë kanë kontribua në arritjen e rezutateve të kolektivit të cilit ata i takojnë.Edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar në Suedi mbajti Kuvendin e saj vjetor në të cilin Kuvend në menyrë kritike u paraqitë puan e bërë dhe rezultatet e arrituran ë vitin që lam pas. Raportin mbi punën e kësaj Shoqate e paraqitit para Kuvendit Kryetari Hysen Ibrahimi,  i cili mes tjerash theksoi se viti që po lëm ishte një nder bvitet më të suksesshme të kësaj shoqate në tre vitete e egzistimit të saj. Këtë vit tha ai arritëm që ne të nxjerrim në dritë librin dy të ”Thesarit kombëtar të mërgatës shqiptare në Suedi”, cka është një e arritur shumë e madhe e anëtareve të kësaj Shoqate, e në bazë të angazhimit dhe punës së palodhshme të anëtarvë ne arritem që promovimin e këtij libri dhe librit numer një ta bëjmë në Republikën e Kosovës e edhe me më shumë suskes në Republikëne  Shqipërisë falë baashkëpunimit që kemi me miqtë tanë poetë e shkrimtarë atje.

Në raport u tha se anëtarët e Shoqatës janë shumë aktiv dhe me punën dhe vullentin e tyre poetët dhe shkrimtarët kanë arritur që lexuesit dhe opinionit ti dhurojnë libra të reja për lexim, piktorët dhe skulptorët të jenë prezent me punimet e tyre artistike si dhe në lamin e muzikës mos të ngelim prapa me konserte dhe prezentimin e  këngës dhe valles shqipe në mërgatë. Është bërë punë e madhe në thellimin e bashkëpunimit me shoqtat kulturore këtu por edhe jashta Suedisë e njëherit kemi marrë pjesë aktive në themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar në Europë me seli në Gjermani. U tha në raport se mungon bashkëpunimi me shoqatat e shkrimtarëve në Kosovë e në ketë drejtim duhet shtuar kontaktet atje.

Kryetari i shoqatës paraqitit edhe planin e punës për vitin vijues në të cilin sic u pa vend i posaqëm nga ana e anëterev këtë vit do ti kushohet prezentimit të Shoqatës në gjithë teritorin e vendit ku vepron me anë të orëve letrare, prezentimit të veprave të botuara nga ana e anëtarëve si dhe kontaktet me artdashsit. Do shiqhet mundësia e spornzorimit të botimit të veprave letrare, të ndihmohen artistët në hapjen e ekspozitave vetiake e kolektive, te ndihmohen grupet artisike në vend, hulumtohen mundësit e finansimit të evenementeve kulturoe e letrare.

Raportin finansiar për vitin që lam pas e paraqiti arkëtari i Shoqatë, ku në bazë të raportit dhe punës së bërë nga ana e komisonit mbikëryes del se Shoqata ka një bilans pozitiv finansiar dhe se egzisotjne të gjitha parakushtet se edhe ky vit do jet vit i suksesshem në aspektin finansiar duke falenderuar anëtarësin si dhe sponzoret që nuk kursejnë ndihmen e tyre që kjo Shoqatë të jetë e suksesshme.

Në bazë të propozimit të anëtarësisë së shoqatës u propozuan edhe ndryshime në Statutin e Shoqatës, kështu që me vendimin e Kuvendit mbajtur me datë 18 janar 2014 në Ängelholm të Suedisë Shoqata do thirret:
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar Papa klementi i XI Suedi

Miku, biznismeni dhe anëtari i Krysisë së kësaj Shoqate nga Ängelhom Mursel Shkupolli, shtroj drekë në restorantin e tij për të gjithë të pranishmit.

Filed Under: Featured Tagged With: Kuvend, ne Suedi, Shoqata e Shkrimatreve, Sokol Demaku

RAIMONDA MOISU U ZGJODH KRYETARE E SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

September 14, 2013 by dgreca

Zëvendës Kryetar u zgjodh shkrimtari Pal Ndrecaj, sekretare dr. Yllka Filipi, ndërsa  anëtarë të kryesisë Ramiz Mujaj dhe Sabina Veseli./

Ne Foto: Disa nga pjesmarresit ne takim/

Stamford, Connecticut- Të shtunën me 14 shtator, në mesditë, në një nga sallat e Librarisë të qytetit Stamford në Connecticut, organizoi takimin zgjedhor Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, që ka për president nderi, themeluesin e saj, Shkrimtarin Gjekë Marinaj, president Adnan Mehmeti dhe për mandat është udhëhequr nga kryetari  Dalan Luzaj.

Në takim ishte i ftuar edhe Prof. Dr. Selman Sheme, i ardhur në SHBA me ftesë të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra për të promovuar librat për Camërinë të shkruar prej tij.

Në këtë takim u bënë dhe tre anëtarësime të reja në radhët e shoqatës; Dr. Yllka Filipi, Aristotel Mici dhe Artur Vrekaj.

Takimin e ka hapur shkrimtari Mhill Velaj, i cili u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve dhe ka prezantuar të ftuarit. Takimin e ndoqi Gazeta Dielli me anë të editorit Dalip Greca dhe Adem Belliu, president i Televizionit Kultura Shqiptare.

Presidenti Adnan Mehmet ka përshkruar rrugën dy vjecare të shoqatës për, prurjet letrare të anëtarëve të Shoqatës, duke vecuar më të suksesshmit. Ai sqaroi se ky takim vjetor ishte planifikuar që të organizohej në 100 vjetorin e lindjes të filozofin dhe mdndimtarit Isuf  Luzaj,  Nderi i Kombit, c’ka ishte paramenduar edhe zhvillimi i një Simpoziumi me studiues edhe nga Shqipëria, por problemet teknike  për marrjene  vizave nga referuesit bëri që simpoziumi të shtyhej në një kohë tjetër.

Më pas presidenti Mehmeti kujtoi të pranishmit se Shoqata nderon në shkallën më të lartë, me plot mirënjohje, themeluesin e saj, poetin  Gjekë Marinaj. Librii i tij më i fundit sapo është promovuar në Bukuresht.Marinaj mbanë Gradën Doktor i Shkencave në Letërsi.

Po ashtu, z. Mehmeti falenderoi poetin Dalan Luzaj, që e drejtoi shoqatën për dy mandate radhazi. Fjalë përgëzuese tha presidenti Mehmeti edhe për liriken e shquar të Letërsisë Shqipe, poeten  Iliriana Sulkuqi, e cila ishte në poziconin e nëkryetares së Shoqatës. Kontribut të vecantë dha edhe Shkrimtari Mhill Velaj në postin e nëkryetarit së bashku me Kostaq Dukën.

Në kronikën e veprimtarive të shoqatës, Adnan Mehmeti renditi:

-Konkursi letrar “Pena e Artë” për vitet 2010-2013;

-Edicioni i dytë –Dita e Librit shqip në formën e një panairi(23 Maj 2010 në Bronx)

-Një sesion Shkencor në nderim të 100 vjetorit të Nënë Terezës së bashku me Federatën Panshqiptare të Amerikës, VATRA (Stamford)

– Po në bashkëpunim me Vatrën u organizua një akademi përkujtimore për Prof. Peter Prifti(16 nëntor 2010 në Bronx)

-Në Dhjetor 2010 u organizua takimi vjetor i Shoqatës në bibliotekën e Neë Yorkut

-Me 2 prill 2011 u festua me madhështi 10 vjetori i themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

-Veprimtari festive me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë e shoqatës në Alendalle NJ

Presidenti Mehmeti përmendi edhe festat promovuese të librave të anëtarëve të shoqatës.

Kryetari Dalan Luzaj, në hyrje të fjalës së tij tha: Sa herë që shoqata do të festojë përvjetore apo festa librash ne do të përshëndesim me respekt, krijuesin e kësaj shoqate, poetin Gjekë Marinaj. Ai evidentoi faktin e rritjes së shoqatës dhe përmendi suksesin e arritur nga shkrimtari i talentuar Ramiz Gjini, fitues i Cmimit Kombëtar “Pena e Artë” për gjininë e romanin. Po ashtu vecoi suksesin e poezisë së Gjekë Marinaj, duke e cilësuar si biblën e poezisë shqipe. Luzaj vlerësoi krijimtarinë e Petraq Pali, Rozi Theohari, Albana Melyshi, Kostaq Duka, Shpresa Vranari, Kozeta Zylo, Raimonda Moisiu, Mhill Velaj, Pal Ndrecaj, Fatjon Pajo, Pandeli Simsia e të tjerë.

Duke analizuar aktivitetin e shoqatës Luzaj tha se me shpërndarjen e saj në të gjithë shtetet e Amerikës, ka qenë e vështirë mbledhja bashkë, ndërsa ana finaciare, po ashtu ka qenë një arsye që e ka ulur shkallën e veprimtarive.

Posti i kryetarit, tha ai, është një obligim, por kryetari është një nga anëtarët, është një nga”ne”, s’është kryetari stimulus i anëtarëve, as mësonjësi i tyre. Këtë post ka mundësi që ta provoi secili prej anëtarëve pasi ai është i ndërrueshëm cdo dy vjet. Suksesi krijues i secilit anëtar të shoqatës përbën gëzim për secilin. Në këtë shoqatë jemi me dëshirën dhe vullnetin tonë, nuk na detyron kush, por duke qenë bashkë i ndajmë së bashku gëzimet e krijimtarisë. “Karatin”, ia ngre secili prej nesh vetes, tha Luzaj, duke komentuar rëndësinë e vlerave krijuese. Më pas ai diskutoi për vështirësitë financiare që has shoqata në organizimin e veprimtarive të saj. Përsa i përket shtimit të anëtrësisë , ai theksoi faktin se shoqata nuk i ka të mbyllura dyert, cdo krijues është i mirëseardhur.

Prof.dr Skënder Sheme ka përshëndetur të pranishmit dhe ka vlerësuar rëndësisnë e jashtzakonshme të diasporës shqiptare në Amerikë dhe rolin e saj historic në Lëvizjen Kombëtare , përfaqësuar me Federatën Panshqiptare të Amerikës e deri në ditët e sotme. Vecmas ai është ndalë në rolin e figurave të ndritura të Camërisë dhe kontributin e  tyre Lëvizjen Kombëtare. U ndal në mënyrë të vecantë edhe në figurën e poetit të Baldës Came, shkrimtarit Bilal Xhaferri, që një pjesë të veprimtarisë e kreu në SHBA. Profesor Sheme u ndal edhe në zhvillimet e sotme të cështjes came.

Studiuesja dhe shkrimtaja Dr.Yllka FILIPI, solli për të pranishmit qasjen mes strukturës së kantikës së parë të “Komedisë Hyjnore”, “Ferri” (Dante Aligeri), strukturës së “Vargjeve të lira” e “Novelat e qytetit të veriut” (Migjeni), si edhe strukturës së variantit të përpunuar të veprës “Pallati i ëndrrave” (Ismail Kadare.) Ajo sqaroi se baza e  këtij misioni krahasimtar ka nisur nga pikëtakimet e vetëdijshme të Kadaresë me Danten dhe remineshencat instiktive  të Migjenit me Ferrin dantesk. Analogjitë mes botës infernale danteske dhe asaj kadareane janë tashmë një përfundim i konsoliduar nga autori i cili e konstaton një gjë të tillë. Kadare e pohon tundimin  nga ferri dantesk, ndërsa Migjeni konstaton ferrin shqiptar.Argumentet për ndriçimin e kësaj teze i  konfirmon hulumtimi ndërtekstor në gjetjen e paraleleve si edhe i mbështet këndvështrimi i kritikës së deritanishme mbi këtë autor. Analogjitë mes Dantes dhe Migjenit janë parë si instancë e realiteteve që përsëriten gati njësoj pas pothuajse 7-shekujve diferencë në ekzistencën e jetëve zinxhir, në komunikimim telepatik mes tyre. Ky hulumtim krahasues është përpjekja e parë deri më tani në letrat shqip, për të përcaktuar nivelin dhe thellësinë e ndikimeve të Migjenit dhe Kadaresë nga vepra e Dantes. Interpretimi i veprave të të dy autorëve shqiptarë do t’i referohet këndvështrimeve danteske të cilat i përshkojnë ato përtej niveleve gjuhësore nëpërmjet një komunikimi superior, tejet të veçantë me bazë Ferrin, sipas metodologjisë së punimit. Ndërmarrja e kësaj teze synon hulumtimin në strukturën e kantikës së parë të ferrit të Dantes dhe gjetjen e pikave të përbashkëta me veprën e Migjenit për Ferrin shqiptar të viteve’30 dhe me veprën e Kadaresë për Ferrin modern, duke krijuar kështu në mënyrë të plotë edhe profilin letrar të dy autorëve shqiptarë. Personaliteti i 3-krijuesve reflektohet mbi veprat e tyre si të vetmet burime informacioni të pakontestueshme mbi botën infernale, duke u lexuar vertikalisht. Rrafshet paralele jemi përpjekur t’i heqim mbi afritë ekzistente që përcjell strukturimi i ideve, teknikave, vizioneve të cilat na shpien drejt thellësive arkitekturore mes teksteve.

Përshëndetën takimin: Shkrimtari Pandeli Simsia, Dalip Greca- editor i Diellit, Artur Vrekaj, studuesi dhe shkrimtari Aristotel Mici.

Në fund u bënë edhe zgjedhjet për kryesinë e re të Shoqatës, duke u bazuar tek anëtarët prezent dhe ata që ksihin dhënë vlerësimet e tyre përmes emaileve.

Kryetare e Shoqatës u zgjodh shkrimtarja Raimonda Moisiu, e cila sipas rregullave të shoqatës përzgjodhi edhe kryesinë: Nën/Kryetar Pal Ndrecaj, Sekretare- Yllka FILIPI, anëtarë të Kryesisë- Sabina Veseli dhe Ramiz Mujaj.

Kryetarja e sapo zgjedhur, zonja Raimonda Moisiu falenderoi shoqatën për besimin që i dhanë dhe premtoi se më mbështetjen e anëtarëve  të Shoqatës dhe angazhimin e kryesisë do ta kryente me pasion e vullnet detyrën.

Në fund u shtrua një kokteil i pasur me ushqime.

(Korresp. i DIELLIT)

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Mhill velaj, Raimonda Moisiu, Shoqata e Shkrimatreve, shqiptaro-amerikane, zgjedhjet e reja

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT