• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUKA, NJЁ TJETЁR POLIC SHQIPTARO-AMERIKAN NЁ YONKERS

January 4, 2019 by dgreca

1 a polici1 a polici me nenen

Njё tjetёr polic shqiptaro-amerikan nisi shёrbimin nё policinё e  Shtetit, nё Yonkers nё shtetin e Nju Jork-ut. Ai ёshtё Luke Kusick. Luka pёrfundoi studimet nё Akademinё e Policisё dhe pas graduimit nisi shёrbimin nё radhёt e policisё nё shtetin e Nju Jork-ut. Luka nuk ёshtё i vetёm oficer policie nga trungu i familjes sё tij. Ai vjen nga nje familje oficerёsh tё policisё: Victoria dhe Timothy Kusick, prindёrit e tij, janё oficerё policie. Pёrvoja dhe trashёgimia janё mё tё hershёm; edhe vёllai i nёnёs sё Lukёs,Victoria, Peter Vataj, ёshtё nga tё parёt oficerё tё policisё tё shtetit tё Nju Jork-ut, njё dedektiv tepёr i vlerёsuar dhe me pёrvojё.

Komuniteti shqiptar i uron Lukёs shёrbim tё sukseshёm dhe i dёshiron atij sukses nё detyrёn nё shёrbim tё qytetarёve ameirkanё. Elton Shametaj, oficer i policisё sё Nju Jork-ut,dhe aktivist i njohur pёr komunitetin shqiptar,tha se ndjehet i gёzuar qё po shtohen radhёt e policivё shqiptarё. Ai tha se Shoqata e policёve shqiptaro-Amerikanё i uron sukses Lukёs dhe shpreson se ai do ta cojё mё tej traditёn familjare.

Po ashtu edhe shoqata “Illyrian Society of Law Enforcement” e uron oficerin e ri dhe i dёshiron atij mirёseardhjen nё radhёt e policisё. Tash numri i policeve shqiptare ne Yonkers eshte i ndjeshem.

Federata Vatra e uron policin shqiptaro-amerikan duke i dёshiruar atij dhe tё gjithё policёve shqiptaro-amerikanё, suksese nё detyrё. Komuniteti shqiptar mburret me policёt shqiptaro-amerikanё, tё cilёt kanё krijuar edhe shoqatat e tyre dhe ndjehen pranё komunitetit nga vijnё.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Luke Kusick, polici me i ri, Shqiptaro-Amerikan, Yonkers

20-vjetori i Fondit Shqiptaro-Amerikan

October 7, 2015 by dgreca

Në sallën e “Hartave” në Kryeministri, mw datwn 6 tetor u organizua një ceremoni me rastin e 20-vjetorit të pranisë në vendin tonë të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.
Në këtë pritje morën pjesë Kryeministri Edi Rama, kryetari i Fondit, Michael Granoff, si dhe studentëve të programit “Lead Albania”. Fondi Shqiptaro-Amerikan u themelua në vitin 1995, nga Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Krijimin e Fondit, Kryeministri e cilësoi si fillimin e një kapitulli të ri për Shqipërinë dhe marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA. Rama nënvizoi se Fondi Shqiptaro-Amerikan është modeli që ka shërbyer si pikë referimi për të gjithë ata që kanë nevojë në rrugën e realizimit të ideve sipërmarrëse në vendin tonë. Për kontributin e dhënë në 20 vitet e pranisë në Shqipëri, Kryeministri Rama i akordi Presidentit të Fondit, Michael Granoff, “Medaljen e mirënjohjes”.

Filed Under: Histori Tagged With: 20-vjetori i Fondit, Shqiptaro-Amerikan

NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

April 21, 2014 by dgreca

THEMELIMI I “KOMITETIT SHQIPËRIA E LIRË”/
Nga Frank Shkreli
Ishte viti 1956. Lufta e ftohët midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik po ashpërsohej çdo ditë. Shqipëria e asaj kohe sundohej nga regjimi i Enver Hoxhës që po bëhej gjithnjë më i egër karshi kundërshtarëve të mbrendshëm, si dhe ndaj botës së jashtme. Që atëherë shiheshin shënja ksenofobike të regjimit enverist ndaj botës, sa që një gazetar i gazetës zvicerane, Neue Zuercher Zeitung e datës 7 Prill, 1957, shkruante pas një vizite në Shqipëri se, “Asnjë nga shtetet komuniste satellite qyshë prej mbarimit të luftës nuk e ka izoluar veten nga bota e jashtme aq heremetikisht sa Shqipëria e vogël”.
Përballë një regjimi komunist shtypës mbrenda vendit dhe tepër armiqësor karshi botës, sidomos asaj perëndimore në përgjithësi dhe kundër Shteteve të Bashkuara në veçanti – komuniteti shqiptaro-amerikan ndjente nevojën për themelimin e një organizate që nuk do të varej prej asnjë nga partitë politike shqiptare që vepronin në Perëndim në atë kohë. Njehej nevoja urgjente për një organizatë e cila do të shërbente jo vetëm si zëdhënse e komunitetit shqiptaro-amerikan, por e cila njëkohësisht do të shërbente gjatë viteve dhe dekadave të mëvonshme edhe si ndërlidhëse me autoritetet qeveritare të Shteteve të Bashkuara, sidomos Departmenti Amerikan i Shtetit, i cili më në fund filloi edhe të financonte Komitetin dhe veprimtarinë e organizatës së re “Shqipëria e Lirë”. Themelimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” po plotësonte një boshllëk që ekzistonte në atë kohë, zëri i të cilit nevojitej të dëgjohej, sidomos në Amerikë, por edhe në organizatat ndërkombëtare të kohës në SHBA dhe në Europë, ku ishin mësuar që versioni i ngjarjeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të paraqitej vetëm nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Kjo situatë ndryshoi kur në Nëntor të vitit 1956, pas këshillimesh me autoritetet amerikane dhe midis një numri shqiptarësh të dalluar, themelohet Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili, në një mënyrë ose një tjetër, do vazhdonte veprimtarinë e vet deri në fund të 90-ave, madje edhe me botimin e organit të saj “Shqiptari i Lirë”. Kështuqë atë vit u vendos të krijohej, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, e që i kishte venë vetes detyrën madhore për të punuar për, “Çlirimin e Shqipërisë, për sigurimin e integritetit tokësor të saj dhe për vendosjen e një demokracie të vërtetë në Atdhe, me anë zgjedhjesh të lira dhe të fshehta.”
Me atë rast u vendos që Komiteti “Shqipëria e Lirë” të vendosej në New York, pasi aty jetonte shumica e shqiptarëve. Si anëtarë të parë të Komitetit “Shqipëria e Lirë” — sipas organit të parë të Komitetit, “Albanian News Bulletin”, që ishte para-ardhësi i gazetës “Shqiptari i Lirë” – u zgjodhën Zotërnjtë Sotir Avrami, Vasil Gërmenji, Ndue Gjomarkaj, Dr. Rexhep Krasniqi dhe Nexhat Peshkëpia. Duke vendosur që antarësia dhe udhëheqja të ishin sa më demokratike, kishin vendosur që udhëheqja e Komitetit të ndërrohej çdo muaj dhe sipas emërit në përputhje me rendin alfabetik, por më vonë u vendos që kryetari të zgjidhej me shumicë votash, për një mandat prej një viti.
Duke marrë parasyshë situatën kombëtare dhe ndërkombëtare të kohës, u vendos që njeërzit që duheshin ngarkuar me këtë veprimtari me përgjegjësira kombëtare, të kishin aftësitë dhe zotësitë si dhe edukatën e lartë akademike dhe politike për të përfaqësuar shqiptarët me një organizatë të denjë edhe në bashkrendim dhe në kuadër të organizatave të tjera ndërkombëtare europiane nga shtetet komuniste, që bënin pjesë në “Asamblenë e Kombeve të Robëruara të Europës”. Qe marrë gjithashtu vendimi shumë i mençur, që anëtarët edhe udhëheqja e Komitetit, “Shqipëria e Lirë”, të mos i përkisnin asnjë partie politike, që siç duket ishte edhe një kërkesë dhe kusht i autoriteteve amerikane – ashtuqë të evitoheshin grindjet politike në radhët e anëtarve të Komitetit të ri, “Shqipëria e Lirë”. Ishte pra kjo një organizatë e pavarur, e cila kërkonte përkrahjen e të gjithë shqiptarëve dhe zotohej se do të bashkpunonte me të gjithë – por e kishte përcaktuar veten si “një organizatë që qëndron mbi çdo çështje partiake dhe që sheh qëllimet kombëtare si të vetmen detyrë”, ndërsa ka theksuar gatishmërinë dhe bashkpunimin me të gjithë ata të cilëve u “dhimbset Shqipëria.”
Për më tepër, themeluesit e Komitetit “Shqipëria e Lirë” patën deklaruar se ndonëse do të punonin me të gjitha mundësitë e tyre për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi, ata nuk po e bënin këtë me qëllim interesash personale që të drejtojnë punët në një Shqipëri eventualisht të liruar na komunizmi ndërkombëtar. Qeverisja e Shqipërisë, “Do të jetë” — kanë thanë ata me rastin e themelimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, — e drejta dhe privilegji i atyre që vuajnë dhe punojnë në Atdhe dhe jashtë.” Ndërkohë që ata u angazhuan se do të bënin çdo gjë që të jetë e mundur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për të çliruar Shqipërinë, ata kishin shpallur me atë rast edhe mbarimin e misionit të punës së tyre dhe të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, duke deklaraur se, “Detyra e Komitetit “Shqipëria e Lirë” do të mbarojë posa që Kombi Shqiptar të ketë rifituar lirinë që t’a shprehë vullnetin e vet me anë zgjedhjesh të lira.”
Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është shtuar në numër dhe përfaqësohet nga shumë organizata. Kohërat kanë ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe situata në trojet tona në Ballkan, natyrisht për më mirë, në krahasim me vitet 1950-ave të shekullit të kaluar. Tani u takon këtyre organizatave të reja e të vjetëra që të vazhdojnë punën dhe veprimtarinë e filluar nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, në mbështetje të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në mbështetje të përhershme të interesave kombëtare të shqiptarëve kudo, sidomos para autoriteteve amerikane, ne vendet ku jetojmë në këtë shtet të madh, por edhe në rajon dhe në arenën më të gjërë ndërkombëtare. Organizimi i sotëm dhe veprimtaria e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan megjithë të metat që ka, nuk kanë lindur nga ndonjë boshllëk ose mos veprimtari e gjeneratave të kaluara, por e kanë bazën në rrënjët e një historie të gjatë, burrash e grashë shqiptare, të dedikuar ndaj mbështetjes së interesave të kombit shqiptar, burra e gra, pjesëtarë të një komuniteti të hershëm shqiptaro-amerikan dhe të organizatave të krijuara prej tij, siç ishte Komiteti, “Shqipëria e Lirë”.

Filed Under: Histori, Komunitet Tagged With: Frank shkreli, Komiteti Shqiperia e Lire, NGA HISTORIA E KOMUNITETIT, Shqiptaro-Amerikan

U kremtua me madheshti njëvjetori i shoqatës së punonjësve shqiptaro-amerikanë të ruajtjes së rendit

November 23, 2013 by dgreca

Falenderim i veçantë u dha për të gjithë ata që i kanë mbështetur, qendruar pranë e ndihmuar për përballimin e shumëllojshmërisë së problemeve me të cilat përballen/

Nga BEQIR SINA, NY/

BROOKLYN, NY: Në kuadrin e aktiviteteve festive që po organizohen nga shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, dje u shënua në New York edhe përvjetori i parë i themelimit të Shoqatës Amerikane Shqiptare të Policisë Iliriane. Kjo shoqatë ka mbledhur deri tani rreth vetes me dhjetëra oficerë policie, shqiptaro – amerikanë. Ata shërbejnë çdo ditë e natë me profesionalizëm dhe përkushtim në organet e policisë federale, shtetërore, si edhe në strukturat e tjera që merren me ruajtjen e rendit dhe sigurisë, në nivele lokale, në shtetin e New York-ut dhe në SHBA.

Numri i shqiptarëve të punësuar në fushat e zbatimit të Ligjit, ruajtjes së rendit dhe mbrojtjes së qytetarit, këtu në Amerikë, në dy dekadat e fundit ka ardhur duke u rritur. Në mesin e tyre ka edhe disa gra e vajza, dy prej të cilave janë edhe veterane të policisë së New Yorkut: motrat Tonuzi nga Dibra, të bijat e Gani Tonuzit, emigruar në SHBA, 50 vjet më pare. Edhe ato janë anëtare të shoqatës “Illyrian Society of Law Enforcement” dhe u nderuan dje me medaljet përkatëse të Departamentit të Policisë së New Yorkut (NYPD).
Mbrëmjen u organizua në lokalin luksoz “Russo’s On The Bay” në Howard Beach -një zonë në mes Brooklynit dhe Queensit në New York.

Festimin e përvjetorit të parë të themelimit të Shoqatës Amerikane Shqiptare të oficerëve të policisë “Illyrian Society of Law Enforcement”, e udhëhoqën Flamur Cani, Brahim Dedushaj, Naim Kacic, Ylli Dautaj, Ismet Hoxha dhe Elton Shametaj. Në këtë mbrëmje morën pjesë më shumë se 500 vetë.

Kurse oficeri Naim Kacic bëri një prezantim të shkurtër të shqiptarëve, duke folur mbi disa nga virtytet më të çmuara para shfaqjes së një pjese të filmit “Besa – Premtimi”, nje produksion amerikan i cili tregon një histori të jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrejve gjatë përiudhës së Holokaustit, në Luftën e Dytë Botërore.

Pjesëmarrësit, mbajtën një minutë zi për vdekjen e deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi,
Në veprimtari morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, diplomatët nga Kosova dhe Shqipëria, ambasadori i Shqipërisë në OKB, z.Ferit Hoxha, dhe Konsulli i Përgjithshëm i R. së Kosovës, z Bekim Sejdiu, Asambleisti i parë shqiptar ne Kuvendin e New Yorkt, z Mark Gjonaj dhe mysafirë nga Shqipëria, si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe Arben Hanelli (Liaison Police Officer) nga Ambasada e Shqipërisë – Washington DC.

Mbrëmja u çel me këndimin e hymnve kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtaria e mirënjohur Merita Halili dhe vetëm me muzikë ai Kosovës, luajtur të tre në fizarmonikë nga mjeshtri Raif Hyseni.
Mbrëmjen e përvjetorit të parë e hapi Kryetari i kësaj shoqate, me gradën Kapiten, zoti Flamur Cani, i cili punon për më tepër se 22 vjet në NYPD (Departmenti i Policisë së New York-ut).

     Në fjalën e tij, Cani përmendi faktin se kishte mësuar shumë nga prindërit e tij dhe miqtë e shokët shqiptarë, bashkëkombasit nga traditat shqiptare. Ai veçoi mikpritjenpër të cilën shqiptarët janë të njohur dhe që i bën të ndihen shumë krenarë që janë shqiptarë: “Nuk mund të shkoni në shtëpinë e një familje të shqiptarëve e të pa mos ju shërbejnë një kafe , një pije – gotë raki, ushqime të traditës shqiptare, bujarinë dhe dashurinë shqiptare”, tha Cani.

       Ai tregoi se ishte më krenar se kur shikonte në këtë mbrëmje festive kaq shumë shqiptarë, “kolegë si oficerët të policisë, vëllezërit dhe motrat e komunitetit, njerëz të suksesshëm, si Mark Gjonaj, politikan i suksesshëm, Tahir Kukaj imam i xhamisë më të madhe në bregdetin lindor, biznesmenët të suksesshëm si Rrustem Geci, Harry Bajraktari, Anton Raja , Nijazi Dumani, Paul Kolaj, me të vëllezërit e tij nga “Famous Family Pizza”, Drejtorin e Përgjithshëm i Policisë shqiptare Artan Didi dhe shqiptarë të tjerë të përkushtuar gjithë jetën e tyre për punën e madhe – lidhur që të jetë e suksesshme , njerëzë që kanë respekt për familjet e tyre , miqtë dhe komuniteti”.

       Duke folur pwr shoqatwn, zoti Flamur Cani tha se ajo “do të na lejojë dhe do të na mësojë si ne të lidhemi së bashku në mbështetje për njëri-tjetrin, si të shkëmbejnë informacion me njëri- të tjetrin dhe si të vazhdojmë të ndajmë dashurinë dhe respektin për kulturën tonë të pavarur:.

Më pas e mori fjalën Elton Shametaj, i cili foli për njëvjetorin e krijimit të shoqatës shqiptare të punonjësve të policisë së Shteteve të Bashkuara.

“Jemi në hapat e para”, tha ai, “është viti i parë, por një vit plot punë, përpjekeje dhe arritje në ngritjen nga secili në sektorët ku punojmë e mbulojmë. Puna e përkushtuar e me profesionalizëm e secilit në rrjedhën e madhe të problemeve kan qenë të dukshme gjatë gjithë dinamikës së aktiviteteve vjetore”. Zoti Shametaj përcolli një falenderim te veçantë për familjet e policëve, komunitetin dhe të gjithë atyre që i kanë mbështetur, qëndruar e ndihmuar të afërmit e tyre, për përkushtimin e kohës ndaj detyrës dhe përballimin e shumëllojshmërisë së problemeve që kanë familjet dhe fëmijët e tyre.

“Duke ju uruar për arritjet e këtij viti, gjithashtu jemi të ndërgjegjëshëm se edhe më shumë duhet të bëjmë me komunitetin tonë për vitet në vazhdim, për fuqizimin e shoqatës dhe në horizonte të reja” theksoi zoti Shametaj.Në fund ai shprehu dëshirën që me këtë rast të shprehte respektin e thellë për të gjithë të pranishmit, klerikët, politikanët, biznesmenët dhe në veçanti për Drejtorin e Policisë së Shtetit shqiptar z Artan Didi, “i cili” tha Shametaj “na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij”.

Me këtë rast u nderua me Medaljen e Shoqatës së Dedektivëve të New Yorkut – nga DEA (Detectives Endowment Association), detektivi shiqptaro-amerikan Ismet “Izzy” Hoxha. Medaljet dhe çertifikata iu dorëzuan me këtë rast nga një grup dedektivësh dhe oficerësh të poliicisë së New Yorkut, që kishin ardhur enkas për këtë veprimtari për të nderuar kolegët e tyre, oficerë shqiptarë të policisë, në New York nga NYPD.

     Një nderim i veçantë iu bë me këtë rast në emër të shoqatës “Illyrian Society of Law Enforcement”, anëtarit të Asamblesë së New York-ut, zotit Mark Gjonaj, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Artan Didi si edhe veprimtarit të dalluar e biznesmenit të suksesshëm zotit Rrustem Geci.

Ylli Dautaj, lejtnant në NYPD, i cili pas luftës së Kosovës shkoi atje nga Amerika me mision për të ndihmuar, duke marrë fjalën tha: “Kam dalë këtu që në emrin tuaj t’i shpreh mirënjohjen e thellë, z. Geci dhe familjes së tij, të cilët kanë qendruar vazhdimisht në krah të rrjedhës së punëve tona, si dhe kanë ndihmuar konkretisht bashkëkombasit e disa viseve shqiptare”.

“Veprimet e Gecit”, tha ai, “kanë qenë frymëzim për të gjithë anëtarët e shoqatës sonë për realizmin cilësor e profesional të detyrave të ngrakuara z Geci do të jetë gjithmon me ne, ai do të ketë gjithmonë urimet me të shtrenjta të zemrave tona – Respekt dhe urime familjarisht!”

Përvjetori i parë i themelimit të shoqatës u mbyll në një mjedis festiv me këngë e valle shqiptare nga të gjitha trevat. Këngëtarët Merita Halili dhe Gëzim Nika krijuan një atmosferë të mrekullueshme, me këngët e tyre, nën drejtimin e orkestrës së Raif Hysenit.

Kryetar i kësaj shoqatë është zgjedhur kapiteni Flamur Cani, i cili punon më tepër se 22 vjet në NYPD. Qëllimi i kësaj nisme është kanë deklaruar ata për gazetën shqiptaro amerikane “Illyria” është që t’i bashkojnë shqiptarët që të punojnë në organet e ruajtjes së rendit dhe sigurisë. Shoqata, e cila tani ka 50 anëtarë, planifikon të zgjerohet me anëtarë të rinj dhe pastaj të regjistrohet zyrtarisht.

Per me shume fototgrafi mund te klikoni ne facebook https://www.facebook.com/beqir.sina/media_set?set=a.628378197227104.1073741895.100001647878982&type=3

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: i unionit te policeve, Shqiptaro-Amerikan, Tony Shametaj, U kremtua nje vjetori

Ju rrëfej Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

October 3, 2013 by dgreca

Esse –nga Raimonda MOISIU/

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë lindi në sajë të  devotshmërisë, forcës qytetare e intelektuale, kurajos e përkushtimit, të ritregojë e njohë historinë, ngjarjet themelore të saj,  duke i njohur ato u japim rëndësinë e vërtetë  marrëdhënieve universale, instikteve të tyre- mbështetur në idealet patriotike dhe atdhetare, vlerat kombëtare, kulturën, traditën e gjuhën, dëshmi këto e trashëgimisë së kozmopolitizmit që forcon shpirtin dhe sikush kultivon në vetvete atributet për të njehsuar pikën e origjinës të  identitetit kombëtar të  kombit nga vjen, në afinitet me kulturat e tjera në Amerikën multinacionale. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës,  ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro-amerikane, pohojnë të kaluarën e pararendësve, -elitës së shquar  të Rilindjes Kombëtare në ekzil, nga Fan Noli e Faik Konica, Arshi Pipa dhe Prof.Isuf Luzaj, Zef Oroshi, Qerim Panariti, Sotir Peci, Josif e Vasil Pani, Peter Prifti, Kristaq Trebicka, Anthony Athanas, Baba Rexhep Bardhi, Peter Lucas, At’Arthur Liolini, Prof.dr.Selaudin Velaj, etj. Ata mbartin me vete nderimin, respektin e kockës së erudicionit intelektual e krijues të tyre, dëshmi të njerëzores e shpirtërores, emocionuese dhe edukative. Vetë natyra, koha dhe liria u dha mundësinë të ngrenë strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, të idealeve e virtyteve të  kombit, pjesë e kulturës amerikane. Në pamje të parë bie në sy gjallëria e integritetit individual e kontributit dimensional krijues, kontribut që të bën të përfytyrosh si kanë qenë ëndrrat e paraardhësve, plot sfida e dhimbje, sakrifica e arritje, përkushtimin pakompromis e shkrimtarëve shqiptarë të parë në ekzil. Sikush prej tyre ka pasur ëndërr e  shpresë, kanë parë ecjen në kohë të gjeneratave, dinjitetin kombëtar të ngrihej e integrohej nga dita në ditë, nga dekada në dekadë, duke kapërxyer shekullin.

Kush ishte ideatori dhe mbështetësit e parë në themelimin e SHSHSHA-së.

Konfident në erudicionin dimensional qytetar, intelektual e krijues të tij,  i pari që  studio idenë  për të formësuar e paralelizuar atë  me idetë e  të gjitha ngjarjeve, privilegjin për të qenë pjesë e  historisë së popullit shqiptar në të dyja kahjet e Atlantikut, me idetë e parardhësve  të atyre që shënuan fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e  “Vatra”-ës dhe Rilindjes Kombëtare , ishte   -Gjekë Marinaj -duke mundësuar kështu  vazhdimësinë e integritetit të letrave shqipe me kurajon, forcën dhe mundin e shkrimtarëve të vjetër e të rinj, -Pikën e Bashkimit të Letërsisë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare.Si një metaforë për të kuptuar të kaluarën  interesante në kontekstin e trashëgimtarëve të atdhetarizmit e shqiptarisë, penës e dijes, për të përjetësuar  vlerat  dhe identietin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane,-duke qartësuar të tashmën dhe hapur udhë të ardhmes. Me idenë e dëshirën e mirë se e ardhmja i përket gjeneratës së re, djaloshi nga Malësia e Madhe, Gjekë Marinaj  karakterizohej nga karizma dhe kultura, që maturoheshin nga dita në ditë, për të lëvizur drejt fazës të bashkëpunimit, të natyrës universal, e tashmja  me të kaluarën.

Si  personazh që duket sikur vjen nga Muzeu Historik Kombëtar i kohës, Gjekë Marinaj  në vitin 1990-botoi poezinë satirike antikomuniste e titulluar “Kuajt”, poezi që do të ndryshonte krejt rrjedhën e jetës së tij. I ndodhur përballë kufirit izolues dhe arrestimit  të pashmangshëm më 12 Shtator të atij viti,  Marinaj sfidoi  me trimëri liridashëse, arratiset nëpërmjet kufirit shqiptaro-jugosllav në Jugosllavi. Më vonë ai kapërxeu oqeanin dhe u vendos në SHBA-ës. Ardhja e Gjekë Marinaj në Amerikë ishte moment moral, shpirtëror e historik në jetën e tij.  Me përpjekje e sakrifica,ngarkesë emocionale, lumë atdhedashurie për Shqipërinë e vendlindjen, me pasionin dhe talentin për letërsinë,  ai vazhdoi studimet  në  Shkencat e Përgjithshme,  u diplomua  në Brookhaven College. Më pas diplomohet në degën e Letërsisë Bashkëkohore, i  akordohet grada shkencore; Magna Cum Laude. Në të njëjtin Universitet mbaroi edhe Master-in në vitin 2008-ë, mbrojti gradën Ph.D. në Letërsi, në Universitetin e Teksasit, Dallas. Sot Prof. Gjekë Marinaj jep mësim gjuhën, komunikimet angleze dhe letërsinë botërore në Richland College. Është autor i  dhjetra librave me poezi, studiuese e shkencore për letërsinë bashkëkohore,  publicistikë e prozë, i vlerësuar nga Kritika e kohës me Cmime Kombëtare e Ndërkombëtare. Në kapërxyellin  e shekullit 21-ë, poeti, përkthyesi, kritiku letrar dhe publicisti shqiptaro-amerikan Prof. Gjekë Marinaj  doli me  teorinë në lidhje me Letërsinë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare; Grupimin e krijuesve, autorëve, poetëve e shkrimtarëve në ekzil, në  Shoqatë apo Lidhje Shkrimtarësh, – ide që pati efekt të thellë dhe mbështetje nga figura të njohura të Letrave Shqipe, mërguar në SHBA-ës, në  dekadën e fundit të shekullit të kaluar,-ide që do të bënte rrotacionin spektakolar dhe historik në letërsi; Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Prof. Peter R. Prifti- një nga personalitetet e shquara të kulturës shqiptaro-amerikane, dishepulli i devotshëm dhe nxënësi i fundit,  i drejtpërdrejtë i Fan Nolit., -u anëtarësua në ditën e themelimit të saj,  qëndroi deri në ditën që u nda nga jeta. Përgatitja e tij arsimore, përvoja jetësore që nga diplomimi në  Penn State College me  “Bachelor of Arts degree in Arts and Letters,” më 1949, më vonë ndoqi “University of Pennsylvania” ku fitoi diplomën “Master of Arts degree in Philosophy”. Punoi  si sekretar i Vatrës dhe redaktor i gazetës “Dielli”, që e afroi me Nolin, e ndihmoi të njihte më mirë komunitetin shqiptar, ndërsa puna shumë vjeçare në M.I.T. e aftësoi për t’u marrë me studime politike.

Përpos potretit e staturës intelektuale, qytetare e krijuese,  Prof. Peter R.Prifti cmohet nga mbarë bota shqiptare si; patriot, dijetar i shquar historian, filozof, politolog, gjuhëtar, përkthyes e letrar.

Me të parin që e konsumoi idenë e tij në lidhje telefonike–ishte poeti, shkrimtari, publicisti dhe kineasti Kolec Traboini,   nga mbështetësit e parë dhe bashkëthemelues i Shoqatës me  ndihmesë të admirueshme. Kolec Traboini është i njohur si  ndër lirikët më të zjarrtë të vargjeve lirike shqiptare në letrat shqipe, ai është nga ata autorë që shpreh shpirtin fenomenologjik me qartësinë e mendimit filozofik e artistik nën efektin e njerëzores. Është autor i mbi 20 librave poezi, prozë, esse e publicistkë, 12 prej të cilave me poezi, të mirëpritura e vlerësuara nga kritika e kohës, audienca e lexuesve dhe dashamirësëve të artit e letërsisë. Pena poetike e Kolec Traboinit është nga zërat poetikë më të rreptë i gjendjes sociale në stilin migjenian, me ide shprehëse dhe emocionale,  krejt e vecantë në poezinë bashkëkohore.

Në arkivën e themelimit të SHSHSHA-së, vend të vecantë zë, shkrimtarja e gazetarja Albana Mëlyshi Lifschin, antarësohet e para,  për eksperiencë e bashkëpunim, ajo do të marrë  kontakte të drejtpërdrejta me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëvë Shqiptarë në tokën mëmë, asokohe, Limoz Dizdarin. Albana Mëlyshi Lifschin është nga pioneret e para të gazetarisë shqiptare për femra dhe e cilësuar si pionere e tregimit me temën e emigrimit në USA. Emigruar në SHBA-ës në fillim të viteve ’90, ajo ka njohur vetëm ngjitje në krijimtarinë e saj duke botuar dhjetra libra  në disa zhanre; poezi, prozë, publicistikë e përkthim. Zonja Mëlyshi -Lifschin është  shkrimtarja shqiptaro-aemerikane, që ka shkruar librin dokumentar në Anglisht & Shqip-“Children of Kosova-stories of horror”- për ngjarjet e vitit 1999-të, genocidit të popullsisë kosovare nga rregjimi i Miloshevicit,  libër i vlerësuar denjësisht e respektivisht, nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton e Bordi i Arsimit i Shtetit të Neë York-ut, si tekst shkollor në shkencat sociale.  Botimi i këtij libri dokumentar historik, për cdo shqiptar, politikën e jashtëme amerikane e botërore ishte drita realiste e tragjizmit, shpërnguljes biblike, masakrat, heroizmi, epiciteti e gjithë historia horror e përgjakur e popullit martir të Kosovës, nga egërsia, mizoria e genocide sërbe, ndaj  popullit të pafajshëm. Ky libër tronditi mbarë opinionin amerikan e botëror,  i vuri ata në lëvizje për zgjidhjen e cështjes së Kosovës, mbrojtjen e popullit kosovar e të ardhmen e tij. Mbështetës e bashkëthemelues i SHSHSHA-së, është shkrimtari i mirënjohur, pionier  e figurë dominuese e letrave shqipe,  Mjeshtëri i rrëfimit e dialogut, -Naum R.Prifti. Personazhet e veprave të tij letrare janë njerës të thjeshtë, përvojat e jetës  me  fuqi të magjishme plot jetë në të kaluarën, të ardhmen e lirinë e tyre.  Shkrimtari Naum Prifti është shkrimtari që ka shkruar tregime për fëmijë e të rritur, disa prej tyre janë bërë filma, i vlerësuar nga kritika e kohës me cmime për veprat e tij letrare. Në mesin e komunitetit të bashkëthemeluesve vend të vecantë zë shkrimtarja dhe publicistja e talentuar,  “dardharja” e Bostonit në Amerikë, Rozi Theohari, autore e dhjetra vëllimeve me poezi në shqip e anglisht. Lexuese dinjitoze e veprës së Fan Nolit, intervistuese e  bashkëkohësve,  patriotëve, atdhetarëve të vjetër e të rinj, e kanë shëndrruar Rozi Theoharin në transmetuese e përhapjes së humanizmit, cuarjes e përjetësimit të veprës së Nolit, penë dominuese profesionale,  historike e publicistikës shqiptaro-amerikane. Poetja e Diellit, intelektualja, shkrimtarja, publicistja dhe Aktivistja e “Vatra” dhe “Dielli” në Amerikë, Merita Bajraktari McCormack, me  aktivitet prodhimtar,  krijues e atdhetar, e vlerësuar me Penën e Artë, është anëtare e parë e Shoqatës.

Nga më të admiruarit e të vlerësuarit mes shkrimtarëve modernë e bashkëkohorë, me kontribut të jashtëzakonshëm në letrat shqipe, bashkëthemelues i SHSHSHA-së  është  prozatori Ramiz Gjini. Në më shumë se një dekadë ai botoi gjashtë përmbledhje me tregime, dy romane e rikrijoi kohën këtej e përtej Atlantikut, përpjekjet e njerëzve të zakonshëm që u është kërkuar të sakrifikojnë rehatinë dhe çrrënjosin jetën e tyre, përpjekjet autentike në domethënien e natyrës njerëzore. Shkrimtari shqiptaro-amerikan, nga Qeparoi i Vlorës, Petraq Janko Pali, rradhitet si  mbështetës në themelimin e Shoqatës së  Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, duke qënë për dy mandate në Kryesinë e saj. Ai është biri i  eruditit e mësonjësit të Shquar të Bregut të Detit,”Mësuesit të Popullit” Janko Pali.  Altruist në thelb, shkrimtar profilik,  mjaft popullor, ai njihet  si  autor produktiv, i përkushtuar, pasionant, vecanërisht në rradhët e krijuesve shqiptaro-aemerikanë. Autor i dhjetra vëllimeve me poezi, prozë dhe publicistikë,  nën kujdesin e tij hulumtoi e botoi dorëshkrimet në tre vepra të Atit të Tij, eruditit Janko Pali, dhurata të cmuara historike e vlera kombëtare, shërbim  i  cmuar,  historisë e kombit. Prof. dr. Selaudin Velaj, aktivist i shquar  i cështjes kombëtare, kontributi  akademik e krijues, realiteti dhe përvojat jetësore, bashkëpunëtor i drejtëpërdrejtë prej mëse 30 vjetësh i At’Arthur Liolinit, klerikut të nderuar e  pasardhës i Fan Nolit,  kanë formuar tek Dr.Velaj, portretin e njeriut, që janë mishëruar, ndershmëria, dinjiteti, bujaria dhe fisnikëria. Me këtë rast  dua të përcjell  emra të tjerë të zërit intelektual e krijues, figura të njohura të letrave shqipe, mbështetës dhe anëtarëve të Shoqatës që me themelimin e saj:poetin martir të Demokracisë Viktor Martini, Prof. dr.Thanas Gjika, shkrimtarin Spiro Gjikondi, poetja Julia Gjika, Genc Leka, poetja bilingual e vlerësuar nga kritika amerikane, Sidorela Risto, Kreshnik Ndreu, poeti i dhimbjes e atdhedashurisë, Lek Gjoka, Marash Mali, Tom Paloka, Nikolin Markaj, Ferhat Ymeri,etj.

Të gjithë këta autorë në unitet mendimi e ideje, shënuan  kthesën e parë historike në hyrje të shekullit të ri-pikërisht në vitin 2001-themeluan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në përputhje me Ligjet amerikane,  shoqatë jofitimprurëse, me President,  ideaotorin, i konsideruar tashmë themeluesi i saj, Prof. Gjekë Marinaj e Kryetar i Kryesisë së Parë të SHSHSHA-së, shkrimtarin e shquar Naum R.Prifti,  sekretar: Sami Milloshi, publicistin e mirënjohur herët në median shqiptare dhe poet.  Me  kontribut përkushtues e konstruktiv  me opinione dhe mendime,  i apasionuar pas letërsisë, vecmas në gjininë e poezisë,  Sami Milloshi është autor i disa librave me poezi në shqip dhe anglisht, të vlerësuara nga kritika e kohës shqiptare dhe amerikane. Ndërkohë Milloshi ka hedhur idenë se historia e letërsisë shqipe duhet të rishkruhet mbi bazën e vlerave letrare, ashtu si në botën e qytetëruar.

Luigj Cekaj, djaloshi shkodran,  në moshë të njomë u  përball  me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si  biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetaën “Besa”, Shkodër. Emigron në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, aktualisht punon në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës  Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës, Hardsdale, Neë York. Anëtar i Shoqatës dhe sekretar i saj. Në mbledhjen e parë të Shoqatës do të vendosej për zgjedhjen e Kryesisë së re njëherë në cdo tre vjet e më pas në cdo dy vjet. Nga viti në vit anëtarësimet në Shoqatë rriteshin, reputacioni i saj  forcohej e maturohej, me besimin  se individi krijues është arbitri kryesor i zërit krijues letrar, intelektual, qytetar e shqiptar.Cdo anëtar ka lidhje të drejtëpërdrejtë ndaj parimeve që udhëheqin Shoqatën, bazuar në mendimin e vlerën, krijimtarinë e korifejve të letrave shqipe në dy kahjet e Atlantikut, trojet shqiptare e tokën amerikane. Në raport me vitet duke njohur vetëm ngjitje e progress,  kryetar i Shoqatës u zgjodh Ramiz Gjini, në dy mandate  dhe me tërheqjen e Prof. Gjekë Marinaj si President Nderi i  Shoqatës,  u zgjodh,  poeti dhe publicisti i mirënjohur nga Presheva, Adnan Mehmeti,  figurë emblematike e dominuese e Letërsisë Postkomuniste të Diasporës,  status që vazhdon  aktualisht. Z.Adnan Mehmeti është autor i disa librave me poezi në gjuhën shqipe, angleze, me aforizma  dhe publicistikë, fitues i disa cmimeve kombëtare e ndërkombëtare, jeton e punon prej vitit 1995-së në SHBA-ës. Poeti e Publicisti, Mehmeti, konceptin filozofik për jetën,  e ka kthyer në parim jetësor e krijues. Ai mendon se nuk  mjafton vetëm të jetosh, jeta matet me vepra. Lum ata që bëjnë vepra. Vepër nuk është vetëm të botosh  libër. Vepër është të mbjellësh pemë para shtëpisë për ta gjelbëruar qytetin dhe t’i japësh kuptim e shpresë asaj. Puna e shkrimtarit është e lidhur me librat,-shprehet Mehmeti. Në fëmijëri ka lexuar për Fan Nolin, gjithmonë e mundonte kurreshtja se ku kishte lindur, Noli ynë.  I apasionuar dhe  dashamirës i veprës së Nolit, -Mehmeti  studioi në Universitetin e Prishtinës,  mësoi  jetën dhe veprën e tij. Ka brengën, që herë -herë e trondit, për vendlindjen; Se kujt i takon Lugina e Preshevës. Deri kur kështu?!-pyet poeti, brengë që e ndan me bashkëkombësit, familjen,  në poezitë e librat e tij. Nën presidencën e z.Adnan Mehmeti, Shoqata  ka pasur  rritje në anëtarësim dhe krijimtari në nivel të admirueshëm artistik e krijues, aktivitete të ndryshme me taban historik, kombëtar, atdhetar e letrar. Nga sukseset më simbolike e historike, nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të  Mehmeti, është dalja në dritë e revistës “Pena” , organ letraro-artistik, kombëtar e historik.  Aty pasqyrohen shkrime letrare, poezi, tregime, dhe publicistikë, nga autorë të ndryshëm, anëtarë të shoqatës, komunikimi me lexuesin dhe dashamirësit e letrave shqipe, në evoluimin modern të penave poetike dhe prozë.  Revista “Pena’ gjendet në Bibliotekën Amerikane, në atë të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, dhe Bibliotekën e Kishës Autoqefale Shqiptare e Shën Gjergjit, e Fan Nolit, Boston.

Në vazhdën e traditës, dy mandate rradhazi si Kryetar i SHSHSHA-së ka qënë poeti dhe prozatori Dalan Luzaj, djali i vetëm  i Prof. Isuf Luzaj, një nga personalitet më të shquara të nacionalizmit në Shqipëri, kulturës shqiptaro-amerikane, bashkëthemelues i Partisë Social-Demokrate me Musine Kokalarin dhe Kastriot Mucon,  poet, mësonjës e filozof. Shkrimtari e poeti Dalan Luzaj karakterizohet nga mirësia e paqja shpirtërore,  pjekuria e fisnikëria intelektuale e qytetare, i heshtur, tejet modest, i ngrohtë në komunikim, njerëzor e shoqëror, shpërthyes në pikat kulmore të situatave të ndryshme të farsave sociale e historike, i kursyer në ndërtimin e strukturës poetike dhe përsosmërisë së artit të bukur e të vështirë poetik. Dalan Luzaj, autor i disa vëllimeve me poezi e prozë, hulumtues dhe mbledhës i veprës së Atit, i 12 vëllimeve filozofike, nën titullin “Kujdesi i Bletës”, etj, vazhdon të mbajë figurën dhe trashëgiminë e penës së  tij.Pena krijuese  e Dalan Luzajt ecën  me të njëjtin ritëm e kredibilitet të cmuar, të freskët,  figurë model për brezin e ardhshëm, kohën, kujtesën, historikun e kombit e letrave shqipe në Diasporë. Po sjell në vëmendje kontributin e Nënkryetarit të Shoqatës, për disa mandate e poetit e prozatorit, Mëhill Velaj, nga Peja e Kosovës, me banim në Stamford, Connecticut.  Është anëtar i Shoqatës me themelimin e saj, dashamirës, enthusiast e  optimist i artit e letërsisë,  nuk kursen talentin, kontributin krijues e intelektual, aktivist e shpirtëror, filantropist në botimin dhe përjetësimin e veprave krijuese. Autor i dhjetra librave me poezi, në gjuhën shqipe, angleze, frënge e  rumune, me prozë; në gjininë e tregimit e romanit dhe publicistikë. Shkruan herë pas here në shtypin shqiptaro-amerkan,gazetat “Illyria”, “Dielli”,  ” Bota sot” SHBA,  Shqipëri e Kosovë,  “Fjala e lirë“, Londër , ëebsite e forume bashkatdhetare në internet. Ajo cfarë e bashkon poetin, prozatorin dhe publicistin Kostaq Duka me SHSHSHA-ë dhe kolegët e tij, është  tematika që trajtojnë në veprat e tyre, dhe  padyshim Duka mbetet autori që i jep formë letrare-artistike e mendim filozofik në gjini të ndryshme; tradicionales, qytetares, sociales, dashurisë, mallit, kuptimit për jetën, vepra që identifikojnë vlerat e vërteta, shkrimtari që jeton brenda detajit artistik.Kostaq Duka i diplomuar për Shkenca Politike Juridike, dega filozofi-është nga pionerët e parë të gazetarisë e publicistikës shqiptare me reportazhe, kolumna, opinione në gazetat e Korcës e të Tiranës. Për dy mandate ka qenë Sekretar i SHSHSHA-së. Shkruan rregullisht në gazetat; Iliria, Dielli, Fjala e Lirë, Londër, Korca, Devolli etj.

Në  mesin e shkrimtarëve në ekzil,  anëtar i hershëm i SHSHSHA-së është shkrimtari dhe publicisti Pierre Pandeli Simsia. I lindur në qytetin antik të Beratit, në familje autoktone, intelektuale e qytetare beratase, e njohur në fushën e farmaceutikës. I diplomuar për ekonomi-financë, ai u dashurua me muzikën e  letërsinë në adoleshencën e hershme. Autor i disa librave në prozë e publicistikë, romancier, shkrimtar profilik, shtjellon tema të ndryshme së; fëmijëria nën diktaturë, dramat  sociale, zakonet e tradita, emigrimi, shtjellimi i dukurisë së gjakmarrjes, etj,   janë pjesë e rrëfimeve të autorit. Prej vitit 1997-ë jeton, punon e krijon në Neë York.Është aktiv në artin e kulturën shqiptaro-amerikane,  prodhimtar në letërsi e publicistikë, boton në median shqiptare, Diasporë e libra. Për krijimtarinë e tij është nderuar me disa çmime, në SHBA, si: “Pena e artë”, “Petro Marko” etj. Për këto merita, ai është zgjedhur sekretar  i SHSHSA-së, në dy mandate.

 

Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës aderojnë figura të njohura të letrave shqipe.

 

Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës, e cila tashmë është grupuar në SHSHSH-ë aderojnë figura të njohura të letrave shqipe; Poetja dhe Publicistja Iliriana Sulkuqi, autore e dhjetra vëllimeve me poezi, në gjuhën shqipe e angleze, kritikë letrare e publicistikë, një mandat, Nën/Kryetare e Shoqatës, e shpallur Ambasadore e Paqes. Poeti e Prozatori Fatjon Pajo, autor i disa librave me poezi, romane e tregime, në gjuhën shqipe e angleze, i vlerësuar me Cmime kombëtare, Pena e Artë  në Atdhe e Diasporë. Tema me  drama sociale e traditicionalja e kanë bërë Fatjon Pajon shkrimtar dhe poet bilingual në gjuhën shqipe e angleze, i admiruar e kërkuar  në qarqet letrare të Diasporës e trojet shqiptare.  Shkrimtarja simpatike nga Mitrovica Teuta Shabani Toëler  jeton e punon në SHBA-ës,  bën pjesë në  grupin e parë të autoreve femra të anëtarësuara në Shoqatë, autore e disa romaneve investigativë. Eleonora Gjoka Kosta apo Elko-vajza e valëve të Bregut të Detit, poete dhe studiuese e imazhit të gruas nga mitologjia në botën reale.

Autor i dhjetra romaneve, tematika që romancieri i afirmuar  Vlash Fili shtjellon e trajton, është metamorfoza e një populli të tërë në diktaturë. Midis fillimit dhe fundit të romaneve të Filit,  ekziston dinamika e përvojave të  jetës në  krijimin e formave të reja,  lidhjen që iu bën personazheve, kalvarin e dhimbjeve, sakrificave, lidhjet e forta familjare, burgun, internimin, të cilin ai e ka provuar, Vlash Fili ia arrin qëllimit të bëjë të prekshmen dhe njerëzoren. Meritë të vecantë zë organizimi i Ditës së Letërsisë në Michigan, cdo vit në muajin e letërsisë,  nga poeti, shkrimtari e Botuesi i Revistës KUVENDI  në Diasporë,  Pjetër Jaku, me  mbështetjen e SHSHSHA-së, revistë ku konkurojnë vlerat letraro-artistike. Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, tashmë është bërë simbol epoke në Diasporë e njohur për aktivitetet e larmishme disa herë në vit, me tema të ndryshme nga arti, letërsia, tradita e temat sociale, histor8ike e atdhetare, gjithmonë në bashkëpunim me SHSHSHA-së.Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Skifter Këlliçi  me biografi të pasur letraro-artistike, publicistike, gazetar sportiv e televiziv. Autor i njohur për krijimtarinë produktive,  i përket muzeut historik të letrave shqipe mes  dy epokave. Roland Musta poet e prozator, Bardhyl Mezini, poet e fabulist, Përparim Hysi, poet, esseist e prozator, Ivzi Cipuri, poet, publicist e diplomat, Klajd Kapinova studiues, kritik letrar, shkrimtar e publicist, Uk Lushi shkrimtar e publicist shqiptaro-amerikan, dalë nga gjiri i luftës së UCK-së, Rita Saliu poete, luftëtare  dhe veprimtare e shquar e cështjes së Kosovës, e nderuar me Certefikatën e Mirënjohjes nga ish-presidenti Bamir Topi, Tom Mrijaj studiues, monografist, esseist, shkrimtar e publicist, Shpresa Vrana romanciere dhe esseiste trajton temën e gruas, Yllka Filipi, shkrimtare bilinguale, në gjuhën shqipe, spanjolle e angleze, e  vlerësuar nga kritika  e kohës si  zë unikal në letërsinë moderne shqiptare. Anton Ceta,poet, shkrimtar, kritik letrar e studiues, Pal Ndrecaj, shkrimtar, esseist e kritik letrar,  dr.Adem Harxhi, seksolog e publicist, autor i disa librave,  Dedë Elezaj poet e filantropist i Shoqatës, Makfire Canolli poete, Sabije Veseli, romanciere bilinguale në dy gjuhë; shqip e anglisht, poetë e krijuesë; Ramiz Mujaj, Aulona Goxhaj,  Këze Zylo,  Gjeto Turmalaj, Ndue Hila, Guri Stefani, Skënder Kodra, poeti e pikturisti, Nexhat Imeraj, Eduard Dilo, Margita Markaj, Isuf Grejcevci, etj.

Brenda e jashtë SHSHSHA-së  jetojnë, punojnë e shkruajnë në ekzil figura të shquara të letrave shqipe; Shkrimtari e poeti Petraq Risto, shkrimtari, poeti e publicisti Roland Gjoza, shkrimtarja e  gazetarja e shquar, Elvira Dones, Shkrimtari i Shquar Fatos Kongoli, bën  jetën mes Amerikës, Europës dhe Shqipërisë, poeti prozatori dhe kritiku letrar Vaid Hyzoti, shkrimtari e poeti i mirënjohur Thani Naqo, shkrimtari e publicisti Agim Bacelli, poeti i talentuar, martir i demokracisë, Alfons Grishaj, ”,  poetja e talentuar Elinda Marku, publicisti e akademiku Shpëtim Nazarko, poeti i shquar i vargjeve lirike shqiptare Nexhip Ejupi, poeti e publicisti devolli, Luan Kalana,  poetët Hekuran Miraka, Genci Kastrati, Sami Gjoka, Valbona Dardha, Aida Dismondy-i, Vasil Makoci, Monda Hamitaj Vera Kurti, etj. Ndihmesë dhe mbështetje ee admirueshme e historike,  të Federatës Pan Shqiptare Vatra nga dr.Gjon Bucaj  dhe Editori i gazetës Dielli, publicisti i mirënjohur Dalip Greca, ndihmesën e mbështetjen e dr.Anna Kohen, Presidente e Shoqatës”Motrat  Qiriazi”, bisnesmeni e filantropisti Zef Balaj,  ndihmesa dhe mbështetja Prof.dr Fatmir Terziut në botimin dhe lëvrimin e letërsisë në ekzil,nëpërmjet, “Fjala e Lirë”, ndihmesa e artistit piktor, i kudogjenduri Astrit Tota e artisti aktor Shaban Lajci, gazetarit Beqir Sina, etj.. Në  Amerikën e Veriut,  jetojnë, punojnë e krijojnë në Kanada, njerës të shquar të letrave; dramaturgu, shkrimtari, eseisti, poeti e kritiku, Prof. Vangjush Ziko, poetja e talentuar Majlinda Bashllari, poetja Sose Dumani, shkrimtari, prozatori i talentuar, i mirënjohuri,  Faruk Myrtaj, Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Kristaq Turtulli, shkrimtari, publicist e eseisti Vangjush Saro,  shkrimtari e publicisti Nexhip Bashllari, shkrimtari për fëmijë Janaq Pani, Sillo Mucko, etj.

Sot  Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon e mbështet shkrimtarë, poetë dhe  artistë,  që  identifikojnë Letërsinë Postkomuniste të Diasporës, i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes,  të gjithë ata, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj. Letërsia Post-komuniste e Diasporës dhe  SHSHSHA-së sjellin  zbulimin e zërit të veçantë e veprave të Rilindjes, shpirtit shqiptar, shqiptaro-amerikan e krijues të letrave shqipe,  ideve të artit si frymëzim shpirtëror, dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes,  formimit fizik e intelektual, shprehin më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë. Në dashuri, në art, jetën social-ekonomike-politike njeriu është gjysma, gjysma tjetër është figura, vepra, mendimet dhe filozofia e tij. Jemi ne që bëjmë art e jetë, në një trup e mendje të vetme, në mbrojtje dhe integrimi të vlerave kombëtare, gjuhës shqipe, traditës, kulturës, letrave shqipe e historisë–mesazhin e dashurisë njerëzore, njehsojmë identitetin kombëtar shqiptar në formë e përmbajtje.

Postscriptum

Më 14 shtator 2013, në mesditë, në një nga sallat e Librarisë të qytetit Stamford në Connecticut, USA , organizoi takimin zgjedhor Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë e zgjodhi Kryesinë e re;

President –Poetin e Publicistin, Adnan Mehmeti

Kryetare-Shkrimtaren e publicisten, Raimonda Moisiu

Nën/Kryetar –Shkrimtarin e Kritikun, Pal Ndrecaj

Sekretare –Shkrimtaren e poeten, dr.Yllka Filipi

Anëtarë-Romancierja Sabije Veseli, poeti Ramiz Mujaj

 

Hartford CT USA

Tetor 2013

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: e shkrimtareve, Raimonda Moisiu, rrefn shoqaten, Shqiptaro-Amerikan

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT