Kryeministri Edi Rama, duke folur në ceremoninë e hapjes së Zyrës së re të Punës në qytetin e Kavajës, tha sot se “punëdhënësi më i madh është sipërmarrja private, ndaj dhe prioriteti kryesor i Qeverisë, rritja e punësimit, është domosdoshmërisht e lidhur me krijimin e kushteve dhe nxitjen e zhvillimit të kësaj sipërmarrjeje”. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm dhe me efekte pozitive të ndërsjellta, bashkëpunimin e Zyrës Kombëtare të Punësimit dhe atyre rajonale me biznesin privat. Ndërsa përsëriti angazhimin e qeverisë, tashmë drejt legalizimit të plotë, paketën fiskave me masa lehtësuese për industrinë fasone, Kryeministri bëri të ditur se shumë shpejt, në afërsi të qytetit të Kavajës do të ndërtohet një zonë industriale, në përbërje të së cilës do të ngrihen kapanone në shërbim të zhvillimit të industrisë fasone, çka, sipas tij, do të krijojë mundësinë për punësim të mijëra grave dhe vajzave të këtij qyteti. Rama solli të konkretizuar me shifra suksesin e zyrave të reja të punës në muajin e parë të vitit. “Në vetëm një muaj tre zyra të sapoçelura kanë ndërmjetësuar dhe kanë mundësuar punësimin e 1055 personave, ndërkohë që gjithë rrjeti kombëtar i punësimit në Shqipëri vitin e kaluar, ka arritur të punësojë vetëm 600 vetë”, tha Rama. Sipas tij, 2855 gra dhe vajza të qytetit të Kavajës, të regjistruara si punëkërkuese, do të mund të punësohen nëpëmjet kooperimit të zyrës së punës me nevojat për kapitale njerëzore të sipërmarrjes.
Rama: Projekti fitues, europian dhe autentik për Vlorën
Nga Almarina Gegvataj/- “Propozimi fitues i studios XDGA mund të titullohet fare mirë “Vlora zgjim i bukur”, deklaroi mbrëmjen e të premtes Kryeministri Edi Rama.Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kreu i Ekzekutivit e konsideron projektin fitues fantastik, europian dhe autentik për Vlorën.
”Sot u zhvillua finalja e konkursit për vijën bregdetare të Vlorës ku pati pesë propozime të nivelit të larte ndërkombëtar.; një projekt sa fantastik aq edhe i thjeshtë, sa ëndërrimtar aq edhe i realizueshëm, sa europian aq edhe shumë autentik për Vlorën. Tani nis puna për detajimin e projektit dhe kthimin e tij në zgjimin e bukur të Vlorës së shekullit të ri”, shkruan Kryeministri Rama.
Projekti i Lungomare në Vlorë iu besua studios projektuese belge XDGA, të përfaqësuar nga arkitekti Xaveer de Geyter. Juria finale ndërkombëtare, e përbërë prej 9 anëtarësh, arkitektë e ndërtues të mirënjohur, përzgjodhi projekt-propozimin e kësaj studioje, si vizionin më të mirë për shndërrimin e Vijës Bregdetare të qytetit të Vlorës në njërën prej pikave më tërheqëse të Mesdheut.Qytetarët vlonjatë ndoqën nga afër sot, shpalosjen e 5 projekt-ideve më të mira, të përzgjedhura nga juria prestigjioze midis 45 propozimeve të paraqitura.
Sipas Jurisë, ky projekt përmbushte më së miri dy objektivat kryesore të përcaktuara prej saj; respektimin dhe shfrytëzimin e hapësirës prej 5 kilometrash të shëtitores së Vlorës, si dhe përshtatjen e projektit me elementët specifikë të kësaj shëtitoreje. Njëkohësisht, kjo juri përzgjodhi studion arkitekturore vendase “Metropolis”, si studion më të mirë, e cila do të jetë partner kryesor me studion e huaj për zhvillimin e projektit.
Fitues të vendit të dytë dhe të tretë u shpallën përkatësisht; studio zvicerane HFF, përfaqësuar nga Simon Hartmann dhe studio franceze L’AUC Paris, përfaqësuar nga Djamel Klouche.Ndonëse fituese kryesore është vetëm një studio, kryeministri tha më herët, në përshëndetjen e tij, se të gjithë pjesëmarrësit, me idetë e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. “Padyshim, çdo ide e vlefshme do të jetë pjesë e integruar në këtë projekt madhor për qytetin tonë, në projektin që hap siparin e Rilindjes për Vlorën.” u shpreh ai.
Të ftuar në Juri ishin edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Englantina Gjermeni.Studio XDGA, me qendër në Belgjikë, është e përqendruar në arkitekturë, projektim urban dhe projekte në shkallë të madhe. Fituese e disa projekteve në Belgjikë, XDGA ka marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe projektimit urban.
PËR PRIZRENIN, RAMËN, THAÇIN, PAKICAT NË KOSOVË E SERBI DHE INTEGRIMET SHQIPTARE NË BE
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Qeveria Rama i dha shumë rëndësi takimit të Prizrenit, i cili u bë gjatë fundjavës, pra jo gjatë ditëve të punës, më tepër si një takim informal – larg ngjyrimit zyrtar. Megjithatë përshkohej nga rregulli dhe disiplina shtetërore, orari i nisjes, përfshirja. Autobuzi jo me ngjyrë të purpurt, por në okrën e preferuar të Van Gogh-ut, priste përpara dyerve të kryeministrisë, ku i fundit hypi Endri Fuga, i cili në distance ngjante me një Harry Potter. Televizionet treguan live kur autobusi u nis e pastaj u ndal në semafor. Ndofta aty Rama është krenuar përpara vartësve se si qeveria e tij i respekton rregullat e qarkullimit rrugor. Nuk dihet nëse gjatë udhëtimit për në Prizren e ka marrë në gojë për të mirë pararendësin e tij, por kjo pak rëndësi ka.
Edi Rama është në fillim të mandatit të tij,ende i krekosur prej premtimeve – Hashim Thaçi në fund të dy mandateve të tij i konsumuar prej mosmbajtjes së premtimeve dhe sidomos i gërryer si udhëheqës i palës shqiptare në bashkëbisedimet Kosovë-Serbi, sepse ndërsa Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, pakica shqiptare në Serbi nuk gëzon as të drejtat elementare të njeriut. Thaçi po ashtu është i gërryer edhe nga brenda partisë, pas largimit të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Papunësia në Kosovë kalon 60% dhe Kosova është i vetmi vend në Ballkan që diskriminohet dhe ka mbetur i papërfshirë në liberalizimin e vizave, ndërsa pakicat që jetojnë këtu përfitojnë nga marrëveshja Shengen, sepse gëzojnë dyshtetësinë. Pra Hashim Thaçi e ka të pamundur të fitojë një mandat të tretë.
Sa për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin këtu gjendja e shqiptarëve është e dëshpëruar. Ka dy vjet që premtohet se do të ndërtojnë një maternitet pasi grave shqiptare u duhet të udhëtojnë 200 kilometra rrugë për të lindur dhe premtimet kanë mbetur në hava.
Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të funksionojë në bazë të reciprocitetit bilateral, ashtu si funksionojnë të tilla marrëveshje në të gjithë Europën dhe rajonin. Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, dhe Serbia duhet të plotësojë kushtet ndaj pakicës shqiptare. Por ndërsa Kosova dhe Serbia kujdesen për pakicën serbe në Kosovë, për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kujdeset as Serbia, as Kosova, as Shqipëria dhe askush.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kërkojnë punësim, shkolla, maternitet, zhvillim si dhe përfshirje në politikë, në mënyrë të tillë që zëri i tyre të dëgjohet përmes përfaqësimit në Beograd. Ashtu si dëgjohet edhe zëri i pakicës serbe në Parlamentin e Kosovës.
Por politika shqiptare këndej dhe andej kufirit ka synime të tjera. Megjithëse Rama në fjalimin e tij në Prizren përsëriti disa here si gjetje filozofike fjalën “përbashkim”, duke evokuar hymnin e flamurit, kjo gjë duket pa sens, sepse shqiptarët rezultojnë të jenë më të varfërit e rajonit, më të paintegruarit e rajonit dhe më të mbeturit në mëshirë të fatit e rajonit.
Edhe 100 mijë Eurot që Rama dhe Thaçi i dhuruan Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishin një fyerje. Berisha kur ishte kryeministër i dhuroi 400 mirë Euro pakicës serbe në Graçanicë! Prandaj ishte i drejtë reagimi i shoqatës Medvegja në Zvicër, e cila ka vendosur pas kësaj që t’iu dhurojë 200 mijë Euro qeverive përkatëse të Tiranës e Prishtinës, shtetarët e të cilës bëjnë jetë komode dhe me prosperitet, ndërsa qytetarët jetojnë në varfëri e mjerim.
Të të ketë lindur Zoti nën qiellin e Europës dhe të mbetesh i ekskomunikuar prej Europës si po ndodh me shqiptarët, këtu qendron drama. Nëse sot Shqipëria do të ishte e integruar në BE ajo do të kishte një zë tjetër, nëse nuk është e integruar në BE, ky hendikep i adresohet klasës politike, sepse nuk ka plotësuar as detyrimin minimalist ndaj popullit.
Takimi i Prizrenit s’ka asgjë të keqe, mirë që e bënë, por në fund të fundit shqiptarët e bëjnë për çdo ditë rrugën Kosovë-Shqipëri e anasjelltas, vinë e shkojnë,shkojnë e vinë e takohen midis tyre. Atë që duhet të bëjë Rama dhe Thaçi e të gjithë liderët shqiptarë, është të përmbushin detyrimin që kanë ndaj qytetarëve të tyre, të krijojnë kushte zhvillimi, të fuqizojnë shtetin e së drejtës dhe tregun e lirë për një jetese normale, duke i integruar në BE.
HANE SHAM, HANE BAGDAT!
Nga Fadil LUSHI/
Të nderuar miqtë e mi pa tarafe! Në këtë shkrim të radhës nuk e kam ndërmend të “shkarravis për turqizimin e shqiptarëve”, nuk do të shkruaj as për “islamizimin e politikës kosovare” dhe, në instancë të fundit, nuk do t’i paragjykoj as opinionet a vështrimet e ca analistëve politikë të cilët në kohë të fundit gërmadhës së lajmeve të ditës i shtuan edhe një “haber” tejet të shtrembëruar a të abuzuar. Kryefjala e lajmit të tyre kishte të bëjë me takimin e paradokohshëm të tre kryeministrave: Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Tayip Recep Erdogan, në Prishtinë (dhe në Prizren), lidhur me inaugurimin e terminalit të ri të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë. Me këtë rast neve nuk do të na lejohet që t’u bëjmë interpretime fjalimeve të tyre, po as nuk do t’i redaktojmë, pavarësisht se dikush me “gojën shtrembër” tha se “ishin llomotitje (jo) politike, nostalgjike, vëllazërore, llafe boshe, folklorike, afeksionuese apo diç tjetër”!?? Këtë gjë nuk do ta bëjmë për asrye se mos “ndoshta” edhe ne mund të paragjykohemi dhe të konceptohemi si “opinionistë mëhallash apo provincialistë”. Se këta tre kryeministra thanë se shqiptarët dhe turqit janë “vëllezër”, kjo nuk na hyn në punë, se “osmanlinjtë ishin pushtues a sundues” edhe kjo nuk është puna jonë…, këtë le ta diskutojnë historianët shqiptarë. Thjeshtë, këta “analistë politikë të stërngarkuar me shovinizmin fetar” të tyre, që nuk dallojnë konceptin e religjionit dhe atë të kombit, shkuan aq larg saqë takimin e dy kryministrave shqiptarë me atë të Turqisë e shndërruan në “lesh arapi”, a si thonë fshatarët e malësisë – ia hoqën kalit kapistallin dhe e lëshuan të kullotë ku të mbërrijë…
Ne do të shkruajmë (aq sa do na lejojë takati mental) për ca analistë, kolumnistë dhe opinionistë të “moderuar dhe finokë” nga Prishtina dhe Tirana, të cilët gjithë ditën e Perëndisë, në vështrimet e tyre, ashtu “pa hiri”, do të fusin hundët edhe aty ku nuk e kanë vendin, saqë edhe do mëtojnë të inversojnë obligimet a detyrimet e tyre “profesionale”. Ca do të shkojnë kuturu deri aty sa të parashtrojnë pyetjen se pse politika kosovare po “islamizohet”, ca të tjerë do të parashtrojnë pyetjen se pse dy kryeministrat shqiptarë, ditën kur vizituan shtëpinë e një prizrenasi, kishin parapëlqyer mënyrën e të ulurit këmbëkryq, ndërkaq Erdogani “këmbë-osmanisht”!? Eh sa poshtëruese a edhe të ulëta të duken këto shpjegime të shqiptarëve patriotë krahinorë…, aq më tepër kur ke parasysh provën që llafos retrospektivën, sa të lavdishme, po aq edhe atdhetare të Abdyl Frashrit, i cili para një shekulli, tok me patriotët e tjerë, ishte ulur këmbëkryq në Kuvendin e burrave të Lidhjes së Prizrenit…, a mos vallë edhe Hasan Prishtina dhe Isa Buletini nuk kishin parapëlqyer të ulen këmbëkryq…, a mos vallë malësorët tanë fisnikë asnjëherë nuk u ulën këmbëkryq, a nuk mbani mend vakinë kur Richard Holbruk vizitoi Kosovën, ku në një Kuvend burrash kosovarë, ashtu thjesht ishte ulur këmbëkryq dhe jo “këmbë-amerikançe”!?
Një tjetër politikan i njohur nga Tirana, që aktualisht “vuan opozitarin”, disa ditë më parë, në një medium vizual, pos tjerash, tha: “Mënyra e të ulurit këmbëkryq e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës (këtij të fundit nuk i ngjanka kjo, sepse na qenkësh “kaur”) nuk është kurrgjë tjetër pos një marrëzi (e radhës) e rrezikshme përbetimi ndaj Portës së Lartë”!? Vallë këtij politikani i mungon informacioni lidhur me faktin se që kur Ataturku, shpalli Republikën e Turqisë moderne Perandoria Osmane, gjegjësisht Porta e Lartë, shkoi ashtu kokulur në histori. A mos vallë ky politikan nga Tirana nuk e pa të arsyeshme të thotë (edhe përtej inatit të tij homerik) se kjo vizitë e kryeministrit turk nuk kishte kurrgjë të përbashkët me historinë e Perandorisë Osmane a me Portën e Lartë, por thjeshtë ishte e lidhur ngushtë me inaugurimin e aeroportit të Prishtinës si dhe me bashkëpunimin ekonomik në relacion Turqi-Kosovë. A mos vallë ky politikan, që vazhdon të “nostalgjohet” me të kaluarën e tij, ende nuk arrin të vetëdijësohet se Turqia ishte një ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. A mos vallë ky politikan dhe ca të tjerë si ai, ende nuk mund të ndërgjegjsohet se Turqia është një partner strategjik i Kosovës. A mos vallë ky njeri joparimor, dhe ca të tjerë si ai, nuk kanë njohuri se Turqia është një ndër investitorët më të mëdhenj në hapësirat e trekëndëshit shqiptar. A mos vallë ky politikan dhe ca të tjerë si “soji i tij” nuk ka njohuri se protokollin e këtij takimi të kryeministrave e ndërtuan njerëz të cilët janë profesionistë për këto çështje dhe jo njerëz që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”! A mos vallë ky politikan dhe “soji i tij” nuk dinë se këtë ceremoni e organizuan qeveritë e personaliteteve të lartpërmendur. …
Ditën e inagurimit të terminalit të aeroportit të Prishtinës u tha se Erdogani nuk ka dhe as që mund të ketë gjak shqiptari, po as Thaçi dhe Rama nuk kanë gjak turku dhe, nëse kjo (s’) është e vërtetë, atëherë ju, të nderuar lexues, na thoni se ç’gjak paskësh biznesmeni Damir Fazliç, i cili sa herë që arrinte në Aeroportin e Rinasit bllokohej komunikacioni rrugor përreth aeroportit e gjetiu në Tiranë!?? Nëse neve do të na lejohet ta parafrazojmë mendimin e atyre “kolumnistëve djallëzorë” rreth deklaratës së Erdoganit, i cili ndër të tjera tha se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, dhe nëse kjo deklaratë e tij (nuk) u përkthye gabimisht nga ana e përkthyesit, atëherë mbetet thjeshtë një “… gafë politike, një shprehje idiomatike, shprehje folklorike, një deklaratë ireale apo jo karakteristike për fjalorin” e një diplomati të moderuar. Por ama, nëse kjo deklaratë e Erdoganit është një “inversion gjeografik a politik”, atëherë do ishte mirë që Turqia të jetë Kosovë! Këta analistë senilë, le të na ndjejnë, nëse u parashtrojmë pyetje si këto: pse kjo deklaratë e kryeministrit turk ia bëri mendjen çarçaf presidentit Tomisllav Nikoliq dhe politikanëve të tjerë serb, apo pse vallë këta “kolumnistë” nuk dëshpërohen e nuk sikletosen kur dëgjojnë ato përrallat e gjyshërve shumadinas të cilët gjithë ditën ulërijnë duke thënë se “Kosovo i Metohija je kolijevka Srbije”! Hane Sham, hane Bagdat – do të thoshin ata që sadopak marrin erë nga politika.
Ndërkaq, ju të nderuar “kolumnistë të moderuar”, Kosova nuk bëhet Turqi e as Turqia Kosovë, po as Kosova nuk bëhet Serbi dhe anasjelltas, ndonëse këta të fundit sot e kësaj dite, këtë e ëndërrojnë me sy hapur. Shqiptarëve nuk u duhet fjalori i Erdoganit, përkundrazi u duhen investimet e qeverisë së tij.
KRYEMINISTRI EDI RAMA – AZEM HAJDARI DHE IBRAHIM RUGOVA
Edi Rames i duhet të evitojë sa më shumë gabime të panevojshme, të cilat varen direkt prej tij, siç ishte rasti me Azem Hajdarin dhe me Ibrahim Rugovën./
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përfundoi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. Kosovën e ka patur gjithmonë në qendër të vemendjes. Kur i thonë, një e dy e në Kosovë edhe kur ishte lider i opozitës, që do të thotë se ka qënë në kontakt të përhershëm me Kosovën dhe ka patur disa idé shumë të mira integruese, në planin europian, për sa i përket unifikimit të sistemit arsimor në të gjitha trojet shqipfolëse, heqjes së barrierave doganore me Kosovën etj. Pra, përpara se të nisej në Bruksel, Edi Rama e filloi me Kosovën. Kosova prin për mbarë gjithnjë.
Gjatë vizitës, po t’i shohësh deklarimet që ka bërë përgjithësisht janë OK. Duke menduar se Edi Rama ua ka shkruar fjalimet disa kryeministrave të qeverisjes socialiste, fjalimet e veta duhet t’i qajë. Ca deklarime i bën si quote. Si ky për shembull : « Kufiri është e djeshme, e ardhmja s’ka kufi. Mbetem i juaji me besë! » Duket qartë se z. Rama i ka dhënë rëndësi konotacioneve identifikuese të shqiptarëve si komb, siç është besa, fjala e dhënë. Por në fjalimin që mbajti në Kuvendin e Kosovës iu shmang një konotacioni të tillë dhe nuk e përfshiu emrin e Ibrahim Rugovës, i cili është identifikues me Kosovën. Për reagim, krahu i LDK-së bojkotoi e shtypi sot ishte i mbushur me kritika, prej të cilave përfiton politika. Për politikën s’ka problem, por të mos përmendësh Rugovën këtë gjë nuk e gëlltisin dot shqiptarët e Kosovës, populli Rugovist, i cili është shumë i rëndësishëm.
Lind pyetja a bëri gabim apo jo z.Rama që nuk përmendi Rugovën në fjalën e tij përpara deputetëve të Parlamentit të Kosovës? Gjatë vizitës të tij të parë zyrtare si premier i shtetit amë, z. Rama bëri homazhe tek varri i liderit historik e prej atje tha një tjetër sentencë shumë kuptimplote se „Pa Rugovën Kosova nuk do të bëhej realitet“. Pikërisht ky përcaktim, që ka bërë me gojën e tij, tregon se z. Rama bëri gabim që nuk e përmendi Gandin e Kosovës në fjalimin e tij të parë në Kosovë si premier i Shqipërisë.
Për këtë devijim, të pajustifikuar në gjuhën protokollare, unë do të bëja përgjegjës këshilltarin e Ramës, Shkëlzen Maliqin, i cili e di shumë mirë se mungesa e emrit të Rugovës në fjalim dëmtonte imazhin e Ramës në Kosovë. Kur e vendosa si status në Facebook këtë, reaguan dhe më thanë se Edi Rama ka këshilltar ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Që do të thotë një arsye më tepër që z.Rama ta përmendte Rugovën. Sepse sa herë që Tony Blair vjen në Kosovë, ai i referohet figurës të Rugovës si ikonë e pavarësisë dhe modelit të politikanit të emancipuar dhe europian.
E pra, z.Edi Rama nuk duhet t’i lejojë vetes shkitje të tilla shumë të evitueshme.
Më 12 shtator në Tiranë u zhvilluan ceremonitë e rivarrimit të Azem Hajdarit në Varrezat e Dëshmorëve. Dhe ishte ngjarje për shqiptarët nderimet që iu bënë Azem Hajdarit nga i gjithë spektri politik. Pesë ish-presidentë, deputetë të PD e PS, ministra të qeverisë të re, kryetari i ri i Kuvendit. Mungoi vetëm kryeministri i ri, për të cilin zonja Hajdari do të pohonte se Edi dhe Azemi ishin miq. Kush i tha z. Rama që të mos shkojë në ceremonialin për Azemin? Apo vendosi vetë?!
Të them të drejtën, të kritikosh një kryeministër kur nuk është ulur ende në kolltukun zyrtar nuk më duket fair, aq më tepër kur e di gjendjen ku ndodhet vendi. Lexova një fakt nga INSTAT, sipas të cilit një në shtatë shqiptarë jeton në varfëri, duke shpenzuar rreth 48 dollarë në muaj, ku po sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave numri total i të varfërve në vitin 2012 arriti 402 033. Të mos përmendim pastaj nivelin e sigurisë të qytetarit, korrupsionin, rrezikun që i kanoset sistemit dhe shtetit ligjor. Që do të thotë se Edi Ramën e presin shumë punë. Fron Nazi ka shumë të drejtë kur thotë se për t’i tejkaluar këto, Edi Ramës i duhet të jetë një lloj Batmani.
Në këtë kontekst, kritika ime nuk është politike, si opozita që mezi pret që Edi Rama ta pësojë si Papandreu. Sepse, nëse futet Shqipëria në krizë, kjo krizë përkthehet një tmerr për shqiptarët. Unë rreshtohem bashkë me ata shqiptarë, të cilëve na intereson që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete normale të integruara në NATO dhe BE.
Në këtë kontekst, z. Rama e pret një punë e madhe, prej të cilit varet suksesi apo disfata. Dhe për hir të suksesit, i duhet të evitojë sa më shumë, gabime të panevojshme, të cilat varen direkt prej tij. Siç ishte rasti me Azem Hajdarin dhe me Ibrahim Rugovën.