• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRYMA, DINAMIKA E VIZIONET E KOHËS NË VEPRAT E HASAN SELIMIT

October 2, 2014 by dgreca

– Esse e plotë për veprat “Antologji e Endrrës” (2013) dhe “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014)/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1-“Antologji e Ëndrrës”(2013) e Hasan Selimit përveçohet dukshëm e thuktë si një “Vepër e Vertikalitetit”, e shfaqur asht’ e palcë në dimensionet e madhërishme prej nga Qielli (Zoti) në Tokë (Njeriu), nga Ëndrra (Hyjnore) tek Vepra (Jetësore).
Kjo vepër si një prozë poetike, në esse e përsiatje të saj, me plot musht e mesazhe pasqyron e jep traditë, evolucion, prognozë. Aty fjalaflet se Zoti i Gjithpushtetshëm e i Mëshirshëm në Qiell kërkon që edhe njerëzit e tij në Tokë të jenë të pushtetshëm e bajemirë, të duan vetëveten, të mos harrojnë prejardhjen, lindjen e trashëgiminë, të duan të Drejtën e të Vërtetën, të ecin kah e Mira dhe e Mbara. Pra, njerëzit të kenë shenjtëritë e veta, të kenë shenja lavdie të tyre, të jetojnë jetën.
Hasan Selimi, besimtar e mendimtar, në kit’ vepër teologo-filozofike të një lloji të veçantë, në kit’ botë në zhvillim me shpejtësinë e dritës e me dixhitalizim përtej imagjinatës ma të ndezur, na e mirëparaqet Jetën si Mision dhe Njeriun Udhëtar, i cili vrapon, në kambë, me gravitet, në përballje, drejt të nesërmes. “Njeriu në jetën e vet udhëton, -thotë autori- bile edhe vrapon për të gjetur gjënë e tij më të shtrenjtë, më të bukur, më të domosdoshme, më të nevojshme”(f. 47)
Edhe Ëndrrat marrin krahë në Galaktikë e hapaudhë lartësore në Jetën reale, tokësore, në faqet e librit. Ëndrrat janë tharm’ në langun e Jetës, që në brumin e Kohës na e japin Bukën e përditshme. Ëndrrat pa tharm’ e Jeta pa lang’ mbeten thatanike, shkretinë. Ka të drejtë autori atdhetar i kësaj vepre me visare teksa pohon, apelon: Ne, Shqiptarët, jemi Ëndrrimtarë shumëshekullor, me pritmëri e shpesh deri në tepri. Sot, plot Ëndrra e Vepra Kombëtare Shqiptare po iu besojmë me sakrifica, me shpresë e besë, këtij Rendi të Ri Botëror, integrimeve e zhvillimeve euro-atlantike në BE e NATO, krijimit të Shqipërisë Etnike, Natyrale, të paktën në kufij vilajetor shqipfolës të 1912-tës.
“E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore”(2014), libri ma i ri i Hasan Selimit, si të thuash, është një ”Vepër e Horizontalitetit”. Natyrisht, e drejta ndërkombëtare publike si nocion, kodifikim, subjekt, etj., është një tërësi aktesh të pranuara me pëlqimin e Kombeve, të cilat aplikohen si burim i së drejtës për çdo shtet. Në kit’ rrafsh horizontal edhe Shqipëria Londineze ka vendin e rendin e vet, lidhjet, marrëdhëniet e dinamikat diplomatike, politike, juridike të saj me shtetet fqinjë e ato ballkanike, ato paneuropiane e ndërplanetare. Sigurisht, edhe bartja e traditës shqiptare e të drejtës ndërkombëtare publike, nga Antikiteti Ilir tek ky Rendi i Ri Botëror, ka ardhë ndër breza në rrafshin horizontal si prurje, si përvojë, si trashëgimi kombëtare, sadoqë ka pasë ndërprerje kohore të shpeshta, izolime, bllokime e kundërvënie të shumta prej vetes e nga të tjerët, memorie shtypshkrimore disi të pakët, etj. Patjetër, edhe trajtesa plotore e autorit Hasan Selimi në kit’ monografi shkencore shtrihet në rrafshin horizontal, si arritje e autorit, si përvojë e kohës.
2.Vepra “Antologji e Ëndrrës” (2013) më përngjan si një Traktat teologjik e filozofik, që autori ia vno në prehën kohës së sotme, ua jep në duar lexuesve të tij. Hasan Selimi ecën fort e mirë në këto dy shina. Duket timonier i zoti. Sa hyjnor edhe akademik. Vërtet nga shpirti e gjuha e tij shkruhet me njohje të thellë e kulturë të gjërë për Teologji e Filozofi, të cilat nuk janë krejt e njëjta gja, po e veçanta përgëzuese për autorin është fakti botëformues e librashkrues se nuk i sheh ato si dy të kundërta, si përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Ai me peshoren e studiuesit e çekiçin e drejtësisë, sheh ndërveprimet e ban analiza krahasuese mes mendimit shkencor filozofik e atij teologjik fetar.
Në krejt veprën “Antologji e Ëndrrës” besimtari me bekim e penë, Sheh Hasan Selimi – Njeri i Mirë, është – njëherash – sa i Mendimit dhe i Veprimit, pasi nga nektari i traditës e i kohës, nga shembujt e vetëvetes e të realitetit, del me përfundime të themelta, domethënëse, visare, që disa sish marrin dhe vlera e vulë kodike e aksiometrike. Qartë duket se ky autor meritor e vizionar ka plug e farë nga fryma e Kuranit, nga drita e Ehlibejtit, palcon nga genet e veta brezni mira, jep nga shenjtëritë e shejat e veta.
Vepra tjetër e Hasan Selimit “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014) me fol troç është një “Manual” i vyer në tavolinën e punës për diplomatët, politikanët, ekspertë e studentë (pas)universitar të së drejtës ndërkombëtare publike.
Edhe ata që nuk e kanë kit’ lami si profesion apo pasion, po ta lexojnë kit’ monografi shkencore kanë përfitesa kulturore në dijenitë e tyre qytetare, pasi vet autori dorëshkrimor i saj është një personalitet shumëdimensional i kohës sonë, ka derdh e shkri’ aty dijeni e aftësi të mendjes e penës së tij.
Pra, njejtësisht e njëkohësisht, të dy e nderojnë lartësisht njëri-tjetrin: edhe autori veprën, edhe vepra autorin.

3.Kjo vepra e dytë e Hasan Selimit më përngjan edhe me një “Autostradë” shqiptare, mbarëkombëtare e ndërkombëtare. Sigurisht, në kilometrat e horizontin e saj është E Drejta Ndërkombëtare Publike. Specialistët në zbatim projekti një fragmenti rruge në ndërtim i thonë “loti” ndërtues. Kësisoj edhe kjo vepër shkencore e tij ka segmentin e vet vendor e kohor. Ka energjitë e rrezatimet e veta. Patjetër, si për Autostradën Durrës-Prishtinë e ma andej, kemi nevojë edhe për një “Autostradë” të tillë me vepra si kjo e Hasan Selimit, pasi të tilla vepra i kemi të pakta në skedat shqip të bibliotekave me libra në Tiranë, Prishtinë apo Shkup. Duhen sa ma shumë libra të tillë në Autostradën e Dijes e të Kohës që të krijojmë bibliotekë të veçantë me to në korpusin bibliotekar kombëtar.
Në kit’ soj veprash për të drejtën ndërkombëtare publike kemi kryesisht disa libra universitar nga disa titullar, me tituj e grada shkencore, që i kanë shkrue ato germë pas gërme e vit pas viti për t’i pasë në katedra e auditore, si pjesë medalionare të detyrës, profesionit e rrogës. Krejt ndryshe ngjet me Hasan Selimin. Ai e ka shkrue kit’ monografi shkencore si Atdhetar Kombëtar, si Qytetar i Lirë, në Kohën e Lirë, me Vullnet të Lirë. Po jo me Kosto të Lirë.
Doktoranti jurist, teolog, studiues, Hasan Selimi nga Kasajt e Tropojës e me banim familjar në afri të Unazës së vjetër të Tiranës, prej dekadash punon gjyqtar me togun e zi e faqe të bardhë në Shkodër, kryelartë i udhës edhe në vitin e vështirë ’97. Ndoshta shteti ende ka mendësi se ka lind për të punue vetëm në kit’ kryeqytet të lashtë e të ri të Veriut Shqiptar të coptuem më 1913.
Kulla e Hasan Selimit në Kasaj të Tropojës në brezni janë të mendjes e të pushkës, si meshkujt edhe femnat, dhe i kanë lanë emën e vend vetes në rranjët e trollit, të fisit të Shipshanit e Gashit, të Malësisë së Gjakovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe në ditët e shekujt e kombit. Edhe farefisnia i kanë lisnue dinjitar. Në memorien e historisë kombëtare kanë dëshmorë e martirë të kombit që kanë dhanë jetën në Plavë-Guci e deri në Sanxhak.
Në familjen e Hasan Selimit të gjithë janë (pas)universitar. Një shtëpi intelektuale. E shoqja e tij në rreth katër dekada, Fahrija, është mësuese. Tre fëmijët e tij me emra epik, lisa rrënjas të trollit të vet, Tanusha, doktorre e shkencave, avokate me kërkesa e mbingarkesë pune, dy djemtë mastër të shkencave, Kushtrimi e Kreshniku, kanë krye juridikun, ndonjani edhe fakultet të dytë. Kështu, siç duket, ata janë një “dekanat” më vete e hierarkia nuk ka mëdyshje: dekan i pavotueshëm është Hasan Selimi.
Përndryshe, Hasan Selimaj, ky studiues shumëdimensional, në ditët e sotme e në hapësira etnike shqiptare, në simbolikë e tue ia sydrit’ kaçikin, tue ia njoft udhët e jetës si dhe dy veprat e tij të botuara “Antologjia e Ëndrrës’ dhe “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” e ato në dorëshkrim, mund të themi se është një nga “kryepleqtë” e fjalës juridike, filozofike, teologjike, diplomatike.
4.Sheh Hasan Selimi kur shkruan “Antologji e Ëndrrës” në gjithçka e për gjithçka i beson Vehtes, e nis nga Vetëvetja. Kjo duket genetike, e brezave të vet, e trollit të tij. Ndaj burimon me kaq forcë magjike, dlirësi hyjnore, peshë realiteti në faqe e rradhë të veprës së tij të vyer.
Ai e ka vendos mrekullisht e mjeshtërisht në qendër të veprës së vet Njeriun. E ky Njeri është Krijesë e dashur e Zotit, që ia dha shpirtin si shkëndi e dritës së vet. Ky Njeri jeton brenda lirisë së Zotit, me dashurinë për Zotin, në hapësira gjeo-historike e (anti)demokratike të kohës. Nuk është as “Njeriu i Ri” ideologjik. Po as skllav modern i Kapitalit. Në kit’ vepër mirfilli teologo-filozofike Hasan Selimi e ka kryefjalë Njeriun e Lirë, me të gjitha Dimensionet e Njeriut të Lirë. Natyrisht edhe me të gjithë kompleksitetin, diversitetin, kontraversitetin e dinamikën e Njeriut të Sodit e të Kohës së Sodit.
Dimensionet jetësore të Hasan Selimit si besimtar i lartë e jurist i shquar e bajnë ta këndvështrojnë Njeriun në epiqendër e brenda parimeve të shenjta e ato juridike. Ai është krejt natyral e aspak artificial. Sa hyjnor edhe jetësor. Si në veprën e tij edhe në profesionin e detyrën e tij, në besimtarinë e jetën e tij.
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, ambasador, president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, në parathanien e tij “Një jetë me nder, vlerë, besim e dituri”, botuar tek vepra e Hasan Selimit “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014) kumton: “Ajo që përputhet tek të gjithë opinionet për Hasan Selimin është një fakt, që do të thoja unik për një gjyqtar, por shumë i dëshiruar për drejtësinë shqiptare. Hasan Selimi e sheh njeriun në kompleksitet. Ai gjykon fillimisht njeriun e pastaj çështjen e tij. Ai zbërthen psikologjinë, rastet, rrethanat, kushtet, mjediset, trashëgiminë, sfidat, hallet, shkaqet – e pastaj vesh togun e zi të gjyqtarit për të dhënë vendimin. Për Hasan Selimin, kodet, proçedurat, ekspertët, prokurorët, avokatët, të pandehurit ose persoant përpara drejtësisë – janë qënie që gëzojnë trajtimin më të arsyeshëm,më të drejtë e më të dobishëm për to, për familjet e tyre e për mbarë shoqërinë. Është rast unik në përvojën time të njoh një gjyqtar të tillë” (f.23).
Kjo detyra e profesioni i juristit të mbrrimë i ka ndihmue mjaft e mirë studiuesit të themeltë e të vlertë, Hasan Selimi, për me e shkrojt artnisht veprën e tij shkencore me 252 faqe me vështrime, analiza e konkluzione shkencore për të Drejtën Ndërkombëtare Publike.
5.Dy veprat e Hasan Selimit në të djeshmen e afërt do të ishin “mollë e ndaluar” apo “lule mos e prek”. Si traktati filozofiko-teologjik “Antalogjia e Ëndrrës” (2013) edhe “manuali” diplomatik, historik, juridik, kulturor “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014).
Dje, feja ishte e ndaluar zyrtarisht, deri në përndjekje ideo-politike, në dënime publike e juridike. E kemi përjetue ne brezat e ’67-tës kit’ ikuizicion komunist. E, megjithatë feja jetonte në shpirtin, ritet e ëndrrat e besimtarëve të saj të shumtë. Ishte e mbetet paradoks i madh i globit që në kombin shqiptar që Shën Konstandini i Madh i Nishit të Dardanisë e shpalli Krishtërimin Fe Zyrtare për botën e derisotme. Asokohe nuk mund të konceptohej që Sheh Hasan Selimi të botonte një vepër të tillë si “Antologjia e Ëndrrës”.
Dje, E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare ishin privilegj i njerëzve të përzgjedhur nga kriteret e klasa politike e shtetit monist ma të izoluar të botës. Ata që merreshin me këto disiplina madhore të diplomacisë shqiptare i kishin apo i trajtonin këto si “pronë” e tyre. Aq ma keq. Ishin “tabu” për të tjerët. Kjo politikë me të tilla praktika na ka pru tek e keqja e sotme që në kit’ fushë, në këto disiplina, të kemi vepra të pakta. Boshllek të madh. Asokohe studiuesi me dimensione akademike, Hasan Selimi, nuk mund ta botonte një vepër të tillë shkencore si kjo: “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore”, pasi këto ishin atribut e kontribut i njerëzve të caktuar nga shteti i kohës e jo nga të tjerët me vullnet të lirë. Kjo nuk do të ishte e mundur as nga një personalitet shumdimensional si Hasan Selimi një jurist doktorant në Gjykatën e Shkodrës, një Sheh ehlibejt me bekim e gradë në Gjakovë përtej Qafës së Morinës krye kullës së tij, një qytetar i Tropojës, i Shkodrës, i Tiranës, i Gjakovës; një njeri i pushkës në traditë e i penës me meritë. As nga Hasan Selimi me vlera e visare, me emër të mirë në kohna të vështira.
Me dy veprat e tij Hasan Selimi i ka thye muret e izolimit. Ndokush mund të thotë se kjo u tejkalue në vitet ’90. Jo. Këto mure thyhen çdo ditë, çdo vit, në çdo dekadë e çdo shekull. Muri i izolimit të diktaturës së djeshme ishte tejet i madh, ndaj duhet kohë e luftë e madhe me e thye atë njëherë e mirë, përgjithmonë. Diku, në mes fjalëve urtake e bekimore të Papa Franceskut në 21 shtatorin 2014, kuptimova mesazhin e Tij: të ruhemi nga diktaturat e reja. E ka të drejtë. Diktaturat e reja krijojnë mure të rinj të izolimit nga brenda. Dalja nga diktatura të vjetra të zeza apo të kuqe e rënia në diktatura të bardha ose të pafytyra, formësojnë e formatojnë “mure” brenda nesh. Mure mes shtetarëve e popullit, mes krahinave e vllaznive dhe familjeve, etj. Mure me fqinjtë, me Europën, me botën.
I ndritshmi me mendje e penë, Hasan Selimi, ngrihet përditë mbi muret e izolimit të djeshmes e të sotmes. Mbi muret e izolimit nga jashtë e nga brenda. Me muret që na i ngrejnë të Tjerët e me muret që ia ngrejmë Vetes. I thyen ato. Nëse me veprën e dytë “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” e thyen murin e izolimit nga jashtë, me veprën e parë “Antologjia e Ëndrrës” i thyen muret e izlimit nga brenda.
Thyerja e mureve kërkon mjeshtri, muskuj, dije, djersë. Edhe muret e djehit me hekurnajë. Edhe muret e sodit me betonime. Edhe muret e djehit me klone. Edhe muret e sodit me klonime. Duket se Hasan Selimi ka shpirt e forcë me u ngrit mbi muret, me i thye ato, brenda Vetes e tek të Tjerët, nga Jashtë e nga Brenda. Kjo duket edhe tek dy veprat e tij që kanë shumçka: Jetë. Dinamikë. Dimensione. Hapësira. Lartësi. Shembullime.
Këto janë shenja të mirë në veprat e tij, në jetën e tij.
6.Vepra studimore “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” i hap udhë studiuesit doktorant Hasan Selimi të jetë pjesë e botës akademike, pasi në rradhë e faqe të saj shohim stilin akademik të autorit jurist kariere, ndjejmë frymën akademike në trajtesa shumëdisiplinore, në sjelljet e përcjelljet e fakteve e argumenteve; në analiza të ngulta e të thukta përmes klasifikimit, seleksionimit, krahasimit; mbrritja në konkluzione, vështrime me prognozë e vizione kombëtare shqiptare, bashkohore euro-atlantike, globale.
Zotësi dinjitare tregon studiuesi Hasan Selimi teksa rrok me vështrim e analizë rrënjë e degë edhe diplomacinë, edhe të drejtën ndërkombëtare publike, edhe gjithato zhvillime të sotme bashkëkohore si tek kapitulli VI “Rendi i Ri Botëror dhe reforma juridike e OKB-së” (f. 193-238), etj.
Natyrisht, E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare janë “bakllava” e Diplomacisë që na shfaqet e vjen para syve e në terren praktik politik e jetësor. As njana e as tjetra nga këto dy disiplina nuk janë vet “bakllava”, po elementë të gatimit të saj.
Hasan Selimi, edhe në kit’ veprën e fundit, i ruan graniturat përbërëse, gramaturat lëndore, temperaturat mjedisore e kohore, tue e pjekë “bakllavën” pa u djegë në duart e magjes së tij – laborato dhe me pasë hijeshi e shije në tavolinën e punës të të interesuarve dhe në biblioteka vetjake e publike (ndër)kombtare.
Kjo është meritë e tij: e pastër, e paqtë, e pëlqyeshme. Duket se autori ka intelekt genetik, natyror, hyjnor. Po ka edhe dorë për mirë. Ka edhe dorë akademike.
Shyqyr që nuk ka hyrë në thelluta të mëdha të Drejtës Ndërkombëtare e të Marrëdhanieve Ndërkombëtare, se ndoshta hala nuk do të kishte ardhë drejt nesh me kit’ vepër shkencore, e cila gjatë shpalimit na merr me vete në autostradë pa na lanë e fut në xhepa të saj. Hasan Selimi mirëflet për Traditën Ilire, për Lindjen e Afërt e të Mesme dhe Kinë e Indi deri tek Rendi i Ri Botëror dhe tek OKB e sodit, tek Karta e Kombeve të bashkuara e reforma të nevojshme e të pritshme të saj.

7-Një tjetër meritë e Hasan Selimit në kit’ vepër shkencore ka të bajnë me faktin se E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare i këndvështron, hulumton, trajton, prognozon, konkludon në lidhje me zhvillime të sotme botërore, me vet dinamikat diplomatike e politike në terrenin panshqiptar e global.
E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare në kit’ vepër të Hasan Selimit më përngjasojnë disi edhe ndryshe: si “dy barrë” të ngarkesës të një kali në rrugëtim, ndërsa zhvillimet botërore si “frerët” e këtij kali. Barrët nuk duhet me i marrë ana kah kurrnjani krah. Edhe frenat duhet me dijt me i mbajt fort e mirë.
Autori i veprës shkencore “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” është një kalorës i mirë, i zoti, i pakthyeshëm, i pathyeshëm. Kali i rrinë mirë Atij. Ai është një ndër kalorësit e kohës tonë. Ai kalëron qyshse ka mësue me ecë në kambë në Kasaj të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës… Ai kalëron me kalin e tij. Në korsinë e tij. Në hisen e diellit të vet. Me shenjat e shenjtëritë e veta. Me frymën e vet të trollit, besimit, veprimit. Me veprat e veta.
Hasan Selimi në hapat, frymën, dritën, udhët, në veprat e tij…do’ me i përnga’ përditë e përjetë vetëm një njeriu në kit’ botë e tokë: Hasan Selimit. Në kuptimin hyjnor e njerëzor, ideal e real ky punon e jeton që Hasan Selimi të jetë e mbetet Hasan Selimi. E ky njeri i mbrrimë po ia mbrri’ të jetë i tillë. Shenja të mira të profilit të tij, të formatit të tij, janë edhe këto dy vepra të tij në dy vitet e fundit.

Filed Under: ESSE Tagged With: E drejta Nderkombetare, Hasan Selimi, Ramiz Lushaj

UNAZA E RE, E MADHE, E PLAVË-GUCISË

September 24, 2014 by dgreca

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.Kjo rrugë e sodit, 25 shtator 2014, që po niston prej Deçanit e shkon në Plavë e prej këndejna merr për në Guci e drejt e në Vermosh e mbasandejna bie në Shkodër, po më përnget si një unazë e trefishtë dhe një e vetme: Gjeo-strategjike. Etno-historike. Turistike.
Kjo Unazë, brenda trinisë të lumenjve Lim-Cem-Drin, si dikur në ato kohna para e mbrapa Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po e rilidhë Plavë-Gucinë me dy kryeqëndrat e saj sanxhakore e shpirtërore, ekonomike e kulturore: me Pejën (Rrafshin e Dukagjinit) edhe me Shkodrën (Ultinën Bregdetare nga Lezha në Podgoricë).
Tashti ka me u ringjallë krahina e Plavë-Gucisë me qytetet e saj, me luginat e bjeshkët e saj. Si në verë, pothuaj edhe në dimër. Dikur, si në Guci edhe në Plavë, krahinë me mbi 20 mijë banorë, kanë pasë prona tokësore e dyqanet (shitoret) e veta edhe Haxhi Zekë Byberi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, edhe Veziri i Shkodrës, edhe Begollët e Pejës, edhe Ali Pashë Gucia e Rexhepagajt, edhe… Kësokohe, thuhej se ishin edhe pesë dyqane florini (edhe me unaza)…, edhe nji sahatxhi…Pa dy fjalë: kishte zhvillim të madh, pasi ishin rrugët e karvajeve prej Peje në Shkodër.
Zoti po e bekon prapë krahinën e Plavë-Gucisë me rrugët e saj, rilindjen e saj, ardhmërinë e saj.
2.Plavë-Gucia, si rrallkush, e mirë/din’ se mungesa e rrugëve në trollin tand të çon rrugëve të botës. Kahmos. Gjithkund. Tashti kjo “Unaza e Madhe” ka me i ba shqiptarët etnik ma trojenik si farë e ngultarë. Shqiptarët kanë me u ba ma të pasur, ma të lumtur, ma të ditun.
Kjo krahinë e bekuar ka pa fillue me u pakë në shqiptarë, me u mplak shqiptarët e këtuhit, me iu mpak’ fuqitë, me e pa bijë e bija, nipa e mbesa ma së shumti në stinën e verës.
Po tashti, Plavë-Gucia, me kit’ Unazë Deçan-Plavë-Guci-Shkodër ka me u “Nusërue”. Për at’ Zot ka me i pasë hije: Vendi është i bukur. Njerëzit janë të mirë.
Kanë me u shtue djepat me djemë. Kanë me ardhë nuset edhe nga larg, pasi miqtë kur kanë angazhime a përnguti kanë me mujtë me ardh’ nga Shkodra e Podgorica, nga Mirdita e Kukësi e Mitrovica, nga Prizreni e Prishtina dhe me e pi hangër drekën në Plavë-Guci e darken tek shtëpia e vet.
E ka pa thanë Fishta i madh se bash këtu rri Ora e Shqypnisë… Tashti e kanë në dorë vet bijtë e bijat e saj me ia mbrri prapë kësaj dite, epoke. Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe në kit’ Lidhje të madhe Euro-Atlantike: BE e NATO.
3.
Kjo “Unaza e re” e Plavë-Gucisë është qytetërim modern, bashkëkohor.
Si qytetet e mëdha të botës që kanë edhe unaza të vjetra i ka edhe kjo: Rruga rretherrotull e gategat prej Plave në Rrozhajë e Pejë e Bregut të Drinit (apo Rrugës së Kombit) e në Shkodër e prej atyhit në Podgoricë e Kolashin-Plavë. Ka’i’herë do duhet edhe kjo Unaza e vjetër.
Po tashti e kemi edhe kit’ Unazen e re.
Veç kësaj, e thashë – si në vende me qytetërim modern, janë edhe unazat e brendshme. Unazat e vogla. Po ecë drejt përfundimit Rruga Plavë-Çerem (Valbonë)-Bregut të Drinit-Porti i Shëngjinit (edhe Tiranë, edhe Shkodër). E ka i pasë dy unazat e vogla, ma së forti turistike: Atë, Plavë-Valbonë-Liqeni i Komanit-Shkodër-Vermosh-Guci. Atë, Guci-Plavë-Deçan (Pejë-Rugovë-Junik)-Gjakovë (Prizren)–Tropojë-B.Curri-Valbonë-Plavë.
4.
Kjo Unaza e Madhe e Plavë-Gucisë është me të vërtet e madhe. Të tillë po e ban dhe zhvillimi euro-atlantik, qytetërimi ynë shqiptar bashkëkohor, klima politike euro-ballkanike, etj.
Kjo Unazë e Madhe nuk është vetëm përskej e ndërmjet trinisë së lumenjve Lim-Drin-Cemi, po edhe Plavë-Deçan-Rruga e Kombit-Shkodër-Vermosh-Guci. Pra, një rreth hapësinor tejet i madh.
Kjo Unazë e Madhe është sa kombëtare edhe ndërkombëtare, pasi kalon nëpër tri shtetet e sotme ballkanike: Shqipëria Londineze, Kosova Euro-Atlantike e Mali i Zi (që kurrihere s’po do “e s’po di” me u ba i Bardhë). Gjithkahit kalon nëpër territore etnike shqiptare.
Si kurrnjiherë tjetër, po vjen e madhja Ditë Historike, që kjo Unazë e Madhe njëherash edhe Euro-Atlantike, ka me na i lidh ndërveti Kohnat, Tokat, Zemrat Shqiptare, me rrugët e saj të paqes, zhvllimit, qytetërimit modern.
5.
Sot, më 25 shtator 2014, kur t’ia nisni punimeve të Rrugës Deçan-Plavë dijeni se “Jam në Deçan edhe pa kanë aty në Deçan” e mos më vnoni mungesë se unë kurrë nuk jam i munguar për kilometrat trasetor, shpirtëror, zhvillimor të kësaj rruge të re.
Kjo rrugë është edhe e imja, jo vetëm se jam brenda Unazës së saj të Madhe, se më çon ma shpejt tek trolli im / ynë, tek gjaku im / jonë, drejt progresit bashkëkohor, qytetërimit modern.
Po edhe për disa arsye e realitete të kohës sotme e të nesërme.
Kjo rrugë është kombëtare, ndërshqiptare – rrugë e Kombit tim Shqiptar.
Kjo rrugë është edhe ndërkombëtare, ndërballkanike- rrugë e Ballkanit tim.
Kjo rrugë është edhe Euro-Atlantike – rrugë e të ardhmes tonë të përbashkët në brigjet të Limit e Drinit, të Adriatikut mesdhetar e të Atllantikut ndërplanetar.
Zakonisht, shqiptarçe, kur bajmë ndonjë punë të tillë të madhe, vepër të madhe si kjo Rruga Deçan-Plavë, pasi i përfundojmë ato në kohë të tejzagjatur, fillojmë e thurim edhe legjenda të ndërtimit të saj. Në fakt, kësaj here, më duket se ka ndodh disi ma ndryshe: Vet ndërtimi i kësaj Rruge nga Ëndrra, Projekti e Përurimi i fillimit të saj ishte një Legjendë. Një Legjendë me Rrena e me të Vërteta. Një legjendë aspak legjendare.
Tashti Rruga Deçan-Plavë që e kishim Ëndërr të vjetë e të re, po bahet Realitet prej sodit, 25 shtatorit 2014, në kit’ Rend të Ri Botëror, në kit’ botën e tashtit, Euro-Atlantike. Do të deshiroja që kjo Rrugë të jetë fakt e faktor Kombëtar e Ndërkombëtar, e investuar me ideale të larta e fonde të mëdha, që ky Realitet me dritën e përurimit të mos kthehet në Ëndërr…Zoti e Bekoftë këtë Rrugë e Njerëzit e saj, 25 Shtatorin e Saj / Tonin çdo ditë të saj krejt zhvillim dhe plot qytetërim, jo vetëm për Plavë-Gucinë, po për tri shtetet e Ballkanit.
Në Deçan pa kanë n’Deçan,
më 25 shtator 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: e madhe, E PLAVË-GUCISË, Ramiz Lushaj, UNAZA E RE

ÇELË SHABAN GJONBALAJ I VUTHAJVE – MARTIR I MASAKRËS SË PREVISË

September 22, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Çelë Shaban Gjonbalaj është një trim i njoftun nga historia. Sikurse vendasit, shqiptarët etnik, dhe vet shkijet ardhacak e pushtues, ia dinin e thirrej shpesh me të dytin emër simbolik: Sokol. Vërtet ai ishte sokol i krahinës së Plavë-Gucisë e i Maleve Shqiptare.
Luftëtar si në legjenda. Më kallxojnë se Çela paska luftue edhe në Shekullar. Krejt i ri, 22 vjeç. Thonë se në luftna i mori nandë plagë si medalje trimnie. Kësisoj më përnget si një Gjergj Elez Ali modern.
Si Çela i Derës së Gjonbalajve të Vuthajve, e gjithë krahina etnike shqiptare e Plavë-Gucisë janë legjendarë modern të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Janë rrit’ në luftna e i kanë rritë luftnat. I kanë dhanë aq shumë Kombit Shqiptar saqë Historia Shqiptare me liderët e bijtë e vet të derisotëm iu mbeten ende borxhlinj.
Këta plavë-guciasit heroik prej kaherit po edhe me Luftën Ndër/Kombëtare të Nokshiqit e Ultinës së Epërme të Limit (1879-1880) kontribuan për me i pru’ Kombit tonë pranverën e Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës e tashti nuk e mertojnë me ua kthye sadopak shpinën me heshtje tue i lanë nën dimnin sllav.
2. Ky Çelë Shabani i Gjonbalajve, mixha i nanës së Bruno Selimajt të Nokshiqit e banor jetërrit’ në qytetin ilir të Gucisë, e pat’ vra një prijës trim malazez. Urosh i thoshin. Kambekrye antishqiptar zezanik. Iu duel atij fortas. Doli fitues Çela i Gjonbalajve. Ia preu trupin me shpatë. Si a kanë adeti i atëherit, ia mori kryet me veti. Ia kunji në Vuthaj, në troje të veta. Makabritet krenash. Zakon djalli i huajtur nga otomanët e cerrnagorët. Njëherash, edhe mesazh shqiptar për të gjithë sllavët e atyhit dhe të Çetinës e Beogradit.
Shkijet e shkinat derdhën shumë lotë. Vajet janë ndie gatë e larg. Ishte i pashëm e i përgjakshëm. Po nget ajo që rrallkush e pritke. Çohen shkinat e i shkojnë tek kulla Çelë Shabanit të Gjonbalajve. Aty lëshohen në lutje e në vaj. Po e lypin kryet e Uroshit malazez. Iu vjen keq e ua japin. Shkinat e stafetojnë në duar tue ia puth faqet.
Pas 19 tetorit 1912 Cerrnagorët e Çetinës i pushtuan Plavën e Gucinë me forcat e shumta të Divizionit Lindor (Grupimi i Verilindjes) i drejtuar nga gjeneral agjutant e brigadieri serdari, Janko Vukatiq, kryeministri i ardhshëm i mbretnisë së Malit të Zi (1913-1915). Nga Kaza e kthyen në Kapiteni me pesë komuna. Një prej tyre ishte komuna politike e Gërçarit, e cila përfshinte Gërçar, Dosugje, Zagrajë, Vermosh, Krushevë, Kolini, Qosaj, Gjonbalaj, Vuthaj, Çerem, Valbonë, Curraj. U vendos sistemi ushtarako-policor i administrimit, me komandë, polici, xhandarrmëri. Kapiten ishte Milivoje Dragoviq, ndërsa kryetar i komunës së Gucisë – Miliq Saviq, i komunës së Plavës – Lluka Dedoviq. Në komunën e Gërçarit ishin funksionarë: Ali Ibrahimi, Hasan Smajli, Nikë Prela, Ako Ali Velia. Po kështu edhe në dy komunat e tjera të Brezovicës e të Vojnosellës.
Një natë, njerëzit e natës mbi Plavë-Guci, forca të policisë e xhandarrmërisë malazeze, po e rrethatojnë e shënjestrojnë disa kulla malësore, ndër to edhe të Çelë Shaban Gjonbalajt. Krisma armësh. Poterë. Thirrje. Tek dera e kullës po del baba i Çelës. Ky burrë ndihet i nxanun ngushtë. Po don me ia arrestue djalin. Çka me i ba derzhavës. Iu thotë se është i plagosun e nuk mundet me iu dal tek dera e kullës. Çela po i ndie fjalët nga brenda e çohet ultas në krevat. Ata hyjnë mbrenda tanë egërsi. I shkojnë tek krevati. E kqyrin Çelën e i gjuhen në shkelma krevatit të tij prej druni. Nuk po mujnë me e godit fizikisht. Ata lëshojnë klithma urrejtjeje.
Komandanti i tyne po i thërret rrmisht Çelë Shaban Gjonbalajt pa iu afrue krevatit të tij:
-Çou Sokol! Ti si e kie vra Uroshin kie me na tregua sa trim je…
3. Luftëtari malësor Çelë Shaban Gjonbalaj i jep forcë vedit e i shtrengohet me gjak e shpirt trupit të vet. I ka vesh opingat me gjak. Plagët i dhimbshin fort. Iu foli mrrolshëm: Eci në kambet e mia. Mos me më prek kurrkush në udhën teme.
Edhe toka e mali thonë se ka sy e veshë. E paskan pa Çelën të rrethuem nga armët e tue ecë kryenelt për në Guci. Prej asaj dite e sot ende duket çudi si ka mujt me i qitë hapat me tana ato plagë trupit, ku e ka gjetë gjithë atë fuqi mbinatyrore?!
Një kohë të gjatë e kanë mbajt në burg në qytetin e Gucisë. Boll i dhanë përkujdesi shtëpia e tij, vllaznia e vet, krahina e vet. Kur i çonin bukë e ushqime njerëzit e tij iu kontrollohej trohë për trohë edhe buka e gatueme në saç, edhe psherja e djathit të bjeshkës, prej frike se mos futin në to ndonjë letër a gja tjetër.
Më 21 mars 1913 dikush nga ushtarakët pushtues malazezë të burgut po i thotë dikujt nga të shtëpisë së Çelë Shaban Gjonbalajt për mos me i çue ma bukë e ushqime pasi ka me u pushkatue për veprimtarinë e tij kundër mbretnisë së Malit të Zi e Krajl Nikollës.
4.Të nesërmen më 22 mars 1913, Kapiteni i Plavë-Gucisë, Milivoje Dragoviq, ban një aktakuzë me nr. Akti zyrtar 463 për të gjykuar 25 gucias. Ndër ta edhe Çelë Shaban Gjonbalaj.
Në proçes-verbalin e Gjykatës Ushtarake të Plavës, që mban dt. 22 mars 1913, nënshkrua nga kryetari Mulla Ajro Balshiq (turqisht), gjykatësit – nënoficerë Milun Pantoviq, Ture Gjuriçanin, sekretari Radoje Zaçeviq, shkruhet për akuzën e gjyqit ndaj tre të gjykuarëve: “… kundër Haxhi Haxhë Radonçiqit, Selë Mat Llalliçiqit dhe Çelë Shabanit, të gjithë nga Gucia, për shkak të tradhtisë së madhe të bashkimit me kaçakë dhe të gjetjes së armëve dhe të municionit tek ata”.
I pari në gjyq po thirret 60 vjeçari Radonçiq, pasanik, mysliman, analfabet, i cili dëshmon për herë të parë në jetë të vet para (pa)drejtësisë në Plavë: “Edhe pse u dorëzova kur ushtria juaj e mori Gucinë, unë dhe shoqëria ime kemi mendue se kjo do të jetë një kohë kaluesedhe se ne do të gjykojmë përseri dhe do t’ju vrasim dhe dëbojmë. Për këtë arsye i kemi fshehur armët, i kemi ndihmuar kaçakët, jemi takuar me ta dhe kemi bërë marrëveshje në dobinë tonë…”
Në gjyq, pas tij, thirren edhe Selë Matë Llalliçiqi dhe Çelë Shaban Gjonbalaj. Kryetari i trupës gjykuese po i dvet: “ Ti Selë dhe ti Çelë, a keni qënë në shoqëri dhe në takime me kaçakët së bashku me Haxhi Haxhë Radonçiqin? Sekretari gjyqësor e ka formulue përgjigjen e të dyve me do fjali: ”Vallahi po, gjithëçka ka bëra ai edhe ne e kemi bërë kabull. Tjetër nuk dimë t’ju tregojmë. Më mirë e dinë Mulla Sheqa dhe Mulla Hysa dhe le të tregojnë edhe të tjerët”. Pasi ua kanë lexue dy të gjykuarëve është firmosë nga sekretari i gjyqit, Zeçeviq.
Në sallën e gjyqit po vijnë për të deklarue edhe Mulla Sheqa e Mulla Hysa (me shokë). Po i dvetin: ju të dy së bashku me këtë shoqëri , a keni pasur ndonjë takim me kaçakët…? Ata vetëdeklarojnë: “Pranojmë se kemi bërë mbledhje të fshehta, kryesisht natën, jemi dërguar nga kjo shoqëri tek kaçakët dhe i kemi informuar ata”. Trupi gjykues i dveti prapë: A e dini edhe ndonjë tjetër që ka qënë me ju pos kësaj shoqërie? Ata rideklarojnë: “Vallahi nuk dimë askënd”. Ua bajnë edhe të fundit dvetje: Keni për të thënë diçka tjetër? Ata e mbyllin deklaratën e tyre me thanien: “Për dritë s’kemi gjë tjetër për të thënë dhe si tregoi Haxhi Haxha, ne kemi qënë shoqëri”.
Nga aktet dokumentare të kohës del se Çelë Shaban Gjonbalaj ishte një luftëtar organizator, ndër ma kryesorët e aktiv në krahinë, me veprimtari të shumanshme kundër pushtuesve sllavë, si lidhjet me kaçakët e maleve, mbajtja e furnizimi me armë e municione për një luftë të hapur kundërgoditëse për largimin e pushtuesve nga Plavë-Gucia, etj.
Një fakt tjetër: Çelë Shaban Gjonbalaj ishte njeri i ditun. Ai dinte shkrim e këndim në gjuhën zyrtare të kohës, në osmanisht, pasi afër xhamisë së Gjonbalajve, qyshse në vite të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte ngrit “Mejtepi i Vuthajve”. Kësokohe në Plavë-Guci kishte edhe shkolla në gjuhën serbe, po astenji shkollë nuk ishte në gjuhën shqipe derisa erdhën Austro-Hungarezët (1916-’18). As serbët e as otomanët nuk e donin shkollimin e shqiptarëve etnik në shqip.
5.Tri akte u kryen brenda ditës së 22 marsit 1913: Aktakuza e Milivije Dragoviqit. Gjykimi nga trupi gjykues me kryetar Mulla Ajro Balshiq. Ekzekutimi i 25 guciasve (ndoshta 26) sipas urdhërit tjetër të kapiten Dragoviqit. E gjithë kjo vërteton se si kryheshin akuzat, gjyqet e pushkatimet e barbarëve sllavë në tokën etnike shqiptare të Plavë-Gucisë, ndaj shqiptarëve të atyshëm, etnik, atdhetar trima, legjenda të historisë.
Kapiteni M. Dragoviq, në shkresën e tij zyrtare (pa numër akti), i ridrejtohet për të dytën herë Gjykatës Mbretënore Ushtarake të Plavës, në të cilën vendimon: “Sipas urdhërit verbal të z. brigadier (Avro) Cemoviq, pushkatimi të bëhet në vendin e djeshëm. Sipas vendimit tuaj, pushkatimin do ua bëjnë ushtarët e batalionit të djeshëm, ndërsa ata që i përcjellin (të dënuarit) të kthehen këndej”.
Në një burim zyrtar gjejmë emrat e të pushkatuarëve, që po i vetrenditim në listnim:
1. Çelë Shaban Gjonbalaj
2. Haxhi Haxha Radoniçiqi
3. Haxhi Beqa
4. Mulla Sheqa (Omeragaj)
5. Ak Ala (Çekaj)
6. Began Sharkoviqi
7. Nuc Jakupi
8. Jup Racaj
9. Malë Haxhi Sejda (Nikaj)
10. Ibrahim Radoniçiqi
11. Halil Radoniçiqi
12. Mujë Agë Tali (Omeragaj)
13. Murat Haxhi Radoniçiqi
14. Ramë Zeqiri (Kolina)
15. Aso Alki (Kolina)
16. Ramë Shujakoviqi (Shujaku)
17. Selë Matë Llalliçiqi
18. Akë Lec Çekaj
19. Jakup Arif Pepaj
20. Akë Smajli (Balaj)
21. Metë Shabani
22. Abdyl Zeka
23. Shaban hasani
24. Malë Ibishi
25. Ramë Ibishi
Fakti se si kryeheshin nga Mbretnia e Malit të Zi dënimet ndaj shqiptarëve etnik (të origjinës shqiptare, vendali plavë-gucias) në Masakrën e Previsë (tetor 1912-nëntor 1913) na e dëshmon qartë edhe korrespondenca e Qatipit Josif Shoshkiq, qatip i Kapitenisë së Polimlës – Krushevë drejtue Drejtorisë Krahinore në Andrijevicë. Aty thuhet se një ditë ma para, më 21 mars 1913, kryetari i Gjykatës Ushtarake të Plavës, Mulla Ajro Balshiq, iu kërkonte me shkresë zyrtare që “të gjendet një vend i përshtatshëm për pushkatimin e njëzet e gjashtë tradhtarëve të shtetit, të fesë myslimane, nga Qarku i Plavë-Gucisë”. Dihet edhe koha kur u shkoi shkresa: ora katër e gjysmë pasdite.
Pra, një ditë përpara, ende pa u mbledh Gjykata Mbretnore Ushtarake e Plavës, ishte marrë vendimi për pushkatimin e malësorëve gucias, ndër të cilët edhe Çelë Shabani i Gjonbalajve të Vuthajve. Gjyqi ishte vetëm një akt formal.
Për ma tepër, një ditë përpara, ishte caktue edhe vendi i pushkatimit të tyre “në Previ”, pikërisht aty në një grop të përbashkët, i zgjedhur si vendi më i sigurt në rajonin e kapitenisë.
Në Masakrën e Previsë kanë pasë rol negativ, prosllav e kundërshqiptar, edhe popi i Gucisë, Gjorgje Shekullarac, murgjit rusë të Manastirit të Deçanit (me në krye Maksimin), kreu Mulla Hajro Bashiqi (Basha) që ktheu identitet etnik e fetar në Balshiq e u shpërbleu me funksion juridik ushtarak në krahinë, etj.
Masakra e Previsë është një nga masakrat ma të mëdha në historinë e botës prej se nga koha e Krishtit e Muhametit, një masakër e kryer nga vet Mbretnia e Malit të Zi të Krajl Nikollës së Parë, e cila i përmban pesë elementë të dënueshëm ndërkombëtarisht: Terror. Genocid. Krime kundër Njerëzimit. Krime Lufte. Spastrim Etnik. Kjo Masakër tragjike e jashtëzakonshme është ende e pazbardhur dhe një ditë të afërt kur bota e sotme të mësoj rreth saj atëherë do të shohim se do i vendosin shqiptarët në krye të listës botërore si kombi ma i diskriminuar në glob nga fqinjët e vet ballkanik sllav e helenë me lidhtarë e përkrahës të tyre në Euro-Azi.
Masakra e Previsë ka hy’ në kangët e pupullit, iu jehojnë kohnave, gdhendin heroiken e tragjiken e shqiptarëve:
Kur kanë shkue në previ
Me hap vorret i kanë shti.
Djali i Memës a’ ngushtue:
-Ç’janë këto vorre babë,
Që jemi tue i marue?
Nuk janë vorre, po jan’ llogore
Me luftue me Cerrnagore!
Pas pak burrat i kanë rreshtue,
Ni batare ja u kanë lëshue.
Shtatëqind vetë janë pushkatue,
Asnjë gjallë nuk ka pshtue…”

6. Pushtuesit malazezë i vrisnin shqiptarët etnik e të origjinës në tragjiken e përgjakshme Masakra e Previsë e, njëherash, Kapitenia, Komanda e Vendit, kishte lëshue urdhnin e lig, barbar: Askush nuk mundet me i vajtue mashkujt e vrarë prej tyre (!) Asnjë kullë nuk duhej të derdhte lotë, të kryente vajtimin e trimave të pushkatuar.
E ky po do’ me ia dit’ për shkijet e Çetinës nana e Çelë Shaban Gjonbalajt të Vuthajve. Ajo, Dada, apo Dadëmadhja si i thojshin, ishte e fortë si Ajkuna e Eposit të Kreshnikëve të Veriut. Si Ajkuna e vajtoi djalin e vet.
Dy javë ka zgat vajtimi për Çelë Shabanin. Grania e Gjonbalajve e nga vllazni të tjera të Vuthajve, ndonja edhe nga krahina etno-historike e Plavë-Gucisë, të afërme nga viset përrreth, gjithato, rende-rende, ditëpërditë, vinin tek kulla e vajtonin me kangë të traditës.
Aty shkonte edhe Mark Bozhi i hypun në kali shale e ndalke përjashta, në afri oborrit. Ai dinte edhe shqip. I fjala shkruante ato kangë vajtimi. Njana mbas tjetrit, pa ua harrue as pikë e as presje.
Dadëmadhja, nana e Çelë Shaban Gjonbalajt, nga atdhetaria kombëtare në gene e truall, nga zemra e plasun për djalin e pushkatuem prej shkijeve, nga urrejtja e saj kundër sllavëve, në kangët e saj të vajit i shante edhe Krajl Nikollën, edhe shtetin e vogël mbretnor malazez, edhe kapedanët në krahinën e Plavë-Gucisë. Të gjithë ata që e kishin hak. Kjo i kushtoi jo pak Dadëmadhes. Në krye të dy javëve e kanë mshilë në burg. E kanë torturue psikologjikisht e fizikisht kit’ grue burrneshë të Alpeve Shqiptare. Po e ceki një rast.
Roja i burgut i veshke rrobat e djalit të saj, Çelë Shaban Gjonbalajt të pushkatuem. I veshke çakshire, jelek, plis, qystek, kobure… I shkojke Dadëmadhes tek qelia e i thoshte krejt cinizëm, barbarizëm, antishqiptarizëm:
-A po i njeh? A po din se të kujat’ janë këto?…
Dadëmadhja e mallkonte me tanë forcën e shpirtit, me rrgallet e fjalëve nga ma të ashprat.
Pos kësaj i banin edhe tortura të tjera psikologjike: E çojshin Dadëmadhen në vendin ku ishte plagosë djali i saj, Çelë Shaban Gjonbalaj dhe ia tregonin gjakun e patharë në tokën shqiptare. Ajo i mallkonte shkijet dhe i thurte lavde trimnisë së djalit të saj.
Kjo ishte një Nanë e Madhe Shqiptare.
Sot, Çelë Shaban Gjonbalaj, daja e Bruno Selimajt, është një nga martirët e Masakrës së Previsë, një trim legjendar i Kombit Shqiptar.

Filed Under: ESSE Tagged With: ÇELË SHABAN GJONBALAJ I VUTHAJVE – MARTIR I, MASAKRËS SË PREVISË, Ramiz Lushaj

SHEMBULLI KOMBËTAR I LURËS MEDALION SHQIPTAR PLANETAR I VIZITËS SË BEKUAR TË ATIT TË SHENJTË

September 16, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Kisha katolike Shën Maria në Lurë, që mban emrin e Nanës së Jezu Krishtit, ndoshta e ngritur në shek. XV, vend pelegrinazhi i kahershëm, nga erozioni i motmoteve e i politikës antife ateiste të së djeshmes, iu kishin mbuluar themelet me dhè e barë tufalak.
Biznesmeni elitar e humanist, ing. Dod Doçi, president i “Group Lura”, ndërtimtar i fshatit turistik “Lura” në bregdetin e Durrësit, njeri i palctë, bajemirë e punëkryem, vendosi shpirtërisht me i ringrit’ këtë “Shtëpi të Zotit” me financimet e tij.
Dod Doçi, ky biznesmen i besimit katolik i Derës së Parë të Doçit në Lurë, e cakton kusherinin e vet të afërt, Sali Doçin, i besimit mysliman, për me gërmue në thellësi të tokës e me i nxjerr faqe botës themelet e kishës së vjetër Shën Maria. Gjithashtu, Sali Doçi ishte si koordinator revident e krahtar në punimet e ndërtimit fundekrye të kësaj kishe krejt të re e vërtet të bukur. Tani ky mysliman do të jetë për 10 vjet kujdestar plotor i kishës katolike Shën Maria në Lurë, edhe pasi prifti të vijnë aty, pasi ka një kontratë të tillë pagese me presidentin e kompanisë “Lura”.
Si këto tre raste të pashembullt nuk i gjen askund në glob, në kohën e sotme ku shpesh dhezèn konflikte të pashuara e të përgjakshme ndërfetare.
2.Kur filloi hapja e themeleve të reja të Kishës katolike Shën Maria në Lurë ishte një nga ditët e Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, i Agjërimit – një nga pesë shtyllat e Islamit. Aty shkon edhe Sheh Haliti i Lurës, krahinë me mbi 125 km2 me shumicë të besimit mysliman. E pritën shumë vllaznisht, sipas traditës lurase dhe të Derës së Doçit, të vet Dod Llesh Zef Doçit të Lurës. Të gjithë sa ishin aty i dhanë mirënjohje shpirtnore.
Sheh Haliti uroi tek themelet e kishës, e dha bekimin e tij plot mirësi njerëzore, ndërfetare: “Ju priftë e mira në ndërtimin e kësaj “Shtëpie të Zotit”! Ta gëzojmë bashkarisht gjithë Lura jonë!”.
Ai iku fytyrëqeshur. Katolikë e myslimanë të atyshëm ndiheshin të lumtur.
Ky është një tjetër shembull i pazakontë i bashkëjetesës fetare në Lurë që rrezatohet tek Kisha Shën Maria.
3.Shumkush nga filantropistë shqiptar përgjatë kohnave ka dhanë financime për ndërtime të kishave katolike po astenji rast tjetër nuk është i ngjashëm me shembullin e jashtëzakonshëm të ing. Dod Doçit i “Lura Group” në ngritjen e kishës Shën Maria në Lurë.
Me përkujdesje të tij u çpluan themelet e vjetra të kësaj kishe dhe ing. Dod Doçi me grupin projektues të firmës “Lura” në projektin e ri i lanë të paprekuna themelet e moçme (50 cm.), të cilat kisha e re i ruan ato si vlera muzeale e në funksion ritual të besimtarëve katolikë të atyhit e rrethinave.
Vet, personalisht, biznesmeni Dod Doçi, antar i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, e mori Lejen Lejen për kishën e re tek Dioqeza e Rrëshenit, tek Administratori Apostulik i saj; e njoftoi për nismen e projektin edhe Selinë Metropolite – Kryedioqeza Tiranë-Durrës me Arqipeshkv Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, ku përveçohet për mirë edhe kontributi ndihmatar i Don Gjergj Meta – Administrator i Kishës Katedrale Shën Pali në Tiranë dhe Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Ing. Dod Doçi ia bani vet projektin Kishës së re Shën Maria. E përzgjodhi ndër gjithato projekteve të tilla në botë. Sëbashku me grupin e arkitektëve të kompanisë së tij shkoi në Lurë me i pa nga afër trollin e kishës, luginën, malet, ndërtimtarinë e atyshme. Ark. Blerta Foto, ark. Dea Gora, ing. Redrit Baholli, me përvojën e vet të mirë banë një projekt të vetin të veçantë, i tipit alpin, ku harmonizohen antikja me modernen, i rrallë, ndoshta i vetmi si ky.
Biznesmeni Dod Doçi me investimet e tij të mëdha e ndërtoi Kishën Shën Maria në
Lurë. Mjeshtrit i përzgjodhi nga ma të mirët, profesionist në ndërtime të kishave katolike në trojet shqiptare. Materialet e ndërtimit janë tanësisht natyrale. Muret krejtësisht dekorativ, me gurë gëlqeror të ardhun nga Rubiku (Mirditë) e të skalitur aty nga mjeshtrit gurëgdhendës. Gëlqerja përzihet me ranë guri. Brenda mureve të kishës ka një skelet betonarme të padukshëm për me iu përballue forcave sizmike. Dera e 12 dritaret e kishës kanë formën e një harku (qemer me çelës) karakteristikë e kullave të zonës përrreth.
Këmbana e saj, e prodhuar në Milano të Italisë, ka pamje e orientim të atillë që të dëgjohet përtej luginës së gjatë e të bukur të Lurës, në vise të rretheve fqinjë, në Mërkurth të Mirditës, etj. Ajo mban mbishkrimin e vet kushtimor: “KISHA SHËN MËRIA. DHURATË KOMUNITETIT. DOD LLESH ZEF DOÇI. LURË, 2014”.
Kisha do të ketë hapësira plotore, pasi biznesmeni Dod Doçi i ka blerë mbi tre dynym tokë për selinë e kishës, për vorret anë saj, për oborrin e livadhin e saj të madh.
Natyrisht, biznesmeni besimtar e bamirës Dod Doçi nuk është nga ata filantropistë që pasi investojnë në një objekt ia kthejnë shpinën atij. Përkundrazi: për 10 vjet, si e cekëm nelt, ka me e lanë kujdestar të besuar e të paguar myslimanin Salih Doçi me u kujdes për Kishën Shën Maria, përgjithçka në territorin e saj, për çdo gja të ditës e të perspektivës që i duhet kësaj “Shtëpie të Zotit”.
Këta shembuj përgjatë ndërtimit të Kishës katolike Shën Maria në Lurë, kryevepër bamirëse e biznesmenit Dod Doçi, nuk i gjen ndokund tjetër në botën e sotme.
4.Dod Llesh Zef Doçi i Lurës njihet si derë e besimit katolik të paktën qyshse nga shek. XV dhe ende edhe sot ndihet i tillë si besimtar i devotshëm e kontributor.
Tradita rrëfen se paraardhësi i tij i hershëm, atdhetari Preng Nikollë Doçi, ka marrë pjesë në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës (1444) mbajtur nga Heroi Ynë Kombëtar, epokali Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i vlerësuari “Atlet i Krishtit” e “Mbrojtës i Krishtërimit”, Historia, mitet e legjendat flasin se Skënderbeu ishte mjaft i lidhur me krahinën lavdiplote të Lurës, pasi për besë, siguri e bujari e sillte aty një pjesë të madhe të ushtrisë së tij në kohë dimri, farkëtonte armë në Livadhin e Xharrit, ende ruhen “gjurmët e kalit” të tij në Qafë Lurë, etj.
Dera e parë e Doçit në Lurë, pasaardhës i së cilës është edhe Dod Llesh Zef Doçi, i dëshmon kohës e botës së sotme ndërplanetare një shembull ideal e praktik të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës dyfetare katolikë e myslimanë brenda vet trungut familjar, brenda vllaznisë së tyre.
At Loro Mihaçeviq në veprën e tij “Nëpër Shqipëri 1883-1907” shkruan për Derën e Doçit – Derë e Parë e Lurës, për faktin e jashtëzakonshëm të bashkëjetesës të dyfeve edhe brenda një trungu familjar: “Në Lurë qemë në shtëpinë e Kryeplakut të fshatit, i cili e kishte vllain mysliman, njëri festonte Krishtlindjet e tjetri Bajramin, njëri fëmijët i ka pagëzuar Gjon e Pjetër dhe tjetri u ka fryrë në vesh emrat Syl e Osman”. Tevona, në kit’ Derë, Bibë Kolë Doçi – Kreu i Lurës, kërkoi nuse (Korben) për djalin e vet në Derën e Sali Stafë Carës. Miqësia u lidh me kusht: jo vetëm çika e tij po edhe fëmijët e saj që do të lindnin të merrnin besimin mysliman. Kjo u pranue dhe u zbatue prej tij. Djali i tij ishte i besimit katolik e shkonte në Kishën Shën Maria të Lurës, ndërsa grue e fëmijë i kishte të besimit mysliman e shkonin në xhami.
Kulla “Monument Kulture” e Bibë Kolë Doçit, kushërinj të afërt të Dod Doçit, ishte një familje e madhe me 31 antarë. Në vitin 1966, kur u ndanë ndërveti, degëzimi i Bibë Doçit me djemtë, Zefin (kryebashkiak në Balldre – Lezhë), Gjonin (mësues, poet e prozator) e Lleshin ishin 17 vetë të besimit katolik dhe degëzimi tjetër i Haziz Doçit me fëmijët e tij (një prej të cilëve është edhe Sali Doçi i Kishës Shën Maria) ishin 14 vetë të besimit mysliman.
Dyfetarizmin e gjejmë edhe në trungun familjar të Prengë Dedë Doçit (tjetër kushëri i afërt i Dod Llesh Zef Doçit) e kanë ruajt besimin katolik po kanë pasë martesa të përziera, edhe me myslimanë. Vite ma herët kjo familje ka lidhë miqësi me Markun e Doçin në Arrën, Laçin në Reç, Kacin në Gjur-Lurë.

5.Historianët e studiuesit dhe vet fetarët si At Gjergj Fishta, At Loro Mihaçeviq, At Domeniko Pazzi, akademikët Kristo Frashëri e Mark Tirtja, prof. dr. Shefqet Hoxha e Kahreman Ulqini, doktorant Nikollë Loka, dr. Agron Tufa, Xheladin Tollja, Ahmet Përleka, Hysen Dervishi e të tjerë thonë se lurasit myslimanë shkonin sëbashku me katolikët në kishë për Krishtlindje e Pashkë, po edhe lurasit katolikë shkonin sëbashku me myslimanët në xhami për Bajramin e Madh dhe për Bajramin e Vogël.
Në të gjithë Shqipërinë, shkruan doktori i shkencave filologjike, Agron Tufa, poet, shkrimtar e përkthyes, është përhap legjenda se gratë e krishtera kanë gatuar në të njëjtin kazan si mishin e deles dhe mishin e derrit dhe gjatë ngrënies ua kanë ndarë në sofër sipas përkatësisë fetare të secilit.
Në fund të shekullit XIX në Lurë, ku martesat me besime të ndryshme ishin të zakonshme, prof. dr. K. Ulqini thekson se u gjet ky rast: ndër katër djemtë e një familjeje, i pari dhe i treti mbanin besimin e atit, i dyti dhe i katërti besimin e nënës katolike.
Kjo bashkëjetesë në mes të krishterëve e myslimanëve është një tjetër kontribut i madh që ka dhanë Lura për qytetërimin shqiptar, europian, ndërplanetar, që Selia e Shenjtë në Vatikan e ka në thesaret e saj si model për kohën e botën e sotme.
6.Familja e Llesh Zef Doçit, babës së biznesmenit bamirës Dod Doçi, president i “Lura Group”, ishte e vetmja e besimit katolik në fshatin Sumaj të Lurës me popullsi krejt myslimane, po këta si Derë e Parë e Lurës e ruajtën deri në ditët e sotme besimin e vet katolik duke e respektuar edhe besimin e tjetrit, atë mysliman, në çdo rast e festë, çdo ditë. Si dje, edhe sot.
Biznesmeni Dod Doçi nuk është rastësisht një bamirës i ndërtimit të kishës katolike Shën Maria në Lurë, pasi ai, më 19 tetor 2003, ishte në Romë, në ceremoninë e Lumturimit të Nanë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Nuk ishte vetëm. Me 50 vetë nga kompania e tij private “Lura” nga Shqipëria Londineze shkuan në kit’ ditë historike në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Lura dhe Kisha e saj Shën Maria, kryevepër bamirëse e biznesmenit besimtar e të suksesshëm Dod Llesh Zef Doçi i Lurës, janë një shembull thesar jashtëzakonshëm i bashkëjetësës fetare e humanizmit për kohërat e epokat, për Krishtërimin e Njerëzimin, si një “dritë hyjnore” shqiptare për Vizitën e Bekuar të 21 shtatorit 2014 të Atit të Shenjtë Papa Françesku I në Tiranë, në truallin shqiptar që i dha shumë Krishtërimit e pret mirënjohje ma të mëdha.
Tiranë, 16 shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Kisha Katolike, Ramiz Lushaj, Shen maria Lure

BRUNO SELIMAJ, NJË EMËR I KOHËS SHQIPTARE

September 15, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Bruno Selimaj, i Nokshiqit të historisë, i qytetit ilir të Gucisë, me shtatin lis bjeshke, u
çue vigan në kamb’ në restorantin e vet elitar në Manhatan të Nju Jorkut, të kthyem prej tij në “Qendra e Ndihmave për Kososvën”. Aty ishin mbledh mirësisht tanë ata shqiptarë për të dhanë ndihma në dollarë amerikanë për Kosovën. E kishte të vështirë ky burrë i lartë me i lyp kujt, po gurra e zemrës ia vrelli fjalët e shpirtit:
-Unë i dhashë të gjitha çka pata për Kosovën, po janë ka më duken pak për Kosovën tonë. A ka burrë këtu që m’i jep 100 (njëqind) mijë dollarë hua se due me i dhanë edhe ato për Kosovën?
Një tjetër burrë i të mirës e i të mbarës, Nikë Mehmeti i thonë, atypëraty ia huajti Bruno Selimajt, njeriut të sakrificës përtej të zakonshmes, plot 100.000 USD cash, të cilat ia ktheu mbasandejna me çek bankar. E aty, para të gjithëve, e istikami atë kryefjalën refren i ditës: “Për Kosovën”. Të pranishmit e përcollën kit’ akt fisnik në kambë, me duartrokitje, plot mirënjohje.
Atë ditë historike në lokalin e Bruno Selimajt 40 kontributorë dhuruan 1.620.000 (një milion e gjashtëqind e njëzet mijë) USD për Kosovën, për lirinë e pavarësinë e saj.
Bruno Selimaj në at’ ag pranvere 1999 u këndell në fytyrë. Si e kuqja e Flamurit Shqiptar. Dorën e kishte vnue tek zemra. Sigurisht, ajo i rrahte shpejt, fort, shumë. Si ditët e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës…
Ky akt ishte biblik. Përndryshe: një “Giness shqiptar”. Kurrsesi një “ankand” në lokalin e tij klas. Gjithësesi një piedestal i kohës. Vet Bruno Selimaj ishte një nga piedestalet e kontributeve të mëdha e të vazhdueshme për Kosovën e sotme shtet i pavarur e sovran. Mbi njëzet vjet me dorë në zemër e në xhep për Kosovën.
Ai, Bruno Selimaj, në atë vit 1999, e pat’ mbyll përkohor aktivitetin tradicional të dy restoranteve në afri e pronë hipotekore e tij në Manhatan. Njani mbeti i heshtur, magazinë. Tjetri plot gjallëri: e ktheu në “Qëndra e Ndihmave për Kosovën”. Ky akt nuk ishte pak. Mijëra dollarë amerikanë mbeteshin pa hyrë si zakonisht në llogaritë e tij bankare, në jetën e tij familiare, në kontributet e tij farefisnore, miqësore, kombëtare. Prapë, asokohe, në atë ditë të tubimit për ndihma për Kosovën, i boshatisi llogaritë e tij bankare. Si rrallëkush. Ndoshta si askush. Sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto, shqiptari i madh Bruno Selimaj i lypi e i dha fisnikërisht edhe 100.000 USD. Zoti e bekoftë në jetë e mote, kit’ jetëepunë ndritur!
Tradita shqiptare e ka një thanie të njohur: Burri ban çka mundet. Ky, i miri shpirtbutë e punëartë, Bruno Selimaj, me shembullimet e tij dëshmoi edhe ndryshe: Burri ka i’here ban edhe çka s’mundet, sidomos kur flitet për sakrifica të larta për Kombin, si ky rast e akt i tij i shumëfisht për Kosovën dardane.
2.Bruno Selimaj është ma i madhi ndër dhjetë fëmijët e Bajram Mujë Selimajt, ndër vllaznit e tij: Nino, Dino, Bali, Besim e Alex dhe motrat Igballa, Nakshia, Naxhie e Resmie.
Kur ishte në Guci punonte si bujk i arave e shpesh bari i tufës. Toka ia njifte dorën e malet kamben. Ai punonte shumë e mirë se ishin familje e madhe, se ishte punëtor i madh. Puna i kishte hap, grat’ e uratë. Një herë e provoi të shkonte në Shqipërinë Londineze, po u rikthye shpejtas në trollin e lindjes, në krahinën e Plavë-Gucisë të futun padrejtësisht nën Malin e Zi. Ndoshta, gjithkund, në dy anët e kufinit të 1913-tës, jeta po i dukej njësoj. Ai kërkoi diku tjetër një jetë ndryshe: ma të begatë, ma të lirë, ma të paqme, ma të mirë, ku të punonte me të dyja duart: njana për veten e tij e shtëpinë e tij dhe tjetra për Kombin Shqiptar e për Amerikën.
Ishte viti 1970. Bruno Selimaj 18 vjeçar kapërceu Atlantikun. Rroku tokaqiellin e Amerikës. Si të gjithë emigrantët e atyshëm. Iku sëbashku me prindërit e tij të mirë, model në udhën e vet, magnet për fëmijët e vet, të ylltë në humanitetin e vet, të lidhur me trojet e veta e me idealet kombëtare shqiptare, të cilët i dhanë Kombit Shqiptar një trashëgimi tejet të madhe: fëmijët e vet, veprat e fëmijëve të vet.
Amerika e rinuar në gjithçka dhe e zhvilluar pa kufi nga Toka në planete të Galaktikës, kryefuqi e botës në shek. XX, Tempull i Demokracisë, si i thonë shprehjes së emigrantëve të atjeshëm, e “mori me të mirë” Bruno Selimajn e ri, djaloshin gene e virtyte pastër. Njejtësisht e virtytshëm, edhe Bruno Selimaj i doli Amerikës një ndër shqiptarët më të mirë në tokën e vitet e saj.
Në “planetin” Amerikë, në kit’ vend kryezot mbrojtës i Kombit Shqiptar, Bruno Selimaj ia mbrrini të jetë një shqiptar i mbrrimë. Një shqiptaro-amerikan dinjitar. Flamurtar. Simbol. Dje, sot, nesër.
Në nëntor 2012, përkitas me 100 vjetorin festë madhështi të Pavarësisë së Shqipërisë, gazeta amerikane “Neë York Daily Neës” e rendit qytetarin e kulturës perëndimore e biznesmenin atdhetar Bruno Selimaj një ndër “10 Shqiptarët më të njohur në SHBA”, krahas e ballas me personalitetet e tjera emblematike: Harry Bajraktari, Stan Dragoti, Bardhyl Tirana, Ëiliiam Gregory, Skënder Ghilaga, Emine Çunmulaj e të tjerë.
Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë për kontributet e atributet e shquara e nderoi me Çmimin e madh “Konica”, një çmim i ndarë edhe për personalitete të larta botërore e shqiptare si Bill Klinton në Amerikë, Tony Blair në Britaninë e Madhe, Ibrahim Rugova në Kosovë, e të tjerë. Kjo dekoratë nderi do t’i dorëzohet solemnisht në veprimtarinë tradicionale kulmore të Fondacionit Plavë-Guci për Ditën e Flamurit, në fund nëntor 2014, në Nju Jork – kryeqëndren e sotme të shqiptarëve në SHBA.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, më i fuqishmi organizëm i shoqërisë civile në Amerikë, e dekoroi Bruno Selimajn në shtator 2006 në hotel “Cipriani” të Nju Jorkut me Çmimin e lartë “Arritje gjatë jetës” (Lifetime Achievement Aëard) për përkushtimet e tij për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Me një çmim të tillë vjetor KKSHA ka nderuar edhe presidentin amerikan Bill Klinton, sekretarët e shtetit amerikan Xhejms Bejker e Madlen Ollbrajt, senatorët Bob Doll e Miç MekKonell, ambasadorin amerikan në OKB, Riçard Hollbruk e të tjerë. Sigurisht, përkrah, në mes, në rradhë, me këta njerëz të mëdhenj për Kombin Shqiptar edhe Bruno Selimaj ndihet shumë mirë, i nderuar lartësisht.
Ndoshta edhe presidentët e Shqipërisë e të Kosovës, ndonjë ditë, në ndonjë rast, do i japin personalitetit të mirënjohur shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj dekorimin përkatës për meritat e tij, pasi ky është një emër i nderuar i kohës shqiptare.
3.Geni i mirë i trollit të tij rrënjas nokshiqas, geni i trungut familjar nga gjaku i babës e tamli i nanës, dhe geni i degëlidhjeve kah dajët e vet, i jeton prej në kohë lindje shqiptarit bestar e nderimtar, Bruno Selimaj. Ky gen i jeton në gjakun e shpirtin e tij, në udhët e arritjet e tij. Ky gen i mirë e fisnikëron atë në palcë e asht, i gjeneron forcë suksesi, i jep bukuri shpirti, i sjell e përcjell madhështi brezash, epokash. E ban të pathyeshëm, të pakthyeshëm, të patjetërsueshëm. S’ka se si të ndodhë ndryshe!
Biznesmeni Bruno Selimaj, ndër dekada, në restorantin e tij “Club A Steakhouse” ( 240 East 58th Street New York. NY 10022) e mban figurshëm si emblemë në trupveshjen e vet, tek qysteku i tij – një Shqiponjë, simboli i Flamurit Kombëtar Shqiptar. Qyshse në pamje të syrit klientë nga etni e komunitete të ndryshme të Amerikës e paradijnë se pronari i tij, Bruno Selimaj, është Shqiptar Etnik. Po. Ai realisht është i tillë në pamje, me fjalë e vepra – nga thonjtë tek flokët, nga gjaku tek fjala, nga ashti tek hapat. Në mbi 60 vite të jetës së tij.
Ajo Shqiponjë tek qysteku i Bruno Selimajt nuk është rastësi apo dekor. As shenjë antike apo moderne. As diçka tjetër. Ajo e ka simbolikën e vet, e cila lidhet fort e mirë me trollin e tij atnor, genetik, me vet Nokshiqin e historisë mbarëshqiptare, panballkanike, ndërplanetare.
Flamuri Kombëtar Shqiptar, pas Shtetit fitimtar të Skënderbeut, për herë të parë, e ritheksojmë për herë të parë, në një luftë frontale kombëtare mbarëshqiptare, u përdor pikërisht në Luftën e Nokshiqit, në dy betejat e mëdha gjeostrategjike e ushtarako-politike të saj (4 dhjetor 1879 – 11 janar 1880). Pra, u përdor në kit’ vis të origjinës e trollit edhe të Bruno Selimajt.
Ky fakti historik i Flamurit në gurra dokumentare dëshmohet edhe nga vet okupatori shumëshekullor otoman, nga vet Dervish Pasha, kryekomandat i Armatës Otomane me 30.000 ushtarë pjesmarrës në Luftën për pushtimin e Ulqinit e dorëzimin e tij Malit të Zi (23 e 26 nëntor 1880). Ky gjeneral gjakatar otoman në vitin 1881 i relatonte me telegram Sulltanit: “Fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh (1979) për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse u informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamuj shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Vepra “Lidhja e Prizrenit në dokumentet osmane”. Përkthyer dhe përgaditur nga Iljaz Rexha. Botim i Arkivit të Kosovës. dok. 71. Prishtinë. 1978. f. 173). Tjetra. Sot për sot, Flamuri Kombëtar Shqiptar ma i vjetër në fondet etnografike të Qëndres Albanologjike në Tiranë, ndër 16 flamujt e arkivuar zyrtarisht, është Flamuri i gjetur në Plavë-Guci, sigurisht i përdoruri në Luftën legjendare të Nokshiqit, në kit’ vis edhe të Bruno Selimajt.
Historiografia kombëtare shqiptare në vazhdimësi kohore po i jep vendin e munguar e të merituar kësaj lufte epokale e epope të Nokshiqit, luftë fitimtare e cila cilësohet si “Parathënie” e Pavarësisë Shqiptare në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit. Populli kit’ histori shqiptare me dy akte të mëdha kombëtare të Flamurit Shqiptar, në Nokshiq e në Vlorë, e përjetësoi në muzen e vet me një simbolikë mjaft domethënëse:
Si dy male i rrijnë Historisë,
Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë…

4. Bruno Selimaj në 100 vjetorin e Pavarësisë Shqiptare të Vlorës, në veprimtarinë e organizuar nga Fondacioni Plavë-Guci (FPG) për Ditën e Flamurit, në at’ 25 nëntor 2012, i dhuroi për pjesmarrësit e atyshëm 400 plisa të bardhë dhe 400 flamuj kuqezi. Ato kishin simbolikën, krenarinë e atmosferën e vet. Shqiptarët me plisa në kokë e flamuj në duar, ndiheshin si “mbretër të vërtetë” në hotel “Royal Regency” në Jonkers të Nju Jorkut. Si rrallëherë, si rrallëkund, vendi u dhezë me ngjyrat e simboleve tona kombëtare. Një mrekulli në mërgim. Një mesazh i madh për vendlindjen në Plavë-Guci e kah i thonë Shqiptari.
I përkushtuari atdhetar Bruno Selimaj i Nokshiqit, i Gucisë e i Nju Jorkut, ashtu sikurse me Flamurin Kombëtar Shqiptar, njëherash e pothuaj njejtësisht, edhe me “Plisin e Bardhë” e ka lidhjen e vet historike, kombëtare, shpirtërore.
Plisi i bardhë (kapuçi, qeleshja) është simbol e traditë ilire. Në gjetje arkeologjike të kohës së Antikitetit ilir ka gjithato statuja me plis të bardhë. E ka mbajt edhe mbreti Pirro i Epirit. Në një foto të shekullit kaluar tek Manastiri i Deçanit (ish kishë katolike) shumica e pjesmarrësve në oborrin e saj janë me plisa të bardhë, shqiptarë. Në Kuvendin e madh historik të Junikut të Kosovës (21-25 maj 1912) që i dha hov Kryengritjes së Përgjithshme drejt Shkupit (gusht 1912) e udhëçoi drejt ngritjes së Flamurit në Vlorë, askush nuk u lejua të merrte pjesë me kësulë turke, po vetëm me plisin e bardhë iliro-arbnor-shqiptar. Një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Lef Nosi, më 29 nëntor 1912 nga Vlora e ngritjes së Flamurit lajmnonte në Elbasan, vendlindjen e tij: “Qeleshet e bardha këtu u shtrenjtuan shumë”. (Jaho Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Monografi. EB Gj. Fishta. Lezhë. 2007).
Një tjetër lidhje ka shqiptari atdhetar Bruno Selimaj me plisin e bardhë. Kjo ka të bajnë me vet identitetin kombëtar të shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.
Princi-bishop Petri II Petroviç-Njegos i Malit të Zi (1833-1851), i etnisë serbe, filozof e poet epik, që i zgjeroi kufijtë me pushtime e aneksime të territoreve shqiptare, e shpiku “kapicën e zezë” malazeze, si identitet malazez. Kësisoj, sllavo-ortodoksia e shpiku edhe “kombin malazez”(!) Nipi i tij, Krajl Nikolla i Malit të Zi, kur ishte princ (1860-1910) e, mbasandejna, mbret (1910-1918) e ktheu në detyrim të pashmangshëm e të përgjithshëm politik, ushtarak, shkollor e fetar për çdo malazez mbajtjen e “kapicës së zezë” malazeze. Edhe fëmijëve në shtëpi e në shkolla iu mësohej se rrethi i kuq tek kapica e zezë ishte gjaku që duhej marrë për Malin e Zi, gjaku që duhej derdhë ndaj shqiptarëve etnik me plisa të bardhë në viset e veta deri në çfarosjen e tyre nga trojet iliro-arbnore.
Kjo ishte ndamja e madhe e kohës: shqiptarët me plisa e malazezët me kapica.
Kjo u përflak ballas, preraz, përgjakshëm edhe në Luftën e Nokshiqit (1879-1880). Kangët e popullit iu dëshmojnë kohnave: …Asht Shqipnija tan’ me plisa…/ apo …E ti Marku (Milani) i Malit t’ Zi / Mblidh kapicat për n’ Çeti’ (Çetinë)! /.
Diku tjetër gjejmë në vargjet e popullit dialogun e Krajl Nikollës me vojvodë Mark Milanin, antar i Senatit të Malit të Zi e komandant ushtarak që humbi randshëm në Luftën e Nokshiqit – në ma të madhen e ma të përgjakshmen luftë në historinë e Ballkanit në mes sllavëve e shqiptarëve:
“Mark Milani rrahi telin.
Në Çeti’ çoi haberin:
-Mymleqeti po lufton,
Tan’ ushtrin’ po ma faron.
Knjaz Nikolla ish idhnue:
T’madhe Markut ju gërmue:
Ku-ku majko çka po thue,
Mor’ vojvoda i Malit t’Zi,
Ku po i len ushtarët e mij
Me i marrë Limi bytevi,
Me hup nerën e Malit t’Zi,
Un’ të çova n’Mymleqet, (Plavë-Guci)
Me i qit fare ata krejt,
Me i qit fare, me i farue,
Mos me lan’ ma farë shqiptari
Ku del Syni e Gërçari /…”.
Bruno (Shyqeri) Selimaj ka edhe një lidhje të (për)hershme me Fondacionin Plavë-Guci (FPG) në Amerikë, me kit’ institucion kombëtar, humanitar e kulturor të plavë-guciasve…mërgimtarë atdhetar. Ai është ndër themeluesit e tij në atë 7 shkurt të vitit 1994. Ishte një ditë historike. Një nevojë publike. Një mision atdhetar kombëtar. Vendlindja e Mërgata – hark triumfi ndërveti në çdo kohë e rast të mundshëm. Aty e ngritën edhe Komisionin Nismëtar të FPG apo si ti themi: Kryesinë e tij të parë. Sipas proçes-verbalit, në mbledhjen themeluese ishin 21 plavë-gucias nga të gjitha fiset e fshatrat e krahinës, ndër të cilët edhe Bruno (Shyqeri) Selimaj. Edhe pas 20 vitesh Bruno Selimaj e ka synin e zemrën, shpirtin e dorën tek FPG. Shembulli i 100 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare është mjaft publik, stoik, fisnik, i veçantë.
Në një kumtim zyrtar të Fondacionit Plavë-Guci jepen vlerësime kolegjiale e meritore për shqiptarin kombëtar e humanistin atdhetar, Bruno Selimaj, për personalitetin e veprimtarinë e tij mbarëkombëtare. I përzgjodha dy thanie: “Veprat e Bruno Selimajt janë Enciklopedi Patriotike” dhe “Bruno Selimaj është një Ambasador i Plavë-Gucisë në botë”…
Në kësi rasti, si ky i Bruno Selimajt, tejkalohet edhe ajo thënia e Jezu Krishtit se profetët nuk vlerësohen në vendlindjen e tyne. Veçmas në gjallje të vet. Bruno Selimaj është një shenjt. Do të thojsha një shenjt i gjallë. Patjetër, e kanë shenjtërue veprat e tij, të mirat e tij. Sigurisht, ai ka shenjtëritë e veta.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bruno Selmiaj, nje emer i kohes, Ramiz Lushaj, shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT