• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË TUZIN E FLAMURIT TË DEDË GJO’ LULIT “ASHTI I KOMBIT” I AZGAN HAKLAJT

April 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Sot m’u duk sikur palët e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit m’u banë shqiponjë mbi Drin për me ardhë në Tuzin e historisë kombëtare shqiptare. Në pikëkalimin kufitar Hani i Hotit m’u duk sikur po kaloja nën Harkun e Triumfit Euro-Atlantik të Europës së Bashkuar. Erdhëm me e takue Gentin e Teutën, dinastët tanë ilir.

Erdhëm me e takue Dedë Gjo’ Lulin tek kulla e vet piedestal. Erdhëm me ju takue ju vllazën e motra të fiseve epokale  Hoti e Grudë, Triepshi e Koja në Tuzin e Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, pasi dikur, në trevën e këtushme të Shipshanikut, lagje e Tuzit, n’afri të detit, i kam pasë paraardhësit e mi të Shipshanit alpin të Malësisë së Gjakovës.Jo veç nga nostalgjia për këto troje etnike shqiptare qyshse para Krishtit e Muhamedit, po edhe nga krenaria për këto majemale të historisë tonë, them se vepra e Azgan Haklajt “Ashti i Kombit” është brumue bash edhe tek ky vend ashtnor i Kombit, nga kjo tokë e bekuar e Zotit, prej Flamurit të 6 prillit 1911 në Deçiç, nga kulla istikam e Dedë Gjo’ Lulit.

1.Para së gjithash, Tuzi i Flamurit është një stacion historik në udhëtimin genetik të brezave. Prej se kur nga kjo tokë e Zotit lindën hyjnisht Pellazgët. Prej se kur Toka e Pellazgët u jetëlidhën me Diellin. Prej se kur Pellazgët, Toka e Dielli i krijuan trevat e veta etno-historike nga detet tek Alpet, ku në brigje të liqenit të Shkodrës e lumenjve të Moraçës e Zetës, në trevën e Tuzit ishin Hoti, Gruda, Triepshi e Koja e Kuçit, ndër “flamurtarët e Historisë”, male të larta të Malësisë së Madhe e të Kombit Shqiptar.

Mitologjia pellazge fjalaflet se dinasti Kadmi, ky vllai i Europës, nga martesa me Hyjneshën Harmoni, të ikun prej prej Ohrit, pasi e këshilluan “zotat” (për shkak të veprimit të vajzës së tij), në këto vise të bekueme, ndoshta diku skej brigjeve të liqenit të Shkodrës apo në Ultinën e Podgoricës, e lindën djalin e tyre Ilirin, Illyrin (I Lirë Jam), emërdhanësi i fisit lavdiplotë të Ilirëve.

E, si për ta ba ma të besueshme kit’ mitologji pellazge-ilire, helene, mesdhetare, na përcjell’ dëshmi topografia e vendosjes të disa prej fëmijëve të Ilirit në hapësira etno-gjeografike-politike duke krijue fiset e veta:

Enkeli, ma i madhi ndër djemtë, është i pari i fisit të Enkelejve, i cili shkoi kah Boka e Kotorrit,  po rrema genetik të tyre ikën edhe tek dajët në Ohër sëbashku me vllain tjetër Taulantin. E ban me e ditë se bash nga Enkelejtë e historisë, nga pasardhës të mbretit Bardhyl, vjen fisi i Gashit të Azgan Haklaj, një fis biblik që vet emni i tij ka domethanien sakrificë në udhën e vet bohemike.

Autariati, djali i dytë i Ilirit, u vendos përtej Limit të Plavës, përgjatë luginës të lumit Tara, të cilët krijuan një shtet të madh ilir me fuqi mesdhetare. Gurra dokumentare thonë se pasaardhës i fisit të Autariatëve ishte edhe Dedë Gjo Luli i Flamurit, Dedë Gjo’ Luli i fisit të Hotit. Djali i Autariatit, Paioni (paionët) shkoi në brigje të Vardarit, kah Shkupi i sotëm, deri në grykderdhjen e Egjeut.

Çika e Ilirit, Daorta, u vendos në lumin Neretva në jug të Bosnje-Hercegovinës të sotme, dikur viset e saj ishin vetëm me fise ilire të Autariatëve, Ardianëve, Labeatëve, etj., bile vet emri i Bosnjes rrjedh nga ilirishtja, domethanë “lumë”.

Dardani shkoi në Rrafshin e Dukagjinit e Fushë-Dardani, në Sanxhakun e sotëm shqiptar (Tregu i Ri), në Nish e luginën e Preshevës, etj. Dardania (dardha – ilirisht) e ka kuptim të njëjtë sikurse emri i fisit të pirustëve.

Perebi, djali tjetër i Ilirit, u degëzue në Plerejetët e Rizonit e në Perribej në grykderdhjen e Vardarit.

Ma i vogli ndër djemtë e Ilirit ishte Medini, i cili ndejti në Medunin e Kuçit, të trungut fisnor të Kuçit i ndarë tevona në degë genetike: të kontit Ndrekali, përndryshe Berisha (emër ilir) që patën fisnikët e vet edhe përkrah Skënderbeut si Nikolla e Dhimitri, që në historinë moderne nxorën edhe Hasan Prishtinën, Azem Galicën, Adem Jasharin e Sali Berishën, e këta dy të fundit lidhen ndërveti në brezni tek Preka (Preka i Zi – Prekazi).

Pra, kjo treva e Tuzit, krejt hapësira etno-historike e Malësisë, Shqiptaria nën Malin e Zi nga bregdeti i Ulqinit e Tivarit deri në alpet e Plavë-Gucisë e Rozhajës, etj. janë fise rrënjase, të prejardhun nga ilirët e lashtë, nga ardianët, autariatët, labeatët, etj. Edhe Qielli mbi këto fusha e male është Shqiptar, e kjo Tokë është Shqiptari, është vetëm Shqiptari, e ju o lisa të hershëm e të rinj të këtyre fushave e maleve legjendare shqiptare jeni “Ashti i Kombit”.

 

3.

Sot, kena ardhë në këtë aks të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, në Tuzi, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit, me e përurue veprën “Ashti i Kombit” të studiuesit, publicistit, kulturologut, ish deputetit të Parlamentit të Shqipërisë e, tashti, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj.

Prolog e epilog kanë një fjalë të vetme: Kjo vepër i ban nder kohës dhe autorit të saj.

Në shtizën dhe palët e Flamurit të Deçiçit po rrinë “Meshari” i Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën e shenjtë Shqipe, vepër të cilën e shkroi në këto troje diku ndërmjet Ulqinit, Shasit, Shestanit apo Tivarit,

Në shtizën dhe palët e Flamurit të Deçiçit ende rrinë dora e alltia e Dedë Gjo’ Lulit.

Me Flamurin e 6 prillit 1911 të Deçiçit u mbështoll arkivoli i Gjergj Fishtës në përcjelljen e tij të fundme, se ky “Homer Shqiptar” ka shërbye në këto anë të Hotit e Grudës, të fiseve të Malësisë së Madhe, dhe i ka lartnue në vargjet e tij veprat historike të kësaj treve etnike shqiptare në shekuj.

4

Skënderbeu e ngriti më 28 nëntor 1443 Flamurin Kuqezi në Krujë, në kryeqëndren e shtetit 800 vjeçar të Arbrit. Në udhën e historisë me besë e shpatë, ende pa kalue katër muaj, në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës, më 2 mars 1444, Flamuri i dinastisë së Kastriotëve do të mbetej në shekuj si Flamurit i Shtetit të Skënderbeut; si Flamuri i Shtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me prijëtar Ymer Haxhi Prizrenin që e ka varrin në Ulqinin portual e të Abdyl Bej Frashërit të Toskërisë e Shqiptarisë si Flamuri i  Lidhjes Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës me  Haxhi Zekë Byberajt e Shoshanit të Malësisë së Gjakovës.Njësoj edhe Flamuri i Dedë Gjo’ Lulit, që u ngrit madhërishëm e magjishëm në Deçiç në pranverën e 6 prillit 1911, i cili çoi tek Kuvendi e Memorandumi i Gërçës dhe deri tek 28 Nëntori i Dytë i Shqiptarëve, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit.

Ky Flamur Kombëtar Shqiptar është edhe në ballinën e veprës të katërt “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt. Shtizën e tij ashtnore e mbajnë disa nga apostujt e Kombit e të Flamurit Shqiptar: Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Nanë Tereza.

Ky Flamur po valvitet edhe sot në kullën e Dedë Gjo Lulit, do valvitet edhe në një manifestim të shqiptaro-amerikanëve në Uashington… Do të valëvitet dhe në vepra e veprimtari të tjera të Azgan Haklajt.

5.

Në mitologji pellazgo-ilire, Zeusit shqiptar, kryeperëndi pagane, Shqiponja i  simbolizonte lajmëtaren e tij, ishte shërbestare e tij, e cila nga drita e diellit ia sillte kokrrën e rrufesë për t’i goditë me zjarr e flakë kundërshtarët…

Këtë simbolikë Shqiponje edhe flamuri i një shteti fqinjë po don prej kohësh  ta bajnë “pronë historike” të vetën, sepse nuk ka histori të lashtë si Shqiptarët, nuk ka Shqiponjë si Flamuri Shqiptar që fluturon me flatra të hapura, sikurse Shqiponja e Flamurit të Serbisë me kthetra të mbyllura, të gatshme me grabitë toka shqiptare, jetë shqiptare, historinë shqiptare.

Në fakt edhe Azgan Haklaj i veprës “Ashti i Kombit” në veprimtarinë e tij kombëtare si President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si kulturolog, si analist e publicist panshqiptar, më ngjan me një Zeus modern, që Shqiponja i vjen si lajmëtare e me kokrren e rrufesë.

Si Shqiponja lajmëtare ngjajnë dukshëm librat e tij me frymë e imazh kombatër që në tituj: “Nga Dodona tek Dardanët” (Dodona ishte e Zeusit), “Për Kombin, Për Demokracinë”, “Edhe Zoti po Flet Shqip” dhe, i pesti, në pritje “Në emër të Atdheut”. Si “Shqiponjë me kokrrën e rrufesë” janë veprimtaritë e tij mbarëkombëtare me qindra artistë interpetues e ekzekutues, me mijëra shikues si në Tuzi e Mitrovicë, në Dibër të Madhe e Sarandë, në Tropojë e Strugë dhe Shkup, në Plavë-Guci e Preshevë, në Bylis e Deçan. Kudo në trevat shqiptare në Ballkan “shqiponja” e tij me “kokrrën e rrufesë” i ndez me atdhetari e kulturë skenat e malet, lumenjtë e horizontet. Nganjëherë i xhindos edhe sllavët apo helenët aqsa të lëshojnë deklarata kundër Azgan Haklajt edhe Rusia e Putinit, që don ta futin nën kthetrat e tij jo vetëm Krimenë në Ukrainë, po edhe treva shqiptare në Ballkan.

Në skenën e politikës e të artit, në foltore të Parlamentit e në mitingje popullore, në librat e tij, në lartësi të tij, e kanë gjuajt Azgan Haklajn edhe me “rrufe” sikurse Prometeun, tue i lanë plagë plumbash në trup, tue ia shkatrrue pallatin me ekzploziv e marrë jetën e kushërirës së tij gazetare, tue e prangos e torturue me urrejtje bio-politike në burg, tue u mundue me ia ngushtue hapësirat shumëdimensionale.

Po Azgani nuk është as Zeusi klasik e as Prometeu modern, pavarësisht se i simbolizon këto dy figura hyjnore, pasi Azgan Haklaj tashma është kthye në një Simbol Kombëtar, në një “dekan” të kulturës shqiptare.Mbi të gjitha e jo për të gjithë: Azgan Haklaj është vet Azgan Haklaj.

6.Shpesh kam fjalashkrue shumanshmërisht për Azgan Haklajn panshqiptar, për veprat e veprimtarinë e tij kombëtare, ndaj po due me e përmbyll kit’ diskutim timin publik tue iu faleminderue që na pruni me veprën e tij të katërt, ma të fundit, me veprën “Ashti i Kombit” në kit’  sofër të historisë pellazgo-ilire ardiane, tek Deçiçi i Flamurit, tek kjo kullë e Dedë Gjo Lulit.

Ky vend i lashtë sa Toka, ku vllai i Europës e begatoi me Ilirin, dëshmon se qyshse në mitologjinë pellazgo-ilire, ishim në Europën kontinentale e ishujt e saj, para se të vinte kjo “Europë e Bashkuar” në gjirin federal të së cilës po i pranon me vështirësi e ngadalësi Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi në Ballkanin Perëndimor.

Kësaj fjale po ia lidhnoj një episod nga kremtimi i 100 vjetorit të Kryengritjes të Shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës, të prirë nga ideologu e strategu Hasan Prishtina të cilët në mesgushtin 1912 hynë triumfalisht në kryeqendrën e Shkupit. Ndër këta kryengritës që udhëtonin edhe me tren drejt Shkupit ishin edhe paraardhësit genetik të vllaznisë të Azgan Haklaj, po me një ndryshim: Ata vinin me pushkë e Azgani me libra, me librin “Për Kombin, Për Demokracinë”.

Kur lideri historik i Shqiptarëve në Maqedoni, strategu i luftës e i paqes në brigjet e Ohrit, Drinit e Vardarit, Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare BDI, nga një tribunë në afri të kalasë së Shkupit, tue iu drejtue Azgan Haklajt, lëshoi istikamin kombëtar e politik që ta dëgjonte edhe kryeministri maqedonas Gruevski e krejt shovinizmi sllavo-maqedonas: “…Të mos na zemërojnë shumë se edhe rrufetë i zbresim nga Qielli…”.

E vërtetë lideri faktorial Ali Ahmeti i dialogut, unitetit, progresit e integrimit, e kishte “kokrrën e rrufesë” të cilën e lëshoi në nëntor 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë në stadiumin e Shkupit ku merrte pjesë edhe lideri historik i Shqiptarëve, kryeministri Sali Berisha; e lëshoi edhe kësaj here me bojkotin presidencial e me çuarjen e Maqedonisë në zgjedhje parlamentare të parakohshme, sepse maqedonasit nuk pranuan të jetë shqiptar Presidenti i Republikës së Maqedonisë, etj.

E dijeni Toka e Qielli, Hana e Dielli, varret e malet, se kemi liderë kombëtar shqiptar e fuqi kombëtare për me e lëshue “kokrrën e rrufesë” bash aty e atje ku shovinizmi i fqinjëve kufitarë ka me na i cënue identitetin nacional, ka me na i ndalue Flamurin Shqiptar, Gjuhën Shqipe, kulturën shqiptare, don me na e tjetërsue “ADN-në” kombëtare shqiptare.

Faleminderit Tuzi që na dhe Dedë Gjo’ Lulin kombëtar flamurtar!

Mirënjohje Tuzi, që e ngrite lart Flamurin Kombëtar!

Tuzi, 6 prill 2014

*-Fjalë në promovimin e librit “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt

në Tuzi të Malësisë, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit –

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ashti i Kombit, Azgan haklaj, Ramiz Lushaj

GJUKANOVIÇI I MALIT TË ZI NUK MUND TA HEQIN FLAMURIN SHQIPTAR TË DEDË GJO’ LULIT

April 3, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1. “Ligji i Flamurit”, i paraqitur nga Qeveria e Gjukanoviçit në Parlament, është provokim diskriminues veçmas për Shqiptarët etnik nën Malin e Zi, pasi po akt-kryhet juridikisht e publikisht në prag të 6 prillit, 103 vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Deçiç të komunës urbane të Tuzit (Podgoricë) nga Dedë Gjo’ Luli me luftëtarët kryengritës të Malësisë së Madhe. Ky Flamur e mbështolli arkivolin e Homerit Shqiptar, Gjergj Fishta.

            Kjo ngjarje historike panshqiptare skënderbegiane hyri përjetësisht në memorien e Kombit, në udhën e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare drejt Vlorës, në kangët e popullit:

Kruja e dytë, Vlora e par’

Dedë Gjo’ Luli Flamurtar.

Fluturo Flamur Shqiponjë

Nga Bratila për në Vlorë…

 Gjithmonë kur shtetit, si ky i “gospedar” Gjukanoviçit, fillon me i ra takati politik, sidomos në kit’ mandatin e fundit, nis e mendon keq, ban keq, të gjuen keq. Errësimi shoven i arësyes, urrejtja bio-politike ndaj shqiptarëve etnik, e çon Gjukanoviçin të kryej ngucama të tilla politike e etnike, të cilat do të jenë objekt i protestës shqiptare të 6 prillit në Tuz e i 8 prillit në Plavë-Guci si dhe i Demonstratës të shqiptaro-amerikanëve më 8 prill 2014 në Uashington D.C. në ditëpritjen e Gjukanoviçit nga Zëvëndës Presidenti Amerikan Xhozef Bajden.

    2. Para së gjithash, i ashtuquajturi “Ligji i Flamurit”, i përcjellë pardje në Podgoricë nga Komisioni Parlamentar për Të Drejtat e Njeriut e të Pakicave Etnike, bie ndesh me vet Kushtetutën gjukanoviçiane të Malit të Zi, kapitulli 5 i saj “Të drejtat e veçanta të pakicave”, neni 79 “Mbrojtja e identitetit”, ku pika 1 e kryesisht pika 2 sanksionon “zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare…”.

Njëherash, ky P/Ligj bie në kundërshti edhe me nenin 80 të Kushtetutës që është mburojë ligjore kundër asimilimit etnik, si ky rast me ushtrim force të shumicës gjukanoviçane ndaj shqiptarëve trojenik, të simboleve të tyre.

  3. Askush nga Shqiptarët etnik, partitë e shoqatat e tyre, nuk i ka kërkue ndonjëherë Malit të Zi që ta vendosin e valëvitin Flamurin Kombëtar Shqiptar në  dy kryeqytetet e tij: selinë e Presidencës në Çetinë dhe as në selinë e Kryeministrisë në Podgoricë, pavarësisht se kjo e fundit është tokë etnike shqiptare e Gentit dhe Teutës,  (edhe e të parëve të mij, të Shipshanikut).

            Në fakt, shtetit multietnik të Malit të Zi mund t’i kërkohet që krahas Flamurit të tij Shtetëror (që ka ndrrue disa herë heraldikën e tij) të vendosen edhe Flamuri i Kombit Shqiptar, për disa arsye:

Shqiptarët janë shumicë si tokëformues të shtetit të Malit të Zi, pasi nga mbi 13 mijë km. katërore të tij mbi 9 mijë km katërore janë toka etnike shqiptare të pushtuara e aneksuara prej tij, si Ulqini e Tivari, Podgorica, Plava e Gucia, Rozhaja, etj.

Shqiptarët për nga etnia, si autokton, në shtetin e sotëm të Malit të Zi janë të dytët, pas malazezëve të Çetinës. Serbët ortodoksë janë të ardhur në territore shqiptare e malazeze nga Berana e Andrejavica deri tek Herceg Novi e Tivati. Boshnjakët janë shqiptarë të asimiluar apo në raste të tjera të ardhur nga Bosnje-Hercegovina apo Sanxhaku shqiptar i Tregut të Ri. Muslimanët janë një populli e sajuar si term nga vet malazezët, pasi pjesa ma e madhe e tyre janë shqiptarë të asimiluar. Kroatët janë të ardhur në Tivat apo Kotorr.

Shqiptarët katolikë në Malin e Zi zenë vendin e parë, shqiptarët muslimanë de facto renditen të dytët. Shqiptarë të besimit ortodoksë janë deklaruar vetëm 27 vetë e si protestanë vetëm 2 prej tyre. Ky numër do të ishte ma i madh sikur të mos ishte asimilimi sllav ndaj tyre.

Shqiptarët janë shtetformues të Malit të Zi, pasi edhe me votat e tyre referendare arriti të jetë shtet i pavarur e sovran.

4.Ky “Ligj i Flamurit” e lejon përdorimin e Flamurit Kombëtar Shqiptar vetëm në ato komuna, forma themelore e qeverisjes vendore në Mal të Zi, ku  janë shumicë apo kanë mbi 15 për qind popullsi etnike shqiptare. Shqiptarët, në rastin e parë si shumicë janë vetëm në komunën e Ulqinit (79 për qind) si dhe në komunën urbane të Tuzit (një nga dy nënkomunat e Podgoricës), të cilës nuk po i jepet statusi si komunë e plotë, më vete.

            Shqiptarët, në rastin e dytë: mbi 15 për qind, janë vetëm në komunën e re të Gucisë e ndoshta edhe në komunën e re të Plavës, po ende nuk kemi të dhana të plota pasi rregjistrimi i popullsisë për të dyja përmbyllet këto ditë në prag të votimit të tyre komunar të 25 majit 2014.

Llogjika e thjeshtë e këtij ligji parathotë se në komunën e Podgoricës, ku shqiptarët etnik janë mbi 8 për qind (të tretët) nuk kanë të drejtë të përdorin lirisht Flamurin Kombëtar Shqiptar në territorin e tyre, veçse të ardhurit e atyshëm: malazezët (rreth 55 për qind) e serbët (rreth 26 për qind). Dikur shqiptarët ishin të parët për nga popullsia në komunën e Rozhajës, po tani kanë mbetë të dytët, kryesisht në Malësinë e Rozhajës, pasi janë asimilue në boshnjakë apo shpërngulë në dhera të tjera. Fakti që janë vetëm 5 për qind nuk mund t’i privojë ata nga e drejta e përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar në tokën e vet, në komunën e vet, në dasmat e tyre shqiptare.

Kuota ligjore 15 për qind është sanksionue vetëm për hatër të mos përjashtimit të komunitetit kroat të komunës së Tivatit, si popullsi e tretë (mbi 19 për qind) si vendi i selisë së partisë së tyre që qeverisë e privilegjuar në koalicion me Gjukanoviçin dhe kanë një ministër në qeverinë e tij. Për shembull: Në koftë se kuota do të ishte mbi 10 për qind do të përfitonin edhe shqiptarët e komunës së Tivarit fqinjë, tokë etnike shqiptare në shekuj, ku shqiptarët arrijnë në mbi 12 për qind. Në Tivar, realisht, ka rreth 6.000 shqiptarë etnik, ndërsa në Tivat, gjysma e tyre, rreth 3.000 kroatë – komunitet i ardhur. Faktikisht shqiptarët e kroatët janë etni e tretë në komunat e tyre.Veçse kanë ndryshim të madh ndërveti: së pari, kroatët, ndryshe nga shqiptarët, për padrejtësinë malazeze ma të vogël protestojnë në Malin e Zi, në Kroaci, në Bruksel e Nju Jork, në Uashington D.C., etj.; së dyti, për kroatët në Malin e Zi shteti Kroat (antar në NATO e BE) nuk lëshon asnjë hap, asnjë orë, asnjë element, ndërsa Shqipëria e Kosova duket se i kanë lanë disi “dorë të lirë” të Gjukanoviçit ma së shumti me fitue “pikë” në integrimin euro-atlantik e në pushtetin e vet politik.

“Ligji i Flamurit” me caktime përqindjesh të tilla nuk mund t’i përjashtojë nga përdorimi lirisht i Flamurit Kombëtar Shqiptar në komunat e tyre shqiptarët etnik në trojet e veta në Podgoricë, Tivar, Rozhajë, etj. po as në Kotorr, Budva, Çetinë, Nikshiq, Herceg Novi etj. ku shqiptarët janë në numër të pakët, ma pak se 100 banorë.

5.Fillim prilli 1907. Në Amerikë, në udhët e Bostonit, pranë Stars and Stripes, organizohet një Paradë e shqiptaro-amerikanëve me Flamurin Kombëtar Shqiptar. Ishin atdhetarë shqiptarë emigrantë, shtetas amerikanë, në tokën amerikane. Ishte koha e Presidentit Amerikan, Teodor Ruzveltit. Gazeta “Kombi” (Boston, 26 prill 1907, fq. 2) thotë se paradon “për të parën herë në mënyrë legale, në kohët moderne, Flamuri i Skënderbeut”.

Prapë prill. Mbi një shekull ma vonë. Në një mijëvjeçar tjetër. 8 prill 2014. Shqiptaro-amerikanët do të protestojnë në Uashington D.C. kundër kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Ata do të jenë në ballë të demonstratës me Flamur Kombëtar Shqiptar, me atë Flamur që Gjukanoviçi shoven don t’ua ndalin shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.

Simboli ynë Kombëtar, Flamuri Shqiptar i Skënderbeut, është i lidhur pazgjidhmërisht e pafundësisht me historinë e Shqiptarëve të trevave shqiptare nën Malin e Zi, me këtë pjesë të përjetshme të trungut e trollit shqiptar nga Ulqini e Tivari, në Tuz e Podgoricë e deri në Plavë-Guci e Rozhajë, etj.

Pranverë 1786. Karamahmud Bushati me krerët e Maleve shkoi “në betejë me Flamurin Kombëtar Shqiptar” (F. Lonermon: “Turcs et Montenegrins”) sikurse edhe më 1798 me kit’ Flamur luftoi për t’i shkëput nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi krahinat e Kuçit, Piprit e Palabardhit dhe, si flasin kronikat e kohës, u vra “Më i shkëlqyeshmi Kastriot”.

Ishte tjetër prill. Ai i vitit 1879, kur Ali Beg (Pashë) Gucia lëvizte nëpër “Arbninë e Vogël”, nga Gucia në Plavë e Murinë, i hypur mbi kalë e “mbante një flamur të vogël të kuq me shqiponjë dykrenore”. Në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit), në të dy betejat, 4 dhjetor 1879-11 janar 1881, forcat ushtarake të Lidhjes së Prizrenit e të Plavë-Gucisë kishin prijëtar në ballë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Në një telegram të Dervish Pashës dërgue Portës së Lartë (1881) informon se “fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse iu informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamujt shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Dok. 49 dhe 71). Lufta e Nokshiqit ishte “parathënia e Shpalljes së Pavarësisë” në Vlorën e 1912-tës, si e shprehin dhe vargjet:

Si dy male i rrijnë Historisë,

Nokshiqi dhe Vlora e Pavarësisë.

   Koinçidencë e jashtëzakonshme: Prapë Prill. Ishte 19 prilli i vitit 1880. Në një miting të madh të organizuar në Shkodër me qytetarët e atyshëm, me malësorë nga të gjitha fiset e Malësisë së Madhe e nga të gjitha krahinat e Vilajetit të Shkodrës, në mbrojtje të Hotit e të Grudës nga pushtimi malazez, pas fjalës të Hodo Sokolit, hotjanët i japin zjarr vendit me veprimet e tyre: “Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës Ismail Marku i Hotit, trupmadh, me fytyrë të pjekur nga dielli, i cili me një të qëlluar të jataganit, e theu shtizën ku ishte varur flamuri i gjysmëhënës. Flamuri i Sulltanit ra përdhe, në pluhur. Pastaj, bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, midis brohoritjeve të papërmbajtura valviti Flamurin e kuq Kombëtar”. E pikërisht në atë Tuzin e sotëm që Gjukanoviçi po don me ia pengue e përdredhue statusin si komunë më vete, u mblodhën krerët e LSHP të krahinës së Hotit (dy bajrakët e Hoti i Plavës) më 16 korrik 1880 e iu drejtuan të Mëdhenjëve të Kohës, ku mes tjerash, shprehen:”…ne shpallëm luftën për Pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut” (Akte të Rlindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912).

            Shqiptarët etnik nën Malin e Zi janë fort të lidhur me Flamurin Kombëtar Shqiptar saqë Gjukanoviçit nuk mundet as ta kuptojë prej qëndrimeve të tij kundërshqiptare, nuk mundet ta heqin Flamurin e Skënderbeut, të Dedë Gjo’ Lulit, të Ismail Qemalit. Në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë kontributi i shqiptarëve etnik të Hotit e Grudës, të Plavës e Gucisë, të Ulqinit e Tivarit, të Kotorrit e Rozhajës, etj. është tejet i çmuar për fatet e kombit.

            Në Kotorr, në vitin 1902, në shtëpinë e Pashko Shkjezit i çonte flamujt shqiptar nga deti princi Aladro Kastrioti, pasaardhës i Skënderbeut, që shpërndaheshin gjithandej nëpër Shqipëri (HD, Shkodër. 1937). Në vitin 1905 në shtëpinë e Filip Nogës në Tivarin bregdetar u punue një Flamur Kombëtar Shqiptar që u ruajt deri në vitin 1916 (J. Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Tiranë, 2007). I pari që e përdori Flamurin Kombëtar Shqiptar në Shqipëri është prifti malësor dijetar Berndardin Shllaku, i cili e vendosi edhe në emblemën e ipeshkvisë së tij në Pult, në vula, etj.

            Dedë Gjo’ Luli i Hotit, në vitin 1906 e mori dhuratë nga princi Aladro Kastrioti një flamur shqiptar të madh, dy metra e me tufa ari anash e ia besatoj prurësit dorazi, Preloc P. Kisit, që ta ngulte një Flamur Kombëtar Shqiptar përballë Tuzit. E duhet shtue edhe faktin tjetër: Po këtë vit (1906) edhe në Triepsh (nën Malin e Zi të sotëm) u ngrit një Flamur Kombëtar Shqiptar” (“Leka”. Shkodër, 1937).

            Prapë koinçidencë: Prill tjetër. I përket vitit 1983 kur një grup nxënësish atdhetarë të gjimnazit të Plavës formuan grupin “Besa”. Ata ishin nga qyteti i Plavës, nga Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës, Martinajt, etj. E donin vendlindjen e tyre ndryshe. Asokohe, në mbledhje partie u diskutua direktiva titiste e udbaiste se nuk guxohet të përdoret Flamuri Kombëtar Shqiptar. Po këta të rinj: Tahir S. Prelvukaj, Sadri Xhemë Mehaj (Hoti), Sadri A. Ahmetaj, Naim Selimaj, Burim U. Ahmetaj, Musa Selimaj që ”kanë dasht ta shpalosin Flamurin veç të ndaluar për festën e 1 Majit” (Historiani Rexhep Dedushaj: “Loja” e malazezëve me Flamurin Shqiptar”. Shkurt, 2014) u arrestuan më 29 prill 1983 dhe u dënuan me akuza të montuara e kohë të ndryshme në burgjet e Bijello Poles (Mali i Zi) e në Krushevac (Serbi).

            Kur u ngrit Flamuri i Pavarësisë në Vlorë (1912), ku pati parfaqësues edhe nga treva e Plavë-Gucisë, etj. u festua si ngjarje madhore historike kombëtare edhe nga shqiptarët nën Malin e Zi. Kronikat e kohës dijenojnë se ulqinakët gjetën një mënyrë krejt të veten. Në anijet e varkat e tyre e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar. Kapiteni i një anije ulqinake, Ymer Fasllija, “e shpuri anijen e tij me flamur Shqiptar në portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë”. Sikur krajl Nikolla I në fillim shek. XX po vepron edhe Milo Gjukanoviçi, krajli i ri malazez në shek. XXI (!).

Filed Under: Analiza Tagged With: dede Gjo Lulu, Flamuri shqiptar, Gjukanovici, Ramiz Lushaj

DEMARKACIONI ME MALIN E ZI

April 2, 2014 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/

1.Ministri i Brendshëm i Republikës të Kosovës, Bajram Rexhepi, lidhur me vijën kufitare shtetërore me Malin e Zi në shtator 2010 në Pejë iu deklaroi masmediave për demarkacionin se “kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra”(!) Kjo një problematikë (ndër)kombëtare përtej aktuales. Bisedimet e fundit Kosovë-Mali i Zi, mes ministrave të Jashtëm në shkurt 2014 dhe atyre të Brendshëm në mars 2014 ( shoqërue edhe me disa marrëveshje për kufirin) pohojnë se demarkacioni do të vendoset pas disa muajsh, kësaj vere. Ky është i katërti vit kalendarik i çështjes së hapur të kthimit të kufirit nga një kufi administrativ i ish-Jugosllavisë në kufi shtetëror në mes dy shteteve të reja Kosovë-Mali i Zi. Në takimin e parë zyrtar publik dypalësh dakordues më 21 qershorit 2010 në Podgoricë mes ministrave të Brendshëm Rexhepi-Brajoviç, u deklarua se demarkacioni do të përmbyllet ma së largëti kah fillimviti 2011. Gjenerali Erhard Bühler, komandant i KFOR-it në Kosovë deklaroi botënisht se kjo çështje do të përfundojë në verë 2011.  Edhe zv/kryeministri i Kosovës H. Kuçi lajmnoi vitin 2011. E, këso afatesh të njipasnjishme janë prit e përcjell në kalendarin e çdo viti. Edhe më 2011, më 2012, më 2013. Edhe tani më 2014. Këto tejzgjatje tregojnë se ka probleme të forta e të mëdha të vijës kufitare mes dy shteteve fqinjë. Përndryshe, ekspertë të kufirit, të cilët ishin edhe në“demarkacionin” tepër problematik e jo pak konfliktual Kosovë-Maqedoni, e përcaktojnë si ma të vështirë kufirin Kosovë-Mali i Zi.

2.Në kohën e Ish-Jugosllavisë të Titos, në vitin 1974, kufiri ndërmjet Republikës së Malit të Zi e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) u vendos në dam të shqiptarëve të Pejës me rrethina. Kjo edhe për faktin se asokohe Pejën e drejtonte një malazez. Tani tri komunat kufitare: e Pejës, e Deçanit e Istogut (Burimit) drejtohen nga liderë shqiptarë të partive kryesore parlamentare të Kosovës, të cilët po ndikojnë në tejzgjatje po jo në këputje drejtësisht e përfundimisht të demarkacionit.

Shqiptarë, e jo vetëm ata, në të dy anët e kufirit Kosovë-Mali i Zi kanë mbetë duke i tund tapitë e pronave të tyre në erën e kohës e të premtimeve gjithfarësh. Aq ma keq kur kemi të bëjmë me raste të tilla: forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue edhe shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë 5-6 arrestime nga forcat policore kufitare malazeze. Fatmirësisht, në mes policisë së dy shteteve e popullsisë së tyre, nuk ka pasë përplasje të përgjakshme, përveçse apelimeve e protestave jo të pakta.

Shteti i ri i Kosovës ndaj këtij problemi të vjetër të demarkacionit ka alternativë të njëjtë prej se nga viti 2010: “Nuk do të jetë problem për banorët që kanë tokat në ato pjesë. Ata do të pajisen me leje të veçanta për t’iu mundësuar lëvizja pa ndonjë problem dhe do të punojnë tokat pa pengesa”(!) Mirëpo në shekuj historia iu ka dhanë leksione banorëve të këtyre zonave kufitare pwr pronat e tyre me lëvizjet e shpeshta të kufinit (“granicës”). Në ma pak se njëqind vjet disa herë janë ndarë-bashkuar-ndarë ndërveti Mali i Zi me Serbinë.

3.Deklarata e ministrit Rexhepi është alarmante në se kryejmë përllogaritje: Vija kufitare me Malin e Zi është 78.6 km. Në koft se “kufiri luhet 300 m.” atëherë një e rënë e lapsit fjalathotë se Malit të Zi i duhen “falur” rreth 24 km2 sipërfaqe nga territori i Kosovës (!) Në koft se “kufiri luhet 200 m.” atëherë “dhurata” prapë është e jashtëzakonshme: mbi 15 km2 (!)

Në historinë botërore për 15-24 km2 sipërfaqe kufitare ka pasë raste të shpërthimit të një lufte lokale apo rajonale ndërmjet shteteve.Liderët në dy anët e kufirit kanë lëshue deklarata për “demarkacionin” qyshse në fillim vitin 2010, kur kryeministri malazez Milo Gjukanoviç deklaronte se “nuk ka kurrfarë probleme në kufizimin e Malit të Zi me Kosovën”, “Ekziston kontest i vjetër për përdorimin e kullosave nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, por kjo nuk është problem i kufizimit”, “dikush dëshiron të krijojë disa probleme kufitare të Malit të Zi, në mënyrë që ta ngadalësojë integrimin e tij evropian”, etj. Njwherash edhe ministri i Brendshëm Rexhepi deklaronte para mediave në Podgoricë se liderët malazezë “me qëllim i mbyllin sytë” para problemeve lidhur me kufirin,  se qytetarë të Malit të Zi, “kanë zhvendosur njërën nga shenjat kryesore kufitare në dëm të territorit të Kosovës”, etj.

Edhe nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë ka pasë ndërhyrje në territore të sotme të Malit të Zi, si mw 8 qershor 2011 kur shqiptarët e Shqipërisë përgjatë një km hynë dhe e zhvendosën  50 m. kufirin në lumin Gërçar të Gucisë (mesi i rrjedhës së tij është kufi mes dy vende fqinjë), etj. Predrag Bulatoviç, deputet i Partisë Popullore Socialiste, parti opozitare serbe, kërkon nga foltore e Parlamentit Malazez, që, sipas tij,“duke pasur parasysh aspiratat shqiptaromadhe” të fqinjëve të lidhen me ta (Shqipërinë e Kosovën) të atilla marrëveshje që të garantojnë që çështja e kufirit me Malin e Zi të jetë zgjidhje e përjetshme.

 

Japonezët kanë një shprehje të madhërishme: “Tokë më fal që të shkel me kambë”!, ndaj nis edhe nga ky shembull aziatik duhet të shqetësohemi shqiptarisht e botënisht për demarkacionin sikur të kishim edhe një rast të vetmuar si ai i familjes Balaj nga Strellci i Deçanit për pronat  e saj në bjeshkën e Zhlebit.

 Këto prona, kryesisht alpine, nuk janë çështje të një individi, të një fshati apo komune, po janë probleme në 36 fshatra të komunave Deçan, Pejë e Istog (Burimi) përgjatë vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Zvarritja në katër vite kalendarike të përcaktimit të vijës së kufirit mes Malit të Zi e Kosovës ka të bajnë pikërisht me zbutjen e shpërthimit të ndonjë revolte të paparashikuar e të padëshiruar. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk paraqiten shifra kaq ballas, kaq shkoqur, sa ma reale. Nganjëherë “demarkacioni” nuk pyet aq fort për “demokraci”!  Dy anët e kufirit nuk kanë nevojë as t’ua zvarritin e as t’ua shafitin problemet e pronave të tyre, po t’ua zgjidhin drejtësisht e shpejt ato.

3.Fakti që mbi 15 apo rreth 24 km2 tokë etnike shqiptare është në lartësi alpine, në reliev të thyer alpin, në bjeshkë me stane për verime bjeshktare, në pyje, në kullota verore, etj. nuk do të thotë që të jenë jashtë vëmendjes të banorëve në dy anët e kufirit, as të ketë shtyrje,heshtje, mbulim e mos zgjidhje të problemeve nga dy qeveritë e Kosovës e Malit të Zi, as të ndonjë kompromisi të mundshëm me EULEX e KFOR në Prishtinë, etj. Aq ma keq t’i falim pronat kësodore, kësokohe, kësisoj!

Nuk janë pak as mbi 15 km2 apo 24 km2, pasi ishulli strategjik i Sazanit – ma i madhi i Shqipërisë Londineze është vetëm 5.5 km2 dhe dihet nga historia mesdhetare se sa lufta janë krye nëpër shekuj në mbrojtje të tij. Pra, shtetit të ri të Kosovës i merren nga shteti i Malit të Zi, në secilin nga dy rastet e masipërme, rreth “tre Sazan” apo mbi “katër Sazan”(!) Nuk janë pak sikur të kishim qoftë edhe “një Sazan” të tillë.

Të mos harrojmë historinë: principata e mbretëria e Malit të Zi, dinastia çetinase e saj, me pushtime e aneksime dhe dekrete të Fuqive të Mëdha i ka marrë Shqipërisë Etnike qyshse nga luftërat e Ostrogut (1853) e Grahovës (1858) dhe në dy luftërat ballkanike 1912-1913 mbi 9.000 km2. E ka trefishue sipërfaqën e saj në dam të shqiptarëve etnik. Prapë do të vazhdojnë të marrin shteti i Malit të Zi toka shqiptare sa një, tre apo mbi katër “ishuj Sazan” në kufij të Pejës, Deçanit, Istogut (Burimit)?!!

4.Demarkacioni e ka lidhjen e vet të shumëfishtë (i)direkte edhe me krijimin e parqeve (ndër)nacionale si Parku Ballkanik i Paqes ndërmjet Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi (Plavë-Gucisë) si dhe Parku Nacional i Rozhajës (Mali i Zi), etj. Prej kohësh po punohet e financohet në këto projekte për me i kthye pronat e shqiptarëve etnik në “prona shtetërore” për me e vendos krejt lehtësisht vijën e kufirit shtetëror, sepse kësisoj banorët autoktonë shqiptarë nuk i kanë ma bjeshkë, pyje e kullota të tyre. Krijimi i këtyre parqeve edhe në Plavë-Guci e në Rozhajë synon me i detyrue shqiptarët etnik me u shpërngulë në vise, shtete e kontinente të tjera, me i spastrue etnikisht trevat shqiptare nga shqiptarët trojenik e me i mbush ato me kolonë malazezë, boshnjakë e serbë.

Demarkacioni në mes Kosovës e Malit të Zi paraqet një tjetër rrezik sa të fshehtë e të hapur, keqpërdorimi politik. Në zbatim të procesit të paraparë në nenin 3 të aneksit VIII të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, u vendos kufiri Kosovë-Maqedoni dhe tani në prag të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë duan ta kryejnë “de facto” edhe kufirin shtetëror me Malin e Zi për ta propoganduar si arritje para shqiptarëve e ndërkombëtare, për të vjelë vota, etj.

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rashko Konjeviç, pas nënshkrimit në Prishtinë të marrëveshjes për bashkëpunimin policor  Kosovë-Mali i Zi, para masmediave deklaroi qëllimin tjetër të përcaktimit të sivjetëm të vijës kufitare shtetërore në mes dy shteteve teksa pohoi: “ekspertët malazez dhe ata kosovar së shpejti duhet të finalizojnë demarkacionin e kufirit në mënyrë që t’i dërgohet një mesazh i përbashkët Komisionit Evropian drejt perspektivës evropiane”.

 5.Në fundvitin 1975, asokohe 20 vjeçar, isha vet i treti në një seminar të ATSH-së në Lezhë sëbashku me gazetarët e vendlindjes time, Gani Qerimi e Ibrahim Hajdarmataj e, rastisi të shkonim zyrtarisht tek anija e peshkimit “Islam Mustafa” në Shëngjin ku kapiteni i saj Fran Ivanaj para disa ditësh kishte ra heroikisht nga plumbat e një anije ushtarake jugosllave e futur në brendësi të territorit ujor shqiptar. Aty, në anije, na folën për “dy kufij detarë shqiptar”, njëri në ruajte të Ministrisë së Brendshme e tjetri, ma andejna, në ruajtje të Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk po e çprushi këtë “enigmë” në mes Shqipërisë e OKB-së, etj., e hapur dhe e mbyllur nga E.Hoxha e M.Shehu, etj. Kjo m’u ka kujtue shpesh gjatë debateve e praktikave politike, diplomatike e juridike të viteve të fundit për të ashtuquajturen “Marrëveshje e Detit”, përndryshe “Pakti detar Shqipëri-Greqi”. Kjo m’u kujtua edhe në prillin 2012 kur tek “Syni i Sheganit” në kufi mes Hanit të Hotit dhe doganës malazeze, policia ujore kufitare malazeze arrestoi tetë peshkatarë të Malësisë së Madhe teksa peshkonin me katër varka në ujërat e shtetit fqinjë, pasi kishte mangësi edhe sinjalistika të kufirit ujor në liqenin e Shkodrës.

            Dikur, në kohën e monizmit, iu dha Jugosllavisë (sot pjesë e shtetit të Malit të Zi) një hapësirë detare pothuaj sa sipërfaqja e rrethit të Mallakastrës (580 km2) apo ma  e madhe se ajo e Paktit Detar Shqipëri-Greqi (354 km2). Kjo për arsyena të kohës. Në se këtë fakt nuk do ta quajmë “skandal”, atëherë duhet të përgaditemi që të mos ndodhemi përballë ndonjë “skandali” tjetër në përcaktimin e kufirit të pritshëm detar me Malin e Zi (tue nistue tek ishulli-tokë “Franc Jozef” në deltën e Bunës; përcaktimi i pikës treshe detare kufitare mes Shqipërisë-Malit të Zi-Italisë (sipas barazlargësisë dhe zgjidhjes së barabartë, që do të kënaqte kërkesat e tre shteteve), etj.

            Në fakt prej kohësh, gjatë denoncimit atdhetar e juridik dhe përdorimit politik elektoral të “Paktit Detar me Greqinë”, përfaqësues të lartë të së majtës në pushtet kanë deklarua se “do të kemi një të tillë Marrëveshje Detare edhe me Malin e Zi”,  ku “nuk do të lëshojmë asnjë milimitër”, “vetëm në dy palësh fqinjësi të mirë do ta ndajmë detin”, etj.

            Realisht, sikurse me Greqinë, pavarësisht nga Marrëveshja (të paplota) Shqipëri-Itali-Jugosllavi (1968), Shqipëri-Itali (1992), lind nevoja për përcaktimin e kufijëve detarë edhe me Italinë e Malin e Zi. Ne nuk po duam e as nuk mundemi të futemi si ekspertë në thelluta të së Drejtës Ndërkombëtare, të Konventës Montego Bay–1982 (Ligji për Detin), etj. Veçse theksojmë faktin se duhet patur kujdes në grykderdhjen e Bunës në det të hapur – tek delta e saj, tek dy ishujt e formësuar prej prurjeve lumore të saj në fundshek. XIX, si ishulli disa hektarësh “Franz Jozef” i bashkuar tashma me tokën (si gadishull) dhe tjetri, ishulli strategjik e turistik Ada në Ulqinin nën Malin e Zi. Pikërisht ndërmjet tyre, në deltën e Bunës, duhet të jetë pika me koordinata të përbashkëta dhe të njëjta për të dy shtetet: Shqipërinë dhe Malin e Zi, që të ketë në konsideratë edhe Kepin e Rodonit (ndryshe nga mangësi në Marrëveshjen me Italinë), etj.. Për ma tepër Mali i Zi ka një stacion matës në deltën e Bunës me ndryshime në shtratin e vet prej prurje të saj e l.m.d. të njëjtë me detin, etj.

            Ndryshe nga çdo vend tjetër në hartën e botës, në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi i gjen kaq të lidhun në afri ndërveti kufirin detar, lumor e liqenor, çka kërkon studime e kujdes të veçantë, që të mos plasin një “skandal” tjetër i mundshëm, i radhës.  Nuk ka nevojë për ngutje, pasi Komisioni Ndërkombëtar i Kufinjve zgjati 12 vjet (1913-1925) për ndarjen e kufirit të Shqipërisë Londineze me Malin e Zi (mbretëri e republikë e ish Jugosllavisë Monarkiste). As kufini i sotëm Kosovë-Mali i Zi nuk ka nevojë për përngutje, pavarësisht se e kërkojnë ndërkombëtarët si kusht për integrimin e Malit të Zi e të Kosovës në BE e NATO, pavarësisht se opozita e sotme (sikurse Serbia) ngrihet kundra ngritjes së këtij kufiri nga administrativ në shtetëror, sepse njohja e kufijve ndikon në njohjen e Kosovës nga OKB si shtet i pavarur e sovran.

 6.Ende nuk jemi ulë me kambë në tokë e me duar në tavolinë e të bajmë llogari: sa kilometra katërore është Kosova sot në vitin 2014?! Pak kush e di. Askush nuk e thotë hapur. Sa km2 i kanë marrë Kosovës dardane Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, etj. të cilat kanë status të veçantë?  Fjala vjen: Manastiri i Deçanit nuk lejon të kalojë as autorruga për Plavë nëpër territorin e saj, jo le më pasandej të pretendojnë shqiptarët për pronat e saj!  Ky manastir i ngritur mbi toka të shqiptarëve si Hasi Kuçit, mbi themele të Kishës së Gashit të Xërxës, me projekt arkitekturor të priftit shqiptar Vita i Kotorrit, etj. sot ka 2.3 km2 territor të saj me status të veçantë e të mbrojtur nga KFOR! Kjo nuk është sipërfaqe e pakët: më pak se gjysma e ishullit Sazan të Vlorës dhe ma shumë se gjysma e ishullit Ada të Ulqinit shqiptar.Në koft se ia falim Malit të Zi mbi 15 apo 24 km2 nga territori i Kosovës, në koft se Mali i Zi merr prapë territore tokë-lumë-det të Shqipërisë nga delta e Bunës deri në thellësi të ujërave ndërkombëtare të Adriatikut (ndoshta dhjetra apo qindra km2 sipërfaqe), sepse çdo ndryshim i pikës fillestare në Tokë është tregues i ndryshimit të vijës ndarëse në hapësirën ujore detare.

            Në rast se Kosova e Shqipëria ecin me logjikën e lëshimit të territoreve të veta atëherë duhet të ndryshojë edhe sipërfaqja e tyre në hartën e botës dhe në libra shkollor e popullor. Mos vallë prapë duhet të rrudhemi etnikisht në territore si komb para oreksit shoven të fqinjëve malazezë, serbë, maqedonas e grekë?! A thue na e jep pa luftë Gjukanoviçi ishullin Ada? Jo. Atëherë pse ne u dashka t’i falim atij e shtetit të tij multietnik qoftë edhe një metër katëror nga territore të Shqipërisë Londineze e të Kosovës Euro-Atlantike?! Po nuk vepruam drejt, kombëtarisht, do na gjykoj e nuk do na e falin historia shqiptare.

           

 

                                                                                                                   

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMARKACIONI ME MALIN E ZI, Ramiz Lushaj

DEMONSTRATA E 8 PRILLIT NË UASHINGTON (I)

March 29, 2014 by dgreca

Gjukanoviçi ndjek dy standarde: përkrahje për malazezët e diskriminim ndaj shqiptarëve etnikë në trojet e veta mijëravjeçare

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.Kryeqyteti i Amerikës, Uashington D.C. më 8 prill 2014 do të jetë “kryeqytet i shqiptarëve”, pasi aty, para të ndritmes Shtëpi e Bardhë e selisë së ambasasadës Malazeze, shqiptaro-amerikanët do të jenë për disa orë në një demonstratë aktive e masive kundër kryepolitikanit malazez, Milo Gjukanoviç, kryeministër shoven i pa cak i diskriminimit të përgjithshëm e të vazhdueshëm, i asimilimit mafioz e i shpërnguljes së detyruar të shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.Në Tempullin e Demokracisë Botërore do të protestohet nga shqiptarët drejtpërdrejt kundër liderit ma jetëgjatë e diktatorit të fundit në politikën ballkanike e europiane, kundër Gjukanoviçit kundërshqiptar, i zgjedhur një herë president (1998-2002), shtatë herë kryeministër (nga 15 janari 1991 deri më 4 dhjetor 2012), një herë ministër i mbrojtjes (2006), prej vitit 1998 edhe kryetar i Partisë Socialiste Demokrate (DPS), parti në pushtet në këto tri dekadat e fundit. Kaq kohëgjatë me mandate në pushtet nuk i ka asnjë lider aktual ballkanik e euro-atlantik.

Lideri politik, Milo Gjukanoviç guxon e reklamon veten e Malin e Zi si “kampion të demokracisë në Ballkan”, po tashma ai është kthye në një “gospodar” i Malit të Zi, i cili në mendje, biseda e veprime e ka për shembëllim paraardhësin e tij të hershëm, antishqiptarin Krajl Nikolla I, e po don me çdo kusht të jetë një “krajl i ri” dhe kësaj ia ka mbrri pa vështirësi tue shkel çdo “semafor” të demokracisë euro-atlantike, tue i dëmtue pa fund e skej shqiptarët etnik në viset e veta trojenike, etj.

Fakte e gjasa dëshmojnë se Gjukanoviçi e ka kap “peng” shtetin e vogël bregdetar e alpin të Malit të Zi, është kthye sikur tw ishte një “Fidel Kastro” i dytë i Europës euro-atlantike. Prej nga 15 shkurti 1991, në 29 vjetorin e ditëlindjes së tij, udhëheq shumëfishtë Malin e Zi, si president apo kryeministër; si kryetar i partisë (DPS) në pushtet; si klan politik përtej koalicioneve mazhoritare; si klan ekonomik para e larg syve të popullit e botës; me ndikime me anë të dy kishave ortodokse serbe e malazeze që ende luftojnë për pavarësi e territore; me lidhjet e të (pa)njohura me struktura të specializuara policore, vëzhgimore, hetimore, etj., etj.

Gjukanoviçi 52 vjeçar e ka fut në darë të vet treshe krejt Malin e Zi(!) Presidenti 60 vjeçar Filip Vujanoviç me seli presidenciale në Çetinën e krajlisë, ka lind e rrit dhe krye studimet universitare në Beograd, është përfaqësues i partisë (DPS). Ai, prej 5 shkurtit 1998 ka tetë mandate rradhazi: dy herë kryeministër, një herë kryeparlamentar, pesë herë president (22 dhjetor 2002, 9 shkurt 2003, 11 maj 2003, 6 prill 2008, 7 prill 2013).

Kotorrasi 52 vjeçar Ranko Krivokapiç, pasuniversitar i Beogradit, prej vitit 1989 deputet i Malit të Zi e i Jugosllavisë së Millosheviçit, prej vitesh kryetar i Partisë Social-Demokrate (SDP) me gjashtë deputetë në Parlament e në koalicion qeverisës me Gjukanoviçin, prej 30 korrikut 2003 është zgjedhur në katër mandate të njëpasnjishëm kryetar i Parlamentit Malazez.

Ndërkohë, në qeverinë e fundme të Gjukanoviçit, ndonëse shumë sish me tituj e grada shkencore e moshë mesatare të mirë, prapë ka zv/kryeministra apo ministra të blinduar në kabinete qeveritare qyshse para Shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi.

 

Dora e hekurt e Gjukanoviçit, ish mik e bashkëpunëtor i Millosheviçit, ia ka mbrri ta vorbullojë Malin e Zi në atë farë soj rrjete klanore sa ta keqkthejnë këtë shtet në të ashtuquajturin pa mëdyshje: “Mali i Zi i Nikshiqit”. Kjo nuk ngjet në asnjë vend euro-atlantik.

 

Nga Nikshiqi, vendlindja e kryeministrit kundërshqiptar Milo Gjukanoviç, komuna ma e madhe e Malit të Zi, me 2.065 km2  e rreth 60.000 banorë, janë në pika kyçe të shtetit malazez: Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, 60 vjeçari Zarko Sturanoviç, i cili e mban këtë detyrë prej vitit 2003. Ministre e Mbrojtjes, dr. Milica Pejanoviç-Gjurisiç, që sivjet feston 55 vjetorin e lindjes në Nikshiq. I nokshiqas është edhe ministri i Kulturës, Branislav Miçunoviç.

Gjukanoviçi më 10 nëntor 2006 u “tërhoq” nga dera kryeministrore në Podgoricë për t’u marrë me biznes, ku i ngriti shpejtas e fuqishëm pesë biznese të suksesshme, “Universitas”, “Capital Invest”, “Primary Invest”, “Select Investmens”e fundit, Global Montenegro”(25 shkurt 2008), hyri aksioner në bankën e të vllait, një nga ma të njohurat në Ballkan. Njëkohësisht Gjukanoviçi kundërshqiptar ishte edhe kryetar i partisë kryesore në pushtet, deputet në Parlament, kryetar i Komisionit të Kushtetutës të shtetit të ri malazez.

Gjukanoviçi me kompromis politik e vetjak e përzgjodhi pasardhës të tij një nikshiqas tjetër: 44 vjeçarin Zheljko Sturanoviç, më 10 nëntor 2006. Prapë, në 46 vjetorin e lindjes, në shkurt 2008, Gjukanoviçi rikthehet në krye të ekzekutivit malazez, edhe ma i fuqishëm nga ç’mund ta mendonin kundërshtarët e ndërkombëtarët.

I nikshiqasi Zheljko Sturanoviç, tashma 60 vjeçar, është jo vetëm nënkryetar i partisë të DPS prej vitit 2007, bile u rizgjodh në këtë detyrë edhe në kongresin VI të saj (21 maj 2011). Përveç kësaj, ky bashkëvendas i Gjukanoviçit kundërshqiptar është një nga tre nënkryetarët e Kuvendit të Malit të Zi, i zgjedhur në këtë post prej vitit 2009, në dy legjislatura. Ky i mbron mjaft mirë interesat e Gjukanoviçit në Parlamentin me kryetar nga partia e dytë në koalicion, njëkohësisht i kryen me pasion e aksion çdo detyrë kundërshqiptare të misionuar prej tij.

2.

Demonstrata e 8 prillit 2014 në Uashington D.C. do t’i tregoj e mësoj Milo Gjukanoviçit se shqiptaro-amerikanwt në Amerikë nuk do ta lejojnë t’i diskriminojnë shqiptarët në Ulqin e Podgoricë, në Tivar e Tuzi, në Plavë-Guci e Rozhajë, etj. nuk do ta lejojnë ta kthejnë Malin e Zi multietnik në një shtet pa shqiptarë.

Shqiptaro-amerikanët e trojeve etnike nën Malin e Zi do të shkojnë në ket’ demonstratë, sepse i çojnë atje edhe mbi 9 mijë km2  që iu morën Shqipërisë Etnike me pushtime e aneksime nga principata e mbretëria e Malit të Zi pas betejës të Ostrogut (1853) e të Grahovës (1858), në kohën e Krajl Nikolla I (1860-1918). Me kwto toka etnike shqiptare Mali i Zi e trefishoi sipërfaqen e saj territoriale shtetërore.

Shqiptarët në Amerikë që kanë vendlindjen, etno-gjenezën, farefisninë, kullat e trojet në vise shqiptare nën Malin e Zi, i çon në demonstratën e 8 prilli 2014 në Uashington D.C. edhe shkelja e Kushtetutës të Malit të Zi e 19 tetorit 2007, e cila shprehimisht ligjëron: “Ndalohet çdo diskriminim i drejtëpërdrejtë ose i tërthortë, në çfarëdo baze…”(Neni 8) etj. Si është e mundur që një shtet i cili nuk mund të shpallte pavarësinë e tij të 21 majit 2006 pa votat e shqiptarëve dhe një Kushtetutë e miratuar edhe me votat e tyre, të shkelet kryesisht për shqiptarët etnik nga Gjukanoviçi e Co?!

Ky diskriminim është i gjithanshëm, ofensiv, tragjik, i fokusuar në disa plane të prejkohshme e të sotme:

1) Ç’popullimi i viseve shqiptare nën Malin e Zi.

Sipas disa përllogaritjeve, në kohën e Krajl Nikolla I, popullsia shqiptare është

ulur mbi tre herë nga vrasjet e burgosjet, nga shpërnguljet e dhunshme të spastrimeve etnike, nga asimilimet, etj. Në këto mbi dy dekada të sundimit të Malit të Zi nga krajli i ri, Milo Gjukanoviç, popullsia shqiptare me ndeje vendalie në trevat e veta etnike është ulur në rreth dy herë pasi nga politikat e mbrapshta e të ashpra kundërshqiptare janë detyruar edhe për të emigruar jashtë trojeve të veta, si në Amerikë ku gjendet një “Malësi e Dytë”.

2) Mos lejimi i perdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare. Ligji i  Parlamentit

të Malit të Zi, i miratuar më 23 dhjetor 2011, pikërisht në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë tw Shqipwrisw, me anë të nenit 23 të tij, të dënon me gjobë apo burgosje për shpalosje publike të Flamurit Kombëtar Shqiptar.

3)Është shkelur Kushtetuta, neni 13 i saj dhe Akte e Konventa ndërkombëtare

mbi përdorimin e gjuhës shqipe. Ka plot fshatra me popullsi të madhe shqiptare si në bregdetin e Tivarit e Ulqinit, Ultinën e Podgoricës, Plavë-Guci e Rrozhajë dhe nuk gjen në territorin e tyre as tabela e mbishkrime në gjuhën shqipe. Në qytetin e Tivarit nuk ka asnjë shkollë shqip. Në qytetin e Rozhajës vjen një tregtar kinez e shitoren e tij e shkruan në shqip “dyqan kinez”, ndërsa shkollës shqipe në Dacaj (Malësia e Rozhajës) i hapin probleme të qëllimshme për mbylljen e saj, për shuarjen e gjuhës shqipe në këtë komunë me 432 km2 në të cilën në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbi 80 për qind e popullsisë ishte shqiptare.

4) Ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullit Shqiptare në Kuvendin e Malit

të Zi.

                  5) Çështja e pambyllur e (demarkacionit) përcaktimit të kufijve tokësor, detar e

liqenor të Malit të Zi me Shqipërinë e Kosovën. Edhe nga lëvizjet e kufijve ndërmjet komunave brenda shtetit të Malit të Zi po dalin problematika me pronat, etj. sikurse rasti i komunës së Beranës e cila ia mori 2.700 ha pyje të shëndetshme komunës së Rozhajës, mbi gjysma e tyre janë prona të shqiptarëve, si të vllaznisë Bralaj, etj.

6) Arrestimet dhe burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i

Shqiponjës” në Tuzi; arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, etj.

7) Injorimi dhe mos dhënja e të drejtës të komunës urbane të Tuzit për të dalë komunë më vete në ndarjen administrative-territoriale të Malit të Zi.

8) Tentimi për ndryshimin e strukturës demografike duke sjell ardhacakë nga veriu i Malit të Zi në komunën urbane Tuzi, ku jetojnë fiset e historisë Hoti, Gruda, etj.. Para disa ditësh, kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha i partisë së Gjukanoviçit ishte sëbashku me të vetët në Tuzi, në fisin e Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi, ku është ngritë një lagje me boshnjakë të ardhur nga brigje të degëve lumore të Limit dhe po e ngrejnë në bashkësi lokale, shkollë, etj. Akte të tilla shoviniste të asimilimit e spastrimit etnik të shqiptarëve po manifestohen prej kohësh në të gjitha komunat etno-historike shqiptare.

9) Ndarja copëtuese për arsye asimilimi e krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë (në të Plavës e të Gucisë) është një proces drejt përfundimit ligjor në institucionet e larta të Podgoricës e Çetinës. Eksproprimi i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë është një çështje me pasoja të atilla që sapo kanë nisur dhe nuk kanë të mbyllur; etj.

10) Marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit, konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit; etj.

11) Në Rozhajë (Tregovishta) nuk po iu kthehen shqiptarëve të atyshëm mbi 5.000 ha me male, pyje e kullota të tyre si në Lug të Shtjerrave në kufi me Dragën e Jabllanicën, në Plluncaj, Peshkaj, Llazin e Rexhit, Husaj, etj. Këto ua ka pasë marrë  dikur shteti monist jugosllav e tashti iu takojnë ligjërisht vllaznive shqiptare Dacaj, Vukli, Lajçi i Buxhovit, Dreshajt, Nikçët (Rexhiqët), Bralajt, Haxhisejdët, etj., të cilët enden në pafundësi dyerëve të gjykatave malazeze në përballje me padrejtësitë, nuk iu lejohet t’i shfrytëzojnë as për dru dhe as për kullota tokat e tyre etnike, nuk iu mundësohet mbajtja e bagëtive, etj. Kjo sjell varfëri e shpërngulje të shqiptarëve.

12) Malësia e Rozhajës është i vetmi territor në shtetin e Malit të Zi, ku forcat militare e paramilitare serbe hyjnë në prill-qershor 1999 dhe kryejnë vrasje, tortura, djegje të shtëpivë, pasurive, etj. si në Qafë Hajle, Bukël të Sirmë, Dacaj, Husaj, etj. Shqiptarët etnikë të Rozhajës, sikurse edhe ata të Kosovës martire, u detyruan të largohen përkohor nga vatrat e tyre. Damet sipas vlerësimit të një komisioni zyrtar kapin mbi 1.5 milionë Euro. Ende 37 familje shqiptare presin shpërblimin përfundimtar. Përndryshe: në Murinë të komunës të Plavë-Gucisë ura mbi lumin Lim vërtet u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s veçse u ndërtua brenda një muaji e njëkohësisht e njejtësisht u ndihmuan me financime e material ndërtimor edhe familjet malazeze të dëmtuara nga detonimet.

Pra, Gjukanoviçi ndjek dy standarde: përkrahje për malazezët e diskriminim ndaj shqiptarëve etnikë në trojet e veta mijëravjeçare.(Foto:Arkiv)

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMONSTRATA E 8 PRILLIT NË UASHINGTON, Ramiz Lushaj

THIMI MITKO E SHPËTIM SALA, DY KORÇARË RILINDËS QË I JAPIN VLERA KOHËS E NJËRI-TJETRIT

March 20, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

 1.Fjalori i rrallë dorëshkrimor i Thimi Mitkos, me 326 faqe e 30 shënime jashtë tekstit, i hedhun tok me libra të vjetër për shitje ambulante në trotuar para QNK në Tiranë, fatmirësisht më 25 qershor 2011 bie në dorë të koleksionistit e historianit Shpëtim Sala. Vepra nuk mbante ballinë të trashë (të jashtme) e të brendshme (frontespic). Ishte pa shënimet e duhuna identifikuese për autorin, titullin, vendin dhe vitin e botimit. Fashikujt të palidhun me qepje. I keqmbështjellë me letër të zverdhun ambalazhi. Letra dorëshkrimore industriale (nga celuloza e drurit) ishte në gjendje fizike të mirë: me dëmtime të vogla si ndonjë grisje, disa njolla myku, pak përthyerje fletësh në cepe e anësore, etj.

Shpëtim Sala i hyni punës misionare të historianit atdhetar. Pati konsultime të hapura, konkrete e të frytshme me gjuhëtarë, historianë, ekspertë zyrtar, krijues, koleksionistë, arkivistë. Shfletoi gjithë fondin e fjalorëve e fjalësit botuar kryesisht në shek. XIX, etj. Në 15 faqe të vëllimit të dytë Sala na jep përshkrimin numerik e tematik të fondit arkivor të Mitkos në AQSH, Institutin e Kulturës Popullore, etj., të cilat i ka shfrytëzue në mbi dy vite pune kërkimore shkencore. Një vëmendje të veçantë i kushtoi letërkëmbimit të Mitkos me albanologët Gustav Majer, Jan U. Jarnik, Francesko Krispi, si dhe me rilindasit shqiptarë: Jeronim De Rada, Dora D’Istria, Konstadin Kristoforidhi, Abdyl Frashëri, Dhimitër Kamarda, etj. Në dosje të AQSH gjeti të tjera dorëshkrime origjinale të Mitkos, të cilat i krahasoi me ekspertizë shkencore me Fjalorin e tij dorëshkrimor.

Në përfundim të këtyre hulumtimeve të shumta studimore shkencore, pa asnjë mëdyshje, saktësoi dy fakte: autori i Fjalorit është rilindasi Thimi Mitko, ndërsa përmbyllja e tij si dorëshkrim daton në vitet 1887-1888.

Rasti e solli që te dy: Thimi Mitko, rilindasi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare,  në shek. XIX dhe studiuesi i tij, Shpëtim Sala, rilindas i ri  i shek. XXI, të ishin nga i njëjti vend trojenik – nga Korça e kulturës e arsimit kombëtar shqiptar.

2.Rilindasi Thimi Mitko (1820-1890) në gjallje të vet pati përpjekje për botimin e Fjalorit në ndonjë institucion shkencor ndërkombëtar si në Austri, etj. Në një nga 33 letrat e tij dërgue albanologut austriak Gustav Majer (1850-1900), në atë të 30 korrikut 1884, shkruan për veprën në proces: “Unë nuk pretendoj asnjë përfitim, veçse të më dërgohen pesëdhjetë kopje (ekzemplarë) prej tyre, që t’ua jap si dhuratë miqve, qoftë edhe në sasi më të vogël” (Sh. Sala, Fjalori …”. Vëll. II, fq. 15).

Fjalori tregjuhësh, fryt i një pune rreth 30-vjeçare, u fletëmbyll i gatshëm për botim qyshse në vitet 1887-‘88, por mbi dy vjet ma vonë atdhetari i penës, Thimi Mitko i mbylli sytë. Vepra i mbeti në dorëshkrim, sikurse shumë fjalorë e fjalës të tjerë të shek. XIX, si ai i Konstandin Kritoforidhit, etj.

Ky Fjalor i Thimi Mitkos mendohet të ketë ardhë në fonde shtetërore të Tiranës në kohën e Zogut, ndoshta në vitin festiv të 25 vjetorit të Pavarësisë. E, prej atëherit, gjithato duar e kanë prit e përcjell këtë vepër të çmuar, disa studiues mendohet të kenë vjelë e mjelë nga kjo vepër “e fshehur”, derisa në shek. XXI përfundoi hedhtas e haptaz në tezgat e rrugës. Sa tragjike e komike! Si shumë fate e fatalitete shqiptare.

Përballë këtij krimi ndaj veprës të Thimi Mitkos vjen një ditë e bekuar e lartngrihet mirësia e njeriut të mirë, historianit Shpëtim Sala, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, i cili kreu një shenjtëri të ditës: Në të tretin shekull kalendarik (1888-2013) e botoi këtë vepër me interes historik e shkencor. Në dy vite punë hulumtuese, përgaditore e botuese investoi mbi 10.000 USD nga kursimet shtërngestare nga të ardhurave e tij vetjake e familjare.

3.Vepra “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” përmblidhet në dy vëllime me 634 faqe. Është kontribut i shumëfishtë i kombëtarit të formatit të madh, veprimtarit të shquar të shoqërisë civile, koleksionistit ndriçues, historianit ngulmues e botuesit sakrifikues Shpëtim Sala.

Vëllimi i parë, i përgaditur nga Shpëtim Sala, është puna studimore origjinale e Thimi Mitkos, është fjalori dorëshkrimor origjinal tregjuhësh i tij i ndarë në tre kolona greqisht-italisht-shqip me tekstin e plotë anastatik në dy pjesë: atë tematik (108 faqe) dhe atë bisedimor (214 faqe).

Vëllimi i dytë është vepër shkencore mirëfilli e studiuesit Shpëtim Sala me 298 faqe gjithsej. I ndarë në dy pjesë: Transliterimi i pjesës shqip të Fjalorit të Thimi Mitkos, i cili përbahet nga dy blej: fjalori tematik (fq. 97-128) dhe fjalori bisedimor (fq. 129-182) si dhe Fjalësi Shqip (fq. 183-290). Në kit’ vëllim (fq. 79-96) zenë vend edhe aparati shkencor i veprës: Përvoja në transliterimin e veprës së Th. Mitkos. Tabela me shkronjat e alfabetit grek të përdorura nga Mitko dhe atyre të shqipes së sotme me të cilat është realizuar transliterimi. Alfabeti i përdorur nga Th. Mitko. Shënjat e pikësimit, shenjat konvencionale dhe simbolet e përdorura nga Thimi Mitko në dorëshkrimin e fjalorit. Shkurtesat. Në përmbyllje të krejt veprës dyvëllimshme (fq. 293-296) studiuesi Shpëtim Sala paraqet shkronjat e Fjalësit dhe numrin e fjalëve sipas shkronjave, ku shenjohen 5.093 fjalë të dorëshkrimit të Thimi Mitkos. Gjithashtu është edhe bibliografia me burimet arkivore të shfrytëzuara e veprat e konsultuara nga vet koleksionisti e studiuesi Shpëtim Sala.

Në veprën e dytë historiani i njohur Shpëtim Sala paraqet (fq. 5-78) një studim plotor “Vështrim monografik mbi jetën dhe veprën e Thimi Mitkos”, i cili rri krejt mirë në këmbë edhe si një monografi meritore më vete.

4.

Rilindasi korçar Thimi Mitko në auditoret e shkencës e shkollave shqiptare tashma nuk do të njihet vetëm si “babai e krijuesi i folklorit shqiptar” me veprën e tij “Bleta Shqiptare” botuar një muaj para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), por edhe si leksikograf i shquar i shqipes me veprën “Fjalori…”(2013) botuar nga koleksionisti e historiani korçar Shpëtim Sala.

Në veprimtarinë e Mitkos duket se ma shumë kohë e mundime se sa për  grumbullimin e folklorit shqiptar në Shqipëri e mërgim (Greqi, Bullgari, Austri, Egjypt) i ka marrë puna studimore për Fjalorët, bile nuk u tërhoq as pas vitit 1880 kur një sëmundje kronike e syve po ia dobësonte shikimin. Edhe tek kryevepra e tij e botuar “Bleta Shqiptare” kemi një Fjalës “Shqip-Greqisht”, po ka edhe dorëshkrime të tij si Fjalor Greqisht-Shqip apo Shqip-Greqisht, veçse Fjalori tregjuhësh i vitit 1887-‘88 është më i ploti, më i madhi, ma i randësishmi, i gjithëkohshëm.

Fjalori i shek. XIX i rilindasit dijetar e pasanik Thimi Mitko për nga sasia e  fjalëve (mbi pesë mijë) të leksikut të shqipes renditet mbas fjalorëve të J.G. Hanit, F. Rosit, G. Jungut e G. Majerit.

Fjalori i Mitkos, sikurse edhe ai i Pulevskit, janë të vetmit fjalorë të shek. XIX me orientim tematik, të cilët përmbajnë edhe shprehje dhe përshendetje, urime, etj. që përdoren në ligjerimin e shqipes.

Kjo vepër e Mitkos e shek. XIX nuk ishte e panjohur nga albanologët e kohës dhe as nga disa rilindas shqiptar, e cila dëshmohet edhe nga gurra arkivore të letërkëmbimeve të folkloristit e leksikografit Thimi Mitkos.

Ky Fjalor tregjuhësh, që pasqyron gjendjen e Shqipes në gjysmën e dytë të shek. XIX,  ka leksik mjaft të pasur nga trevat e Veriut dhe të Jugut të Shqipërisë, përmban fjalë të reja (neologjizma), synon pastrimin e Shqipes nga gjuhët e tjera të Ballkanit e Mesdheut, etj.Vepra e randësishme leksikografike e Thimi Mitkos, fjalori tregjuhësh i tij, është pjesë e veprimtarisë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shek. XIX të vëllezërve Frashëri, Kristoforidhit, De Radës, D. Kamarda, J. Vreto, D. Boriçi, G. Benusi, etj. që dhanë kontribute edhe në gjuhësinë shqiptare. Njëherash, ky Fjalor është një nga ato kontributet e mëdha e të shumta të rilindasit Thimi Mitko krahas atyre si mbledhës e përhapës i folklorit shqiptar; autor i dhjetra artikujve në shtypin e kohës për problematika të Kombit Shqiptar; nismëtar e pjesmarrës në shoqëri patriotike shqiptare në mërgim; shtypshkrimin e shpërndarjen e librave e gazetave shqipe në vise të Shqipërisë Natyrale; botimi i disa poezive; nisma për arsimin e kulturën shqiptare, etj.

             5.

Vepra “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” (2013) në dy vëllime mirëfilli shkencore është, si të thuash, një temë doktorature e historianit korçar Shpëtim Sala me banim në Tiranë, e cila para çdo komisioni do të merrte vlerësimin ma të lartë.

Në koft se flasim edhe për botime të tjera të historianit Shpëtim Sala si  monografia “Një perandor në Prizren” (Botime Françeskane, Shkodër, 2008), “Letra të panjohura të Fan Nolit, 1906-1913” (Letërkëmbime të Nolit me personalitete. Pajisë edhe me aparat shkencor. Botime Françeskane. Shkodër. 2008), “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (Tiranë, 2006, 2011), Maximilian Lambertz “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” (Përkthimi nga gjermanishtja, si dhe parathania e shpjegimet nga Sh. Sala); përmbledhja folklorike “Këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme”, etj. meriton akordimin e një titulli të lartë “Profesor”, pasi të këtilla janë kontributet e tij.

Në koft se flasim edhe për veprat dorëshkrimore të historianit Shpëtim Sala, për gjashtë monografitë e tij si ato për shoqëritë patriotike, Orkestrat frymore, shtypin, fjalorët e fjalësit, etj. si dhe referate apo kumtesa të mbajtura në konferenca, simpoziume e konferenca shkencore në Tiranë, Shkodër, Korçë, Prishtinë, Strugë, Ulqin, etj. apo ligjërata si në Universitëtin Ndërkombëtar të Strugës, etj. atëherë e meriton titullin “Akademik” i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë apo të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës.

Shpëtim Sala, ky rilindas i ri, është nderuar nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës me Çmimin “Frang Bardhi” (2008) ka një pasuri të madhe e të rrallë në shtëpinë e tij: Koleksionon mbi 3.000 libra në gjuhën shqipe. Mbi 20.000 fotografi e kartpostale me tematikë shqiptare. Mbi 1.000 dokumente që kanë zanafillë nga pushtimi otoman. Ka një koleksion pothuaj plotor filatelinë shqiptare. Gjithato heraldika shqiptare, monedha e kartmonedha shqiptare, objekte etnografike druri, etj., Ky fond i madh koleksionesh shtron kërkesën para Ministrisë së Kulturës e Qeverisë së Shqipërisë për hapjen e një “muzeu” me këto vlera kombëtare shqiptare për të sotmen e të nesërmen. Historiani e koleksionisti Shpëtim Sala duhet thënë se me koleksionet e tij ka hapur ekspozita të shumta e të shpeshta dhe me frymë e shtrirje panshqiptare në Tiranë, Prishtinë, Vlorë, Budapest (Hungari), Prizren, Korçë, Strugë (Maqedoni), etj., në të cilat kanë paraqitë vlera të rralla  dhe janë ndjek me interes nga mijëra vizitorë shqiptarë e të huaj.

Nisur nga të gjitha këto veprimtari botuese, studimore, koleksionuese, kulturore, etj. të historianit e koleksionistit Shpëtim Sala mendoj se ka ardhë koha që t’i akordohet nga Qeveria e Shqipërisë një pension shtetëror për merita të veçanta.

 6.

“Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” (2013) është një punë shkencore “e përbashkët” e Thimi Mitkos e Shpëtim Salës, është vazhdim plotësor i veprës së njëri-tjetrit, ku këta dy  rilindës të shquar në kohë të ndryshme, këta dy emra të njohur në letrat shqipe, në arsimin e kulturën shqiptare, e ndajnë lavdinë ndërveti. Rilindasit Thimi Mitko e Shpëtim Sala janë dy emra që i bajnë nder kohës e njëri-tjetrit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramiz Lushaj, Rilindes, Shpetim Sala, Thimi Mitko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT