• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRINCIPATA E ARBËRIT – SHTETI I PARË I SHQIPTARËVE, KISHTE ORIENTIM E VEPRIMTARIM PERËNDIMOR

December 28, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Doktoranti mirditor e kryeqytetas, Nikollë Loka, ndër vite pune të frytshme, me kumtimet e mongrafitë e tij shkencore, ia ka mbrri të ketë jo vetëm profilin e vet, por edhe formatin e tij, si një studiues i mirënjohur i historisë prej nga i hershmi antikitet ilir deri në kohët e sotme moderne, çka e ridëshmon dhe tek vepra ma e re “Principata e Arbërit – Shteti i parë i shqiptarëve”(Tiranë, 2015).
Kjo vepër, e këtij lloji, me këtë frymë, prej kaherit i mungonte ditës së sodit, po kësaj vepre i mungonte dhe një studiues me shpirt si Nikollë Loka, trojenik i trevës së Mirditës, ku Principata e Arbërit pati shtrat e shtat historik, që e vno në dukje, e skanon, e skalit me gjurmë e brumin e fakteve, në sofrën e realitetit.
Nikollë Loka, me ashtin e palcën e vet studimore, me mendjen e penën e tij hulumtuese e krijuese, ka në skedarin e kohës e të historisë disa vepra me interes e vlera kombëtare si “Genivs Illvrici –Dyzet e dy perandorët ilirë të Romës”, “Dinastitë iliro-shqiptare me famë botërore”, “Iliria Biblike, Shejtorët iliro-shqiptarë – nga Konstandini i Madh te Nënë Tereza (me bashkautor, av. Gjet Kola), “Arnautomania – 44 kryevizorë dhe 170 vjet qeverisje shqiptare në Perandorinë Osmane”, “Preng Bibë Doda i Mirditës” (dritëhijet e një burrështetasi kandidat për fronin mbretëror të Shqipërisë dhe dy herë zv/kryeministër e dy herë ministër), “Imzot Nikollë Kaçorri – burrështetas shqiptar në altarin e Atdheut” (me bashkautor, prof. Angjelin Shtjefni), “Llesh Zef Doçi i Lurës – Forca e mendjes, pesha e fjalës”, “Kuvendi i Fanit dhe Pamundësia e Piemontit Shqiptar”, “Bajraktar Prengë Mark Prenga – Flamurtari i Mirditës”, “Dera e Parë e Fanit”, “Studime historike, recensione, publicistikë” (Vëll. I), etj. Titujt e këtyre botimeve të tij monografike shkencore flasin vet për historianin Nikollë Loka, ashtu sikurse vet Nikollë Loka e ka thanë fjalën e tij në lartësim për historinë e trevës së Mirditës e të truallit kombëtar shqiptar.

Nikollë Loka është dhe poet e, për ma shumë e ma mirë dhe një poet antologjik në rreth dhjetë botime të tilla në Itali, është dhe publicist me vargni shkrimesh në mediat shqiptare (print e elektronike) të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Amerikës, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Kanada, etj. Dhe në veprat e tij studimore e gjejmë poetin dhe publicistin, e takojmë Nikollë Lokën historian.

E thashë kryefjalë, se Nikollë Loka është doktorant, pasi i vazhdon studimet e thelluara për historinë e arsimit shqiptar e, në këtë lami e ka në përmbyllje tezën e doktoraturës së tij. Ai ka kumtuar dhe në veprimtari shkencore tribunale si në konferencën shkencore mbajtur në prag të Vizitës të Atit të Shenjtë – Papa Francesku në Shqipëri me kumtesë për kontributin e Vatikanit në themelimin e arsimit shqip (e botuar dhe në veprën “Vatikani dhe Arbëria”); në konferencën shkencore kushtuar 800-Vjetorit të Shtetit të Arbërit kumtoi në Tiranë për zhvillimin e arsimit në Arbërinë Mesjetare; në konferencën shkencore kushtuar Betejës së Dytë të Kosovës të vitit 1448 kumtoi në Prishtinë për arsimin në Kosovë në dy shekujt e parë të sundimit osman, etj.
2.Vepra “Principata e Arbërit – Shteti i Parë i Shqiptarëve” i historianit Nikollë Loka e ripohon Orientimin Perëndimor të Shqiptarëve. Edhe përkundrejt faktit historik se pushtimet e huaja janë përpjekur gjithqysh për ta çvendos drejt Lindjes ka ndodh tjetra: shqiptarët kanë ecur drejt Perëndimit.
Në këtë vepër kemi të pasqyruar vërtetësisht e lartësisht proçesin e identifikimit të aristokracisë shqiptare. Në se ma para ajo ishte pothuaj e shkrirë deri përtej administratës zyrtare me klasën sunduese byzantine dhe kishte dukshëm prirje kozmopolite, me Principatën e Arbërit bujaria vendase, aristokracia arbnore, del si përfaqësuese e shqiptarëve. E, prej kësaj kohe, shqiptarët patën princat e tyre. Njëherash dhe shqiptarët u orientuan për rreth tyre. Ky ishte modeli ma i mirë i bashkimit të shqiptarëve me princat e vet në të gjitha trojet arbnore, çka u krye madhnisht në kohën e Skënderbeut, me Kuvendin e Beslidhjes të Lezhës, etj.
Pa mëdyshje historike, Principata e Arbërit lindi në territorin në mes Shkumbinit e Drinit, por shumë shpejt u zgjerue vertikalisht e horizontalisht edhe jashtë kësaj hapësire gjeo-politike. Madje, si arbër u identifikuan të gjitha trevat shqipfolëse që ndodheshin në një hapësirë etno-historike e gjeografike mbi dy-tre herë ma të madhe se vet Principata e Arbërit. Këtë na e thotë qartë dhe vepra në fjalë e studiuesit kontributiv Nikollë Loka.
3.Sigurisht, kryeqyteti i Principatës së Arbërit ishte Kruja një qytet me madhështi që e ka lanë emnin e vet në historinë mesjetare shqiptare, por ndoshta për vet veçoritë e këtij qyteti elitar, proçesi i pavarësimit filloi në periferi të Principatës. Historiani Nikollë Loka argumenton se krahas Peshkopatës Ortodokse të Krujës krijohet dhe Ipeshkvnia Katolike e Arbërit me qendër në Ndërfanë të Mirditës, duke qënë emblema e parë katolike në brendësi të trojeve etnike shqiptare.
Enklava tjetër katolike Tivar-Ulqin-Diokle ishte nën ndikimin e princave serbë e për rrjedhojë nuk i shërbente proçesit të shtetformimit të shqiptarëve. Ajo çka përveçon autori ka të bajnë me faktin se me Ipeshkvninë Katolike të Arbërit pjesa e popullatës së Arbërit u largue dhe fetarisht nga feja ortodokse duke krijue një identitet të vetin.
Letra e princ Dhimitrit për Papën për t’u kthye ai dhe bujarët e tjerë edhe populli në besimin katolik, pavarësisht se nuk ishte një qëndrim mirëfilli politik, ndikoi dhe ma vonë, ndër dekada e shekuj, që dhe Peshkopata Ortodokse e Krujës të bahet katolike.
Natyrisht duke qënë në kufi në mes dy botëve ortodokse dhe katolike patjetër që treva e madhe e Arbërit ka marrë e dhanë me këto dy botë, por për interest e veta Abati ka nxitë dhe mbështet formimin e shtetësisë tek shqiptarët duke e parë këtë si zgjerim të vetin në Ballkanin ortodoks.
4.E, në fund, diçka për autorin e parathanies së veprës shkencore “Principata e Arbërit – Shteti i parë i Shqiptarëve”, për avokat Alfred Duka, studiues, një personalitet i ri i trevës së madhe të Mirditës, pasardhës dinjitar i njëres nga dyert e mëdha arbnore-shqiptare, nga Dera fisnike e Perlatit (Duka). Kjo derë e madhe, e moçme, e njohur, Duka, e ka prejardhjen e gjenezës së vet nga një prej degëve princore të Dukagjinëve (Duka-Gjini). Në Shtetin e Skënderbeut ka pasë një atdhetar të shquar kombëtar. Pjetër Përlati i thoshin. Përndryshe dhe Pjetër Duka. E, albanologët Franc baron Nopça, Milan Shuflaj e At Giuseppe Valentini, akademiku Kristo Frashëri, etj. ia skalitin emrin e veprat Pjetër Perlatit (Duka) si abat i Manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, si komandant i forcave arbnore në mbrojtjen e Kështjellës së Stefigradit, etj. E tradita e kontributeve kombëtare ecën dhe në genet e breznive të sodit, pasi jo vetëm avokati e studiuesi Alfred Duka, por edhe djali i tij, Geraldi, ndonëse në moshë studentore, ka botue dy libra për historinë diplomatike e politike të shqiptarëve: “Habsburgët, Austro-Hungaria dhe Shqipëria” (2014) dhe “Kongresi i Berlinit dhe Shqiptarët” (2015).
5.Doktorant Nikollë Loka, personalitet publik, letrar e shkencor i mirënjohur si poet, si publicist, si historian, si veprimtar shoqëror, prej këtij viti, 2015, është dhe një personalitet me status juridik, është një institucion shkencor e civil. Ai është president i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli”. Edhe Gazulli, edhe Loka, te dy, janë rrënjas nga Mirdita e Madhe e Historisë Kombëtare. E, kësisoj lidhen brezat e kohët ndërveti: Gazulli i shek. XV e Loka i shek. XXI. Te dy rrënjas nga treva amësore e Principatës së Arbërit – Shtetit të parë të Shqiptarëve.
Pasi ia kemi mbyll dhe të fundit faqe veprës shkencore për Principatën e Arbërit të historianit mirditor e kryeqytetas, Nikollë Loka, shohim në retrospektivë e në perspektiv, se me Shtetin e Arbërit proçesi i shtetformimit tek shqiptarët pati një proces të pandalshëm, por asnjëherë nuk mundëm të krijonim një shtet kombëtar në të gjitha territoret etnike shqiptare. Ky proçes, me sa po duket, edhe pas shpërbërjes gjeo-politike të ish Jugosllavisë së Krajlëve, të Titos e të Millosheviqit, prapë se prapë po iu mbetet detyrë misionare kombëtare brezave etnik shqiptar.

Tiranë, 27 dhjetor 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Nikoll loka, proncipata e Arberit, Ramiz Lushaj

PO U VJEN ORA PËR TË IKUR…

December 25, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shqyrtoi kërkesën shkrimore të Presidentes Jahjaga dhe prej të mërkures të 23 dhjetorit 2015, me një Vendim prej 39 faqesh, e ka rrëzuar Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të nënshkruar në Bruksel në 25 gushtin e këtij viti vijues nga dy kryeministrat në fqinjësi e armiqësi: Mustafa-Vuçiç. Kjo Gjykatë, sipas “Zëri i Amerikës”, kumtoi juridikisht: “Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas Marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
Pamëdyshje, prej 23 dhjetorit 2015 ka ra dha kryeministri Isa Mustafa me kabinetin e tij qeveritar. I ka ardhë ora për të ikur. E kjo duhet të ndodh para 29 janarit 2016 kur është paraparë një tjetër takim dypalësh Mustafa-Vuçiç. Është në nderin e tij të mbetur të ikin sa më shpejtë. Është në turpin e Kosovës e të Kombit Shqiptar ta mbajnë ma gjatë këtë njeri pushtetar që nuk u ba as “krye”, që nuk mbeti as “kokë”!

Patjetër, Isa Mustafa erdhi në krye të qeverisë së re të Kosovës, si një shpresë e re e krenari e ditës, të paktën në vetëdijen time atdhetare, pasi në trojet etnike shqiptare kishim për herë të parë një akademik kryeministër, i cili nuk vinte as me pushkë krahut e as me revole në brez dhe ishte disa mandate kryebashkiak i Prishtinës, garanat përvoje që do të kryente një qeverisje kryeministrore të mirë, të vyer, historike. Po, ky, “Isa i dytë”, “Isa i madh”, tashma është zvogëlue shumë, së tepërmi, jo nga trupi i tij, po nga turpi i zi, i randë, i papamë, nga Marrëveshjet e fundit të nënshkruara shtetnisht me Serbinë e më Malin e Zi, sepse na solli një zhgënjim kombëtar, shtetar, qytetar, moral.

Kryeministri në detyrë, prej 23 dhjetorit, duhet të ikin e ta marrin me veti dhe zëvendsin e tij Hashim Thaçi, qeverinë e tyne, sepse te dy i ka nxjerrë në “pension politik” akt-thyemja e Kushtetutës së Kosovës, çka e dëshmoi ma së forti e ma së miri dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Te dy janë ortakë të këqinj në firmen e hedhur padrejtësisht e pabesisht në Marrëveshjen e 25 gushtit 2015. Ka firmos Isa, po Hashimi nuk i ra hasha, përkundrazi, te dy ishin mbrojtës të saj në Parlamentin e Kosovës, në takimet Presidenciale me Jahjagen e ato diplomatike në Prishtinë e kudo tjetër. Aq të zjarrtë ishin “po”-në e tyre “pro” Serbisë e Malit të Zi, saqë e burgosën një të tretën e opozitës parlamentare të Kosovës, i gjakosen qytetarët e Kosovës në protestat e tyre në rrugët e Prishtinës, çka s’banë me ia mbrri me e mbledh përdhunshëm Kuvendin e Kosovës edhe në sallen me gaz lotsjellës apo ndokund tjetër, etj. Këto fakte, dukuri e ngjarje ndodhen dhe pas 10 Nëntorit 2015 kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pezulloi Marrëveshjen për Asociacionin… Kjo vetbindje e tyre deri në ekstremitete i ban këta të dy fajtor me faj të randë kombëtar, politik, moral, sepse këta i avancuan deri në akte tradhtie panshqiptare Marrëveshjet e tyne me Serbinë për Asociacionin dhe për Demarkacionin, saqë me krijue “shtet brenda shtetit” në komunat me shumicë serbe si dhe tue iu dhanë toka të Kosovës sikurse Malit të Zi sivjet (me Marrëveshjen e Hashimit) e Serbisë tevona (me Marrëveshjen e Isës). Asnjani e as tjetri nuk mbetën “burra shteti të karrikes” së vet e të Kosovës, veçse iu duhet të ikin si “të bijtë e fikes”, me barrë turpi kombëtar, etj. Aq ma keq në se te dy këta, Isa e Hashimi, erdhën në krye të qeverisë së re të Kosovës me “kushtin” për të nënshkrue të tilla marrëveshje antikombëtare, sepse iu duhej të mbronin vetëveten nga penalitetet e drejtësisë të Kosovës e të EULEX duke e dëmtue kaq keq Kosovën me të tilla ankande politike antikombëtare. Aq ma keq në se këta të dy, Isa i LDK e Hashimi i PDK, përndryshe dhe Hashimi e Isa, do të rrijnë ende në pushtet për t’i mbrojtë këto marrëveshje të zeza me kulisa të pista, etj.
Këta të dy, Isa kryeministër e Hashimi zëvendëskryeministër e ministër i jashtëm erdhën në pushtet përngjashëm sipas “skenarit serb”, që kur erdhi Vuçiç kryeministër i Serbisë e bani ish kryeministrin para tij, Ivica Daçiç, zv/kryeministër e ministër i Jashtëm. Përndryshe, këta të dy, Isa e Hashimi apo Hashimi e Isa, le të veprojnë si Daçiç e Vuçiç, që kur vjen çështja me nënshkrue Marrëveshje të tilla si kjo “Asociacioni i komunave me shumicë serbe” ata e lanë përkohor pushtetin e vet, hyjnë në zgjedhje të parakohshme, që Marrëveshjen e prillit 2013 të Hashimit me Daçiçin ta firmosin Isa me Vuçiçin në gusht 2015, e njëkohësisht e njejtësisht, këta të katër, t’i mbrojnë këto marrëveshje sëbashku, sipas mënyrës së vet, kundër Kosovës dardane, kundër Kombit Shqiptar. Tashti, me sene të re, në fill 2016, ka ardhë ora për të ikur Isa Mustafa tue e marrë me veti dhe Hashim Thaçin e qeverinë e tyre, pasi kështu e vetëm kështu bien Marrëveshjet e Tyne me Serbinë e Malin e Zi. Ndoshta ky do të jetë, e thanun ndryshe: pas 17 shkurtit 2008, ky do të ishte ”çlirimi i dytë” i Kosovës.

Tiranë, 25 dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: per te ikur, Po u vjen ora, Ramiz Lushaj

ZEMRA E DOKTORIT TË ZEMRËS

December 12, 2015 by dgreca

Nga Ramiz Lushaj/
Dr. Sali Berisha ka një zemër të madhe, aq të madhe sa më duket sikur nuk ka as krahëror. E, përndryshe: me më pasë fjala rranjë e majë po e risjell në shkronjim, përtej thercave të politikës së ditës, një thënie të thuktë të “Balzakut shqiptar”, shkrimtarit dardan Sulejman Krasniqi, Laurant i çmimit të Republikës, kuvendue në mars 1994 kur ishim sëbashku mysafir nderi në Oborrin Mbretëror Shqiptar të Mbretit Leka Zogu I në Afrikën e Jugut: “Unë e kam mik Sali Berishën. Nuk e di sa ma ka ai mue. I jam mirënjohës se si mjek më ka shpëtue jetën…Për diçka jam i sigurtë: me ia “ça” zemrën Sali Berishës aty do të gjeni Shqipërinë Etnike”.
Sali Berisha është mjek i njoftun i zemrës, shkenctar dijetar i saj e, në krahasim analog, të dy i ngasin njani-tjetrit për nga funksioni, për nga fuqia…Për ma tepër vet Sali Berisha është një “zemër” e kohës, një nga zemrat e kombit prej kaherit e përtej sodit. Po me një ndryshim: zemra, pothuaj tana herët rrinë fizikisht e trupnisht në të majtë, po tek Sali Berisha ajo tashma rreh në të djathtë, vetëm në të djathtë. E, me që fjalen e kam tek zemra bio, deshta me fol për valvulat e saj tek Sali Berisha. A e dini pse? Krejt politika e majtë pushtetare e tashtit, këta të majtit e sotëm në vargavijë etër e bijë, po duen me e përdorë Sali Berishën si “valvulë shkarkimi” për paarritjet, mëkatet e rrokullimën e vet. E, këta po kujtojnë se po ia mbrrijnë kësaj, po nuk janë ka e kuptojnë se vet, vetëvetja e tyne politike, karriket e tyre pushtetnore, janë tue u kthye në “valvulë shkarkimi” prej lumenjve të dizinformimit e mosrealizimit programor politik e ekonomik të tyre, prej makutërive e mëkateve të shumë prej atyre me “jaguar” e kollare të pushtetit, prej rënies ekonomike shumplanëshe e rritjes së përditshme të zemërimit popullor…Po, dr. Berisha, si doktor i zemrës, ma mirë se shumkush e dinë se valvulat kanë një mision të madh: ato e sigurojnë mrekullisht e automatikisht rrjedhën në një drejtim të gjakut në zemër dhe e parandalojnë rrjedhën në drejtim të kundërt. E kjo, përtej moralit politik e afër të vërtetës të ditës, vlen sigurisht dhe për Partinë Demokratike, për liderin e saj historik Sali Berisha, për lidershipin e ri të PD… E, Sali Berisha nuk ka pse me thanë tana herët: “…I mbaj të gjitha përgjegjësitë vet”, pasi qeverisja presidenciale, kryeministrore, e PD-së, e lidershipit të tij historik, nuk janë vetëm të tijat, po gjithsecili pushtetar politik e ekzekutiv të marrin përgjegjësitë e veta, të gjithë liderët e popullit e populli lider ka peshën e vet.
Zemra e Sali Berishës në lartësitë e kohës, të karierës, të viteve të moshës dekades së tetë, po ka ndonji nostalgji të (pa)kuptueshme, si për disa ministra kabinetor që zemra iu ka rreh me prurje gjaku veç për veti e, tashti, me çfardo “dialize politike” nuk mund të jenë prapë flamurtarë pasi “flamurin” e kane lanë dhe na e lanë disa herë rrugës, si më 1997 apo 2013 e, pse jo, dhe më 2015, e duhet ta dijnë e ta mësojnë vendin e prijës e të ndejës në të parakohshmet zgjedhje të 2016-tës. Ma mirë se shumkush dr. Berisha e dinë fort atë parimin e zemrës që gjaku kur e furnizon trupin me oksigjen e ushqyes e jep ndihmën e vet në heqjen e mbeturinave metabolike. Disa ministra e të tjerë zyrtarë kësish, janë për “polifoto” e jo t’i kemi ende foto në tribuna politike të ditës, (para)elektorale, etj. E, për mos me ma kungulleshë ndokush fjalën, po them se kurrkush nuk po lyp “t’i flakim”, po ata, disa sish, nuk janë flakadanë për udhë, veçse le t’i japin zjarr prushit demokrat pa i qit’ ujë, pa ja vonue e rrallue drutë…Le ti lanë dhe le t’i lamë ata dhe shumkush prej nesh të punojnë e të na drejtojne dhe demokratet e rinj, me lidershipin e ri Lulzim Basha.
Sali Berisha ka dy zemra; një zemër që rreh në gjoksin e tij dhe një tjetër që rreh në gjoksin e kohës panshqiptare, në muskujt e venat e saj. E para, zemra e tij bio, ajo vetjake, po rreh me mjaft vitalitet në ecjen e tij me sakrifica, sfida, triumfe në ballë të kohës në ndrrimin e sistemeve e të shekujve, në hapësirat e demokracisë e të Shqipërisë Etnike. E dyta zemër e tij, ajo në gjoksin e kohës, ka me rreh dhe në pasjetën e tij, në historinë e kombit e rrugëtimin e politikës, në gjurmët e kohës së sotme e në genet e breznive.
Edhe zemra ka “revolucionin” e vet në trupin e njeriut, të Sali Berishës, të secilit prej nesh. Po Sali Berisha po e kalon krejt jetën në “revolucion”, jo vetëm në 90-tën, jo vetëm në ’97-tën, jo vetëm në vitet 2000, po edhe sot, në 2013 e në 2015, edhe nesër, më 2016. Kjo jo për faktin historik se europianët (patjetër dhe ne – shqiptarët) pas çdo revolucioni nuk shkojmë në shtëpi si amerikanët, po rrijmë prapë në rrugë. Shpesh herë të gatshëm për revolucione, veçse ne shqiptarët më duket se e kemi disi ndryshe, pasi “valvulojmë” me shpërthime, me rebelime. Po ka dhe diçka tjetër krejt esenciale, se komunizmi ynë i nëntorit ’41 e i qershorit ‘91 nuk po dinë dhe nuk po donë me ikë prej tokënisë politike shqiptare, sikur këtu të mos kishin ardhë ndonjëherë në Shqipëri as Papa Gjon Pali II (1993) e as Papa Francesku (2014), po sikur të ishin mshef shpellave të politikës Karl Marksi e Stalini. Po Sali Berisha nuk mbeti vetëm në disa dekada në revolucion, po Sali Berisha mbeti gjithë jetën e tij njerëzor, sepse Sali Berisha nuk eci vetëm me hapa, po me zemër, me zemrën e tij për Shqipëri, për Kombin e Vet/Tonë, aq sa e thashë dhe në kryefjalë: Sali Berisha ka një zemër aq të madhe sa që më duket se nuk ka krahëror.
Tiranë, 12 dhjetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: E DOKTORIT TË ZEMRËS, Ramiz Lushaj, Zemra

DRIDHET KULLA EIFEL

November 14, 2015 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/
DRIDHET KULLA EIFEL/
Sonte përgjysmë e lamë kafen e fjalën me Shpëtim Salën/
Ishim duke folë për plagën e madhe shqiptare: Versajën…/
Plagë të re hapën kamikazët terroristë në Paris./
Dhimbja e mori emrin Tiranë, Kumanovë, Guci, Kaçanik… /
U tërmet dhe kafja jonë e mbetur përgjysmë./

Prej nga kështjella e mbyllur e Vërsajës/
Lufta e Tretë Botërore po vjen…/
Dridhet e larta Kullë Eifel./

Në të parin kat,/
Mbi bunkerin luftarak – ngrihet posta Eifel.
Aty turistët me kartolina përcjellin mesazhet:
Mbylljani derën e keqe e të errët Terrorizmit…
Hapni deren e vjetër të Kështjellës së Vërsajës….

Tiranë, 13 nëntor 2015

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kulla Eifel dridhet, Ramiz Lushaj

AMERIKË,E PARA “DITË E PLISIT” NË DIASPORËN SHQIPTARE

November 6, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Dinastia e vllaznëve Selimaj të Nokshiqit të krahinës të Plavë-Gucisë, me jetnim disa dekador dhe në Amerikë, nuk e dinte se me aktin e tyre patriotik e human të 25 nëntorit 2012 do të hynin në historinë kombëtare shqiptare për organizimin dinjitar për herë të parë në Diasporë të veprimtarisë elitare “Dita e Plisit”.
Për ma tepër e ma mirë ishte dhe jubileu i madh i 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit, ku parathënia e saj ishte “Lufta e Nokshiqit” (4 dhjetor 1879-11 janar 1880); një Luftë Panshqiptare e me jehonë ndërkombëtare kundër vendimeve të tetë krajlive të Kongresit të Berlinit; një Luftë në të cilën u ngrit për herë të parë në histori në ballë të një beteje frontale shqiptare Flamuri i Skënderbeut, një luftë në të cilën kontribuan dhe vllaznia Selimaj me nokshiqasit e atyhit, krejt Plavë-Gucia e Shqiptaria.
Gjithçka nisi nga mendimi i mirë, shpirti i bardhë, vullneti i vyer i tyre; i Bruno Selimaj – pronar i Çlub A Steakhouse në Manhattan të Neë Yorkut dhe vllait të tij, Alex Selimaj, president i Fondacionit Plavë-Guci (FPG) në Amerikë.
Bruno Selimaj, ma i madhi ndër dhjetë fëmijët e Bajram Mujë Selimaj, është një veprimtar i shquar kombëtar, një lobues e kontributor i rrallë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, njeri bajemirë, i bukës së pastër e i fjalës së ambël, që ia njohin meritat në heshtje e ia kursejnë mirënjohjen zyrtare në Kosovë e Shqipëri. Bruno, prej fillimit, në 23 vite, është i lidhur fort me FPG si antar e veprimtar ndër ma të parët, aq sa e cilësojnë dhe “ambasadorin” e tyre.
Alex Selimaj është vllai ma i vogël i Brunos e, për të dyten herë, i pari i Fondacionit Plavë-Guci (2011-2013 e 2015 e në vazhdimësi), është një nga mjeshtrit shqiptar ma të mirë të fotografisë artistike në shek. XXI, i cili ka hapë disa ekspozita e fotot e tij kanë zanë vend në gazeta e revista amerikane të kohës së sodit.
Kur fola për Dinastinë Selimaj kisha parasysh dhe të dytin vlla të tyne, Nino që ka një restorant në Nju Jork me emnin e tij e të njoftun si ginestar me picën 1.000 USD të 13 qershorit 2012, i cili ka klient të mëdhenj: Tom Jones, Cindy Craëford, Brooke Shields, Regis Philbin, guvernatorin e shtetit të Nju Jorkut – George Pataki, Chelsea Clinton e të tjerë.
Biznesmeni atdhetar Bruno Selimaj i porositi e solli 400 flamuj kuqezi dhe 400 plisa të bardhë në Festën tradicionale të Flamurit, organizuar nga FPG në Royal Regency Hotel në Yoankers të Nju Jorkut, me pjesmarrjen e madhe e të paparashikuar kryeherit – me mbi 600 plavë-gucias e të ftuar.
Në Amerikë, ndryshe nga çdo herë tjetër, sëbashku me Ditën e Flamurit, u festua e shenjua dhe “Dita e Plisit”, për herë të parë në Diasporën Shqiptare në botë. E, kjo risi e rrallë kontributive në traditën e historinë shqiptare, është meritë e çmuar e vllaznëve Selimaj – e Brunos dhe e Alex-it, e gjithë Fondacionit Plavë-Guci, e krejt komunitetit plavë-gucias në Amerikë.
2.Në Festën e Flamurit e Ditën e Plisit, salla e madhe mrekullonte nga këto dy evente shqiptare në 100 Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, në Amerikën e Vlerave të Lirisë e Demokracisë, në Amerikën e Uashingtonit, të Uillsonit…të Bushëve, Klintonëve e Obamës. Si asnjëherë tjetër. Si rrallëkund tjetër.
Kjo Ditë e Plisit në jubileun e Flamurit ishte e përmasave, vlerave e mesazheve kombëtare.
Këtë veprimtari e përshendeti kryeministri i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha me një letër postare drejtue sekretarit të përgjithshëm të FPG, Esad Gjonbalajt, e cila u publikue mbasandejna dhe në ëebsajtin e Fondacionit e masmediat e ditës.
Aty, përmes një video, përshendeti veprimtarinë e bashkvendasit e vet me zë e figurë dhe akademiku vuthjan e panshqiptar, Rexhep Qosja, tue evidentue historinë, kulturën, traditat e Plavë-Gucisë e të Kombis Shqiptar.
Aty jehoi kanga majekrahu e vuthjanit Hysen Ulaj me të birin Leartin, kangët për Flamurin Kombëtar e Plisin e bardhë, për figurat historike e luftërat e Plavë-Gucisë në zërin e Liridonës – çikë e Dedushajve e nuse tek Selimajt e Valbonës (Plavë); në zërin e nipit të Gucisë, Ylli Demaj, etj. Aty ishin dhe personalitete shqiptare të botës politike e diplomatike, akademike e kulturore nga Shqipëria e Kosova, nga trevat shqiptare nën Malin e Zi – të cilët janë me jetnim e veprimtarim në Amerikë, si asambleisti i Nju Jorkut–Mark Gjonaj; konsulli i Kosovës në Amerikë–Fatmir Zajmi; kryetarë të shoqatave shqiptaro-amerikane; prof. dr. Shinasi Rama, etj.
Aty, nga mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj u banë një galeri me foto, ku veçohen ato kolektivet me plis të bardhë të fëmijëve e të burrave plavë-gucias, të pjesmarrësve në këtë Festë të Flamurit e Ditë të Plisit.
3.“Dita e Plisit” po ecë drejt shenjimit e shenjtërimit si një festë mbarëkombëtare shqiptare.
E dëshmojnë veprimtaritë gjithkund në Troje Etnike Shqiptare: për të dyten herë në Klinë të Kosovës në përcjellje të tetorit të sivjetëm; në malin e Dajtit në Tiranë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”- të dielën e fundit të gushtit; në Shkup në Maqedoni – sipas traditës – nga Lëvizja “Zgjohu” në 17 shkurt – përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës; etj.
Masivitet e lartësime ka marrë në ndeshjet e fundit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, ku mijëra tifozë me plisa të bardhë kanë mbushur shkallët e stadiumeve në Shqipëri e në Europë. “Dita e Plisit” shqiptar pritet të ketë kulmim eifelian në qershorin e vitit tjetër, në Euro–2016 në Francë.
Tani Shqiptarëve në Ballkan e në Botë iu ka mbetë si detyrë historike që të përcaktojnë zyrtarisht me një kuvendim kombëtar të personaliteteve e shoqatave shqiptare “Ditën e Plisit’, pasi shembujt janë të shumtë e më një gjeografi nga Shkupi shqiptar i Vardarit deri në Diasporën Shqiptare të Nju Jorkut përtej Atlantikut.
Plavë-Gucia ka dhe një vlerë ma shumë në historinë e saj, pasi mbetet e para në në Diasporën Shqiptare dhe ndër të parat në krejt botën e hapësirat etnike shqiptare, në organizimin e veprimtarisë kombëtare “Dita e Plisit” në Amerikë, në Nju Jork, në nëntorin e jubileut të 100 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

Tiranë, 3 nëntor 2015

Filed Under: Komunitet, Reportazh Tagged With: Amerike, Dita e Plisit, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT