• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REFLEKTIM

February 13, 2017 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/Alfons-Grishaj1-250x300

Mbyllni sytë vetëm për një minut, jo  vetëm si besimtarë, por dhe si natyralistë, e do shikoni sa madhështor është Zoti…Ateistët do  pyesnin me cinizëm: “Ku është Ai?” Hipokritët do rrudheshin si këmisha të shtrydhura, dyshuesit do silleshin si pëllumbat që humbin udhën, pseudo-predikuesit do fërkonin gishtat e bërë kallo , besimtarët do shkriheshin si pikat e ujit në shkretëtirë, ku më pas do çelnin bimë të gjelbërta.

Duke u shkëputur prej fallsitetit kulmues të njeriut në univers, si një formë jete rrethanore dhe jo si krijesë burimore, zogjtë na tregojnë me  gjuhën e tyre se ku e ka burimin misteri i jetës. Asnjë qenie tjetër nuk e ka privilegjin që të fluturojë, të notojë dhe të ecë me dy këmbë siç janë shpendët. Ata kanë një gjuhë të përsosur, jo pasthirrma instiktive që njeriu nga një herë i ka për qejf! Por, gjuhë komunikuese si  njerëzit. Provojeni në një rreth natyror të egër dhe filloni të hidhni farë të ndryshme, do shikoni se në bazë të shërbimit të ushqimit që afroni do shikoni dhe llojet e zogjve. Ata thërrasin njëri- tjetrin në mënyrë origjinale. Zogu i agimit është Kardinali. Ai zgjon zogjtë e tjerë me zërin e tij melodioz që ekzekuton simfoninë e zgjimit, kur speciet janë ende të vdekura  në gjumë. Një kod i pashkruar! Trumcakët zgjohen dy tre orë pas lindjes së diellit njëlloj si dhe gargujt, që shkojnë grumbull si jeniçerët duke dëmtuar më tepër sesa duke u ushqyer vetë. Ashtu si dhe llojet e zogjve që flirtojnë me natyrën dhe begatinë e saj, njeriu shijon mrekullinë e krijuar, por duke mos   kuptuar që asgjë rreth tij nuk është e tepërt dhe e rastësisshme. Sikur, njeriu të mendojë vetëm një minut në ditë, që ai është sa mision aq dhe përgjegjës e jo rrethanë, bota do ishte në Golden Age. Pra, misioni është si forca e gravitetit, ku nëse qendron brenda rrethit ciklik nuk humb, nuk vetëshkatrrohesh, por ruan forcën matematike të ekzistencës. E, ekzistenca nuk është rastësi !!!

Vëtëm një minut mbyllni sytë dhe mendoni se, sa punë iu desh Krijuesit, që ta bëj  sa më të larmishme dhe më të bukur e interesante jetën e njeriut. Ai vendosi me mjeshtëri çdo gjë në vëndin e vet … Vendosi dhe konfliktin që jeta të mos bëhej bori, por dhe t’i shërbente shembëlltyrës së vet. Ne shohim frymorët katërkëmbësh (kafshët), në një amfiteater tragji-komik që nuk mbaron kurrë…Për një moment, le të marrim shkopin magjik dhe ta zhdukim këtë amfiteatër me frymorët aktorë  katërkëmbësh,  sëbashku më to dhe shpendët, peshqit  dhe  insektet …, çfarë do t’i mbetej njeriut?

E pra, në kulmin e marrëzisë njerëzore, në kulmin e mosbesimit   na duhet një pushim. Një minut për të reflektuar,  për t’u zhveshur nga pabesia, babëzija, arroganca dhe mosmirnjohja… Vetëm për një minut duhet të kujtohemi se jemi njerëz dhe të mendojmë për njeriun në skamje që lufton për të mbijetuar. Të sëmurin  që shpreson në mrekullinë e qiellit sesa atë të doktorëve johumanë. Për tragjedinë e rastit që krijohen nga përsonat e velur nga jeta. Për luftërat që nuk kursejnë as shenjtërinë. Vetëm një minut të mendojmë për vajzën që nesër bëhet zonjë, proces prej nga varet ripërtëritja e vetë njerëzimit! Vetëm një minut të mendojmë për gjuhën e zogjve pa të cilën nuk do të kishte as muzë e as muzikë.

Vetëm njjë minut të mendojmë për hijet e pemëve që do të dukeshin si hije vdekje pa velin e gjelbër të gjetheve. Vëtëm një minut të mendojmë për frymorët katërkëmbësh, për universin e me rradhë… Dhe së fundi dhe si fillim, vetëm një minut të lutemi me mirnjohje të sinqertë për Urdhërin e Epërm …

Duke numëruar kështu njerëzisht minutat e mirësisë të virtytit hyjnor  do zbresë tek ne paqe , duke rënë në gjumë pa pasur kohë për orët e energjisë negative!

Dikush, mund të thotë: “Ah dhe ti,  bën si moralist ! Ke dëshirë që njeriu të jetojë si filozof, si zbatues i një platforme që nuk ekziston, apo të një rregulloreje të dalur boje që ishte për të humburit. Njeriu është qendra, të tjerat janë kotësi !”

Mos o Zot, ta bëj unë një gabim të tillë aspak “etik”. Unë nuk mundem të jem aq i “moderuar” sa  Niçja dhe pasuesit e tij, cilët, në njëren anë kanë arsyen e kulluar kritike dhe në anën tjetër kanë  kazmën për ta varrosur atë.

Pikërisht se  njeriu është në qendër të tokës, unë kërkoj që gjerat të rrotullohen natyrshëm rreth  infinitit  dhe jo rreth “supernjeriut”  mortor.

Mendoni vetëm për një minut…! Dhe do shikoni se si jeta juaj do ndryshojë përgjithmonë!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, reflektim

GËZUAR 28 NENDORIN DHE REFLEKTIM PER NJËZETENANTËN!

November 28, 2016 by dgreca

2-besim-ndregjoni-300x200Nga Besim NDREGJONI/Sot mbushen 104 vite që kombi im  me emrin e bukur dhe domethans Shqipëri kremton mvetësinë e saj kombëtare duke u qëndruar dallgëve dhe rrufejave politike shoviniste të fqinjeve. Këtë ditë të shejtë e të lumnueme e ban çdo shqiptar krenar përpara botës së qytetrueme. Para 5 shekujsh  me 28 nëndor  1443 heroi legjendar  Gjegj Kastrioti Skanderbeu në këtë datë ngriti në Krujën historike dhe u betua në këtë  flamur dhe   qëndroi krenar përpara hordhive osmane duke shpëtuar krishtërimin europian. Mbas 4 shekujsh me 28 nëndor 1912  historia përsëritet dhe plaku i urtë e i mençuar me burra nga të gjith trevat shqiptare Ismail Qemal bej Vlora  do të ngrinte flamurin tone  kombëtar duke e shpallur Shqipërine në mvete e të pavararur. Kjo ditë e shejtë prej zotit çdo shqiptar kudo që ndodhet në Preshevë,  në Filat e Prezevë  në Ulqin e Shkup, Prishtinë e Tirane, dhe në të gjith rruzullin toksor na tregon identitetin tonë  kombëtar,. Na ban krenar dhe të denjë për emrin tonë shqiptar. Me këtë flamur përballuam pabesitë europiane dhe të fqinjeve tan të këqinj. Se një fjalë e moçme thotë “Fqinji i keq është për dreq.  Me 28 nëndor 1955 lindi heroi i shqiptarisë  komandanti syzgalemi i Kosovës së kombit shqiptar Adem Jashari. 28 nëndori është festë gjithëshqiptare që nuk perjashton asnje shqiptar apo krahinë sepse gjatë gjithë historise  ringjalli, mbajti, kultivoi , dhe ushqeu  shpresën e lirise e barazisë me kombet europiane,.” Gëzuar kombi im ditën e pamvarsisë, ditën e lumnueme prej zotit 28 nëndorin. Në këto 104 vite kombi im Shqipëria, dhe shqiptarët kaluan periudha të vështira si nga armiqtë e jashtëm ashtu dhe nga vete na shqiptaret.

Reflektim për 29 nëndorin ku  72  vite më pare  kombit tonë të  dashur ju instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha  e cila për 45 vite u bë diktatura më  e pashembullt  për gjysëm shekulli që pasoi.

Para disa ditësh Kryeministri i jonë Edi Rama postoi në faqen e tije Tuiteter, nje kartolinë urimi ku në krahët e shqiponjës shkruajti “Gezuar festat 28 e 29 nendorin dhe në mes të saj vendosi simbolin e diktaturës yllin e kuq të bolshevizmit.. prita ndonjë reagim nga politika , por u shoqerua nga heshtja, media heshti, e ashtuquajtur shoqeri civile heshti.. simbolet e diktaturës në Shqipëri janë të ndaluar me ligj dhe me kushtetute, por kryeministri i shqiptarve nuk pyet as për ligj as për kushtetute.. kur krimi nuk denohet ai është i destinuar të përsëritet. Përse ma përçundon shqiponjën zoti Kryeministër! Kryeministër, po ju a jeni tradhëtar i sistemit ku jemi , që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëndorë,. Nënat motrat, djemtë kërkojnë eshtrat të ju bëjnë një varr dhe at mundësi nuk e kan se ju heshtni ndaj të drejtës njerzore të tyre. Juve,   nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë po mos të jetë data 29 nëndori i Enver Hoxhës.
Bilanci që solli data 29 nëndor  1944 është e publikuar kur mbi 6000 veta u pushkatuan dhe këta pushkatime filluan që para datës  29 nëndor, mbi 30 mijë të burgosur politikë vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit, mbi 50.000 familje të internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90 vjecare. Shkatrimi total i shoqërisë  me formimin ideologjik të “njeriut të ri “ duke e xhveshur nga cdo lloj mentali moral e shoqëror. Kurse mazhoranca politike do të evokoi “betejat e lavdishme”  të epopesë së luftës kacake nën drejtimin e “komandantit legjendar”  sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorzohet  me një shifër imagjinar të 28.000 dëshmorëve , lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën  në historigrafinë 72 vjecare, si për të dëshmuar  faktin  se ishte gjetje e bukur e imagjinatës  se ndonjërit që vendosi ti jap çdo km katror të truallit shqiptar  një martir imagjinar të luftës për komunizëm. Data 29 nëndor  i bëri shqiptarë komunist vrasës të vëllezëve të tyre dhe spiun të tyre. Diktatura komuniste në Shqipëri para 72  viteve,  u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të  organizueme, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët armiq shekullor të  ekzistencës së  kombit tonë . . Cila mendje normale , cila ndërgjegje  njerzore , cila gojë që shqipton fjalën dashuni gjen sot guximin  e marrzishëm dhe shtazarak me rikujtue  tmerret e së kalueme  komuniste,  dhe me një far krenarie neveritse. Ata që rikujtojnë  datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushoi në gjumin e vdekjes  pa ringjallje. Por , çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar  në errsirat  e burgjeve të natës  pa hënë që sot akoma janë pa varr. Çfarë të themi mijëra familje me shtëpi të prishura  dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen sëbashku. 4500 familje  presin eshtrat e humbura,. Ne, çdo datë 29 nëndor  NE ,do të kujtojmë krimet që solli kjo datë. Dhe do ti kujtojmë  Ata, e reflektojmë  mbi krimet komuniste  që mos ti rivrasim përsëri. Mos na e perbalteni 28 nëndorin me ditën e zezë kombëtare njëzetenëntën.  Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve , Ne, na përket nderimi si detyrim për mos i rivrarë si data 29 nëndor!

Filed Under: Analiza Tagged With: 28 NENTORIN!, Besim Ndregjoni, Gezuar, reflektim

Reflektim për 25 vjetet e kaluara

May 18, 2016 by dgreca

Në prag të fushatës elektorale/

Nga Reshat   Kripa/

Tani i kam kaluar të tetëdhjetat. Jam në një moshë kur njeriu duhet të mendojë se dita kur do të ndahet nga kjo jetë nuk do të jetë e largët. Natyrisht një gjë e tillë nuk duhet që të krijojë tek ai një ndjenjë pesimizmi. Ky është ligji i jetës. Të gjithë do të ikin nga kjo jetë por i lumtur është ai që lë gjurmë pas vdekjes së tij. Një gjë të tillë dua të bëjë edhe unë. Në këto çaste para syve më del e gjithë jeta ime, më dalin mendimet e mia , ato të rinisë dhe këto të sotmet. Çuditërisht, këto me duken si një vazhdim normal i njera tjetrës. Në këtë shkrim dua të bëjë një reflektim të mendimeve të mia mbi periudhën njëzetepesëvjeçare pas përmbysjes së madhe dhe këtë ua kushtoj fëmijve të mi, miqve te mi,  shoqërisë shqiptare, Shqipërisë time.

Nuk e di nëse bëjë mirë për këto mendime që do të parashtroj në këtë shkrim. Nuk e di pasi më duket sikur në ndonjë rast do të dal edhe kundra vetes time. Megjithatë do t’i them mendimet e mia, pavarësisht nëse ato do të mbështeten nga lexuesit. Sot jetojmë në një periudhë kur indidvidi nuk e di se ku e ka koken e tij dhe kjo për shkakun e zhurmës së madhe që mbulon zërat e individëve të veçantë që kërkojnë të zbardhin të vërtetën e këtij vendi. Për sa më sipër, më parë, dua të bëjë një përshkrim të shkurtër të prejardhjes time, për të kuptuar më mirë mendimet e mia.

Rrjedh nga një familje qytetare, tregëtare e qytetit të Vlorës. Im atë, pasi mbaroi studimet në Selanik dhe më vonë në “Robert Kolezh” në Stamboll, nuk dëshironte t’i hynte rrugës së administratës shtetërore por iu përkushtua rrugës së tregëtisë. Madje këtë eksperiencë kërkonte të na i transmetonte edhe neve, bijve të tij.

Im atë ishte një natyrë që në përgjithësi i qëndronte larg ballafaqimeve politike. Kështu edhe në periudhën e Luftës së dytë botërore ndihmonte me ndihma materiale të dy krahët e politikës shqiptare. Por kjo nuk ndodhi me bijtë e tij. Dy motrat e mia, nxënëse në shkollën pedagogjike “Nana Skanderbeg” (ish shkolla “Nana Mbretëreshë”) u lidhën me njësitet komuniste që vepronin në Tiranë dhe shpërndanin trakte kunder pushtimit italian. Tezja themeluese e organizates së Partisë Komuniste për gruan në Vlorë. Gjithashtu dy djemtë e hallës  kishin dalë partizanë dhe dy kushërinjtë e nënës njeri themelues i degës së Partsë Komuniste për Vlorën dhe tjetri, Hero i Popullit, vrarë në luftë me pushtuesit. Kështu që logjika do ta pranonte që pas vendosjes së pushtetit komunist, familja jonë duhej të trajtohej si një familje e luftës Nacionalçlirimtare. Por, çuditërisht, kjo nuk ndodhi. Mbi familjen tonë rëndoi më tepër termi “borgjez” me të cilin ishte etiketuar babai ynë.

Në këto kushte, në tetor 1946, një urdhër i Ministrisë së Brendëshme na dëbonte nga Tirana në Vlorë për motive politike. Kush ishin këto motive politike? Askush nuk jepte përgjigje. Familja e jonë, madje i gjithë fisi, nuk kishim patur asnjë pjesëtar të angazhuar me forcat nacionaliste. Nuk kishim asnjë person të arratisur jashtë shtetit për motive politike. Megjithatë një ditë, pa pritur dhe pa kujtuar, një kamion i madh ngarkoi plaçkat e shtëpisë dhe na degdisën në Vlorë me definicionin të dëbuar për motive politike. Atje filluam të trajtoheshim si një familje e deklasuar, si një familje borgjeze që kishte rënë nga vakti.

Në këto kushte, në vitin 1950, im vëlla, së bashku me dy shokë të tij, krijuan një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burgim, nga të cilat kryen nga 12 vjet. Ndoshta i shtyrë edhe nga ky fakt, edhe unë së bashku me dy shokë të mi të moshës 15 vjeçare, nxënës të klasës së parë të gjimnazit, në vitin 1951, krijuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytet. Arrestohemi dhe dënohemi me nga 5 vjet të cilat i kryem të gjitha një për një.

Pas lirimit nga burgu kisha një ëndërr të madhe, përfundimin e shkollës së mesme dhe, mundësisht, edhe të lartën. Shkollën e mesme e mbarova me rezultate të shkëlqyera por e drejta për të vazhduar më lart m’u mohua, megjithë tentativat e bëra në këtë drejtim. Munda të shkoj deri në Ministrinë e Arësimit por nuk munda të gjej zgjidhje. Përse? Këtë nuk arrita ta kuptoja. Vija re se kishte, në disa  raste, që individë të ndryshëm me një përbërje politike shumë më të keqe se unë për atë kohë, kishin përfunduar shkollën e lartë. Ndoshta kishin ndonjë mik të fortë ose kishin përfituar si rezultat i ndryshimeve politike që sillte koha dhe që sillnin një farë zbutje të luftës së klasës. Sidoqoftë  unë  nuk e pata një fat  të  tillë  dhe  për  këtë, herë pas here ndjeja edhe një farë zilie. Kështu  e  vazhdova jetën time  si  punëtor,  si  murator  dhe  në  rastin  më  të  mirë  si  brigadier  i  brigatës  së  ndërtimit  në Ndërmarrjen Bujqësore “Vlora”.

Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç na i kishin servirur tekstet komuniste të kohës, ku çdo nacionalist ishte një tradhëtar dhe çdo komunist një patriot. Këtë ma përforconin më tepër librat që lexoja dhe filmat që shikoja në ekranet e kinemave. Kështu çdo nacionalist e përfytyroja si Sali Protopapën e filmit “I teti në bronx” dhe çdo komunist si komisarët e kuq të filmave  shqiptarë. Por pata fatin të futem në burg, them pata fatin sepse atje mësova se Shqipëria paskësh pasur edhe një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar nga shkolla komuniste. Këtë histori të re ma kishin mësuar ata burra që do të jetë shumë zor t’i vijnë më Shqipërisë, që kishin përfunduar studimet në universitetet më të shquara të botës perëndimore dhe që kishin një mendim të kthjellët për parimet e lirisë, demokracisë dhe të së drejtës. Nuk mund t’i lë pa përmendur emrat e tyre dhe në rast se ndonjë nuk është në një mendim me mua le të më përgjigjet. Ata janë: Doktor Isuf Hysenbegasi, Edi Kapshtica, Sami Bitincka nga qarku i Korçës, Padre Mëshkalla, Gjon Shllaku, Kol Kurti nga Shkodra, Kudret Kokoshi, Fatos Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Meçan Hoxha, Tahir Hoxha nga Vlora, Haki Karapici nga Tirana, Myfit Shehu nga Gjirokastra, Besim Greshica nga Mallakastra dhe të tjerë që nuk po i shënoj pasi lista do të ishte shumë e gjatë. Ishin këta burra që krijuan karakterin tim. Ishin këta burra që formuan bindjet e mia të djathta që i kam ruajtur deri në ditët tona. Kështu, pas daljes time nga burgu i ruajta këto parime për gjithë periudhën e errët të sistemit totalitar.

Së fundi erdhi edhe përmbysja e sistemit  të degraduar totalitar. Rezistenca e gjatë antikomuniste i  kishte dhënë frutet e saj. Ndryshimet e mëdha në vendet e tjera të lindjes komuniste u reflektuan edhe në vendin tonë. Mjaftoi revolta e studentëve të universitetit të Tiranës që të shkërmoqte sistemin socialist. Kjo revoltë do të arrinte kulmin e saj me përmbysjen e përmendores së diktatorit më 20 shkurt 1991. Besoja se bashkë me të do të vinte edhe përmbysja përfundimtare e sistemit obskurantist mesjetar. Por u gabova. Arsyen do ta shpjegojë më poshtë.

Isha në qytetin tim të lindjes në atë kohë. Ndiqja me vëmendje të jashtëzakonshme ngjarjet që zhvilloheshin në Tiranë. Isha shumë i entusiazmuar. U futa pa hezitim në lëvizjen e madhe për liri dhe demokraci. U bëra anëtar i Partisë Demokratike qysh më 6 janar 1991, kur në Vlorën time, nën hundën e komunistëve, u zhvillua mitingu i paparë i demokracisë. U futa sepse e konsideroja si të vetmen forcë politike që mund të sillte ndryshimin rrënjësor të sistemit.

Më 28 prill 1991 në Tiranë u themelua Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me në krye të nderuarin Osman Kazazi, Mandelën e Shqipërisë së përvuajtur. Më 14 maj të atij viti në Vlorë themelohej Dega e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë me kryetar të nderuarin Hysni Alimerko dhe sekretar unë. Shoqata, në bashkëveprim me Partinë Demokratike, filloi të zhvillonte një fushatë jashtëzakonshme në triumfin e demokracicë. Në këtë kuadër do të veçoja vendimin e marrë, së bashku me Partinë Demokratike, Partinë Republikane, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatën Çamëria, ku violinë e parë ishte shoqata e jonë, për ngritjen në ditën e flamurit, më 28 nëntor, të atij pa yll. Kjo bëhej në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur një gjë të tillë dhe kur një fenomen i tillë nuk kishte ndodhur në asnjë nga qytetet e Shqipërisë. Komiteti Ekzekutiv Pluralist, i përbërë në shumicën e tij nga përfaqësues të Partisë Socialiste, nuk e pranoi propozimin e bërë nga aleanca e djathtë madje, më 27 nëntor ngriti në shtyllën e flamurit atë me yllin e kuq të komunizmit por ishin të përndjekurit politik të qytetit, ishin bijtë e tij të shquar Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu që hipën në shtizën e flamurit grisën yllin e kuq dhe ngritën lart flamurin pa yll. Kjo gjë e detyroi Komitetin Pluralist të pranonte ngritjen më 28 nëntor të flamurit pa yll. Të nesërmen, ndërsa delegacioni i  këtij komitetit  me në krye kryetarin e tij socialist drejtohej për të ngritur flamurin, u dalin para përfaqësuesit e të përndjekurve politikë që u thonë me një ton të vendosur:

  • Duart e atyre që kanë ngritur flamurin e  komunizmit,  nuk do  të  ngrenë f lamurin  e  Ismail

Qemalit. Ky flamur është i yni!

Flamurin   e   ngritën  duart  e  pastra  të  shtatëmbëdhjetëvjeçarit  Altin  Kokoshi,  birit  të  ish-të

burgosurit politikë Burim Kokoshit dhe nipit të firmëtarit të aktit të pavaresisë, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist. Kjo është dita më e shënuar në jetën time që nuk do të më shlyhet kurrë nga kujtesa.

22 marsi i vitit 1992 solli fitoren e partisë ku unë bëja pjesë, solli triumfin e demokracisë mbi totalitarizmin. Sistemi socialist kishte marrë një goditje të madhe. Mbeturinat e komunizmit u munduan të pengonin ecjen e Shqipërisë në rrugën e demokratizimit por nuk ia arritën qëllimit. Filluan të organizonin antimitingje të ndryshme por të gjitha u shuan si flluskat e sapunit.  Atëherë filluan të fshihen si minjtë pas rebeshit. U fshehën por nuk u zhdukën. Ashtu në heshtje bënin plane për revansh. Për herë të parë, pas dyzetegjashtë vjet robërie nga vetë shqiptarët, u vendos qeveria e re demokratike, u zgjodh kuvendi i parë demokratik ku mbi një katërtën e tij e tij e përbenin të përndjekurit politikë, madje edhe kryetari i  tij ishte një i përndjekur politik që mbante mbi shpatullat e tij njëzetegjashtë vjet burg politikë. Të përndjekurit politikë u emëruan në poste kryesore të Partisë Demokratike dhe të administratës shtetërore. Në një nga këto poste, si Drejtor i Zyrës së Punës dhe Përkrahjes Sociale Vlorë, u emërova edhe unë. U miratuan shumë ligje që synonin çrrënjosjen e sistemit totalitar. Në ballë të politikës shqiptare qëndronte parimi i barazisë ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë, një harmonizim i marëdhënieve ndërmjet tyre.

Por nuk u treguam të vëmendshëm. Harruam fjalën e urtë popullore “Deri sa ujku mbetet ujk, ai do plumb dhe jo pambuk”. Harruam rrugën nga e cila kishim ardhur. Menduam se me rrëzimin e përmendores kishim rrëzuar edhe sistemin e urryer. Por ne kishim rrëzuar vetëm bronxin e asaj përmendoreje, ndërsa shpirtin e diktatorit e kishim lënë të lirë të endej nëpër Shqipëri dhe të përgatiste pasoja katastrofike dhe këto pasoja shpërthyen ne vitin e zi 1997 me gjithë egërsinë e tyre.

Cilat ishin këto pasoja? Qysh me fillimet e marrjes së pushtetit në vitin 1992 Qeveria Demokratike shpalli programin e saj ku i gjithë populli shqiptar cilësohej “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor” ku të dy palët futeshin në të njejtin thes. Kush ishin bashkëvuajtësit dhe kush bashkëfajtorët? Me gjykimin tim bashkëvuajtës ishim ne që i kishim provuar mbi shpinat tona prangat e rënda të robërisë komuniste, ndërsa bashkëfajtorë gjithë pjesa tjetër e popullsisë shqiptare. Natyrisht unë nuk mund të isha dakord me një të tillë emërtim. Unë, që i kisha hequr mbi shpinën time të gjitha pasojat e atij regjimi të urryer nuk mund të isha dakord që paskam qenë bashkëfajtorë. Çfarë faji kishin qytetarët dhe fshatarët e thjeshtë të vendit nëse Partia Komuniste kishte në programin e saj dhe zbatonte në mënyrën më të egër të ashtuquajturën luftë e klasave që në Shqipëri kishte marrë përmas të jashtëzakonshme? Gjatë asaj periudhe unë mund t’ju them se edhe në rradhët e komunistëve kishte burra të ndershëm që ruanin karakterin e tyre edhe në ato kondita të vështira. Ishin pikërisht këta komunistë që ndoshta në mënyrë indirekte na ndihmuan që ne të mbijetonim. Ky është realiteti i asaj periudhe.

Atëherë, kush ishin fajtorët e vërtetë?. Natyrisht në radhë të parë ishin përfaqësuesit e ish-Sigurimit të Shtetit, përfaqësuesit kryesorë të Ministrisë së Brendëshme nga e cila varej ky organizëm, ish-hetuesit, ish-prokurorët, ish gjykatësit, ish-bashkëpunëtorët vullnetarë të këtij forumi ogurzi që përdoreshin si leva qorre në shërbim të tij. Por çudia më e madhe ishte se pas përmbysjes së sistemit totalitar një pjesë e këtyre xhonglerëve u kthyen në demokratë dhe vazhdonin të ruanin poste të rëndësishme në hierakinë shtetërore.

Një gjë të tillë unë nuk kisha se si ta pranoja. Megjithatë e pranova. E pranova pasi mendoja se kushdo ka të drejtë të heqë dorë nga e keqja që e kishte kllaposur në të shkuarën. Kushdo ka të drejtë që këtë të keqe ta hedhë poshtë dhe të fillojë një rrugë të re, rrugën e demokracisë së vërtetë. Por, më parë ai duhet të pranojë gabimin e bërë në të kaluarën, duhet të kërkojë falje për gjithçka kishte kryer në të shkuarën.  Por kjo nuk ndodhi. Askush nuk kërkoi falje. Asnjë president, asnjë kryetar kuvendi, asnjë kryeministër nuk  kërkoi falje në emër të organizmave që përfaqësonte. Në këto çaste mua më del para syve Papa Gjon Pali i Dytë që kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në periudhën e mesjetës. Më del kancelaria Merkel që kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi në periudhën e Luftës  së Dytë Botërore. Më del së fundi qytetari gjerman që kërkoi falje për krimet e kryera nga ati i tij në masakrën e njohur të Borovës. Atëherë, përse askush nuk kërkon falje për krimet e kryera në Shqipëri në të kaluarën jo shumë të largët?

Si pasojë e të gjithë kësaj në vendin tonë filluan të lulëzojnë të ashtuquajturat “Firma Rentiere” viktimë e të cilave ranë pjesa dërmuese e popullit shqiptar. Ranë viktimë se besonin në demagogjinë e tyre se do t’ua kthenin të hollat e depozituara me dyfishin, trefishin dhe në disa raste edhe me shumëfishin e tyre. Në krye të këtyre firmave ishin pikërisht ata që i kishin mashtruar për vite dhe vite me rradhë. Megjithatë i besuan. Si ka mundësi?

Propaganda komuniste kishte bërë që populli shqiptar  të  krijonte  bindjen  se këto firma i kishte ngritur qeveria  dhe  i  besonte  premtimeve të tyre. Por, kush ishin drejtuesit e tyre? Përse këto firma u ngritën fillimisht vetëm në qytetin e Vlorës? Të gjitha këto janë pasojë e asaj që kam shkruar më sipër. Me rrëzimin e monumuntit të diktatorit ne rrëzuam vetëm bronxin e tij. Në krye të tyre ishin pikërisht mbeturinat e sistemit të përmbysur që përpiqeshin të gjenin rastin për rikthimin e tyre në pushtet por, kësaj here, në pushtetin kapitalist. Viktimë e kësaj politike ra edhe qeveria shqiptare që nuk gjeti forca t’i ndalojë. E gjithë kjo katrahurë solli vitin e zi 1997 me pasojat e tij tragjike.

Çuditërisht pasojat e kësaj tragjedia ranë përsëri mbi shtresën e të përndjekurve politikë. Madje kjo filloi para këtij viti të zi.            Në një ditë korriku të vitit 1995, dora e zezë e komunizmit vrau një nga bijtë më të shquar të rezistencës antikomuniste, Bujar Kaloshin. Ishte po kjo dorë që do të vazhdonte vrasjet e bijve të tjerë të kësaj shtrese në vitin 1997. Nuk mund të harrohen Lekë Çoku të cilit një kanibale komuniste do t’i pinte edhe gjakun. Nuk mund të harrohen Besnik Hidri, Valter Harizi, Besim Manoli, Gëzim Shabani, Ridi Hamzaraj dhe pas tyre Bashkim Shkurti dhe Fredi Shehu. A keni dëgjuar të jetë vrarë në atë katrahurë ndonjë me prejardhje nga shtresa komuniste. Asnjë. Përse? Përgjigjen le ta japë kush të mundet.

Shtatori i vitit 1998. Përsëri turbullira. Përsëri të vrarë. Midis tyre lideri i studentëve të 90-ës, Azem Hajdari. Atë do ta shoqëronin në banesën e fundit edhe tre të përndjekur politikë. Plumbat do të binin mbi trupat e tyre. Viktima  do të bëheshin Skënder Kalenja të cilit komunistët i kishin pushkatuar të atin, oficerin Rakip Kalenja në ditët e errëta të së ashtuquajturës luftë për çlirimin e Tiranës, Adem Shehu, birin e komandantit partizan Zenel Shehu, pushkatuar nga komunistët në vitin 1948 dhe Isuf Uka nga Macukulli që kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të behej atë muaj, por e vranë.  Përse? Përgjigjen le ta japin përsëri kush të mundet.

Tashmë pushteti kishte rënë plotësisht në duart e së majtës. Ata që e paguan më shtrenjtë këtë ndërrim pushteti ishin pikërisht të përndjekurit politikë. Një pushim i paparë nga puna shpërtheu kundër tyre. Midis tyre isha edhe unë së bashku me djalin dhe vajzën. U hodhën në koshin e plehrave shumë ligje të miratuara nga qeveria e mëparëshme demokratike, si ligji  “Mbi pastërtinë e figurës së punonjësve publikë”, ai “Mbi statusin e të përndjekurit politikë” dhe të tjerë. Në këto kushte u detyrova të braktisja qytetin tim të lindjes dhe të vendosesha në Tiranë duke u aktivizuar me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë si anëtar i kryesisë së saj, madje u vlerësova edhe nga Partia Demokratike duke u emëruar Drejtor i Departamentit të të Përndjekurve Politikë pas ndarjes nga jeta të ish-drejtorit të mëparshëm, të nderuarit Ali Spahia, në vitet 2001-2002. Duke qenë në këtë detyrë, bashkë edhe me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë merrnim pjesë aktive në protestat e shumta të organizuara kryesisht nga Partia Demokratike. Do të veçoja këtu protestën disa ditore të organizuar nga të përndjekurit politikë për heqjen e portretit të diktatorit që ish-Ministri i Jashtëm Paskal Milo e kishte vendosur në ministri dhe ishte kjo protestë që e detyroi ta hiqte.

Më 3 qershor 2005 Partia Demokratike dhe koalicioni i saj erdhi përsëri në pushtet. Nuk do të flas për ndryshimet e mëdha që ndodhën gjatë kësaj periudhe në krahasim me atë të periudhës socialiste. Këtë le ta bëjnë ekspertët e fushave të ndryshme. Si një person që i njoh mirë  dhe  jam marrë me problemet e të përndjekurve politikë, do të flas për marrëdhëniet e kësaj partie me ta dhe këtë e bëjë jo me ndonjë paramendim ta paracaktuar, por për të ditur se çfarë duhet të ketë parasysh kjo parti në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, kur në pushtet kemi qeverinë më të keqe të këtyre njëzetepesë viteve, një qeveri droge e trafikimi të çdo natyre, një qeveri që drejtohet nga përfaqësuesit më në zë të botës së krimit.

Në rast se do të bënim një krahasim ndërmjet dy qeverisjeve të Partisë Demokratike, asaj të periudhës 1992-1997 me atë 2005-2013 do të shohim një diferencë të madhe në trajtimin e shtresës së të përndjekurve politikë. Ajo që bie  në sy më tepër është se ndërsa në periudhën e parë të përndjekurit politikë ishin në nivelin arsimor të mesëm, në të dytën shumica e tyre kishin përfunduar studimet e larta, madje një pjesë e tyre edhe në universitetet më të mira të botës demokratike. Po t’u shtojmë edhe fëmijtë e tyre që për nga niveli arsimor janë shumë më lart se prindërit  atëherë si ka mundësi që në periudhën e parë u preferuan shumë më tepër se në të dytën. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

Le të japim tani disa shembuj të këtyre që përmendëm më lartë:

  1. Përfaqësimi në parti. Ndërsa në periudhën e parë kishim shumë njerëz tanët në udhëheqjen e partisë, deri edhe nënkryetarin apo sekretarin e përgjithshëm si dhe shumë kryetarë degësh, në të dytën kjo nuk ndodhi më.
  2. Përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë. Nga një e katërta e tij që ishte në periudhën e parë ka rënë në shifra fare të ulta. Një gjë e tillë vihet re edhe në përfaqësimin në Këshillat e Qarqeve, Bashkive dhe Komunave.
  3. Përfaqësimi në qeveri. Ndërsa në periudhën e parë kishim përfaqësues deri edhe në rang ministri, drejtori të përgjithshëm, shefash komisariati e të tjerë, në të dytën kjo është reduktuar në shifra të papërfillshme.

Më lejoni tani të theksoj disa nga “lapsuset” e kryera nga qeveria e dytë demokratike.

  1. Më 30 tetor 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të Rezolutës 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” dhe Rezolutës 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare” të Asamblesë Parlamentyare të Këshillit të Europës, organizëm në të cilin shteti shqiptar është  anëtar me të drejta të plota. Kjo rezolutë u miratua vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita e atëherëshme doli nga salla dhe nuk pranoi ta miratonte.

Miratimin e kësaj rezolute të përndjekurit politikë e pritën me entusiazëm pasi ajo plotësonte pothuajse të gjitha kërkesat që ata kishin. Por për fat të keq ajo mbeti vetëm në letër, Asnjera nga pikat e saj, me përjashtim të krijimit të Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit, gjatë tetë viteve të qeverisë demokratike nuk u zbatua. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

  1. Më 12 nëntor 2007 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 9831 “Mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nga regjimi komunist”. Edhe ky ligj u miratua vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita përsëri refuzoi.  Sipas këtij ligji dëmshpërblimi do te kryhej nëpërmjet tetë kësteve pa caktuar një afat përfundimtar. Kështu për një periudhë prej pesë vitesh nga koha e hyrjes në fuqi të tij u likujduan dy këste vetëm për të gjallët, ndërsa për trashëgimtarët një pakicë përfitoi dy këste ndërsa të tjerët një, madje një pjesë edhe asnjë. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.
  2. Në muajin mars 2010 lexova në median elektronike “Tribuna Shqiptare” një shkrim të redaktorit të kësaj medie, zotit Ajet Nuro, ku shkruhej:

 

Para disa ditësh lexova një lajm që më bëri shumë përshtypje. Aty thuhej se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj komunizmin… Kuptojeni mirë, NJË DELEGACION I KOMBEVE TË BASHKUARA I KËRKON SHQIPËRISË TË DËNOJ KOMUNIZMIN…

            Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj komunizmin, punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar. Dhe kjo 20 vjet pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.

 

            U habita, pasi as qeveria shqiptare, madje as edhe media, nuk kishin njoftuar ndonjë lajm lidhur me këtë çështje. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

  1. Më 14 dhjetor 2010 me nismën e Ministrit te Jashtëm të Lituanisë, zotit Audronius Azubalis gjashtë ministra të jashtëm të Europës lindore dhe pikërisht ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë i dërguan një letër zyrtare Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, ku kërkohej dënimi i krimeve të komunizmit, e cila u mor përsipër për t’u shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga ana  e këtij  komisioni të BE-së.

Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ish-Ministrit  të Jashtëm, zotit Ilir Meta, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore, por ajo mungoi. Edhe për këtë njoftim çdo gjë kaloi në heshtje. Nuk u dha asnjë lajm, as nga qeveria dhe as nga mediat. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

  1. Më datën 20 korrik 2015 shoqata e jonë i dërgoi Komisionit të Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi, madje për njoftim edhe ambasadorit të SHBA, zotit Donald Lu dhe asaj të Bashkimit Europian, zonjës Romana Vlahutin, një shkresë zyrtare me numër protokolli 5, në të cilën i kërkonim që të gjithë ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-hetuesit e regjimit komunist të përjashtoheshin nga çdo organizmë shtetërore. Këtë e shoqëronim edhe me dokumenta të proceseve të improvizuara që këta gjyqtarë kishin dhënë dënime politike,  madje edhe në vitet e fundit të regjimit komunist. Prisnim që dikush të na kthente të paktën një përgjigje. Prisnim që të paktën ndonjëri nga deputetët ta ngrinte këtë çështje në Kuvendin e Shqipërisë. Por kjo nuk ndodhi, madje as edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që ne iu ishim drejtuar heshtën dhe nuk u përgjigjën. Atëherë me shkresën numër 8 datë 20 gusht 2015 iu drejtuam Kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha, me një shkresë ku i kërkonim përkrahjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për këtë çështje, por edhe për këtë nuk morëm asnjë përgjigje. Madje prej asnjerit nga deputetët me prejardhje nga shtresa e jonë nuk dëgjuam ta ngrinin zërin për këtë çështje. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

Këto ishin “lapsuset” e Qeverisë Demokratike në të kaluarën. Një gjë e tillë ka bërë që një pjesë e të përndjekurve të ftohen me Partinë Demokratike pasi nuk duan të përdoren vetëm si burim votash. Ata kërkojnë që të jenë në të njejtin rang me shtresat e tjera të shoqërisë pasi konstatojnë se në vend ekziston një mentalitet i trashëguar nga e kaluara sipas të cilit parimet nacionaliste të trashëguara prej tyre nga prindërit, të kalojnë në heshtje dhe pak nga pak të harrohen.

Ç’duhet të bëjë Partia Demokratike tani që po fillon fushata elektorale për zgjedhjet e ardhëshme për të fituar përkrahjen e tyre. Në rradhë të parë ajo duhet të kërkojë falje për mos zbatimin e çështjeve të ngritura më lart. Të kërkosh falje nuk është dobësi, përkundrazi është shprehje dinjiteti dhe kurajoje.

Cilat janë kërkesat e tyre që duhet t’i ketë parasysh Partia Demokratike, që detyrimisht duhet t’i ketë programi i saj i ardhshëm elektoral?

  1. Organizimi i një Konference Kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kuvendit, qeverisë, partive politike, shoqatave të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët
  2. Dënimi i diktatorit Enver  Hoxha   si   ideatori,  frymëzuesi,  dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore dhe heqja e titujve dhe medaljeve të akorduara gjatë pushtetit komunist.
  3. Gjetja dhe rivarrosja e eshtrave të mbi 4000 të rënëve në luftën kundër komunizmit dhe në rast se në varrezat e dëshmorëve do të vazhdojë të qëndrojë ende ylli i kuq i komunizmit, caktimin e një varreze të veçantë për ta dhe ngritjen e një memoriali madhështor në qendër të kryeqytetit në nderim të tyre.
  4. Nderimi i figurave të shquara të të përndjekurve politikë nëpërmjet dekoratave dhe titujve të ndryshëm.
  5. Bërja e një ligji të plotë mbi hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëvë  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara, të shoqëruara nga lustracioni pa asnjë përjashtim
  6. Bërja publike e dokumentave që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
  7. Rishikimi i datave dhe simboleve të sistemit komunist që shënojnë  instalimin diktaturës komuniste.  Kur do të hiqen  këto data nga protokollet zyrtare shtetërore?
  8. Rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë.
  9. Hapja e muzeumeve, kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve të tmerrshëm dhe vendosja e pllakave përkujtimore në vendet ku janë kryer akte të genocidit komunist
  10. Barazimi i Statusit të të përndjekurve politikë me atë të veteranëve të luftës, për të arritur paqen sociale në vend.
  11. Caktimi i afatit përfundimtar të zbatimit të ligjin mbi dëmshpërblimin financiar të të dënuarve

politikë.

Të gjitha këto pika nuk janë fantazia ime. Ato janë mishëruar në ligjin e Statusit të të përndjekurve politikë dhe në Rezolutën  “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist” të hartuara dhe miratuara nga mazhoranca e djathtë në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo platformë duhet të shpallet nga Kryetari i Partisë Demokratike në fushatën elektorale dhe nga të gjithë të ngarkuarit e saj nëpër qarqet e vendit. Duhet të shpallet nga të gjithë kandidatët për deputet të Kuvendit të ardhshëm dhe, në mënyrë të veçantë, nga ata përfaqësues që prejardhjen e tyre e kanë nga kjo shtresë. Nga të gjithë personalitetet e shtetit shqiptar deri tani vetem ish-Presidenti Berisha dhe Presidenti Nishani kanë patur në axhendën e tyre çështjet e të përndjekurve politikë duke organizuar ceremoni përkujtimore dhe duke dekoruar me urdhëra të larta ngjarje të shquara të lëvizjes antikomnuniste dhe shumë nga figurat më të shquara të kësaj  rezisatence. Shembullin e tyre duhet ta ndjekin edhe personalitetet e tjera.

Në bazë të të dhënave të nxjerra nga Instituti i  Integrimit të Përndjekurve Politikë, nga përndjekja politike e kanë pësuar rreth 500.000 persona, shifër që duke e krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë së  atëherëshme të Shqipërisë prej 2.000.000 banorësh, rezulton se përqindja e të përndjekurve politik është 25%, një shifër që mund të përmbysë gjithçka dhe që nuk duhet nënvlerësuar. Por nuk duhet harruar, jo të gjithë të përndjekurit politikë janë me Partinë Demokratike. Midis të përndjekurve politikë kanë qenë edhe pinjollët e komunizmit që vetë regjimi i burgosi për përplasje interesash dhe këta natyrisht do të votojnë për Partinë Socialiste. Nëqoftëse shifrës prej 25% i zbresim 5% që janë pinjollët e komunizmit rezulton se 20% e të përndjekurve do të votojnë për Partinë Demokratike në rast se ajo do të plotësojë kërkesat e tyre. Në të kundërt ata do të heshtin dhe nuk do të shkojnë në votime por kurrë nuk do të votojnë për Partinë Socialiste. Një parti serioze këto llogari duhet t’i bëjë.

Këto  ishin mendimet që më dolën para syve në çastin e refleksionit tim. Kush ka veshë le t’i dëgjojë, në të kundërt shumë shpejt do t’ia shohë pasojat. E theksoj, jam anëtar i Partisë Demokratike qysh në ditët e para të krijimit të saj dhe vazhdoj të jem edhe në ditët tona. Jam dhe do tjem përkrah saj, por jam edhe Kryetar i Degës së Tiranës të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë dhe si i tillë duhet të mbroj edhe interesat e kësaj shtrese. Dëshëroj që kjo parti të bëhet plotësisht një parti e djathtë europiane dhe të shkëputet plotësisht nga mentaliteti i majtë komunist që ekziston në një pjesë   të anëtarëve të saj.

Ju lutem të më kuptoni drejtë. Ky është botëkuptimi im. Kjo është rruga nëpër të cilën unë dua të eci.

Filed Under: Analiza Tagged With: për 25 vjetet e kaluara, reflektim, reshat kripa

REFLEKTIM MBI VIZITËN E AMBASADORIT AMERIKAN

October 28, 2015 by dgreca

NË BURGUN E SPAÇIT/
Fjala është për një vizitë simbolike por tepër domethënse që ambasadori amerikan në Shqipëri, Z. Donald Lu bëri të martën në burgun famëkeq të Spaçit. Menjëherë sa e pashë në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, më bëri një përshtypje të jashtzakonshme dhe nuk mund u durova dhe e shpërndava menjëherë ndër kolegët, dashamirët dhe miqtë e mi. Ë bëra këtë sepse mu duk si një lajm i mirë, për një gjest human dhe fisnik të një diplomati amerikan, që meritonte të shpërndahej. Z. Lu që në vitin e parë të mandatit vendosi të vizitonte këtë javë, njërën prej gërmadhave më të këqia të komunizmit shqiptar dhe më gjërë për të cilën ai duhet të falenderohet.
Vizita e ambasadorit Lu në burgun e Spaçit, është me rëndësi simbolike, po se po, por edhe me rëndësi praktike, sepse për një ambasador të ri është me rëndësi që jo vetëm të kuptohet politika e sotëme tepër e ndërlikuar e Shqipërisë, por edhe e kaluara e saj e errët komuniste, jo aq e largët. Është me rëndësi që diplomatë të huaj të vizitojnë burgjet dhe qendra të tjera të përqëndrimit të regjimit enverist. Por është e doemosdoshme që edhe autoritetet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar të vizitojnë burgjet dhe kampet e regjimit komunist anë e mbanë Shqipërisë, siç është ai Spaçit, të cilin Ambasadorit Lu, e cilësoi si një “dëshmi e brutalitetit njerëzor”. Ndonëse faktet tregojnë ndryshe, gjatë këtyre 25 viteve të fundit, qeveri dhe udhëheqës politikë të gjitha ngjyrave kanë thënë dhe thonë se është bërë maksimumi për ish të përndjekurit politikë. Unë do të thosha se “të bërat” morale, të cilat kanë munguar gjatë një çerek shekulli të kaluar, janë më të rëndësishme se të “bërat” materiale. Besoj se vizita e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare shqiptare në këto gërmadha të errëta të komunizmit do të ishte një hap i parë moral drejtë pranimit se ideologjia komuniste e ish-regjimit ishte drejtë për drejtë përgjegjëse për krime kundër njerëzimit. Një gjë e tillë është e doemosdoshme siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Europës, gjë që ndoshta do të kontribonte më në fund, drejtë një debati të ndershëm dhe të sinqert mbi trashëgiminë komuniste në trojet shqiptare. Një trashëgimi fizike dhe morale kjo, që do a s’do Tirana zyrtare, është dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe këto burgje do të shërbejnë si një kujtesë e një plage të pashëruar, derisa të zhduken nga kujtesa dhe nga vitet që kalojnë.
Ambasadori Lu, si asnjë ambasador tjetër amerikan e kupton mirë historinë e këtyre burgjeve të tmerrit komunist, pasi siç rrëfehet edhe vet, ai ka një histori familjare për të treguar. Stërgjyshja e tij, tha ai në deklaratën pas vizitës në Spaç, ka vdekur në një burg komunist në Kinë. “Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë”, shkruan ambasadori Lu. “Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”, shprehet përfaqsuesi amerikan në Tiranë, pas vizitës në burgun e Spaçit.
Vizita, që bëri të martën në burgun e Spaçit Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ishte pa dyshim plot simbolizëm dhe me rëndësi publike, dhe duket si një mesazh edhe ndaj autoriteteve shqiptare se ka ardhur koha të përballen me të kaluarën e historisë së tyre të gjysëm shekullit të kaluar. Në lidhje me këtë, e rëndësishëme ishte porosia e tij, “Për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit”, duke nxitur, “Të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”. A mund të imagjinohet një deklaratë e tillë nga ndonjëri prej autoriteteve të sotëme shqiptare?
Fjalët e ambasadorit amerikan janë një porosi miqësore por edhe një sfidë për politikën, për edukatorët dhe për shkollat e vendit — nga përfaqsuesi i një vendi historikisht mik i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. Përfaqsuesi amerikan tërhoqi vëmendjen dhe nënvijoi nevojën e përballimit me historinë dhe me të kaluarën komuniste në Shqipëri, duke cituar aktivisten e të drejtave civile, poeteshën dhe autoren Maya Angelou, fjalët e së cilës janë të gdhendura në një pllakatë në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish.”
Nëse historia përballohet me kurajo! Kjo është pyetja. Cili politikan, përfaqsues të pozitës dhe opozitës shqiptare gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri, ka treguar kurajo morale dhe politike për të vizituar deri më sot burgun e Spaçit, ndonjë burg tjetër ose kamp përqendrimi, si një përpjekje për tu njohur dhe për tu përballur me atë histori, për veten dhe të tjerët. Cila do të jetë shkolla e parë që do t’i përgjigjet sugjerimit të ambasadorit amerikan dhe të organizojë një vizitë të nxënsve të shkollave fillore në këto gërmadha të territ komunist, me qëllim siç tha ai, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.” Ambasadori amerikan me qëllim të mirë shtoi se “Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”, duke nënkuptuar se kjo histori është “treguar” tanimë. Fati i keq është se gjeneratës të cilës i referohet ambasadori, nuk i është treguar ende kjo histori ashtu siç duhet dhe në përmasat që duhet t’i mësohet. Por sado qëllim mirë është përfaqsuesi amerikan në porositë e tija, kjo është në radhë të parë detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve politike shqiptare dhe e sistemit arsimor të vendit. Fatkqesisht, duket se e kundërta po ndodhë, ndërkohë që vihen re tendenca dhe përpjekje – si në asnjë vend tjetër ish-komunist – për rihabilitimin e diktatorit të regjimit komunist madje edhe në raste festash kombëtare ku marrin pjesë edhe udhëheqsit më të lartë të vendit, pa kundërshtuar dukuri të tilla, duke i pranuar si të radhës.
Duket se politikanët shqiptarë e gjejnë më të arsyeshme dhe më pak të dëmshme për karierat e tyre politike, tolerancën ndaj diktatorit, se sa kujtimin e viktimave të tija, si ato të burgut të Spaçit! Është me rëndësi që ambasadori amerikan vizitoi burgun e Spaçit, por megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mund të pajisë autoritetet e shtetit dhe të qeverisë shqiptare me një ndërgjegje morale dhe pollitike që është e nevojshme për tu përballur me krimet e komunizmit në vendin e tyre.
Ka ardhur koha që udhëheqsit e sotëm politikë shqiptarë të pranojnë zyrtarisht këtë kapitull të zi të historisë moderne shqiptare gjatë së cilës u vranë dhe ku vdiqën të izoluar me mijëra bashkatdhetarë të tyre të pafajshëm, gjatë pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist. Kështu kanë bërë shumë shtete ish-komuniste, tani anëtare të Bashkimit Europian. Rruga e Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian –nëqoftse me të vërtetë Tirana zyrtare është serioze për tu bërë pjesë e klubit të vendeve europiane me të cilat ndanë gjeografinë dhe kulturën – do të jetë e vështirë, nëqoftse krimet e komunizmit në Shqipëri nuk vlerësohen dhe gjykohen nga pikpamja ligjore, morale, politike dhe historike, ashtu siç kërkohet nga konventa dhe deklarata të ndryshme europiane.
Nëqoftse Spaçi nuk vizitohet me qëllim për të mos harruar kurrë atë histori, atëherë të pakën të vizitohen këto ish-kampe për kuriozitet, për t’u njohur me rrethanat e asaj përvoje tragjike të shumë bashkatdhetarve të vet, të cilët kanë patur fatin të dalin të gjallë së andejmi. Edhe këta janë shqiptarë dhe pjesë e të njëjtit komb! Mungesa e kujtimit të vrarëve dhe të gjallëve dhe e krimeve kundër tyre, siç ka thënë mbijetuesi i holokaustit, Elie Wisel, do të ishte baraz me persekutimin dhe vrasjen e tyre për së dyti. Të mbijetuarit e burgut të Spaçit dhe burgjeve të tjera, përfshirë ata të kampeve të përqëndrimit, kanë shumë për të thënë mbi përvojën e tyre të tmershme, nepërmjet testamenteve, kujtimeve dhe librave të ndryshëm që janë shkruar, por për arsye të moshës ata mbeten të pakët në numër dhe po zhduken dalngadalë. Dhe me zhdukjen e tyre, harrohet edhe historia, krimet e komunizmit, si dhe vrasjet dhe vuajtjet e viktimave të asaj tiranie, gjë që sipas nobelistit Elie Wiesel, do të ishte një vrasje e dytë e tyre.
Besoj se kjo ishte edhe arsyeja që ambasadori amerikan Donald Lu bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi dhe brezit të ri në veçanti, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, reflektim, vizita e Ambasadorit Amerikan

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT