• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIELLI-DEBAT:Kush e filloi luftën civile në Shqipëri?

July 25, 2016 by dgreca

nga Ekrem Bardha/

Drejtuar patriotit dhe shkrimtarit, zotit Naum Prifti,/

 Duke lexuar gazetën Illyria, të datës 13 Maj 2016, u ndala tek shkrimi i zotit Naum Prifti me temë “Kush e filloi luftën civile në Shqipëri? Partia Komuniste apo Balli Kombëtar?”

Dëshiroj të ndalem tek ngjarjet politike që z. Naum Prifti ka komentuar duke arritur në konkluzion, që luftën civile në Shqipëri, e ka filluar Balli Kombëtar.Me këtë shkrim, dua të argumentoj që lufta civile nuk u fillua nga ballistët, por nga komunistët.

Qëllimi i komentit tim, nuk është replika që dëshiroj të bëj me shkrimtarin për ngjarjet në fjalë, mbasi çdo njeri ka të drejtën, që të komentojë ngjarjet sipas njohurive dhe perceptimeve të tij. Por në vitet për të cilat komenton z Naum, personalisht kam jetuar në Shqipëri dhe konkretisht në zonat ku zhvillohen ngjarjet lidhur me këtë temë. Qëllimi im mbetet, të tregoj një ngjarje të shëmtuar, të dhimbshme që ka ndodhur në Gërmenj, nga vendi i Themistokli Gërmenjit, ku kam qenë personalisht i pranishëm në këtë histori, së bashku me dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Samiun e Niaziun, dhe ishte pikërisht kjo ngjarje, kjo vrasje makabër, që ndezi luftën civile:Xhevdet Ramolli, Djali i Dervish Hajdar Ramollit, nga Tri-Urat e Leskovikut, një student 25 vjeçar, që vazhdonte stdimet në Liceun e Korçës, që rridhte nga familje nacionalist ballistësh, po udhëtonte nga Teqeja për në Korçë.

Komunistët e batalionit “Hakmarrja”, të urdhëruar nga komandant Petrit Dume dhe komisar Josif Pashko, ndaluan veturën e tij dhe e urdhëruan të zbriste, e ekzekutuan dhe lanë Xhevdetin të mbytur në gjak. Pamja më e rëndë ishte sepse e kishin masakruar me thikë, duke i prerë veshët dhe gishtërinjtë. Viti ishte 1941.

Lajmi shumë shpejt arriti në fshatin tonë, sepse ishte vetëm 4 kilometra nga ngjarja dhe vëllezërit më pyetën nëse doja të shkoja me ta. Unë pranova dhe kështu morëm rrugën në këmbë drejt vendit të ngjarjes dhe e mbaj mend që ecnim me shpejtësi që të arrinim sa më parë.  Aty e pamë me sytë tanë trupin e shtrirë të Xhevdetit, të pa lëvizur akoma nga vendi, Dhe sot e kësaj dite, kur e kujtoj atë pamje, më dridhet mishi.

Njerëzit u tronditën dhe u trembën nga ky krim i shëmtuar i komunistëve. Ishte herë e parë që kishin ndodhur një vrasje e tillë. Të nesërmen e ngjarjes një grumbull i madh njerëzish, erdhën të merrnin pjesë në varrim dhe unë si pjesmarrës në varrim nuk mund ta harroj atë skenë, kur njerëzit e indinjuar nga kjo vrasje filluan të thërrisnin: “Hakmarrje! Hakmarrje!”

Por, babai i Xhevdetit, Dervish Hajdar Ramolli tha, ”Mos zini në gojë hakmarrje. Djalin ia kam falur Shqipërisë. E pati këtë fat im bir, por nuk dua të vriten të rinj të tjerë për shkak të tij”. Ky deklarim fisnik, tolerant, patriotik i tij, nuk ka nevojë për koment.

Komunistët hapën fjalë se Xhevdetin e ekzekutuan, mbasi ai ishte fashist, ku në të vërtetë Xhevdeti nuk kishte pranuar ta vishte këmishën e zezë dhe ky veprim i tij njihej nga të gjithë njerëzit përreth zonës.

Duke lexuar artikullin e shkrimtarit  z. Naum, i cili arrin në përfundimin se luftën civile e filluan ballistët në vitin 1942, atëherë më vijnë në mendje disa pyetje.A ka mundësi të pranojmë akuzën e komunistëve, që Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashëri, të jetë tradhëtar dhe ti ketë shërbyer fashizmit, kur njihen idetë e tij patriotike?

 Si shpjegohet fakti që në demonstratën e parë antifashiste në Korçë, të organizuar nga Abaz Ermenji, Safet Butka dhe Enver Hoxha, menjëherë mbas përfundimit të saj, dy përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji dhe Safet Butka arrestohen dhe internohen në Itali, ndërsa Enver Hoxha mbetet i paprekur nga fashistët?

 A ka mundësi të besohet që Hysni Lepenica, u akuzua nga komunistët si fashist, kur ai e kundërshtoi pushtimin fashist dhe u ekzekutua nga fashistët?

 Po në fshatin Podë, si argumentohet që partizanët vranë pa asnjë shpjegim në mes të fshatit një djalë të ri, vetëm sepse ai rridhte nga një familje nacionaliste?

 Si këto raste ka edhe shumë të tjerë, por është për të ardhur keq sepse ngjarjet dhe historitë e ndodhura në vendin tonë janë shkruar dhe komentuar sipas një politike të caktuar ose sipas regjimit që dikur ishte në fuqi.

Duke u bazuar nga ngjarjet e ndodhura, mendoj se lufta civile filloi pikërisht në Gërmenj, në vitin 1941, e nxitur dhe e filluar nga vetë komunistët. Por po në ato vite, mbas krimeve të filluara nga komunistët, edhe ballistët, ku kishte njerëz të pandërgjegjshëm në radhët e tyre, filluan krime kundër partizanëve.

 Unë e kuptoj komentin e ngjarjeve gjatë periudhës komuniste, që dhe vetë historianët ishin të detyruar të mos tregonin të vërtetën e ngjarjeve të ndodhura, por mëndoj se tashmë ka ardhur momenti që shqiptarët të njohin historinë e vërtetë, ashtu si ajo ka ndodhur, pa futur politikën dhe interesat në mes.

Fatkeqësisht dihet që historia është shkruar në interes të regjimit në fuqi dhe sidomos regjimit nën diktaturën e Enver Hoxhës, kështu ajo do të shtrembohej dhe kjo është e papranueshme. 

  1. Naum, është në fisnikërinë e një kombi dhe të një populli, që të rishkruhet historia në bazë të ngjarjeve dhe të fakteve ashtu si ato kanë ndodhur.

Prandaj duhet të reflektojmë dhe të tregojmë vetëm të vërtetën, edhe pse shpesh ajo është e hidhur, por në fund të fundit e vërteta në tregimin e ngjarjeve i shërben trashëgimisë që do ju lëmë brezave që do të vijnë.

  * Kjo ngjare është illustruar në librin tim, “Larg dhe pranë Shqipërisë”, hartuar nga Naum Prifi, në faqen 33, botuar në vitin 2002.

 EB

Filed Under: Opinion Tagged With: Ekrem bardha, Kush e filloi luftën civile në Shqipëri?, Naum Prifti, Replike

“Janullatosi në delirin e shenjtërisë!, Shkrim me të pavërteta dhe trillime

February 19, 2016 by dgreca

 Replikë me z. Arben Llalla/

Nga  Miron Çako-Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit/

 Në datën 16 shkurt në portalin online “DIELL” është botuar një artikull nga z. Arben Llalla me titull “Janullatosi në delirin e shenjtërisë!”.

Në këtë artikull plot me të pavërteta të trilluara përmendet edhe se të krishterët orthodhoks nga 20% janë katandisur në 7% dhe kjo bazuar në rezultatet e censusit të 2011. Duke shfrytëzuar të drejtën e replikës, kërkoj që të botohet në gazetën tuaj përgjigjja zyrtare e Kishës Orthodhokse, për këtë mashtrim sa cinik dhe keqdashës kundër Kishës dhe besimtarëve orthodhoksë në Shqipëri.

Këtë fakt të gënjeshtërt e keqpërdorin sot shumë persona dhe qarqe antikrishtere, por në të vërtetë të krishterët orthodhoksë, të cilët kanë qënë faktor formues të shtetit shqiptar dhe kontributor të rëndësishëm deri më sot në të mirën e vendit, janë mbi 24% të popullatës, ashtu siç e thotë saktë si më poshtë përgjigja zyrtare e Kishës Orthodhokse.

DEKLARATË ZYRTARE

Të dhënat e Censusit 2011, për të krishterët orthodhoksë të Shqipërisë,  janë tërësisht të pasakta dhe të papranueshme.

 

  1. Të dhënat e fundit, të shpallura zyrtarisht nga INSTAT-i mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në Censusin e fundit të vitit 2011, shpallin se të krishterët orthodhoksë në Shqipëri janë 6,75%. Pa dyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë për një gënjeshtër. E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet evropiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë, fyen jo vetëm të krishterët orthodhoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky veprim errëson pamjen e përgjithshme të Komuniteteve Fetare në Shqipëri.Propozimi ynë për organet kompetente ishte që pyetja në lidhje me fenë të ishte e detyrueshme, si të gjitha pyetjet e tjera, e qartë dhe e saktë, për të nxjerrë rezultate të drejta:

Jam:

  1. Myslyman sunit
  2. Myslyman bektashinj
  3. I krishterë orthodhoks
  4. I krishterë katolik
  5. I krishterë ungjillor
  6. Ndjekës i një besimi tjetër. Cilit?
  7. Ateist

Politikanë të ndryshëm, por edhe qarqe fetare, u rreshtuan kundër kësaj pyetjeje dhe u kultivua një frikë e përhapur kudo se mos ndoshta feja lidhet me deklarimin e kombësisë. Komuniteti Orthodhoks, nuk formuloi asnjë kundërshtim, por u kufizua në theksimin e detyrimit për të pasur objektivitet dhe seriozitet gjatë gjithë zhvillimit të regjistrimit. Si përfundim, pyetja mbi fenë u bë fakultative, e paqartë dhe e vështirë për qytetarët, veçanërisht për ata me arsim të kufizuar. Kjo siç duket, për të diktuar përgjigjet në një drejtim të caktuar dhe për t’i regjistruar qytetarët në mënyrë arbitrare. Fleta e regjistrimit të INSTAT-it shkruan: Siç shihet më sipër del shumë në pah pyetja ngatërruese nr.2. Nuk ka në botë term për të denominuar fe me emrin “besimtar”. Besimtar i kujt? I cilës fe saktësisht? Megjithëkëtë rezultatet u dhanë me përcaktim të qartë të fesë: myslimanë 56,70%, katolikë 10,03%, orthodhoksë 6,75%, bektashinj 2,09%, ungjillorë 0,14%, të krishterë të tjerë 0,07%, ateistë 2,50%, besimtarë të pacilësuar 5,49%. Pasues të feve të tjera 0,02%. Nuk u përgjigjën 13,79%.

  1. Gjatë dy të dielave të fundit, 9 dhe 16 dhjetor 2012, tek orthodhoksët pjesëmarrës në meshimet në kishat e Tiranës, Durrësit, Beratit, Korçës, Vlorës, si dhe në qytete të tjera, ndamë pyetësorë në lidhje me Censusin. Rezultatet ishin tronditëse. Anketimit tonë iu përgjigjën me emër, mbiemër dhe adresë 7118 persona. Prej këtyre 2469 persona ose 34,68% deklaruan se u vizituan dhe u pyetën për përkatësinë fetare gjatë Censusit. Ndërsa nuk u vizituan fare nga regjistruesit ose u vizituan dhe nuk u pyetën mbi përkatësinë fetare 4643 persona ose 65,23%. Gjithashtu 56 persona deklaruan se regjistruesit i shënuan të dhënat me laps ose në një fletore tjetër dhe 11 persona pohuan se regjistruesit nuk donin ta shënonin fenë ose e shënuan atë pas shumë këmbënguljeje. Për më tepër, kemi dëshmi të shumta se regjistrimi në një pjesë të madhe të tij është kryer nga regjistruesit me shënime në fletore, jo siç e kërkon procedura të shkruhet në pyetësor dhe as nuk janë firmosur nga deklaruesit.
  2. Gjatë 100 viteve të pavarësisë së shtetit shqiptar janë kryer vetëm dy regjistrime në të cilat përfshihej pyetja mbi përkatësinë fetare. Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67,5%; orthodhoksët 22,3% dhe katolikët 10%. Ndërsa sipas regjistrimit tjetër të kryer nga autoritetet italiane, në vitin 1942, të dhënat e nxjerra ishin: myslimanë 68,9% të popullsisë (nga të cilët sunitë 54,17% dhe 14,73% bektashinj) dhe të krishterë 31% (nga të cilët orthodhoksë 20,7% dhe katolikë 10,3%).

Pas persekutimit të gjatë antifetar dhe ardhjes së demokracisë në vitin 1991, është shumë i qartë për të gjithë në këtë vend ringritja e të gjitha Komuniteteve Fetare Tradicionale, si dhe lulëzimi mjaft i dukshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pra është shumë e çuditshme dhe e dyshimtë, përse disa qarqe të caktuara synuan me makinacione të ndryshme të tregojnë se orthodhoksët u pakësuan me 2/3.

Sipas të dhënave kishtare që ne disponojmë (regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460 famullive orthodhokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve orthodhoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë mund të ngrihet pyetja: Ku janë mbi 17% e orthodhoksëve të tjerë që i fshehu regjistrimi?

Të gjitha të dhënat mbështesin faktin se nën përqindjet e regjistrimit që përcaktohen si “Nuk u përgjigjën 13,79%” dhe “besimtarë të pacilësuar 5,49%” ndodhen të krishterët orthodhoksë në shumicën e tyre dërrmuese: a) Ata qëvendosën me dëshirën e tyre të mos marrin pjesë në regjistrim, p.sh shumica e minoritetit grek, ndoshta edhe e vllahofonëve, malazezëve, si dhe e minoriteteve të tjera. b) Ata që iu shmangën deklarimit direkt të fesë, pas një presioni psikologjik që krijuan disa qarqe ekstremiste dhe pas kërcënimeve në lidhje me deklarimin me dëshirë të besimit fetar dhe kombësisë. c) Të gjithë ata të cilët regjistruesit nuk i vizituan (janë mijëra persona që e vërtetojnë këtë fakt), si edhe fshatra dhe lagje të tëra orthodhokse. d) Ata persona që u vizituan, por nuk u pyetën fare për përkatësinë fetare, ose kur u deklaruan orthodhoksë, regjistruesit në mënyrë arbitrare i vendosën në një kategori të pacilësuar.

E ndërsa pyetja për fenë u përcaktua si fakultative, me dëshirë, bashkë me atë të kombësisë, u kthye në fund fare në karakteristikën qendrore të këtij regjistrimi. (Vlen për t’u shënuar fakti se vetë regjistrimi, ndaj pyetjes së kombësisë, nxjerr këto rezultate: në fillim shqiptarë 82,58% dhe në fund: nuk u përgjigjën 13,96%).

Sipas Këshillit të Evropës (“Third Opinion of the Council of Europe on Albania adopted 23.11.2011”), procedura e regjistrimit në lidhje me çështjen e kombësisë nuk është bërë sipas standarteve të pranuara ndërkombëtarisht dhe duhet të përdoret “me kujdesin më të madh” (ëith the utmost caution) dhe të mos mbështeten ekskluzivisht në këto vendimet e autoriteteve politike.

Pas fakteve të mësipërme, deklarojmë: Denoncojmë metodën antishkencore që u ndoq për këtë çështje të ndjeshme fetare. Protestojmë për shtrembërimin flagrant të etikës profesionale. Nuk njohim të dhënat mbi përkatësinë fetare të popullsisë që jep statistika e fundit e vitit 2011 bërë nga INSTAT. Plane dhe veprime të tilla mund të minojnë bashkekzistencën dhe harmoninë fetare për të cilën jemi përpjekur.

Kërkimi i së vërtetës është diçka themelore për një shoqëri të qytetëruar, veçanërisht në çështje kaq delikate, si besimi fetar i qytetarëve. Dhe vetëm e vërteta mund ta ndihmojë Shqipërinë në ecurinë e saj drejt Evropës së Bashkuar dhe në përgjithësi përparimin në shekullin e njëzet e njëtë.

Këshilli Kishtar Kleriko-laik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë*

(*Në këtë organ institucional të Kishës marrin pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe priftërinj dhe laikë – burra, gra dhe të rinj, përfaqësues të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive).

Tiranë, 17 dhjetor 2012

* * SHENIM, 10 Janar 2013. Pas grumbullimit të 25 870 anketimeve me shkrim të besimtarëve orthodhoksë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, 17 360 prej tyre, ose 67.10% deklaruan se nuk u vizituan nga regjistruesit, ose nuk u pyetën (dhe nuk shkruan) për përkatësinë fetare.

Miron Çako

Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit

Filed Under: Opinion Tagged With: me Arben llalla, Miron Çako, Replike

Ne as kemi qënë ndonjëherë dhe as jemi si gjithë të tjerët

May 4, 2015 by dgreca

– Replikë me z. Henri Çili/
nga Andon Dede, Nju York/
Duke lexuar një kronikë nga promovimi i librit të Prof. Servet Pëllumbit, “Përmbysja e komunizmit”, më tërhoqi vëmendjen fjala e Henri Çilit ku ai hedh disa teza, pak konfuze, por mbi të gjitha të pasakta, madje tepër të gabuara. Sikur nuk më besohej se si mund të dilnin pohime të tillë nga goja apo dhe pena e tij, me që ka shkruar dhe parathënien e librit. ( Me librin nuk po merrem se as nuk e kam lexuar dhe as nuk ishte ky qëllimi i këtyre rreshtave). Aq përshtypje më bënë pohimet e tij, sa e lexova disa herë kronikën e mësipërme dhe kur u binda se ç’kish dashur të thoshte, vendosa të jap mendimin tim. Për të qënë sa më i saktë, po i riprodhoj më poshtë pohimet e tij, sipas kronikës së botuar në disa gazeta:
“Përmbysja e komunizmit është një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore. Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën. Pak a shumë, përmbysja e komunizmit në Shqipëri ishte mbi të gjitha, dhe kjo është teza themelore e profesor Pëllumbit, derivat i zhvillimeve në Europën Qendrore, Lindore dhe në ish- Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë zhvillimet në Shqipëri janë një derivat i kulturës ndërkombëtare dhe jo më kot kështu ka qenë shumë herë dhe vërtetohet dhe këtë radhë, se nuk mund të ketë zhvillime shqiptare jashtë një konteksti të madh të zhvillimit të perandorive apo gjeopolitikës së madhe. Nuk mund të kishte zhvillime të hapësirës së trojeve shqiptare jashtë kontekstit të Perandorisë Otomane, nuk mund të kishte të themi zhvillime të Shqipërisë apo versione të përmbysjes më para të komunizmit sepse nuk mund të flitej për sukses të diversantëve apo të sabotimit të komunizmit në Shqipëri jashtë Paktit të Jaltës, e kështu me radhë. Kjo i jep fund një herë e mirë sindromit tonë për të qenë një “rast i veçantë” apo një ‘rast sui-generis”.

Siç shihet, në këto pak rreshta ai hedh disa ide. Së pari, është e vërtetë se përmbysja e komunizmit apo më saktë, dikaturës tek ne,(se ai nuk qe komunizëm, siç e pohon dhe profesori në librin e vet), ishte “një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore.”. Por më poshtë ai bën një kapërcim pindarik që s’ka si të mos të të habisë: “Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën.”. Të thuash se përmbysja e komunizmit na bën europianë më duket jo vetëm e pasaktë, por tepër e gabuar. Ne gjeografikisht kemi qënë europianë, që në zanafillën tonë, por sot ky status “europian” shihet pak më ndryshe, si antar i BE-së etj. apo dhe më gjerë: që t’i përgjigjesh standarteve europiane në ekonomi, infrastrukturë, institucione, politikë, kulturë, nivel jetese, sjellje,etj.etj.. Siç dihet dhe pohoet nga të gjithë ne apo dhe nga të huajt që na njohin, ne jemi aq larg këtyre standarteve europiane. Zhvillimet e këtyre 25 vjetëve të fundit kanë treguar bindshëm se do të na duhet dhe shumë kohë që të europianizohemi, por kjo është një temë tjetër që del jashtë asaj që duam të trajtojmë këtu.
Është po ashtu e vërtetë se zhvillimet në Shqipëri janë derivat i zhvillimeve ndërkombëtare, por kjo nuk e përjashton specifikën e zhvillimeve tek ne. Le ta nisim me perandorinë otomane, që e përmend kalimthi edhe autori i parathënies. Mos vallë rastësisht ne ishim të fundit që fituam pavarësinë e u shkëputëm nga ajo perandori, ndonëse kishim ndihmuar Greqinë e ndonjë shtet tjetër për t’u shkëputur prej saj? Mos vallë qe rastësi që shqiptarët kishin marrë gjithë ato poste të larta në hierarkinë shtetërore të asaj perandorije apo që jeniçerët, trupat më besnike të Sulltanit, në pjesën më të madhe, ishin shqiptarë?
Për të mos u zgjatur, vimë në shekullin e njëzetë, zhvillimet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku ndalet dhe zoti Çili. Përsëri ne kemi qënë të veçantë. Për fatin tragjik tonin, në krye të PK Shqiptare e më pas dhe të Frontit Nacional Çlirimtar, doli Enver Hoxha që kishte si qëllim parësor marrjen e pushetit dhe jo çlirimin e vendit e më pas vendosjen e një shteti demokratik, në shërbim të popullit. Ai u tregua krejt ndryshe nga udhëheqësiit e tjerë. Mjafton të lexoni “Diktatorët e Ballkanit”, të B.Fisherit. Si i zbatonte direktivat e Internacionales “Enveri ynë” dhe Titoja? Ky i fundit shihte thjesht interesat e popujve të Jugosllavisë dhe nuk e çante shumë kokën për direktivat që i vinin nga lart. Këtë pozicion ai e ndoqi edhe pas Luftës, deri sa u shkëput e iu kundërvu Kominternit e Stalinit. Po “Enveri ynë”? Ai u tregua më Stalin se vetë Stalini në vendosjen e diktaturës, një nga më të egrat e kampit socialist apo dhe më gjerë. Mjafton të kujtoni kolektivizmin që e bëri me ritme aq të shpejta e me dhunë, sa që e kritikoi edhe vetë Stalini në bisedat që pati me të. (Lexoni librin “Me Stalinin”).
Sa për çështjen e diversantëve, që z. Çili e lëshon si pa të keq, problemi nuk është aq i thjeshtë. Nuk është vendi këtu ta shtjellojmë hollësisht këtë temë, por fakt ishte se SHBA dhe Perëndimi kishin vendosur që të eksperimentonin përmbysjen me dhunë të sistemeve komuniste dhe ia filluan me Shqipërinë. Këtu hyn sabotimi që i bëri kësaj ndërhyrjeje i shumëpërfoluri Kim Filbi, por dhe kjo është një histori më vete. Ne e kishim fjalën se dhe në këtë fakt ne patëm një zhvillim të veçantë, paçka se pa sukses, gjë që iu kushtoi jetën tërë atyre djemve të rinj, nga të dy palët, që me apo pa vetëdije, e dhanë jetën duke menduar se po luftonin për të mirën e atdheut e të popullit.
Shkojmë më tej. Gjithë zhvillimet tek ne gjatë Diktaturës, kanë vulën e tyre të veçantë, krejt ndryshe nga të tjerët. Mjafton të përmendim vetëm një fakt, ndalimin e Fesë? Ose, cili shtet tjetër ka kaluar nga pro-jugosllav në pro-sovjetik e më pas pro-kinez, përveçse ne?! Po varfëria jonë biblike, me kë mund të krahasohet? A mund të përfytyrohet një vend tjetër me dyqanet krejtësisht bosh, si tek ne? Për të mos u zgjatur , po tregoj vetëm një detal të përjetuar nga unë personalisht.
Sapo m’u dha mundësia, pas ’90-ës, bëra një vizitë tek një miku im në Çekosllovaki, me që s’kisha dalë asnjëherë e të “mos vdisja pa parë qoftë edhe një herë botën me sy”. Po ç’të them për atë vizitë? Tregjet çeke qenë plot. Po ku kishte pika krahasimi me varfërinë tonë?
Së fundi, edhe me zhvillimet post-diktatoriale, ne jemi shumë larg të tjerëve, në çdo aspekt. Kjo falë klasës tonë politike që nuk ndryshoi shumë nga ajo e mëparshmja, duke iu përshatur kushteve të reja të pluralizmit.(jo demikracisë, se jemi akoma tepër larg asaj).
Përfundimisht, ne as kemi qënë dhe as jemi si gjithë të tjerët, por “sui generis”, dhe as që e vlen të zgjatemi më tej. Kjo nuk është një sindromë e tejkaluar, siç thotë z. Çili, por një realitet.
Gjithë sa më sipër, nuk është thjesht një kënaqje kurioziteti, por një çështje shumë e rëndësishme: pa diagnoza të sakta, nuk shërohet i sëmuri. Dhe ne, po nuk u vetëdijësuam se ku jemi e qysh jemi, as që kemi për të bitisur gjë, ashtu si edhe deri tani.

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, me Henri Cili, Replike

Vangjel Dule, servil i shumëfishtë

April 29, 2015 by dgreca

Replikë Vangjel Dules/
Shkruan: Arben LLALLA/
Vangjel Dule gënjeu të hënën i ftuar në emisionin që e drejton Enkel Demi. Dule gënjeu për atë palo flamur i cili nuk është flamur i vjetër i shteti grek, por i qeverisë së Vorio Epirit të drejtuar nga Gjeorgjio Zografu më 1914. Vangjel Dule gënjeu se ka dal rastësisht me atë flamur të Autonomisë së 1914. Flamuri që ka dalë Vangjel Dule ka të qarta shkronjat A-I(A-H, Αυτόνομος Δημοκρατία της Βορείου Ηπείρου) dhe vitin 1914. Ai ka dalë të paktën tre herë në vende të ndryshme edhe këtë unë ja vërtetoj, por ai nuk është burrë, por buravec. Vangjel Dule, gënjeu se Fredi Beleri nuk ka qenë i dënuar, Beleri ka qenë dy here i dënuar dhe atë:
a).Gjykata e Athinës më 21 Mars 1996, dënojë me 3 vjet burg shtetasin shqiptar, Fredi Belerin. Gjykata e Apelit e reduktojë dënimin në 18 muaj burg. Beleri e kreu dënimin në burgun e Koridhalos.
b).Gjykata e Vlorës me numër 224/24.9. 2004 dhe me numër 302/26.12.2006, dënojë në mungesë me 3 vjet burg, Fredi Beleri, i cili në zgjedhjet vendore të Tetori, 2003, dhunoj simbolet shtetërore shqiptare.
Unë e kuptoj Vangjel Dulen i cili është servil dhe gjendet midis dy zjarreve, atë të gjithë shoqatave të minoritetit grek, zjarrit nacionalist grek dhe nacionalistë shqiptar brenda familjes së tij të ngushtë. (Nuk e kam zakon të përmend familjarët e askujt, por Dule më detyrojë t’ia përmend për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën, atë të vërtet që edhe vetë ZOTI përkulet.)
Pas zënkës në Gusht të 2014, gjatë ekskursionit Vangjel Dule pati një sherr me kryetaren e shoqatës Rinia e Vorio Epirit, Eleni Dhimu, dhe pas asaj zënke Dules i filluan problemet me OMONIA dhe organizatat e tjera të minoritetit grek. Sherri i fundit më 25 Prill, midis Vangjel Dules dhe kryearit të OMONIA Leonidha Papa, tregoj se ai nuk gëzon mbështetjen e minoritetit grek, prandaj kohëve të fundit kërkon të jetë i ftuar nëpër emisionet e ndryshme.
Sa për atë që Vangjel Dule deklaron se nuk ka qenë dhjak, në dy fotografitë e botuara nga unë, ai është i veshur në njërën me robën e zezë, që zakonisht e veshin dhjakët dhe priftërinjtë. Ndërsa fotoja tjetër është me veshje që mund ta veshi çdo besimtar që ndihmon gjatë meshës. Vangjel Dule nuk dha sqarim rreth takimeve me Mitropolitin e Konicës, Sebastianon, i cili ishte një antishqiptar i tërbuar, për këto takime ka interes të madh.
Në përfundim të kësaj replike me Vangjel Dulen për gënjeshtrat që tha gjatë emisionit po i ofroj lexuesve foton e tretë, ku Vangjel Dule ka dalë me atë palo flamur të aneksimit të jugut të Shqipërisë në Larisë, në aktivitetin e shoqatës PIRRO të Thesalisë.
Nuk bëhet fjalë për kohën kur ka dalë nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Vangjel Dule me flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë, por bëhet fjalë se nënkryetari i Kuvendit është person që promovon ndjenjat antishqiptare në takimet me votuesit e tij. Të paktën budallenj mos ti bëj shqiptarët Dule sepse kjo do ti kushtojë rëndë karriera e tij politike, por të kërkoj falje publike.
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë bënë mirë të mbledhë të dhënat rreth dënimeve me burg për Fredi Belerin, për të përmbushur kërkesat e SHBA dhe BE që kandidatët për kryetar bashkie të mos të jetën njerëz me të shkuar kriminale.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, me Vangjel Dule, Replike

Replike-Arben Llalla aludon negativisht ndaj Kryepiskopit Anastas

April 22, 2015 by dgreca

Shkruan:Episkopi i Bylisit, Asti/
Teksti me titull «Njohje të vjetra të Kryepeshkop Anastasios me Mitropolitin Sebastianos» i z. Arben Llalla, që u botua në gazetën tuaj elektronike, dt.19.4.2015, paraqet informacione të pasakta, të gënjeshtërta dhe të ngatërruara.
Shkrimi përpiqet me mënyrë dinake të bëjë lidhje me të dhëna para 60 vjetësh pa lidhje. Biografia e Kryepiskopit Anastas është e njohur botërisht. Kështu konkretisht Kryepiskopi Anastas u largua nga rrethi i Vëllazërisë “ZOI” (“JETA”), në vitin 1963, si dhjakon. Asnjëherë nuk shkoi në Vëllazërinë “SOTIR” (“SHPËTIMTARI”), në të cilën shkoi atëherë arkimandriti Sebastianos. Kryepiskopi Anastas shkoi për studime në Gjermani, me bursë të Fondacionit gjerman “Alexander Fon Humboldt”. U zgjodh profesor i Universitetit të Athinës, shërbeu në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave në Gjenevë dhe u zgjodh në poste të larta të këtij organizmi botëror, ndërsa më vonë u përkushtua në Misionin e Apostullimit Orthodhoks në Afrikën Lindore.
Kryepiskopi i Greqisë, Serafimi, nuk i përkiste Vëllazërisë “ZOI”, përkundrazi mbajti qëndrim armiqësor ndaj kësaj vëllazërie dhe nuk simpatizonte vizionin ekumenik dhe pajtues të Anastasit. Patriarkana Ekumenike i caktoi si detyrë Anastasit veprën e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për arsye të përvojës së tij të madhe, prestigjit të tij ndërkombëtar dhe shpirtit vetësakrifikues.
Me këtë rast, po shtoj edhe një detaj mjaft karakteristik. Në vitin 1989 në Mbledhjen e Përgjithshme të “Këshillit Botëror të Apostullimit dhe Ungjillëzimit” në San Antonio, Teksas në SHBA, Anastasi atëherë episkop dhe profesor universiteti, si kryetar i Asamblesë në të cilën merrnin pjesë mbi 700 përfaqësues nga 106 vende të botës, insistonte të përfshihej në mesazhin e këtij Këshilli edhe referimi për Shqipërinë: “Krishti vazhdon të vuajë në shumë vende të botës dhe pret prej nesh përgjigjen konkrete: solidaritet dhe veprim…ndërmjet të tjerave dëgjuam edhe dhimbjen e pazëshme të komuniteteve fetare, të cilave Kushtetuta e vendit u mohon të drejtën e ekzistencës, siç ndodh në Shqipëri”. Këto pra u thanë nga Anastasi, në atë kohë Episkop dhe Profesor Universiteti, në vitin 1989, në kohën e errësirës së përndjekjes ateiste në Shqipëri.
Zoti Llalla për qëllimet e tij të dyshimta përpiqet të aludojë negativisht për ndershmërinë e Kryepiskopit Anastas. Tashmë të gjithë e njohim ofrimin pa interes të dashurisë së tij për çdo popull. E vërteta mbetet e qartë dhe e padyshimtë.

Episkopi i Bylisit, Asti
Tiranë 21.4.2015

Filed Under: Opinion Tagged With: aludon negativisht ndaj, arben llalla, Kryepiskopit Anastas, Replike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT