• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Republikanët e Donald Trump: Të bashkuar vetëm nga armiku

July 22, 2016 by dgreca

Nuk kishte si t’i shkonte më mbarë Donald Trumpit! Problemet gjatë kongresit të partisë e larguan vëmendjen nga fjalimi bosh i tij, ndërkohë që Ted Kruz kthehet në ventil për të gjithë të zhgënjyerit, analizon Ines Pohl.

Nuk kishte si t’i shkonte më mbarë Donald Trumpit! Problemet gjatë kongresit të partisë e larguan vëmendjen nga fjalimi bosh i tij, ndërkohë që Ted Truz kthehet në ventil për të gjithë të zhgënjyerit, analizon Ines Pohl.

USA Republican National Convention in Cleveland Donald Trump Rede

Procesi, gjatë të cilit të dyja partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara zgjedhin kandidatët presidencialë është brutal. Muaj me radhë kandidatët bëjnë në fushatë në vend dhe e luftojnë njëri-tjetrin ashpërsisht. Këtë vit u arrit një pikë e re vlimi e kësaj lufte. Deri edhe madhësia e organit gjenital u diskutua para kamerave.

Festa e pajtimit

Për shkak se në fund të këtij procesi, të gjithë janë të dëmtuar, përfshirë edhe fituesin, kongreset e partisë kanë funksionin ta bashkojnë partinë, kështu pozicionet ekstreme në parazgjedhje ua lenë vendin toneve më të moderuara, pas të cilave grumbullohet shumica. Në një festë pak a shumë të sinqertë pajtimi, konkurrentët e dikurshëm radhiten pas fituesit dhe i japin mbështetjen e tyre.

Por kësaj here në Clevenland ishte ndryshe. Nga dita e parë Trump i degradon 2500 delegatët nën sytë e 15.000 përfaqësuesve të mediave nga bota, në spektatorë të një shou bombastik. Ai vetë është i kudogjendshëm. Vjen me helikopter, dërgon mesazhe në monitorin e artë nga Kulla Trump, dërgon një nga një anëtarët e familjes, që të mos kalojë asnjë pjesë në program pa ndonjë lëvdatë për babain e mrekullueshëm, për burrin e fortë dhe të suksesshëm.

Profilbild Ines Pohl

Në këtë operetë nuk ka vend për diskutime mbi programin e partisë të kandidatit presidencial. Pse të flitet për përmbajtje, kur ka zbavitje? Jo të gjithë republikanëve u pëlqen ky realitet. Shumë vetë nuk kanë ardhur, sepse nuk duan të shohin këtë spektakël vetëinskenimi, të një njeriu që nuk e vret mendjen aspak të përshtatet me kursin e partisë, një njeri që e kishte bërë për vete partinë, në një kohë kur republikanët mendonin se fantazma e keqe kishte kaluar. Familja Bush mungon në këtë ditë. Edhe republikanë të tjerë me emër si John McCain nuk ia kanë falur Trumpit vërejtjet fyese.

Ted Cruz nuk jep mbështetjen

Një republikan nuk e lë rastin t’i ikë. Ted Cruz, senatori i Texassit e pranon ftesën dhe flet. Dy herë më gjatë se parashikimi. Por fjalinë që e presin të gjithë, “e mbështes Donald Trump”, ai nuk e thotë. Më vonë pas thirrjeve që shoqëruan fjalën e tij, ai thotë se nuk ia fal Donald Trumpit që ka fyer gruan dhe fëmijët e tij. Për Trumpin ky sulm vjen si me porosi. Sepse në ditën e tretë të këtij spektakli, njerëzit mërziten, dhe diskutimi për kopjimin e fjalimit të gruas së Trumpit nga Michelle Obama harrohet.

Gazetarët fillojnë të bëjën punën dhe pyesin, nëse ka diçka tjetër, veç planeve për ndërtimin e një muri në kufirin teksan. Edhe delegatët janë të shqetësuar, ata e ndjejnë se veç shout të një narcisti që rrotullohet vetëm rreth vetes, nuk ka shumë përmbajtje, me të cilën Trump mund të luftojë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj gjendet një ventil, zhgënjimi i adresohet tradhtarit, Ted Cruz. Por ka edhe nga ata që kanë mirëkuptim për Cruz. Shumica projekton tek ai shqetësimin për shpërbërjen e partisë. Por në fund Cruz me shfaqjen e tij ndihmon që të shtrëngohen radhët pas Trumpit. Pavarësisht se sa pak mund të afrohen ata me retorikën e Donald Trumpit, në fund të gjithë janë të bashkuar në urrejtjen kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton. Republikanët duket se nuk kanë bazë tjetër të përbashkët për momentin. Kemi të bëjmë një parti që e bashkon vetëm armiku.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Donald Trump: Të bashkuar, Republikanët, vetëm nga armiku

REPUBLIKANËT TRIUMFOJNË ANË E MBANË SHTETEVE TË BASHKUARA

November 6, 2014 by dgreca

* Në zgjedhjet e kësaj jave republikanët shënuan një fitore dërmuese që mund të konsiderohet historike– sepse sipas analistëve, një shumicë të tillë dërmuese në Dhomën e Përfaqsuesve, republikanët nuk e kanë patur ç’prej kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Truman./
*Por…Sarah Palin, ish-governatore e shtetit Alaska dhe ish-kandidate për zëvendës presidente e Partisë Republikane, paralajmëroi republikanët se votuesit të martën hodhën votën e tyre kundër mosfunksionimit të qeverisjes në Washington dhe jo medoemos në favor të Partisë Republikane/
* Anëtarët e Kongresit të ri bëjnë betimin në fillim të vitit që vjen/
Nga Frank Shkreli/
Të marten, më 4 nëntor në Shtetet e Bashkuara u mbajtën zgjedhjet gjysëm-mandat për 36 vende nga 100-anëtarët që ka Senati Amerikan dhe për të gjithë ligjvensit në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit amerikan. Anëtarët e Senatit zgjidhen çdo gjashtë vjetë dhe kandidatët për anëtarë të Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan përballen me votuesit çdo dy vjetë. Përveç zgjedhjeve për anëtarët e legjislaturës kombëtare amerikane që është Kongresi, u zhvilluan gjithashtu zgjedhje edhe për governatorë shtetesh, si dhe për mandate të ndryshme në nivele të pushtetit vendor dhe shtetëror në mbarë Amerikën. Votuesit amerikanë të pakënaqur mbi shumë çështje të rëndësishme të mbrendshme, përfshirë gjëndjen ekonomike, dhe sfida me të cilat përballen amerikanët çdo ditë por edhe të shqetësuar edhe mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe për rolin amerikan në botë vendosën të martën që të votonin në mënyrë dërmuese kundër një numri zyrtarësh të Partisë Demokrate në të gjitha nivelet dhe në favor të kandidatëve të Partisë Republikane opozitare. Ishte gjithashtu një shfaqje e pakënaqësisë së votuesve me politikat e Presidentit Obama, përfshirë ligjin mbi përkujdesjen shëndetsore, ligj ky i cili gjithnjë kundërshtohet nga shumica e amerikanëve, por që Presidenti Obama insiston se nuk do ta ndryshojë. Analistët thonë se humbja e demokratëve u pa ç’prej fillimit dhe se problemi ishte vet Presidenti Obama, pasi sipas tyre, sado të zotët të jenë kandidatët si individë, ata nuk mund të artikulojnë politika ekonomike dhe financiare dhe as nuk mund të përpilojnë një vizion për politikëne jashtme. Është presidenti dhe adminstrata e tij ata që duhet të përcaktojnë një vizion të përgjithëshëm për tonin dhe qëndrimet politike të partisë së tyre për zgjidhjen e problemeve mbrenda dhe jashtë vendit, gjë që sipas ekspertëve ata nuk e bënë.
Votuesit amerikanë jo vetëm që ndëshkuan shumicën demokrate në Senat duke i siguruar Partisë Republikane mbi shumicën e nevojshme në atë dhomë, por republikanët ndonëse nga zgjedhjet e dy viteve më parë ata gëzonin shumicën në Dhomën e Përfaqesuesve, në zgjedhjet e kësaj jave ata shënuan një fitore dërmuese që mund të konsiderohet historike– sepse sipas analistëve, një shumicë të tillë dërmuese në Dhomën e Përfaqsuesve, republikanët nuk e kanë patur ç’prej kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Truman. Pothuaj në çdo rajon të Shteteve të Bashkuara, nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, republikanët shënuan fitore në pothuaj të gjitha nivelet e pushtetit federal dhe në nivelet shtetërore. Fitorja ishte aq e madhe dhe aq gjithëpërfshirse sa që habiti edhe vet republikanët. Përveç fitores së madhe të Partisë Republikane në të dy dhomat legjislative të Kongresit, republikanët tani udhëheqin edhe 32 nga 50-shtetet e Amerikës. Domethënja e fitores së governatorëve republikanë në 32 shtete anë e mbanë vendit, pasqyron më së miri thellësinë e humbjes së Partisë Demokrate edhe në nivel shtetëror, pasi governatorët republikanë siguruan fitorenë shtetet që historikishtjanë dominuar nga Partia Demokrate, shtete liberale siç janë Mariland, Masaçusets dhe madje edhe shteti Illionois nga vjen presidenti Obama.
Por megjithë entuziazmin e merituar të republikanëve për fitoren e partisë së tyre në zgjedhjet e kësaj jave, Sarah Palin, ish-governatore e shtetit Alaska dhe ish-kandidate për zëvendës presidente e Partisë Republikane, paralajmëroi republikanët se votuesit të martën hodhën votën e tyre kundër mosfunksionimit të qeverisjes në Washington dhe jo medoemos në favor të Partisë Republikane. Me fjalë të tjera, Palin thotë se vota e djeshme mund të ketë qenë më shumë një votë proteste kundër politikave të mbrendshme dhe të jashtme që ka ndjekur administrata e Presidentit Obama gjatë 6 viteve të kaluara, se sa një votë në favor të republikanëve.
Sidoqoftë, zgjedhjet e së martës hynë histori si një ndër fitoret më të suksesshme të Partisë Republikane dhe tani të dy partitë dhe udhëheqsit e tyre kanë filluar të vlerësojnë efektet dhe të shqyrtojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve duke përpiluar planet e tyre për të ardhmen, përfshirë edhe Presidentin Obama të cilit i mbeten edhe dy vjetë në mandatin e tij. Një ditë pasi republikanët siguruan shumicën në Kongresin amerikan dhe pas fitoresdramatike anë e mbanë vendit dhe në të gjitha nivelet e psoteve politike, përfshirë edhe governatorët në 32 shtete, filluan reagimet e para zyrtare.Paspas një mbrëmjeje demoralizuese dhe disfate për Partinë e tij Demokrate, Presidenti Obama mbajti një konferencë shtypi të mërkurëndhe pranoi se “Mbrëmë, për republikanët ishte një natë e mirë dhe se ata meritojnë kredi për zhvillimin e një fushate të mirë.” Gjatë sesjonit me gazetarët, Presidenti u pyet nëse pas humbjes së PartisëDemokrate ai do të ndryshojë agjenden e tij politike gjatë dy viteve të ardhëshëm, kryedemokrati u përgjegj duke thënë se ndonëse kishte “dëgjuar” zërin e votuesve, ai do të vazhdojë politikën e tij, por shtoi se njëkohsisht do të përpiqet të bashkpunojë me republikanët për të identifikuar fushë ku mund të punojnë së bashku.Po megjithë shprehjet për bashkpunim, Z. Obama, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi imigracionin, sfidoi Kongresin e ri të dominuar nga republikanëtduke thënë se ai do të veprojë në mënyrë të njëanshme në lidhje me reformën e ligjeve të imigracionit, duke kërcënuar se do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv, që merret me mendë se do të jetë një urdhër për amnisti për imigrantët ilegalë në këtë vend – nëqoftse Kongresi nuk propozon një plan të gjithanshëm për reforma në fushën e imigracionit. Analistët thonë se kjo kërkesë e Presidentit Obama mbi imigracionin, mund të përbëjë konfliktin e parë të tij me Kongresin e ri republikan, pasi aisipas tyre, po kërkon diçka që nuk është e mundur të arrihet deri në fund të këtij viti, ashtu siç kërkoi dje presidenti. Për më tepër, kur të dy palët kanë qëndrime krejtë të ndryshme mbi këtë çështje, do të nevojitej më shumë kohë që të dy palët të arrijnë në një marrveshje të pranueshme për të dy palët. Ekspertët theksojnë gjithashtu se një kërkesë e tillë nga Presidenti Obama nuk është reale pasi megjithë këmbënguljen e tij në të shkuarën për një ligj mbi imigracionin, ai nuk e arriti këtë qëllim as gjatë gjashtë vitevetë kaluara të mandatit të tij, ndonëse gjatë mandatit të parë të tij, Partia e Demokrate që ai kryeson ka kontrolluar të dy dhomat e Kongresit.
Ndërsa Kryetari i ri i shumicës Republikane në Senat, Senatori Mitch McConnell, në reagimin e parë pas zgjedhjeve u tha gazetarëve të mërkurën se zgjedhësit amerikanë, në votimet të martën që kaloi, dërguan një mesazh të qartë se të dy partitë duhet të qeverisin së bashku. Ai shtoi se megjithëse amerikanët kanë zgjedhur një qeverisje ku Shtëpia e Bardhë kontrollohet nga presidenti demokrat ndërsady dhomat e Kongresi të ri kontrollohen nga republikanët, nuk do të thotë shtoi ai, se amerikanët, “duan që ne të mos bëjmë asgjë”. Përkundrazi, tha ai, “Unë mendoj se votuesit amerikanë duan që ne të përpiqemi të identifikojmë fusha bashkpunimi”, për zgjidhjen e problemeve të vendit. Senatori McConnell tha se ka disa fushë në të cilat të dy palët mund të bien dakort dhe se detyra e parë e tij është që t’a bëjë Senatin të funksionojë përsëri, pasi sipas tij, nga pikpamja institucionale, “Senati,gjatë disa viteve të fundit, pothuaj nuk ka bërë asgjë, hiç.” Senatori McConnell u tha gjithashtu gazetarëve se pas verdiktit të votueseve, Presidenti Obama i telefonoi atij për ta uruar për fitoren e madhe të republikanëve, duke u thënë gazetarve se “zhvilluam një bisedë të mirë dhe miqësore me të”.Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi bashkpunimin e palëve në Washington, Senatori McConnell u tha gazetarve se shumica e senatorëve të ri republikanë nuk mendojnë se janë zgjedhur për të zhvilluar luftë politike me njëri tjetrin dhe se mezi presin të shkojnë në Washington për të bërë diçka për zgjedhësit e tyre.
Megjithëse gjatë takimeve me përfaqsues të medias Presidenti Obama dhe Senatori republikan McConnell premtuan se do të bashkpunojnë për të mirën e vendit, Presidenti Obama, gjatë konferencës me shtypin të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, theksoi se ai do ndjekë idetë e veta gjatë dy viteve të ardhëshme, madje edhe nëqoftse ato nuk u pëlqejnë republikanëve në Kongres. Ndërkaq, Presidenti Obama njoftoi se kishte ftuar udhëheqsit e lartë të Kongresit për një takim në Shtëpinë e Bardhë të premtën për të biseduar mbi planet e ardhëshme legjislative, përfshirë ndër të tjera edhe çështjen e imigracionit.Ndërsa ata u angazhuan për bashkpunim me njëri tjetrin — nga deklaratat e kryetarve të dy partive të mërkurën — duket se Presidenti Obama dhe udhëheqsi i ri i republikanëve në Senat, Senatori Mitch MccConnell, megjithkëtë do të ndjekin politikat e tyre dhe do të mbajnë qëndrimet që i dallojnë ata. Ndaj, mbetet për t’u parë gjatë dy viteve të ardhëshme se sa seriozë janë ata për bashkpunimin e deklaruar me njëri tjetrin për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballetAmerika dhe bota. Zgjedhësit amerikanë bënë detyrën e vet duke u dërguar të dy partive një mesazh të qartë të këtë javë, se ata presin, që megjithë dallimet politike midis tyre, të punojnë së bashku për të mirën e vendit.
Anëtarët e Kongresit të ri bëjnë betimin në fillim të vitit që vjen/

ROLI I KONGRESIT: Anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara përfaqësojnë shtetet dhe zgjedhësit në degën legjislative, njerës prej tri degëve të qeverisë federale. Dy të tjerat janë, Dega Ekzekutive (Presidenti) dhe Dega Juridike (Gjykatat). Secila prej këtyre degëve qeveritare luan rolin dhe ka funksionin e saj të posaçëm në bazë të artikujve 1,2 dhe 3 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Dega legjislative përbëhet nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqsuesve dhe të dyja së bashku njihen si Kongresi i Shteteteve të Bashkuara. Senati përbëhet nga 100 anëtarë, dy senatorë nga secili prej 50-shteteve të Amerikës. Ndërkohë që përsa u përket anëtarve të Dhomës së Përafqsuesve, numri i ligjvensëve në këtë dhomë ndryshon nga shteti në shtet, varësisht nga popullësia e secilit shtet.Dhoma e Përfaqsuesve ka gjithsejt 435 anëtarë.Për shembull, shtetet New York, Kalifornia, Teksas dhe Florida kanë numrin më të madh të liigjvensve në Dhomën e Përfaqsuesve, sepse janë edhe shtetet me popullësitë më të mëdha. Arsyeja se pse themeluesit e këtij kombi vendosën për një qeverisje me tre degë ishte se ata donin që asnjë person ose parti të mos ketë mundësi të monopolizonte pushtetin dhe të vendoste një sistem totalitar qeverisjeje. Kështu, ata vendosën sistemin e ashtuquajtur “checks and balances”, që do të thotë se veprimtaria e secilës degë të qeverisë kontrollohet dhe frenohet nga tjetra. Si rrjedhim, pushteti dhe kompetencat e Presidentit kontrollohen nga Kongresi, i cili ndër të tjera mund të refuzojë miratimin e emërimeve të tija dhe kushtetuta i njeh Kongresit të drejtën — që në rast se ai shkelë kushtetutën — për ta korigjuar presidentin, madje edhe për ta detyruar të largohet nga detyra në rast të abuzimitdhe të shkeljeve të rënda të detyrës nga ekzekutivi. Nga ana tjetër, Kongresi miraton ligjet, por presidentit i jep kushtetuta të drejtën e vetos, nëqoftse nuk pajtohet me ligjet që i dërgon Kongresi për aprovimin e tij. Në një rast të tillë, atëherë Kongresi me shumicë dërmuese votash, prej dy të tretën e votave, hedhë poshtë veton e presidentit. Ndërsa dega juridike, që është Gjykata e Lartë mund të vendos nëse një ligj është në përputhje me kushtetutën ose jo, dhe kushtetuta amerikane i jep Kongresit të drejtën — që me miratimin e dy të tretës së shteteve amerikane — mund të ndryshojë kushtetutën.
Të dy dhomat e Kongresit luajnë rolin e tyre të posaçëm sipas kushtetutës, por Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve kryejnë disa funskione të përbashkëta, siç është rregullimi i tregëtisë, transportit dhe i komunikacionit ndërshtetëror dhe nevojitet miratimi të dy dhomave në rast të shpalljes së luftës kundër ndonjëvendi të huaj.
Por, detyra kryesore e anëtarve të dy dhomave të Kongresit është miratimi i ligjeve. Ky është një proces i ndërlikuar i cili nevojitë pjesëmarrjen e përkushtuar të ligjvensve. Senatorët, si individë ose si grup, sponsorizojnë një projektligj nga përpilimi i tij e deri tek në fund kur të miratohet si ligj, me shumicë votash. Procesi i miratimit të ligjeve fillon me përpilimin e projektligjit, i cili pastaj i paraqitet për shqyrtim komisionit përshtatës nga një senator ose më shumë. Pasi komisioni ta ketë shqyrtuar projektligjin, Senati debaton meritat e tij dhe senatorët gjatë debatit propozojnë amandamente. Atëherë, Dhoma e plotë e Senatit voton projektligjin dhe amandamentet e miratuara dhe i dërgohet Dhomës së plotë të Përfaqsuesve.Nëse edhe Dhoma e Përfaqsuesve e aprovon projektligjin, atëherë i këthehet përsëri Senatitdhe nëqoftse projketligji nuk ndryshohet në Dhomën e Përfaqsuesve, atëherë Senati nënshkruan projektligjin dhe i dërgohet Shtëpisë së Bardhë (presidentit) për aprovim dhe nënshkrim. Kështuqë në fund të fundit, është në dorë të presidentit që ta aprovojë projektligjin me nënshkrimin e tij për ta bërë ligj ose të përdor veton kundër projektligjit. Një ndër rolet kryesore të Senatit është përcaktimi i taksave dhe miratimi i buxhetit dhe i shpenzimeve të qeverisë federale. Në fushën e politikës së jashtme, Dhoma e Senatit miraton gjithashtu traktatet ndërkombëtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara me shtete të tjera dhe luan një rol kyç në këtë fushë, pasi sipas kushtetutës, Senati duhet të aprovojë të gjitha emërimet në postet e larta të diplomacisë dhe të politikës së jashtme amerikane, përfshirë ambasadorët dhe si të tillë pra senatorët ushtrojnë një influencë të madhe mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Megjithëse jo sa Senati, edhe Dhoma e Përfaqsuesve luan një rol të konsiderueshëm në politikën e jashtme të Amerikës nepërmjet procesit të aprovimit të buxhetit për Departamentin e Shtetit agjencitë e tjera që merren me punët ndërkombëtare. Si pjesë e përgjegjsive të tyre në lidhje me politikën e jashtme, shpeshherë anëtarëte Kongresit amerikan, nga koha në kohë, vizitojnë vende dhe rajone që mendohet se janë të rëndësishme për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ligjvensit amerikanë gjithashtu përfaqësojnë shtetin e tyre në debatin mbi çështjet kombëtare dhe shërbejnë si ndërmjetës midis qeverisë federale dhe shtetit ose zgjedhësve të cilët ata përfqësojnë.Dhe i konsiderojnë si pjesë të detyrës së tyre kontaktet e vazhdueshme me zgjedhsit që ata përfaqësojnë, për të dëgjuar hallet dhe problemet me të cilat ata përballen, por edhe për të mësuar se cilat janë çështjet që votuesit i konsiderojnë të rëndësishme për veten e tyre, për shtetin ku jetojnë dhe për interesat e vendit në përgjithësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: ANË E MBANË, Frank shkreli, Republikanët, SHTETEVE TË BASHKUARA, TRIUMFOJNË

SHBA, Republikanët Kontrollojnë Senatin

November 5, 2014 by dgreca

Në Shtetet e Bashkuara, tani që republikanët do të jenë në kontroll të Senatit pas zgjedhjeve të djeshme të mesit të mandatit, presidenti Barak Obama pritet të përballet me një panoramë të ndryshme të politikës së jashtme, gjatë dy viteve të tij të fundit në detyrë.
Kontrolli i republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit do të kufizojë hapësirën e presidentit për të manovruar në dy prej objektivave kryesore të politikës së jashtme, thotë profesori i Universitetit Amerikan Guy Ziv.
“Kjo do t’i krijojë shumë më tepër vështirësi Presidentit Obama për atë lloj progresi që ai do të donte të shihte në dy drejtime: negociatat bërthamore me Iranin dhe procesin izraelito-palestinez të paqes. Për fat të keq të dyja këto çështje kanë qenë përdorur gjatë disa viteve si top futbolli për luftë politike në Kongres.”
Bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit janë planifikuar të përfundojnë në fund të këtij muaji. Negociatorët ndërkombëtarë po përpiqen të bindin Iranin që të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të disa sanksioneve ekonomike.
Shumë republikanë në Senat nuk dëshirojnë një marrëveshje që ta lejonte Teheranin të vazhdojë çdo lloj pasurimi të uraniumit, por presidenti Obama ka tashmë autoritetin për t’i hequr sanksionet amerikane pa miratimin e Kongresit.
Analisti i Institutit Cato Justin Logan thotë se kjo mund të ndryshojë tani që republikanët do të veprojnë më me forcë ndaj Iranit.
“Ka mundësi që republikanët, duke qenë tani në kontroll, të paraqesin projektligje për sanksione kundër Iranit që nuk mund të anashkalohen nga Presidenti. Por kjo do të kërkonte që Kongresi të merrte përgjegjësi për këtë politikë dhe historikisht republikanët kanë qenë shumë të kujdesshëm për këtë lloj përgjegjësie.”
Senatori republikan John McCain ka qenë ai që ka ngritur zërin më shumë kundër mbështetjes së ngadaltë amerikane për rebelët e moderuar në Siri dhe mund të kërkojë një rol ushtarak më aktiv, thotë analisti i Këshillit të Atlantikut Robert Manning.
“Gjasat janë që Senatori McCain të marrë kryesinë e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senat, dhe mendoj se kjo mund të ngjallë polemika në aspektin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe disa prej aktiviteteve tona ushtarake në Lindjen e Mesme apo rajone të tjera.”
Ndonëse SHBA kanë filluar një program për të trajnuar dhe armatosur rebelët sirianë, kjo çështje nuk ka të ngjarë të shkojë larg duke pasur parasysh luftën kundër militantëve të shtetit islamik.
“Një program i tillë ekziston. Ai nuk po zbatohet në atë mënyrë që do të dëshironte Senatori McCain. Pra unë mendoj se ndryshimi këtu do të varet nga drejtimi që do të marrin gjërat në Senat dhe se si republikanët e Senatit mund të ndikojnë në pasqyrimin e çështjeve në media.”
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki thotë se diplomatët amerikanë bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë me cilindo palë që ka kontrollin në Kongres.
“Departamenti i Shtetit është një institucion jopartiak, ku ne punojmë me demokratët dhe republikanët, kështu që ne do ta vazhdojmë punën duke patur këtë në mendje.”
Përsa i përket Sekretarit të Shtetit John Kerry, gjatë fushatës ka patur njoftime në shtyp që citonin burime të administratës Obama, ku ai kritikohej si “i shkëputur” nga Presidenti në punën e tij si kryediplomat. Por sipas zëdhënëses Psaki, Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se ai do të vazhdojë në këtë detyrë.(Kortezi VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Kontrollojnë Senatin, Republikanët, SHBA

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT