• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ka të djathtë dhe të majtë në Shqipëri?

August 12, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Kjo pyetje sot mbulon faqet kryesore të mediave shqiptare të shkruara dhe atyre vizive. Vazhdon vetëm pyetje por pergjigje nuk ka. Nuk ka sepse nuk dinë se si të përgjigjen apo nuk duan të përgjigjen. Të dy variantet mund të jenë.

Unë në këtë shkrimin tim pikërisht kësaj pyetje dua t’i përgjigjem. Do t’ia arrij vallë? Nuk e di. Por do t’i shpreh mendimet e mia dhe lexuesit le të gjykojnë nëse kam të drejtë apo jo.

Piksëpari dua të sqaroj se me termat i djathtë dhe i majtë kam parasysh të djathtën dhe të majtën e vërtetë evropiane, ato që janë praktikisht në të gjithë botën perëndimore dhe jo të majtën komuniste që dikur sundonte në vendin tonë. Me keqardhje konstatoj se sot në Shqipëri mentaliteti i së kaluarës është ende i gjallë. Ky mentalitet ka bërë që edhe disa figura të njohura të këtij vendi, të djathtë apo të majtë, të mos dijnë se ku e kanë vendin e tyre. Përse? Mos vallë janë bindjet? Aspak.. Është interesi personal që i detyron të zhvishen nga normat reale të jetës dhe të zhyten në llumin e propagandës së të kaluarës.

Kështu vërejmë shumë raste që, në të vërtetë, nuk janë aspak të pranueshme. Vërejmë se deputetë apo funksionarë të së djathtës, pa pritur dhe pakujtuar, hidhen në kampin e së majtës dhe anasjelltas. Çfarë tregon kjo? A kanë bindje këta individë? Unë mendoj se jo. Mendoj se jo, sepse po të kishin bindje nuk do të hidheshin në kampin e kundërt por do të vazhdonin luftën brenda asaj force ku bënin pjesë ose do të krijonin një forcë të re politike të po atij krahu. Kjo tregon se në këta individë nuk ka një qëndrim politik të caktuar, nuk ka një pozicionim të caktuar djathtas apo majtas. Në këta individë zotëron pasioni për të përfituar sa më shumë nga pozicionimi që do të zenë. Pra interesi i ngushte personal mbi idealet. Një gjë e tillë është trashëgimi e përpiktë e mentalitetit të regjimit të përmbysur. Këtë trashëgimi kanë si të djathtët ashtu edhe të majtët që ndjekin këtë rrugë.

Tani le të përqëndrohemi në qëndrimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare mbi çështjet kryesore të së shkuarës dhe të së tashmes. Si rezultat i presionit të paparë të politikës shqiptare, që në shumicën e rasteve është e majtë dhe duke marrë parasysh se prej nga vijmë nuk është e kuptueshme, pse disa individë tradicionalisht të djathtë thyhen dhe nuk guxojnë t’i dalin me ballin hapur së majtës madje, në disa raste,  konstatojmë se bashkohen me të me synimin e gjoja të arritjes së një kompromisi apo pajtimi kombëtar.

Le të kalojmë në shembujt konkretë. Para disa ditësh “presidenti” i një shoqate të përndjekurish, që e quan veten “mbarëkombëtare”, sikur kjo paska shtrirje edhe ne trevat e tjera ku banojnë shqiptarë, pruri në shoqatën tonë një ftesë për kryetarin, me anën e së cilës njoftohesh se do të zhvillohej një konferencë për 73 vjetorin e Konferencës së Mukjes. Në ftesë shënoheshin edhe lektorët e kësaj konference. Midis tyre binin në sy përfaqësuesit e dy rrymave. Nga njëra anë ishte një personalitet i njohur i nacionalizmit shqiptar që ka shkruar një serë librash lidhur me të dhe që, ndoshta, është i vetmi që ka kontribuar më shumë në këtë drejtim, nga ana tjetër një “historian’ i epokës së përmbysur që në të gjitha konferencat shkencore të mbajtura në vendin tonë, ka vjellur vrerë kundër nacionalizmit shqiptar duke e quajtur atë si bashkëpuntor të fashizmit dhe nazizmit. Natyrisht duke lexuar këtë ftesë, kryetari ynë nuk pranoi të merrte pjesë. Nuk pranoi sepse nuk mund të ulesh në një tavolinë me ata që vazhdojnë të na quajnë tradhëtare dhe kolaboracionistë. Nuk e di se çfarë u tha atje, sepse nuk u interesova për të, por jam i sigurtë se “historiani” i majtë, me siguri, edhe nëqoftë se nuk ka folur me gjuhën demode të së kaluarës, përsëri nuk ka ndenjur pa hedhur fara helmi  mbi  nacionalizmin shqiptar.

Si ka mundësi që një parti anëtare e së majtës evropiane, lidhet në aleancë me parti të ekstremit të majtë siç janë Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Partia komuniste 8 Nëntori, të cilat kanë si idhull të tyre diktatorin e përmbysur në vitin 1990 Enver Hoxha? Çudia është se si ka mundësi që kryetari i partisë udhëheqëse të kësaj aleance, që pretendon se i përket brezit të së ardhmes, të pranojë të krijojë aleancë me ato parti që bazë kanë ideologjinë e sistemit totalitar, sistem që ai vetë thotë se e ka hedhur poshtë? Si ka mundësi që në hartimin e programit elektoral të kësaj partie të marrin pjesë edhe elementë tradicionalisht të djathtë? Si ka mundësi që po në këtë aleancë, së bashku me dy partitë e siper përmendura, bënë pjesë edhe  një parti e djathtë siç është Partia “Rruga e Lirisë”?

Kjo do të thotë, sikurse thotë një fjalë e urtë popullore. të bashkosh ujqërit me dhentë. Me pak fjalë një çorbë derri që askush nuk e merr vesh se ç’është.

Të gjitha këto tregojnë se  partia drejtuese dhe pothuajse e gjithë e majta shqiptare janë shumë larg së majtës evropiane drejt së cilës ato, në mënyrë abusive, pretendojnë se po shkojnë. Po nga e njejta sëmundje vuan edhe e djathta shqiptare e cila për të shpëtuar nga rënia pranon aleanca me parti të krahut të majtë. Natyrisht këtu bëjnë përjashtim disa parti të vogla të këtij krahu të cilat nuk kanë mundur të gjejnë vendin që u takon dhe si pasojë nuk arrijnë të zenë ndonjë vend në parlamentin shqiptar. Që të shpëtojnë nga kjo sëmundje partitë shqiptare duhet të shkëputen një herë e përgjithmonë nga mentaliteti komunist që i karakterizin.

Këtij konkluzionit tim partitë drejtuese në vendin tonë mund t’i thonë: Në rast se konkluzionet tuaja janë të drejta, atëherë si ka mundësi që  populli na beson? Përse na voton?

Unë do t’i pergjigjem se  votuesit e kanë dhënë verdiktin  e  tyre  me  pjesëmarrjen, ku në total është nën 50% dhe ku rekordin e arriti  Bashkia  e  Vlorës  në  zgjedhjet  lokale të vitit 2015 ku pjesëmarrja ishte 38% e votuesve te regjistruar dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë  rezulton që kandidati fituesi i këtyre zgjedhjeve me 60% të votave ka marrë votbesimin vetëm të  23% të votuesve. Atëherë lind pyetja: Po 77% e zgjedhësve të tjerë për cilin krah janë? Kjo është një pyetje që duhet të shqetësojë politikën shqiptare.

Nuk e di se sa do i dëgjojnë politikanët tanë këto fjalë. Kam dyshimin se ata besojnë në  fjalët që dijetari i njohur Seneka i tha diktatorit Neron kur ky i vuri zjarrin Romës dhe populli rrethoi pallatin perandorak duke kërcënuar perandorin, atëherë ky pyeti Senekën:

  • Si do t’ia bëjmë?

Seneka iu përgjigj

  • Hidhua fajin të krishterëve.

Në atë kohë krishterimi ishte në hapat e para të tij

  • A do të më besojnë? – Pyeti Neroni

Seneka i ktheu përgjigjen lapidare:

  • Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret.

Unë mendoj se kjo  sentencë  i  përket  një  të  kaluare  shumë  të  largët.  Sot  jetojmë  ne

shekullin e 21-të dhe populli e di se kur duhet të votojë dhe ku duhet të hedhi votën. Këtë mos e harroni.

Lidhur me sa më sipër dua të dal te pyetja e  titullit  të  shkrimit: A  ka  të  djathtë  dhe   të majtë në Shqipëri? Unë mund të them me bindje se jo. Në rast se ndokush mendon ndryshe, le të përgjigjet.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta dhe e djathta, reshat kripa, shqiperia

Ne perkujtim te nje pervjetori- Havzi Nela

August 9, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të mësonte dhe nuk e linin për të mësuar, që kishte dëshirë të punonte dhe nuk e linin për të punuar, që kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar.

Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas 11 vjetësh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,  në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar pjesëmarrës.

Megjithatë vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

            Kur të mësoni se kam vdekë,

            Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

            A e dini çfarë kam hjekë,

            Unë, poeti zemërzjarrtë?

            Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

            Kur t’kërkoni me ma gjetë,

            Thoni: – Ai urreu mizorin! –

            Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Havzi nela, Ne perkujtim te, nje pervjetori, reshat kripa

Ëndërrat

August 8, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*

Fatosi jetonte ditët e pleqërisë. Flokët i ishin zbardhur.   Dhëmbët   ishin   zëvendësuar   me   protezat. Hidhte vështrimin larg, shumë larg, në rininë e tij. Ishin vite të vështira. Nuk e di nëse mund të quhej rini ajo e tij. Ishte rini e mbuluar nga hija e pleqërisë.  Mjegulla e kohës që sundonte në vend  e kishte mbuluar.  Donte të mësonte, por nuk e linin për të mësuar. Donte të punonte, por nuk e linin për të punuar. Donte edhe të jetonte, por nuk e linin as për të jetuar. Këto mund t’ju duken si mendime absurde, por, në atë kohë, jetohej në një botë absurde.

Ai jetonte në botën e ëndrrave. Vetëm ëndrrat nuk mund t’ia ndalte njeri. Mbi të gjitha, ëndrra më e bukur ishte ajo për një botë më të mirë. Kjo ishte ëndrra e fëminisë së tij. Por edhe këtë ëndërr ia ndërprenë. Shpata e Damokleut ia preu atë në mes. Ndonëse fëmijë e përplasën në rrethin e nëntë të ferrit, ku sundonin tri gojët e Luçiferit. E përse? Ju do ta  quani  të  pabesueshme,  por shkaku i saj  ishte  vetëm  dhe  vetëm  se  shkruante  nëpër mure: RROFTË SHQIPËRIA!

Kështu filluan për të, që në moshë të njomë aventurat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, të burgut të Vlorës, të kampeve të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës. Ëndërronte të studionte dhe të dilte jurist, inxhinier, mjek, artist ose shkrimtar. Por mbaroi shkollën e vuajtjeve, shkollën e urisë, shkollën e torturave. Megjithatë pati fatin të mbetet njeri. Kjo për hir të atyre burrave që mundi të takojë atje. Ata u bënë për të prind edhe shokë. U bënë mësuesit e tij.

Së   fundi,  u   kthye  përsëri  në  gjirin  e  familjes. Kishte një dëshirë.  Kishte  një ëndërr. Të  studionte.  Të shkruante poezi. Të shkruante tregime  dhe  romane. Por ishte e pamundur t’i  botonte…

Kohët  ndërruan. Bota  e    errët    ishte  përmbysur dhe vendin e saj e kishte zënë një botë e re, plot gjallëri. Filloi të shkruajë nëpër organet e ndryshme të shtypit që kishin filluar të dilnin. Botoi edhe një libër me tregime nga jeta e tij, të cilin ua shpërndau miqve të vet.

Shkroi, gjithashtu, edhe një libër me kujtimet e fëminisë dhe të rinisë së tij të hershme.  Në të përshkroi ngjarje nga jeta e tij, të lidhura ngushtë me ato të epokës në të cilën kishte jetuar. Përshkroi dashuritë e tij. Përshkroi figurat e atyre burrave me të cilët e lidhi fati i jetës dhe që nuk do t’i harronte kurrë. Por nuk mundej ta botonte. Gjendja  financiare nuk e lejonte. Mendoi t’i drejtohej një institucioni që kishte sponsorizuar botimin e disa librave.  Duheshin dy rekomandime nga shkrimtarë të njohur.

Iu drejtua një mikut të tij shkrimtar dhe poet. Për habinë e tij, ai me mospërfillje dhe mendjemadhësi i tha:

– Sot të gjithë duan të bëhen shkrimtarë.

E ndjeu veten të fyer. U largua pa e përshëndetur.

Librin ua dha dy shkrimtarëve të tjerë. Ata e lexuan, e pëlqyen dhe i dhanë rekomandimet, të cilat i dërgoi në institucionin përkatës, së bashku me dokumentet e tjera. Për çudinë e tij, pas disa muajsh mori njoftimin se libri nuk mund të botohej. Arsyeja, sipas tyre, ishte se libri nuk kishte vlera letrare. Nuk e di se ku e morën vesh “zotërinjtë kompetentë” që libri nuk kish vlera, kur nuk e kishin lexuar fare, pasi ai nuk u kishte dërguar kopje të dorëshkrimit. Edhe njëherë po përsëritej fati i tregimeve, shumë  vite  më   parë,  që   nuk   e   panë  kurrë dritën e botimeve

Kur kthehej në  shtëpi,  ulej  pranë  kompjuterit dhe shkruante diçka, të cilën e botonte në

ndonjë gazetë herë pas here. Librin me kujtime e mbante pranë, duke pritur ditën kur do t’i krijohej mundësia për ta botuar. Ndoshta mund të fillonte të shkruante ndonjë libër të ri në prozë ose poezi. Ndoshta edhe kjo mund  të  ishte  një ëndërr. Ndonjëherë hapte librin dhe lexonte pjesë  nga  ai.

Në ato çaste i kujtoheshin vargjet e Migjenit:

O kangët që fleni, reliket e mia,

            Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej

            Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,

            Unë djepi juej, ndoshta vorri juej! “

Një ditë iu afrua i biri dhe, duke e parë në atë gjendje, i tha:

– Babë, përse po mendohe?

Fatosi nuk donte t’i tregonte çfarë e shqetësonte

– Janë mendimet e pleqërisë, more bir!

Por i biri e dinte ku i rrihte  çekani  të  atit.  Mori USB-në, ku kishte regjistruar librin me kujtime dhe ia dërgoi një shtëpie botuese. Pas një muaji libri doli i botuar.

Përurimi i librit u bë në qytetin e tij bregdetar. U mblodhën  dashamirës të letërsisë.. Nuk mungonin edhe shkrimtarë dhe poetë të tjerë të njohur. Midis tyre edhe miqtë e tij, Shkëlzeni, Skënderi, Shpati, Ridvani. Kishte ardhur edhe shoku i tij i burgut, Mondi nga qyteti i Durrësit ku banonte. Mungonte Jani, shoku tjetër i burgut, që kishte shkuar në botën tjetër. Në këtë takim foli redaktori i veprës. Folën reçensuesit. Folën edhe të tjerë. Gjthsecili fliste ato që ndiente. Së fundi foli edhe Fatosi. Kur përmendi  grupin  e tij, para syve i dolën  dy shokët me të cilët kishte shpërndarë traktet nëpër qytet, ndaj  nuk  mund  të rrinte pa thënë edhe dy fjalë për miqtë e tij  më të ngushtë.                                                                                                                           Mondi ishte poet. dhe një  nga  këngëtarët  më  të mirë të moshës së tij. Kënga e tij e parapëlqyer ishte “Erëza malore” të cilën e këndonte vazhdimisht. Por regjimi ia preu atë në mes. Nuk e la të ligjëronte siç ia kishte ënda. Ai u detyrua të endej fshatrave të Peshkopisë, ku ishte vendosur familja e tij.

Jani   ishte  minoritar,  nga   Çatistra  e  Poliçanit,  buzë kufirit. Por në traktet që  shpërndanin ai shkruante: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”       Shpirti rebel i Janit nuk mund të duronte robërinë.  U arratis dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbaroi studimet e larta për kimist. Filloi të bënte karrierë. Por fati nuk i eci. Në moshë të re i mbylli sytë në dhe të huaj, larg atdheut, familjes, shoqërisë dhe me mallin e pashuar për to.

Më në fund ëndrra  ishte  realizuar.  Kishte  botuar  librin e tij të dytë.

                                                                        ***

– Përse nuk shkruan një roman? –  iu drejtua Fatosit Pjetri,  një shkrimtar, poet dhe redaktor  i njohur.

– Nuk e di nëse do të jem në gjendje, – u  përgjigj ai.

– Unë kam besim se po. Filloje dhe do ta shohësh që do t’ia arrish.

– Me kusht që të ma redaktosh ti!

– Patjetër.

Që atë ditë ai u ul dhe filloi të shkruajë. Temën e mori nga një tregim qe e kishte botuar në librin e parë me tregime. Qëllimi i tij ishte pasqyrimi i depersonalizimit të intelektualit shqiptar në vitet e sundimit komunist. Ditët kalonin dhe faqet e romanit shtoheshin vazhdimisht. Ngjarjet ndiqnin njëra-tjetrën. Fati i një inxhinieri , që e kishte njohur në burg, ishte  subjekti i tij. Ai ishte biri i një dëshmori të atdheut. Sigurimi i Shtetit i kërkonte të spiunonte dy shokë të tij, por ai nuk pranonte. E arrestojnë, e torturojnë por nuk dorëzohet. Së fundi tentojnë t’i përdhunojnë gruan dhe vajzën, pesëmbëdhjetëvjeçare,   në   sytë    e     tij.   Detyrohet    të nënshkruajë deklaratën e bashkëpunimit. Mirëpo tragjedia nuk   përfundon   këtu.  Vajza   çmendet   dhe  hidhet  nga ballkoni, ndërsa e  shoqja,  kur   ndjen   se   kishte  mbetur shtatzënë, helmon veten.

Romani   pati  sukses  të  plotë.  Fatosit  filluan  t’i vijnë përgëzime nga miqtë e tij. Një gazetar  e mori në telefon dhe e pyeti nëse kishte ndonje rast konkret të kësaj ngjarjeje, pasi donte ta botonte. Fatosi nuk guxoi t’ia tregonte. Inxhinieri në fjalë tashmë nuk jetonte dhe ai nuk donte që të afërmve të tij t’i hapej ajo plagë e pashërueshme.

Ndërkohë kishte filluar diskutimi i një ligji që së shpejti do të miratohej në Kuvendin e Republikës. Shoqata kishte bërë propozimet e saj për ndryshimet përkatëse dhe ia kishte paraqitur Kuvendit.

Një gazetare u paraqit në zyrën e Fatosit dhe i kërkoi një intervistë për këtë projekt-ligj. Ai pranoi. Iu përgjigj pyetjeve të gazetares. Së fundi ajo e pyeti:

– Cili është neni më i kontestueshëm sipas jush?

Ai u përgjegj:

– Neni   më   i  kontestueshëm  është  ai,  sipas  të   cilit  nuk  përfitojnë  dëmshpërblim  të përndjekurit që kanë qenë anëtarë të Byrosë Politike, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, prokurorët, gjykatësit që kanë dhënë dënime politike. Ndërmjet tyre kanë futur edhe ish-bashkëpuntorët e Sigurimit. Te kjo e fundit ne kemi shumë rezerva, sepse duhet të kujtojmë gjithnjë se çfarë presioni është ushtruar mbi ata persona. Duhet të kemi parasysh torturat që kanë kaluar në hetuesi, duke filluar nga ato fizike, deri te torturat psikologjike. Ka pasur raste kur i kanë përdhunuar vajzën ose gruan thjesht për të denoncuar një emër.

Fatosi kishte parasysh subjektin e romanit të tij dhe vazhdoi:

– Atëherë ne shtrojmë pyetjen: A është e drejtë    që    këta    njerëz     të   mos   marrin  dëmshpërblimin?

Nuk kishte kaluar më shumë se një javë, kur Fatosit i erdhi një letër pa autor dhe pa adresën e dërguesit.   Ishte    një   letër  e  shkurtër,  vetëm  një  faqe

fletoreje. Midis të tjerave autori i saj shkruante:

Edukata, kultura dhe veçanërisht humanizmi i një bashkëvuajtësi, mund të shfaqte një largpamësi të thellë dhe një ndjenjë të paarritshme për ata fatkeq të nenit mbi të drejtat e përfitimit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë. Jam edhe unë një nga ata fatkeqë të këtij neni. Jam intelektual dhe në një ose tjetër rrethanë gabova dhe pas dhjetë vjet burg po vuaj persekutimin e atyre dhjetë vjetëve dhe më tepër të atij neni, sepse nuk kam çfarë t’u them fëmijëve të mi përse nuk e përfitoj dëmshpërblimin. Është e tmerrshme dhe nuk di si t’u shpjegohem juve dhe fëmijëve të mi. Dëshiroj që para jush të mbetem një bashkëvuajtës anonim.

U prek tepër. Përmbajtja e asaj letre i zgjoi disa kujtime të tjera, të harruara.  U ul dhe shkroi një artikull, ku midis të tjerave citonte:

Ata një pjesë nuk janë më, kanë ndërruar jetë dhe ndoshta kanë bërë mirë për të mos dëgjuar se si  kërkojnë t’i diskreditojnë. Të tjerët që janë ende gjallë shohin punën e tyre dhe nuk kërkojnë të bëhen as deputetë, as këshilltarë ose kryetar bashkie dhe komune. As qeveritarë ose punonjës të rangjeve të larta të administratës shtetërore. As kryetarë partish politike ose shoqatash të ndryshme dhe as drejtues të mediave. Në  rast  se  duhej pastruar, e para duhej të ishte politika që duhej të jepte shembullin. Duhej të ishin të pastra  presidenca, parlamenti, qeveria, organet e drejtësisë, të zgjedhurit vendorë, administrata shtetërore, mediat e shkruara dhe ato vizive. Për këtë është miratuar edhe një rezolutë përkatëse që për çudi ka mbetur për kalendat greke zbatimi i saj. Le t’u hapen atyre më parë dosjet. Mos vallë trembeni për përmasat që mund të marrë largimi i tyre?

Para   syve   i   dilnin   disa  raste  të  tilla  që  ishin detyruar të nënshkruanin një deklaratë të tillë. A mund të ndëshkoheshin tani për këtë vepër? Fatosi nuk mund të ishte dakord me një veprim të tillë. Më parë duheshin ndëshkuar ata që i detyruan të nënshkruajnë. U kthye te kompjuteri dhe vazhdoi:

Lërini   të   qetë  këta  gjynahqarë  që  u  detyruan forcërisht për të bërë një veprim të tillë. Dhe hipokrizia qëndron në atë që sot, këta qyqarë, do t’i rigjykojnë përsëri po ata punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe komiteteve të partisë ose bijtë e tyre. A mund të ketë moral një veprim i tillë? Ky do ishte në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të nënshkruara edhe nga shteti ynë.

Personalisht bënte pjesë  në  atë  grup  të  madh  të përndjekurish që nuk patën fatin e keq të këtyre mëkatarëve. Kjo jo se ishte më rezistent se ata, jo se i duroi me stoicizëm torturat e tmerrshme të asaj periudhe, por se pati fatin e mirë, të mos i provonte ato në masën që i kanë provuar ata. Për fatin e mirë se, për  arsye që edhe sot nuk arrinte ta kuptojë, Sigurimi i Shtetit nuk kishte vendosur ta detyronte të  nënshkruante.  Në të kundërt edhe ai ndoshta do të kishte  bërë  pjesë në këtë kategori.       Lexonte dhe  rilexonte letrën e të panjohurit. Në të ndjente dhimbjen e një të penduari për një gabim që kishte kryer në një çast të vështirë.

Është e tmerrshme dhe nuk di si  t’u  shpjegohem juve dhe fëmijëve të mi.                            

Shkruante ai në letrën e tij  dhe  kishte  të  drejtë. Ringjallja e atij kujtimi të hidhur ishte vdekjeprurëse për viktimën. Vazhdoi të shkruante:

Dua t’i drejtohem Presidentit të Republikës, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe ministrave përkatës,   deputetëve   të   Kuvendit,    organizatave    për

mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediave në të gjithë vendin dhe t’u them:

            – Kujtoni rrugën nëpër të  cilën  kanë  kaluar  këta fatkeq! Mos ua lëndoni më plagët e tyre që ende nuk janë tharë! Mos i detyroni të turpërohen para fëmijëve, të afërmve dhe miqve të tyre! Në rast se keni vendosur të bëni një gjë të tillë, atëhere hapuani më parë atyre që i detyruan të bëjnë një veprim të tillë! Hapuani  edhe  atyre

që duan të ngjisin shkallët e karrierës!

            Kujdes për  ata që janë  rrëzuar!

Së fundi, Kuvendi e hoqi krejtësisht nenin në fjalë. Mëkatarët shpëtuan nga diskreditimi. Por, së bashku me ta, shpëtuan edhe kriminelët që i kishin duart ende të lyera me gjakun e të pafajshmëve, pasi duke u hequr krejtësisht neni, së bashku me të u hoq edhe ndëshkimi që ky nen u jepte anëtarëve të Byrosë Politike, punonjësve të Sigurimit të Shtetit, prokurorëve, gjykatësve që kishin dhënë dënime politike, pra të gjithë atyre që kishin qenë pjesë e terrorit.

Kështu, shteti demokratik, vuri në një plan si kriminelët ashtu dhe viktimat e tyre.

*Fragment nga romani “Ne kerkim te Lirise”

Filed Under: LETERSI Tagged With: endrrat, fragment, reshat kripa

Lotët e asaj vajze

August 2, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*/

Vjeshta e atij viti. Në një nga ditët e  asaj  vjeshte, nga Ministria e Arsimit,  erdhën disa kërkesa për të drejta studimi për në arsimin e lartë, për të përndjekurit politikë.  Duhej të zgjidheshin personat që do të vazhdonin studimet. U mblodhën kërkesat dhe kryesia e shoqatës filloi diskutimin për të caktuar kush do të përfitonte dhe në cilin fakultet. Pasi kishin diskutuar disa nga anëtarët e kryesisë, u ngrit Fatosi:

– Gjithmonë kam patur një ëndërr. Desha të studioja. Desha të bëhesha dikush. Por regjimi nuk më lejoi. Tani jam në moshë të thyer. Megjithatë këtë dëshirë vazhdoj ta kem dhe më duket se sot ka ardhur dita që ta realizojë. Ndaj ju drejtohem juve, të dashur miq, po e  patë  të  arsyeshme,  më   jepni  njërën  nga  të drejtat e studimit.

Asnjë nuk foli. Për disa minuta mbretëroi heshtja. Së fundi u ngrit  Visari:

– Unë jam dakord dhe kam besim të plotë se  do  të  na  nderojë.

Nuk   kundërshtuan.  Miratuan   listën  e  emrave fitues   dhe   ngarkuan   Fatosin,  si  sekretar,  që  të  bënte shkresën përkatëse.

Kaluan disa ditë. Ishte përpiluar  shkresa  dhe  po pritej që të vinte kryetari për ta nënshkruar. Fatosi qëndronte në zyrën e shoqatës dhe priste të  përndjekurit që kishin probleme.

Trokiti porta.

– Hyni! –  tha ai.

Në zyrë hyri një vajzë. Fatosit iu duk si  një  fytyrë e njohur por nuk i kujtohej se ku. I zgjati dorën, e ftoi të ulej dhe i tha:

– Përse jeni munduar?

Vajza vuri buzën në gaz.

– Nuk po më njihni?

Fatosi qëndroi i habitur. Iu duk sikur  në  ato  çaste kujtesa i  kishte fluturuar. Ajo e kuptoi dhe foli:

– Jam Sandra Mino.

– Sandra? Vajza e mikut tim?

U ngrit, e përqafoi fort dhe e puthi në ballë.

– Xhaxhai si është? –  pyeti.

– Xhaxhai nuk jeton më, – u përgjigj ajo. – Ka disa vjet që i ka mbyllur sytë.

Për një çast Fatosi e ndjeu veten  ngushtë. I erdhi shumë keq që nuk  e  kishte  marrë vesh këtë lajm më parë.

– Përse je munduar, moj bijë? – e pyeti.

– Kam  dëgjuar  se  ju  kanë ardhur disa  të  drejta studimi. A e mbani  mend  se ç’më  thatë  ditën  e  fundit kur u takuam para disa  viteve? Mendova  se  erdhi  dita  e plotësimit të ëndrrës sime.

Fatosi mbeti keq. Listat ishin përfunduar dhe  bërë gati për t’u nënshkruar. Si t’ia bënte? A mund të hiqte ndonjë dhe të shkruante emrin e saj? Nuk e kishte atë të drejtë.

– Po   je   kujtuar    vonë,   moj   vajzë  –   i   tha.  –  Tashmë listat janë miratuar.

– Tani e  mora  vesh  –  tha  ajo  dhe  nga  sytë  i  rrodhën  disa  pika  lot.

Fatosit  iu  kujtua  ngjarja  e  disa viteve më parë, kur nga sytë  e  saj  kishte  parë  të  rridhnin të njëjtët  lot si sot.

            Atë   mëngjes   ishte    ngritur    herët.  Duhej   të  kapte trenin e orës 6.oo. I ishte bërë zakon që kur kishte ndërmend të udhëtonte të ngrihej disa orë para kohës së caktuar. Duhej të shkonte në Tiranë. Vëllai i tij, Kreshniku, ishte shtruar në spital dhe i duhej të  interesohej për të. Në pasdite duhej të kthehej përsëri se të nesërmen detyrimisht duhej të paraqitej në punë.

            Mbërriti në stacion dhe shkoi te biletaria. Një radhë e gjatë ishte para sportelit. Ishte e diel dhe njerëzia kërkonin t’i zgjidhnin problemet e tyre në të vetmen ditë pushimi. Në radhë pa Astritin, një shokun  e  tij. I dha lekët dhe ai i preu biletën.

– Eja, –  tha Astriti  pasi  doli  nga  radha.

–  Kam dërguar gruan dhe djalin të zenë vendet.

– Ku do të shkoni? – e pyeti Fatosi.

– Në Fier.

Hipën në tren dhe filluan të kërkojnë vagon më vagon, ku ishin gruaja dhe djali i tij. Së fundi i gjetën. Astriti u ul në vendin që i kishin ruajtur ato. Vendet e tjera ishin të zëna. Madje kishte edhe një shumicë njerëzish që qëndronin në këmbë.  I vetmi mjet për trasportin e udhëtarëve ishte i tejmbushur.

Ndërkaq sirena oshëtiu dhe treni u nis duke rrëkëllitur rrotat sipas ritmit.

– Ku   shkoni? –  i   tha  një  burrë  që  qëndronte pranë tij.

– Në Tiranë, – iu përgjigj.

– E paskemi rrugën bashkë, – vazhdoi – por, si duken bathët, do ta bëjmë të gjithë më këmbë.

            – Mos  u   merakos,  –   iu  përgjigj  Fatosi 

–  Në Fier  do të zbresë ky miku  im  me  gjithë

familjen  dhe   ulemi   në  vendet e tyre.

– Po ti rrofsh se më hoqe sikletin! – tha me një zë që shprehte kënaqësi i  panjohuri.

– Nuk kam  hallin tim, por të kësaj kërthisë që kam me vete.

            Fatosi hodhi vështrimin nga drejtimi  që  tregoi  ai  dhe dalloi një vajzë që nuk duhej të  ishte  më  shumë  se tetëmbëdhjetë vjeç. Ishte një bukuri e rrallë. Sytë e zezë, vetullat në formën e hënës së porsalindur, hunda  e  vogël dhe buzët e kuqe i jepnin një hijeshi të veçantë asaj fytyre.

Ndërkaq mbërritën në Fier. Astriti zbriti dhe ata u ulën. Fatosi në një anë dhe i panjohuri përballë tij, së bashku me vajzën.

– Vajza jote? – e pyeti.

– Jo, mbesa, – u përgjigj dhe me një zë të ulët, që të mos e dëgjonte ajo, vazhdoi

– Është jetime. Dy muaj më parë i vdiq i ati, vëllai im.  Tani kujdesem unë për të.

I panjohuri ishte nga ata tipa që zinin miqësi menjëherë.

 – Do të shkojë në Tiranë të interesohem për t’i nxjerrë të drejtën e studimit për shkollën e lartë.

            – Nuk i paska  dalë?

– Jo

– Përse?  – e shtyu kureshtja Fatosin ta pyes.

            I panjohuri hapi  çantën që mbante në duar  dhe  i tregoi  deftesën   e  pjekurisë. Fatosi  shtangu. Të  gjitha notat ishin dhjeta. Si kishte mundësi? Hodhi vështrimin nga vajza dhe pa sytë e saj  të bukur dhe iu duk sikur  prej tyre rridhnin dy pika lot. Mendoi se me siguri ajo duhej të kishte diçka në biografine e saj.   

                – Ngrihe   kokën,   vajzë! –  i    tha   për   ta   qetësuar. 

–  Të  siguroj  se  së shpejti  do  të  shkosh në universitet                                                                                                                         

Ajo  fshiu lotët dhe pëshpëriti: – A thua?                                                                                                                                

Në ato dy fjalë Fatosi dalloi dëshirën për të studiuar dhe për të dalë në jetë. Xhaxhai hodhi një vështrim dhe bëri një shenjë që ai nuk e mori vesh se ç’donte të thoshte. Nuk e zgjati më. Ktheu vështrimin nga dritarja dhe po shikonte drurët e pemëve që fluturonin në drejtim  të kundërt me lëvizjen e tij. Papritur pranë  veshit   dëgjoi  një zë që pëshpëriti: – Eh, or mik! Nuk rri dot pa jua thënë dy fjalë.                                                                                   

Fatosi ktheu kokën dhe pa xhaxhanë që  ishte afruar pranë veshit të tij dhe pëshpëriste me zë të ultë që të mos e dëgjonin ata që ishin aty pranë.                                                                    

– Kam  frikë! Kam  frikë  se  do  të  na  dalë  rruga bosh.                                                     

– Përse?                                                                                                                                   

Nuk u përgjigj. Qëndroi disa minuta në heshtje, pastaj vazhdoi:  – Të dalë, ku të dalë. Do t’jua them.                                                                                   

    – Si është puna? – pyeti Fatosi.                                                                                            

 – Babai i saj dhe  vëllai  im  ka qenë në burg për politikë. U dënua me  njëzet vjet. Pasi  u lirua e martuam me një të rradhës së tij. U lindi kjo vajzë. Para dy muajsh tim vëlla e zuri sëmundja e keqe që e hoqi nga kjo jetë.  Fatosi u bë kureshtar të mësonte se në çfarë periudhe ishte burgosur i vëllai.                       

– Kur është burgosur?                                                                                                          

   – Në vitin 45.                                                                                                                         

  – Si e quanin?                                                                                                                         

– Josif Mino                                                                                                                            

Fatosit i çeli fytyra. E kishte njohur. Fati e  kishte sjellë që të endeshin bashkë nga njëri kamp në tjetrin.  Ishte një intelektual i vërtetë, por edhe nje njeri i veçantë.  I  erdhi shumë keq kur mësoi se nuk jetonte më.                                                                                                               

– Ngushëllime! – i tha mikut.                                                                                                 

  Ktheu vështrimin nga vajza. Ajo ishte zhytur në leximin e një libri dhe nuk dëgjonte se ç’pëshpëritej rreth e rotull.                                                                                                                   

– Më vjen shumë keq, – vazhdoi –  e kam njohur. Kemi qenë së bashku.                        

– Ashtu?  Ma   ndolli   zemra!   –  klithi   ai   dhe  i  qeshi  fytyra. Pastaj vazhdoi:  –  Josifi ishte djali i madh i shtëpisë. Babai, bëri si bëri, dhe mundi të siguronte një shumë të hollash  dhe ta dërgonte për studime në Romë. E  mbaroi   me   rezultate   të   shkëlqyera.   Sandra,    kështu quhet vajza, atij i ka ngjarë.                                                                                                                  

  – Ku do të shkoni?                                                                                                                  

– Kam një kushëri në Ministrinë e Arsimit.  Nuk   e di   në  se  do  të  mbarojë  punë   por,  sidoqoftë,  do  e  hedh edhe këtë zar.                                                                                                    

Fatosi hodhi vështrimin nga vajza dhe para syve i doli rinia e tij. Kishte mbaruar shkollën e mesme me rezultate të larta. Kishte bërë  kërkesë për vazhdimin e studimeve, por i ishte  refuzuar.   Një   mik   i kishte  sugjeruar   të   shkonte   të   takonte  Ministrin  e  Arsimit  në Tiranë.                                                                                                                                    

– Shpresoj të të ndihmojë, – i  kishte  thënë  miku. –  E  kemi patriot. Ai e njeh familjen tënde.                                                                                                                                                                   

Kishte shkuar. Ministri  nuk  ndodhej në Tiranë. E kishte  pritur zëvendësi i tij. I kishte  treguar  gjithçka, edhe  për  burgun  që   kishte  bërë. Së fundi,  i kishte treguar dëftesën e pjekurisë. Si e kishte vështruar  mirë  e mirë, zëvendësministri kishte thënë:      

  – Djalë i mirë, shko puno dhe jeto i qetë. Mos u mundo të kërkosh më tepër.                                  

Ato fjalë i kishin dhënë të kuptonte se rrugët  për të vazhduar më tej ishin të mbyllura.                      

Këto gjëra mendonte duke vështruar vajzën me dy pika lot në sy. Në ndërgjegjen e tij ndiente se edhe ajo do të merrte të njëjtën përgjigje. Ishte koha e zhgënjimeve të mëdha, e ëndrrave të parealizuara, ëndrrave të kyçura.                                                                                 

Ndërkohë u ndie një zë  nga qendra e zërit të trenit:                                                            

– Po mbërrijmë në stacionin e Tiranës. Ju  lutemi pasagjerëve të mos harrojnë plaçkat. U ngritën dhe dolën. Udhëtuan një copë rrugë së bashku, pastaj u ndanë, ata për te kushëriri i tyre, ndërsa ai  për në spital. Pas    ndonjë    muaji    Fatosi     e    takoi    vajzën rastësisht.                                            

– Fillove? –  e pyeti me kureshtje.                                                                                       

   – Jo, – u përgjigj ajo me një zë të dridhur dhe lotët i rrodhën përsëri nga sytë.                     

– Mos u mërzit, – i tha ai për ta qetësuar, –  je  e  re dhe do të vijë dita që të plotësosh ëndrrën tënde.                                                                                                                                            

  U ndanë. Ajo iku  me  kokën  e  ulur  dhe  atij  i dukej sikur vazhdonte të lotonte.

Pikërisht këta lot iu kujtuan në ato çaste. Iu duk sikur vajza vazhdonte të jetonte atë kohë të zymtë.

E mblodhi veten. U mendua një çast dhe më në fund vendosi. E kishte një mundësi për ta ndihmuar atë vajzë. Dhe ajo mundësi ishte ai vetë. Ajo do të zinte vendin e tij në listë. Ishte e re, plot energji, ndërsa ai pothuajse në fund të rrugës së tij. Si mund të dilte para saj?

– Leri lotët, – i tha. – Ti do të jesh në krye të listës

– Vërtetë? – thirri ajo pa arritur të  kuptojë se çfarë kishte ndodhur.

– Mos pyet më tepër. Mëso që të shkëlqesh si në gjimnaz dhe të bëhesh e vlefshme për këtë vend. Atdheu ka nevojë  për  njerëz  si ti.

U ngrit dhe e përqafoi. Lotët vazhdonin të mbulonin fytyrën e saj. Por këtë herë ishin lot gëzimi.

*Fragment nga romani “Në kërkim të Lirisë”

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lotët e asaj vajze, reshat kripa

Mos e harroni Bujar Kaloshin

July 26, 2016 by dgreca

Në 20 vjetorin e rënies/

Nga Reshat  Kripa/

Në përvjetorin e rënies së martirit  Bujar Kaloshi, nuk e di sepse m’u kujtuan vargjet e një poezie të një poeti anonim, që më ranë në duar disa ditë më parë. Në vargjet  e asaj poezie shkruhej:

O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë!

Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?

Thellë në zemër më  goditën, më goditën në Tiranë,

Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.

Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,

Kur goditën zemrën djalit, trimit tim të paharruar.

Dhjetë vjet kam që  lëngoj, dhjetë vjet kam që po  pres,

Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë!

Nuk e di sepse këto vargje e prekën thellë zemrën time. Para syve më doli fytyra e qeshur dhe plot gjallëri e Bujar Kaloshit, në ato ditë të zjarrta të ndërrimit të sistemeve. Djaloshi i lindur dhe rritur baltrave të Plugut dhe Gradishtës, ku ishte internuar familjarisht, nuk kishte si të mos ishte i qeshur dhe plot gjallëri, në ato ditë historike kur zemra e tij vlonte  nga dashuria për lirinë dhe demokracinë e mohuar për gati pesëdhjetë vjet. Më dilte para syve fytyra e këtij trimi, që pa hezituar u bë një nga nismëtarët e shoqatës tonë, duke qëndruar gjithmonë në ball të saj. E shihja atë djalë të lidhur pazgjidhmërisht me Partinë Demokratike, me të cilën u bashkua pasi tek ajo shikonte të mishëruara  të  gjitha  parimet  për  të  cilat kishte luftuar fisi i tij i madh.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Më kujtohet ajo ditë e zezë e 26 korrikut të vitit 1996, kur duart kriminale të trashëgimtarëve të etërve sadistë komunistë, qëlluan zemrën e këtij djaloshi. Ato plumba nuk goditën vetëm zemrën e Bujarit. Ato goditën zemrat e mijëra të përndjekurve politikë, në të katër anët e atdheut tonë të martirizuar. Goditja ishte preludi i asaj që po përgatitej prej kohësh, përmbysja e fitoreve të demokracisë së porsalindur dhe rivendosja e pushtetit të ish komunistëve. Kjo gjë u realizua një vit më vonë,  nëpërmjet rebelimit të armatosur të vitit 1997.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Kemi njëzetë vjet që atë nuk e kemi më midis nesh. Kemi njëzetë vjet që presim të ndëshkohen kriminelët që qëlluan mbi të. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Më lejoni të përmend këtu emrat e ndritur të anëtarëve të tjerë të shoqatës sonë që kanë rënë nën breshërinë e plumbave të barbarëve, emrat e Lekë Çokut, Besnik Hidrit, Besim Manolit, Valter Harizajt, Viron Rrapajt, Gëzim Shabanit, Bashkim Shkurtit, Fredi Shehut dhe plot të tjerëve. Të gjithë këta prehen në varr pa gjetur qetësi, pasi fajtorët nuk janë ndëshkuar ende.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

 

Gjaku kërkon gjakun thonë! U ngritën gurët nga varret dhe folën! U ngritën malet dhe thanë dhe më i mbrapmi vrasës u ndëshkua!

 

Kështu shkruante Shekspiri i madh disa shekuj më parë. Kurse në vendin tonë, në shekullin e XXI-të, ky ligj nuk funksionon. Kriminelët enden lirisht rrugëve Brukselit apo Zurihut, madje edhe atyre të Tiranës, duke kryer krime  të  tjera  dhe  shteti shqiptar  nuk është i zoti t’ia kthejë drejtësisë. Nuk e dimë, nuk është e zoti, apo mos vallë nuk do që t’ia kthejë? Kjo pyetje kërkon përgjigje nga autoritetet shqiptare.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Ndëshkimin e fajtorëve e kërkon zemra e babait të tij krenar, zemra e nënës së tij të përvuajtur, zemra e gruas së tij të re, zemrat e vajzave që u rritën pa prindin e tyre pranë, zemra e vëllait dhe motrave të tij. Ndëshkimin e fajtorëve e kërkojmë edhe ne, shokët e tij të vuajtjeve dhe halleve. E kërkon edhe shpirti  i  tij  që  nuk  mund  të prehet në paqe deri sa të vendoset drejtësia.

Dhe vargjet e poetit anonim më dalin përsëri përpara syve të mi:

 

Seç më  duket që  nga larg, zëri djalit po ushton,

Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon,

Uturon sot nëpër shkrepa,  zëri i djalit të ri,

Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!

 

S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,

Ato le t’i lemë më prapa, ato brezat le t’i nxënë.

Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot  rehati,

Dua vetëm  drejtësi, të prehem në qetësi!

 

Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,

Biri yt ka fluturuar lart në qiellin e amshuar!

Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,

Si simbol të burrërisë, për  jetë i paharruar!

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Tiranë, 26 korrik 2016.

Filed Under: ESSE Tagged With: 20 vjetori, BUJAR KALOSHIN, MOS E HARRONI, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT