• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush ma rrëmbeu djalin?

April 11, 2016 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA*/

Po punoja si çdo ditë në zyrën time, kur degjova një të trokitur të lehtë në portë.

– Hyni! – fola me zë të lartë.

Në zyrë hyri një burrë i moshuar. Fytyra e tij tregonte një dhimbje të madhe. Mbylli derën dhe u ndal mbas saj.

– Urdhëroni! Urdhëroni! – e ftova unë.

U afrua me ngadalë dhe kur  erdhi pranë meje i zgjata dorën të cilën e kapi me të dy duart.

– Mirdita more bir! – më foli – Quhem Milto Neranxi dhe jam nga Himara. Kam ardhur te ju për t’ju treguar historinë time, ose më mirë të djalit tim të zhdukur nëpër labirintet e diktaturës komuniste.

– Uluni, uluni! – e ftova duke i bërë shenjë nga karrikja. Porosita të na sillnin dy kafe dhe ju drejtova mysafirit të porsa ardhur:

– Jam gati t’ju degjoj.

– Ngjarja për të cilën do t’ju flas, – filloi ai – është aktakuza  ime ndaj diktaturës së përmbysur dhe disa individëve që u bënë mishërimi i saj. Ata individë janë edhe sot dhe jetojnë me fytyra  anonime.

Këtë aktakuzë e bëjë unë plaku 80 vjeçar i rënduar nga humbja e djalit në labirintet e diktaturës çnjerëzore. E bënë shpirti i një nëne që u nda nga kjo botë mbasi nuk mundi të duronte humbjen e djalit. E bënë një grua 25 vjeçare që humbi burrin dhe jetën e saj. E bëjnë dy fëmijë që një dorë gjakatare i detyroi të rriten pa përkëdheljen e babajt të tyre. Së fundi këtë e bënë edhe çdo njeri i ndershëm që dëgjon për bëmat monstruoze të zhdukjes enigmatike të sa e sa personave si im bir.

Plaku mori frymë thellë duke lëshuar një psheretimë të zgjatur. Ndërkohë mbërritën dy kafet që kisha porositur.

– Gëzuar! – i thashë duke iu drejtuar plakut të gjorë.

E ktheu filxhanin me ngadalë duke pëshpëritur një urim të cilin nuk arrita ta kuptoja. Drodhi një cigare nga kutia e tij dhe më drodhi edhe një mua. Po e shikoja me vëmendje në fytyrë duke pritur vazhdimin e tregimit. Ishte një histori shumë interesante. Megjithatë nuk i fola por prisja që ai të fillonte vetë. Por plaku vazhdonte të pinte kafenë pa folur. Edhe unë vazhdoja gjithashtu të pija pa folur. Së fundi si e mbaroi të gjithë ai filloi:                                                                                                                   – Leandro Neranxi ose Levisi si e thërrisnin shokët e tij ishte im bir. Ishte vetem 32 vjec. Punonte në fabrikën e ekstraksionit ne Himarë. Nuk do ta harroj kurrë datën e 15 shkurtit te vitit 1988. Shkoi në punë në turnin e dytë dhe nuk u kthye më kurrë. E pritëm me ankth kthimin e tij. Ishte një pritje e tmerrshme. Sidomos unë që dija disa gjëra për të isha shumë i shqetësuar. Pas mezit të natës u ngrita dhe shkova në fabrikë. Atje pyeta për të por më thanë se Levisi nuk ishte paraqitur fare në punë. Ç’të bëja? U ktheva në shtëpi. Gruas dhe nuses u thashë se do punonte dy turne për të zëvendësuar një shokun e tij. Ajo ishte nata më e gjatë e jetës time.                                                                                                                                   Kështu në ankth kaloi dhe dita e nesërme. Levisi nuk po bëhej i gjallë. Ku të ishte vallë? Mendja më shkonte në lloj lloj rrethanash misterioze e të frikëshme.

– Mos është ndonjë femër në mes or burrë? – pyeti gruaja që kishte filluar të shqetesohej edhe ajo.                                                                                                                                                                        – Jo moj grua jo! – iu përgjigja unë i bindur për ato që thoja. Një gjë e tillë nuk  ishte  e mundur. E njihja karakterin e tim biri. Ai nuk do të pranonte kurrë të braktiste gruan dhe fëmijtë për këdo tjetër. Të nesërmen shkova në polici dhe u thashë për djalin. Ata u hoqën sikur nuk dinin asgjë. Operativ Agimi më sugjeroi që të pyesja  njerëzit e mij në Tiranë, Fier dhe Lukovë. I mora që atë ditë të gjithë në telefon por ata nuk dinin asgjë.  Në këtë kohë plaku nxorri përsëri kutinë e duhanit dhe drodhi cigaren e dytë. Më ofroi edhe mua, por i thashë se nuk e pija. Si e thithi tre katër herë vazhdoi:

– Pas dy ditësh në mbrëmje në shtëpi vjen operativ Agimi, i shoqëruar nga Spirua, Kryetari i Këshillit të Bashkuar dhe disa policë të tjerë. Kontrolluan dhe bastisën gjithçka. Së fundi Agimi më pyeti se ku ndodhej fotografia e gjyshit. Ishte  nje  fotografi  e madhe e vjetër e vendosur në kornizë. Ia tregova. E mori  e nxorri nga korniza dhe mbrapa saj gjeti një letër të cilën e futi në xhep.

– Ç’është ajo letër – e pyeta unë.

Nuk më ktheu pergjigje. Si kontrolluan edhe pak dhe nuk  gjetën  asgjë  u  larguan pa folur asnjë fjalë. Pas disa ditësh më njoftuan se duhej të paraqitesha te operativ Agimi. Shkova dhe më futën në zyrën e tij.                                                                                                                                          – Djali yt  ka tradhëtuar atdheun, – më tha – dhe është arratisur në Greqi. U largova duke mos besuar në variantin e ri që më serviri. Makari të kishte qënë e vërtetë një gjë e tillë. Por zemra më ndillte se kjo nuk ishte kështu.  Im  bir  nuk  mund  ta bente një gjë të tillë. Ai  më kishte treguar shumë gjëra të tjera dhe po ta kishte ndër mend një gjë të tillë, me siguri do të ma thoshte. Një e dridhur më përshkoi   trupin.  Për  herë  të parë më lindi mendimi se djalin ma kishin vrarë dhe shpikën alibinë e arratisjes për të mbuluar gjurmët.  Plaku drodhi cigaren e tretë dhe përsëri më ofroi edhe mua një. Kësaj here nuk e kundërshtova por e ndeza edhe unë. Porosita edhe dy kafe të tjera. Kur ato erdhën filluam t’i pimë me ngadalë. Pastaj plaku vazhdoi: – Megjithatë doja të sigurohesha. Shkova në Vlorë dhe në Tiranë. U interesova në Degën e Punëve të Brëndëshme dhe në Ministri. Por kudo mora të njëjtën pergjigje. Telat ishin rakorduar kudo njëlloj. Kur isha në Tiranë i shkrova një letër një kushuririt tim që jetonte në Greqi. Ai u interesua dhe mbas një farë kohe më ktheu pergjigjen. Djalit nuk i gjendej asnjë shenjë. Atëhere m’u forcua bindja se djalin ma kishin zhdukur. Një gjë të tillë ma forconte më tepër edhe një episod që ma kishte treguar djali para ca kohe.   Plaku heshti dhe po mendohej. Une rrija dhe prisja pa folur. Në këtë kohe hyri në zyrë një punonjëse që më pruri një shkresë për ta firmosur. E firmosa pa e patur mendjen aty dhe i bëra shenjë që të largohej. Pas një heshtje të gjatë plaku vazhdoi: – Një ditë e thirri Agimi dhe i propozoi të bëhej bashkëpuntor i sigurimit. Djali nuk pranoi. Tradita familjare nuk e lejonte të ushtronte atë profesion të ndyrë. E mbajtën katër orë nën presion të vazhdueshëm . Në fund e lanë të lirë duke e këshilluar që të mos i tregonte kurkujt për sa kishte ndodhur. Pas disa ditësh e morën përsëri dhe e çuan në njerën nga dhomat e hotel ‘’Adriatikut‘’ në Vlorë. Atje Pirrua, Nënkryetari i Deges, i kërkoi që t’i dilte dëshmitar Lea Dhimojanit që ishte arrestuar disa  muaj  më  parë.  Djali nuk pranoi përsëri. Atëhere filluan ta torturojnë. E mbajtën dy ditë. Kur u kthye në shtëpi dukej i shpërfytyruar. U  trondita  shumë kur e pashë në atë gjendje. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. M’i tregoi të gjitha.  – Të lumtë more bir! Nuk më paske turpëruar. – i thashë me krenari duke e përqafuar.  Që atë ditë nuk e thërritën më. Mendova se  e  kishin  harruar.  Por  u  gabova.  Pas  dy muajsh ata e morën për të mos e kthyer më. Një gjë të tillë ma forcon fakti i letrës që gjeti Agimi në fotografinë e gjyshit. Kush i kishte thënë atij që aty kishte një letër, ku as unë nuk e dija një gjë te tillë? Me siguri ka qenë im bir i shtrënguar nga torturat çnjerëzore që do t’i merrnin edhe jetën.  Pas një viti na ndodhi edhe fatkeqësia tjetër. Gruaja nuk e duroi dot dhimbjen  dhe mbylli sytë përgjithnjë. Kjo është e gjithë historia për të cilën kam ardhur te ju. Dua vetëm një gjë. Hidhini në letër dhe botojini në ndonjë gazetë. Nëqoftëse nuk munda të zbuloj gjë , të paktën njerëzia të mësojnë tmerret e asaj periudhe.                                                                                                                                                         I premtova se do t’ia plotësoja dëshirën .Gjithashtu i thashë se do ta ndiqja çështjen në komisariatin e policisë ku kryetar ishte një miku im  – Nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. – më tha – U interesova. Takova edhe kryetarin. Ishte një burrë i mirë. Kërkoi gjithandej por nuk gjeti asgjë. Ata i kishin zhdukur të gjitha dokumentat. Ndërsa shkaktarët e këtij krimi Pirrua, Agimi dhe Spirua kishin fluturuar në Greqi  ku një djall e di se me se merren.  U mundova edhe deri në Greqi, por përsëri nuk gjeta asgjë.

U ngritëm dhe dolëm përjashta. Iu luta të rrinte për darkë dhe të kalonim atë natë bashkë. Nuk pranoi. E përcolla deri te autobuzi i Himarës. U përqafuam dhe u ndamë. Kur u nis autobuzi e përshendeta me dorë.  Që nga ajo ditë nuk e pashë më. Pas nje viti mësova se kishte vdekur. Tregimin tim e përmblodha në një shkrim që e botova në gazetën lokale dhe në një nga gazetat qëndrore.

* * *

Kaluan 20 vjet nga dita kur Milto Neranxi më tregoi historinë e mësipërme. Po lexoja një libër kur ndjeva zilen e celularit të tingëllonte.

  • Jam Petro Neranxi, – dëgjova zërin e folësit nga ana tjetër e telefonit. – Dua të bisedoj me

Do të keni mundësi?

  • Me kënaqësi, – iu përgjigja.

U ulëm në një kafe.

  • Jam djali i Leandros, – më tha. – Qysh ditën që gjyshi u nda nga kjo jetë, nuk kam rreshtur së

kërkuari vendin ku e kanë varrosur tim atë. Nuk kam lënë njeri nga ata që dikur shërbenin në organet e punëve të brendëshme pa e pyetur, por nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje. Të gjithë heshtnin. U interesova edhe në Arshivën e Ministrisë së Brendëshme dhe ata më dhanë një dokument ku  thuhej se Leandro Neranxi ishte mbytur në det në tentativë për t’u arratisur në Greqi. Një alibi të tillë nuk kisha si ta besoja. Më kujtoheshin fjalët që më kishte thënë gjyshi  se në Degën e Punëve të brendëshme i kishin thënë që Leandrua ishte arratisur në Greqi. Si ka mundësi që tani dilka që qenka mbytur?

Unë rrija pa folur dhe e dëgjoja. Nuk gjeja fjalë për t’iu përgjigjur. Si nuk kishte asnjë nga pjesmarrësit e kësaj masakre të pashembullt që ta detyronte ndërgjegja e tij për t’i treguar djalit vendin ku preheshin eshtrat e të atit, në mënyrë që të vendoste edhe ai një tufë me lule ose të derdhte dy pika lot mbi varrin e tij? Apo, mos ndoshta, nuk kishin fare ndërgjegje?

Në këto çaste pyes:

  • Po shteti shqiptar a mos vallë nuk paska fuqi të zbulojë ku ndodhen eshtrat  e  të  rënëve  për

përmbysjen e sitemit totalitar. Apo ndoshta edhe shteti, sikurse edhe pjesmarrësit e masakrave të tilla, nuk do t’i zbuloje ato, pasi do që atë periudhë ta kalojë në heshtje  sikur nuk ka ndodhur asgjë?

U shkëputa nga mendimet. Hodha vështrimin nga djaloshi. Ai po largohej ngadalë, ngadalë duke pëshpëritur diçka me veten e tij. Mua më dukej sikur ai përshpëriste vargjet e një poezie të një mikut tim:

Po kërkoj,

kërkoj më kot,

të gjej vendin

ku ka rarë,

nuk e di

a ka në botë

një të vdekur

pa një varr?

* Marrë nga libri me tregime “Një tregim për mikun tim” botim i vitit 2004

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kush ma rrëmbeu djalin?, reshat kripa, Tregim

RESHAT KRIPA, I BURGOSURI POLITIK I ARRESTUAR NE MOSHEN 15 VJECARE

April 2, 2016 by dgreca

“Njeriu i ri socialit” që ndërtoi sistemi i përmbysur është pikërisht ai që sot është shndërruar në pushtetar, biznesmen i madh, trafikant droge, femrash, fëmijësh e të tjera. Në Shqipëri sot kërkohet të ndërtohet sistemi kapitalist me mentalitetitn komunist që nuk është shkulur nga ndërgjegja e qytetarëve megjithëse kanë kaluar 25 vjet.  Kripa/

–Z.Kripa si e keni përjetuar fëmijërinë tuaj dhe më konkretisht cilët janë prindërit e tu?

 Reshat Kripa: Kam lindur më 28 janar 1936 në qytetin e Vlorës. Rrjedh nga një familje intelektuale qytetare. Im atë, Qazim Kripa, kishte kryer studimet në “Robert College” në Stamboll. U kthye në atdhe në prag të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 1912. Iu kushtua tregëtisë, fillimisht me një kafene dhe më pas, me ngritjen e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit dhe tregëtimin e tij. Nëna, Mynevere Kripa, ishte e bija e një avokati të njohur në qytet, Mehmet Radhimës, drejtor dogane në qeverinë e Ismail Qemalit. Nga martesa lindën shtatë fëmijë, katër vajza, Liria, Qamileja, Drita, Fatushja dhe më prapa tre djem, Agimi, Besniku dhe  më i vogli  unë.

Duke filluar nga viti 1942 familja jonë u shpërngul në Tiranë ku im atë vazhdonte tregëtinë e vajit  të ullirit.  Ne djemtë ishim ende të vegjël, kurse dy motrat, Drita  dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nana Mbretëreshë” që në atë kohë quhej “Nana Skënderbej”, ishin të lidhura fshehtas me grupet guerile që shpërndanin trakte në qytet. Në vitin 1946, pas shtetëzimit të fabrikës së vajit, çuditërisht për arsye që edhe sot nuk arrij t’i kuptojë, me vendim të Ministrisë së Brendëshme, na dëbojnë nga Tirana për në qytetin tonë për motive politike, ku fillojmë të trajtohemi si armiq të popullit. Në këto kushte im vëlla, Besniku, në vitin 1950, krijuan një grup të fshehtë së bashku me dy shokë të tij, Alajdin Alemin dhe Lavdosh Beqon dhe shpërndanin trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burg. Lirohet në dhjetor 1961 pas gati 12 vjet burg.  Në këto kushte në shpirtin tim lindi një revoltë kundër pushtetit që sundonte vendin. Isha vetëm 15 vjeç,  në vitin e parë të gjimnazit. Së bashku me dy shokë të klasës, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, në vitin 1951 krijuam një grup të fshehtë që shpërndante trakte në qytet. Pas katër muajsh aktivitet arrestohemi. Akuza ishte ajo e zakonshmja: Agjitacion dhe propagandë.

Ju jeni arrestuar në moshën e adoleshencës, një rast i paprecedent, një rast që përbën krim më vete për ata që u hodhën prangat, cilat janë disa nga momentet e arrestimit, motivi i dënimit dhe cili ishte personi që u lidhi duart?

 24 maj 1951. Kisha shkuar së bashku me Jorgon dhe Myrtezanë tek agjensia e udhëtarëve për të pritur hallën që do të vinte nga Tirana. Për arsye që nuk munda t’i marrë vesh kurrë ajo nuk erdhi. Kishte filluar të errësohej. Vendosëm të ngjisnim traktin që e kishim bërë gati në dy kopje. Njerin e ngjitëm ndërsa tjetrin e futa në xhepin e këmishës. Në të shkruhej:

Për Liri, për Shqipëri për Flamurin Kuq e Zi!,

Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë; Ata  vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi këtyre! Më mirë vdekjen në luftë se sa jetën në skllavëri!

Atdheu është në rrezik. Traktet e “ATDHETARIT” do t’ju tregojnë të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, për Shqipërinë tonë. E vërteta do të triumfojë!

 “ATDHETARI”

Ora po afronte dhjetë e mbrëmjes. Ishim e gjithë familja në dhomë. U dëgjua një trokitje e fortë në portë. Agimi u ngrit dhe e hapi.  Hynë dy oficera, një civil dhe disa policë. Njerin nga oficerët e njihja. Ishte  marshall  Demir Zhupa, hetuesi i sigurimit për shkollën tonë. Njihja edhe civilin. Ishte Dhimitri, një banor i lagjes tonë i cili na kishte parë kur ngjitëm traktin.

– Ky është, – tha  ai  duke   më   treguar  me gisht.

Oficerët panë njeri-tjetrin  me dyshim. Pastaj Demiri foli duke u drejtuar nga unë:

– Ngreu, në emër të popullit jeni i arrestuar

Më hodhën prangat.! Në xhepin e këmishës kisha traktin e dytë që nuk kishim mundur ta ngjisnim. U mundova ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda. Syt e të gjithve ishin drejtuar nga unë. Kontrolluan gjithandej dhe si nuk gjetën gjë  morën  fletoren  time të hartimit. U nisëm. Shkuam edhe në shtëpitë e Jorgos dhe Myrtezait ku u bë edhe arrestimi i tyre.

Në Degën e Punëve të Brendëshme  më futën në zyrën e Zv/kryetarit të degës, Fadil Kapisyzi, Pas meje hyri edhe Demiri. Zv/kryetari nxorri një tufë traktesh dhe m’i vuri para syve duke thënë:

– Ti i ke shkruar këto?

– Jo.

U  ngrit  nga  tavolina,  u afrua   përballë  meje  dhe, duke më shkulur fort veshin,  tha:

– Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë.

Tunda kokën në shenjë mohimi dhe thashë:

– Nuk kam shkruar gjë.

Një breshëri pëllëmbash flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan goditje të tjera. Në to nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Atë e ndihmonte edhe ndërhyrja e Demirit. Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht  i  fortë   më qëlloi në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët. Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instiktivisht dora më shkoi atje. Syrit të sprovuar të zv/kryetarit nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij në këtë drejtim triumfoi mbi injorancën time fëminore. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ai ishte një burrë i pjekur, ndërsa unë një fëmi. U afrua. Më futi dorën në xhep dhe nxorri traktin. Buzëqeshi si trumfator dhe pasi e lexoi  tha:

– E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më?

E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha mbi vete.Demiri thirri dy policë. Ata  erdhën,  më   ngritën në   këmbë  dhe ashtu, pothuajse duke më hequr zvarrë, më morën dhe më mbyllën në qelinë që ndodhej nën rampën e shkallëve që të shpinte në bodrum ku ishte vargu i qelive. Në dy qeli të tjera mbyllën shokët e mi.

Mund të na flisni për periudhën që ndejtët ne birucat e sigurimit të shtetit?

 Në birucat e sigurimit të shtetit qëndruam gjashtë muaj dhe njëzet ditë. Qelia ku më mbyllën kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti  ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte  me  të  madhe  kur  i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike. Tetar Vlashi nuk ishte si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i  një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Kështu që me mua sillej mirë..

Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut. Kishte krijuar bindjen se  duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arrita kurrë të kuptojë se për ç’arësye  dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut,  Shefqet Xhikun. Më torturonte për të më detyruar të pranoja se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Nuk kisha si të pranoja. Isha i detyruar të duroja torturat.

Një natë po flija  në  qelinë  time.  Ndjeva  një goditje të fortë  në  këmbë. U ngrita i  tronditur.  Para meje qëndronte kapter Myfiti, i  cili  më  shpuri  në  zyrën  e  Demirit. Pyetja e parë që më bëri ai ishte:

– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?

E  vështrova  i  habitur. E  ku  i  kishin  mbetur  florinj  tim  eti   pas   gjithë   atyre peripecive që  kishim hequr.  Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.

– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.

Më lidhi duart me  hekura  dhe  m’i  shtrëngoi fort.  Më  shtriu  në  tokë  dhe  filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi  kishte.  Shikoja  krahët  e  tij  që  hapeshin  me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë

– Hë, fol, ku janë florinjtë?

Dhimbjet   ishin   të  tmerrshme.  Nga  hundët filloi  të  më   rridhte gjak. Kjo  gjendje  vazhdoi  për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.

Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë  e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi  gjatë dhe në fund më pyeti:

– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?

Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha.Vendosa t’i thoja të vërtetën:

– Jo.

Përgjigja i erdhi  e  papritur. Më  vështroi  me  inat dhe pastaj më tha;

– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.

Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:

Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

            Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri

Reshat   Kripa

Vlorë më 11-VIII-1951

 Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.

Pas gjashtë muajsh e njëzet ditë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit.  Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halo Çanaj nga Dukati, Ymer Rakipi nga Gjormi, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.

Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe anëtarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi, prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare  Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër  se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë  pretencë, midis të tjerave thuhet:

“Të tre të pandehurit bashkarisht,  në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.\

Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza  Baboçi.

Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.

– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë

Të njëjtën përgjigje thanë  edhe  shokët  e  mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë.  Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhej:Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin.

U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari”

Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjen e fletushkave me përmbajtje antipushtet.

Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.

Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë  Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe  prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:

Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.

Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

Cila ishte jeta në burg, çfarë mbani mend, kishit mundësi të shprehnit me njeri-tjetrin fshehtas mendimet tuaja? Cilët kanë qenë dhunuesit tuaj dhe të shokëve në burg?

 Më 12 Dhjetor 1951 u transferuam në burgun e Vlorës. Burgu ishte një godinë e vjetër dy katëshe, që kishte shërbyer si i tillë me kohë. Majtas, ishte dhoma numër një ose infermieria ku shërbente mjeku i njohur Jani Melo, një i dënuar politik edhe ky.  Djathtas ishte dhoma numër dy, ku vendoseshin përkohësisht të burgosurit e rinj. Pas saj ishte dhoma numër tre ose dhoma e të dënuarve me vdekje. Ata i mbanin të lidhur . I nxirrnin një herë në ditë, në orën 8.oo  një nga një për të kryer nevojat personale.

Poshtë shkallëve ishte qelia e  ndëshkimit. Nëpërmjet një porte dilje në oborr ku ishin katër dhoma të tjera. Ngjitur me dhomën numër pesë ishte një dhomë e vogël pa numër, gati si birucë, ku qëndronte përfaqësuesi më i njohur i vllehëve sarakaçanë të Korçës, Ndini Janua. Ishte dënuar me burgim të përjetshëm të rëndë. Atë e nxirrnin vetëm një herë në ditë, sa për nevojat personale. Ishte i çalë dhe mezi ecte. Rojet silleshin shumë ashpër me të. Vdiq në burg pas disa vitesh.

Fillimisht na vendosën në dhomën numër dy. Pas tre ditësh na shpërndanë në dhomat e tjera. Mua më vendosën në dhomën numër pesë. Atje gjeta Alajdinin, shokun e Besnikut. Kjo më gëzoi. Të paktën kisha një njeri të njohur. Ishim dymbëdhjetë persona në  atë  dhomë  me  dimensione 4 X 4 metra. Secilit nga ne i takonte 60 centimetra vënd. Dy orë në ditë në mëngjes  dilnim në obor. Gjatë kësaj kohe duhej të kryenim  nevojat  personale,  të laheshim, të takonim shokët e dhomave të tjera dhe të shëtisnim duke i ardhur oborrit rrotull. Kjo ishte ritmika e ditës.

Në burg ndodhej edhe një italian, inxhinier Terrasini. Kur na pa aq të vegjël, iu drejtua Vendigjar Hamzarajt:

–  Ju shqiptarët keni një  fjalë të urtë që thotë se burgu ështe për burrat.  Komunistët e kthyen edhe në burg  për fëmijë. Nuk merret vesh se kush është burrë dhe kush fëmijë.  Burgu ndryshonte shumë nga gjendja në sigurim. Por edhe atje kishte oficerë xhahilë që e rëndonin gjendjen e të burgosurve. I tillë ishte toger Nauni. Megallomania dhe arroganca e tij ishin të padurueshme. Kënaqësia e tij  ishte  të  torturonte  ata që dënoheshin me izolim në qelinë e ndëshkimit.

Një natë ndieva një dhimbje të fortë në fund të barkut, në krahun e djathtë. Dhimbja ishte e padurueshme. Alajdini trokiti me forcë në portë. Erdhi roja i brendshëm.

– Duam mjekun se kemi një njeri të sëmurë. –  i tha Dinua.

Roja u largua dhe pas pak u kthye së bashku me doktor Melon dhe toger Naunin. Doktori më vizitoi dhe konstatoi se ishte apandesit akut. Duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale, përndryshe rrezikohej jeta. I kërkoi toger Naunit të më shpinin në spital. Por ai me një indiferentizëm të theksuar tha:

– As mos e shkoni ndër mend. Natën nuk e lejon rregullorja lëvizjen e te dënuarve.

Doktori më shtroi në infermierinë e burgut dhe filloi të më bënte kompresa me ujë të ftohtë në vendin e dhimbjes. Për fatin tim, pas disa orësh dhimbja pushoi. Megjithatë, doktori më mbajti në infermieri për disa ditë që të merrja veten mirë.

E njejta gjendje ishte edhe në kampet e punës së detyruar. Dua t’ju tregoj se sa mizor ishin operativët e sigurimit që ishin në këto kampe. Një i tillë ishte toger Ademi që nuk m’u nda gjatë të gjithë kohës së burgut. Ja tre ndodhira të këtij katili:

Atë mëngjes Sulejman Dizdari u gdhi me temperaturë. U  vizitua  te  doktor Isufi. Temperaturën e kishte tridhjetenëntë gradë Celsius. Ai dha urdhër ta shtronin në infermieri. Aty pranë ndodhej toger Ademi, që një ditë më parë kishte bërë fjalë me Sulejmanin. Kur mori vesh përse bëhej fjalë, ndërhyri dhe nuk e lejoi.

Sulejmani  i  shkretë  u  detyrua  të  nisej  në punë. Ecte duke iu marrë këmbët. Kur mbërritëm te kanali, nuk  kishte  më  fuqi.  Si  duket temperatura duhej t’i ishte ngritur shumë. I propozuam rojes së brendëshme që ta linim të pushonte buzë kanalit deri në mbrëmje. Do ishim ne të tjerët që do të realizonin edhe normën e tij. Ai pranoi.

Afroi dreka. Ishte verë. Dielli të digjte. Mbërriti toger Ademi. Pa që Sulejmani po rrinte shtrirë dhe urdhëroi që të ngrihej. Ai u ngrit, mori karron e dorës dhe e shtyu me mundim. Kur mbërriti te vëndi ku shkarkoheshin, fuqitë iu prenë dhe ra në pirgun me dhe. Karrot e tjera që vinin nga prapa, ndaluan.

– Çfarë prisni, shkarkojini! – urdhëroi togeri

Asnjë nuk lëvizi. Allaman Hysa, miku i Sulejmanit, doli para dhe tha:

– Ai ashtë vëllau ynë. Ne nuk e mbulojmë.

Togeri u xhindos. Dha urdhër të lidhin Allamanin dhe urdhëroi një grup të dënuarish ordinerë që ta mbulonin. Dëgjoheshin rënkimet e tij të mbytura. Kjo punë vazhdoi deri në mbrëmje. Zbuluar i mbeti vetëm koka. Kur do të ktheheshim në kamp, shokët nxorrën trupin e tij nga dheu dhe e çuan në krah. Ishte mrekullia e doktor Isufit dhe fati i tij, që e solli përsëri në jetë.

Ishim në kampin e Bulqizës.  Toger Ademi ishte emëruar operativ i sigurimit në atë kamp. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishim kthyer nga puna të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita i tha me egërsi:

– Përse nuk e realizove normën?

– Isha i sëmurë zoti toger! – u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.

Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.

Ishte shtatori i vitit 1955, tridhjetepesëvjetori i Luftë së Vlorës. Me nismën e doktor Isufit organizuam një pasdite letrare me poezi të një poeti vlonjat, Kudret Kokoshit, edhe ai i burgosur politikë në burgun e Burrelit. Secilit prej të rinjve të kampit i ishte dhënë për te recituar nga një poezi të tij me teme patriotike.  Unë kisha pezinë “Një ditë vjeshte” që i kushtohej pikërisht kësaj lufte. Në kohën e recitimit ia behu toger Ademi që kur mori vesh përse bëhej fjalë urdhëroi mbylljen time dhe disa të rinjve të yjerë në birucë dhe na dënuan që për gjashtë muaj të mos kishim takim me familjen.

A mund të më përshkruani ju lutem vetëm një ditë burgu, si fillonte dhe si mbaronte dita e punës?

 Grafiku i ditës së punës ishte po ai i zakonshmi. Zgjimi bëhej në orën 5.00 të mëngjesit. Më 5.30 ishte ngrënia e mëngjesit, një lugë supë me fasule ku kokrat e fasules ishin tepër të rralla. Më 6.00 nisja për në vendin e punës që, ngandonjëherë zgjaste gati një orë rrugë larg. Në orën 7.00 fillonte puna që mbaronte  në orën 15.00. Në orën 16.00 ngrënia e drekës, edhe kjo një lugë supë me oriz ose makarona. Në orën 19.00 darka, një gotë çaj pothuajse pa sheqer. Në orën 20.00 fjetja.

Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve, pse është zvarritur kaq shumë nga të gjitha qeveritë dhe nëse ndodh hapja e dosjeve mund të ketë luftë civile, siç pretendohet, veçanërisht nga politikanët tanë.

 –Procesi i hapjes së dosjeve është përdorur nga qeveritë shqiptare si një masë mbrojtëse për krimet që funksionarë të qeverive, parlamentit dhe drejtësisë mund të kenë kryer në kohën e komunizmit. Ata e kanë përdorur këtë kartë për të detyruar një pjesë të të përndjekurve politikë ose jo,  që ata i kishin ngritur në poste të rëndësishme, por që dikur kishin bashkëpunuar me ish-sigurimin e shtetit, të shkonin sipas avazit që ata donin. Janë bërë disa herë të ashtuquajtur ligje për hapjen e dosjeve, por asnjeri nuk e zgjidhte çështjen në themel. I pari u bë në vitin 1995 nga qeveria demokratike. Megjithësë shumë i mangët ai u hodh poshtë kur pushtetin e morën socialistët në vitin 1997. I dyti kur në pushtet ishte përsëri qeveria demokratike, edhe ky i mangët. Ky ligj u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga ish-gjykatës të periudhës komuniste si Fehmi Abdiu me shokë, pasi prekeshin vetë ata nga ky ligj. I treti ka disa muaj që është miratuar nga parlamenti me shumicë socialiste por që përjashton lustracionin. Me pak fjalë askush nuk hiqet nga detyra edhe nëse rezulton si i prekur nga ky ligj. Për më tepër, megjithëse kanë kaluar disa muaj, ende nuk janë miratuar anëtarët e komisionit të shqyrtimit  të dosjeve që janë propozuar nga organet e caktuara në ligj. Me këtë ritëm qeveritarët duan të kalojnë edhe disa vite, në mënyrë që kur të miratohet një ligj i drejtë, nëse do të miratohet ndonjëherë, atëherë nuk ka se kush të ndëshkohet pasi në atë kohë asnjeri prej tyre nuk do jetë më gjallë ose nuk do të jetë më në detyrat e larta. Pretendimi për gjoja luftë civile është alibia me të cilën pushtetarët kërkojnë të justifikohen.

Keni pasur mundësinë të shikoni dosjen tuaj dhe nëse po çfarë është shkruar konkretisht, akuzat, emrat e hetuesve, të dëshmitarëve etj.

 –Po e kam marrë në Arshivën e Ministrisë së Brendëshme në kohën kur drejtor ishte i nderuari Kastriot Dervishi. Në të përfshihet e gjithë periudha në sigurimin e shtetit për të tre ne të arrestuarit, pyetjet e hetuesve dhe përgjigjet tona, pretenca e prokurorit, mbrojtja e avokatëve, vendimet e gjykatës ushtarake të Durrësit dhe asaj të lartë. Ndodhen pothuajse të gjitha traktet që ne kishim ngjitur mureve në qytet., madje edhe deklarata ime. Dëshmitarë ne nuk kishim pasi u zbuluam në flagrancë. Akuza ishte agjitacion dhe propagandë. Ishte edhe emri i hetuesit Demir Zhupa.

-Ju kanë ofruar partitë politike, kur kanë marrë pozitën në parlament, ndonjë vend në qeveri si ish i përndjekur politikë

-Në periudhën 1992-1997 kam qenë i emëruar Drejtor i Zyrës së Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politikë të rrethit të Vlorës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 kam qenë në listën shumë emërore të Partisë Demokratike me numrin 42 por nuk arrita të bëhem deputet i saj. Në periudhën 2001-2002 kam qenë Drejtor i Departamentit të Përndjekurve Politikë pranë Partisë demokratike në Tiranë.

Sot mjerisht politikanët, kriminelët abuzuesit, servilët, gazetarët vazhdojnë të akuzojnë njeri-tjetrin në format më të errëta dhe të pacipa, shpesh vetëm për interesa të tyre meskine, për karrierë dhe për të rritur emrin e tyre pa punë, pa kulturë, pa fakte. Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve?

 –Për mendimin tim të gjitha këto që thoni ju vijnë nga koha e gjatë që vendi kaloi nën sundimin komunist. “Njeriu i ri socialit” që ndërtoi sistemi i përmbysur është pikërisht ai që sot është shndërruar në pushtetar, biznesmen i madh, trafikant droge, femrash, fëmijësh e të tjera. Në Shqipëri sot kërkohet të ndërtohet sistemi kapitalist me mentalitetitn komunist që nuk është shkulur nga ndërgjegja e qytetarëve megjithëse kanë kaluar 25 vjet.

Vendin e demokracisë së vërtetë e kanë zënë pazaret politike ndërmjet partive dhe individëve të ndryshëm. Vihet re një trafikim politikanësh. Ministra të së djathtës kalojnë në ministra të së majtës dhe e kundërta. Deputetë të së djathtës kalojnë në deputetë të së majtës dhe anasjelltas. Njësoj si në të kaluarën hymnizimi i drejtuesve idhuj ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Ndryshimi është se ndërsa në të kaluarën hymnizohej vetën një idhull, tani ata janë të shumtë. Ndahen sipas bindjeve politike. Me përjashtim të një pakice të papërfillshme, gati të gjithë, të djathtë dhe të majtë, çirren dhe përgjërohen për një Shqipëri të re. Secili krah ka përfaqësuesit e vetë. Këta “shakaxhinj të përparimit”, siç do ti quante Noli, kanë zaptuar të gjitha ekranet e televizioneve dhe faqeve te shtypit të shkruar duke dhënë leksione për demokracinë. Shumica e tyre u përkasin atyre që e kishin shkelur me të dy këmbët atë në kohën e diktaturës. Kësaj katrahure i mbajnë ison një mori gazetash që e quajnë veten të pavarur, por që në të vërtetë u shërbejnë padronëve të tyre djathtas dhe majatas.

Si funksionon shoqata e të përndjekurve politikë në Shqipëri ngase keni qenë për një kohë të gjatë kryetar i saj dhe cilat janë problemet që hasin të përndjekurit politikë në Shqipëri?

 Përgjigje:   Shoqata e të përndjekurve politikë të Shqipërisë u themelua më 28 prill 1991. Kryetar i saj u zgjodh një figurë e shquar e të përndjekurve politikë siç ishte i nderuari Osman Kazazi. Më 14 maj 1991 u themelua Dega e Vlorës e kësaj shoqate ku kryetar ishte intelektuali i njohur Hysni Alimerko ndërsa sekretar u zgjodha unë. Në kuvendin e dytë të shoqatës, më 1993, kryetar u zgjodh zoti Kurt Kola, ndërsa unë nënkryetar. Kurt Kola me ekstremizmin e tij bëri që shumë shpejt shoqata të ndahej në dy rryma. Rryma e shkëputur në vitin 1955 krijoi Shoqatën Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë me kryetar të nderuarin Gjon Shllaku dhe sekretar nje figurë tjetër të nderuar, Leka Dostin. Në këtë shoqatë unë u zgjodha anëtar i kryesisë. Shoqata e jonë është e vetmja shoqatë që ka në statutin e saj që kryetari nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë dhe e ka zbatuar këtë me rigorozitet. Kështu në kuvendin e dytë, pas dorëheqjes së zotit Shllaku, u zgjodh zoti Tomor Aliko, që e mbajti këtë detyrë edhe në kuvendin e tretë më 2000. Në kuvendin e katërt, në vitin 2003 kryetar doli zoti Afrim Haçi, në kuvendin e pestë, në vitin 2006, zoti Skënder Qëndro dhe në kuvendi e gjashtë, zoti Simon Mirakaj. Qysh prej vitit 2006 unë jam kryetar i degës së Tiranës. Shoqata organin e saj më të lartë ka Këshillin Kombëtar të zgjedhur në çdo kuvend si edhe Kryesinë Kombëtare. Në gjithë vendin ka 36 degë nëpër bashkitë.  Kjo është historia e shoqatës tonë.

Qëllimi i krijimit të shoqatës tonë ka qenë rehabilitimi i plotë i kësaj shtrese në jetën politike dhe shoqërore të vendit dhe, për të thënë të vërtetën në vitet e para pas përmbysjes së sistemit totalitar kemi arritur të bëjmë disa gjëra si arsimimin, punësimin, strehimin  e të tjera. U miratua ligji mbi statusin e të përndjekurve politikë, u arsimuan pothuajse pjesa më e madhe e të përndjekurve. U punësuan gjithashtu një pjesë e madhe, madje disa edhe në detyra shumë të larta. U miratua ligji mbi strehimin e tyre falas e të tjera. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Ishte viti 1997 që i përmbysi të tëra. Madje në këtë vit të zi kryesisht u vramë ne. Përmend këtu Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Gëzim Shabanin, Besim Manoilin, Adem Shehun, Skënder Kalenjën e të tjerë.

Pas kësaj periudhe, për të thënë të vërtetën, çdo gjë ndryshoi. Menduam se me rrëzimin e monumentit te diktatorit kishim fituar lirinë, por u gabuam. Ne kishim rrëzuar vetëm skeletin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e tij e kishim lënë të lirë të endej nëpër shqipëri dhe të pergatiste masakra të tjera. Në periudhën e qeverisjes socialiste filloi përsëri ndjekja e të përndjekurve politikë duke i pushuar nga puna dhe duke ua hequr edhe ato të drejta që u ishin dhënë nga qeveria demokratike. Por edhe kur në pushtet u kthye përsëri qeveria demokratike nuk shikoheshim më si gjatë periudhës 1992-1997. Për këtë po tregoj rastet e mëposhtme:

Në muajin mars 2010 në mediat elektronike prestigjioze u dha  lajmi i mëposhtëm:

Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë, një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj krimet e komunizmit punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar dhe kjo njëzet vjet  pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.

            Në Shqipëri ky lajm nuk u publikua në asnjë media vizive apo të shkruar. Përse?

-Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Megjithatë ajo mungoi. Ministër i jashtëm ishte Ilir Meta. Edhe ky lajm nuk u publikua në mediat shqiptare. Përse?

Lidhur me sa më sipër ne na lindin disa pyetje:

  1. Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve  të  parlamentit,qeverisë, partive politike, shoqatave te përndjekurve, akademikve, historianëve si dhe eksperëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët?
  1. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike?
  2. Kur do   të   dënohet   diktatori   Enver  Hoxha   si   ideatori,  frymëzuesi,  dhe  ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore?
  3. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që  shënojnë  instalimin diktaturës komuniste?
  4. Kur do të  hapen  dosjet  e  ish  bashkëpuntorëvë  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?
  5. Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
  6. Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë? Kur do të hapen muzeumet, kthehen në muze burgjet e tmerrshëm, ngrihen memorialet në nderim të shqiptarëve që u vranë nga rregjimi totalitar?

Të   gjitha   këto   kërkesa   janë   pjesë   të   rezolutës    së    miratuar   në   Kuvendin   e Shqipërisë në vitin 2006, rezolutë që deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Atëhere çfarë pritet që të  zbatohet? Mungesa e vullnetit të fircave politike

Ka vite që Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vendimin e ngritjes së memorialit të viktimave të komunizmit por deri më sot nuk është bërë asgjë. Gjitashtu asgjë nuk është bërë edhe për kthimin në muze të kampit famëkeq të Spaçit. Nuk ka të paktën një pllakë përkujtimore në vendet ku është ushtruar terrori i egër komunmist, si burgu i Burrelit, kampet e Vloçishtit, Bedenit, Qafës së Barit, Gradishtës e të tjera. Kjo gjë tregon vullnetin e forcave politike në Shqipëri që duan të na përdorin si numër votash në raste fushatash elektorale.

Pikërisht kiundër kësaj mendësie ka luftuar dhe lufton shoqata e jonë me ato mjete që ka.

Ka edhe nga klasa juaj që i mbështesin mjaft politikanë sahan lëpirës edhe pse janë me proçedurë penale, ndërkohë në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër shkrime të ndryshme duke i akuzuar si kriminelë, tradhëtarë, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njejtën gjë siç i dënoi diktatura me shpifje, inate, diskriminime.

Cili është opinioni juaj?

 Keni plotësisht të drejtë. Ky është një fenomen që vihet re në të gjithë të djathtën shqiptare. Për mendimin tim këto janë pasoja të të ashtuquajturit “Njeriu i ri socialist” që kam përmendur më sipër. Si rezultat i periudhës së gjatë të diktaturës totalitare, mentaliteti komunist nuk është rrënjosur vetëm në shtresën komuniste, por edhe në pjesën tjetër të popullsisë shqiptare dhe si pasojë edhe në një pjesë të të përndjekurve politikë. Përveç këtij mentaliteti ka edhe shkaqe të tjera. Një nga këto është se një pjesë e të përndjelurve politikë nuk mundën t’i rezistojnë presionit të sigurimit të shtetit duke u shndërruar në bashkëpunëtorë të tij dhe ky fakt i bënë ata që sot të mos kenë guxim të dalin kundër tyre. Përveç kësaj është fakt që jo të gjithë të përndjekurit politikë janë të tillë. Me përjashtim të viteve të para të sundimit komunist, në burg u futën jo vetëm për aktivitet politik. Një pjesë e tyre u dënuan pasi kishin kryer një krim ordiner, si vjedhje, përdhunime e të tjera dhe për t’i dënuar më shumë u shtonin dhe një akuzë politike si për shembull agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisje. Së fundi, për mendimin tim, është edhe një gen i keq që jeton brenda çdo shqiptari që bëhet xheloz kur dikush lartësohet para tij ose edhe pse të përndjekurit nuk ishin të një bindje politike dhe kjo solli përçarjen e tyre. Këto i kam nga eksperienca ime pasi i kam përjetuar vetë.

Motra e juaj, artistja e madhe e Kombit, Drita Pelingu, pati një karrierë të gjatë dhe të jashtëzakonshme në fushën e artit. Si i mbijetoi diktaturës me dy vëllezër në burg?

Siç e kam theksuar në fillim të kësaj interviste, në kohën e luftës dy motrat e mia, Drita dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nana Skënderbej”, kanë qenë të lidhura me lëvizjen nacionalçlirimtare. Me përfundimin e luftës Drita u njoh me këngëtarin e njohur Hysem Pelingu, ish themeluesin e operas shqipatre, komunist i vitit 1942, me të cilin u dashuruan. Ishte ndër të parat që themeluan teatrin kombëtar shqiptar që në atë kohë quhej ‘Teatri Popullor”.  Fisi i jonë nuk ka qenë i angazhuar me asnjë nga forcat politike nacionaliste gjatë luftës. Nuk kemi pasur asnje person të arratisur apo dënuar si kundërshtar i regjimit. Ndaj, siç e kam theksuar, u çuditëm kur na dëbuan nga Tirana për motive politike. I vetmi aktivitet kundër pushtetit të atëhershëm ishte ai i joni, dy vëllezërve.. Ky veprim ndikoi edhe tek Drita. Të gjitha shoqet e saja u nderuan me titullin “Artiste e Popullit”, ndërsa ajo vetëm në vitin 1987 mundi të marrë titullin “Artiste e Merituar”. E njejta gjë ndodhi edhe me të shoqin. Megjithatë lufta e klasave vazhdonte në gjirin e teatrit. Në dramat shqipe asaj do t’i jepnin pothuajse gjithmonë rolet e borgjezeve. Të tilla janë për shembull Butja, Muladesi, Kujdestarja e shkollës pedagogjike e të tjera. Kur vunë në skenë një dramë rumune të Karaxhales, titulli i së cilës nuk më kujtohet dhe ku Drita ishte e vetmja aktore femër, i ftoi për një vizitë ambasadori rumun. Në këtë ceremoni Drita nuk mori pjesë sepse nuk ishte përfshirë qëllimisht në listën e pjesëmarrësve. Megjithatë Drita, duke e ditur shkakun e kësaj qëndronte e heshtur dhe nuk shfaqte asnjë pakënaqësi. Kjo e bëri që të mbijetonte.  Por një faktor tjetër që e mbajtën në teatër ishte bashkëshorti i saj. Hysen Pelingu ishte një burrë i rrallë. Duke e ditur gjendjen politike të familjes tonë ai nuk mendoi kurrë të braktiste Dritën siç vepruan shumë nga komunistët e tjerë. Madje sa herë që do të vinte në Vlorë për ndonjë koncert, do të vinte patjetër tek ne. Edhe pushimet e verës i bënin në plazhin e Vlorës dhe unë shkoja lirisht në gabinën e tyre për të bërë plazh. Me pak fjalë ishte një burrë i rrallë.

Cilat janë disa nga projektet tuaja dhe konkretisht çfarë keni në dorë për të shkruar.

 Deri më sot kam botuar katër romane “Shkallët e Ferrit”, “Sekreti i Varrit te Vetmuar”, “Në kërkim të Lirisë” dhe “Endrrat e thyera”, një libër me tregime “Një Tregim për Mikun Tim”, një libër me poezi “Dhimbje”, një libër me kujtimet e rinisë “Rini e Copëtuar” dhe një monodramë shkruar sipas motiveve të romanit “Shkallët e Ferrit” me titull “Hijet Lëvizin”.

Në faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv kam botuar mbi 300 artikuj me tema të ndryshme për të cilat po përgatitem t’i botojë në një përmbledhje të tyre të ndarë në dy volume.  Jam duke përgatitur gjithashtu edhe një libër me tregime edhe këto të botuara në faqet e shtypit.

Ju faleminderit zoti Kripa dhe ju urojmë vetëm ditë të bardha!

 Kënaqësia ishte e imja. Falermindërit juve!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Mars 2016

Staten Island, New York

 

Filed Under: Interviste Tagged With: I BURGOSURI POLITIK I ARRESTUAR, Keze Zylo, NE MOSHEN 15 VJECARE, reshat kripa

Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!

March 29, 2016 by dgreca

Refleksion/

Nga Reshat   Kripa/

Ulur këtu në qoshen time rri dhe meditoj. Meditoj për jetën time. Meditoj për të kaluarën dhe të ardhmen time dhe çuditërisht nuk, shoh ndonjë diferencë të madhe ndërmjet tyre. Para syve më del e kaluara ime që rrjedh nga një familje që gjatë luftës për liri më shumë ishte rreshtuar me atë që quhej Lëvizja Nacionalçlirimtare se sa çdo lëvizje tjetër e asaj kohe. Kështu dy motrat e mia Drita Kripa, që më vonë do të merrte mbiemrin Pelingu dhe Fatushe Kripa vepronin me njësitet guerile të Frontit Nacionalçlirimtar duke shpërndarë trakte kundër pushtuesve në kryeqytet. Dy djemtë e hallës, Bardhyl dhe Petrit Emiri ishin në rradhët e partizanëve. Po ashtu tezja ime Zyhra Radhima ishte themeluese e organizatës së gruas komuniste në Vlorë dhe dy kushurinjtë e nënës time ishin Shyqyri Alimerko, Hero i Popullit dhe Sinan Gjoni, themelues i Partisë Komuniste për Vlorën që në vitin 1946 u ekzekutua nga diktatori.

I vetmi ndryshim që mund ta quajmë të tillë, ishte se im atë ishte një tregëtar i ndershëm që me djersën e ballit kishte mundur të ndërtonte një fabrikë vaji me të cilën mbante familjen. Kështu që erdhi dita dhe të gjitha kontributet e dhëna në favor të  lëvizjes komuniste të fshiheshin me zero dhe familja e jonë të etiketohej me termin “borgjez” dhe në mënyrë ta pakuptueshme të dëbohej nga Tirana për “arsye politike” dhe të degdiseshim në qytetin tonë të lindjes, në Vlorë, ku filluan të na trajtonin si armiq. Përse erdhi kjo? Edhe sot e kësaj dite unë nuk di t’i jap përgjigje.

Një gjë e tillë bëri që im vëlla, Besnik Kripa në moshën 17 vjeçare, në vitin 1950, së bashku me dy shokë të tij, të ngrihesh kundër të ashtuquajturit pushtet popullor dhe të shpërndante trakte antikomuniste. Një vit më vonë edhe unë, së bashku me dy shokë të mi, të moshës 15 vjeçare, të zhvillonim të njejtin veprim. Pasojat ishin Besniku i dënuar me 15 vjet burg, ndërsa unë me 5 vjet. Qysh nga ai çast unë e kisha hedhur poshtë gjithçka kishin bërë pjestarët e familjes time në favor te regjimit, pasi e konsideroja si një veprim të pamatur dhe aspak të drejtë. Ndaj u shpalla kundër tij.

Atëherë, në këto kushte, ndodhi përmbysja e madhe. Gjatë periudhës së burgut mësova se historia nuk ishte ashtu siç ma kishin mësuar por krejt ndryshe. Mësova se kishte edhe një histori tjetër, të kundërt me të parën, që më intrigonte së tepërmi pasi, në këtë histori shikoja Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e madhe ku përfshiheshin Kosova dhe Çamëria si dhe të gjitha viset ku flitej shqip dhe kjo ndjenjë kombëtare u ngulit në zemrën time për të mos u shkulur kurrë.

Vitet kaluan dhe, së fundi, kuçedra e kuqe që kishte zaptuar vendin, e theu qafën. Prisja që të zbatoheshin parimet që më kishin mësuar ata burra me të cilët kalova vitet e tmerrshme të sistemit totalitar.  Prisja që në skenën politike shqiptare të dilnin edhe ato figura të ndritura të historisë shqiptare që sistemi totalitar i kishte lënë qëllimisht në hije. Por vura re se kjo nuk ndodhi. Në tastjerën e politikës shqiptare filluan të lartësoheshin po ato figura që ishin nderuar dhe mbinderuar në të kaluarën.  Edhe kur bëhej fjalë për ndonjë figurë të re, që nuk ishte përmendur deri atëherë, flitej me zë të ultë që as nuk dëgjohej.

Një miku im, shkrimtar dhe poet që, si unë,  vetëm pas ndryshimeve demokratike ka filluar të shkruajë, ka botuar edhe disa shkrime kushtuar personave të ndaluar nga sistemi i kaluar duke i vlerësuar ata. Një ditë, duke biseduar me të, kur i thashë se përse nuk shkruan edhe për figurën e njerit nga liderët e nacionalizmit shqiptar, të madhit Mit-hat Frashëri, tha:

  • Unë mund të shkruaj për këdo por për Mit-hat Frashërin jo.

Mbeta   i   habitur.  Përse? Nuk  e  pyeta   më   gjatë.  Kjo  është  një  e  drejtë  e  tij.  Por  të  mos

shkruash për një personalitet që ka lënë gjurmë në historinë e këtyij kombi, si Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Konferenca e Paqes në Paris e të tjera dhe të përqëndrohesh në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ku figura e tij mbeti, si gjthmonë, e papërlyer por që u nxi nga propaganda komuniste, nuk më duket normale. Më gjeni një dokument ku përlyhet figura e tij dhe unë do t’ju jap të drejtë. Unë do t’ju thoja se, në rast se figura e tij paskësh qenë e përlyer me pushtuesit, atëherë si u pranua dhe u ulën me të në tavolinë komunistët në Konferencën e Mukjes?

Të nderuar qytetarë të Shqipërisë! Përpara se të shfaqni mendim për periudhën e Luftës  së  Dytë

Botërore, ktheheni veten në ato vite dhe gjykoni sikur të jeni ende në atë kohë. Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria ishte kthyer në kufijtë  e  saj  natyralë. Kush  e  ktheu  në  këto kufij? Nuk ka rëndësi. Mjafton që u kthye. Atëherë ata burra të rrallë a nuk do ta  quanin  këtë  vënien  në  vend  të  një

padrejtësie që komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë Shqipërisë në Konferencën e Londrës? Por ishte tradhëtia e drejtuesve të lëvizjes komuniste që dërguan në Kosovë batalionet partizane për t’ia dorëzuar atë vullnetarisht autoriteteve serbe dhe nuk mjaftoi kjo, por duhej derdhur edhe gjaku i mbi 4000 kosovarëve dhe shqiptarëve në masakrën e Tivarit që të realizohej kjo dëshirë makabre a atyre që nuk kishin atdhe. Për fatin e keq të këtij kombi shkaktarët e vërtetë të këtij holokausti do të ishin një figurë e urryer e elitës komunsite, ish komisar i forcave partizane në Kosovë, që për ironi do të bëhej Presidetnt i Republikës pas përmbysjes dhe një atentatori të paskrupull të njësiteve guerrile në Vlorë, që ishte emëruar komandant i këtyre forcave në Kosovën martire.

Këto gjëra meditoja me veten time. Meditoja sepse kohët e fundit ka shpërthyer një fushatë e shfrenuar e atyre që kërkojnë të rehabilitojnë sistemin e përmbysur. Qarkullon fjala “Shokë” e harruar pas viteve 90-të. Qarkullon portreti i diktatorit nën hundën e qeveritarëve. Qarkullojnë filmat e realizmit socialist ku çdo partizan ishte një hero dhe çdo ballist, legalist apo përfaqësues feje ishte një tradhëtar.  Duan ta rehabilitojnë por jo që ta kthejnë atë. Ky mund t’ju duket si një paradoks. Keni të drejtë por ai është realiteti i sotëm. Për ata çakenj sistemi sotëm është burimi i mbipasurimit të tyre. Sot nuk ka më ideale, nuk ka parime. Sot ka vetëm anarshistë dhe karrieristë që përpiqen për realizimin e parimeve obskurantiste të tyre dhe për këtë janë gati të bëjnë pakt edhe me djallin.Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!, refleksione, reshat kripa

Poeti i ëndrrave të thyera

March 23, 2016 by dgreca

Në 68 vjetorin e lindjes/

Nga Reshat  Kripa/

E vranë poetin. Përse e vranë? Mos vallë kishte kryer ndonjë krim? Jo. Ai shkruante vetëm vargje. Shkruante për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ata mbijetuan. Mbijetuan me vargjet e tyre. Mbijetuan me idealet e tyre.

Poeti kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por fati i tij ishte se jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.Në atë epokë makabre, në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Dora e poetit i hidhte këto në letër. Autori i lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte njeriu. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.

I tillë ishte edhe poeti ynë Vilson Blloshmi që më 18 mars kishte 68 vjetorin e lindjes. Por jetën e tij ia prenë në mes monstrat e kuqe. Ra një ditë korriku të vitit 1977 rrëzë një përroi në Librazhd. Ishte vetëm 29 vjeç. Ra së bashku me kushëririn e tij, Genc Lekën, edhe ai poet, në moshën 36 vjeçare.Më duket sikur ende dëgjoj hapin e rëndë të gardianit që kontrollon qelitë dhe më shfaqen mijra të burgosur politikë që i kanë provuar mbi shpinat e tyre tmerret e atyre qelive. Vështroj dhe para syve më dalin dy vizione: djajtë dhe engjëjt, vampirët dhe preja, xhelatët dhe viktimat dhe bëj karahasimin. Nga njëra anë terri, ndërsa nga tjetra drita.  Nga njëra anë ferri, ndërsa nga tjetra parajsa.

Lexoj një poezi të Vilsonit:

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur:

Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

 Kështu ranë dy poetët tanë, “Nderi i Kombit” dhe “ Qytetar Nderi” të rrethit të Librazhdit. Ranë për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi dhe u përjetësuan me memorialin e ngritur në qendër të qytetit, nën kujdesin e ish-Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Bujar Leskaj, më 30 qershor 2006.

Por, a vriten poetët? Çuditërisht, vargjet e zjarrta të këtyre poetëve, u kallnin datën monstrave që drejtonin shtetin shqiptar. Për këtë ata përdorën dy manekinë servilë dhe hipokritë që, ndonse ishin mbushur me tituj dhe dekorata, nuk kishin ndërgjegje që mund t’i vriste më vonë. Ja se si shkruante njeri prej tyre në akt-ekspertizën e tij:

Këto si dhe vjersha të ndryshme, fragmente të shkëputur nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen. Mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme.

Ndërsa i dyti vazhdonte:

Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve. Simbolika e bën atë një alegori me një përmbajtje reaksionare.

“Ekspertë” të tillë vazhdojnë të lartësohen, madje edhe nderohen, siç duket, për meritë të kësaj ekspertize. Kjo është Shqipëria e sotme ku në të njëjtin stan bashkëjetojnë ujqërit me dhëntë. A është e mundur? Ky nuk është rasti i vetëm. Vini veshin qeverisë, kuvendit dhe drejtësisë. A nuk e shihni se në të gjitha shkallët e tyre janë ende ish- hetuesat, ish-operativët e sigurimit, ish gjykatësit, ish- bashkëpunëtorët e sigurimit që drejtojnë organet e larta të qeverisë, komisionet e kuvendit,të gjitha shkallët e gjykatave e të tjera. A thua se u shua Shqipëria për kuadro të reja? Të gjitha forcat politike çirren dhe këlthasin se janë për zëvendësimin e “xhaketave të vjetra” me të rinj. Kanë kaluar 25 vjet nga përbysja e sistemit totalitar. Kanë mbaruar shkollat e larta dhe kanë mbrojtur masterin me rezultate të shkëlqyera, madje nje pjesë e mirë e tyre , në shkollat më presticioze të botës së lirë. Mos vallë nuk janë të aftë këta për të drejtuar shtetin shqiptar por vazhdojnë ende hienat e vjetra që mbajnë në ndërgjegjen e tyre me qindra të vrarë, të burgosur apo të internuar nëpër kampet e përqëndrimit komunist? Është miratuar Ligji i Dekriminalizimit  dhe po bëhet gati për miratim Ligji mbi Reformën në Drejtësi dhe ai mbi Byronë e Hetimit. Përse në to nuk parashikohet flakja përjashta e hienave të së kaluarës të përmendur më lartë? A nuk janë edhe ata të kriminalizuar? Këto pyetje duan përgjigje.

Në këtë përvjetor të poetit Vilson Blloshmi më dalin para syve vargjet e pavdekshme të poetit të madh rus Lermontov, kushtuar vrasjes së poetit tjetër të madh, Aleksandër Pushkin:

U vra poeti! – rob i nderit –

          Ndër shpifje e thashetheme u shtri,

          Me etje hakmarrjeje prej vrerit,

          U mposht krenar me plumb në gji.

          Në shpirt poetit s’iu durua,

          Dhunimin e turpshëm kur e pa,

          Përkundër fyerjes u çua,

          I vetëm si më parë…dhe ra!

Filed Under: ESSE Tagged With: Poeti i ëndrrave, reshat kripa, të thyera

Meditim me veten time

March 17, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

Para disa ditëve takova një mikun tim të vjetër me të cilin isha njohur qysh kur ishim mbyllur në qelitë e Sigurimit të Shtetit në rininë tonë të herëshme. U ulëm të pinim një kafe. Biseduam për të shkuarën dhe të tashmen e vendit. Shkëmbyem mendime për to. Çuditërisht ato përputheshin me njera-tjetrën. Së fundi kur u ndamë më dha një copë letër. E hapa. Ishte një poezi. Lexova:

Strukull thellë në qoshen time,

Zog i mbyllur në kafaz,

Para meje shumë kujtime,

Zemra gati sa s’më plas

Çuditërisht në ato çaste nuk jetoja më në këtë botë. Duke lexuar këto vargje meditoja me veten time. Kisha fluturuar në të kaluarën time, në fëmininë time, kur nëpër muret e qytetit shkruanim: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”! Për këtë na hodhën në ferrin komunist ku duhej të kalonim nëpër nëntë rrathët e tij. Por pata fat. Atje njojta shumë personalitete të larta që zor se mund t’i vijnë këtij kombi. Ata më mësuan atë që nuk e kishte bërë shkolla në të cilën kisha mësuar. Më mësuan se si duhej të luftoja për një Shqipëri të lirë dhe demokratike të vërtetë dhe kjo u bë ëndrra e jetës time. Por duhej shumë kohë që të prisja deri sa kjo të realizohej.

Më së fundi ajo erdhi. Përbindëshi që kishte sunduar për gati një gjysmë shekulli ishte përmbysur. Por konstatoja një gjë. Mentaliteti i sitemit të shembur, që ishte rrënjosur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve, vazhdonte ende. Kërkohej që po me atë mentalitet me të cilin kishin ndërtuar sistemin socialist, të ndërtonin tani sistemin kapitalist që sundonte në të gjithë botën perëndimore. U futën në një thes si persekutorët ashtu edhe të persekutuarit. Madje persekutorët dolën ne krye të rradhës. Shumë shpejt e kaluara u harrua, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe ndodhi ajo që nuk duhej të kishte ndodhur dhe që e ktheu vendin, kur shpresonte të afrohej më shumë me vendet e tjera si motra të perëndimit, në vendin e shpresave të humbura. Edhe ajo pak demokraci që kishte filluar të lulëzonte mori goditjen përfundimtare. Ishte viti 1997.

Tashmë vendin e demokracisë së vërtetë e kishin zënë pazaret politike ndërmjet partive dhe individëve të ndryshëm. Njësoj si në të kaluarën hymnizimi i drejtuesve idhuj mori përmasa të jashtëzakonshme. Atyre iu atribuohej gjithçka. Ndryshimi ndërmjet dy sistemeve ishte se ndërsa në të kaluarën hymnizohej vetën një idhull, tani ata ishin të shumtë. Ndaheshin sipas bindjeve politike. Me përjashtim të një pakice të papërfillshme, gati të gjithë, të djathtë dhe të majtë, çirreshin dhe përgjëroheshin për një Shqipëri të re. Secili krah kishte përfaqësuesit e vetë. Këta “shakaxhinj të përparimit”, siç do ti quante Noli, kishin zaptuar të gjitha ekranet e televizioneve dhe faqeve te shtypit të shkruar duke dhënë leksione për demokracinë. Shumë prej tyre u përkisnin atyre që e kishin shkelur me të dy këmbët atë në kohën e diktaturës.

Këto gjëra më dolën para sysh kur lexova vargjet e mikut tim. Përsërisja me veten time fjalët që më tha kur u ndamë:

  • Tashmë i kemi kaluar të tetëdhjetat. Jemi në fund të rrugës. Padyshim që ndryshimet

janë të mëdha, në krahasim me të kaluarën, por më vjen keq se ne do të ikim me zemër të plasur nga kjo botë, pasi nuk e pamë Shqipërinë ashtu siç e kishim ëndërruar. Kam frikë se edhe fëmijtë tanë nuk do ta shohim. Besoj se atë do ta gëzojnë nipërit dhe mbesat tona që kanë lindur pas ndryshimit të sistemit. Që të ndodhë kjo duhet të kalojnë mbi pesëdhjetë vjet të tjera.

Përsëris fjalët e mikut tim dhe më duket sikur mbi shpatullat e shtresës sonë rëndojnë ende prangat e persekutimit. Të gjitha partitë politike thërrasin se ne qenkemi shtylla kurrizore e tyre dhe mua kjo më duket demagogji. Me duket e tillë, pasi shoh se, megjithëse miratohen disa ligje per këtë shtresë, ato mbeten në letër duke kaluar në kalendat greke. Shembull për këtë mund të sjellë Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”, ligjin mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ligjin mbi hapjen e dosjeve e te tjera. Por kjo bie në sy më tepër në përballjen që ndodh disa herë ndërmjet të përndjekurve politikë dhe titullarve të qeverisë dhe partive politike. Do të sjell si shembull grevën e urisë së zhvilluar nga të përndjekurit në vitin 1994. Unë e deklaroj se kam qenë kundër asaj greve, pasi ishte përgatitur nga elementë ekstremistë të së djathtës, kur sapo kishte filluar të zbatohej sistemi demokratik por isha edhe kundër përdorimit të forcës brutale të përdorur nga qeveria e atëhershme e shtyrë po nga elementë ekstremistë të së majtës. Kjo bie në sy edhe në ditët e sotme. Bie në sy në skandalin e përplasjes së një anëtari të kryesisë së shoqatës tonë, një gazetari të njohur me një titullar të një partie të djathtë ku ky i fundit e fyeu gazetarin me shprehje të nxjerra nga fjalori i urryer komunist. Një drejtues i vërtetë demokratik, në këtë rast, nëse mendonte se kjo ishte vetëm një gjë e çastit, do t’i kërkonte ndjesë të hapur gazetarit ose në të kundërt partia e tij duhej të merrte masat e nevojshme. Deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Le të presim.

Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se idealet dhe problemet e të përndjekurve politikë drejtuesit e shtetit shqiptar kërkojnë t’i kalojnë në heshtje, sikur nuk ekzistojnë dhe sikur nuk kanë ndodhur fare. Kjo bie në sy, sidomos, në nderimin që duhet t’u bëhet figurave të shquara të kësaj shtrese dhe që, në të vërtetë, mungon. Më lejoni, përsëri, t’ju sjell disa shembuj: Ka disa vite që shoqata jonë madje edhe Ministria e Kulturës, kur kjo drejtohej nga një i përndjekur, i nderuari Visar Zhiti, u ka kërkuar presidentëve të republikës dekorimin me urdhërin “Nderi i Kombit” të figurave të poshte shënuara:

  1. Ago Agaj – Në janar të vitit 1920 merr pjesë në delegacionin e rrethit të Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në qershor të atij viti bëhet pjesëmarrës aktiv i Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë për të cilën ka shkruar librin epope “Lufta e Vlorës”. Pas vendosjes së mbretërisë shqiptare punoi si Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje dhe si agronom kudo ku ishte nevoja e atdheut. Në vitin 1929 ishte anëtar i Komitetit për Reformën Agrare. Në vitin 1932 arrestohet si pjesëmarrës në lëvizjen kundër Zogut, por lirohet përsëri. Nga viti 1932-1941 punon si ekspert i agrikulturës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.

Në kohën e Luftës së dytë botërore, kur më 17 prill 1941 mbretëria jugosllave u dorëzua dhe viset shqiptare të Kosovës dhe Metohisë iu bashkuan Shqipërisë, shumë patriotë shqiptarë u drejtuan për atje, për të ngritur administratat shqiptare në vend të atyre serbe. Ndër të parët që shkoi atje ishte edhe Ago Agaj, i cili u emërua prefekt në Prefekturën e Mitrovicës Në qershor 1943 merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes se Dytë të Prizrenit së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë patriotë. Për këtë kosovarët e quajtën “Kosovari nga Vlora”. Kosovës i kushtoi librin “Milloshi, heroi i Kosovës”. Në fundin e vitit 1944, kur forcat komuniste po hynin në qytetet shqiptare detyrohet të lerë atdheun dhe të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndërroi jetë më 24 dhjetor 1994.

  1. Kudret Kokoshi – Më 1934 ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë, Më 1936 emërohet ndihmës gjyqëtar në Bilisht dhe Pogradec. Më 1939 u emërua gjykatës në Korçë, më pas në Shkodër dhe Tiranë. Më 1941, u emërua Kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet. Më 28 nëntor 1942, e gjejmë në udhëheqie të demostratës antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos në kokë. Sapo filloi Lëvizja Antifashiste, ai u angazhua që në fillimet e saj dhe në vitin 1943, është një nga eksponentët e Ballit Kombëtar në Vlorë. Në Gusht 1943, është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, ku u vendos bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër nazi-fashizmit. Më 7 mars të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Kosovës, ku anëtar ishte edhe patrioti Selman Riza. Komiteti ishte forum i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me kryetar Bedri Pejanin, formuar në shtator 1943. Për këtë aktivitet antifashist, në maj të vitit 1944, ndërsa ishte duke ushtruar veprimtarinë për forcimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe luftën kundër bishës nazifashiste, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua fillimit në Prishtinë dhe më pas në kampim shfarosës Mathauzen. Nga kampet e përqëndrimit nazist u lirua në dhjetor 1944. U kurua në Grac të Austrisë dhe megjithëse iu propozua të bënte karrierë në perëndim, ai ashtu si në vitin 1934, preferoi të kthehej në atdhe dhe t`i shërbente atdheut të tij. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar, më pas me vendimin e datës 1 tetor 1945 dënimi ju kthye në 25 vjet. Vuajti dënimin në burgun e Burrelit dhe u lirua më 25 dhjetor 1964, pas plot 19 vjetëve. Ndërroi jetë më 26 prill 1991
  2. Dr. Isuf Hysenbegasi – 7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë. Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur. Në janar 1940, ndërsa kryente stazhin në spitalin eTiranës, drejtori i këtij spitali, doktor Lozzi, e prezanton me një mjek italian të veshur civil:

– Il nostro giovane! (I riu ynë!)

Civili i zgjati dorën të cilën doktori bëri sikur nuk e vuri re,

– Io sono Albaneze! (Unë jam shqiptar!) – ishte përgjigja e tij krenare.

Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishesh mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence.

Viti 1945 e gjen në klinikën e tij në Tiranë. Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllaj Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Gjatë periudhës së burgimit ka ndihmuar me qindra të burgosur duke i shpëtuar nga vdekja e sigurtë që i kërcënonte si pasojë e torturave të tmershme. Lirohet pas nëntë vjet burg, në vitin 1955

Dërgohet në qytetin e Vlorës me detyrën mjek otorino-laringolog. Shquhet për profesionalizmin e tij të lartë dhe fisnikërinë që e karakterizonte. Shumë shpejt u bë një nga figurat më të njohura dhe më të dashura të qytetit. I mbylli sytë në tetor të vitit 1988.

  1. Zalo Xhomaqi – Më 23 dhjetor 1946 arrestohet dhe dërgohet në qelitë e errëta të sigurimit. Pas shtatë muaj torturash nga më të tmerrshmet nxirret para trupit gjykues. Akuzat ishin:

Ka qenë i inkuadruar në rradhët e Ballit Kombëtar dhe ka vepruar në dëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.                                                                                                                       

Ka dhunuar veprime ligjore të Gjykatës Ushtarake.                                                

Ka afishuar një trakt ku flet kundra drejtësisë së gjyqeve të popullit.

Martiri qëndroi si hero përballë gjykatësve mizorë. Së fundi vendimi: Vdekje me pushkatim. 18 korrik 1947. 0ra 3.30. Para togës së pushkatimit qëndron një   titan i pamposhtur. Përballë tij prokurori i zi, Petrit Hakani.

– Fjalën e fundit, i pandehur! – flet ai.

– Kjo qeveri që e quan veten të fortë, me ekzekutimin tim, jep të kuptojë se, edhe vetëm për një sharje, derdh gjak njeriu. Unë e them këtë se nuk kam bërë faj. – përgjigjet Zalua me krenari dhe vazhdon: – Unë veprën time kështu e quaj. Rroftë Shqipëria dhe Demokracia!

5. Hysni Alimerko – Kryen shkollen Teknike Amerikane të Harry Fultz deri me 1935, pastaj shkollen normale të Elbasanit deri më 1939. Ndjek dhe përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta Universitare në Firenze të Italise deri më 1943, ku titullohet Profesor në Letërsi-Histori. Merr pjesë si dëgjues në Konferencën e Mukjes, 1-2 Gusht 1943. Nga Shtatori 1943 zgjidhet si Sekretar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombetar deri në fund të vitit 1944. Në dhjetor të 1944 arrestohet por pas një muaji lirohet përsëri për mungesë provash. Në Nëntor 1946 transferohet në gjimnazin e Peshkopisë ku më 16 maj 1947 arrestohet në shkollë, si pjesëmarrës dhe anëtar i grupit të ashtuquajtur të “intelektualëve dhe deputetëve”. Në 21.11.1947 me Vendim të Gjykatës Ushtarake Elbasan dënohet me vdekje që i kthehet me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lartë më 05.01.1948. Më vone dënimi i kthehet me 20 vjet burgim. E vuan të gjithë dënimin e tij në burgun e Burrelit deri më 1964. Pas përfundimit të dënimit lirohet dhe punon si punëtor i thjeshte për 16 vjet në Fabrikën e Tullave Vlore deri sa del në pension.

Në vitet 90-të përfshihet dhe jep një kontribut të madh në lëvizjen antikomuniste. Zgjidhet Kryetar i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Vlorës dhe njëkohësisht Nënkryetar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare. Më 28 nëntor 1991 ka qenë një nga nismëtarët e lëvizjes për ngritjen e flamurit pa yllin e kuq të komunizmit në qytetin e Vlorës Kjo ndodhte në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur heqjen yllit nga flamuri.

Në zgjedhjet e para demokratike për administrimin lokal të vitit 1992 zgjidhet anëtar i Këshillit të Bashkisë Vlorë.   Ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare në Mars 2002.

Megjithatë nga Presidenca nuk ka ardhur asnjë përgjigje kurse kur bëhet fjalë për figura të tjera me prejardhje komuniste, ato janë të panumërta, madje edhe kur mbi ata rëndojnë akuza për masakra nga më të tmerrshmet si ato të Tivarit, Malsisë së Madhe dhe të tjera si këto. Duke kujtuar këto, unë ndjej një dhimbje të madhe. E ndjej këtë dhimbje pasi kur shoh veten time të dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Naim Frashëri” mendoj se nuk e meritoja këtë dekoratë para atyre burrave të shquar që përmenda më sipër.

Le të bëhet ky një mësim për politikën shqiptare.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Meditim me veten time, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT