• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Feniksat e rilindur

April 9, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA/

Sipas mitologjisë feniksi ishte një zog që, pasi mbushte pesëqind vjet, digjej dhe nga hiri i tij rilindte përsëri. Kjo legjendë m’u kujtua kur mora pjesë në ceremoninë e përurimit të bar restorant “Feniks” në komunën e Remasit të Lushnjes. Kjo ngjarje më solli njëzetedy vjet më parë, atëherë kur populli i tërë thërriste:

– E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

M’u kujtua kjo thirrje pasi në atë restorant, për nga stili i ndërtimit dhe eleganca e shërbimit, m’u duk sikur isha në një restorant të Europës. Por, ajo që është më e rëndësishmja,  si në pothuajse gjithë vendët e qytetëruara të botës, ky restorant nuk është ndërtuar as me drogë dhe as me trafiqe të pista si shumë të tjerë.  Pronari i saj, Emir Çoku, nipi i Azem Çokut, “Qytetar Nderi’ i komunës, ish i burgosur politik së bashku me tre djem të tij, Esatin, Bedriun dhe Caushin, me 65 vjet burg mbi shpinat e tyre, për vite të tëra punoi në emigrim për një jetë më të mirë. Nuk u hodh pas qejfeve të shfrenuara dhe punëve të pista. Punoi për të ardhmen e tij dhe të familjes dhe me kursimet e mbledhura mundi të ndërtonte këtë restorant të modelit europian. Aty është djersa e tij dhe e familjes së tij.

Së fundi mbërriti edhe dita e përurimit të tij. Midis shumë të pranishmëve pata nderin të isha edhe unë. Nuk mungonte as muzika. Ajo gjëmonte duke filluar nga vallet e bukura popullore dhe deri te roku amerikan. Në mesin e kërcimtarëve dalloheshin feniksat e rilindur të familjes Çoku që i jepnin një pamje të mahnitshme gjithë atmosferës së kësaj feste. Unë i shikoja me admirim dhe më dukej sikur në fytyrat e tyre rilindte Azem Çoku, luftëtari nacionalist që jetën tij ia kushtoi atdheut. Por, në fytyrat e tyre shikoja edhe si rilindnin nacionalistët e tjerë të rënë për liri gjatë viteve të gjata të sundimit të terrorit komunist apo të tjerë burra që nuk mundën të shohin ditën e madhe të demokracisë për të cilën kishin ëndërruar dhe luftuar pa kursyer asgjë.

Qëndroj në karriken time duke vështruar por mendja ka fluturuar. Ka fluturuar ndër vegimet e së kaluarës së hidhur. Në ato ditë të trishta kur donim të mësonim dhe nuk na linin  për të mësuar, donim të punonim dhe nuk na linin për të punuar, donim të jetonim dhe nuk na linin as për të jetuar. Më kujtohen 65 bujqit e Myzeqesë që u ekzekutuan nga krimineli Mehmet Shehu vetëm e vetëm pse ishin nacionalistë. Por më kujtohen edhe korbat e zinj të sotshëm që çirren dhe këlthasin për të ringjallur atë që ka perënduar me kohë. Midis tyre edhe shumë të ashtuquajtur intelektualë, të mbushur me tituj dhe dekorata që arrijnë deri aty sa kriminelin e sipërpërmendur ta konsiderojnë si një burrë shteti që gjoja historia e Shqipërisë nuk e paska parë kurrë.

Oh, fatkeqë! Si nuk arrini të kuptoni se historia juaj përfundoi që me përmbysjen e ideve tuaja totalitare. Ju sot mund të jeni deputetë, funksionarë, pedagogë, biznesmenë që keni arritur majat e pasurimit tuaj, apo çfardo gjëje tjetër, por kurrë nuk mund të jeni njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ju jeni vetëm hije të së kaluarës që më kot mundohen të ringjallen. Ndoshta mund të keni mbaruar kushedi sa shkolla të larta, ndoshta mund të keni mbrojtur kushedi se sa mastera dhe doktoratura jashtë shtetit, ndoshta mund të keni fituar kushedi sa tituj dhe dekorata, por derisa nuk keni moralin për të hedhur poshtë të ligën që i bëri gjëmën këtij vendi, ju nuk mund të jeni gjë tjetër veçse mbeturina që duhen hedhur në koshin e plehrave të historisë.

Në këto ditë të fushatës elektorale që praktikisht ka nisur, dëgjojmë zërat tuaj të ngjirur të thërrasin se gjoja paskemi mbetur pa bukë dhe pa ujë,  pa shkolla dhe pa spitale, pa drita dhe pa strehë. Me korin tuaj janë bashkuar edhe disa që  e quajnë veten të përndjekur politik. Dua t’i pyes ata:          – Çfarë  heroizmi keni bërë kundër diktaturës që paskeni fituar këtë emërtim? Mos vallë vjedhjet, shpërdorimet dhe përdhunimet e familjarëve tuaj dhe që më vonë, për t’i shpëtuar ndëshkimit u detyruat të  tentoni të arratiseni jashtë shtetit dhe që regjimi komunist, për t’ju mbajtur më tepër në burg ju dënoi, përveç neneve ordinere edhe me nene politike si agjitacion e propagandë apo tentativë për arratisje?

Çfardo që të shpikni, çfardo që të thoni ju nuk mund të bëni me vete shtresën e gjërë të të përndjekurve politik. Këtë nuk mund ta bëjnë as media e shkruar dhe ajo vizive që ju keni në dispozicion. Me ju ne nuk na ndan vetëm plotësimi i detyrimeve që shteti shqiptar i ka kësaj shtrese. Ne na ndajnë parimet tona që janë të kundërta me tuajat. Ne na ndan historia jonë që është e kundërt me atë tuajën. Ne na ndan këndvështrimi ynë se si i shikojmë ngjarjet historike të ndodhura në vendin tonë me këndvështrimin tuaj. Këtë mos e harroni!

Ceremonia   vazhdon.  Këngët   dhe   vallet  ndjekin  njera-tjetrën. Feniksit  e  rilindur  vazhdojnë  të lodrojnë. Entusiazmi arrin kulmin kur në sallë buçasin vargjet e këngës:

 

Xhamadani vija-vija,

Është Kosova, është Shqipëria.

 

Gjithë salla është ngritur në këmbë dhe këndon me plot zërin:

 

Sa e madhe është shqiptaria!

Unë, plaku 78 vjeçar, qëndroj i mahnitur në qoshkun tim duke vështruar. Dëgjoj këngën dhe para syve më shfaqen vargjet e mrekullueshme të Mjedës:

Por nuk u shujt, ende jo, shqyptaria!

Jo, shqiptaria nuk ka për t’u shuar kurrë dhe kjo, jo për meritë të lakejve të komunizmit që kanë gllabëruar emrin e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar, por të feniksave të rilindur që do të dinë t’i dalin zot këtij vendi. Do të vijë dita kur ju do të zhdukeni nga arena shqiptare pasi ju jeni të humburit dhe ne fitimtarët. Sot në Shqipëri kanë fituar parimet tona demokratike, parime që ju u munduat më kot t’i ndaloni dhe që ne u sakrifikuam për to. E ardhmja u përket feniksave tanë të rilindur. Ata kanë rilindur nga hiri i tyre.

Filed Under: Featured Tagged With: Bedri, Caush, esat, Familja Coku, Feniksat e Rilindur, reshat kripa

Nesër do të jetë shumë vonë

April 2, 2013 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Një sentencë mjaft e pranishme në ditët qe po jetojmë. Nje sentencë që duhet të jetë në vëmendjen e të gjitha forcave politike që e quajnë veten të djathtë. Kjo për arsyen e ndryshimeve të pozicionimit të një prej partive të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këto ditë lexojmë dhe dëgjojmë për një aleancë parazgjedhore PS-LSI, e shoqëruar me disa kushte, si dalja nga qeveria e ministrave të LSI-së në këmbim të votimit të tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian nga ana e PS-së. Se si do të rrjedhin ngjarjet do ta tregojnë ditët e ardhshme, por unë në këtë shkrim do të përqëndrohem në disa çështje, të cilat mendoj se i takojnë së djathtës për t’i trajtuar.

Një nga këto çështje është hedhja poshtë nga ana e së djathtës e iluzionit të suksesit të qeverisjes në bazë të bashkëpunimit me cilëndo forcë të majtë dhe zgjatjes së bashkëpunimit me të. Praktika qeverisëse ka treguar se nuk mund të ketë sukses dhe jetë të gjatë një bashkëpunim i forcave me kahe të kundërta politike, aq më tepër këtu te ne, kur ato vazhdimisht e kanë konsideruar njera-tjetrën  si armike dhe jo si opozitare.. Këtë e ka treguar eksperienca botërore por edhe jona e këtyre viteve pas përmbysjes së sistemit totalitar. E kanë vërtetuar Qeveria Teknike e viteve 1991-1992 dhe ajo e Stabilitetit Kombëtar e vitit 1997, që nuk ishin gjë tjetër veçse flluska sapuni në jetën politike të vendit në ato periudha. Një gjë të tillë tregoi edhe bashkëpunimi aktual midis Qeverisë Berisha me LSI-në e cila, me vetëm katër deputetë arriti të përfitonte mbi 20% të pushtetit në Shqipëri, për të mos thënë se, praktikisht, kjo përqindje është shumë më e lartë se ajo që është shpallur zyrtarisht. Mendoj se e djathta do të kishte fituar më shumë në rast se, në pamundësi të formimit të qeverisë në vitin 2009, të kishte pranuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në vend të bashkëpunimit me LSI-në. Pasojat e këtij bashkëpunimi ajo po i vuan sot.

Çështje tjetër, që për nga rëndësia e saj duhet renditur e para, është shkëputja një herë e përgjithmonë nga e kaluara komuniste gjë që, për fat të keq, nuk ka mundur të realizohet. Një shembull tipik, në këtë drejtim, është miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën e Lart dhe atë Kushtetuese. Kundër këtyre dekreteve u shprehën vetëm dy zëra, ai i zotit Artur Roshi, në emët të Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat dhe ai i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokrat të Shqipërisë nëpërmjet Deklaratës për shtyp të shpërndarë prej tyre. Miratimi i këtyre dekreteve tregoi se pushteti politik vazhdon të mbështetet ende në individë me prejardhje prej organeve më errëta të sistemit të përmbysur. Më lejoni të bëj një krahasim. Si u veprua në Gjermaninë e pasluftës? A pati ndonjë funksionar nazist, aq më tepër ndonjë që kishte kryer krime, të zinte vend në krye të administratës qëndrore. Asnjë. Për më tepër ata ndiqeshin për t’u nxjerrë para bankës së të akuzuarve, madje njëri prej tyre, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, vetëm pak vite më parë, megjithse ishte në moshë mbi 90 vjeçare, u nxorr para gjyqit. Në Gjermani, edhe mbi 30 vjet nga mbarimi i luftës, nëpër shkolla nuk mësohej historia e nazizmit dhe Hitleri, në mënyrë që populli ta harronte atë faqe të errët të historisë së tij. Në këto çatse më kujtohet intervista që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë  kohë  më  parë televizionit “Top Channel”. Midis të tjerave ai tha:

– Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vini veshin! Ndësa në ato vende dënohe vetëm se shfaq një mendim të tillë, te ne ata janë të barabartë, për të mos thënë më lart, se të tjerët. Pra janë në krye të pushtetit.

Tani le të hedhim një vështrim në gjithë periudhën pas fitores së të djathtës në vitin 2005. Nuk do të flas për ato dy vitet e fundit të ish-Presidentit Mojsiu, pasi ai me dekorimin e një individi si Fehmi Avdiu, e tregoi se kujt krahu i përkiste, megjithse e kishte fituar atë post me propozimin dhe votat e së djathtës. Do të përqëndrohem me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Topi. Menduam se çdo gjë do të shkonte në rrjedhën e duhur, por nuk ndodhi kështu. Dekorimet prej tij të individëve të prokurorit famëzi të komunizmit Skënder Breca dhe propozimet për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese të tipave të Vangjel Kostës, që mbante në ndërgjegjen e tij dënimin për motive politike të disa të rinjve shqiptarë, na e prishën këtë iluzion. Atëherë ne u ngritëm dhe deklaruam qëndrimin tonë ndaj këtyre vendimeve absurde. Ne  përshëndetëm,  gjithashtu,  edhe  qëndrimin  e  Kuvendit  të  Shqipërisë  dhe  në mënyrë të veçantë të Kryetares së tij , zonjës Jozefina Topalli, për hedhjen poshtë të këtyre propozimeve.

Me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Nishani dhe, sidomos, pas takimit me të, të një delegacioni të shoqatës, ku ai shprehu hapur se dekreti i parë i tij do të ishte heqja e të gjithë titujve dhe medaljeve diktatorit Enver Hoxha dhe mos dekretimi për në organet e ndryshme që vareshin prej tij, të të gjithë atyre që ishin përlyer me regjimin komunist, na u krijua bindja se, më në fund, guri do të shkonte në vendin e vetë. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Diktatorit ende nuk i janë hequr titujt dhe dekoratat dhe në Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e tij, janë miratuar dy figura nga më të errëtat e regjimit komunist, ndoshta edhe më të errëta nga ato që kishte propozuar zoti Topi.

Më erdhi shumë keq që në këtë valle u futën edhe ata deputetë që rrjedhin nga shtresa e të përndjekurve politik. Do të kisha dashur ta dëgjoja zërin e tyre ashtu si atëherë kur hodhën poshtë propozimin për Vangjel Kostën, por kësaj rradhe ata nuk guxuan, apo ndoshta nuk mund të guxonin. Përse? Mos vallë për postin e deputetit? Në vlerësimin e figurave nuk mund të ketë dy standarte. E pra ata vepruan me dy të tilla.  Turpi apo nderi bie mbi ta. Përshendes deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Mark Marku për qëndrimin e tyre krejtësisht realist.

Do të kisha dashur të dëgjoja edhe zërin kundra të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, por ajo zgjodhi zërin e heshtjes, as po dhe as jo, a thua ishte memece, njëlloj si në rastin e votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, ku kandidat ishte një person i ardhur nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe ku ajo përsëri heshti. Si ta konsiderojmë këtë? Kush më shumë se ajo mund të shprehte mendimin e saj për një çështje të tillë? Le ta gjykojë ndërgjegja e saj.

Dua të pyes Presidentin e Republikes dhe ata që votuan pro dekreteve:

– Mos vallë u shua Shqipëria për intelektualë të rinj, të papërlyer me të kaluarën, që kanë mbaruar studimet dhe marrë tituj të ndryshëm nëpër vendet më të zhvilluara perëndimore dhe ju u detyruat të na servirni këta lakej të komunizmit, për të cilët zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deklaronte:

– Unë nuk kam frikë nga komunizmi, por nga lakejtë e tij që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Shqipëria ka plot kuadro të afta për të drejtuar kombin. Zgjidhni ndërmjet tyre ata që nuk kanë qenë të përlyer me komunizmin. Le të jenë demokrat, socialist, republikan, social-demokrat, ballist, legalist dhe çfardo tjetër, vetëm jo veglat e bindura të komunizmit. Hapni dosjet e diktaturës. Pastroni administratën shtetërore nga këto mbeturina. Mbylluani dyert atyre që nuk pranojnë të hedhin poshtë të keqen, siç shkruante Shekspiri i pavdekshëm:

– Hidhni poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rroni me gjysmën tjeter më të mirë!

Dhe kjo në rast se u ka mbetur një gjysmë zemre e mirë.

Ky është qëllimi i shkrimit tim. Nuk e di se sa do të realizohen këto. Por dua t’ju them se për të ardhmen e atdheut kjo duhet bërë sot pasi nesër do të jetë shumë vonë. Unë e kam zgjedhur rrugën time. Ajo është po ajo që kam patur në rininë time:

– Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: neser do te jete vone, reshat kripa

ISH TE PERNDJEKURIT: PRESIDENTI NISHANI FYEN TE PERNDJEKURIT ME KANDIDATURAT E DEKRETUARA

March 27, 2013 by dgreca

Presidenti Nishani dekretoi kandidaturat e Besnik Imerajt, ish Drejtor i Hetuesisë së Përgjithshme Tiranë, i njohur për proceset fallso të ngritura prej tij kundër  antikomunistëve shqiptare në kohën e regjimit komunist dhe Gani Dizdarit, prokuror në Drejtorinë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, vend ku përgatiteshin të gjithë vendimet kriminale kundër shtresës së kundërshtarve të regjimit.*/

Ne, anëtarët e Kryesisë Kombëtare të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, të mbledhur sot më datën 28 mars 2013, pasi dëgjuam miratimin në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë të tre kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës për në Gjykatën Kushtetuese, në emër të të gjithë të përndjekurve politikë anëtarë të shoqatës tonë, paraqesim pikëpamjet tona të mëposhtme:

Shprehim indinjatën tonë të thellë për faktin që Presidenti i Republikës, në kundërshtim me premtimin që na bëri në takimin që patëm me të në muajin janar 2013, se nuk do të dekretonte kurrë kandidatura me prejardhje nga regjimi komunist që kanë kryer krime në atë kohë, dekretoi kandidaturat e Besnik Imerajt, ish Drejtor i Hetuesisë së Përgjithshme Tiranë, i njohur për proceset fallso të ngritura prej tij kundër  antikomunistëve shqiptare në kohën e regjimit komunist dhe Gani Dizdarit, prokuror në Drejtorinë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, vend ku përgatiteshin të gjithë vendimet kriminale kundër shtresës së kundërshtarve të regjimit.

Por ne shprehim gjithashtu indinjatën tonë edhe për miratimin e këtyre kandidaturave në Komisionin e Ligjeve, duke e konsideruar atë si një fyerje që i bëhet të përndjekurve politikë të Shqipërisë në veçanti dhe gjithë popullit shqiptar në përgjithësi. Përshëndesim vendimin e zotit Enkelejd Alibeaj që, duke i qëndruar besnik parimeve demokratike të shtresës së cilës ai i përket, abstenoi në votim.

Me keqardhje konstatojme se ky nuk është rasti i parë që kryhen veprime të tilla nga Presidentët e Republikës dhe një pjesë e tyre të miratuara edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Mund të përmendim këtu dekorimet dhe emërimet në organet e larta të drejtësisë të vrasësit të poetit Havzi Nela apo atyre të revoltave të Spaçit dhe Qafës së Barit që shkaktuan shtatë të ekzekutuar dhe dhjetra të ridënuar. Ne këto kushte na lind e drejta t’u pyesim:

– Si ka mundësi që një Projekt-Ligj të paraqitur mbi një vit më parë nga Qeveria për disa shtesa në Ligjin Nr. 9831, datë 12.11.2013 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist” që bën fjalë për dëmshpërblimin e të dënuarve politik që jetojnë dhe janë mbi 85 vjeç, mbi heqjen e nenit të terrorizmit, mbi zgjatjen e kohës së pushkatimit pa gjyq qysh më 25 tetor 1944, mbi zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave e të tjera, nuk gjeni kohë për miratimin e tij, kur Komisionet e Kuvendit kanë kohë që e kanë miratuar?

Përse nuk hartoni një Projekt-Ligj të ri lustracioni për pastrimin e figurës së personave zyrtarë? Përse nuk zbatoni pikat e miratuara nga ju në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2006 mbi “Ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist?

Lidhur me sa më sipër ju bëjmë thirrje të gjithë deputetve të Kuvendit të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë, atyre që rrjedhin nga shtresa e të përndjekurve politikë të hedhin poshtë dy kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës. Në të kundërt ne do të rishikojmë qëndrimin tonë në lidhje me marëdhëniet me partitë politike.

Mos harroni se jemi përpara zgjedhjeve të përgjthshme.

 

Anëtarët e Kryesisë kombëtare

 

Simon         Mirakaj                16. Vladimir                  Kosturi       31. Nihat    Tërshana

Lili              Ndoci                             17. Fredi               Babani        32. Shyqyri Toska

Gjergj                   Marku                  18. Aziz                Ndreu                   33. Petrit     Çepele

Fatbardh     Doko                    19. Avni               Xhomaqi     34. Cane     Agaj

Selami         Morina                 20. Mark              Alija            35. Kastriot          Ajdini

Reshat        Kripa                    21. Agron             Fama          36. Shpresa Merdani

Sejdi           Peka                     22. Qamil             Merlika       37. Lumturi Grabova

Mehdi         Kraja                    23. Edi                 Belishova    38. Mark     Mustafa

Sherif          Kaloshi                 24. Liliana            Herri           39. Sefedin  Xara

Asllan         Allamani              25. Pullumb                   Demo

Ibrahim       Vasjari                 26. Qerim             Hysenbegasi

Eqerem       Shehu                             27. Avni               Agaj

Bilbil           Cami                    28. Llambro                   Nesturi

Seit             Prishta                  29. Vladimir                  Kosturi

Fenelon       Hoxha                  30. Jorgo              Masho

 

* Testi i mesiperm eshte marre i plote nga Deklarata  për  shtyp e Shoqates  Antikomuniste  e  të  Përndjekurve  Politikë  Demokratë  të

Shqipërisë, derguar Gazetes “DIELLI”

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dklarate, e shoqates, e te perndjekureve politike, Kombetare Antikomuniste, presidenti Nishani, reshat kripa

Një thirrje Kryetares së Kuvendit:Kemi mbetur fare pak te gjalle!

March 27, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA/

(Ne Foto, e ndjera Bardha Gjonmarkaj)

Para disa ditësh ishim në Shkodër. Përcollëm për në banesën e fundit zonjën e nderuar Bardha Gjonmarkaj, vajzën e kapedanit të Mirditës,  dy herë e dënuar politike dhe pjesën tjetër të periudhës totalitare e internuar nëpër kampet e errëta të komunizmit.

Të nesërmen një tjetër mik i shquar, i paharruari Abdyl Kërluku, u nda nga jeta. I dënuar për qëndrimin e tij antikomunist nga regjimi totalitar. I ridënuar përsëri për tentativë arratisje nga kampi i punës së detyruar nëpërmjet një tuneli që kishin gërmuar fshehurazi.

Pas dy ditësh të tjera  mësova edhe për një rast tjetër të një martiri që ishte ndarë nga jeta. Ishte fjala për qëndrestarin e orëve të para të rezistencës antikomuniste, nismëtarin e shoqatës tonë dhe burrin e urtë e të shquar, Faik Selenica, mbyllur sytë larg atdheut, në Itali.

Ndjeva një dhimbje për humbjen e këtyre figurave të shquara të luftës kundër komunizmit. Të tre ishin të moshës mbi 85 vjeç. Nisur nga tre humbjet e miqve të mij të çmuar, hedh vështrimin rreth vetes dhe shoh se kemi mbetur fare pak që jemi ende gjallë. Shoh edhe të tjerë që janë në rrugën e ikjes, madje një pjesë e tyre kanë zënë edhe shtratin. Sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Financave në vitin 2009 jetonin ende 3200 ish të dënuar politikë, numër që në fund të vitit 2011 zbriti në 2400. Të tjerët ishin shuar. Nga këta, gjithmonë sipas këtyre të dhënave, 400 ishin të moshës mbi 85 vjeç.

Ka më tëpër se një vit që Qeveria Demokratike përpiloi një projekt-ligj që parashikonte këto pika:

  1. Shpërblimin financiar  me  një  këst të vetëm  të  atyre që kanë mbushur moshën 85 vjeç.
  2. Shpërblimin  financiar   të   atyre   që   në  dëshminë  e dënimit politik kanë edhe  nenin  që  i

konsideronte veprimet e tyre terroriste.

  1. Ndryshimin  e  afatit  të  periudhës së vrasjes  pa   gjyq   nga   30  nëntori  1944,  në  25  tetor

1944 deri më 31 tetor 1991.

  1. Zgjatjen   e   afatit    të    dorëzimit    të    kërkesave    që   kishte  përfunduar  më  30  qershor

2009.

Të përndjekurit politikë e përshëndetën këtë projekt-ligj të qeverisë duke e konsideruar si një zbatim të detyrimit që Shqipëria i ka këtyre korifejve të luftës për liri dhe demokraci. Projekt-ligji kaloi edhe në Komisionet e Ekonomisë dhe të Ligjeve. Por,  në  diskutimet  e  bëra atje, doli në skenë demagogjia e socialistëve që, duke derdhur lot krokodili, filluan t’u qajnë hallin ish të përndjekurve, madje të propozojnë ndryshime të tilla si shlyerja e dëmshpërblimit financiar për një periudhë prej katër vitesh, në një kohë kur vetëm para pak vitesh nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në miratimin e këtij ligji. Në këtë kuadër ata propozuan që mosha e atyre që do dëmshpërbleheshin me një këst të vetëm të zbriste në 75 vjeç. Megjithatë, pas diskutimesh të gjata, shumica e pranoi propozimin e pakicës dhe komisionet e miratuan. Projekt- ligji kaloi në seancë plenare.

Qysh prej asaj kohe ka kaluar më shumë se një vit dhe projekt-ligjit nuk po i hapet ende drita jeshile e miratimit. Përse? Asnjë përgjigje. Sipas shtypit, herë pas here, kemi mësuar se do të miratohej në Shtator, dhjetor 2012 apo janar 2013. Por të gjitha kanë qenë supozime të shtypit. Asgjë më tepër.

Në fillim të këtij shkrimi përmenda tre raste të martirëve mbi 85 vjeç që janë shuar. Kam rreth vetes disa të tjerë si këta që presin miratimin e ligjit për marrjen e dëmshpërblimit. Nuk po i përmend emrat e tyre sepse më duket sikur i fyej, pasi ata nuk u burgosën me shpresën për të marrë një ditë prej ditësh një grusht të hollash si dëmshpërblim. Ata u sakrifikuan për idealet e tyre, për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Natyrisht ata sot nuk janë në gjendjen që ishin në kohën e diktaturës. Jo vetëm moralisht por edhe financiarisht ata janë sot shumë herë më mirë se më parë. Por, midis tyre për një arsye apo një tjetër, ka edhe nga ata që janë mjaft nevojtarë për këtë dëmshpërblim. Është detyrë e shtetit shqiptar të shlyejë detyrimet që ka ndaj kësaj shtrese. Ka zëra që thonë se pengesë për këtë është mundësia financiare e shtetit shqiptar. Atëherë dua të pyes:

– Si ka mundësi që gati për çdo ditë lexojmë në shtypin e përditshëm për pensionet e posaçme që u akordohen ish ushtarakëve dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nuk paska mundësi? Përse ky diferencim ndërmjet këtyre  dy  shtresave  të  popullsisë  shqiptare? Cila  prej  tyre  e  pësoi  më

shumë nga periudha totalitare?

Të  gjitha    këto    pyetje    kanë     nevojë     për    përgjigje.  Personalisht  mendoj  se  mundësitë

financiare për dëmshpërblimin, të paktën të atyre që janë mbi 85 vjeç, ekziston. Madje do të shtoja se ekziston mundësia financiare për dëmshpërblimin e të gjithë atyre të përndjekurve politikë që jetojnë ende. Për këtë le të bëjmë arsyetimin e mëposhtëm.

Sipas të dhënave  zyrtare  numri  i  të  përndjekurve  politikë  që jetojnë ende, sikurse thamë edhe më lart, është 2400 persona (në fakt shifra është më e vogël pasi, qysh prej deklarimit të saj, një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë), ndërsa periudha mesatare e kohës së vuajtjes së dënimit  është tetë vjet. Një gjë e tillë është pranuar qysh në vitin 1993 kur dikutohej ligji i atëhershëm për dëmshpërblimin dhe kur periudha e dëshmpërblimit të të pushkatuarve u konsiderua e barabartë me tetë vjet, domethënë me mesataren e kryerjes së dënimit të të burgosurve politikë. Një gjë e tillë u la edhe në ligjin e vitit 2008 pikërisht në bazë të këtij fakti. Deri më sot janë marrë dy këste dhe mbeten edhe gjashtë të tjerë. Le të bëjmë llogaritjet:

Persona 2400 X 6 vjet X 365 ditë X 2000 lekë/dita = 10.512.000.000 lekë. Të kthyera në dollarë këto lekë janë të barabartë me:  10.512.000.000 : 105 = 100.114.286 dollar ose në Euro: 10.512.000.000 : 140 = 75.085.714 Euro.

Sikurse shihet nuk është një shumë e papërballueshme. Nëqoftëse do të marrim parasysh se jetojmë në një vit zgjedhjesh, kur sapo është dhënë, madje vazhdon të jepet ende kësti i dytë, dhe duke marrë parasysh gjëndjen financiare të shtetit sikur kjo shumë të ndahet në dy këste do të rezultonte:

75.085.714 Euro : 2 = 37.542.857 Euro për një këst.

Mendoj se vetëm me 1/3 e fondeve të fituara nga privatizimi i katër hidrocentraleve (atyre të Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës), ku kanë dhënë kontributin e tyre edhe ish të burgosurit politikë, mund të shlyheshin të gjithë të përndjekurit që jetojnë për dy vite.

Përveç problemit të dëmshpërblimit një rëndësi po kaq të madhe kanë edhe tre pikat e tjera të projekt-ligjit në fjalë. Le t’i analizojmë njera pas tjetrës.

Çështja e nenit mbi terrorizmin. Është i njohur fakti që regjimi komunist për t’i dënuar më shumë të burgosurit politikë, u shtonte edhe këtë nen. Çfarë terrorizmi kanë zhvilluar ata? Kë kanë vrarë? Kë kanë masakruar apo terrorizuar? Asnjë. Për më tepër, në këtë kategori kanë futur edhe ata që tentonin për t’u arratisur si për shembull ata të burgut të Burrelit, revoltës së Spaçit apo asaj të Qafës së Barit. Edhe  në  vende   të   tjera   të   botës   të   burgosurit   tentojnë   të   arratisen   por,  ata   që   kapen,  nuk

ridënohen.

Ndryshimi i periudhës së vrasjes pa gjyq. Projekt-ligji parashikon 25 tetorin, ditën e fillimit të luftës së Tiranës. Ne kemi qenë dakord dhe kemi propozuar që kjo datë të jetë 1 gushti i vitit 1943, viti i Konferencës së Mukjes, pasojë e së cilës ishte hapja e luftës vëllavrasëse. Për këtë kemi bërë edhe propozimet përkatëse. Deri më sot nuk janë miratuar. Sidoqoftë propozimi për të caktuar si datë fillestare 25 tetorin 1944 duhet miratuar sa më parë.

Edhe zgjatja afatit të dorëzimit të dokumentave duhet të miratohet. Në Ministrinë e Drejtësisë janë grumbulluar një sasi e madhe të tilla kërkesash që janë në pritje. Ne jemi të mendimit që për këtë çështje të mos ketë fare afat. Një personi që përfiton dëmshpërblimin nuk ka pse t’i vihet afat për të bërë kërkesën.

Këto ishin çështjet për të cilat doja të diskutoja, Ky është një fakt i hidhur që duhet të shqetësojë këdo në Shqipëri, aq më tepër ata politikanë që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre pasojat e regjimit totalitar. U bëj thirrje Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetëve të përndjekur politikë: Lexojeni këtë shkrim, shikoni bashkëvuajtësit tuaj që po shuhen dita-ditës, ktheni vështrimin prapa, te paraardhësit tuaj që e kanë provuar këtë diskriminim dhe miratoni projekt-ligjin në fjalë i cili, megjithëse nuk është i plotë, bënë një hap para drejt rehabilitimit të kësaj shtrese. Në rast se miratimi i tre ligjeve që opozita në mënyrë absurde,  kundërshton t’i miratojë, është vendimtar për të ardhmen e gjithë popullit shqiptar, miratimi i këtij projekt-ligji është vendimtar për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë. Atëherë miratoheni.

 

Kete shkrim qe po i dergojme Diellit, e botoi gazeta “Metropol” Nr. 2931 datë 26 mars 2013. Dërguar edhe gazetave “Mapo” dhe “Panorama” që nuk e botuan, madje nuk morën as mundimin për të njoftuar shkakun e mosbotimit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh me këto gazeta. Përse? Këtë e dinë më mirë drejtuesit e tyre. Dëshiroj t’i pyes: A  është kjo etika e një medie të lirë dhe të pavarur? 

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, se Kuvendit, thirrje kryetares

Homazh për mikun tonë, Abdyl Kërluku

March 21, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

I nderuar miku  ynë Abdyl Kërluku!! Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm. Ne deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të burrëroheshe nëpër qelitë e errëta të sigurimit  të zi komunist apo nëpër kampet e tmerrshme të punës së detyruar. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Abdyl i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Për të gjitha këto të zgjodhën në krye të shoqatës për Tiranën dhe ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Por ti nuk luftove vetëm në gjirin e shoqatës. U lidhe në mënyrë të pandashme me atë forcë politike që i vuri gjoksin përmbysjes së komunizmit, Partinë Demokratike, duke punuar me përkushtim në organet drejtuese të saj dhe duke i qëndruar gjithmonë besnike, deri në çastin kur fluturove për në qiellin e amëshuar.

Abdyli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonin të lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tyre. Donte të jetonin në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut të tij,  jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte dot ato që ëndërronte, ato që i buronin nga zemra e tij e madhe. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të tij të pastër. Jetonte në atë epokë kur kishte dëshirë për të studiuar dhe nuk e lejonin të studionte, kishte dëshirë për të punuar dhe nuk e linin të punonte, kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar. Jetonte në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për këtë e burgosën, por nuk mundën të thyenin vrullin e tij drejt lirisë. Edhe pse i burgosur, ai përsëri rendi drejt saj. Tentoi arratisjen nga burgu pa u trembur nga ferri komunist dhe përfundimisht mundi ta plotësonte ëndrrën e tij në dhjetorin e vitit 1990, në ato ditë të zjarrta kur Tirana e tërë dhe bashkë me të e gjithë Shqipëria ngrihesh në këmbë për fitimin e  lirisë, së cilës i kishin kushtuar jetën e tyre.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, anëtar i Kryesisë Kombëtare të së cilës ishte edhe i nderuari Abdyl. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Abdyli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Abdylin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Filed Under: Opinion Tagged With: homazh, per Abdyl Kerluku, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT