Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
“Do të koalicionojmë derisa të mbarojë agjenda euroatllantike”, thanë, e kjo domethënë, u kërcënuan krerë të partive bashkësunduese në Prishtinë.
Dhe do t’më përftojë një mendim me notë alarmi: si mund ta shtyjnë përpara këtë agjendë bandat frenuese të saj? Po të ndodhte ky besatim dhe, tutje, meqë procesi aderues prolongohet pambarimshëm – aherë rezulton se ata do mbeten në kupolën pushtetare, poashtu pambarishëm.
Vetë ideja është rrënqethëse, vdekjeprurëse, e fundjetshme..!
Por fillimisht hijadhë, e më pas kthjellësisht, më erdhi, për çudi, një ndihmë nga s’e prisja: nga Erih Honekeri, diktatori entuziast i Gjermanisë lindore.
Në orët dramatike në prak të shkërmoqjes së Rendit të vjetër të Europës, pat thënë pompozisht: Muri i Berlinit do mbahet në këmbë edhe 100 vjet!
Por, pa u tharë pështyma
që shoqëronte fjalën marroke, Ngreha tragjike do rrafshohej përdhê.
Anipse nuk gjendet asnjë justifikim që prek tehun e mprehtë të arsyes, një kuptim shpjegues është krejtësisht real.
Ndaj, pra, nuk është veçse përrallë ngushëlluese fajtorësh dhe, poaq, vegim delirant despotësh.
Kështu është sot, e kështu kje përherë!