• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rudina Xhunga si trushplarëse e politikës!

October 8, 2018 by dgreca

2-elida

Nga Elida Buçpapaj/

Kemi mbi dy dekada që e shohim Rudina Xhungën në rolin e trushplarëses. Vetëm kështu i ka siguruar vetes vendin e punës, lluksin duke shijuar qejfin, jetēn, familjen dhe bukuritë e vendit të shqipeve.

Rudina Xhungës nuk i ka shkuar kurrë mendja që ta braktisë Atdheun! Rudina Xhunga është patriote! Lum partia dhe populli që e ka dhe e mba!

Në mbi çerek shekulli karierë, dy herë është ndjerë e kërcēnuar. Sikur tregon me gojën e saj, kur intervistoi Fatos Klosin dhe u ngrys në spital nga frika dhe kur e kërcënoi një sipërmarrës dy-tri javë më parë. Gjithë mediat e mbështetën kur u ndje e kërcënuar nga biznesmeni kriminel, përfshi edhe portali ku autorja e ketyre rradhëve është bashkëeditore.

Pjesën tjetër të karierës Rudina e ka kaluar mbështetur mbi shpatullat e ngrohta. Të nënës politikë!

Vetëm kësisoj mundi të bënte karierën dominuar nga roli si trushplarëse dhe konformiste me pushtetin politik.

Dikund thotë e shkruan ndonë fjalë a kolumnë me vend, ndërsa kusuret i mbështjell me varakun e manipulimit! E ka nga halli që të mos i cënohet lluksi i jetës që e ka fituar si trushplarëse. Ose ngaqë nuk do të mbetet pa vend pune apo të braktisë Atdheun. 20% nga kariera e Rudina Xhungës është dinjitoze 80 % manipulative.

Po të kalojë në Veting, si gazetare Rudina Xhunga do të duhej të ndryshojë profesion. Gazetaria e përjashton manipulimin dhe mospavarësinë politike!

Si trushplarëse, mbi çerek shekulli Rudina Xhunga është vlerësuar nga politika, duke startuar si kryeredaktore e Zërit të Popullit dhe pastaj mbi 20 vjet me një emision të personalizuar. Tani posa e kanë dekoruar me drejtimin e një emisioni të ri dhe Rudina Xhungës i duhet të elaborojē metoda të reja trushplarje.

Trushplarësit meritojnë të refuzohen nga opinioni publik. Jo të mbeten si peshku pa ujë, se trushplarësit nuk janë peshq, janë monstra që e kthejnë opinionin në lejfen duke ua imponuar të gëlltisin, sikur pensionistët ilaçet e skaduar, idiotësitë më idiote të alibive që nuk i besojnë as fëmijët në kopësht.

Trushplarësit thonë: gomari fluturon, Edi Rama është hallvë, shteti i tij është kadaif, ndërsa kriminelët janë ufo që zbresin nga kozmosi dhe rrënojnë shtetin social, Policinë e Shtetit, Teatrin Kombëtar!

Në rastin më të fundit, Rudina Xhunga në unison perfekt me Edi Rama anatemon oficerin Emiljano Nuhu, që sipas saj braktisi vendin e punës. Sipas Edi Ramës dhe Rudina Xhungës mafia, krimi, krimineli, krimi i organizuar, dhunuesit e Xhiseilës janë Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu!

Nuk do të merresha me Rudina Xhungën, sikur kjo të  mos i përkushtohet me mish e me shpirt manipulimit të krimit shtetëror kundër Xhisiela Malokut! Rudina Xhunga trushplan në mënyrë të përbindëshme kur thotë se “rasti i Xhisielës nuk është politik”, por social!

Rudina Xhunga i tjetërson dhe manipulon shkaktarët e katastrofës kombëtare. Ajo do të tërheqë opinionin publik me alibinë e saj diabolike, se sipas saj fajtor i poshtrimit të një jetimeje të shkretë nuk është Edi Rama, as Sajmir Tahiri, as Fatmir Xhafaj, as Taulant Balla, as kryepbashkiaku i Kavajës, as kryebashkiaku i Krujës, as deputeti i Krujës dhe klani i tij që kërcënuan me pistoletë oficerin e policisë të shtetit, por shoqëria që i prodhon apo që nuk i lufton kriminelët. Rudina Xhunga i thotë të zezës të bardhë kur opinioni e di shumë mirë se krimi ka lidhje me politikën dhe se është politika ajo që nuk lejon ndëshkimin e krimit sepse është unisuar me krimin!

Po ndalem tek Xhisiela Maloku, për të demonstruar inkriminimin e shtetit në apoteozë.

Vajza u përdhunua dhe u dhunua nga djali i deputetit të PS; deputeti i PS me klanin e tij në praninë e kryetarit të grupit parlamentar të PS, kryetarit të bashkisë të Krujës kërcënojnë me pistoletë në kokë oficerin Nuhu, i cili, kur sheh se shtetin e ka kundër, largohet nga vendi dhe, kur oficeri e denoncon krimin nga ku është, kundër Emiljano Nuhut përfshihet direkt kryeministri që i betohet dhe e kërcënon se do ta ndjekin si horr këmba këmbës, ndërkohë që Xhisielën e shëtisin në mënyrën më poshtruese nga televizioni në televizion që ajo të përsërisë se nuk është dhunuar kurrë nga djali i deputetit dhe se e ka krijuar gjithçka vetë, e ka shpifur vetë, duke rrezikuar burgosjen për dëshmi të rremë, ndërsa ti Rudina Xhunga edhe pas kësaj maskarade kriminale insiston se Emiljano Nuhu ka braktisur vendin e punës për të fituar azil, ndërsa krimi ndaj Xhiseildës nuk ka të bëjë as me politikën dhe as me shtetin!

Kësisoj nuk bën gjë tjetër, veç i bën autoportretin vetes, si trushplarëse, natyrisht si trushplarëse e politikës!

 

——

PS Më poshtë po sjellim opinionin e Rudina Xhungës ku fokusohet tek oficeri Emiljano Nuhu që sipas saj braktisi vendin e punës  dhe se sipas saj rasti Xhiseila nuk është çështje politike

Lufta ka nisur. Ti me kë je? –

Nga Rudina Xhunga

Dje isha e ftuar në një emision televiziv të ‘News 24’, drejtuar nga Ylli Rakipi dhe u ndjeva si peshku pa ujë.

Drejtuesi më sqaroi disa herë se bëhej fjalë për një çështje politike dhe si e tillë duhej trajtuar.
Unë refuzoj ta shoh si çështje politike rastin “Xhisiela”.
Po ta trajtosh si të tillë, i bie të thirren në zgjidhje vetëm Rama-Basha, ta diskutojnë analistët në studio dhe ta arkivojmë sapo nis çështja “Vrasja te Blloku”. Këto nuk janë çështje politike. Janë çështje kombëtare.
Çështjen ‘Xhisiela’ nuk e zgjidh dot vetëm dëshmia e Nuhut, se ai e braktisi punën dhe vendin.
Këtë nuk mund ta zgjidhin, as vetëm gazetarët e kronikës, as analistët, as moderatorët, as portalet, as gjykatat, aq më pak publiku që bombardohet me informacion që e mpin dhe demotivon. Mbrëmë mendova pikërisht për publikun, gjatë emisionit. Unë isha e ftuar dhe u ndjeva e përjashtuar nga fraza: kjo është politikë. Po publiku si ndihet, po t’i thuash këtë?
Sigurisht i mënjanuar, i paftuar në zgjidhje, se po është politike, e dinë “ata”.
Por jo, nuk është politike, është kombëtare.
Përplasja me krimin, pushtetin e më të fortit, që po iu tek, të përdhunon, të vret dhe ia hedh, është çështje kombëtare. Kjo nuk është më, as vetëm çështje e policisë dhe prokurorisë. Polici e prokurori është njeri si unë e ti. Ka frikë se është i dobët në një shtet, ku ligjin e bën i forti. I forti paguan politikën, grupet e armatosura dhe medien.
Dhe forcohet gjithmonë e më shumë. I dobëti, më e pakta ul kokën, të mbushë lotarinë amerikane.
Dhe kështu po zbrazemi.
Ndaj çështjet e të fortëve e qyteteve, lagjeve e shtëpive tona, nuk janë me çështje politike, janë çështje kombëtare. Është e kotë të fshihemi pas gishtit, në debate që orientojnë politikisht dhe politikanë me alibira tabulatesh. Është më shumë se kaq, është më thjesht se kaq. Është vetëm një pyetje, që duhet t’i bëjmë vetes: Do të lejojmë të na përzënë nga ky vend?
Nëse jo, nëse nuk kemi atdhe tjetër, e kemi detyrim të mos lejojmë të na thonë, kjo është politikë.
Joooo, krimi është çështje kombëtare.
E ushqen nënshtrimi ynë, ndaj atyre që bëjnë drogë, prostitucion, krim dhe korrupsion.
Na duken të zotë, ulim kokën dhe bëjmë sikur nuk e kanë me ne.
Po nëse Nikla është larg, dje erdhi në Bllok, nesër të vjen në shtëpi. Është çasti që nuk ka kthim pas.

Tani nuk ka qytetar, biznesmen, punonjës administrate, gazetar, prind që mund t’i lejojë vetes luksin të mos bëhet palë.
Përballë janë dy mentalitete, dy mënyra jetese, dy lloj njerëzish. Ata nuk janë pushtet e opozitë, por të punës dhe të punëve të pista.
Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë Ramës dhe Bashës, tani është: Ju me kë jeni? Ne nuk e kemi shansin të mos bëjmë pyetje, se palët tani janë përballë. Nuk është Rama dhe përballë Basha, Xhafaj dhe përballë Noka.
Janë ata, që punojnë dhe ata që prostituojnë, janë ata që presin rrogën dhe ata që s’u duhet rroga, janë ata që heshtin dhe ata që vrasin, janë ata që zhvillojnë biznese dhe ata që u vënë gjoba bizneseve, janë ata që besojnë në ndershmëri dhe ndjeshmëri,  dhe ata që tallen me këto e të këpusin kokën, po u preve rrugën, sikur edhe rastësisht.
Gjithmonë ata që bëhen me të keqen, bërtasin më shumë, ndaj duken pak ata që rreshtohen me të moralshmen.
Tani është momenti të numërohemi.
Ndaj ngrije dorën! Ti me kë je? Sepse lufta ka nisur. Dhe nuk është lufta PS-PD. Është lufta e krimit me shoqërinë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Rudina Xhunga, trushplarëse

SHEMBULL SE SI NUK DUHET TË BËHET INTERVISTA

February 10, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Fjala është për intervistën e fundit që zhvilloi gayetarja shqiptare Rudina Xhunga me Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e diktatorit komunist Enver Hoxha. Dua të them që nga fillimi se nuk jam kundër idesë që të intervistohen persona, si Nexhmije Hoxha – të cilët në emër të një regjimi ose në emër të ndonjë ideologjie — në jetën e tyre kanë bërë krime që madje mund të cilësohen edhe si krime kundër njerëzimit; diktatorë që kanë vrarë dhe u kanë shkaktuar vuajtje të pa-imagjinueshme fizike, shpirtërore dhe familjare mijëra e mijëra bashkombasve të vet gjatë sundimit të tyre. Në këtë rast subjekt i intervistës ishte Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e njërit prej udhëheqsve komunistë më të urrejtur botërorë të shekullit të kaluar.
Përkundrazi, dëshiroj të rrëfej se jam në favor të intervistave të tilla, përfshirë intervistën me Nexhmije Hoxhën, por jo si në këtë rast kur subjekti i intervistës ishte jo vetëm bashkëshortja, por për më tepër, dora e djathtë e diktatorit. Unë nuk fajësoj gazetaren Xhunga për bërjen e intervistës me Nexhmijen, por unë nuk jam dakort me mënyrën se si ajo zhvilloi atë intervistë. Do të ishte më mirë të mos bëhej fare intervista se sa gazetarja të pranonte ndonjë kusht më përpara, për sigurimin e intervistës me Nexhmije Hoxhën, ie, se cilat do të ishin pyetjet dhe cilat subjekte mund të diksutoheshin. Me pyetjet dhe me (mos)reagimet e saja ndaj përgjigjeve, gazetarja Xhunga e trajtoi Nexhmijen sikur ajo të ishte ndonjë yll Holivudi dhe jo një pjesëmarrëse aktivenë njërën prej tragjedive më të mëdha që ka njohur historia e kombit shqiptar. Megjithëse u bë zhurmë e madhe për intervistën e Nexhmijes si historike, gjykuar nga pyetjet dhe nga përmbajtja e përgjigjeve, intervista nuk ishte as efektive dhe as historike. Në të vërtetë, intervista për nga mënyra se si u zhvillua ishte një ofendim shpirtëror dhe fizik për të gjitha viktimat e atij regjimi gjatë të cilit Nexhmije dhe Enver Hoxha kryesuan dhe e sunduan me dorë të hekurt popullin shqiptar për pothuaj një gjysëm shekulli. Intervista nuk ishte as a balancuar, as objektive dhe as e gjithanshme. Ishte një intervistë ashtu si e kishte paramenduar dhe paracaktuar Nexhmija. Mund t’i ketë pëlqyer ndonjë apologjeti komunist, të cilët me çdo kusht dhe me gjithçka që kanë në dispozicion, ende mbrojnë regjimin enverist.
Gazetarja, duker se nuk dëshironte t’a ofendonte Nexhmije Hoxhën “gjatë intervistës së fundit” dhe “intime” me të, siç u shpreh edhe Nexhmija, para se t’i “bashkohet Enverit”. Siç duket jo në jetë të pasosur, por në fund të ferrit pasi ajo thotë se, “ nuk jam fare besimtare, jam një ateiste, darviniste”. Sikur nuk e dinte bota shqiptare, Nexhmija “zbulon” gjatë kësaj interviste se as Enveri nuk besonte në Perëndi, por i “respektonte adedet.” Shko pyet viktimat e revolucionit kulturor të 1960-ave në Shqipëri se si dhe sa i respektonte Enver Hoxha “adetet”.E gjithë intervista është një absurditet në ekstrem, qoftë nga pyetjet e gazetares, qoftë nga përgjigjet e Nexhmije Hoxhës.
Gjithnjë në përpjekje për të mos ofenduar të intervistuarën, gazetarja i bën asaj pyetje mbi jetën bashkshortore me Enver Hoxhën, për shtëpinë, për pronatdhe për paratë. Në lidhje me këtë, Nexhmija pohon se çifti komunist paska patur vështirësi financiare dhe materiale dhe shton se njerëzit nuk “e besojnë këtë, por unë e kamë shkruar në ditar, e shkruar e zeza mbi të bardhë” thotë ajo, e si të tillë njerëzit duhet ti besojnë se ajo e ka dokumentuar këtë në ditarin e saj.
Sa libra kishte Enver Hoxha? Shumë pyetje depërtuese kjo!!!!!!! Gjithashtu edhe me këtë pyzetje, bota shqiptare priste me pa durim përgjigjen që të mësonte për numrin e librave të Enverit, pasi ishte njeri me kulturë të gjërë botërore…. Sikur Nexhmija të ishte ndonjë akademike, “Ju lexoni frëngjisht, rusisht”, e pyet atë gazetarja, siç duket në pritje të një përgjigjejeqë do të rriste edhe nivelin kulturor të Nexhmije Hoxhës. Pastaj vjen pyetja mbi ndalimin e fesë: a ishte ky vendim personal i Enver Hoxhës, pyet gazetarja. Jo thotë Nexhmija, ky vendim u mor nga baza, “nga poshtë”, nga vet populli. Enveri nuk kishte paragjykime, shton ajo. Enveri nuk kishte paragjykime?! I donte të gjithë si veten! Ai ishte shënjt, të tjerët i kanë fajet!Kryesisht populli, pasi ata “nga poshtë” ndaluan fenë, sipas saj, dhe jo Enveri. Po kush i vrau ata që predikonin fenë? Sipas saj, me urdhër të popullit! U burgosën dhe u zhduken shumë, jo vetëm klerikët e të gjitha feve e sidomos ata katolikë, por edhe të gjithë kundërshtarët politikë të regjimit të Enver Hoxhës madje edhe shumë ish-bashkpuntorë të tij. Pretendimi seviktimat e komunizmit dhe familjet e tyre u vranë, u burgosën u internuan, dhe u ekzeketuan nga populli e jo nga regjimi enverist, është një absurditet në ekstrem, të cilin gazetarja nuk e sfidoi asnjëherë. Në emër të popullit! I shkreti ai popull shumë vuajti e shumë krime janë bërë në emër të tij.
Pasi kishin filluar me zhdukjen e fesë, thotë Nexhmije Hoxha në vazdhim të intervistës së saj plot kontradikta, Enveri bisedoi me Ramizin, si Sekretar i Sektorit ideologjik, si t’i jepnin zgjidhje, si t’i kundërviheshin rinisë në këtë gjë. Në fund të fundit (zhdukja e fesë) kishte një vlerë, ishte çështja e edukimit ateist dhe në fund vendosën që të aprovohej një gjë e tillë. Është tjetër gjë që baza shkoi vetë në ekstrem”, dhe jo regjimi enverist shton ish-gruaja e pare shqiptare.
Ndërsa pyetjes së gazetares nëse ajo fliste me Enverin për “Sigurimin e Shtetit, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin? Nexhmije Hoxha përgjigjet: “Jo, janë vetëm legjenda që janë krijuar”. Por njëkohësisht shton duke thnë se “Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot”. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim.” Pra, vrasjet dhe ekzekutimet, janë legjenda që janë krijuar apo u bënë nga një burrë shteti për arsye të shtetit, për të mbajtur në pushtet regjimin komunist të Enver Hoxhës?
Unë nuk e fajësoj Nexhmije Hoxhën që gjenë gazetar/e për ta intervistuar sipas kushteve që ajo vendosë, kështuqë në muzgun e jetës së saj të përpiqet sado pak të shtrembërojë edhe më shumë historinë në favor të një regjimi që ajo dhe bashkorti i saj i imponuan me dhunë popullit shqiptar. Ishte kjo një përpjekje e fundit për të përjetësuar gnjeshtrat mbi të cilat ata kishin ndërtuar një sistem të tërë dictatorial, kriminel dhe të korruptuar. Por, “Dielli nuk mbulohet me shoshë”. Pa marrë parsyshë se ç’thotë Nexhmija tashti, ose çfarë thonte Ramiz Alia në intervistat e tija para se të vdiste, historia e komunizmit në Shqipëri – dhe jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Europën Lindore,dhe specifikisht roli i Enver dhe Nexhmije Hoxhës në këtë histori tragjike – dihet mirë tanimë.
Është në interesin e Nexhmije Hoxhës që të paraqesë të “vërtetën”, nga pikpamja e saj. Gjatë intervistës, Rudina Xhunga nuk kundërshton asnjë nga pretendimet dhe deklaratat absurde të Nexhmije Hoxhës. Opinionistë/gazetarë të ndryshëm janë shprehur se nuk ishte detyra e Rudina Xhungës të luante rolin e gjykatëses. Por çdo gazetar/e nëqoftse e konsideron veten si të tillë në një shoqëri të lirë, e ka për detyrë të përpiqet të zbulojë të vërtetën dhe të kundërshtojë pretendimet fals.
Në gazetari duhet të ketë moral njerëzor dhe etikë gazetareske. Roli i gazetarisë së lirë duhettë jetë, mbi të gjitha, që t’i shërbejë të vërtetës, por edhe të jetë informuese dhe edukuese. Fatkeqsisht, kjo intervistë nuk i shërbën shtypit të lirë, as nuk është informuese, as edukuese, por duke shtrembëruar të vërtetën mbi regjimin komunist nepërmjet një prej protagonistëve kryesorë të tij, ajo nuk i shërbën astë së vërtetës historike. Liria e shtypit është ajo që dallon demokracinë e vërtetë nga diktatura dhe shoqërinë e lirë nga tirania. Më vjen keq të them por kjo intervistë e Rudina Xhungës me Nexhmije Hoxhën i shërben “këmbë e krye” vetëm për përpjekjeve nga apologjetët e atij regjimi që vihen re kohët e fundit në Shqipëri për të arsyetuar dhe për të legjitimuar tiraninë komuniste pothuaj gjyëm shkeullore në Shqipëri.
Nëqoftse për gazetarët shqiptarë — zbulimi dhe mbrojtja e së vërtetës historike — nuk shikohet si diçka në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të demokracisë, atëherë në Shqipëri nuk ka asnjë shpresë për një shtyp të lirë dhe si rrjedhim as për një demokraci të mirëfilltë afatgjatë.

JA INTERVISTA E NEXHMIJE HOXHES DHENE RUDINA XHUNGES

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Intervista e Nexhmije Hoxhes, Rudina Xhunga

Ja si funksionon mafia shqiptare

May 20, 2014 by dgreca

Drew Sullivan është kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Ai është gazetar dhe specialist i zhvillimit të medies me bazë në Sarajevë, të Bosnje-Hercegovinës dhe në Uashington DC. Sullivan është themelues i Grupit LLC për zhvillimin e Gazetarisë, një grup novator lider në zhvillimin e medies në mbarë botën. Drew ka punuar nga Azia në Evropë si një konsulent për IREX, Internews, Pace and News Media etj. Ai e ka nisur karrierën në media si gazetar investigativ, e me pas si redaktor i lajmeve, dhe se fundmi si menaxher për Associated Press në Nju Jork. Një ndër themeluesit e Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN) në Sarajevë, e para e këtij lloji e ngritur në Ballkan. Drew Sullivan në një intervistë me Rudina Xhungën, flet për mafien, drogën, rrjetet kriminale shqiptare dhe gazetarinë e munguar investigative në Shqipëri.
…Çfarë informacionesh keni për mafien shqiptare.
Mafia shqiptare është një ndër aktorët kryesorë ndërkombëtare. Nuk operon gjithmonë brenda për brenda Shqipërisë, kryesisht operon jashtë Shqipërisë, dhe megjithëse paraja shpesh herë pastrohet ose investohet në Shqipëri, ku shihen shumë ndërtesa të mira këtu në Shqipëri, mafia shqiptare është shumë aktive në nivel ndërkombëtar. Ndërsa në rajon, ka disa grupe të caktuara dhe një prej tyre është mafia kosovare. Janë rreth pesë familje që operojnë së bashku, ndoshta më saktë dy grupe, që janë vëllezërit Osmani, të cilët operojnë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë, Naser Kelmendi gjithashtu, besoj që shumë ia kanë dëgjuar emrin. Ai është i arrestuar dhe besoj se do të akuzohet shumë shpejt. Por siç ndodh shpesh, rrjeti gjithsesi vazhdon sepse mafia shqiptare e ka aftësinë që të vazhdojë aktivitetin e saj edhe nëse humbet drejtuesit e saj. Ajo çfarë dimë për mafien shqiptare është se ka aftësi shumë të mira për t’u lidhur me diasporën shqiptare në botë. Mafia shqiptare është shumë e lidhur me Italinë, me atë çfarë ndodh në Belgjikë, Londër dhe vendet e tjera. Në fakt, edhe policia e pranon se është mafia shqiptare ajo që kontrollon prostitucionin, drogën, shfrytëzimin e njerëzve, vrasjet në vende si Londra, Belgjika etj. Madje, mafia shqiptare ka mënjanuar edhe shumë grupe të tjera mafioze në Londër. Nuk po them që kontrollon të gjithë tregun, por një pjesë të madhe të tregut të këtyre krimeve. Ka shumë njerëz në këtë rrjet që e ushqejnë këtë sistem dhe mafia shqiptare është unike, mafia shqiptare është e përfshirë në marrjen e drogës direkt nga burimi si Kirgistani, Afganistani, deri në destinacionin përfundimtar.
Është një biznes shumë fitimprurës. Mund të blesh një kilogramë heroinë në Afganistan për rreth 800 dollarë dhe çmimi rritet pastaj deri në 2 mijë apo 3 mijë dollarë, ndoshta edhe më shumë. Kështu që mendoni, është një fitim shumë i madh nga trafikimi i drogës. Mafia shqiptare është shumë efikase dhe janë duke gjetur vende të ndryshme të Evropës, ku kanë rrugët e tyre të shpërndarjes. Sigurisht që ju nuk mund ta shihni këtë në Shqipëri, por po të shohësh se sa shqiptarë punojnë jashtë shtetit, sa pará dërgojnë ata në Shqipëri, atëherë do shihni që është një shumë substanciale dhe kjo është një nga arsyet, pse shumë shqiptarë mund të jenë indiferentë ndaj mafies, madje mund ta shohin edhe si diçka pozitive për vendin. Po të shihni, për shembull, shumë shqiptarë në vende të ndryshme të Europës, janë në burgje. Prandaj është shumë e kuptueshme që mafia shqiptare është një forcë e konsiderueshme. Po të doni mund t’ju përshkruaj pak edhe strukturën e mafies shqiptare dhe çfarë i bën ata kaq të fuqishëm.
Po, patjetër. Në Shqipëri njerëzit i njohin pjesëzat, që ju përmendni, por të shpërndara, pa bërë, ose dashur të bëjnë dot mozaikun?
Atëherë, unë po ju tregoj sesi funksionon i gjithë cikli i mafies. Çfarë i duhet një grupi mafioz? I duhen disa gjëra. U duhet diçka nga e cila të përfitojnë, u duhet një vend ku të jenë të sigurt, dhe u duhet një vend për t’i pastruar paratë e tyre, nga pará të paligjshme në pará të ligjshme. Ajo çfarë shihet zakonisht është përfshirje e mafies në trafikimin e drogës, i fitojnë paratë jashtë dhe i investojnë në Shqipëri, pasi e dinë që këtu ka shumë pak gjasa që t’i arrestojë dikush, apo që dikush t’i konfiskojë paratë e tyre. Po ta bësh këtë gjë në Londër, Shtetet e Bashkuara apo Europë, ka ligje shumë të mira konfiskimi dhe politika shumë të mira. Pra, atje është shumë e vështirë.
Domethënë, paratë e tyre janë këtu?
Po, pjesa më e madhe e parave vijnë këtu. Sigurisht, jo të gjitha sepse ato edhe i qarkullojnë në vende të ndryshme të botës për të mbajtur rrjetet e tyre, por zakonisht paratë i investojnë në vendin e tyre, pasi ky është vendi që njohin më mirë, ku kanë dashur gjithmonë të kenë një hotel të mirë në Tiranë, apo një vilë shumë të bukur në Vlorë. Prandaj, shihet dhe është e dukshme që këto pará kthehen, pasi pastrohen sigurisht dhe këto pará mjaftojnë për gjithë jetën. Atëherë, atë çfarë duhet të shohë publiku shqiptar është se Shqipëria është bërë si një vend i sigurt, si një parajsë e sigurt për mafiozët duke i dhënë pará policisë apo duke u bërë të paprekshëm, duke investuar shumë në partitë politike, duke investuar shumë në polici, duke investuar shumë në kompani private sigurimi, të cilat marrin në punë shpesh herë ish-policë. Ky është një problem shumë i madh sepse influencon shumë në politikën e vendit, i bën gjërat më të vështira për të zbatuar ligjin. Kur ke biznese me miliarda parash, politikanët i shohin këto pará si mundësi, madje iu sulen atyre, për të mbajtur partitë e tyre politike. Në Serbi sigurisht që ndodh e njëjta gjë, por paratë pastrohen përmes oligarkëve që jetojnë aty. Miroslav Mishkoviç, për shembull, është akuzuar tani për pastrim parash por ai ka një dekadë të tërë që e bën këtë gjë, përpara ka pasur pastrim parash për Sllobodan Milosheviç.
Nga njëra anë kemi paratë dhe nga ana tjetër kemi drogën dhe pikërisht aty ku janë paratë, është edhe rreziku. Sigurisht që droga është një biznes shumë fitimprurës, janë miliarda e miliarda dollarë që vijnë në këtë rajon dhe një pjesë e mirë e tyre shkon në investime të ligjshme, një pjesë në investime të paligjshme dhe një pjesë në politikë. Ky është sistemi i ngritur në vite, prej të cilit vështirë se del dot.
A kanë lidhje me njeri-tjetrin emrat e rëndësishëm të krimit të organizuar në rajon? Për shembull, a kanë ata takime mes tyre? A kanë marrëveshje, marrëdhënie, ndarje territoresh?
Absolutisht që po. Si gazetar, unë njoh çdo gazetar në të gjithë rajonin që punon në profilin tim. Mafiozët sigurisht që e njohin njeri-tjetrin në vendin e tyre. Figurat e krimit të organizuar bashkëpunojnë me njeri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Ne dimë, sipas burimeve tona, që në vitin 2007 ka pasur një takim rajonal të figurave të krimit të organizuar ku kanë qenë vëllezërit Osmani, Naser Kelmendi, një mafioz nga Mali i Zi dhe ndoshta emra që mund të mos i keni dëgjuar kurrë, por që janë lordë të nivelit të lartë, njerëz të cilët ndoshta nuk e prekin kurrë me dorën e vet drogën, por që jetojnë si biznesmenë shumë të pasur dhe që janë në të vërtetë të përfshirë në trafikun e drogës. Pra, të gjithë janë takuar në vitin 2007 dhe bënë një lloj marrëveshje, të themi, për trafikimin e drogës në rajon dhe bashkëpunimin mes tyre. Ata krijuan një sistem shumë të mirë, një sistem që ende vazhdon të funksionojë dhe që tregon se vazhdojnë të komunikojnë me njeri-tjetrin. Ajo çfarë vendosën është se cila drogë shkon në cilin vend të Europës. Sigurisht që ky lloj bashkëpunimi i ka bërë fitimprurës gjithë sistemin, po bëjnë shumë pará dhe po të bëjmë një krahasim me Meksikën, për shembull, po ta marrim për frymë, ndoshta kemi po aq drogë në këtë rajon, aq sa ka edhe në Meksikë.
Për ne në Shqipëri nuk ka shifra?
Askush nuk e di dhe ky është problemi. Misteri qëndron tek fakti që gazetarët nuk mbulojnë ato që duhet të mbulojnë. Ne të gjitha këto informacione që i kemi për Serbinë, Malin e Zi, sigurisht që kanë qenë shumë të vështira për t’u gjetur por janë gjetur nga gazetarët e këtyre vendeve duke gjurmuar aktivitetet e kompanive jashtë vendeve, deri në Panama, për të parë se çfarë pronash ka secila kompani. Sigurisht që ka qenë një punë e jashtëzakonshme derisa të arrinim aty ku ta kuptonim të vërtetën. Ndërsa në Shqipëri nuk është bërë ende kjo punë, ka vetëm pak gazetarë që punojnë për këto çështje, për këto tema dhe në fakt nuk është se ndajnë shumë informacion me kolegët e tyre me vendet e tjera të rajonit. Prandaj nuk dimë shumë.
Diçka tjetër është se grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë një lloj strukture klanore dhe brenda këtyre klaneve ka kode heshtjeje që janë shumë të forta dhe njerëzit nuk flasin shumë për to. Si pasojë, ndryshe nga bandat italiane të cilët nuk janë më klane familjare, por fisnore, sepse përfshijnë shumë familje, në Itali nuk ke të njëjtën besnikëri mes grupeve kriminale, siç ndodh në Shqipëri. Për shembull, bandat kriminale shqiptare kanë ende shumë lidhje fisnore apo lidhje në bazë fshatrash, ku nëse flet nuk vritesh vetëm ti, por edhe anëtarët e tjerë të familjes. Kështu që e bën shumë më të vështirë dhe prandaj në Shqipëri janë më të heshtur. Madje edhe gjuha shqipe është më e vështirë për t’u kuptuar nga vendet e tjera. Edhe policia ka probleme në shumë vende të Evropës për të kuptuar bandat shqiptare dhe nuk gjejnë dot njerëzit e duhur që të ndërveprojnë me bandat shqiptare. Shumë nga këta kriminelë, vijnë nga qyteza të vogla të Shqipërisë që shkojnë në vende të ndryshme të botës dhe nuk janë shumë të hapur në vendet ku shkojnë, bëjnë një lloj jete si në fshat me pak fjalë.
Dhe nëse gazetarët e bëjnë, është drejtësia që nuk e vazhdon…
Shqipëria e ka këtë problem siç e kanë edhe vende të tjera të rajonit. Figurat e krimit të organizuar shpesh herë nuk ndiqen penalisht derisa të bëhen armiq të qeverisë pra, shumica e ndjekjeve penale është mbi baza politike dhe prandaj nuk para ndodh që të akuzohen politikanët ose edhe nëse bëhet, nuk bëhet në mënyrë efikase. Për shembull, në Bosnje nga 26 politikanë të korruptuar ka ndodhur një akuzim i një personi madje, personi që u akuzua, iu tregua një natë përpara, që do akuzohej dhe ai u largua nga vendi. Situata këtu më kujton sigurisht situatën në Amerikën e viteve 1930 ku ishte një situatë ku Al Kapone ishte duke bërë shumë para nga pijet alkoolike të paligjshme, sepse këto ishin aktivitetet kriminale në atë kohë, dhe ai kishte bërë kaq shumë para sa kishte mundësi të korruptonte politikanë që i ofronin mbrojtje dhe sigurisht, bordero policësh, gjyqtarësh dhe çdo tendencë për të arrestuar atë apo bandën e tij ishte pothuajse e pamundur. Prandaj ishte një situatë shumë e vështirë, që zgjati për shumë vite në Çikago dhe kjo ngjason me çfarë po ndodh në shumë vende këtu në Ballkan madje këtu është edhe më keq situata se ç’ka qenë në Çikagon e viteve 1930. si u zgjidh situata atëherë në Amerikë? U zgjidh jashtë sistemit. Ishte Qeveria Federale e Uashingtonit që erdhi dhe që emëroi disa persona të paprekshëm dhe këta të paprekshmit ishin një grup oficerësh policie të cilët nuk i raportonin strukturave të zakonshme. Këtu u përdorën edhe prokurorë të Qeverisë Federale dhe jo prokurorët lokalë që mund të komprometoheshin. Ajo çfarë ndodhi ishte se duke përdorur këto teknika, nga të cilat u sulmua Al Kapone, pra ishte krijuar një grup i pavarur dhe i pakorruptuar, dhe për shkak të kohërave të atëhershme, sepse kishte ligje të Qeverisë Federale kundër pijeve alkoolike të paligjshme apo gjërave të tjera të paligjshme, dhe në fakt ata e atakuan Al Kaponen për evazion fiskal dhe kështu u fut në burg Al Kapone, për evazion fiskal. Në Shqipëri është e vështirë sepse ju nuk keni një forcë të jashtme, jashtë sistemit, por nëse qeveria dëshiron t’i tregojë popullit se është serioze, ajo mund të ngrejë një organ apo një zyrë prokurorie të posaçme për korrupsionin apo krimin e organizuar, kundër këtyre njerëzve. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, do të duhet t’i adresojë këto çështje, sepse Bashkimi Evropian nuk ka për ta lënë Shqipërinë si pjesë të saj me kaq shumë probleme dhe ka për t’ia vështirësuar shumë Shqipërisë anëtarësimin. Prandaj Shqipërisë i duhet të demonstrojë, se i merr seriozisht këto gjëra dhe sugjerimi im është që të ketë një zyrë, një organ, të pavarur, të painfluencuar që të paktën të rekomandojë ndjekjet penale.
Nga Rudina Xhunga
Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip” i gazetares Rudina Xhunga

Filed Under: Interviste Tagged With: Ja si funksionon, mafia shqiptare, Rudina Xhunga

NEXHMEDIN SPAHIU BËN SHQYTARIN PROFAN TË RUDINA XHUNGËS!

January 4, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Reagimi im lidhet me dy shkrime të botuara tash së fundi që kanë ngjallur diskutime. I pari nga Rudina Xhunga titulluar «Serbi afër teje… » dhe i dyti nga Nexhmedin Spahiu „Rudina Xhunga dhe dallimi Kosovë – Shqipëri“.

Nuk është e vërtetë se ne dhe fqinjët tanë nuk e dimë historinë e njëri-tjetrit; nuk është e vërtetë se ne shqiptarët prodhojmë mite; nuk është e vërtetë se historiografia shqiptare minimizon kontributin e fqinjit tonë verior në Europë, sepse ne nuk kemi fare historiografi; nuk është e vërtetë se shqiptarët shohin me lente zmadhuese të shkuarën e largët me qëllime denigruese ndaj fqinjit tonë verior apo me qëllim dëmtimin e fqinjit tonë verior; nuk është e vërtetë se jemi treguar ndonjëherë agresivë ndaj pakicave; ne jemi dalluar gjithnjë nga mikpritja, bashkekzitenca, toleranca fetare e shqiptarëve është unike; nuk është e vërtetë se kemi ndërhyrë në punët brendshme të fqinjit tonë; se kemi dërguar ne njerëzit tanë të themelojnë partinë komuniste në Beograd, përkundrazi. Ne jemi duke folur për të tashmen ose për të shkuarën e afërt, kur ndodhi një konflikt i përgjakshëm, ku viktimat ishin shqiptarët dhe agresori ishte një shtet kriminal. „Falni, por mos harroni“, u tha shqiptarëve të Kosovës Presidenti Clinton. Dhe kurrsesi të harrojmë. Kujtesa na bën veç mirë. I bën mirë edhe fqinjit tonë verior.

Nuk kemi arsye t’i largojmë frikat se fqinji ynë verior nuk i ndal pretendimet ndaj Kosovës; nuk është e vërtetë se jemi ne inatçorë, hakmarrës apo urrejtës ndaj fqinjit tonë verior.

Nuk është e vërtetë se ne jemi fajtorë ndaj fqinjit tonë verior; nuk kemi kryer asnjë faj, asnjë vepër që të na bëjë të kërkojmë ndjesë, nuk e kemi shqetësuar kurrë fqinjin tonë verior, nuk e kemi përdorur kurrë historinë për të ushqyer asnjë lloj nacionalizmi apo patriotizmi e krenarie. Nuk jemi krenuar ne me Nishin por Serbia, nuk jemi krenuar për turpin tonë as me perandorin iliro-romak Shën Konstandinin, që ligjëroi dhe përhapi krishtërimin, por Serbia.

Gjithmonë jemi sulmuar prandaj na është dashur të mbrohemi. Kjo është e gjitha, kjo është e vërteta, por ne duam të fillohet një faqe e re e historisë moderne, si fqinj dhe vende të integruara në Europë.

Nuk kishte asnjë simpati, dyzim apo dyshim, siç pretendon Rudina Xhunga në programin e Ivo Andriçit kur firmosi “Memorandumin e Akademisë Serbe” që siç e pohon vetë Rudina programonte shfarosjen e shqiptarëve.

Programin e Andriçit e ekzekutoi pikë për pikë Milosheviçi në luftën e fundit në Ballkan që shkaktoi mijra viktima dhe 1 milion të dëbuar. Pas 14 vitesh edhe sot e kësaj dite nënat shqiptare të Kosovës presin një lajm apo një trumbë eshtra të fëmijëve të tyre vrarë gjatë këtij konflikti mizor, ku urrejtja etnike dhe fetare ishte monstruoze. Rudina Xhunga tani do të bëhet nënë dhe sa ta marrë foshnjen e saj në krahë uroj që ta kuptojë dhimbjen e nënava të Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës dhe shtetit amë kanë treguar shumë vullnet pas konfliktit që të ndërtojnë me fqinjin tonë verior marrëdhënie të fqinjësisë të mirë në kontekstin e reciprocitetit e integrimeve europiane. Janë zhvilluar për herë të parë në historinë midis dy vendeve takime të nivelit më të lartë në të mirë të dialogut, ndërkohë që Serbia e Nikoliçit reagon me platforma që cënojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Ashtu si u shpreh edhe Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson, e cila nënvizoi se «platforma e Serbisë për Kosovën është pengesë për dialogun në mes të Prishtinës e Beogradit».
Këtë qëndrim do të duhej të mbante pseudoelita shqiptare në Shqipëri ndërsa vazhdon e mbetet puthadore si në kohën kur Enver Hoxha do t’i justifikonte të gjitha vrasjet e shokëve se ishin kryer me orientimin e Miladin Popoviçit.

Tani janë zbuluar fakte të reja që hedhin dritë se Enver Hoxha ka patur lidhje të ngushta me Serbinë, më tepër përmes Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Për një fije floku, Shqipëria nuk u bë republikë e shtatë e Jugosllavisë. Masakra e Tivarit është një krim, ku janë të përfshirë regjimi i Enver Hoxhës dhe Serbia. Por gjatë diktaturës, në asnjë kohë – edhe në ato më të tendosurat midis dy vendeve, – asnjëherë nuk u ndal bashkëpunimi. Edhe tani. Serbia nuk i ka dorëzuar kurrë dosjet e spiunëve të saj midis rradhëve të shqiptarëve dhe kjo do të thotë se njerëzit e Serbisë në trojet shqiptare, përfshi edhe shtetin amë kanë qenë e vazhdojnë të mbeten të privilegjuar, ndërsa politikanët janë shumë prudentë në qasjen ndaj Serbisë. Ndërsa opinionistët si puna e Rudina Xhungës janë ultrakonformistë dhe puthadorë.

Dhe prandaj nuk kemi si të mos pretendojmë se ndodhemi përballë fasadës së një segmenti të politikës, si vijim i atij të Enver Hoxhës, në kushtet të reja.

Si konkluzion do të thosha, se dëshirat e mira dhe vullneti i mirë duhet të jetë i kompensuar nga pala tjetër, në mënyrë reciproke, nëse jo, elitat duhet të kujdesen që të ndihmojnë afrimin nga pozita të barabarta dhe jo të përgjunjëzuara, siç bën Rudina Xhunga.

Shkrimi i Xhungës shkaktoi me të drejtë shqetësim në Kosovë dhe opinioni publik reagoi me pyetjen „e si është e mundur të shkruhet kësisoj“.

Ndërkohë, nervozizmi kaloi të gjitha përmasat dhe Xhunga u sulmua me një gjuhë të padenjë dhe të patolerushme, kur, në vend të iracionalitetit, do të duhej të hapej temë për diskutim dhe të ftoheshin gazetarë të Tiranës e të Kosovës për t‘u shprehur. Por gazetarët e Tiranës janë plaçka më e pavlerë e konsideruar nga politika e tranzicionit dhe oligarkët e mediave, ndërsa opinionistët-oligarkë kushedi se ku lluksozeshin në ndonjë rezort lluksi në kontinentet e ngrohta, për turp të botës.

Dhe Rudina Xhungën nuk kishte se kush ta mbronte. Atëherë sollën në skenë Nexhmedin Spahiun, një kalorës pa kalë, që i doli në krah Xhungës, i doli në mënyrën më donkishoteske të mundshme, por për çudi, jo nuk është aspak çudi, donkishotizmi i tij u botua gati në të gjitha gazetat e Tiranës. Shikoni pra pushtetin e oligarkisë mediatike si instrument të një segmenti të politikës të Tiranës, që ka pushtet politik dhe ekonomik, por që s’ka asnjë lidhje me demokracinë dhe marrëdhëniet midis dy shteteve në kohën e sotme.

Po ndalem tek reagimi i Nexhmedin Spahiut, i cili vë në diskutim pozitën e tij si intelektual dhe publicist. Në pseudoargumentat që ai jep për të mbrojtur Rudina Xhungën, shkruan se reagimi negativ i shqiptarëve të Kosovës ndaj shkrimit të Rudina Xhungës „ vjen për shkak të një moskuptim thelbësor mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë…”, sepse, sipas Nexhmedin Spahiut,„shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri përbëjnë dy kombe të ndryshme, jo se ka dallime në gjuhë dhe gjak, por dallimi është në konceptimin politik“.
Një përçartje tjetër e Nexhmedin Spahiut është kur del me deduksionin se „Të jesh viktimë nuk është gjë për t’u mburrur“. Po ky zotëri nuk është fare në vete, sepse, natyrisht, asnjë shqiptar i Kosovës nuk mburret se ka qenë viktimë e Serbisë, por çdo shqiptar i Kosovës kërkon drejtësi dhe një shtet ku të jetojnë të gjithë bashkë në liri, demokraci dhe të integruar në Europë!

Kulmi arrin kur Nexhmedin Spahiu shkruan se „shqiptarët e Kosovës sapo kanë lindur si komb dhe janë në foshnjërinë e tyre kombëtare, ata madje ende nuk e kuptojnë se kanë lindur si komb. Ende trashëgojnë mentalitetin e pakicës etnike.“
Mentalitet foshnjor nuk kanë shqiptarët e Kosovës, por mentalitet të një të vonuari ka pikërisht i ashtuquajturi publicist Nexhmedin Spahiu, i cili e arrim një kulminacion tjetër të padijës së tij kur shkruan se „Rudina Xhunga i takon një kombi tashmë 100-vjeçar… për dallim prej kombit kosovar që po mbush 5 vjet jete, ai shqiptar tashmë ka mbushur 100 vjet.“
Zoti na ruajtë! Ky profan nuk e ka idenë dhe nuk e bën dot dallimin midis shtetit dhe kombit! Shqipëria dhe Kosova janë një komb disa mijëra vjeçar, nga më të lashtët në Europë, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe në mileniumin e tretë jetojnë në dy shtete, shteti amë posa ka hyrë në qindshin e dytë, ndërsa Kosova së shpejti feston 5 vjetorin e pavarësisë dhe çlirimit të saj nga një ish-pushtues, si Serbia e cila do t’i bashkohet një ditë me Kosovën dhe Shqipërinë në BE, por që tani për tani ka shprehur qartë se nuk dëshiron që t’i bashkangjitet aleancës Verio-Atlantike të NATO-s, e cila i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga konflikti i fundit i urrejtjes etnike në Ballkan.

 

Tani nuk ka më dyshime se e ardhmja e rajonit është integrimi dhe shqiptarët janë fatlumë ngaqë u ka trokitur fati në derë që të jenë faktorë integrimi, paqeje dhe stabiliteti, por nuk kanë asnjë arsye të shfaqin kompleks inferioriteti ndaj fqinjit tanë verior, i cili ende nuk është shkëputur nga e shkuara e tij mitomane dhe vazhdon t’i pengojë proceset në të mirë të gjithë banorëve të rajonit.

Disa muaj më parë Vuk Jeremiçi, ish-Ministri i Jashtëm serb ishte vizitë zyrtare në Zvicër dhe gjatë një konference për shtyp me gazetarë e pyeta se përse ai, duke qënë i ri në moshë e duke i takuar gjeneratave të reja, të edukuara në Perëndim, Europë dhe SHBA, kalonte pjesën më të madhe të kohës në qiell duke fluturuar nga njëri kontinet tek tjetri për t’i bindur vendet që vizitonte për të mos e njohur Kosovën, kur do të duhej që kjo kohë të përdorej për të ndërtuar ura midis dy kombeve, sepse tani e kemi një fat të përbashkët siç është integrimi europian.

Por deri më tani nuk e kemi asnjë shenjë të tillë. Ne të gjithë ishim dëshmitarë se njohja e pavarësisë të Kosovës nga ana e Pakistanit shqetësoi Beogradin për të vazhduar turin që të mos lejojë pavarësinë e Kosovës! Ne po ashtu jemi dëshmitarë se si po tensionohet situata në Bujanoc dhe Luginën e Preshevës për shkak të kërcënimeve të kryeministrit serb Ivica Daçiç për heqjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së apo për heqjen e Flamurit Kombëtar. Ky është realiteti. No comment.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, ne dhe fqinjet, Nexhmedin Spahiu, reagim, Rudina Xhunga

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT