Departamenti i Shtetit Amerikan (DASH) ka mirëpritur në Washington D.C. përfaqësues të Komuniteteve Muslimane nga vende të ndryshme të botës me rastin e Fitër Bajramit.
I ftuar në këtë organizim ishte edhe kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj, siç bën të ditur në rrjetin social facebook
Në takimin me përfaqësuesit e Komuniteteve Muslimane, sekretari i Departamentit të Shtetit, John Kerry, ka përcjellë urimet e përzemërta për Fitër Bajramin.
“Ndihem shumë i lumtur t’ju kem këtu për të festuar këtë ditë. Vendi ynë është themeluar mbi konceptin bazë të drejtësisë dhe respektit për dinjitetin e tjetrit, për të drejtat dhe dinjitetin e njëri-tjetrit dhe ne do të mund të rritemi të bashkuar dhe të fuqishëm vetëm nëse i qëndrojmë besnikë atij koncepti”, tha Kerry.
Kjo është arsyeja, vijoi ai, pse çdokush duhet të bëjë gjithë çfarë mundet për të përqafuar diversitetin tonë, për të mbrojtur vlerat që ne të gjithë ndajmë, duke përfshirë ato që muslimanët vënë para të tjerave dhe në qendër të gjithçkaje gjatë Ramazanit: bamirësia, dhembshuria, dashuria e familjes, ndjekja e drejtësisë, dhe përkushtim ndaj paqes.
“Kjo është ajo që është festuar gjatë muajit të fundit dhe ajo çfarë ne festojmë tani në këtë moment të lavdishëm të Bajramit”, tha ndër të tjera Kerry.
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, kryetari Bruçaj do të ketë edhe disa takime me shoqëritë civile islame në SHBA.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka organizuar edhe më parë pritje dhe organizime për festa të ndryshme ku ka marrë pjesë edhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë.