Bora ka mbuluar gjithë Qarkun e Kukësit, ku në qytet trashësia arrin deri në 10 centimetra. Fillimisht pati reshje të dobëta shiu, por rreth mesditës të së dielës, shiu pushoi për t’i lënë vendin dëborës, e cila solli dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve, por edhe të njerëzve. Për pastrimin e rrugëve nga bora shërbimet e bashkisë angazhuan dy borëpastruese duke hedhur kripë me qëllim të mos krijimit të shtresave të akullit. Si pasojë e reshjeve të dendura ka vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse në Qarkun e Kukësit, ku këshillohet lëvizja me zinxhirë. “Situata në përgjithësi paraqitet pa ndonjë problematik të theksuar. Situata në Tropojë është pak më e vështirë për shkak se atje trashësia e borës arrin deri në 10-15 cm, megjithatë rrugët janë të gjitha të hapura. Ka një angazhim të të gjitha firmave sipërmarrëse, të cilat kanë sasinë e duhur edhe të kripës dhe të mjeteve të nevojshme”, shprehet Abdulla Domi, Shtabi i Emergjencave. Vështirësi në qarkullim e automjeteve pati edhe në Rrugën e Kombit, më konkretisht në afërsi të tunelit të Kalimashit, ku katër borëpastruese nisën punën për pastrimin e këtij aksi dhe hedhjen e kripës. Si pasojë e ngricave dhe reshjeve të dëborës në aksin rrugorë Tuneli Kalimashit- Morinë, policia u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të ecin me shpejtësi të kufizuar, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjithashtu dhe Juglindja e vendit i është rikthyer të ftohtit dhe temperaturave të ulëta. Mëngjesin e së dielës reshje të dendura bore janë regjistruar në zonat malore duke kaluar trashësinë deri në 20 cm në zonat më të larta, ndërsa rrethi i Devollit ka qenë gjatë gjithë ditës nën reshje intensive bore. Sipas të dhënave në gjithë Qarkun e Korçës bora është regjistruar vetëm në zonën e Devollit dhe në fshatin turistik të Dardhës, duke u shoqëruar edhe me disa probleme në akset rrugore, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm. Trashësia maksimale e borës ka arritur në pikën turistike të Dardhës, ku janë regjistruar 20 cm borë ndërsa më pak reshje ka pasur në Devoll, ku trashësia ka arritur 10 cm. Pavarësisht fenomenit të zakonshëm për stinën, situata në aksin Korçë-Kapshticë ka qenë e rënduar dhe në disa zona ishte e pamundur qarkullimi i automjeteve të papajisura me zinxhirë.Masa janë marrë edhe nga njësia e qarkullimit rrugor, e cila ka ngritur postblloqe në disa prej pikave më problematike për të shmangur bllokimin e aksit dhe aksidentet. Sipas të dhënave situata në akset dhe rrugët e tjera të qarkut raportohet normale. {SH.K}.
Detarët shqiptarë festojnë 90 vjetorin e krijimit të Flotës Luftarake
Nga “Elco-ot” Amerikanë të Luftës së I-re Botërore, tek “ARChangelat” e 2010, Dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA/
Nga Shefqet Kërcelli/
Eshte festuar keto dite 90 vjetori i Flotes Luftarake Shqiptare. Më datën 23 Dhjetor 2015, në molin numur 4 të portit të Durrësit, u zhvillua një ceremoni festive me rastin e 90 vjetorit të krijimit të Flotës Luftarake Shqiptare. Në këtë event të rëndësishëm jo vetëm për detarët por gjithë popullin shqiptar, morën pjesë ish kuadro dhe detarë që kanë shërbyer në Flotën tonë Luftarake, veteranë, përfaqësues të shoqatës “Adrijon” dhe institucioneve detare të vendit, efektiva të Forcës Detare, qytetarë të Durrësit dhe përfaqsues të medias. Gjithashtu festën e detarëve me uniformë e nderuan me pjesmarrjen e tyre, Ministre e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Komisionit të Sigurisë e Mbrojtjes, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, etj. Atmosferës festive në sheshin e molit 4, ju shtua dhe bregëzimi në këtë mol i dy anijeve tona patrulluese, “Iliria” dhe “Lissus”. Mbas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, Gjeneralbrigade Ylber Dogjani, Komandant i Forcës Detare, i uroi detarëve shqiptarë festën e 90 vjetorit dhe bëri një rezyme të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake nga dita e krijimit. Më pas zoti Dogjani evidentoi dhe detyrat që kryejnë efektivat e Forcës Detare në zbatim të misionit të tyre, si ato të kërkim-shpëtimit, ashtu dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare e kundër trafiqeve të ndryshme, të cilat janë evidente dhe kërkesë e kohës. Ndërsa Ministre e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, në fjalën e saj theksoi se, “Është nder dhe kënaqësi e vecantë për mua të uroj detarët shqiptarë në këtë jubile të madh të 90 vjetorit të krijimit të Forcës sonë Detare. Populli shqiptar ka një traditë të spikatur të detarisë, përgjatë gjithë historisë shekullore, të vërtetuar e dokumentuar nga mjaft studjues vendas e të huaj. Në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, roli i detarëve shqiptarë në Adriatik e Jon, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Sigurisht, në këtë histori të ndritur periudha mbas krijimit të shtetit shqiptar zë vend kryesor. Gjatë kësaj rruge shekullore, ku bashkohet kontributi i disa brezave, përfshihet dhe roli i pazvëndësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët në vite, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, gjatë lundrimeve pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar, kanë shkruar historinë e tyre të lavdishme, si pjesë integrale e historisë së Popullit Shqiptar. Sot ne nderojmë dhe respektojmë aktin heroik të dy ekuipazheve të anijeve “Shqiponja” dhe “Skënderbeg”, të cilët me përvojën e tyre si detarë, më 25 dhjetor 1925, filluan patrullimin në ujërat tona, në emër të një qëllimi të madh, ruajtjes së kufirit detar të shtetit shqiptar. Në shtypin e asaj kohe shkruhet se dy anijet e bregëzuara në Currila u përshëndetën nga qytetarët e Durrësit dhe pasi u larguan një milje nga bregu, bënë tre të shtëna me topa. Nga ajo ditë e shënuar, Flota jonë Luftarake ka njohur transformime dhe zhvillime të rëndësishme, me uljet e ngritjet e saj, por duke ruajtur cdo kohë substancën e popopullit tonë, si popull detar”, theksoi zonja Kodheli. Në fund të fjalës përshëndetëse zonja Kodheli tha se, “Flota jonë Luftarake Detare, në këto 90 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme në varësi të strategjisë dhe politikave të sigurisë të ndjekura nga shteti ynë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare në këto 90 vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Detarët tanë shkruan me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumurta, historinë e ndritur të Forcës Detare Shqiptare. Ndaj mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Dhe njëherë ju uroj: Gëzuar 90 vjetorin, ditën e krijimit të Forcës Detare!Respekt dhe mirënjohje për të gjithë detarët shqiptarë, me dhe pa uniformë, të cilët në shekuj janë hedhur mbi valët e detit, me të drejtën që i jep pozicioni gjeografik i vëndit të shqiponjave! Është gjë e bukur që festa e detarëve përkon dhe me festat e fundvitit! Ndaj gjej rastin t’ju uroj: Gëzuar Krishtlindjet dhe Festën e Vitit të Ri 2016! Suksese të mëtejshme në detyrat e përditëshme, shëndet e mbarësi në familjet Tuaja! Gjithashtu pjesmarrësit i përshëndeti dhe gjimnazisti Elio Cami, i cili shjegoi dhe ëndrrën e tij për tu bërë marinar si i ati.
Theksojmë se data 25 dhjetor 2015, u caktua si dita e krijimit të Flotës Luftarake, në një Vendim të Qeverisë Meksi, në Korrik të vitit 1992. Kjo erdhi si rezultat i një punë kërkimore, hulumutuese dhe shkencore në arkivat e shtetit shqiptar nga kryesia e Historianëve Ushtarakë, nën drejtimin e të ndjerit. Prof. Dr. Gjergj Titani. Pjesë e këtij komisioni isha dhe unë, ku ne si grup, me kujdes, bazuar në dokumenta autentike, propozuam të gjitha Festat e Forcave, Armëve e Shërbimeve, të shtrira në afate kohore që nga themelimi i Ushtrisë Shqiptare më 4 dhjetor 2015. Në përkujtim të këtij jubileu të madh për detarët shqiptarë, le të hedhim një vështrim të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake, bashkë me lexuesit tanë.
Në arkivat e Mbretit Zog shkruhet se, më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e parë për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marrëveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat. Ndërkohë fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhëri nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.
-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.
-Mbas viteve 60, u shënua fillimi i një etape të re zhvillimi të FLD, me pajisjen e tyre me silurhedhës e më vonë me Minaheqëse, Gjuajtësa Detarë, Nëndetëse dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme. Për këtë u shfrytëzuan edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist, që i shërbyen dhe strategjisë e gjeopolitikës të këtij kampi.
-Mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta “Archangel”, Dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe anije antindotje që u blenë në Itali, ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënoi dhe përfundimin e këtij projekti.
Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 90 vite të ekzistencës. Krahas modernizimit është punuar për arësimimin dhe kualifikimin e kuadrove e personelit të anijeve si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë këtyre 25 viteve, vetëm në SHBA, janë kualifikuar në shkolla dhe akademi të ndryshme detarie mbi 100 kuadro detarë të rangjeve të ndryshme, me një kosto miliona dollarë.
Sigurisht që anëtarësimi i vendit tonë në NATO, e bëri evident ndryshimin dhe reformimin e Forcës Detare, përmirësimin e legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave, modernizmin dhe pajisjen me mjete të kohës, etj. Forca jonë Detare ka pasur një bashkëpunim të frutshëm me Komandën e Komponentit Detar të NATO-s në Napoli dhe Northwod, Angli, me Flotën e 6-të të SHBA në Mesdhe si dhe me Flotat partnere të vendeve anëtare të NATO-s, duke zhvilluar projekte të rëndësishme që kanë shtuar aftësitë dhe kapacitetet e tjera opracionale. Në këto vite FD ka bërë hapa para në realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të ri të Vëzhgimit të Hapësirës sonë ujore dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Zhvillimi e transformimi, kjo është simbolika e Forcës sonë Detare në këtë 90 vjetor.
Është fakt që ky përvjetor i 90-të i gjen Forcat Detare më të afta, më të pjekura dhe të maturuara, me një personel të motivuar e të aftë profesionalisht, me mjete të reja dhe infrastrukturë moderne. Zhvillimi dhe transformimi është karakteristikë kryesore e Forcës sonë Detare, e cila tashmë është një partnere denjë e Flotave të NATO-s. Vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, efektivat tona kanë zhvilluar një sërë stërvitjesh të përbashkëta me vendet e NATO-s, brenda dhe jashtë vendit si:-“Adriatik-Phiblex”, “Adrijon-Livex”, “Albanian-Lion”, si dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare dhe SAR, në bashkëpunim me Forcat e tjera të Ushtrisë dhe Institucionet tona detare si “Durrës-SAR-Ex”, “Vlora-SAR-Ex”, “Shqiponja e Lumtur”, “Delfini”, “Imponimi”, “Joni”, etj. Moto e detarëve tanë është, gatishmëri, aksion, prezencë dhe kontroll të hapësirës sonë detare gjatë gjithë kohës. Nën këtë moto ekuipazhet e anijeve të gatshme në vite kanë zhvilluar një sërë operacionesh humanitare nga jugu në veri, duke u vlerësuar nga opinioni dhe komuniteti ynë. Në zhvillimin e këtyre operacioneve Forca Detare bashkëpunon ngushtësisht me institucionet e tjera detare me interesa në det, si Kapiteneria e porteve, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, Inspektoriati i peshkimit, Inspektoriati i mjedisit, Delta Forc, etj, në kuadër të QNOD. {Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare}. Natyrisht personeli i kësaj Force është i ndërgjegjshëm se në të ardhmen ka plot sfida e detyra konkrete, që kanë të bëjnë me transformimin dhe modernizimin e Forcës Detare si dhe monitorimin efikas të situatës detare, për të cilat detarët tanë kanë paracaktuar vizionin, objektivat e synime të qarta.
Shënim:-Të nderuar lexues, Historinë e plotë të Forcës Detare Shqiptare e gjeni tek “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i 2-të dhe i 3-të.
Mbyllet me sukses stërvitja shqiptaro-amerikane “Delfini-2015”
Mjeshtra amerikanë dhe specialistë shqiptarë përgatiten për përballimin e emergjencave të ndryshme detare/
Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 16 dhjetor në Qëndrën e Simulimeve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua faza finale e stërvitjes “Delfini-2015”. Në këtë stërvitje të drejtuar e organizuar nga QNOD, {Qëndra Ndërinstitucionale Detare Operacionale} dhe Qendra e Simulimeve, morën pjesë specialistë të institucioneve përbërëse të kësaj qendre, Kordinatorë dhe specialistë nga Forca Detare, Policia Kufitare, Kapitenaria e Porteve, Antikontrabanda Detare, personel i Forcave Ajrore, Inspektoriati i Peshkimit, Inspektoriati i Mjedisit, Qendra Kombëtare e Emergjencave, etj. Për mëse një jave pjesmarrësit mbi bazë të skenarëve të parapregatitur për situate të ndryshme në det, provuan aftësitë vendimarrëse e organizuese të tyre në lidhje me variantet e parashikuara si dhe përdorimin efikas të mjeteve në përdorim. Shefi i trajnimeve në QNOD, zoti Petrit Baduni dhe Kordinatori i FD në këtë Qendër, Kapiten i Rangut të III-të, Urim Bulica, sqaron se, e vecantë e kësaj stërvitje ishte se u planëzuan dhe realizuan variante taktike të operacioneve të kërkim-shpëtimit SAR si dhe ato kundër trafiqeve njerzore, të cilat përkojnë dhe me situatat aktuale rajonale, nga të cilat vendi ynë nuk është i përjashtuar. Me theks të vecante u pa bashkëveprimi midis të gjithë aktorëve shtetërorë që veprojnë në det gjatë këtyre operacioneve, dhënia në kohë optimale e ndihmës për personat në rrezik, përzgjedhja e mjetit më të përshtatshëm, monitorimi i situatave komplekse të krijuara nga këto emergjenca detare, kërkim-shpëtimi në përputhje me Manualin SAR, ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjitha agjencive përgjegjëse për menaxhimin e këtyre situatave, etj. Gjithashtu në stërvitjen “Delfini-2015”, vend të vecantë zunë situatat dhe operacionet për kontrollin e kufijve detarë, si ato për kalimin e paligjshëm të qenieve njerzore e refugjatëve gjatë kufirit detar, rastet kur në bordet e anijeve ka dhe persona të armatosur, por dhe rastin kur vetë anija pëson avari dhe e rëndon më tepër situatën detare. Në përputhje me situatat e dhëna nga kordinatorët e stërvitjes u përcaktuan dhe mjetet e Forcës Detare, të Policisë Kufitare, Antikontrabandës dhe Kapitanerisë, që u përdorën në cdo rast. Është stërvitja e tretë që institucionet tona detare zhvillojnë në Qendrën tonë të Simulimeve, një nga asetet më të mira të FA, që i ka dhënë frymëmarje të vecantë gjithë procesit stërvitor në ushtrinë tonë. Madje spektri i veprimeve të saj e ka zgjeruar shtrirjen deri në rajon, sic ishte stërvitja “Joint Reaction-2015”. Major Lulëzim Salihi, një nga specialistët e Qendrës së Simulimeve që në krijimin e saj, theksoi se, shohim që nga stërvitja “Pulëbardha-2014”, “Adrijon-2015” deri tek “Delfini-2015”, ka një përmirësim të procedurave dhe rritje të aftësivë profesionale të personelit të këtyre institucioneve. Sigurisht në situatat që japim në monitorë përpiqemi ti përafrohemi ngjarjeve reale në det. Gradualisht, Qendra e Simulimeve po familjarizohet me skenarë të tillë, anasjelltas dhe detarët shqiptarë ndjehen mirë gjatë ushtrimeve në kabinetet dhe sistemin dixhital të Qendrës. Stërvitjet në Qendrën tonë, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA, kanë mjaft vlera në të gjitha aspektet stërvitorë, thotë majori. Së pari shkurtohet koha e stërvitjes, ulet kostoja e saj disa herë, mënjanohet dëmtimi i mjedisit, zbatohet standartet e NATO-s për këto lloj stërvitje, gjithashtu, si Drejtuesit e operacioneve apo Komandantët e anijeve dhe sikur te bëjnë gabime në vendimarje, kanë mundësinë ti korigjojnë ato, pa shkatuar konseguenca në ecurinë e operacionit, sic mund të ndodhte në një situatë reale. Nën drejtimin e specialistëve amerikanë, ishushtarakë, {Tony Darlington e Dee Esplind}, si dhe personelit të Qendrës së Simulimeve, u arrit që të realizohen objektivat e stërvitjes, ku bazë ishte përmirësimi i aftësive individuale dhe bashkeveprimit midis institucioneve tona ligjzbatuese në det, gjatë misionit dhe detyrave të tyre parësore. Në konkluzionet e stërvitjes pjesmarrësit falenderuan personelin e Qendrës së Simulimeve dhe nxorrën disa mësime për ti korigjuar në të ardhmen si, dhënien në kohë të situatave, saktësimin e kordinatave të objekteve të ndryshme në det, futjen e shpejtësisë reale të cdo mjeti detar në Database, përmirësimin e legjislacionit e rregulloreve, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimi i informacionit, përdorimi i helikopterevë për zbulim detar, përafrimi i punës nga ajo c’ka bëjmë tek Qendra e Simulimeve me zbatimin e detyrave funksionale në QNOD, etj. Kapiten Besnik Deda e vlerësoi këtë stërvitje si një eksperiencë të re dhe me perspektivë në përgatitjen e personelit të institucioneve detare të shtetit shqiptar. Nuk është e paktë të përgatisësh dhjetra kuadro e specialistë në përballimin e emergjencave të ndryshme detare, theksoi kapiteni. Ndërsa Drejtori i Antikontrabandës Detare, zoti Ylli Hatellari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve detare, verifikimin e saktë të situatave e objekteve dhe planifikimin e aseteve të duhura për cdo operacion. “Delfini-2015”, mbylli siparin e 13 stërvitjeve të zhvilluara në Qendrën e Simulimeve gjatë vitit 2015. Në këtë kuptim, kjo qendër është nga më produktivet në Forca tona të Armatosura.
Kremohet 103 vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë
Nga Shefqet Kërcelli/
Sot paradite, datë 4 dhjetor, në sheshin qëndror të Garnizonit “Skënderbej”, Tiranë, u organizua një ceremoni ushtarake për nder të 103 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në këtë ceremoni morën pjesë trupa dhe personel nga të gjitha Forcat, Armët dhe Shërbimet, pjesë përbërëse të Forcave tona të Armatosura. Gjithashtu vec Ministrit të Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, në këtë ceremoni morën pjesë veteranë të FA, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Atashe ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s akredituar në vendin tonë, përfaqësues të medias, etj. Mbas përshëndetjes me rastin e 103 vjetorit, pjesmarrësit shoqëruan ekzekutimin e hymnit kombëtar nga tenori Ergys Mita. Në vijim të ceremonisë fillimisht pjesmarrësit i përshëndeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralmajor Bazo dhe më pas Znj.Mimi Kodheli. Në fjalën e tyre drejtuesit e ushtrisë shqiptare vlerësuan rrugën e lavdishme të Ushtrisë Shqiptare nga dita e krijimit, punët e përpjekjet e bëra për reformimin e FA shqiptare deri në pranimin si anëtare me të drejta të plota në NATO. Gjithashtu u evidentua roli i trupave shqiptare në misione të ndryshme paqeruajtëse krah me vendet e tjera si dhe kontributi i popullit shqiptar në luftën kundër terrorizmit dhe forcimin e paqes e sigurisë në botë. Në fund të fjalës, titullarët e MM i uruan ushtarakëve shqiptarë, Gëzuar 103 vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare! Gjatë ceremonisë u prezantua dhe mënyra më e re e përshëndetjes nga cdo Forcë apo Komandë Mbështetje e Forave tona të Armatosura.
Pse 4 dhjetori shënon krijimin e Ushtrisë shqiptare? Vetëm pak ditë nga akti historik i shpalljes së pavarësisë, 28 nëntor 1912, më 4 dhjetor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, në mbledhjen e tij të parë zgjodhi grupin ekzekutiv të Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës. Në përbërje të kësaj trupe bëntë pjesë dhe Dikasteri i rëndësishëm i Luftës {Mbrojtja Kombëtare}, me në krye Gjeneral karriere dhe Komandanti i shquar i kryengritjeve shqiptare të viteve 1911-1912, Mehmet Pashë Dërralla.{Tetova}. Ky dikaster në bashkëpunim me atë të Punëve të Brendëshme do organizonte mbrojtjen e territoreve të vendit, sigurimin e rendit publik, njëkohësisht dhe formimin e organizmave drejtuese të strukturave të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Nëntor 1912, Udhëtimi i Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë
Nga Shefqet Kërcelli/
Qyteti i Durrësit zuri një vend shumë të rëndësishëm në lëvizjen patriotike për shpalljen e Pavarësisë në pragshekullin e XX-të. Patrioti Ismail Qemali kishte piketuar këtë qytet për të shpallur “mëvehtësinë”, por ndërkohë forcat pushtuese serbe po avanconin për ta pushtuar atë. Ismail Qemali mbrriti në Durrës me 21 nëntor 1912, dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvëndës kryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas dokumentacionit të ruajtur në arkivat dhe shtypin e kohës, delegacioni shqiptar me Ismail Qemalin ishte nisur ditën e 19 nëntorit 1912, me vaporin e Llojdit austriak “Baron Bruck” nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës, ku e priti Dom Nikoll Kaçorri me patriotët durrsakë më 24 nëntor, ora 16.00. Ky detaj jepet në letër këmbimin mes zotërinjve Eqrem Bej Vlora dhe Mustafa Kruja, “Ku isha në vigjilje të pavarësisë”…ndonëse ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme të ushtrive pushtuese nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej. Pikërisht për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejt drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës më 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. (Historia e Popullit Shqiptar II (Botimi i tretë), Prishtinë 1979 (1.) fq.351. (2.) fq.510 ). Delegacioni me në krye Ismail Qemalin u nis së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme më 25 nëntor nga Durrësi, duke ju shmangur rrugës kryesore dhe u drejtua për në Vlorë. Gjatë gjithë natës banorët e Durrësit kanë vigjëluar për rreth Qelës së Dom Kacorrit, pasi reaksioni i xhonturqve dhe përkrahësit e Dhespot Jakovit, ishin mjaft aktivë. Paraditen e 22 nëntorit 1912 është bërë mbledhja me përfaqësinë e popullit, mbledhje e cila u tentua të sabotohej nga përkrahësit e Jakovit. Sipas kujtimeve të Avokatit Hysen Myshketa për mos ngritjen e flamurit në Durrës kanë luftuar Prefekti turk Mahir Beu si dhe Dhespot Jakovi. Gjatë gjithë natës banorët e Durrësit kanë vigjëluar për rreth Qelës së Dom Kacorrit, pasi reaksioni i xhonturqve dhe përkrahësit e Dhespot Jakovit, ishin mjaft aktivë. Paraditen e 22 nëntorit 1912 është bërë mbledhja me përfaqësinë e popullit, mbledhje e cila u tentua të sabotohej nga përkrahësit e Jakovit. Sipas kujtimeve të Avokatit Hysen Myshketa për mos ngritjen e flamurit në Durrës kanë luftuar Prefekti turk Mahir Beu si dhe Dhespot Jakovi. Madje z.Myshketa në “Shënimet e tij historike“ na sjell edhe një lojë hipokrite të Jakovit, duke e bërë që të dukej edhe më turkoshak se vetë pushtuesit dhëmbërënë tashmë : “Zotni unë qysh kur jam lindur, që kur kam ardhur ndër mend e deri sot, vetëm një flamur kam njohur, kam dashur dhe kam nderuar dhe ky është flamuri i osmanllisë. Nën këtë flamur kam rrojtur dhe nën këtë dua të vdes ”. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, bazuar në letërkëmbimin Eqrem Bej Vlora-Mustafa Kruja, botuar në “Ku isha në vigjilje të pavarësisë”, dhe shënimet e personalitetit të asaj periudhe Eqrem bej Vlora: “Kujtime 1885-1925, Botime IDK”, thuhet se, Gjenerali i divizionit turk Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Një natë tjetër e kaloi në Fier, tek Omer Pasha. Mirëpo gjatë natës komanda e trupave turke në Berat, nën trysninë e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim”. Por dhe këtu patriotët vendas mundësuan që nga Mifoli, delegacioni i Ismail Qemalit të udhëtojë me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912, mbrriti në Vlorë, një ditë para ngjarjes historike për kombin shqiptar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 29
- 30
- 31
- 32
- 33
- …
- 44
- Next Page »