Gjuhëtari Dr. Xhafer Beqiraj sjell para lexuesit përmbledhjen e tij studimore “Studime për shqipen I”, një botim që përmban punime shkencore të shkruara përgjatë një dekade për gjuhën shqipe dhe probleme të zbatimit të normës së saj në institucione dhe në media. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, gjuhëtari Dr. Xhafer Beqiraj deklaron se gjuha standard shqipe do një kujdes të veçantë e sistematik edhe në ditët e sotme, për sa i përket zbatimit të përpikëtë të normës standarde: normës drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore etj., si në shkolla e në media elektronike e të shkruara, ashtu edhe në institucione shoqërore e shtetërore. Zbatimi i përpiktë i normës së shqipes standarde në shkolla dhe në të gjitha mediet do të kishte ndikim sistematik në të gjithë truallin e shqipes. Por për fat të keq, shqipja jonë e bukur ende ka probleme për sa i takon zbatmit të standardit në të gjitha sferat e jetës institucionale e shoqërore. Këto shkarje nga norma vijnë, sipas nesh, për shkak se mungon kujdesi i mjaftueshëm institucional, mungon kujdesi i mjaftueshëm i shqipfolësve, jo për ndonjë arsye tjetër. Pra, derisa ne shqiptarët jemi të aftë të zotërojmë gjuhë të huaja, si ështe e mundur të dalin probleme të zotërimit të shqipes standard në truallin e vet?!
STUDIME PËR SHQIPEN I
Përmbledhja studimore “Studime për shqipen I”, përmban artikuj shkencorë të shkruar përgjatë një dekade për gjuhën e sotme shqipe në rrafshe të ndryshme të strukturës së saj. Në këtë vëllim autori ka përmbledhur një numër artikujsh shkencorë, si dhe disa vëzhgime për gjendjen e zbatimit të shqipes standarde për diskutimet rreth saj si edhe recensione për veprat e kolegëve. Këta artikuj janë botuar nga autori në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Itali etj.
Kjo përmbledhje përfshin trajtesa për çështje të morfologjisë, si: “Formimi i mbiemrave në dritën e morfologjisë gjenerative, “Mbiemrat si klasë fjalësh me tipare emërore dhe foljore”, “Çështje të trajtimit semantik të mbiemrave në gramatikat e shqipes”, “Valenca e mbiemrit”, “Një vështrim i shkurtër për valencën dhe rolet tematike të foljes” etj.
Në shkrime të tjera të kësaj përmbledhjeje trajtohen edhe probleme të qëndrimeve mohuese ndaj gjuhës standarde, autori ngre problemin e përvetësimit të standardit në shkollë, flet për shkeljet e normës së gjuhës shqipe në mediet e shkruara dhe elektronike dhe në portalet informative që përbëjnë dritaren kryesore informative në ditët e sotme.
Siç thotë prof. Rami Memushaj në parathënien e këtij vëllimi, “… botimi i kësaj përmbledhjeje përbën një kontribut të dr. Xhafer Beqirajt në gjuhësinë shqiptare, sidomos në Kosovë, ku gramatikës po i kushtohet shumë pak vëmendje, ndërkohë që duhet të ishte sistemi më i studiuar, edhe për shkak të problemeve të shumta që po shfaqen në ligjërimin e folur e të shkruar në fushën e morfologjisë e të sintaksës si rrjedhim i ndikimeve të anglishtes dhe serbishtes dhe i punës së dobët të shkollës për zotërimin e gjuhës amtare.”
Në vijim po i japim disa fragmente të çështjeve të trajtuara nga gjuhëtari Dr. Xhafer Beqiraj.
DISA SHKARJE MORFOSINTAKSORE NË MEDIET E SHKRUARA
Mjetet e komunikimit masiv, veçanërisht mediet e shkruara, kanë një rol të gjerë shoqëror dhe një forcë të madhe ndikuese në komunikimin publik. Që nga Kongresi i Drejtshkrimit në mediet tona të shkruara, në të gjitha trojet shqiptare, përdoret gjuha standarde. Ndonëse mediet e shkruara dhe radiotelevizionet patën ndikim të rëndësishëm mbi dyzet vjet me radhë në dinamizmin e zhvillimit tonë gjuhësor, në to, edhe sot e kësaj dite hetohen shkarje në rrafshe të ndryshme gjuhësore. Në këtë kumtesë kemi trajtuar disa shkarje nga fusha e morfologjisë dhe e sintaksës. Kur rrihen probleme nga këto dy fusha gjuhësore, nuk mund të lihet anash as rrafshi semantik. Në gjuhën e shtypit, në radio dhe në televizione kemi veçuar këto probleme të normës morfologjike dhe sintaksore: 1) Po edhe sot, kur dygjinishmëria është pranuar si normë, ndeshim shpesh përshtatje të gabuara në gjini. Gjatë hulumtimit të kësaj dukurie nëpër gazeta (madje edhe në shkrime dhe tekste të ndryshme) përshtatja në gjini e emrave joambigjenë (dhe ambigjenë) me përcaktorë del si problem çdo ditë e më i shpeshtë për shkak të gabimeve në lidhjen e fjalës së përcaktuar me përcaktuesit, pra thyhet parimi i teorisë së lidhjes. Një dukuri tjetër në gjuhën e medieve të shkruara dhe në radiotelevizione është përdorimi i gabuar i parafjalës në disa struktura të fjalisë. Një problem tjetër që thyen rregullat e drejtshkrimit paraqesin edhe lidhëzat e paqena “pasi që”, “mbasi që”, të cilat, me sa kemi mundur t’i hulumtojmë, dalin të përdorura shpesh në shkrimet e shtypit ditor dhe në radiotelevizione. Lidhëzat e mirëfillta nënrenditëse kohore janë “pasi” dhe “mbasi” pa shoqërim të që-së, pra lidhëza pasi që është një lokucion lidhëzor i paqenë, por përdoret pandërgjegjshëm në shkrimet e shtypit të përditshëm, radioteleviozione, tekste dhe në ligjërime nga shqipfolës edhe me formim të lartë. 4) Në mjetet e komunikimit masiv ndeshim gabimisht të përdorur, sipas nesh, edhe mbiemrat “i dyfishtë”, “i trefishtë”, “i katërfishtë”, të cilët semantikisht nuk emërtojnë tiparin e një sendi a dukurie si sasi (numër), por emërtojnë tiparin si karakteristikë të një sendi të përbërë nga disa shtresa; një send a dukuri që ka dy lidhje; diçka që bëhet në dy-tri mënyra; diçka që shfaqet në dy-tri mënyra etj. Këto shkarje nga norma standarde paraqesin probleme në drejtshkrimin e shqipes. Kurse shqipfolësve e në veçanti atyre që merren me gjuhën e shkruar e të folur në mediet e ndryshme, u duhet një ndërgjegjësim më i madh për sa i përket zbatueshmërisë së normës standarde shqipe. Pra, në gjuhën e medieve është e nevojshme një kujdes më i shtuar në përdorimin e gjuhës standarde, sepse mediet kanë një ndikim jo të vogël në masën e gjerë popullore…
(Fragment nga punimi me titull “Disa shkarje morfosintaksore në mediet e shkruara”)
STANDARDI DHE DEBATET E SOTME RRETH TIJ
Debatet për gjuhën standarde shqipe janë të nevojshme dhe të mirëseardhura për zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit dhe të nënsistemeve të saj dhe do t’i shpien përpara kërkimet shkencore, ashtu si ndodh edhe me gjuhët e tjera europiane e më gjerë. Standardi nuk është një kod i mbyllur, sepse së bashku me zhvillimin e shoqërisë shtrohet nevoja edhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij dhe ndryshimet duhet të vijnë natyrshëm, me tolerancë dhe pa politizime. Gjuha standarde është njësia më e shenjtë mbarëkombëtare me të cilën identifikohemi në botë. Mirëpo debatet e zhvilluara deri më sot për gjuhën standarde nxjerrin në pah qëndrime ndër më të ndryshme për të. Në debatet televizive dhe në mediet e tjera të shkruara kudo ndër ne, është vënë në dukje tendenca e disa prej debatuesve kundër standardit të shqipes. Kush më shumë e kush më pak i veshin standardit ngjyrime politike, duke thënë se është pjellë e periudhës komuniste, dikush fajëson standardin me pretekstin se kosovarët e kanë të vështirë të zotërojnë atë në praktikë, disa të tjerë marrin guximin të kërkojnë një standard për Kosovën dhe kështu të krijohet një identitet i ri, ka debatues, të cilët kërkojnë ngritjen e një standardi me bazë gegërishten. Po ashtu janë shprehur mendime, duke e fajësuar standardin e shqipes, se fëmijët të cilët flasin gegërishten në familje e kanë të vështirë ta zotërojnë shqipen e njësuar, kurse fëmijët, të cilët e flasin toskërishten në familje e kanë më të lehtë ta zotërojnë atë, sepse është më afër këtij dialekti të shqipes etj. Në këtë pikë, një dukuri e tillë është e vërtetë, por kjo ndodh edhe në gjuhë të tjera e megjithatë standardet e tyre vazhdojnë me hov të zhvillohen. Idetë e dala nga këto debate, na duken sa të habitshme, po aq edhe të papritura për gjuhën e njësuar shqipe, e cila qe ëndërr dhe dëshirë e shumë patriotëve dhe dijetarëve ndër shekuj, të cilët luftuan që kombi shqiptar ta ketë një gjuhë të njësuar. Qëndrimet e tilla për gjuhën standarde sot janë ogurzeza për mbarë kombin shqiptar dhe, nëse nisemi nga kjo logjikë, do të krijohet një hendek i thellë brendapërbrenda tij. Mirëpo shqipja e njësuar ka shuar shtat dekadat e fundit dhe qëllimet për ta zvetënuar atë do të jenë dështake, sepse mendjet e ndritura ndër shqiptarë, qenë çdoherë pararojë e gjuhës, e kulturës shqiptare dhe faktorë unifikues. Një gjë të tillë e bënë edhe kosovarët në vitin 1968 në Prishtinë, kur u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, të cilët në shenjë përkrahjeje të gjuhës së njësuar shqipe dolën me qëndrimin “një komb – një gjuhë” dhe kështu i paraprinë zhvillimit historik të Kongresit të Drejtshkrimit më 1972. Për t’i kontestuar të gjitha këto qëndrime destruktive dhe hipoteza të pabaza kundër gjuhës standarde shqipe, do të tërheqim një paralele në mes të shqipes dhe gjermanishtes. Gjermanishtja, siç dihet, është një gjuhë me shumë dialekte dhe dallimet në mes të dialekteve dhe nëndialekteve të saj, janë shumë më të mëdha, sesa dallimet që ekzistojnë në mes dy dialekteve të shqipes. Gjuhën gjermane e flasin mbi 100 milionë gjermanishtfolës në disa shtete. Nëse shikojmë historinë e zhvillimit të gjermanishtes ndër shekuj, do të vërejmë se gjatë formimit të standardit të saj ka pasur mjaft vështirësi, si edhe në shqipet, duke filluar që nga Martin Luteri, Bismarku e këndej. Natyrisht se pati mospajtime dhe pakënaqësi ndër gjermanishtfolës për krijimin e standardit, mirëpo të gjitha i tejkaluan dhe gjuha gjermane vazhdoi rrugëtimin e saj të zhvillimit. Ne mendojmë se nuk kemi kohë për të humbur, pra nuk mund të kthehemi në vitin 1972, sepse ashtu-ashtu qemë të fundit në Europë që bëmë standardizimin e gjuhës. Jemi një popull i vogël dhe nuk duhet të ndahemi furka-furka për shkak të tekave të dikujt që vjellin helm e vrer kundër gjuhës së përbashkët, të cilën e ngritëm me shumë mund dhe sakrificë. As nuk duhet veshur me ngjyrime politike standardin e sotëm, sepse të gjitha gjuhët e standardizuara janë krijuar (nga dijetarët) në epoka dhe rrethana të caktuara politike, sociale e administrative. Standardi nuk është i paprekshëm, ai mund të pësojë ndryshime në nënsisteme, por duke pasur kujdes gjithnjë e përherë në moslëndimin e tij.
KUSH ËSHTË DR. XHAFER H. BEQIRAJ
Xhafer H. Beqiraj ka lindur në fshatin Kosavë të komunës së Sharrit më 28. 04. 1970. Shkollën fillore e kreu pjesërisht në vendlindje dhe pjesën tjetër në qytetin e Prizrenit. Shkollën e mesme dhe më pastaj Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” e përfundoi në Prizren (1995) në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Në vitin 2002 përfundoi studimet 4-vjeçare në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinë. Me të përfunduar fakultetin, po në këtë vit dhe në këtë fakultet, regjistroi studimet e magjistraturës në Degën e Gjuhësisë. Përfundoi katër semestra të këtyre studimeve pasdiplomike, i dha provimet e parapara, por nuk mbrojti mikrotezën e magjistraturës. Në vitin 2007 shkoi në Vjenë për t’i vijuar studimet. Fillimisht regjistroi kursin universitar të gjuhës gjermane në Universitetin e Vjenës, të cilin e përfundoi në shkurt 2009, kurse në mars po të këtij viti regjistroi studimet e doktoraturës në fushën e gjuhësisë në Universitetin e Vjenës. Mirëpo për arsye financiare detyrohet të kthehet në Kosovë dhe t’i ndërpret studimet (tetor 2009). Në vitin 2010 i njihet niveli i studimeve të masterit (DNDI) në Ministrinë e Arsimit të Tiranës, që i hapi rrugë për studimet e mëtutjeshme. Në vitin 2011 regjistroi studimet e doktoraturës, të cilat i përfundoi në vitin 2016 në fushën e gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Mbrojti tezën e doktoraturës me titull “Sintagma mbiemërore në gjuhën shqipe”, udhëheqës shkencor pati prof. dr. Rami Memushajn. Beqiraj ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie. Që nga viti 1995 filloi të punojë arsimtar i gjuhës shqipe. Në vitin 1995 punoi vullnetarisht disa muaj arsimtar në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” dhe “Lekë Dukagjini” në Prizren, duke i zëvendësuar kolegët e vet me qëllim që të fitojë përvojë në mësimdhënie. Kurse në vitin 1996 filloi punën me marrëdhënie të rregullt në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren (arsimtar i gjuhës shqipe) dhe vijoi deri në vitin 2003. Në vitin 2003 merr thirrjen akademike “Asistent” i rregullt në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës – Qendra në Prizren (në vitin 2004–2005 ligjëroi edhe në Fakultetin e Edukimit – Qendra në Gjakovë), ku punoi deri në vitin 2007. Nga viti 2009–2016 ishte profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin “Loyola-Gymnasium” të Prizrenit dhe njëkohësisht ligjërues i angazhuar i disa lëndëve të gjuhësisë në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës – Qendra në Prizren. Në vitin 2017 merr thirrjen akademike “Profesor Asistent” në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit ku vijon të ligjërojë disa lëndë nga fusha e gjuhësisë. Xhafer Beqiraj ka marrë pjesë në konferenca, kongrese e seminare kombëtare e ndërkombëtare. Që nga viti 2015 është anëtar i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare “Lingua Albanica” me seli në Tiranë. Beqiraj deri më sot (2009–2021) ka botuar një tufë artikujsh shkencorë brenda e jashtë vendit. Ai ka botuar një monografi me titull “Funksionet semantiko-sintaksore të mbiemrit në gjuhën shqipe” (Tiranë, 2016, f. 344), kurse përmbledhja me punime me titull “Studime për shqipen I” (2021) është vepra e tij e dytë. Xhafer Beqiraj jeton dhe vepron në qytetin e Prizrenit.