Deputeti Shpëtimi Idrizi në Prishtinë:“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi./
Komuna e Prishtinës pati nderin që sot të nis Javën e Çamërisë, në 70 vjetorin e gjenocidit dhe diskriminimit të shqiptarëve të Çamërisë. Sivjet, për herë të parë, ky aktivitet filloi njëkohësisht në Prishtinë dhe Tiranë, duke synuar kështu vetëdijesimin e të gjithë kombit për çështjen çame.
Komuna e Prishtinës, së bashku me delegacionin nga Shqipëria të përbërë nga Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Tahir Muhedini, Omer Mamo dhe Dashamir Tahiri, bëri hapjen e kësaj jave.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se çështja çame mbetet një nga padrejtësitë më të mëdha jo vetëm në kombin shqiptar por në gjithë Evropën. “Duhet ta bëjmë vetëdijesimin e të gjithë kombit për këtë padrejtësi kaq të madhe që i është bërë shqiptarëve. Kam kënaqësinë që sot pritëm si pesë deputetë të Republikës së Shqipërisë, që ta shënojmë së bashku fillimin e kësaj jave, që të gjithë qytetarëve të Prishtinës e Kosovës t’ua kujtojmë këtë çështje aq të rëndësishme”, tha Ahmeti.
Ai shtoi që gjenocidi i 70-100 viteve më parë ka vazhduar edhe pas vitit 1944 kur janë dëbuar të gati të gjithë shqiptarët nga Çamëria por tash jemi më të fortë se kurrë në ngritjen e kësaj çështjeje. “Sheshet e Prishtinës sot janë të mbushur me flamuj kombëtar, si dhe me flamujt e simbolikës së kësaj jave, “Unë e dua Çamërinë”, shprehje kjo që e thotë çdo shqiptar sot”, tha në fund Ahmeti.
Deputeti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Shpëtim Idrizi falënderoi Kryetarin Ahmeti dhe përmes tij të gjithë qytetarët e Kosovës për organizimin e parë institucional në Prishtinës për shënimin e Javës së Çamërisë.
“Çamëria është pjesë shumë e rëndësishme e gjymtyrës së kombit shqiptar. Është 9.500 kilometra në katror, me histori e kulturë, e që ka pësuar një nga gjenocidet më të mëdha që njeh historia. Ky gjenocid ka filluar që nga lënia jashtë e trojeve shqiptare të Kosovës dhe Çamërisë, dhe ka njohur një valë shpërnguljes. Si valë e fundit është masakra e Luftës së Dytë Botërore, ku brenda një jave, 20% e popullsisë është vrarë është masakruar dhe pjesa tjetër është dëbuar drejt Shqipërisë së sotme”, shpjegoi deputeti Idrizi, duke shtuar se kjo javë jo vetëm se do të përkujtojë ata shqiptarë që dhanë jetën vetëm pse ishin shqiptarë, por mbi të gjitha do të tregojë që harta e kombit shqiptar duhet të plotësohet edhe me Kosovën edhe me Çamërinë.
“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi.
Përfundon qetë protesta në Mitrovicë
Albin Kurti: “Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”/
Ka përfunduar në mënyrë të qetë protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nisi nga ora 13 në në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Mitrovicë njofton se në protestën e sotme kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, të cilët i janë bashkuar thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje, për të protestuar kundër, siç kanë thënë ata, “padrejtësive që po ndodhin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Masës së qyetarëve të mbledhur në sheshin “Mehë Uka”, i është drejtuar Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe vetë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili duke kërkuar reziprocitet në bisedime, ka paraljmëruar protesta të reja në rast se ndodh ndryshe.
“Duhet të ketë reciprocitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse më shumë ka shqiptarë në Serbi, se sa që ka serbë në Kosovë. Nëse do të ketë marrëveshje më 2 prill, ne do të demonstrojmë në Prishtinë kundër tradhtisë së Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Protesta e sotme mbahej nën moton “Bashkohemi në Mitrovicë”, dhe u zhvillua vetëm tri ditë para takimit të ardhshëm të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun serb, Ivica Daçiq.
Albin Kurti: “Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”
Albin Kurti, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka kritikuar bisedimet në mes të dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të cilat po zhvillohen në Bruksel. Ai tha se Plani Ahtisaari është i dëmshëm, pasi që ndan Mitrovicën në dy pjesë.
“Mitrovica nuk mund të ndahet në dy pjesë. Është një qytet që duhet të bashkohet”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për autostrada, por për fabrika, që do të punësonin popullatën e do të dilnim nga varfëria e skajshme.
“Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.
*****
Ahmeti: “Pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, duke iu drejtuar masës së tubuar, tha se “pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”.
Teksa Ahmeti po fliste, turma brohoriste “Jo pazare me Veri”, “Hashim Hajni”, e thirrje tjera të ngjashme.
Ai tha se Mitrovica ka qenë këtu tash e 14 vjet në këtë gjendje, dhe atij iu kujtua ky vend vetëm një ditë para protestës sonë.
Protestuesve ende nuk u është drejtuar askush me ndonjë fjalim. E tëra që po degjohet janë parullat e protestuesve. “Jo Kosovë dhe veri, bashkim me Shqipëri”, “Jo negociata Vetëvendosje”.