• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet bota sot

September 23, 2016 by dgreca

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara/

23 shtator 2016/

I nderuar Zoti President,/

Shkëlqesitë Tuaja,/

Zonja dhe Zotërinj,/

Është një kënaqësi e veçantë që, në cilësinë e Kreut të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, t’i drejtohem Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dëshiroj së pari të përshëndes zgjedhjen e Presidentit e Asamblesë së Përgjithshme, zotit Peter Thomson, si dhe t’i uroj atij shumë suksese në përmbushjen e agjendës dhe angazhimeve shumë ambicioze.

Përtej nderit dhe privilegjit për t’iu adresuar për herë të dytë kësaj Asambleje shumë të nderuar të Kombeve të Bashkuara, kam edhe ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë për të dhënë një kontribut modest, veçanërisht në këto momente zhvillimesh të rëndësishme rajonale e globale, e ku vëmendja jonë është përqendruar në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Gjithashtu dëshiroj të shpreh edhe mirënjohjen e thellë për vizionin, rolin dhe kontributin e qenësishëm, që Sekretari i Përgjithshëm ka dhënë në krye të Kombeve të Bashkuara, duke orientuar vëmendjen tonë në çështje sa thelbësore të lidhura me vlerat dhe dinjitetin njerëzor e deri tek çështjet e lidhura me paqen e sigurinë në planetin tonë të përbashkët.

Zoti President,

Shqipëria këtë vit kremtoi 61-vjetorin e anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara dhe me kënaqësi legjitime dëshiroj të theksoj se vendi im u mbetet besnike parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kontribuon maksimalisht e me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për paqen dhe sigurinë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se vendi im e ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota sot dhe mbështet të gjitha përpjekjet e përbashkëta për përballimin e tyre, me bindjen e palëkundur se parandalimi i konflikteve dhe sigurimi i paqes e sigurisë globale, ku në qendër është vëmendja për njerëzit dhe shoqërinë njerëzore, kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë.

Ndaj këtyre sfidave, Shqipëria është gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimeve të mundshme në parandalimin e krizave; angazhimit, sipas mundësive, në ndihmën humanitare; kontributin e saj në stabilitetin dhe sigurinë rajonale; zhvillimin e qëndrueshëm; ratifikimin e marrëveshjes së klimës dhe depozitimin e instrumenteve të ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm; zbatimin e të gjitha angazhimeve të saj në fushën e sigurisë dhe një kontribut te vlerësuar në planin rajonal dhe ndërkombëtar; luajtjen e një roli proaktiv në platformat ndërkombëtare për avancimin e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, Shqipëria e sheh zbatimin e Agjendës 2030 si një platformë ndërkombëtare për forcimin e lidhjes që ekziston ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë, duke besuar se kjo agjendë do të jetë udhërrëfyesi i veprimit tonë për zhvillimin e qëndrueshëm në 15 vitet e ardhshme për njerëzit, planetin, paqen, partneritetin dhe begatinë.

Shqipëria është një vend pilot në hartimin e indikatorëve globalë për zbatimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm 16 (OZHQ) për paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta. Objektivat e kësaj agjende janë bërë pjesë integruese e programeve dhe strategjive sektoriale të institucioneve shqiptare dhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), duke i nxitur institucionet shqiptare të hartojnë programe të reja e ambicioze në të gjitha fushat e zhvillimit, dhe bërë vendin pjesë të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Përfitoj nga rasti të bëj të ditur se, Shqipëria është e vendosur për të qenë aktive në Konferencën e Tretë të OKB-së për Strehimin dhe Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm (HABITAT III), e cila ofron një mundësi unike për miratimin e një Agjende globale të re Urbane, që forcon marrëdhëniet dhe sinergjitë ndërmjet urbanizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndryshimeve klimaterike.

Zoti President,

Agjenda 2030 dhe arritja e marrëveshjes së Parisit me shumë të drejtë konsiderohen si mundësitë e kësaj gjenerate për një jetë më të mirë si për brezat e tanishëm ashtu edhe për brezat e së ardhmes. Zbatimi i këtyre dy dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është proaktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare dhe çështjet e ndërtimit të paqes.

Marrëveshja e nënshkruar nga 187 vende në Konferencën e Palëve COP21 në Paris, shënoi një moment historik në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’u përballur me sukses me ndryshimet klimaterike.

Shqipëria ishte ndër vendet që e ratifikuan në një kohë të shkurtër Marrëveshjen e Parisit, me synimin e vetëm që të kontribuojë në përshpejtimin e hyrjes së saj në fuqi dhe bërjes së saj aktive sa më shpejt.

Prandaj dhe para dy ditësh pata kënaqësinë që të depozitoj instrumentet e ratifikimit të Shqipërisë për Marrëveshjen e Parisit, duke shprehur angazhimin konkret të vendit tim për të ardhmen e planetit tonë të përbashkët, si dhe riafirmuar vendosmërinë ndaj këtij angazhimi madhor. Në këtë kuadër, Shqipëria është angazhuar që deri në vitin 2030 të reduktojë me 11,5% emetimin e gazit me efekt serë.

Zoti President,

Në muajin maj të këtij viti, kam marrë pjesë dhe kam përshëndetur Samitin e parë Humanitar Botëror të organizuar nën kujdesin e veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm, në Stamboll, duke theksuar në mënyrë të veçantë mbështetjen e Shqipërisë për Agjendën për Njerëzimin dhe vizionin se a shift from perpetual crisis management toward effectively managing prevention and early action is urgently needed. Jam i bindur se kjo agjendë do të na ndihmojë nga iniciativa në veprime konkrete në të mirë të njerëzimit dhe të brezave që do të vijnë më pas.

Shqipëria u angazhua në Samitin e Stambollit për të adresuar përkeqësimin e disa situatave humanitare në mbarë botën dhe u bashkua me politikat e Kombeve të Bashkuara për reagim dhe ndihmë humanitare.

Shqipëria u bashkohet përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të përballuar flukset migratore dhe ato të refugjatëve në mënyrë konsistente dhe të koordinuar. Sot, realiteti, në teren dhe në nivelin e politikave, po na shtyn për të ndryshuar qasjen tonë në nivel rajonal dhe më gjerë, në mënyrë që të ndërmarrin hapa cilësore përpara, në punën tonë dhe qasjen mbi migracionin dhe bashkëpunim.

Para disa ditësh, Shqipëria organizoi një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi sfidat e zyrave të Avokatit të Popullit, në lidhje me flukset migratore. Një prej rezultateve të kësaj konference ishte miratimi i Deklaratës së Tiranës, e cila tashmë i është përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në vlerat e humanizmit, Deklarata e Tiranës synon të hapë rrugën për një qasje të re në kontekstin e flukseve migratore, atë të respektit dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga vendi i origjinës apo statusi individual.

Si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, Shqipëria i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Bashkimit Evropian, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

Përfitoj nga rasti të komplimentoj edhe njëherë Sekretarin e Përgjithshëm për raportin e publikuar në fillim të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta), si dhe të rikonfirmoj mbështetjen e vendit tim për parimet bazë të këtij raporti, i cili na ka ofruar një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore, situatës humanitare dhe të drejtave të njeriut në botë.

Zoti President,

Një sfidë tjetër fondamentale për vlerat e përbashkëta të shoqërisë njerëzore është lufta ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Pak ditë më parë, qytetarët e Nju Jorkut, e qytetit ku ne jemi mbledhur, por dhe të gjithë qytetarët amerikanë, përkujtuan me dhimbje viktimat e shkaktuara 15 vjet më parë nga terrorizmi. Sulmet terroriste, veçanërisht ato me prapavijë fetare, në vitet e fundit janë intensifikuar shumë, duke goditur me egërsi dhe barbari qytetet kryesore të Francës, Belgjikës, Turqisë, Kuvajtit, Egjiptit, Tunizisë, Libanit e shumë vendeve të tjera anë e mbanë botës, me synim që të frikësojnë e gjunjëzojnë shoqëritë tona.

Në këtë kontekst, Shqipëria vlerëson rolin e patjetërsueshëm të OKB-së në luftën globale kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke e konsideruar Organizatën një aktor kyç. Gjithashtu, Shqipëria mbështet Planin e Veprimit të Sekretarit të Përgjithshëm për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, si dhe rolin aktiv të OKB-së për gjetjen e zgjidhjeve politike dhe adresimin e rrënjëve të konflikteve në zonat e prekura prej tyre.

Shqipëria riafirmon mbështetjen për rezolutat e Këshillit të Sigurimit 2170; 2178; 2253, të cilat kërkojnë nga shtetet marrjen e masave të nevojshme për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të adresimit të çështjes së të ashtuquajturve “luftëtarëve të huaj” dhe financimit të terrorizmit ndërkombëtar.

Vendi im do të vijojë me vendosmëri të jetë e angazhuar dhe kontribuojë edhe në nivel rajonal për të adresuar dhe dhënë përgjigje ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të “luftëtarëve të huaj”, si dhe për promovimin e ideve dhe programeve të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që iu bashkua Koalicionit Global kundër ISIS/Daesh dhe ka kontribuar deri tani me 5 paketa me pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura Peshmerga në Irak. Sot ajo renditet krah vendeve proaktive të angazhuara për zbatimin në tërësi të Strategjisë Globale Kundër Terrorizmit.

Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e kësaj sfide brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë.

Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit.

Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor të posaçëm për trajtimin e fenomeneve të tilla me masa më të forta; ka miratuar Strategjinë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm (nëntor 2015); si dhe ka ngritur Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (Countering Violent Extermism) (që nga 1 gusht 2016).

Shqipëria është solidare dhe do të kontribuojë me sa mundet për parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonin ku bën pjesë ashtu edhe në nivel global.

Zoti President,

Me politikat e ndjekura gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria është shndërruar gjithnjë e më shumë në një kontribuues aktiv në çështjet e sigurisë në arenën ndërkombëtare.

Këtë rol vendi im e ka siguruar dhe po e forcon nëpërmjet anëtarësisë pro-aktive në NATO, mbështetjes së qartë dhe angazhimit konkret në zbatim të politikës së përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, mbështetjes dhe pjesëmarrjes në operacionet e OKB-së, misionet e asistencës këshilluese policore në Afganistan dhe Sudan, misionet e OSBE, forcimit të partneritetit strategjik me SHBA dhe BE, si dhe nëpërmjet angazhimit serioz në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të paqes dhe sigurisë në botë.

Duke filluar nga shtatori i vitit 1996 deri më sot, Shqipëria ka kontribuar me 6528 trupa ne operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Shqipëria beson se procesi i paqes në Lindjen e Mesme arrihet nëpërmjet bisedimeve dhe se palët duhet të përfitojnë nga energjitë dhe vëmendja që aktorët e komunitetit ndërkombëtar po i kushtojnë zgjidhjes përfundimtare dhe të qëndrueshme kësaj çështje.

Gjithashtu, Shqipëria konfirmon mbështetjen për përpjekjet e OKB-së për lehtësimin e një procesi paqeje në Siri, si dhe përshëndeti angazhimet për të vendosur paqen në Siri, për të hapur dhe siguruar rrugët e ndihmës humanitare si dhe për të luftuar me vendosmëri Daesh and Al Nusran që veprojnë në këtë vend. Por zhvillimet e ditëve dhe orëve të fundit janë shumë shqetësuese. Goditja dhe ndërprerja e dërgimit të ndihmave humanitare për popullsinë civile, minon përpjekjet e deritanishme për arritjen e armëpushimit dhe për t’i dhënë fund dhunës.

Me shqetësim, Shqipëria ka ndjekur testet më të fundit bërthamore në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, duke dënuar ato dhe duke i cilësuar si akte provokues e në shkelje të hapur e sistematike të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këto akte cenojnë paqen dhe sigurinë në Azinë Verilindore dhe në mbarë botën, ndaj dhe Shqipëria kërkon nga ky vend respektimin dhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Zoti President,

Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Politika jonë e jashtme është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike.

Angazhimi energjik i Shqipërisë në këtë kuadër, si dhe roli i saj aktiv e konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, i kanë shërbyer fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe njerëzor mes të gjitha vendeve partnere në rajon në drejtim të krijimit të një agjende ndërveprimi midis tyre, BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse e rrugës së përbashkët të vendeve te rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale dhe ndërkombëtare.

Kosova ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në konsolidimin e institucioneve të veta demokratike, mirëqeverisjen, bashkëjetesën multietnike e ndërfetare dhe veçanërisht përparimin në proceset euro-atlantike. Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ajo ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh me Serbinë, për zgjidhjen e problemeve praktike dhe krijimin e një klime mirëbesimi për bashkëpunimin rajonal.

Në këtë frymë, kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shikohet nga e ardhmja.

Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, rolin aktiv qe ajo luan si anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat rajonale, si dhe procesin e pandalshëm të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Këto do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit nëe rajonin e Ballkanit.

Sot, Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore e më gjerë.

Zoti President,

Shqipëria është tërësisht e angazhuar në procesin e integrimit evropian, duke e konsideruar perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si një nxitës të pazëvendësueshëm për kryerjen e reformave të thella në dobi të arritjes së standardeve më të mira të shtetit ligjor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Marrja e statusit të Vendit Kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara.

Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas Brexit, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën.

Në kuadrin e reformave të brendshme, një prej reformave më madhore ka qenë dhe mbetet reforma në drejtësi, e cila jo vetëm që përbën një bazë solide për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, por përmirëson standardet e funksionimit të shtetit ligjor dhe garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social.

Zoti President,

Në mbyllje, dëshiroj që të konfirmoj edhe njëherë vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e agjendës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Agjendën 2030 dhe të gjitha përpjekjet për një Zhvillim të Qëndrueshëm të planetit tonë, si dhe të vijojë të kontribuojë aktivisht për forcimin e mëtejshëm të rolit të Organizatës në rrafsh global.

Faleminderit!

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: Bota, Perballja, Presidenti Nsihani, sfidat, shqiperia

SHQIPËRIA, KOLUMBIA E EUROPËS

September 17, 2016 by dgreca

Nga Bedri HOXHA/Deputet i Qarkut të Dibrës/*
 Ndryshimet e propozuara nga qeveria në Ligjin nr. 8750 , datë 26.3.2001. “ Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope , të ndryshuar “ vjen për miratim në Kuvendin e Shqipërisë në një situatë mjaft kritike për vendin.
 Ku mafia dhe qeveria janë bërë një , ku bandat e drogës dhe kanabisit kontrollojnë cdo qelizë të shtetit, ku Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e Europës si vend prodhues dhe tranzit i të gjitha llojeve të narkotikëve .
Ndaj dhe ndryshimet ligjore të propozuara , nuk do të përmirësojnë aspak situatën në parandalimin dhe luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike .
E gjithë kjo për arsyen e thjeshtë se ky trafik miliarda dollarësh kontrollohet nga Edi Rama , Sajmir Tahiri , drejtorët e policisë dhe shefat e komisariateve që në shumicën e rasteve janë nga Tepelena me lidhje të drejtpërdrejta me Ministrin e Brendshëm .
Sot kjo maxhorancë ka hyrë në vitin fundit qeverisës , vetëm 9-muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2017 dhe padyshim arritja më e” madhe “ e saj është kultivimi i kanabisit në të gjithë vendin nga Vermoshi në Konispol.
Nuk ka qytetarë sot në vend , vecanërisht në zonat rurale që të mos kenë parë sipërfaqe të tëra të mbjella me hashash . Batrinjtë nëpër fshatra e kanë të pamundur të kullosin bagëtitë në male , pasi përballen cdo ditë me banda të armatosura që mbrojnë parcelat e tyre .
Dhe e gjitha kjo bëhet me bekimin e drejtuesëve të policisë së shtetit .
Gjatë qëndrimit në Dibër për zgjedhjet vendore të 11 Shtatorit pata rastin të shoh sipërfaqe të tëra të mbjella në zonën e Muhurit dhe banorët që kishin frikë të ankoheshin për shkak të prezencës së bandave kriminale në atë zonë. Në fshatin Mustafaj parcelat me kanabis dalloheshin deri në Fushë –Cidhën nga të gjithë banorët, vetëm policia e shtetit nuk i dallonte dhe pse kultivuesit kishin ngritur stan dhe kishin dërguar energjinë elektrike deri atje . Madje gojët e liga thonin se atë zonë e kontrollonte djali i njerit prej deputetëve socialist jo nga Qarku i Dibrës. E njëjta situatë është sot kudo në Shqipëri.
 Shqiptarët nuk kanë harruar se me ardhjen në pushtet të kësaj mazhorance avionet e drogës filluan të ulen lirshëm në aeroportet ushtarake për të transportuar kanabis , të gjithë i shihnin vetëm Qeveria Rama Jo , derisa mbetën në bregdetin e Divjakës.
Ne si opozitë kemi denoncuar me prova të pa kundërshtueshme lidhjet e ministrit të brendshëm me bandat më të rrezikshme në vend që kontrollojnë trafikun e drogës . Shullazi , Habilët dhe Balilët eksponentë të njohur të botës së krimit dhe narko trafikut e zhvillonin aktivitetin e tyre pa më të voglin shqetësim si rezultat i lidhjeve të drejtpërdrejta me Ministrin e Brendshëm.
Sot numri i përdoruesve të drogave të lehta dhe të forta ka marrë përmasa të frikshme vecanërisht tek të rinj në të gjithë gjimnazet e vendit .
Dhe kjo ndodh se ky është modeli dhe filozofia që Kryeministri dhe qeveria e tij u ofron të rinjve shqiptarë .
Sipas këtij modeli shkollimi i të rinjve, edukimi dhe formimi profesional nuk janë rruga e duhur për një të ardhme të begatë. Puna e ndershme nuk vlen .
Ne nje vend ku vet kryeministri është akuzuar nga bashkëpuntorët e tij si përdorues droge dhe ai vet nuk e ka hedhur poshtë një akuzë të tillë gjërat do shkojnë keq e më keq .
Dje ai ishte në Dibër për të kurorzuar fitoren e rradhës në zgjedhjet e 11 Shtatorit. Shkoi të uronte fitoren e bandave dhe mercenarëve që ai kish dërguar në Dibër për ta fituar me çdo çmim këtë bashki, siç u shpreh edhe zoti Majko në një nga takimet me strukturat e Partisë Socialiste në Dibër .
Uroj që kjo fitore të mos jetë si ajo e Pirros . Nga kjo betejë elektorale të gjithë janë të humbur, socialistët e ndershëm demokratët pa diskutim të gjithë qytetarët e Dibrës pa përjashtim .
Të fituar do të jenë bandat dhe trafikantët e drogës, të paaftët dhe dallkaukët që ndrrojnë parti sipas nevojës .
Në Dibër të gjithë e dinë se kush do të qeverisë ! Rama i vogël do të jetë kukulla e rradhës në poltronin e Kryetarit të Bashkisë .
Zgjedhjet e 11 shtatorit dëshmuan edhe një herë se kjo qeveri dhe ky Kryeministër nuk mund të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rastet e blerjës së votave të bëra publike ditët e fundit nga gazetarë ivestigativ vërtetojnë më së miri skemën perfekte të blerjës së votave . Shuma marramendëse parash u paguan në cdo zonë të Dibrës për të blerë varfërinë e tyre .
Shantazhi dhe represioni ndaj administratës shtetërore ishte i jashtëzakonshëm . Mësuesit detyroheshin me telefon të merrnin pjesë në takimet elektorale të kandidatit të PS . Të gjithë administratës shtetëror i është kërkuar fotografimi i votës në favor të Muharrem Ramës në të kundërt do largoheshin nga puna.
Administratorët e njësive vendore dhe punonjesit e asistencës sociale trokitën në cdo familje perfituese duke i kërcënuar se po nuk votuan Rremin do tu hiqej asistenca apo pensioni i invalititetit .
Për këtë disponojmë prova dhe dëshmi nga shumë qytetarë të shantazhuar.
E gjithë makineria shtetërore në kundërshtim të hapur me ligjin u vu në dispozicion të kandidatit të majtë. Makinat e doganave shqiptare të drejtuara nga banditë , lëviznin në cdo skaj të Dibrës duke shantazhuar qytetarët .
Kjo fushatë elektorale vërtetoi edhe një herë se ligji i dekriminalizimit për Edi Ramën nuk ka asnjë vlerë dhe as që ka ndërmend ta zbatojë . Këtë rradhë njerëz të botës së krimit nga gjithë Shqipëria u instaluan në Dibër .
Kësaj here ata nuk ishin në lista për t’u votuar , por në ushtrimin e profesionit të tyre si banditë .
Mediat kanë publikuar me pamje filmike prezencën e ish-deputetëve të larguar nga parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit , si gjatë fushatës edhe në ditën e votimit .
Të gjitha strukturatë e policisë së shtetit ishin vënë në shërbim të blerjes së votave .Shefi i komisariatit të Dibrës person i perdorur në mënyrë të vazhdueshme nga PS në fushata zgjedhore nuk lanë formë dhe mekanizëm pa përdorur për të shantazhuar qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve motorike .
Oficerë, të anti trafikut thirren të gjithë poseduesit e parcelave me hashash duke i kërcenar se do të përfundonin në burg nëse nuk fiton Muharrem Rama në zonat ku ata operonin se bashku në këtë veprimtari të pa ligjshme.
Deklaratat diskriminuese të ministrit Gjiknuri se nëse nuk votoni Muharrem Ramën, Dibrës nuk do ti akordohet asnjë fond janë të pa pranueshme dhe të denja vetëm për vende diktatoriale. Por kjo është filozofia juaj qeverisëse . Ju e konsideroni shtetin pronën tuaj ndaj dhe mund të bëni ctë doni .
Faktet që publikohen cdo ditë nga media dhe ato të publikuara gjatë fushatës elektorale në Dibër nga Partia Demokratike , vërtetojnë edhe një herë se zgjedhjet u blenë me një skemë perfeket në cdo qendër votimi. Në njësinë administrative Fushë –Cidhën kandidati i majtë realizoi vetëm një takim në fillim të fushatës duke mos denjuar të takonte asnjë nga banorët e fshatrave të kësaj njësie duke mos premtuar asgjë .
Skema ishte e qartë, i vetmi shërbim qe mund t’u bëhej banorëve ishte blerja e votës me 20 apo 50 mijë lekë .
Partia Demokratike i ofroi Dibrës si kandidat të saj një personalitet të padiskutueshëm ,si prof. Sherefedin Shehu, as nga e majta nuk u tha asgjë , nuk u ngrit asnjë akuzë për korrupsion ndaj tij edhe pse kishte një karrierë të gjatë dhe të vyer në administratën shtetërore dhe Kuvendin e Shqipërisë . I vetmi shqetësim i tyre ishin flokët e zbardhura të tij .
Kandidati i së majtës në Dibër Z. Muharrem Rama dallohej për një cilësi si kirurg, nuk u kishte bërë pazare pacienteve para se të hynin në operacion . Paratë ua kish marrë pas përfundimit të punës edhe pse spitali i Dibrës është shtetëror dhe Rama i madh në 2013, u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas.
Ne e humbëm një betejë , por lufta jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të reshti . Ne do ta fitojmë këtë betejë ,edhe pse e vështirë.
Zgjedhjet e 11 shtatorit provuan edhe një herë se me Edi Ramën kryeministër dhe kartelin e tij të drogës zgjedhjet e lira janë të pa mundura .
Në periudha të ndryshme historike në vende të zhvilluara si ShBA , Itali ,etj. segmente të shtetit janë kontrolluar nga mafia dhe kartelet e drogës për një moment, pa mundur ti gjunjezojnë ata për arsyen e thjeshtë se në themel të shtetformimit të tyre qëndron vota e lirë dhe demokratike .
Situata bëhet më e rrezikshme kur shteti , mafia bota e krimit dhe e narkotrafikut janë një ,sic ndodh sot në Shqipëri , ku kryetar i kësaj bande është kryeministri i vendit.
Ndaj dhe beteja jonë si opozitë me frontin e së keqes bëhet më e vështirë . Ne nuk do të përkulemi së bashku me qytetarët derisa në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme , dhe shteti të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo botës së krimit.
 Faleminderit!
 _____________________
 *Falenderojme deputetin qe pati miresine ta ndante opinionin e tij me lexuesit e Gazetes”DIELLI”.
*Fjala në Kuvend e Shqipërisë, më 16 shtator 2016 .

Filed Under: Politike Tagged With: Bedri HOXHA, Deputet i Qarkut të Dibrës, kolumbi e Erurpes, shqiperia

Shqipëria se si mu duk

August 21, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Qysh në krye, po i kujtoj baca Faik Konicës, se Shqipërinë e tij e gjeta si Kandaharin e Afganistanit. Dhe që njerëzia e urtë me të drejtë e quajnë tashmë Albanistan. Në të njëjtën kohë ndjesë që po i huazoj titullin. Megjithëse dua ta siguroj se as që ia dinin emrin fare. Pasi librat më të shitur ishin Kurbani dhe bëmat e Enver Hoxhës, po në versionin anglisht ama, në libraritë e europës. Kështu që ajo që u kemi thënë nxënësve, sidomos pas rënies së diktaturës…, me atë dashurinë e nginjur për gjoja demokracinë, se, Konica kështu e ashtu. Në vizitën e vitin 1928, një eksperiencë që i la këtë apo atë shije. Por që në thelb ai trajton çështjen kombëtare si të mbytur nga doket apo zakonet e mykura. I ngjan sot, pa i luajtuar asgjë, as edhe më thërrimen e presjes, kalvarit nopran të shqiptarizmës së përçudnuar nga soji i xinxifillëve provincialë. Duke filluar për së pari me mëkatin më të madh, atë që kryeqeveritari aktual e quan rilindje urbane…, qëndrat e qyteteve.
Nuk e di…, por ajo që është më e trishtueshmja, është një lloj mbushjemendje kolektive. Apo një gëzim kolektiv karshi njëshit. Kur ai me kollajllëkun më të madh u shkul gjërat e memories dhe u ngul gurë nga fondet investuese. Dhe sigurisht të shpërndara me përqindje, ca investitorëve që paisnin me nga një bluzë me kolor rrezatues, me nga një lopatë të ndryshkur, aty dikund, me një cigare në gojë etj. Ca njerëz të budallepsur që nuk e kanë idenë e të drejtës së punëtorit. Mjaft që dikush, në një ditë të javës, gjithmonë nëse nuk do i dilte ndonjë punë me ngut, do fuste dorën në xhep. Ose do hapte portofolin që mban në sqetull, aq e modës ndër investitorët shqiptarë, dhe do i jepte ca lekë.
Kjo qe e para, një shije e gjitha me pluhur pa fund.
Për së pari do ndalem tek qyteti im. Thjesht për të qënë më i qartë. Dhe do ndalem tek pemët. Apo e ashtuquajtura rilindje urbane. Më dt 17 gusht, kryeqeveritari qartësoi idene e tij se po e rilindte Lushnjen.
Dhe qentë le të lehnin, ai po mbillte palma. Hyrja e qytetit po bëhej bashkëkohore, apo europiane. Dhe se morën fund gropat me baltë.
Morën fund ndërtimet pa leje. Ndërkohë nuke di përse ai e quan të lejshme, nguljen e palmave me kokën e tij?! Në fund të fundit edhe transformimin e qëndrave ndër qytetet e vendit?
Në memorien time, Lushnja ka vdekur tashmë. Këtë e tha edhe një piktor lushnjar, kur erdhi dhe u dekorua si qytetar nderi. Në çfarë këmbëngul? Ose në atë çfarë dua të sjell. Nuk ka asgjë në kundërshtim me zhvillimin urban të një qyteti. Asesi. Por me arrogancën ndaj traditës, vendodhjes gjeografike, faunës dhe të tjerave. Gjëra elementare që dallojnë qytetin nga qyteti. Dhe që i japin identitet. E kam thënë dhe herë të tjera, palma nuk është pemë e jona. E aq më tepër e Myzeqesë. Lushnja e memories time, e stendave të muzeut, e fotove të arshivave personale ndër qytetarë. Ka pemët e saja…, vidhin, shelgun, kavakun, selvitë, plepin dhe kolipset me hinxat katana. Dhe nuk e di përse i ekspozojmë këto, nëpër stenda etj. Nga ana tjetër njihen dhe ato ndërkomunikimet tregtare nëpër shekuj me veriun. Sidomos me dibranët e gollobordasit. Që teksa vinin poshtë edhe si çobenë, ustallarë apo zanatellinj sillnin edhe fidanët e blirit apo të gështenjës. Këto më mirë se unë i dinë ata që i kanë shërbyer Lushnjes në këtë fushë. Dhe që nuk janë të pakët. Aq më tepër që jemi vendi me Institut kulturash bujqësore e fidanësh, me investim të huaj. Por me sa kam kuptuar, gjatë këtyre zhvillimeve të demokracisë sonë, janë pikërisht këta intelektualë që janë kthyer në intelektualë partish. Duke shkelur vet të parët mbi punën e tyre. Ndaj nuk është e rastit që një vend, një qytet, apo qytetet tona në përgjithësi, i janë nënshtruar një rilindje urbane që të kall krupën.
Një dehje kolektive ku qofshin këta edhe administratorë i kënaqeshin kaq shumë atyre ngjyrave mbi suvatë e dala boje, thua sikur të ishin vetë autorët. Të bindur në një transformin magjik dhe të dobishëm. Nga ana tjetër, rrethina, sidomos rrugicat çaheshin e riçaheshin pambarim. Këto gropa, këto hendeqe plot plastika, plot mbetje të tjera inertesh. Plot pluhur e qenë rrugësh…, nuk ekzistonin. Megjithëse kryeqeveritari bënte aludime me qenër. Me qentë që lehnin. I gëzohej katrahurës së tij.
Në sytë e mi vdiste një qytet që më lutej. Ai i godinave tashmë të diktaturës. Por që me të mirat dhe me të këqijat e tyre, mbanin brenda administratorët rilindas. Pra gjithçka dhe çdo gjë ndërrohej, transformoheshin. Veç ato jo, bëheshin më të vogla, më të palara. Mbyteshin nga hyrje daljet. Megjithatë rilindasit aty nguten. Aty paragatisin dhe planifikojnë shpërpërberjen. Qe një ndjesi përplasjesh. Për aq sa kam memorie, kam jetur diku tjetër kur isha fëmijë. Kam dashur diku tjetër kur isha i ri. Po jetoj diku tjetër tani si mik në vendin tim. Në një qytet që gjithkujt mund t’i përkasi veç lushnjarit të kahershëm jo. Aq sa ma shtrydhi zemrën për ato ekualipte anëve të rrugës ku vërtetë kam vdekur dashurie. Megjithatë një botë kulturash e gradaçelash u bën hije…, zagarëve me shumicë. Ata që ai qeveritari i prodhon me shumicë dhe që na krahason paturpësisht me ata. Vetëm pse duam ta kemi qytetin tonë, tonin. Me idilet tona. Nisur edhe nga kënga jonë. Nga krahasimi i vashës me shtatin e selvisë. Dhe jo të palmës. Me hinxën ku ndërton folenë guguftuja. Jo me palmën e arabisë dhe tropikut. Një vend ku poeti thotë se do më shajë shelgu i Seminit. Dhe jo palma e Edi Ramës. Po kjo është marrëzia jonë. Për hatër të Edi Ramës, vrasim edhe Seminin por edhe veten tonë. Pranojmë të na e ndërtojnë shtëpinë siç duan njëshat. Jo si duam ne… dhe janë ata që na urdhërojnë e thonë jetoni kështu, këtu dhe mbylleni gojën.
Për së dyti, po shkoj më tutje tek Shqipëria e rilindasit. Baca Konicë…, shqiptarët nuk janë më njerëzit e fustanellës. Atij kostumi që aq për zemër e ke. Por i ferexheve dhe mjekrave. Madje duhet t’i vëm kryq metaforës me flokë. Nuk ka më flokët e tua i merr era. Flokët e tua si ujvarë. Por shami Turqie si zonja e parë e Turqisë.
Në Korçën e alfabetit përshembull më bëri përshtypje, qentë me kope. Trotuaret me qebaptore dhe një festë e madhe birre, ku njerëzia vinin një e nga një, me bukë me vete.
Në një arë të qëndisur mollësh, ku ne bënim foto, bujku na tha, merrni mos ikni, mbushni makinën se dheu do i hajë. Nuk kam ku t’i çojë.
Në një qytet me emrin Fier, një zonjë biblioteke me celular në vesh. Ndërsa fliste e gajasej me dikë diku, më tregon se sa nder i madh do ishte për shkrimtarin t’i falte librat bibliotekës së qytetit. T’ia bënte dhuratë, pasi nderohej të ishte pjesë e fondit të librit.
Ndërkohë libraret e tjera të përzinin me të bërtitura. Ndërsa kulloheshin në ca monitorë të vegjel me telenovela Turqie.
Një shitës në Tiranë të pyeste me gjysëm zëri se a do kuponin? I kullonin sytë, vetëm t’i thoje jo..
Një qytetar kudo, sapo e pyesje se si kalon. Të përgjigjej rrjedhshëm… pa punë, gruan pa punë, vajzën pa punë. Nënën e sëmurë. Djemtë kanë jetën e tyre në Itali. Nuk bëhet këtu. Nuk u afrohesh dot zyrave se vetëm lekë duan. Dhe i dinë përmendësh çmimet për një vend pune.
Baca Konicë, një inxhinjer i shkëlqyer veprash, merrej me tekstin e statutit të partisë. Dhe një doktor duhej ta ndiqje deri në Shkodër për t’i dhënë ca para. Thjesht për një firmë, për një nënë me frymë të fikur. Një karrocier nga komunalja e Enverit e gjen avokat me tituj. Dhe një ushtarak të liruar nga detyra, armik të përbetuar të demokracisë. Sapo e pyesje dikë për kanabisin, vinin fotot seri në mesenxher. Nga Kurveleshi gur i thatë, deri tek Razma oazi i naltën.
Fushat mbyteshin nga prodhimi me shumicë. Megjithatë të gjithë ankoheshin për treguan. Për mungesën e parasë. Të gjithë një ligjëratë…, nuk kanë njerëzit para të blejnë.
E çfarë tjetër të them. Po e le me kaq për sot. Thjesht të mos të ta nxijë më shumë këtë të dielë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, se si mu duk, shqiperia

Shqipëria, pronë private e Edi Ramës

August 14, 2016 by dgreca

1 stadiumi ok

Nga Gavrosh Levonja/

Ende dita nuk ka ague/

T’ndërtojmë na muzej n’Shqipni/

Me kuletë t’shpueme n’gji/

Se për tash muzeu do lane/

Kur ne jemi bark pa ngranë/

Këto vargje nga “Gomari i Babatasit” më vijnë nëpër mend sa herë që Edi Rama flet për të ashtuquajturën “Rilindje urbane” ose kur paralajmëron ndërtime apo shembje objektesh. Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ai paralajmëroi ndërtimin e një teatri të ri në kryeqytet. Jo vetëm kaq, po shpalli se do të ndërtohet mbi “rrënojat e Institutit të Hidrologjisë” diku në njërën nga rrugët që të cojnë në parkun e liqenit, madje bëri të njiohur dhe emrin e tij “Turbina”. Që nga mënyra, me të cilën publikut i bëhet i njohur ndërtimi i një objekti të rëndësishëm në kryeqytet cdo njeri normal arrin në përfundimin se në Shqipëri shteti nuk funksionon. Ashtu si të gjitha punët e projektet “Rama” as mund të bëht fjalë qoftë dhe për një minimum transparence. Normalisht, publiku duhej të ishte njohur prej kohësh me zhvillimet përsa i përket idesë së shndërrimit të godinës së institutit në fjalë në një teatër “modern”, duke filluar nga diskutimet në aspektin urbanistik, për të vazhduar më tej me fizibilitetin, sa e rëndon buxhetin e shtetit, kur dihet se ky nuk është në gjendje të plotësojë nevojat minimale të një pjese të popullsisë e mbi të gjitha a ka nevojë Tirana për një teatër të ri në raport me aktivitetin artistik që zhvillohet aktualisht. Kështu, para kryeministrit duhej të kishim dëgjuar zërin e ndonjë përfaqsuesi të Këshillit të Rregullimit të Teritorit, kryebashkiakun e Tiranës, ministrin e Financave apo ndonjë zyrtar të këtij, ministren e Kulturës etj. Por, duke dëgjuar gjithcka nga goja e kryeministrit nuk ka si të mos krijohet përshtypja se ky sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale a thua se i ka të trashëguara nga familja e tij. I teket të ndërtojë ose të shkatërrojë një objekt, teatër, stadium, pallat, rrugë duke përcaktuar dhe kompanitë private qo të ekzekutojnë projektet e tij apo do t’i marrin në koncesion pasi të jenë ndërtuar dhe, të gjitha i bën pa e carë kokën për askënd. Ndërkohë Himara është bërë shembulli i asaj që kryeministri aktual po sillet dhe si zot edhe i pronave private të himariotëve duke u rrekur t’u shembë shtëpitë e ngritura nga paraardhësit dhjetra vite më parë. Gjitmonë, pa pyetur askënd duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen e ndonjë sejmeni në funksionin e amplifikatorit të fjalëve të tij. Por më shume se trillet e kryministrit shqetësues është fakti që si nuk i del ndonjë zyrtar me dy para mend në kokë dhe me një minimum ndershmërie që t’i thotë: “ndal, kjo nuk ka logjikë…” në kohën që të tjerë të cilët nuk varen prej tij mund t’i a thonë më copë: “mjaft më o i cmendur”. Por, duket se dhe Edi Rama e ka njohur mirë karakterin e shqiptarit që nuk e can kokën fare për atë që është publike, pos hapsirës që ndodhet nën catinë e tij. Po të vazhdojë të jetë kryeministër dhe për disa vite, jam i sigurt se jo shumë vonë mund të asistojmë në shembjen e pallateve “Agimi”, Shallvareve etj per t’i zevendësuar me ndërtesa të reja, sic predikonte muaj më parë një arkitekt italian i lidhur me Ramën & Co. Kjo do të ishte dhe mënyra e vetme për të vazhduar me ndërtime tashmë kur nuk ka më hapsira boshe. Nuk jam kundër ndërtimit të objekteve social kulturore, por ai vend ka nevojë për gjëra të tjera jetike. Para stadiumeve e teatrove që në fund të fundit janë objekte “qejfi”, ku njerzit shkojnë për t’u argëtuar, duke kaluar kohën e lirë, paratë e buxhetit duhen shpenzuar për objekte që krijojnë punë ose që kthejnë shpenzimet e bëra brenda një kohe sa më të shkurtër duke krijuar mundësi financiar për investime të tjera, pa pasur nevojë që të përdoret koncesioni si gomë shpetimi. Ka ca kohë që po flitet për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit” më duket për nja tridhjetë vjet. Koncesioni është një mekanizëm i cili përdoret përgjithsisht në situata kur shteti nuk i ka mundësitë financiare për të ndërtuar apo menaxhuar me efikasitet një objekt të caktuar. Por dhënia apo marrja me koncesion kërkon eksperience dhe aftësi në një nivel të lartë ekonomike, financiare dhe në specialitetin përkatës të objektit të caktuar për t’u dhënë me koncesion. Nuk mund të japësh dicka me koncesion si të japësh një kothere bukë. Një koncesion i pastudiuar, i bërë në bazë llogaritjesh të përcipta, pa përmendur aspektin korruptiv i shkakton humbje të konsiderueshme arkës së shtetit dhe pasojat bien mbi xhepin e qytetarëve. Konkretisht koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare duke filluar që nga Rinasi për të përfunduar tek koncesionet qesharake të viteve të fundit në shëndetësi kanë rezultuar me pasoja për shqiptarët. Duke i u kthyer koncesionit të “Rrugës së Kombit” mendoj se po të mos i conte paratë për stadiume, për shembje objektesh, për mobilim zyrash etj do t’i kishte fondet që I duheshin për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme që do të mundësonte mbledhjen e taksës së kalimit në “Rrugën e Kombit”. Në këtë mënyrë, ato para që do t’i mblidhte koncesionari do të shkonin në arkën e shtetit për t’i shpenzuar pastaj në mirëmbajtjen e përmirësimin e saj. Logjikisht koncesionari llogarit fitimin përndryshe nuk ka pse i hyn një ndërmarrjeje të tillë, a thua se ka para tepër për të humbur. Duke devijuar fitimin e koncesionarit në drejtim të arkës së shtetit Edi Rama mund të kënaqë trillet e tij për të ndërtuar stadiume e teatro si dhe të zbukurojë zyrat. Nuk ka dyshim, se shteti me mjetet që nevojiten i ka të gjitha mundësitë që t’i a dalë mbanë menaxhimit të “Rrugës së Kombit” dhe shumë gjërave të tjera për të cilat ka në majë të gjuhës koncesionin tashmë të maskuar nën “partneritet publik privat”. Në kohën e komunizmi një ndërmarrje si “Rruga-Ura” mirëmbante gjithë rrugët e vendit, vallë kaq i pafuqishëm të jetë shteti i sotëm sa të mos ketë mundësi e mjete për t’u kujdesur për 60 km rrugë, apo për ndërtimin e tetë sporteleve ku drejyuesit e mjeteve të paguajnë taksën e kalimit?

Filed Under: Analiza Tagged With: e Edi Rames, Gavrosh Levonja, pronë private, shqiperia

A ka të djathtë dhe të majtë në Shqipëri?

August 12, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Kjo pyetje sot mbulon faqet kryesore të mediave shqiptare të shkruara dhe atyre vizive. Vazhdon vetëm pyetje por pergjigje nuk ka. Nuk ka sepse nuk dinë se si të përgjigjen apo nuk duan të përgjigjen. Të dy variantet mund të jenë.

Unë në këtë shkrimin tim pikërisht kësaj pyetje dua t’i përgjigjem. Do t’ia arrij vallë? Nuk e di. Por do t’i shpreh mendimet e mia dhe lexuesit le të gjykojnë nëse kam të drejtë apo jo.

Piksëpari dua të sqaroj se me termat i djathtë dhe i majtë kam parasysh të djathtën dhe të majtën e vërtetë evropiane, ato që janë praktikisht në të gjithë botën perëndimore dhe jo të majtën komuniste që dikur sundonte në vendin tonë. Me keqardhje konstatoj se sot në Shqipëri mentaliteti i së kaluarës është ende i gjallë. Ky mentalitet ka bërë që edhe disa figura të njohura të këtij vendi, të djathtë apo të majtë, të mos dijnë se ku e kanë vendin e tyre. Përse? Mos vallë janë bindjet? Aspak.. Është interesi personal që i detyron të zhvishen nga normat reale të jetës dhe të zhyten në llumin e propagandës së të kaluarës.

Kështu vërejmë shumë raste që, në të vërtetë, nuk janë aspak të pranueshme. Vërejmë se deputetë apo funksionarë të së djathtës, pa pritur dhe pakujtuar, hidhen në kampin e së majtës dhe anasjelltas. Çfarë tregon kjo? A kanë bindje këta individë? Unë mendoj se jo. Mendoj se jo, sepse po të kishin bindje nuk do të hidheshin në kampin e kundërt por do të vazhdonin luftën brenda asaj force ku bënin pjesë ose do të krijonin një forcë të re politike të po atij krahu. Kjo tregon se në këta individë nuk ka një qëndrim politik të caktuar, nuk ka një pozicionim të caktuar djathtas apo majtas. Në këta individë zotëron pasioni për të përfituar sa më shumë nga pozicionimi që do të zenë. Pra interesi i ngushte personal mbi idealet. Një gjë e tillë është trashëgimi e përpiktë e mentalitetit të regjimit të përmbysur. Këtë trashëgimi kanë si të djathtët ashtu edhe të majtët që ndjekin këtë rrugë.

Tani le të përqëndrohemi në qëndrimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare mbi çështjet kryesore të së shkuarës dhe të së tashmes. Si rezultat i presionit të paparë të politikës shqiptare, që në shumicën e rasteve është e majtë dhe duke marrë parasysh se prej nga vijmë nuk është e kuptueshme, pse disa individë tradicionalisht të djathtë thyhen dhe nuk guxojnë t’i dalin me ballin hapur së majtës madje, në disa raste,  konstatojmë se bashkohen me të me synimin e gjoja të arritjes së një kompromisi apo pajtimi kombëtar.

Le të kalojmë në shembujt konkretë. Para disa ditësh “presidenti” i një shoqate të përndjekurish, që e quan veten “mbarëkombëtare”, sikur kjo paska shtrirje edhe ne trevat e tjera ku banojnë shqiptarë, pruri në shoqatën tonë një ftesë për kryetarin, me anën e së cilës njoftohesh se do të zhvillohej një konferencë për 73 vjetorin e Konferencës së Mukjes. Në ftesë shënoheshin edhe lektorët e kësaj konference. Midis tyre binin në sy përfaqësuesit e dy rrymave. Nga njëra anë ishte një personalitet i njohur i nacionalizmit shqiptar që ka shkruar një serë librash lidhur me të dhe që, ndoshta, është i vetmi që ka kontribuar më shumë në këtë drejtim, nga ana tjetër një “historian’ i epokës së përmbysur që në të gjitha konferencat shkencore të mbajtura në vendin tonë, ka vjellur vrerë kundër nacionalizmit shqiptar duke e quajtur atë si bashkëpuntor të fashizmit dhe nazizmit. Natyrisht duke lexuar këtë ftesë, kryetari ynë nuk pranoi të merrte pjesë. Nuk pranoi sepse nuk mund të ulesh në një tavolinë me ata që vazhdojnë të na quajnë tradhëtare dhe kolaboracionistë. Nuk e di se çfarë u tha atje, sepse nuk u interesova për të, por jam i sigurtë se “historiani” i majtë, me siguri, edhe nëqoftë se nuk ka folur me gjuhën demode të së kaluarës, përsëri nuk ka ndenjur pa hedhur fara helmi  mbi  nacionalizmin shqiptar.

Si ka mundësi që një parti anëtare e së majtës evropiane, lidhet në aleancë me parti të ekstremit të majtë siç janë Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Partia komuniste 8 Nëntori, të cilat kanë si idhull të tyre diktatorin e përmbysur në vitin 1990 Enver Hoxha? Çudia është se si ka mundësi që kryetari i partisë udhëheqëse të kësaj aleance, që pretendon se i përket brezit të së ardhmes, të pranojë të krijojë aleancë me ato parti që bazë kanë ideologjinë e sistemit totalitar, sistem që ai vetë thotë se e ka hedhur poshtë? Si ka mundësi që në hartimin e programit elektoral të kësaj partie të marrin pjesë edhe elementë tradicionalisht të djathtë? Si ka mundësi që po në këtë aleancë, së bashku me dy partitë e siper përmendura, bënë pjesë edhe  një parti e djathtë siç është Partia “Rruga e Lirisë”?

Kjo do të thotë, sikurse thotë një fjalë e urtë popullore. të bashkosh ujqërit me dhentë. Me pak fjalë një çorbë derri që askush nuk e merr vesh se ç’është.

Të gjitha këto tregojnë se  partia drejtuese dhe pothuajse e gjithë e majta shqiptare janë shumë larg së majtës evropiane drejt së cilës ato, në mënyrë abusive, pretendojnë se po shkojnë. Po nga e njejta sëmundje vuan edhe e djathta shqiptare e cila për të shpëtuar nga rënia pranon aleanca me parti të krahut të majtë. Natyrisht këtu bëjnë përjashtim disa parti të vogla të këtij krahu të cilat nuk kanë mundur të gjejnë vendin që u takon dhe si pasojë nuk arrijnë të zenë ndonjë vend në parlamentin shqiptar. Që të shpëtojnë nga kjo sëmundje partitë shqiptare duhet të shkëputen një herë e përgjithmonë nga mentaliteti komunist që i karakterizin.

Këtij konkluzionit tim partitë drejtuese në vendin tonë mund t’i thonë: Në rast se konkluzionet tuaja janë të drejta, atëherë si ka mundësi që  populli na beson? Përse na voton?

Unë do t’i pergjigjem se  votuesit e kanë dhënë verdiktin  e  tyre  me  pjesëmarrjen, ku në total është nën 50% dhe ku rekordin e arriti  Bashkia  e  Vlorës  në  zgjedhjet  lokale të vitit 2015 ku pjesëmarrja ishte 38% e votuesve te regjistruar dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë  rezulton që kandidati fituesi i këtyre zgjedhjeve me 60% të votave ka marrë votbesimin vetëm të  23% të votuesve. Atëherë lind pyetja: Po 77% e zgjedhësve të tjerë për cilin krah janë? Kjo është një pyetje që duhet të shqetësojë politikën shqiptare.

Nuk e di se sa do i dëgjojnë politikanët tanë këto fjalë. Kam dyshimin se ata besojnë në  fjalët që dijetari i njohur Seneka i tha diktatorit Neron kur ky i vuri zjarrin Romës dhe populli rrethoi pallatin perandorak duke kërcënuar perandorin, atëherë ky pyeti Senekën:

  • Si do t’ia bëjmë?

Seneka iu përgjigj

  • Hidhua fajin të krishterëve.

Në atë kohë krishterimi ishte në hapat e para të tij

  • A do të më besojnë? – Pyeti Neroni

Seneka i ktheu përgjigjen lapidare:

  • Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret.

Unë mendoj se kjo  sentencë  i  përket  një  të  kaluare  shumë  të  largët.  Sot  jetojmë  ne

shekullin e 21-të dhe populli e di se kur duhet të votojë dhe ku duhet të hedhi votën. Këtë mos e harroni.

Lidhur me sa më sipër dua të dal te pyetja e  titullit  të  shkrimit: A  ka  të  djathtë  dhe   të majtë në Shqipëri? Unë mund të them me bindje se jo. Në rast se ndokush mendon ndryshe, le të përgjigjet.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta dhe e djathta, reshat kripa, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT