NGA HASAN KOSTRECI/ New York/
Është pak për t’u habitur, sepse ashtu siç edhe diktatura komuniste tek ne ishte krejt ndryshe nga vëndet e tjera të lindjes, d.m. thënë brutale, e egër dhe mjaft primitive, ashtu edhe demokracia siç po duket në këto njëzet e pesë vjet jo vetëm që nuk ngjan si e tillë, por nga dita në ditë e më shumë komplikohet, sa ka vënë në siklet jo vetëm neve si popull, por edhe të huajt, të cilët megjithëse mundohen e bëjnë çmos për të na prurë në binarë, është e pa mundur. Pra, vazhdojmë me modelin tonë ‘alla shqiptarçe”, ku mashtrimi, hipokrizia dhe konfuziteti janë si në politikë, ashtu dhe në popull.
Komentet për këtë situatë të krijuar, janë të ndryshme, por jo të gjitha qëndrojnë. Një pjesë, përshëmbull, na fajsojnë neve si komb, që nuk jemi të zotë apo të aftë të bëjmë shtet dhe duke përmëndur një shprehje të Konicës thënë në periudhën mbas Shpalljes së Pavarësisë, se “Shqipërinë e bëmë, po hajde të bëjmë shqiptarët”, duan të justifikojnë bëmat e diktaturës dhe të idhullit të tyre, Enverit, që nuk ishte ai që e prishi këtë popull, por kështu ngahera kemi qënë, po në realitet ata harrojnë se kombi ka vetëm një elitë, e cila do kohë që të krijohet, por kur ai e vrau dhe e azgjësoi atë deri në rrënjë, turma e mbetur, si atëhere, ashtu edhe sot, sigurisht, nuk bën dot shtet.
Po pse kjo situatë mbeti e njëjtë edhe mbas rënies së komunizmit? Sepse ikja në nëntëdhjetën e një pjese të mirë të shqiptarëve, pasojë edhe kjo e atij regjimi, për kombin tonë të vogël, ishte e dëmshme, sepse u largua rinia, por edhe pjesa më antikomuniste e shoqërisë dhe vëndi i mbetur, tashmë jo vetëm i varfër dhe i përgjysmuar, por edhe pa një forcë të mjaftueshme për t’u përballur me elementin pasardhës të diktaturës, të cilët edhe pse të rinj dhe të shkolluar brënda apo jashtë vëndit, për prejardhjen dhe genia nga vinin, trashëgonin të njëjtin mentalitet dhe duke u eleminuar edhe ato pak pjesmarrës prej ish familjeve të persekutuara, apo të porsa liruarit nga internimet e gjata dhe burgjet komuniste, demokracia mbeti në duart e po asaj klase ose të pasardhësve të tyre dhe si rjedhim atë që populli shqiptar kishte vite e dekada me radhë që priste, nuk erdhi.
Kanë kaluar, megjithatë shumë vite nga atëhere, janë bërë disa herë zgjedhje parlamentare, lokale apo presidenciale dhe ne vazhdojmë të jemi indiferentë në këtë proces, një ves i mbetur nga koha e komunizmit, sa që në periudhë votimesh nuk impenjohemi fare të dallojmë intelektualin nga injoranti; të ndershmin nga matrapazi dhe demokratin nga ai që shtiret si i tillë e deri sa ky fenomen do vazhdojë kështu e nuk do ndryshojë, e keqja asnjëherë nuk do na ndahet dhe bashkë me të edhe korrupsioni, vjedhjet (një herë thesari dhe njëherë tjetër banka e shtetit) apo të tjera skandale si këto.
Të dyja partitë e mëdhaja, por edhe të tjerat, duke mos patur kontradita ideollogjike, luftën që bëjnë, është vetëm për pushtet dhe kush të pasurohet më shumë dhe 97 ta, që na çoi në atë luftë civile dhe vëlla vrasëse, e cila na kushtoi qindëra të vrarë dhe disa vjet të kthyer mbrapa; 21 Janari i 2011 tës përsëri mbas katër vjetësh apo të tjera si këto; grindjet, mosmarrveshjet që shohim në parlament çdo ditë; akuzat dhe fjalori i pistë që përdoret, kanë po njëjtin motiv, por duke u bërë të padurueshme dhe të bezdisëshme, popullit i ka ardhur aq shumë në majë të hundës, sa jo vetëm që ka hequr dorë nga politika, por edhe të shprehet se “Shqipëria kurrë nuk ka për t’u bërë”, por kjo është e gabuar, sepse në këtë mënyrë neve përsëritim të njëjtin gabim që bëmë në nëntëdhjetën, kur ndërruam vetëm sistemin, por jo edhe elementin.
Në pamje të parë, duket sikur këtë shtresë s’e lidh asgjë me të kaluarën, por në realitet nuk është kështu, sepse edhe historinë e gënjeshtërt të shkruar në atë kohë, e ruajnë me fanatizëm dhe nuk duan ta ndryshojnë, por edhe çdo datë përkujtimore që ka lidhje me atë periudhë, përpiqen ta festojnë, duke mos harruar edhe portretin e diktatorit, këtë vit, bile edhe i bashkëshortes së tij dhe të gjitha këto e të tjera, të bëjnë të dyshosh për rrugën që kemi filluar dhe ku po shkojmë, sepse një popull të varfëruar, ashtu si dhe në komunizëm, nuk është e vështirë ta manipulosh e ta përdorësh si të duash.
Akuzojmë Europën që s’do të na pranojë në gjirin e saj dhe nuk akuzojmë veten për drogën që ka mbytur vëndin nga jugu në veri dhe çudia, kur në lajmet e mbrëmjes mburremi për mijrat e rrënjëve të kanabisit të shkulura, sikur këto të ishin duaj me grurë apo misër. Themi që Europa s’na pranon, po a nuk janë më shumë se një miljon shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje dhe nga që vazhdohet akoma të ikin, tregon se edhe këtë pjesë të mbetur, qeveria dhe Shteti Shqiptar nuk është në gjëndje t’i mbajë.
Tendenca, në zgjedhjet lokale që kaluan, për të nominuar edhe ndonjë person të ndershëm dhe me reputacion, dështoi dhe kjo, sepse ashtu si dikur, nuk vlerësohet edhe aq personaliteti i njeriut dhe ndershmëria, por disa ‘cilësi’të veçanta, të cilat kërkoheshin edhe në komunizëm.
Për gati pesëdhjet vjet shpresuam se ajo diktaturë një ditë do binte dhe ra, por a do vazhdojmë po aq gjatë të presim edhe për një demokraci të vërtetë! Atë sistem, ç’është e vërteta, fillimisht e shëmbën të tjerët, ndërsa ne vetëm se i ndoqëm nga pas, ndërsa për situatën e krijuar, është vetëm detyrë e jonë dhe s’ka kush tjetër të na ndihmojë.
Përkeqësohet klima e biznesit. BB: Shqipëria zbret 35 vende
Në vështrimin e Bankës Botërore klima e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2016 është përkeqësuar. Madje ky përkeqësim është i ndjeshëm pasi në krahasim më raportin e fundit Shqipëria ka zbritur 35 vende në renditjen përgjithshme mes 189 vendeve. Për klimën e të bërit biznes vitin e kaluar Shqipëria renditej në vendin e 62, por në renditjen e fundit tanimë vendi ynë renditet i 97-ti. Pothuajse të gjithë indekset e marra në konsideratë nga Banka Botërore janë me rënie, madje të madhe. Përkeqësimi më i madh i klimës së biznesit në Shqipëri ka ardhur për shkak të mungesës së lejeve të ndërtimit. Për pagesën e taksave renditja e Shqipërisë është përkeqësuar me 12 vende, për hapjen e një biznesit të ri ka zbritur me katër vende, ndërsa për mundësinë e marrjes së kredive Shqipëria është listuar 6 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë. Në këtë raport të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria renditet e fundit në rajoni. Kryesimin e ka Maqedonia, e cila jo vetëm është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kryeson në listën e përgjithshme duke zënë vendin e 12-të. Kosova është në një renditje më të mirë se Shqipëria, duke u listuar në vendin e 66, afërisht në të njëjtat pozita të Shqipërisë krahasuar me vitin e kaluar.
Shqipëria hap Konsullatë Ndëri në Gjakovë
-Ministri Bushati: Hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë/
-Ministrja Tahiri: Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës/
Nga Behlul Jashari/ GJAKOVË, 20 Tetor 2015/ Është zhvilluar sot ceremonia e inaugurimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Gjakovë, konsullatë kjo e cila ka për qëllim forcimin e lidhjeve kombëtare dhe promovimin e bashkëpunimit në gjitha sferat mes dy shteteve.
Në këtë ceremoni në Gjakovë organizuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrja kosovare, Edita Tahiri, ambasadorët në dyja vendet Qemal Minxhozi dhe Ramiz Lladrovci, konsulli i nderit akademik Tahir Emra dhe shumë personalitete tjera nga jeta politike e kulturore nga Kosova dhe Shqipëria.
Gjatë ceremonisë, ministri Bushati u shpreh se, “hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë, nga njëra anë është tregues konkret i thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe nga ana tjetër, kjo Konsullatë, e para në llojin e saj, hapet në qytetin me tradita të Gjakovës, që ka lindur disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, nga Ali Podrimja, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Elton Zherka e deri tek kapiteni Kuq e Zi – Lorik Cana. Bijtë e Gjakovës na kanë bërë të ndjehemi krenarë para vetes dhe para botës”.
Më tej, ministri Bushati shtoi se, “është kënaqësi për mua të emëroj Konsullin e nderit të Shqipërisë në Gjakovë, z. Tahir Emra, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, falënderoi ministrin Bushati për këtë iniciativë me rëndësi dhe vlerësimin e veçantë që i bën zonës së Gjakovës. “Hapja e Konsullatës përben një detyrim për ne për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e Gjakovës me institucionet e Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Ministrja Tahiri në fjalën e saj shprehu përgëzimet e qeverisë së Kosovës për hapjen e kësaj konsullate të Shqipërisë në Gjakovë duke uruar të gjithë që kanë kontribuar për këtë vepër vizionare. Ajo tha se kjo konsullatë do të forcojë lidhjet e kombit, lidhjet që na i këputi historia duke na lënë të ndarë dhe që është detyrë e jona dhe brezave të ri që ta rilidhim fuqishëm kombin shqiptar. “Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës, e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare, do të prek në hapësirat ku kombi ka nevojë për të punuar bashkë për të mirën tonë”, tha Tahiri.
Ajo më pastaj tha se zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm, Hashim Thaçi, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ngjarje sepse ka udhëtuar për Paris për të lobuar për Kosovën në UNESCO dhe ne kemi pritje dhe përkrahje që Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe në vijim edhe në gjithë organizatat tjera ndërkombëtare.
“Kur mora ftesën për këtë ngjarje, së pari mendova pse kjo konsullatë në Gjakovë dhe jo në Prizren. E analizova historinë dhe i dhashë të drejt këtij vendimi, sepse Gjakova ia dha Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshin, një komandant të shquar që së bashku me udhëheqësit tjerë të Lidhjes na e lanë një amanet, ta bashkojmë kombin shqiptar. Dhe ne po e bëjmë realitet misionin tonë që të bashkojmë kombin shqiptar, se a do ta bëjmë përmes integrimeve evropiane apo rrugë tjetër, e rëndësishme është që do të vendosim vet”, theksoi ministrja Tahiri.
Po ashtu, vijoi ajo, mendoj se Gjakova e meriton këtë konsullatë nderi sepse ishte qyteti ku gjenocidi serb shkaktoi humbje të mëdha në njerëz dhe në shpirtrat tonë. “Por, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të fortë në luftën tonë për pavarësi dhe prosperitet, këtë po e dëshmon edhe Shqipëria edhe Kosova dhe gjithë shqiptarët anë e kënd”, tha Tahiri.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Tahiri bisedoi me ministrin Bushati për rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zbatimin e vendimeve të dala nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë këtë vit, e në Prizren vitin e kaluar.
Në mbledhjen e qeverive Shqipëri-Kosovë, në 23 mars të këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje e veçantë për thellimin e bashkëpunimit të zonës ndërkufitare midis Komunës së Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës.
Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes bashkive veriore të Republikës së Shqipërisë me Komunën e Gjakovës në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve ndërkufitare mes dy vendeve.
Euro 2016, Shqipëria në vazon e katërt
20 ekipet që kanë siguruar kualifikimin në Europianin e Francës, vitin e ardhshëm, kanë nisur qysh tani të mendojnë mbi shortin e finaleve që do të hidhet më 12 dhjetor në Paris, pasi UEFA ka shpallur edhe renditjen e koefiçentëve të ekipeve kombëtare, përcaktuese për ndarjen nëpër vazo. Renditja është publikuar këtë të mërkurë pas përfundimit të 9 grupeve kualifikuese, ndërkohë që shorti për “play-off”-et do të hidhet më 18 tetor, këtë të dielë.
Franca organizatore do të jetë e para në grupin A, ndërsa kampionët në fuqi të Spanjës kanë gjithashtu të garantuar një vend mes 6 më të fortave, pavarësisht koefiçentit. Së bashku me Spanjën do të jenë edhe Gjermania, Anglia, Portugalia dhe Belgjika, të cilat kryesuan grupet e tyre respektive kualifikuese. Përfundimisht, në vazon e dytë do të jenë Italia, Rusia, Zvicra, Austria dhe Kroacia. Nëse Bosnja do të fitojë sfidën e dyfishtë të “play-off”-it, do të jetë gjithashtu në vazon e dytë, por nëse humbet, Ukraina do të ishte ekipi që do të futej në vazon e dytë, gjithnjë në rast fitoreje të sfidës përkatëse. Por, nëse të dyja këto do të humbisnin, atëherë vendin e mbetur në vazon e dytë do ta merrte Republika e Çekisë. Në vazon e katërt janë të përcaktuar përfundimisht ekipe si Islanda, Uellsi, SHQIPËRIA dhe Irlanda e Veriut. Ndërkohë që, Çekia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Turqia janë të gjitha “në ankth”, pasi u duhet të presin ndeshjet e “play-off”-eve për të mësuar se në cilën vazo të shortit të dhjetorit do të bëjnë pjesë. Ndërkaq, UEFA ka zyrtarizuar edhe vazot e ekipeve kombëtare, të cilat do të ndeshen në fazën “play-off”, për të përcaktuar 4 ekipet e mbetura të Europianit 2016. Bosnja, Ukraina, Suedia dhe Hungaria janë ekipet më të vlerësuara në renditjen e publikuar po sot, gjë që i bën ata pretendentë përballë katër rivalëve të tjerë Danimarkë, Republika e Irlandës, Norvegji dhe Slloveni. Shorti do të vendosë përballë njëri-tjetrit këto kombëtare, me të parat që do t’i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi fillimisht, e më pas në transfertë. Takimet e para të “play-off”-eve do të zhvillohen më 12-14 nëntor, ndërsa ato të kthimit më 15-17 nëntor.
ISP apel qeverisë: Shqipëria të aprovojë projektin e BE për hetimin e krimeve të komunizmit
– Tetë vende të BE dhe disa vende të tjera ish komuniste kanë rënë dakord me nismën e qeverisë së Estonisë për krijimin e një trupe ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut
– Shqipëria, vendi më i vuajtur nga regjimi komunist, – ka bërë më pak se çdo vend tjetër për ndarjen me të kaluarën, vendosjen e drejtësisë dhe të paqes sociale
Përmes një letre zyrtare adresuar Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës, si dhe Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike parlamentare, Instituti i Studimeve Politike i kërkon qeverisë shqiptare të japë miratimin për bashkimin e Shqipërisë me nismën e qeverisë së Estonisë dhe të Bashkimit Evropian për hetim ndërkombëtar të krimeve të komunizmit dhe gjykimin e personave përgjegjës. Nisma e Ministrit të Drejtësisë së Estonisë është mbështetur zyrtarisht nga 8 vende anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë vende ish komuniste, si dhe disa vende të tjera aspirante për integrim në BE. Shqipëria ende nuk është shprehur dhe ende nuk ka dhënë shenja bashkimi me këtë nismë.
Konkretisht, në letrën e ISP adresuar Ministrit të Drejtësisë dhe për dijeni institucioneve të tjera kushtetuese dhe politike, theksohet “Kuvendi i Shqipërisë, më datë 30.10.2006 ka miratuar me konsensus politik rezolutën nr.11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri“. Vendimi pasoi rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe atë me nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Pavarësisht rezolutave të miratuara dhe shprehjes zyrtare të Kuvendit të RSH 9 vjet më parë, edhe pas 25 vitesh Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta ish komuniste, ku e kaluara nën diktaturë mbetet ende tabu dhe ku ndarja me të vijon të jetë formale, larg modelit të transparencës, drejtësisë dhe paqes sociale.
Në kuadër evropian, në Deklaratën e Pragës (2008) u përcaktua angazhimi i vendeve për të dënuar krimet e komunizmit sipas praktikës së Gjyqit të Nurembergut, si krime kundër njerëzimit. Duke pasur frymën e kësaj deklarate angazhimesh, në gusht 2015 Ministrit i Drejtësisë i Estonisë, z. Urmas Reinsalu, mori iniciativën për krijimin e një grupi hetimor ndërkombëtar për krimet e komunizmit dhe për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjësi, njësoj si në praktikën e Gjyqit të Nurembergut. Nisma e Estonisë është mbështetur dhe aprovuar tashmë zyrtarisht nga Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia. Këtë javë nismës iu bashkuan edhe ministrat e drejtësisë së dy vendeve ish komuniste tashmë anëtare në Bashkimin Evropian, Rumania dhe Bullgaria. Konfirmimi erdhi nga samiti i fundit i ministrave të drejtësisë të vendeve të BE-së zhvilluar në Luksemburg.
Siç lehtësisht konstatohet, shumica e vendeve ish komuniste të integruara tashmë në BE ose kandidate potenciale në procesin e integrimit, i janë bashkuar nismës estoneze dhe janë dakordësuar për nevojën emergjente për krijimin e një trupe ndërkombëtare hetimi për krimet e komunizmit dhe ndjekjen e praktikeve gjykuese për personat përgjegjës. Deri më tani, nuk është shprehur publikisht dhe as zyrtarisht Ministria e Drejtësisë dhe asnjë institucion tjetër përfaqësues apo i informuar mbi nismën. Kjo letër synon ta bëjë publike problematikën dhe të apelojë për një reagim institucional sa më të shpejtë.
Ne kemi bindjen se Shqipëria meriton përfshirjen në këtë proces evropian, se Shqipëria duhet të jetë një vend mbështetës dhe kontribuues i nismës së shtatë vendeve anëtare të BE-së dhe disa vendeve të tjera ish komuniste. Shqipëria ka nevojë sociale, interes publik dhe shumë më tepër arsye për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të aplikuar të njëjtën praktikë në gjykimin e krimeve të komunizmit dhe personave përgjegjës të tyre. Vlerësimi se zbardhja e krimeve të komunizmit përbën garanci për parandalimin e çdo forme të genocidit të motivuar ideologjik në të ardhmen, theksuar me forcë nga shteti iniciator, vlen shumë dhe mbetet aktuale edhe për Shqipërinë. Nisma nuk kërkon hakmarrje dhe as revansh, nuk provokon padrejtësi të reja dhe as forma diskriminimi ndaj të drejtave të njeriut, por lartëson drejtësinë dhe paqen sociale, të vërtetën dhe vlerat e larta morale të shoqërive të hapura.
Mbi këtë bazë, Instituti i Studimeve Politike, i cili ka realizuar projektin e suksesshëm të Muzeut të Memories online (www.muzeuimemories.info) dhe është në bashkëpunim të ngushtë për zgjerimin e tij me disa institucione e përfaqësi të rëndësishme perëndimore të investuara në dialogun e hapur mbi të kaluarën komuniste, ju drejtohet Juve me kërkesën legjitime që Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, të konfirmojë në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, bashkimin e Shqipërisë me nismën estoneze, dhe nënshkrimin e dokumentit me angazhime reciproke.
Apeli ynë drejtuar Juve zoti Ministër, i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe kryetarëve të gjitha partive politike parlamentare, – institucione dhe subjekte, të cilat ftohen të bëhen mbështetëse të këtij akti dhe që kanë potencial për nxitjen e kësaj nisme dhe për vendimmarrje politike dhe institucionale.
Ne mbetemi me shpresë se Ju, me përgjegjësinë zyrtare që ju takon, do të përmbushni detyrimin praktik të shtetit shqiptar për bashkimin me këtë nismë, si shprehje edhe e rezolutës së parlamentit shqiptar dhe detyrimeve që burojnë prej saj.
Me konsideratë të lartë,
Afrim Krasniqi
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Studimeve Politike
- « Previous Page
- 1
- …
- 17
- 18
- 19
- 20
- 21
- …
- 31
- Next Page »