• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERSE NUK KA DEMOKRACI NE SHQIPERI?

April 17, 2021 by dgreca

Nga Muharrem Xhydollari-Hudenishti/ Qeverite shqiptare mbas vitit 1920, me boten i hapen udhet. Dhe atehere prej Shqiperise dolen “te paudhet”. Ata qe t’i thoshin kominternit, jemi te vlefshem per ju, shkuan ne Spanje ne 1936 te mesonin si beheshe vrases, dhe sesi mbyteshe bota ne gjak. Nga rreth 200 shpirtera te paditur qe shkuan, vetem Mehmet Shehu mundi te diplomoheshe si kriminel, e gjakatar kryesisht per – dhe ne kombin e tij. Qe kete gjakderdhje se fundimi e provoi dhe mbi vetveten. 

Por, ne kete kohe qe ishin hapur udhet, jo pak djallezore shkuan dhe ne Parisin e Robespjerit, ku mesuan shume nga e kaluara Jakobine se si ndertoheshin dhe si funksiononin Revolucionet, per te cilat me vone Robespjeri i kishte quajtur te gabuara. Enver Hoxha vetem per keto mesime “u diplomua”, sa kur u kthye ne Shqiperine e varfer e te pushtuar, beri te pamunduren qe keshilltaret sllave te ishin me te suksesshem ne politiken e tyre kunder Shqiperise e shqiptareve, sesa ata keshilltare Angleze qe vepronin ne vendin tone gjate luftes. Shqiperine e mbasluftes e coi ne ate katrahure, sa shqiptaret arriten te mos e njihnin me njeri-tjetrin. E megjithate, jeta e tij perfundoi nen thirrjet e shqiptareve fatkeqe “Marsh nga ditet tona”. 

Eh sa nxuarren jashte keto udhe te hapura… Kostandin (Koco) Pashko dhe Sejfulla Maleshova studiuan e studiuan ne Mosken bolshevike dhe mesuan se derdhja e gjak-vellait kish pas qene e ligjshme. Ata mesuan se si shkaktoheshe varferia, si organizoheshin festat, dhe se si funksiononte litari per te siguruar pushtetin e diktatures leniniste-staliniste. Dhe keta personalitete studioze perfunduan rrugeve dhe burgjeve, vetkuptohet per ate ideal qe vet e kishin injektuar. 

Ne vendin tone fatkeq mbas vitit 1944, te paudhet, formuan pushtetin e tyre dhe gjate ketij pushteti ata u “nderzyen” me sllavo-kinezerine. Shtatzania e tyre shkoi gjate, afro gjysme shekulli. Krizat e lindjes ne fillimin e dekades se fundit te shekullit te njezet, nuk u shkaktuan lendime. Ata qete-qete linden Binjaket qe ua vune emrin PS dhe PD. Keta Binjake u rriten nen kujdesin e atij prindi shpirteror te diktatures, I cili u injektoi virusin e variantit shqiptar te Katovices, qe duke thirrur parullen “Poshte Komunizimi!”, te ngrinin lart komunistet me ekonomi te paligjshme, dhe si rezultat me nje pushtet ilegjitim. Ky pushtet ishte dhe eshte jashte standarteve perendimore, qe formalisht keta Binjake kerkojne te futen.

Binjaket ashtu sic I kane mesuar, hiqen sikur jane kunder njeri-tjetrit, por ideja e tyre eshte e njejte. Binjaket nuk I marrin per gjykim bemat anti-kombetare te njeri-tjetrit, por bejne cdo gje per tu siguruar imunitetet penale te secilit prej tyre. 

Eee, shqiptaret mbeten turme, ku instikti eshte gjithandej e mendimi asgjekundi… Binjaket turpshem e deshtuan tranzicionin e pretenduar. Ata nuk ndertojne demokraci, sepse nuk jane demokrate…

Filed Under: Analiza Tagged With: Muharrem Xhydollari-Hudenishti, shqiperia

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve – 100 Vjet Multilaterizëm në Gjenevë

December 20, 2020 by dgreca

Nga Av. Kastriot FRASHËRI-Studies /

Çfarë është 100 vjetori i multilateralizmit në Gjenevë?

Fan S. Noli kryesoi delegacionin të përbërë nga: Pandeli Cali, Dr. Adhamidhi Frashëri dhe Hil Mosi…

Krijuar në 1919, Lidhja e Kombeve ishte organizata e parë ndërkombëtare me synimin për të zhvilluar bashkëpunimin midis kombeve dhe për t’u garantuar atyre paqen dhe sigurinë. Në vitin 1920, Lidhja vendosi selinë e saj në Gjenevë, dhe kjo ngjarrje shënoi zhvillimin e diplomacisë bashkëkohore multilaterale. Gjatë 100 viteve të kaluara, multilateralizmi ka evoluar nga hapat fillestarë të Lidhjes së Kombeve në punën komplekse dhe gjithëpërfshirëse që po bëhet nga Kombet e Bashkuara (OKB) sot.

Për të festuar 100 Vitet e Multilateralizmit, Kombet e Bashkuara Gjenevë po vijon të organizojë aktivitete të shumta së bashku me Shtetet Anëtare të saj, Vëzhguesit, Organizatat Ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë, duke përfshirë autoritetet lokale, shoqërinë civile dhe sektorin privat. Qëllimi është të nxjerrë në pah evolucionin e multilateralizmit në fusha të ndryshme që nga koha e Lidhjes së Kombeve deri në ditët e sotme dhe Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Hon. Robert Cecil.

Njëqindvjetori është një mundësi për Kombet e Bashkuara (UN) dhe aktorët e tjerë për të promovuar rëndësinë e arritjes së paqes përmes multilateralizmit, duke kujtuar mësimet e së kaluarës ndërsa shikojmë të ardhmen. Njëqindvjetori gjithashtu do të ndihmojë në njohjen e publikut të gjerë me çështjet aktuale globale dhe do të sigurojë një moment për reflektim më të thellë mbi rëndësinë e multilateralizmit në botën tonë në ndryshim. Kohëzgjatja e këtyre aktiviteteve ishte: nga 24 Prill 2019 (Dita Ndërkombëtare e Multilateralizmit dhe Diplomacisë për Paqen) deri në 15 Nëntor 2020 (përvjetori i Asamblesë së parë të Lidhjes) dhe një pjesë e tyre që dikton pjesëmarrje të publikut për fat të keq nisur nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19 një pjesë e tyre u përqëndrua tek diskutimet virtuale ose nuk u zhvilluan. Po ashtu, në Ditën Ndërkombëtare të Multilateralizmit (24 Prill), Zyra e KB në Gjenevë paraqiti një botim të veçantë “Multilateralizmi në kohë e Covid-19”, që përqendrohet në efektet e pandemisë në kulturë, sport dhe turizmi.

Hon. Herbert Fisher.

Për të përkujtuar 100 Vitet e Multilateralizmit, antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendin që zë kjo ngjarrje e shënuar jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe atë të kombeve gjykoj se do të ishte në interes të lexuesit të njihej me këtë faqe të re të Shqipërisë në historinë e saj, përpjekjet e elitës së saj politike por edhe të miqve dhe dashamirësve tanë në botë. Shqiptarët, natyrisht, gjetën atje edhe kundërshtarë, por edhe miq të së drejtës që u bënë menjëherë miqtë tanë të vërtetë, të cilët morën në dorë çështjen tonë dhe e mbrojtën ashtu siç ju ka hije misionarëve të paqes dhe të së drejtës së kombeve e popujve të cilat përkonin me zhvillimin e diplomacisë bashkëkohore multilaterale.

Hon. Newton Wesley Rowell .

Ja, si u pranua Shqipëria në Lidhjen e Kombeve 

Më 15 nëntor të vitit 1920 do të hapej në Gjenevë e para Asamble e Lidhjes së Kombeve. Një muaj më parë, më 12 Tetor, z. Pandeli Evangjeli në emër të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, i dalë nga qeveria e Kongresit të Lushnjes, e cila kishte si prioritet të politikës së saj të jashtme rikonfirmimin e vendimeve të Konferencave të viteve 1913 e 1914 mbi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, i paraqiti zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm z. Erik Drummond kërkesën e qeverisë shqiptare për antarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Në këtë kërkesë ndër të tjera thuhej kështu: “Qeveria shqiptare, shprehëse besnike e ndjenjave të gjithë popullit shqiptar, duke dashur me gjithë shpirt të konsolidojë paqen në Ballkan, kërkon të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e Madhe që do të mblidhet në Gjenevë 15 nëntorin që vjen”.

Paraqitja e kandidaturës shqiptare, bëri që në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare të shtrohej menjëherë çështja e Statusit ndërkombëtar të Shqipërisë e cila njihej e konsoliduar. Këtë kërkesë e kërkonte artikulli 1 i Statutit të Lidhjes, ku përcaktonte se: “mund të bëhet anëtar i Lidhjes … çdo shtet … që qeveriset lirisht”. Në këtë aspekt e përqëndroi vëmendjen zoti Erik Drummond, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes, në letrën e përgjigjes që i dërgonte palës shqiptare ku ndër të tjera u kërkonte që të viheshin në dispozicion të tij dy lloj dokumentesh: 1) “Kopje autentike të dokumentave me anë të së cilave Shqipëria ka shpallur pavarësinë e saj, ose me anë të së cilave (Shqipërisë – K. F) i është dhënë qeverisja e plotë (has been accede to full self government) bashkë me çdo dokument tjetër të mëvonshëm që t’i ripohonte ato”. 

2) “Kopje autentike të deklaratave, me anë të së cilave qeveritë e vendeve të tjera e kanë njohur Qeverinë e Shqipërisë, si qeveri ‘de facto’ ose ‘de jure’” , e më tej ai i njoftonte se merrte përsipër t’u bënte të ditur kërkesën shqiptare gjithë anëtarëve të Shoqërisë dhe ta shtronte për diskutim përpara Asamblesë.

Për të shfrytëzuar sa më mirë këto mundësi që dilnin përpara, qeveria shqiptare dërgoi në Gjenevë një delegacion të posaçëm të kryesuar nga Fan S. Noli dhe të përbërë nga: Pandeli Cali, Dr. Adhamidhi Frashëri dhe Hil Mosi. Nisja e delegacionit iu njoftua Lidhjes me anë të një telegrami më datë 8 Nëntor 1920. Delegacioni shqiptar mbëriti në Gjenevë më 12 nëntor 1920. Me mbëritjen e delegacionit trajtimi i çështjes së statutit ndërkombëtar të Shqipërisë kaloi ekskluzivisht nga përfaqësimi i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në autoritetin e delegacionit të posaçëm të akredituar në Lidhjen e Kombeve të kryesuar nga Fan S. Noli.

Hapi i parë që bëri delegacioni ynë me të mbëritur në Gjenevë ishte paraqitja e dokumenteve të kërkuar në Sekretariatin e Lidhjes si dhe përgatitja e terrenit të përshtatshëm për të konkretizuar këtë synim. Ai paraqiti ekstrakte nga ngjarrjet/ditët ndërkombëtare të 1913-14-ës: 

  • Traktati i Londrës i 30 majit 1913 (art 2 dhe 3). 
  • Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve i 29 korrikut 1913, statuti organik i Shqipërisë i prillit 1914, artikullin 1 dhe 2 të Kapitullit I, si dhe artikullin 7 dhe 8 të kapitullit II.

Në ditët në vijim delegacioni shqiptar e thelloi më tepër plotësimin dhe cilësinë e dokumentacionit të kërkuar, duke parashtruar dhe argumentuar më së miri prezantimin e gjithë çështjes shqiptare me anë të një memorandumi që ju paraqit sekretariatit të Lidhjes së Kombeve më 22 nëntor nga vetë Fan S. Noli.

Ky memorandum shprehte një platformë të plotë juridike të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare pas Luftës së Parë Botërore. Ai e trajtonte këtë çështje në disa aspekte: njohjen e shtetit shqiptar dhe të qeverisë së tij para lufte, statusin e Shqipërisë gjatë luftës dhe njohjen e qeverisë shqiptare pas luftës. I parë në këto aspekte memorandumi tregonte qartë disa tregues që tregonin më së miri gjendjen reale politike të Shqipërisë deri në atë kohë se “Shqipëria nuk ishte një shtet i ri i krijuar pas lufte sepse ajo ekzistonte si një shtet i pavarur që më 1913”.

Në pikën e dytë të memorandumit vihej në dukje se, megjithëse Shqipëria e porsalindur u përfshi nga valët e luftës së madhe botërore, përsëri zhvillimet e luftës nuk e ndryshuan aspak statusin e saj ndërkombëtar.

Në një prej këtyre pikave, memorandumi trajtonte një çështje mjaft të rëndësishme, atë të njohjes së qeverisë shqiptare pas lufte. Themi të “rëndësishme”, sepse, shteti shqiptar ishte po ai që u njoh më 1913, kështu që nuk ishte nevoja për ta njohur “ex novo”. Duke e parë çështjen në këtë prizëm lihej të kuptohej se qeveria shqiptare në këtë kohë i ka të gjitha cilësitë për t’u konsideruar si qeveri “de jure” dhe “de facto” e shtetit shqiptar: ka dalë nga një asamble kombëtare, si shprehje e vullnetit të popullit dhe ka nën kontrollin e saj pjesën më të madhe të vendit. Më tej memorandumi paraqiste mjaft fakte dhe argumente të pakundërshtueshme të cilat tregonin njohjen de facto të saj nga ana e këtyre shteteve, nëpërmjet vendosjes së marrëdhënieve miqësore diplomatike midis tyre etj.

Kundër pikpamjeve shqiptare të shprehura në memorandum dhe në polemikë me të doli një pikpamje e kundërt në formën e një memorandumi të posaçëm që Sekretari, Drummond i drejtoi Asamblesë së Lidhjes lidhur me çështjen e pranimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Ky memorandum i parë në një vështrim të përgjithshëm nxirte në pah aspektin kryesor të problemit (sipas tyre K. F) – njohjen e shtetit shqiptar dhe lihej në një anë tjetër aspekti i pjesshëm: ai i njohjes së qeverisë shqiptare. Veç tyre edhe një aspekt tjetër duhet të vihet në dukje se me gjithë “paanësinë” e jashtme të memorandumit aty konstatohet një farë mbizotërim i lehtë i pikëpamjeve që kishin të bënin me statusin ndërkombëtar të Shqipërisë, të cilat e vështirësonin hapjen e dyerve të Lidhjes. 

Shqyrtimi i çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe të Lidhjes së Kombeve u zhvillua në dy faza. Faza e parë u karakterizua nga debatet në Komisionin e V-të dhe faza e dytë ishin diskutimet në seancën plenare të Asamblesë, e cila i dha përfundimisht fund çështjes së hapur të Shqipërisë. Por si u arrit deri këtu? Në komisionin e V-të çështja e Shqipërisë u mor në shqyrtim në mbledhjen e 4 dhjetorit 1920 dhe si bazë shërbeu raporti i nënkomisionit që ishte ngarkuar të mblidhte të dhëna rreth kandidaturës së Shqipërisë. 

Përfundimi i diskutimit deri diku tregonte se ishte i paracaktuar fati i Shqipërisë, përderisa raporti anonte më shumë nga qëndrimet e kundërshtarëve të pranimit të vendit tonë. Këto qëndrime anonin nga mendimet e seksionit juridik të Lidhjes (i cili raportoi posaçërisht përpara Asamblesë- K. F.) dhe zhvillimet në këtë seksion u kristalizuan me hartimin e një raporti që komisioni ia drejtoi Asamblesë në datën 6 dhjetor. Ky Komision i propozonte Asamblesë që çështja të shtyhej deri sa statusi ndërkombëtar i Shqipërisë të sqarohej definitivisht. Pavarësisht nga çfarë u konkludua është e rëndësishme të themi se nga anëtarët e Lidhjes u krijuan dy qëndrime të kundërta. Protagonistët kryesorë në këtë “betejë qëndrimesh” ishin francezi Vivian, i cili ishte udhëheqës i pikpamjeve të shumicës dhe britaniku Lord Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, së bashku me delegatin e Kanadasë Newton Wesley Rowell. 

Hon. Lord Robert Cecil (një prej figuarave më të rëndësishme të kohës dhe fitues i çmimit “NOBEL” për Paqe K-F) nën cilësinë e kryetarit të komisionit të kuvendit lexoi raportin e këtij nënkomisioni dhe më poshtë deklaroi se është në favor të anëtarësimit të Shqipërisë, duke ripërsëritur argumentat që kishte përdorur dhe më parë. Ai tha se kundërshtimet që mund të bëhen për pranimin e disa shteteve nga shkaku që mbijetesa e tyre është në rrezik, meqë ato kombe rrethohen prej vendeve fqinjë, gjendja e të cilave është anarkike, nuk mund të vendosen edhe për Shqipërinë, meqë kufijtë e saj lidhen me ato të Serbisë dhe Greqisë dy shtete të njohur që respektojnë delegacionet ndërkombëtare.

Më poshtë ai theksoi ndjenjën e fortë kombëtare të Shqipërisë, të cilën ai e paraqiti si një provë të vazhdimit të ekzistencës kombëtare dhe të domosdoshmërisë së njohjes së saj. “Shqipëria, shtoi ai përbën një komb për arsye të sentimentit unanim të banorëve të saj”.

Duke vazhduar debatin, folës të tjerë si z. Viviani, delegat i Francës, u shpreh kundër. Ai theksoi duke lënë mënjanë argumentet do të ishte një “sfidë kundër Fuqive të Mëdha” të cilat ende nuk kishin vendosur mbi statusin e mëtejshëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas tij – “Kuvendi po të bënte ndonjë vendim të tillë mbi këtë çështje do të vinte në kundërshtim me dëshirën e tyre”. Më tej kërkoi që vendimi mbi këtë çështje të shtyhet për më vonë derisa të vendoset statusi ndërkombëtar i Shqipërisë me një marrëveshje tjetër të Fuqive të Mëdha, meqënëse statusi i saj më 1913 dhe 1914 nuk mund të ketë më fuqi.

Më tej zoti Pagliano deklaroi se mbështeste propozimin e zotit Viviani përderisa ai propozim nuk e refuzon pranimin e Shqipërisë por e lë atë për më vonë, dhe ky propozim shkaktohet edhe nga arsyet që lënë dhe çështjen e pranimit të Shteteve Balltike për më tutje, ku këto shtete nga pikëpamja e njohjes ndërkombëtare de jure dhe de facto janë në një pozitë me Shqipërinë. Më tej, si për t’u shfajësuar ai theksoi se dëshiron të përgënjeshtrojë gjithë sa deklarohet e kundërta se Italia kundërshton pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Përkundrejt këtyre deklaratave sikundër theksoi edhe përpara komisionit të posaçëm, të kryesuar prej Lordit Robert Cecil, Italia dëshiron te ndjekë një rrugë të qartë në këtë çështje me një program liberal të udhëhequr nga idealet e drejtësisë. Italia beson – sipas tij se pranimi i këtyre shteteve në këtë organizatë do të inkurajojë zhvillimin e institucioneve të tyre në mënyrë demokratike.

Në vijim të diskutimeve mbi çështjen e anëtarësisë apo jo të Shqipërisë, M. Tang-Tsaj-Fau përfaqësues i Kinës, tha se e mirëpriste pranimin e Shqipërisë, por kur një shtet nuk është i njohur “de jure” dhe kur kufijtë e të cilit nuk janë caktuar dhe një pjesë e tokave të së cilit mbahen të pushtuara nga ushtritë e huaja, përkrahu propozimin për ta lënë çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë për më tutje. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe delegati serb M. Spakaloviç, i cili ashtu si dhe parafolësi mbështeti propozimin e z. Viviani për ta lënë këtë çështje për më vonë, meqë ajo (Shqipëria -K.F.), ishte akoma në stadin foshnjëror.

Duke ju rikthyer edhe një herë diskutimit të tij Shkëlqesia e Tij, Lord Robert Cecil deklaroi se “propozimi i z. Viviani nuk duhet të jetë plotësisht i pëlqyer. Kuvendi nuk mund të pranojë ta lërë vendimin mbi këtë çështje në dorë të një grupi shtetesh, duke ju kundërvënë direkt parafolësve të këtij qëndrimi. Dhe më tej shtoi se nuk ishte aspak lajm i mirë botimi në gazetat e mëngjesit se Fuqitë e Mëdha kërkojnë të diktojnë Lidhjen e Kombeve mbi disa çështje. Shqipëria duhet të pranohet në Lidhjen e Kombeve përderisa ka gjithë karakteristikat e nevojshme për të qenë një shtet. Dhe ajo ka dhënë prova së është një shtet që do të ekzistojë”. Më pas ai propozoi këtë rezolutë:

“…Kuvendi, pasi shqyrtoi raportin e Komisionit të V-të për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, deklaron:

1-  Se të gjithë kombet, ashtu sikurse rasti i Shqipërisë, kanë të drejtë për jetesë kombëtare në qoftë se e dëshirojnë atë gjë.

2-  Kuvendi është i mendjes se Shqipëria është shtet sikundër e kërkon artikulli i I-rë i Kushtetutës dhe është e njohur në të gjitha kushtet e tjera të atij artikulli.

3-  Kuvendi vendos të pranojë Shqipërinë si anëtare në Lidhjen e Kombeve”.

Më pas Shkëlqesia e Tij, zoti Newton Rowell përfaqësues i qevrisë së Kanadasë parashtroi arsyet që e bëjnë atë të votojë në favor të çështjes së Shqipërisë. Sepse, sipas tij, shteti shqiptar ka kufij që janë njohur prej konferencave ndërkombëtare dhe as Traktati i fshehtë i Londrës e as coptimi i trojeve shqiptare nuk janë fakte që Shqipëria s’është shtet indipendent.

Në kundërshtim të hapur me këtë gjykim sa të drejtë aq dhe human që karakterizon njerëz të tillë të mëdhenj, përfaqësues të shteteve mbartës të vlerave dhe qytetërimit botëror, të cilët nuk udhëhiqen nga ide apo qëndrime që favorizojnë orekse ekspasioniste e gllabëruese, të cilat në jo pak raste karakterizonin fuqitë e mëdha të Europës së shekullit të XIX –të, në dëm të shteteve të vegjël.

Dhe në rezonancë me to, si për ironi të fatit të mëtejshëm të Shqipërisë, z. Herbert Fisher përfaqësues i Anglisë ndonëse e njeh rëndësinë e argumenteve që u paraqitën në favor të pranimit të Shqipërisë shtoi se: “Komisioni dhe Asamblea nuk mund të dalin mbi vendimet e fuqive të mëdha në këtë çështje. Në përfundim të punimeve të këtij komisioni u kristalizuan dy rezoluta, ajo e zotit Robert Cecil që e përmendëm më sipër dhe ajo e paraqitur nga përfaqësuesi francez z. Viviani, i cili kërkonte që pranimi i këtij shteti të shtyhej për më vonë derisa të rregullohej statusi ndërkombëtar i Shqipërisë, propozim i cili fitoi me 13 vota pro ndaj atij me 8 vota të Lord Robert Cecil. 

Mbi bazën e këtij mocioni u hartua dhe raporti i Komisionit i cili iu drejtua asamblesë. Asambleja e Lidhjes së Kombeve e mori në shqyrtim çështjen e pranimit të Shqipërisë në seancën plenare të 17 dhjetorit 1920 në orën 10:00. Debati në Asamble u hap me ndërhyrjen e Lord Robert Cecil e cila u pasua me të tjera ndërhyrje, të cilat siç do të vihet re më poshtë shpalosën një pamje krejt të kundërt nga ajo që ishte zhvilluar më parë.

Kështu Hon. Lord Robert Cecil që në fillim tha: “E ndjej veten në një pozitë të vështirë të flas këtu si një reporter dhe natyrisht shpresoj që Kuvendi do të gjykojë nga një pikpamje e ndryshme nga ajo që karakterizoi komisionin. Do të kërkoj që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe në më jepni leje t’u jap arsyet që më bënë të arrij në këtë përfundim. Çështja e Shqipërisë u diskutua me kujdes prej komisionit të posaçëm. Komisioni thirri, dëgjoi dhe ripyeti përfaqësuesit e Shqipërisë duke bërë që ata të vërtetojnë deklaratat dhe shpjegimet e tyre mbi këtë çështje. I dëgjuam dhe shpjegimet e përfaqësuesve të Greqisë, dhe arrin në një zë unanim që Shqipëria ka gjithë karakteristikat e një shteti”. Një konkluzion i tillë nuk ka si të ishte ndryshe, pasi Shqipëria kishte një qeveri qëndrore të organizuar në një Këshill Ministrash, një trup legjislativ që përbëhej nga Kuvendi Kombëtar dhe një Këshill Regjence të përbërë nga katër Regjentë që përfaqësonin mendime të ndryshme në Shqipëri. Mendimi se “guvernat” mund të njihen nga koha në kohë, por shteti qëndror në këtë rast ishte shumë i saktë. Prandaj përfundimi është i qartë se dy kushtet e domosdoshme që kërkon artikulli i I-rë i Kushtetutës së Lidhjes – d.m.th. që aplikonjësi duhet të jetë një shtet dhe që duhet të qeverisë vetveten përmbushen pa dyshim në rastin e Shqipërisë.

Shqipëria në këtë rast i tregonte Lidhjes së Kombeve se ajo ka një histori që duhet të merret në konsideratë. Në vitin 1913 pas luftës Ballkanike u mbajt një Konferencë e madhe ndërkombëtare ku morën pjesë vendet Ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha. Në këtë konferencë u përcaktuan në mënyrë arbitrare kundrejt vullnetit të shqiptarëve edhe kufijtë e rinj ku mund të vendosej shteti shqiptar. Gjashtë Fuqitë e Mëdha treguan qartë me qëndrimet e tyre se ishin për mosvendosje për të përcaktuar kufijtë shqiptarë. 

Ja kundërshtarët dhe miqtë e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Në vitin 1914 Fuqitë e Mëdha firmosën një traktat duke përcaktuar kufijtë e Shqipërisë duke bërë kështu njohjen “de jure” të Shtetit Shqiptar. Pra për të gjithë ishte i qartë fakti se Shqipëria nuk e kishte humbur karakterin e saj shtetëror nga pikpamja legale dhe gjendja e saj ishte absolutisht e qartë.

Një tjetër argument i cili ju paraqit kësaj asambleje mbi të cilin insistoi personalisht Lord Robert Cecil si përfaqësues brilant i perandorisë së madhe Britanike se Shqipëria është një vend muhamedan dhe Lidhja e Kombeve duhet të tregojë të njëjtat obligime si për muslimanët ashtu dhe për kristianët. Duke shfrytëzuar këtë tribunë theksoi se: duhet të shfrytëzohet ky rast për t’i dhënë një vendi musliman po atë rëndësi që ka një shtet kristian. Në përfundim të fjalës së tij Lord Robert Cecil tha: Kush njeh historinë e Shqipërisë, njeh forcën dhe fuqinë e saj patriotike. Sepse populli shqiptar, ashtu si dhe mjaft popuj të tjerë në historinë e tyre kanë treguar nëpërmjet luftrave për liri dhe egzistencë këtë patriotizëm. Dhe patriotizmi shqiptar është po aq i fortë sa ai i zviceranëve apo francezëve. Dhe shqiptarët e dëshirojnë me zjarr indipendencën e tyre dhe këtë e kanë mbrojtur me luftë.

Zoti Newton Rowell përfaqësues i Kanadasë, i cili mori fjalën menjëherë pas Lord Robert Cecil tha se: “Shqipëria plotëson të gjitha kërkesat e paktit dhe ne (Lidhja -K.F) me plot besim duhet ta pranojmë këtë vend (Shqipërinë- K.F) në Shoqërinë e Kombeve”. Fill pas fjalës së dy të parëve edhe kundërshtarët që deri dje ishin shprehur kundër, pasuan njëri-tjetrin, duke shprehur pëlqimin e tyre Pro anëtarësimit të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve.  Por si ndodhi kjo, si u përmbys kjo tabllo brenda më pak se dy javësh ku Shqipëria, njohu edhe refuzimin edhe pranimin?

Përfaqësuesi i delegacionit britanik, The Right Honorable Herbert Albert Laurens Fisher, një historian i mirënjohur anglez, edukator, dhe politikan liberal duke pasuar diskutantët deklaroi menjëherë se: “delegacioni ynë pasi e studjoi edhe një herë gjendjen në Shqipëri pas paraqitjes së raportit ka arritur në të njëjtin konkluzion me Lord Robert Cecil dhe deklarojmë votën tonë Pro pranimit të Shqipërisë”. Menjëherë pas tij z. Ali Imam përfaqësues i Indisë u shpreh se mbështeste raportin e Lord Robert Cecil dhe duke qënë se Shqipëria përbëhet nga dy religjione fetare Muhamedane dhe Kristiane, ku muhamedanët janë në mazhorancë dhe kjo është një ogur i mirë për këtë popull, ku muhamedanët e kristianët bashkëjetojnë në harmoni me njëri- tjetrin dhe kjo është një provë e mirë për anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve. Pas tij zoti Vivian, në emër të delegacionit Francez u shpreh se e çmon elokuencën e delegatit britanik Herbert Fisher dhe bashkohet me propozimin e paraqitur me qartësi nga Lord Robert Cecil. Duke pasuar këtë, më poshtë delegati italian Schanzer, theksoi se Italia dëshiron lirinë, pavarësinë dhe progresin e Shqipërisë. Zoti Rowell – vijoi më poshtë ai,- na kujtoi këtu deklaratat e bëra nga Z. Giolitti, Kryetari i qeverisë Italiane në kohën e largimit tonë nga Vlora, të cilat kanë qenë të qarta e të thjeshta. Unë pata nderin dje të shpreh pikëpamjet tona mbi pranimin e shteteve të reja dhe nga kjo pikëpamje e them prapë duke u mbështetur në parimet tona të përgjithshme dhe me dëshirë që Shqipëria të jetë një element paqeje dhe rregulli në gadishullin e Ballkanit, ne jemi Pro pranimit të Shqipërisë në këtë Shoqëri.

Duke mbyllur këtë diskutim, i cili do të çelte një faqe të re në historinë e Shqipërisë, përfaqësuesi i delegacionit Rumun ndër të tjera tha: “Ne mendojmë se çështja e pranimit të Shqipërisë duhet të meret në konsideratë. Për këto arsye dhe të tjera të cilat ekspozoi zoti Cecil, ne jemi të kënaqur të deklarojmë votën e Rumanisë Pro anëtarësimit të Shqipërisë”. Më mirë se kaq për shqiptarët nuk kishte si të përfundonte kjo çështje e shumëdëshiruar për ta, kur kryetari i Asamblesë, i nderuari Paul Hyman, deklaroi përfundimin e këtij debati, duke ftuar anëtarët e kësaj asambleje të japin votën e tyre mbi kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Votimi ishte unanim për Shqipërinë, e cila nuk u zhgënjye këtë herë nga Komuniteti Ndërkombëtar. Me 35 vota Pro, 7 vota Abstenime dhe asnjë Kundër Shqipëria më 17 Dhjetor 1920 u pranua anëtarja më e re e Lidhjes së Kombeve. Të nesërmen kryetari i delegacionit shqiptar Fan S. Noli u ftua të zinte vendin e rezervuar në Asamblenë e Lidhjes.

Vlen të theksohet se pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, qe rezultat i punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të patriotëve, intelektualëve e miqve të Shqipërisë kudo në botë ku ndër ta shquhej miku i madh britanik i shqiptarëve deputeti Aubery Herbert. Një vend të veçantë në këto përpjekje për t’iu bashkuar qytetërimit botëror luajtën dhe shoqëritë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, sidomos Shoqëria e shqiptarëve të Amerikës “Vatra”, dhe shtypi i kohës, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar në lidhje me çështjen shqiptare.

Ne duhet të themi se rëndësia e veçantë e kësaj faqe të historisë politike të Shqipërisë do të kuptohet kur të mendojmë se fillimi i marrëdhënieve tona me Lidhjen e Kombeve përputhej me kohëra të rrezikshme për fatet e Shqipërisë, sepse ishte koha kur Konferenca e Ambasadorëve në Paris kishte marrë sërisht në shqyrtim vendimet ndërkombëtare që kishin të bënin me krijimin e shtetit shqiptar.

Viktor Hygo në librin e tij “Të mjerët” thotë se mbas një lufte, mbas një revolucioni të madh në kombe, lind një periudhë e re, një zhvillim e një përparim në jetë të kombeve, një ndriçim i madh në të drejtat e njerëzve e të Shoqërive Shtetërore. Lufta e përbotëshme që trazoi e prishi gjithë botën, bëri mjaft dëme në qytetërimin e njerëzisë, por zgjidhi mjaft çështje shoqërore të rëndësishme, kështu që u bë një hap tjetër përparimi e qytetërimi duke u mbështetur në themele të forta e jo pas idealeve dhe utopive të kota. Zhvillimi i madh i kombeve në këtë luftë rrënuese lindi në vendet e qytetëruar idenë e Shoqërisë së Kombeve, idenë e demokracisë që njerëzit të rrojnë të mbrojtur në një ligj e në një gjykatë të përbashkët. Ky do të ishte morali politik nëpërmjet të cilit do të krijohej Shoqëria e Kombeve. 

Shoqëria e Kombeve ishte për atë kohë një shtet i përgjithshëm me ligje e gjykata, me principe të drejta që të mbronte ato, të zgjidhte konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet Kombeve të vegjël e të mëdhenj, midis të fuqishmëve dhe të dobtëve e të prapësonte të gjitha shkaqet për luftra midis tyre. Pra, si përfundim mund të themi se Lidhja e Kombeve (1919-1946) ishte i pari organizëm që i dëgjoi shqiptarët. Vetëm në atmosferën e Asamblesë së Gjenevës mund të dëgjohej me kujdes zëri i Shqipërisë që kërkonte të qasej në mes të kombeve të qytetëruar e të rrinte pranë tyre si shtet më vete dhe i pavarur.

Shqiptarët, natyrisht, gjetën atje edhe kundërshtarë, por edhe miq të së drejtës që u bënë menjëherë miqtë tanë të vërtetë, të cilët morën në dorë çështjen tonë dhe e mbrojtën ashtu siç ju ka hije misionarëve të paqes dhe të së drejtës së kombeve e popujve. Dhe avokatëve të tillë si Mbretëria e Bashkuar, dhe përfaqësuesit e saj Hon. Lord Robert Cecil, The Right Honorable Herbert Fisher dhe Hon. Newton Wesley Rowell, etj.,  shqiptarët duhet t’u jenë përherë mirënjohës.

Cilët ishin 3 Mbështetësit e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve?

Hon. Robert Cecil

(14 Shtator 1864 – 24 Nëntor 1958) 

Lauruar me Çmimin “Nobel” të Paqes në vitin 1937

Edgar Algernon Robert Gascoyne-Cecil, Viscount I (Vikonti i Parë (14 shtator 1864 – 24 nëntor 1958), i njohur si zoti Robert Cecil 1868-1923, ishte jurist, politikan dhe diplomat në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte një nga arkitektët e Lidhjes së Kombeve dhe një mbrojtës aktiv i saj, lauruar me Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1937.

Robert Cecil ka lindur në Cavendish Square, London, fëmija i gjashtë dhe djali i tretë i Robert Gascoyne-Cecil, Markez i 3-të i Salisbury, tre herë kryeminister, dhe Georgina, bija e Sir Edward Alderson Hall. Ai ishte vëllai i Jakobit Gascoyne-Cecil, Markez i 4 i Salisbury, Lord William Cecil, Lord Edward Cecil dhe Lord Quickswood dhe kushëri i Arthur Balfour. Ai ishte arsimuar në shtëpi, derisa ai ishte trembëdhjetë vjeç dhe pastaj kaloi katër vjet në Kolegjin Etoni. Ai pohoi në autobiografinë e tij që e ka shijuar shkollimin e tij në shtëpi. Ai studioi për drejtësi në University College, Oxford, ku u bë një referues i mirënjohur. Në 1887, ai u pranua në Bar (lejohet praktika e avokatit). Ai u martua me Lady Eleanor Lambton në vitin 1889. Nga viti 1887-1906, Robetrt Cecil ka ushtruar ligjin civil, duke përfshirë punën dhe praktikën parlamentare. Më 15 qershor 1899, ai u emërua si Queen’s Counsel (QC). Ai gjithashtu bashkëpunoi për hartimin e librit “Parimet e të Drejtës Tregtare”.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1906, Robert Cecil u zgjodh si anëtar Konservator i  Parlamentit Britanik. Pas formimit të qeverisë së koalicionit të 1915, ai u bë Nën-Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme më 30 maj 1915. Ai shërbeu në këtë post deri në 10 janar 1919, duke shërbyer edhe si Ministër i Falenderimeve nga 23 shkurt 1916 deri 18 korrik 1918.  Më 25 maj 1923, Robert Cecil u rikthye në qeveri. Në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 1923, pasi Konservatorët humbën shumicën e mandateve të tyre, ai hyri në fisnikët e vendit, si Viscount Cecil i Chelwood, i East Grinstead në qarkun e Sussex-it, më 28 dhjetor 1923.  

Kur Konservatorët u rikthyen në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 1924 Robert Cecil u bë kancelar i Dukatit të Lancaster. 

Në shtator të vitit 1916, ai paraqiti një memorandum, duke bërë propozime konkrete për shmangien e luftës. Robert Cecil ishte një Esperantist i njohur, dhe, në 1921, ai propozoi që Lidhja e Kombeve të miratojë Esperanto-n si zgjidhje për problemin e gjuhës. 

Nga fillimi i Lidhjes së Kombeve, pas Luftës së Parë Botërore, deri në dështimin e saj në 1946, Robert Cecil ishte i përkushtuar tërësisht për Lidhjen. Në Konferencën e Paqes në Paris, ai ishte përfaqësuesi britanik në krye të negociatave për Lidhjen e Kombeve. Nga 1920 deri më 1922, ai përfaqësoi Afrikën e Jugut në Asamblenë e Lidhjes. Në vitin 1923 ai bëri një turne pesë javor në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar Lidhjen për  amerikanët. Në administratat e qeverisjes konservatore në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve 1923-1924, dhe 1924-1927 ishte ministër përgjegjës, nën juridiksionin e Sekretarit të Jashtëm, për aktivitetet britanike në punët e Lidhjes së Kombeve.

Në pranverën e vitit 1946, ai ishte  pjesëmarrës në takimet e fundit të kësaj organizate në Gjenevë, duke i dhënë fund fjalimit të tij me fjalinë e njohur: “Lidhja është e vdekur, jetë të gjatë  Kombeve të Bashkuara”. Ai jetoi për trembëdhjetë vjet të tjera, herë pas here duke qenë anëtar në Dhomën e Lordëve, dhe mbështetetës i përpjekjeve ndërkombëtare për paqe me anë të presidencës së tij si nderi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai vdiq më 24 nëntor 1958 në shtëpinë e tij në Chelwood Gate, Danehill pranë Haywards Heath. Ai nuk la trashëgimtarë dhe titulli Viscountcy i tij u shua.

Hon. Newton Wesley Rowell     

(1 nëntor 1867 – 22 nëntor 1941) 

Ishte një avokat dhe politikan i njohur Kanadez, një udhëheqës, figurë në Kishën Metodiste. Newton Rowell udhëhoqi Partinë Liberale të Ontarios nga 1911-1917. 

Ai ka lindur në Ontario, Kanada. Në vitin 1917, Rowell, si një mbështetës i rekrutimit gjatë Luftës së Parë Botërore, la mënjanë legjislaturën e  Ontarios dhe u shkëput nga Sir Wilfrid Laurier dhe Partia Liberale e Kanadasë për t’u bashkuar me qeverinë kombëtare të lëvizjes sindikale të Sir Robert Borden. Ai shërbeu në qeverinë “Borden” si Kryetar i Këshillit  te  Kanadasë dhe, më pas, si Ministër i parë Shëndetësisë në Kanada. Pas luftës zoti Rowell shërbeu si delegat i Kanadasë në Lidhjen e Kombeve, ku dhe u përfshi në çështjet ndërkombëtare. Ai ndihmoi edhe në formimin e Kishës së Bashkuar të Kanadasë.

Si avokat ai pati një nga praktikat e procesit gjyqësor me të fortë në Toronto, duke argumentuar shumë raste në Gjykatën e Lartë të Kanadasë dhe të Komitetit të Këshillit Gjyqësor, duke përfshirë Edwards v. Kanada (Prokurori i Përgjithshëm). Në vitin 1903, 

themeloi firmën ligjore që është e njohur edhe sot “McMillan-LLP”. Në vitin 1929 ai argumentoi dhe fitoi çështjen në lidhje me faktin nëse gratë kishin të drejtën e emërimit në Senatin e Kanadasë. Në 1936 ai u emërua në Gjykatën e Lartë te Ontarios.

Gjithashtu ai është shquar edhe si kryetari i parë i Komisionit Rowell-Sirois  në vitin 1937  në lidhje me marrëdhëniet ekonomike. 

The Right Hon. Herbert Fisher

(21 mars 1865 – 18 prill 1940)

The Right Honorable Herbert Albert Laurens Fisher, ishte një historian anglez, edukator, dhe politikan liberal. Ai shërbeu si President i Bordit të Arsimit në 1916-1922 në qeverine e David Lloyd George.

Herbert Fisher lindi në Londër, djali i madh i Herbert William Fisher (1826-1903), Motra e tij Maria Adeline Fisher ishte gruaja e parë e kompozitorit  Williams Ralph Vaughan, motra tjetër Firence Henrietta Fisher u martua me të dy William Frederik Maitland dhe Francis Darwin. Herbert Fisher ishte kushëri i parë i Virginia Woolf dhe motra e saj Vanessa Bell. Ai ishte arsimuar në Winchester dhe New College, Oxford, ku u diplomua me një shkallë të klasit të parë në 1888. 

Herbert Fisher ishte mësues privat i Historisë Moderne në Universitetin e Oksfordit.. Botimet e tij përfshijnë “Bonapartism” (1908), “Tradita Republikane në Evropë” (1911) dhe “Napoleoni” (1913). Në shtator 1912, ai u emërua anëtar i Komisionit Mbretëror për Shërbime Publike në Indi.  Në vitet 1913 dhe 1917 ai ishte zëvendës-kancelari i University të Sheffield. Në dhjetor 1916 Robert  Fisher u zgjodh anëtar i Parlamentit Britanik për Sheffield Hallam dhe u bashkua me qeverinë e David Lloyd George, si Kryetar i Bordit të Arsimit. Në këtë post ai ishte instrumenti kryesor në formulimin e Ligjit të Arsimit më 1918, i cili bëri të mundur frekuentimin e detyrueshëm shkollor për fëmijët deri në moshën 14 vjeçare. Fisher dha dorëheqjen në parlament, përmes emërimit si Steward Hundred Chiltern më 15 shkurt 1926, duke u tërhequr nga politika për të marrë postin e këshillit drejtues të New College, Oxford, të cilin ai e mbajti deri në vdekjen e tij. Atje ai botoi tre vëllime të “History of Europe” (Historia e Europës) në 1935. Në vitin 1927, ju dha titulli James Tait Black Memorial Prize për biografinë e tij “James Bryce, Viscoont Bryce of Dechmont”, si dhe ka marrë Order of Merit (Urdhërin e Meritës) në vitin 1937.

Fisher u martua me ekonomisten dhe historianen Lettice Ilbert (1875-1956) në vitin 1899. Fëmija i tyre i vetëm ishte akademiku britanik, Mary Bennett. Fisher vdiq në prill 1940, në moshën 75 vjeçare i goditur nga një autobus.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjet, Lidhja e Kombeve, shqiperia

Dr.Vjosa Osmani: SHQIPËRIA ËSHTË ËNDRRA JONË E PËRBASHKËT

December 17, 2020 by dgreca

TIRANË, 17 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot – 17 Dhjetor 2020, në Kuvendin e Shqipërisë: Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!/

FJALIMI I U.D. PRESIDENTES SË KOSOVËS VJOSA OSMANI NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Meta!

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Ruçi!

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të këtij kuvendi, përfaqësues të medieve;

Fort të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Jam tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, t’u drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur, e nëpërmjet tyre, bashkëkombësve të mi gjithandej botës!  

Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor.

Është, pra, nder i madh për mua t’ju drejtohem dhe t’ju flas sikur i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë aq shumë dashuri.

Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!

Të dashur qytetarë!

Sot, kur unë gjendem para jush, hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore, për shkak të rrënjëve etnike, po thellohen dhe komunikimi ynë po na ofron më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, janë shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës dhe duke dhënë e marrë me njëra tjetrën në procesin e integrimeve europiane, duke e njohur dhe respektuar njëra-tjetrën.

Por, sot, kur unë jam para jush duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin e sakrificën e brezave për këtë ditë. Duhet të kujtojmë se këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë, gjaku i derdhur i mbi 13.000 të vrarëve, shumica nga ta gra, pleq e fëmijë, nga të cilët mbi 1.600 ende të pagjetur dhe i mbi 1.133 fëmijëve, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, emrat e të cilëve qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë. Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne ia njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë në vendimet tona.

Të dashura deputete e deputetë!

Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah.

Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit.

Të dashur qytetarë!

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë, dhe si Presidente në detyrë e Republikës, unë dua t’i thërras sidomos të rinjtë e vendeve tona, e sidomos vajzat e gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen: të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë ato do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës e të bizneseve. Sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova e Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës së tyre, që e përbëjnë gratë.  Të rinjtë tanë, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë kapitali ynë më i çmuar. Ata janë ambasadorët tanë në botë, me të cilët po krenohemi çdo ditë e më shumë. Andaj, është obligim i yni që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të tillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.

Prandaj, ftoj përfaqësuesit politikë, ata që sot janë në këtë dhomë, sikur edhe ata që janë jashtë saj, që ta kultivojnë këtë besim. Si të përzgjedhur të popullit ata duhet të kujdesen që vullneti i tyre të realizohet, që Shqipëria të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Është thelbësore që institucionet tona dhe politikbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të Shqipërisë sonë!

Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës.

Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë,

REZOLUTA

Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh.

Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim.

E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull po ashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet.

Ky kapitull po ashtu na mëson, se rinia briliante shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, e çdo kund  tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh.

Detyra jonë është të punojmë, që ata vendin e tyre ta shohin si vend që nuk e meriton braktisjen, por si vend që e meriton gjithë kontributin e dashurinë e tyre. Prandaj të punojmë bashkë të gjithë, që si dy shtete sovrane, me dy flamuj por me nje shpirt që nuk ka mundur askush t’a mposhtë ndonjëherë, të dëshmojmë par botës mbarë, se ne, ilirët e lashtë e evropianët më të rinj, populli më paqedashës, me pro-evropian e më pro-amerikan në botë, mund dhe do t’ia dalë. T’i kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyer shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimeve evropiane, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi në mes të dy vendeve tona është kundrejt frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë! Eruditi jonë i madh, Konica e përmbledhë më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën “Abania”.

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kishte thënë Konica.

Prandaj, ju ftoj që të punojmë që edhe flamuri i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombet e Bashkuara e në NATO, krahas atij të Shqipërisë, e të ecim me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Bashkëkombas të dashur,

Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur.

Në fund, më lejoni t’ju falënderoj sërish për mikpritjen, në shtëpinë tonë të përbashkët dhe t’ju ritheksoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës gjithë dashurinë që ndiejmë për Shqipërinë, për motrat e vëllezërit shqiptarë dhe gatishmërinë tonë që me vullnet e me punë t’i çojmë përpara dy shtetet tona.

 Ju faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, endrra Jone e perbashket, shqiperia

SUGJERIM PER NJE SHQIPERI SI GJITHE EUROPA

December 15, 2020 by dgreca

Nga Thanas L Gjika/ Ky dhjetor në Shqipëri duhet të kthehet në muaj refleksionesh të thella për të gjetur rrugën e shpëtimit nga kjo klasë politike që shkeli ëndrrën e studentëve dhe të të përvuajturve për ta parë Shqipërinë të lirë si Europa. Mirëpo klani Hoxha, ashtu si e shpërdoroi gjakun dhe idealet e dëshmorëve pas nëntorit 1944, e shfrytëzoi ëndrrën për një Shqipëri me ligje të lirë si Europa dhe krijoi një klasë plotike që realizoi mbajtjen e pushtetit dhe shfrytëzimin e pasurive të popullit tonë po prej klanit Hoxha. Nuk u lejuan të aktivizoheshin sa e si duhej ata që kishin ëndërruar e vuajtur për këtë ëndërr, por njerëz të planifikuar prej Ramiz Alisë për të zbatuar planin Katovica, në mënyrë që pasuritë e popullit dhe pushtetin t’i trashëgonin, si i trashëguan e po i trashëgojne, besnikët e klanit Hoxha. Pa shkulur këtë klasë politike, ëndrra do të mbetet ëndërr. Protestat e dhunshme ose paqësor për të rrëzuar një qeveri me synimin që të vijë opozita, janë lodra të planit Katovica, sepse të gjithë politikanët e sotëm janë pjellë e këtij klani. Shpëtimi është tek gjetja e një rruge që të largojë një herë e përgjithmonë nga skena politike këtë klasë politike, gjë që është thënë shpesh, por nuk po gjendet rruga e shpëtimit. Unë ndoshta tregohem naiv, por sugjeroj organizim të demostratave paqësore me 1000 shqiptarë të ndershëm pa parti që të dalin të paktën dy herë në javë për disa muaj me radhë para ministrive e Kryeministrisë në një orë të caktuar me parullën “Të ikë kjo klasë politike!”. Besoj se kjo lëvizje mund të sensibilizojë mbarë botën shqiptare dhe të huaj për të marrë masa që të mos vihen në listat e votimit asnjë nga njerëzit që kanë qenë në partitë e djeshme e të sotme politike dhe në qeveritë e këtyre 40 vjetëve. Nëse caktohen zgjedhje te reja dhe në lista figurojnë këta politikanë ose bijtë e miqtë e tyre, populli t’i bojkotojë, të mos shkojë për të votuar…

Filed Under: Opinion Tagged With: Europa, shqiperia, Thanas L Gjika

Marrëveshja e Detit me Greqinë, djalli tek detajet

August 30, 2020 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi-

Greqia po rritet” ndërsa zgjeron sovranitetin në 12 milje në detin Jon deklaroi të mërkurën kryeministri grek QiriakosMicotakis. Vetëm Shqipëria dhe Italia ndajnë detin Jon me Greqinë. Duhet të jesh naiv të besosh se Greqia do të zgjerohet në hapësirën detare në drejtim të Italisë, me të cilën tashmë e ka arritur marrëveshjen e Detit. Atëherë duhet thënë se Micotaqis i referohet Shqipërisë, ndaj dhe vjen tani në Tiranë edhe ministri i Jashtëm grek, NikosDendias. Madje ishte po ky Dendias, që e quante Ramën grek nga gjyshja.

“Greqia po rritet” ndërsa zgjeron sovranitetin në 12 milje në detin Jon deklaroi të mërkurën kryeministri grek QiriakosMicotaqis, bën të ditur https://greece.greekreporter.com/ sipas së cilit vendi do t’i zgjerojë ujërat e tij territoriale nga 6 në 12 milje detare në Detin Jon, ndërsa për kryeministrin shqiptar Edi Rama, ky lajm nuk përbën shqetësim pasi është në bazë të Ligjit Ndërkombëtar të Detit. 

“Greqia po rritet,” tha Micotaqis dhe shtoi se një projekt-ligj do të paraqitet në parlamentin grek, i cili do të specifikonte se ujërat territoriale të vendit qysh nga ishujt më të vegjël të veriut të Jonit në Cape Tainaro në Peloponez do të shtrihen në 12 milje detare.  Micotaqis-i theksoi se shtrirja e sovranitetit grek në perëndim është “e drejta jonë e padiskutueshme sovrane, në përputhje me nenin 3-të të Konventës për Ligjin e Detit”.  Greqia po rritet, por në kurriz të kujt po rritet? Në kurriz të Italisë nuk mundet pasi ka nënshkruar marrëveshje me të, atëherë i bien në kurriz të Shqipërisë, por kjo gjë nuk  përbën shqetësim për kryeministrin tonë “patriot” facebook -u.

Marrëveshje të re Shqipëri-Greqi për Detin? Çfarë fsheh Rama ?

“Shtrirja që tha kryeministri grek është krejtësisht korrekte, përgjigjet Rama, është vendimtarja e tyre, nuk ka lidhje çfarë thotë Shqipëria. Shqipëria nuk ka ça të thotë dhe s’ka pse të thotë. Pjesa tjetër është poshtërsi nga fillimi deri në fund e atyre që e bëjnë”, me këtë akuzë sulmoi ai politikisht opozitën.

“Qeveria jonë dhe qeveria greke nuk kanë biseduar asnjëherë dhe nuk kanë këmbyer asnjë opinion për këtë çështje, qyshse në krye të punëve në Greqi ka ardhur zoti Micotaqis. Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për të ashtuquajturin delimitim të ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, i kemi zhvilluar me qeverinë e mëparshme greke dhe marrëveshja nuk është arritur të mbyllet, pavarësisht progresit të konsiderueshëm nga pika zero ku jemi rinisur pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese”, reagoi Rama në Facebook.

Ligji Ndërkombëtar i Detit përcakton që deri në 12 milje detare (22 kilometra; 14 milje) nga bregu, shteti bregdetar është i lirë të përcaktojë ligjet, të rregullojë përdorimin e ujërave dhe nëndetit dhe të përdorë çdo burim. Anijeve u jepet e drejta e kalimit “të pafajshëm” njësoj si nëpër ujërat territoriale. Termi “kalimi i pafajshëm” përcaktohet nga konventa, si kalimi nëpër ujëra në një mënyrë të shpejtë dhe të vazhdueshme, e cila nuk është “paragjykuese për paqen, rendin e mirë ose sigurinë” e shtetit bregdetar. Peshkimi, ndotja, përdorimi i armëve dhe spiunimi nuk janë akte “të pafajshëm”, madje dhe nëndetëseve dhe mjeteve të tjera nënujore u kërkohet të lundrojnë në sipërfaqe dhe të tregojnë flamurin e tyre. Këtë thotë e drejta ndërkombëtarë. Po pse ky vendim grek, pikërisht tani ku acarimi greko turk ka arritur kulmin ? Por siç u pa dhe nga konflikti turko-grek problem nuk janë ujërat deti por shelfi kontinental dhe burimet e naftës e të gazit në të. Pse po nxitohet tani Greqia kur ka pritur të paktën 30 vjet nga Konventa e MontanaBay?

Ndërsa Micotaqis-i u tha deputetëve se: “Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale perëndimore në dymbëdhjetë milje detare nga gjashtë.” Masa e planifikuar nuk ndikon në rajonin e Egjeut në brigjet lindore dhe jugore të Greqisë. Por pse qenka kaq e lehtë në Perëndim dhe, si qysh?  Ndërsa në jug e Lindje e Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Athina në lindje të Greqisë do të ishte një “casusbelli” – ose shkak për luftë.Si ka mundësi që një veprim që është në të Drejtën Ndërkombëtare i drejtë në Perëndim, është shkak për luftë në Lindje?

Ç’thotë Konventa e MontegoBay-it?

Është e  vërtetë që Ligji i Detit lejon shtrirjen e ujërave territoriale me 12 milje, por pse qeveritarët shqiptarë dhe Kryeministri Rama përpiqen të fshehin ekzistencën e një marrëveshje të re? Pse flitet për një të drejtë suigeneris, duke fshehur anën tjetër, sesi do veprohet me detin e brendshëm, për shembull me Kanalin e Korfuzit. Dhe sa pjesë të shelfit kontinental që i takon Shqipërisë, përfiton Greqia nga kjo manovër? Në vendimin që trajton çështjen e zgjerimit me 12 milje është përmendur edhe me nr.86 në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty jepet një propozim, që nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë këtë mund ta bëjë Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit, por si përfundim saktësohet edhe një herë e drejta e një shteti për t’u zgjeruar me 12 milje ekziston. Një zyrtar i diplomacisë së Ramës, njëkohësisht anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë, Glevin Dervishi, i biri i një ish ambasadori në Greqi, ka deklaruar gjithashtu, në mënyrë të papërgjegjshme se “Zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon, nuk ka asgjë e re për Shqipërinë”. Edhe ky, ‘ekspert’, si Micotaqisi dhe si Rama, nuk thotë asgjë lidhur me kontestin kryesor shqiptaro-grek në delitiminin e kufijve. Çështjen e ishujve grekë, të banuar dhe të pabanuar, përballë dheut kontinental të Shqipërisë që ndërhyjnë në hapësirën e territorit detar shqiptar.

Në rastin e Ujërave të Brendshme dhe Detit Territorial përsërisim se sovraniteti i shtetit bregdetar është i plotë dhe shtrihet edhe mbi hapësirën ajrore si dhe shtratin e detit dhe nëntokën e tij, deri në 12 milje detare.

Vija e mesit dhe ishujt e pabanuar

Është e qartë se Gjykata Kushtetuese me 2010 nuk lë asnjë hapësirë për dyzime apo nuk ka asnjë nënkuptim. Duke iu referuar Konventës së MontegoBay, edhe Gjykata Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e parë me arsyetimin se favorizonte grekët në caktimin e kufijve, e ka zhbërë totalisht debatin për zgjerimin e Greqisë me 12 milje. “Atëherë përse shitet një çështje e tillë si fitore në Greqi? Një zgjerim i Greqisë,një shpjegim mund të jetë manovra e politikanëve grekë për ta shuar debatin e brendshëm për marrëveshjen, pasi vetë deklarata e “zgjerimit të kufijve me 12 milje” mjafton për të bërë të heshtë çdo zë kundër. Por nuk përjashtohet as tentativa për ta devijuar debatin nga “problemi” kryesor që evidentoi Gjykata Kushtetuese në 2010. Harta e paraqitur  ku 12 milje detare i janë bashkëngjitur pa marrëveshje vijës së delimitimit detar në kanalin e Korfuzit, “sipas vijës së mesit”, është rrëzuar që në vitin 2010”, pyet koloneli në pension MyslimPashaj.

Ka kritikë, të cilët flasin për një marrëveshje tashmë të përfunduar. Këtë përshtypje ta jep gjithashtu deklarata e kryeministrit të Greqisë. Ka të tjerë, të cilët thonë se projekti i 12 miljeve det për Greqinë qëështë i gatshëm për firmë. Të gjitha këto hamendje, nëse do ishin të tilla, vetëm sa i vërtetoi kryeministri i Rama me statusin e tij në Facebook.

Dhe në këtë rast, na del një Edi Ramë me dy fytyra. Rama opozitar, i cili denoncoi marrëveshjen e qeverisë së demokratëve për vënien e kufirit detar në largësinë e 6 miljeve. Ndërsa sot një Ramë tjetër në pushtet, i cili nuk e ka problem që t’i japë vendit fqinj edhe gjashtë milje të tjera, pra gjithsej 12 milje det, madje dhe pa marrëveshje.

“Deklarata e kryeministrit Grek nuk ka lidhje me marrëveshjen me Shqipërinë. Thekson Edi Rama dhe shton se është marrëzi pasi deklarata plus 6 milje nuk është shtrirje drejt Shqipërisë por është një shtrirje mbi bazën e konventës ndërkombëtare. Askush nuk pyet tjetrin kur ushtron këtë të drejtë. Është një e drejtë që Shqipëria e ka zbatuar në vitin 1990″.

Koloneli i njohur MyslimPashaj, që denoncoi marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në vitin 2009, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar për debatin e nisur në ditët e fundit në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, Pashaj tregon se përse një dëshirë e tillë greke mund të cenojë ujërat territoriale të Shqipërisë. Ai thotë se për ndarjen e kufirit siç u bë në vitin 2009, por edhe tani, në përcaktimin e 12 miljeve nuk duhet të merren mikroishujt shkëmborë të pabanuar. Duke marrë si shembull shkëmbin e Barketës, shumë i diskutuar edhe në vitin 2009, Pashaj thotë se ai nuk mund të merret si pikë për të filluar matjen e 12 miljeve detare që kërkon Athina zyrtare.

Në fjalinë e parë të nenit 15 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit shkruhet:

“Kur brigjet e dy shteteve janë të kundërta ose ngjitur me njëra-tjetrën, asnjëri nga të dy shtetet nuk ka të drejtë, duke mos arritur marrëveshjen midis tyre në të kundërt, të zgjasë detin e tij territorial përtej vijës mesatare, çdo pikë e së cilës është e barabartë nga pikat më të afërta në pikat bazë nga të cilat matet gjerësia e deteve territoriale të secilit prej dy Shteteve. Dispozita e mësipërme nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme për shkak të titullit historik ose rrethanave të tjera të veçanta për të kufizuar detet territoriale të dy shteteve në një mënyrë që është në ndryshim prej tyre.”.

Nënjë rast analog në Ballkan kjo mosmarrëveshje është në qendër te diskutimeve me Kroacisë dhe SllovenisëpërDetin e Perinit. Ndërsa Kroacia pretendon se kufiri duhet të jetë një distancë e barabartë nga secili breg. Pretendimet sllovene bazohen në të njëjtin artikull. Sidoqoftë, ajo favorizon fjalinë e dytë, e cila përcakton se pretendimet historike ose rrethana të tjera të pazakonta e zëvendësojnë rregullin e barazisë.

Ligji i Detit gjithashtu përcakton se ujërat ndërkombëtare fillojnë 12 milje detare (22 km; 14 mi) nga bregu i vendit. Konventa thotë se një shtet bregdetar ka një të drejtë ekskluzive për të menaxhuar të gjitha burimet natyrore në një bandë deri në 200 milje detare (370 km; 230 mi) nga bregu i saj (një “zonë ekskluzive ekonomike”.

Sipas kërkesave të barazisë,siç rezulton nga nenet 74 dhe 83 të Konventës për Ligjin e Detit “ishujt e pabanuar dhe pa jetë ekonomike në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojnë në asgjësimin e hapësirave detare që i përkasin brigjeve kryesore tokësore të shteteve bregdetare”.

Si Greqia avitet merr mesin e Ngushticëssë Otrantos

Për shembull, Shqipëria ka përballë një ishull thuajse të pabanuar si Othonoi, i cili nëse merr fuqi të plotë për ujërat territoriale duke i zgjeruar ato në 12 milje rrezikon, nga një anë, mbivendosjen në verilindje me ujërat territorialë shqiptarë, dhe, nga ana tjetër, me zgjerim në drejtim të Italisë, ndikon negativisht në zonën ekskluzive ekonomike që i takon Shqipërisë në veri të Detit Jon, duke i dhënë Greqisë edhe qasje në Kanalin e Otrantos, që deri sot ka qenë i trajtuar midis Shqipërisë dhe Italisë. “Duhet sqaruar publikisht dhe zyrtarisht, ndër të tjera, se cila është vija bazë e drejtë e bregdetit shqiptar me të cilën ka hyrë në negociata pala shqiptare dhe cili është statusi i gjirit të Sarandës në këto negociata, që mos të përfundojmë sërish duke humbur territor si në marrëveshjen e vitit 2009”, pyeste në një artikull Lëvizja Vetëvendosje.

Ndarja “sipas vijës së mesit”, e përzgjedhur qorrazi herën e parë nga shqiptarët, lejoi “pushtimin” në kufirin e 22,22 km nga ishulli Othonoi, pa marrë parasysh rrethanat gjeografike. Othonoi (Greqisht: Οθωνοί, oseOthoni, Italisht: Fanò) është një ishull i vogël Grek në Detin Jon, që ndodhet në veriperëndim të Korfuzit, dhe është pika më perëndimore e Greqisë. Othonoi është më i madhi i Ishujve të Diapontias  është pjesë e komunës së Korfuzit, nga e cila është një njësi bashkiake prej 10.078 km2 me 392 banorë.

Unë i kam bërë zë opinionit shqiptar thotëkol. Pashaj “nëse di gjë ai, se kujt shteti i përket Cektina shkëmbore e Pleshtit (Barketës) tanimë të njohur, Greqisë apo Shqipërisë? Askush nuk përgjigjet”.  Pra elementi historik që përmendet në Konventë nuk është me vend këtu. Ndërsa kryeministri ynë u shpreh se “Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare”. Mjafton kjo fjali për të kuptuar falsitetin dhe mashtrimin e zotit Rama.

Nëse Greqia nuk gllabëron ujërat territoriale shqiptare të Jonit, cilat ujëra të gllabëron ajo, të Italisë?

Sepse vetëm Shqipëria dhe Italia ndajnë detin Jon me Greqinë. Duhet të jesh naiv të besosh se Greqia do të zgjerohet në hapësirën detare në drejtim të Italisë, me të cilën tashmë e ka mbyllur marrëveshjen e Detit. Atëherë duhet thënë se Micotaqis i referohet Shqipërisë ndaj dhe vjen tani në Tiranë ministri i Jashtëm grek, NikosDendias. Çfarë na e fsheh Rama? Madje ishte po ky Dendias, që e quante Ramën grek nga gjyshja?

As Rama, asnjë në hierarkinë e shtetit nuk e tha një fjalë për të sqaruar negociatën, por një diplomat i ri i cili tha prerazi se nuk ka negociatë! Madje dhe Turqia e pat paralajmëruar Shqipërinë për arsye që duhet të mos pranojë marrëveshjen, pasi grekët gënjejnë. Si është e mundur?! Për shembull z. Cakaj të na thoshte se në bisedime është pranuar “Vija e Mesme” apo “EquitableSolution”, po efekti i ishujve dhe cektinave detare pse s’përmendet?

Ndërkohë deklarata e Micotaqis thotë shumë në këtë drejtim. Vendosmëria dhe bindja e tij është se kufiri detar grek do të shtrihet 12 milje në detin Jon dhe njëkohësisht, na bën me dije se Shqipëria nuk do të ketë as dy milje det në jug të vendit.

Ish kryeministri Zoti Berisha,  i cili qe hartues i ligjit të parë të bllokuar nga Gjykata Kushtetuese thotë në Facebook se me “zgjerimin nga 6 në 12 milje të kufirit detar nga Greqia, Shqipëria humbet vetëm në territor, pothuaj aq sa pushton det kalimi nga 6 në 12 milje. Për ata të cilët duan të dinë të vërtetën, Shqipëria e cila ta zëmë në një distance 18 km midis dy vendeve do të kishte të vetat 12 milje, tani do të ketë vetëm 9 milje dhe kjo humbje vazhdon gjer në distancën 12 milje. Në tërësi, po të kemi parasysh hapësirën e kufizuar të saj në detin Jon, Shqipëria humbet qindra e qindra km nga territori i saj aktual detar. Ky vendim – thekson më tej zoti Berisha – nuk ka asnjë implikim për zonat si Kanali i Korfuzit në vendet ku distanca është 12 milje e më pak. Kjo sepse në këtë rast, secili vend do marrë nga 6 milje ose barabarësisht më pak”.

Ndërkaq Edi Rama flet, por nuk sqaron, nuk jep përgjigje për thelbin e debatit, thjesht hedh akuza kundër opozitës dhe kritikëve të tij, sikur të ishin këta që bisedojnë me Athinën e jo vetë kryeministri shqiptar, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme! Të mos tregosh diçka apo të fshehësh diçka me qëllim është njësoj si të gënjesh.

Gjeopolitika në fund të fundit është studimi i ekuilibrit midis opsioneve dhe kufizimeve. Gjeografia e një vendi përcakton në një pjesë të madhe se çfarë dobësish përballen dhe çfarë mjetesh ke në dorë si vend. Vërtet Shqipëria nuk mund të pengojë Greqinë të shpallë shtrirjen e saj në Detin Jon në 12 milje, si e drejtë ndërkombëtare, por mundet dhe duhet ta pengojëatëtëfitojënë kurriz të kombit tonë,duke përdorur vetë Konventën dhe ligin 15 të saj.  Dhe gjeografia e vendit tonë na ndihmon nëkëtë drejtim. Boll na kanë marrë toka vendet fqinjë. Deti duhet të ndarë me drejtësi.  Pasi në ndodhtë ndryshe, qoftë dhe nga padija apo mendjemadhësia  s’do ketë det ta lajë tradhtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafael Floqi, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT