• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZILIA DHE URREJTJA – TIPARE TË SHQIPTARËVE TË POLITIZUAR

October 12, 2020 by dgreca

ZILIA DHE URREJTJA – TIPARE TË SHQIPTARËVETË POLITIZUAR, DUHEN SHËRUAR SA MË SHPEJT-

Ese nga Thanas L. Gjika-Ne shqiptarët midis popujve europianë jemi dalluar për disa veti të mira të ngjizura gjatë shekujve si trimëria, guximi, mikpritja, mbajtja e fjalës së dhënë, mëshirimi i të dobëtit, dhënia e ndihmës ndaj atij që ka nevojë, dashuria për dije dhe liri, etj. Mishërimi i të tilla vetive bëri që gjatë shekujve të delnin prej popullit tonë burra trima si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Mic Sokoli, Çerçiz Topulli, dijetarë si Pjetër Bogdani, Sami Frashëri, Hoxhe Tahsini, shenjtorë si Shën Jeronimi, Papa Albani (Papa Clement i XI), Shën Nënë Tereza, etj. 

          Ndërkohë nuk duhet të lemë pa përmendur se këtyre vetive të mira gjatë shekujve XVIII-XX pushtuesit e huaj turq, qarqet shoviniste fqinjë dhe sundimi komunist u përpoqën dhe ia dolën të ngulitnin në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve dhe disa karakteristika të këqia si zilia ndaj më të aftit e më të pasurit dhe urrejtja ndaj atij që nuk mendon si ne.

          Pushtuesit turq, për ta sunduar më kollaj popullin tonë, pasi e konvertuan gati 60-70 % në mysliman, u përpoqën të mbillnin urrejtjen midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Propagandës për ngjallje të urrejtjes midis shqiptarëve me besime të ndryshme i shërbyen edhe propagandat shoviniste greke, serbe e malazaze pasi u krijuan këto shtete të pavarur para nesh. Rilindasit tanë iu kundërvunë këtyre propagandave antishqiptare dhe arritën të krijonin një farë mirëkuptimi midis shqiptarëve të të dy besimeve. Si pasojë u arrit në një shkallë të nevojshme uniteti i popullit, u kryen kryengritjet e mëdha të përbashkëta kundër pushtuesit aziatik derisa u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. 

          Në Shqipërinë e cunguar, Shqipërinë Londineze, gjatë viteve të Mbretërisë martesa e Mbretit Zogu i I me princeshën e krishtere Geraldina Ponti ndikoi për fillimin e martesave midis shqiptarëve të rinj nga besime të ndryshme fetare dhe emërimin e fëmijëve të familjeve me origjinë myslimane me emra të ndryshëm me kuptim shqip dhe jo me emra tipikë myslimanë. Kjo prirje u forcua gjatë viteve pasardhës 1939-1990 dhe vijon edhe sot. 

          Mirëpo, ndërsa urrejtja fetare midis shqiptarëve të Shqipërisë Londineze gjatë sundimit të Partisë Komuniste / Partisë së Punës, u zbut dhe po kalonte drejt shuarjes, një tjetër urrejtje u ushqye prej partisë shtet, urrejtja klasore. Gjatë 47 viteve të sundimit të diktaturës komuniste partia shtet ushtroi në popullin shqiptar një dhunë e terror të ashpër për ta kthyer atë në popull plotësisht të nënshtruar dhe pa frymë kritike. Të tillë u bënë pjesa dërmuese e anëtarëve të Partisë Komuniste, që më vonë u quajt Partia e Punës dhe punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, bashkë me ata informatorë të Sigurimit, që hynin me dëshirën e tyre në atë shërbim. 

          Këta njerëz zakonisht ishin nga shtresat e varfra të popullit dhe e morën me qejf indoktrinimin që u serviri partia shtet përmes programeve mësimore në shkolla dhe propagandës me anën e shtypit, radio-televizionit, letërsisë, artit, etj. Këta shqiptarë të edukuar me mësimet e partisë mendonin se njerëzit e pasur e kishin vënë pasurinë jo me punë po thjesht duke shfrytëzuar populli, dhe se për interesat e tyre ekonomike e pasanikët e shisnin dhe atdheun. Kështu ngulitën në ndërgjegjen e tyre urrejtjen ndaj borgjezisë e mikroborgjezisë shqiptare. Ata harruan se këto shtresa kishin luajtur rolin kryesor për zgjimin dhe çlirimin kombëtar, për ngritjen kulturore dhe ekonomike të vendit, etj.

          Përmes luftës së klasave, urrejtjes ndaj të pasurve iu shtua dhe urrejtja ndaj atyre që mendonin ndryshe, të cilët partia shtet i shpallte “armiq të atdheut e të partisë” dhe i burgoste, ose i izolonte në fshatra internimi dhe e detyronte popullin të mos mbate lidhje me ta. Kështu te pjesa besnike e partisë shtet u mboll urrejtja ndaj atyre që partia i konsideronte kundërshtarë. Kjo urrejtje u bë pjesë e karakterit të këtyre njerëzve që nuk mendonin me kokën e vet, por ishin kthyer në robotë. 

          Shoqëria shqiptare u transformua në një shoqëri të sëmurë. Shqiptarët e atdheut mëmë vuanin si gjithë shqiptarët e tjerë dhe gjithë popujt e botës nga ndjenja e zilisë, e cila është një dobësi njerëzore që ka njeriu ndaj më të aftit e më të pasurit, por besnikëve dhe shërbëtorëve të partisë shtet iu shtua edhe ndjenja e urrejtjes klasore ndaj të pasurve dhe ndaj atyre që i shpallte partia shtet “armiq e tradhëtarë”. Ariti puna sa këta njerëz pa kërkuar sqarime e dokumente e urrenin një person ose familje menjëherë pasi e shpallte pushteti (diktatori, ose organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme) “armik e tradhëtar” edhe pse deri dje e kishin respektuar si qytetar e pushtetar të nderuar si e kishte respektuar vetë partia e pushteti. Nga frika pas kësaj psikologjie ecte dhe shumica e popullit.

          Fatkeqësisht bindja e verbër ndaj vendimeve të pushtetarëve, kjo mendësi e sëmurë nuk po luftohet as sot, sepse partitë kryesore politike PS-ja, PD-ja, LSI-ja PR-ja janë pjella të drejtpërdrejta të PPSh-së, që e kultivoi këtë sëmundje për ta përçarë e sunduar popullin më lehtë. Kjo mendësi e sëmurë që ka karakterizuar e karakterizon popullin tonë këto 76 vjet, ka dhe aspektin tjetër të saj, pasionin e tepruar të politikanëve për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Këto dy aspekte përbëjnë atë që mund ta quajmë enverizëm, sëmundje prej së cilës duhet të shërohemi sepse ndyshe nuk mund të ecim drejt Europës..

          Po të lexosh me vëmendje shtypin e Shqipërisë Londineze të bie në sy, sidomos te komentet e shkrimeve, një tifozllëk i sëmurë midis shkruesve ku manifestohen me partishmëri të zjarrtë urrejtja ndaj artikullshkruesve ose komentatorëve që mbështesin ide dhe mendime kundërshtare. Kjo partishmëri e zjarrtë është e zhvilluar te shumica e atyre shqiptarëve që kanë qenë aktivizuar me dëshirën e tyre si informatorë të Sigurimit, ose kanë qenë anëtarë besnikë të Partisë Komuniste / PPSh-së, e tani janë anëtarë ose simpatizantë të PS-së, PD-së, LSI-së, PR-së, etj. Këtë tipar negativ e manifestojnë edhe shumë bij të këtyre shqiptarëve, të cilët e kanë marrë drogën e enverizmit prej prindërve të tyre, ose ua ushqejnë interesat e sotme politike dhe ekonomike.

          Zgjedhjet e prillit 2021 po afrojnë. Populli shqiptar duhet të zgjohet nga droga komuniste. Ai e pa konkretisht gjatë viteve 1992-2020 se duke pasur në krye një klasë politike ku shumica kanë qenë komunistë e ish-sigurimsa si Skënder Gjinushi, Sali Berisha, Kastriot Islami, Gramoz Ruçi, etj, ose bij besnikë të baballarëve të tyre si Edi Rama me shokë, nuk e ndertoi dot demokracinë si estonezët, lituanezët, polakët, cekët, hungarezët, rumunët etj. Populli shqiptar i Shqipërisë nuk duhet të votojë më të tillë kandidatë për deputetë e pushtetarë. Edhe brenda partive politike duhet të kryhet një luftë për mënjanimin nga kryesitë e partive PS, LSI, PD, PR të elementëve të lidhur me PPSh-në dhe Sigurimin e vjetër të kohës së diktaturës. 

          Fatmirësisht shqiptarët e përtej kufirit shtetëror që jetojnë në Ballkanin Perëndimor nuk manifestojnë njësoj si ne zilinë ndaj më të diturit e më të pasurit dhe nuk urrejnë aq shumë ata që mendojnë ndryshe. Lufta për çlirimin nga këto vese të shqiptarëve të sëmurë nga droga komuniste, të cilët përbëjnë mbi 50 % të popullit shqiptar brenda Shqipërisë, duhet marrë seriozisht, sepse vetëm largimi nga ndërgjegja jonë e zilisë dhe urrejtjes për njëri tjetrin do të na forcojë si komb, do të na ndihmojë të shkojmë drejt Europës së Bashkuar dhe krijimit të shtetit kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shqiptaret e Politizuar, Thanas L Gjika, urrejtja, Zilija

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT