• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT, SA SHUMË VULLNETARË PËR LIRI

November 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Dr. Hasan Ademaj/ New York/

Shpesh, gjatë kohës së lirë më është bërë zakon t’u kthehem librave e materialve të tjera që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare të viteve 90-të, si, fjala vjen përshkrimeve të betejave të ndryshme, dëshmive të ish-luftëtarëve të atëhershëm tek përshkruajnë akte heroike të shokëve të tyre, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, por edhe qëndrime burrërore të njerëzve të thjeshtë të cilët sfidonin terrorin e pushtuesit serb, pa i u dridhur qerpiku. Një ditë, ndërsa isha duke shikuar një emision televiziv, kushtuar vëllait tim, Vezir Ademaj,  i cili braktisi perëndimin e begatë për t’u radhitur në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mendjen time m’u bë një listë jo e shkurtër me emra të rinjsh të cilët kishin bërë të njejtën gjë. Dhe, me të vërtetë, vetë UÇK që në embrionin e saj, nuk ishte tjetër veçse një produkt vullnetarësh, të cilët, mbi të gjitha vunë idealin e lirisë, të çlirimit të vendit nga pushtuesi serb, ideal për të cilin kishin luftuar edhe paraardhësit e tyre. Askush nuk i u bashkua radhëve të UÇK-së si pasojë e ndonjë urdhëri të ndonjë grupimi politik apo të çfardo karakteri tjetër, askush nuk mori armët për të nxjerrë ndonjë përfitim personal e aq më pak për të synuar ndonjë post a privilegj tjetër pas çlirimit nga kthetrat e Serbisë.Ashtu si vëllai im,  një pjesë jo e vogël e luftëtarëve të saj i përkasin asaj kategorie që braktisën perëndimin me të mirat dhe privilegjet që kishin atje për t’u vënë totalisht në shërbim të luftës për liri. Jo pak prej tyre, do të bënin sakrificën më sublime duke dhënë jetën  e tyre të re për  kauzën e shenjtë të lirisë ose falë vetmohimit tëe treguar në beteja do të bëheshin udhëheqës kryesorë të formacioneve të UÇK. Por, nuk ishte vetëm kjo; radhët e UÇK-së do të mbusheshin dhe me vullnetarë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, në radhë të parë dhe nga vendi amë Shqipëria. Përsa i përket kësaj, është mjaft domethënës fakti se ndër 2260 dëshmorë, 68 ishin vetëm dëshmorë dhe martirë nga Shqipëria. Një faqe të shkëlqyer që do të linte gjurmë të pashlyeshme do të shkruanin vullnetarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkuadruar në Batalionin “Atlantiku” disa prej të cilëve do të radhiteshin në listën e dëshmorëve të luftës. Kështu, duke hulumtuar për këtë dukuri të “vullnetarizmit” që karakterizoi luftën e viteve 90-të, ndoshta dhe për faktin që mbijetesa e kombit shqiptar, brez pas brezi,  është e lidhur me beteja të vazhdueshme për liri, dashje pa dashje filluan të më kujtoheshin shumë gjëra nga ato që kisha lexuar nga historia e luftrave të shumta të shqiptarëve falë të cilave ata do të siguronin mbijetesën e tyre.

 

Duke i hedhur një sy periudhave të ndryshme të historisë së kombit shqiptar, në çdo moment të rëndësishëm e vendimtar, veçanërisht,  kur kanë qenë në lojë fatet e kombit , mund të gjesh shembuj të panumërt kur shqiptarë nga treva të ndryshme kanë braktisur gjithçka duke u vënë në dispozicion të çeshtjes kombëtare, për t’u ndodhur aty ku ndaheshin fatet e kombit, ku vendosej e ardhmja e tij, apo ishte e kërcënuar nga  rreziqe, të cilët nuk kanë qenë të paktë. Ishte mëse e natyrshme, që, në mungesë të një shteti të tyrin, e vetmja gjë e cila u kishte mbetur shqiptarëve, për të mbrojtur trojet ku jetonin e punonin,ishin organizimet në baza vullnetare. Vullnetarë ishin ata të cilët në kuadër të Lidhjes së Prizrenit do t’i bënin një rezistencë të pashembëllt ushtrive osmane të cilat kishin si qëllim të nënshtronin “shqiptarët e pabindur” që duke hedhur poshtë vendimet e Kongresit të Berlinit u ngritën në mbrojtje të trojeve, të cilat, fuqitë e mëdha kishin vendosur t’u a jepnin fqinjëve. Më vonë, kjo gatishmëri për të dalë vullnetarë do të shpalosej në çdo moment, sa herë të lëshohej kushtrimi për të mbrojtur trojet  në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët, pasi dihet që teritore të tëra shqiptare ishin bërë objekt pazaresh ndërmjet fuqive të mëdha të cilat në kuadër të kontrasteve për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin që po çlirohej nga pushtimi disa shekullor otoman po synonin që  ta arrinin këtë duke zgjeruar shtetet e sapokrijuara duke u dhuruar troje shqiptare. Në këtë mënyrë, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë ato nxisnin shtetet në fjalë që të aneksonin territoret historikisht shqiptare. Në rrethana të tilla, shqiptarëve, të lënë në mëshirën e fatit, u është dashur t’i dalin zot vetes duke u përballur me ushtritë e organizuara të fqinjëve, që kishin dhe mbështetjen e fuqive të mëdha. Kështu, vullnetarët shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini, gjatë luftës greko-turke, do të merrnin pjesë në frontin e Thesalisë, sigurisht, jo për të mbajtur gjallë “të sëmurin e Bosforit”, por, me qëllim mbrojtjen e tokave shqiptare nga grekët. Edhe në veri, të organizuar po vullnetarisht, nën drejtimin e prijësave të tyre, shqiptarët do të kundërshtonin përpjekjet e vazhdueshme të serbëve për të depërtuar në teritorin e Kosovës. Gjithashtu dhe kryengritjet e viteve 1910-1912, të cilat e tronditën pushtetin e sunduesit turk duke e shtrënguar të ulet në bisedime me shqiptarët ishin të organizuara në baza krejtësisht vullnetare sipas parimit të njohur shqiptar “sa pushkë do të nxjerrë filan fshat apo filan krahinë…”. Shpërthimi i luftrave ballkanike, në një kohë që Turqia ishte në gjendje agonie, bëri që vetë shqiptarët  të ngriheshin në mbrojtje të vendit të tyre duke  organizuar një qëndrese vullnetare përballë ushtrive të rregullta të vendeve fqinje, të cilat i u vërsulën trojeve shqiptare si të ishin një mall pa zot. Kështu, në mesin e tetorit të vitit 1912 ushtria e rregullt serbe në radhët e së cilës numëroheshin rreth 260 mijë ushtarë, do të sulmonte nga tre drejtime teritorin shqiptar. Në kohën që Turqia u gjend krejt e papërgatitur për luftë, mbrojtja mbeti plotësisht në duart e formacioneve vullnetare shqiptare. Edhe armët e premtuara nga shteti turk nuk i u dërguan asnjëherë vullnetarëve shqiptarë. Megjithatë, kjo ushtri vullnetare shqiptare do të zhvillonte beteja të ashpra duke u shkaktuar humbje të paparashikueshme armatave serbe. Duke qenë se ushtria turke kishte braktisur frontin një ditë para se të fillonin luftimet ishin forcat e vullnetarëve shqiptare të Kosovës, nën udhëheqjen e figurave të tilla si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri…  ato të cilat mbajtën vijën e gjatë të frontit.

Lufta e Vlorës është një tjetër ngjarje historike ku spikat edhe njëherë gatishmëria e shqiptarëve për t’u organizuar vullnetarisht në një luftë të pabarabartë me ushtrinë italiane e cila mbante të okupuar qytetin e Vlorës dhe disa zona përreth. Nga të gjithë qytetet e Shqipërisë do të dilnin vullnetarë të shumtë për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës në mbështetje të vëllezërve vlonjatë. Mjafton të përmendet fakti që edhe një qytet i  vogël si Kavaja arriti të krijonte një batalion prej 400 vullnetarësh i cili mori pjesë aktivisht duke u shquar në betejat me italianët. Por në luftën e Vlorës do të kishte vullnetarë edhe nga radhët e shqiptarëve të cilët kishin emigruar në vende të ndryshme kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në pranverë të vitit 1920 do të hidhej ideja e dërgimit të vullnetarëve që do të shkonin në Shqipëri në mbështetje të çështjes kombëtare duke filluar me Luftën e Vlorës. Sipas dokumentave 200 shqiptarë të cilët dhe kishin filluar të stërviteshin shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Ata udhëhiqeshin nga Aqif Përmeti. Jo vetëm kaq, po Organizata “Vatra” vendosi të dërgonte në Shqipëri edhe bandën e saj muzikore nën drejtimin e Thoma Nassit.

Ende pa mbaruar Lufta e Vlorës Shkodra do të gjendej e kërcënuar. Beogradi dhe Çetinja kishin planifikuar me kohë të pushtonin Shkodrën pavarësisht se në Konferencën e Paqës në Paris kishin njohur shtetin shqiptar dhe kufijtë e tij. Me tu lëshuar kushtrimi rreth 200 vullnetarë nga Shkodra do t’u bashkoheshin dy kompanive të xhandarmërisë të komanduara nga minstri i brendshëm 25-vjeçar, Ahmet Zogu dhe sapo ushtria italiane do të largohej nga Vlora mbi 300 vullnetarë nga pjesë të tjera të Shqipërisë do të mbërrinin në brigjet e Bunës të gatshëm për të kaluar në veprime luftarake. Ndërkohë, sipas shtypit të kohës, 200 luftëtarë nga Gjakova e Prizreni ishin rreshtuar përkrah vullnetarëve shkodranë kurse 260 vullnetarë të tjerë nga Kosova ndodheshin të dislokuar në Shkodër në pritje për t’u nisur në frontin e luftimeve. Një rast i veçantë është edhe ai i personalitetit arbëresh, Terenc Toçi, i cili, vullnetarisht, do të vendosej në Shqipëri që në vitin 1911 me qëllimin për të krijuar një qeveri të përkohshme gjë të cilën edhe e arriti me përkrahjen e disa prej krerëve të Veriut. Para se të vinte në Shqipëri, Terenc Toçi kishte qenë në Amerikë në përpjekje për të sensibilizuar komunitetin e atjeshëm në mbledhjen e fondeve për organizimin e luftës në Shqipëri si dhe për të tërhequr vemendjen e perëndimit lidhur me çeshtjen shqiptare. Duke qenë se dhe unë nuk jam një historian i mirëfilltë, është e kuptueshme që shembujt e përmendur më sipër janë vetëm një pjesë shumë e vogël e morisë së madhe që ofron historia e kombit shqiptar lidhur me këtë aspekt. Por nga ana tjetër, më shqetëson fakti i pamohueshëm që ne shqiptarët kemi mangësi të konsiderueshme për të evidentuar jo vetëm ndjenjën e “vullnetarizmit” nëse do ta quaja kështu, por edhe shumë cilësi pozitive e vlera që kemi si komb në përgjithësi. Kështu, në muzeumet tona mund të gjesh shumë pak materiale, dokumente e objekte të tjerë me të cilat mund të ilustrohet konkretisht gatishmëria e treguar historikisht nga shqiptarët për nisma vullnetare në mbrojtje të interesave të atdheut e kombit. E njejta gjë mund të thuhet dhe për ata që merren me historinë, të cilët shpesh përqëndrojnë gjithçka rreth rolit të ndonjë individi duke injoruar të tjerët më saktë kontributin e këtyre. Jo rrallë ka ndodhur që edhe heronjtë tanë i kanë respektuar më shumë të huajt se sa ne vetë. Dhe pastaj ankohemi se “po këta heronj” po na i vjedhin të tjerët. Fakti që në qendër të Shkupit i ndërtojnë një monument madhështor Nënë Terezës, ndërsa në Tiranë janë munduar ta përjetësojnë me një statujë “lilipute”, në një shesh sekondar, flet shumë në këtë aspekt. Madje dhe nga lufta e UÇK-së e cila shërbeu si zanafillë për këtë shkrim, nuk mungojnë shembujt e nënvleftësimit të herojve. Heroi Bekim Berisha i cili dha jetën në betejën për mbojtjen e Junikut në vitin 1998 mund të thuhet se më shumë është nderuar në Kroaci, ku dhe atje u shqua në luftime të ashpra siç ishte Vukovari se sa në Kosovë. Presidenti kroat, Tugjman ndërsa bëri që kroatët të mbanin zi ditën e rënies së do të shprehej se “ Bekim Berisha është një hero, me të cilin duhet të krenohen Kosova dhe Kroacia” ndërsa me kohë i kishte dhënë dhe gradën e lartë të gjeneralit të ushtrisë kroate. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq kur përballesh me mungesën e kujdesit por edhe të përgjegjësisë që kemi në shqiptarët për të ngritur heronjtë, figurat e personalitetet tanë si dhe për të ruajtur objekte historike që kanë të bëjnë me ngjarje të rëndësishme historike. Siç duket nuk e marrim aspak në konsideratë rëndësinë që kanë gjëra të tilla në edukimin e brezit të ri me ndjenja kombëtare. Gjithashtu, nuk ka si të mos indinjohesh kur shikon që përballë interesash fare banale sakrifikohen materiale, dokumenta e objekte me rëndësi historike dhe pastaj studiuesit tanë detyrohen të gërmojnë në arkivat e vendeve fqinje.(Dielli, numer special 28 nentor 2013)

* Ne Foto, luftetaret e Batalionit Atlantiku, nga Amerika shkuan ne Kosove per ta cliruar nga pushtuesi serb

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Hasan Ademaj, per Liri, sa shume vullnetare, shqiptaret

SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË KËTË PËRVJETOR

November 23, 2013 by dgreca

“…që sot Shqipëria të bëhet e lirë, më vete dhe e mosvarme.”- (Ismail Qemali)

 Shkruan: AFRORE SHAIPI/

 Këto fjalë të datës 28 nëntor 1912 ishin fjalët që rrotulluan fatin e shqiptarëve dhe shënuan kthesë në historinë tonë. Këto fjalë e lindën Shqipërinë. Ato simbolizuan më së miri kulmin e përpjekjeve shekullore të tërë aty burrave e femrave, trimave e heronjëve, që e deshën Shqipërinë më tepër se veten, luftuan me mish e me shpirt për të mbrojtur kulturën dhe dinjitetin kombëtar. Duke ngritur në piedestal veprat e tyre, ne sot u jemi thellësisht mirënjohës po këtyre heronjëve të lirisë, të cilët të frymëzuar nga Skenderbeu vazhduan dhe rritën edhe më tej ndjenjën e atdhedashurisë. Me përkulje ndaj bëmave të tyre, ne sot u themi faleminderit të gjithë rilindasve, vizonarë dhe largpamës, anëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, të Kongresit të Manastirit e deri tek Ismail Qemal Vlora, Hasan Prishtina e intelektualët tjerë, që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë, aktin më të rëndësishëm të kombit.

Shqipëria lindi më 1912! Lindi në një kohë trazirash dhe lindja e saj nuk e gëzoi askënd tjetër përpos popullit të vet. Pikërisht atëherë kur ky shtet i porsalindur ishte i brishtë, i dobët dhe i pambrojtur, atëherë kur kishte më së shumti nevojë për përkrahje dhe ndihmë, nuk gjeti askund! Kërkoi mbështetje, por mbështetje askush s’i dha! As fqinjët. As fuqitë e mëdha madje s’e ndihmuan. Për më tepër ato shkuan edhe më tej… Ende pa mbushur një vit, Shqipërinë e bënë copash, ia shpërndan tokat e tyre fqinjëve, e përdorën më tepër si pazar në traktate të ndryshme, pa pyetur vullnetin e popullit vendas shqiptar. Padrejtësia më e madhe ndaj kombit tonë u zyrtarizua para plot një shekulli, pikërisht më 1913, në Konferencën e Londrës, ku shqiptarët i ndanë në 5 shtete. Një gabim që historia e ruajti për plot një shekull dhe po e vuajmë të gjithë edhe sot e kësaj dite.

Shqipëria, e mbetur kaq e vogël gjeografikisht, pa Kosovën, Preshevën, Shkupin, Tetovën, Çamërinë, Janinën…pa gati gjysmën e vet, vendosi të ecë tutje. Me aq mundësi sa kishte. Me aq forcë që i kishte mbetur.

E kështu rodhën pastaj ngjarje të mëdha si Lufta I Botërore, Mbretëria e Ahmet Zogut – të vetmit mbret shqiptar, Lufta II Botërore, regjimi komunist i Enver Hoxhës, vitet ’90 kur u vendos sistemi demokratik e deri tek Shqipëria e ditëve të sotme. Një rrugëtim 101 vjeçar, gjatë të cilit Shqipëria u transformua, i rezistoi kohrave të ndryshme, sfidoi sisteme dhe përballoi ngjarje të mëdha! Bëri më shumë se një shekull jetë! Bëri më shumë se një shekull histori! Shqipëria pa, përjetoi e mësoi shumëçka nga e kaluara e vet.

Por tani, çfarë çmojmë më shumë gjatë historisë 101 vjeçare të shtetit?

Shqiptarët, jo vetëm ata të Shqipërisë por edhe përtej kufijve të saj, sot mburren për ato virtyte e vlera që ditën t’i mbrojnë aq mirë ndër vite. Vlera që mundohen t’i ruajnë edhe sot me krenari, si një imazh i veçantë i këtij shteti dhe kombi.

Shqiptarët gjithmonë janë karakterizuar me një tolerancë fetare të mrekullueshme. Nuk është se e themi vetëm ne, këtë e kanë dëshmuar edhe të tjerët. Gjithkush që ka qenë ndonjëherë në Shqipëri, është impresionuar nga bashkëjetesa fetare që kanë gjetur këtu. Myslimanë, katolikë e ortodoks, të gjithë së bashku kanë jetuar në harmoni me njëri tjetrin, sepse kanë qenë të vetëdijshëm se para se të jenë myslimanë apo katolikë apo ortodoks, ata në radhë të parë janë shqiptarë.

Shqiptarët gjithmonë janë shquar për mikpritjen bujare, ndjenjën e humanizmit dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar atyre që kanë nevojë. Kjo u dëshmua edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur populli i Shqipërisë i hapi dyert qindra hebrenjve të arratisur. Edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun që barte në atë kohë strehimi i tyre, ata zgjodhën të mbronin drejtësinë. Ata shfaqën zemërgjersinë e tyre! Vitet kaluan, por virtyti mbeti i njejtë. Më 1999, kur forcat policore dhe ushtria serbe, kishin dëbuar mizorisht mijëra kosovarë nga trojet e tyre, pasi kishin ushtruar mbi ta dhunë, gjenocid e masakra të tmerrshme, Shqipëria dhe shqiptarët jashtë saj, në Preshevë e Maqedoni i hapën dyert për bashkëkombasit e vet. Duke i ndihmuar atyre, ata shprehën vëllazërinë në mes vete dhe bëri të kuptohej se shqiptarët edhe pse të ndarë, janë një komb e kanë një gjuhë.

Por sot, ky përvjetor pavarësie si i gjen shqiptarët? I gjen ashtu të ndarë si para një shekulli! Por kanë kaluar shumë vite dhe kohët kanë ndryshuar. Sistemet kanë ndërruar dhe bota sot, pjesa më e madhe e saj, jeton në demokraci. Sot kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut, qytetarëve e minoriteteve. Por sa respektohen të drejtat e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë: në Greqi, publikisht bëhen thirrje antishqiptare, në Maqedoni shqiptarët edhe pse bashkqeverisës kanë probleme të thella me zyrtarizimin e gjuhës, e ashtu si edhe në Mal të Zi të rinjtë shqiptarë rrihen rrugëve vetëm për motive etnike.

Ndërkaq ne, preshevarët, tashmë e kanë kuptuar edhe të tjerët se, ne përfaqësojmë popullatën më të diskriminuar në Ballkan.Jetojmë pa të drejta. Pa asnjë simbol kombëtar. As flamur. Një lapidar të heronjve kishim, edhe atë na hoqën. Bile na e hoqën me forcë! Erdhën me dhjetëra tanke e qindra xhandarë për ta rrënuar këtë monument, për ta bërë një “spektakël” dhune ndaj qytetarëve të pambrojtur. Është sikur duan të na heqin identitetin, të zhdukin gjuhën, të na mohojnë origjinën e të fshijnë dëshmitë e popullit autokton. As të arsimohemi nuk na lënë. Na marrin librat nga dora, duke na drejtuar armët e xhandarëve. Padrejtësi dhe diskriminim më të madh nuk besoj që ka! Në shekullin e sotëm ky është krim! Por ja që koha, me sa duket, nuk ka ecur për të gjithë. Në Preshevë sot ndodh ajo që ka ndodhur në Romë në shekullin VII, kur ka ekzistuar “ndalimi i kujtesës” – nëpërmjet shkatërrimit të përmendoreve, ndryshimit të emrit, ndryshimit të programeve shkollore – e kështu popullit iu është hequr e drejta për të kujtuar. Dëshmi e gjallë për këtë, sot është Presheva. Ajo është pasqyrë e një vendi pa përspektivë, i lënë pas dore, i harruar nga të tjerët dhe detyrohet që ngadalë- ngadalë e qetë- qetë të boshatiset.

E Kosova? Kosova sot është e pavarur. Ka 5 vjetë që është bërë republikë! Në fakt, kjo ishte fitorja më e madhe e kombit gjatë këtij një shekulli jetë të shtetit shqiptar. Ajo është njohur ndërkombëtarisht dhe gëzon mbështetje të plotë nga shumë vende të botës.

Kështu, shqiptarët e sotëm, ndryshe nga ata në të kaluarën, kanë dy shtete që do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen. Kanë dy shtete që bashkëpunojnë shumë në mes vete dhe kjo është arritje e madhe për ne si komb. E të gjithë ne shqiptarët, të mbetur jashtë kufijve të tyre, duam nga to përkrahje dhe ndihmë. Por meqë Kosova është ende e mitur, me problemet dhe hallet e veta në shtetformimin e saj, përgjegjësia më e madhe bie mbi Shqipërinë. Mbi atë Shqipëri që e kemi adhuruar gjithmonë si gjënë më të shtrenjtë, për të cilën na kishin mësuar aq shumë vjershat e Naimit e Fishtës, për të cilën na kishin folur aq shumë gjyshërit e stërgjyshërit, e për të cilën, ndër vite kishim dëgjuar e kënduar aq shumë këngë patriotike. Mbi atë tokë që gjithmonë kishte qenë aq e shenjtë për ne. Mbi atë vend që na dukej më i bukuri nga të gjithë. Mbi Shqipërinë tonë të dashur, Shqipërinë 101 vjeçare.

Por sot, në këtë përvjetor pavarësie, si na duket realisht Shqipëria jonë?! Ajo ka ndryshuar shumë nga e kaluara. Sot, Shqipëria është aleate me fuqitë më të mëdha botërore, është një vend anëtar i NATOs,OSBE, e shumë organizatave tjera ndërkombëtare. Është një shtet që aspiron çdo ditë e më shumë të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Shqipëria e kohës sonë është “demokratike”. Pak a shumë. Demokracia e saj në fakt është akoma e dobët, e brishtë, e jo shumë e vërtetë dhe e mirëfilltë. Të kesh tolerancë fetare nuk mjafton për të qenë vend demokratik.

Ndryshe nga e kaluara, Shqipëria sot ka probleme me vetveten! Ajo sot sfidon shoqërinë e saj! Ajo lufton dhe duhet të luftoj edhe më ashpër me korrupsionin që po e fundos, e gati po i zë dhe frymën! Edhe pse duhej të ishte ndryshe, në Shqipëri sot mezi respektohet ligji. As drejtësia nuk respektohet aq sa duhet! Në Shqipëri, sot, më e rëndësishme dhe mbi të gjitha është bërë politika. Ose më saktë – partitë. Politikanët po marrin mbi vete edhe ligjin, edhe drejtësinë, edhe arsimin edhe gjithçka… Të gjitha janë në duart e tyre. Dje ishte dikush tjetër, sot janë të tjerë, nesër prapë do të vijnë disa të rinj. Por ata të gjithë të njejtin rol luajnë. E nëse Shqipëria nuk ka arritur ende të ndërtoj një shoqëri përparimtare, të krijojë një sistem vlerash, atëherë faji i mbetet atyre. Kjo më çon ndërmend fjalët shumë kuptimplote të Faik Konicës “Nëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët”.

Urojmë që kjo të mos ndodh kurrë, urojmë që vetë shqiptarët do të vetëdijësohen e të zgjedhin për përfaqësues të tyre më të mirët e të rrënjosin thellë brenda vetes demokracinë e vërtetë. Mjaft më me Shqipërinë e Skenderbeut e Nënë Terezës, mjaft u mburrëm me ata që patëm në të kaluarën. Është koha që këtë krenari të madhe ta kthejmë në vepra. Të mundohemi ta bëjmë Shqipërinë edhe më të mirë sesa kjo që e kemi sot. Të punojmë denjësisht për të mirën e atdheut,  që nesër gjeneratat e reja të krenohen me Shqipërinë e ditëve tona. Urojmë që ky shekull i ri që nisi, të jetë edhe më i mirë se i pari, të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë, të ndritur e plot suksese.Gëzuar!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Afrore Shaipi, ne kete pervjetor, shqiptaret

SHQIPTARËT DUAN INTEGRIM TURK APO EVROPIAN?

October 27, 2013 by dgreca

Një nga turpet e mendimit shqiptar,ka qenë shprehja se gjoja qenia e Shqipërisë i detyrohet perandorisë osmane dhe shtetit komunist, ndërsa se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi evropian,e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Evropa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Kështu përafërsisht do të shkruante në librin “Mosmarrëveshja” që para tre vitesh shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare.

 Shkruan: Gani Qarri – Cyrih/

Siç dihet,lufta shumëvjeçare e shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare,me shumë vuajtje, gjak e sakrifica, e shpëtoi njëherë e përgjithmonë Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera etnike nga pushtimet shumëshekullore turke si dhe parandaloi shitjen, këmbimin dhe faljen e territoreve tona tek fqinjët tanë hegjemonist, nga Perandoria Osmane.
Kurse me lirinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës,ranë edhe traktatet e njohura antishqiptare që Turqia lidhte me Greqinë dhe Serbinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe tregtimin e tyre si skllevër,për në Turqi.
Ndaj,si dhe kush i solli në mënyrë kaq të ngutshme dhe pse i favorizoi aq pa masë, turqit dhe kryeministrin e tyre islamik- Taip Erdogan, në vendin tonë, kjo është vërtet një befasi ?!

Si ndodhi që, pas depërtimit me “yrysh” të hoxhallarëve misterioz- vahabisto-salafist në Kosovë, serialeve televizive, dhe ndërmarrjeve turke, që kanë pushtuar vendin tonë kudo, tanimë edhe Erdogani me sy hapur të ëndërroj, gjoja se vërtetë, i tërë vendi ynë është bërë përfundimisht Turqi?!

Si, iu mbush mendja këtij sulltani të ri, dhe sivëllai të Hashim Thaçit e Edi Ramës, se me ndihmën e sejmenëve në vend, tanimë ai mund ta shkel edhe Kosovën me këmbë, si sulltanët e moçëm dikur në kohët e vjetra me jeniçer e ushtri,dhe të bëj “integrimin” alla-turka, të saj?

Kush i tha dhe bindi atë, se e kombi ynë e dëshiron dhe pranon edhe një herë këtë fatkeqësi?!

Madje,ky “mesia” dhe misionar islamiko -aziatik, tanimë paska shkuar edhe më larg, duke nxjerr “fermanë”(ligje) e vizatuar “hudute”(kufij) të rinj nga Azia në Ballkan,dhe shndërruar edhe Kosovën në Turqi, megjithëse ajo vetëm para disa vitesh është çliruar bukur me zor dhe pavarësuar me ndihmën e Amerikës, botës së përparuar dhe Evropës,në të cilën Turqia ende nuk guxon të shkel e lirë dhe bëhet pjesë e saj,me gjithë klithjet dhe lutjet e pareshtura shumëvjeçare për pranim.

Duke u nisur nga këto fakte,edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, te libri “Mosmarrëveshja” me të drejtë,sqaron; “Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi nga Evropa,i cili është keqpërdorur shumë kohë pa të drejtë.
Ajo bashkë me Amerikën, jo vetëm se i mbrojtën por edhe i ndihmuan të çlirohen shqiptarët, siç ndihmuan Kosovën,dhe ruajtën e ruajnë edhe sot atë pakë tërësi të mbetur shtetërore, siç bëri dikur në dekadën e dytë të shekullit XX ,Presidenti Wodrow, për Shqipërinë.
Megjithatë, turku Erdogan ,edhe më tej thirr,Kosova është Turqi- Turqia është Kosovë…
Sado që kjo gjë për fat të mirë nuk është e vërtetë,mjerisht nuk mund të mohohet krejtësisht ajo se ai në thëniet e tij,megjithatë, ka pjesërisht të drejtë.

Jo sa i takon Shqipërisë dhe Kosovës,sepse ato kurrë më nuk do të bëhen Turqi, por siç është e ditur që moti për opinionin tonë, një pjesë e Turqisë banohet nga shqiptarët,dhe ajo pjesë është Shqipëri, Iliridë, Çamëri dhe Kosovë, njëherit.
Ajo është ashtu dhe do të mbetet e tillë, derisa të jetojnë dhe mos-asimilohen  të gjithë ata 5-6 milion bashkatdhetarë tanë atje, të cilëve për fat të keq, as në këto kohë, nuk u del në ndihmë askush, nga dy shtetet tona, për sado pak drejtësi nga pushteti turk edhe për ata.
Bashkëkombësit tanë nuk u  tregtuan-vetëm atëherë si skllevër, nga trojet tona etnike,sipas marrëveshjeve të arritura mes Turqisë, Greqisë e Serbisë dhe traktateve të tyre tanimë të njohura, të cilat zyrtarisht ende mbahen në fuqi nga të tri palët, por tradhtohen edhe sot nga atdheu i të parëve, përfaqësuesit e të cilëve para se të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre nga Turqia, nguten të vëllazërohen shpejt dhe lehtë me Erdoganin,i cili vazhdon ti shtyp dhe sundojë pa asnjë të drejtë edhe sot ata.

Ndaj nuk besoj se mund të ketë qoftë  edhe një pjesëtarë të kombit në të gjitha trojet tona ku i thonë Bukës-Bukë dhe Ujit-Ujë, i cili mund ta kuptoj se si turku  Erdogan, para se t`u ofroj shqiptarëve tanë atje, të drejtën e gjuhës, kulturës dhe shkollimit shqip, të na shpreh neve gjithë këtë dashuri, dashuri tejet “emocionale” dhe fare të “papërmbajtur” për Kosovë e Shqipëri.

Çudia më e madhe e cila sipas shprehjes popullore ,edhe në botë mund të ndodhë më së shpeshti njëherë në 40 ditë, te shqiptarët ajo sikur përsëritet vazhdimisht, madje edhe nga njerëz si Adem Demaçi, i cili për ta zbukuruar vëllazërinë Thaçi- Erdogan, para syve të tronditur të bashkëkombësve nga kjo vëllazëri e panatyrshme për ne ,fare nuk e ka problem që para gjithë masës shqiptare, EULEX-it dhe Bashkimit Evropian, ti dal zot Erdoganit, bile me “garanci” “shumë” të “forta” çfarë din ti bëjë vetëm ai, gjoja se Turqia nuk mund ti pushtojë më trojet tona kombëtare.

Por, qëndrimet e Erdoganit,sikur dëshmojnë të kundërtën ,madje sipas fjalëve të tij, ëndrrat turke për ripushtimin e këtyre vendeve, shtrirjen në Ballkan dhe deportime të reja shqiptarësh drejt Anadollit,ende nuk kanë përfunduar dhe as janë shuar plotësisht, ndaj për këtë arsye ndoshta edhe sot vazhdojnë të mbeten në fuqi traktatet e lidhura me Greqinë dhe Serbinë, për deportim shqiptarësh, të cilat për çudi edhe këto harron ti përmend Adem Demaçi.

Kryeministri turk, sillet sikur pas afro 100 vitesh pushtimi nga Serbia, ai ta kishte çliruar vendin tonë me luftë e sakrifica,ndaj sot dëshiron të veproj edhe me ne si me bashkëkombësit tanë atje të cilët nuk i pyet për asgjë,duke mos i pyetur as shqiptarët në vendin e vet të lirë,për tua bërë edhe atdheun e tyre, Turqi.

Nuk përjashtohet mundësia që Thaçi të ketë detyrime ndaj Erdoganit,dhe  është i detyruar që pa asnjë përfaqësues evropian ta ftoj vetëm atë në përurime,rrugësh e rrugicash, terminale e kanale përfitimi, festa dhe organizime tenderësh të rinj e të vjetër, ngase ndoshta edhe ndajnë bashkë prenë e zënë, në mënyrat që ata i dinë, por me këtë rast është e pa shmangshme që të mos shtrohet pyetja para atyre votuesve të cilët sollën këso njerëzish në pushtet dhe qeveri; se në ç`vend jetojnë dhe ku duan të integrohen këta shqiptar, në Evropë apo Azi?!

Kombi ynë është ndier dhe ndjehet tani e përgjithmonë evropian, ndaj blerja e një njeriu apo disa prej tyre, nuk do të thotë assesi se Turqia, përfundimisht ka ble edhe Kosovën,kur dihet mirë se shumica e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike,nuk e duan shtetin turk as Erdoganin dhe ruajnë kujtime të hidhura,si ndaj pushtuesve të ri ashtu edhe ndaj atyre të vjetër, siç ishte edhe perandoria osmane, mbret i ri i së cilës,dëshiron të na imponohet tani sulltani bashkëkohorë,Taip Erdogan.

Është e vërtetë që ndikimi i firmave turke,të cilat shfrytëzuan gjendjen e rëndë sociale në vend dhe gëzuan ndihmën e qeveritarëve-“sivëllezër” në pushtet,është përhapur shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar gjithandej Kosovës,por që edhe Erdoganit, iu paska mbushur mendja “top” se më në fund edhe ai mund ta shkel gjithë Kosovën me këmbë, si dikur otomanët me jeniçer, dhe këtë në emër të integrimit alla-turka, të saj,me tendencë për ta bërë edhe vendin tonë Turqi, nuk doja ta besoja, por ja që në ditët e sodit ndodhka edhe kjo….!

Populli shqiptar, jo vetëm se nuk e ka ndjerë asnjëherë dhe nuk e ndjen as tani kryeministrin turk kurrfarë vëllai, por ai është edhe shumë i vetëdijshëm se turqit dhe Erdogani vijnë nga Azia kurse ne jemi evropian,ndaj nuk kemi kurrfarë lidhje gjaku, madje pas marrëveshjeve të Turqisë me Greqinë e Serbinë,për zbrazjen e tokave tona nga shqiptarët dhe mos dhënien e asnjë të drejte bashkëkombësve tanë të deportuar si skllevër atje,nuk na ka mbetur më as afri kumbarie në mes veti dhe jemi shumë larg njëri tjetrit.

Ndaj,sado pakufishëm, që dy kryeministrat mund të duhen në mes veti, shqiptarët nuk duan as pranojnë kurrfarë integrim turk, ata kërkojnë dhe përpiqen me këmbëngulje për integrim ndërshqiptar dhe evropian të vendit.

Për fat të mirë,edhe Kosova nuk është pronë private e asnjërit nga ta, ajo u takon banorëve të saj dhe është shtëpi e përbashkët e të gjithë atyre që jetojnë aty.

Në fakt,edhe “pakicat” që jetojnë në Turqi, sipas botëkuptimit evropian, ato nuk janë thjeshtë vetëm pakica, por janë kombe shumicë, të ndara si puna e kurdëve,pjesa më e madhe e të cilëve gjendet nën pushtimin turk dhe në Irak,të cilët sot e kësaj dite,njëjtë si shqiptarët në Turqi, edhe ata jetojnë pa asnjë të drejtë,gjuhe,tradite e kulture kombëtare apo shkollimi në këtë vend,përveç detyrimit për asimilim- shkollimin- në turqisht.

Shteti turk,mu për këto shkaqe dhe tjera të ngjashme që lidhen drejtpërdrejtë me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm se nuk mundi të bëhej kurrë pjesë e botës së përparuar perëndimore, por me politikën e shtypjes dhe të terrorit që ai ushtron ndaj miliona njerëzve- të ashtuquajtur “pakica”,pa ndryshime të thella dhe rrënjësore konform ligjeve demokratike të kohës, nuk do të pranohet asnjëherë në Bashkimin Evropian.

Ndaj,shqiptarët me siguri, sot si asnjëherë më parë, kanë mjaft argumente,të vjetra dhe të reja,të cilat u dëshmojnë atyre më së miri se dashuritë e zjarrta të Erdoganit, edhe për ta janë të menduara sipas kutit turk, njëjtë si për kurdët,shqiptarët ,armenët apo pjesë të popujve tjerë që edhe sot jetojnë pa asnjë të drejtë nën Turqi.

Pra, le të vetëdijesohemi si komb dhe njerëz,një herë e përgjithmonë,se e tillë është miqësia me Turqinë dhe vëllazërimi alla-turka me Erdoganin, në të cilat ai nuk resht të na ftoj,edhe pse ne me të drejtë dyshojmë hapur në “sinqeritetin” e tij dhe jemi të vendosur që të mos pranojmë më asnjëherë, dashuritë alla-turke.

Një integrim të tillë, me fat si të kurdëve dhe 5-6 milion shqiptarëve atje, të cilët detyrohen të jetojnë edhe më tej, sot e gjithë kohën pa asnjë të drejtë gjuhësore e kombëtare në Turqi,nuk duan ta përjetojnë edhe pjesa tjetër e çliruar e trojeve dhe kombit tonë, në atdheun e tyre të lirë.

Për aq më tepër,edhe Turqia vet ,me shtypjen e këtyre popujve, qofshin ata edhe pakicë, dhe e sunduar nga regjime islamiste si kjo e Taip Erdoganit, as që ka gjasa të bëhet ndonjë herë, pjesë e BE-së.

Ndaj çfarë duam ne si popull evropianë atje dhe pse u dashka të bëhen edhe këto pak toka të mbetura shqiptare – patjetër, Turqi ? Unë them jo, e besoj se edhe të gjithë shqiptarët, luten nga toka në qiell: Zot na ruaj nga një e keqe si kjo!

Gani Qarri  Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: apo evropian, Gani Qarri, integrim turk, shqiptaret

Shqiptarët nuk janë wahhabi ?

October 23, 2013 by dgreca

“ Ne jetojme në një shekull ku fshehja e të vërtetës të mbronë më mirë se sa ligjet dhe të siguron më shumë se pafajsia” – RIVAROL/

Nga Fahri XHARRA/

Ne shqiptarët myslimanë kemi praktikuar ato pak rite të mbetura nga okupimi shumëshekullor turko-islamik dhe jemi ballafaquar me problemet e vërteta të jetës, qoftë për një mbijetesë apo një jetë më të mirë. Vlerësimi i të huajve ishte se jemi “myslimanë të lehtë”. Por, çfarë u mendua kur na quajtën “myslimanë të lehtë”? Apo ishte thjeshtë një arsyetim për përkrahje.? A duhet të përmendi disa nga faktet që neve na bëjnë“myslimanë të lehtë” e të njihemi dhe të pranohemi si evropianë të civilizuar? Jo. Bota e qytetëruar me sinqeritetin  e saj i di të gjitha.

Por ç`po ndodhë me ne ,në tokat mbarëshqiptare ? Jemi të ballafaquar me nivel të lartë të papunësisë ,kemi mbetur fukarenj,nuk kemi stabilitet politik ; kudo që shkelë në tokat tona jemi të mjerë. E vërtetë apo jo? A i dijnë fqinjët tanë këto? A i dijnë edhe miqt tanë në Europë?

OH SA  MIRE TE JESH SHQIPTARPor pse ne të përkrahim rrymat më radikale të islamizmit?Pse te jemi uahabi ( wahhabi)?

Kush janë uahabitë? Si lindi kjo rrymë e skajshmerisë islame? Kush e perkrahë atë?

A na duhet neve si musliman te moderuar që jemi ,dhe si të tillë na pranon edhe civilizimi Europian,të ngërthehemi me rrymat më të papëlqyera muslimane në botë?

Shkrimi e ka për qëllim,njojhjen me një rrymë Islame të krijuar në Arbinë Saudite,e që daton bukur moti, rrymë e cila nuk shikohet me sy të mirë nga një numër i madh i shteteve islamike.

Si lindi Wahhabizmi? Muhammad ibn Abd al-Wahhab (v. 1792) ishte i pari ekstremist dhe fundamentalist Islamik. (De Long –Bas, J.Natana, Islami Wahhabist Oxford 2004) Abdel al-Wahhabi i krahasonte vehten me Profetin Muhamed(?). A.Wahhabii, pika qendrore e lëvizjes së tij dhe të reformës ishte parimin që çdo ide e shtuar në Islam pas shekullit të tretë të kohës se muslimaneve (rreth 950ps.k”) ishte i rremë dhe duhet të eliminohen. Muslimanët, që të jenë muslimanë te vërtetë, duhet t’i përmbahen vetëm dhe vetëm në mënyrë rigoroze besimit origjinal ..

Arsyeja për këtë qëndrim ekstremist, dhe përpjekjet e Wahhabit dhe reformës se tij, ishin një numër i praktikave të njohura të kohës të cilat ai besonte se ishin para-islamike si:lutja e shenjtorëve te ndryshëm, pelegrinazhet në varre dhe në xhamitë veçanta, dhe flijimet e ndryshme.

Besimtarët e rinj sekular janë shumë të anatemuar nga trashëgimtarët e Wahhabit. Përkrahësit e Wahhabismit janë kundër modernizmit, sekularizmit dhe te gjitha përparimeve të cilat e kundërrrymojnë wahhabizmin .

Me ardhjen e Wahhabismit si doktrinë u krijua indiferenca për gjendjen e të vejave dhe jetimëve, dënimi i tradhtisë bashkëshortore në menyra të vrazhda , dhe dështimi për të ndarë hisen e trashëgimisë në mënyrë të drejtë për gratë. Wahhabët e karakterizojnë gjithë këte si xhahili ,një term në Islam e cila i referohet barbarizmit dhe gjendjes e injorancës që ekzistonte para ardhjes së Islamit.

Rryma e tij është edhe sot “asmuwahhidun” ose “unitare” ( موحِّدون ) Çdo gjë tjetër ata e denonojnë si risi heretike, apo”bidat”. Wahhabitë tronditet më tej në butësinë e përhapur në zbatimin e ligjeve tradicionale islame “ Vetëm ata që e ndjekin mesimin Wahhabi janë musliman të vërtetë dhe vetëm ata janë në rrugën e Allahut” (Martin, Richard C., ed., Encyclopedia of Islam and the Muslim World , Macmillan, 2004.)

Muhammad ibn Abd al-Wahhab lindi ne vitin 1702 ne qytetin e al-Ujaniah ,ne regjionin Nagjd te gadishullit Arabik,tani veriu i Arabisë Saudite. Familja e tij qe nga gjyshërit ishte një familje gjygjëtaresh për qeshtje te fesë,në shkollën kryesore për mendimin legal të Islamit Sunii.

Cilat janë besimet kryesore sipas Muslimaneve Wahhabi? Kurani dhe haditet duhen te lexohen ashtu si jane,pa kurrfare ndryshimi.Gruaja i nenshtrohet burrit dhe ajo e ka vetem lirinë të jetojë, e të jetojë per te lindur femijë. “Gruas nuk i besohet “ .Gjykatat muslime duhen te udhehiqen vetëm nga Imamet.

Ne Arabinë Saudite gjykatat janë te udhëhequra nga Wahhabitë e më i fuqishmi është stërstërnipi i tij Abdyl Wahhabi .

Sa na japin neve shqiptarëve krenari fetare, nëse ne valavohem me të gjitha rrymat fetare në botën arabe? Wahhabitë e (mashkujt) e kanë edhe veshjen e tyre ,e cila i bënë që besimtarët të dallohen nga jo vetëm besimtarët e krishterë por edhe nga ata musliman.

Për femra mos të flasim, se ato duhen t`i nënshtrohen një regjimi tejet nënçmues ,e që për botëkuptimet tona shqiptare –evropiane janë të tejkaluara.

Çka na bënë neve shqiptarëve musliman të dallohemi nga muslimanët tjerë të botës: Martesa ndërkushërinjsh: Është një fenomen i përhapur në botën islamike, diku i shprehur më shumë e diku më pak. Një zakon ky shumë i rrezikshëm për trashëgimi gjenetike që praktikohet edhe në ditët e sotme. Martesa ndërkushërinjsh qëndron në atë se nëse vajza e vëllait të babës do të martohet me dikë tjetër jashtë familjes, duhet të marrë leje nga djali i axhës nëse ai është për martesë. Ajo duhet të marrë bint` amnu-n (djalin e vëllait të babës) ose në rrugën tjetër të marrë ibën khal-in (djalin e vëllait të nënës).

E gjithë Lindja e Mesme është e lidhur me këtë veti të keqe të kushtit të martesës.

Në Siri, martesat mes kushërinjsh e mbërrin shkallën 70%, ndërsa, në Egjipt, 80% e martesave është me kushërinj. Kurse, kryeqyteti Kajro është më shumë i modernizuar në këtë aspekt. Në Palestinen tradicionale, nëse vajza nuk ka ibn-amnu (djali i vëllait të babës) atëherë duhet të gjejë martesë me ibn-khal (djali i vëllait të nënës).

Martesa me shumë gra (poligamia). Ligjet islamike në shumë shtete e lejojnë martesën ligjore deri me 4 gra. Shqiptarët myslimanë këtë rregull e kanë praktikuar vetëm kur gruaja e parë nuk ka lindur fëmijë. Edhe me këtë rast janë ndjekur parimet tona.

Mbytja e gruas, publikisht me gurë. Jo në të gjitha vendet myslimane, por në ato ku sundon sheriati, praktikohet kjo mizori e sipërshënuar për gratë moralisht të ”pandershme”. Sipas këtij ligji, mjafton vetëm fjala e burrit që po e mashtron gruaja dhe këshilli islamik i qarkut e merr vendimin “kapital”. Ai s`ka nevojë për fakte e as për dëshmitarë, gruaja e merr dënimin e “merituar”. Shqiptarët myslimanë e kanë zgjidhur ndryshe nga ata këtë problem: thjesht shkurorëzohen.

Gjymtimi gjenital i femrave. Në botën islame të Afrikës, Lindjes së Mesme, në disa vende të Azisë, gjymtimi gjenital i femrave është krucial në ritualin që tregon, sipas besimit popullor, për kontrollimin e seksualitetit të femrës. Mosha e vajzave para aktit të gjymtimit luhatet varësisht nga regjionet. Llojet e gjymtimit janë: Excisioni ose “sunna”, Excisioni ose Klitorideiktania, Infibulacioni dhe Intracisioni.

Excisioni është një praktikë rituale që praktikohet në regjionet myslimane të Afrikës sahariane, subsahariane si dhe në Egjipt (95% të femrave), infibulacioni në Sudan, etj. Kjo praktikë nuk ka kurrfarë baze kuranore, por disa mundohen ta shpjegojnë ndryshe. Në një nga hadithet thuhet synetia është ”sunna” (obligim) për meshkuj e “makrumah” për femra (nder ose një gjest i lartë i nderit). Përndryshe, praktikimi i tillë në sferën arabo-myslimane është kontestuar në nëntor 2006 nga Universiteti Al-Azhar i Kajros. Vend referimi shumë i rëndësishëm fetar në botën islame Universiteti Al Az-har) ka lansuar një fatwa (urdhër) që është kundër gjymtimit gjenital të femrave, të kualifikuar si krim i rëndë kundër njerëzimit dhe një sulm në vlerat e larta islamike.

“Operimet” e gjymtimit kryhen nga njerëzit e pakualifikuar dhe në kushte higjieno-sanitare të tmerrshme. Çdo vit, 3 milionë femra të reja presin për aktin e shëmtimit. Pra, edhe këtë shëmtim shqiptarët myslimanë nuk e kanë përvetësuar.

“E vetmja e vërtetë është ajo që ATA e lejojne!”.. (George Orwell.)

A duhet te jemi krenar me të parët tanë së paku me atë që kur e muarrën islamin nuk iu nënshtruan komplet diktatit “musliman”duke mos i jetësuar ato që u përmenden më lartë.

Stigmatizimi i femrës myslimane në Kosovë është një fenomen i ri i shfaqur pas luftës së fundit dhe debati lidhur me shaminë islamike i ka dhënë shoqërisë një dimension të ri.

Pse duhet kaq shumë zhurmë gjëja se për mbrojten e nderit të femrës sonë ,kur ato në mundësi të shprehjës së lirë kishin jo vetëm të kundërshtonin por edhe të iu thejnë kokat atyre që mundohen me çdo kusht t`ikthejnë ato me shekuj prapa.

Zonja Wassilia Toukali, presidente e Forumit Mesdhetar të Grave, Alzher. thoshte: “Të luftosh kundër shamisë nuk është të sulmosh fenë. Ta mbrosh atë është të vesh në pikëpyetje barazinë e femrës dhe të mashkullit.

“Shkurt , shqipëtaret paraqiten si popull i kundërt nga të gjitha kombësitë e tjera të sulltanit .. Kur të shohësh ndonjë që paraqitet me ndonjë pamje fizike të shkëlqyer , gjithnjë do të gjesh se e ke parë shqipëtarin . Përvec kësaj , nga tëgjithë popujt e ballkanit vetem shqipëtari është artist . Posaqëria e përsonalitetit tij të patundëshëm gjithnjë e çon përpara në mënyrë të dallueshme ..” (Edith Durham , Brenga e Ballkanit,1909)

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, shqiptaret, Wahhabi

Shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet!?

October 18, 2013 by dgreca

Opinion nga  Faik KRASNIQI

Ky Mustafa Nano duket dhe jep shenja se është një mediokër që nuk e ka shokun.Jo vetëm toskët, por edhe gegët , nuk dinë të bëjnë shtet, se Sala kishte mundësi të kërkonte bashkimin dhe nuk e bëri.

Shqiptarët, si gegë dhe toskë , nuk dinë të bëjnë shtet , janë k… kandari. Këtu e kam fjalën për intelektualët shqiptarë.

Intelektualët shqiptarë nuk janë shtet formues –kanë mungesë të mendimit konceptual për shtetin, sepse janë në përgjithësi të frikësuar ose të rekrutuar nga fqinjët tanë.

Intelektualët tanë kanë tani në krah të tyre Amerikën dhe kanë frikë të kërkojnë bashkimin kombëtar. Sa erdhi Kongresmeni amerikan dhe i tha Majkos në 1999 ore ti pse nuk e kërkon Kosovën?

Ndërsa njerëzit e thjeshtë si gegë dhe toskë e duan dhe janë shtet formues, sepse e shprehin kudo dashurinë ndaj kombit shqiptar, por këta janë turma dhe nuk kanë gjë në dorë -Problemi është tek ata që kemi në krye.

Dhe ata që janë në krye tek ne, si në Shqipëri edhe në Kosovë janë deficente dhe nuk e kanë haberin fare nga politika.

Politika e politikanëve tanë është e interesuar për pushtetin e tyre , dhe as që duan t’ja dijnë për të ardhmen, apo për qëllimet afatgjata dhe afat mesme të kombit shqiptar.

Në fakt këtu ka një defekt edhe nga kombi shqiptar , gegë e toskë , se ne shqiptarët nuk dimë kë zgjedhim në krye.

Ketë e kemi defekt -Ne zgjedhim në krye ca budallenj që mezi e çojnë fjalinë deri në fund, mjafton që ata të fryhen si gjela dhe të mburren me diplomat e tyre ……..Pavarësisht se ata nuk dinë të bëjnë një analizë të thjeshtë fare në lidhje me fenomenet politike që ndodhin në vendin tonë , Shqipëri dhe Kosovë!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, nuk dijne te bejne, shqiptaret, shtet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT