• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, një fryt i kultivuar nga të gjithë shqiptarët

February 15, 2023 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Tani kur me shumë krenari festojmë 15 vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës, duhet të jemi unanim në një konstatim se kjo ngjarje paraqet projektin më madhor, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar. Shteti i Kosovës është projekt shekullor që erdhi natyrshëm si produkt që ndau në dysh aspiratat shekullore kombëtare të shqiptarëve: në njërën anë u shpall pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, kurse në anën tjetër, një Shqipëri tjetër që po përjetonte copëtime e pushtime të reja, ndoqi një rrugëtim të vështirë, me sakrifica sublime dhe me pëprpjekje titanike për rë rikthyer pozicionet e humbura , e që ndodhi në qershor të vitit 1999 në Kumanovë, ku Serbia jo vetëm që kapituloi ushtarakisht, por ajo u gjunjëzua politikisht e moralisht para një fakti që i bënte ata të kthehen andej nga kishin ardhur.

Është fare e ditur se kjo nuk ndodhi krejt rastësisht dhe këtë mrekulli askush nuk e solli në pjatë, por ishin djemtë dhe vajzat e Kosovës që me rezistencën e tyre të armatosur alarmuan botën, dhe vunë në lëvizje një alenacë të madhe ushtarake-politike, e prirë nga Shtetet eBashkuara të Amerikës dhe e ekzekutuar nga NATO.

Çdo shtet dhe shoqëri ka bilancet e veta, kure ne shqiptarët kemi arsye të bëjmë disa bilance.

Në radhë të parë, ajo që na obligon si intelektualë e studiues është nevoja që shtetin e Kosovës ta afirmojmë në dritën e kujdesit insitucional ndaj vlerave që e bëjnë atë të identifikueshëm në planin ndërkombëtar. Kjo nuk mund të arrihet pa një konsolidim të gjithanshëm të botës intelektuale e akademike në funksion të artikulimit sa më dinjitoz të interesave të shtetit të Kosovës para sfidave të vjetra dhe të reja.

Pastaj, një shtet i ri si Kosova, ka nevojë për qasje sa më të madhe në rrjetin global të dijeve dhe të arriturave, por kjo nuk mund të bëhet pa një angazhim më të madh të institucioneve tona arsimore e shkencore. Në këtë kontekst, dua të theksoj gatishmërinë tonë si ITSHKSH në gjetjen e rrugëve e mundësive të përbashkëta për një bashkëpunim afatgjatë institucional, ku do të shkëmbeheshin përvojat dhe njohuritë tona në një rrafsh më të gjerë idesh e projektesh nga më të ndryshmet.

Të gjithë shqiptarët në ish Jugosllavi, Kosovën e përjetojnë si pijemont të intelektualizmit dhe shqiptarizmit, dhe jorastësisht Prishtina për shumë vite shërbeu si kandil i vetëm që shpërndante dritën e diturisë edhe për viset shqiptare në Maqedoni, në Serbi të Jugut, në Mal të Zi e gjetiu. Për rrjedhojë në vitin 1981 demonstrat e rinisë ishin masovike dhe dinamike për shkak të pjesëmarrjes së madhe të shqiptarëve nga të gjitha trevat, për të kulmuar si një vullkan në vitet 1998 dhe 99, atëherë kur kushtrimit të UÇK-së iu përgjigjën edhe qindra të rinjë nga këto viset shqiptare.

Kjo është edhe arsyeja pse shteti i Kosovës i ngjason një fryti, në kultivimin e të cilit kemi marrë pjesë të gjithë, kush më shumë e kush më pak, dikush me pushkë e dikush me penë, dikush me bukë e dikush me strehim. Kjo është arsye pse çdo shqiptar sot i gëzohet pavarësisë së shtetit të Kosovës, sepse ky paraqet momentin më kulmor ku bashkohen në një pikë aspiratat gjithëkombëtare dhe proceset euroatlantike. Kosova është proces në ecje dhe ky proces shkon paralelisht me nevojën për të pasë një shoqëri demokratike në të cilën sundon shteti i së drejtës, si dhe të gjitha parametrat e një shoqërie që ka kërkesa për më shumë zhvillim ekonomik dhe më pak varfëri, më shumë reforma institucionale e juridike e më pak korrupsion dhe një shoqëri që integron brenda vetes të gjitha kapacitetet shtetndërtuese.

Duke shpresuar që përvjetorët tjerë do ta gjejnë shtetin e Kosovës më të konsoliduar në të gjitha planet, uroj që pavarësia dhe integrimi brendakombëtar të shkojnë paralelisht, drejt një bote shqiptare, e shtrirë në një planimetri globale, e cila nuk do t’i ketë kornizat e ngushta, siç jemi mësuar t’i shohim deri më tani.

Por për t’i arritur këto objetkiva, na duhet shumë punë dhe shumë bashkëpunim institucional, kulturor e shkencor në mes veti.

Prishtinë, 15. 02. 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Skender Asani

“Nuk mund t’i bësh mirë tjetrit, pa e lënë keq veten”

January 31, 2023 by s p

Nga Prof.dr. Skender ASANI/

Në historinë e tmerreve çnjerëzore, ku jeta e njeriut nuk vlente as sa një fletë e tharë dushku, ndodhi edhe një tragjedi e madhe me përmasat kolosale të dhembjes e frikës. Kjo tragejdi emrin e kishte Holoakust, kurse hebrenjtë ishin ata të cilët kaluan nëpër rrathët e këtij ferri. Në secilin rreth sfidohej fati dhe e ardhmja e hebrenjëve, por pati edhe purgator ku njerëzit vullnetmirë, edhe këtu në Shkup, në Prishtinë, në Shkodër e gjetiu, tregonin mëshirë e solidaritet për këtë popull që pa të drejtë ishte shënjestruar nga makineria vrastare e nazi-fashizmit.

Sot në këtë akademi përkujtimore jemi mbledhur edhe njëherë që të evokojmë një ngjarje që i dha fund dramës kolektive të një populli i cili vuante çastet e fundit nëpër kampet e përqëndrimit.

Në ato ditë të ftohta janari të vitit 1945, Armata e Kuqe kishte përparuar në thellësi të territorit të Polonisë dhe pasi çliruan Varshavën dhe Krakovin, më 27 janar 1945, trupat sovjetike hynë në Aushvic , duke çliruar të mbijetuarit e rrjetit të kampeve të përqendrimit, me çka në sytë e botës zbuloheshin përmasat shtazarake të një ideologjie antisemite.

Sot pas 78 viteve, kur evokojmë këtë ngjarje që i dha fund vuajtjeve dhe përndjekjev të hebrenjëve, një pyetje që na imponohet vetvetiu është: Sa ka nxjerrë mësime njerëzimi nga e kaluara e errët dhe cilat janë përgjigjet e njerëzve të arsyeshëm ndaj ngjarjeve me karakter antihuman?

Gjatë kohës sa vepronte murtaja fashiste, në Bernë të Zvicrës funksiononte një grup diplomatësh i udhëhequr nga Aleksander Ładoś (1891-1963), ambasador polak në Zvicër në periudhën nga 1940 deri në 1945. Ładoś ishte udhëheqës i të ashtuquajturit “Grupi i Bernit, i cili vepronte fshehurazi në shpëtimin e mbi 10 mijë hebrenjve nga Holokausti, duke i pajisur me pasaporta të falsifikuara të Amerikës Latine, kryesisht paraguajane.

Grupi përbëhej nga katër diplomatë polakë dhe dy përfaqësues të organizatave hebraike: ambsadori Aleksander Ładoś, ndihmësi i tij dhe kreu i degës politike Stefan Ryniewicz, konsulli Konstanty Rokicki, atasheu dhe specialisti për çështjet hebraike Dr Juliusz Kühl, si dhe aktivisti sionist dhe deputeti polak Abraham Silberschein dhe Chaim Eiss, një aktivist hebre.

Këtë fakt po e përmendim për t’u ndërlidhur me pyetjen e mësipërme se cilat mund të jenë reagimet dhe veprimet e njerëzve të arsyeshëm ndaj ngjarjeve me karakter antihuman. Siç mund ta shohim nga shembulli i lartpërmendur, që ndërlidhet me një grup diplomatësh i udhëhequr nga ambasadori polak në Zvicër, Aleksander Ładoś, edhe në kohë të vështira ka njerëz me shpirt të madh që sakrificën për tjetrin e kanë kauzë jetësore, siç ndodhi edhe me dhjetëra familje shkupjane që rrezikuan veten për të shpëtuar fqinjët e tyre hebre gjatë LDB.

Tragjeditë njerëzore mund të përsëriten dhe ato mund ta kenë fytyrën e njejtë të tmerrit, por ajo çka na intereson neve sot është pyetja: A mundet solidariteti dhe sakrifica për tjetrin të krijoj sërish fole në zemrat e njerëzve human?

Nëse i referohemi dekadave të fundit të këtij shekulli, e sidomos tensioneve të shkaktuara si pasojë e invazionit rus në Ukrainë, mund të konstatojmë se njerëzimi ka përjetuar në mënyrë ciklike efektet e mosmarrëveshjeve që kanë përfunduar në konlfikte të armatosura. Mijëra viktima të pafajshme, kolona të gjata refugjatësh, përplasje të ashpra luftarake, të gjitha këto përbëjnë bilancin e një logjike që përjashton arsyen nga vendimarrja politike. Prandaj ne si evropianë nuk guxojmë të lejojmë që “kuajt e apokalipsës” të kalërojnë sërish nëpër vendet tona. Me këtë rast më lejoni të parafrazoj edhe një thënie të Nënës Tereze e cila apelonte që para se të fillojë një konflikt, palët duhet menduar mirë se vetëm dialogu dhe mirëkuptimi janë rrugët e vetme që sjellin perspektivë për njerëzit.

Evropa duhet të mbrohet nga tendecat që si synim kanë prishjen e balanceve gjeopolitike në rajon si rrjedhojë e përhapjes së konfliktit nga Ukraina në Ballkan, por edhe çrrënjosjen e të gjitha deformimeve që dëmtojnë demokracinë, siç është lidhja e pushtetit me krimin dhe korrupsionin. Ne duhet sërish të tregojmë sens të lartë përgjegjësie, duke refuzuar çfarëdo lloj alternative që nuk është euro-atlantike si dhe të angazhohemi që demokracia të jetë prodhim i betejave të ndershme politike. Heronjë nuk kemi vetëm në luftë. Heronjë ka edhe në paqe. Por këta të fundit kanë një mision të dyfisht: të parandalojnë çfarëdo shkëndije që mund të sjell konflikt dhe të dalin mbi egocentrizmin etnik e fetare në favor të mirëkuptimit me të tjerët. Nëse gjatë LDB patëm heronj të heshtur që ua shpëtuan jetën hebrenjëve, sot kemi nevojë për disa heronjë të tjerë, të cilët duke tejkaluar vetveten arrijnë të ruajnë harmoninë fqinjësore e shoqërore, ose siç thotë një urti popullore shqiptare: “Nuk mund t’i bësh mirë tjetrit, pa e lënë keq veten.”

Me këtë urti popullore po e përfundoj edhe fjalën time kushtuar 78 vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvicit nga Armata e Kuqe, me ç’rast populli hebre u la i lirë të gëzojë jetën me dinjitet, kurse njerëzimi i mbeti ta memorojë në mendje Holokastin si një ngjarje e cila nëse nuk luftohet me të gjitha forcat e përbashkëta, mund të na përsëritet sërish në trajta e mënyra të ndryshme.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Skender Asani

PJETËR BOGDANI, DËSHMIA QË I FLET EDHE KOHËS SONË

December 7, 2022 by s p

Prof.Dr. Skender ASANI/

ITSHKSH (Departamenti i Letërsisë), Redaksia e botimeve DRITA (organ i Ipeshkvisë së Kosovës) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” i Prishtinës, duke qenë bashkëorgtanizatorë manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Bogdanit”, në fakt po risjellin në vëmendjen tonë kolektive e individuale një figurë mjaft të rëndësishme të historisë sonë kulturore dhe shpirtërore, siç ishte Pjetër Bogdani, të cilin po e kujtojmë pikërisht sot kur ai më 6 dhjetor të vitit 1690, i mbylli sytë përgjithmonë në Prishtinë.

Nderimi për figura të mëdha, siç është Pjetër Bogdani, tregon sensin civilizues të një kombi për të ngritur në kod sistemin e vlerave, pa të cilin ai komb nuk mund të zhvillohet në paramtreta e botë së qytetëruar.

Ne në Shkup kemi ngritur një shtatore të Pjetër Bogdanit, e cila përpos rëndësisë simbolike që ka, në vetvete përmban edhe porosinë se Shkupi dikur ishte qendër e shumëfisht e zhvillimeve kombëtare e shpirtërore, duke qenë fillimisht kryeqendra e Dardanië dhe Vilajetit të Kosovës, por edhe epiqendra e betejave identitare e shpirtëore, pa harruar edhe faktin e Shkupi ishte edhe selia e Ipeshkvisë Shkup- Prizren, udhëheqës i së cilës ishte edhe Pjetër Bogdani.

Nderimi për figura të mëdha, siç është Pjetër Bogdani, tregon sensin civilizues të një kombi për të ngritur në kod sistemin e vlerave, pa të cilin ai komb nuk mund të zhvillohet në paramtreta e botë së qytetëruar.

Ne në Shkup kemi ngritur një shtatore të Pjetër Bogdanit, e cila përpos rëndësisë simbolike që ka, në vetvete përmban edhe porosinë se Shkupi dikur ishte qendër e shumëfisht e zhvillimeve kombëtare e shpirtërore, duke qenë fillimisht kryeqendra e Dardanië dhe Vilajetit të Kosovës, por edhe epiqendra e betejave identitare e shpirtëore, pa harruar edhe faktin e Shkupi ishte edhe selia e Ipeshkvisë Shkup- Prizren, udhëheqës i së cilës ishte edhe Pjetër Bogdani.

Pjetër Bogdani u shfaq në skenë në kohën kur shqiptarët po përjetonin momentet më të vështira historike pas vdekjes së Gjergj Kastriotti Skenderbeut dhe paraqitja e tij ishte një ogur i mirë për faktin se veprimtaria e tij 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i Lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, me çka identifikohej me aspiratën liridashësse të shqiptarëve për të dalur nga zgjedha otomane.

Edhe pse vinte nga bota teologjike, ku predikimi dhe liturgjia ishin armët kryesore të veprimit, Bogdani megjithatë i tejkaloi këto korniza të ngushta të fushëveprimit teologjik dhe u hodh në valët e rezistencës së armatour, sidomos gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669), dhe turko-austriake (1689) .

Me pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në këto beteja, Bogdani dëshmoi se morali i një populli të pushtuar dhe të nepërkëmbur nuk mbahet gjallë nëse në krye të rezitencës nuk përfshihen edhe njerëzit e dijes dhe të kulturës, siç ishte edhe ai vet, prandaj me të drejt një kronist austriak, me rastin e vdekje së tij më 6 dhjetor 1689, shkruante se “me vdekjen e Pjetër Bogdanit iku edhe fati ynë në tokë”, pasi që vdekja e tij shënoi edhe fillimin e një periudhe të errët për popullatën vendore, e cila po vuante pasojat e pushtimit otoman.

Figura e Pjetër Bogdanit është vazhdimësia e natyrshme e epokës së lavdishme të Gjergj Kastrioti Skenderbeut dhe pararendësi i hershëm i Rilindjes sonë Kombëtare, që kulmoi me Pavarësinë e vititi 1912.

Prishtinë, 06 djetor 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Pjeter Bogdani, Skender Asani

E VEÇANTA DHE UNIVERZALJA E BOTËS SHQIPTARE

November 15, 2022 by s p

Shkruan Prof.dr. Skender ASANI/

Historia e shqiptarëve, sa është e dhimbshme, po aq është edhe krenare. E veçanta e kësaj historie ndërlidhet me vet rrugëtimin e popullit shqiptar për të mbijetuar në rrethana e procese që jo gjithmonë ishin në duart e vet shqiptarëve. Falë këtij rrugëtimi të vështirë e të ndërlikuar, shqiptarët me vonesë e etabluan vetëdijen e tyre në procesin historik të kombshtet-formimit. Por kjo nuk i pengoi ata që të ruajnë unitetin e brendshëm shpirtëror e kulturor, edhe përkundër një diversiteti të theksuar fetar, një vlerë kjo që i shquan shqiptarët dhe i bën të trajtohen si model për kombet tjera që e kanë të njejtin diversitet të brendshëm fetar si shqiptarët. Por ata, nuk e arritën atë që shqiptarët e kishin tejkaluar me kohë: që kauzat kombëtare asnjëherë nuk u eklipsuan nga ato fetare. Majfton të rishikojmë dokrinën ideologjike e kulturore të Rilindjes sonë Kombëtare dhe do të vërejmë se orientimi oksidental mbizotëronte në pikëpamjet e rilindasve tanë dhe ky ishte një favor kapital për të ardhmen tonë si komb që ndodhej i rrethuar nga errësira disa shekullore aziatike. Perden e trashë të kësaj errësire e grisën tekstet letrare e ideologjike të vëllezërve Frashëri, artikjut programatik të publicistit Shahin Kolonja e Nikolla Naçe, pikëpmajet e avncuara gjuhësore të Konstantin Kristoforidhit, epika brilante e Gjergj Fishtës, poezitë me patos social e kombëtar të Fipi Shirokës etj.

Shqiptarët kulturalisht i përkasin Perendimit, kurse në edukimin dhe formimin e tyre shpirtëror kanë ndikuar disa religjione:

-katolicizmi, ortodokizmi dhe protestanizmi ndikuan në avancimin e kulturës dhe arsimit,

-bektashizm shërbeu si urë lidhëse në mes të kulturave e feve të ndryshme dhe

-islami kontribuoi në trajtat e caktuara të mbijetesës në mjediset e përziera ku rreziku i asimilimit kombëtar ishte evident

Shqiptarët gjatë gjithë historisë u shoqëruan nga tradita e praktika të ndryshme fetare, por në kodin e tyre kulturorologjik ngeli e pandryshuar vertikalja kombëtare, si një shirit që përshkoi fjongon e diversiteteve tona fetare. Rrejidhimisht, i bie që shqiptarët fetë i përdorën si kostume që mund edhe t’i ndërrojnë varësisht nga festat, kurse kombin e mbajtën si shtyllë që garantoi qëndrueshmërinë e tyre ndaj rrebesheve të egra të kohës.

Tani kur jetojmë në një kohë me dimensione të shumanshme të multikulturalizmit dhe globalizmit, kombi shqiptar sërish ndodhet para sfidave të reja. Shpopullimi i vazhdueshëm që po ndodhë aktualisht në trojet tona, i ka zënë të papërgatitura elitat tona politike dhe për pasojë mungon një strategji efiksa për parandalimin e këtij procesi të dimbshëm, jo vetëm demografik, por edhe kombëtar. Familja shqiptare po shkon duke u reduktuar dhe duke u deatomizuar, dhe për pasojë rreziku nga asimilimi po bëhet eviend edhe për shkak të mungesës së një mekanizmi parandalues ndaj këtyre proceseve, sidomos në komunitetin tonë të madh të mërgatës shqiptare. Kjo e fundit i është ekspozuar një procesi degradues që po vjen si pasojë e një organizimi stihik, ku në të shumtën e rasteve dominon prirja për të hapur më tepr objekte fetare e më pak shoqata kulturore e shkolla kombëtare.

Një organizim i tillë i diasporës sonë, jo vetëm që bie ndesh me kodin tonë kulturor, por prish edhe kohezionin civilizues e social në mjediset ku shqiptarët jetojnë e veprojnë. Prandaj botën shqiptare duhet ta konceptojmë si një organizëm që po vjen duke u zgjeruar dhe duke dalur nga amza e vet, ku organizimi kulturor, teknologjik e arsimor duhet të jenë dimensionet vendimtare që e bëjnë botën shqipatare të duket si një “fshat global”, siç do të thoshte komunikologu kanadez Marshall Mclluchan (Meklluhan).

Që të arrihet kjo, mërgata e madhe shqiptare duhet të braktis urgjentisht disa trajta të tanishme të organizimit fetar dhe në vend të kësaj të praktikohet mësimbesimi fetar ku do të trajtoheshin të gjitha religjinet që kanë ndikuar në formmin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve. Vetëm me kurikula të tilla të përbashkëta fetare, ku diversiteti i besimeve do ta përforconte dhe më tepër bazën edukuese të fëmijëve tanë, ne si komb do të arrijmë t’i parandalojmë disa sfida që janë pasojë e prurjeve të pakontrolluara globaliste.

Karakteri gjithpërfshirës i programit kulturor të Rilindjes sonë Kombëtare duhet të jetë udhërrëfim edhe për gjeneratat e sotme dhe të ardhme, duke e ngritur në edukim të përgjitshëm historinë e përbashkët të formimit tonë si komb, ku kontributet e familjes Qiriazi bashkë me Frashërlinjtë dhe Bojaxhinjtë e Shkupit vulosën axhendën tonë kulturore e arsimore.

E veçanta e botës shqiptare duhet të jetë kultivimi i vëllazërisë së brendshme kombëtare e fetare, kurse univerzalja gjithsesi duhet të na shërbejë rruga jetësore e Nënës Tereze. Pra, shqiptarët në vend se të kultivojnë vëllazëritë e jashtme mbi axhenda fetare, duhet të përforcojnë vëllazërinë e brendshme, sepse ai është motori i vetëm që vë në lëvizje progresin tonë si komb.

Ne duhet të jemi shumë me fat që nga gjiu ynë doli Gonxhe Bojaxhiu, të cilën bota e njohu si Nëna Tereze, e cila nga periferia barti dhe mori me vete përvojat kulturore që në thelb kishin diversitetin etnik e fetar, duke e shndërruar këtë përvojë në kauzë shpirtërore-univerzale. Nëna Tereze është shembulli më unikat i projektimit të shtëpisë së përbashkët për të gjithë njerëzit, pa pasur nevojë që ndonjeri prej tyre të ndjehet pronar, e ndonjëri qiragji. Shtëpia e madhe e Nënës Tereze ofroi strehë e ngrohtësi për të vemtuarit dhe braktisurit, për të sëmurët dhe të vobektit, kurse tapia e kësaj shtëpie ishte vet buzëqeshja e Nënës Tereze, e cila shpëndahej në skutat më të errta të vetmisë njerëzore.

Organizimi i komunitetit shqiptar në Kroaci, falë angazhimit këmbëngulës edhe të deputetes së nderuar znj. Ermina Lekaj-Përlaskaj si dhe të një armate të tërë veprimtarësh, mund të merret si model për mërgatën tonë në Europë dhe me gjerë. Hapja e tetë qendrave kulturore, që tani e tutje janë pronë e komuniutetit shqiptar në Kroaci, flet jo vetëm për seriozitetin e një qasje institucionale, parasegjitash të depuetes Përlaskaj dhe bashkveprimtarëve të saj, por edhe për një vetëdije të formuar kulturore e politike të këtij komuniteti, i cili e konsideron veten pjesë të proceseve të rëndësishme shtetmofrmuese në Kroaci.

Do të doja që edhe nga ky forum i sotëm të dalim më të qartë me visione e synime për të ardhmen tonë të përbashkët, duke forcuar lidhjet që na bashkojnë, dhe duke flakur veset që na ndajnë, sepse siç thoshte prof. Anton Çetta “Kur t’ja lshojsh tjetrit kryt n’dore, ta ven kapuqin qysh don ai, e jo qysh don ti”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Skender Asani

FEDERATA PANSHQIPTARE VATRA – NJË BUSULLË ORIENTUESE NË GJITHË TURBULLIRAT E KOHËVE

September 23, 2022 by s p

Federata Panshqiptare VATRA në Nju Jork  u bë të enjten epiqendra e  “JAVËS KULTURORE SHQIPTARE NË SHBA”, e cila  mblodhi rreth vetes një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh që kishin ardhur për të ndjekur nga afër promovimin e tri veprave të botuara nga ITSHKSH: “Shkupi, vetë historia e Kosovës” – S. Asani, M. Prishtina, A. Ramaj; “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ Eqrem bej Vlora; “Propozime për drejtshkrimin” I-II.

Për të shprehur mirënjohjen e sinqertë  ndaj drejtuesve të VATRËS, dhe sidomos ndaj kryetarit të saj z. Elmi Berisha, për organizimin e këtij aktiviteti mbresëlënës, nuk mjaftonin vetëm fjalët, andaj në mënyrë simbolike deshëm të përkujtojmë vatranët se librat ishin ato që zgjuan shqiptarët nga letargjia shumëshekullore, duke i dhuruar tri veprat e sipërpërmendura z. Berisha, si shenjë e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj kauzave sublime që i kemi trashëgim nga rilindësit tanë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ishte me fat që pati një busullë orientuese në gjithë turbullirat e kohëve. Ishte Federata Panshqiptare Vatra, organizimi më jetëgjatë i shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut, e themeluar në vitin 1912, e cila në të kaluarën pati si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. Por edhe aktualisht Federata Panshqiptare Vatra nuk është zhveshur nga petku i misionit të shenjtë, sepse ajo vazhdon të prodhojë unitet brendakombëtar dhe  interaksion komunkimi e bashkëpunimi me institucionet amerikane dhe përfaqësuesit e ndryshëlm të jetës civile në SHBA.

Jam i lumtur që bashkë me kolegët e mi nga ITSHKSH u bëmë dëshmitarë të një entusiazmi të pashoq që u krijua në mbrëmjen e së enjtes në Nju Jork, ku nuk mungoi interesimi i bashkatdhetarëve tanë për punën tonë hulumtuese-shkencore dhe për vizionin tonë mbi të ardhmen e botës shqiptare. Ky interesim burimin e kishte tek vetdija e formuar e mërgatës sonë për rolin që kishte dhe që ka aktualisht në nxitjen e proceseve ndërgjegjësuese të botës shqiptare, kudo ku ndodhet ajo, pikërisht ashtu siç vepruan një shekull më parë viganët e mendimit dhe veprimit shqiptar Fan Noli, Faik Konica, që njëherësh ishin edhe themeluesit e parë të Federatës Panshqiptare – Vatra.

Mesazhi më kuptimplotë që doli nga ky takim në Federatën Panshqiptare – Vatra ishte ideja se civilizimet kanë gjithmonë nevojë për transformime të brendshme, kurse e përbashkëta e këtyre transformimeve është absorbimi i vlerave pozitive univerzale dhe shpërndarja e përvojave më të mira në tejkalimin e keqkuptimeve e mosmarrëveshjeve të natyrave të ndryshme.
Faleminderit vatranë që na bëni krenar me të qenit shembull i atdhedashurisë edhe atëherë kur atdheu nga hallet e shumta ju harron t’iu shpreh mirënjohje institucionale për kontributet tuaja kolosale!  

Nju Jork, 22 shtator 2022

Prof.dr. Skender ASANI – drejtor i ITSHKSH në Shkup

Filed Under: Politike Tagged With: Skender Asani

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT