• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OKSIGJEN OPOZITËS

November 20, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Premtimi i nxituar dhe refuzimi i vonuar për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri nga ana e kryeministrit Edi Rama i dha opozitës së Tiranës “armë” për të mbrojtur veten nga keqqeverisja 8 vjeçare.
U protestua për ideale ambientaliste, ndërkohë që Gërdeci u harrua krejt. Sikur deputetet e PD të dilnin me parrulla kundër tragjedisë të Gërdecit, ato do të ishin të besueshëm, por ata e përdorën “ngërçin e Edi Ramës” në emër të pushtetit politik.
Gjatë këtyre ditëve, nga rrjedhja e lajmit në mediat franceze, të cilat pyetën ministrin Bushati rreth çështjes në fjalë, të paktën, nuk është përmendur thuajse fare ose ka kaluar në plan të dytë humbja e stërthellë e opozitës në Korçë dhe çështja e Pallatit të Vlorës, ‘Jon’, ku ndërlikohej figura e kryetarit zyrtar të opozitës dhe zbërthehej skema e marrëdhënieve klienteliste 23 vjeçare në Shqipëri.
Opozitës iu kthye frymëzimi për të protestuar dhe për të krijuar situatë të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë. Madje gati sa nuk u frymëzua edhe për të marrë në duart e saj mekanizmin e protestës para Kuvendit, në rrugët e sheshet e qyteteve, dhe për ta shndërruar atë në protestë popullore.
24 orë në ditë Rama u shndërrua në personazhin negativ të mediave – u thirrën në skenë, në kauzë të përbashkët, eksponentë të vitit 1997 dhe eksponentë të Gërdecit, ose të të dyjave bashkë.
Falë vendosmërisë së protestuesve ambjentalistë, kryesisht të rinj dhe të reja, nxënës të shkollave të mesme, nuk u lejua që protestat të merrnin ngjyrime partiake dhe as ekstremiste të kurrfarë ngjyre. Mosndërhyrja e qeverisë në zhvillimin e protestave ndihmoi që ambjentalistëve të mos iu dilte nga duart protesta dhe motivet e saj.
U trimërua edhe opozita brenda vetë Partisë Socialiste. Në opinion u përforcua ideja se, edhe po ta dërgonte në Kuvend për miratimin çështjen e asgjësimit të armëve kimike të Sirisë, ajo do të hidhej poshte edhe nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve ‘socialistë’.
Kjo rritje e opozitës së brendshme shënon edhe uljen e aftësisë vendimmarrëse të Edi Ramës. Pra, e vë në rrezik në njëfarë mënyre autorizimin e fuqishëm që mori ai me votën e 23 qershorit.
Opozitën e brendshme e përbën pikërisht ‘garda e vjetër’ e përfolur në mediat shqiptare dhe të huaja për pakënaqësitë e saj ndaj kryeministrit Rama.
Zhvillimet e këtyre javëve, nga shtatori e këndej, prej kur kryeministrit i është propozuar nga aleatja, mikja dhe partnerja jonë e madhe, Amerika, asgjësimi i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, tregojnë se në politikë ndëshkohen edhe ngutja në vendimmarrje, edhe pavendosmëria në vendimmarrje.
Në deklaratën e tij për mospranimin e armëve kimike në Shqipëri, duke folur për kundërshtarët e tij, kryeministri tha se janë ata që po tremben nga masat e qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pavendosmëria e kryeministrit do të jetë ajo që do të ndëshkohet më së shumti në këtë zotim të tij.
Me rëndësi tashmë është që Edi Rama të ketë nxjerrë mësimet përkatëse nga e gjithë kjo, çka do të ishte mesazhi i  duhur për përkrahësit e tij të vendosur në Partinë Socialiste dhe në shoqërinë shqiptare.
Dhe të mos nxirren në harresë aferrat korruptive të pushtetarëve, të mos nxirret në harresë hendeku i madh që krijojnë ata me mjerimin anembanë Shqipërisë, shumë më tepër se Blloku i dikurshëm në mes të Tiranës.
Të mos harrohet se ndotja më vdekjeprurëse e shtetit janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilët e kanë betonizuar dhe shëmtuar Shqipërinë, sidomos Shqipërinë turistike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Bucpapaj

E MAJTA SHQIPTARE KONSOLIDON LULIN

November 1, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Jemi dëshmitarë të gjithë se qysh e majta shqiptare ka vënë në veprim ekstremin e saj më agresiv për të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Lulit, siç po e quaj edhe unë kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e ri të opozitës së re të Tiranës.

Janë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm, qoftë si faktorë objektivë apo subjektivë, respektivisht, pra, joqëllimorë apo qëllimorë kanë ndikim më të madh se faktorët e brendshëm ndaj një dukurie apo ndaj një realiteti të caktuar. Aq më tepër, duke qenë tek rasti konkret, dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është njëherësh faktor i jashtëm dhe faktor i brendshëm për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe anasjelltas. Kjo shpjegohet me rrjedha historike të realitetit të shqiptar, të kristalizuara që nga 8 nëntori 1941.

Faktorët mirëfilli të brendshëm në partinë tashmë opozitare nuk janë dhe nuk kanë për të qenë të aftë që të ndikojnë në konsolidimin ose moskonsolidimin e Lulzim Bashës në krye të saj. Në këto kushte, rolin vendimtar e merr partia pozitare, e cila, për këtë, përdor ekstremin e majtë shqiptar. Në stilin katovicar, folklori denigrues kundër Lulzim Bashës nga kjo guzhinë e propagandës, vetëm sa ndikon për ta bërë sa më interesant në sytë e atyre faktorëve jo të majtë shqiptarë, të cilët ende e shikojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë si mishërim të idealeve të djathta shqiptare, pra si alternativë ndaj socialistëve.

Së majtës shqiptare, mbisunduese absolute në jetën e kombit tonë prej më se shtatë dekadash, i intereson që Partia Demokratike e Shqipërisë të vazhdojë të mishërojë iluzionin e një të djathte. Duke qenë njohëse e psikologjisë së të sunduarve të saj, e majta, pasi e ka krijuar iluzionin, vazhdon ta zhvillojë atë në skenën shqiptare, duke bërë mrekullira të rreme, ashtu si iluzionistët bëjnë në skenat e shfaqjeve të tyre.

Mungesa e një kryetari të konsoliduar të partisë kryesore opozitare, mungesa e një lideri të konsoliduar të opozitës, do të vinte në pikëpyetje nëse ekziston apo jo Partia Demokratike, nëse ekziston apo jo opozita në Tiranë, çka do të bënte urgjente gjithnjë e më shumë lindjen dhe rritjen e një partie të vërtetë opozitare, të një lëvizjeje vërtetë opozitare, rrjedhimisht të një djathte të vërtetë e të mirëfilltë në politikën shqiptare.

E majta jonë është në dijeni të plotë se në realitetin shqiptar ekziston faktori i djathtë. Mirëpo ajo është e interesuar që ky faktor të mos jetë i organizuar në një parti të tijën, por të jetë i përfaqësuar edhe më tej nga një parti tjetër, e përbërë edhe ajo nga klane të majta, si gjatë këtyre viteve të derisotme të të ashtuquajturit tranzicion shqiptar.

Prandaj propaganda e majtë e paraqet tashmë Lulzim Bashën jo vetëm si kopje të Sali Berishës, por edhe si një rimishërim të tij për së gjalli, sikur kemi të bëjmë me të njëjtin embrion, por me dy trajta të tij, të zhvilluara ato në dy epruveta të ndryshme, njëra sosh me faza më të përshpejtuara, ndërsa tjetra sosh me faza më të përngadalësuara, derisa të japin gjendjen e sotme, frytin e sotëm, sado të dyzuar në dukje, gjoja të njëjtë në thelb.

Synimi tjetër po aq kryesor i fushatës që e majta shqiptare ka ndërmarrë me anë të krahut të saj më ekstrem është që t’i shmangë sa më shumë ngjashmëritë në figurën, stilin dhe veprimet e paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e qeverisë. Me çdo kusht, ngjasimet, pra të jenë sa më të mëdha, sa më ekskluzive dhe sa më të imponuara mes paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe sa më pak ose mundësisht fare të mos vihen re këto ngjashmëri midis Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Shkalla e suksesit të fushatës aktuale demonizuese të së majtës shqiptare ndaj Lulzim Bashës do të varet jo aq shumë nga zelli i fushatbërësve dhe nga sofistikimi i makinerisë së saj. Ajo do të varet kryesisht nga mënyra se qysh Lulzim Basha do të bëhet vetë pjesë e lojës. Pra, sa dhe si ai, si pasardhës, do të ketë mësuar në këtë drejtim nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, sa dhe si ai, do të dëshmojë talentin për të hyrë dhe për të qenë në këtë lojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta shqiptare, Lul Basha, Skender Bucpapaj

KURRË MË NË TROJË

September 30, 2013 by dgreca

Cikël poetik nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

KORBAT QË LASHË ATJE, KORBAT QË GJETA KËTU/

Korbat që lashë atje/
Sykuqtë/
Na krroknin/
Drejt në sy/

Korbat që lashë atje janë sykuq/
Ngaqë rrinë duke ndukur stërvina/
Korbave që lashë atje iu lëshojnë lëng sqepat/
Për sytë e njerëzve/

Korbat që gjeta këtu janë sykthjellët/
Ata të shikojnë sy për sy/
Dhe ta lëshojnë krrokun/
Drejt e në vesh/

Korbat që lashë atje janë të përlyer
Glasash të veta
Korbat që gjeta këtu e lëshojnë glasën atje ku duhet
Pa bërë kurrë pis kalimtarët e pispillosur
Veturat me dizajne marramendëse
Parkuar poshtë pemëve

Korbat që lashë atje janë të stërkequr
Të palarë, të pangrënë, të pagjumë
Korbat që gjeta këtu janë digitalë
Si të dizajnuar në mënyrë kompjuterike
Secili ka faqen e tij në internet
Ndonëse si korbat që lashë atje
Edhe këta nuk janë gjenetikisht të ndryshuar
Si të jetë vendi bëhet kuvendi

Pra
Korbat që lashë atje
I gjeta këtu?
Korba lashë atje,
Korba gjeta këtu.

—

PLEPAT
Te dritarja e dhomës sime të mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit Plepat nuk rrinë thjeshtë për të fshirë yjet në prag të agimit
Ata qëndrojnë aty për të thënë
Aty po fle Skënder Buçpapaj
Prandaj mbani aq qetësi e aq zhurmë
Sa duhet për një gjumë të mirë.

Plepat ndanë Valbonës
Si matës të nivelit të kaltërsisë së lumit
Nuk rrinin gjithmonë për të treguar
Se gjithmonë lumi i kaltër do të kalojë aty

Poshtë Urës së Bujanit
Ata rrinin aty për të treguar
Se nëpër të përthimë të ditës së re
Këtu do të kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj

Plepat rrinë pranë brigjeve, urave, lumenjve
Dregëzohen, lëmohen, gjethohen, zhgjethohen
Gjysmëdrejtëza të hequr nga toka drejt pafundësisë
Për të treguar se nga pafundësia
Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës

Do të rikthehet përsëri te plepat e vet
Skaj dritares së mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit,
Skaj lumit aty ku merr udhë për nën Urën e Bujanit
Gjithandej brigjeve, urave, lumenjve.

—

NDAL SOKOL FALU ME MUA
Shpendi
Sogjetar
Mbi prenë e vet
Përgjon nga hapësira

Plakat
Në dyer të tabaneve
Në Lug të Vrellës
Tellën e Pranverës
Balçinë të Luzhës
Lugun e Vocit

Gjarpër
Tëbanët e Hetës
Të baraslarguara
Nga shpendi sogjetar
Besojnë
Se një ditë tjetër të lume
Do t’u falë
Shpendi fatsjellës

Rrudhat e tyre
Apokaliptike
Palojnë flatrat
Si shpend të butë
Në fytyrat shekullore

Ato bien erë tambël vedrash
Njëqind vite larg
Deri këtu në fund të botës.

—

POEMA E TPLANIT
Tplani
Prej Moknit në Arvejë
Prej Ballfushës në Kryekand
Është metropoli botëror
I bretkosave.

I kam merak
Se ato, në miliarda,
Mos më mardhin
Në gjumin e tyre letargjik

Nën akull.
Pa muzikën e tyre
Nuk vë gjumë në sy
As këtu midis Alpeve të Evropës.

Druaj se mos më mardhin
Rrëshqanorët e bokave
Zhguallorët dhe jozhguallorët
Ata flenë çdo vit nga gjashtë muaj
Duke mos e ditur
Sa i kushton botës së çmendur
Ky gjumë i pafajshëm i tyre.

Druaj se më mardh
Fauna me gëzof në karma,
Prapshtia, shullëre
Druaj se mos më mardhin në shtëpitë e ftohta
Shkretanët, mbrapshtanët,
Gubanët, qurranët,
Zhelanët, breshkanët,
Gjenialët e Tplanit.

—
MOJ E MIRA NË ORTEK TË BORËS

Ajo ishte midis diellit
Dhe ortekut të borës
E bardha.

Dielli ishte midis
Së bardhës
Dhe ortekut të borës.

Orteku i borës
Ishte midis
Diellit
Dhe së bardhës.

Flokëbardhën
Sybardhë
Qerpik-bardhë
As me sy
As me të prekur
Por vetëm se kundërmonte zanë mali
E dallova

E bardha
Tamël deleje
Mjelë në ortek të borës
Isha i zanuari i zanës
O.
—
DRENUSHAT
Ato janë nisur nga natyra për florë
E kanë dalë faunë.
Drenushat dalin
Nga errësira e pyllit
Në dritën e lirishtës

Për ta parë veten
Në pasqyrat e pafundme
Të pikave të vesës

Drenushat frikësohen nga bukuria e tyre
Më shumë se nga egërsia e bishave
Vrapojnë nga drita e lirishtës
Për në errësirën e pyllit
Që ta fshehin bukurinë e tyre
Në pikat e vesës
Ka mbetur pamja e drenushave
Fërfëllojnë drenushat
Dhe dridhet pylli

Prej meje pse ikin drenushat
Unë kam dalë të shfletoj errësirën e pyllit
Dritën e lirishtave

Për të koleksionuar
Lotët e drenushave
Sepse drenushat janë
Më shumë florë se faunë.

—

RETË

Retë e bardha
Do të qajnë për mua
Me lotët e drenushave
Bjeshkët do të dënesin
Me ofshamat e pishnajave.

EMIGRANTI
Dalëngadalë
Dalëngadalë
Gjithnjë e më shumë
Emigranti e ndjen
Se kufijtë e Atdheut
Ngushtohen
Ngushtohen
Jo më larg
Se lëkura e trupit
Në të cilën
Emigranti rron.

—
EKZOTIKAT E BARDHA
Ekzotikat e verdha
Ekzotikat e zeza
Kanë hedhur rrënjë
Në anët tona
Kanë pushtuar
Shtretërit e burrave
Tashmë vendin e tyre e kanë zënë
Ekzotikat e bardha.
Dikur të hyje në orbitat e tyre
Ishte si të hyje në oribitat e orteqeve
Të linin pa frymë
Cung në rrah.
Çdo Saharë
Me një frymë
E bleronin.

Tash ato janë ekzotika të bardha
Janë hëna dite
Asnjëherë njëlloj
Herë të plota e herë fragmente
Gjithnjë e më shumë
Dekore të panevojshme
Tani ato
Janë Antarktida
Mardh deri në shndërrim në mermer
Planeti
Burrat e në shtretërit e tyre
Janë të rrallë
Sa eklipset e diellit
Ato mbushin faqet e rubrikave
Ku kërkohen partnerë shtrati
Të fshehura nën shifra, kode, pseudonime

EVOKIM
Sapo ka shtyrë tutje lëvozhgën nga ka dalë
Zogu i vogël ka vënë në sy një gjethe të sapoçelur ahu
Vë re se si ujëvarat e Valbonës
Krye Rrogamit të Shalës
Shpërbëhen në shpendni
Të pafundme ylberesh
E ëma
Ia jep një gjethe ahu në sqep
Ta ketë baraspeshë
Për fluturimin e parë.
Në sfond të linjave të tensionit të lartë
Në sfond të teleferikut të minierës
Nga oborri i një shtëpie
Vjen aroma e një buke të valë
Të sapodalë nga çerepi
Zogu mbush kraharorin
Me aromën e bukës
Në prag të fluturimit të pare.
PYLLI NUK DURON PRISHJE QETËSIE

Pylli duron vetëm fëshfërimën e gjetheve të tij
Dhe shushurimën e lumit që i kalon pranë.
Kacafytjet midis të fortëve e të dobëtëve
Çarjet e pishave nga rrufetë
Rrëzimi i bredhave nga bora
Janë vetëm përjashtime nga rregulli.

Pasi është ngopur me prenë e vet
Gjithkush lëpihet, vetëkënaqet dhe fle
Në folenë e vet, apo shtrofullën e vet
Nëpër degë, zgurliqe, shpella, tunele nëntokësore
Dhe pylli e merr përsëri në dorë situatën.
—
DETET, OQEANET KANË FRIKË SE MOS SHKON LUMI T’I PËRPIJË

Detet
Oqeanet
Për më tepër oqeanet
Kanë frikë
Se mos shkon lumi
T’i përpijë.

Lumi lind
Në trajtën e një pike vese
Që rrëzohet nga një fije bari
Iu shpëton zogjve e insekteve
Që mund ta shuanin etjen me të.

Përfund brushtullave
Përfund zalleve
Lumi merr vrull të çajë shkëmbinjtë
Të arrijë detet dhe oqeanet
Detet
Oqeanet
Tranohen
Tremben
Vërtiten në qiell nga frika
Tmerrohen
Ç’trimërohen
Ikin nga brigjet
Rikthehen në brigje

—
QENTË E KËTYRE ANËVE
Qentë e këtyre anëve
E njohin të zonjën
Por nuk e njohin vetveten
Gjithnjë e më asocialë
Ata bëhen
Kur shohin veten të pasqyruar
Pranë zonjave të tyre
Gjithnjë e më xhelozë
Kur e shohin veten
Në foto shtrati
Me zonjat e tyre.
—
KUJTESA E LUMIT

Lumit i janë dashur shekuj
Për të skulpturuar
Këta zambakë në gurë
Në lartësitë e shkrepave.
Duke gërryer thellë e më thellë luginës
Lumi i është përmbajtur gjithnjë filozofisë
Se lumi nuk e harron shtratin e tij
Por tashmë është tepër vonë
Në skulpturat e lumit
Tashmë sfilon era
Bën pirueta era.

—
PËRKUFIZIM
Nëse harresa
Është proces i domosdoshëm e kujtesës
Atëherë nata
Është proces
I domosdoshëm

I ditës
Me gjuhën e Borhesit
Është i njëjti lumë
Që turbullohet
Për t’u kthjelluar.
—
ASTRONAUTËT
Të shikosh botën
Nga maja e qiellit
Është pak a shumë
Ta shikosh botën

Nga maja e lisit
Nga maja e kodrës
Nga maja e malit

Njeriu shkon më larg
Për të vështruar më gjerë botën
Që ashtu të depërtojë
Më thellë botës.
—
STINË DASMASH NË BERISHË

Prej Berajve
Në Mash dhe në Rushtë
Është stinë dasmash
Në Berishë.

Trungjet e mollëve
Mezi i mbajnë skelat pa u shqyer
Degët e mollëve
Mezi i mbajnë furkëzat pa u thyer.
Si çdo vit
Pemë pa masë ka falë Zoti.

Nga shtëpitë prej druri
Fshehur mes pyllit të pemëve
Në këtë stinë dasmash
Si farat e mollës në frut
Ndihen vekët e çikave
Që bëjnë pajën e nusërisë.

Sekush nga dhëndurët
Dallon zemrën e Nafijes së vet
Nga ritmet e vekëve.

Nga tunelet e pemëtoreve
Dalin një nga një taksitë e nuseve
Me ojme të bardha rrethuar
E flamur të kuq valvitur
Nëpër ajrin e dehur prej erës së mollëve.
Është ujë çikash
Thonë pleqtë.
—
PSE TË MOS

Pse të mos ishte qielli
Një perde e lëshuar
Deri në konturet e tokës.
Pas saj ne të zhdukeshim
Sapo t’iu sillnim mërzitje
Spektatorëve tanë.

Dhe të rishfaqeshim
Vetëm e vetëm
Me kërkesën
Padurueshëm ngulmuese
Të spektatorëve tanë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ..Kurre me en Troje, Korbat qe lashe atje, Skender Bucpapaj

COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIAN

September 25, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Në shkrimin e tij”Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”, kolegu diplomat Shaban Murati, një think tank në mendimin aktual shqiptar, sensibilizon opinionin për një shqetësim tejet të drejtë.
Serbia, nëpërmjet Podgoricës, ka hedhur në tregun diplomatik rajonal projektin e një commonwealthi serb të quajtur “Unioni Ballkanikoperëndimor”, në përbërje të të cilit do të ishin, përveç Serbisë, edhe Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Pra, do të ishte një Jugosllavi minus Kroacinë dhe Slloveninë, plus Shqipërinë, që do të zëvendësonte ekuacionin hegjemonist të Beogradit të perënduar në fund të viteve 1990 me luftërat e Millosheviçit në rajon dhe do të rilindte projektin e Serbisë së Madhe.
Commonwealth (komënuelth), nga anglishtja e vjetër, do të thotë e mirë e përbashkët. Në praktikën ndërkombëtare ka komënuelthet ndërtohen mes qendrave të ish perandorive me ish kolonitë e tyre. Më klasiku i tyre në epokën moderne është komënuelthi britanik. I quajtur Komënuelth i Kombeve, ai përfshin shtete që kanë qenë më parë pjesë e Perandorisë Britanike, disa prej tyre shtete të pavarura. Një komënuelth tjetër i deklaruar është ai midis Rusisë dhe ish republikave sovjetike, të cilat dolën të pavarura pas shpërbërjes së BRSS. Një formë më të moderuar ka zgjedhur Franca nëpërmjet Aelancës Frankofone, ku përfshihen përveç kolonive të dikurshme dhe vendet më të ndikuara nga kultura franceze.
Iu jam trembur lëvizjeve të viteve të fundit në kryeqyteteve e vendeve të mësipërme ballkanike dhe kam pasur arsye për të dyshuar se ato bëheshin, në mënyra të ndryshme, për të mikluar Serbinë. 
Nisur nga praktikat e tipeve të komënueltheve moderne të përmendura më lart, ku interesat dhe përfitimet shkojnë në përpjesëtueshmëri të pajtueshme me dëshirat dhe synimet për përparim të përbashkët dhe për ndikime pozitive e konstruktive të ndërsjellëta, ky i nxitur nga Beogradi dhe i popozuar nga Podgorica më duket kundër interesave të shqiptarëve, kundër interesave të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe kundër projekteve bashkëkohore dhe perspektive të Evropës në pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit.
Dihet historikisht roli tejet i rëndësishëm i Komënuelthit Britanik si në hapësirën e tij, ashtu edhe në proceset botërore, qoftë si precedent pozitiv, qoftë për peshën që kanë mbajtur, mbajnë e do të mbajnë në kuadrin e aleancave dhe organizmave të mëdha botërore. Interesat e përbashkëta, përparësitë e ndërsjellëta në marrëdhëniet e tyre në kuadrin botëror, qëllimet dhe parimet e përbashkëta i kanë mbajtur së bashku këto shtete dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë shumë kohë në të ardhmen.
Edhe komënuelthi rus është deri diku i shpjegueshëm dhe i natyrshëm, për shkak të infrastrukturave të përbashkëta të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, për shkak të popullsive ruse që mbetën atje gjatë pushtimit rus, për shkak të peshës së gjuhës ruse dhe kulturës ruse në identitetin e atyre vendeve, si dhe për shkak se elitat e këtyre vendeve ishin ish më të privielegjuarit e Moskës, ishin pikërisht klasat udhëheqëse të republikave para shpërbërjes së BRSS. 
Në këtë kontekst, është e kuptueshme edhe që Mali i Zi kërkon të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. Ky vend i vogël trashëgon një nga infrastrukturat fizike më të kushtueshme të Jugosllavisë së atëhershme (siç është, për shembull hekurudha Beograd-Podgoricë) dhe një ndër më të kushtueshmet në rajon e Evropë, të cilën mund ta mirëmbajë, ta shfrytëzojë dhe ta shndërrojë në të mirë të përbashkët të të dy vendeve. Është e kuptueshme që Bosnjë-Hercegovina, me peshën që ka atje Republika Serbe, ta dëshirojë veten po ashtu nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. ‘Maqedonia’ do ta kishte si strehim Serbinë në interesin e tyre të përbashkët antishqiptar.
Ndërsa, çfarëdo pranie e Kosovës dhe e Shqipërisë në këtë komënuelth serb, në këtë federatë serbe, Jugosllavi të re, siç e quan me të drejtë Shaban Murati, do të ishte drejtpërdrejt në favor të frymëzimeve serbomëdha, në favor të hegjemonizmit të Beogradit në rajon. Një nga të mirat e tragjedisë së viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor, shkaktuar nga shovinizmi serbomadh millosheviçian, ishte pikërisht dhënia fund e hegjemonizmit serb në Ballkan, dhënia fund e serbocentrizmit në politikën evropiane në rajonin e gadishullit tonë. Një “Union Ballkanikoperëndimor” do të ishte thjesht për të ngjallur dhe për të ushqyer orekset e Serbisë së Madhe.
Ky projekt nuk ka si të mos shihej me frikë dhe shqetësim nga dy vendet ish jugosllave, tashmë anëtare të NATOs dhe BEsë, të cilat janë prej më herët në qendër të iniciativave të Ballkanit Perëndimor. Një “Union” si ai që kërkon Podgorica dhe propozon Beogradi do të shmangte dhe përjashtonte rolin e Zagrebit e të Lubjanës. Serbia i sheh me sy të keq sidomos marrëdhëniet e mira mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, marrëdhëniet e mira kroato-shqiptare në tërësi, të cilat paskëtaj do të kontrolloheshin përherë e më tepër nga Beogradi. 
Shaban Murati sjell në shkrimin e tij argumente dhe fakte bindëse sa iu druhen dhe sa i refuzojnë Zagrebi dhe Lubjana të gjitha projektet për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër, në çfarëdo mënyrash, të drejtpërdrejta apo të kamufluara. Në këtë mënyrë, “Unioni” është një sabotim i hapur i integrimeve të rajonit në hapësirën evroatlantike, është një mjet diversioni ndërfqinjësor rajonal në duart e Beogradit. 
Nëpërmjet këtij mjeti diversioni, Beogradi do t’i sabotonte edhe integrimet shqiptare në dy shtetet e tyre si dhe në Maqedoni, ku janë komb shtetformues, në Mal të Zi e në Republikën e Serbisë (Lugina e Preshevës). Vitet e fundit, ne jemi dëshmitarë se si Serbia ka arritur të nxitë mes Tiranës dhe Prishtinës garën se kush do të jetë më e parapëlqyera e Beogradit. Edhe Marrëveshja e 19 prillit nga Beogradi synohet për sabotimin e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare dhe faktorëve të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët unë sapo i përmenda.
Shaban Murati për shkrimin e tij merr pikënisje nga njoftimi që gazeta malazeze “Dan” se në fund të shtatorit në Nju Jork, në kuadrin e takimeve vjetore në Kombet e Bashkuara, do të zhvillohet një takim i nivelit më të lartë i këtyre gjashtë vendeve “ballkanikoperëndimore” dhe një udhëzues paraprak me parimet dhe detajet e kësaj nisme iu është dërguar ministrave të Jashtëm të gjashtë këtyre vendeve. 
Murati thotë se qeveria e mëparshme e ka dhënë pëlqimin e saj për projektin dhe kjo e vë para një fakti të kryer qeverinë aktuale, e cila vetëm se mund të kërkojë kohë për t’u njohur më mirë me nismën. Unë, nga ana ime, nuk mund të parashikoj sa do të jetë ndikimi i Prishtinës ndaj Tiranës për ta përfshirë Shqipërinë në “Union”. Republika e Kosovës, në të vërtetë, nuk ka trashëguar nga Jugosllavia ndonjë infrastrukturë kurrkund të ngjashme me atë të Malit të Zi, nuk ka pse ta shohë veten pjesë të infrastrukturave të ardhshme të përbashkëta fizike me Serbinë, nuk mund të presë ndonjë investim serioz apo me qëllime të mira nga ana e Serbisë në përparimin e vendit apo në kuadrin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga ana ime mendoj se vizioni që shpalosi në Prishtinë kryeministri i ri i Republikës së Shqipërisë, ku ai e ftoi Kosovën që bashkë me Shqipërinë të jenë pjesë e pesëkëndësisht me Turqinë, Greqinë dhe Italinë, është vizion i të sotmes dhe të ardhmes përparuese dhe integruese perëndimore për të dyja shtetet shqiptare. Pra, qeveria Rama nuk ka pse të braktisë një projekt vizionar integrues shqiptar dhe perëndimore për hir të një projekti të errët antishqiptar dhe antievropian që e ka gatuar Beogradi dhe satelitët e tij. Nuk ka pse të braktisë një projekt vizonar madhor sa dhe transparent, për hir të një projekti që vetëm sa do ta legalizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë të mafies ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: antishqiptar, Commonweal thi serb, Skender Bucpapaj

AZEM HAJDARI DHE IBRAHIM RUGOVA – FIGURA BASHKUESE DHE EMANCIPUESE TË POLITIKËS E TË KOMBIT

September 16, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Njëra palë hoqi dorë nga tundimi për ta mbajtur Azem Hajdarin në kornizën e figurës partiake, tjetra palë hoqi dorë nga ngurimi për ta pranuar Azem Hajdarin në dimensionet e tij reale tejpartiake kombëtare. Kjo, në atë masë sa të bëhej e mundur që Lideri Studentor i Dhjetorit, themeluesi i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetari i parë i saj, katër herë i zgjedhur deputet me votën e lirë të shqiptarëve në Kuvendin e Shqipërisë, të rivarroset me nderime nga shqiptarët dhe politikanët e tyre dhe të gjejë prehjen e përjetshme në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, çka Azem Hajdarit i ishte mohuar për 15 vjet rresht.

Një padrejtësi e gjatë dhe mizore ndaj atij që më pak se gjithkush i meritoi padrejtësitë, atij që padrejtësisht u largua nga jeta në kuadrin e një intrige ballkanike, të ekzekutuar materialisht nga Tirana politike e kohës.

Pa dashur ndoshta, Gabriel Partosh, gazetari britanik që u muar shumë me çështjen shqiptare në vitet 1990, sillte skemën nëpër të cilën ka kaluar ‘vrasja e karakterit’, deri në vrasjen fizike të Azem Hajdarit. ‘Vrasja e karakterit’, dihet, është një term i shpikur nga mafia, por një praktikë e marrë hua nga politika dhe e stërholluar prej saj, për t’iu rikthyer sërish politikës me kamatën përkatëse. Kjo praktikë nëpërmjet demonizimit të tejskajshëm të figurës së personit të vënë në objektiv, parapërgatit terrenin në opinionin e gjerë, në opinionin zyrtar dhe në vetë gjendjen shpirtërore të të ‘dënuarit’, në mënyrë që vrasja e personit, pra vrasja fizike, të jetë thjeshtë lëvizje e ftohtë e një mekanizmi, siç është shkrepja e një arme, prekja e një butoni e tjerë.

Partosh, në stilin e arkivuesit të rastit ‘Hajdari’, në nekrologjinë ‘Azem Hajdari’ të botuar ato ditë në ‘The Independent’, e përshkruan Azem Hajdarin si një politikan opozitar dhe ish lider studentor 35 vjeçar, si një figurë me shumë armiq personalë dhe politikë sa pakkush tjetër ose sa askush tjetër. “Vrasja e Hajdarit, i cili luajti një rol prijës në lëvizjen për demokraci kundër regjimit komunist më 1990, erdhi si kulmim i disa incidenteve të dhunshme ndaj tij, duke përfshirë edhe atentatet kundër jetës së tij. Më spektakolari i këtyre ka ndodhur gati saktësisht një vit më parë, kur ia u plagos rëndë në një  incident me të shtëna brenda parlamentit shqiptar. Vrasja e tij i i dha fund karrierës tetëvjeçare politike, e cila ishte në fillimin sa në fundin e saj.”

Kështu shkruan Partosh, për të vazhduar me prejardhjen e Hajdarit “nga një familje e varfër malore në rajonin verior të Tropojës, njohur për traditat e saj të trimërisë, dhunës dhe gjakmarrjes, si dhe për varfërinë sa dhe për mbështetjen në kontrabandën ndërkufitare me Kosovën”.

“Trim, i pakompromis dhe me një fuqi populiste, Hajdari spikati si lider natyral i lëvizjes stundentore. Brenda ditësh ai u bë një nga themeluesit e PD, e para parti jokomuniste në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore dhe u zgjodh kryetari i parë i saj. Por qëndrimi i Hajdarit në krye të PD ishte i shkurtër. Dy muaj më vonë ai u zëvendësua në krye të partisë nga Sali Berisha, kardiologu që u çua nga Ramiz Alia, lideri i fundit stalinist i Shqipërisë, për të biseduar me studentët. Që atëherë, marrëdhëniet e tij ambivalente dhe periodikisht të paqeta me Berishën, një tjetër i ardhur nga rajoni i Tropojës, e përcaktuan pjesën më të madhe të karrierës së tij. U desh një vit derisa PD i fitonte zgjedhjet parlamentare dhe Berisha u bë president në prill të vitit 1992. Hajdari nuk mori post qeveritar. Në vend të tyre ai pati postin e kreut të komisionit parlamentar të rendit dhe të SHIKut – policisë së re sekrete.”

Partoshi shkruan më poshtë: ” Ndërkohë, ndikimi i Hajdarit po zvogëlohej me shpejtësi. Brenda disa muajsh që PD mori pushtetin, Hajdari ishte në telash ngaqë bëri kritika ndaj qeverisë së re në një intervistë televizive e cila nuk u dha asnjëherë. Hajdari pastaj u largua për pak muaj me një bursë në Shtetet e Bashkuara në një lëvizje që dukej e skicuar për ta mënjanuar atë. Hajdari mbeti një disident të cilit nuk i mbyllej goja kurrë. Më 1993 ai u gjet fajtor se sulmoi një koleg zyrtar të PD, ndonëse u mjaftua me një paralajmërim ndaj tij. Në një rast ai kërcënoi të qëllojë veten nëse policia nuk ndalonte se dëbuari një grup ish të burgosurish politikë të kohës së komunizmit nga një ndërtesë ku ata po bënin një grevë urie në mbështetje të marrjes së shpërblimeve më të mira nga shteti. Për një çast Hajdari tentoi të bashkohet me Aleancën Demokratike, partinë që kishte dalë nga DP apo madje të krijonte një organizatë të re me anëtarë të tjerë të zhgënjyer të lëvizjes studentore. Por perspektivat gjithandje dukeshin të errëta, kështu që ai qëndroi në PD, partinë që qëndroi vendosmërisht në pushtet deri në kolapsin e firmave mashtruese piramidale në fillim të vitit 1997.”

“Besnikërit rajonale dhe personale, çimentoja e politikës shqiptare, e mbajtën atë brenda orbitës së Berishës, edhe kur ata kishin mosmarrëveshje. Një përpjekje e tillë ishte orvatja e pasuksesshme e Hajdarit më 1996 për të marrë në dorë federatën kryesore të sindikatave të Shqipërisë, një veprim që u bë nga zhgënjimi për mungesën e ndikimit të tij brenda PDsë. Vitet e tëhuajtjes me Berishën morën fund me humbjen shkatërrimtare të PD në zgjedhjet e vitit 1997 të cilat pasuan kryengritjen kundër regjimit të Berishës kur ranë skemat piramidale. Shumë nga zyrtarët e lartë të Berishës e lanë politikën ose nuk arritën të rizgjidhen në parlament. Hajdari, nga ana tjetër, nuk kishte qenë në qeveri dhe nuk mbahej përgjegjës për rrënimet e vitit të mëparshëm. Ai gjithashtu kishte rimarrë disi popullaritetin e tij nga koha e demonstratave studentore. Hajdari tash doli si një shoqërues i afërt i Berishës në opozitë. Por natyra e tij luftarake nuk kishte ndryshuar. Në shtator 1997 u përfshi në një përplasje me Gafur Mazrekun, një deputet i Partisë Socialiste të kryeministrit Fatos Nano, në një debat lidhur me rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar. Ndonëse opozita i paraqiti të shtënat si pjesë të fushatës politike kundër PDsë, kjo pati krejtësisht pamjen e një hakmarrjeje dhe Mazreku u dënua me 11 vjet. Brenda gjashtë muajsh Hajdari pati përsëri një përfrikësim. Pas një incidenti ku truprojat e detyruan shefin e policisë të qytetit verior të Shkodrës për t’ua liruar vendet VIP në stadiumin lokal të futbollit, policët e bllokuan rrugën për të mos e lejuar makinën e tij të rikthehet në Tiranë. Pas disa orësh të ndalimit të tyre, shoqëruesit e Hajdarit u çarmatosën. Sjellja konfrontuese e Hajdarit e bëri atë një tokmak kundër qeverisë Nano e cila po përpiqej, me një sukses të kufizuar, të rikthejë rendin dhe ligjin në vitin pas kryengritjes.”

Partosh vë pikë në fund të çdo fjalie. Duke dashur të japë përgjigje përfundimtare për gjithçka, në fakt ai lë edhe shumë pikëpyetje në nekrologjinë që i ka bërë Azemit: “Vdekja e tij – në një breshëri plumbash – përmbante të gjitha të dhënat e një vrasjeje profesioniste për çka PD fajësoi qeverinë. Por, me të gjithë ata armiq të cilët ai i bëri në jetën e tij personale, sipërmarrëse dhe politike përgjatë viteve, mundet që të mos bëhet kurrë e qartë se për çfarë arsyeje Hajdari u vra. Hajdari, i cili la pas një grua të vejë dhe dy fëmijë, ishte një karakter i rrallë që kishte pasur një ekzistencë të rrezikshme. Për shumicën e kohës fati ishte në anën e tij; por më në fund ai e braktisi në mes të dhunës që u bë karakteristikë e përditshme e Shqipërisë postkomuniste.”

I kam sjellë këtu të cituara e jo të perifrazuara ato çka shkruan Partosh, pa dashur të paragjykoj apo të gjykoj. Ndërkohë vështrimet që vijojnë më poshtë, i ndriçojnë në një dritë, nga kënde të tjera, pamje të tjera dhe kohë të tjera, derisa të arrijnë tek kuptimi i sotëm i figurës dhe veprës së Azem Hajdarit.

Më 12 dhjetor 1990, ditën e mitingut gjigant prej 80 000 vetash, ku shpallej themelimi i partisë së parë opozitare të Shqipërisë, siç shkruante në “New York Times” atë ditë i dërguari special i gazetës në Tiranë David Bindner, Azem Hajdari kërkonte bashkimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Partia Demokratike duhet të punojë për bashkimin paqësor të Shqipërisë dhe Kosovës thoshte Azemi. Kjo thirrje mund të shkaktojë fërkime me Beogradin, komentonte gazetari. Bindner shkruante se Azem Hajdari, student 28 vjeçar i filozofisë, luajti rol udhëheqës në organizimin e revoltës studentore.

Vizioni paqësor i Liderit Studentor të Dhjetorit Azem Hajdari për bashkimin kombëtar dhe vizioni paqësor të Liderit Indendentist Ibrahim Rugova për Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane nuk janë aspak përjashtuese, përkundrazi janë plotësisht përfshirëse ndaj njëra tjetrës. Azem Hajdari dhe Ibrahim Rugova do të ishin jetë të ndërprera aq sa figura të jashtëzakonshme, shembullore, të historisë sonë moderne. Të parit më herët kundërshtarët politikë njëzëshëm me armiqtë e kombit do t’ia merrnin shpirtin, të dytit, më vonë, të njëjtët, me të njëjtën mizori, do t’ia gërryenin shpirtin. Azem Hajdari dhe Ibrahim Rugova janë të vetmit në politikën moderne shqiptare që, pas vdekjes, njohin lartësim të pareshtur të figurës së tyre. Ata janë të vetmit që kundërshtarët e tyre politikë, nuk do tua këmbenin jetën, por do t’ua këmbenin me siguri trashëgiminë e tyre në historinë e kombit. Janë të vetmit që kundërshtarët e tyre ua kanë zili dhe do t’ua kenë zili deri në vdekje veprën që ata lanë pas vetes dhe lavdinë që merr përmasa gjithnjë e më sfiduese.

Në rrethanat e shpërthimit të luftës në Kosovë, tashmë Azem Hajdari do të paraqitej nga propaganda e Tiranës dhe nja dy kryeqyteteve të tjera ballkanike, jo vetëm si rrezik ndaj klasës politike të Shqipërisë. Prandaj kundërshtarët e tij para opinionit të huaj do ta paraqitnin si figurë trubulluese nacionaliste. Dhe vrasja e Azem Hajdarit do të ndodhte, në mënyrë sistematikisht të paralajmëruar, para syve të opinionit të brendshëm e atij të jashtëm gati ditë pas dite, duke i ngritur prita, duke i bërë atentate të dështuara, duke e plagosur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe, më në fund, duke e eleminuar para dyerve të Partisë Demokratike.

Vrasja e Azem Hajdarit është më se politike, ajo është vrasje shtetërore, e organizuar nga Tirana e asaj kohe, e shërbyer edhe nga vendet fqinje. Vrasja pak ditë më vonë e Ahmet Krasniqit, ministrit të parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, e sqaron dhe e shpjegon si autorësinë, ashtu edhe motivimin e vrasjes së Azem Hajdarit.

Këtë aspekt e nënvizon, në mënyrë të veçantë, anëtari i Kongresit amerikan Eliot Engel në deklaratën që paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve për të nderuar Azem Hajdarin, udhëheqësin e lëvizjes për demokraci në Shqipëri në 15 vjetorin e vrasjes: “Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji.”

Më tej, duke iu kërkuar kolegëve të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri  numri dy i Dhomës së Përfaqësuesve, i takuar disa herë me Azemin që na fillimi i vitit 1990 kur ishte pjesë e një delegacioni shqiptar në një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, deklaron: “Përmes fjalëve dhe veprave, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim. Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t’i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda. Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë.”

Tashmë, pra, në Perëndim e veçanërisht në Amerikë, është kristalizuar qëndrimi ndaj motivit dhe autorësisë së vrasjes së Heroit Azem Hajdari. Engel thekson se Hajdari është hero për shumë shqiptarë. Këtë  aspekt e vë në spikamë, në një shkrim me rastin e 15 vjetori të vrasjes së Azemit, edhe biznesmeni i shquar shqiptaro-amerikan, ish botues i gazetës ‘Illyria’, Harry Bajraktari, kur shkruan se Azem Hajdari kishte vizionin e një udhëheqësi të shquar dhe gëzoi dashurinë e shqiptarëve kudo që janë.  Azemi, pas vdekjes, është mbajtës i urdhërave më të lartë, dhënë atij nga Presidentët Rugova, Moisiu dhe Topi. Ai mori titullin Qytetar Nderi në Tiranë dhe në pothuaj të gjitha bashkitë e komunat e Shqipërisë. Dhe këtë e mori në vitet kur Partia Demokratike e Shqipërisë ishte në opozitë.

Dashuria e shqiptarëve për Azem Hajdarin dhe Ibrahim Rugovën, pra, nuk ka njohur luhatje, nuk ka njohur zbritje, ka njohur vetëm rritje dhe do të njohë vetëm rritje sa më shumë që të kalojë koha. Ata janë dy figurat më të dashura për shqiptarët në gjithë historinë moderne të kombit tonë. Përpjekjet për t’u matur me ta vetëm sa i vë në pozita dobësie politikanët dhe figurat e tjera të sotme. Mungesa e vlerësimit dhe respektit ndaj tyre vetëm sa tregon mungesën e emancipimit qytetar dhe politik të figurave të sotme shqiptare.

Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe të kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, sidomos në cilësinë e nismëtarit dhe të bashkorganizatorit të veprimtarive për 15 vjetorin e rënies së Heroit Azem Hajdari, me shumë të drejtë nënvizoi se Azem Hajdari është një figurë që thërret për bashkim. Edhe bashkorganizatori tjetër, kryetari i ri i Kuvendit, i dalluar si politikan me intuitë të veçantë, nënvizoi rëndësinë e realizimit të ëndrrës së Azem Hajdarit dhe të gjeneratës së tij. Nuk mund të kesh Shqipërinë e gjeneratës së ardhshme pa realizuar Shqipërinë e brezit të Dhjetorit 1990 të shprehur në thirrjen e tyre: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!

Në ceremoninë e rivarrimit të Heroit Azem Hajdari muarën pjesë të gjithë ish presidentët e pluralizmit, presidenti aktual, ish kryeministra, kryetari i ri i kuvendit, disa nga ministrat e qeverisë së re, deputetë të të gjithë krahëve të politikës, diplomatët kryesorë perëndimorë, si dhe një masë e madhe qytetarësh. Pavarësisht se veprimtaria ishte e improvizuar dhe kishte mangësi, përmban vlerë të madhe historike për zhvillimet tona kombëtare dhe demokratike.

Ra në sy mungesa e kryeministrit të ri qoftë në ceremoni, qoftë në mediat sociale, qoftë në paraqitjet e tij ndaj gazetarëve. Aq sa ra në sy mungesa e emrit të Ibrahim Rugovës në fjalën e mbajtur ditë më vonë në Kuvendin e Kosovës. Fjalimi hapej me emrin e Rexhep Qosjes dhe përjashtohej emri i liderit historik të Kosovës, duke e transformuar Kuvendin në një forum partiak dhe jo shtetëror. Nderimet që i bëri tek varri i Presidentit historik të Kosovës dhe fjalët e mira që tha, nuk e zbehen atë që ndodhi në Kuvend. Të marrësh mendjen e Shkëlzen Maliqit dhe Baton Haxhiut, të bëhesh rob i protkollit të Prishtinës zyrtare që në Tiranë, do të thotë të përfundosh duke vënë në dyshim vlerat e vizitës tënde të parë shtetërore, të një simbolike të posaçme, në cilësinë e re që të dha 23 qershori.

Azem Hajdari dhe Ibrahim Rugova janë dy figura bashkuese dhe empancipuese të politikës dhe të kombit shqiptar. Ekskluzivitetin e figurave të tilla, në gjithë modernitetin tonë, e ka dhe duket se do ta mbajë vetëm e djathta shqiptare.

Në intervistën e dhënë më 20 shtator 1998 nga Parisi për gazetën ‘Illyria’ që del në Nju Jork, ku e përcaktonte vrasjen e Azem Hajdarit në tradhti politike, Ismail Kadare kërkonte: “Duhet që shteti shqiptar të dënojë në mënyrë të vërtetë dhe jo karikaturale, jo vetëm ata që e kryen krimin, sidomos ata që e shtynë dhe e organizuan atë”. Pra, rasti Azem Hajdari mbetet i paarkivueshëm ndër breza, deri në ndriçimin e tij absolutisht të plotë.

Deri sa ta realizojë porosinë e Kadaresë për dhënien e drejtësisë ndaj vrasjes së Heroit Azem Hajdari, shteti shqiptar do të vazhdojë të jetë pjesë e konspiracionit ndaj bijve më të mirë të kombit tonë, vazhdon të jetë larg së qeni shtet ligjor, larg së shkëputuri nga tranzicioni i stërgjatë dhe i stërlodhshëm postkomunist.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azem hajdari, Ibrahim Rugova, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT