• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI SI FAKTOR PËRCAKTUES NË SKENËN POLITIKE MALAZEZE

September 28, 2020 by dgreca

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve dhe shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze. Kryetari z.Camaj analizon fenomenin politik “Abazoviq”, orientimin pro-perendimor të qeverisë së re, shëmbjen e perandorisë së pushtetit politik Gjukanoviq, dhe sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar. Me z. Nikollë Camaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

POZICIONI I SHQIPTARËVE PAS ZGJEDHJEVE NË MAL TË ZI

Ne dolëm në zgjedhje me premtimin se do jemi pjesë e qeverisë, dhe se nga ajo pozitë do zgjedhim shumë çështje të pazgjidhura deri më tani,  e në rend të parë çështjet ekonomike dhe zhvillimore të trevave ku jetojnë shqiptarët. Pritnim, dhe dëshironim, që të jemi çelësi i qeverisë së re, por ja se ajo nuk ndolli. Zgjedhjet krijuan një shumicë të re, shumicë që bëhet edhe pa ne. Mirëpo, për faktin se kjo qeveri i ka të nevojshme pakicat brenda, besoj se jemi në pozitë mjaft të favorshme, nëse sjellim vendim që të bëhemi pjesë e sajë. Për të qenë i qartë, LDSH është e mendimit se duhet të hyhet në qeveri, sepse, ku pikon çatia mund të vërehen nga brenda, edhe pse të ndërtohet duhet nga jashtë. Për ne pra, ka rëndësi të pozicionohemi në favor të zgjidhjes së çështjeve të shqiptarëve, e me qëndrim në opozitë, nuk besoj se mund të zgjedhim gjë. Por, se a do të jemi më të fortë, apo më të dobët, shumëçka do të varet edhe nga aftësitëe liderëve që do të bëjnë bisedimet. Natyrisht, pozicionet tona do të ishin edhe më të favorshme, sikur në zgjedhje të kishim dalë me një listë.

SHEMBJA E PERANDORISË SË PUSHTETIT 30 VJEÇAR TË GJUKANOVIQ

Rezultati i zgjedhjeve sikur i ka habitur njerëzit. Derisa një pjesë e madhe e shoqërisë në Malin e Zi e ka kuptuar si çlirim; një pjesë tjetër,  ndër ta edhe shumë shqiptarë, për fat të keq edhe në diasporë,  e kanë kuptuar si humbje të veten. Personalisht, nuk mund ta kuptoj prej nga e gjithë kjo nostalgji për humbësit e zgjedhjeve. Edhe pse, ndoshta ne nuk kemi tepër arsye për t’u gëzuar, por aq më pak kemi arsye që të bashkë-vuajmë humbjen e një oligarku, duke e arsyetuar atë me faktin se në taborin fitues ka dhe parti me prefiksin serb. Kjo më kujton kohën kur një pjesë e shqiptarëve kërkontebanën sulltan, pas shpërbërjes së perandorisë turke. Sindromi i Stokholmit, duket! LDSH,  si parti e vërtet opozitare,  e vetme ndër shqiptarët, që parapëlqen ndryshimet, e kupton si ajo pjesa e madhe, pra, si çlirim! 

QEVERIA E RE NË MAL TË ZI DHE RAPORTET ME SHQIPËRINË E KOSOVËN

Mendoj se qeveria s’do të ketë orientim as pro-serb, as pro-rus,  por pro-perëndimor. Ne rast se tenton te marr atë drejtim, forcat pro-perëndimore, brenda bllokut, janë të mjaftueshme, dhe tejet të qëndrueshme në kursin e vet pro-evropian, saqë forcat eventuale të cilat do provonin të ndërronin drejtim, do mbeteshin të pakta dhe pa përkrahje. Prandaj frikësimi me gogolin pro-serb e pro-rus, është më tepër në favor të arsyetimit të atyre që qajnë për humbësin. 

DRITAN ABAZOVIQ SI FENOMEN POLITIK SHQIPTAR

Ai vërtet nuk është i mbështjellë me flamurin shqiptar, por si një kozmopolitevropian,  ndoshta edhe utopik,  për kohën dhe vendin, nuk ngurron të mburret se është shqiptar. Është fenomen, edhe si njeri edhe si politikan. I mençur e  parimor, besnik ndaj idealeve të veta. Paraqitjet e tij teatrale tashmë kane fituar simpatinë e një rrethi të gjerë,  por e di fare mirë se as malazezët as serbet, hero s’do ta shpallin, prandaj zor se do të lejojë të dalë i shfrytëzuar, siç pretendon ta paraqes ndokush, por do të çojë deri në fund idealin e vet për një Mal të Zi evropian, në kuptimin e plotë të fjalës. Si person, nuk ka nevojë as ta mbroj, e as ta këshilloj, por duhet ta kemi para sysh se një shqiptar e bëri të mundur ndryshimin e qeverisë dhe rënien e perandorisë Gjukanoviq, çka nuk besoj se ka ndodhur pa bekimin e Perëndimit. Përçarjet ndërnacionale, të shkaktuara gjatë 30 viteve, dhe grabitja e pasurisë, dhe resurseve kombëtare, në emër të ruajtjes së shtetit , më në fund e morën hakun. 

SFIDAT E KOMUNËS TUZ ME ADMINISTRIM SHQIPTAR

Deri më tani ia kemi dal mirë, edhe përkundër problemeve që na ka shkaktuar procesin i ndarjes me Podgoricën, të cilit nuk po i shihet fundi. Podgorica akoma vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë; vazhdon të marrë pagesat nga banorët e Tuzit, kurse shërbimet i bën sikur Tuzi të ishte një lagje e parëndësishme e Podgoricës. Kjo kërthizë thithëse, me Podgoricën, duhet të ndërpritet urgjentisht, nëse mendojmë të zhvillojmë trevën, siç e meriton Malësia dhe banorët e sajë. Përpos kësaj, ajo në çka,tutje duhet të fokusohemi, është ruajtja, mirëmbajtja dhe rregullimi i hapësirave publike dhe vënia e resurseve lokal në funksion të zhvillimit të Malësisë, e jo të Podgoricës, siç është rasti deri më tani. Mirëpo, përkundër këtij realiteti, duhet apostrofuar një realitet tjetër; se administrata shqip po funksionin me entuziazmin, frymën dhe përkushtimin fillestar. Përndryshe, vlerësimet janë se, edhe përkundër obstruksionit që vjen nga kryeqyteti,  më shumë është bërë për Malësinë tash 2 vite se për 50 vitet e fundit. Malësia, shtëpia jonë, e lënë tepër gjatë mbas dore, ka nevojë, dhe e meriton dorën e kujdesshme të atyre që e duan.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E “DIELLIT” DHE DIASPORËN, NË USA

Qëndroni pranë vendlindjes siç keni qëndruar deri më tani.  Keni besimin në ne, se do t’i shërbejmë vendit pa hile, me aq sa kemi mundësi e dije. Ndikimi juaj në jetën ton është i madh,  prandaj kujdes, si e shfrytëzoni atë ndikim. Duhet ta kuptojmë se gjerat mund t’i shohim ndryshe,  por qëllimet i kemi të njëjta; që shqiptarët të shkëlqejnë në çdo drejtim. Ndërsa për ata që po kanë frik nga ndryshimet: duhet ditur se ndryshimet është dashur që njëherë të ndodhin,  dhe pa votën e atyre që i mbajmë për çetnik, ajo s’mund të ndodhte. Prandaj, ndarjen në çetnikë,ballistë e partizanë t’ia lëmë të së kaluarës dhe pushtetit aktual që i ka krijuar. Mendoj se për ne janë njëlloj, prandaj ne duhet të fokusohemi në interesat e shqiptarëve dhe jo në zënkat hileqare ndër-sllave. Por, që shqiptarët të shkëlqejnë është e paimagjinueshme pa faktorin diasporë. E ka thënë Noli, e ka dëshmuar Kosova, e madje edhe komuna jonë. E thash edhe në fillim: se ku pikon çatia shihet nga brenda, por të ndreqet, mundet vetëm nga jashtë! Pra, që të mos pikojë shtëpia jonë, e quajtur Shqiptari, njëlloj duhen njerëzit që rrinë brenda, dhe ata që rrinë jashtë!

Ju faleminderit

Filed Under: Featured Tagged With: Nikolle Camaj, Shqiptaret ne Mal te Zi, Sokol Paja

AT ZEF PLLUMI, FRANÇESKANI I MADH QË JETOI DHE VUAJTI “SHUMË SHEKUJ”

September 26, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA-Para 13 vitesh një emër i lartë i Kishës Katolike, një shqiptar dhe Françeskan i madh At Zef Pllumi do largohej nga kjo jetë për të shkuar në jetën e pasosur të cilën e predikoi dhe shuguroi trupin e shpirtin e tij të veçantë. At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës. At Zefi përfaqësonte qytetërimin perëndimorë përballë injorancës, mizorisë e halabakërisë komuniste. At Zef Pllumi ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave. Me emrin e At Zef Pllumit lidhet e gjithë historia tragjike e persekutimit të Kishës Katolike përgjatë regjimit diktatorial. Kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një kronologji persekutimi, dhimbje, tmerri, por edhe të një qëndrese fisnike në kushtet kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë, fizikisht, institucionalisht dhe ideologjikisht. At Zef Pllumi na la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humb shpresën, besimin dhe shpirtin e tij por të qëndrojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes, dhe pas frymës së fundit. Ajo trashëgimi që na ka lënë At Zef Pllumi është një institucion atdhedashurie, feje, morali e shprese. Më 14 dhjetor 1946 në moshën 22 vjeçare At Zef Pllumi arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit. Në vitin 1967 kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar,  At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt vetëm se pse deshën lirinë. Veprat testament që na la At Zef Pllumi janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje”, dhe “Saga e fëmijnisë”. Sot si kurrë më parë, fjalët e tij tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese. Ajo çka na përcjell At Zefi është një kushtrim për liri, për atdhe, për dinjitet, për moral për dashuri ndaj njëri-tjetrit. At Zef Pllumi ishte heroi i dritës në terrin dhe ferrin komunist. Me dhimbje por kurrë me urrejtje, At Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e At Zef Pllumit për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën  staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet. 

Filed Under: Politike Tagged With: At Zef Pllumi, Sokol Paja

EKSKLUZIVISHT FLET NGA PARISI PËR DIELLIN AURORA GJAPI, INXHINIERE E SHËNDETIT DHE SIGURISË NË PUNË

September 25, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË FRANCË DHE PARISI NËN EFEKTIN E COVID-19-


Aurora Gjapi, Inxhiniere e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë në Universitetin Paris Dauphine, Francë, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën e Covid-19 në Francë, ndikimin e pandemisë globale në ekonomi, turizëm dhe shqiptarët në shtetin francez. Me Aurora Gjapin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

Gazetari i Diellit Sokol Paja-

FRANCA PËRBALLË COVID-19

Duke filluar nga fundi i gushtit, numri i rasteve me Covid-19 në Francë vazhdon të rritet. Nga fillimi i epidemisë e deri më tani ka më shumë se 458 061 raste të konfirmuara. Autoritetet janë të shqetësuara nga të dhënat e fundit të bilancit pasi përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 53 vdekje të reja dhe 5616 persona janë në spital, prej të cilëve 919 në reanimacion. Numri total i vdekjeve të shkaktuara nga Covid është më shumë  31 338, prej të cilave 20 778 raste nëpër spitale. Numri i rasteve të konfirmuara është më i lartë për periudhën fund gushti/fillim shtatori sesa fund marsi/fillim prilli. Për tu theksuar është fakti që aktualisht testet realizohen në masë, duke përfshirë kështu jo vetëm personat që shfaqin simptoma të rënda por edhe personat asimptomatik. Në ditët e sotme realizohen më shumë se 1 milion teste çdo javë, kundrejt disa mijërave teste për periudhën e marsit. Virusi është gjithmonë në qarkullim dhe popullsia vazhdon të jetë e rrezikuar. Megjithatë, autoritetet prej më shumë se 6 muaj janë të mobilizuar plotësisht për ti bërë ballë kësaj situate dhe për të mbrojtur vendin nga humbjet ekonomike dhe sociale që po shkakton kjo krizë shëndetësore. 

PASOJAT E COVID-19 NË SHOQËRINË FRANCEZE

Në Francë, ashtu si edhe në shumë shtete të tjera të botës, masat e izolimit drastik hynë në fuqi pa marrë parasysh impaktin negativ që ato mund ti shkatonin shoqërisë në shumë aspekte , si në ekonomi me humbjen ose shkurtimin e vendeve të punës, falimentimin e firmave, ashtu dhe në atë të shendetit mendor me shfaqjen e simptomave të ndryshme përfshirë këtu stresin, lodhjen emocionale, pagjumësinë, depresionin… gjithashtu edhe në rritjen e dhunës, divorceve dhe  shtimin e numrit të vetvrasjeve.

Pavarësisht masave të marra nga qeveria për lehtësimin e situatës si psh këshillime me psikologe me anë të numrave jeshilë, ndihmë ekonomike, etj…një pjesë e madhe e njerëzve u gjenden vetëm dhe pa mbështetje pasi për shkak të izolimit social u shkëputen nga të afërmit dhe miqtë e tyre, gjë që ndikoi në rritjen e numrit të personave depresiv.

Kohëzgjatja e izolimit ishte një faktor më shumë në përkeqësimin e problemeve në familje (30% me shumë raste se në kohën përpara pandemisë).

Duke parë të dhënat aktuale është më se e domosdoshme që masat e distancimit social të vazhdojnë të ndiqen dhe shoqeria duhet të mirëinformohet në mënyrë që impaktet negative të pandemisë të minimizohen. Pavarësisht këtyre masave, duket sikur jeta ka marrë rrjedhën e saj « normale » duke shpresuar që impaktet negative të zbehen sa më shpejt.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË FRANCË 

Në kohë normale, 17 milion turistë të huaj zgjedhin Francën si destinacion për pushimet verore pa përfshirë këtu turistët ditorë që përllogariten rreth 89 milion në vit (shifër e 2019-ës), kundrejt 9 milion francezëve që kalojnë pushimet jashtë territorit francez. Në 2020, 70% e pushuesve francezë kanë zgjedhur vendin e tyre kjo edhe si rezultat i pandemisë. Të dhëna të sakta për numrin e pushuesve të huaj nuk ka por vihet re një rënie e tyre kjo dhe nga politikat e brëndshme të shteteve të ndryshme. Si pasojë e pandemisë, popullsia është e prirur kryesisht për blerje të produkteve elementare. Sektore të ekonomisë si aeronautika, fabrikat e automobilave, shoqëritë organizuese të evenimenteve, hoteleria, moda, …kanë pësuar humbje të mëdha ekonomike, kjo përkthehet me reduktimin e vendeve të punës dhe në disa raste edhe në falementim të firmës.

SHQIPTARËT NË FRANCË

Për situatën e komunitetit shqiptar në Francë mungojnë burime që mund të japin statistika të sakta. Përsa i përket personave me origjinë shqiptare me të cilët jam në kontakt, nuk ka patur asnjë rast të prekur me Covid-19.

PARISI NËN NDIKIMIN E PANDEMISË. ÇPO NDODH NË KRYEQYTETIN FRANCEZ ?

Fatkeqësisht, virusi vazhdon të jetë aktiv por edhe Parisi ka rigjetur aktivitetin dhe gjallërinë që e karakterizon. I vetmi ndryshim është që të gjithë njerëzit duhet të lëvizin me maska. Që në fund të gushtit, maskat janë bërë të detyrueshme në hapësirat publike. Në mënyrë që Parisi të vazhdojë të jetë aktiv është e rëndësishme që njerëzit të respektojnë mbajtjen e maskave dhe distancimin social. Parisi vazhdon të vizitohet nga turistët pavarësisht se numri i turistëve është zvogëluar. Parqet, monumentet historike, muzete, kinematë, baret e restorantet kanë filluar të frekuentohen por sipas vendeve duhen ndjekur protokolle dhe procedura sanitare të veçanta. Si në shumë vende të tjera edhe në Paris, distancimi social sidomos nëpër bare nuk respektohet siç duhet nga të rinjtë. Për momentin është e ndaluar që më shumë se 10 persona të mblidhen në një vend publik, diskotekat janë të mbyllura dhe evenimentet që kanë më shumë se 5000 persona (koncerte, spektakle,…) janë po ashtu të ndaluara.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Shpresoj që diaspora shqiptare në USA të jetë sa më pak e prekur nga kjo pandemi. Fakti që të gjitha shtetet po përjetojnë të njëjtën eksperiencë ndihmon që ne të gjithë së bashku t’ja dalim dhe ta përballojmë këtë situatë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Njeriu ka aftësinë të përshtatet përballë situatave të reja dhe në të gjithë së bashku duhet të triumfojmë mbi këtë virus pa u frikësuar dhe pa përhapur panik. Vazhdoni të kujdeseni për veten dhe të afërmit tuaj, ashtu siç e kanë traditë shqiptarët. 

Filed Under: Featured Tagged With: Aurora Gjapi, Sokol Paja, Universiteti i Parisit

SHQIPTARËT NË ZVICËR DHE MASAT SHTETËRORE NDAJ COVID-19

September 24, 2020 by dgreca

Dr. Fatime Berisha Imeri nga Zvicra rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Covid-19 dhe shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Sipas Dr. Fatime Berisha Imeri, efekti i Covid-19 në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen më vonë. Ndikimi negativ në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Me Dr. Fatime Berisha Imeri bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

ZVICRA PËRBALLË COVID-19

Aktualisht vërehet rritje e numrit të të infekturave por stagnim i numrit të vdekjeve nga Covid-19  krahasuar me fazën e fillimit. Lëvizjet më të mëdha të njerëzve dhe udhëtimet në vende me numër më të lartë të rasteve me Covid-19 mendohet se janë shkaku kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve. Autoritetet zvicerane kanë zgjeruar listën e shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës 10 ditëshe. Nga 14 shtatori qeveria zvicerane perveç zgjerimit të listës së shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës, ka futur edhe rajone të ndryshme të shteteve me të cilat kufizohet, siç është Franca. Një test negativ për RT-PCR nuk mjafton që individi të lirohet nga karantina. Qeveria ka vendosur qe një kohë të gjatë edhe të ashtuquajturin „Contact Tracing“ ku bëhet  identifikimi i të gjithë atyre individëve që kanë pasur kontakt me një person pozitiv për Covid-19. Varësisht nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kontaktit përcaktohet edhe për ata individë karantina ose testi RT-PCR. Në konferencën për media në fillim të shtatorit,  qeveria zvicerane dhe ministri i shëndetësisë kanë deklaruar se me çdo kusht do të parandalohet një Lockdoën i nivelit të marsit 2020. Tash për tash maskat janë të obliguara në shitore dhe ambienete publike të mbyllura kurse në rrugë njerëzit nuk janë të obliguar të vejnë maska. Dua të permend faktin se Zvicra nuk e ka kufizuar lirinë e lëvizjes në asnjë fazë të Covid-it . Njerëzit kanë mundur të dalin dhe të lëvizin lirshëm edhe në kohën e Lockdown-it, atëherë kur nuk kanë punuar shitoret e mëdha të tekstilit dhe produkteve ndërtimore, restoranet, muzetë dhe kompanitë e tjera jashtë sektorit shëndetësor. Shumica kanë punuar nga shtëpia (home-ofice) apo nuk kanë punuar fare dhe kanë qëndruar në shtëpi. Për këtë arsye numri i njërzve në rrugë ka qenë shumë më i ulët se zakonisht edhepse nuk e kanë pasur të ndaluar të dalin.

PASOJAT E COVID-19 NË SHOQËRINË ZVICERIANE

Statistika zyrtare nga qeveria zvicerane ende nuk kemi, por  raportet e një studimi nga SRG Corona-Monitors thonë:

1. Nevoja e shtuar për kujdesin ndaj fëmijëve kishte efekte të ndryshme në punësim, sidomos në atë të gjinisë femrore.

2. Të anketuarit me të ardhura të larta dhe një nivel më të lartë arsimimi, treguan që kishin veshtirësi në punë dhe detyrimet e tyre familjare për kujdesin ndaj fëmijëve.

3. Puna nga shtëpia për kategoritë e caktuara, duke u kujdesur njëkohësisht për fëmijët e tyre: këto kategori deklaruan që ishin mjaft të mundimshme dhe kanë ndikuar negativisht në psikologjinë e tyre.

4. Dhuna në familje kishte një rritje prej 0.9%.

5. Divorcet  kishin një rënje prej 0.5% sipas ketij studimi, ndoshta edhe për arsye se gjyqet kanë punuar me orar të reduktuar. Mendohet se numri i kërkesave për divorc do të rritet, gjë që është parë edhe në shumë shtete tjera por nuk janë publikuar ende statistika të sakta zyrtare.

Mediat raportojnë shpesh për ndikimet negative të Covidit në shoqëri. Efekti në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen ende më vonë. Se çfarë ndikimi afatgjatë do të ketë në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Për shkak të krizës ekonomike që do të ashpërsohet si pasojë e Lockdoën-it, ekziston         frikë e bazuar që numri i vetëvrasjeve do të rritet në mënyre masive viteve në vijim.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË ZVICËR

Ndikimi është i përmasave të papara deri më sot por ende nuk dihet shifra e vërtetë e dëmit ekonomik. Shumë kompani janë të rrezikuara dhe  kanë  probleme serioze të mbijetesës. Turizmi është një ndër sekoret më të prekura edhe për vetë faktin se liria e udhëtimit është ende shumë e kufizuar. Shumë pak njerëz kanë shkuar në pushime dhe shumë pak turistë kanë ardhur të kalojnë pushimin në Zvicër. Kjo ndikon negativisht në hotelieri, agjensionet turistike, kompanitë ajrore, aeroportet, restoranet, vendet e vizituara turistike dhe në shumë sektore tjera.

SHQIPTARËT NË ZVICËR

Jam pak e njoftuar me situatën e individëve mirëpo e di që sivjet shumica pushimin e kanë kaluar këtu dhe nuk kanë shkuar në Kosovë. Nga kriza ekonomike më së shumti janë të prekur pronarët e restoraneve dhe kompanive të vogla. Nëse dilni sot në vende publike nuk do të vëreni dallime të mëdha në krahasim me periudhën para Coronës. As në kohën e Lockdown-it rrugët dhe sheshet nuk kanë qenë  plotësisht të boshatisura siç i kemi në kujtime pamjet nga Kina, Italia dhe shumë shtete tjera që kanë aplikuar masat e rrepta të orës policore. Sot njerëzit mundohen të mbajnë distancën e referuar, kurse në mjetet e transportit publik mbajnë maska dhe mundësisht nuk ulen afër njëri tjetrit. Mbajtja e distancës sociale vërehet sidomos në ambientet publike të mbyllura ku maskat janë të obliguara. Pikat kryesore të qytetit janë të përmbushura si zakonisht, kurse në restorane ka më pak mysafirë si pasojë e rregullave mbi distancën minimale mes dy tavolinave në restoran.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Njerëzimi ka përjetuar shumë epidemi dhe pandemi dhe të gjitha i ka mbijetuar. Kjo pandemi dallon nga të tjerat shkaku i  masave rigoroze të cilat i ka vendosur politika, gjë që bota asnjëherë më parë nuk e ka përjetuar. Mirëpo, edhe kjo gjendje patjetër do të kalojë. Në njërën anë shpresojmë që virusi të lë imunitet një kohë të gjatë. Në anën tjetër përvoja më e madhe në trajtimin medikamentoz të duhr do të ulë shkallën e vdekshmërisë. Kurse një vaksinë efikase dhe e sigurtë do të ndihmojë më së shumti në zhdukjen e virusit. I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që që janë dhe ata që jetojnë në SHBA, në mesin e të cilëve kam edhe familjarë me të cilët dëgjohem rregullisht dhe  jam e e informuar për së afërmi me situatën atje. Ju dëshiroj të gjithëve mbarësi dhe shëndet!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr. Fatime Berisha Imeri, Sokol Paja, zvicer

PROF. ARBEN IVANAJ KERKON VËMËNDJE NDAJ SËMUNDJEVE KRONIKE, DHE RRITJE TË KAPACITETEVE DIAGNOSTIKE DHE TË REANIMACIONIT

September 23, 2020 by dgreca

Profesor Arben Ivanaj, Shefi Shërbimit të Hematologjisë, QSUT “Nënë Tereza”, Tiranërrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Profesor Ivanaj analizon situatën në Shqipëri pas hapjes së shkollave, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave, dhe apelon për më shumë investime në shëndetësi dhe rritje të kapaciteteve në drejtim të trajtimit të sëmundjeve kronike, rritje të kapaciteteve diagnostike dhe të reanimacionit. Me Profesor Arben Ivanaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID-19

Aktualisht në vendin tonë numri i të infektuarve ditorë është mesatarisht 150- 160 në ditë, Shqipëria nuk paraqitet keq për nga numri ditor i të infektuarve, por jo mirë me mundësitë që kemi, dhe paradoksalisht gati të gjitha vdekjet erdhen pas daljes nga karantina. Çfarë do të ndodhë me hapjen e shkollave? Personalisht kam kritikuar që në fillim strategjinë e propozuar nga OBSH, kam qenë më tepër për modelin Suedez, pra kundër mbylljes totale, aktualisht në Suedi ka afërsisht 22 raste për 100 000 banorë, ndërsa në shumë vende të tjera numri ditor i kalon 50- 60 raste në ditë, por ky model kërkon ndërgjegjësim të lartë të qytetarëve dhe ruajtjen e distancimit fizik sa më të mirë. Nga ana tjetër kërkon sistem shendetësorë të aftë t’i përgjigjet sfidave, fatkeqësisht kjo pandemi gjeti të gjitha vendet e papregatitura, këtu bën pjesë dhe Shqipëria. Ushtritë, në përgjithësi janë për një moment të dhënë të historisë, kur të n’a sulmojë armiku, për anologji dhe sistemi shëndetësorë është për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve, kur, në raste mergjence shëndetësore dhe jo vetëm, pra çdo ditë, në këtë kuptim, çdo shpenzim për shëndetësinë nuk shkon kurrë kot. Pa shëndet të mirë asgjë nuk mund të arrihet, këtë duhet të kuptojnë mirë politikëbërësit dhe për  të ardhur në vendin tonë, që modeli Suedez të funksionojë duhet të kemi një sistem shëndetësorë të ngjashëm me Suedinë. Fatkeqëshisht për arsye të mos dashjes dhe të influencës politiko-mafioze, sistemi jonë shëndetësorë, në këto 30 vite, ka ngelë shumë  i prapambetur dhe larg standartit më të mirë të rekomanduar. Hapja e shkollave është e  domosdoshme dhe nuk besoj se do të kemi nje rifillim të pandemisë, ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin, infeksione ka pasur dhe në të kaluarën dhe do të ketë  në të ardhmen, por ne duhet të punojmë fort t’i përgjigjemi sfidave të ditës dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë të ofrojmë më të mirën në drejtim të trajtimit të sëmundjeve kronike, «të zakonshme», kjo situatë duhet të bëhet një mësim i mirë për të gjithë. Duhet të rrisim kapacitetet tona diagnostike dhe të reanimacionit, duhet të rialokojmë fondet publike në drejtimin e duhur, në sistemin shëndetësor ka para,  por përdorimi i tyre është shpesh jo në efiçencën dhe jo në drejtimin e duhur.

TRAJTIMI I PACIENTËVE ME PLAZËM HIPERIMMUNE

Fatkeqësisht nuk ka mjekim të mirëpërcaktuar për të sëmurët me Covid-19, janë disa medikamente të përshkruara si efikase në stade të ndryshme të sëmundjes, si Hydroclorokina, dexamethazoni, remdesivir etj, plazma hiperimmune dhe mbi të gjitha oksigjenoterapia. Plazma hiperimmune është përdorur prej dekadash në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme me rezultate mediokre, përherë të parë është përdorur në  trajtimin e gripit spanioll. Përsa i përket plazmës hyperimmune në  USA janë trajtuar afërsisht 25 000 të sëmurë. Studimet aktualisht flasin se përdorimi i convalescent  plazma mund të jetë benefice. Më 24 mars 2020 u miratuan ga FDA si alternativë mjekimi në kushtet e urgjencës. Janë dy studime (kinez dhe hollandez) aktualisht të randominizuara, të cilat për herë të parë kanë vlerësuar efktin e plazmës hipperimmune në covid19. Parimi i veprimit lidhet me idenë se, të sëmurët të cilët janë të infektuar me covid-19 dhe shërohen, pas 21 ditesh ata kanë prodhuar antitrupa, IgG, të cilat janë efikas kundër virusit. Personat e shëruar, të cilët paraqesin një sasi të caktuar antitrupash kundër covid-19 në semurim e tyre (në gjak), ju kërkohet të dhurojnë plazmën e tyre, e cila është pasur me antitrupa, IgG, kjo plazëm do të përfuzohet te i sëmuri me covid-19,  mendohet dhe është konstatuar në praktikë, se antitrupat lidhin virusin dhe e shkatërrojnë atë,   duke përmirësuar shenjat klinike te të së murit. Aktualisht janë mbi 20 studime, në proces, të randominizuara të cilat priten të japin një tablo të plotë mbi rolin e  plazmes hiperimmune në trajtimin e covid-19. Aktualisht FDA rekomandon përdorimin e  convalescent plazma në tre situata, në stidimeklinike (clinical trial), përdorim i gjërë në  qëndra të caktuara dhe trajtimin e pacientëve të veçantë si alternativë e vetme. Në Tiranë para disa javësh ka filluar prodhimi nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të plazmës hipperimmune dhe përdorimi i saj në praktikën klinike në shërbimet ku trajtohen  të sëmurët me covid-19. Për momentin nuk kemi rezultate të mjekimit, është shpejt, por  në të sëmurët e përdorur, toleranca e mjekimit ka qenë e mirë. Në përgjithësi dhurimi i  gjakut në Shqipëri ka probleme në të kuptuarit e rëndësisë se dhurimit vullnetare të  gjakut, akoma ne nuk jemi të vetmjaftueshëm në gjak dhe produktet e tij. Por ka  pasur gadishmëri nga ish-të sëmurët me covid-19 të dhurojnë plazmën e tyre. 

BETEJA NDAJ COVID-19, NJË PËRJETIM PERSONAL

Ka qenë ditë shumë e vështirë, dita diagnostikimit të sëmurit të parë të infektuar,  dhe shtimi i të sëmurëve me cancer gjaku të infektuar me covid-19, kjo erdhi pas hapjes të  përgjithshme në fillim të qershorit. Pastaj patëm një numër të lartë të personelit të  infektuar, infermirë dhe mjek të pavionit, ditë të vështira, ruajtja dhe vazhdimësia e  trajtimit të të sëmurëve dhe në të njëjtën kohë kujdesi për kolegët dhe infermierët e  pavionit, ishte shumë e vështirë, humbja e  betejës me covid-19 e njërit nga pedagogëve  të hematologjisë, kolegut tonë, ishte një dramë me vete për të gjithë pedagogët e  fakultetit të mjeksisë. Nderim të veçantë për të gjithë personelin mjeksorë të  infektuar dhe veçanërisht për ata të cilët humbën jetën nga ky virus. Kjo pandemi tregoi domosdoshmërinë e investimeve inteligjente në shëndetësi për të qenë gati në shërbim  të të sëmurëve dhe në të njëjtën kohë nxorri në pah dobësitë në përgjithësi të  sistemit shëndetësorë, informimi, edukimi, epidemiologjia, diagnostikimi,  trajtimi dhe marrja në ngarkim të të sëmurëve me sëmundje infektive në përgjithësi, por nga ana tjetër tregoi se, trajtimi i të sëmurëve me kancer, të sëmurëve me sëmundje kronike në  përgjithësi nuk presin të kalojnë emergjencat shëndetësore, mendoj se duhet riparë nga e  para strategjia shëndetësore në përgjithësi, kjo jo vetëm lokale por dhe më gjerë. Kjo pandemi tregojë se dhe OBSH, ka limitet e veta dhe nuk është e aftë të përgjigjet në  kohë të gjitha sfidave të dhëna.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Faleminderit për këtë mundësi. Shqipëria, vendi jonë ka nevojë për të gjithë bijtë e tij kudo ndodhen, Shqipëria nuk është në vendin që i takon, ka shumë probleme, shpesh ne në Shqipëri n’a duket se nuk ka dritë në fund të tunelit, por me dashuri për atdheun dhe  me përkushtim për të ardhmen, me punë dhe vetëm me shumë punë, besoj se  dhe vendi jonë shumë shpejt do të gjejë vendin e vet mes vendeve të zhvilluara. Shqiptarët kanë  parë dhe shohin te shqiptarët e Amerikës, shembullin më të mirë, se me punë mund të  arrihet gjithçka, dhe në përgjithësi shohim te USA mikun e mirë tek i cili mund të  mbështetesh në të mirë dhe në të keq, i cili të gjindet gjithmonë pranë në të gjitha vështërsitë. Faleminderit për mundësinë për të folur me Ju.

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof.Arben Ivanaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin
  • NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON
  • Kosova mes diplomacisë pasive dhe rrezikut të izolimit të heshtur: a po humbet momenti historik i ingranimit në organizma ndërkombëtar?
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1934) / KUSH ËSHTË EKREM LIBOHOVA, AMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË BELGJIKË ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT