• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJEKËT SHQIPTARË NË GJERMANI NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE NDIHMA NDAJ BASHKATDHETARËVE TË TYRE

May 12, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli në New York e Dr. Marsela Ceno drejtuese e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja.*

Mjekët Shqiptarë në Gjermani përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të sistemit shëndetësor gjerman. Ata janë shëndërruar në një lokomotivë të jashtëzakonshme në luftën që shteti gjerman po zhvillon ndaj pandemisë botërore Covid-19. Mjekët shqiptarë jo vetëm në Gjermani por kudo në europë dhe në botë përbëjnë sot një krenari kombëtare me profesionalizmin e lartë dhe humanizmin e pashëmbullt të treguar në ndihmë të çdo pacienti por sidomos patriotëve dhe bashkatdhetarëve shqiptar që gjendeshin nëpër europë në kulmin e pandemisë globale Covid-19.

NDIHMA NDAJ SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Sapo Koronavirus po përhapej frikshëm edhe në Gjermani, dhe si pasojë mbyllja e kufijve do të linte në këtë vënd shumë shqiptarë pa siguracion, pa mjekë familje, ndoshta edhe pa njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane, Dr.Marsela Ceno tregon se ajo, në cilësinë e kryetarës së Shoqatë së mjekëve shqiptarë në Gjermani, doli në datën 17 mars 2020 me deklaratën e mëposhtme: Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani duke vlerësuar emergjencën ne të cilën ndodhet gjithë bota sot, vendosi të japë kontributin e saj duke ofruar asistencë shëndetësore për të gjithë shqiptarët që në këto ditë të vështira gjenden në Gjermani. Të gjithë mjekët anëtare të shoqatës në shenjë humanizmi dhe patriotizmi kanë dakordësuar për të ofruar këtë ndihmë në komunitet shqiptare ku ata jetojnë dhe punojnë në mënyrë vullnetare. Mjekët e shoqatës janë duke u ardhur në ndihmë të gjithë shqiptarëve që ndodhen në Gjermani, pushuesve, punëtorëve që shfrytëzojnë periudhën e 90 ditëve të qëndrimit, të gjithë atyre që janë me apo pa vizë (leje qëndrimi), pa mjek familje, pa sigurimin e duhur shëndetësor dhe që nuk dinë mirë gjuhën gjermane. Këta mjekë të shpërndarë në 16 Lande të Gjermanisë po bëjnë një xhest të jashtëzakonshëm patriotik dhe humanitar në kushtet e një krize botërore emidimeologjike me fund të panjohur.
Deklarata e mësipërme u pasua nga formimi në një kohe rekord i 14 ekipeve të asistencës, ku u angazhuan rreth 80 mjek në të gjithë Republikën e Gjermanisë. Mjekët vendosën në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe adresat private të email. Në fillim patëm një valë të madhe shqiptarësh që na drejtoheshin përmes email, whatsapp ose inbox te faqja e shoqatës me pyetje rreth shënjave se si shfaqej sëmundja e shkaktuar nga Covid 19. Nuk ishin të pakta dhe rastet që na u drejtuan për të ditur se si do të organizohej riatdhesimi i tyre. Të gjitha këto raste ju dërguan ambasadave përkatëse të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Gjermani. Më tej, pyetjet që na u drejtuan më tepër ishin sqarimi i simptomave të ngjashme me ato të COVID 19 dhe cfarë duhet të ndërmerrnin qytetarët për të kufizuar rrezikun e infektimit. Në rastet e paqarta kemi zhvilluar biseda telefonike me këta qytetarë dhe në varësi të anamnezës, gjëndjes së përgjithshme, i kemi këshilluar të qëndrojnë për 14 ditë në kushte shtëpie dhe të drejtohen te mjeku sapo situata të përkeqësohej. Unë personalisht kam patur rastin të kontaktoj me një djal të ri nga Shqipëria i cili në pritje të rezultatit të testit po kalonte një gjëndje ankthi. Në mungesë të mundësisë për tu kuptuar në gjuhën gjermane me mjekët, motra e tij nga Shqipëria më kontaktoi në inbox. Pasi fola me të riun, i propozova të shkonte edhe njëherë të qëndra spitalore në mënyrë që unë të flijsa me mjekun që e kishte vizituar. Si përfundim, cdo gjë shkoi më së miri. Rasti me këtë të riun por edhe shume raste të tjera të raportuara nga kolegët e mi, tregojnë se bashkëqyetaret patën një ndihmë të madhe edhe thjesht nga suporti moral që ju ofruam. Raste të tilla të ngjashme i gjetëm kryesisht në grupmoshat 25-35 vjecare, kryesisht grupmosha që ishte me qëndrim në Gjermani për arsye shkollimi, punësimi ose pushime. Në ditët në vijim, pjesa me e madhe prej nesh u kontaktua nga femijët e prindërve të moshës mbi 50 vjec, të cilët kishin ardhur në Gjermani për të vizituar fëmijët e tyre dhe koha e gjatë e qëndrimit këtu çoi në mbarimin e ilaçeve. Këto raste u ndihmuan përmes lëshimit të recetave private. Nuk mungojnë edhe rastet kur mjekët me iniciativën e tyre personale kanë siguaruar ilaçe për persona në nevojë në mënyrë private.
Mund të them, se numri i shqiptarëve të kontaktuar nga të gjithë mjekët që u angazhuan në ekipet e asistencës arrin tek 150 persona. Nuk kemi shifra zyrtare se sa mund të jetë numri i shqiptarëve të infektuar nga Covid 19. Për fat të mirë, nuk kemi informacione se qytetarë shqiptarë në Gjermani mund të kenë humbur jetën si pasojë e infektimit me Koronavirus.
Përpara disa ditësh mësuam se disa mjekë shqiptarë ishin infektuar dhe ndodheshin në karantinë, por gjëndja e tyre ka qënë e qëndrueshme. Një tjetër formë e kontributit tonë ishte edhe informimi i publikut përmes intervistave të dhëna për pothuajse të gjitha mediat në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Pothuajse në çdo e ekran e në çdo emision ka qenë i ftuar se paku një nga mjekët e shoqatës, për të informuar e për të qetësura shqiptarët me profesionalizmin dhe sigurinë që ofron petku i mjekut. Në rastin tonë ka qenë jo vetëm një kënaqësi, por një detyrë e kryer me dëshirë ndaj vendit tonë.
Një formë tjetër e informimit të publikut ishte publikimi në faqen tonë të shoqatës të artikujve të shkruajtur nga dhjetra mjekë të shoqatës ku u trajtuan tema dhe ju përgjigjën pyetjeve kryesor të publikut, si psh:
1. Si filloi Epidemia e Skiatorëve? – nga Dr. Besmir Elmazi
2. Sa i rrezikshëm është COVID 19 gjatë shtatzanisë- nga gjinekologjia Dr. Vjosana Gosnishti.
3. A janë të rrezikuar diabetikët? – nga Dr. Muki Mala
4. Ndikimi i COVID 19 tek pacientët me diabeit- nga Dr. Kristi Xhunga
5. Ndikimi i COVID 19 tek pacientët me tension të lartë- nga Dr. Ali Hajdari
6. Si bëhet mjekimi i pacientëve me COVID 19 në terapi intensive- nga Dr. Ardian Mustafai
7. Si mund të rrezikojë COVID 19 shëndetin e lëkurës dhe kujdesin që duhet treguar- nga Dr. Merita Hajdari-Zeqiri
8. Pasojat e mundshme të karantinës në shëndetin mendor- nga Dr. Gjergji Merja
9. Kur mund të jetë gati vaksina anti Covid 19 nga – Dr. Shkëlqim Reci

EKSPERTËT E EPIDEMIOLOGJISË QË JU BASHKUAN MJEKËVE SHQIPTARË NË GJERMANI NË KOHËN E PANDEMISË

Një nga qëllimet kryesore të të gjithë mjekëve shqiptarë që ju bashkuan ekipeve të asistencës por edhe imi personal ka qëne përhapja në publik e informacioneve sa më reale në lidhje me përhapjen e virusit, mjekimin, parandalimin apo edhe zbulimit të një vaksine të mundshme. Të gjithë shkrimet e mësipërme janë të bazuar në humultime shkencore botërore. Një ndihmë e madhe për ne, që na e bëri më të lehtë ndihmën tonë, ishte bashkimi i dy ekspertëve të epidemiologjisë, nga të cilët përfituam shume:
Dr. GANI ABAZI NGA HARVARD

Në datën 9 prill 2020 Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani iu bashkua një emër i njohur shqiptar në mjekësinë amerikane, Dr. Gani Abazi, ekspert i shëndetit publik në Universitetin e Harvardit në USA. Anëtar nderi, Dr.Abazi gjithashtu do të jetë i këshilltar i jashtëm i shoqatës nga USA.Duke ofruar asistencën e tij në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga virusi COVID-19 ai tha se bashkërisht mund të kontribuojmë në edukimin shëndetësor të popullatës sonë, në projekte që i ndihmojnë gjeneratat e reja të mjekëve, dhe në projekte mjekësore nga Amerika dhe Gjermania, programe edukative dhe në vizita profesionale për pacientët tanë në Kosovë, Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës Juglindore ku jetojnë shqiptaret.


DR. DORIAN BARDHI NGA ROMA
Një tjetër epidemiolog iu bashkua shoqatës sonë, Dr. Dorian Bardhi i cili që punon në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive `Lazzaro Spallanzani, Romë. Përtej punës si mjek ai i vuri në dispozicion Shoqatës së Mjekëve Shqiptar në Gjermani raportet ditore në lidhje me përhapjen, numrat e infektimeve, masat e marra në Itali dhe përtej. Raportet u përkthyen në gjuhën shqipe nga një grup pune prej disa mjekësh dhe u vunë në dispozicion të kolegëve por edhe qytetarëve që dëshirojnë të kenë më shumë informacione të sakta dhe të besueshme në lidhje me Koronën.

SHOQATA E MJEKËVE SHQIPTARË NË GJERMANI

Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani është themeluar zyrtarisht në datën 16 shkur 2020. Në statut, ndër të tjera theksohet se kemi të bëjmë me një shoqatë jo-fitimprurëse, e depolitizuar, e cila nuk ndjek qëllimet politike të asnjë forcë politike si brënda dhe jashtë vëndit, dhe e hapur ndaj të gjithë atyre që respektojne statutin dhe qëllimet e saj, pavarësisht profesionit ose origjinës. Qëllimi dhe synimi kryesor i kësaj shoqate është të krijoje një platformë bashkëpunimi dhe ndihme të ndërsjelltë për të gjithë mjekët shqipfolës duke vënë në funksion të mjekëve që duan të punojnë në Gjermani përvojën tonë; duke lehtësuar integrimin e tyre përmes shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencës, duke u munduar të bëjmë sa më të qartë cilat janë kushtet e marrjes së aprobacionet dhe variacionet në cdo Land të Gjermanisë. Të krijojme mundesinë për të bërë sa të lehtë për tu kuptuar se si funksionon sistemi i siguracioneve në Gjermani. Në një faze të më vonshme, atëhere kur mjekët kanë kaluar vështirësite e fillimit, përmes një data baze, networking, synojmë të shkëmbejme informacionet shkencore për të ritur profesionalizmin e cdo mjeku përmes organizimit të takimeve, simpozium, kongrese ose webinare. Gjithashtu me shume rëndësi është edhe krijimi i një networku me të gjithë mjekët shqiptarë kudo që janë në mbarë botën për të patur mundësi që të shkëmbejmë ekspericat tona dhe të marrim pjesë në projekte të përbashkëta. Gjithashtu, ne synojmë të krijojmë ura bashkëpunuese me sistemet shëndetësore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut; bashkëpunim me dhomat e mjekëve në shtetet përkatëse dhe dhënien e ndihmës konkrete në vëndet tona të origjinës. Nga ana organizative, shoqata përbëhet nga Kryesia, Komisioni Mbikqyrë dhe Grupet e Punës. ë barabartë në instancat drejtuese të shoqatës. Kryesia aktuale përbëhët si më poshtë: Dr.med. Marsela Ceno kryetare e shoqatës, Dr. Ardian Mustafai, mjek primar kardiolog në Berlin, i lindur në Tetovë, Maqedonia e Veriut, është nënkryetari i parë. Dr. med. Univ. Ali Hajdari, mjek primar kardiolog në Thüringen, i lindur në Drenas, Kosovë është emëruar në pozicionin e nënkryetarit të dytë, Dr. Gjergji Merja, mjek specializant në neurologji dhe kardiologji në Nordrhein-Westphalen, i lindur në Tiranë, Shqipëri, është sekretar i thesarit. Komisioni mbikqyrës ka të drejta këshilluese dhe mbikqyr mbarëvajtjen si nga ana statutuore ashtu edhe financiare. Për cështjet statutuore komisioni drejtohet nga Dr. med. Valon M. Baraliu Mr.sc, mjek primar neurokirurg në Freiburg (nga Kosova) dhe Dr. Labinot Marku, mjek primar neurokirurg në Hannover (nga Dibra e Madhe) dhe për cështjet financiare përgjegjëse është Dr. Angjelina Karamani, e lindur në Durrës, pecialiste për mjekësi interne në Düsseldorf.

KUSH ËSHTË DR.MARSELA CENO

Dr. Marsela Ceno ka lindur në Korcë në datën 10.11.1985. Pas përfundimit të studimeve të larta për mjekësi të përgjithshme në verën e 2010 në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, i drejtohet Gjermanisë ashtu sikurse edhe dhjetra mjekë të tjerë të sapodiplomuar më shpresën për të filluar specializimin në fushën e kirurgjisë. Në maj të 2012 fillon praktikën 6 mujore në spitalin Klinikum Mittelbaden Rastatt. Gjatë kësaj periudhe 6 mujore jep me sukses provimin e gjuhës gjermane niveli C1 dhe provimin e njëhësimit të diplomës duke marrë kështu aprobacionin dhe njëkohësisht të drejtën për të ushtruar të drejtën e profesionit të mjekut në Gjermani. Në janar 2013 fillon specializimin për kirurgji të përgjithshme dhe viscerale, specializim që u përfundua në nëntor të 2019 në spitalin Klinikum Mittelbaden Baden-Baden. Gjatë periudhës së specializimit përfundoi doktoraturen në Universitetin e Ulmit dhe mori pjesë në shumë kongrese si brënda dhe jashtë Gjermanisë. Ajo ka fituar çmimin për posterin më të mirë në kongresin vjetor të kirurgjisë në Esslingen, Gjermani në tetor 2016 dhe çmimin ndërkombëtar Bassin për referimin më të mirë në kongresin e 13 të Asia Pacific Hernia Society në Kaohsiung, Taiwan në shtator 2017. Dr. Ceno është anëtare e Europian dhe America Hernia Society dhe merr pjesë rregullisht në kongrese me punime shkencore.

* Fotografite i shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Gjermani, Marsela Ceno, Sokol Paja

KANADAJA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË TORONTO

May 11, 2020 by dgreca

Doktor Luli Rrafshi Adjunct profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario”, intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, dhënë gazetarit Sokol Paja. 

Shteti kanadez ashtu si mbarë bota po përballet me një virus shkatërrimtar, betejë që duket me një fund të largët deri në zbulimin e vaksinës kuruese. Si shumë shtete në Europë edhe Kanadaja u gjend e papërgatitur përballë betejës me Covid-19. Marrja me vonesë e masave dhe mungesat në bazë materiale e bënë më të ngadalshëm reagimin ndaj valës shkatërruese të virusit. Masat shtrënguese në Kanada vazhdojnë të jenë të forta dhe fatmirësisht qytetarët shqiptarë e kanë kaluar me sukses valën e pandemisë botërore  Covid-19. 

SITUATA E COVID-19 NË KANADA

Doktor Luli Rrafshi Adjunct Profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario” shpjegon se : “Sa i përket corona virusit dhe gjëndjes në Kanada, sikur në shumë vende të botës po ashtu edhe në Kanada, jemi duke u përballuar me një sëmundje të panjohur deri tani dhe shumë të rrezikshme për njerëzimin. Numri i të infektuarve është në rritje e sipër, diku mbi 66, 000 të infektuar deri tani dhe më shumë se 4400 të vdekur deri më sot. Spitalet mbeten në gjëndje stabile e po ashtu klinikat intensive, por mungesa e ndjeshme për veshje mbrojtëse të stafit medikal mbetet e ndjeshme dhe prezente. Në mungesë të terapisë dhe vaksinës kundër virusit corona, nuk do të jetë rrugë e lehtë për tu tejkaluar kjo gjëndje e vështirë ku kanoset vdekja e shumë njerëzve e sidomos atyre në moshë të avancuar dhe me sëmundje të tjera kronike që i bëjnë ata edhe më fragjil për të mbijetuar.( diku afër 40% -50% e të vdekurve duket të ndodhin në shtëpitë e të moshuareve apo nursing homes/Long term care facilities).

E ARDHMJA DHE SHQIPTARËT NË KANADA

Sipas Doktor Luli Rrafshi adjunct profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario”, kurba e të infektuarve mbetet stabile këtu në Kanada, diku përafërsisht 1-2 mijë të infektuar brenda 24 orëve dhe diku 150-200 të vdekur brenda ditës. Në luftën ndaj corona virus, nuk ka shërim e as vaksinë për parandalim, e vetmja armë është kujdesi i jashtëzakonsëm vetjak, distancimi social dhe qëndrimi në shtëpi. Pra, unë ju këshilloj rreptësisht që të rrini në shtëpi, sepse vetëm kështu shpëtoni jetë duke parandaluar bartjen e virusit. Deri më tani nuk kam hasur të ketë ndonjë shqiptar të infektuar, dhe sa jam në dijeni edhe me shoqatat tjera shqiptare në Toronto, ende nuk ka të prekur shqiptar nga ky virus në Kanada. Sa i përket rihapjes, Provincat e Kanadasë duket sikur vijnë me plane paksa të ndryshme, në Ontario ku edhe unë jetoj, lëvizja e njerëzve mbetet e lirë por e kujdesshme, ku rekomandohet dalje vetëm për të blerë gjëra esenciale por edhe ndalohet mbledhja e njerëzve e më shumë se 5 përsonave në një vend. Po ashtu parqet e qyteteve, shkollat dhe bizneset jo esenciale mbeten akoma të mbyllura dhe ende nuk ka një plan të rihapjes së menjëhershme.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Doktor Luli Rrafshi adunct profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario” tregohet shumë i rreptë me masat parandaluese që duhet të ndjekin qytetarët për të fituar betejën me Covid-19. Pra, distancimi social, qëndrimi në shtëpi dhe natyrisht pastrimi i kujdesshëm i duarve mbetet gjëja më e rëndësishme po ashtu edhe maskat dhe dorezat në përditshmërinë tonë. Qytetarët e Kanadasë janë tani të vetëdijshëm dhe ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Kanadasë rreth parandalimit të bartjes së COVID-19. Si qytetar dhe si mjek, këshilloj të gjithë njerëzit që të vazhdojnë të mbajnë distancimin social dhe të vazhdojnë ti ndjekin rregullat dhe udhëzimet që janë të përcaktuara atje ku edhe jetojnë ata. Kthimi në “jetë normale” – të gjithë ne shpresojmë që së shpejti ti kthehemi jetës normale por mendoj që së shpejti do mësohemi me një “jetë normale” të re.

KUSH ËSHTË DOKTOR LULI RRAFSHI D CCFP FCFP

Doktor Luli Rrafshi është i specializuar në Mjekësinë e Përgjithshme Familjare dhe mban titullin a Adjunct Professor në Schulich School of Medicinë në Universitetin e Mjekësisë në London Ontario. Doktor Luli Rrafshi ka shumë vite që praktikon Mjeksinë Familjare si dhe shumë vite eksperiencë në Mjeksinë Emergjente në Provincat e Nova Scotia si dhe Ontario të Kanadasë. Aktualisht doktor Luli Rrafshi ushtron detyrën në Poliklinikën Active Care Medical Centre së bashku me disa mjekë të tjerë ku dhe ofrojnë shërbime mjkësore diku përafërsisht 15 – 18 mijë pacientëve.

Filed Under: Featured Tagged With: COVID-19, Dr.Luli Rafshi, Kanada, shqiptaret, Sokol Paja

Maks Velo, in memoriam

May 10, 2020 by dgreca

Nga Sokoll Paja/

Ikja e Maks Velos në botën e përtejme do të thotë një mendje e lirë më pak në planetin e mëndjeskllevërve. Te ky njeri i revoltuar pasqyrohej jo vetëm drama njerëzore e persekutimit pa faj por edhe post drama e dalë nga burgjet e persekutimi i egër nga xhelatët e diktaturës. Endej rrugëve me hijen e tij dhe surretërit e atyre që e kishin persekutuar e që i shfaqeshin si hije te zeza kudo në kryeqytet. Me ikjen e Maks Velos ikën jo vetëm kujtimi i bashkëvuajtësve të tij, por humbet shumë dhe memoria e gjallë e muzeut të krimeve, vuajtjeve e persekutimit në regjimin diktatorial. Me ikjen e Maks Velos xhelatët në Ministri të Punëve të Brendshme, Ushtri, Hetuesi, Vetting apo kudo tjetër ku zëri tij ishte kritik, fërkojnë duart si çlirim nga një njeri i hapur dhe kritik. Maks Velo ishte një zë i fortë dhe dëshmitar okular që dëshmoi kundër tyre gjersa iku nga kjo botë. Ai ishte ndër ata njerëz të veçantë që nuk u dorëzua kurrë dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin dhe as me pasardhësit e tyre. 

Maks Velo luftoi dhe denoncoi sa mundi trashëgiminë komuniste, këtë mallkim 30 vjeçar në kapilarët e shtetit të brishtë post-komunist. Xhelatët ndjehen më të çliruar, ndërsa, të përsekutuarit e regjimit komunist vazhdojnë edhe sot të jenë pa trajtimin, respektin dhe dinjitetin për qëndresën, vuajtjet dhe jetët e humbura padrejtësisht në diktaturën komuniste. 

Maksi u ndëshkua dhe u dënua nga regjimi pse tha të vërtetën, i cili u konsiderua rebel i partisë. Ai shte rebel i lindur. Nana parti donte veç njerëz të bindur e servilë, të pa dinjitet e identitet por Maks Velo nuk ishte i atillë. Ndaj dhe Maksi e pagoi shtrenjtë dhe u dënua si liberal në një sistem asfiksues ku edhe të drejtën për oksigjen duhej t’a merrje te Partia shtet. Po ashtu Maks Velo ishte një arkitekt e piktor mendjendritur dhe me ngjyra në zymtësinë e territ politik të elitave grabitqare të betonit që ndërrojnë postet tash 30 vjet. Në komunizëm, Maks Velon e rrahën, e torturuan, e zhveshën nga gjithçka, i morën çdo gjë që ai kishte, por shpirti i tij luftarak për liri mbijetoi, edhe pse e pagoi me kosto të lartë. Ai u tradhtua dhe u mohua si profetët në Bibël. Se diktatura për ta besuar dëshminë e bashkëpunëtorit të sigurimit, syrin vigjilent dhe revolucionar të Partisë e gjente sa më afër objektit në survejim.

Maks Velo ishte një mendje estetike, në kaosin e mëndje-betonit të parisë drejtuese të menaxhimit dhe administrimit të kryeqytetit dhe qëndrave urbane në Shqipëri.

Maks Velo ishte një zë kritik dhe i fortë përballë tufës unike të lëpirjes ndaj pushtetit. Tragjizmin e një jete të humbur por me dinjitet e integritet njerëzor Maks Velo e përmbyll me sentencën e dorëzimit të “Klubi i Karavastasë”: “Idealistët e ndershëm nuk duhen, janë të vetmit që dalin të humbur”. Gjatë diktaturës, Maks Velo pabesisht humbi shumë, si kohën, rininë, dashurinë, karrierën e shumë të tjera nga jeta, por ai, ia arriti qëllimit, fitoi shpirtin, idealet dhe lirinë prej rebeli.

Të qoftë dheu i lehtë,Maks Velo!

Filed Under: ESSE Tagged With: Sokol Paja

DOKTOR SALI BERISHA RRËFEN PËR GAZETËN ”DIELLI” SHQIPËRINË NË VALËN E COVID-19

May 10, 2020 by dgreca

Doktor Sali Berisha rrëfehet ekskluzivisht për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” rreth situatës në Shqipërinë e Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.

Doktor Sali Berisha në një rrëfim për gazetën Dielli – New York, ka skanuar Shqipërinë në dimensionet politike, ekonomike dhe shëndetësore në përballjen e shtetit shqiptar me pandeminë botërore Covid-19. Sipas doktor Sali Berishës, qeveria shqiptare e priti pandeminë me duar në xhepa dhe pa marrë asnjë masë përgatitore për përballimin e saj dhe se karantina e zgjatur ishte paralizë e zgjatur me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare. Sipas ish-kryeministrit Berisha, qeveria, e gjendur e papërgatitur për pandeminë, adaptoi një model të bazuar në mashtrimin me numrin e rasteve të infektuara, kufizimin e shtrimeve në spital dhe mashtrimin me numrin e vdekjeve. Duke i mbuluar të gjitha këto me propogandë terrori duke folur për male me të vdekur dhe mure me kufoma. Sipas doktor Berishës, nëse ai do ishte kryeministër, në kushtet e pandemisë, si hap të parë do siguronte pajisjen masive me maska e mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor, do aplikonte gjerësisht testimin për hetim epidimiologjik, aplikimin e karantinës më të studjuar dhe më të kufizuar dhe ç’dëmtimin e kompesimin e humbjes financiare të individëve, familjeve dhe sipërmarrjes nga paraliza e ekonomisë në kushtet e pandemisë globale Covid-19. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon hapur qeverinë e drejtuar nga Edi Rama se po përdor pandeminë për përqendrim absolut të pushtetit dhe për të vjedhur shqiptarët nëpërmjet tenderave sekretë.

SITUATA NË SHQIPËRI

Në çdo epidemi apo pandemi, tre janë masat elementare për përballimin e saj: Maskat, Testet kur egzistojnë dhe Karantina. Qeveria shqiptare e priti pandeminë me duar në xhepa dhe pa marrë asnjë masë përgatitore për përballimin e saj. Me 12 mars Edi Rama deklaroi se covid-19 nuk është gjë, por problem kemi infodeminë dhe jo pandeminë. Por kur rastet filluan të shtohen, ai vendosi karantinën e plotë përsëri pa numrin e nevojshëm të testeve dhe pa maska. Mirëpo karantina e zgjatur kuptohet se është paralizë e zgjatur me pasoja të rënda për ekonominë

MASAT E QEVERISË NDAJ COVID-19

Siç e theksova më sipër qeveria nuk mori asnjë masë paraprake për të përballuar epideminë, gjerësa u shfaqen rastet, nuk futi asnjë njeri në karantinë, qëndroi me një sasi fare të vogël testesh dhe nuk siguroi maskat, madje ato munguan edhe për personelin shëndetësor. Pas kësaj, qeveria adaptoi një model të bazuar në mashtrimin me numrin e rasteve të infektuara, kufizimin e shtrimeve në spital dhe mashtrimin me numrin e vdekjeve. Duke i mbuluar të gjitha këto me propogandë terrori e duke folur për male me të vdekur, mure me kufoma dhe kur këto nuk ndodhen, duke bërë deklerata tjera absurde sikur kemi rezultatin më të mirë në botë. Ndërkohë që në botë edhe sot sipas portalit të statistikave të të gjitha vendeve të botës për Covid-19 World Meter Coronavirus, janë 144 vende me vdekshmëri për 1 milion banorë më të ultë se Shqipëria gjë që dëshmon se deklaratat Ramës janë thjeshtë mashtrime.

SIKUR BERISHA KRYEMINISTËR          

Do bëja gjithçka për të siguruar maskat, së paku për punonjësit e shëndetësisë, do aplikoja gjerësisht testimin për hetim epidimiologjik, do aplikoja karantinë më të studjuar dhe më të kufizuar dhe do ç’dëmtoja dhe kompesoja humbjen financiare të individëve, familjeve dhe sipërmarrjes nga paraliza e ekonomisë  që krijoi karantina.

PLANI I RIMËKËMBJES SË SHQIPËRISË

Ky është një plan kuturu i cili për mungesë të testimeve nuk bazohet në asnjë të dhënë konkrete të hetimit epidimiologjik. Nga ana tjetër ndihma shtetërore direkte për sipërmarrjen është sipas FMN më e ulta gjithësejt 1,3% e GDP kurse Rama mashtron se kjo ndihmë është 5,3% e GDP.

ÇFARË PO I FSHEH QEVERIA PUBLIKUT

Edi Rama përdori pandeminë për përqendrim absolut të pushtetit. Është ai që vendos për çdo gjë sepse do që të shpallë suksesin mbi mashtrimin dhe dështimin.

Por përveç këtyre ai dhe bashkëpunëtorët e tij po përdorin pandeminë si hajduti errësirën për të vjedhur dhe për tu pasuruar me tendera sekretë në çdo gjë. 

MESAZHI PËR DIELLIN, VATRËN DHE DIASPORËN NË USA

Mendoj se çdo bashkatdhetar në SHBA ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur para së gjithash në ndalimin e rrokullisjes së madhe, zëvendësimin nga Rama të standarteve të shtetit ligjor me standartet e narkoshtetit siç e quajnë aktualisht në media Shqipërinë, pra në vendosjen në Shqipëri të shtetit të mafjes së drogës. Në këtë kontekst largimi i kësaj qeverie të bazuar mbi krimin dhe drogën është një emergjencë kombëtare. Duke përfunduar dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për Vatrën, vatranët, rolin e tyre dhe të mbarë diasporës sonë në mbështetje të kombit shqiptar! Me urimet më të mira për ju, gazetën Dielli, Vatrën dhe Vatranët. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Sali berisha, Interviste Dielli, Sokol Paja

GREQIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SHTETIN HELEN

May 8, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e doktor Vasil Llajo mjekut shqiptar anestezist- reanimator në Athinë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

HUMANIZMI I DR.VASIL LLAJO: Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner….

SITUATA NË SHTETIN GREK 

Sipas doktor Vasil Llajos mjekut shqiptar anestezist- reanimator që punon në Athinë, pacienti i parë në Greqi, ose pacienti zero, u detektua në datën 26 shkurt në qytetin e Selanikut. Prej asaj dite u shtri pothuaj në gjithë territorin e saj. Shumica e rasteve të para të shënuara mendohet se kanë lidhje me personat që kishin udhëtuar në Itali dhe me pak me një grup udhëtarësh në Egjypt dhe Israel. Duke ndjerë rrezikun e përhapjes së shpejtë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit publik shpallen si masë të parë anullimin e festimeve të karnavaleve dt.27 shkurt në qytete të ndryshme. Deri në dt.10 Mars ishin regjistruar 89 raste me Covid -19. Në dt. 10-11 Mars u njoftua mbyllja e fluturimeve ajrore ndërkombëtare për qytetaret duke lënë vetëm pak linja ajrore për riatdhesim ose shërbime shtetërore të domosdoshme. Në dt.12 Mars u njoftua vdekja e parë. Atëherë u vendos mbyllja e shkollave në të gjitha nivelet dhe në dt.13 Mars u shpall mbyllja e shumë aktiviteteve, pra “lockdoun “. U mbyllën kështu të gjitha kafenet, baret, qendrat tregëtare, muzeumet, restorantet, qendrat sportive dhe të atletikës, palestrat e stërvitjeve, qendrat e gjimnastikës personale etj. Më 16 Mars u vendos dhe ndërprerja e aktiviteteve dhe shërbesave fetare. Mbeten të hapura vetëm dyqanet e bukës, supermarket, farmacitë, qendrat diagnostikuese dhe disa shërbime të tjera. U vendosën masa të rrepta kufizuese në qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik ose privat. Marrja e masave kufizuese shumë herët, më shpejt se vendet e tjera të komunitetit europian mendohet se është një nga arsyet e resultateve të arritura në përballimin e pandemisë, duke e futur Greqinë në vendet “model” duke marrë vlerësime mjaft pozitive nga opinioni europian dhe më gjërë. Në dt.19 Mars qeveria greke shpalli dhëniën e një pakete ndihmëse financiare për përballimin e situatës prej 10 billion euro. Deri në dt. 23 Prill numri i rasteve ishte në rritje me një kurbë “crescendo”. Pas kësaj datë kjo kurbe u horizontalizua dhe nga fundi i Prillit, rreth dt.28-29, filloi rënia e saj. Deri me dt.3 Maj u shënuan 2.626 raste të prekura nga Covid -19. Numri i vdekjeve arriti në 144, mbi 55 % ishin meshkuj dhe mosha mesatare 74 vjeç. Shumica e tyre i takonte pacientëve me risk të lartë, pra ata që kishin sëmundje kronike të mëparshme. Duke parë se numri i rasteve të reja në ditët e para të muajit Maj ishte në rënie dhe shumë i vogël, Qeveria Greke vendosi lehtësimin e masave shtrënguese. Kështu duke filluar nga dt. 4 Maj hiqet kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik dhe privat.

SI PARAQITET E ARDHMJA NË GREQI

Do lejohet hapja e disa aktiviteteve ku shërbehet me kritere të caktuara për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe rrezikun e përhapjes së virusit. Nuk lejohet akoma hapja e hoteleve dhe aktiviteteve turistike. Turizmi, si një degë kruciale e ekonomisë greke ka pësuar një goditje sinjifikative që do të dojë muaj të rikthehet në gjendjën e mëparshme. Në dt. 11 Maj do hapin aktivitetin e tyre dhe restorantet, baret etj por në ambientet e jashtme ose “take aëay”. Mendohet mbas dt. 15 qershor të fillojë hapja e hoteleve turistike. Theksohet vazhdimisht ruajtja e masave kundër rrezikut të përhapjes si mbajtja e distancës fizike mbi 2 m, mbajtja e maskave në ambjente të shërbimeve apo transporteve publike, supermarket dhe kudo që presupozohet prezenca e mbi 4-5 vetave. Parashikohet një ecuri e mirë e kurbës së të prekurve duke ngelur në shifrat e sotme ose ndoshta me një rritje të lehtë pas heqjes së masave kufizuese, por me shpresën e rënies në ditët në vazhdim. 

SHQIPTARËT NË GREQI

Shqiptarët në Greqi janë pjesë integrale e shoqërisë greke dhe si të tillë i janë nënshtruar në mënyre ekuivalente masave të marra. Janë ndërgjegjesuar se marrja dhe respektimi i masave shtrënguese është pjesë e interesit publik për mbrojtjen e njerëzve. Ata kanë përfituar nga masat e ndihmës ekonomike të shpallura nga qeveria si çdo qytetar tjetër.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT

Unë si mjek do të këshilloja të jemi akoma të kujdesshëm me këtë lloj pandemie, pavarësisht ritmit gradual në rënie të kurbës së infektimeve. Nuk duhet të neglizhojmë akoma kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve. Të vazhdojmë të respektojmë akoma regullat e higjienës personale, të distancimit fizik dhe mbajtjes së maskës në fytyrë sipas kritereve të vendosura nga organet e shërbimit publik shëndetësor. Virusi qarkullon dhe do vazhdojë të qarkullojë ndoshta për shumë kohë. Akoma nuk ka të dhëna të plota për këtë kohë. Flitet për muaj ndoshta dhe vite. Por skenarët do të jenë optimistë me zbulimin e vaksinës. Mund të themi se shenjat e para të optimizmit duken me përdorimin për qëllime terapeutike të medikamentit Remdesivir. Opinioni mbarë ndërkombëtar është duke ndërtuar strategjitë e nevojshme për përballimin dhe kufizimin e përhapjes së këtij virusi. Me optimizëm po ju them se të gjithë bashkë në unitet do ta kalojmë dhe këtë provë të vështirë.

HUMANIZMI I DOKTOR VASIL LLAJO

Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner. Ky ishte një ndihmë simbolike sipas doktor Vasil Llajos në shenjë mirënjohjeje e respekti ndaj mjekeve dhe personelit tjetër mjekësor që ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës ndaj virusit SARS CoV-2 në Shqipëri. Doktor Vasil Llajo ka punuar deri në viti 1992 si mjek Anestezist-Reanimator pranë klinikës së Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” Tiranë dhe më pas nga 1993 u zhvendos në Greqi dhe mbrojti Diplomën e Mjekut dhe filloi punë si Anestezist në Spitalin “ KAT” Athinë. Në vitin 1995 rikthehet në Tiranë duke hapur Qendrën e parë private diagnostikuese, ku përfshihet dhe laboratori Intermedica. Në vitin 2010 doktor Vasil Llajo hapi Laboratorin mjekësor në Prishtinë – Kosovë të quajtur “Tirana Lab” ndërsa nga vitin 2016 ka hapur në Athinë një qendër diagnostikuese “Premium Lab”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Vasil Llajo, Greqi, shqiptaret, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT