Livia Qose mjeke në Ankara, Turqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, Turqinë në betejën me Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja
Livia Qose mjeke në kryeqytetin turk Ankara, deklaron se “në shtetin turk ka me qindra mijëra shqiptarë që jetojnë aty, pa përmendur ata me origjinë shqiptare, dhe sidomos studentët. Ata duken më të ndikuarit, pasi universitetet dhe shkollat e mbyllën sezonin e pranverës. Para tre javësh ishin fluturimet e fundit të cilët kthyen në Shqipëri, të gjithë qytetarët e mbetur në Turqi, të cilët sigurisht u karantinuan për dy javë atje. Të tjerë shqiptarë që punojnë në Turqi, nuk kanë lëvizur, por kanë zgjedhur të vazhdojnë jetën e tyre këtu, duke ndjekur edhe masat që qeveria turke ka ndërmarë dhe publikon çdo ditë. Deri më tani, nuk rezulton asnjë shqiptar viktimë e COVID-19 në Turqi” sqaron mjekja Livia Qose për Diellin e Vatrës, New York.
SITUATA E COVID-19 NË TURQI
Tashmë kryefjala e këtyre ditëve, madje muajve të fundit, në të gjithë globin është COVID-19. Si e gjithë bota, edhe Turqia gjendet ende duke luftuar. Sigurisht nuk mund të jetë sfida e njëjtë me epidemitë e thjeshta të gripeve sezonale, sepse kemi të bëjmë me një virus që përhapet shumë shpejt, duke patur një spektër shumë të gjërë të sëmundjes, duke filluar nga një grip i thjeshtë e deri në një infeksion të gradës së fundit që mund të të marrë edhe jetën. Fatkeqësisht, akoma nuk është zbuluar vaksina apo qoftë edhe një kurë e sigurtë. Deri më tani në Turqi janë bërë mbi një milion teste tek qytetarët, nga të cilat 138.657 janë raste pozitivë dhe përsëri nga të cilët, mbi 90 mijë janë shëruar. Një lajm i mirë është se numri i viktimave ka ardhur duke u ulur nga dita në ditë, por për fat të keq kemi humbur rreth 3786 pacientë. Deri më tani nuk rezulton asnjë shqiptar viktimë e COVID-19 në Turqi.
MASAT E MARRA NGA QEVERIA DHE RIHAPJA E TURQISË
Përsa i përket masave që janë marë, lajmërimet për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së virusit ndodhen kudo në Turqi në forma të ndryshme, duke i bërë njerëzit më të ndërgjegjshëm. Lëvizja e lirë nuk është kufizuar gjatë ditëve të javës (veç personave nën 20 dhe mbi 65 vjeç), ndërkohë që në fundjavë ndalohet çdo lloj lëvizjeje (duke përjashtuar këtu punojësit e shërbimit shëndetsor dhe të bizneseve esenciale me leje pune). Qytetet nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Të gjitha linjat, qoftë tokësore, apo ajrore janë ndalur dhe njerëzit nuk mund të udhëtojnë. Lirimi i parë i masave ndodhi në 11 maj, të hënën, kur qendrat tregtare dhe ato estetike u rihapen pas gati dy muajsh të mbyllur. Gjithashtu, e diela, 10 maj, ishte edhe dita e parë që të moshuarit mbi 65 vjeç dolën jashtë karantanimit për katër orë, pas 50 ditësh të izoluar. Masa e rradhës që do të largohet mendohet të jetë hapja e fluturimeve, fillimisht brenda vendit në fund të majit (në fillim do të hapen 60% e tyre) dhe më pas ato jashtë në fillim të qershorit. Turqia është një destinacion shumë i frekuentuar nga turistët dhe pritet të ketë një fluks lëvizjeje drejt hoteleve bregdetare pas shpalljes së lëvizjes së lirë. Ndaj masat për sezonin e ri veror kanë filluar të merren, duke përfshirë edukimin e punonjësve të sektorit turistik në lidhje me pandeminë, dezinfektimin e plazheve dhe ambienteve të përbashkëta, si dhe distancimi social; 1,5 metra largësi midis tavolinave dhe 60 cm karriget nga njëra-tjetra. Gjithashtu, është bërë publik edhe lajmi për riphapjen e Grand Bazaar-it 500 vjeçar në Stamboll, i cili tërheq mesatarisht 300.000 turistë në ditë. Pazari i Madh do të rihapet në 1 qershor. Më tej nuk e dimë si do të procedohet, sa do zgjasin apo cilat do të jenë hapat e rradhës, por është e sigurt se pa patur një kurë definitive apo një vaksinë, njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm. Për momentin në çdo market apo farmaci të Turqisë nuk lejohet hyrja pa maska (ndërkohë shteti turk vazhdon të dërgojë në adresat e shtëpive të qytetarëve maska falas). Përsa i përket nënshtetasve turq të mbetur në ShBA për shkak të pandemisë dhe anullimit të fluturimeve, Turkish Airlines do të kryejë fluturime nga New York dhe Chicago më 15 maj, Houston në 16 maj dhe Miami në datën 17 maj. Personat të cilët janë diagnostifikuar me Covid-19, nuk do të pranohen në avion. Ndërkohë pasagjët e tjerë do qëndrojnë 14 ditë në karantinë në Turqi. Përsa i përket kurbës së të infektuarve, rastet aktive kanë rënë ndjeshëm, ndërkohë që ajo e pacientëve të shëruar është rritur me gati 60% (sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kërkimore John Hopkins në ShBA).
SPITALET ME POLIKLINIKA TË VEÇANTA
Në hyrje të spitaleve është vendosur një zonë triazhi për të filtruar pacientët. Ata të cilët shfaqin shenja klinike që ngjajnë me Coronavirusin, drejtohen në poliklinikën e COVID-19. Çdo spital ka krijuar një poliklinikë të veçantë vetëm për pacientët e pandemisë. Të gjithë mjekët, qoftë specializantë apo të përgjithshëm, po punojnë pa u lodhur, me orare të zgjatura. Procedurat e mëtejshme për rastet pozitive, duke u bazuar edhe në gjendjen shëndetsore të pacientit (loë, moderate and high risk), vazhdohen në bazë të protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si edhe Ministrisë së Shëndetësisë në Turqi. Personave të cilët janë stabil dhe pa komplikacione (shenjat vitale janë brenda limitit normal) u kërkohet të vetizolohen për dy javë. Persona të tjerë të cilët shfaqin shenja klinike, si kollë, temperaturë e lartë, dispne (vështirësi në frymëmarje), në historikun e tyre kanë patur kontakt me një person pozitiv ndaj coronavirusit, u bëhet testi (PCR). Janë 114 laboratorë diagnostifikues për COVID-19 në të gjithë Turqinë. Në momentin që testi rezulton pozitiv pacienti pyetet për personat që ka qenë në kontakt në 2 javët e fundit. Secili nga këta persona kontaktohet për të bërë testin (apo për t’u informuar ndaj vetëkarantinimit nëse nuk shfaqin shenja klinike shqetësuese).
MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI
Mesa duket jemi në përfundim të kësaj vale të gjatë dhe të lodhshme të virusit të ri, por kjo nuk do të thotë se rreziku është larguar. Virusi vazhdon të endet dhe duket se shtëpia është akoma vendi më i sigurt. Kurbat tregojnë ulje dhe kjo për shkak të izolimit të suksesshëm. Nuk duhet të tregohemi të pakujdesshëm, sado fort të besojmë në imunitetin e trupit tonë. Duhet të vazhdojmë të mendojmë për gjyshërit tanë, për personat me imunitet të dobësuar për shkak të sëmundjeve kronike (DM, HT, sëmundjet kardiovaskulare, kanser etj). Distancimi duhet mbajtur ende, pavarësisht masave të liruara. Nuk kemi të bëjmë me një mikroorganizëm të vështirë për t’u vrarë, mjafton një dezinfektant me bazë alkooli dhe një sapun i thjeshtë. Ndaj duhet të shfrytëzojmë çdo informacion që mjekësia ka gjetur për virusin, për ta kthyer në avantazhin tonë. Por veç kujdesit fizik, që jam e bindur është mësuar përmendsh, për shkak të vëmendjes globale që i është kushtuar, dua të ndalem edhe tek ai mendor. Tashmë në emergjencë, janë shtuar rastet e pacientëve me atak të panikut, për shkak të stresit. Nuk është aspak e thjeshtë, kemi të bëjmë me një rast të jashtëzakonshëm, i ndryshëm nga çdo herë tjetër, por ajo që duhet të na qetësojë është mendimi se në shtëpi jemi të sigurt. Shtëpia ka qenë puna, restoranti, kafeneja, hoteli, pushimi, biblioteka dhe më tepër se fatkeqësi, e gjitha kjo duhet të konsiderohet si një frymëzim për të bërë atë që kishim harruar të bënim, kur ishim shumë të zënë për të kapur metronë, për të arritur oraret, shkollën, punën, zyrën, takimet. Ndaj le të shfrytëzohet kjo periudhë për të marë frymë, për t’iu gëzuar jetës dhe për të rivlerësuar gjërat e vogla që na japin një mendje dhe shpirt të shëndoshë. Dhe shëndeti i trupit do të ndjekë.