SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/ -Në Prishtinë u mbajt tryeza “Trepça-Çka pas Ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet”/
–Me Ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, Trepçën e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci/
-Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria, Kuvendi të gjithë duhet të jenë aktivë për të dhënë informimin e duhur, përfshirë qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të painformuar/-Qeveria e Kosovës: Me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës, ajo i përket Kosovës. Në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar /
-Brenda 45 viteve, nga viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë/
-Media: Gjykata Kushtetues e Kosovë ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe rreth Ligit për Trepçën/
PRISHTINË, 28 Tetor 2016/ “Trepça-Çka pas Ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet”, është tryeza e organizuar sot në Prishtinë nga Forum 2015, projekt i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.
Forum 2015, duke nisur me tryezën, synon të hap debatin qytetar për Trepçën, duke tentuar të nxisë vendim-marrës dhe grupe tjera të interesit të shpalosin alternativa të ndryshme zhvillimore, nga cilado lëmi që është me ndikim në suksesin e këtij projekti të madh.Panelistët e ftuar për të diskutuar çështjen e Trepçës, me moderim të Luan Shllakut nga KFOS, ishin: Muhamet Mustafa – kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri; Nazmi Mikullovci – drejtor i Trepçës në periudhat 1978-1984 dhe 2001-2008; Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Iraj Hashi, profesor i Ekonomisë – Qendra për Hulumtime për Ekonomitë në Zhvillim, Shkolla e Biznesit, Universiteti Staffordshire.Me Ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, Trepçën e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci.Sipas tij, pas 17 vitesh çështja e Trepçës dhe Termocentralit Kosova e Re po marrin rrugë të mbarë, dhe merita këtu duhet ‘ti atribuohet të gjithë atyre që kanë punuar si një ekip, Kuvendiit, Qeverisë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ngase interesi publik ka prevaluar mbi çdo gjë tjetër.Stavileci tha se ka pasur shumë vonesa dhe fatkeqësisht Trepça ka vuajtur, por fatmirësisht disi është menaxhuar. “Të gjithë e dimë se për shkak të këtyre vonesave ne kemi bërë një renditje që në fakt do të duhej të shkonte ndryshe, pra parafizibiliteti, fizibiliteti, strategjia, pastaj ligji, ku ne kemi qenë të detyruar në mënyrë që ta bëjmë zgjidhjen e parë në mënyrë që ta shpëtojmë nga likuidimi”, u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, fokusi ka qenë te zgjidhja ekonomike, ndërsa është apostrofuar shumë edhe dimensionin ekologjik, duke i dhënë Trepçës trajtën e një korporate.“Ne jemi treguar korporativë me të gjitha palët, nuk ka asnjë shkronjë të vetme brenda ligjit që ka karakter diskriminues ndaj dikujt, pra është shumë përfshirës, është me mundësi të mëdha të bashkëpunimit”, tha ai.Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria, Kuvendi të gjithë duhet të jenë aktivë për të dhënë informimin e duhur, përfshirë qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të painformuar. “Ne duhet të kuptojmë tregtinë, financat dhe strategjinë e përpunimeve të metaleve. Është me rëndësi të përgatitemi deri në shkurt në mënyrë që ta kemi Trepçën në përpunim”, theksoi Mustafa.Ish-drejtori i Trepçës, Nazmi Mikullovci, tha se në lidhje me ambientin në vitin 2000 është përgatitur një studim, ndërsa foli edhe për historikun e zhvillimeve të gjigantit ekonomik të Kosovës.Profesori i ekonomisë në Universitetin Staffordshire, Iraj Hashi, tha se edhe pse Trepça e ka potencialin, nuk është një mundësi e investimit që nuk ka rreziqe, andaj investitorët e huaj duhet të inkurajohen dhe sigurohen në investimet.Organizatorët e tryezwa theksojnë se, komunikimi i ardhshëm me qytetarë duhet të jetë shumë intensiv dhe efikas, në mos për tjetër, për të larguar brengosjen se shëndeti i tyre dhe interesat ekonomik mund të mos merren parasysh gjatë vendosjes së skenarit që do ta përcaktojë mënyrën e revitalizimit të kompleksit metalurgjik Trepça.
Forum 2015 synon të diskutohen aspekte ekonomike, sociale dhe politike, që lidhen me modalitetet për ta aktivizuar potencialin e fjetur dhe posaçërisht debati do të duhej të ndihmojë në përcaktimin e vijave të kuqe mbi të cilat Trepça e re nuk guxon të shkojë. Vlerësohet se, përkundër perspektivës konkrete që kanë metalurgjitë sot, ato përcillen edhe me shumë kufizime, në të gjitha sferat e veprimit, ekonomike dhe mjedisore në rend të parë, por në rastin e Trepçës edhe politike.
TREPÇA ME LIGJ, TË ARDHME ZHVILLIMI TË SIGURT
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitë në Trepçë: Ligji, në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën dhe tani vetëm duhet të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë posa të hyj në fuqi/
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një vizite në fillim të javës, në 24 tetor, në Mitrovicë tha se me miratimin e Ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet të zhvillimit dhe ardhmëria e saj është e sigurt. “Vlerësuam bashkërisht se ardhmëria e Trepçës është e pa kthim, ajo e ka marrë rrugën e vet. Ligji për Trepçën në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën dhe tani vetëm duhet të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë posa të hyj në fuqi”, u shpreh kreu i qeverisë kosovare gjatë vizitës gjigandit ekonomik, ku është takuar me drejtuesit e menaxhmentit, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorët.Në 13 tetor 2016 subjekti politik kosovar Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me Ligjin për Trepçën, miratimin e të cilit e ka kundërshtuar më parë edhe në qeveri e Kuvend, kur është miratuar. Lidhur me ketë kryeministri Mustafa tha se, është e drejtë e të gjithëve që të bëjnë ankesa, t’iu drejtohen institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo fare nuk e pengon Trepçën.“Ne jemi të përcaktuar që ta forcojmë Trepçën, që ta organizojmë si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të Trepçës në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës”, theksoi kryeministri kosovar.Me Ligj është paraparë që statusi i Trepçës të jetë shoqëri aksionare, qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërsa 20 %-shi do t’u takojë punëtorëve.Kryeministri Mustafa u shpreh i kënaqur me statusin e minatorëve në Ligjin e ri, i cili do të mundësojë tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinuara, për procedimin e produkteve të Trepçës. “Trepça kështu si është paraparë me ligj, është në interes të të gjithëve. Asnjë komunitet nuk mund ta sheh veten të rrezikuar, por e sheh veten të avancuar, sepse nuk ka pasur shanse më përpara ta mendojë askush se do të bëhet pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç ne tani e kemi rregulluar me Ligj”, tha Mustafa.Ligji është kundërshtuar me deklarata edhe nga Beogradi, madje në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar.
“E kemi thënë qartë, që ne me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës. Ajo i përket Kosovës, minatorëve të Kosovës, ndërsa pasuritë minerare janë pasuri e shtetit të Kosovës dhe kjo çështje mbetet e mbyllur njëherë e përgjithmonë. E hapur mbetet, se si ne ta çojmë Trepçën përpara”, theksoi kryeministri Mustafa.Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para 17 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.Brenda 45 viteve, nga viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.
MEDIA: GJYKATA KUSHTETUES E KOSOVË KA HEDHUR POSHTË KËRKESËN E LISTËS SERBE RRETH LIGIT PËR TREPÇËN/
Gjykata Kushtetues e Kosovë ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe, për kontestimet e saj rreth Ligjit për Trepçën, pasi ka vlerësuar se pretendimet e saja nuk qëndrojnë, mëson KTV-ja.Deputetët serbë janë ankuar në Kushtetuese duke theksuar se gjatë miratimit janë shkelur procedurat pasi ligji nuk është proceduar sipas nenit 81 të Kushtetutës së Kosovës që flet për ligjet me interes vital.Por Ligji për Trepçën nuk bënë pjesë në këtë kategori, pasi neni thotë se legjislacioni vital janë ligjet që kanë të bëjnë me themelimin e komunave, zgjedhjet lokale, mbrojtën e trashëgimisë kulturore, për gjuhët, simbolet dhe fetë, simbolet dhe festat publike.Andaj duke qenë se Trepça bën pjesë në asetet shtetërore dhe nuk bën pjesë në legjislacionin vital, Kushtetuesja nuk e ka parë si palë kundërshtimin e një komuniteti për një ligj me interesa nacionale.KTV-ja mëson se vendimi është në fazën përfundimtare dhe do të publikohet javën e ardhshme.