• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPECIALE-Pritjet për Trepçën: Çka pas Ligjit…

October 29, 2016 by dgreca

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/trepca-kosove -Në Prishtinë u mbajt tryeza “Trepça-Çka pas Ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet”/

blerand-stavileci-muhamet-mustafa-debat-trepca-1

 –Me Ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, Trepçën e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci/

-Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria, Kuvendi të gjithë duhet të jenë aktivë për të dhënë informimin e duhur, përfshirë qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të painformuar/-Qeveria e Kosovës: Me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës, ajo i përket Kosovës. Në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar /blerand-stavileci-muhamet-mustafa-debat-trepca-1

-Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë/

-Media: Gjykata Kushtetues e Kosovë ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe rreth Ligit për Trepçën/

 PRISHTINË, 28 Tetor 2016/ “Trepça-Çka pas Ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet”, është tryeza e organizuar sot në Prishtinë  nga Forum 2015, projekt i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.
Forum 2015, duke nisur me tryezën, synon të hap debatin qytetar për Trepçën, duke tentuar të nxisë vendim-marrës dhe grupe tjera të interesit të shpalosin alternativa të ndryshme zhvillimore, nga cilado lëmi që është me ndikim në suksesin e këtij projekti të madh.Panelistët e ftuar për të diskutuar çështjen e Trepçës, me moderim të Luan Shllakut nga KFOS, ishin:  Muhamet Mustafa – kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri; Nazmi Mikullovci – drejtor i Trepçës në periudhat 1978-1984 dhe 2001-2008; Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Iraj Hashi, profesor i Ekonomisë – Qendra për Hulumtime për Ekonomitë në Zhvillim, Shkolla e Biznesit,  Universiteti Staffordshire.Me Ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, Trepçën e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci.Sipas tij, pas 17 vitesh çështja e Trepçës dhe Termocentralit Kosova e Re po marrin rrugë të mbarë, dhe merita këtu duhet ‘ti atribuohet të gjithë atyre që kanë punuar si një ekip, Kuvendiit, Qeverisë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ngase interesi publik ka prevaluar mbi çdo gjë tjetër.Stavileci tha se ka pasur shumë vonesa dhe fatkeqësisht Trepça ka vuajtur, por fatmirësisht disi është menaxhuar. “Të gjithë e dimë se për shkak të këtyre vonesave ne kemi bërë një renditje që në fakt do të duhej të shkonte ndryshe, pra parafizibiliteti, fizibiliteti, strategjia, pastaj ligji, ku ne kemi qenë të detyruar në mënyrë që ta bëjmë zgjidhjen e parë në mënyrë që ta shpëtojmë nga likuidimi”, u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, fokusi ka qenë te zgjidhja ekonomike, ndërsa është apostrofuar shumë edhe dimensionin ekologjik, duke i dhënë Trepçës trajtën e një korporate.“Ne jemi treguar korporativë me të gjitha palët, nuk ka asnjë shkronjë të vetme brenda ligjit që ka karakter diskriminues ndaj dikujt, pra është shumë përfshirës, është me mundësi të mëdha të bashkëpunimit”, tha ai.Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria, Kuvendi të gjithë duhet të jenë aktivë për të dhënë informimin e duhur, përfshirë qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të painformuar. “Ne duhet të kuptojmë tregtinë, financat dhe strategjinë e përpunimeve të metaleve. Është me rëndësi të përgatitemi deri në shkurt në mënyrë që ta kemi Trepçën në përpunim”, theksoi Mustafa.Ish-drejtori i Trepçës, Nazmi Mikullovci, tha se në lidhje me ambientin në vitin 2000 është përgatitur një studim,  ndërsa foli edhe për historikun e zhvillimeve të gjigantit ekonomik të Kosovës.Profesori i ekonomisë në Universitetin Staffordshire, Iraj Hashi, tha se edhe pse Trepça e ka potencialin, nuk është një mundësi e investimit që nuk ka rreziqe, andaj investitorët e huaj duhet të inkurajohen dhe sigurohen në investimet.Organizatorët e tryezwa theksojnë se, komunikimi i ardhshëm me qytetarë duhet të jetë shumë intensiv dhe efikas, në mos për tjetër, për të larguar brengosjen se shëndeti i tyre dhe interesat ekonomik mund të mos merren parasysh gjatë vendosjes së skenarit që do ta përcaktojë mënyrën e revitalizimit të kompleksit metalurgjik Trepça.
Forum 2015 synon të diskutohen aspekte ekonomike, sociale dhe politike, që lidhen me modalitetet për ta aktivizuar potencialin e fjetur dhe posaçërisht debati do të duhej të ndihmojë në përcaktimin e vijave të kuqe mbi të cilat Trepça e re nuk guxon të shkojë. Vlerësohet se, përkundër perspektivës konkrete që kanë metalurgjitë sot, ato përcillen edhe me shumë kufizime, në të gjitha sferat e veprimit, ekonomike dhe mjedisore në rend të parë, por në rastin e Trepçës edhe politike.

trepca-2TREPÇA ME LIGJ, TË ARDHME ZHVILLIMI TË SIGURT

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitë në Trepçë: Ligji, në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën dhe tani vetëm duhet të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë posa të hyj në fuqi/

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një vizite në fillim të javës, në 24 tetor, në Mitrovicë tha se me miratimin e Ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet të zhvillimit dhe ardhmëria e saj është e sigurt. “Vlerësuam bashkërisht se ardhmëria e Trepçës është e pa kthim, ajo e ka marrë rrugën e vet. Ligji për Trepçën në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën dhe tani vetëm duhet të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë posa të hyj në fuqi”, u shpreh kreu i qeverisë kosovare gjatë vizitës gjigandit ekonomik, ku është takuar me drejtuesit e menaxhmentit, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorët.Në 13 tetor 2016 subjekti politik kosovar Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me Ligjin për Trepçën, miratimin e të cilit e ka kundërshtuar më parë edhe në qeveri  e Kuvend, kur është miratuar. Lidhur me ketë kryeministri Mustafa tha se, është e drejtë e të gjithëve që të bëjnë ankesa, t’iu drejtohen institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo fare nuk e pengon Trepçën.“Ne jemi të përcaktuar që ta forcojmë Trepçën, që ta organizojmë si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të Trepçës në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës”, theksoi kryeministri kosovar.Me Ligj është paraparë që statusi i Trepçës të jetë shoqëri aksionare, qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërsa 20 %-shi do t’u takojë punëtorëve.Kryeministri Mustafa u shpreh i kënaqur me statusin e minatorëve në Ligjin e ri, i cili do të mundësojë tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinuara, për procedimin e produkteve të Trepçës. “Trepça kështu si është paraparë me ligj, është në interes të të gjithëve. Asnjë komunitet nuk mund ta sheh veten të rrezikuar, por e sheh veten të avancuar, sepse nuk ka pasur shanse më përpara ta mendojë askush se do të bëhet pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç ne tani e kemi rregulluar me Ligj”, tha Mustafa.Ligji është kundërshtuar me deklarata edhe nga Beogradi, madje në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar.

trepca-mine

“E kemi thënë qartë, që ne me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës. Ajo i përket Kosovës, minatorëve të Kosovës, ndërsa pasuritë minerare janë pasuri e shtetit të Kosovës dhe kjo çështje mbetet e mbyllur njëherë e përgjithmonë. E hapur mbetet, se si ne ta çojmë Trepçën përpara”, theksoi kryeministri Mustafa.Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para 17 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.trepca-1

MEDIA: GJYKATA KUSHTETUES E KOSOVË KA HEDHUR POSHTË KËRKESËN E LISTËS SERBE RRETH LIGIT PËR TREPÇËN/

Gjykata Kushtetues e Kosovë ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe, për kontestimet e saj rreth Ligjit për Trepçën, pasi ka vlerësuar se pretendimet e saja nuk qëndrojnë, mëson KTV-ja.Deputetët serbë janë ankuar në Kushtetuese duke theksuar se gjatë miratimit janë shkelur procedurat pasi ligji nuk është proceduar sipas nenit 81 të Kushtetutës së Kosovës që flet për ligjet me interes vital.Por Ligji për Trepçën nuk bënë pjesë në këtë kategori, pasi neni thotë se legjislacioni vital janë ligjet që kanë të bëjnë me themelimin e komunave, zgjedhjet lokale, mbrojtën e trashëgimisë kulturore, për gjuhët, simbolet dhe fetë, simbolet dhe festat publike.Andaj duke qenë se Trepça bën pjesë në asetet shtetërore dhe nuk bën pjesë në legjislacionin vital, Kushtetuesja nuk e ka parë si palë kundërshtimin e një komuniteti për një ligj me interesa nacionale.KTV-ja mëson se vendimi është në fazën përfundimtare dhe do të publikohet javën e ardhshme.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Pritjet për Trepçën: Çka pas Ligjit…, Speciale e Diellit

SPECIALE E DIELLIT: KRYEPESHKOPI GREK I SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

February 3, 2014 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

Të hënën në mbrëmje të datës 27 Janar 2014 u bë një takim në zyrën e ansambelistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos. Ky takim ishte propozuar nga z. L Fundos gjatë takimit të së shtunës të zhvilluar në Shtëpinë e Vatrës. Kishte ardhë në këtë takim Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korçës bishop Joan Pelushi si dhe shoqëruesit e tyre.  Drejtues i këtij takimi ishte asambleisti Mark Gjonaj, i cili prezantoi disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protestën e tyre.Takimi vazhdoi qetë me pyetje dhe përgjigje nga të dy palët. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Orthodokse Shqiptare dhe punët lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare. Ai argumentoi se Hirësia e Tij është tashmë i pranuar nga besimtarët ortodoks të gjithë Shqipërisë dhe këtu nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës dhe ortodoksit shqiptarë. Hirësia është një personalitet i njohur  dhe ka bërë shumë për Kishën Ortodokse shqiptare dhe është i vlerësuar në botë. Ai tha se e shihte të pavend protesën që bëjnë shqiptarët e Nju Jorkut dhe kërkoi të dinte arsye: Përse po protestoni?- pyeti ai. Nuk na nderoni kështu! Ja unë që përfaqësoj ortodoksët  shqiptarë të Amerikës jam këtu. Atëhere në emër të kujt protestoni ju? Të ortodoksëve jo. Ai këshilloi që të hiqnin dorë nga kjo pretestë sepse bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar.Presidenti i Shoqatës Rinore”Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat që t’i bashkohen kësaj proteste. Ai rënditi probleme të tilla si: Fortulumturia e tij erdhi si eksark për rorganizimin e Kishës ortodokse jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit,krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat; nuk njeh genocidin grek mbi Çamërinë etj.

Metropoliti i Korçës Joan Pelushi mbajti pjesën kryesore të debatit. Me njohuri të thella teologjike ai u përpoq të sillte informacion të gjërë rreth funksionimit të Kishës Ortodokse, të konceptit të Autoqefalisë, solli shembuj, fakte, shifra nga puna e madhe e Kryepeshkopit Janullatos në Krye të Kishës etj. Sa për nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare të vitit 1929, ai mbrojti pikëpamjen se Statuti nuk është i pandryshueshëm. Ai i këshlloi përfaqsuesit e protestës që ajo të mos bëhet dhe ajo nuk i nderon shqiptarët e Amerikës. Kryepeshkopi , tha se me këtë vlerësim që i bëhet Hirësisë së Tij, nderohet Kisha shqiptare, ortodoksizmi në Shqipëri. Ne duhet të krenohemi me këtë, jo të protestojmë. Mitropoliti Pelushi tregoji dhe vështirësitë e Kishës , mungesën e prifëtrinjëve, mundimin që duhet për të përgatitur një peshkop etj.Ai solli fakte dhe detaje nga gjendja e sotme që ka Kisha Ortodkse Shqiptare dhe bëri krahasime edhe me fetë e tjera.

Puna që ka bërë Hirësia e Tij Janullatos është e jashtëzakonshme, tha Mitropoliti. Pse po protestoni- shfaqi ai habinë e tij dhe shtoi: Aty do të ngrihet flamuri shqiptar, ai amerikan dhe i Universitetit Fordham. Ju jeni kundër? Pse?

Zef Balaj shfaqi opinionin e tij dhe argumentoi pse janë të pakënaqur shqiptarët me Janullatosin në Krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai përmendi Kombësinë e Kryepeshkopit, përkohshmërinë e misionit të Tij dhe të tjera shqetësime që janë objekt i protestës.

Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezervat e Vatrës për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, Vatra mendon se ishte një arsye që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa  kishte zëra kundërshtues. Vidio me pamje nga marrja e fronit vazhdon e qarkullon në internet. Hirësia e Tij ka bërë pak për  përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mbanë sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar? Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë?

Vatra nuk mund të pajtohet me faktin e injorimit të Ikonës së Kishës Autoqefale ortodokse Shqiptare, Imzot Fan S Noli, edhe pse Mitropoliti tha se ai kishte bërë shumë për Imzot Nolin.

z. Bushati tha se Vatra është për harmoninë fetare dhe e vlerëson këtë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë.

Nuk dukej se pozicionet mes dy palëve ndryshuan edhe pas 2 orë e gjysëm debat. Takimi përfundoi në orën 10 e 30 të darkës. Përfundimisht Marko Kepi, drejtuesi i protestës falenderoi për takimin, por nuk u tërhoq nga organizimi i kësaj proteste për të cilën të Hënën ishte marrë edhe leja nga Policia dhe Autoritetet e Sigurimit të Universitetit.Ai e uroi Metropolitin e Korçes Joan Pelushin. Ndersa  per gazeten Dielli, Kepi, u shpreh: Ne protestojmë që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë , të vijë një Kryepeshkop, ja psh si Joan Pelushi, me gjak, gjuhë, nënshtetësi e Kombësi Shqiptare! Uroj që kjo ditë të vijë shpejt!

                     TAKIMI TEK VATRA

 

Takimit të së hënës i pat parapri një tjetër takim, ai së shtunës me 26 Janar 2014, në mbrëmje në mjediset e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në Bronx.Takimin e ka drejtuar presidenti i shoqatës rinore shqiptaro-amerikane ”Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet e protestës, parullat  në pankarta, argumentet se përse bëhet kjo protestë, pyetjet që mund t’i bëhen nëse realizohej një takim me Kryepeshkopin etj. Në takim, pasi kishte një orë që kishin filluar diskutimet, erdhi  me dëshirën e tij, një nga mbështetësit e Hirësisë së Tij Janullatos z. L Fundos. Ai kërkoi mirëkuptim dhe u tregoi organizatorëve se Fortlumturia e tij ka bërë shumë për Kishën shqiptare, e  ngriti atë prej rrënimit të diktaturës, u tregoi se ai ka ndërtuar shumë kisha të reja dhe ka rinovuar të tjerat, se ai nuk e ka cënuar Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare, se nuk është antishqiptar etj etj.

Z. Fundos u propozoi një takim organizatorëve me Kryepeshkopin para se të organizohet protesta, pra të Hënën, pas marrjes se lejes nga Policia,( për lejen ofroi ndihmën e tij ish kongresisti Republikan, Presidenti vullnetar i Liges Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi).

Vatra gjykoi se ky takim nuk zgjidh problemin, për arsyen e thjeshtë se Janullatos do të mbrojë pikëpamjet e veta dhe komuniteti ka qëndrimet e veta në favor të Kishës Autoqefale, vepër e patriotëve shqiptarë ortodoksë.

Në thelb të protestës ishte kundërshtimi i komunitetit shqiptar të Amerikës ndaj Kryepeshkopit grek të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili në kundërshtim me Statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë e ka uzurpuar atë. Për organizatorët Janullatos ka punuar për helenizimin e Kishës Autoqefale dhe në kundërshtim me nderimin, që i bëhet në Fordham University, nuk i ka shërbyer afrimit të dy popujve, përkundrazi. Ai ishte kundër intervenimit të NATOS në Kosovë gjatë gjenocidit Serb( për sqarim të lexuesit: Janullatos ka dalë publikisht kundër ndërhyrjes ushtarake/ humanitare të NATO-s për shpëtimin e popullsisë së Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik serb,- edhe pse propoganduesit e tij kanë shkruar edhe në shtypin amerikan se ai udhëhoqi fushatën e ndihmave për kosovarët që erdhën në Shqipëri gjatë spastrimit etnik të Millosheviçit), se ai e injoron dhe nuk e njeh çështjen çame, në kundërshtim me klerikët e besimeve të tjera- nuk pranoi të ngrejë meshë për viktimat e genocidit grek kundër çamëve (e thënë shqip: ka refuzuar që të bashkohet me krerët shqiptarë të besimeve të tjera në lutje për shpirtrat e viktimave çame të gjenocidit grek), shpesh është parë më ultranacionalistë grekë që kanë ardhur në Shqipëri(shtypi i Tiranes), duke dhënë shenja se është për Vorio-Epirin. Po ashtu ai duke sponsorizuar ndërtimin e Kishave ortodokse i ka larguar ato nga trashëgimia e Kishës tradicionale Ortodokse Shqiptare, duke sjellë arkitektuarë bizantine dhe ikonografi helene. Mjafton krahasimi i dy kishave ortodokse të sotme në Korçë me fotografitë e ndërtesave të para viteve 1967, dhe shihet ndryshimi. Po ashtu meshimi në shumicë në gjuhën greke, përbën një tjetër shqetësim të komunitetit shqiptar. Injorimi i figurës së arkitetktit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Imzot Nolit është një tjetër pakënaqësi që komuniteti shqiptar i Amerikës ka ndaj Janullatosit.

LETRAT PUBLIKE PËR PRESIDENTIN JOSEPH McSHANE

 

Shqiptarët e këtushëm paralajmëruan mospajtim me vendimin e Universitetit për ta nderuar kreun grek të Kishës Shqiptare me një titull honorifik. Të parët që paralajmëruan protestë kanë qenë anëtarët e organizatës rinore “Rrënjët Shqiptare”, të cilët i kanë dërguar edhe një letër të hapur z. Joseph McShane, S.J., Presidentit të Universitetit Fordham (Shih në faqen 7). Përmes Letrës publike , Rrënjët Shqiptare, kanë shprehë pakënaqësinë e komunitetit shqiptar dhe shfaqin habinë se si universiteti ka rezervuar çmimin e lartë për një njeri që nuk i shërben paqes dhe harmonisë, përkundrazi ai nën postin e lartë të kryepeshkopit i ka shërbyer helenizimit të Shqipërisë dhe veçanërisht asaj të Jugut, duke punuar nën rrogoz për Vorio-Epirin. Sipas letërshkruesëve, ai meshon në gjuhën greke duke diskrimuar gjuhën shqipe.Sipas Rrënjëve Shqiptare, kreu grek i KishësOrtodokse  Shqiptare nuk ka bërë asgjë për të afruar marrdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Greqisë, përkundrazi dy vendet duket se janë më larg se kurrë,- ku si mur ndarës qëndron hija e Ligjit famkeq të Luftës, që nuk është aministuar nga parlamenti Grek. Asnjë kontribut nuk ka dhënë në këtë drejtim Hirësia e tij, që ka mbrojtjen, përkrahjen e Kishës dhe Qeverisë Greke. Më pas në letrën e Albanian Roots tregohen detaje nga gjenocidi i ushtruar nga shteti grek ndaj çamëve, të cilët edhe pse dikur ishin shtetas grek, janë të zhveshur nga e drejta e pronës dhe e kthimit në shtëpitë e tyre, ku kanë varret e prindërve, gjyshërve, dhe Janullatos nuk e njeh këtë gjenocid.Të rinjët shqiptarë në letrën e  tyre e cilësojnë kryepeshkopin grek të Shqipërisë një ”Kalë Troje”.

Edhe studentët shqiptarë që studiojnë në Fordham University, dhe ata që kanë studiuar atje, kanë reaguar përmes një letre që i dërguan presidentit të këtij universiteti,  z. Joseph McShane, S.J(Shih Dielli online). Studentët me prejardhje shqiptare të këtij universiteti shkruajnë se përfaqësojnë katër besime fetare kryesore në Shqipëri; katolik, Kristian ortodoks, sunitë dhe shiitë, dhe janë për marrdhënie miqësie mes dy popujve të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve dhe grekëve. Por, siç shprehen ata, Kryepeshkopi Janullatos, nuk mëshiron vlerat më të çmuara të Shqipërisë, sidomos harmoninë ndërfetare.

Ata rëndisin një sërë faktesh që tregojnë se në misionin e tij në Shqipëri, Kryeposhkopi, po e largon Kishën Ortodokse Shqiptare nga të qënurit Autoqefale, e pavarur dhe po e orienton drejt armikes së saj shekullore, Kishës Greke.

Edhe Federata panshqiptare e Amerikës VATRA, është pozicionuar në kundërshtim të hapur me Kryepeshkopin me origjinë e kombësi greke, Anastas Janullatos. Ky pozicion i Vatrës buron nga Shkelja e Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, miratuar nga Kongresi i Beratit , që zhvilloi punimet nga 10 deri më 19 shtator 1922, Kongres që njihet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Pikërisht në nenin 16 të Statutit të miratuar më 1929, është sanksionuar kërkesa themelore, ku udhëheqësi i Kishës duhet të jetë , prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”. Ky statut ka marrë edhe miratimin e Patriarkanës së Stambollit më 1937(Në ballafaqimin e dytë Mitropoliti Pelushi e quajti gjë të vjetër Statutin) . Pikërisht kjo kërkesë është shkelur nga Janullatos dhe prej atyre që e sollën atë në fron, duke shkelur mbi gjakun e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare të masakruar nga Kisha Ortodokse Greke. Vatra që në krye të ardhjes së Janullatosit ka qenë kundër dhe e ka shprehur publikisht mospajtimin e saj. Madje edhe 13 vite të shkuara ishte Vatra ajo që organizoi një protestë të ashpër ndaj dekorimit të Janullatosit në New York. Protesta u organizuar me 17 shkurt 2001 përballë Hotelit Hilton. Me parulla të hapura” Janullatos, uzurpator i Kishës Autoqefale shqiptare”, “primat i kishës shqiptar duhet të jetë me gjuhë e gjak Shqiptar”, “Janullatos go Home”!- u shoqërua banketi i shtruar për Janullatosin në Hilton Hotel, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Kishës shqiptare të Amerikës, që ngritën dolli me Hirësinë!Vatra ka kritika të ashpra ndaj mohimit të rolit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e Tij e ka injoruar Nolin, simbolin e Kishës Autoqefale.

KRYEPESHKOPI, FERRA QË LA PAS RAMIZ ALIA-JA SI ERDHI

 

Ardhja e Anasatas Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare është plotësisht vepër e Ramiz Alisë, e pasuar nga pasardhësit e tij. Ai erdhi në Shqipëri me 16 korrik 1991 si eksark, me rol provizor për riorganizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, të shkatërruar nga komunizmi. Vënia e tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare është produkt i asaj që quhet “Kompromisi i Korfuzit”, ku u takuan me 2 korrik 1991 Ministri i Jashtëm Shqiptar Muhamet Kapllani me homologun grek Antonios Samaras. Kompromisi u arrit duke shkelur pikërisht nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, ku Janullatosit iu besua drejtimi i përkohshëm (eksark) i Kishës Ortodokse Shqiptare ( shumica e shqiptarëve e ka dëgjuar shprehjen ironike të Fortlumturisë së Tij Janullatos: ”Të gjithë të përkohshëm jemi në këtë Botë”!).

Në ndihmë të rrethanave se si erdhi Janullatos në krye të Kishës Ortodokse na vjen edhe dëshmia e ish kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Ylli Popa, dhënë revistës “Klan”. Ai tregon se si në rrethana të çuditshme vizitoi Janullatosin në shtëpinë e tij në Athinë. Atë kohë Prof. Popa shkonte për takim me refugjatët shqiptarë si pjestar i Forumit për të Drejtat e Njeriut. Bashkë me të ishin edhe Prof. Spiro Qirko, Kosta Makariadhi (deputet i minoritetit grek), Niko Bello (arsimtar ne Korçe dheTahir Novi (jurist ne Gjirokaster). Për takimin ai jep pak informacion, ndërkohë që flet për një takim të dytë në Tiranë në Hotel Dajti, ku kishte thirrë edhe Kryekancelarin e Kishës së Nolit, At Arthur Liolinin(nuk kam lexuar ndonjë pronocim të Atë Liolinit për këtë intervistë të publikuar më 2003). Sipas Prof. Popës, ai e ka pyetur At Liolinin se çfarë dinte për eksarkun:”At Liolini me tha se ai nuk e njihte personalisht Peshkopin, por dinte se ai ishte personalitet i njohur i Kishes greke, kishte botuar disa studime te rendesishme edhe se kishte punuar disa vjet ne Afrike.”…Më pas At Arthuri ka bërë dy sygjerime për t’i vënë kushte Janullatosit:” E para, të mos vihej në diskutim Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare, edhe e dyta, të respektohej kontributi i Fan Nolit në ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.”(dëshmi e Y. Popës)

 

    LETRA E JANULLATOS PËR RAMIZ ALINË: JAM I PËRKOHSHËM!

 

Në shtyp është publikuar edhe një letër, që i pat dërguar eksarku Janullatos presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë , para ardhjes në Shqipëri, me 3 qershor 1991.

Në letër ai shkruante se Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është një institucion në shkallë botërore me traditën dhe rregullat e saj të pranuara universialisht, dhe asnjë kishë ortodokse nuk mund të ekzistojë, dhe më tepër të organizohet, pa një peshkop, që të ketë pasues apostolik. Përderisa në të gjithë botën sot nuk ka një peshkop ortodoks për të marrë përgjegjësinë e riorganizimit të kishës në Shqipëri, Patiarkana Ekumenike e Kostandinopojës, që është froni i parë i njohur zyrtarisht nga të gjitha kishat ortodokse, që i përkasin institucionit në shkallë botërore të ortodoksisë (ruse, serbe, rumune, bullgare, greke, shqiptare), mori iniciativën e emërimit tim për të ardhur në vendin tuaj të dashur si një patriark eksark,- shkruante Hirësia e Tij. 
Më pas eksarku tregon se Patriarkana i kishte dhënë për detyrë: Të komunikonte me qeverinë shqiptare për të hyrë në kontakt me priftërinjtë ortodoksë ekzistues dhe besimtarët ortodoksë, pavarësisht nga origjina dhe gjuha amtare. Ai zotohej dhe premtonte se do të merrej me punën organizative kishtare në nivelin primar, mbas zhvillimeve të fundit dhe vendimit për t`i dhënë liri fetare Shqipërisë, do të krijonte kushte në një kohë sa më të shpejtë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të vetëdrejtohet; me bindjen se riorganizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhej të përfundohet në bashkëpunim me ortodoksët e interesuar.

Ai i shkruante kreut komunist të shtetit shqiptar se kishte takuar me Lartësinë e tij Metropolitanin Theudosiun, Primati i Kishës Ortodokse në Amerikë dhe me rev. Artur Liolin, kancelar i kryedioqezës shqiptare në Amerikë, dhe kishin rënë dakort plotësisht që të bashkëpunonin për të mirën e ortodoksisë në Shqipëri dhe të gjithë qytetarëve të saj. Eksarku zotohej:”Si një peshkop ortodoks, dua t`ju siguroj ju shkëlqesi, në mënyrën më të dukshme, se misioni i patriarkut- eksark në Shqipëri kërkon ekskluzivisht t`i shërbesh me sinqeritet popullit të dashur shqiptar në këtë kohë kritike dhe të ndihmohet për të çuar përpara çështjen e paqës dhe të mirëkuptimit vëllazëror në Evropë dhe në botë”. Fjalë të ëmbla!
Po a, i mbajti premtimet fortlumturia e Tij? Kundërshtarët thonë jo. Ai nuk e pa misionin e tij vetëm si ringritje të Kishës së rrëzuar ortodokse, por edhe uzurpim të saj.Në kundështim me premtimin në letrën dërguar Ramiz Alisë, Janullatos vazhdoi të qëndrojë në Shqipëri dhe gjasat janë se do të qëndrojë sa të ketë jetë, madje edhe pasi të ndërrojë jetë. Jo vetëm pse ka përcaktuar vendvarrimin, por edhe pse ka përgatitur një pasardhës të besuar të frymës së vet, të cilin e ka shpallë Peshkop, pa ceremoni publike,larg syve të medias, por para të tjerëve!.

      

   KUNDËRSHTIMET NË ÇASTIN E MARRJES SË FRONIT

 

 Më 2 gusht 1992 eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Vidio e fronëzimit të Tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas dëgjohen dhe këngë patriotike” Për Mëmëdhenë”!. Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.
  Ramzi Alia dhe ata që erdhën pas tij e nënvleftësuan ose e harruan të djeshmen e marrdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare.      Kisha Ortodokse shqiptare në fakt e shpalli autoqefalinë në luftë me kishën Greke! Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë të sjellin pikërisht një grek!

Ata që e vendosën Janullatosin në krye harruan që Kisha greke pat mallkuar gjuhën shqipe dhe masakroi e helmoi, a vrau patriotët shqiptar. Politika naïve shqiptare harroi masakrimin e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare nga andartët grekë si: Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, apo të martirit Petro Nini Luarasi. Gjaku i prelatëve-martirë i parapriu Kishës Autoqefale Shqiptare, por që nuk u respektua nga ata që sollën peshkopin grek në krye.

Në fakt edhe pas fronëzimit të Janullatos, shqetësimi për presion të kishës greke endej nëpër Shqipëri. U konstatua kjo edhe në simpoziumin kushtuar 70 vjetorit të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare mbajtur nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë më 19 shtator 1992. Që në fjalën hyrëse të simpoziumit konstatohej një presion dhe trysni e Patriarkanës greke ndaj Kishës ortodokse shqiptare që ende nuk ishte ngritur në këmbë dhe nuk kishte dalë nga agonia  ku e kishte përpalsë shteti ateist komunist. Në simpozium u denoncua me forcë ky shantazh. Simpoziumi konstatonte:”Përpjekjet që po bëhen kohët e fundit nga Patriarkana për t’i shfrytëzuar vështirësitë në të cilat ndodhet sot Kisha Ortodokse Shqiptare dhe për të vendosur kontrollin administrative mbi të, për të vënë në krye të saj një peshkop grek, janë krejt të paligjshme, në kundërshtim me Statutin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe me vendimin e vetë Patriarkanës, të vitit 1937.”

   KUNDËSHRTIMI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

 

Shqiptarët patriotë të  Amerikës kanë qenë përherë në vijën e parë të kundërshtimit të Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Një delegacion i Komunitetit shqiptar të Amerikës shkoi në Shqipëri në vitin 1992 dhe shprehu shqetësim për vënien e një të huaji në postin e Kryepeshkopit. Ata shkuan në Shqipëri për të mbrojtur veprën e Imzot Nolit, i cili pat hedhur bazat e Autoqefalisë dhe shkëputjes nga hija e Patriarkanës Greke.Ata kërkuan nga organet përkatëse të mos shkelej “testament” i Autoqefalisë, Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale i vitit 1929, ku në nenin historik 16, i mbyllej përgjithëmonë dera ndikimit të të huajëve në KOASH . Në një intervistë dhënë gazetës “Liria” në Tiranë  në shtator 1992, e njerit prej pjestarëve të komisionit, Niko Kirka, i biri i Kristo Kirkës ,bashkëthemeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, pjestar i delegacionit të Kishës Autoqefale Shqiptare, që shkuan në Patriarkanën e Stambollit për të mbrojtur vendimin e Kongresit të Beratit të shtatorit 1922, që shpalli Autoqefalinë, dhe statutin e 29-ës, denoncon dhe kundërshton me forcë vendosjen e një të huaji në krye të Kishës.Misioni i z. Niko Kirka dhe të tjerëve që shkuan nga Amerika vazhdoi edhe më vonë. Në një intervistë dhënë gazetës “Republika”  më 23 prill 1993, ai sërish denoncon uzurpimin e Kishës Ortodokse në emër të Komitetit të tri besimeve fetare të shqiptarve të Amerikës. Ai përcolli idenë e Nolit se humbaj e Autoqefalisë dhe e pavarësisë së Kishës ortodokse rrezikon pavarësinë e Shqipërisë.

Komiteti i Autoqefalisë kishte dhe gazetën e vet që e denoncoi ashpër uzurpimin e fronit të kishës Ortodokse. Moto e saj ishte:”Është gënjeshtër dhe hipokrizi “autoqefalia” me ju në krye si Peshkop, zoti Anastas Janullatos”.

Humbja e Kushtetutës të vitit 1994, ku kërkohej, që krerët fetarë të ishin me Kombësi shqiptare, ishte varka e shpëtimit të Janullatosit.

Lufta vazhdoi deri nga viti 1995 , ku u ngrit sërish zëri i Shqiptarëve të Amerikës në simpoziumin e organizuar me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Imzot Nolit. Moto e atij simpoziumi ishte:” Të mbrojmë Kishën e Imzot Nolit!”.

Më pas duket se tonet u ulën. ’97 e rebelimit me ndihmën e grekëve, i vuri vulën heshtjes.Deri sa vijmë në ditët e sotme, kur politika, kryeshtetarët, nga presidentët, kryeministrat, Kryetarët e Parlamentit, sipas rotacionit, e deri tek kryetarët e partive, pozojnë dhe buzëqeshin pranë Hirësisë së Tij!Gati kamera!

Po atëherë ç’duan shqiptarët e Amerikës?-dëgjohen zëra dhe bëhen komente në rrjetet sociale dhe website gazetash. Mos duhet që edhe shqiptarët e Amerikës të pajtohen me qenien e Janullatos Kryepeshkop të Shqipërisë?

Në fakt edhe vetë Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës e ka pranuar Hirësinë e Tij, siç e ka pranuar edhe ortodoksia në Shqipëri me përjashtim të At Nikollë Markut dhe besimtarëve që ai ka rreth vetes dhe disa patriotëve nacionalistë. Zërat që e kundërshtojnë Kryepeshkopin që nuk ka ndërmend të vetëlargohet, të dorëhiqet, po vijnë duke u ulur. Ç’duhet bërë në këto rrethana? Të heshtin shqiptarët e Amerikës?Amaneti Nolit nuk i lë të qetë vatranët dhe shqiptarët e Amerikës. Shpirti i Noli, i At Vasil Markut dhe të tjerëve, rënkojnë nga shkelja e Testamentit, Nenit 16 të Statutit(që Janullatos dhe gjakshprishurit nn shërbimin e tij e cilëlsojnë të vjetruar) :”… prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”! (Jo po do t’i bëjmë AND-, tha me ironi në ballafaqim Mitropoliti i Korçes, ( Bishop Joan Pelushi- Fatmiri i dikurshëm!)

Kryepeshkopi, ferra që la jashtë varrit Ramiz Alia, erdhi këtë herë për t’u nderuar nga Universiteti i njohur Fordham në Bronx. Kryepeshkop i Durrësit, Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, u nderua si Doktor Nderi për Letrat Humane.

 

KUSH THA SE NE PROTESTE NUK KISHTE ORTODOSE?

 

Pas dështimit të dy takimeve të organizatorëve me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullats, protesta e iniciuar nga Rrënjët Shqiptare dhe e përkrahur fuqimisht nga Vatra dhe komuniteti shqiptar,u zhvillua ashtu siç ishte paralajmëruar, në mbrëmjën e ditës së Martë me 28 janar, në portën hyrëse të Universitetit Fordham, në adresën 2900 Southern BLVD. Ishte një natë e ftohtë polare me temperatura nën zero. Megjithatë Shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti, nuk ka munguar, por ka ardhur nga Queensi dhe qëndroi deri në fund të protestës, ashtu siç kishin ardhë edhe Zef Përndocaj nga White Planes, Sali Bollati e Uke Gjonbalaj nga Staten Island, Hakik Mena e Çezar Ndreu nga New Jersey, apo të tjerë edhe nga më larg. Të ftohtit nuk i kishte penguar pjesmarrësit e shumtë që t’i mbushnin të dy anët e rrugës plot dhe në duar mbanin pankarta ku kërkohej çlirimi i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Kryepeshkopi grek Anastas Janullatos. Ata kërkuan dorëheqjen e tij dhe zëvendësimin me një peshkop shqiptar.

E gjithë kryesia e Vatrës dhe një pjesë e Këshillit ishte në protestë, me përjashtim të kryetarit, që nuk ndodhej në New York, por dy vajzat e tij ishin aty mes demonstruesëve; nëkryetari Asllan Bushati kishte ardhë me gjithë familjen, zv/Kryetari Agim Rexhaj me gjithë zonjën, sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu me origjinë nga Çamëria, e shoqëruar nga Majlinda Deli, Besa Belliu e Kamila Veliu, Marjan Cubi, Sejdi Hysenaj, Zef  Balaj me gjithe djalin Josephin,Mithat Gashi , Bashkim Musabelliu, Halit Shpuza, Besim Malota, Nick Markola, Danny Blloshmi, Ahmet Hoti, Çezar Ndreu, Naser Çobaj e të tjerë. Ka ardhur nga Buffalo  kandidati për Kongresin amerikan Eddie Egriu e shumë të tjerë.

Me protestën ishin solidarizuar, përveç Rrënjëve Shqiptare, që u përfaqësuan aty edhe me degët e Chikagos dhe Teksasit, Federatës Vatra, Lëvizja e Legalitetit për Amerikë, Shoqata Çamëria, Liga Shqiptaro-Amerikane, Oragnizata “Djemtë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës”, Shoqata Ana e Malit, Kombi, Plavë-Guci, Uskana në Illinois, Bashkimi Kombëtar, Grupi i studentëve shqiptarë në Fordham University, Shqiptaro-Amerikanët e Chikagos e të tjerë.

Thelbi i protestës ishte mospajtimi i shqiptarëve me nderimin që po i bëhej kryepeshkopit grek, që ka uzurpuar Kishën Ortodokse Shqiptare.

Disa herë, udhëheqësi i protestës, Marko Kep, përmes megafonit , i sqaroi pjesmarrësit dhe kalimtarët, se kjo nuk është protestë kundër vëllezërve tanë orthodox, por protestë që kërkon çlirimin e fronit të Kryepeshkopit nga Kisha Greke! Ne aspirojmë, tha ai, që amaneti i  Imzot Fan Noli, për ruajtjen e pavarësisë së Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, si kusht për Pavarësinë e Shqipërisë-, të mos shkelet me këmbë ! Ne duam një kryepeshkop shqiptar!

Për Vatrën dhe organizatat e tjera pjesmarrëse në protestë është i papranushëm fakti, që një grek të qëndrojë në krye të Kishës Shqiptare, e cila ende prêt një”Ndjesë” nga Kisha greke(nga vjen Hiresia e Tij Janullatos, për mallkimin që i ka bërë gjuhës shqipe-Kisha greke, por që dhe Janullatos nuk e ka fort për zemër, mallkimit që u ka bërë patriotëve ortodoks, për jetët që u ka marrë priftërinjëve shqiptarë, që kanë predikuar shqip: Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, apo të martirit Petro Nini Luarasi, që të vetmin “krim” kishin gjuhën shqipe, për nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve , përfshi edhe në kohëmasakrash, siç ishte ajo kundër çamëve, për nxitjen ëndrrës së çmendur vorioepirote….Për 22 vjet, a nuk kishte mundësi Janullatosi të përcillte një “pardon” në emër të Kishë Greke nga vinte?!

Në duart e protestuesëve qëndronin pankarta, banderola të shkruara në dy gjuhë shqip dhe anglisht:”Albanian Orthodoks not Greek Orthodox”, “Albanian Orthodox not for Sale”; “Religion free of foreing Influence!”, “We want an albanian Archbishop”; Albanian Archbishop-This Shud be the Albanian Churche; Albanian deserve an Independent Albanian Orthodox Churche, Protect the Albanian orthodox”…

Nën fotografinë e Prelatëve të Kishës Orthodokse Shqiptare, të martirve Papa Kristo Negovani dhe Papa Stathi Melani, shkruhej:”Kush e vrau?”; nën fotografinë e arkitektit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare shkruhej”Ky është Ati i Kishës Orthodokse Shqiptare”, Ky është Ati i Kombit”!

Gjatë protestës që u ruajt me korrektesë nga forcat e policisë, u hodhën parulla kundër Kryepeshkopit grek, kundër  konvertimit të Kishës Orthodokse Shqiptare në Kishë Greke, kundër importimit të arkitekturës greke në ndërtimin e kishave shqiptare dhe përdorimit të ikonografisë greke, dhe u bënë thirrje të hapura për dorëheqje të Janullatosit.

Protesta kishte marrë mbështetje nga prifti arbëresh në Argjentinë Alexander, Reverent i Buenos Aires dhe Amerikës së Jugut, si dhe nga Prifti i Kishës së pavarur të Shën Mërisë në Elbasan, Nikolla Marku. Përshëndetjen e Hirësisë së tij Alexander e lexoi në gjuhën angleze kandidati për Kongresin Amerikan Emin Eddie Egriu, ndërsa mesazhin e Atë Nikollë Markut, e lexoi sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.

Përshëndetja e at Nikolla Markut ishte e mbushur me thirrje të hapura kundër Kryepeshkopit greke, të cilin ai identifikonte me qarqet vorioepirote dhe e cilësonte antishqiptar. Ai përcillte kërkesën ultimative për lëshimin e fronit të uzurpuar me kurth dhe shkelje të statutit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Ndërsa përshëndetja e priftit arbëresh Alexander përcillte dashuri për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe, thirrje për bashkim kombëtar. Ai e cilësonte Shqipërinë e dashur si nënën e tij dhe nënë për çdo shqiptar. Ai shkrunte ndër të tjera se”Unë lutem për ju; unë lutem çdo natë për fëmijët tuaj, për gjithë shqiptarët. Unë lutem për vëllezërit e mi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, në Serbi dhe kudo ku ka shqiptarë.”

Duke iu drejtua të rinëjve protestues ai shkruante”Ju jeni e ardhmja jonë. Ju jeni fëmijët tanë. Unë lutem për ju. Unë lutëm për çdo gjë shqiptare. Ju dua me gjithë zemër! Rroftë Shqipëria! Zoti i bekoftë shqiptarët!

Përshëndetën protestën, Joe DioGuardi, nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit për Amerikën Hakik Mena, zv/presidenti i Shoqatës Rrënjët Shqiptare, Dorjan Nasto etj. Përmes megafonit përcolli zërin e protestës çame veprimtari Sali Bollati, Endri Merxhushi, Nazo Veliu e shumë çamë të tjerë të pranishëm në protestë.

Nëpër rrjete sociale dhe website gazetash, protesta u akuzua se nuk kishte përfaqësues nga besimtarët orthodoksë. Natyrisht që kjo nuk qëndron, jo vetëm se aty kishte të atillë, madje përfaqësues dinjitoz si shkrimtari Naum Prifti, regjisori Dhimitër Ismaili, zv/Presidenti i Rrënjëve Shqiptare Dorian Nasto e të tjerë, por edhe për faktin se aty ishte edhe kryepeshop Noli me shiqptarët e Amerikës në çastkrijimin e Kishës Ortodkse, shiheni fotografinë grupore, aty ishte dhe bashkthemeluesi i kishës Orthodokse Kristo Kirka (dhe bashkëthemelues të Vatrës), aty ishin edhe Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, aty ishte edhe i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret:”Vramëni, po mblidhmani gjakun se do tu duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- aty ishte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, aty ishte,… aty ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lumë martirët, na mëson Ungjilli(Citim: A Shehu). Aty ishin…Nuk i patë? Aty ishin edhe ata….! Kush nuk i pa, e ka fajin vetë!

Një kujtesë për kritizerët e kësaj protestë: A mund të më sqarojë ndokush prej tyre se çfarë ka dashë Numri 1 I Federatës Panhelenike të Amerikës, antishqiptari I deklaruar, Nikolas Geijxh në ceremonitë e tre nga katër nderimet , që i janë bërë Hirësisë së Tij Janullatos?(Botuar ne Diellin e printuar, Janar 2014)

 

 

 

Filed Under: Analiza, Komunitet Tagged With: dalip greca, dielli, Janullatos, rrenjet shqiptare, Speciale e Diellit, Vatra

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT