• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

D Y D R I T A R E

October 12, 2013 by dgreca

tregim nga Spiro Gjikondi/

Mbreme drita qendroi e ndezur deri vone. Minutat dhe oret kalonin duke lene prapa dicka te pakuptueshme,dicka qe fshihej ne te gjitha paisjet e dhomes sone ne konvikt. Cdo gje ishte indiferente: dollapet, komodinat, tavolina, karriket, varesja e rrobave, radiua, tingujt e nuzikes, bile, edhe zeri i spikereve… Te gjitha. E vetmja gje qe e kuptonim dhe e degjonim mire ishte sinjali i ores. E degjonim dhe e ndjenim se dicka ikte per te mos u kthyer me. Megjithate sinjali i ores perseritej pas cdo intervali; mbas nje ore, mbas gjysem… Pra perseritej edhe pse ne nje forme tjeter, me nje tingellimj te ri… Dhe kjo sikur e shperndante ate qetesi qe endej aty ketu.

– kjo nate me duket shume e gjate,- tha ladi sikur te fliste me vete.

– Po,- thashe une ne menyre evazive,- shume e gjate….

Ai ishte ngritur nga krevati dhe ishte afruar prane dritares. Dukej se shikonte jashte. Po cfare shikonte?  Ne ate ore rruga dhe sheshi perpara godines ishin bosh. Asnjeri nuk kalonte. Une kisha ndezur nje cigare.

– Tani do te doja te gdhihej,- tha perseri Ladi pa e kthyer koken nga une.

Vertet. Do te ishte mire te gdhihej. Mengjesi eshte i bukur. Sa zgjohemi nga gjumi hedhim syte nga dritarja dhe ndeshim ne kaltersine e qiellit. Zogjte vijne dhe ndalojne ne ballkonin tone. Ne e degjojme kengen e tyre me endje. Na pelqen. Na pelqen ashtu sic na pelqejne zerat e femijeve kur kalojne rrugev per ne shkolle. Na pelqen ashtu si cdo gje e gjalle, si cdo gje gazmore, si cdo gje e fresket…

Por mbreme cdo gje kishte nje pamje tjeter. Te gjitha sendet kishin mbeshtetur koken pas murit dhe dukej sikur po mendonin. Po cfare bluanin ashtu ne heshtje/ Mos valle persiper tyre ishte shperndare nje perde e holle enderimtare? Nuk e di… Por c’mund te mendojne valle gjerat pa shpirt, sendet pa goje? Me se flasin? Cila eshte gjuha e tyre? Une i shikoja te gjitha me radhe dhe me dukeshin si te ngrira. Ja, rafti i librave, canta, hekuri i rrobave, tabllote neper mure…

***

Perballe meje eshte nje peisazh bregdetar. Mua gjithmone me ka pelqyer deti. Por tablloja nuk ka asgje te vecante:- disa taraca, pak shtepi, nje cope fushe, nje lume i vogel qe gjarperon  permes saj e qe derdhet ne det. Une e njoh piktorin. Kur ai punonte kete tabllo, ishim bashke. Jemi lare ne det. Ai ishte me i madh se une dhe mbante gjithmone nje kapele dielli. Dosjen dhe valixhen e tij te vogel nuk e ndante asnjehere nga vetja. Gjithmone ulej aty ketu dhe fiksonte ne kuadratet e bardha ndonje pjese te peisazhit bregdetar.

Qe ahere nuk e kam takuar me. Disa dite mbasi iku ai, mbeta vetem. Ahere lahesha, shetisja buze detit, lexoja i shtrire mbi rere ose degjoja radion. Per fat e kisha mere me vete tranzistorin. Pa te me siguri qe do te isha merzitur…

Por jo, jo. Mbas kater ditesh erdhi nje grup gjimnazistesh. Ne cdo fshat te bregdetit ishin hapur disa pika pushimi. Ata do te qendronin aty dy jave.

Megjithate une s’kisha se si afrohesha me ta. As me njihnin, as i njihja. Vetem se i shikoja kur mbushnin bregun dhe kur laheshin. Ato dite plazhi u gjallerua. Dukej sikur dicka e re kishte ndodhur. I degjoja si flisnin me ze te larte, si qeshnin, si shaheshin me shaka dhe buzeqshja me vete. Pastaj ata vraponin duke ndjekur pas njeri tjetrin. Qeshnin me te madhe sidomos kur lagnin vajzat. Ato ngriheshin nga rera dhe vraponin per t’iu larguar ketyre ngacmimeve. Vraponin dhe me kalonin prane. Hija e tyre reshqiste per nje cast siper meje. Pastaj serish ktheheshin dhe serish largoheshin. Une mbetesha perseri i vetem. Ahere degjoja muzike.

Nje dite dy prej tyre erdhen dhe ndaluan para meje. Me shikuan per nje cast sikur te donin te me pyesnin per dicka. Njera ishte veshur me nje kostum banje me lule te verdha e te gjelbra. Tjetra kishte veshur nje fustan ngjyre roze.. Ajo me fustan roze qendronte me mbrapa. Kishte nje pamje te qete e pak melankolike. Ishte me e ndrojtur. Tjetra ishte me e gjalle.

– A mund te ulemi ketu prane dhe te degjojme muzike?- pyeti ajo me kostum banje.

Une pranova me kenaqesi dhe dhe ato u ulen. Ndrojtja e tyre zgjati vetem per disa caste, pastaj ajo me kostum banje filloi te fliste lirshem.

– Mua me pelqen shume muzika,- tha ajo. A mund ta hapim me teper volumin?

– E pse jo?- thashe une.- Baterite i ka te reja dhe mer shume mire.

Ajo e ngriti volumin dhe filloi te mbante ritmin duke rrhur gjurin me shuplaken e saj te vogel.

– Mua me quajne Irena  dshed me pelqen shume mujzika,- perseriti vajza me kostum banje. Pastaj shtoi:- Kurse shoqja ime quhet Aneta.

Me pelqeu prezantimi i saj.

– Mua me quajne Koci,- thashe une me buzeqeshje.

Qe ate dite ato vinin shpesh tek une. U flisja per gjera te ndryshme dhe me flisnin per jeten e tyre shkollore.

Megjithate Aneta qendronte gjithmone e heshtur. Fliste shume rralle. Nuk lahej asnjehere ne det. Mua me bente pershtypje nje gje e tille, por nuk guxoja ta pyesja.

Kur u ndodha nje dite vetem me Irenen, ajo me tha:

– Ajo gjithmone keshtu ri. Vetem me mua shoqerohet. Por eshte vajze e mire. Vetem se ka prinder shume te eger. Babait te saj nuk i qesh buza asnjehere. Nuk deshen tya linin te vinte me ne, megjithse ka edhe te vellane ketu.

– Po perse nuk deshen ta linin?- e pyeta.

– Prinderit e saj kujdesen shume per te.

– Te gjithe prinderit kujdesen per femijet e tyre.

– Ndoshta jo ne kete menyre,- tha Irena. Ate nuk e sheh te dale njehere xhiro ose te shkoje me shoqet ne kinema. Nuk e lene.

– Sa e cuditshme!- thashe une.

– E pabesushme,- tha Irena.

– Po Aneta si reagon?- pyeta une.

– E c’mund te beje ajo?

– Mos valle ka frike?

– Frike?

– Po.

– Jo.ndoshta ka ndrojtje.

– Ndrojtje?!

– Po, po. Ndrojtje.

– Mundet… – thashe une.- Por, sidoqofte edhe ndrojtja ka nje fare kufiri. Kur njeriut i shkelet vetvetja, kur dikush tjeter te shkel personalitetin tend, nuk mund te durosh ne heshtje.

– Ti ke te drejte, – tha irena.- Po c’mund te besh?!… Aneta e ka te veshtire te ngrihet kunder prinderve te saj. Ka nje karakter te perulur.

– Po ju… Po i vallai i saj…?!

Irena nuk diti si te pergjigjej. Ajo e ndryshoi stacionin e radios dhe filloi te fliste per dicka tjeter.

***

Ladi vazhdonte te veshtronte nga dritarja. Kishte futur duart ne xhepa. Fishkellente nje melodi te lehte.

– Dali?- tha ai dhe u kthye nga une.

– Ku? – e pyeta.

– Ne rruge.

– Eshte vone.

– Tashti eshte shume bukur.

– rruget jane te shkreta.

– E megjithate eshte bukur. ketu nuk me rrihet me. Nuk e di se c’kam. As ti nuk je ne forme. Ka me se nje ore  qe ja ke mberthyer swyte asaj tabllose se keqe dhe nuk e di c’po vertit neper mend.

– Asgje,- thashe une.

– E pamundur. Hajde dalim!

– Jo.

– Ti je i cuditshem.

– Edhe ti.

– Ndoshta… Vetem sonte… Ka raste…

– Nuk kam gjume.

– Jo vetem ne.

– Kush tjeter?

– Ne godinen perballe eshte nje drite e ndezur.

– Ne c’kat?

– Ne te dytin… Dritarja e katert nga e majta…

`                       – Po.

– Leta, Miriana dhe Bina.

– Bina eshte ajo e shkurtra.

– Po.

– Bina duhet te jete shkurtim i emrit te saj.

– E quajne Albina.

– Ajo eshte e mire.

– edhe Miriana eshte e mire.

– Kam vene re se ato e fikin driten gjithmone pas nesh. Me sa duket e bejne me qellim.

– Jane prapa perdeve.

– Duken?

– Po. Kane nje ore qe po qendrojne aty.

– Pranvera…- thashe une.

– Pranvera ka ardhur per te gjithe.

– Edhe per ty.

– Mundet… Ta hap dritaren?

– Jo.

`- Jam i sigurte se edhe ato do ta hapin.

– Nuk eshte mire. Nata eshte akoma e fresket…

– Ke te drejte.

Per here te pare Ladi kerkoi nje cigare. Une nuk fola me. Mbeshteta koken ne jastek dhe vendosa te flija. Ishte e pamundur. Gjumi nuk me zinte. Ladit nuk i thashe se sa here dal ne rruge Albina hap dritaren dhe qendron aty per disa caste… Ndoshta Ladi e dashuronte ate. Kushedi… Ka disa dite qe nuk eshte i qete. Flet fjale pa kuptim. Nuk i pelqen te loze shah dhe nuk lexon me si me pare.

– Mos je dashuruar ?- i them une.

– Ai nuk pergjigjet. Qesh ne nje menyre te cuditshme. Ngre taketuken e cigereve dhe behet gati ta perplase ne dysheme.

– Mos! – i them une.

– Me shkrep nganjehere qe ta thyej,- thote ai.

– Anarshist…

– Vetem tashti qe…

Qeshim te dy.

– Nuk e ka fajin taketukja e cigareve,- thote ai mbas pak.

Ndoshta. Ashtu si tablloja ne mur perballe krevatit tim.Megjithate ajo me ngacmon shpesh here. Flet me heshtjen e saj…. Me sjell ndermend… Me kujton…

***

Ate mbremje kishim dale me Aneten. Ishte mbremja e pare, dhe e fundit.                                   Shetisnim buze detit. Aneta kishte hequr shapkat dhe ecte zbathur. Frynte nje puhize e lehte. Feshferinte fustani i saj roze. Valet shushurinin. Perplaseshin pas zajeve dhe kembeve te saj. I kisha zili valet. Hena, si nje ciklopi, na shikonte qe lart. rezet e saj reflektonin mbi uje.

– Aneta…!

Ajo nuk e ktheu koken. Degjonte shushurimen e valeve. Deti here afrohej, here largohej. Mbremje bregdetare.

– Perse ri gjithmone e heshtur

Ajo perseri nuk foli. Une perserita pyetjen.

– Dua… Me pelqen… Nuk mundem…

– Cfare?

– Asgje.

– Sot ishte dite e bukur. Deti ishte i ngrohte.

– Edhe neser do te jete dite e bukur.

– Nje re po i afrohet henes.

Hena u fsheh. Nje perde e erret na mbuloi per nje cast. Nuk e shihja portretin e saj. Ujet reshqiste mbi zaje. Rera akoma nuk ishte ftohur. Disa hapa u degjuan pas nesh. Te dy kthyem koken. Hieja e tij  azfrohej me te shpejte.. Ndaloi disa hapa me tej.

– Aneta! -thirri ai.

Aneta u rrenqeth. Edhe une. E njoha nga zeri. ishte vellai i saj.

– Aneta!- thirri perseri me ze te prere.

Ajo u shkeput nga une.. Shkoi drejt tij. U larguan.

Hena akoma nuk kishte dale. Reja levizte ngadale. Kisha mbetur vetem. Valet peshperisnin. Me dukej se asgje nuk kishte ndodhur. Me dukej vetja si ne enderr. Doja qe ajo enderr te mos mbaronte kurre. Kisha degjuar se mbremjet bregdetare jane te magjishme…. Sirena…

Te nesermen prita. Kisha dale buze detit qe ne mengjes heret. Deti i bardhe. Bunace. Gjimnazistet erdhen me zhurme. Ngacmonin njeri tjetrin. U xhveshen dhe filluan te laheshin. Dite e bukur.

Irena, si cdo dite, erdhi prape.

– Te degjoj nje cike muzike?- pyeti ajo.

– Pse jo…- thashe une.

U ul. Dicka zhgaraviste mbi rere. Nje fytyre vajze.

– A nuk i ngjan Anetes?- me pyeti mua.

– Po, – thashe une.- Pra, ajo nuk ka ikur?

– Iku.

– Vetem?

– Bashke me vellane e saj.Iken sot ne mengjes me nje makine te rastit. Kishin babane semure. I lajmeruan mbreme me telefon.

– E di…

– Te pelqen kjo melodi me kitare?- pyeti Irena.

– Jo,- i thashe.

– As mua, -tha ajo.- Me pelqejne ritmet e gezuara.

Bregu ishte i zhurmshem.

Aneta…

***

Ladi hapi dritaren. Doli ne ballkon. Une u ktheva andej dhe e pashe per nje cast.. Qesha lehte me vete dhe me ate. I hoqa syte nga tablloja. Kushedi se c’ka dashur te jape autori me te. Ne fund te fundit ai eshte nje peisazh bregdetar i varur ne mur dhe asgje tjeter. Peisazh i qete. Bregdet… Nje kujtim…

– Mbremje e bukur,- tha ladi

U cova edhe une.

Poshte dritares sone eshte nje mimoze. Ajo eshte e mbushur me lule. Ndjeva eren e saj. Ishte fresk dhe hodha xhaketen kraheve.

– AQto jane akoma zgjuar, – thashe une.

– Po.

– Ajo ne te majte eshte Albina.

– Mua me pelqen Miriana,- tha ladi dhe nuk i hoqi syte nga dritarja perballe.

Ndjeva nje fare kenaqesie. Une nuk kisha guxuar ti flisja me pare per nje gje te tille.. Ladi eshte i cilter. Me pelqen tipi i tij.

– A nuk eshte gjynah qe te flesh ne nje nate te ketille kaq te bukur?

– Eshte e domosdoshme… Riperteritje…

U degjua nje e kercitur dhe dritarja perballe u hap.

—–

Tirane, 17 shtator 1972(Botoi Drita)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dy dritare-tregim, Spiro Gjikondi

KTHEMANI COPEN E TOKES QE ME PERKET

August 8, 2013 by dgreca

Nga Spiro Gjikondi/

Kthemani copen e tokes qe me perket!/

Ate copen e tokes qe ishte dhe mbetet e imja,/

Ate, copen e tokes, pas se ciles/

Per qindra, ( Ne mos mijera!) vjet/

Katragjyshet e gjyshet/

Dhe prindet e mi vetull-rene/

E mbajten e u mbajten/

Si munden,/

Me thonj e me dhembe…/

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

E dua.

Ate, copen e tokes me dy rrenje ullinj,

Me dy rrenje dardhe, tre fiq e nje ftua.

Ate copen e tokes gjithe gure e shkembinj,

Ne Mbockez, Kallavarez, Rezebrege, Nenpirg…

Kudo qe te jete,

Atje ku ka qene,

E dua.

Edhe pse e di se e vogel, sic ish,

Barkun e zbrazet s’ma mbush,

Por mallin e shpirtit tim te zhurritur

E shuan…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

E ne se doni te dini nga ku e gjer ku,

Me ke kufizohet

Nga Jugu, Perendimi, Veriu, nga Lindja,

Mos pyesni deshmitare te reme,

As mos kerkoni tapi te shkruara rishtas

( Nga ato qe mbjellin kaos!).

Ne se vertet doni te dini nga ku e gjer ku,

Merrni kazmen, germoni,

Thelle e me thelle,

Ne shtresen e pare e te dyten,

Ne shtresen e peste e te dhjete,

Deri aty ku dheu behet i kuq,

Mbrujtur me gjak neper shekuj.

Merrni kazmen, germoni,

Deri aty ku ri heshtur e klith

Ai, guri tragjik i sinorit…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Kam pesedhjete vjet i larguar.

Pesedhjete vjet rrenje-shkulur.

Pesedhjete vjet rrenje-dale.

 

Pesedhjete vjet si i verber,

Kaleroj shaluar ne tym,

Kaleroj shaluar ne mjegull.

 

Pesedhjete vjet qe lundroj

Ne nje det t’egersuar

Plot me ankth

E me frike ne zemer

Se ne mos u perplassha di ne shkembinj

Ne nje breg

Do perplasem pa tjeter…

 

C’bera e c’shkrova

U haruan qe sot.

Haresa – Mizore

Nuk pret dot gjer neser.

 

Te pakten te mbjell n’ate vend

Nje ulli,

Se e di qe ulliri

Do te jetoje me shekuj.

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Sepse dua qe ne perendimin e afert

Te shkoj e te ulem aty nen ulli

Te pi nje cigare menduar…

 

Te vdekurit e gjalle te kujtoj,

Te haroj te gjallet e vdekur.

 

Te them:

“Ketu dhe im ate ulej e rij…”

 

Te ndjej eren e thrumbes,

Te kruzes, te cfakes…

Te shkermoq ne pellembe nje dege rigoni,

Te kepus nje gjethe lofate,

Ne sy te pikoj

Nje pike limoni.

 

Te ve kembet ne te, si Anteu,

Te mar force. E ne mbremje,

Me syte drejt qiellit

Me henen e yjet te luaj,

I dehur prej afshit te ngrohte te dheut…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Nuk dua te besoj ne rrenimin e plote.

Nuk mund ta pranoj nje ikje per jete.

Rrokullisja pa fund

Me rendon.

Tmerohem e dridhem,

E klith e rrenkoj

Sa here sjell neper mend Seremben e shkrete:

” Arberi qe pertej detit na kujton…”

 

Nuk dua te besoj

( Sic po thone! )

Se n’ate vend

Vec nje parim i zi paska mbetur:

“Rrembeni, o muter,

Sa te mundni, me shume, rrembeni,

Se gjithe ligjet e parimet e tjera

Kane vdekur…”

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Ndryshe do te mbetem i huaj.

I HUAJ…

I HUAJ…

I HUAJ…

 

Me i huaj im bir,

Im nip me i huaj.

Ne nje skaj te globit,

Pa te njohur e te dashurit prane,

Ne jete te jetes te humbur

Ne nje skaj te larget te globit,

As varosur, as gjalle,

Haruar…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Qe kur casti fundit te vije,

Kur syte te mbyll

E te nisem ne udhen ku shkuan te paret,

N’ate vend te mbulohem,

N’ate vend te ri shtrire,

Me nje gur nga te ledhit

Mbi krye…

 

E ne se im bir do haroje gjithcka,

Ne se humbet dashurine per gure e per njerez,

( Pasi e di se largesa ben punen e saj…)

Le te jete ai varr

Per kthimin e tij

Nje arsye me teper…

Kthemani copen e tokes qe me perket…!(Dielli-arkiv)

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: copen e tokes, kthemani, qe me perket, Spiro Gjikondi

PROVE E VESHTIRE

July 11, 2013 by dgreca

Tregim nga SPIRO  GJIKONDI/

       – Tani do ta shikojmë sa të vlen lëkura…

            Kështu tha ai dhe qeshi. Apo u skërmit me dhëmbë të shtrënguar dhe me gjysmën e buzëve? Vetem gjysmën e fytyrës e kishte në dritë. Gjysmën tjetër e kishte të errët. Ç’fytyrë ka djalli?

            Pa e ndërprerë të qeshurën-farmak më goditi me grusht në ijen e djathtë. Rrënkova dhe mu mbajt fryma, por nuk u ankova. Prisja goditjen tjetër në krahun e majtë.

            – Përpara!- tha ai me ton urdhërues dhe më shtyu me të dy duart aq fort sa gati u rrëzova. Ndjeva një kërcitje të kyçeve të duarve. Më vranë unazat e hekurta. M’i kishte shtrënguar më tepër se zakonisht.

            – Qen!

            Isha i detyruar të dëgjoja dhe të prisja gjithçka prej tij. E njihja mirë edhe grushtin dhe këpucët e tij. Këpucë ushtarake me lëkurë derri dhe me proka metalike.

            Durova edhe atë çast. E dija se s’duhej të nxirrja zë. Nuk më dëgjonte dhe nuk mund të më ndihmonte askush. Çdo goditje me grusht në ije e konsideroja më të lehtë se ajo që do të më vinte më pas. Një mënyrë për të përballuar dhimbjet. Ai tha  “përpara” dhe unë po çapitesha nëpër koridorin e ngushtë që kutërbonte sikur të kishin shpërthyer kanalet e ujrave të zeza. Erë kalbesire, myku, shurre, fekalesh dhe një llum i zi që zvarrisej rrëzë mureve si serë e shkrirë me reflekse të vakëta.

            Shkallët ishin të ngushta e me kthesa, të kafshuara e të brejtura nga koha. Edhe nga prokat e këpucëve te tij. Ato të ngjisnin lart, të zbrisnin edhe poshtë. Kur ngjitesha më lindte një shpresë e ankthshme, sikur shkoja me dyshim drejt parajsës. Kur zbrisja më kapllonte nje dëshpërim i thellë, i bindur se shkoja drejt skëterrës prej nga nuk do të dilja kurrë.

            Sa shkallë ngjitëm? Nuk i numurova. Më priteshin gjunjët. Më zihej fryma. Gulçoja. Ishte një ngjitje e mundimëshme. Doja të mbështetesha diku, në faqet e mureve, por ai më shtynte dhe më godiste vazhdimisht në ije.

            Ndaluam në një shesh-pushimi. U hap një derë. Nga drita që u përplas në fytyrën time mu duk se u verbova. Ishte nje dritë e bardhë, e beftë. Ngrita duart e lidhura në lartesinë e syve, për tu mbrojtur. Çuditërisht mu duk vehtja pa peshë. Sikur po fluturoja, në një hapësire pa kufi, në mes të qiellit dhe tokës, ne nje hapësire të gaztë, pa sende perreth. Pastaj çdo gjë u bë si më parë. Gjysëm-erësire.

            Ndodhesha në një dhomë të zakonshme. Vetëm me një tavolinë dhoge në njërin krah dhe përpara saj një karrige e mbërthyer në  dyshemenë e shtruar me çimento. Mbështetur në shpinën e karriges në anën tjetër të tavolinës qëndronte një mesoburrë i imët. Nuk e kisha parë kurrë më parë. Nuk bënte pjesë në grupin e hetuesve. Mbase kishte ardhur nga lart. Mbase donte të me njoftonte ndonje vendim të veçantë.

            E shikova me dyshim.

            Kishte veshur një xhaketë gri dhe jaken e këmishës e kishte të zbërthyer. Dukej i qete. Me flokët e ndara në njërën anë dhe të krehura me kujdes. Mu duk se buzëqeshi me hyrjen time. Sikur donte të më joshte. Mbase donte të tregohej i afërt me mua. Kishte një pamje dashamirëse. Ndryshe nga gjithë të tjerët që më shihnin me egërsi. Të tjerët ishin të gatshëm të më hanin me dhëmbë që në çastin e pare kur më sillnin nga birruca. Hynin drejt e në temë. Folë, ose e di vetë se c’të pret, thoshnin ata. Dhe unë e dija se c’më priste: Shqelmat e tyre, këpucët me proka…

            Ndërsa ky tjetri… Buzëqeshte me sy të perënduar. Ç’bluante në mendjen e tij? Më bëri shenjë të ulesha në karrigen e mbërthyer në dysheme dhe unë u ula me drojtje. Më dhimbte gjithë trupi. Mezi qëndroja. I vendosa duart e lidhura sipër gjunjëve, më tepër për tu mbeshtetur. Ai vazhdonte të më shihte me atë vështrimin e tij të perënduar dhe me atë buzëqeshjen e ngrirë.

            -Si je? – tha

             Mënjanova kokën si të doja të thoshja:  ”Siç më sheh…”

            Ai u ngrit nga vendi, mori një pasqyrë drejtkëndëshe pa kornizë që ndodhej mbi tavolinë, erdhi pranë meje dhe ma mbajti përpara fytyrës.

            Njeriu që u shfaq përballë meje më tmerroi. Nuk isha unë. Ai ishte pa flokë. Njërin sy e kishte të nxjerrë. Faqet e tij të rrudhura i kishin hyrë brenda nofullave. Hundën e kishte të shtrembëruar. Dhëmbët i kishin rënë. Në vend të gojës kishte vetëm një zgavër të zezë si humnerë që të përpinte.

            E largova vështrimin prej shëmbëlltyrës sime të transformuar dhe i hodha sytë mbi duart e mia sipër gjunjëve, por u drodha dyfish. Në vend të tyre kishin mbeur vetëm kocka, skelete duarsh pa mish, pa thonjë…

            – Nuk të vjen keq për vehten? Shiko si je bërë…!

            Ç’mund të thoshja?

            Ai më bëri shenjë të ngrihem. Më tha ti afrohem dritares.

            Poshtë nesh ishte rruga. Matanë rrugës ca shtëpi përdhese të mbuluara nga pemët. Më tej një pallat katerkatësh me tulla të kuqe dhe më tej akoma një horizont i purpurtë.   Horizonte të tilla ku përziheshin ngjyrat e kuqe me ato blu më çonin në fëmininë time të largët, buzë detit. Mu ndez malli për të shkuarën dhe u përlota.

            Pastaj klitha pa zë.

            Buzë trotuarit poshtë nesh qëndronin një grua dhe një vajzë rreth të tetëmbëdhjetave. Nuk ishin aty më pare. Mbinë papritur. Gruan e njoha. Ishte ime shoqe. Por më e plakur, e rënë. Për shkakun tim, mendova.Tjetra duhej të ish ime bijë. E sillja ndërmend të mitur.Tashmë ishte rritur e zbukuruar. Mu duk vajza më e bukur në botë. Veshur me një fustan të bardhë me shirita bojë qielli. C’donin aty? Përse kishin ardhur?  Ato s’mund të më takonin. Kisha shumë kohë pa i parë. Mbylla sytë, gati të grushtoja  xhamin dhe të hidhesha fluturim drejt tyre. Por kur i hapa sërish nuk i pashë më. Ishin larguar, apo, ndoshta, ishte vetëm një vegim…

            – Ato të presin, – tha ai prapa meje.

            E dija që më prisnin.

            – Një hap të ndan, -vazhdoi ai. – cdo gjë është në dorën tënde. Zgjidh e mer! Jeta andej. Vdekja këndej.

            Po të varej çdo gjë prej meje s’kisha pse të ndodhesha aty.

            – C’kërkoni nga unë, – mërmërita, por nuk e njoha zërin tim. Kisha shumë kohë pa folur.

`           – Asgjë të madhe…- tha ai me mospërfillje, si të donte ta zvogëlonte gjithçka.- Të  behesh i yni. Te punosh si ne. Për ne. Asgje me teper…

            – Të bashkëpunoj me ju…?

            – Të na shërbesh. Të na informosh, për çdo gjë që sheh, për çdo fjalë që dëgjon, për të zbuluar ata që s’na duan, armiqtë. Kaqe

            – E si?

            – Thjesht… Do të kesh një emër të remë dhe do të kesh të bësh me njerëz të caktuar prej nesh…

            Pra, nuk ishte tamam ashtu sic thoshte ai. Nuk ishte një zgjedhje midis Jetës dhe Vdekjes. T’ja falja shpirtin shejtanit… Nje zgjedhje, pra, midis dy Vdekjeve: Të Trupit, nga njëra anë; të Shpirtit, në anën tjeter. Shpirti këndej. Trupi andej…

            – Është në dorën tënde. Zgjidh! Në se pranon të bashkëpunosh firmos këtu dhe je i lire. Njerzit të presin. Ke mall për ta? Shko! Në rast të kundërtë zbrit përsëri atje poshtë, për të mos parë dritë dhe diell me sy, gjersa të kalbesh dhe askush nuk do të mare vesh se ku të prehen kokallet.

            U ngrita në këmbë, i gatshëm për t’ju dorëzuar atij tjetrit që i kishte këpucët me proka e që, me sa kuptova, ishte tërhequr për të na lënë vetëm e, me siguri, më priste përjashta.

            – Ku shkon?

            – Atje poshtë, – thashë i vendosur. E kisha bërë zgjedhjen.- Në birrucën time. Atje ku më keni futur,- shtova.- Në se nuk ju mjaftojnë thonjtë, më prisni edhe gishtat. Në se s’mjaftojnë gishtat më prisni edhe duart, edhe këmbët. Dhe po s’u mjaftuan këto, më prisni edhe kokën. Vdekja s’më tremb më. Jeta s’është gjë tjetër veç një cope rrugë drejt saj. E ç’rëndësi ka në se shkoj n’atë botë i gjymtuar?

            – S’kemi mbaruar,- tha ai.- Ulu!

            Urdhëri i tij ishte i prerë.

            Një perde e errët sa gjithë gjerësia e murit në shpinë të tij u hap me një tringëllimë gërvishtëse unazash të ndryshkura. Një mur i xhamtë dhe përtej tij një dhomë pak më e madhe se ajo ku ndodheshim ne.

            Zot! Ime shoqe dhe ime bijë ishin atje, mbledhur sa një grusht në njerën nga qoshet, strukur në gjirin e njëra tjetrës, të përqafuara, duke mbrojtur njëra-tjetrën. Rreth tyre ushtarë dhe police të shpartalluar, pa kapele në kokë, me gjimnastorka të zbërthyera, me rypa të lëshuar, me këpucë të zgjidhura, të gatshëm tu hidheshin sipër si ujq të urritur.

            – C’keni me ato?!- bërtita. – A s’ju mjaftoj unë? Lerini të shkojnë!

            – Jooo, – tha ai dhe e qeshura e ngrirë shkriu në jargë. – Ata presin një shenjë të vetme nga unë. Në se ti s’pranon  ata do të leshohen mbi to si të babëzitur që janë, do t’u shqyejnë fustanet e tyre të bukura, do ti kafshojnë me ata dhëmbët e tyre të palarë, do tu shfryjnë në gojë frymën e tyre të qelbur, do tu çjerrin gjokset e tyre të bardhe me thonjtë e tyre të paprerë, do të kalojnë mbi to të gjithë me radhë deri sa atyre tu shterrojnë fuqitë e tu soset edhe fryma e fundit, pastaj, do ti flakin përjashta në rrugë që kalimtarëve tu vijë ndot prej tyre, dhe ashtu, rrugëve, do të enden gjithë jetën, si kone të zgjebosura, duke kërkuar me duar nëpër koshat e mbeturinave për ndonjë kockë të pabrejtur mire…

            – Mjaft më, ju lutem! Deri këtu jo, – thashë duke u përpëlitur si pulë e posatherur.- Lerini ato! Bëni c’të doni me mua. Jo ato… Jo për shkakun tim… Mos…! Jam gati të bëj c’të thoni ju…Mos… Më jepni të firmos… Ku të doni… Si të doni…Mos…mos…mos…

            – Tan…! Tan…! Tan…! – Shpërtheu në atë çast nga të gjitha anët, një si paralajmërim kërcenues apo si gjëmim i thellë që muret ja përcillnin me jehonë njëri tjetrit: – Tan…! Tan…! Tan…!

            Ishte emri im që përsëritej papushim, emri im, jo i plotë, vetëm gjysma e tij, tri gërma, i shndërruar nga “dritë” në tingull, Tan… Tan… si të rënat e përmortëshme të një këmbane, si goditjet e çmendura të një çange alarmi varur në degët e rrapit në mes të fshatit nga vij…

            Brofa përpjetë dhe hapa sytë. Ku gjendesha? Kisha humbur sensin e kohës dhe të vendit. Në qelqet e shandanit të varur në tavan reflektohej nje dritë e ftohtë argjendore. Rafti i librave ne cep të murit gumzhinte nga të shkruarat e stërshkruarat ndër shekuj. Llamba e natës përmbi komodinë në një mbajtëse metalike të harkuar kishte përkulur qafën në një pikëllim tragjik, ndërsa veshët vazhdonin akoma të më buçisnin dhe ndjeja një peshë të rendë në kraharor.

            Ishte zëri gruas, kësaj here real, i ngrohtë, fare pranë fytyrës sime. Ishte dora e saj…

            – Tan…! Tan…!

            S’kisha fuqi të pergjigjesha. Ndihesha i dërmuar.

            – C’ke kështu, Tan? Nuk je mire… Po dridhesh. Krevati të hodhi përpjetë sa më zgjove edhe mua. Përpëliteshe dhe flisje përçart… Ke gjë?

            – Ata më thyen…- mërmërita me zërin e ngjirur e të zvargur. – Më thyen…

            – Kush?

            – Ata…

            – Cilët?

            – Ata “Lart”…

            – C’po thua!? Eja në vete!

            – Kur e keqja zë kreun e vendit ka një fuqi të pashembulltë shkatërruese… Mjerë ata njerëz… Kujtoja se isha trim. Nuk e di si mund të jetë njeriu i pathyeshëm. Veç në mos paste gjak nëpër deje e në mos paste ndjerë kurrë dashuri njerëzore. E dija veten të forte… Jo më. “Ata” ishin më të forte. Më thyen dhe… Kjo më dëshpëron… Tani s’vlej për asgjë…

            – Tan…

            – Mos folë më, të lutem! Më lerë të qetësohem, të mbledh veten, të mar frymë lirisht dhe të haroj ç’pashë e ç’dëgjova…

 

                                                ——————-

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Prove e veshtire, Spiro Gjikondi

NJË FLAMUR PËR DËSHMORIN E LIRISË , VEZIR ADEMAJ…!

December 5, 2012 by dgreca

Vezir Ademaj,  ish kampioni i Kikboksit për Zvicrën dhe Europën, në ring hidhte supeve Flamurin Kombëtar, kur ra dëshmor në tokën e Kosovës martire, i vëllai, Shaqiri, edhe ai luftëtar i Lirisë, e mbuloi me Flamurin Kombëtar…./

NGA SPIRO GJIKONDI/

– A sheh ëndrra? – më pyeti një ditë një shok.

– Edhe shoh…- thashë me të qeshur sepse mu duk një pyetje fëminore.

– Unë shoh shumë… – vijoi ai. – Por, çuditërisht, asnjëherë nuk shoh ëndrra që të kenë lidhje me kohën e qëndrimit tim në Amerikë. Të gjitha ëndrrat më çojnë në Shqipëri, Në kohë të ndryshme, po gjithsesi atje. Çudi me ne! Kam tetëmbëdhjetë vjet që jam larguar dhe prapë mendja aty më ri. Takohemi me shokë në kafene dhe gjithë bisedat tona janë për Shqipërinë. Komentojmë lajmet, i gëzohemi si fëmijë diçkaje të mirë që ndodh atje, hidhërohemi për çdo gjë të keqe, revoltohemi me qëndrime të pamatura të Qeverisë, kujtojmë çaste të gëzimeve tona të dikurshme, na entuziazmon ndonjë vjershë apo tregim i shkruar bukur… Ndërsa natën: ëndrrat. Edhe ato atje… Ç’është kështu  me ne?!

Pa dashur shoku im, me ëndrrat e tij të përnatëshme më ngacmoi mendimet. Nuk ishte thjesht një rastësi, evidentoi një dukuri të përgjithëshme; një fenomen që nuk është vetëm i tanishëm. “Eshte Shqipëri ku janë shqiptarët” thotë një këngë popullore. Nuk është e rastit që Çajupi në Misirin e largët i këndonte fshatit të tij “me ca shtëpi të vogla fare”; Naimi në Stamboll do të thoshte “Ti Shqipëri më ep emrin shqiptar”; Serembja nga ana tjetër e Adriatikut rënkonte dhimbshëm: “Arbëri që përtej detit na kujton…”; Jepni për Nënën” do të lëshonte thirrjen Noli nga Amerika; Dyqint djem të rinj Vatranë do të linin Amerikën në vitin 1920 për të shkuar e luftuar në mbrojtje të vendit e të kufijve të tij; studentë në universitetet e Italisë e të Evropës lanë studimet dhe u kthyen për të dalë malit e për çlirimin e Shqipërisë nga fashistët; Batalioni”Atlantiku” u nis nga Amerika për të luftuar në Kosovë në luftën e fundit kundër Serbisë…

Vërtet, ç’është kështu me ne!?

Kisha dëgjuar, disa vite të shkuar, emrin e Vezir Ademajt. Ishte folur dhe ishte shkruar në shtypin e diasporës dhë në atë të internetit për këtë të ri kosovar që aherë jetonte në Zvicër e që merte pjesë në sportin e kik-boksit. Ajo që aherë bëri lajm ishte shpallja e tij kampion në Zvicër e pak më vonë edhe kampion i Evropës. Pa ë njohur dhe pa ditur hollësira të tjera rreth tij ndjeva një admirim të natyrshëm, ashtu si për të gjithë të rinjtë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë që përparojnë në fusha të ndryshme e që bëjnë emër në sajë të aftësive dhe të punës së tyre këmbëngulëse. Vetëm kaq…

Disa kohë më vonë, në ngjarjet e mëdha tronditëse të Kosovës që pushtuan emisionet e lajmeve të stacioneve të radios e të televizionit në mbarë botën, midis të tjerash e  të tjerësh, u përmend e u fol edhe për Vezir Ademaj, që ishte vrarë në luftë. Por përsëri pa shumë hollësira. Ashtu, në përgjithësi, vrasja e tij ishte e dhimbëshme, shumë më e dhimbëshme për ata që e njihnin nga afër dhe akoma më e dhimbëshme për të afërmit e familjarët e tij. Nga e gjithë ajo tragjedi dhimbja shkonte përtej caqeve të të afërmit e të njohjës kur shikojë masakrat e përgjakëshme të kasapit të Sebisë mbi popullin kosovar. Është pak të thuash rrënqethëse. Ishin pamje të lemerishme. Me kalimin e kohës, edhe pse plagët e hapura zenë kore, apo kur duken se shërohen, lënë pas shenja që mbeten të përjetëshme e të paharrueshme, si për të na kujtuar se ç’ndodhi në atë fund shekulli…

Në këto ditë nëndori, në biseda të gjëra për festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pvarësisë, tek flitet për ngjarje të spikatura e figura të shquara që kanë vënë një gur në përparimin e vendit, qëlloi të flitej sërish për Vezir Ademaj, kësaj here nga vëllai i tij, doktor Hasani, i mirëprituri në çdo tryezë ku bashkohen shqiptarët e ku flitet shqip. E solli rasti të ndjej dhimbjen e tij për vëllanë e vrarë e njëkohësisht të mësoj shumë për jetën e tij të shkurtër, njëzetështatë vjeçare…

 

 KULLA, ZJARRMI U NDEZ SËRISH NË VOTËR…

 

… Është aty, në Sheremetaj të komunës së Gjakovës,  një kullë e lartë trekatëshe, e madhe dhe e vjetër, e ndërtuar që në shekullin e tetëmbëdhjetë; më mure të trashë prej guri, me dritare që duken të vogla për përmasat e saj, e me frëngji akoma më të vogla, që e kanë mbrojtur në përballjen me rrebeshet e kohës. Dy herë është bombarduar dhe dy herë çatia ë saj është shembur, por të dy herët oxhaku ka mbetur në vend. ( “Derisa ka qëndruar oxhaku, – paska thënë poeti Din Mehmeti,- edhe zjarmi në votër do të ndizet e kulla do të qëndrojë”) Dhe ka qëndruar. Janë hirnosur muret e strehët janë nxirë dhe këto e bëjnë atë kullë të duket e rëndë, e heshtur, e zymtë e disi meditative… Por ka diçka që të befason, që i kundërvihet zymtësisë, diçka që e çel, e bën të afërt dhe e sjell në kohë: përsipër dhe në të dy anët e hyrjes ka një kuadrat të bardhë, për të cilin e zonja e shtëpisë kujdeset vazhdimisht duke e shërbetosur me gëlqere; një kuadrat i bardhë që duket në atë kullë si një buzëqeshje; ( Këtë do të ketë patur parasysh Derada kur thoshte: “Shtëpitë që buzëqeshin…”) një buzëqeshje e përherëshme e mikpritëse për të gjithë ata që vijnë, të afërt e të largët; buzëqeshje përcjellëse, për të gjithë ata që dalin prej dere, të afërt e të largët…

Është kulla e familjes Ademaj. Këtu jetuan të parët e familjes. Këtu jetoi stërgjyshi Adem. Këtu jëtoi gjyshi Hasan. Këtu jetoi e jeton Hyseni me të shoqen Mejreme, e me fëmijët… Këtu lindi Vezir Ademaj një ditë marsi të vitit 1971. Këtu u përkund së pari nën trokun e djepit dhe me ninullat melodioze të nënës Merjeme; këtu edhe u rrit. Rreth kësaj kullë, në lëndinën me bar të jeshiltë, luajti me motrat dhe vëllezërit; nga pragu i saj doli, në ditët me diell e me shi, për të shkuar në shkollën fillore të vendlindjes; Me këtë kullë lidhen tregimet e moçme, legjendat, epika historike, bëmat e trimave, këngët për të rennet. Në odën e madhe të burravë që ndodhet në katin e tretë do të dëgjoje bisedat e më të maturve, kuvendet e atyre që u peshonte më tepër gjykimi, vendimet e marra për fatet e Kosovës; një arsenal i gjerë traditash patriotike që, pikë e nga një pikë do të formojnë karakterin e tij e do ta burrërojnë. Shkëputjet për të ndjekur shkollën e mesme të Deçanit, shkuarja në Prishtinë për tu regjistruar në Fakultetin e Shkencave Natyrore, ( në degën e fizikës.) apo largimi për të shkuar të kryejë shërbimin ushtarak në Tivar,  aty nga shtatori i vitit 1989; kanë qenë të përkohëshme. Qëndrra e përherëshme e rëndesës në jetën e tij ishte kjo kullë, me atë  buzëqeshjen e saj karakteristike, përcjellëse e pritëse njëherësh…

Sidoqoftë, këto shkëputje, edhe pse të përkohëshme, paten një ndikim të veçantë në procesin e formimit të tij. Në gjimnazin e Deçanit, si nxënës, do të ndiqte zhvillimet politike në Kosovë; pas demostratave të vitit 1981  prej shovinistëve të Beogradit nxitej urrejtja ndaj shqiptarëve kudo në Jugosllavi; drama e minatorëve tëTrepçës, të ngujuar për t’ju kundërvënë politikës  raciste të Beogradit, ishte tronditëse; pjesëmarrja , madje në radhëte para, në tubime e demostrata ku kundërshtohej heqja e autonomise së Kosovës dhe kushtetuta e vitit 1974, e të tjëra si këto,nuk mund të kalonin pa gjurmë në vetëdijen politike e patriotike të të riut kosovar. Më i theksuar eshtë ky ndikim ne kohen e kryerjes se sherbimit te detyrueshem ushtarak ne Tivar. (“ Ti – Varr-i – Madh!”- do të përifrazonte poeti duke sjellë ndërmend masakrën e njohur si “Masakra e Tivarit” e vitit 1945!) Aty ndjeu urrejtjen e vërtetë të oficerëve serbë. Janë jo të pakta rastet kur djemtë shqiptarë prej kazermave kthehen nëpër shtëpitë e tyre me arkivole. Dhe , sikur të mos mjaftonte kjo periudhë e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, aherë kur priste të kthehej në shtëpi, për shkaqe të përkeqësimit të gjendjes politike, i shtohet shërbimi edhe për tre muaj të tjerë. Duke mos e duruar keqtrajtimin në kazerma vendos të arratiset; kthehet në Sheremetaj, duke qëndruar disa kohë në miq e shokë; në vijim të përpjekjeve për shkollimin e tij regjistrohet në Shkollën e Lartë “Bajram Curri” në Gjakovë, por rreziku i arrestimit prej policisë sërbe, e lënë pa altërnativë tjetër: Si zgjidhjë individuale, ashtu si për shumë të rinj të tjerë kosovarë, ishte vetëm ikja nga Kosova. Ikja nga Kosova! Sa e dhimbëshme është kjo fjala IKJE. Ikje për sa kohë? Për ku? Për se? Ikja ka gjithmonë të panjohurat ë saj. Por sado e dhimbëshmë dhe sado me të panjohura, ikja ishtë një zgjidhje, madje e vetëme. E në këto kushte Vezir Ademaj kërkon azil dhe vendoset në Zvicër…

 

NJË VEND TJETËR, NJË TJËTËR JETË…

 

Koha e qëndrimit në Zvicër përbën një fazë të re për të riun Vezir Ademaj. Një jetë shumë më e ndryshme se ajo në Sheremetaj e në Kosovë. Fshati ku u lind, kulla ku u rrit, Kosova ku u formua duken tashmë se mbetën pas, në të kaluarën. Zvicëra hap të tjera horizonte; duket si më me shumë dritë, më me shumë diell, është më atraktive për një të ri, por, për të mbijetuar kërkohen të tjera gjëra. Vëtëm ai që e ka provuar të jetojë në një “Atdhe të dytë” e di se sa e vështirë është të gjesh vetveten në këtë realitet  të ri. Por falë formimit të tij, falë aftësive të tij, në pak kohë, Vezir Ademaj arrin ta gjejë vetveten. Hyn në Ligën e kik-boksit, stërvitet në këtë lloj sporti, përballet në ring me kundërshtarët me shpirt luftarak, arrin të korrë fitore e të marrë titullin kampion për Zvicrën. Por kjo nuk mjafton. Synimi i tij është për më larg e për më lart. Në pak kohë arrin të fitojë titullin kampion i Evropës. Ambicje për tu përshëndetur kjo. Bëhet i njohur. Tifozëte tij që e brohorasin, e thërrasin “Alfred” ! Vezir Ademaj ka ndërtuar në këtë mënyrë themelet e ndërtesës së madhe të së ardhmes. Çdo i ri do ta kishte “zili” një arritje të tillë. Ëndrra e çdo të riu është pak a shumë kjo: të ketë një profesion dhe një punë për të siguruar bazën ekonomike; të ndërtojë një familje që të jetë në gjendje ta mbajë; një grua që ta dojë e të ndajë me të hallet e përditëshme; të ketë fëmijë që ti edukojë; përgjithësisht një jetë të qetë e normale; dhe, në realizimin e kësaj ëndrre, Vezir Ademaj i kishte hedhur themelet…

Ka mbetur një fotografi, ( një nga ato që i shpëtuan bastisjes së policisë serbe në kullën e Ademajve, aty në Sheremetaj,) që e tregon atë në apartamentin e tij në Gjenevë. Është një apartament I thjeshtë, ndoshta jo shumë i madh,por komod. Duhet të jetë bërë kjo fotografi në prag të Krisht-lindjeve ose të Vitit të Ri, sëpse ka një pemë tradicionale të këtyre festive në njërin cep; një televizor përballë, një derë që të çon diku në ndonjë dhomë tjetër, një tavolinë mesi e rrumbullaktë; ndërsa në tre kolltuqe, veç Vezirit janë dy shokë të tij, natyrisht shqiptarë. Të bën përshtypje ky vend i paqtë, një bisedë e shtruar, disi pa halle, pa ankth, e pa andralla torturuese; një qetësi që e dëshiron të jetë e përjetëshme; një qetësi që të nxit dëshirën për të jetuar…

– A shihte ëndrra Vezir Ademaj aty në Gjenevën e Zvicrës?- do të pyeste me kërshëri shoku im që ankohet se sheh shumë të tilla dhe thotë vazhdimisht “Ç’është me në kështu?!”

Natyrisht, s’mund ti jap përgjigje të saktë shokut tim por një gjë mund t’ja them me siguri.: Në Zvicër kishte shumë bashkatdhetarë që punonin dhe jetonin aty. Gjatë viteve 90-të problemet e Kosovës ishin në qendrën e vëmendjes së diasporës shqiptare. Organizoheshin edhe veprimtari të ndryshme për të ndihmuar materialisht punëtorët kosovarë që ishin larguar prej pune. Vezir Ademaj që e kishte të freskët gjendjen politike të Kosovës ishte i përfshirë në këto veprimtari duke dhënë kontrribute të veçanta. Doemos, ai s’mund të shkëputej nga trualli i vet dhe s’mund të dilte nga vetëvetja. Ka një fakt shumë domethënës, që afirmon vlërat e tij njerëzore dhe ndjenjat e tij atdhetare kur kerkoi që në kampionatin Evropian të përfaqësohej me flamurin shqiptar, duke thënë:” Unë jam shqiptar dhe dua që me flamurin tim kuq e zi të përfaqësohëm dhe atë ta kem në supet e mia…

 

 

  JETË E QETË NË GJENEVË, POR KOSOVA RËNKONTE…

 

Viti 1998 përbën një pikë kulmore në historinë e popullit shqiptar dhe atij kosovar në veçanti; një udhëkryq në zgjidhjen e çështjes me themelore të ekzistencës apo shfarosjes; një alternative tragjike  midis jetës dhe vdekjes. Kishin mbaruar, nga njëra anë, masat kufizuese e shtypëse të lirisë të ndërmara prej qeverisë së Beogradit, çdukja e çdo gjurme të autonomise së vitit 1974, dhuna e spastrimit prej shqiptarëve të institucioneve shtetërore, largimi pa shkak i drejtuesve, masat kufizuese të shtypit e të televizionit, pengimi i gjuhës, arrestimet, burgimet, dhe s’mbetej tjetër veç dëbimit në masë të kosovarëve nga vatrat e tyre shekullore. Kishin mbaruar, nga ana tjetër, tubimet paqësore në kërkim të lirive të pjesëshme, demonstratat e protestës, grevat,, kërkesat për autonomi, për shpalljen republikë, pse jo, edhe për një shkëputje përfundimtare nga suaza e Serbisë. Kishte mbetur  në mes vetëm Lufta. Një fjalë goje: Lufta… Si një pikë referimi drejt të ardhmës, si një pikë referimi prej së ardhmes… Lufta… ajo që bëhet përcaktuese e fateve të njerëzimit dhe të individit, ajo që evidenton edhe më mirë karakteret njerëzore, që nxjerr në pah politikanët e strategët, mençurinë e diplomatëve, trimërinë e luftëtarëve, ajo që diferencon atdhetarët nga tradhëtarët, ajo që ndryshon rrjedhën ë më tejme të jetës…

Duhet të kenë qenë ditë të vështira në jetën e Vezir  Ademajt ato ditë pranvere të vitit 1998. Sa të bukura ishin rrugët e qeta të Gjenevës në ato ditë pranvere të vitit 1998! Por Lufta kishte shpërthyer brenda gjoksit dhe shpirtit të tij. Në atë mori ngjarjesh të tmershme që pasonin njëra tjetrën në ekranet e tv-ve, pamje surealiste të refugjatëve biblike, vargje të ikurish nëpër rrugët e mundimeshme drejt Maqedonisë e Shqipërisë, pleq të kërrusur nën boçet e plaçkave mbi kurriz, nëna me fëmijë në krah, familje të ngarkuara nëpër qerre, torba me ushqime, lot, lodhje, rënkime, tërheqje zvarrë, intërvista gazetarësh, biseda ndër miqtë, takimë mes shokësh, shpresa të thyera, gjëmime avionësh, breshëri automatiku, (ç’bëhet kështu!) takime diplomatësh, OKB,  NATO, ç’thotë vëllai Hasan nga Amërika, ç’mendon Klintoni, thirrje për luftë, UÇK, kush udhëheq, ku… Ditë të trazuara, nëtë pa gjumë, ëndrra të llahtarëshme, pyetje pa përgjigje, kulla në Sheremetaj me atë buzëqeshjen karakteristike në hyrje të saj, apartamenti në Gjenevë… Dhimbjet e Kosovës pikojnë në shpirtin ë tij…

Doktor Hasani thotë se Veziri mbante shumë portrete patriotësh në faqet e mureve të shtëpisë së vet. Heu, Ismail Bej, o burrë i madh i kombit! Ç’thotë baca i Boletinëve? Ç’mesazh më dërgon, o Hasan Prishtina? “… në vend të një kolltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”…

Kjo thënie brilante! Dhe pastaj vendimi:

“Kam ardhur të luftoj kundër ushtrisë serbe, për lirinë e Kosovës, që dita të mos i ngjajë natës së errët. Nga ky drejtim s’mund të më spraps kush.”janë fjalët e tij thënë nënës Merjeme atë ditë kur u kthye në Sheremetaj, pas mungesës së gjatë disa vjeçare, aty, në pragun e hyrjes së kullës. Veshur tashmë me uniformën e luftëtarit të UÇK-së, me armët në sup, edhe me një palë dylbi të sofistikuara për të parë ëdhe natën, edhe me 15 mijë franga në xhëp, i gatshëm dhë i vendosur, të gjitha në shërbim të luftës, të gjitha për Luftën, të gjitha për Kosovën…

Tubon të rinjtë e Rekës së Keqe dhe i përgatit edhe ata për luftë. Në shtabin e luftës, në Gllogjan, dorëzon kursimet e veta. Inkuadrohet në Smolicë, në Rahovec, Gllogjan, Junik e në betejat e tjera, dhe pastaj komandant “Komando”në rajonin e Rekës së Keqe, me emrin përkëdhelës “Alfred”.

 

    LUFTE E ASHPER

 

Kujdes për veten, e porosit vëllai Hasan në një thirrje telefonike nga Amerika. Dhe ai i përgjigjet: “Sikur të doja të ruhesha, do të rrija në Zvicer ku i kam pasur të gjitha të mirat për jetë”

Kujdes, se Lufta është e ashpër!

Shumë e ashpër kjo lufta në Rrafshin e Drenicës e të Dukagjinit. E ashpër kjo lufta në Kallavaj të Junikut, së forcat e shumta serbe duan të kalojnë në Dobrosh, në Sheremetaj e në Pacaj, e ata duhen penguar. Le të jenë ta paisur me tanke e snajpera. Do të plagosen shokët. Hej, mos i lini në dorë të armikut. Breshëri armësh! Tanket! Snajperat! Heu! Vdekje e marrë! Mos qëllo mbi trimin! Trimi i duhet shumë të sotmes. I duhet edhe më shumë të nesërmes! Trimi i duhet Kosovës së Pavarur.

Lajmii vrasjes së Vëzir Ademajt u përhap shpejt. Trupi i tij u dërgua në Sheremetaj. Kulla trekatëshë rrënkonte nga dhimbjet. Dhimbjet përpëliteshin në ajër.Lajmi i zi mbëriti te vëllai i tij Shaqiri që luftonte në zonën e Sukës.Dhe ai rend drejt vëllait të vet të rënë, jo për ti hedhur një grusht dhe, por për ta mbuluar më flamur. E kishte kërkuar këtë mbështjelljë me flamur në ringjet e Evropës, me këtë flamur do mbështillej në atë ceremoni të përcjelljes në rrugën pa kthim drejt përjetësisë.

Dhimbja për të në zemrën e Kosovës pikon; pikon dhembja për te në mbi 900 vargje poetësh; anipse pa të njohur, pikon tashmë edhe në zemrën time prej jugori. Le të jenë këto fjalë si karafili kuq për ty, Luftëtari Kampion i Ringut dhe i Lirisë së Kosovës.

Në këtë festë të 100 vjetorit, nderimi i parë u  bëhet dëshmorëve të lirisë. Do të ketë shumë flamuj si simbole të festës këtë 28 nëntor. Mos harroni që të çoni një Flamur tek dëshmori. Flamuri mund të valvitet tek shkolla në Sheremetaj, që mban emrin e tij dhe të dëshmorit tjetër të atyre anëve, ose edhe atje tek prehen eshtrat e lodhura nga lufta, në Sheremetaj.(Botoi DIELLI, numri special I 28 Nentorit 2012)

 

Nju Jork, Nëntor 2012

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Deshmori Vezir Ademaj, Spiro Gjikondi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT