-Në Prishtinë – homazhe, ngushëllime e mbledhje komemorative: Sulejman Gashi tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve. Sulejman Gashi i takonte brezit të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën të cilët e morën mbi supe barrën e rrugëtimit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës…Ishte dhe do të mbetet zëri i shpresës, zëri i Kosovës dhe i Shqiptarëve nga Amerika, korrespondenti nga Nju Jorku e Uashingtoni/
-Mirënjohje dhe falenderime të gjithëmonëshme edhe për raportimet e Sulejman Gashit korrespondent nga Amerika i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që dilte në Prishtinë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në atë kohë në Kosovë, të mbyllur dhunëshëm nga regjimi okupator serb/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 18 Shtator 2020/ Kosova me shumë nderime e përcolli sot në amshim gazetarin Sulejman Gashi, të vlerësuar për gjithë kontributin e tij e edhe si një diplomat në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.
Homazhe e mbledhje komemorative janë mbajtur në Sallën “1 Tetori” në Kompleksin Universitar të Kosovës në Prishtinë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve institucionalë e politikë, gazetarëve e qytetarëve të shumtë, të cilët edhe kanë ngushëlluar familjarët që i kanë pritur e më pas Sulejman Gashit i është dhënë edhe lamtumira e fundit.
Në mbledhjen komemorative është lexuar telegram i ngushëllimit i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se Sulejman Gashi tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen komemorative tha se gazetari Sulejman Gashi tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe atë e tregoi para gjithë botës.
“Ai ishte vetëm njëri që dha shumë për këtë vend. Ai iku, po la një të vërtetë – atë të njeriut që sakrifikon gjithçka. Sulejmani ishte një njeri i mirë dhe profesionist. Në këtë kohë përplasjesh ai tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe e tregoi para gjithë botës”, u shpreh ajo.
Kryeparlamentarja e Kosovës tha se Sulejman Gashi e deshi shumë këtë vend. “Kisha fatin e mirë ta takoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe si studente. Sot të gjithë po i themi lamtumirë njeriut që na mbajti të informuar për disa dekada”, tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se Sulejman Gashi i takonte brezit të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën të cilët e morën mbi supe barrën e rrugëtimit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
“Ato ishin rrethana të jashtëzakonshme dhe Syla bashkë me kolegët e asaj kohe ditën më së miri të artikulojnë interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe t’i mbrojnë ato para qendrave demokratike anë e mbarë botës”, theksoi ai.
Më tek kryeministri tha se, Sulejman Gashi do të kujtohet përgjithmonë me pietet për profesionalizmin e tij, për urtësi, për fjalën e peshuar dhe kulturën e lartë të komunikimit publik që kishte.
“Ai do të mbetet përherë një frymëzim dhe një shembull për brezat e rinj, veçmas për ata që do të merren me profesionin e gazetarit.
Zëri i tij do të jehojë përherë në kujtesën tonë si një kujtim i fuqishëm për një njeri të rrallë, që punoi me vetëmohim e me dashuri të madhe për familjen, për institucionin, për atdheun dhe humanizmin në përgjithësi.
Si kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndiej për obligim të zotohem se do të punojmë me tërë përkushtimin tonë, në mënyrë që synimet e Sulejmanit dhe të brezit të tij për një Kosovë tërësisht të integruar në familjen e madhe të vendeve të përparuara të qytetërimit euroatlantik të bëhen sa më parë realitet”, theksoi kryeministri Hoti.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se Sulejman Gashi i shërbeu kombit gjatë gjithë jetës.
“Kudo kontribuoi shumë për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj. Sulejmani u vu në shërbim të kombit”, theksoi ish-kryeparlamentari Krasniqi – tani kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e ish-kryeministri Albin Kurti tha se Sulejman Gashin do ta kujtojë si ambasador të Kosovës, ndonëse nuk e kishte një pozitë të tillë, por që me punë e tij e dëshmoi këtë.
“Në këtë nëntor bëhen 23 vjet prej kur e takova për herë të pare Sulejman Gashin. Ai na përgatiste për takime me zyrtarë amerikanë, punoi ditë e natë për misionin tonë në ndihmë popullit tonë. Në mendjen time do të mbetet njeri fisnik dhe punëtor dhe ishte ambasador i Republikës sonë ndonëse i pa shpallur”, tha Kurti.
Fillimisht, në mbledhjen komemorative, në emër të familjes së Sulejman Gashit foli vëllai i tij, Selajdin Gashi, duke theksuar se po i japin lamtumirën e fundit njeriut i cili tërë jetën ia kushtoi kombit dhe ndërroi jetë në 11 Shtator 2020.
“Familjarët, miqtë dhe institucionet janë të pranishme që të japin përshëndetjen e fundit të denjë siç e meritonte Syla, i cili ia kushtoi tërë jetën familjes, atdheut dhe kombit që e deshi shumë”, tha Selajdini.
Para përmbylljes së mbledhjes komemorative për Sulejman Gashin ka folur djali i tij, Drilon Gashi, i cili përkujtoi edhe raportimet e babait të tij gazetar nga shtëpia e tyre e zyra e korrespondentit në Amerikë për median në Kosovë.
“Babai ishte dhe do të mbetet zëri i shpresës, zëri i Kosovës dhe i Shqiptarëve nga Amerika, korrespondenti nga Nju Jorku e Uashingtoni”, u shpreh Driloni.
Në mbledhjen komemorative për Sulejman Gashin folën me kujtimet e vlerësimet më të larta edhe Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu – shok i fëmijërisë, si dhe gazetarët që kanë punuar së bashku me të në kohë të ndryshme, Avni Spahiu, Skedner Durmishi, Asllan Bajrami e Ngadhnjim Kastrati, i cili është edhe drejtor i Radio Televizionit të Kosovës.
U përkujtua se Sulejman Gashi, mes tjerash, ishte korrespondent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i Radio Televizionit të Prishtinës e Radio Televizionit të Kosovës dhe i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që dilte në Prishtinë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në atë kohë në Kosovë, të mbyllur dhunëshëm nga regjimi okupator serb.
Edhe në këtë raportim si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, si kryeredaktor i parë – themelues i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që ka dalë nga 18 janari 1991 e deri në prag të vitit 1999 dhe si kryeredaktor i fundit i gazetës Rilindja, gazetar i së cilës isha që nga shtatori 1973, shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e gjithëmonëshme për raportimet e Sulejman Gashit korrespondent nga Amerika dhe në këtë ditë lamtumire u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij e farefisit, miqëve dhe kolegëve gazetarë.