7 Shkurt 2019 Presidenti Meta takon Sekretarin e Shtetit Pompeo dhe Kryetaren e Kongresit Amerikan Pelosi
Uashington D.C., SHBA
Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C., Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Mëngjesin e Lutjeve në prezencë të Presidentit të SHBA, Donald Trump, senatorëve, kongresmenëve, si edhe personaliteteve politike e fetare nga e gjithë bota.
Presidenti Meta u takua me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo me të cilin bisedoi për partneritetin strategjik mes dy vendeve, sfidave të përbashkëta globale dhe veçanërisht për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Presidenti Meta pati gjithashtu një takim miqësor me Kryetaren e Kongresit Amerikan, znj. Nancy Pelosi, të cilën e uroi për zgjedhjen e saj në këtë detyrë të rëndësishme duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që Kongresi Amerikan ka në mbështetjen e Shqipërisë dhe promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
7 Shkurt 2019 Presidenti Meta pritet nga Kongresmeni amerikan, z. Robert Aderholt
Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua me Kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.
“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike.
“Është e domosdoshme, – theksoi Presidenti Meta, – nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Presidentin Meta për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.
7 Shkurt 2019 Presidenti Meta takohet me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel
Uashington D.C., SHBA
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.
Presidenti Meta falënderoi Kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Presidenti Meta shprehu besimin se z. Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.
“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.
Kongresmeni Eliot Engel siguroi Presidentin Meta për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.