• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM I FEDERATËS PANSHQIPTARE TE AMERIKES VATRA

January 25, 2018 by dgreca

 

1-logo-vatra

Njoftojmë se z. Gjon Bucaj,  pa asnjë leje dhe asnjë miratim nga Federata VATRA, ka shpërndarë me postë, në emër të Federatës VATRA dhe nga adresa e saj, një material të shtypur, që ai përpiqet ta paraqesë si Kanunore të Federatës.

Federata Panshqiptare VATRA sqaron sa më poshtë:

Materiali NUK është botim zyrtar dhe NUK pranohet si Kanunorja Zyrtare e Federatës Panshqiptare VATRA.

Asnjë individ, i paautorizuar nga Federata VATRA nuk mund të kryejë veprime në emër të saj. Në këto rrethana z. Gjon Bucaj ka kryer veprime antikanunore dhe antiligjore, pasi ushtrimi i funksioneve të tij ka pushuar së egzistuari në 10 Qershor 2017, ditë që ai u dorëhoq dhe u zgjodh kryetari i ri.

Marrja e “një eksperti ligjor amerikan” nga ana e z. Gjon Bucaj, pa asnjë miratim nga Federata Vatra është ushtrim jashtëligjor i autoritetit të Kryetarit të Vatrës. Nga ana tjetër askush nuk mund të prekë dhe përpunojë Kanunoren e Federatës Panshqiptare VATRA pa miratimin paraprak të vetë Federatës. Kjo përbën shkelje të rëndë të kodit të etikës profesionale edhe nga ana e “ekspertit ligjor amerikan” (i cili për Federatën është ende anonim).

Në letrën e tij shoqëruese postuar vatranëve, dërguesi i saj z. Gjon Bucaj shkruan: “Përkthimi profesional asht pa nga nji ekspert ligjor amerikan dhe, ndonjë ndryshim që ky i fundit ka ba në tekstin anglisht, asht reflektue në tekstin shqip”. Federata Panshqiptare VATRA pyet: Me cfarë të drejte ligjore e kanunore z. Gjon Bucaj ndërhyn në tekstin e Kanunores së Nolit e Konicës sepse kështu paska sugjeruar “eksperti ligjor amerikan” dhe me cfarë autoriteti z. Gjon Bucaj bën ndryshimet në tekstin shqip, kur kjo është një kompetencë e delegatëve në Kuvend? Cili është enti botues që kopjon dhe përpunon logon zyrtare të Federatës Panshqiptare VATRA dhe e vendos në një material të pamiratuar nga vetë Federata?

Gjon Bucaj ka pasur kohën e mjaftueshme nga viti 2013 deri në 2017 të përfshinte në votim në kuvendet e Vatrës këto drafte qarkulluese dhe të botonte Kanunoren e Federatës Vatra, detyrim të cilin megjithë kërkesat e përsëritura të anëtarësisë z. Bucaj nuk e ka plotësuar.

Federata VATRA bën me dije publikisht se ndryshimet e propozuara në Kuvendin 2015 NUK janë miratuar asnjëherë. Bazuar në dokumentet origjinale dhe proces-verbalet, Kuvendi 2015 ka vendosur: “Ribotimi dhe shpërndarja nëpër degë e Kanunores së vitit 1926, duke i bashkangjitur amendamendet shtesë të miratuara në Kuvendin 2014”. Draftet dhe projektet e ndryshme që kanë qarkulluar dhe që nuk u miratuan në Kuvendin 2015, duhet të paraqiteshin dhe miratoheshin në Kuvendin e rradhës 2016, Kuvend i cili nuk u tentua as të thirrej nga ish kryetari Gjon Bucaj. Po ashtu, këto drafte qarkulluese nuk u paraqitën për miratim as në Kuvendin 2017. Si të tilla këto drafte ngelen vetëm drafte, pa asnjë fuqi ligjore.

Në këto rrethana Federata Panshqiptare VATRA ka ngarkuar z. Bashkim Musabelliu (ish kryetar i ndryshimeve në vitin 2014), z. Kujtim Porja (ish anëtar i kryesisë së Kuvendit 2015) dhe z. Mehmet Kadria (vatran i vjetër dhe me kredibilitet të lartë) që të grumbullojnë të gjitha draftet qarkulluese dhe ti paraqesin për miratimin përfundimtar në Kuvendin e Punës 2018. Vetëm pas miratimit në Kuvendin 2018, draftet qarkulluese marrin fuqi ligjore dhe do të botohen konform standarteve të Federatës.

Kanunorja Zyrtare e Federatës Panshqiptare VATRA do të botohet vetëm pas miratimit të drafteve qarkulluese nga delegatët  në Kuvendin 2018.

Materiali i shpërndarë nga z. Gjon Bucaj mbetet thjesht “Zarfi Bucaj” dhe Federata Panshqiptare VATRA distancohet nga veprime të tilla.

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES VATRA

Filed Under: Featured Tagged With: NJOFTIM I FEDERATËS PANSHQIPTARE, te Amerikes Vatra

LULZIM BASHA NE KONVENTEN E DEMOKRATEVE TE AMERIKES

July 25, 2016 by dgreca

Partia Demokratike e Shqiperise ka njoftuar se Kreu i demokrateve shqiptare Lulzim Basha eshte ne Konventen e Demokrateve Amerikane qe nis punimet sot ne Filadelfia.Njëheresh, në ditët e Konventës të Demokratëve, do të ketë takime me personalitete të larta amerikane, me senatorë e kongresmenë amerikanë, me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit , etj. Kjo Konventë do të shpallin zyrtarisht Hillary Clinton – kandidate e demokratëve për Presidente e Amerikës. E, kjo, do të jetë hera e parë në historinë amerikane që një femër garon për Presidente e SHBA. Ne faqen e facebook-ut qe mban emrin Lulzim Basha, fansat demokarte i kane uruar atij rrugetim te mbare-Tu priftë e mbara Lulzim Basha!, ndersa dje ne nje nga web-sitet me te lexuara, Syri.net, u botoi kete koment :

Pikëpyetjet e udhëtimit të Bashës në Uashington/

Lulzim Basha sapo ka zbritur në Uashington dhe pas pak do të jetë pjesë e natës së parë të Konventës Demokrate, ku do të zyrtarizohet Hillary Klinton si kandidatja e parë femër për President të SHBA-së. Tre gjëra të tërheqin vëmendjen në këtë udhëtim të Lulzim Bashës për në Uashington.

1. Basha është i pari lider i demokratëve shqiptarë, që merr pjesë në një konventë demokrate në SHBA, kjo për faktin se aleatët tradicional të demokratëve shqiptar në Uashington janë republikanët. Por duke parë reaksionin dhe kundërshtitë që vet republikanët kishin për Donald Trump, siç duket ka bërë që lideri i të djathtës shqiptare të mos mendohet dy herë dhe të pranojë ftesën e ish-Sekretares Clinton, sot kandidate e demokratëve për President të SHBA.

2. Hillary Clinton është pjesë e familjes, që ka ndihmuar më së shumti shqiptarët në këtë çerek shekulli, është ish-Zonja e Parë e Amerikës në kohën e çlirimit të Kosovës. Çdo shqiptar do ta ketë të pamundur të mos i gëzohet rikthimit të Klintonëve në Shtëpinë e Bardhë, këtu nuk mund të bëjë përjashtim as lideri i të djathtës shqiptare Basha. Si Sekretare Shteti, të parin zyrtar të huaj që priti në Uashington ishte ish-Kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu ishte edhe zyrtarja më e lartë perëndimore, që vizitoi Shqipërinë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, vizitë në të cilën bëri premtimin e madh: “Edhe në 100 vitet e ardhshme, SHBA do të jenë miku juaj më i madh”. Gjithashtu Hillary Clinton është e para Sekretare Shteti, që ka falendëruar dhe uruar një ministër të Jashtëm shqiptar, kur ky i fundit është larguar nga diplomacia. E ka bërë Clinton me Lulzim Bashën. “Ju falenderoj për bashkëpunimin dhe pres të punojmë sërish së bashku në funksionet e reja, që do të merrni”, ishte letra e Sekretarës Clinton, kur Basha u largua nga ministër i Jashtëm.

3. Ka një ftesë për liderin e të djathtës, Basha, kreun e një partie të majtë, Meta, ish-Kryeministrin e majtë Majko, por jo për Kryeministrin aktual të majtë Rama. Arsyeja akoma nuk dihet. Rama është bërë edhe protagonist i panevojshëm, duke sulmuar hapur Donald Trump, gjë që nga mediat amerikane nuk është pritur pozitivisht. Për amerikanët është e paperceptueshme që një Kryeministër i një vendi me demokraci të pastabilizuar dhe pa ndikim në politikën botërore, të mësojë amerikanët se çfarë duhet të bëjnë. Rama duke dashur të jetë sa më afër Clintonëve, me delirin dhe protagonizmin e tij, mund të ketë grisur ftesën që demokratët kishin për të. Clintonët nuk kanë nevojë për Edi Ramën, që të mundin Trump. E vetmja nevojë që ata kanë për Kryeministrin shqiptar, është që ky të sillet si një demokrat në vendin e tij, gjë që nuk po e bën.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lulzim Basha, NE KONVENTEN E DEMOKRATEVE, te Amerikes, te Amerikes Vatra

Shfletojme Historine e Vatres:KËSHILLA KOMBËTARE

January 22, 2014 by dgreca

Nga “Historia e Federatës Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit/

             Duke parë se afroj ora më kritike për çështjen shqipëtare, javën e tretë të Nëntorit 1918 Vatra u-dërgoj nga një qarkëtore degëve të saj dhe i këshillonte të bëjin mbledhje të posaçme që të zgjithjin nga një delegat të zotin për në kuvënt të pazakontë që do të mblidhej në Boston për së shpejti. Me 11 t’atij muaji u-bë Armëpushimi dhe mori funt Lufta e Parë e Përbotëshme n’Evropë. Komisioni Qendral u-bëri një thirrje patriotike Shqipëtarëve t’Amerikës që të mblidheshin rreth Federatës Vatra, dhe me anën e saj të gjithë të bashkuar të nxirjin një zë të fortë në Konferencën e Paqës për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.

            Përveç dy degëve të riorganizuara, e Chicago-s dhe e Syracuse-it, në pakë dit’e sipër u-filluan dhe pesë degë të ra: në Portsmouth, N.H., Në Erie dhe Branddock, Pa., në Barberton dhe Niles-Youngstown, Ohio.

            Duke parëshikuar se do t’i shtoheshin përgjigjësitë për çështjen e Shqipërisë dhe do të kish nevojë për fonde financiare më tepër, Vatra u-bëri thirrje gjithë Vatranëve që t’i jepjin edhe një sulm të ri Fushatës “Dita Tri Qershor” për Shpëtimin e Shqipërisë.

            Vatra priste informata nga kryedelegati i saj në London Mehmed Konitza se si dukeshin punët e Shqipërisë pas pushimit të luftes, q’ashtu të dinte se ç’masa munt të mirte kuvëndi që pritej të bëhej për së shpejti. Dhe ay, Mehmed Konitza, kish shkuar në Shqipëri ato ditë që organizoj Kongresin e Durrësit dhe u-formua Guverna Provizore nënëe kryesin’ e Turhan Pashës. Me gjith’ato, koha nukë priste dhe u-vëndos mbajtja e kuvëndit.

            Të Dielën me 29 Shën-Ëndre 1918 u-mbloth kuvëndi i Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, dhe u-përfaqësuan 51 degë të regullshme të Federatës VATRA. Çairman i atij kuvëndi me rëndesi u-zgjoth Dennis J. Kambury, delegat’ i  degës Nr. 69, Niles-Youngstown, Ohio, e cila s’kish pakë javë që ish themeluar. Sekretar i kuvëndit u-zgjoth Loni Kristua, delegat i degës Lynn, Mass., dhe raporter u-zgjoth Kostë Hotova, Delegat i degës Albany, N. Y.

            Kuvëndi vazhdoj një javë, mbajti XV (15) sesione gjithësej, dhe mbaroj duke bërë miaft punë me rëndësi për të mirën e Shqipërisë. Në sesionin e 5-të u-leçit një Memorandum i bërë dhe i nënëshkruar prej klerit orthodhoks shqipëtar t’Amerikës, dhe u-prit me të trokitura duarsh të nxehta nga delegatët e kuvëndit. Memorandumi hidhtë poshte çpifjet dhe tëndencat e Grekëve edhe të grekomanëve të vëndit që thoshin se “Shqipëtarët e kërshtërë orthodhoksë duan bashkimin e tyre me Greqinë”! Kish shumë Epirotë që vërtet atë dëshirojin, të cilët ishin vërbuar nga propaganda e Grekëve fanatikë. Për atë shkak Shqipëtarët qenë goditur dhe gjakosur me Epirotët në mbledhjet e tyre në Boston.

            Memorandumi u-bë sipas kërkimit dhe pëlqimit të Vatrës, dhe u-nënëshkrua nga këta klërikë orthodhoksë shqipëtarë: At Fan Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Çamçe. Pastaj ay Memorandum j’u dërgua Presidentit Woodrow Wilson në Washington, edhe Kryeministrive të Fuqive të Mbëdha n’Evropë.

            Kuvëndi e gjeti të nevojshmë shtuarjën e delegatëve të Vatrës, dhe emëroj keta: Dr. Charles T. Erickson, Rasim Bej Dino, Anselmo Lorechia (drejtor i gazetës “Kombësia Shqipëtare” që diltë në Romë), dhe Faik Konitzën me Sotir Pecin si delegatë nderi. Faik Konitza ahere u-lëshua nga guverna Austriake passi u-munt nga Aliatet dhe e humbi luftën. Bashkë me Faik Konitzën ishin t’internuar në Vienë dhe Kolonel Zogu me Fazlli Frashërin, dhe kur u-lëshuan nga internimi ata të dy shkuan në Shqipëri dhe Faik Konitza vajti në Romë, i cili hyri prapë në shërbim të Vatrës si delegat i saj.

            U-vëndos nga kuvëndi që Fan Noli të shkonte në Paris si delegat i Vatrës dhe të punonte me delegatët e tjerë atje. Për n’Amerikë, u-emërua Kostë Çekrezi delegat dhe editor i Revistës “Adriatik”. Dr. Ericksoni qëndroj një kohë të shkurtër në Paris, dhe, me këshillat e Mehmed Konitzës dhe të Dr. Turtullit, Vatra e thirri prapë Dr. Ericksonin dhe e emëroj delegat të saj në Washington bashkë më Çekrezin.

            Ay kuvënt votoj me-një-zë sumën prej 120,000 dollarësh që të harxhohesh nga delegatët e Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris edhe gjetkë për të fituar Independencën e Shqipërisë me kufit’e saj ethnografike.

            Duke parë se vepërimet e Vatrës u-shtuan tepër dhe s’munt t’u bënte dot ballë Komisioni i Qendrës, kuvëndi e pa t’arësyshme zgjedhjen e një Këshille Kombëtare të përbërë prej 11 anëtarësh, njerës t’aftë për atë punë. Passi kjo çështje u-bisedua mirë prej delegatëve, u-vëndos zgjedhja e Këshilles Kombëtare dhe u-proponuan shumë njerës miaft të zottë, po me shumësin’e votave fituan këta:

            Dennis J. Kambury, Paskal Aleksi, Shefki Aliko, Kristo Kirka, Kostë Hotova, Kosta Issak, Bahri Omari, Xhevat Harxhi, Anastas Pandele, Loni Kristo dhe Thimi Hondro.

            Regullore e Këshillës: (1) Këshilla Kombëtare kish fuqin’ e një kuvëndi dhe jipte përfundime mi punët e Vatrës vetëm në çështjet politike. (2) Fuqia e Këshilles ish gjër në kuvëndin e regullshmë të Vatrës. (3) Anëtarët e Këshillës të zgjidheshin nga anëtarët e Vatrës me votim të kuvëndit. (4) Këeshilla Kombëtare thirrej në mbledhje kur ish nevoja nga kryetari i Vatrës, i cili e kryesonte gjër sa zgjidhej çairmani nga anëtaret e Këshillës. (5) Komisioni i Vatrës ish pjesëtar i Këshillës Kombëtare, sikundër dhe delegatët e saj n’Amerikë, po s’kishin të drejtë të votojin në bisedimet dhe vëndimet e Këshillës, natyrisht munt të pyeteshin për gjëra të Federatës që i dijin.

            Kuvëndi vëndosi këtë thirrje patriotike për gjithë Shqipëtarët e Amerikës (po vetëm Vatranët përgjigjeshin!):

            “Shqipëtarë t’Amerikes! Ardhi koha kritike në të cilën do të gjykohet fati i Shqipërisë. Armiqtë t’anë janë të pasur e të fortë dhe duhet t’u bëjmë ballë. Për të fituar të drejtat t’ona kombëtare duhet t’i lëftojmë këmba këmbës dhe që t’i lëftojmë me efekt na duhen para. Pjesë të çmuara t’Atdheut t’onë janë në rezik dhe tani ështe rasja t’i çkëputim nga duart e armikut. Ndihni pra më dorën plot dhe pa kursyer që t’a fitojmë Shqipërinë e madhe, plotërisht independente me Kosovën , Çamërinë dhe gjithë krahinat e tjera fjesht shqipëtare, dhe të rojmë të lirë, të lumur dhe kryelartë nënë hien e Flamurit të Skënderbeut. O burrani!”                                               

Në sesionin e fundit, Kuvëndi i Pazakontë bëri dhe votoj me-një-zë nga gjithë delegatët Rezollutën që shënojmë ketu më poshtë, dhe u a dërgoj guvernave të Fuqive të Mbëdha: t’Amerikës, t’Inglisë, te Francës, t’Italisë dhe të Japonisë.

                                                                           REZOLLUTA:

                                                                            “Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t’u bëjnë një thirrje Guvernave t’Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;

Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen

Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;

Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe

Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë.”

Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:

Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.

Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith’ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t’Amerikës rreth Federatës VATRA, q’ashtu t’i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t’i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.

Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n’Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n’Akron, Ohio. Po Kryekatundari (“the Mayor”) nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: “Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t’a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit”! Po s’qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t’a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n’atë qytet.

Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe “Partinë Politike” që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe “Partia Politike” dërgoj Kristo Dakon.

Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t’ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t’u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të “Partisë Politike.”

Kristo Dakua refuzoj t’a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se “Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri”, dhe s’desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj’a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.

Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: “Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja”! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy “kundërshtarët” dhe e nënëshkruan Rezollutën.

Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t’atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.

Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin’ e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Gjith’ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar’ i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t’i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.

Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t’i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.

Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith’ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t’a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.

Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t’i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith’ashtu n’atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t’Amerikës, për t’u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.(Ne foto: Komisioni themelues i Vatres)

Filed Under: Histori Tagged With: Historia e Federates Panshqiptare, Keshilla Kombetare, refat Gurrazezi, te Amerikes Vatra

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT