• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BRANKO MERXHANI, PROFETI I RRUGES EVROPIANE TE SHQIPERISE

May 19, 2014 by dgreca

* Korifej i publicistikës shqiptare, Branko Merxhani, parashikoi si profet,rrugën që duhet të ndiqte populli shqiptar drejt Evropës dhe Demokracisë Amerikane/
*Të dhëna biografike të panjohura më parë për B.Merxhanin, nga vajza e tij Afërdita Kici,Petro Marko, Dr.Jakov Milaj,Sh.Musaraj/
Nga Nga Pertefe Leka/
Nga studiuesit e publicistikës së Branko Merxhanit, shkruhet se është autor pa biografi.Por sipas disa të dhënave jetësore, nga bashkëkohës te tij, si Petro Marko,Dr.Jakov Milaj ..dhe nga Vajza e tij Aferdita Kici,pasurohet jetëshkrimi i tij.
Kam pasë rastin të komunikoj me të lartëpërmendurit,prandaj nuk mund të hesht për ato materiale që kam mbledhur per t’i hapur rrugën studiusëve të mirëfilltë,të cilët mund të hulumtojnë akoma më shumë nga shkrimi i Dr. Milajt dhe nga botimet e B.Merxhanit në Turqi.
B.Merxhani erdhi ne Shqipëri dhe hyri në rrethet intelektuale gjatë viteve 1926-1939
Në mesin e viteve 30-të, kur Shqipëria kishte nevojë për të gjetur rrugën e të ardhmes dhe kur diskutohej në eliten intelektuale se cili do të ishte fati i Shqipërisë, në atë kohë plot trazira,nga partite fashiste,naziste e komuniste, Branko Merxhani botonte artikuj filozofikë e sociologjikë duke argumentuar se çfarë i duhesh kombit tonë,për të dalë nga prapambetja kulturore,ekonomike dhe politike.Ai paralajmëroi se Shqipërisë nuk i duhej rruga qe ndoqi B.Sovjetik,sepse “është një eksperiment pa të ardhme”. Prandaj e pohoi botërisht “nuk jam marksist, nuk jam fashist,por jam një Demokrat”.Ai e parashikoi se rruga e vetme e Shqipërisë është ajo rrugë që ndoqën shtetet më të përparuara të Europës.
Ai pati kurajon të analizojë me argumente në artikullin “Pse nuk jam marksist” “Përrallen e profecive të bolshevizmit” të cilën “ do të na e kallëxojë ..”HISTORIA”.
Dhe historia nuk vonoi shumë të regjistrojë shkatërrimin e komunizmit, ashtu siç e parashikoi i Urti,B.Merxhani
Branko nuk jeton më, por vizionet e tij për demokracinë dhe rrugën për emancipimin shoqëror janë aktuale edhe për sot.Ai ishte një udhëtar i shpejtë në rrugën e jetës moderne drejt Evropës Ai shkruante:”Shqipëria ka nevojë për njerëz që mundën të lartësojnë vetën e tyre përmbi logjikën e imponuar të ditës dhe për njerëz që kuptojnë kohën dhe ndiejnë fund e krye nevojat e saj.”B.M.
Pikëpamjet e tij për të ardhmen e vendit tonë i shprehte në lidhjet ekonomike e politike të Shqipërise me botën, me vendet më të zhvilluara evropiane siç ishte Anglia e Franca dhe lartësonte demokracinë amerikane që udhëhiqej nga parimet e një demokracie tradicionale.Thirrjet e vazhdueshme që u bënte bashkatedhetarëve për të nxjerrë Shqipërinë nga pellgu i varfërisë mendore e fizike ishin njerëzore.
B.Merxhanit, pjesën më të madhe të jetës, e kaloi në Turqi, materialet që kam mbledhur mund të ndihmojnë studiusit të hulumtojnë në disa drejtime.
Shkrimet e P.Markos,Dr.Milajt etj.do të vlejnë për t’ia pasuruar biografinë.Ata e kanë njohur personalisht dhe kane punuar me kolegun e tyre, për një kohë të gjatë.
Këto të dhëna i nis me fjalët e të paharruarit, Petro Marko “Branko Merxhani është një ndër korifejt e publicistikës turke dhe shqiptare …Si i ri që isha e admiroja Brankon për karakterin,kulturën e gjerë dhe penën e tij.Ai u bë mësuesi im.”

Ishte prilli i vitit 1991,kur unë,(P. Leka) dërgova dorazi një shkrim te Gazeta “Republika”.Ishin muajt e parë të rrugëtimit të kësaj gazete.Në redaksinë e gazetës takova për herë të parë dhe të fundit të ndjerin Petro Marko.Shkrimi im titullohej “Pse nuk jam marksist “duke iu referuar kryeartikullit të B.Merxhanit shkruar në revistën “Përpjekja Shqiptare”.Zoti Petro Marko edhe pse i rënduar nga pesha e vuajtjeve e priti me një entuziazëm,duke më përgëzuar më tha “Oh ç’ma solle në mendje,tani më dëgjo: Branko më kishte thëne,- kur u ndava prej tij-, do të më kujtosh më vonë.Ai ishte mendje ndritur dhe shumë patriot,prandaj, tani do të nis ta shkruaj se si lindi ky kryeartikull”.
Nuk vonoi shumë, u botuan të dy shkrimet në një faqe “Pse nuk jam marksist”dhe artikulli i P.Markos “Si u shkrua nje kryeartikull” shoqëruar me nje foto te P.Markos me B. Merxhanin.(Gazeta Republika date 28,Prill 1991)

P. Marko shkruan në ate artikull:” Branko Merxhani ishte bir nga Sopiku i Pogonit .Pasi mbaroi studimet e larta në degën e filozofisë në Turqi,shkoi në Austri ku mbaroi studimet për sociologji.(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: Branko Merxhani, PROFETI I RRUGES EVROPIANE, te Shqiperise

Për Rishikimin e Statusit të Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik

January 3, 2014 by dgreca

Opinion nga Zeno JAHAJ/

Qeveria e vendit tonë i ka të gjitha arësyet të rishikojë statusin e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI). Antarësia e Shqipërisë në OBI nuk përputhet me synimet dhe objektivat e kësaj Organizate, as me statusin fetar të popullit shqiptar. Gjithashtu, antarësimi në OBI nuk është në pajtim me vullnetin politik, publik dhe me kuadrin kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Shqipëria aderon në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) me statusin e antarit prej vitit 1992. Në ato vite, vendi ynë përmbysi regjimin politik komunist, i cili i pati shtypur me dhunë ndjenjat dhe disponimet fetare, si dhe i pati shkatërruar të gjitha institucionet dhe organizimet fetare. Përkundër, regjimi i ri demokratik paskomunist krijoi kushtet për shprehjen e lirë të vullnetit dhe organizimit fetar. Pëikërisht në këto kushte do të zhvilloheshin inisiativat për riorganizimet fetare dhe ringritjen e institucioneve sipas disponimeve përkatëse.

Por i gjithë ky proces u krye më së shumti me volontarizëm dhe, sidomos, nën presioninin e organizuar të influencave të qendrave fetare të jashtme, jo rrallë të servirura si veshje për influenca politike. Për më tepër, rikthimi i organizimeve dhe institucioneve fetare u bë në kushtet e mungesës së Kushtetutës së vendit, si dokument themeltar që përcakton raportet e fesë me shtetin. Sikurse është e njohur, jeta dhe veprimtaria e vendit në vitet e para paskomuniste, zhvilloheshin në bazë paketash kushtetuese dhe jo në një Kushtetutë përfundimtare.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua vetëm në vitin 1998. Në këtë Kushtetutë, përcaktohet se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare; shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes; shteti njeh barazinë e bashkësive fetare; marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësive të tyre dhe Këshillit të Ministrave dhe këto marrëveshje ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, etj.

Si qytetar i këtij vendi, dyshoj nëse bashkëqytetarët e Shqipërisë janë të informuar se si janë zbatuar këto e të tjera kërkesa kushtetuese lidhur me statusin e bashkësive të sotme fetare në Shqipëri. Kjo është një temë jo pak nevralgjike që prek deri edhe sigurinë e sovranitetin e vendit. Por në kuadër të opinionit që po shpreh, mjafton të them se antarësimi i Republikës së Shqipërisë në në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) u bë pikërisht në kushtet e zbrazëtisë kushtetuese të paravitit 1998. Aktualisht statusi i sotëm i vendit tonë në këtë Organizatë është në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, statusi i OBI, kërkon, midis të tjerash, që vendet antare të udhëhiqen nga vlerat Islamike; të përpiqen për të rigjallërimin e rolit parësor të Islamit në botë; të krijojnë kushtet e përshtatëshme për edukimin e shëndoshë të fëmijëve dhe të rinjve Muslimanë dhe për ngulitjen në ta të vlerave Islamike; të përhapin, promovojnë dhe ruajnë mësimet dhe vlerat Islamike; të arrijnë integrimin ekonomik që do të çonte në krijimin e një Tregu të Përbashkët Islamik, etj.

Nuk mendoj se antarësimi i Shqipërisë në OBI ka qenë një angazhim substancial. Më së shumti besoj se do të ketë qenë një lëvizje me prapavijë interesash pragmatiste. Por në çastin kur ky angazhim është kanalizuar organizativisht e politikisht, atëherë krijohet hapësirë për çfardo lloj leximi apo interpretimi: për anësi të shtetit ndaj një feje të caktuar; për disponime fetare në sjelljen shtetërore; për tjetërsim të përkatësisë gjeografike, historike, qytetërimore e kulturore të kombit shqiptar, etj.

Statusi fetar i shqiptarëve nuk është çështje tapie, sikurse mund të jenë tapitë e tokave. Se çfarë përbën feja e besimet fetare për shqiptarët, çfarë përkatësie fetare kanë shqiptarët, e të tjera – këtë e vërtetojnë të gjitha studimet e kërkimet, si dhe jeta sociale e shqiptarëve e çdo kohe e epoke. Mjafton të përmendim faktin ndoshta unik se shqiptarët emigrantë në këto dy dekadat e fundit (të cilët përbëjnë afro një të tretën e popullsisë së vendit), në rastin më të zakonshëm identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, dhe, në rastin më të pazakonshëm, aplikojnë vetëm besimet fetare të vendeve perëndimore ku kanë emigruar e integru kështu, krejt natyrshëm në besimin e hershëm të të parëve të tyre.

Shumëkush në Ballkan e, fatkeqësisht, edhe më gjerë, do të donte që kombi apo shteti shqiptar të identifikohej si një komb apo shtet Mysliman, mbase për ta përdorur këtë kartë si mbulesë të disponimeve të tjera ekstremiste, ultra të djathta, etj. Nga çka verejmë, shumëkush, për mungesë informacioni, për paragjykim apo për shkaqe akoma më të thella, duket se dëshiron ta rendisë edhe Shqipërinë si vend mysliman, duke e sjellë Europën e shekullit të ’17-të në shekullin e ’21-të.

Asnjë vend tjetër Ballkanik nuk është deklaruar antar i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Turqia ka arsyet e veta gjeopolitike, gjeografike e historike të përzgjedhë të jetë antare e kësaj Organizate. Bosnjë-Herzegovina prej dy dekadash aplikon vetëm statusin vendit vëzhgues në këtë Organizatë. Për arësyet e tyre edhe vende si Republika e Afrikës Qëndrore, Mbretëria e Tailandës, Federata Ruse dhe Rpublika e panjohur zyrtarisht e Qipros së Veriut aplikojnë status vëzhguesi në këtë Organizatë. Republika e Maqedonisë e ka një komunitet turk e një të tretën e popullsisë së vendit me popullsi shqiptare të shpallur në besimin mysliman, por nuk ka zhvilluar ndërmarrje të tilla të çorientuara. Do të ishte kundër procesit që hapa të tilla të ndërmerrte Republika e Kosovës.

Atëherë, në respekt të statusit të vërtetë kushtetues, politik, kulturor, qytetërimor e fetar të Shqipërisë, në respekt të vetë fesë Islame, ashtu sikurse në respekt të çdo besimi tjetër fetar, Qeveria e Republikës së Shqipërisë i ka të gjitha arësyet dhe detyrimin të tërhiqet nga statusi i anëtarit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, duke ruajtur, për etikë dhe interes, statusin e vëzhguesit në këtë Organizatë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e statusit, ne Konferencen Islamike, Per rishikimin, te Shqiperise

Për një Republikë të Pestë të Shqipërisë

December 15, 2013 by dgreca

Nga Prof. Romeo Gurakuqi*/

Funksionimi i sistemit të qeverisjes, performanca, përgjegjshmëria dhe shpjegueshmëria e sistemit politik në Shqipëri, nuk mund të kuptohet pa analizuar marrëdhëniet që ekzistojnë në mes agjentëve kryesore institucionalë të Shtetit, që e kanë çuar vendin në prag të kolapsit funksional dhe krejt larg parametrave të një demokracie të mirëfilltë liberale. Shqipëria ndodhet prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh nën menaxhimin e një bashkësie politike shumë komplekse, me thelbe qytetarie e intelektualizmi të paplota, të cilës i rrjedhin pranë e pranë lumi punist, orientalist e ballkanik dhe një përrua i tharë liberal. E dallueshme për uncommon sense e vet, mungesën e përgjegjësisë për të respektuar balancat krahinore dhe religjioze, bashkësia e ka çuar vendin në pragun e një ballafaqimi civil, të cilin vetëm ajo nuk e shikojnë në derën e Shqipërisë së rrënuar tërësisht në shpirtin e saj, në unitetin e saj të brendshëm.

Shqipëria është një demokraci elektorale, por që nuk ka arritur të bëhet një demokraci liberale, seose nuk garanton respektimin e lirive civile, nuk mbron dot jetën, një operim të fuqishem të sundimit të ligjit dhe rendit, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, nuk ka bërë një proces dekomunistizues dhe të transparencës së dosjeve të diktaturës, një shkëputje të plotë nga nepotizmi, klientelizmi e korrupsioni. Shteti shqiptar sot gjendet nën veprimin e kastave sunduese dhe kontrolluese të institucioneve, të ekonomisë dhe strukturave të padukshme, nën një kontroll të plotë të jetës së brendshme politike nga parti që janë ose klienteliste, ose jo demokratike.

Përveçse rezultat i trashëgimisë së sipërpërmendur dhe e veçorive që mban të ndrydhuna bota e prapambetur sociale e kulturore shqiptare, ajo është ndër të tjera rezultat i një kushtetute të mangët të vitit 1998, të cunguar më tej në vitin 2008. Pra, jeta politike shqiptare është prodhim edhe i sistemit të ngritur pamjaftueshmërisht. Ajo kushtetutë e ka vendosur jetën e brendshme politike para tronditjeve të thella, të cilat riciklohen, sa herë që lind nevoja e zgjidhjeve institucionale të radhës, sa herë që afrohen zgjedhje e duhet të bëhen emërime. Vendi ndodhet para nevojës për një kushtetutë të re, të detajuar, të hollësishme dhe korigjuese të sëmundjeve që po e bëjnë të vuajë Shtetin e Shqipërinë, një kushtetute që rindërton unitetin tone të brendshëm nacional dhe kulturorë.

Kësisoj, jo kthimi në kornizën konstitucionale të vitit 1998, që do i mbajë gjallë serish padrinot e së keqës në Shqipëri, pronarët e paligjshëm të pronave të Publikut, por reformimi në disa prej kapitujve themeltarë të Kushtetutës (Rolin e Kreut të Shtetit, rindërtimi i sistemit të Drejtësisë, një kapitull të gjërë shtesë mbi Krahinat dhe grupimet kulturore, përfaqësimin e tyre dhe një kapitull mbi mënyrën e krijimit të një qeverie të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht) siç bëri Italia në vitin 2001, ose reformimi tërësor i sistemit Kushtetues nepërmjet transformimi të Republikës së pastër Parlamentare në Republikë Gjysëm-Presidenciale (President Parlamentary), do të ishte qasja më e arsyeshme. Vetëm kështu Shqipëria do të hyjë realisht në fazën e Republikës së saj të Pestë (këtë reformim e kanë bërë përgjithësisht disa prej vendeve postkomuniste që kanë synuar përforcimin e veprimit reformativ në rrugën integruese dhe kanë dashur njimendësisht vendosjen e veprimit të shtetit ligjor dhe integrimin serioz europian. Ky transformim në këto vende është kryer nën shembullin e Francës së 1958-ës që iu desh të minimizonte rolin e partive politike viktima të klientelizmit dhe korrupsionit).

Hapi i parë që do i duhet të zgjidhë shumica e re, jo pa pjesmarrjen e opozitës, mendoj se mund të jetë Reforma Konstitucionale, që do i hapë rrugën me tej reformës institucionale, reformës së sistemit gjyqësor, reformës administrative të ndarjes së re të qarqeve, bazuar në veçoritë krahinore dhe kulturore. Madje, nuk mendoj se mund të përfundohet një reformë administrative territoriale, pa kryer një reformë kushtetuese. Klasës politike shqiptare, ndihmar prej forcave të kualifikuara intelektuale të fushës së konstitucionalizmit, do i duhet të bëjë zgjidhjen në mes transformimit të Republikës, në Parlamentare me President Korrektiv (Parlamentary with President), apo transformimit të plotë të Republikës drejt Gjysëm Presidencializmit (President Parlamentary).

Në qoftë se parimisht do të mendohet që të ruhet Republika Parlamentare, ajo do të mund të transformohet së paku në Parlamentary with President, sepse kështu siç është, ndodhet në impasse të rëndë dhe në pamjaftueshmëri totale vepruese. Në këtë rast, ndryshimi kryesor që mund të bëhet në sistemin tonë është zhvendosja e pozicionit të Kreut të Shtetit, nga një institucion i dobët, në një institucion në mënyrë të moderuar i fuqishëm, ose krejt i fuqishëm, gjë që është e mundur edhe për sistemet parlamentare me mjaft shembuj në Europë. Rasti më tipik është ai i Republikës Italiane ku Presidenti i Republikës është një organ monokratik, i paanshëm, apolitik, që nuk ushtron funksione aktive të qeverisë, por ka detyren e rëndësishme për të vëzhguar nga sipër të gjitha pushtetet dhe për të respektuar ekuilibrat e parashikuara nga Kushtetuta, në mes organeve të ndryshme të shtetit. Synimi vëzhgues është që presidenti të kontrollojë që asnjë institucion të mos mbivendoset mbi të tjerët dhe të verifikojë që janë të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga vetë themeli i shtetit. Në rast se do të vendoset që Republika jonë të mbetet edhe në vijim një Republikë Parlamentare, ajo duhet të behët edhe me një institucion Presidencial të fuqishëm (Parlamentary with President), rolit i Kreut të Shtetit do të duhet të ridimensionohet; atij do të duhet t’i artikulohen dhe shtohen qartë pushtete të rëndësishme që lidhen me funksionet legjislative, ekzekutive, perveç atyre juridike që i ka, dhe njëkohësisht pushtetet ndërmjetësuese e të vëzhgimit të interesave të Publikut, që më situacionin aktual juridiko-konstitucional janë munguese (Shqipëria ka një kushtetutë Pure Parlamentary).

Palët politike shqiptare, pikërisht për këtë mungesë, kanë luajtur të qeta, pa asnjë arbiter të brendshëm dhe janë ballafaquar mes vehtes egërsisht dhe me kosto destabilizuese, sa herë interesat e tyre, jo publike e jo parimore, janë vënë përballë. Institucionit të Kreut të Shtetit do t’i duhet t’i forcohen kompetencat e nxjerrjes së akteve me drejtim presidencial, sidomos ato që kanë të bëjnë me emergjencat politike në vend. Por, sa më sipër, a është e gjitha çfarë ofron një Republikë Parlamentare me President Korrektiv?

Unë mendoj se transfomimi i sipërshënuar do të përmirësonte ndjeshëm Rolin e Kreut të Shtetit si arbitër ndër-institucional, shprehes i interesave të Publikut në tanësi dhe si garant i rendit, por se nuk do të zgjidhte një sëri sëmundjesh të rënda të Shtetit, të politikës shqiptare, nuk do të ndalonte kontrollin e politikës nga krimi i organizuar dhe monopolet dhe mbi të gjitha do ruante edhe më tutje kontrollin partiak mbi kompozimin e ekzekutivit, ndërhyrjen e partizave të vogla e simpatizantëve të tyre në rrjepjen e Ekzekutivit të Shqipërisë, e për rrjedhojë vendi do të gjendej edhe më tutje nëm një destabilitet në vijimësi, nën një transformizëm politik permanent, kapluar nga një sistem i drejtësisë nën kontrollin e ekzekutivave, të interesave të domenit antiligj të Juridikut, apo nën një trafik të dhimbshëm interesash klienteliste dhe nepotike mes individëve të institucioneve.

Në qoftë se një reformë e thellë e sistemit nuk do të ndërmerret, unë mendoj se Principal-Agency Problem do të jetë një fenomen që do ta shoqërojë edhe qeverisjen e ardhshme, pasi është kjo kornizë konstitucionale parlamentare që e prodhon.

Kësisoj unë mendoj se një reformë rrënjësore konstitucionale, që do të ndërmerrte plotësimin e të gjitha boshlleqeve ligjore dhe njëkohësisht do të parashikonte mekanizmat ligjore konstitucionale për shamngien e ligësive të sistemit politik dhe sëmundjeve të lindura nga sistemi, do të ishte një prej mënyrave të shpëtimit dhe Shërimit të Republikës, Shpetimit të Shtetit dhe institucioneve të tija tashmë shumë të kompromentuara dhe të padenja për të qenë pjesë e familjes europiane.

Unë mendoj se Republika e Pestë e Shqipërisë do të duhet të jetë një Republikë Gjysëm Presidenciale, e kuotuar teorikisht si: President-Parlamentary.

Nevoja per një republike gjysëm-presidenciale është e lidhur me kërkesat në rritje të opinionit të shëndoshë të këtij vendit për pjesmarrjen e forcave intelektuale jo partizane në qeveri, me domosdoshmërinë e një shkëputjeje më të madhe të interesave partiake nga drejtimi qeveritar, me reduktimin e incentivave për politikanet e zgjedhur në kontrollin e portofoleve ministeriale dhe departamentale. Në qoftë se do të duhet të rreshtojmë disa arsye për këtë transformim, unë do të vendosja:

1. Zvogëlimi në mos zerimi i ndërhyrjes së partive politike mbi portofolet qeveritare; kodifikimi i mënyrës dhe forcës së kontrollit të partive mbi të njejtat; 2. Nevoja e ndërhyrjes së faktorit unitet i kombit dhe institucionit përfaqësues i interesave të Publikut në kompozimin e qeverisë. Në sistemin gjysëm-presidencial kabineti do të jetë produkt i negociatave në mes Presidentit dhe Kryeministrit, e për rrjedhojë ky komponent i dytë do jetë më aktiv; 3. Dobësimi i marrëdhënieve parti-qeveri, që përbën një domosdoshmëri në sistemin shqiptar, mbasi përdorimi partizan i qeverisjes, po rrënon qendrueshmërinë administrative, performancen dhe ekspertizën e administrates, sjelljen e përgjegjshme ndaj publikut që kjo administrate duhej të mbajë; 4. Nevoja për sigurimin e kontrollit të disa portofoleve të rëndësishme nga ana të besuarve të Kreut të Shtetit dhe këtu kam parasysh, së pari, vetë Kryeministrin, që nuk mund të jetë më një sfidant i Presidentit, por një bashkëpunëtor në të mirë të interesave publike; ministrin e financave, atë të jashtem, ministrin e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë. Të gjithë këto tagra kushtetues i japin Presidentit të Republikës, një ndikim më të madh mbi politiken dhe më shumë patronazh pushtetesh, duke reduktuar rolin e partive politike, klientelave partiake dhe atyre familjare, që në këtë vend janë bërë tmerr për njërëzit e thjeshtë që duan të kenë shpresë në të ardhmen. Ky hap, mendoj unë, është një mekanizem kushtetues që mund të ulë ndikimin e partive në ndërtimin e qeverive, sidomos mbi dikasteret kryesore të tij, minimizon kthimin e dikastereve të akorduara partive në koalicion, në domene grabitjeje partiake dhe hap rrugën drejt depolitizimit real të administrates së lartë të Shtetit. 5) Sistemi gjysmëpresidencial i formatit President-Parlamentary, hap rrugën për përfshirjen në qeveri të një përqindjeje të spikatur ministrash teknicienë, të cilët tipikisht kanë një përgatitje të caktuar administrative, janë jopartiakë dhe janë të caktuar për shkak të ekspertizës së tyre teknike. Formati i lartpërmendur hap rrugën edhe për emërimin e teknicienëve nga bashkësitë fetare minoritare, të harruara nën ombrellat partiake, madje edhe të përsekutuara në heshtjen e një shteti pa vetëdije, nga individët me paragjykime të trashëgueme nga e kaluemja. Rasti më tipik është goditja sistematike që po kryhet aktualisht ndaj qytetarëve të Shkodrës në administratën qendrore, veçanërisht në administratën e Parlamentit dhe në disa prej dikastereve kryesore. Ky është një zhvillim për t’u shënuar nga ndërkombëtarët para vendimit mbi dhënien e statusit Shqipërisë. Pozita aktuale do të duhet të kuptojë se Shqipëria është edhe atdheu i atyre që nuk aderojnë në asnjë parti politike dhe që kanë madje alergji për ato dhe për prerjet e tyre antidemokratike dhe klienteliste. Formati aktual kushtetues u mundëson partive të shmangin përgjegjësitë, përndryshe reforma në kuptimin e përshkruar më sipër i përfshin shqiptarët pa dallim në sistemin politik dhe administrativ. Ndjehem shume i shqetesuar qe administrata e re e ketij vendi nuk e kupton se Parlamenti Shqiptar eshte nje Parlament Pluralist, nuk eshte Kuvendi i RPSSH, ku punesoheshin vetem te besuarit e PPSH. Parlamenti i Republikes se Shqiperise eshte nje Parlament Pluralist dhe per rrjedhoje edhe administrata e ketij intsitucioni, pervecse pluraliste eshte edhe nje administrate e depolitizuar, ne te cilen ka vend edhe per nejrezit pa parti, te cilet perbejne shumicen e qytetareve dhe jane ata qe e respektojne me se shumti Shqiperine, Qytetarin dhe Shtetin. Shqiperia eshte edhe e atyre .Nuk e mendoja kurre qe nen justifikimin e heqjes se te paafteve, te mirenjohurve te kotesise se administrates se djeshme, senksereve dhe injoranteve te administrates se djeshme, do te goditeshin , vetem dhe vetem, qytetaret e denje e te pambrojtur te ketij vendi, te shkolluarit ne universitetet me te mira perendimore, pinjollet e atyre familjeve qe e krijuan Shqiperine, arsimin shqiptar dhe administraten shqiptare, ata qe i sherbyen me devotshmeri qytetareve dhe qe i bene te flasin sot  gjuhen shqipe. Mbi te gjitha, nuk e mendoja se nen administraten e kryministrit Edir Rama, do te ndermerrej nje gjueti e paskrupull kunder qytetareve normale te Shkodres, nga ekipet banditeske te dy partive pozitare. 6. Një element tjetër shumë i rëndësishëm që do të duhet të korigjohet në rastin shqiptar është shmangia e kontrollit politik të qeverisë nga partitë që vendosen në bashkëpunim dhe kalimi nën një kontroll të dyfishtë institucional i qeverisë, nga më shumë se një institucion i zgjedhur. Në republikën gjysëm-presidenciale karakteristike është përgjegjshmëria duale politike e qeverisë ndaj Parlamentit dhe ndaj Presidentit, gjë që përbën karakteristiken përkufizuese të sistemit miks parlamentar dhe presidencial.

Republika gjysem-presidenciale e implementuar për herë të parë me kushtetutën franceze të vitit 1958, është konceptualizuar për herë të parë teorikisht prej Maurice Duverger në vitet 1970’ (Alan Siaroff, Comparative presindencies: The inadequancy of presidential, semi-presidential and parliamentary distinction, in European Journal of Political Researche, 42, 287-312, 2003). Ky tip regjimi politik përmban tre karakteristika themelore, secila ndertuar për një funksionalitet të caktuar korigjues të sistemit parlamentar: (a) Presidenti i zgjedhur me votim të përgjithshëm, (b) zotëron pushtete të konsiderueshme dhe (c) ka përballë një kryeministër e ministra të cilët zotërojnë pushtete ekzekutive dhe qeverisëse dhe mund të qendrojnë në detyrë vetëm në qoftë se parlamenti nuk shfaq opozicion ndaj qeverisë. Nga ana e tij Giovanni Sartori, regjimeve gjysëm-presidenciale u mvesh pesë karakteristika:1. Kryetari i Shtetit (Presidenti) zgjidhet me votë popullore, për një mandat të caktuar; 2. Ai e ndan pushtetin ekzekutiv me Kryeministrin, duke krijuar kështu një strukturë autoriteti dual, strukturë, e cila përmban këto tre kritere vijuese: 3. Presidenti është i pavarur nga Parlamenti, por nuk mund të qeverisë vetëm ose drejtëpërdrejtë dhe prandaj vullneti i tij duhet të përcillet përmes qeverisë së tij; 4 në mënyrë të përkundërt, Kryeministri dhe Kabineti i tij janë të pavarur nga Presidenti për sa kohë ato janë të varur nga Parlamenti: Kryeministri dhe Qeveria janë subjekte të votëbesimit dhe mosbesimit të parlamentit dhe në të dyja rastet është e nevojshme mbështetja e një shumice parlamentare; 5 Struktura duale e autoritetit të gjysem-presidencializmit jep mundësi për balanca të ndryshme dhe zhvendosje në mbizotërimin e pushtetetit në mes ekzekutivit, nën kushtin strikt që ‘autonomia potenciale e seciles njësi përbërëse të ekzekutivit mbahet në jetë”. (G. Sartory, Semi-presidentialism: A political model at work, in European Journal of Political Researche, 31, 1994, faqe 128-137).

Nga pikpamja sistematike dhe përmbajtësore, më precise, është për mendimin tim, ndarja e Matthew Shugart, që sugjeron këto katër tipe regjimesh politike, të cilat ne, jo rastësisht i përdorëm në tekstin pararëndës: 1. Regjim të pastër Presidencial; 2. Premier- Presidencial; 3. President-Parlamentary; 4 Parliamentary with President dhe 5 pure Parliamentary (Shugart, M.S. (1993) Of Presidents and Parliaments, East European Consitutional Review 2, faqe 30-32).

Duke e konsideruar Republikën e Shqipërisë një republikë të pastër parlamentare, (tashmë të dalë mode e të dekompozueme nga funksionaliteti e efikasiteti), vëmendja jonë për reformën, nëqoftëse ajo do të vendoset për t’u kryer, do të duhet të përqendrohet në transformimin e Republikës sot drejt gjysem-presidencializmit, që në vetvehte përmban dy kategori kryesore:, atë Premier-President dhe atë President-Parlamentary. Një vend i vuajtur ky i yni, nën tiranë të vjetër e të rinj, nën korrupsionistë dhe gangsterë politikë, besoj se nuk e ka të këshillueshme të kopjojë modelin rus të një republike gjysëm-presidenciale, të tipit Premier-President. Presidenti i fuqishëm edhe konstitucionalisht në një vend si i yni, do të ishte një kondicion katastrofal i gatuar me duar e popullit dhe votën e tij. Një vend i prapambetur dhe me një traditë politike liberale të kufizuar si Shqipëria, do të pësonte kështu një dëm shumë të madh në aspektet e lirisë e ruajtjes së përgjegjshmërisë shtetërore. Shqipëria mbase do të duhej të përqendrohej më së shumti në rastin francez të gjysëm-presidencializmit, ose atë çfarë mund të konsiderohet kategoria President-Parliamentary, në të cilen Presidenti nuk ka pushtete formale për të shkarkue një qeveri që mbështetet në një maxhorancë, por ka pushtete të mjaftueshme për të ndarë me këtë qeveri pushtete ekzekutive dhe për të ndikuar në formimin e një qeverie të tillë të bazuar edhe në teknicienë. Në një rast të tillë do kishim një President që do të bashkëjetonte edhe me një Qeveri opozitare me atë shumicë me të cilën ai zgjidhet. Pozicioni i Presidentit dhe pushtetet e tij për shkarkimin e qeverisë, ndryshojnë varësisht trendit politik dhe vendosjes në linjë politike të Presidentit, Kryeministrit dhe Parlamentit. Edhe një gjë tjetër për t’u saktësuar: pushtetet e presidentit në një republikë gjysëm-presidenciale të tipit President-Parliamentary, për të shkarkuar qeverinë vertetë ekzistojnë, por ato janë vetëm një aspekt i pushtetit të presidentit dhe përdorimi i këtij pushteti në praktikë nga kushtetuta imponohet në mënyrë logjike dhe jo në mënyrë autoritare. Gjithashtu ndikimi i Presidentit bëhet krjetësisht i dallueshëm në dikasterin e punëve të jashtme, në të cilin kontrolli i çdo partie fituese duhet të zhduket plotësisht dhe pjesmarrja e teknicienëve në diplomaci duhet të jetë i vetmi kriter përzgjedhjeje. Shqipëria ka vuajtur dhe po e vuan ende këtë. Mjafton të shikosh vetëm projektimet e papërshtatshme të realizuara nga ekzekutivi aktual në muajin e fundit në diplomaci, për të kuptuar se jemi në një rreth vicioz ripërsëritjeje të kotësisë, injorancës, tarafit, borxhit dhe afinitetit politik me të djeshmen diktatoriale.

Në fund duhet të theksojmë se në rastin e përzgjedhjes së Presidentit, duhen kuotuar edhe dy parametra plotësues: a. kriteret intelektuale, qytetare dhe gjithpërfshirëse të statures presidenciale; dhe b) ndërtimi i Institutit të Impeachment-it.

Publiku dhe ndergjegja e dlirët qytetare e intelektuale e këtij vendi, janë të interesuar që sistemi të ndryshojë, të bëhet më kompatibël, më demokratik, më i kontrollueshëm nga masa e gjërë e zgjedhësve. Mendoj që situacioni aktual i sistemit me një regjim parlamentar kaq të dobët sikurse është ai i krijuar nga kushtetuta shqiptare e 1998, nuk e plotëson këtë deshirë të përhapur në shoqëri. Janë vetëm partitë e mykura shqiptare, me demokraci të brendshme të shkatërruar, ata që e ruajnë këtë status quo kushtetuese dhe ligjore, mbasi fatet e tyre janë të lidhura reciprokisht në ruajtjen e kësaj kornize, të këtij kontrolli, të këtij fuzioni anarkik ekzekutiv-legjislativ dhe kësaj përgjegjshmërie foshnjërake në zgjedhjet parlamentare. Por Shqipëria nuk është e tyre.

*Romeo Gurakuqi

Universiteti Europian i Tiranës, Instituti iHistorisë Bashkëkohore

Tiranë, 11.12.2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Per nje Republike te Peste, Romeo Gurakuqi, te Shqiperise

Parlamenti Europian voton “Pro” statusit te Shqiperise

December 12, 2013 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur mbështetjen që Parlamenti Europian i dha vendimit të Komisionit Europian per ti dhene Shqiperise statusin e vendit kandidat per anetar te Bashkimit Europian.

Berisha vlerëson se vota e sotme historike në Strasburg ,eshte nje vleresim i madh per suksesin e reformave te medha e te gjithanshme te ndermarra nga Shqiperia vitet e fundit.

“Ky vendim, qe u bllokua vjet nga Edvin Rama duke mos votuar tre ligjet per te cilat ishte rene dakord, deshmon gjithashtu se ky neobllokmen vertete arriti ta bllokoje perkohesisht statusin e vendit kandidat, te shtyje me nje vit kete votim historik, por nuk arriti ta bllokoje ate perfundimisht” shkruan Berisha në fb.

Lideri i demokratëve ka shprehur mirënjohjen edheper grupin e deputetëve të PPE për votimin e rezolutës per Shqiperine. Dhe në fund ai e mbyll me një urim:

“Le te urojme ne se bashku qe me dt 17 dhjetor Keshilli i Ministrave te BE te miratoje statusin e vendit kandidat per Shqiperine!”

PD: Votimi i rezolutës nga PE, vlerësim për përpjekjet tona për integrim

Edhe Partia Demokratike përmes ish-Ministres së Integrimit Majlinda Bregu ka përshëndetur votimin e rezolutës në mbështetje të dhënies së stasusit kandidat për Shqipërinë. Në deklaratën për mediat Bregu tha se Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane

“Parlamenti Europian me një votim historik i tha po rezolutës që mbështet Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Parlamenti Europian me këtë rezolutë ka njohur përpjekjet e kombit shqiptar, të shoqërisë sonë, të politikës dhe veçanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit, për arritjen e rezultateve të kërkuara në rrugën jo të lehtë të integrimit europian, duke plotësuar detyrimet e kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit europian në drejtim të 12 prioriteteve në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit.Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.Partia Demokratike falenderon Komisionin Europian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD.Partia Demokratike falenderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.Rezoluta e Parlamentit europian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon.Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë” tha Bregu.

Bregu vlerësoi se është një rastësi e bukur që kjo rezolutë miratohet pikërisht sot, me 12 dhjetor, ditëlindjen e Partisë Demokratike, që është në fakt partia e integrimit evropian të Shqipërisë.

Parlamenti Europian “pro” statusit, rezoluta kalon me shumicën e votave në sallë

Parlamenti Europian, i mbledhur në seancë plenare në Strasburg, votoi pro rezolutës për Shqipërinë megjithëse rrëzoi disa amendamente. Rezoluta mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqiperinë pa humbur kohë.

Në rezolutë vlerësohet progresi i vendit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, tranzicioni i pushtetit.

Rezoluta bën thirrje për një bashkëpunim të qëndrueshëm midis mazhorancës dhe opozitës, rezultate konkrete të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërtimin e një administrate publike efikase dhe të pavarur dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Votimi i sotëm në Parlamentin Europian është mbështetja e dytë e fortë pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian që i drejtohet Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për akordimin e statusit të kandidatit Shqipërisë në 17 dhjetor.

Filed Under: Featured Tagged With: Parlamenti Europian, Pro sttausit, te Shqiperise

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT