Regjizori Robert Budina në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, analizon shkatërrimin e identitetit kulturor, historik, arkitekturor dhe urbanistik të Tiranës, lejet kriminale të ndërtimit në funksion të mafjes së betonit, asgjësimi i trashëgimisë kulturore dhe shkatërrimin e memories institucionale të Tiranës.
SHKATËRRIMI I IDENTITETIT KULTUROR, HISTORIK, ARKITEKTUROR DHE URBANISTIK TË TIRANËS
Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku trashëgimia kulturore nuk ka asnjë rëndësi. Institucionet që duhej ta ta zhvillonin, mirëmbanin, rijetëzonin si Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve janë ineksizstente, ose dhe më keq, ato janë vënë në funksion të interesave të pushtetit që gllabëron çdo ditë pronën publike, madje ç’është më e keqja edhe atë ku ndodhen godinat të shpallura në kohë monument kulture. Këto institucione, shpesh kanë shërbyer për të justifikuar me dokumenta e shkresa të ndryshme shembjen e monumenteve të Kulturës, për t’i hapur hapur rrugën ndërtimit në vend të tyre, të kullave të pastrimit të parave, të krimit të organizuar, ku shpesh sipas raporteve ndërkombëtare, është e përfshirë vetë qeveria shqiptare. Tirana është shembulli më i qartë i shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore. Rastet janë të shumta: stadiumi, vilat e viteve 1920-1944, sheshi Skënderbej, Sahati, Teatri Kombëtar. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur për BE, ku Shqipëria aspiron të futet, ruajtja dhe rijetëzimi i trashëgimisë kulturore është primare. Ky shkatërrim ka qënë i vazhdueshëm në kohë dhe lulzimin e tij e pati kur Tirana u drejtua nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj. I pari edhe pse vinte nga fusha e Kulturës dhe karrierën e tij, si ministër kulture e filloi me kthim në identitet të ministrive, shpejt u kuptua se e bëri këtë thjesht dhe vetëm për propogandë. Jo vetëm që nuk u kujdes për trashëgiminë kulturore, por shpejt filloi sulmet ndaj saj. Shembulli konkret ishte kur ideoi shembjen e Teatrit Kombëtar, që në kohën kur ishte ministër kulture dhe nuk hoqi dorë kurrë, deri sa ia mbërriti pas 20 vjetësh si kryeministër duke përdorur 1500 forca policie natën e 17 majit 2020. Për mënyrën se si qeveritë e majta janë sjellë me Trashëgiminë Kulturore tregon se ka një strategji të qartë për të zhdukur rrënjët e saj, për të krijuar njeriun e ri modern globalist pa identitet, sepse ai në këtë formë është më lehtësisht i dominueshëm. Në kohën e qeverisjes së Erjon Velisë në bashkinë e Tiranës ka një rekord të lejeve të ndërtimit dhe atij do t’i ngelet përjetësisht damka si njeriu që sulmoi për interesat e kryeministrit dhe oligarkëve trashëgiminë kulturore. Në kohën e tij u tjetërsua sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, u zhduk stadiumi, Qemal Stafa, u shemb Teatri Kombëtar dhe thuajse të gjitha vilat e një shekulli më parë. Në asnjë vend tjetër qoftë edhe të rajonit nuk ka ndodhur kjo batërdi me trashëgiminë kulturore. Përkundrazi fqinjët tanë jo vetëm e kanë zhvilluar atë, por edhe e kanë krijuar nga hiçi, siç ishte rasti i Maqedonisë së Veriut me projektin Shkupi 2014 ku u ndërtuan statuja në qendër të qytetit për të revokuar të kaluarën e tyre historike, sepse ata e dinë shumë mirë që trashëgimia kulturore, arti, kultura janë mjetet për të pasur dominimin në rajon.
TIRANA NËN THUNDRËN E BETONIT VRASTAR, NJË ASFIKSI E PANDALSHME
Sipas një studimi të BE betoni e ka rritur ngrohjen globale me 8% në planet. Kjo ishte arsyeja pse në qytetet europiane ai duhet të ulë ndjeshëm përdorimin dhe theksi i zhvillimit ekonomik duhet të jetë rijetëzimi i trashëgimisë kulturore dhe mirëmbajtja e saj. Për këtë arsye vendet europiane kanë firmosur marreveshjen e gjelbër që të marrin përgjegjësitë e mbarëvajtjes së klimës jo vetëm të vendeve të tyre, por të gjithë planetit. Në kohën e vështirë të pandemisë BE ka vënë theksin që trashëgimia kulturore, arti dhe kultura janë mjetet themelore që ndihmojnë njeriun shiprtërisht për të kaluar vështirësitë e kohëve që jetojmë. Përkundrazi në Shqipëri betoni është mjeti kryesor, për të përfituar, ruajtur pushtetin ekonomik dhe politik, eliminuar demokracinë me blerjen e votave. Tirana me kullat që po ngrihen kudo në hapsira shumë të ngushta pa strategji dhe plan urbanistik, po e çon Tiranën në asfiksi totale.
NDËRTIMET NË TIRANË SI TEJZGJATJE E KRIMIT, TRAFIQEVE NDËRKOMBËTARE, PASTRIMIT TË PARAVE DHE LIDHJEN E POLITIKËS ME MAFJEN E BETONIT
Para një viti nga raportet e antimafias italiane doli që Ndrangheta një organizatë mafjoze që zhvillon aktivitetin e saj në Kalabri përmes disa biznesmenëve kishte lidhje direkte me ndërtimet e kullave në qendër që po ndodhin së fundmi në Tiranë. Në përgjimet e saj del se këta njerëz kanë pasur lidhje direkte me kryetarin e bashkisë së Tiranës. Tenderat në përgjithësi nuk kanë garë fare dhe janë thuajse të njejtat kompani që i fitojnë. Madje së fundmi bashkia Tiranë ka krijuar një shoqëri aksionere Tirana Dc, e cila mund të ndërtojë vetë pa pasur nevojën e kontraktimit të kompanive private. Kjo shoqëri bie ndesh me ligjet shqiptare, sepse shoqëritë aksionere ku merr pjesë shteti mund të ofrojnë vetëm shërbime dhe jo të përodren për prodhim. Pra vjedhja e fondve publike tashmë kryhet me ligje antikushtetuese.
“RIJETEZIMI” MODERN I KRYEQYTETIT SI KAOS VETËSHKATËRRUES
Që në kohën kur Edi Rama ishte kryetar bashkie në Tiranë nuk ka pasur kurrë plane urbanistike, kjo për faktin e thjeshtë që në këtë menyrë mund të ndërtohet kudo dhe kurdoherë pa qënë peng i rregullave. Në këtë mënyrë shtohet sipërfaqja ndërtimore dhe fitimet janë më të mëdha. Ndaj Tirana sot është peng i kaosit urbanistik dhe ndërtimeve të improvizuara. Plani urbanistik do të ulte shumë normën e fitimit të pushterëve që lëshojnë lejet e ndërtimit. Ndaj dhe densiteti i tyre është më i madh në qendër, sepse aty metri katror i sipërfaqes ndërtimore kushton më shumë.
TIRANA DHE VDEKJA E AUTENTICITETIT TË NJË KRYEQYTETI
Që të ruhet trashegimia kulturore nuk mjaftojnë politikat qeveritare, duhet patjetër që të ketë edhe një ndjeshmëri qytetare, një ndërgjegjësim për vlerat dhe dobitë e saj. Fatkeqsisht kjo ka ndodhur rrallë në Shqipëri, dhe pushteti e ka pasur të lehtë t’a shkatërrojë trashëgiminë për qëllime fitimi. Nuk janë të rralla kur vetë pronarë ku ka pasur trashëgimi kulturore e kanë dorëzuar tek pushteti në këmbim të interesit, kur specialistë të saj kanë gjetur mënyrat për t’i hapur rrugën atij për qëllime fitimi. Shkalla e ulët e këtij formimi tek njerzit dhe përdorimi i kësaj mjeshtërisht nga pushteti ka sjellë një trasformim të tillë të pandalshëm të Trashëgimisë Kulturore.
TIRANA LUNDRON MES NDOTJES SË LARTË DHE KAOSIT URBAN
Ndërtimet e pandalshme kanë rritur shumë shkallën e ndotjes në Tiranë. Por krimi qëndron në mënyrën se si pushteti propogandon, se ai po shton hapsirat e gjelbërta me skeçe mbjelljesh të pemëve, apo të disa shkurreve në sheshin Skënderbej për mbulimin e ndërtimit të dhjetra kullave.
TIRANA NËN THUNDRËN E KULLAVE E GRADAÇELAVE HIJERENDA
Janë zhdukur të gjitha fushat sportive, lulishtet ku luanin fëmijët dhe janë zëvëndësuar me ndërtime dhe për të mbuluar këtë para tyre vendosen disa lodra fëmijësh siç ishte rasti i kullës tek shtatë xhuxhat ku parku i lojrave u zëvëndësua me disa lodra plastike para kullës të vendosura në beton.
PARIA POLITIKE E TIRANËS DHE NOSTALGJIA PËR KOMUNIZMIN
Strategjia e qeverive të majta ka qënë e qartë, asgjësimin e trashëgimisë kulturore që nuk ka lidhje me historinë e tyre, për të zhdukur simbolet dhe eliminuar kundërshtarët e tyre ideologjikë. Përkundrazi kanë ruajtur ndërtimet e simboleve të diktaturës siç ishte rasti i piramidës, e cila nuk ka pasur fare histori nëse e krahason me teatrin apo vilat e shekullit të kaluar. Pra shembjet e trashegimisë kanë qënë selektive dhe me qëllime politiko-ideologjike. Ajo që e bën edhe më të rëndë, është metoda se si pushteti i majtë në Shqipëri e realizon këtë ide diabolike. Fillimisht përdhos historinë e trashëgimisë kulturore që nuk ka lidhje me historinë e tyre, siç ishte rasti i Teatrit Kombëtar që e cilësuan si dopo lavoro, apo stallë kuajsh për t’i ulur vlerën.
SHKATERRIMI I MEMORIES INSTITUCIONALE TË TIRANËS
Tirana është 102 vjet kryeqytet. Identitein e saj të metropolit e mori në vitet 30 me ndërtimet italiane të shëtitores Dëshmorët e Kombit, kompleksit të ministrive, kompleksit të miqsisë shqiptaro-italiane Skanderbeg pjesë e të cilit ishte dhe teatri kombëtar. Ideimin e tyre e bënë arkitektë që kanë bërë histori në Europë si Bosio dhe Bertè. Këto ndërtime u bënë në përshtatje me atë që ishte Tirana e atyre viteve duke i dhënë një frymë më moderne krahasuar me të kaluarën otomane të saj. Sot të gjitha simbolet që bënë Tiranën e 100 viteve të fundit dhe historinë e saj nuk ekzistojnë më. Në vend të tyre janë kulla pa të kaluar dhe histori si simbol i pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe përçudnimit të shpirtit njerzor që ka humbur ndërgjegjen e vet: trashëgiminë Kulturore.