• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Dekretohet shpërndarja e Kuvendit, anulohet seanca e nesërme

May 10, 2017 by dgreca

Presidenti Hashim Thaçi,Konsultatime për datën e zgjedhjeve të parakohshme/

1 ok Kuvend bie qeveria-“Shpërndahet legjislatura e pestë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thekson dokumenti i nënshkruar sot nga Presidenti i Republikës/

Dekret (1)PRISHTINË, 10  Maj 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Pas seancës së sotme të mosbesimit për qeverinë, anulohet seanca plenare e paraparë për të enjten e Kuvendit të Kosovës, pas dekretimit të shpërndarjes së tij sot nga Presidenti i Republikës.

“Bazuar në dekretin e sotëm të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për shpërndarjen e Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo Legjislaturë përfundon punën e vet.  Rrjedhimisht, anulohet seanca plenare, e paraparë për të enjten, në orën 10:00”, theksohet në njoftimin e dërguar pasdite nga Kuvendi.

“Shpërndahet legjislatura e pestë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thekson dokumenti i nënshkruar sot nga Presidenti.Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, qeveria e kryeministrit Isa Mustafa u rrëzua me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh.

Presidenti Hashim Thaçi,Konsultatime për datën e zgjedhjeve të parakohshme/

PRISHTINË, 10  Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i  Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpërndarjes sot të legjislaturës së pestë, e cila votoi mosbesimin për qeverinë, do të mbajë nesër takim konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve  të parakohshme për Kuvendin e Republikës. Njoftimi sapo u dërgua nga Presidenca e Kosovës./b.j/

 

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Shperndarja e Kuvendit, Thaci

DITA E TE PAGJETURVE NE KOSOVE

April 27, 2017 by dgreca

-Kosovë-Thaçi: Bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për zbardhjen e fatit të pagjeturve/unnamed

-Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve, tubim përkujtimor në Mejë të Gjakovës/3 thaci

-“Liria, demokracia dhe çdo vlerë e ndërtuar me mund dhe sakrificë në Kosovën e lirë, nuk është e plotë pa dënimin e kriminelëve për personat e vrarë, të masakruar dhe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të varrosurve brenda dhe jashtë Kosovës”, tha presidenti Thaçi/

2 Te humburit

PRISHTINË, 27 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova shënoi sot Ditën e të Pagjeturve të saj -27 Prillin, në mesditë, në Mejë të Gjakovës në Kompleksin Memorial u organizua tubimi përkujtimor për masakran e para 18 viteve, ku presidenti i Republikës, Hashim Thaçi tha se  bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë trysni Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur në botë shënohet më 30 gusht, por në Kosovë ajo me të drejtë shënohet më 27 prill, në ditën kur forcat ushtarake dhe policore serbe vranë dhe masakruan 377 qytetarë të pafajshëm në Mejë të Gjakovës”, u shpreh presidenti.

 

Thaçi  tha se,  sakrifica dhe dhimbja e madhe e Mejës është ajo që përmbylli Javën e të Pagjeturve dhe të viktimave të terrorit shtetëror serb anekënd Kosovës, si në Qirez e Likoshan, në Prekaz, Reçak, Krushë, Izbicë, Rezallë, Çikatovë, Poklek, Qyshk e kudo ku pësuan banorët e pafajshëm në vitet e luftës.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës në themelet e saj ka gjakun dhe jetën e dëshmorëve dhe martirëve. Prandaj për dëshmorët dhe martirët e Kosovës nderimi institucional është i përjetshëm”, u shpreh ai.

 

Presidenti kosovar shtoi se, do të përkulemi gjithmonë me respekt dhe pietet të thellë para secilit dëshmor dhe martir.

 

“Liria, demokracia dhe çdo vlerë e ndërtuar me mund dhe sakrificë në Kosovën e lirë, nuk është e plotë pa dënimin e kriminelëve për personat e vrarë, të masakruar dhe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të varrosurve brenda dhe jashtë Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

 

Kreu i shtetit theksoi se vlerëson punën e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që kanë bërë deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Por, sipas tij, familjet e personave të pagjetur me të drejtë kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e së vërtetës për më të dashurit e tyre.

 

“Ata me të drejtë kërkojnë ta dinë përfundimisht se kush kanë qenë urdhërdhënësit zyrtarë dhe ekzekutuesit e krimeve në periudhën ‎‎1998-1999. Institucionet vendore, shoqatat dhe komisionet për personat e pagjetur kanë bërë aq sa kanë lejuar kapacitetet e tyre në këtë drejtim. Përpjekjet për të ndriçuar çdo rast të krimit mbi civilët e pafajshëm nuk do të ndalen asnjëherë. Por, ajo çka mbetet jashtë mundësisë së ndikimit të institucioneve tona, i takon bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë trysni serioze tek Beogardi zyrtar, i cili posedon arkivat dhe të dhënat e sakta të veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbe”, theksoi presidenti Thaçi.

 

Ai edhe në Mejë ritheksoi se Kosova dhe qytetarët e saj kanë një orientim të qartë politik e strategjik dhe integrimi në BE, në NATO dhe OKB është vizioni dhe ardhmëria e Kosovës.

 

Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.

Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

 

 

Në Kosovë, 18 vjet pas luftës, janë ende mëse 1600 të zhdukur të pagjetur. “Atyre që na mungojnë”, me këtë emërtim, u është ngritur përmendore në sheshin kryesor të Prishtinës, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“27 Prill – Dita e të Pagjeturve të Kosovës…vazhdojmë t’i kërkojmë…” shkruan në njoftimet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, me axhendën e shënimit të kësaj dite, të vendosura nga grupe të rinjësh nëpër kryeqytet, Prishtinë.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut-Kosovë ka paralajmëruar aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, i cili do të realizohet në mbrëmjen e sotme në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.

Në luftën e para mëse 18 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pastaj ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë e masakruar më shumë se 12.000 shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë “përtej Bjeshkëve të Nemuna”, dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët.

Edhe sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 18 viteve mbërrinte mëse 6.000 veta. Mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur edhe për shënimin e ditës së sotme nga familjarët  në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare, në sheshin qendror të Prishtinës.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behelul Jashari, Dita e te pagjeturve, kosovo, Thaci, trysni Serbise

Vucic, kundër shqiptarëve për idenë e bashkimit

April 20, 2017 by dgreca

-Ne pergjigje Edi Rames dhe te deklarates se Presidentit Thaci:”Nëse BE na e mbyll derën, të gjithë shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme”/

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të mos dalin në publik me deklarata për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet, nëse procesi i integrimit evropian ngec.

“Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiq në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme

Reagimi i Thaçit pasoi deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

Thaçi: Nëse BE na e mbyll derën, të gjithë shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme/

Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Reagimi i tij, pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për “KTV”, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje”, ka theksuar ai.

Filed Under: Komente Tagged With: Bashkimi Kombetar, kidney shqiptareve, Rama, Thaci, Vucic

Thaçi, “Urdhri i lirisë” për senatorit McCain

April 14, 2017 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë çmimin “Urdhri i lirisë”, senatorit amerikan, John McCain. Ky çmim atij i është ndarë për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për thellimin e partneritetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në botë ka pak njerëz si ju që mëshirojnë vlerat e lirisë. E tërë jeta e juaj është një moment i gjallë në përpjekjet e juaja për liri deri në vetëmohim”, ka thënë me këtë rast, Thaçi.

“Në ditët tona më të vështira si komb, ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë, kur ne nuk kishim zë”, theksoi tutje presidenti i Kosovës.

“Ju me punën dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës, dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fundamentale e të gjitha kombeve, e të gjitha vendeve”, tha Thaçi, duke i ndarë medaljen presidenciale senatorit republikan, McCain.

Në anën tjetër, MCain tha se ndihej i nderuar për këtë çmim që pranoi nga presidenti dhe populli i Kosovës.

“Ndihem krenar që ndodhem këtu. Të gjithë e dimë se ka nevojë për më shumë punë dhe përparime, por ju keni arritur mjaftë shumë”, tha McCain.

“Jam këtu të tregoj mbështetjen dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mbetet një vend i lirë, i fuqishëm dhe i bukur siç është edhe sot”, ka thënë ndër tjera senatori amerikan.

Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rris ndikimin politik dhe ekonomik.Të enjten, ai është pritur në Prishtinë nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ka vizituar ushtarët amerikan të KFOR-it.Në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, senatori John McCain ka premtuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, si edhe për rajonin në përgjithësi.

Filed Under: Kronike Tagged With: “Urdhri i lirisë”, për senatorit McCain, Thaci

BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT

April 9, 2017 by dgreca

1 GuriFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/
1 Thaci
 
BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT/
 
-Në Kosovë, në “Ditët e Shqipes” përkujtohet Beteja e Koshares, e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999, një prej fitoreve më domethënese. Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
4 Thaci
 
-Presidenti Thaçi: Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së. 
-Kryeministri Mustafa: Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonw/
3 Lule
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
2 Koshare
 
 KOSHARE, 9 Prill 2017/ Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para 18 viteve, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës, u përkujtua sot me homazhe dëshmorëve dhe me një tubim, me pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.
 “Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë po marrin pjesë në veprimtaritë e sotme, përfshirë akademinë përkujtimore që u zhvillua pak më parë në Koshare.
 “Para 18 viteve këtu në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak ‘Shigjeta’ duke hapur një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të ardhëshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha presidenti Thaçi në tubimin përkujtimor, duke theksuar triumfin politiko-ushatarak të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti kosovar tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
“Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës”,  tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Mustafa tha se, “heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999 shënon një prej fitoreve më domethënese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se “Beteja e Kosharës përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës”.
Kreu i qeverisë vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
 Në tubimin përkujtimor për Betejën e Kosharës, nga pjesëmarrësit e udhëheqësit e saj, foli  Rrustem Berisha, komandant i Brigades 138 “Agim Ramadani”.
“9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës”, theksohet në veprimtaritë e zhvilluara.
Në Betejën e Koshares  ranë heorikisht heronjtë  e popullit – komandantët Agim Ramdani dhe Sali Çekaj, si dhe 114 dëshmorë, të cilët përkujtohen këto ditë, si tradicionalisht, edhe me veprimtari të tjera, me nderimet më të larta të kombit.
Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, shtëpi-muze, në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI: BETEJA E KOSHARES, KAPITULL I RËNDËSISHËM I FITOREVE TË UÇK-së
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.
Presidenti Thaçi tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike, presidenti Thaçi tha se arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës.
 “Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha presidenti Thaçi.
Pas fillimit të intervenimit të NATO-s, presidenti tha se në Kosovë u krijua një situatë e re.
“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm, si një akt që vuri në lëvizje popullatën e aftë për t’u angazhuar në radhët e UÇK-së në mbrojtje të atdheut. Fushatën e bombardimeve të NATO-s, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të dëbuar masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta. Në këto rrethana, Qeveria e Përkohshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me kuadrot e veta elite urdhëroi hartimin e operacionit “Shigjeta”, faza e parë e të cilit filloi këtu e 18 vjet më parë. Këtu në Koshare u dëshmua më së miri se drejtësia e kauzës dhe forca morale e një populli që lufton për lirinë e tij është më e madhe se çdo ushtri pushtuese”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.
 “Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.
 Presidenti theksoi se operacioni “Shigjeta”, brenda planit të studiuar mirë kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
“Operacioni ‘Shigjeta’ tregoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pjekur për të ndërmarrë edhe operacione të luftës frontale me forcat serbe”, shtoi presidenti Thaçi.
Për luftën e zhvilluar në Koshare dhe në Pashtrik, presidenti tha se përpos që kanë madhështinë e idesë dhe projektit, kanë edhe përmasën e sakrificës. 
“Sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi. 
Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik. 
“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Mbi këtë bazament, presidenti tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
 
KRYEMINISTRI MUSTAFA: BETEJA E KOSHARES VLERË DHE TRASHËGIMI PËR BREZAT QË VIJNË
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë,  më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani”, tha kryeministri Mustafa.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmit i përshëndeti komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha, në emër të familjarëve të dëshmorëve Bukurije Grajçevci, nëna e dëshmorit Burim Grajçevci, njëherit motra e dëshmorit Fitush Kukaj.
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.  
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Prandaj, ne të gjithë, jemi sot këtu për të dëshmuar edhe njëherë ndjenjën e mirënjohjes deri në përulje për pjesëmarrësit e Betejës më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Kurse në aspektin ushtarak nxjerrë në pah përdorimin e shkathtësive të larta taktike dhe operative në luftë kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe të armatosur.
Ashtu sikurse edhe në frontet tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares, deri në ditën e çlirimit, ishte aleati tokësor i betejës ajrore të NATO-së për çlirimin e Kosovës. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonë.
Është garanci se Republika e Kosovës, ashtu siç tha edhe presidenti, Forcën e saj të Sigurisë, do ta shndërroj në Forcë të Armatosur.
Stabiliteti jonë ekonomik dhe buxhetor, është garancia më e mirë se kemi stabilizuar financat dhe shteti jonë ka krijuar parakushte për ta financuar një ushtri moderne, partnere të denjë të NATO-s, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake të botës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani.
Të gjithë ne, sot ndjehemi krenar me veprën e heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, me veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
Por, po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndjenja e krenarisë për veprën e heronjve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” do të na nderojë të gjithëve dhe ne duhet të punojmë në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për të zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë pjesë të familjes euroatlantike.
Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në betejën e lavdishme të Koshares dhe në betejat tjera anekënd  Kosovës.
Trashëgimia e angazhimit të përbashkët për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar, për ta zhvilluar  Kosovën dhe për t’i zhvilluar të gjitha vlerat si trashëgimi për brezat që vijnë.
Për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, përgjigja më e mirë është ndërtimi i një Kosove të fortë, të zhvilluar ekonomikisht, të aftë për të mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror, të respektuar nga fqinjët dhe vendet tjera, si faktorë të paqes, unitetit dhe stabilitetit në rajon. Një Kosovë të dashur, të respektuar dhe të admiruar, para së gjithash nga qytetarët e saj.
Neve na takon ta duam Kosovën, sepse vetëm ashtu na respektojnë të tjerët. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve, nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe në beteja tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Veçanërisht, me përulje do të përkujtojmë edhe të rënët nga vendet tjera mike.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosharja, Mustafa, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT