• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lavdi dëshmoreve të 7 prillit 1939!

April 7, 2020 by dgreca

…në Durrës ranë gjatë luftimeve të mëngjezit nëntë dëshmorë: Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi-Kallço, Ibrahim Osmani, Isak Metalia, Ismail Reçi, Ramazan Velia, Hamit Veshko.

Nga Thanas L. Gjika/

Udhëheqja e Partisë Komuniste të Shqipërisë për ta paraqitur Luftën Antifashiste të popullit shqiptar si vepër të saj i minimizoi luftimet e ushrtisë mbretërore dhe të vullnetarëve të popullit të qyteteve Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, etj. Nga dëshmorët e asaj dite u përmend vetëm Mujo Ulqinaku, të cilit iu dha titulli Hero i Popullit, iu ndërtua një monument pranë portit të Durrësit dhe emri i tij u fut në tekstet e historisë së Shqipërisë.

Qeveritë e tranzicionit u përpoqën ta rivlerësonin Luftën Antifashiste të popullit tonë. Mbas vitit 1992 u njohën dhe shtatë dëshmorë të tjerë të Durrësit dhe emrat e tyre iu bashkuan emrit të Mujo Ulqinakut te plaka e re që u vu te pjedestali i monomentit. Gazetarë si Jozef Radi u interesuan dhe e plotësuan edhe më listën e të rënëve. 

Kështu sot dihet se në Durrës ranë gjatë luftimeve të mëngjezit nëntë dëshmorë: Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi-Kallço, Ibrahim Osmani, Isak Metalia, Ismail Reçi, Ramazan Velia, Hamit Veshko. Në mesditë një qytetar ortodoks durrsak dogji veten në shenjë proteste para trupave pushtues të rreshtuar në motorbicikleta para nisjes për Tiranë. Emri i këtij dëshmori të vetëflijuar nuk dihet ende.

Po ashtu dihet se në Shkodër ra dëshmor Tonç Toma, në Sarandë Mitro Dhimitiko dhe në Berat Zenel Bllana. Në luftimet që u zhvilluan në skelën e Vlorës ranë të paktën dy dëshmorë të tjerë, si i kanë dëshmuar Sami Repishtit në burgun e Burelit dy ish-pjesëmarrës të luftimeve. Emrat e tyre ende nuk janë verifikuar. Po Profesor Sami Repishti më ka njoftuar se familjarë të ish-kolonelit Sami Koka, ish-drejtor i përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare në shtator 1943 menjëherë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, krijoi listën e emrave të 12-13 dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe u lidhi pension patriotik familjeve të tyre.

Qeveria e sotme e drejtuar prej Kryeministrit Edi Rama ka për detyrë të kërkojë e të gjejë emrat dhe eshtrat e të rënëve të tjerë. Këto eshtra është në nderin e saj që t’i vendosë te memoriali i Vorrezave të Luftës Antifashiste në Tiranë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Thanas L Gjika

USTA LONI TREBICKA

February 22, 2020 by dgreca

Portret biografi nga Thanas L. Gjika/

Ne shqiptarët nuk e kemi shkruar historinë familjare, për pasojë shumëkush prej nesh di pak ose aspak për jetën dhe bëmat e srërgjyshërve të vet. Pas shpërnguljes masive që na ndodhi pas vitit 1991, e cila për fat të keq vijon akoma, mendoj se është mirë që çdo familje sa më parë ta shkruajë historinë e familjes së vet dhe një kopje ta dorëzojë në Arkivin e Shtetit e një kopje t’ua lerë pasardhësve. Nga ana e tyre brezat e ardhshëm t’i pasurojnë këto biografi me jetën dhe bëmat e tyre. Ky proces ndihmon për mbrojtjen e pasurive dhe traditave tona familjare, shoqërore dhe kombëtare, si dhe për jetëgjatësinë e diasporës.

          Loni Vasil Trebicka ka qenë një prej ustallarëve ndërtues më të shquar të Korçës. Ai ishte bir i një familjeje të ardhur në Korçë nga fshati malor Trebickë, ku burrat brez pas brezi kishin ushtruar zanatin e muratorit. Midis muratorëve të qytetit dhe krahinës së Korçës, Loni u shqua që në rininë e tij për guxim, profesionalizëm, ndershmëri dhe karakter qytetar të lartë. Duke ia njohur këto tipare, mendova që jetën dhe bëmat e tij të mos i lë pa i shkruar në letër, sepse duke i lënë pa shkruar ato do të harrohen si janë harruar jetët dhe bëmat e gjyshërve e stërgjyshërve tanë.

* * *

          Ambjenti shoqëror dhe profesional ku u rrit usta Loni

          Fshati Trebickë, ku kishin lindur të parët e fisit të cilit i përket kushëriri im Loni, bashkë me fshatrat fqinjë, deri aty nga viti 1470 bënin pjesë në krahinën që quhej Opar. Sulltan Bajaziti ia dha këto fshatra dhëndërit të tij Iliaz Bej Mirahorit si vakufe (vakëfe), kur ky u pensionua dhe deshi të pleqërohej në Korçë.  Që nga ajo kohë Vithkuqi, Panariti, Grabocka, Trebicka, Treska, Katundi dhe Stratobërda nuk u quajtën më Opar, por “zona e Vakëfeve”, si quhen dhe sot.

          Shumica e burrave të kësaj zone, si shumica e burrave të shumë fshatrave malorë të Kolonjës, Oparit dhe Dibrës, nuk bënin jetën e një bujku të zakonshëm. Në fshatin e tyre ata jetonin gjatë pesë muajve të ngrohtë të vitit si bujq dhe blegtorë, kurse gjatë shtatë muajve të ftohtë (nga fundi i tetorit deri në fund të majit të vitit tjetër) shkonin e punonin si muratorë në zona ku dimri ishte i butë pa ngrica. Kjo mënyrë jetese me emigracion të brendshëm (kurbet sezonal) ishte krijuar që në kohët e vjetra.

          Në qytetet dhe fshatrat e Beratit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Himarës ekzistojnë edhe sot shtëpi të bukura të ndërtuara prej këtyre ustallarëve me gurë të skalitur, me porta dhe dritare me harqe. Edhe murin e gjatë mbrojtës në anën e djathtë të lumit Osum anës Beratit e kanë bërë disa grupe ustallarësh të këtyre fshatrave bashkë me disa argatë beratas.

          Ustallarët e këtyre fshatrave punonin në grupe me nga 4-10 persona, midis të cilëve shquhej kryeustai. Ky luante rolin e ingjinierit dhe të sipërmarrësit të punëve. Çdo grup kishte një ose dy mushka për transportin e veglave, veshjeve dhe ushqimeve, si dhe një qen. Gjatë pushtimit turk e deri në vitin 1920 grupet e ustallarëve mbanin dhe një ose dy pushkë për t’u mbrojtur nga hajdutët. Sasia e pjesëtarëve të grupit përcaktohej nga madhësia e objektit (shtëpisë) që do të ndërtohej.

                    * * *

          Fëmijëri dhe rini e vështirë

          Loni u lind në Trebickën e Poshtm, kur i gjithë fshati (Trebicka e Poshtme dhe e Sipërme) kishte rreth 200 familje, pra nja 1.000 banorë, si ka shkruar Polikron Simi Trebicka në librin e tij “Trebicka në rrjedhën e viteve” botuar më 1993. Gjyshi i Lonit, i cili ka qenë dhe gjyshi im, quhej usta Thanas Xheka (Xhekë është forma e shkurtër e emrit Vangjel). Nusja e Thanas Xhekës pasi lindi më 1884 djalin e parë Vasilin, vdiq pa mbushur fëmija një vit. Kjo vdekje e detyroi gjyshin Thanas të rimartohej me bashkëfshataren Nerënxa për të rritur djalin e vetëm 1-vjeçar. Nga kjo martesë në vitet e parë lindën disa fëmijë të cilët jetua vetëm disa javë ose muaj, kurse më 1894 u lind Ligori (Goni, si e quanim shkurt, babain tim). Pra Vasili dhe Ligori ishin vëllezër me diferencë 10 vjet, të cilët i rriti Nerënxa. Kjo nuse edhe pse në fakt ishte njerkë e Vasilit, e deshi dhe e rriti atë si djalin e vet. Po ashtu dhe Vasili që nga mosha 1-vjeçare e njohu dhe e deshi atë si nënën e vet.

          Gjatë dimrit 1902-1903 ndodhi një tjetër fatkeqësi, kryeusta Thanasi u sëmuar nga pleviti gjatë punës për ndërtimin e një shtëpie në qytetin Kavallë, sot qytet i Greqisë. Ai vdiq në mars të vitit 1903 duke lënë djalin e madh Vasilin 19-vjeçar dhe Ligorin e vogël 9-vjeçar. Varrimi i usta Thanasit u bë në Kavallë, por varrin e tij nuk ka pasur rast ta vizitojë asnjë prej ne pasardhësve. Mbas vdekjes së Thanasit, vëllai i tij usta Sotiri mori drejtimin e grupit ku u shtua dhe Ligori si ndihmës baltaxhi. Sotiri e ndërroi vendin e punës dhe në tetor të vitit 1903 shkoi në Dhoksat të Gjirokastrës për ndërtim shtëpish. Mbas disa vjetësh, në shtator të vitit 1908 usta Vasili u martua me vajzën Kondile, bijë nga fshati Treskë. Nga kjo martesë u lind Loni në fillim të marsit 1910.

          Para vitit 1913, gjendja e varfër dhe dëshira për të mos kryer shërbimin ushtarak në vende të largëta të Perandorisë Turke, i detyronte shumë të rinj të krishterë të Vilajeteve Manastir e Janinë (Shqipëri e Jugut) të merrnin rrugën e kurbetit për Egjipt, Rumani, Bullgari e pas vitit 1884 edhe në SHBA. Duke ëndërruar një vend pune ku mund të paguheshin më mirë dhe mund të mblidhnin pare për të përmirësuar jetën, në fund të marsit 1910, Vasili bashkë me Ligorin dhe disa kushërinj morën rrugën e kurbetit për Amerikë. Pasi kaluan disa muaj në Boston MA dhe dimrin e ashpër në Concord NH, në pranverë të vitit 1911 ata shkuan me tren në qytetin Seatle WA në brigjet e Oqeanit Paqësor, ku nuk binte borë. Ligori dhe  kushërinjtë u rregulluan në punëra të ndryshme si ngarkim-shkarkim peshku, derdhje çeliku nga fonderia, prerrje trupash në sharra, etj. Kurse Vasilin, duke qenë usta shumë i mirë, trupmadh dhe i fuqishëm, e mori në punë një grup muratorësh për ndërtim pallatesh. Mirëpo pas dy vjet pune, ai u dëmtua rëndë në kokë sepse ra nga skela e katit të tretë. Në atë kohë nuk kishte inshurenca për ustallarët, prandaj vëllai i tij pas vizitave të para te mjekët, e mbajti pa punë dy vjet në konak (dhoma e përbashkët, ku jetonin ata të dy dhe 5 kushërinjtë, djemtë e hallës: Hari, Simi, Panua, Nisi dhe Rakua, bijtë e Sotir Stefanit).

          Në vitin 1915, kur u pa se Vasili nuk kishte përmirësim, Ligori dhe kushërinjtë vendosën ta dërgonin në atdhe pranë nënës, gruas e djalit. Trebicka dhe shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë së Jugut ishin djegur gjatë vitit 1914 prej ushëtrisë greke (andartëve), për shkak se burrat e atyre fshatrave, kur i pyesnin ushtarët grekë “a jeni grekë ortodoksë?”, ata u përgjigjeshin “ne jemi shqiptarë ortodoksë”. Shumë banorë që shpëtuan gjallë të Trebickës, Panaritit, Katundit, Stratobërdës, Treskës, Grabockës, Orgockës, Koblarës, etj, pas këtyre masakrave u shpërngulën nga vatrat e tyre dhe u vendosën në Korçë, ose në qytetet dhe fshatrat e Beratit, Përmetit, Gjirokastrës e Himarës, ku kishin miq e të njohur, të cilëve u kishin ndërtuar shtëpitë. Kurse xhaxha Sotiri me familjen e tij dhe nënë Nerënxa me nuse Kondilen dhe Lonin e vogël, si shumë bashkëfshatarë të tjerë, pasi u fshehën gjatë masakrave, u rikthyen te shtëpitë e tyre. Kur erdhi Vasili nga Amerika më 1915 shkoi në fshat, ku u bashkua me nusen, djalin dhe nënë Nerënxën. Mirëpo në pranverë të vitit 1916 ushtria greke sulmoi përsëri qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë së Jugut. Djegiet dhe masakrat u përsëritën. Kësaj here pothuaj gjithë trebickallinjtë u shpërngulën nga fshati i tyre përgjithnjë. Kjo shpërngulje e detyroi fisin tonë të ndahej më dysh: usta Sotiri, me gruan e vet dhe djalin Andon, i cili ishte i martuar me Kostandinën nga fisi Koçollarë i Koblarës, shkuan në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës. Kurse Vasili me gruan e tij, që ishte shtatzënë, me djalin Loni dhe nënë Nerënxën, shkuan në Korçën e afërt, ku zunë një dhomë me qira.

          Shumica e familjeve të shpërngulura pasi sistemoheshin në qytete e fshatra të tjerë merrnin për mbiemër emrin e fshatit nga ishin me origjinë. Kështu Vasil Thanas Xheka pas vajtjes në Korçë u quajt Vasil Thanas Trebicka. Këtë mbiemër morën dhe nënë Nerënxa,  nuse Kondilja dhe Loni, kurse Ligori në Amerikë vijoi të quhej Ligor Thanas Xheka. Nga ana e tij usta Sotiri, kur shkoi në Dhoksat u quajt Sotir Xhekë Thimio, kurse i biri u quajt Andon Sotir Thimio. Mbiemrin Thimio nuk e di njeri pse e mori kjo degë e familjes sonë. Andoni me Kostandinën lindën tre fëmijë: Viktoria, Pandeliu dhe Apostoli, të cilët kanë lënë pasardhës dhe këta kanë fëmijë që jetojnë në Gjirokastës, Tiranë, Korçë, Itali dhe SHBA.

          Gjendja ekonomike e familjes së Vasilit në Korçë ishte shumë e vështirë sepse në qytet nuk kishte shtëpinë e vet, kopshtin e bashtën, ato pak dele dhe pula. Këtu më 1916 familja u shtua dhe me vajzën Athina dhe më 1918 edhe me djalin Kristaq. Vasili nuk mund të punonte dhe ato pak dollarë që solli u mbaruan shpejt. Ligori dërgonte shuma të vogla dollarësh çdo gjashtë muaj, që nuk mjaftonin për të paguar qiranë dhe për të blerë ushqimet për gjithë familjen. Prandaj nënë Nerënxa dhe nusja Kondile filluan të punonin ku të mundnin si pastruese, larëse rrobash, gatuese gjellësh, etj. Në nëntor të vitit 1920 u kthye dhe Ligori nga Amerika. Me nënën e tij ai zuri një dhomë tjetër me qira dhe u martua pas dy javësh me një vajzë që ia kishte gjetur nëna e tij, që kur  ishte në mërgim.

          Vitet 1921-1922 sollën disa fatkeqësira në jetën e Ligorit. Nusja kishte qenë e sëmurë me plevit dhe sa vinte rëndohej. Vizitat te mjekët nuk po e shëronin sepse në atë kohë nuk ekzistonin antibiotikët. Në verë të vitit 1921 nevoja për të pasur pare për të shpenzuar nëpër doktorët dhe për të blerë orendi, ushqime të mira e veshje për punë, e detyruan Ligorin që të pranonte propozimin e disa miqve për t’i këmbyer dollarët flori me dhrahmi greke monedha në letër që ishin në qarkullim. Ndërkohë në shtator 1921 i mbaroi afati 1-vjeçar i pasaportës që kishte marrë prej Kostë Çekrezit, Konsullit të Shqipërisë në Washington DC. Pra ai nuk mund të kthehej më në SHBA. Në nëntor i ndodhi fatkeqësia tjetër, i vdiq  nusja, kurse në mars 1922 qeveria greke shpalli se i konsideronte të pavlefshme kartmonedhat dhrahmi që kishin mbetur jashtë shtetit. Kështu, kursimet e mbledhura me djersë e mund në kurbet, Ligorit i shkuan kot. Kartmonedhat e dhrahmive 100-mijshe, 50-mijëshe dhe 10-mijëshe ishin në shtëpinë tonë me tufa, me të cilat më vonë do të luanim ne fëmijët. Kur i thamë një ditë se nuk duhej ta vijonte miqësinë me ata që ia ndërruan dollarët me dhrahmitë letër, sepse ata ia kishin hedhur, ai na tha se fajin e kishte ai vetë që pranoi pa pyetur dhe jo ata që i propozuan atë pazar këmbimi.

          Pas vdekjes së nuses së parë, humbjes së kursimeve dhe skadimit të afatit të pasaportës, Ligori e mblodhi mendjen se duhej të rifillonte jetën nga e para me kurajo dhe optimizmin. Në korrik të vitit 1922, kur ishte 28-vjeçar kërkoi për nuse vajzën 17-vjeçare Meropi, bijë e një familjeje nga Trebicka që kishte zbritur në Korçë para vitit 1900. Meropi ishte vajza e vetme e zotit Josif Doko Simo, të cilin Ligori e kishte njohur gjatë viteve të kurbetit në Amerikë. Në gusht e mori nusen në shtëpi pa dasmë. Një muaj më vonë u bashkua si usta me një grup muratorësh për të ndërtuar shtëpi në fshatrat e Tepelenës. Kur u kthye në maj, shkoi me nusen te fotografi dhe bëri foton me rroba dasme si kujtim.

          Në verë të vitit 1922, Loni mbaroi shkollën fillore. Pa i mbushur ende të 13 vjetët filloi të kërkonte punë. Xhaxhai i tij, Ligori iu lut të bashkohej me grupin që do bashkohej ai për ndërtime në fshatrat e Tepelenës, por prindërit e tij, nënë Kondilja dhe Vasili, nuk pranuan që djali të largohej nga Korça. Kështu Loni filloi punë si baltaxhi pranë një grupi muratorësh, shokë të babait të tij. Mbas disa vjetësh ai u bë ndihmësusta dhe në vitin 1929 fitoi pozitën e ustait. Ashtu si i ati dhe ai u bë usta i talentuar pa studiuar në ndonjë shkollë profesionale, por duke punuar me pasion dhe i ndihmuar prej trupit të fortë dhe aftësive individuale.

          Usta Loni ishte trupmadh si i ati, i fuqishëm, që dallohej për punën e shpejtë e të pastër. Të gjithë ustallarët korçarë që punuan me të, çuditeshin se si ai nuk e ndoste vendin e punës edhe as rrobat që mbante veshur.

          Guxim dhe arritje profesionale

          Në shkurt të vitit 1931 në qytetin e Korçës ra një tërmet që bëri shumë dëme. Midis dëmeve ishte dhe bashkimi i dy kullave të këmbanoreve të Kishës së Shën Gjergjit. Kjo kishë ishte ndërtuar në vitet e pushtimit turk 1898-1905 si dhuratë prej atdhetarit Anastas Avramidh Lakçe. Ky atdhetar korçar i mërguar në Rumani, pasi u pasurua i dhuroi shoqërisë “Dëshira” të Sofjes paret për blerjen e shtypshkronjës ku botoheshin falas librat e Naim Frashërit dhe atdhetarëve të tjerë e më tej për ndërimin e kishës madhështore të Shën Gjergjit, një monument madhështor arkitektonik, ndërtuar e gjitha me gurë të mëdhenj gri të skalitur. Mirëpo dëmtimi i dy kullave të këmbanoreve shkaktoi panik në popull. Pritej që ato të binin nga dita në ditë, mirëpo nuk po binin vetë. Populli ndërpreu vajtjet në kishë për të kryer ceremonitë fetare. Askush nuk guxonte të hipte për të çmontuar kullat e këmbanoreve.

          Pikërisht në këtë kohë u shfaq guximi, zgjuarësia dhe profesionalizmi i usta Lonit, këtij trebickalliu 21-vjeçar. Vinça ende nuk kishte në Korçë. Pasi u konsultua me ing. Anastas Pilikën, i cili kishte kryer studimet në Amerikë në Universitetin e qytetit Detroit MI., Loni ndërtoi dy palë skela, njërën nga ana ballore e kishës dhe tjetrën nga ana e prapme e kullave. Kur përfundoi ndërtimin e tyre filloi çmontimin e kullave të këmbanoreve duke hequr pjesët përbërëse nga maja deri te niveli i çatisë së kishësh. Pastaj çmontoi skelat dhe mbylli vrimat e mëdha që u krijuan nga prishja e kullave. 

          Ingjinier Pilika pas këtij veprimi të guximshëm e vlerësoi djaloshin dhe e mori në grupin e ustallarëve me të cilët po ndërtonte Katedralen “Zonja e Madhe” pranë Mitropolisë. Mirëpo, kur përfundoi ndërtimi i kishës doli problemi i vendosjes së tre kryqeve, dy mbi kullat e këmbanoreve në ballë dhe një mbi kupolën e madhe në mes të kishës. Përsëri ishte usta Loni, ai që sugjeroi zgjidhjen dhe guxoi ta zbatonte atë. Mbi skelën e kupolës ai ndërtoi një trekëndësh të lartë, në majë të të cilit mbërtheu një çengel dhe kaloi aty litarin me të cilin lidhi veten dhe i detyroi shokët ta tërhiqnin litarin derisa ai të arrinte në pozicionin e duhur mbi kupolë. Kështu ai mundi të vendoste pak çimento te vrima dhe nguli kryqin e parë. Po kështu veproi dhe për vendosjen e dy kryqeve të tjerë mbi kullat e këmbanoreve. Vendosja e tre kryqeve ia rriti famën ustait të ri.

          Gjatë viteve 1931-1932 duke punuar me ing. Pilikën për ndërtimin e Katedrales “Zonja e Madhe”, Loni përvetësoi ndërtimin me tulla dhe leximin e projekteve të ndërtimit. Më tej ai u stërvit të skiconte vetë tre lloj projektesh të thjeshta për ndërtim shtëpish të vogla private me një ose dy kate. Shumë shpejt ai i nguliti në mendje skicat dhe sasinë e materialeve që duheshin për ndërtimin e secilës skicë. Po ashtu ai nguliti në mendje dhe koston në lek të materialeve dhe se sa duhej paguar puna e tij dhe e ustallarëve. Me të tilla njohuri praktike ai bënte pazar me ata që donin të ndërtonin shtëpi të re. Duke punuar me cilësi e ndershmëri, ky usta kishte shumë kërkesa pune për ndërtim shtëpish të reja, prandaj ai nuk pati kurrë kohë të merrej me meremetim shtëpish të vjetra, ndërrim çatish, ngritje avllish, etj.

          Vepra arkitektonike me vlera kombëtare

          Nga duart e usta Lonit dhe të shokëve të grupit të tij në qytetin e Korçës ka shumë shtëpi, vila, godina qeveritare, fabrika e objekte të tjerë. Midis tyre janë disa ndërtesa madhështore me vlera arkitektonike të spikatura, të cilat janë frut i punës së tij dhe shokëve të tij gjatë zbatimit të projekteve të ingjinierëve A. Pilika dhe Qemal Butka në vitet 1931-1938, të ingjinierëve italianë në vitet 1938-1943 dhe më vonë edhe të ingjinierëve sovjetikë në vitet 1952-1958. Po ndalem të përshkruaj disa prej tyre:

          Varri monumental i Dr. Mihal Turtullit

          Te vorrezat e vjetra të qytetit të Korçës, kur ato ishin rreth kishës së Shën Mërisë, që ndodhej në daljen veriore të qytetit, pra në të djathtë të rrugës Korçë-Tiranë, usta Loni ndërtoi në vitin 1935 një varr monumental, varr-shtëpi, të cilin e veshi krejt me mermer të bardhë të importuar nga Greqia. Ky varr monumental u ndërua për okulistin dhe politikanin Dr. Mihal Turtulli, atdhetarin që kishte shkrirë pasurinë e vet për çështjen kombëtare. Ky varr u ndërtua sipas projektit të një varri-shtëpi që ishte ndërtuar për një mikun e Dr. Turtullit në Gjenevë të Zvicrës, ku ai jetoi disa vjet. Dimensionet e tij ishin: 3.1/2 metra të gjerë, 4 metra të gjatë dhe 6.1/2 metra të lartë. Prerja e copave të mermerit në forma të ndryshme dhe vendosja e tyre ishin punë delikate dhe të vështira, që nuk mund t’i realizonte një usta i zakonshëm. Ky varr monumental ishte një munument kulture që nuk ekzistonte në asnjë nga vorrezat e qyteteve shqiptare.

          Fatkeqësisht, në vitet 1961-1963 gjatë zhvendosjes të vorrezave prej anës veriore tek ana jugore e qytetit, ky varr, ashtu si dhe kisha e Shën Mërisë e ndërtuar rreth vitit 1300, bashkë me shumë varre të tjerë të mermertë me vlera muzeale u shkatërruan dhe nuk u rindërtuan te vorrezat e reja. Në ato vite konsideroheshin objekte me vlera të mëdha historike e muzeale objektet që kishin lidhje me Luftën Antifashiste dhe ndërtimin e socializmit. Kështu Korça e traditave “borgjeze” i humbi dy monumente kulture, kishën 800-vjeçare të Shën Mërisë, e cila kishte qimitir (ambjent nëntokësor ku ruheshin eshtrat e njerëzve të shquar) dhe varrin-shtëpi të Dr. Turtullit, objekte që nuk gjendeshin askund në Shqipëri. 

          Vila madhështore e Dr. Sotir Polenës

          Doktor Sotir Polena, pasi përfundoi në Austri studimet e larta për mjekësi dhe specializimin pasuniversitar për kirurgji, erdhi në qytetin e lindjes, në Korçë, në vitin 1930. Këtu ushtroi profesionin e mjekut kirurg me shumë sukses. Në vitin 1933 ai porositi jashtë shtetit një projekt për ndërtimin e një vile të madhe, ku duhej të përfshihej brenda saj shtëpia dykatëshe ku banonte familja. Godina e re u ndërtua me katër kate. Në katin e parë dhe të dytë u bënë vetëm shtesa anësore mbështetur mbi shtylla betoni. Kjo pjesë u mbulua me soletë betoni dhe mbi të u ndërtuan dy kate të tjerë. Dy katet e parë do të vijonin të shërbenin si shtëpi banimi për familjen dhe shërbëtorët. Kurse kati i tretë do të shërbente si klinikë për vizita dhe operacione. Kati i sipërm do të shërbente si pavion për të mbajtur të operuarit disa ditë derisa të forcoheshin para se t’i dërgonte në shtëpitë e tyre. Me këshillën e arkitekt Pilikës ai ia besoi zbatimin e projektit grupit të ndërtuesve që drejtonte usta Loni Trebicka.

          Aty nga vitet 1960-1961, Loni dhe unë po kalonim para kësaj vile të bukur. Duke parë nga vila e pyeta se pse kishte mbetur pa u suvatuar nga jashtë. Ai më tregoi se gjithëçka kishte ecur mirë derisa u përfundua krejt godina dhe u suvatuan ambjentet nga brenda. Mirëpo kur ishin ndërtuar skelat për të filluar suvatimin e godinës nga jashtë, doktori hipi në skelën e katit të dytë për të parë si po shkonin punët. Në një moment ai u pengua dhe ra nga skela poshtë, por nuk pati dëm në trup. Kjo ngjarje iu duk si shënjë e keqe dhe dha urdhër të çmontoheshin skelat dhe të mos kryhej suvatimi i godinës. Prindërit e doktorit kishin lindur nëntë fëmijë, por prej tyre jetonte vetëm ky djalë. Kuptohet se rënia nga skela e trembi atë, ose prindërit e tij, se mos mbetej familja pa trashëgimtar…

          Lënia pa suvatuar e asaj vepre ishte një nga pengjet e usta Lonit. Fatkeqësisht edhe sot ajo vilë e bukur ka mbetur e pasuvatuar nga jashtë prandaj nuk e tregon bukurinë e vet sa dhe si duhet. Në mjaft vende pjesët prej betoni kanë filluar të dëmtohen nga erozioni natyror, sepse cimentoja greke që ishte përdorur nuk ishte e markave të larta.

          Godina e Bankës së Shtetit

          Banka shtetërore si institucion në Shqipëri u krijua në vitet 1923-1924. Në Tiranë dhe në qytetet e tjerë ky institucion e kryente detyrën në disa godina jo të përshtatëshme.  Për këtë arsye Mbreti Zog i I në bashkëpunim me ingjinierë arkitektë italianë ndërtoi në vitet 1935-1936 godina të reja për të kryer funksionin e bankës shtetërore në qytetet kryesore të vendit. Këto ndërtime Mbreti i realizoi me kreditë që merrte prej Italisë. Me ato kredi ai bëri përveç godinave të bankave dhe disa ndërtime të tjera si rrugë automobilistike për lidhjen e qyteteve kryesore, urën madhështore të Milotit mbi lumin Mat, godinën e maternitetit të Tiranës, Hotel Dajtin, stadiumin, etj.

          Arkitekti italian vendosi që Godina e Bankës së Shtetit në qytetin e Korçës të ndërtohej në dy katet e parë me gurë të mëdhenj gri të skalitur, kurse kati i tretë që do të ishte shtëpi banimi e drejtorit të bankës, të ndërtohej me tulla të kuqe. Për skalitjen e gurëve gri u caktua një grup gurgdhëndësish që drejtohej prej usta Kristaq Papaargjirit. Kurse për zbatimin e projektit, pra për ndërtimin u caktua usta Loni me grupin e tij. Kjo godinë zbukuron qytetin edhe sot pranë qendrës te këndi që formohet nga ndarja midis rrugës Korçë-Tiranë dhe rrugës Korçë-Bilisht.

          Prefektura / Komiteti Ekzekutiv dhe Gjykata

          Midis ndërtimeve që u bënë para pushtimit italian në qytetin e Korçës, ku mori pjesë usta Loni me grupin e tij, është dhe godina e madhe me dy kate, që u ndërtua në të majtë të Lumit të Mborjes. Kjo godinë u ndërtua sipas projektit të hartuar prej ing arkitektit Qemal Butka, që kishte mbaruar studimet në Vjenë në vitin 1931, me kate të lartë dhe hyrje madhështore. Hyrja e saj kryesore është realizuar me një portal, që përfshin të gjithë lartësinë e fasadës mbështetur në kolona të forta. Ndërtimi i kësaj godine u krye gjatë viteve 1936-1937. Mbasi mbaroi ndërtimi, qeveria mbretërore e përdori për zyrat e Prefekturës dhe të Gjykatës. Pas Luftës së Dytë Botërore në këtë godinë u vendosën zyrat e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit me seksionet përkatës dhe Gjykata.

          Për ndërtimin e kësaj godine u përdorën mure me tulla të suvatuar nga jashtë, kurse për ndarjen e pjesës së themeleve nga muri i katit të parë dhe për ndarjen midis dy kateve u përdorën gurë të skalitur të nxjerrë nga mademi i gurit të Polenës. Guri i mademit të Polenës është gur i kuq zbukurues më i fortë se guri gri. Gurët e kuq u përdorën edhe për ndërtimin e qosheve të godinës, anësoret e portave dhe të dritareve, si dhe për shtyllat te hyrja kryesore e godinës.

          Me skalitjen e gurëve të kuq për këtë godinë u caktua një grup gurgdhëndësish që drejtohej prej usta Guri Qiricit, një mjeshtër i punimit të gurit me origjinë nga fshati Koblarë, shok i usta Lonit. Pra ky objekt arkitektonik është gjithashtu një kujtim i punës së kujdesëshme të kryemjeshtrave Loni Trebicka e Guri Qirici dhe i punëtorëve të tyre.

          Godina në formë vapori

          Familja e pasur korçare me mbiemrin Çekani ndërtoi në qendër të qytetit gjatë viteve të Mbretërisë një godinë të bukur me gjashtë kate në formë vapori. Në katin e parë kishte një farmaci dhe disa dyqane tregëtie. Mbi katin e pestë kishte një verandë e ballkon të madh prej ku dukej qyteti si në pëllëmbë të dorës. Farmacia mbane emrin “Farmacia Çekani”. Me formën e veçantë dhe me lartësinë e saj kjo godinë nuk gjendej në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë. Duke pasur në sfond Malet e Moravës dhe përpara Monumentin e Ushtarit të Panjohur të Odise Paskalit, kjo godinë shumë shpejt u bë simbol i qytetit. Mirëpo mbas ardhjes në pushtet të qeverisë komuniste, kjo godinë private u shtetëzua, të zotët e saj u degdisën.

          Nëpunësve të urbanistikës së qytetit në vitet 1970-të u lindi nevoja për ndërtimin e një godine të re për të vendosur Komitetin e Partisë së Rrethit, organika e të cilit fryhej gjithnjë e më shumë. Ata i ranë shkurt punës për të krijuar sheshin e nevojshëm për ndërtesën e re. Prishën godinën madhështore, “Vaporin”, simbolin arkitektonik të qytetit, godinë që nuk kishte kush ta mbronte sepse ishte pronë shtetërore. U zhduk nga qyteti edhe kjo godinë monumentale ashtu si u zhdukën dhe Kisha e Shën Mërisë, Kisha e Shën Gjergjit, vorrezat e lashta, Katedralja Zonja e Madhe, etj. Qeveritarët e sistemit komunist edukoheshin prej partisë shtet të mendonin se historia e kulturës dhe e artit shqiptar fillonte me historinë e objekteve të kulturës dhe artit që po ndërtoheshin prej shtetit komunist. Nuk mendonin se prishja e një objekti kulturor e artistik është humbje e përjetshme.

          Për ndërtimin e godinës në formë vapori kishte punuar disa vjet edhe usta Loni me punëtorët e tij. Prandaj ai kur pa shkatërrimin e kësaj godine simbol, u mërzit pa masë dhe më tha me vrarje zemre: “Nuk ndreqet Korça duke prishur kënaçe për të bërë bucela. Sot për ne ustallarët është ditë zie”.

          Në vitet 1930-1943 në Korçë si në gjithë qytetet e Shqipërisë shumë njerëz që merreshin me tregëti dhe profesione si ndërtues, suvatues, bojaxhinj, etj patën fitime të mira. Tregëtarët italianë sillnin materiale moderne të llojllojshme me çmime të leverdisëshme. Kjo situatë u dha mundësi të pasurve të porositnin ndërtim shtëpish të reja, kurse ustallarëve u erdhi rasti të shpalosnin më tej aftësitë e tyre profesionale.

          Loni me grupin e tij të punës ndërtoi në këto vite krahas godinave qeveritare dhe një numër shtëpish private luksoze. Të tilla janë disa vila midis të cilave po përmend shtëpinë e nje familjeje, e cila është e dokumentuar si punë e usta Lonit nga një foto që ruan djali i tij Vaskë Trebicka. Kjo vilë pas vitit 2000 u muarr me qira nga qeveria greke për të sistemuar aty Konsullatën Greke të Korçë. Të gjithë gurët e skalitur të kësaj godine mbi themelet e deri te mesi i katit të dytë i kanë punuar duart e usta Lonit, po ashtu dhe anët e dritareve ai i ndërtoi me tulla të prera me sqaparin e tij duke krijuar dritare të veçanta artistike. Mbas ndërtimit të karabinasë së kësaj shtëpie, ustai porositi fotografin t’i bënte një kujtim. Doli në foto duke e mbështetur dorën e majtë te muri anësor i saj për t’u treguar pasardhësve se aty ai kishte derdhur djersën dhe talentin e tij për gdhëndjen e gurëve dhe tullave. Ata gurë e ato tulla e kanë parë fytyrën e përqendruar e të djersitur të usta Lonit duke goditur mbi to me duart e tij të arta për t’i kthyer nga gurë e tulla të zakonshme në objekte të bukur artistikë për ndërtim muresh dekorativë. 

          Godina fabrikash në vitet e ndërtimit të socializmit

          Pas Luftës së Dytë Botërore, puna për ndërtimin e shtëpive private u kufizua. Disa pak ndërtime që vijuan të bëheshin pas vitit 1944 binin në sy për cilësinë e ulët të materialeve që prodhoheshin në vend, për zvogëlimin e dimensioneve dhe varfërinë e përgjithëshme. Qeveria që erdhi në fuqi u përpoq të ndërtonte pallate me apartamente banimi, si dhe fabrika e punishte për punësim të popullsisë. Politika shtetërore synonte shtetëzimin e çdo prone private dhe stimulonte vetëm ndërtimet shtetërore. Mbas vitit 1950 edhe usta Loni u fut në punë në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve  (NShN). Ai punoi tani për ndërtimin e disa prej objekteve shtetërore, por pa e braktisur punën private për ndërtimin e disa shtëpive të vogla pas orarit të punës shtetërore dhe sidomos gjatë ditëve të djela. Grupi i tij i punëve private mbeti po ai ku bënin pjesë ustallarët Thomo Orgocka, Pano Petro, Spiro Grabocka dhe baltaxhiu i palodhshëm Rako Niçka me origjinë nga Qyteza.

          Në fillim të viteve 1950 Loni punoi për ndërtimin e Fabrikës së Sheqerit në Maliq, pastaj për ndërtimin e një fabrike të vogël qelqi brenda në qytetin e Korçës, më tej për ndërtimin e Ndërmarrjes së Konservimit, të Birrarisë dhe kinemasë Republika dhe në vitet 1963-1964 për ndërtimin e Fabrikës së Qelqit afër fshatit Mborje. Pas këtij objekti, Loni u punësua si usta i kësaj fabrike për ndërtime e riparime të ndryshme dhe kryeisht për riparimin e kullave të zjarrit të saj. Me ndërtimin e fabrikave të tjera të qelqit në Tiranë e Kavajë, Loni ishte ustai kryesor që dërgohej për ndërrimin e tullave të shamotit edhe në kullat e zjarrit të këtyre dy fabrikave të reja.

          Tullat e shamotit kishin aftësinë që të ruanin temperaturën e lartë gjatë punës për shkrirjen e qelqit, prandaj me to visheshin nga brenda kullat e zjarrit. Mirëpo ato kishin një të keqe se dëmtoheshin dhe duheshin ndërruar çdo vit. Kjo ishte puna cfilitëse që i shkurtoi jetën usta Lonit me shokë, sepse tullat nuk ftoheshin menjëherë pas shuarjes së zjarrit. Ato e mbanin temperaturën e lartë për shumë ditë e javë, por punëtorët e prodhimit të qelqit nuk mund të mbaheshin gjatë pa punë, prandaj drejtoria e detyronte grupin e ustallarëve që të fillonte punën e heqjes së tullave që kur temperatura kishte zbritur në 300 gradë celsus. Hyrja në furat e nxehta dhe dalja prej aty në temperaturat normale, pra puna në 300 gradë brenda furave dhe dalja në ambjentet me 40-50 gradë (pra puna në diferencë temperaturash prej 250 gradësh) u shkaktonte shpesh ustallarëve bronkopleumoni. Përdorimi i antibiotikëve i shëronte bronkopleumonitë duke kalcifikuar pjesën e sëmurë të mushkërive. Me pak fjalë, kalcifikimi nxirrte jashtë përdorimit pjesë të tëra të mushkërive. Në vitin 1970, kur usta Loni doli në pension, atij i funksiononte vetën një e pesta e mushkërive. Kjo gjëndje i shkaktoi largimin e parakohshëm nga jeta më 1979, pra 69 vjeçar, këtij burri dikur të fuqishëm, që ngrinte i vetëm edhe gurë 200 kilogramsh. Një gur i tillë ishte dhe guri i skalitur prej tij, të cilin, pasi ia vunë dy ustallarët mbi dy duart e tij e ngriti dhe e vendosi sipër kollonave mbajtëse të portës së jashtme të shtëpisë që ndërtoi për vete në vitet 1944-1946 te rruga Kristaq Isak, ku banoi familja jonë për shumë vjet.

          Medalja e Punës për metodën “Zhandarova ta kalova”

          Gjatë ndërtimit të Fabrikës së Shqerit në Maliq u dërguan prej Bashkimit Sovjetik krahas ingjinierëve dhe arkitektit dhe një usta për dhënie përvoje në ndërtimin e mureve me tulla. Ky usta e kishte mbiemrin ZHANDAROV dhe metodën e punës së tij që do të përhapte në Shqipëri e quante “Metoda Zhandarova“.

          E vunë usta Lonin te një mur dhe usta Zhdanovin në murin karshi që të dëshmonte metodën e tij. Të dy kishin në dispozicion nga një baltaxhi, nga një govatë te këmbët për mbajtjen e baltës dhe si vegla pune kishin vetëm nga një mistri, një çekan dhe nje plumbçe (shaull). Mirëpo usta Zhandarovi mbajti të govata e tij e baltës dhe një lopatë, kurse Lonit nuk i dhanë lopatë. Filloi gara: dy baltaxhinjtë sillnin baltë dhe e hidhnin te govatat e dy ustallarëve. Usta Loni e merte baltën me mistrinë e tij dhe e hidhte mbi mur, pastaj e shtronte dhe vendoste tullat. Kurse ustai sovjetik e merrte baltën me lopatë nga govata dhe e hidhte në mur, e perhapte dhe shtronte tullat. Për disa minuta muri i usta Zhdanovit po ecte më shpejt se muri i usta Lonit. Ky, kur e kuptoi djallezinë e mysafirit, i tha baltaxhiut të vet: “Ma hidh baltën drejt e në mur mos e zbraz te govata“. Kështu baltën që sillte baltaxhiu me govatën e tij filloi ta hidhte drejt e mbi murr, Loni e përhapte me shpejtësi dhe mbi të vinte tullat sipas radhës duke i goditur nga pak me çekanin e tij për t’i niveluar. Në fund të orës së parë, muri në krahun e usta Lonit ishte rritur me disa rreshta më shumë. Ustai sovjetik, për të mos u turpëruar edhe më keq, kërkoi të mbyllej gara dhe usta Loni të shpallej fitues. Loni, gjatë drekës tha me shkaka se metodën e tij mund ta quanin ‘Zhandarova ta kalova’.”

          Në Kuvendin Popullor, ambasada sovjetike kishte sjellë disa medalje pune të gatshme me drapër, çekan, kazmë e lopatë për t’ua dhënë si stimul punëtorëve të dalluar në Shqipëri. Pas dy-tre muajsh një të tillë i erdhi dhe usta Lonit, mjeshtrit që tejkaloi “Metodën Zhandarova”.

          Qytetaria dhe shpirtmadhësia e usta Lonit

          Loni Trebicka, si në rini kur punonte dhe fitonte pare dhe gjatë viteve të pensionit, ishte njeri që kishte shoqëri të gjerë dhe në shoqëri dallohej për bujari, qiraste këdo me të cilin ulej në lokale të ndryshme. Ai ishte nga ata njerëz që janë të zotë të bëjnë pare, por dijnë dhe t’i prishin kur është rasti për t’u nderuar. Kur ishte beqar, Loni pasi kishte punuar si ndërtues, shkonte në mbrëmje disa orë te kinema “Luksi” ku rinte te dera për të prerë biletat e spektatorëve dhe shikonte falas filmat në seancën e fundit. I mjaftonin gjashtë orë gjumë.

          Më 24 shtator 1933 djemtë muratorë të Korçës krijuan shoqërinë e parë me emrin “Shoqëria profesionale e mjeshtërve për ndërtime godinash PUNA”. Usta Loni dhe disa shokë të tij ishin ndër nismëtarët e saj. Në statutin e vet kjo shoqëri shpalli se kishte për qëllim mbrojtjen, ndihmën morale e materiale të anëtarëve të saj, pra të punëtorëve. Aktivitetet e veta kjo shoqëri i kryente të shtunave mbas orarit të punës si mbrëmje dëfrimi, mbledhje për të formuluar kërkesa për përmirësimin e kushteve të punës, për hapje frontesh të reja pune, për pagesa më të mira, etj. Grupi Komunist i Korçës u përpoq që ta detyronte “Shoqërinë Puna” të bënte kërkesa politike dhe kërkesa kundër importimeve italiane. Mirëpo importet italiane të lëndëve të ndërtimit i kishin dhënë një bum ndërtimeve të shtëpive private. Kundërshtimi i këtyre importeve dëmtonte interesat e punëtorëve të ndërtimit, prandaj Loni me shokët e vet u tërhoqën dhe u bënë anëtarë pasivë. Petro Papi, kryetari i “Shoqërisë Puna” ishte anëtar aktiv i Grupit Komunist të Korçës. Ky, për ta ribërë aktiv Lonin, i kërkoi që të bëhej anëtar i Grupit Komunist, por Loni iu shmang duke thënë se sapo i kishte vdekur babai dhe nënën e kishte të sëmurë, se duhej të martonte motrën, të rriste vëllain, se ishte ende pa shtëpi të tijën e duhej të ndërtonte një shtëpi për familjen e vet, etj.

          Mirëbërje brenda familjes.

          Dikush mund të mos i quajë mirëbërje ndihmat që djali i shtëpisë i jep familjarëve, por për mua disa nga këto ndihma nuk janë ndihma të zakonshme, por mirëbërje të rëndësishme.

          Loni ka qenë që në vitet 1922-1939 i vetmi krah pune në familje, me të ardhurat e të cilit jetonin nëna, babai, motra e vëllai. Ai siguroi shpenzimet e dasmës për motrën Athina më 1934. Djali i saj i vogël, Nikua, më 1945 duke trazuar një bombë të mbetur nga lufta, u dëmtua rëndë në këmbën e djathtë dhe doktor Polena ia preu deri te gjuri për të mos iu gangenizuar dhe më lart. Djali filloi të ecte me ndihmën e një paterice, që e mbështeste te sjetulla. Por nënë Athinaja nuk mund ta shikonte dot djalin sakat, u sëmur dhe pas tre vjetesh u nda nga jeta. Babai i Nikos, marangozi Thomaq Qirinxhi më 1950 me djalin e madh Petraqin shkuan në Tiranë, ndërsa Nikon e regjistruan tek Azili i Invalidëve të Luftës afër spitalit civil të Korçës, për të cilin dajo Loni mori përsipër detyrimet e kujdestarit. Kur Nikua mbaroi shkollën 7-vjeçare ishte 16-vjeçar. Loni, bisedoi me doktor Polenën për aftësimin dhe punësimin e nipit. Doktor Polena i tha se në Bukuresht kishte mundësi t’i vihej një protezë prej druri me disa pjesë lëkure. Loni njoftoi babanë e djalit dhe ky u lidh me kushëririn e tij në Bukuresht, z. Kristo Kristesku Rëmbeci. Kushëriri mori përsipër shpenzimet e spitalit dhe të qëndrimit në Bukuresht, kurse Loni pagoi shpenzimet e udhëtimit vajtje ardhje. Kështu Niko Qirinxhiu u kthye shëndoshë e mirë nga Bukureshti duke ecur me të dy këmbët. Ai qëndroi pranë babait e vëllait të tij në Tiranë ku u punësua në repartin e këpucarisë te Ndërmarrja Ushtarake e Veshmbathjes. Petraqi (1935-1982) dhe Nikua (1938-1989) pasi u vdiq babai u martuan. Patraqi ka lënë bashkëshorten dhe djalin Klito, kurse Nikua ka lënë bashkëshorten dhe katër djem e një vajzë.

          Mirësia dhe bujaria e Lonit është shfaqur edhe ndaj vëllait të tij Kristaqit, i cili ka qenë shëndetlig. Ky pasi punoi disa vjet në Ndërmarrjen e Konservimit, për shkak të një diareje kronike u largua nga puna dhe nuk u punësua më. Loni e mbajti atë si invalid në shtëpi, kurse nusja e tij Viktoria u kujdes për të për larje dhe ushqim, që nga viti 1938 kur erdhi nuse në atë familje derisa ajo u nda nga jeta.

          Mirëbërje xhaxhait.

          Një tregëtar i pasur i Korçës në pranverë të vitit 1944 i kërkoi usta Lonit t’i ndërtonte një shtëpi të re në po atë vend ku ai kishte shtëpinë e trashëguara nga babai. Kjo shtëpi “e vjetër” ishte shumë e mirë, por zotnia donte të ndërtonte një vilë moderne sipas një projekti italian. Loni në atë kohë jetonte te shtëpia që i kishte lënë dajua i tij që kishte shkuar në Amerikë. Mirëpo duke jetuar pa qira në shtëpinë e dajos, ai ndjeu se mund ta pësonte si thosh populli: “Poçexhiu poçe bën, poçe për vete s’ka”, pra mund të mbetej pa pasur një shtëpi të vetën. Iu lut tregëtarit t’ia shiste dyert, dritaret dhe disa trarë e dërrasa të shtëpisë që do të prishte. Pasi i bleu ato me një çmim të lirë, bleu një vend te mëhalla e Shën Triadhës, ku ndërtoi ca nga ca shtëpinë e vet, të cilën e mbaroi më 1946.

          Deri në atë kohë xhaxhai i tij, Ligori, nuk kishte mundur të ndërtonte shtëpi për vete dhe rronte në një shtëpi me qira bashkë me gruan dhe tri fëmijë. Atëhere nipi Loni i tha xhaxha Ligorit: “Merr familjen dhe shko jeto te shtëpia ime e re pa qira”. Jeta në shtëpinë e re me disa dhoma, me bashtë e oborr, me çezmë për karshi, ia mbushi jetën me gëzim Ligorit dhe Meropit. Në maj të vitit 1947, kur këta ishin 53 dhe 42 vjeçarë u shtuan me një vajzë, Margaritën, të shëndetshme ë u bë e pashme dhe e zgjuar.

          Loni me pjesëtarët e familjes së vet (nënë Kondilja, gruaja Viktori, dy vajzat dhe djali, si dhe Kristaqi) jetonin te shtëpia e dajos, vëllait të nënës. Mirëpo në vitin 1964 dajua i Lonit i moshuar kuptoi se nuk mund të kthehej më në atdhe, prandaj vendosi ta shiste shtëpinë te një korçar që jetonte afër tij në Boston MA, i cili e bleu për një fisin e tij që jetonte në Korçë. Në atë vit Loni me familjen shkoi për të banuar te shtëpia e tij te mëhalla e Shën Triadhës, ku jetoi tre vjetët e parë bashkë me familjen e xhaxhait drerisa lagja i dha një apartament Ligorit te pallatet e rinj aty pranë.

          Mirëbërje kunatit.

          Vëllai i gruas së Lonit, Stavri Lako, duke parë se kunati ishte shumë bujar, se e sistemoi xhaxhin e vet te shtëpia e re pa qira, guxoi dhe i kërkoi Lonit t’i ndërtonte një shtëpi njëkatshe me dy dhoma e një kuzhinë te mëhalla e Shën Ilisë me nja 40.000 lekë të cilat do t’ia lante kur t’i mblidhte. Loni ia ndërtoi shtëpinë duke paguar materialet dhe ustallarët, pa marrë për vete asnjë lek. Shkuan vitet dhe kunati me bashkëshorten e tij filloi të bënte pare, por nuk po i mblidhte paret e borxhit dhe as filloi ta lante borxhin ca nga ca. Loni nuk ia kërkoi kurrë borxhin kunatit dhe nuk e përfoli. Një herë e shoqja, pra motra e Stavrit, e shtyu që t’ia kërkonte, por Loni ia mbylli gojën duke thënë: “Po të duash ta kesh shtëpinë e vëllait të hapur, harroi ato pare. Yt vëlla dhe jot kunatë duket që kanë vendosur të mos na i kthejnë, po ua kërkuam do mërritemi me ta për gjithënjë.” Kështu ai borxh mbeti vetëm në kujtesë.

           Mirëbërje kushërirës, vajzës së Andonit.

           Në maj të vitit 1940 Ligori para se të kthehej me grupin e tij nga Lekli i Tepelenës në Korçë, shkoi për të parë familjen e xhaxhait të tij, usta Sotirit, i cili, si kemi thënë më parë, bashkë me gruan, djalin Andon e nusen e këtij, ishte shpërngulur nga Trebicka më 1916 dhe ishte vendosur në Dhoksat e pas disa vjetësh ishte sistemuar brenda në Gjirokastër. Ligori kishte shkuar në Gjirokastër për herë të parë mv 1928 për të ngushëlluar për vdekjen e Andonit, i cili kishte lënë tre fëmijë të vegjël, kurse gjatë vizitës së dytë mori vesh se Viktoria, vajza e Andonit dhe Kostandinës, ishte ndarë nga burri, dhe se ky ia kishte mbajtur djalin e vetëm. Viktoria ishte shumë e shqetësuar nga shkëputja prej djalit të vogël, prandaj nuk donte të rronte më në Gjirokastër. Ligori u tha se ai vetë nuk mund ta ndihmonte për ta sistemuar në Korçë, por i nipi, usta Loni, ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe kishte shoqëri të gjerë. Kështu djali i madh i Andonit, Pandeliu me Viktorinë dhe Ligorin në maj të vitit 1940 erdhën bashkë në Korçë dhe shkuan te shtëpia e Lonit ku biseduan për hallin që kishin. Loni ishte 6-vjeç kur Sotiri dhe Andoni me familjet e tyre ikën prej Trebicës. Ai i mbante mend disi turbullt ata të dy, kurse Viktorinë dhe Pandeliun nuk i kishte parë kurrë, por u prek nga ato që dëgjoi dhe pa pyetur gruan dha fjalën se do ta mbante vajzën e Andonit dhe do të përpiqej ta martonte. Dhe vërtet mbas disa muajve Loni arriti ta martonte Viktorinë me një shokun e tij, Aristokli Palon, të cilit i kishte vdekur gruaja para disa vjetësh. Aristokliu kishte dy djem, Gaqon dhe Raqin, të cilët po i rriste nëna e tij e moshuar. Viktoria u kujdes për djemtë e burrit dhe me Aristokliun lindi dy vajza, Elvirën dhe Andonetën, të cilat e quanin Lonin me respekt “dajo Loni”.

          Mirëbërje për banorët e pastrehë.

          Në mars të vitit 1970, Loni 60-vjeçar doli në pension. Ishte koha kur vijonte ndërtimi i pallateve me punë vullnetare. Trupi i tij i mësuar me punë nuk e duronte dot papunësinë e plotë. Delte shëtitje çdo ditë, takohej me shokët pensionistë për kafe, por duart i hanin për punë, por e ndjente se nuk kishte fuqi të ndërmerrte ndërtime shtëpish private. Një ditë duke pirë kafen e mëngjezit te kafene “Panda” u tha dy ustallarëve pensionistë të mëhallës, Guri Qiricit dhe Pano Petros, që të merrnin pësipër ndërtimin e dy pallateve dykatesh me 16 hyrje gjithsej për strehimin e familjeve që kishin nevojë. Këtë ide e mbështetën dhe kolegët e tjerë Rako Niçka, marangozi Thoma Toroveci dhe disa të tjerë, madje dhe xhaxhai i tij Ligori, 76-vjeçar. Lajmëruan zyrtarët e Lagjes, u caktua vendi i ndërtimit dhe në mars-prill u sollën materialet dhe filloi hapja e themeleve. Pa ardhur dimri familjet hynë në apartamentet e rinj ku festuan Vitin e Ri 1971 duke ngritur nga një gotë dhe për shëndetin e ustallarëve. Ne bijtë e këtyre ustallarëve, sa herë kalojmë para këtij pallati i kujtojmë dhe i falenderojmë prindërit tanë që lanë këtë kujtim human, që i nderon ata dhe neve.

          Qytetaria dhe mirësia vijon.

          Usta Loni me bashkëshorten Viktori lanë tri fëmijë: Albertinën (1940 – ), Vaskën (1945- ) dhe Donikën (1953- ), të cilët shquhen si njerëz të ndershëm, që çdo gjë e kanë arritur me djersën e ballit. Albertina me burrin dhe dy djemtë me nuset e fëmijët e tyre jetojnë në Australi, kurse Vaska dhe Donika me fëmijët e vet jetojnë në Korçë.

          Vaska me bashkëshorten Miranda, pleqëruan prindërit dhe xhaxha Kristaqin, rritën e martuan vajzën Viktora dhe djalin Leonard dhe u kujdesën për mëkëmbjen e dy fëmijëve të Viktora-s (Odise dhe Juli) dhe djalin e Leonardit (Vasiljani). Më 2019, kur nusja e Leonardit ishte shtatzënë, Vaska me Mirandën ndërtuan një shtëpi të vogël me një dhomë e një kuzhinë te bashta për të kaluar pleqërinë e tyre, kurse në shtëpinë e madhe lanë të jetojë në paqe familja e Leonadrit, e cila u shtua me vajzën Irina.

* * *

          Në mbyllje të këtij portreti biografi për kryemjeshtrin Loni Vasil Trebicka, dua t’i sugjeroj Bashkisë së qytetit të Korçës, që ta vlerësojë me titullin “Qytetar Nderi”. E bëj këtë sugjerim, jo se jam kushëriri i tij, por sepse mendoj që kjo bashki bëri mirë kur i dha usta Kristaq Papargjirit titullin “Qytetar Nderi” dhe këtë respektim ta vijojë edhe për usta Lonin e për ndonjë mjeshtër tjetër. Emrat Kristaq Papargjiri, Loni Trebicka, Guri Qirici e ndonjë tjetër duhet t’i mbajnë rrugët në qytetin e tyre, ku ata kanë lënë pasardhësit dhe objektet e ndërtuar me duart e tyre.           Korça është qytet i vilave të bukura që i kanë ndërtuar bijtë e saj, mjeshtrit duarartë dhe jo ustallarë të ardhur nga Dibra e Kolonja, ose krahina të tjera, si janë ndërtuar Tirana, Berati, Gjirokastra, Fieri, etj. Duke i nderuar këta bij, ky qytet do ta dëshmojë më mirë vlerësimin e hitorisë së vet, si qytet me kulturë që është…   

Filed Under: ESSE Tagged With: Thanas L Gjika, Usta Lonni Trebicka

SAMI REPISHTI – NJË INSTITUCION I MËVETËSISHËM

February 5, 2019 by dgreca

(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar Profesor Sami Repishtit)/1-Sami-Repishti1-240x300

Nga Thanas L. Gjika*/

Sami Repishti është një nga ata të përvojtur të cilët pasi duruan torturat ne hetuesi, vuajtjet e burgut, rrezikun e arratisjes dhe punën këmbëngulëse për t’u kualifikuar e shërbyer ardheut si kundërkomunistë, meritojnë të quhen që më të gjallë heronj të botës shqiptare. Ai bashkë me Arshi Pipën e Martin Camajn përbëjnë një treshe elitare shkodranësh, të cilët me jetën dhe veprën e tyre e shpunë më tej misionin atdhetar dhe intelektual të Rilindjes dhe të atdhetarëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pas saj.

Profesor Repishti ka më shumë se gjysëm shekulli që me punën e tij të shumanshme në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë, me memorandumet, artikujt politikë, analizat, esetë, krijimet letrare, fjalimet nëpër konferenca, intervistat në Radio Zëri i Amerikës (VOA), me punën si bashkëthemelues i disa organizatave e shoqatave atdhetare, si dhe me veprimet konkrete në atdhe dhe në Kosovë për të ndihmuar nga afër proceset e demokratizimit dhe të krijimit të shtetit ligjor, meriton të quhet Institucion i mëvetësishëm.

Për të hartuar këtë portret nuk u nisa nga mendimi se kam për të thënë mendime e vlerësime të pathëna për të, sepse në këtë drejtim mund të ndihmoj shumë pak. Them shumë pak, sepse vlerat e tij të shumanshme i vunë në dukje intelektualë të mirëformuar si Agron Alibali, Anton Çefa, Prof. Asc. Dr. Eleni Karamitri, Ph.D. Elez Biberaj, Fotaq Andrea, Frank Gj. Shkreli, Ph.D. Grid Rroji, Dr. Lumira Rroji, Ph.D. Niko Qafoku, Ramadan Gashi, etj gjatë Simpoziumit të organizuar më 18 korrik 2015, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij në International House, NY.

Prof. Peter Prifti para tyre pati shkruar: Prof. Dr. Sami Repishti qendron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta.

Shtysa kryesore për ta shkruar këtë portret-biografi ka qenë dëshira ime që për të tillë njerëz me vlera të veçanta duhet shkruar vazhdimisht derisa vlerat e tyre të përvetësohen nga shumë e shumë shqiptarë kudo ku jetojnë, që të arrijmë edhe ne të krijojmë një shoqëri të iluminuar si e kanë vendet e Bashkimit Europian, ku synojmë të arrijmë…

 

Njohja nga afër me Profesor Repishtin.

Takimi i parë.

Leximi i disa shkrimeve të Profesor Repishtit nëpër gazeta më ngjalli një ndjenjë respekti të thellë për këtë analist që shquhej për thellësi mendimi, kritika konstruktive ndaj regjimit komunist dhe qeverive të tranzicionit, si dhe për gjuhën e kulturuar e dinjitoze pa sharje e fyerje ndaj kundërshtarëve të ideve të tij. Të tilla tipare më sollën në mendje Vaclav Havel-in (1936 – 2011) dhe Karl Popper-in (1902 – 1994). Mora kurajë dhe iu luta të më dërgonte dy librat e tij letrarë Pika Loti dhe Nën hijen e Rozafës. Mbas leximit të tyre shkrova artikullin vlerësues Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorët, të cilin e botova në Dielli NY 21 mars 2013.

Nuk e kisha parë asnjëherë nga afër. Njohja e jetës së tij përmes leximit të këtyre veprave më shtyu që ta takoja e njihja personalisht këtë veprimtat të përkorë të kombit tonë. Në maj të atij viti, iu luta të më jepte rastin për t’u takuar diku. Ai e la takimin tek sheshi para Public Library tek 42-nd Street, New York. Unë nuk mund të orientohesha në New York-un e madh, prandaj shkova një ditë më parë mysafir tek kushëriri im Mondi Thimio, që jetonte në Ridgewood Queens NY. Ai më shpuri te vendi i takimit, ku u ulëm në karriget e një tavoline dhe pritëm ardhjen e profesorit. Pasi u takuam e u prezantuam, Mondi u largua. Profesor Samiun e kishte shpënë me makinë vajza e tij nga shtëpia ku jetonte deri tek stacioni më i afërt i trenit e pastaj ai kishte udhëtuar me tren e kishte dalë pranë librarisë (bibliotekës). Prej aty ai kishte ardhur në këmbë.

Kishte veshur një kostum të errët, këmishë të bardhë, por pa kravatë. Kishte një trup elegant dhe të drejtë, si malësorët e Alpeve tona. Ishte më i gjatë se unë, nuk kishte thinja, flokët ndonëse të rralluar ishin ngjyrë gështenje. Në fotot e tij që kisha parë në shtyp, më kishte rënë në sy fytyra e tij ovale, balli i madh dhe një ëmbëlsi karakteristike e intelektualëve zemërmirë. Këto tipare më kujtonin portretin e profesorit tim të latinishtes, të të paharrueshmit Henrik Lacaj (1909 – 1991). Gjatë pirjes së kafes më dukej sikur isha në takim me Henrikun dhe Samiun, dy shkodranët që admiroja, njëri katolik e tjetri mysliman, të dy e kishin pamjen e qeshur dhe flisnin një shkodranishte të ëmbël. Ishin formuar në shkolla jashtë Shqipërisë. Kultura e tyre binte në sy në të folur, në të shkruar dhe në mirëmbajtjen e trupit të tyre prej atleti edhe mbas të tetëdhjetave.

Biseda u zhvillua për gjëra të zakonshme pa ndonjë rëndësi, pastaj profesori më ftoi të shkonim për drekë tek restoranti TONY’S DI NAPOLI, ku e kishte zakon të drekonte kur ishte në New York. Pronari ishte një dibran, mik i tij. Deri aty ecëm në këmbë nja 300 metra. Pronari u ndodh aty dhe na priti me respekt e dashuri. Pas pak, ai kërkoi një nga kamarierët dhe i bëri me shënjë që të na bënte një foto të treve. U renditëm të tre duke vendosur profesorin në mes. Mu kujtua përvoja e z. Antony Athanas, i cili gjatë pritjeve në Restorantin Pier 4 Boston MA, nuk linte personalitet e mik të tij pa e fotografuar, gjë që ka qenë dhe natyrisht është një pasuri e madhe e komunitetit tonë, por nuk e dij a e ruajnë djemtë e tij këtë pasuri? Do të ishte mirë që shumica e atyre fotografive të botoheshin në disa albume shoqëruar me emrat e personave, datat e momentit të fiksuar dhe disa shënime sqaruese…

Pasi u ulëm në një nga tavolinat anësore, profesori tha: Sot je i ftuem prej meje. I thashë se të dy jemi larg shtëpive tona dhe meqenëse ftesën për takim e bëra unë, mua më binte të paguaj. Mirëpo ai ma preu duke theksuar se nuk mund ta thyente rregullin e tij, sipas të cilit në takimin e parë me një mik, nuk lejonte të paguante askush veç tij.

Pasi hëngrëm ushqimin, profesori më lexoi një artikull të ri që kishte shkruar ato ditë. Nuk e kishte dërguar ende për botim. Më ra në sy forca e mendimit dhe pasuria e ideve, merakosja e tij për ecurinë e demokracisë në Shqipëri. Qëllime e qëndrime përparimtare, humane e demokratike.

Forca e shprehjes, gjallëria e mendimeve dhe gjuha e këndshme më krijuan idenë se autori ishte shumë i ri në moshë e jo një afër të 90-tave. Thashë me vete: ja një mendje që nuk plaket. Pikërisht rininë e të menduarit të Profesor Repishtit e vuri në dukje studiuesi Fotaq Andrea në kumtesën e tij që u lexua në Simpoziumin e 90-vjetorit:

Rinia e mendimit tek Prof. Repishti nuk ka moshë në tërë atë udhë të gjatë jete plot mund, përpjekje, paepuri e përkushtim, kur vuajtjet e shpirtit për dinjitet njerëzor në botën e errësirës dhe të diktatit ia kalitën që herët karakterin e lartë, shndërruar në rrjedhë të kohës në personalitet shqiptar me peshë, tek kuptoi mes krimit, vrasjeve dhe torturave çnjerëzore çdo të thotë Liri, Vlerë njerëzore, Humanizëm e Tolerancë.

Tek Prof. Repishti mishërohet në një të vetme viktima e pafajshme dhe fitimtari, demokrati dhe atdhetari, humanisti dhe intelektuali vizionar, plot urtësi të përkorë, ndershmëri e guxim, si bir i denjë i Kombit Kastriot, si bir i denjë i Shkodrës Loce…

 

Takimi i dytë.

Në fillim të pranverës 2018, dy vëllezërit Sergio dhe John Bitici më kërkuan që t’u redaktoja librin e tyre biografik SHKOJMË TE BYTYÇËT – Jeta dhe aktiviteti i familjes Bytyçi / Bitici. Gjatë leximit dhe sidomos gjatë redaktimit të këtij libri, u njoha nga afër me veprimtarinë e shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL). Kjo shoqëri gjatë viteve 1968 – 1992 dhe më vonë, derisa u shpall Kosova shtet i pavarur, luajti rol të madh në luftën për njohjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Kosovë dhe për nevojën e lirisë së shqiptarëve.

Vëllezërit Bitici para se ta botojnë këtë libër po i bëjnë dhe disa përmirësime e shtesa. Unë me nisiativën time shkrova një portret për ta, për ta bërë të njohur si ndihmën financiare bujare e shumëvjeçare të këtyre vëllezërve dhe veprimtarinë e tyre si restoratorë (pronarë restorantesh) në shërbim të çështjes sonë kombëtare dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York. Këtë portret e botova në librin tim të ri Një letërsi kombëtare një atdhe i vetëm KUMI 2018, në faqet 337 – 352. Mirëpo ideja se vlerësimi i punës së shoqërisë RShKBL meriton edhe shumë shkrime të tjerë vlerësues, për ta sensibilizuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që ta vlerësojnë si duhet veprimtarinë e kësaj shoqërie e cila u bë nismëtare e arritjes madhore – krijimit të shtetit shqiptar të pavarur të Kosovës. Kjo ide më bën të ndjehem i detyruar për të shkruar edhe më për këtë shoqëri ende pak të njohur dhe pak të vlerësuar.

Për të mësuar më shumë rreth aktivitetit të kësaj shoqërie, ishte e nevojshme që ta dëgjoja dhe Profesor Repishtin, veprimtarin më aktiv të kësaj shoqërie. U lidha me e-mail dhe i propozova që të organizonim këtu në Worcester MA një takim me disa intelektualë, ku ai të na fliste për jetën e tij dhe shoqërinë RShKBL. Ai më shkroi se nuk delte më nga shtëpia, dhe se mund të më priste te apartamenti i tij në Ridgefield CT. Me makinën time të vjetër nuk guxoja të shkoja vetë në një distancë aq të gjatë, prandaj u lidha me z. John Lito, kryetar i degës së Federatës Vatra Worcestër MA. Ky më kishte thënë dikur se kishte qejf të dëgjonte prej Profesor Repishtit ndonjë kujtim nga koha kur ai dhe babai i tij, Milto Lito, kishin qenë të dënuar në kampet e punës gjatë viteve 1950-të.

U morëm vesh që më 3 nëntor 2018, unë me z. John Lito të shkonim tek apartamenti Repishti në ora 1:00 PM. U thamë se do të rrinim vetëm dy- tre orë dhe që të mos humbnim kohë me ngrënie dreke, ne do ta kishim ngrënë drekën rrugës. Dita e udhëtimit ishte e bukur me diell, prandaj mbërritëm 20 minuta para parashikimit. Ndalëm te një klub prej ku lajmëruam se jemi 10 minuta larg. Pastaj shkuam e trokitëm te dera.

Derën na e hapi zonja Diana, bashkëshortja e Profesorit, një grua elegante me pamje të ëmbël e fytyrëbukur, pa asnjë rudhë. Ishte bijë e familjes Çipi, emigrantë gjinokastritë. Ajo kishte lindur në Amerikë, por shqipen e fliste rrjedhshëm. Bashkëshorti i saj, Profesori u ngrit nga kolltuku dhe na u afrua duke u mbështetur në bastun. Ishte po ashtu i gjatë, i pakrrusur dhe elegant, por hapësira pa flokë e kokës i ishte zmadhuar, dhe m’u duk se kishte humbur mjaft peshë…

Mbasi u përshëndetëm, zonja e shtëpisë na tregoi një divan nga e majta, ku ishte livingroom-i. Na ra në sy lartësia e tavanit dhe dritaret e mëdha prej nga vinte drita e diellit. Te divani u ulëm unë me Johnin, kurse Profesori u ul karshi nesh në një kolltuk. Midis nesh ishte tavolina e mesit, ku zonja Repishti pas pak vendosi tre gota të vogla, një shishe me raki dhe një enë kristali me disa çokolata. Ajo mbushi gotat me raki dhe na zgjati çokolatat dhe gotat e rakisë. Pas urimeve, ne burrat u ulëm, kurse zonja e shtëpisë u tërhoq dhe kaloi në ambjentet e kuzhinës.

Në fillim iu lutëm profesorit të na tregonte diçka për familjen e tij dhe arratisjen nga Shqipëria. Mësuam se familja Repishti ishte vendosur në qytetin e Shkodrës nga katundi Repisht i Malësisë së Madhe që në vitet 1750-të; se kishte jetuar në shtëpinë e vet që nga viti 1803; se gjyshi i tij, Jusuf Repishti, kishte qenë ndër veprimtarët më aktivë të Lidhjes së Prizrenit dega e Shkodrës; se ai kishte firmosur Memorandumin e Qershorit 1878 drejtuar kryeministrit të Anglisë, Lord Dizraeli, për të mbrojtur tërësinë e tokave shqiptare në Kongresin e Berlinit; se babai i tij, Hafëz Ibrahim Repishti, ishte diplomuar në Universitetin e Stambollit më 1912 për teologji islame dhe drejtësi, se kishte luftuar me forcat shqiptare vullnetare kundër ushtërisë së Malit të Zi gjatë rrethimit të Shkodrës nga nëntori 1912 deri në mars 1913; se po ky intelektual kishte marrë pjesë në lëvizjen politike të viteve 1921 – 1924 si pjesëtar i grupit politik Ora e Maleve të Atë Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, etj, se ishte zgjedhur deputet i Shkodrës në vitet 1923 – 1924 dhe se në janar 1925 kaloi në ilegalitet sepse si fanolist u dënua me vdekje prej Ahmet Zogut të sapoardhur në pushtet. U kthye në shtëpi në nëntor të atij viti, sepse u përfshi në listën e të falurve nga amnistia që shpalli presidenti Zog. Hafëz Ibrahimi vdiq nga keqtrajtimi i policisë fashiste italiane në shtator 1943 duke lënë të ve bashkëshorten, Havanë, bijën e fisit Bushati të rrethuar nga gjashtë fëmijë jetimë. Djali i madh, Samiu, sa i kishte mbushur të 18-at, i cili sapo kishte ndërprerë studimet universitare që ndiqte në Firence për histori bashëkohore.

Këtu filloi lufta ime me sigurue bukën e gojës për vete e familjen, vijoi Samiu të rrëfente me zërin e tij të ulët e me një shprehje dhimsurie në fytyrë e mandej rifilloi: Në Liceuan ‘Atë Gjergj Fishta’ kisha pasë shokë klase Androkli Kostallarin, Vasil Katin, Jorgji Sota, Koli Bozo, Rako Naço, etj të cilët ishin lidhur me grupin komunist të PKSh-së, kurse Injac Toni, Luigj Toni, Hamdi Sokoli, etj ishin lidhur me Ballin Kombëtar. Unë me Eqrem Rusin merrnim pjesë në aktivitetet antifashiste pa qenë të lidhun me asnji grup partiak.

Mbas janarit 1945, sapo u formue Drejtoria e Punëve Botore në Shkodër u punësova aty deri më 22 tetor 1946, kur më arrestuan “për veprimtari kundër pushtetit”. Quajtën veprimtari kundër pushtetit kërkesën që bana me disa shokë bashkmoshatarë që votimet të ishin votime të lira e shumëpartiake. Në qelitë e Hetuesisë së Shkodrës m’u banë tortura shnjerëzore. Harrojsha gjithë njerëzit dhe nga dhimbjet e shumta i lutesha Zotit të ma merrte shpirtin për me shpëtue. Mbas 14 muej torturash u dërgova në burg. Vitet e burgut i kalova në kampet e punëve të detyrueme, në Beden, Maliq, Myzeqe, aeroporti pranë Urës Vajgurore dhe aeroporti i Rinasit. Në prill të vitit 1949, internuen nanën, motrën 14 vjeç dhe vëllain 11 vjeç në Berat e ma tej i çuen në kampin famëkeq Veliqot, Tepelenë. Të tilla rrethana familjare shumë shqetësuese më shkaktonin dhimbje dhe mërzi të madhe. Dita më dukej e gjatë sa nji javë e java sa nji muej e mueji sa nji vit. Kësaj radhe, si viktimë e diktaturës komuniste, vuejta shumë ma tepër sesa kisha vuejt ma parë si viktimë e diktatorës fashiste edhe sesa vojta më vonë në Jugosllavinë titiste.

John-i e pyeti se si mundi të largohej nga Jugosllavia për në Perëndim, kur midis shtetit shqiptar e atij jugosllav zbatohej marrëveshja për dorëzimin e të arratisurve. Samiu sqaroi se gjatë kohës që ishte në burgun incommunicado në Jugosllavi, dëgjoi se e kthyen në Shqipëri një të dënuar, i cili kur u pyet pse ishte arratisur nga Shqipëria, kishte thënë se ishte arratisë sepse donte të shkonte në Amerikë.

Kur e kishin marrë Samiun në pyetje disa herë, ai gjithnjë kishte ngulur këmbë dhe u kishte thënë se ishte arratisur mbasi donte të vazhdonte studimet e larta në Zagreb. I thanë se mund ta dërgonin për të vijuar studimet në Beograd, por ai u thoshte se në Zgreb gjuha sërbo-kroate mësohet me alfabetin latin dhe se ai e kishte vështirë të mësonte alfabetin cirilik, që zbatohej në Serbi. Kështu, mbas një viti e dërguan në Zagreb për të vijuar studimet. Këtu vijoi një kurs për mësimin e gjuhës dhe ë tej gjeti mundësinë të arratisej në Itali ku jetoi në disa kampe refugjatësh derisa fitoi të drejtën për të shkuar në ShBA si refugjat politik.

Pasi mori frymë disi thellë, tha, duke parë nga John-i:

Para se me folë për babën tuej, të ndjerin Milto Lito, due me ju tregue nji episod të nji heroi, ndihmën e sakrificën e të cilit nuk mund ta harroj sa të jem gjallë.

Mbas 10 vjet burgimi, kur po më afrohej koha e lirimit, bashkvuejtësi Muho Seit Toshi prej Vithgare të Anës së Malit, më tha në intimitet: ‘Edhe unë shumë shpejt kam me u lirue. Po deshe me kalue kufinin për me shkue jashtë, eja më tako çdo ditë pazari te pazari i Shodrës’.

Unë nuk e mora seriozisht propozimin e tij, mbasi midis nesh nuk kishim shumë miqsi. Mirëpo mbasi dola nga burgu në korrik 1956, gjendja e familjes sime ishte e mjerueshme. Nana dhe motra punojshin në punë të randa krahu. Edhe mue m’u dha punë me hap kanale, me ba llaç, e punë tjera pak të pagueme. Nji ditë erdhi për vizitë te shtëpia jonë nji kushrini ynë e më tha: ‘Dëgjova se Sigurimi, ata që dalin prej burgut dhe nuk martohen menjiherë, do t’i arrestojë përsëri, sepse dyshon se ata duen të arratisen, ose të bajnë punë sabotuese’. Këto fjalë më sollën në mendje propozimin e Muho Toshit. U lidha me të dhe me ndihmën e tij munda të realizoja arratisjen time. Mirëpo në këtë histori ka dy momente shumë prekëse që nuk mund t’i harroj, dhe sa herë i kujtoj më shtohet respekti për atë burrë trim e të besës, por edhe për popullin tonë që ka nxjerrë nga gjiri i vet të tillë heronj. Kur shkuem te vendi afër lumit Buna, Muhua më sqaroi se si do të takoheshim ditën e nesërme për të realizue arratisjen. Unë e pyeta a kishte dhe ai një revolver si unë. Kur më tha se kishte dhe ai, i thashë se ato që kisha heqë në hetuesi e në burg nuk doja t’i jetoja dhe nji herë, prandaj isha i vendosë mos me ra gjallë në duert e rojeve tanë. Në rast se rojet na diktojnë unë do të vras veten, por në qoftë se revolveri im nuk më mbaron punë, ti duhet të më vrasësh pa tjetër. Betomu!

Muhua u mendue pak dhe me kokën e ulun tha solemnisht: ‘As unë, as ti nuk do të dorëzohemi gjallë’. Dhe tue më shtri dorën, shtoi: ‘Të jap besën!’ E shtrëngova atë dorë që pranonte me më vra për të më shpëtue nga torturat që mund të pësoja në hetuesi e burg… Ky solidaritet i njerëzve të shtypun më bani të ndjehesha i çliruem. Ky solidaritet m’u duk si vula e fisnikërisë së kombit tonë…

Momenti i dytë ndodhi të nesërmen pasi e kaluem gardhin e kufinit. Muhua më tha: ‘Shko tani e dorëzohu te posta jugosllave, kurse unë po kthehem, sepse më duhet të rregulloj prindërit dhe disa punë. Edhe unë do të vij në Amerikë, por mbas dy vjetësh.

Gjatë atyne dy vjetve, Muho Toshi ndihmoi dhe nandë shkodranë të tjerë me kalue kufinin, por kur tentoi me kalue vetë më 1961, rojet e diktuen dhe e vranë. Këtë hero të heshtun që rrezikoi jetën e vet për mue dhe nandë shkodranë të tjerë nuk mund ta harroj kurrë. Ai la gruen dhe dy jetimë…

Me shaminë e bardhë i fshiu lotët dhe pasi kreu një frymëmarrje të thellë, disi i çliruar, filloi të fliste për bashkëvuajtësin Milto Lito.

Tha se me Milton nuk ishte njohur gjatë kohës së hetuesisë, sepse atë periudhë e kishin kaluar në kohë të ndryshme. Kishin qenë bashkë në kampin e Maliqit, ku punonin për tharjen e kënetës. Theksoi se Miltua ishte një burrë i urtë. Shihte punën e vet dhe nuk afrohej me njerëzit, nuk hapte kurrë muhabet. As ndihmë nuk kërkonte, gjithshka e zgjidhte vetë. Për shkak të karakterit të tij të tërhequr, Samiu tha se nuk kishte pasur rast të miqësohej me të.

Këtë mënyrë jete, Miltua e kishte zgjedhur për arsye se nuk donte të binte viktimë e informatorëve, të cilët ato që dëgjonin i raportonin në komandë, e komanda ua shtonte të dënuarve vitet e burgut. Për ta maskuar shkakun e vërtetë, Miltua thoshte se rrinte larg njerëzve sepse ishte miop i theksuar dhe u tregonte syzet me numur të madh duke thënë: ‘Po m’u thyen këto, nuk punoj dot. Njerëzit bëjnë lodra të ndryshme dhe syzet e mia janë prej qelqi e mund të thyhen.‘

Pastaj, Profesori, tregoi sesi mbas daljes nga burgu, u njoh me vëllain e Miltos, me doktor Spiro Liton, specialistin pneumatolog, të cilin e kërkoi për të vizituar kunatin, burrin e motrës së madhe, që vuante nga tuberkulozi, sëmundje shumë e përhapur në atë kohë për shkak të ushqimit të pakët.

Pasi doktori më la orën e vizitës, shtoi Samiu, i thashë në vend të lamtumirës: ‘Miltua asht mirë’. Ai hapi sytë dhe më pyeti: Ku e dini ju? E unë iu përgjigja: Këto ditë kam dalë prej asaj shtëpie. Mos keni merak se vllau juej asht shumë i kujdesshëm dhe nuk ka me pësue ndonji ridënim, ka me ardhë shpejt në shtëpi.

Pasi e vizitoi kunatin dhe na dha këshilla si me e trajtue, më tha se donte të pinte kafe me mue dhe më porositi se kur ta shifsha te ‘Kafe e Madhe’ të shkojsha e të ulesha te tavolina e tij, pa ça kokën se kush do t’ ishte me te.

Mirëpo pas nja dy ditësh, kur po kaloja para Kafes së Madhe pashë Dr. Liton me shefin e Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Seitin, tue pi kafe. Ula kokën dhe u largova. Të nesërmen, Doktori ishte me do miq tjerë e un u futa mbenda. Sa më pa ma bani me dorë e un shkova u ula te tavolina e tij.

Më pyeti për kunatin a kishte ndonji përmirësim dhe pastaj sqaroi se shefi i Degës së Punëve të Brendshme dhe sigurimsa të tjerë e qirasshin me kafe sepse ia kishin nevojën për me ua kurue njerëzit e fisit të tyne. Mesa dukej më kishte pa ditën e maparshme kur kalova para kafes e nuk hyna mbrenda…

Më tej Johni e pyeti për familjen e fëmijët dhe Profesori sqaroi se familja e tij ka dy fëmijë, djalin Daren Repishti mjek të specializuar në radiologji, sot shef pavioni në spitalin Norton Louisville KY dhe vajzën Ava Safir ish-avokate pranë administratës së Major Giuliani-t, sot e kualifikuar si “nutritionist’ punon për të ndihmuar pacientët në dietat ushqimore. Të dy kanë fëmijë të rritur, studentë e disa në marrëdhënie pune. Daren ka tre fëmijë: djalin Bryan, i cili ka mbauar Central College KY dhe punon si bankier, vajzën Julia që ka mbaruar Kentucky University për pedagoge e gjuhës angleze, dhe vajzën e dytë Nicole studente e vitit të tretë në Ohio State University ku studion për histori e marrëdhënie ndërkombëtare. Kurse vajza Ava, ka dy fëmij: vajzën Audrey, nxënëse në gjimnazin Laurenceville pranë Princeton University dhe djalin Alexander, student i vitit të tretë në Ridgefield Academy.

Ndjehemi plotësisht të bekuem, tha në fund profesori dhe shtoi, kët apartament ku banojmë prej dhjetë vjetësh pranë vajzës, na e ka ba dhuratë djali.

Më tej u foli shkurt për pasionin dhe veprimtarinë e tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për krijimin dhe veprimtarinë e tij si anëtar i shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL); si bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv (1986 – 1992) i shoqërisë American Albanian Civic League (AACL / Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane) me drejtues politikanin Dio Guardi; si bashkëkrijues dhe kryetar i parë (1996 – 1998) i shoqërisë lobiste Natcional Albanian American Council (NAAK), etj, veprimtari për të cilat ai më dha dhe disa materiale të shkruar.

Kur biseda po i afrohej fundit, zonja e shtëpisë, pa bërë zhurmë e pa rënë në sy, kishte shtruar te diningroom-i tavolinën me keke, fruta e pije freskuese e na ftoi të kalonim atje. Unë shfrytëzova rastin për të bërë disa foto, si kujtim.

Në ora 4:00 PM u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërisht gjatë pranverës së ardhshme…

 

Në Kongresin Amerikan kërkohet mbrojtja e shqiptarëve të Kosovës

Më 1948, mbasi J. B. Titua, udhëheqësi i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, u grind me J. V. Stalinin, udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, ShBA-të e mbështetën Jugosllavinë si një aleat të preferuar. Përmes ndihmave amerikane e të vendeve të tjera perëndimore në këtë shtet multietnik u përmirësua shumë gjendja ekonomike e vendit. Po ashtu u përmirësuan dhe marrëdhëniet midis popujve sllavë që jetonin aty. Mirëpo politika liberale e “bashkim-vllazërimit” që zbatohej midis popujve sllavë të kësaj federate, u zbatua në një nivel shumë të ulët ndaj shqiptarëve që u ishin dhënë padrejtësisht shtetit serb e atij malazes që më 1913-ën. Populli shqiptar tashmë, brenda kësaj federate, jetonte i ndarë administrativisht si minoritet në Republikën e Sërbisë, në atë të Malit të Zi dhe në atë të Maqedonisë. Ishte krijuar dhe një krahinë e quajtur Krahina Autonome e Kosovës dhe e Metohisë, e cila përbënte një njësi administrative të varrur drejtpërdrejt nga Republika e Serbisë. Në këtë krahinë shqiptarët, duke përbërë shumicën dërmuese, gëzonin disa të drejta më shumë se shqiptarët që jetonin si minoritet në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Me pak fjalë populli shqiptar në Jugosllavi shihej e trajtohej si popull i dorës së dytë, me të drejta më të pakta se popujt e tjerë të federatës edhe pse ai ishte banor autokton në trojet e veta që nga koha e Dardanisë antike. Ai quhej dhe trajtohej si popull i ardhur prej Shqipërisë, me prapamendimin djallëzor që një ditë të dëbohej e të kthehej te vendi i origjinës…

Sami Repishti mbas ardhjes në ShBA, prill 1962, filloi të merrej me përvetësimin e anglishtes dhe shkollimin e tij në universitet. Ende pa u bërë qytetar amerikan (American Citizen), ai filloi të interesohej për gjendjen e komunitetit shqiptar, u bë anëtar i Federatës Vatra dhe filloi të mendojë si të ndihmojë përmirësimin e gjendjes së popullit shqiptar që jetonte nën zgjedhën komuniste në Shqipëri dhe pjesës tjetër të tij që trajtohej si popull i dorës së dytë në Jugosllavi.

Në prill të vitit 1965 Kongresi Amerikan organizoi një seancë dëgjimore (Hearings) mbi gjendjen e popujve në botën komuniste. Administrata e Kongresit Amerikan i dërgoi një ftesë Komitetit Shqipëria e Lirë për të dërguar një person që të jepte dëshmi për gjendjen e popullit shqiptar. Prof. Nexhar Peshkëpia, personalitet politik i përgatitur dhe njeri serioz, propozoi që për këtë problem të dërgohej Sami Repishti, edhe pse nuk ishte anëtar i Komitetit Shqipëria e Lirë, por e njihte më mirë se të tjerët situatën e popullit shqiptar ku ai kishte vuajtur burg para pak vitesh. Samiu pranoi dhe foli jo vetëm për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar nën zgjedhën komuniste, por edhe për gjendjen e popullit shqiptar në Jugosllavi, ku ai trajtohej si popull i dorës së dytë dhe i mohoheshin shumë të drejta. Ndaj folësit u krijua një atmosferë armiqësore, sepse ai guxoi të kritikonte politikën e brendshme të Jugosllavisë, një shteti aleat.

Kryetari i Komisionit, kongresisti Lee Hamilton, si ka sqaruar vetë Samiu në një arkull, iu drejtua: Zoti Repishti, Shqipëria na sulmon 7 ditë në javë me radio dhe shtyp. Ashtë nji fat për të, që ne nuk dijmë shqip me lexue e kuptue këto shamje të përditshme. Presidenti Tito asht mik i yni. Ju vini këtu e kërkoni që ne të marrim qëndrim kundër Titos, nji mik, e të përkrahim kërkesat e Shqipërisë. Nuk mund ta bajmë këtë. (Gazeta Dielli, N.Y, December 2018, f. 32)

I prekur në sedër, Samiu iu përgjigj se ai nuk donte të bënte politikë, por si aktivist i të drejtave të njeriut, kërkoi ndihmën e Kongresit Amerikan që shtypja e popullit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë të pushonte. Për këtë, tha ai me guxim, unë ngul kambë.

Ky fjalim i Sami Repishtit ishte artikulimi i parë në Kongresin Amerikan për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës, por atmosfera e miqësisë midis ShBA-ve dhe Federatës Jugosllave nuk lejonte të merrej seriozisht problemi i gjendjes së popullit shqiptar në Jugosllavi. Kjo situatë filloi të përmirësohej nga fillimi i viteve 1970-të, kur u forcua puna propagandistike e shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL), dhe sidomos pasi u firmos Akti Final i Helsinki-t më 1975 për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe pasi u krijua American-Albanian Civic League (AACL / Lidhja Qytetare Amerikano-Shqiptare) më 1986 prej politikanit me origjinë arbëreshe, ish-kongresistit Jozeph Dio Guardi. Kjo organizatë e ngriti disa herë këtë problem në Kongresin Amerikan me anë të kongresistëve Tom Lantosh, Eliot Engel dhe senatorit Robert (Bob) Dole – kandidat për Presidentdhe senatorit . Sami Repishti shërbeu si drejtor ekzekutiv i kësaj organizate politike. Në vitin 1996, ky veprimtar themeloi shoqërinë National Albanian American Council (NAAC / Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKShA) si shoqëri lobiste në Washington DC, kryesisht për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës nga shtypja e Slobodan Milosheviçit.

 

Truri i shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë

Nacionalisti shqiptar, Tahir Curran Kernaja, i cili para se të vinte në ShBA-të (1962) kishte përjetuar burg dhe internim në Shqipëri dhe tortura çnjerëzore në Jugosllavi, në vitet 1963-1964 filloi të fliste poshtë e lart midis emigrantëve shqiptarë të New Yorku-t për shtypjen e popullit shqiptar në Jugosllavi e sidomos në Kosovë. Pas demostratave që shpërthyen nëpër komuna të ndryshme të Kosovës gjatë muajit nëntor 1968, të cilat arritën kulmin me demonstratën e 27 nëntorit të studentëve në Prishtinë, Besianë, Ferizaj dhe Gjilan, Tahir Kerrnaja u takua me ish-bashkëvuajtësin e tij të burgut të Shkodrës Sami Repishtin, vëllezërit Sergio e John Bitici dhe Prof. Rexhep Krasniqin për të krijuar një bërthamë atdhetarësh me të cilët të fillohej lufta e organizuar propagandistke në New York për të popullarizuar shtypjen e rëndë që i bëhej popullit shqiptar në Kosovë dhe për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Që në fillim, me propozim të Rexhep Krasniqit, grupit iu dha emri Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL). Shpejt u zgjerua edhe me pjesëmarrjen e Prof. Peter Priftit dhe Dr. Safete Juka, e më vonë u bashkua dhe Maliq Arifaj, i cili u zgjodh sekretar ekzekutiv.

Punën organizative, atë të botimit dhe të shpërndarjes së materialeve (artikuj, pamflete, memorandume, lajme, etj) e kryenin Tahir Curran Kernaja, Maliq Arifaj, Kujtim Zherka, Merxhan Hyseni, vëllezërit Sergio e John Bitici, etj. Adresa e banimit të Tahirit përdorej si adresë e shoqërisë. Kurse Maliq Arifaj firmoste shumicën e shkrimeve, ndërsa autorët e vërtetë nuk e shënonin emrin e tyre në fund të shkrimeve. Vëllezërit Sergio dhe John Bitici krahas punës organizative mbulonin dhe shpenzimet e botimit të shkrimeve trakte, si dhe shpenzimet e shpërndarjes me postë të tyre nëpër zyra, ambasada të ndryshme dhe miq nëpër botë. Tahir Kernaja me dy nipat e tij, bashkë me vajzën e madhe të Sergios i shpërndanin traktet te dera e godinës së OKB-së duke ua dhënë në dorë atyre që hynin e delnin aty, politikanë e zyrtarë të ndryshëm, si dhe nëpër vende ku kishte grumbullim njerëzish.

Profesor Sami Repishti midis grupit intelektual të përbërë prej tij, Prof. Peter Priftit, Dr. Safete Jukës dhe Prof. Rexhep Krasniqit, ishte personi që hartoi gati 90 % të të gjithë shkrimeve, qofshin artikuj, memorandume, komente, etj. Pikërisht për faktin se ai ishte prodhimtari më i madh dhe më cilësor i shkrimeve, guxojmë ta quajmë Truri i shoqërisë RShKBL. Duke i dhënë këtij veprimtari këtë epitet, nuk nënvlerësojmë punën e bashkëpunëtorëve të tjerë të kësaj shoqërie, sespse truri në një organizëm, vërtet është organi më i rëndësishëm, por ai nuk mund të funksionojë pa ndihmën që merr prej organeve të tjera si zemra, veshkat, mushkëritë, stomaku, etj. Edhe shprehja jonë popullore Trimi i mirë me shokë shumë, tregon se veprimtari / luftëtari i arrin rezultatet jo I vetëm, por duke bashkëpunuar e luftuar me shumë shokë.

Duke parë ecurinë e rritjes së përpjekjeve kundër shtypjes së të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës në politikën amerikane që nga puna e gjatë dhe e pandërprerë e hartimit, botimit e shpërndarjes së trakteve të shoqërisë RShKBL, te krijimi dhe veprimtaria e organizatave lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane (1986) dhe Këshilli Kombëtar ShqiptaroAmerikan (1996), nuk ka pse të mos shohim se ka një lidhje në këtë proces, ku ndikimi i punës së kësaj shoqërie si nismëtare nuk mund të anashkalohet. Pra shoqërisë RShKBL, edhe pse nuk u regjistrua si organizatë zyrtare, sepse ashtu mbrohej nga zbulimi jugosllav, e ai shqiptar që ishin prezent në New York, i duhet njohur merita e nismëtares së kësaj lufte dhe i duhet dhënë vlerësimi i merituar. Efektivitetin e aktivitetit të kësaj shoqërie ndaj politikës jugosllave e ka njohur dhe e ka vënë në dukje Sinan Hasani gjatë viteve 1984 – 1989 kur ishte zgjedhur kryetar i Presidencës Jugosllavise me rrotacion. Ai pati thënëdisa herë: Organizata ‘Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë’ është më e rrezikshmja për ne, sepse shpërndan materialet e veta armiqësore para OKB-së dhe informon gjithë botën mbi gjendjen në Kosovë’.

Ndonëse pa i përmendur me emër shoqëritë RShKBL, AACL, NAAC, etj edhe njohësi i mirë i politikës së jashtme të ShBA-ve, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, z. William E. Ryerson në letrën që i dërgoi Profesor Repishtit më 6 shtator 2001, e ka shprehur rëndësinë e veprimtarisë së anëtarëve të këtyre shoqërive:

I nderuemi Sami

“… Pa dyshim merita për lirimin e Kosovës i takon Sekretares [së shtetit] M. Albright, që pati urtësinë me përkrahë atë që ishte e drejtë si dhe aftësisë së saj me bindë “boss-in” [Presidentin Clinton] dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithatë, kjo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tanë[amerikanë] mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës… (Dielli, NY December 2018, f. 33. Tekstin e kemi cituar sipas përkthimit shqip të bërë prej z. Sami Repishti.) Rreshtat me shkronja të nxira i theksuam ne me qëllim që të vemë në dukje faktin se politikani amerikan W. Ryerson ia njihte vlerat punës së gjatë që kishte kryer veprimtari Sami Repishti, jo si individ, por me gjithë kolegët e tij, pra me veprimtarët kryesorë të shoqërive RShKBL, AACL , NAAC, etj.

Rezultatet që arriti shoqëria RShKBL janë pasojë e bashkëveprimit të anëtarëve kryesorë që përmendëm, prandaj sugjerojmë që qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, t’i akordojnë kësaj shoqërie, pra anëtarëve kryesorë të saj (Tahir Curran Kernaja, Sami Repishti, Maliq Arifaj, Sergio e John Bitici, Peter Prifti, Rexhep Krasniqi dhe Safete Juka) nga një medalje ari për veprimtari atdhetare për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës. E kërkojmë këtë vlerësim sepse arritja e suksesit, arritja e e lirisë, nuk ka qenë pasojë vetëm e lëvizjes ilegale dhe legale brenda Jugosllavisë e heronjve si Adem Demaçi, e studentëve e pedagogëve demonstrues, dhe as vetëm e heroizmit të Adem Jasharit me fisin e tij dhe të UÇK-së. Ky sukses duhet parë si pasojë e një veprimtarie të vijueshme brenda dhe jashtë Jugosllavisë. Dhe kur themi jashtë Jugosllavisë kuptojmë punën e shoqërive RShKBL, AACL dhe NAAC, të cilat me punën e tyre ndërgjegjësuan politikanët dhe politikën amerikane ndaj këtij problemi derisa u morrën masat shtrënguese ndaj politikës së Milosheviçit dhe së fundi ndërhyrja e forcave të armatosura të NATO-s.

Një nga themeluesit e Letërsisë Shqiptare të Burgut

Ndërrimi i regjimit në Shqipëri, si kudo në Europën Lindore nxori në dritë faktin e madh se pjesa dërmuese e veprave letërare dhe artistike, që ishin krijuar sipas rregullave të metodës së realizmit socialist, ishin vepra pa vlera ideore, sepse kishin propaganduar ideologjinë komuniste, e cila kapitulloi me turp si një ideologji kundër natyrës njerëzore. Shumica e shkrimtarëve dhe artistëve të indoktrinuar prej kësaj ideologjie e patën të vështirë, ose të pamundur që të evoluonin e të futeshin në hullinë e krijimtarisë realiste. Shumica e tyre nuk e kuptonin, ose nuk donin ta kuptonin, se me krijimtarinë e tyre letrare e artistike i kishin bërë dëm popullit të tyre, madje disa prej tyre vijuan t’i mburrnin veprat e tyre si vepra që i kishin shërbyer dhe i shërbenin edukimit të popullit.

Në vitet 1992 – 1993, me largimin nga skena politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, sponsorizueses së vetme të arteve dhe letërsisë, u krijua ideja sikur letërsia, artet dhe kinematografia në Shqipëri filluan të përjetonin një krizë prej së cilës nuk do ta merrnin dot veten. Mirëpo krahas rënies në fashë të krijimtarisë së indokrtinuar filloi të përjetonte një gjallërim, një bum, krijimtaria letrare dhe artistike realiste. Vepra realiste letrare e artistike (tregime, romane, poezi, piktura, skulptura, krijime muzikore e më pak vepra kinematografike), si dhe studime të çliruar prej politizimit, së pari filluan të krijonin ish-të dënuarit e ndërgjegjes, të dalë prej burgjeve dhe kampeve të internimit, si dhe ata që ishin lënë mënjanë për shkak të “biografisë së keqe”. Pas tyre nisën të krijojnë vepra realiste dhe disa shkrimtarë e artistë të cilët para vitit 1992 kishin krijuar vepra të realizmit socialist pa ndonjë dëshirë të madhe, si Frederik Rreshpja, Pëllumb Kulla, Naum Prifti, Zija Çela, Fatos Kongoli, etj, krijimtaria e të cilëve tani arriti kulme të shënueshme. Mbas 1992-it filluan suksesshëm rrugën e tyre krijuese si shkrimtarë realistë dhe prozatorët Faruk Myrtaj, Robert Martiko, Hasan Kostreci, Dashnor Kokonozi, etj.

Gjatë sundimit të diktaturës së proletariatit, përndjekja e egër ndaj krijimtarisë letrare e artistike që nuk i përmbahej normave të realizmit socialist, kishte sjellë si pasojë që në Shqipëri të mos kishim asnjë krijues, shkrimtar ose artist, i cili të kishte hartuar e botuar ndonjë vepër të plotë disidente në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Mjaft krijues me prirje disidente nuk u lanë të arrinin tek botimi i librit të tyre të parë, por mbas hartimit të disa shkrimeve në poezi ose prozë, u arrestuan e vuajtën burgime të gjata si Kasem Trebeshina, Pjeter Arbnori, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, Makinsen Bungo, Maks Velo, Zydi Morava, Bashkim Shehu (ky u dënua jo thjesht pse ishte bir i kryeministrit që u shpall “armik e poliagjent”, por edhe për skenarin e filmit “Skëterrë 43” (1980), vepër me aludim kritik ndaj diktaturës), etj. Pati midis tyre dhe heronj tragjikë që u pushkatuan si Trifon Xhagjika, Genc Leka e Vilson Blloshmi, dhe më keq akoma, që u varrën si poti kuksian Havzi Nelaj.

E parë në tërësinë e saj, letësia jonë që botohej brenda vendit gjatë kohës së diktaturës, si thamë më lart, nuk arriti të kishte asnjë shkrimtar disident në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Shkrimtarë të shquar kundërkomunistë, që vijuan krijimtarinë e tyre pasi u arratisën prej Shqipërisë, si Ernest Koliqi, Vasil Alarupi e Isuf Luzaj nuk mund të quhen shkrimtarë disidentë për faktin se kundërkomunizmi i tyre u zhvillua në botën e lirë larg sundimit të sistemit komunist. Po ashtu edhe ata shkrimtarë që lulëzuan si krijues kundërkomunistëpasi u arratisën prej Shqipërisë si Martin Camaj, Arshi Pipa, Sami Repishti, Bilal Xhaferi, etj janë shkrimtarë kundërkomunistë, por jo disidentë. Krijues disident quhet ai krijues që jeton nën një regjim shtypës dhe i kundërvihet hapur këtij me vepra letrare, publicistike, pragrame partish, etj.

Sami Repishti ka shkruar disa qindra artikuj, mbi njëzet libra (disa me bashkautorësi) dhe dy vepra letrare PIKA LOTI (shkruar më 1959 – 1963 dhe botuar më 1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004). Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh. Aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar dhe mbajtur në fshehtësi.

Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist. Kurse Lasgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dhanë shkrimtarët e rinj shqiptarë të Kosovës, që u formuan e krijuan në hullinë e realizmit në Ish-Jugosllavi.

Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, Teodor Laço, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë një dukuri letrare të komplikuar, që kërkon studime të thelluar për të zbuluar vlerat dhe dëmet e tyre.

Letërsia e pakët realiste që u zhvillua në Shqipëri në vitet e diktaturës komuniste dallohet prej letërsisë së realizmit socialist për nga metoda krijuese dhe për nga përmbajtja ideore. Ajo zbatoi rregullat e metodës botërore të realizmit dhe jo rregullat e ngurta të metodës së realizmit socialist, që u zbatuan vetëm në vendet e kampit socialist sipas urdhëzimeve të V. I. Leninit dhe teoricienit Andrei Zhdanov. Kurse për nga përmbajtja, letërsia realiste nuk ishte vënë dhe nuk u vu në shërbim të së keqes, nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithëçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore realiste, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.

Krijimet poetike të Arshi Pipës Libri i Burgut (1959), përmbledhja me potrete e Sami Repishtit Pika Loti (1959 – 1963), dhe vepra memuaristike autobiografike Nën hijen e Rozafës (2004), poezitë e Visar Zhitit e të Lek Pervizit (ky si rapsod popullor), Uran Kostrecit, Lazër Radit, etj, krijuar nëpër burgje e kampe internimi, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi autorët ose familjarët e tyre i botojnë me sakrifica në pak kopje.

* * *

Vëllimi Pika Loti është një përmbledhje tregimesh të jetuar, të ndërtuar si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, të cilat nuk i botoi në ato vite, por vetëm mbas ndërrimit të regjimit, sepse ndruhej mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe familjarëve të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetusisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punëssë detyruar. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjerë sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën se vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi keqdashës i Sigurimit, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike plot dhimbje.

Midis shumë bashkëvuajtësve që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet në vitet 1945 – 1959, ai ka zgjedhur disa prototipa, të cilët i shërbyen për të përfaqësuar fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare nën diktaturën komuniste.

Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë nga jeta tamam ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve dhe të heronjve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tipret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori për të arritur te suksesi.

Pasqyrimin e jetës shqiptare të viteve 1945 -1959 të përjetuar prej tij, autori e ka realizuar duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë mbas Luftës Antifashiste. Kjo ishte një rrugë e re që ndoqi prozatori Repishti gjatë hartimit të portreteve të tij në vitet 1960 – 1963. Riprodhimi i jetës së të përndjekurve nëpër burgje ose jashtë tyre ashtu si ishte në të vërtetë, pa u përpjekur për të bërë përgjithësime e tipizim tipash e karakteresh, e ka shkakun e vet te fakti se jeta e këtyre viktimave të diktaturës komuniste ishte aq e rëndë dhe çnjerëzore sa që nuk kishte nevojë që ajo të sillej në art duke përdorur fantazinë krijuese për të sajuar hollësi të ndryshme. Mjaftonte rrëfimi me realizëm i asaj që kishte ndodhur, sjellja në letërsi e personave realë historikë ashtu si kishin jetuar e vuajtur.

Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shquan françeskani Atë Zef Pëllumbi me vëllimin Rrno vetëm për me tregue dhe Visar Zhiti me një mori vëllimesh poetike e romanore, Hasan Kostreci me romanin Jetë në diktaturë, etj.

Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide, që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, e formuloi dhe si sentencë në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., sentencë, të cilën e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).

Vrasja e elitës, pra vrasja e inteligjencës klerikale e laike dhe bijve të shquar të borgjezisë që përbënin ajkën e klasës politike dhe ekonomike shqiptare, të krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:

Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe më pas i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studjoi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet si bijë e shoqërisë borgjeze.

Edhe më i gjallë bëhet përshkrimi i atmosferës së vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën Përtej horizontit, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale shqiptare të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe vetë organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miljona morrave.

Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë, i kushtohet dy luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos më 1948, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naive me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eliminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Eshtë ariu sovjetik.

I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, që përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin At Gjergj Fishta të Shkodrës, inteligjent i rallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Montpelier të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarësinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.

Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëhere je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.

Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vetëvrasje në vorrezat e Tiranës më 1956.

Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet te Plaku i numërit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokët e tij, Ibrahim Derguti dhe Mark Cacaj, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë krahu nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…

Bir i dejë i Shen Françeskut, i kushtohet portretizimit të bashkëvuajtsit në qelinë e hetuesisë, klerikut At Çiprian Nikaj. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët Atë Pal Dodaj, Atë Mati Prendushi dhe Atë Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Franceskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një reshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u tha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, Atë Çipriani ia rrëfeu autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia la si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Mbajtja e zbatimi i amanetit të bashkëvuajtësit të qelisë, përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.

Thjeshtësia dhe përshpirtshmëria e klerikut të përkushtuar Atë Çipriani jepet përmes lutjes që ai përsëriste disa herë në ditë duke iu drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!

Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qindresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…

Keqtrajtimi i njerëzve mesatarë jepet me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertë Mehmet Dokuzi dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhërat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.

Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet Dokuzi nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Informatori i Sigurimit, një bashkëfshatar kishte shpifur, sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa informatorëve (spiunëve), por të vetë pushtetit komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si “krijues i botës së re” dhe i “njeriut të ri”, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.

Për të justifikuar përdhunimet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë edhe shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me dhunë, fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale. U shpallën e u luftuan si armiq e tradhëtarë të gjithë ballistët, bajraktarët, xhandarët, avokat-mbrojtësit, priftërinjtë, etj. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft prej të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin “armik të popullit, gjakpirës të popullit”, kur ai dhe të parët e tij si bajraktarë ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur rregull në fshatin e vet.

Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të elitës intelktuale shqiptare e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1960-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shumë shkrimtarë dhe studjues të ditëve tona nuk kanë arritur ende.

Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarët, që mundoi me uri punëtorët e që varfëroi katundarët deriku nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxanësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.

Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohëshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu.

Ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë, e këtyre njerëzve që i shërbenin me besnikëri të verbër pushtetit pa vrarje ndërgjegjeje, jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht bashkëkombasit e vet të dënuar pa faj. Faktikisht njerëzve të tillë të pashpirt auroti nuk u kushton asnjë portret ose shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet, njerëzve të dënuar jo se kishën kryer ndonjë faj, por sepse duhej ngjallur terror në popull.Përjashtim bën autori për rastin e Xhevahirit, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë. Ai ishte zgjuar nga droga partiake dhe e urrente politikën shtazarake të partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve. Herë u tregonte se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, e herë u tregonte lajme nga jeta jashtë burgut për t’i mbushur me durim e guxim…

Në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë e vërtetësinë dhe sidomos nivelin artistik.

Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (ONUFRI, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij. Përshkrimet e jetës personale e familjare të dhëna thjesht me figura letrare përmes një rrëfimi të ngrohtë, i krijojnë lexuesit idenë sikur edhe ai është duke jetuar vuajtjet bashkë me autorin…

Nga ana gjuhësore këto dy vepra letrare, si dhe veprat e llojeve të tjera të tij, shquhen për pasuri leksikore dhe fjali e fraza tëpërpunuara, për dialektin shkodran letrar të afruar me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin sa më shumë nëndialektalizma të tij.

Si përfundim themi se veprat Pika loti dhe Nën Hijen e Rozafës bëjnë pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare të burgut, se ato paraprijnë veprat madhore të letësisë sonë Rrno vetëm për me tregue të Atë Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit Rrugët e Ferrit dhe Ferri i çarë (OMSCA-1 2012) e disa simotra të tyre.

Pa urrejtje, por me ligj

Kur e pyeta Profesor Samiun se cila ka qenë arritja e tij më e madhe, ai nuk më përmendi ndonjë titull vepre e as ndonjë nga bëmat konkrete të tij, por më tha: Suksesi im ma i madh ka qenë, dhe mbetet, fitorja ime kundër urrejtjes. Asnjiherë nuk i kam lejue vetes me urrye, me gjithë kundërshtimin e fortë që kam tregue kur nuk kam qenë dakord. Kështu, ditën e parë kur mbrrita në Shqipni më 9 gusht 1992, deklarova para gazetarëve në Rinas: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’, thanie jo origjinale, por gur themeli për mendimet e mia, e huazueme nga fjalimi i Presidentit Abraham Lincoln mbajtun në mbarim të Luftës Civile në Getisburg PA gjatë së cilës ishin vra ma shumë se 600.000 amerikanë.

Shumë njerëz në Shqipëri e keqkuptuan, duke menduar se Profesor Repishti qenkej kthyer në atdhe për të predikuar një pacifizëm dhe se ai nuk mendonte për dënimin e krimeve të komunizmit. Ky i përndjekur, që pati përjetuar prej diktaturës komuniste aq shumë vuajtje mbi kurrizin e vet e të pjesëtarëve të familjes së tij prindërore, nuk ka qenë dhe nuk është shprehur kurrë kundër dënimit të krimeve të komunizmit. Ajo që e dallon atë është fakti se ai mendonte dhe mendon që ky proces duhej e duhet të kryhet me ligj, pra së pari duheshin e duhen formuluar me ligj cilat kanë qenë krimet e diktaturës komuniste dhe pastaj të kryehej e kryhet dënimi i tyre sipas ligjit.

Disa përgjithësime të tij për gjendjen e Shqipërisë në tranzicion, janë proverbiale. Të tilla janë thëniet:

“Krimi nuk asht dënue, e krimineli asht kthye në pushtet i veshun me rroben e ‘socialistit europian’.

Një pushtet i lindun nga gënjeshtra, i mbajtur me grykën e pushkës.

Një shoqëri e shkërmoquan nga pesha e randë e krimit të kryem nga xhelatët e indoktrinuem.

Gjendja politike vazhdon të jetë kaotike dhe ajo ekonomike e dëshpërueme.”

Jeta në ShBA, shkollat e larta që kishte kryer në Itali, Francë e ShBA dhe titujt shkencorë që kishte mbrojtur, e kishin maturuar mendjen e këtij shkodrani kundërkomunist. Mirëpo pushtetarët demokratë nuk mund ta kuptonin pjekurinë e tij. Sami Repishti ishte kundër gjuhës së ashpër që përdorte media socialiste kundër qeveritarëve demokratë dhe demokratëve në përgjithësi. Lajthitjen e socialistëve ai e shpjegonte duke e lidhur me origjinën e tyre komunite, por ai nuk mund t’ia lejonte medias së Partisë Demokratike përdorimin e së njëjtës gjuhë plot sharje e fyerje ndaj kundërshtarëve, opozitës socialiste. Gjuha e ashpër plot sharje, fyerje e shpifje i kujtonte atij gjuhën e dikurshme të Partisë Komuniste të Shqipërisë kundër kundërshtarëve të saj ballistë e nacionalistëve. Kjo gjuhë plot sharje e shpifje ishte e ngjashme me gjuhën e dikurshme të luftës së klasave. Me një fjalë ai kuptoi se të dy partitë e mëdha, PS-ja dhe PD-ja, ishin pjella të mentalitetit të së njëjtës klloçkë, të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe se ato luftonin jo për parime, por thjesht për pushtet.

Keqkuptimet midis tij dhe drejtuesve të PD-së shpunë shpejt në ftohjen e marrëdhënieve dhe largimin e Profesor Repishtit nga Shqipëria dhe rikthimin e tij në ShBA. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave politike e shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i konsultonin, ose t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot.

Guximi për të kërkuar një të drejtë, ose për të kritikuar një dukuri të gabuar, kanë qenë tipare dalluese të Sami Repishtit.

Në prill 1965, si treguam më lart, ai kërkoi i pari në Kongresin Amerikan, mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës edhe pse atmosfera ishte armiqësore. Këtë kërkesë ai e përsëriti më vonë dhe në artikuj e memorandume të ndryshme, si dhe në fjalime që mbajti disa herë po në Kongresin Amerikan dhe në disa takime të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Më 1986 në takimim me Nënpresidentin George Bush (Plakun), ai përgatiti dhe dorëzoi Peticionin për hapjen e një zyre informative amerikane në Kosovë. Hapja e kësaj zyre, ndonëse me disa vjet vonesë më 1996, krijoi kushte të favorshme për informimin e qeverisë amerikane mbi represionin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ajo zyrë luajti rolin e një ambasade amerikane në kryeqytetin e Kosovës së shtypur.

Profesor Repishti kur shkoi në Shqipëri për të ndihmuar proceset demokratike në verë të vitit 1992 i kërkoi shpjegime ish–kryeministrit Aleksandër Meksi për “procesin” e dhënies së statusit të veteranit edhe “xhelatëve” të komunizmit, kërkesë për të cilën nuk mori përgjigje prej tij.

Nga fundi i vitit 1992, mbas 30 vjet anëtarësimi në Federatën Pan-Shqiptare Vatra, ai u largua prej saj pa bujë, por i vendosur sepse ai pa se kjo organizatë atdhetare u bë një instrument i politikës së qeverisë shqiptare në kundërshtim me artikullin 5 të rregullores së saj ku thuhet: Vatra nuk merret me politikë. Ai u largua mbasi nuk mori përgjigje për pyetjet që i drejtoi kryesisë së Federatës: Pse jemi ba instrument I qeve…

***

*PS: Ne raport me Vatren shkrimi ka pasaktesi. Profesor Repishti i ka me te hershme mosmarrveshjet me Vatren. …. Ka dhe nje doreheqje te tij shume me te hershme se viti 1992.

Filed Under: Opinion Tagged With: Portret biografi, Sami repishti, Thanas L Gjika

TE SHQIPËRIA E VËRTETË ARRIHET ME STRATEGJI MBARËKOMBËTARE

September 15, 2018 by dgreca

2-ThanasNga Thanas L. Gjika/

Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nuk mundi ta realizonte qëllimin e saj final për të krijuar shtetin e pavarur kombëtar, pra për të krijuar Shqipërinë e vërtetë, ku të përfshiheshin gjithë trojet që banoheshin në shumicë prej popullit shqiptar. Kjo fatkeqësi na erdhi si pasojë e këmbënguljes së diplomacisë cariste ruse për krijimin e një shteti sa më të vogël shqiptar dhe të një shteti sa më të madh sërb në Ballkan. Kështu u imponua diplomacia europiane më 1913 për të krijuar një Sërbi të madhe që përfshiu toka ku kishte vetëm një ose disa familje sërbe, madje edhe qytete ku nuk kishte fare familje sërbe, si ishin qytetet Tetovë, Strugë, Ohër, Manastir, Prilep, etj. Synimet ruse i mbështeti diplomacia franceze dhe kështu aleatët e popullit shqiptar Austro-Hungaria dhe Italia u detyruan të pranonin krijimin e një shteti shqiptar gjysmak, Shqipërisë londineze. Pra diplomacia europiane në vitin 1913 krijoi dy shtete të pavërtetë: Sërbinë e madhe ku u përfshinë shumë territore që nuk banoheshin prej popullit serb dhe nuk i takonin Serbisë, dhe Shqipërinë gjysmake, ku u përfshinë gjysma e territoreve të banuara prej popullit shqiptar.

         Populli shqiptar, sidomos gjysma e tij që kaloi nga zgjedha osmane tek zgjedha sërbe, nuk u pajtua me këtë zgjidhje kriminale, prandaj që në vitin 1913 e deri më sot ka zhvilluar e zhvillon pandërprerje njëlëvizje atdhetare nëdy drejtime: nga njëra anëluftë me armë dhe nga ana tjetër propagandë për të bërëtëditur faktin se populli shqiptar që iu dha Serbisë ishte popull jo sllav i cili nuk po i gëzonte tëdrejtat qytetare, madje keqtrajtohej, dëbohej prej vatrave të veta dhe trysnohej për t’u asimiluar sa më shpejt. U organizuan kryengritje (1913), çeta me luftëtarë midis cilëve po përmendim vetëm Azem e Shote Galicën, Shaban Polluzhën dhe Adem Jasharin, dolën gazeta e revista brenda në Shqipëri dhe në emigracion si Kosovae Gjergj Bubanit në Kostancë, etj. Punuan për këtë qëllim shoqëri atdhetare në Bukuresht, Kostancë, Boston MA, etj.

         Aspekti propagandistik i kësaj lufte,nëvitet 60-tëtëshek. XX-të u gjallërua edhe nëNew York, te metropoli botëror. Nëfillim këtuajo u nis si një lëvizje diletante prej njënjeriu tëvetëm, prej nacionalistit tropojan Tahir Curran Kërrnaja, ish-pjesëmarrës i Luftës Antifashiste, të cilin qeveria komuniste shqiptare e dënoi me burg e internim, kurse ajo jugosllave e torturoi çnjerëzisht. Mbasi erdhi në New York aty nga viti 1963, ky malësor i thjeshtë,  krahas punëve për të mbijetuar filloitëpropagandonte faktin se nëJugosllavinëe Titos jetonte pjesa mëe madhe e popullit shqiptar i cili nuk i gëzonte tëdrejtat politike shoqërore e kulturore si popujt e tjerëtëJugosllavisë. Ai filloi të shpërndante hartën e Shqipërisë Etnike ku tregohej se pjesa më e madhe e territoreve shqiptare ishin lënë jashtë shtetit shqiptar. Më tej ky emigrant u njoh me vëllezërit tropojanë Bitici (Bytyçi), të cilët edhe ata e kishin njohur nga afër jetën plot vuajtje të popullit shqiptar në Jugosllavi, sepse kishin jetuar në Kosovë 15 vjet mbas arratisjes nga Shqipëria dhe në vitin 1966 kishin mundur të vinin në ShBA. Këtu kishin filluar të krijonin biznesin e tyre si pronarë restoranti. Vëllezërit Sergio, John, Mike dhe Joe e mirëkuptuan idenë e atdhetarit, prandaj u bashkuan me të dhe së bashku me intelektualët Prof. Rexhep Krasniqi, Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti, Dr. Safete Juka dhe me disa intelektualë të tjerë, krijuan shoqërinë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë(RshKBL).

         Shprehja popullore Një shkëndijë ndez një mal, i përshtatet punës dhe rezultateve të kësaj shoqërie e cila e ngriti nivelin e punës propagandistike nga një lëvizje diletante të thjeshtë në një lëvizje të organizuar me botimin në shumë kopje të trakteve, lajmeve, komenteve, telegrameve, të hartuar prej intelektualëve, i botonte dhe i postonte me zarfa në shumë ambasada të ndryshme, në zyra të ShBA-ve, të Europës, Azisë e Afrikës (shtetet arabe) e deri në Australi. Materialet shkruheshin pa emër autori. Gjithë shpenzimet i mbulonin vëllezërit Bitici. Sekretar i RShKBL u zgjodh më 1970 Maliq Arifaj, një emigrant i lindur në një fshat të Prizrenit. Materialet e shkruara e të botuara në shumë kopje u dërgoheshin edhe qindra intelektualëve shqiptaro-amerikanë, miqve të tyre amerikanë dhe organizatave të ndryshme kundërkomuniste.

         Shumica e kopjeve shpërndaheshin dorazi para selisë së OKB në New York City. Ish-kongresisti Dio Guardi u bë bashkëpunëtor i grupit. Midis atdhetarëve shqiptarë, të cilëve u dërgoheshin shkrimet me postë po përmendim Imam Vehbi Ismaili, Ekrem Bardha, Hari Bajraktari me gazetën Illyria, Dr. Ali Koprëncka, Dr. Nderim Kupi, Essad H. Bilali, Petra Ktona, Hasan Dosti, Dr. Eduard Liço, Dr. Anton Logoreci, Isuf Luzaj, Dhimitër Trebicka me gazetën Liria, Xhevat Kallajxhi, Idriz Lamaj, Dr. Agim Leka, Dom Rok Mirdita,, Tonin Mirakaj, Dom Zef Oroshi, Prof. Nicolas Pano, Prof. Arshi Pipa, Prof. Vasil Gërmenji, Dr. Elez Biberaj, Dr. Gjon Sinishta, Dr. Ramadan Turdiu, Prof. Stavro Skëndi, Dr. Gjon Buçaj, Xhevrie Tonuzi, Bilal Xhaferi, Ramadan Xhema, Nexhmie Zaimi, Frank Shkreli e shumë e shumë të tjerë. Ata që botonin buletine e gazeta të ndryshme i ribotonin shkrimet e shoqërisë RSHKBL në oranet e tyre, ose i transmetonin në radiostacionet e tyre si në ShBA dhe në mbarë botën. Disa prej këtyre materialeve i transmetoi dhe Radio Zëri i Amerikës. Prej intelektualëve të Europës Perëndimore që iu bashkuan kësaj lëvizjeje, po përmendim, Prof. Martin Camaj, Nermin Falaschi Vlora, Dervish Duma, Lec Shllaku, Papas Antonio Belushi, Hiqmet Ndreu, Monsinjor Eleuterio Fortino, etj. Kjo shoqëri organizoi dhe demonstrata para selisë së OKB-së. Selia e shoqërisë VATRA dhe gazeta Dielli, në fillim të viteve 1990-të u spostuan në New York, për të bashkëpunuar më nga afër me këtë lëvizje atdhetare.

         Misioni shqiptar pranë OKB-së kishte urdhër nga qeveria komuniste shqiptare që të mos e mbështeste, por ta luftonte shoqërinë RShKBL dhe punën e saj.

         Ruajtësi i arkivit të veprimtarisë së shoqërisë RShKBL, z. Sergio Bitici, në vitin 2012, viti jubilar i 100-vjetorit të pavarësisë, përgatiti librin Kosovo Path to Freedom(476 fq.), dhe e realizoi botimin prej shoqërisë VATRA. Aty pasqyrohet veprimtaria kryesore e shoqërisë RShKBL shoqëruar dhe me disa fotokopje dokumentesh dhe falenderimesh nga individë e shoqata.

         Kjo punë propagandistike ecte krahas lëvizjes popullore që zhvillohej brenda në Kosovë e në mbarë Jugosllavinë prej intelektualëve elitarë dhe studentëve të atjeshëm. Lëvizja atdhetare brenda e jashtë Jugosllavisë e theu mitin që gëzonte në botë Jugosllavia e Titos si shteti socialist, ku popujt jetonin në paqe e lumturi. U arrit që publiku amerikan dhe vetë Departamenti i Shtetit ta njihte mirë dhe ta merrte seriozisht problemin e shtypjes së popullit shqiptar në Jugosllavi. Segmente të caktuara të Departamentit të Shtetit Amerikan ndikuan te udhëheqja e qeverisë jugosllave, aleates së tyre, që në Kushtetutën e vitit 1974 ta shpallte Kosovën Krahinë Autonome me të drejta kushtetuese si të ishte republikë.

         Mbas mohimit që i bëri Sllobadan Millosheviçi kësaj kushtetute dhe shkeljes brutale të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës, shtypja arriti në nivele të padurueshme. U krijua partia Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetar intelektualin e shquar Dr. Ibrahim Rugova. U krijua Qeveria Bukoshi që mblidhte ndihma për të paguar rrogat e mësuesve që nuk paguheshim më prej qeverisë, vijoi procesi mësimor shqip nëpër shtëpi private, etj.

         Së fundi, duke mos gjetur tjetër zgjidhje, për të mënjanuar barbarizmat e Millosheviçit, zonja M. Allbright bindi shefin e saj, Presidentin B. Clinton, që të ndërmerrej sulmi i forcave ushtarake të NATO-s. Lufta e forcave të NATO-s e kordinuar me luftën e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës u kurorëzua me sukses. Kosova u çlirua dhe u shpall shtet i pavarur. Ndërkohë, ShBA-të në bashkëpunim me BE, vijojnë të mbështetin kërkesat e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi për më shumë të drejta politike e shoqërore.

         Situata e sotme, kur ekzistojnë dy shtete shqiptarë të pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi po gëzojnë gjithnjë e më shumë të drejta, nxjerr para politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë kudo ku jetojnë, detyrën imerative, që të punojmë intensivisht për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarëkombëtar: një politikë, një letërsi, një kulture kombëtare shqiptare.        Krijimi i një politike, një kulture dhe një letërsie kombëtare shqiptare me nivel të lartë shpie drejt krijimit në Ballkanin Perëndimor të shtetit kombëtar shqiptar, pra të Shqipërisë së vërtetë, ëndrra e rilindësve tanë dhe korrigjimi i padrejtësisë që kreu diplomacia europiane në vitin 1913…

Filed Under: Politike Tagged With: Shqiperia e vertete, Strateghi Kombetare, Thanas L Gjika

SPARTAK NGJELA- STUDIUESI, ANALISTI, KRITIKU… I PATAKTI

September 8, 2018 by dgreca

STUDIUES, ANALIST DHE KRITIK I GUXIMSHËM, POR RRI LARG BASHKËPUNIMIT DHE SHPESH I PATAKT/1 Spartak

(Ese kushtuar studiuesit dhe analistit Spartak K. Ngjela)/

1PerkuljaShkruan: Thanas L. Gjika/

1 perkulja-dhe-renia-e-tiranise-shqiptare-vol1

Spartak Ngjela, i cili mbushi pak kohë më parë 70 vjet, është një veprimtar energjik, avokat nga profesioni, studiues dhe analist i guximshëm, njohës i thellë dhe  kritik i ashpër i sistemit politik të mbarë Europës Lindore e sidomos të Shqipërisë komuniste dhe paskomuniste. Pena e tij nuk ka kursyer dhe nuk kursen asnjë prej udhëheqësve të shtetit dhe partive politike të Shqipërisë së këtyre 75 vjetëve të fundit. Shkrimet e tij bien në sy për njohuri të thella profesionale juridike, për horizontin e gjerë kulturor, guximin qytetar, gjuhën e pasur e plot figura letrare, përdorimin e sentencave politike e filozofike, etj. Mirëpo në shkrimet e tij, sidomos në intervistat që ka dhënë e jep në TV bie në sy një prirje individualiste, mungesë dëshire për bashkëpunim dhe përdorim i një gjuhe pa takt, shpesh me fjalë fyese ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe kryeministrit të sotëm Rama.

Deri në vitin 2014 ai botoi tre volume të veprës së tij madhore Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptarebotim i Universitetit Europian të Tiranës (UET Press). Kjo vepër ka për të mbetur në historinë e shkencave historiko-politike shqiptare si një vepër ku analizohet me hollësi rruga e pushtetit dhe e politikës shqiptare e viteve 1957 – ’96. Me këtë vepër autori ka zenë një vend nderi midis studiuesve të historisë politiko-shoqërore shqiptare.

* * *

Spartaku dhe vëllai i tij Linzi u lindën e u rritën në një familje me prindër komunistë dhe funksionarë të shtetit diktatorial (babai, Kiço Ngjela, ishte Ministër i Tregëtisë, kurse nëna, Vera Pojani Ngjela, ishte Ministre e Shëndetësisë). Duke bërë një jetë ekonomikisht më të mirë se të tjerët, duke mësuar anglishten e italishten privatisht, duke parë emisione në kanalet e televizionit italian dhe duke lexuar disa libra autorësh perëndimorë, këta djem filluan të mendonin për të metat e diktaturës komuniste, të ndjenin dhe të shprehnin në biseda mes shokësh pakënaqësitë e tyre ndaj diktaturës.

Vlen të përmendim këtu se të rinj të tillë, që e ndjenin dhe e shprehnin pakënaqësinë ndaj ashpërsisë së sistemit diktatorial komunist përmes shakave e batutave kritike, përmes këndimit të këngëve italiane, pati dhe fëmijë të disa familjeve të tjera të nomenklaturës komuniste shqiptare. Të tillë ishin tre djemtë e Mehmet Shehut, dy djemtë e Josif Pashkos, djali i Todi Lubonjës, djali i Manush Myftiut e ndonjë tjetër, të cilët nuk e kishin për zemër shoqërimin me fëmijët e Enver Hoxhës e të Hysni Kapos dhe as me bijtë e bijat e familjeve servile të nomenklaturës. Këta të rinj, ndryshe nga bijtë e tjerë të shtresës së lartë, ecnin në një rrugë të vetën për të formuar një tip të ri të intelektualit liberal shqiptar, që përpiqej të mendonte me kokën e vet, ndryshe nga pjesa dërmuese e inteligjencës shqiptare që notonte në ujrat e konformizmit dhe servilizmit, ose të gojëkyçjes. Ata e admironin dhe përpiqeshin të kishin miqësi me Ismail Kadarenë të cilit ia vlerësonin hapur talentin e fuqishëm letrar dhe sidomos tiparet disidente që ai shprehte në veprat e tij.

Në një hulli të tillë pakënaqësie ecnin edhe disa të rinj të tjerë të Tiranës, të cilët nuk kishin lidhje, ose kishin pak lidhje me shtresën e privilegjuar të pushtetit, si Ardian Vehbiu, Jamarbër Marko (i quajturi Madu, djali i shkrimtarit Petro Marko) e disa të rinj të tjerë që mbidheshin anës rrugës së Dibrës pranë dyqanit MAPO, vend që ata e quanin “Broduej”. Me këta bashkohej shpesh dhe Spartak Ngjela. Egzistonte dhe një grup djemsh të rinj të pakënaqur në lagjen Laprakë midis të cilëve Astrit Lulushi, Dashnor Kokonozi, etj, të cilët ishin të revoltuar ndaj regjimit, madje Astriti u arratis me not dhe mbas peripecish të rrezikshme arriti një vapor me të cilin arriti në Itali e që atje shkoi në ShBA ku mundi të bëhej gazetar i zoti në Radio Zëri i Amerikës.

Dhe në disa qytete të mëdhenj të Shqipërisë kishte të rinj të pakënaqur, por pakënaqësia e tyre më shumë gjente shprehje brenda familjes. E përbashkëta e pakënaqësisë së të gjithë këtyre grupeve dhe të rinjveishte se ata nuk kishin lidhje midis tyre dhe nuk mendonin për krijimin e ndonjë organizate.Bijtë e shtresës së privilegjuar ushqenin për veten e tyre një ndjenjë superioriteti, e cila i mbante të izoluar nga të rinjtë e tjerë. Frika luante rolin e vet për ta mbajtur të izoluar pakënaqësinë brenda grupit ose familjes. Në Shkodër kjo pakënaqësi kishte një përhapje disi masive. Pakënaqësia e shkodranëve manifestohej dhe si reagim ndaj përndjekjes së ashpër që kishte ndërmarrë Sigurimi i Shtetit ndaj klerit dhe inteligjencës perëndimore.

Të gjithë këta të rinj, ndonëse ushqenin ndjenja pakënaqësie ndaj regjimit, nuk ishin për ndërrimin e regjimit, por për përmirësimin e tij. Vetë idoli i tyre, Ismail Kadareja në veprën Nga njëri dhjetor në tjetrintregon qartë se ai deri më 1990 nuk mendonte për përmbysjen e regjimit, por vetëm për libearalizimin, demokratizimin e tij.

Fatos Lubonja, Spartak Ngjela dhe Bashkim Shehu u arrestuan dhe u burgosën pasi diktatori Hoxha i shpalli armiq etërit e tyre. Për arrestimin e këtyre të rinjve u shfrytëzuan disa shprehje pakënaqësish të regjistruara prej Sigurimit. Mirëpo arrestimi, procesi i hetuesisë dhe jeta e burgut ku ata njohën drejtpërdrejt ferrin shqiptar, nuk i nënshtroi, por i revoltoi edhe më dhe i shtyu të ecnin më tej në formimin e tyre politik e shoqëror kundërkomunist. Në këto vite ata e kapërcyen stadin e shakave dhe batutave me të cilat synonin zbutjen e sistemit të ashpër diktatorial dhe dalngadal arritën të formonin një botëkuptim të vërtetë disident. Duke qenë të dënuar të ndërgjegjes, ata ngulën këmbë që të mos punonin si punëtorë krahu në ndërtim dhe as nëpër galeritë e minierave të burgjeve Spaç e Qaf-Bar. Por edhe pse në burg nuk provuan mbi shpatullat e tyre jetën e skllavit si Visar Zhiti, Maks Velo etj, ata ecën përpara drejt formimit të botëkuptimit kundërkomunist duke parë nga afër jetën plot vuajtje e sakrifica në burgjet shqiptare, duke lexuar shumë libra të filozofëve, historianëve dhe analistëve perëndimorë dhe duke zhvilluar biseda me intelektualë e klerikëve kundërkomunistë. Në ato vite ata formuan mendime radikalë me të cilët synonin jo më përmirësimin, por shëmbjen e atij regjimi, të cilin tashmë e shihnin si regjim kundërkombëtar dhe kundënjerëzor (antihuman).

Në vitet 1973-’75, pra para se të arrestohej, pata rast ta njihja Takun kur ai punonte në Institutin e Historisë, i cili ishte në të njëjtën godinë me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë ku punoja unë. Dukej si i papërqendruar dhe moskokëçarës ndaj kushteve jo të mira të punës që kishin institutet tona, sepse ai punonte më shumë në Arkivin e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare dhe në shtëpi. Mbas daljes së tij nga burgu dhe ndërrimit të regjimit nuk pata rast ta takoja ndonjëherë. Kurse në vitet 2013 – ’18 duke lexuar shumë shkrime të tij nëpër gazeta, duke dëgjuar disa intervista të tij, vura re se ai shquhej për kthjelltësi dhe pavarësi mendimi, se i formulon hapur mendimet e tij kundër klasës politike, dhe mbështet pa rezerva politikën amerikane ndaj Shqipërisë.

  1. Ngjela, B. Shehu dhe F. Lubonja janë një treshe që shkëlqejnë në jetën shqiprate paskomuniste. Ngjela si avokat e studiues, Lubonja si analist dhe Shehu si shkrimtar. Mua më shumë më intrigojnë shkrimet e Ngjelës, mirëpo në të njëjtën kohë më ka rënë në syse ai nuk ka bashkëpunëtorë dhe se përdor një gjuhë shpesh herë pa takt dhe fyese ndaj ish-kryeministrave dhe Kryeministrit aktual. Kërkova dhe i gjeta volumin e II-të dhe të III-të të veprës së tij Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare. Për mua, leximi i këtyre dy volumeve ishte me përfitim të madh, prandaj vendosa të shkruaj këtë ese mbështetur në analizën e shumicës së ideve të këtyre dy volumeve. Mendoj se ky shkrim mund t’i ndihmojë lexuesit e veprave të tij për t’i kuptuar më mirë vlerat e tyre, ndoshta dhe vetë autorin për të përmirësuar mënyrën e të shprehurit me takt dhe afrimin e bashkëpunimin e tij me politikanë të aftë e të ndershëm.

* * *

Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare Vol. II

Në këtë libërjepet me disa hollësira jeta e autorit në hetuesi mbasarrestimit të tij më 15 nëntor 1975, dhe vijon me jetën e burgut deri afër lirimit. Ana biografike në këtë vepër shpaloset në kapitujt e parë, ku juristi Ngjela ndeshet me hetuesa të ndryshëm. Kurse në kapitujt pasardhës vendin kryesor e zenë mendimet, meditimet dhe analizat e tij mbi karakterin e diktaturës shqiptare nën sundimin e Enver Hoxhës. Këto mendime dhe analiza janë të thella, të shprehura me një gjuhë të kuptueshme dhe figura letrare.

Përcaktimin e vet për karakterin e ashpër dhe çnjerëzor të diktaturës komuniste shqiptare ai e shpalos që në fillim: Diktatura komuniste shqiptare u përpoq që me anë të arrestimeve, burgimeve, internimeve dhe ia arriti të ngjallte tmerrin në mendjen e popullit, sidomos në zonat e Veriut, ku antikomuniazmi ishte më i fuqishëm(f. 11). Duke e marrë dhe rimarrë këtë temë, ai jep herë rrugët sesi arriti diktatori Hoxha ta nënshtronte popullin dhe të siguronte sundimin e tij e të familjes së tij me ata që i zgjodhi për besnikë. Izolimi dhe dezinformimi historik i popullsisë, një errësirë dijeje bashkëkohore dhe një mendim denigrues për të gjithë botën e zhvilluar(f. 582), shkruan ai nga fundi i librit.

Izolimi i popullit shqiptar, sqaron Ngjela, i kishte rrënjët te periudha e sundimit osman. Këtë izolim arriti ta zbatonte edhe E. Hoxha, por kohët kishin ndryshuar. Komunikimi i ideve gjatë gjysmës së dytë të shek. XX-të, sqaron analisti, realizohej me anë të emisioneve të radiove dhe televizioneve, me vajtje-ardhjet e njerëzve jashtë shtetit, sado të pakta e të kontrolluara që ishin këto lëvizje. Kështu që ky sundim nuk mund të vijonte gjatë.

Shumë prej nesh i kanë bërë pyetjen vetes: pse i shërbenin me aq devocion njerëzit regjimit komunist? Ngjela tregon se një shkak i rëndësishëm ka qenë fakti se pjesa dërmuese e shërbëtorëve të regjimit ishin njerëz të prapambetur, të sjellë nëpër qytete nga fshatrat e varfër ku u binte bretku duke punuar me shat, kazmë e lopatë dhe e quanin privilegj të madh të kishin nga një kobure në brez e të merrnin rroga disa fish më të mëdha se të ardhurat që mund të siguronin nga puna cfilitëse në kooperativë. T’i shpëtoje punës së rëndë të kooperativës bujqësore në ato vite, ishte si t’i shpëtoje bujkrobërisë në Mesjetë, sqaron ai, prandaj ishte një gëzim i madh që i shtynte së brendshmi të tillë njerëz t’i bënin çdo  lloj shërbimi Partisë apo Sigurimit të shtetit (f. 109).  Ai e zbërthen dhe juridikisht psikologjinë e bashkëpunëtorit servil të të tillë njerëzve: ti je mirë sepse dhe ti po sundon, prandaj duhet të mbrosh idealin, që të kesh dhe ti pushtet(f. 19).

Gjatë analizës së sundimit të diktatorit shqiptar, studiuesi jep këtë shpjegim: E. Hoxha… nuk kishte as doktrinë dhe as ideal që po sundonte në Shqipëri, por vetëm një pushtet të paligjshëm të një njeriu që vepronte pa një prospekt zhvillimi dhe kundër ngritjes së koshiencës së lirisë(f. 97). Duke hyrë thellë në zbulimin e shkaqeve pse ne shqiptarët kemi përjetuar gjatë historisë situata më të këqia se popujt fqinjë, ai sqaron:

Tri kanë qenë arsyet pse ne shqiptarët kemi kaluar gjithmonë situata që na kanë bërë të ndjehemi pa të ardhme:

         Së pari, nuk kemi ditur të kooperojmë me njëri tjetrin as në politikë, as në ekonomi e as në jetën shoqërore;

         Së dyti, nuk e kemi pasur traditën e sakrificës për vendin tonë;

         Së treti, gjithmonë kemi pasur frikë nga pushtetet e paligjshme(f. 99).

Në vijim, ai u shton këtyre tre shkaqeve dhe një shkak tjetër kur shkruan se E. Hoxha e amplifikoi deri në ekstrem ndjenjën e vjetër të armiqësisë që kishin pasur shqiptarët.

Në Shqipërinë diktatoriale, sqaron juristi Ngjela, “armikun” nuk e seleksiononte gjyqi ose një proces gjyqësor, por Partia, pra shteti, më sakt Sigurimi i shtetit. E gjithë kjo gjendje, konkludon ai, nuk lejonte të kishte gjyqtarë, por rrogëtarë që bënin një punë të imponuar(f. 101).

Pikërisht tek kjo plagë e shoqërisë diktatoriale, Ngjela shikon dhe burimin e një të keqeje që e shoqëroi shoqërinë shqiptare pas shkërmoqjes së diktaturës:gjyqtarët ishin disa nga njerëzit më të korruptuar, prandaj mbas vitit 1991 ata u vunë në shërbim të fshehtë ndaj ish Sigurimit për të minuar çdo vendim e veprim demokratik të Partisë Demokratike(f. 101).

Gjatë jetës në burg ai pa nga afër se si të dënuarit punonin rëndë për ndërtimin e shumë veprave industriale dhe bujqësore dhe nga ato që dëgjoi prej tyre dhe nga studimet e veta arrin në konkluzionin:

Gjysma e veprave të planeve 5-vjeçare ishte realizuar me punën gati të papaguar të të burgosurve politikë, një e treta e popullit ishte e lidhur drejtpërdrejt me ta(f. 145).

Po ashtu gjatë jetës në burg ky njeri studioz njohu dhe disa priftërinj katolikë të dënuar, me të cilët kreu shumë biseda filozofike e fetare. Kështu prej At’ Aleks Baçit  ai mësoi një nga arsyet pse shoqëria katolike Perëndimore ka shkuar përpara botës muhamedane Orientale.

Feja nuk e pranon gënjeshtrën, prandaj kena fut edhe rrëfimin [te prifti, ose te Zoti përmes lutjes – Th. Gj.]. Gënjeshtra asht mëkat prandaj duhet rrëfye nëse e ke përdorë(f. 192), i thotë Pader Baçi autorit të këtij libri. Ngjela duke e njohur në thellësi dallimin midis mendësisë europiane perëndimore nga ajo muhamendane orientale, shton se tek gënjeshtra ndahet Orienti nga Oksidenti dhe se ishte Krishtërimi ai që e kishte sjellë këtë novacion në mendësinë europiane perëndimore.Dhe duke u futur më tej në histori, shton:

Edhe filozofia greke e kishte futur shoqërinë në binarët e moralitetit(f. 193).

Ngjela, si njohës i historisë dhe i psikikës njerëzore, pranon se njeriu si qenie shoqërore e ka pasur dhe e ka në natyrën e tij të brendshme tendencën për ta përdorur gënjeshtrën kur gjendet në rrethana të vështira. Për këtë arsye ai e quan lutjen ndaj Zotit dhe rrëfimin te prifti një mënyrë të nevojshme, një lloj arti, për të mposhtur tendencën gënjeshtare që kemi brenda vetes sonë.

Pasionin që ka njeriu për lavdi e pushtet e kanë njohur edhe grekët e lashtë, të cilët ishin shprehur se historia ka treguar që njeriu mund të heqë dorë nga pasuria, por nuk ka treguar ndonjë rast se njeriu ka hequr dorë nga pushteti e lavdia. Këtë ide Ngjela e formulon në mënyrë më shkencore duke e quajtur pushtetin si një forcë të madhe graviteti së cilës nuk mund t’i bëjë ballë asnjë interes tjetër ideor (f. 205).

Spartak Ngjela intelektual me formim materialist, njohu në burg edhe Pader Pjetër Mëshkallën, një klerik katolik shumë të përshpirtshëm dhe të kualifikuar, të cilin e admiroi për shumë mësime të vlefshëm, midis të cilëve ai sjell njërin prej tyre:

Identifikimi i ligësisë çon në konceptimin e së mirës, të moralshmes, prandaj dhe ligësinë duhet me e falë.

Me këtë mësim Atë Mëshkalla sqaronte se duheshin falur mëkatarët komunistë e sigurimsa, sepse, sipas tij, njeriu e ka ligësinë brenda vetesdhe kur ne ia falim të keqen që ka bërë e ndihmojmë që ai ta identifikojë atë dhe ndërkohë të konceptojë të mirën, të moralshmen dhe të kerkojë të falur. Pra falja sipas tij e ndihmon njeriun e keq që të braktisë të keqen dhe të konceptojë e të përqafojë të mirën. Mirëpo, të gjithë ne që po jetojmë këto 26 vjet mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, po shohim se mëkatarët  komunistë e sigurimsa shqiptarë, nuk i identifikuan fajet e krimet e tyre, nuk kërkuan të falur dhe nuk i dënuan mëkatin e tyre, por ecën në rrugën e gabuar të justifikimit të bëmave të tyre të asaj kohe. Më e keqja është se edhe shumica e bijve të tyre po ecin në të njëjtën rrugë, në rrugën e justifikimit dhe jo të katarsës.

Shpesh herë njeriu mendon se për paaftësinë e tij ia kanë fajin të tjerët. Filozofi Ngjela e kundërshton këtë ide duke formuluar një shpjegim të prerë: Të gjithë ata që mendojnë se fajin për paaftësinë e tyre ua kanë të tjerët, gabojnë. Njeriu, konkludon ai, e bën vetë fatin e tij. (f. 225) Madje, ai shton se edhe shoqëritë (nënkupto edhe kombet -Th. Gj.), po ashtu e bëjnë vetë fatin e tyre.

Pasi jetoi jetën e privilegjuar si bir ministrash, edhe jetën me mungesa të mëdha e vuajtje si i burgosur i ndërgjegjes, Spartaku ka nxjerrë shumë mësime për mënyrën sesi duhet jetuar jeta për të qenë njeri me dinjitet dhe i nderuar nga shoqëria:

Njeriu vjen e ballafaqohet me çështjen: ‘të duhet një ekzistencë e rrezikuar me dinjitet, apo një ekzistencë normale pa rrezik dhe pa dinjitet’?(f. 234)

Që të jesh e të mbetesh njeri i ndershëm, pra njeri që të do e të respekton populli, sqaron Ngjela, duhet ndjekur mësimi që tha shkrimtari francez Albert Kamy në ceremoninë e marrjes sëçmimit Nobel: Dy janë zotimet tona, të mos gënjesh kurrë për ato që di dhe të kundërshtosh shtypjen. (f. 384-385)

Duke pasur parasysh kushtet e jetës nën diktaturë, kur deshëm apo nuk deshëm, të gjithë kemi gënjyer, sepse të trembur nga terrori i arrestimeve dhe dëbim-internimeve kemi thënë se jetonim mirë, kur në fakt jetonim në varfëri me tallona, ose se ishim të lirë, kur nuk guxonim të flisnim hapur as me shokët e afërt. Me një fjalë sipas Ngjelës, duke përjashtuar të dënuarit e ndërgjegjes, ne të tjerët duhet të pranojmë se kemi qenë fajtorë gjatë jetës nën diktaturë, sepse duke gënjyer nuk kemi luftuar shtypjen. Për ta përforcuar këtë mendim ai sjell sentencën latine: E vërteta të bën të lirë. (f. 308).

Kush i kupton këto mësime të analistit e filozofit Ngjela, nuk ka se si të mburret me jetën dhe bëmat e tij të kohës së diktaturës, kur në mbledhje, në shkrime letrare e publicistike, në poezi, studime, filma, piktura e skulptura, gënjente duke përsëritur mendime dhe ide ashtu si i donte partia shtet, për ta paraqitur jetën në sistemin socialist si të lumtur, si jetë që notonte në liri e bollëk. Përpjekjet e të gjithë njerëzve që i shërbyen diktaturës për të justifikuar veten se vepruan ashtu nga zori, ose se ishin të gënjyer, nuk janë gjë tjetër veçse mungesë ndershmërie e qytetarie. Mirëpo këtu duhet të pranojmë se edhe Spartak Ngjela e ka një dobësi. Si bir i një nëne që vuajti internimin e saj, të vajzës e të djalit të vogël dhe burgimin e djalit të madh e të bashkëshortit, ai ia pranon e nuk ia kundërshton justifikimin që ajo i shpreh në volumin pasardhës, se gjatë kohës kur ajo dhe Kiçua ishin pushtetarë, ishin pajtuar me gjendjen sepse ishin gënjyer dhe nuk e njihnin gjendjen e mjeruar të popullit.

Gjatë përpjekjeve për të analizuar ashpërsinë e diktaturës shqiptare, Spartaku arrin në mendimin se Enver Hoxha me Ministrin e Brendshëm dhe kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit kishin urrejtje kundrejt Perëndimit…dhe se urrejtja i kishte drejtuar kundër një qytetërimi, të cilin nuk e kishin pranuar sepse nuk ndjeheshin mirë përballë lirisë. Donin skllavërinë e individit dhe skllavopronarë të ishin ata. Donin luftën e klasave, por klasa superiore të ishin ata. (f. 461). Madje, shton, ai edhe ish-kuadro të lartë të Sigurimit e të Ushtrisë që jetonin me të në burg, vuanin nga kjo mendësi e sëmurë.

Me formimin e tij të gjerë kulturor, ky analist ka mundur të japë mendime të pjekura edhe për letërsinë dhe artet shqiptare të asaj kohe, që krijonin sipas metodës së realizmit socialist. Komunizmi në Shqipëri kishte ngritur një shkollë të unifikuar ku krijoheshin vlera intelektuale me edukacion uniform, sqaron ai, dhe me tej vijon: Ky ishte shkaku që letersia edhe arti nuk kishin karakter human. Individi nuk vlerësohej [nga partia shtet]; ai duhej të trajtohej si anonim, dhe kështu e trajtonte edhe letërsia. (f. 468) Për ta bërë më të kapshme këtë dobësi të letërsisë shqiptare të realizmit socialist që zhvillohej brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ai kalon te letërsia shqiptare e Kosovës, e cila zhvillohej në tjetër shtrat metodologjik, në atë të realizmit: Letërsia kosovare jo, vijon ai, spikama e saj ishte shumë më individualiste dhe shumë më humane. Ajo ishte e gjitha e angazhuar me një çështje të madhe morale dhe prandaj nuk mund të harrote individin. ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, e Rexhep Qosjes ishte një roman humanist e perëndimor që ngrinte lart fatin e njeriut të thjeshtë kosovar që dhunohej nga policia sekrete. Por kjo as që mund të mendohej nga romancierët e Shqipërisë sepse ndonëse e shihnin çdo ditë, nuk revoltoheshin për të shkruar, sepse ky ishte formati ideologjik që i kishte unifikuar duke i fundosur në pedantizmin ideologjik të një metode letrare, që vetëm metodë [krijuese letrare] nuk ishte. Kjo e rëndonte gjendjen, e bënte antiintelektualiste. (f. 468)

Duke dashur t’i zgjojë të gabuarit, studiuesi përmend se edhe bijtë e familjeve të E. Hoxhës, R. Alisë dhe të shërbëtorëve të tyre do të kuptojnë shumë shpejt se kanë punuar kundër interesave të tyre dhe historisë së familjes së tyre (f. 512).

Thënë shkurt, lidhur me pushtetin që krijoi e drejtoi diktatorit shqiptar, ai konkludon:

 Enver Hoxha solli në pushtet njerëz që ishin ose të mashtruar, ose të liq. (f. 544).

Për t’u bërë më i besueshëm në idetë e veta për karakterizimin e komunizmit si një sistem i dëmshëm dhe për të tregua shkakun pse fitoi ideologjia komuniste dhe sistemi komunist, Ngjela sjell edhe mendime të filozofëve të ndryshëm si Bernard Rasëll:

Komunizmi është rrjedhojë e urrejtjes, varfërisë dhe  konflikteve të brendshme të një shoqërie. Nëse duam ta frenojmë atë, duhet të zbutim urrejtjen dhe varfërinë në këto vende(f. 593). Kjo thënie sqaron faktin se varfëria e sotme dhe ushqimi i urrejtjes midis njerëzve që mendojnë ndryshe, janë ndër shkaqet që ndihmojnë për të mbajtur ende gjallë në Shqipëri një farë nostalgjie për kohën e diktaturës komuniste…

* * *

Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare Vol. III

Këtë volum autori ua ka kushtuar miqve të tij Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari, të cilët u shquan për aktivizimin e tyre në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990 dhe më pas në proceset demokratike. Autori pati me ta dhe me Arben Imamin shumë bashkëbisedime e mirëkuptime, sepse këta bënin pjesë në grupin e liberalëve brenda Partisë Demokratike, por rrethanat nuk i ndihmuan që të bashkëpunonin deri në krijimin e një force politike me anën e së cilës mund të ndikonin për një demokratizim të shëndetshëm të proceseve politike të viteve 1991 – ’96, vite kur shtrihen ngjarjet e këtij libri.

Spartak Ngjela u lirua nga burgu më 11 shkurt 1991 pas gati 15 vjetësh nga arrestimi i tij. Në këtë kohë ishte krijuar partia e parë opozitare, Partia Demokratike dhe kishte filluar botimi i gazetës së saj Rilindja Demikratike. Që në ditët e para duke kaluar me tren nëpër qytetin e Kavajës lexoi në një mur parullën ENVER – HITLER. Kjo i dha të kuptonte se frika ishte vrarë në Shqipëri dhe mendoi se tani e tutje asgjë nuk do të ndryshonte më për të të lejuar që të jesh vetvetja, dhe asnjë forcë nuk do të më ndalonte më që të tregohesha përpara shoqërisë sime ai që isha(f.17).

I sapodalë në jetën e lirë pasi kishte përjetuar nga afër shumë ligësi prej hetuesve, rojeve të burgut dhe prej disa të dënuarve që ishin thyer dhe bashkëpunonin si informatorë të Sigurimit, Spartaku ndjente një farë urrejtje për gjithë ish-pushtetarët e ish-bashkëpunëtorët e diktaturës. Ai e kishte të vështirë në ato ditë, të bënte dallim midis kategorive të ndryshme të njerëzve që i kishin shërbyer atij sistemi. Të gjithë pa dallim i dukeshin të liq. Sipas tij PPSH-ja kishte qenë një forcë djallëzore që kishte pushtuar gjithëçka dhe qe shtrirë në të gjitha hapësirat e jetës private përmes kontrollit, presionit dhe frikës që e ushtronte me anë të njerëzve që i kishte bashkuar ligësia. Këta punonin bashkë për një ndërmarrje të fëlligshtë kundër të gjithë shoqërisë, por që ishin të liq edhe kundër njëri – tjetrit. Spartaku i përcakton ata si krijesa jashtë qytetërimit dhe humanizmit, që ligësinë e kishin mjetin e jetesës së tyre (f. 20). Ai harron se nuk mund të futen të gjithë ish-pushtetarët, ish-komunistët, ish-sigurimsat, ish-artistët, ish-studiuesit dhe ish-nëpunësit e sistemit komunist në kallëpin e njeriut të lig. Kishte midis tyre që kishin hyrë në vallen e pushtetit të gënjyer në vitet e rinisë së tyre kur ishin pushtuar prej idealit të lirisë së atdheut nga pushtuesit e huaj, disa të tjerë më vonë ishin shtyrë nga ideali i mbrojtjes së lirisë së fituar me gjak, ose nga ideali i krijimit të një Shqipërie demokratike. Të tillë njerëz ishin viktima të atij regjimi, të gënjyer ose të trembur, të cilët gjatë kryerjes së detyrës nuk prireshin nga ndjenja e ligësisë. Vetë ky autor, në faqet e mëtejshme, përmend me respekt mjaft ish-komunistë si njerëz me virtute. Të tillë ai përmend prindërit e tij ish-ministra, kryetarin e Gjykatës së Lartë, juristin Kleanth Koçi, shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli e shumë ish-komunistë, të cilët nuk i kishte bashkuar ligësia me regjimin diktatorial.

Ky intelektual i përndjekur, me bindje demokratike dhe jurist i formuar mirë, nuk iu afrua kryetarit të Partisë Demokratike për t’i vënë dijet e tij në shërbim të asaj partie. Ai u lidh së pari me Gramoz Pashkon, shokun e tij të rinisë, për të mësuar se çfarë mendonin anëtarët e kryesisë së asaj partie që mori përsipër ndërrimin e sistemit totalitar njëpartiak me ekonomi të centralizuar me sistemin shumëpartiak me ekonomi të tregut të lirë. Më tej ai u lidh dhe me Arben Imamin, nënkryetarin e partisëdhe me Azem Hajdarin, themeluesin e saj, etj. Gjatë bisedave me ta mësoi se Sali Berisha kishte qenë një ish-komunist ekstremist, që ishte futur në gjirin e asaj partie prej Ramiz Alisë dhe me manovra të ndryshme po mënjanonte nga kryesia e PD-së elementet liberalë me ide perëndimore për ta marrë ai kryesinë e partisë.

Nga aq sa e njihte Ramiz Alinë, Spartaku kishte krijuar bindjen se Ramizi nuk e kishte staturën e një burri shteti që mund të drejtonte qeverinë dhe shoqërinë shqiptare drejt reformave të nevojshme për të kryer ndërrimin e sistemit. Ramizi, shkruan ky analist, synonte që të gënjente Perëndimin për të siguruar ndihma financiare e ushqimore duke kryer disa reforma gjysmake lidhur me pluralizmin. Ai ndihmoi në krijimin e Partisë Demokratike dhe futi aty për ta drejtuar disa njerëz të tij si Sali Berisha, Neritan Ceka, etj, me qëllim që ta manipulonte veprimtarinë e kësaj partie në funksion të lojës së tij. Më vonë Ngjela mësoi se të këtij mendimi ishin dhe mjaft demokratë të tjerë, ish të përndjekur si At’ Zef Pllumbi, etj (f. 91).

Ngjela nuk u shqetësua nga fakti që Berisha ishte një i futur i Alisë në PD. Në fillim ai i këshilloi Pashkon, Imamin dhe Hajdarin që të këmbëngulnin që partinë e re, kundërshtare të regjimit komunist, të mos e drejtonte një ish-komunist. Sipas tij drejtimin e Shqipërisë demokratike, pra postin e kryeministrit duhej ta merrte një intelektual me backgraound (të kaluar) kundërkomunist si Isuf Vrioni. Kurse si President të parë të Shqipërisë demokratike ai sugjeronte shkrimtarin e talentuar Ismail Kadare, i cili me veprat e tij ishte bërë një figurë botërore dhe gazonte më shumë se kushdo respektin e popullit shqiptar. Me të tillë intelektualë në postet kryesore, sipas tij, Shqipërisë mund t’i hapeshin rrugët drejt demokracive perëndimore (f. 89).

Me aq pak sa kishte dëgjuar ai për sjelljet e Berishës kishte krijuar idenë se Ramiz Alia kishte zgjedhur Berishën për kryetar të PD-së sepse të dy ngjanin për nga mendësia orjentale dhe ishin kundërshtarë të mendësisë perëndimore dhe individualitetit intelektual. Ishte e njëjti motiv, që Enver Hoxha kishte zgjedhur Ramiz Alinë si pasardhës. Ngjela e formulon shqip: Ramiz Alia e kishte krijuar opozitën shqiptare për të neutralizuar revolucionin(f. 39), sepse ai e ndjente se populli ishte i revoltuar me politikën e tij mashtruese dhe se pas parullës O Ramiz o legen, ke 5 vjet që na gënjen, R. Alia ndjente rrezikun e shpërthimit të një revolte për ta përmbysur regjimin e tij.

Ndërkohë Berisha u tregua shumë më i shkathët se treshja Pashko-Imami-Hajdari, që konsultohej me Ngjelën. Ai përdori mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë, ku kishte shumicën, për ta mposhtur mendimin e Kryesisë së Partisë, ku kishte pakicën. Kështu ai realizoi emërimin e tij kryetar të PD-së, kurse më vonë zgjodhi për kryeministër ing. Aleksandër Meksin, me të cilin kishte parabërë pazar që ta zgjidhte në atë post, po të ishte i bindur ndaj tij.

Drejtuesit e PD-së, Ngjela i karakterizoi si njerëz që u mungonte formimi politik perëndimor, si kuadro që nuk dinin si të realizonin përmbysjen e sistemit monist. Ata pretendonin se kishin krijuar një parti të qendrës së djathtë, por në fakt përbërja e Këshillit Kombëtar të PD-së me njerëz me backgraound komunist dhe që kishin frikë nga Ramiz Alia, tregonte se partia e tyre ishte një parti e qendrës së majtë, pra një parti socilademokrate. Vetëm G. Pashkoja nuk ishte i tillë (f. 32-37).

Si njohës i historisë politike të Europës, Ngjela parandjeu se dalja në lojën politike e Sali Berishës si kryetar i PD-së do të sillte shumë shpejt transformimin e tij nga njeri i Ramizit në kundërshtar të tij. Se shumë shpejt do të kishte përplasje midis tyre derisa Berisha të delte si forcë politike e pavarur kundërshtare e PPSH-së e më pas e Partisë Socialiste. Dhe ashtu ndodhi, ndonëse në zgjedhjet e marsit 1991 Partia Demokratike humbi rëndë duke fituar shumë pak vota, sepse ajo nuk kishte depërtuar në fshat, ku jetonte më shumë se 65 % e popullsisë e paçliruar nga frika e Sigurimit dhe e PPSH-së.

Pas këtyre zgjedhjeve, të cilat u vlerësuan prej vëzhguesve të huaj si zgjedhje të lira, Ramiz Alia siguroi mbijetesën e pushtetit të tij dhe të PPSH-së sepse iu dhanë mjaft ndihma nga bota perëndimore. Përpëlitjet e R. Alisë dhe të së vesë së diktatorit Hoxha, për të zgjatur sadopak mbijetesën e sistemit të vjetër, Ngjela i quan paaftësi të tyre për të qenë reformistë për të shpëtuar veten dhe popullin e Shqipërisë nga shkatërrimi tërësor që i priste (f. 43).

Lidhur me arsyet dhe shkaqet e ndryshimeve në Shqipëri në vitet 1990 – ’91 studiuesi shprehet shkurt e qartë: koha kishte bërë përpara për të ndryshuar kahun e saj të lëvizjes shoqërore, por ky ndryshim kishte ardhur jo nga presoni shoqëror, por nga falimentimi i regjimit politik(f. 66). Pra ndryshimet në Shqipëri nuk erdhën se u bë ndonjë presion nga forca të caktuara shoqërore brenda vendit, por sepse regjimi kishte kapitulluar si sistem politik dhe ekonomik. Kurse dëshirën e shqiptarëve për të marrë nga sytë këmbët, për të ikur në masë nga atdheu, ai e shpjegon me thënien e filozofit kinez, Konfuci, sipas të cilit një popull që është poshtëruar shumë prej qeverisë së tij, do që ta braktisë atdheun. Populli shqiptar kur mbaroi koha e poshtërimit dhe e varfërimit prej regjimit komunist e gjeti rrugën e shpëtimit, jo me ndihmën e ndonjë Mojsiu si Judenjtë e lashtë, por vetë, duke emigruar në masë drejt Europës Perëndimore dhe jo drejt Turqisë. Dhe kjo zgjidhje, sipas Ngjelës, dëshmonte tharmin perëndimor që ishte ngjizur në genet e këtij populli që nga koha e poliseve të lashta të Butrintit, Apollonisë, Durrësit, Lezhës, etj dhe më pas gjatë jetës në Perandorinë Romake e atë Bizantine. Kërkesës së të vëllait për t’u larguar prej Shqipërisë, Spartaku iu përgjigj negativisht. Ai vendosi të qendronte në atdhe, duke dëgjuar dhe këshillën e të atit, se duhej të luftonte në atdhe për një të ardhme më të mirë për vete dhe popullin shqiptar, të cilit ia kishte borxh investimin që kishte bërë në rininë e tij për shkollimin.

Koha, thotë Ngjela ishte shumë e favorshme për shqiptarët: po shkërmoqej Perandoria Sovjetike, shpejt do të shpërbëhej edhe Federata Jugosllave, politika amerikane, ashtu si dikur politika austro-hungareze, kishte interesa në Ballkanin Perëndimor, mirëpo shumica e shqiptarëve nuk po e kuptonim se pa bashkimin e popullit shqiptar në një shtet kombëtar, nuk mund të kishim një shtet vetefiçient. Sa kohë të mbetej Shqipëria në formatin londinez, shqiptarët do të ishin të varfër dhe gjithmonë do ta sundonin juntat, ashtu siç kishin sunduar (f. 46).

Duke synuar të përgjithësojë përbërjen e Partisë Demokratike në atë kohë, Ngjela vë në dukje se kjo parti ishte krijuar kryesisht nga grumbullimi spontan i njerëzve  të moralshëm, të cilët në thelb e dëshironin ndryshimin, por shumica absolute e tyre nuk e dinte se çfarë ishte ndryshimi që duhej realizuar, ata nuk kishin mendim për një demokraci të institucionalizuar dhe kenaqeshin me të drejtën për të folur për ato që ndjenin. Fatkeqësia e tyre ishte se ishin bashkuar me Sali Berishën, i cili në brendësi të tij udhëhiqej nga një ndjenjë ligësie dhe nga një urrejtje ndaj çdo gjëje të mirë (f. 86). Ky shpjegim, për mendimin tim, bën pjesë në ato shprehjet pa takt dhe fyese të Ngjelës, sepse Berisha gjatë jetës së tij të deriatëhershme kishte qenë një mjek humanist dhe aspak një njeri i cili udhëhiqej nga një ndjenjë ligësie dhe nga një urrejtje ndaj çdo gjëje të mirë. Dobësitë e Berishës si politikan e burrë shteti duhen parë në formimin e tij familjar patriarkal, në ambicjen e tij të tepruar për pushtet, në mungesën e formimit të tij juridik e politik, etj.

Rënien e Partisë Demokratike në dorë të S. Berishës, Ngjela e interpreton edhe si dobësi të G. Pashkos, i cili nuk ia dëgjoi këshillën që i dha ai për të grumbulluar rreth vetes në PD gjithë botën akademike, njerëzit e iluminuar, që kishte Shqipëria e asaj kohe. Pashkoja nuk i afroi këta njerëz, madje i luftoi, si luftoi së pari Edi Ramën, të cilin e detyroi të largohej nga kryesia e PD-së kur i tha se intelektualët ishin me Ramiz Alinë e nuk duheshin afruar.

Me shumë interes është përpjekja e Ngjelës për të zbërthyer karakterin dhe forcën e brendshme lëvizëse të Sali Berishës, liderit të PD-së. Për këtë qëllim ai ndalet te rasti kur studenti Shinasi Rama, një nga krerët e lëvizjes studentore, në një mbledhje para se të shpallej pluralizmi, ku ishin të pranishëm shumë studentë e pedagogë, pasi dëgjoi Sali Berishën u ngrit dhe e kritikoi ashpër, madje e feu shumë rëndë dhe kërkoi që Berisha të delte jashtë nga mbledhja. Doktor Berisha u ngrit dhe pa folur bëri të delte, por nuk doli nga salla, shkoi në fund të sallës dhe u ul. Analisti Ngjela jep shpjegimin e vet për këtë sjellje të Berishës si një sjellje: që mbante me vete ose një qëllim shumë të madh, të kërkuar si shërbim nga një ‘forcë madhore’, ose pastaj ishte karakteri i një njeriu me personalitet të dyfishtë, që mbrohej kundrejt fyerjeve dhe sharjeve me anë të patologjisë së tij të brendshme, e cila e mësonte sesi t’i bënte ballë asaj që kishte vendosur ta pushtonte(f. 86).

Gjatë librit autori, duke shkruar për vendimet e gabuara që merrte lidershipi i PD-së shton se ato ai i bënte i shtyrë nga padija dhe ligësia e tij e brendshme, ose i shtyrë nga ndonjë forcë armiqësore e jashtme. Kjo pjesa e fundit është pa bazë, sepse mungojnë faktet dhe si jurist autori nuk duhej ta kishte formuluar.

Ngjela në ato vite gaboi me qëndrimin e tij mënjanë, me mosafrimin ndaj Sali Berishës dhe me mosbashkëpunimin me të për zbutjen e dobësive të këtij politikani të ri që po shquhej për intuitën, forcën e fjalës dhe pasionin kundërkomunist. Detyra e një intelektuali të përvojtur me formim të shëndoshë teorik në fushën e jurisprudencës, për hir të nevojave që kishte shoqëria shqiptare, ishte të afrohej e të bashkëpunonte me liderin politik, i cili mori mbi vete detyrën e vështirë të ndërrimit të regjimit duke qenë një diletant në politikë, pa formimin e nevojshëm. Koha kërkonte që diletantizmi i Berishës të ndihmohej dhe jo të luftohej prej të diturit Ngjela. Berisha dhe Partia Demokratike atëhere dhe më vonë kishte një kundërshtar shumë të egër dhe të fuqishëm, Partinë e Punës së Shqipërisë, që brenda një dite ndërroi emrin në Partia Socialiste dhe duke trashëguar pasuritë e shumta ekonomike dhe njerëzore, parlamentarët e shumtë të PPSh-së dhe punonjësit e bashkëpunëtorët e Sigurimit të shtetit, zhvilloi një luftë kundërdemokratike ndaj partise kryesore opzitare dhe drejtuesve të saj. PPSh-ja, luftoi pa mëshirë si kuçedra e përrallave për të mbytur mendimin dhe veprimin opozitar. Ajo mbrojti me forcë idenë se Enver Hoxha dhe sistemi socialist ishin pozitiviteti i Shqipërisë gjatë viteve 1944-1991.

Pra, mund të themi se prej karakteristikës negative, që Ngjela ia njeh popullit shqiptar si popull që e ka të vështirë bashkëpunimin midis vedit, vuanin edhe vetë intelektualët G. Pashko e S. Berisha, që nuk afronin intelektualët e shquar në PD, por edhe vetë juristi S. Ngjela, që nuk luftoi të hynte në PD e të luante rolin e vet në atë parti opozitare. Futja e tij në PD do të forconte krahun liberal në atë parti dhe do të zbuste shumë difekte të S. Berishës.

Në libër nuk lihet pa u karakterizuar dhe Ramiz Alinë, për të cilin, si thamë mëlart, autori e quante një përfaqësues të forcave osmaniste kundërperëndimore, si një pushtetar që nuk ishte burrë shteti sepse nuk ishte lejuar kurrë të mendonte e vepronte si politikan e pushtetar i pavarrur. Duke zbuluar shkakun kryesor të falimentimit të R. Alisë, Ngjela shkruan: Realisht ai nuk diti se çfarë të bënte me figurën e Enver Hoxhës, dhe ishte pikërisht kjo që e falimentoi plotësisht si politikan, por, që i dha mundësi forcave retrograde që, në një mënyrë tjetët, jashtë tij, dhe në kundërshtim me të, të krijonin sërisht një pushtet, i cili ndonëse në një pluralizëm fiktiv, ishte realisht një tirani. (f. 127) Mirëpo në vitet 1991-’96 që analizohen në këtë libër nuk mund të quhen vite tiranie, sepse, pavarësisht nga gabimet, në ato vite, madje dhe më vonë, njerëzit kishin të drejtë të krijonin parti politike, të organizonin mitingje e demostrata paqësore, të votonin kë të donin, gëzonin të drejtën e fjalës e të shtypit të pavarur, të lëvizjes, të komunikimit e informimit, etj.

Një problem me shumë rëndësi që ngre Ngjela në këtë libër është kalimi i shoqërisë shqiptare në kapitalizëm. Kapitalizmi është garë dhe gara kërkon moralitet, thotë ai, dhe vijon, Por moraliteti do të vendosej [në Shqipëri] nëse do të ndëshkohej krimi 45-vjeçar. Ndëshkimi i krimit nuk duhej të ishte në asnjë mënyrë politik, por vetëm moral dhe juridik. Dhe më tej shtron disa pyetje: Po si? Kush do ta drejtonte reformën në sistemin legal? Kush do ta identifikonte krimin? Kush do ta gjykonte krimin dhe më në fund, kush do të ishte akuzatori?Këtyre pyetjeve Ngjela u jep shpjegimin e vet, duke theksuar se Partia Socialiste nuk donte ta dënonte krimin, kurse Partia Demokratike dhe shtresa e të përndjekurve nuk kishin kuadrin e nevojshëm për ta shtruar e zgjidhur këtë problem aq të rëndësishëm.

Qartë i artikulon Ngjela shkaqet e humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e para të lira më 31 mars 1991. Ai thekson disa nga shkaqet, si shpallja e ditës së zgjedhjeve shumë afër kohës kur u shpall pluralizmi dhe partitë opozitare nuk ishin konsoliduar, mungesa e të ardhurave financiare nga ana e partive të reja opozitare, mosshtrirja e tyre në zonat fshatare, mosshfrytëzimi i televizionit nga ana e këtyre partive, etj. Ky moslejim i kundërshtarit për të luajtur gjatë fushatës së zgjedhjeve sipas të njëjtave rregulla, sipas Ngjelës, dëshmoi ligësinë dhe djallëzinë e Ramiz Alisë, i cili nuk donte të largohej nga pushteti (f. 147).

Përmbysjen e qeverisë socialiste të Fatos Nanos me anën e grevës së përgjithëshme që organizuan Sindikatat e Pavarura në maj 1991, Ngjela e quan me të drejtë shpërthim të konfliktit midis qeverisë puniste dhe popullit(f. 210).

Më 5 qershor 1991 u krijua Qeveria e Stabilitetit. Ishte koha që intelektualë të përvojtur si S. Ngjela, M. Velo, V. Zhiti, F. Lubonja njerëz të mirëformuar të futeshin në Partinë Demokratike e në bashkëpunim me grupin liberal properëndimit të Gramoz Pashkos, Arben Imamit, Zef Brozit, Eduard Selamit, Shinasi Ramës, Pjetër Arbnorit, Teodor Kekos, Sokol Olldashit, Perikli Tetës, Mitro Çelës, Preç Zogajt, Shahin Kadaresë, Natasha Lakos, etj të forconin veprimtarinë e këtij krahu brenda PD-së. Bashkimi dhe bashkëpunimi i të tillë intelektualëve me stafin drejtues të PD-së do të sillte përshpejtimin e krijimit të një klase politike serioze dhe profesionale, ose, si këshilloi shqiptari nga Bruxelle-s Idriz Basha, këta elementë duhej të krijonin një parti të re për ta mposhtur frymën orientale të grupit Berisha.

Mirëpo, Ngjela me shokët e tij jopartiakë qëndruan mënjanë si të pavarur, gjë që nuk ndihmoi as për mposhtjen e grupit të Sali Berishës dhe as për ta evoluar këtë grup drejt zbutjes. Berisha duke qenë i lirë e shfrytëzoi me shkathtësi rastin për të forcuar krahun e tij duke mënjanuar pjesëtarët e grupit liberal, sidomos pas marrjes së pushtetit mbas zgjedhjeve të marsit 1992. Ky mosangazhim i Ngjelës në politikën e kohës, ishte në fakt në kundërshtim dhe me mësimin që ai ka dhënë vetë në këtë libër: Politika nuk është sentiment pranimi apo mospranimi i atyre që drejtojnë politikën aktuale, por është pragmatizëm për të parë sesi mund të shpëtosh nga një e keqe që mund të bllokojë vendin dhe vetë shoqërinë.(f. 249)

Qëndrimi mënjanë individualist i Ngjelës, i këtij juristi të përgatitur shkencërisht gjatë viteve 1991-’92 mendoj se përbën në jetën dhe veprimtarinë e tij një gabim të rëndë politik, shoqëror dhe moral. Gabim të ngjashëm me të bënë dhe shumë intelektualë anëtarë të PD-së, të cilët pasi panë se Berisha po e forconte krahun e tij otomanist kundërliberal, u larguan nga kjo parti, në vend që të mobilizoheshin për të forcuar grupin liberal duke shkruar e botuar shkrime kritike në faqet e shtypit të lirë të kohës për të kritikuar gabimet e kryesisë së PD-së. Kjo tregonte se demokratët e asaj kohe nuk kishin formim politik, nuk kishin ideale për të cilat duhej të luftonin, ata ishin bashkuar me PD-në për të shprehur pakënaqësinë ndaj zullumeve të PPSh-së.

Qeveria e Stabilitetit ishte një marrëveshje midis PS-së dhe PD-së për sundim të përbashkët, e cila nuk po bënte përpjekje për ndërtimin e një shteti të drejtë funksionues nëpërmjet ligjit, vëren Ngjela. Këtu ai gjen rastin të paralajmërojë, se nëse nuk sundon dot nëpërmjet ligjit, patjetër që do të sundosh nëpërmjet krimit(f. 231). Në kohën e Qeverisë së Stabilitetit, Ngjela bëri një gabim tjetër: nuk pranoi postin e Kryetarit të Komisionit të Privatizimit, detyrë të cilën ia propozoi Kryeministri Ylli Bufi dhe ai mund ta kryente me shumë sukses.

Moskrijimi i një shteti ligjor gjatë qeverisë së Stabilitetit dhe më vonë pasi erdhi Berisha në pushtet, ishte arsyeja themelore që e shtyu këtë ish-komunist ekstremist, që në vend të qeveriste sipas ligjit sundoi nëpërmjet krimit. Dhe Shqipëria e pagoi dhe po e paguan shtrenjt moskrijimin e shtetit ligjor.

Krahas mprehtësisë, edhe guximi është një tipar i Ngjelës. Ai nuk nguron të kritikojë dhe Departamentin e Shtetit Amerikan lidhur me përkrahjen e madhe që i dha Sali Berishës, të cilin pa e verifikuar mirë, e mbështeti dhe e konsideroi kampion të demokracisë në Ballkan(f. 255). Mirëpo Ngjela pati mundësi dhe u bë mik i afërt me ambasadorin amerikan William Edwin Ryerson (f. 274), por ai nuk punoi me të për ta bindur se Sali Berisha nuk meritonte të përkrahej aq fort prej qeverisë amerikane dhe t’ia numëronte dobësitë dhe gabimet politike të liderit shqiptar, gjë që do të ndreqte shumë veprime në politikën shqiptaro-amerikane.

Ngjela e ka parë me syze krejt të errëta Sali Berishën si politikan dhe qeverinë e parë demokratike të viteve 1991 – ’96. Ai nuk justifikon asnjë nga gabimet e saj të kryera nën presionin e vështirësive të mëdha me të cilat ky pushtetar pa shkollë politike bashkë me qeverinë e parë demokratike u ndeshën për ta nxjerrë Shqipërinë nga gjendja e komës ku e kishte katandisur sundimi i gjatë i diktaturës komuniste. Ngjela nuk e kritikon si e sa duhet luftën e ashpër armiqësore që i bëri opozita socialiste ndaj çdo hapi e vendimi që merrte Presidenti Berisha dhe qeveria Meksi. Këtë politikë armiqësore të opozitës socialiste, Ngjela nuk e ka dënuar si një politikë, e cila si dikur lufta e klasave, ushqente armiqësinë midis bijve të popullit shqiptar. Lufta e klasave dhe lufta partiake e këtyre viteve ishin të ngjashme me luftën që kishin mbjellë gjatë sundimit osman Porta e Lartë e Stambollit dhe Patrikana Greke midis shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve të krishterë. Në atë kohë populli ynë, luftës fetare ia kishte gjetur zgjidhjen përmes tolerancës fetare, kurse kësaj luftës së re politike nuk po ia gjente dot zgjidhjen dhe tifozllëku partiak u kthye në një plagë shoqërore. Armiqësia politike midis anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së dhe PD-së vinte duke u ashpërsuar, në një kohë që Shqipëria kishte nevojë për kritika tolerante, për diskutime që shpinin drejt pajtimit kombëtar dhe jo drejt ashpërsimit e mospajtimit. Në këtë proces duhej të ishte angazhuar fort njeriu i formuar Ngjela me njohuritë e tij politike, filozofike e juridike.

Ndërkohë duhet të themi se autori i librit ia mban anën shokut të tij Gramoz Pashko dhe nuk e kritikon për premtimin e çekut të bardhë, që ia ngriti mendjen popullit shqiptar dhe e hodhi në luftë për shkatërrime. Shkakun e shkatërrimeve Ngjela ia vesh Sali Berishës (f. 330). Eshtë rasti këtu të them se analisti e studiuesi Ngjela vuan dhe ai nga mungesa e ndjenjës së autokritikës. Në këto dy volume dhe në intervistat e tij nuk kam hasur asnjë shprehje të tij se i njeh vetes ndonjë gabim dhe askund nuk gjendet përpjekje për korrigjim të veprimeve dhe mendimeve të veta. Pra mund të themi se deri diku Ngjela edhe pse ka një formim kulturor e profesional të ngritur, vuan nga një ndjenjë mendjemadhësie.

Më tej vlen të ndalem në analizat që ky studiues i ka bërë diktatorit Hoxha dhe diktaturës. Shumë vëzhgime të tij për këtë problem janë të sakta, por prej tij prisja më shumë. Gjatë takimit me nënën e tij, në ditët e para të mbaslirimit nga burgu, Spartaku dëgjoi opinionin e saj për regjimin e Enver Hoxhës: Regjim i urryer nga gjithë shoqëria. Historikisht i urryer(f. 23), dhe ai nuk e kundërshtoi as atëhere e as më vonë edhe pse nëfaqet e mëtejshme të librit, arsimin dhe armatën ushtarake shqiptare të kohës së diktaturës iquan të fortë. Jeta e këtyre 27 vjetëve ka treguar se Enver Hoxha dhe sistemi i tij diktatorial nuk po urrehet nga e gjithë shoqëria jonë, ka ende nostalgjikë që më 5 maj shkojnë te Vorrezat e Dëshmorëve me foton e tij. Kurse shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë vijojnë ta simpatizojnë si burrë shteti që krijoi e udhëhoqi një shtet të zhvilluar e të pavarur. Kjo vjen nga fakti setë metat, gabimet dhe krimet e atij diktatori dhe të atij sistemi nuk u shpjeguan shkencërisht nga studiues seriozë. Kurse kur u shpjeguan prej disa intelektualëve të përndjekur, mendimet e tyre nuk u pranuan nga ish-kuadro të formuar gjatë kohës së diktaturës. Kjo tregon se dukuria e sistemit totalitar shqiptar dhe e diktatort Hoxha ka qenë shumë më e komplikuar sesa është shpjeguar deri sot prej atyre që e bënë objekt studimi, qoftë dhe prej studiuesitNgjela…

Aftësitë organizative të Spartak Ngjelës u shpalosën gjatë vitit 1992 me formimin e Partisë Aleanca Demokratike, me kryetar Neritan Cekën. Avokati Ngjela luajti rolin kryesor për organizimin e asj dhe hartimin e statutit. Shumë i zoti si politikan Ngjela u shfaq në Beograd kur shkoi atje me delegacionin e partisë të tij dhe shpalosi elokuencën, atdhetarinë dhe guximin e tij të lartë gjatë takimeve me personalitete jugosllave të cilë i vuri me shpatulla për muri lidhur me të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës. Midis këtyre personaliteteve përmendim Predgar Simiç, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Politikave dhe Ekonomisë të Beogradit, dhe Vladimir Jovanoviç, Ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, i cili në fakt ishte zëvendësi i Sllobodan Milosheviçit (f. 376-390).

Me interes është shpjegimi që Ngjela i bën arrestimit dhe burgimit të Fatos Nanos. Sipas tij akuza për vjedhje që i bëri gjykata e ngarkuar prej S. Berishës ishte e padrejtë. Ishte e padrejtë sepse ndihmat italiane në kohën e akuzës nuk ishin nisur ende nga Italia dhe sepse kompaninë italiane të ndihmave e kishte zgjedhur qeveria italiane dhe jo F. Nano (f. 436-’37).

Zgjedhjet e vitit 1996 u manipuluan, thotë Ngjela, dhe Berisha me këto zgjedhje fitoi pushtetin, por humbi përkrahjen e qeverisë amerikane, sepse u kuptua karakteri i tij diktatorial.

Pavarësisht se viti 1996 kur mbyllen ngjarjet e librit, ishte vit kur po trokiste revolta e popullit të revoltuar prej firmave piramidale, libri mbyllet me një ndjenjë optimiste, për të ardhmen e Shqipërisë e të populit shqiptar, sepse ky autor nga natyra është njeri optimist. I tillë shfaqet Ngjela edhe sot në shkrimet dhe intervistat e tij…

* * *

Shprehje të mençura të Spartak Ngjelës.

Studiuesi, politologu, analisti Ngjela duke qenë një jurist i mirëformuar, që ka lexuar shumë vepra shkencore e letrare, që ka jetuar jetën e një murgu nëpër burgjet e diktaturës shqiptare dhe ka përjetuar shumë ngjarje të dhimbshme, ka një bagazh kulturor që bie në sy në veprat e tij. Midis tjerash ai shquhet dhe për përdorimin e shumë shprehjeve të mençura në veprat e veta. Këto sentenca janë disi të ndryshme nga ato që nxorëm nga veprat e gazetarit e filozofit Astrit Lulushi, të cilat me karakterin e tyre filozofik, moral e shoqëror të kujtojnë Solomonin e Judenjve të lashtë. Kurse Spartak Ngjela shquhet për sentenca që lidhen me të menduarit juridik, politik e filozofik.

Shprehje të mençura të Spartak Ngjelës, mbledhur në Vol. II.

– Tmerri është frika nga një vdekje e shpejtë që mund të të vijë nga ato forca që të imponojnë jetën tënde. (f. 11)

– Trishtimi në fakt është injorancë, sepse të kap atëhere kur ti nuk je në gjendje të kuptosh fenomenin. (f. 11)

  • Komunizmi, krimi dhe sekreti(mbajtja sekret e krimeve, Th. Gj) ishin bashkudhëtarë të pandarë derisa ranë të tre(f. 151).
  • Rrëfimi dhe lutja janë arti për të mposhtur tendencën gënjeshtare që kemi brenda vetes(f. 193).
    • Pushteti është gravitacion i madh, aq i madh sa që lëkund çdo interes tjetër ideor (f. 205).
    • Të biesh në mërzitje mbas një zhgënjimi është dobësi që vjen nga moszotërimi i vetes. (f. 205)
    • Njeriu duhet të jetë mësuar me rastin e keq dhe të gjejë forcë morale për të mos u përkulur. (f. 205)
    • Njerëzit e mëdhenj e kuptojnë se për të shpëtuar veten, duhet të shpëtosh më parë gjithë shoqërinë. (f.225)
    • Dinjiteti është dije e thellë që ka të bëjë më shumë me lirinë sesa me ekzistencën. (f. 234)
    • Ligësia nuk është sjellje, ajo është veprim(f. 236).
    • Shoqëritë e pazhvilluara kanë nevojë të brendshme të urrejnë shoqëritë e zhvilluara. (f. 461)
    • Njeriu në Amerikë jeton me rrezikun, ai rrezikon për të fituar më shumë para [dollarë], më shumë liri. Amerikani synon të jetojë të tashmen, kjo është parajsa për të, kurse njeriu i socializmit jeton duke sakrifikuar për një të ardhme, për një ëndërr. Pra amerikani jeton me realitetin, me të vërtetën, [njeriu i socializmit] me përralla. (f. 516-517)

Shprehje të mençura të Spartak Ngjelës, mbledhur në Vol. III.

– Mendimi është në fakt epiqendra e asaj që ne i themi jetë, dhe ky mendim gjithmonë na detyron që ta shohim jetën në aspekte të ndryshëm. (f. 14)

– Asnjë kafshë nuk di të shohë realisht se çfarë ndodh me të në botën ku jeton, sepse nuk ka aftësinë e të menduarit. (f. 16)

– Enver Hoxha kishte ngritur urrejtjen njerëzore në sistem dhe e kishte bërë gjenerim të brendshëm të vetë politikës dhe pushtetit(f. 16)

– Kurrë mos u bashko me poshtërsinë dhe kurrë mos u mundo t’ia falësh vetes nëse ke qenë i gënjyer dhe i ke shërbyer padrejtësisë shoqërore. (f. 23)

  • Frika është e vetmja e keqe e madhe që ka pllakosur gjithmonë shoqëritë e pazhvilluara, dhe këtu kanë qenë të përqendruara të gjitha pushtetet tiranike.(f. 24)

         – Tirania [e Enver Hoxhës] që u duk në fillim se kishte nisur e mbështetur në eleminimin fizik dhe në persekucionin e gjatë dhe masiv të një klase shoqërore, erdhi më pas dhe u bë e tillë për të gjithë shoqërinë dhe madje edhe për vetë fitimtarët e luftës që e kishin futur këtë frymë tiranike në Shqipëri nëpërmjet ligësisë Hoxha (41).

  • Për sa kohë nuk është shkatërruar tirani I vjetër, gjithmonë do të ketv një tiran të ri (f.59).
  • Demokracia është proces dhe jo produkt (f.73).
  • Një tirani si ajo e Enver Hoxhës nuk kishte nevojë për shumë ligje, sepse shoqëria dhe individi nuk kishin aspak të drejta. Ligj do të thotë shprehje e koncentruar e asaj që përcakton se ku mbaron e drejta jote dhe ku fillon e drejta e tjetrit, ose ku fillon e drjta jote dhe ku mbaron e drejta e shtetit(f. 87).

         –  Në të vërtetë , politika nuk i pyet fare aleancat [e individëve]… sepse, pavarësisht nga fillimi ose gjeneza, politika është interes dhe pasion për pushtet (f. 93).

          – Historia mund të futet në absurd dhe të ecë në drejtim edhe më të rëndë sesa pushtimi i huaj, për ata popuj që kanë zëvendësuar një tirani të huaj me një tirani kombëtare (f. 95).

  • Bota dhe kombet, shoqëritë dhe popujt, janë të grupuar sipas tendencave patriotike (atdhetare) të nocionit të atdheut, por jo të gjithë atdhetë në këtë rruzull e kishin fituar koshiencën e drejtimit të shoqërisë në mënyrë të barabartë. (f. 109)
  • Njeriu i thjeshtë [i kohës së diktaturës] ishte mësuar me mite dhe mite po kërkonte [edhe pas shkërmoqjes së diktaturës](f. 111).
  • Që të arrish në caqet e burrit të shtetit, duhet që patjetër të jesh njeri i pavarur. (f. 121)
  • Ekonomia nuk është një ‘perepetum mobili’, por një lëvizje permanente që kërkon të furnizohet me emrgji që të prodhojë. (f. 121).
  • Nëse nuk ke logjikën racionale të gjërave, nuk di të përballesh realisht me kaosin. (f. 127)
  • Arsyeja është pikërisht ai moment kur koshienca njerëzore di që, me anë të intelektit, të sistemojë kaosin, për të ndëtuar një sistem apo një rend. (f. 127)
  • Demokracia është liberalizëm në sensin e pranimit të së kundërtës, dhe, menaxhim, në sensin e shtetit si politikë dhe të tregut si ekonomi.(f. 131)
  • Kur e njeh një fenomen të keq, nuk duhet të qahesh për të, por ta frenosh.(f. 137)
  • Kapitalizmi është garë dhe gara kërkon moralitet.(f. 140)
  • Nëse atdheu i një populli është pronë e një njeriu, ky popull realisht do të jetë i skllavëruar dhe kurrë nuk do të ketë lidhjeme atë vend. (f. 151)
  • skllevërit nuk kanë atdhe, por punojnë në mënyrë rropatëse për atdheun e të tjerëve: skllavopranarëve të tyre. (f. 151)
  • Nuk ka gjë më të rëndë për një popull, sesa kur e ndien që, ndonëse pushteti shtypës nuk ka më forcë për të vepruar, shoqëria nuk e beson. (f. 161)
  • Progresi para së gjithash është ndjenjë, mendim dhe pastaj besim(f. 188).
  • Drejtësia dhe fjala e lirë përbëjnë në fakt natyrën e shtetit liberal. (f. 195)
  • Shoqëritë e pazhvilluara, kurrë nuk e kanë ndierë drejtësinë si kërkesë imediate, ose të domosdoshme, sepse më shumë kanë menduar për bukën egojës, sesa për fjalën e lirë(f. 196).

 – Kur shoqëria është e paralizuar nga pamundësia e aksionit qytetar, dhe kur vetë shteti është produkt i kësaj shoqërie, tirania është i vetmi sistem politik që triumfon. (f. 197)

– Vrulli popullor për ndryshim është frymë dhe jo arsye(f. 221).

  • Nëse nuk sundon dot nëpërmjet ligjit, patjetër që do të sundosh nëpërmjet krimit. (f. 231)
  • Antiintelektualizmi ka gjithmonë karakter patologjik në lidhje me pamundësinë e arritjes së niveleve të larta të qytetërimit. (f. 232)
  • Varfëritë që vijnë nga tiranitë dhe diktaturat ideologjike janë më të tmerrshmet(f. 233).
  • E veçanta e komunizmit ishte se, të gjithë ishin të varfër, po asnjëri nuk e dinte këtë. (f. 233)
  • Besimi nuk është një ndjenjvë që vjen me anë të frikës, por me anë të bindjes. (f. 242)
  • Politika nuk është sentiment pranimi apo mospranimi e atyre që drejtojnë politikën aktuale, por është pragmatizëm për të parë sesi mund të shpëtosh nga një e keqe që mund të bllokojë vendin dhe vetë shoqërinë.(f. 249)
  • Kur një vullnet vjen dhe mposht të gjithë të tjerët, jo me lojë politike, por me forcë, atëhere këtu fillon starti i një tiranie (f. 249).
  • Koha politike nuk është e barabartë me kohën normale të jetesës së rëndomtë, sepse ajo ecën realisht vetëm nëpërmjet akteve. Politika esencialisht është akt, sidomos për opozitën që pretendon për të ardhur në pushtet. (f. 263)
  • Koha ngandonjëherë është e pamëshirshme dhe ndihmon atë që di të veprojë me kurajë. (f. 267)
  • Kapja që i bëjnë vullnetet e veçanta frymës së kohës, pa dyshim është aftësi e individëve(f. 269, 271)
  • Politikat kurrë nuk janë spontane, sidomos kur ato vijnë dhe trajtohen nga shtabe të superfuqive, të cilat mbajnë në tryezat e tyre ekuilibrat e mëdhenj botërorë. (f. 274)
  • Nuk ka mundësi kurrë që të dominosh situatën politike në kohët moderne nëse nuk ke një mendim të konsoliduar për zhvilimin e shoqërisë sate. (f. 280)
  • Urrejtja e individit nxitet gjithmonë nga pasiguria dhe frika e zgjatur në kohë.( f. 295)
  • Kurrë nuk mund të jetojë gjatë një regjim i padrejtë me një gjykatë të drejtë dhe kurrë nuk mund të ketë drejtësi kur krimi shtetëror i paraqitet shoqërisë si drejtësia më e kulluar. (f. 299)
  • Ligësia nuk është doktrinë, përkundrazi, doktrina mund të kthehet në ligësi nga natyra e tiranit, diktatorit ose peshkopit. (f. 309)
  • Barbaria institucionale është njëgjendje primitive e drejtimit shtetëror, ku institucionet janë krejt fiktive dhe drejtohen, jo për interes shoqëror, por për interes individual. (f. 311)
  • Politika hakmarrëse nuk ka asnjë lidhje me modernitetin, me demokracinë dhe humanizmin; sepse ajo është një politikë mesjetare dhe totalitare. (f. 317)
  • Dominimi i një vullneti të vetëm i kishte kthyer të gjitha revolucionet në terror, dhe të gjitha përmbysjet në tirani. (f. 319)
  • Demokracia është një sistem që nuk mund ta pranojë as prioritetin e një shtrese shoqërore kundrejt një tjetre, dhe as kartën morale superiore të një strese kundër të gjithë shoqërisë. (f. 319)
  • Kohët moderne e kishin zgjidhur ndërkohë se cila duhej të ishte shpresa e njerëzimit: KRIJIMI ishte pa dyshim shpresa moderne e njeriut të kohëve të reja. Domethënë…. SHKENCA dhe ARTI. (f. 336)
  • Njeriu shpesh nuk e pranon atë që nuk e dëshiron, dhe nuk mund të heqë dorë nga ajo që shpreson. (f. 339)
  • Sentimenti popullor, sidomos ai nacionalist, ështënjëproces historik i cili edukohet me shekuj. (f. 365)

–   Shëmtimi dhe ligësia që ndesh në drejtimin e një shoqërie gjithmonë ta errëson të ardhmen. (f. 412)

  • Historia kurrë nuk ecën spontanisht edhe kur ajo të është dukur ashtu, po kështu edhe ngjarjet nuk mbeten në histori të palidhura(f. 434).
  • Kurrë nuk mund të ketë vjedhje në grup pa bashkëpunim. (f. 437)
  • Akt politik të paqëllimtë nuk mund të ketë. (f.440)

          Në vend të konkluzioneve

Me studimet, analizat, intervistat e tij, Spartak K. Ngjela bën pjesë ndër intelektualët më aktivë shqiptarë që ka sjellë e sjell ndihmesë të ndjeshme në formimin e një mendësie të guximshme për përmirësimin e jetës politike dhe shoqërore të popullit shqiptar.

Kystudiues e analist i mirëformuar është mirë të largohet nga fryma individualiste dhe të afrohet e të krijojë lidhje bashkëpunimime forcat përparimtare shqiptare kudo ku ato jetojnë e punojnë brenda e jashtë Shqipërisë për të realizuar një bashkëpunim të frutshëm për të nesërmen e botës shqiptare. Gjithashtu ai duhet të heqë dorë nga përdorimi i fjalëve fyese që ka përdorur deri sot ndaj A. Meksit, S. Berishës, E. Ramës, dukuri kjo që nuk përputhet me kulturën e tij të gjerë dhe formimin e lartë profesional.

Atdheun nuk e bëjnë të fortë e të begatë bukuritë natyrore, numëri i madh injerëzve qofshin këta dhe të pasur, as madhësia territoriale, por njerëzit e ndershëm, sidomos politikanët e qeveritarët që punojnë me përkushtim dhe sakrifica për të krijuar vepra të ndryshme me nivel të lartë moral, politik, etj.

Pikërisht puna dhe veprat e intelektualëvetë lirë e të pavarrur si Visar Zhiti, Maks Velo, Veton Suroi, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Elez Biberaj, Frank Shkreli, Ruben Avxhiu, Jozef Radi, Lek Pervizi, Ilia Karanxha, Fotaq Andrea, Pëllumb Kulla, Astrit Lulushi, Zef Simoni, Ilia Ballauri, Bashkim Shehu, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela e shumë të tjerë, përbëjnë shtyllat e qëndrueshme mbi të cilat po ndërtohet bazamenti politik, kulturor e artistik i shtetit shqiptar kombëtar i së nesërmes, i cili do të jetë shtet i qendrueshëm dhe konkurues me shtetet fqinjë në bashkësinë europiane.

Filed Under: Politike Tagged With: analisti Kritiku, Spartak Ngjela, Studiuesi, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT