Qytetarët e Tiranës zhvilluan të dielën, homazhe me qirinj dhe lule në shenjë nderimi ndaj dy turistëve çekë, Michal Svatoš dhe Anička Kosinová, të cilët u vranë mbrëmjen e së premtes në zonën e Dukagjinit, në Shkodër.
E iniciuar nga një grup të rinjsh, kjo nismë mblodhi pranë Këmbanës së Paqes, në sheshin pranë Piramidës në kryeqytet, dhjetëra qytetarë të cilët ndezën qirinj dhe zhvilluan homazhe para fotografive të dy të rinjve çekë.
“Ajo këmbanë ka shumë kuptime, prandaj ne do e mbushim me lule dhe qirinj në shenjë faljeje për ta. Ndërkohë, një tabelë me letra do të qëndrojë aty për të gjitha mesazhet që ne kemi. Ato do i drejtohen familjarëve dhe popullit çek. Në fund i gjithë solidarizimi, do të mbyllet tek Ambasada Çeke në Rrugën e Ambasadave duke lënë aty mesazhet tona me qirinj dhe lule. Ato do te postohen për në familjen e Michal Svatoš dhe Anička Kosinová”, shprehen inisiatorët e kësaj nisme-homazh
239-vjetori i Pavarësisë, ceremoni festive në Ambasadën e SHBA
239-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festuar në Pallatin e Brigadave përmes pritjes tradicionale të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit.
Në këtë eveniment, ambasadori Donald Lu shmangu komentet politike. Të gjithë fjalën përshëndetëse ai ia kushtoi njerëzve me aftësi të kufizuara, pasi këtë vit festohet edhe 25-vjetori i ligjit për amerikanët me aftësi të kufizuara.
Nëpërmjet mesazit të tij, ambasadori Lu inkurajoi dhe mbështeti përpjekjet e Shqipërisë në përmirësimin e jetesës së qyetetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara.
Ndërsa zëvëndësministrja e Mirëqënies Sociale, Bardhylka Kospiri tregoi dy histori suksesi të dy qyetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara që janë vënë në ndihmë të këtij komuniteti.
Ky event i përvitshëm i Ambasadës Amerikane shërbeu për të mbledhur së bashku jo vetëm miqtë e Shteteve të Bashkuara, por edhe aktorët e politikës shqiptare.Kryetari në ikje i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte shumë afër me pasardhësin e tij Erion Veliaj, por mungoi një shtrëngim duarsh.
Ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha, që prej momentit të mbërritjes, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në shoqërinë e ambasadorit francez dhe kryetares së komisionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu.
RESPEKT PËR PUNËN E AMBASADËS GJERMANE NË SHQIPËRI
Nga Frank Shkreli?
Javën që kaloi Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Zyra e OSBE-së në kryeqytetin shqiptar njoftuan financimin nga qeveria e Gjermanisë të një projekti për nixtjen e dialogut publik rreth të kaluarës komuniste në Shqipëri. Në një deklaratë për media thuhet se, “Veprimtaritë e projektit do të nisin me një sondazh në shkallë vendi për të matur njohuritë e publikut, perceptimet dhe pritshmëritë e tij për diskutimet rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri. Thuhet se “Rezultatet e sondazhit priten të ofrojnë një panoramë të qartë të nivelit të njohurive të segmenteve të ndryshme të shoqërisë rreth të shkuarës, si dhe një thellim drejt shpresave dhe shqetësimeve në trajtimin e trashëgimisë të regjimit të mëparshëm.Gjithashtu, rezultatet e sondazhit do të ofrojnë një bazë të qëndrueshme për nisma të mëvonshme në këtë fushë”, theksohet në deklaratën e përbashkët të ambasadës gjermane dhe Zyrës së OSBE-së në Tiranë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se OSBE-ja në Tiranë, si enti përgjegjës që do të zbatojë këtë projekt, do të veprojë në bashkëpunim me organizata të ndryshme të shoqërisë civile shqiptare dhe do të organizojë takime nëpër shkolla të mesme dhe në komunitet, për të nxitur, sipas saj, shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, të cilat do të kulminojnë, sipas njoftimit, në një debat të madh televiziv në fund të këtij viti.
E gjithë kjo veprimtari nga ana e Gjermanisë për tu përpjekur që të zbardhet sadopak e kaluara kriminale e regjimit komunist shqiptar, është meritë e ambasadort të saj në Tiranë, Hellmut Hoffman dhe e fondacioneve gjermane, përfshir edhe fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung. Kjo nuk është hera e parë që Ambasadori Hoffman — ndryshe nga ambasadorë tjerë perëndimorë në Tiranë — ka bërë deklarata dhe ka marrë pjesë në veprimtari të cilat kanë për qëllim nxitjen e dialogut në radhët e elitës politike dhe të shoqërisë shqiptare për një transparencë mbi këtë kapitull të zi të historisë së kombit shqiptar si dhe për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Duke njoftuar projektin në fjalë, Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, ofroi përvojën gjermane në këtë fushë, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe shtoi se, “Përballja me të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne e dimë gjithashtu se nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t’i shërbejë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi.” Por, ambasadori gjerman paralajmëroi se ndonëse gjermanët me përvojën e tyre mund të ndihmojnë, përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët, duke theksuar se, “ndërsa ne jemi të lumtur që mund të japim mbështetjen tone në këtë mes, u takon vetë shqiptarëve të vendosin saktësisht se si dëshirojnë ta trajtojnë këtë detyrë”. I vetdijshëm për një mungesë të vullnetit të mirë të klasës politike shqiptare të këtyre 25-viteve të fundit për tu përballur me historinë dhe me krimet e regjimit komunist si dhe të një mungese debati të mirëfilltë mbrenda vendit në lidhje me këtë periudhë të errët të historisë shqiptare, Përfaqsuesi i OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Florian Raunig, ndonëse kujtoi se ndihet një interesim i ri për të trajtuar shkeljet e të drejtave të njeriut nën regjimin komunist në Shqipëri, ai theksoi se nevojitet diçka më shumë në këtë drejtim. Ndërkaq, ai citohet të ketë thënë se, “Ne po fillojmë këtë projekt sepse besojmë se ka nevojë për dialog kombëtar gjithëpërfshirës rreth qëllimeve dhe pritshmërive të shoqërisë në përgjithësi, rreth nismave të ndryshme që janë propozuar për të trajtuar këtë histori të vështirë”, ka thënë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Raunig.
Autoritetet shqiptare tani dhe gjatë këtyre 25 viteve, vazhdimisht janë shprehur se përvoja gjermane është dhe mbetet si më tërheqse nga përvojat e vendeve të tjera, për tu përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të Shqipërisë. Por përpjekjet e Tiranës zyrtare në këtë fushë kanë mbetur të tilla përfolje, vetëm propozime, deklarata, fjalë boshe për konsumim publik të mbrendshëm dhe të jashtëm, pa asnjë vullnet as veprim konkret për tu përballur me të kaluarën, përfshirë dhe miratimin kohët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit komunist shqiptar, i cili organizonte dhe drejtonte shtypjet mbi popullatën.
Për të theksuar rëndësinë e përballjes me të kaluarën komuniste, ambasada gjermane në Tiranë kishte sjellur ditët e fundit në Shqipëri të ngarkuarin Federal të Gjermanisë për dosjet e sigurimit të shtetit, Z. Roland Jahn, një aktivist i njohur në procesin e rrëzimit të diktaturës komuniste në ish-Gjermaninë Lindore, e të cilit sipas Deutsche Welle, (DW) me 93 përqind të votave në parlamentin gjerman, i është besuar mbikqyrja dhe trajtimi i inventarit të dokumentacionit sekret të STASI-t famëkeq të Gjermanisë lindore ish komuniste.
Në seminarin e organizuar në Ambasadën gjermane në Tiranë javën që kaloi, ku u tha se hapja e dosjeve është në interesin e publikut në përgjithësi, ish-gazetari Jahn duke u bazuar në përvojën gjermane, sipas DW, u tha të pranishëmve se procesi i hapjes së dosjeve duhet të jetë një ndërmarrje e hapur dhe multidimensionale, duke theksuar se, trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit, janë viktimat e prekura — që atyre t’u garantohet një impakt pozitiv nga procesi. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë lind natyrshëm pyetja: përsa na vlen hapja e këtij dokumentacioni. Duke folur për përvojën gjermane ai u shprehur tekstualisht kështu: “Bëhet fjalë për rreth 2 milion njerëz të prekur nga sjellja dhe qëndrimet e STASI-t. Ne duhet t’i jepnim akses këtyre njerëzve për të njohur më mirë të shkuarën e tyre, në shumë raste edhe të tmerrshme e të paimagjinueshme.Kjo ishte një sfidë shumë e madhe për zbatimin e ligjit të dosjeve.Në hedhjen dritë mbi dosjet është dhe qasja shkencore, vënia në dispozicion për hulumtuesit, por dhe për mediat e prodhuesit kinematografikë. Pra, ka një trajtim multidimensional në bërjen e transparencës, që njerëzit të mësonin sa më shumë nga padrejtësitë e bëra nën diktaturë”.
Në raportin e DW thuhet se për të ngarkuarin federal gjerman me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtimi i së shkuarës vlen dhe për pastrimin e administratës dhe shërbimit publik nga njerëzit me të kaluar kriminale. Kjo krijon besim te qytetarët për institucionet dhe rendin demokratik, që të mos depërtojnë në shërbimin publik ish-anëtarë të policisë sekrete. “Kjo përbën ende një objektiv madhor në punën tonë.Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë”, citohet të ketë thënë, i ngarkuari gjerman me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një intrevistë me DW, i ngarkuari Federal i qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në ish-Gjermaninë lindore komuniste, Roland Jahn, gjithnjë duke folur për përvojën gjermane u shpreh se, “Hapja e dosjeve të STASI-t mundësoi ndërrimin e elitave politike e shoqërore”, ndërsa në lidhje me seminarin dhe takimet në ambasadën gjermane, Roland Jahn vlerësoi se: Ishte një takim shumë interesant, që tregoi se në Shqipëri ka probleme lidhur me trajtimin e diktaturës komuniste, por rruga e zgjidhjes do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realizohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit”, përfundoi ai intervistën me DW.
Seecp ne Tirane-Tensionet mes Tiranës dhe Athinës
Tensionet mes Tiranës dhe Athinës. Greqia përfaqësohet në nivel Drejtori të Përgjithshëm të ministrisë së jashtme/
Në Tiranë janë mbledhur sot ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit në Europën Juglindore (Seecp) ku bëjnë pjesë 13 shtete. Shqipëria ka presidencen e radhës të SEECP-it. Temat kryesore të diskutimit kanë qenë ato lidhur me situatën në rajon, zhvillimet politike të vendeve anëtare të Procesit, realizimin e prioriteteve të Kryesisë Shqiptare, bashkëpunimin në rajon apo dhe hapat e ndërmarra në procesin e integrimit në strukturat Euroatlantike nga vendet jo anëtare.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati theksoi si tejet të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal nga njëra anë dhe vazhdimin e reformave në secilin prej vendeve anëtare. “Zhvillimet e fundit në Maqedoni tregojnë se duhet bërë më shumë duhet bërë për forcimin e institucioneve demokratike. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm se siguria e cdo vendi është e pandashme nga siguria e të gjithë rajonit”.
Ministri Bushati nënvizoi gjithashtu se “ngjarjet e fundit në rajon kanë treguar rrezikun e një procesi të integrimit që shtyhet. Në këtë mjedis sfidues, Bashkimi europian duhet të dërgojë një sinjal të fortë për procesin e reformave dhe forcat që janë në mbështetje të tyre”.
Por ndërsa në takime të ndryshme i mëshohet bashkëpunimit rajonal, shpesh mes vendeve të ndryshme ngrejnë kokë cështjet bilaterale. Greqia u përfaqësua në takimin e sotëm me një nivel të ulët, atë të Drejtorit të përgjithshëm të politikave në ministrinë e Jashtme, ndërkohë që në një takim të mëparshëm në muajin shkurt, po në Tiranë, ishte përfaqësuar me zëvendësministrin e jashtëm, për cështjet europiane Nikolaos Chountis.
Pas një marrëdhënieje të ctensionuar me qeverinë e mëparshme, me ekzekutivin e kryeministrit Tzipras duket se situata ka bërë disa hapa pas. Tirana i ka kërkuar zyrtarisht Greqisë që t’i njoftojë koordinatat e zonës në detin Jon ku parashikohen kërkime për naftë. Një veprim që mesa duket nuk është pritur mirë nga Athina e cila i mëshon cështjes së nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë detar, sipas variantit të rrëzuar nga Gjykata kushtetuese e Shqipërisë.
Këtë klimë duket se e ka ndezur më tej edhe konflikti I hapur brenda së majtës, ku Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së, forcë e cila përfaqëson pakicat greke, dha dje dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të parlamentit, pasi, në të njejtin pozicion u miratua edhe Shpëtim Idrizi, kryetar I PDIU-së, e cila përfaqëson interesat e popullatës came. Madje sipas mediave shqiptare, sot ka patur dhe një reagim të fortë të ministrisë së Jashtme greke, lidhur me këto zhvillime.
Takimi i ministrave të Jashtëm të SEECP-it do të pasohet nesër nga Asambleja parlamentare e vendeve anëtare të Procesit, po në Tiranë, ndërsa javën e ardhshme do të jetë dhe takimi i krerëve të shteteve, i cili praktikisht përmbyll kryesimin e SEECP-it nga Shqipëria.
Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbajti takimin vjetor Prishtinë – Tiranë
Për të krijuar një ambient sa më të suksesshëm për Investime në trojet mbarëshqiptare/
Nga Beqir Sina-Prishtine/
Prishtinë – Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës, në shënim të përvjetorit të parë të themelimit të saj – po mban këto ditë një nga veprimtarit më të mëdha, që prej themelimit të tij.
Veprimtaria, e biznesit dhe afarizmit shqiptarë në botë, nisi me mbajtjen, sot të forumit të quajtur “Ambienti për Investime në trojet mbarëshqiptare”, në Sëiss Diamond Hotel – Prishtinë, ku morën pjesë më shumë se 50 biznesmen të suksesshëm shqiptarë të mbledhur nga Europa, SHBA dhe Kanadaja.
Mori pjesë edhe zoti Naim Deduashaj, i cili në pozitën e Drejtorit të Investimeve të Diasporës, është ideator fillestar strategjik i konceptit të organizimit të këtij Rrjeti të Bizneseve Shqiptare në Diasporë.
Në këtë forum morën pjesë, kryetarët e rrjeteve të bizneseve të diasporës, dhe delegacione afaristësh shqiptarë nga 17 shtetet e botës, si Anglia, Australia, Austria, Finlanda, Francë, Gjermani, SHBA (Dallas, Illinois, Wisconsin,Michigan, New York, New Jersey, Connecticut, ) Kanada, Italy, Kroaci, Slloveni, Turqi, Luxenburgu, Hollanda, Çekia, Hungaria dhe Zvicra.
Takimi i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, u hap një fjalim përshëndetës nga presidenti i këtij unioni mbarë shqiptarë, zoti Nazar Mehmeti, i cili foli edhe mbi mbarëvajtjen e punës së këtij forumi gjithë përfshirës.
Forumin e përshëndeti edhe Presidenti i Nderit i këtij Unioni, biznesmeni i madh shqiptarë nga Maqedonia Lazim Destani, ndërsa e moderuan atë Ylli Blakaj koordinator për Europë i Unionit, biznesmen nga Austria dhe Ismet Smajli biznesmen nga Dallasi – SHBA.
Më pas kryetarët e rrjeteve nga 17 shtetet e botës, paraqitën raportet e tyre, dhe diskutuan mbi modalitetet e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe sollën përvojën e tyre të suksesit në biznes simbas vendeve ku ata jetojnë e ushtrojnë bizneset e tyre.
Z. Elmi Berisha, nënkryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës dhe kryetar për “zonën e Tri-Shtetshit” New York, New Jersey, dhe Connecticut, mbajti referatin “Përmirësimi i klimës investuese për investitorët e Diasporës”.
Më pas iu bë një përmbledhje e punës së vitit të kaluar dhe u kalua (pikë për pikë -nen për nen) në diskutim të hapur rreth asaj që thirrej Platforma Strategjike e Veprimit (secili shtet me të drejtë për të prezantuar 3 deri në pesë minuta), një platformë kjo e shkruar nga ekspertët e zgjedhur nga ky Union me 10 faqe dhe disa kapituj.
Gjatë punës së këtij takimi vjetor, mbas leximit të platformës u kalua në diskutimin e preambulës, historinë e këtij Unioni, dhe vizionin e saj, qëllimin, dhe vlerat bazike të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, ngritjen e selisë Qendrore dhe strukturave organizative e funksionale, shpërndarja dhe burimet e financimit, të RRBDSH-së, shpërndarja dhe alokimi i buxhetit, aktet e tjera normative dhe rregulluese të Unionit.
Në mënyrë unanime të 17 kryetarët, kanë miratuar mbasi u hodh në vota – votimin për Platformën Strategjike të Veprimit, e cila u lexua nëpërmjet një video-projeksioni nga Sekretari i Përgjithshëm i këtij Unioni – zoti Ismet Smajli.
Presidenti i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, zoti Nazar Mehmeti, i njohur edhe si veprimtar i dalluar i komunitetit shqiptarë në SHBA, mbetet president edhe për një mandat tjetër ose deri në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa, u votua me këtë rast vendi dhe data e mbajtjes së takimit të dytë vjetor të Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, duke caktuar si mikpritëse, vitin tjetër qytetin botëror të biznesit, i njohur ndryshe edhe si metropoli botëror, qytetin e New Yorkut – SHBA.
Në fund me përfundimin me sukses të punimeve të takimit të parë vjetor të Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, u shtrua një darkë në lokalin “Apollonia”, darkë ku mori pjesë edhe ish Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, z Bekim Sejdiu, dhe miq të tjerë të këtij Unioni nga Prishtina dhe vendet e tjera nga Europa.
Unioni Global i Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, sot udhëton për në Istog për të promovuar suksesin e një anëtari të këtij Unioni, investitorit nga diaspora (Belgjika) z Ismajl Bytyqi, pronar i kompanisë për kultivimin e peshkut.
Takimi në Istog – do të nisi sot me vizitën dhe takimin me kryetarin e Komunës së Istogut dhe afaristëve nga Diaspora, që kanë investuar në Istog, në lokacionin e thirrur “Trofta”
Ky takim do të hapet nga Ylli Blakaj dhe do të moderohet nga Bekim Neziri. Kurse pritet të flasin në këtë takim edhe prodhuesi i Peshkut, z. Ismail Bytyqi, – Hotel “Trofta”, nga Hotel Onix, Banja Termale, z Xhevdet Shoshi, kompania Agro Produkt, prodhuesi i Çajrave, z.Halit Avdiu, kompania Sinalco – Fabrika e Lëngjeve, zoti Gani Dreshaj, dhe firma Makon – firmë ndërtimore zoti Ismet Rugova.
Ky forum që nisi në Kosovë, ditën e enjte, përfundon me takimet dhe forumin që do të mbahet ditën e shtunë në Tiranë – Shqipëri.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 10
- Next Page »