• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PD DHE PS GJEJNE KONSENSUSIN NE BASHKINE E TIRANES

November 4, 2013 by dgreca

Këshilli Bashkiak i Tiranës me konsensus, ka arritur t’i japë fund ngërçit disa mujor. Me konsensus, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë vendosur që kryetari i këshilltarëve të PS, t’i nënshtrohet votimit për rikonfirmimin si kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas dorëheqjes të ish-kryetarit Njazi Kosovrasti. Pas diskutimeve që zgjatën disa minuta, Këshilltarët e majtë dhe të djathtë ranë dakord që në mbledhjen e sotme të miratohej një rend dite i shkurtuar, që kishte të bënte me konfirmimin e mandatit të zotit Gazmend Dibra si këshilltar i Bashkisë së Tiranës dhe konfirmimin e Aldrin Dalipit në postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak.

Pozicionimin në karrigen e kryetarit  të Këshillit Bashkiak pas rikonfirmimit me 32 vota pro, Dalipi e shfrytëzoi fillimisht për një ndjesë ndaj banorëve të kryeqyetit për bllokimin e punës së këtij këshilli. Ai i garantoi anëtarët e Këshillit dhe qytetarët se primare në funksionimin e këtij këshilli do të jetë zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës.

“U kërkoj ndjesë qytetarëve të Tiranës, në emër të kujtdo që e mbajti peng këtë këshill. Kemi humbur shumë kohë. Dua të filloj menjëherë nga rendi i ditës, kam një propozim mbi tavolinë të ardhur nga kryetyari i Bashkisë për një shtetës fondi  në buxhetin e njësisë bashkiake numer 11 për dhënien e një ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga përmbytja e datës 16.10.2013” tha Dalipi.

Arritjen e konsensusit në Këshillin Bashkiak e ka përshëndetur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha. Kreu i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka urur zotin Dalipi për zgjedhjen në krye të Këshillit Bashkiak, e ka konsideruar konsensusin si shumë të rëndësishëm, për shërbimin që qytetarët presin nga të zgjedhurit e tyre.

“Më lejoni ta nis me një urim për kryetarin e ri të Këshillit, për detyrën e lartë që i është besuar nga ky këshill, pavarësisht se votimi u nda sipas vijës mazhorancë-opozitë. Tashmë, detyra juaj, jam i sigurt që ju dërgon në lartësinë e përfaqësimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Së dyti, përshëndes të gjithë këshilltarët e qytetit të Tiranës, pavarësisht përkatësive politike për mençurinë dhe maturinë me të cilën arritën të tejkalojnë një ngërç i cili nuk i shërbeu për asnjë ditë qytetit të Tiranës. Në këtë këshill, është detyrë e gjithsecilit prej nesh t’i shërbejmë interesave të qytetit të Tiranës, të qytetarëve të Tiranës dhe kjo duhet të triumfojë mbi çdo ndasi dhe përkatësi politike. Normalisht, këto ekzistojnë,  secili prej jush është këtu si rezultat i paraqitjes së listave nga subjektet politike por besoj se me kalimin e ngërçit, me gjetjen e konsensusit, jo për t’i shërbyer një pale apo një tjetre dhe as duke sakrifikuar parimet e shtetit ligjor, kemi dhënë shembullin më të mirë sot, ndonëse me pak vonesë por më mirë vonë se kurrë, thotë populli, se jemi të gatshëm të bashkojmë zërin, pavarësisht përkatësisë mazhorancë-opozitë, për çështje që preokupojnë qytetarët e Tiranës dhe që kërkojnë zgjidhje nga ky këshill, nga kjo bashki dhe pse jo nga autoritetet e tjera shtetërore.  Qoftë ky një shembull i mirë për të gjithë të zgjedhurit dhe shërbëtorët e shtetit shqiptar, si në nivel vendor, ashtu edhe në nivel qendror! Uroj që rifillimi i punës të udhëhiqet përveç sensit të shërbimit ndaj qytetarëve, edhe nga zbatimi strikt dhe pa asnjë mëdyshje i ligjeve, vendimeve të këtij këshilli dhe gjithë dispozitave rregullative të Bashkisë së Tiranës dhe Republikës së Shqipërisë! Uroj që sa më shpejt, sëbashku me kënaqësinë e justifikuar për gjetjen e konsensusit, të triumfojë edhe sensi i shërbimit dhe ky këshill t’i përvishet menjëherë punës që e pret, vendimeve që e presin, të paraqitura tashmë e shumë e shumë vendimeve të tjera të cilat do të formulohen si nga Bashkia e Tiranës, si në bashkëpunim me anëtarët e këshillit të nderuar! Edhe njëherë ju uroj punë të mbarë, punë të mbarë edhe ju, z. kryetar!” – theksoi kryebashkiaku Basha.

Zoti Basha ka vlerësuar edhe kontributin e ish-kryetarit të Këshillit, zotit Njazi Kosovrasti, gjatë ushtrimit të detyrës, për dy vjet.

“Dua t’i adresoj një falënderim ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Niazi Kosovrasti, për shërbimin e tij gjatë periudhës dy vjeçare që shërbeu si kryetar i Këshillit. Besoj, në emrin tuaj si këshilltarë, definitivisht në emër të Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve të Tiranës, z. Kosovrasti faleminderit për shërbimin tuaj!”

I vetmi vendim i diskutuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishte propozimi  i kryebashkiakut Basha, për një shtesë fondi  në buxhetin e njësisë bashkiakë numër 11, për t’u dhënë ndihmë  financiare banorëve të dëmtuar nga përmbytja e datës 16.10 2013.

“Bëhet fjalë për një akt të sjellë me urgjencë, pasi ka të bëjë me një situatë emergjente, që është situata e shkaktuar nga dalja nga shtrati e lumit të Tiranës, që ka shkaktuar dëme në një popullsi prej 6000 qytetarësh të Tiranës, mbi 700 familje dhe 50 biznese. Siç jeni informuar, Bashkia e Tiranës i është gjendur në ditët e para të emergjencës, me praninë e ndërmarrjeve 1, 2 dhe 3, Policisë Bashkiake dhe të disa institucioneve të tjera, për të bërë ndërhyrjet emergjente. Eshtë bërë evidentimi i dëmit, i është kërkuar qeverisjes qendrore, përmes prefektit dhe grupeve të evidentimit, t’u vihet në ndihmë banorëve. Gjej rastin ta përsëris këtë apel, pasi ndonëse ka kaluar disa kohë, nevojat janë të mëdha. Bëhet fjalë veçanërisht për sektorë ku jeton një pjesë e komunitetit tonë, që është në tërësi e deprivuar, si nga ana ekonomike dhe nga ana shoqërore, qoftë edhe mungesa e disa tekteve shkollore për fëmijët ka shkaktuar probleme të mëdha. Ndonëse jemi munduar t’u gjendemi pranë edhe duke bashkërenduar përpjekjen tonë me ato të disa prej shoqatave të bamirësisë dhe organizatave jo qeveritare, por nuk mund të presim duarkryq deri sa të vijë përgjigjja nga qeveria, ndaj propozoj që gjysmën e fondit të emergjencave të Bashkisë së Tiranës, të parashikuar për buxhetin e vitit 2013, ta alokojmë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve. Nuk është një shumë e madhe, është një shumë modeste prej 1 milionë lekësh të reja (10 milionë të vjetra), është gjysma e buxhetit që kishim parashikuar për emergjencat, me shpresën se kjo do të ndihmojë sadopak për lehtësimin e kategorive më të prekura, ndërkohë që do të vijojmë institimin tonë që organet përkatëse të pushtetit qendror, të bëjnë sa më shpejt vlerësimin e asaj çka është dërguar nga grupet e vlerësimit të dëmit dhe të alokojnë edhe ata resurset për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve, të cilët pavarësisht se ka kaluar shumë kohë gjenden akoma një një situatë emergjente” – theksoi Basha.

Këshilltarët e PS  akuzuan Bashkinë se fondi që po vë në dispozicion për të ndihmuar banorët nuk është i mjaftueshëm.  Në përgjigje të pretendimit, Basha tha se  buxheti për emergjencat civile të Bashkisë së Tiranës është sot 40% më i lartë se çka qenë në vitin më të mirë të ish-kryetarit të Bashkisë, Edi Rama.

“Z. Bushati, meqë insiston ta njollosësh konsensusin qytetar me sensin tënd të bërjes politikë në këtë sallë, më lejo të përgjigjem se buxheti për emergjencat civile të Bashkisë së Tiranës është sot 40% më i lartë se çka qenë në vitin më të mirë të ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të partisë tënde. Sigurisht nuk e akuzoj, pavarësisht se kam rritur buxhetin për emergjencat civile, duke treguar koherencë me përkushtimin tonë për një mirëplanifikim të shpenzimeve buxhetore, nuk e akuzoj, pasi edhe pse buxheti i Bashkisë në drejtimin tim për këtë çështje është 40% më i lartë se i z. Rama kur ulej në këtë karrige, prapë se prapë këto janë mundësitë e pushtetit vendor dhe për këtë arsye shteti shqiptar ka parashikuar si me ligj, si me organikë shtetërore, si me buxhet të shtetit, Drejtorinë Kombëtare të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme dhe meqë po flasim për këtë dhe nuk preferoj të futem në çështje të tjera jo relevante me të cilat u zhyte në politikën e ditës, por jo në shpirtin e sallës, po ju them se sensi i parë duhet të jetë ai i pranisë pranë këtyre njerëzve. Ndonëse ky këshill kishte pikëpamje të ndryshme sa i përket legjitimitetit dhe legalitetit të veprimtarisë së disa anëtarëve të tij, çka e mbajti peng mbledhjen e Këshillit që është një çmim në dukje i lartë por asnjëherë për t’u anashkaluar, për hir të shtetit ligjor dhe kushtetueshmërisë, si themelet e demokracisë dhe shoqërive të lira, askush nuk i pengonte këshilltarët individualë të gjendeshin pranë këtyre familjeve dhe disa prej këtyre familjeve ndodhen pranë zonës ku ju kandiduat për ambicjen tuaj tjetër të madhe, për të cilën i dedikuat kohë fjalimit tuaj në Këshill. Ne mundet që të kemi vetëm 10 milionë apo 20 milionë në total të vjetra, por mendoj se prania e vazhdueshme pranë familjarëve, përpjekja për t’i ndihmuar qoftë individualisht, qoftë me rrethet e biznesit, siç ka ndodhur me disa këshilltarë të këtij këshilli që dua t’i falënderoj për zemrën e mirë por edhe për atë përpjekje ekstra që bënë për të dërguar atë pako ndihmash apo libra pranë atyre banorëve, edhe kjo mendoj se është një detyrë qytetare dhe detyrë e këshilltarëve, ndaj le të fokusohemi tek problemet e çështjet e Tiranës, për të cilat ndodhemi në këtë sallë! Të jesh i sigurt se ka vende të tjera për të diskutuar problemet e tjera, ka kohë për t’i zgjidhur ato dhe do të zgjidhen një e nga një! – deklaroi Basha.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak, në mënyre unanime kanë miratuar shtesën e fondit, në buxhetin  e njësisë bashkiake numër 11, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura. Zoti Basha ka kërkuar nga Këshilli Bashkiak, që së bashku me Bashkinë e Tiranës, t’i kërkojnë qeverisë të akordojë një fond për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, zoti Dalipi ka theksuar se edhe këshilltarët e majtë do të kontribuojnë në mënyrë modeste për banorët e përmbytur. Bashkia e Tiranës ka hapur një numër llogarie, për ndihmën financiare ndaj banorëve.

“Sëbashku me këshilltarët kur na ra në dorë ky akt patëm një vendim tonin që dhe ne do kontribuojmë me një shumë modeste për familje të cilat janë gjendur në vështirësi si një detyrim qytetar i këtij këshilli. Falënderoj këshilltarët që u janë gjendur pranë. Do doja të jepnim konfirmimin tonë mbi këta akt, që tu japim këtyre banorëve një sinjal për mbështetjen që ata kanë nevojë” bëri thirrje Dalipi, thirrje të cilës iu përgjigjën me votë pro të gjithë këshilltarët” u shpreh Dalipi.

Ndërkaq Basha ka kërkuar nga qeveria të alokojë  fondin e emergjencës për këtë zonë.

“Dua t’ju kërkoj me këtë rast që t’i jepni një zë edhe më institucional e të bashkuar kërkesës ndaj qeverisjes qendrore, për të treguar një vëmendje më të madhe, si me angazhimin në terren ashtu edhe me alokimin në mos në mënyrë të plotë, të paktë në mënyrë të pjesshme për fondet e emergjencës për këtë zonë. Lumi ka marrë përpara mure, dyer, ka shkatërruar tërësisht orenditë elektro-shtëpiake, ushqime, libra dhe çdo gjë të qindra banesave, dhe bëhet fjalë për një kategori banorësh që i përkasin pjesës së margjinalizuar si ekonomikisht ashtu edhe shoqërisht të qytetit të Tiranës. Kjo situatë vijon të jetë emergjente dhe le t’i drejtojmë një thirrje të bashkuar, pse jo edhe institucionale organeve të qeverisjes qendrore!” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: PD dhe PS. Keshilli i bashkise, Tirane

Filmi “The Superintendent” përzgjidhet tek Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Tiranë

October 25, 2013 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta/

New York – Filmi i regjizorit të talentuar Roland Uruçi me titull “The Superintendent” do shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë te premten, me datë 25 tetor 2013. Filmi me metrazh të shkurtër, me skenar dhe regji të Roland Uruçit ka tre protagonistë kryesorë: Kate Mason, Brooke Volkert dhe John Noel. Kinematografi i filmit është Albert Elmazovski me producent asistent të xhirimit, Kastriot Uruçi.

“Ta kem filmin tim të parë si përzgjedhje e Festivalit të Filmit në Tiranë është si të marr aprovim nga familja ime shqiptare. Ndjehem tepër i gëzuar që filmi im gjeti vatrën e vet,” u shpreh regjizori dhe skenaristi i njohur Roland Uruçi.

Xhiruar në New York, Amerikë filmi bazohet në një histori të shkurtër shkruar nga Blerta Alikaj. Produksioni u mbarua në 2013-të dhe filmi zgjat 18 minuta.

Filmi i referohet një teme shumë interesante të kulturës shqiptare, burrneshat dhe rrëfen historinë se si një burrneshë, Shota, imigron në Amerikë dhe bëhet manaxhere roje pallati. Të gjithë mendojnë se Shota (luajtur bukur nga Brooke Volkert) është burrë sepse ka karakteristika mashkullore.

Filmi nxjerr në pah një histori shumë emocionuese dhe të fuqishme dhe tregon se çfarë ndodh kur e vërteta del në pah dhe pasojat që le pas. Shpeshherë në jetë ndodh që njerëzit kanë sypozimet e tyre për dikë, pa ditur sakrificat, sfidat dhe të vërtetën që kalon ai person. Shota detyrohet t’i rrëfejë sekretin e saj një të huaji dhe historia ndërthur shumë bukur konfliktet socio-kulturore dhe ato gjinore të shoqërisë.

Ky fenomen akoma praktikohet sot në Shqipërinë veriore, Kosovë, Montenegro dhe Bosnje, një traditë e vjetër lindur para 300 vitesh, përmendur që me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndërkohë kur vashat e reja ëndërrojnë të martohen, ndër shekuj burrneshat betohen për virgjëri para krerëve të fshatit për t’u bërë burrë për të dalë në luftë ose për të përballuar detyrat e familjes. Ky koncept kulturor është mjaft i huaj për kulturën amerikane dhe ndryshon nga termi “orientimi seksual” siç përdoret më shumë në Sh.B.A.

“Burrneshat kanë karakteristika shumë të veçanta dhe të papara për vendet e tjera të botës. Për shqiptarët ka të bëjë me identitetin dhe perceptimin e karakterit të fortë, vjen nga një kulturë e lashtë që pranohet si traditë nga shoqëria shqiptare. Ky koncept është i huaj për kulturën amerikane dhe bie në konflikt me pranimin e orientimit dhe identitetit. Kur u shfaq filmi në New York ka patur shumë komente pozitive dhe filmi u pëlqye shumë sepse është një film tepër unik,” tha regjizori i filmit ‘The Superintendent’, Roland Uruçi.

Regjizori Uruçi ndjehet krenar me projektin e tij të parë, që nxorri në pah një histori majft të veçantë për publikun amerikan dhe atë të huaj, duke i nxitur të mendojnë rreth temave të identitetit, kulturës dhe rolit gjinor në familje.

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë në krijimin e një historie duke i shtuar aspekte të kulturës time shqiptare dhe duke e bërë të pranueshme për publikun amerikan. Falenderoj Blerta Alikën që më besoi mua me historinë që ajo shkruajti për ta zhvilluar në film, si dheAlbert Elmazovski (kinematograf i filmit The Superintendent, nga Dibra me origjinë) që e solli vizionin tim në kamera për të krijuar një histori reale dhe të bukur,” shtoi regjizori Roland Uruçi.

Trailer i filmit mund të shikohet këtu: http://vimeo.com/51704867. Momentalisht regjizori Roland Uruçi po merret me projektin e tij të ri “Paftuar” bazuar në ngjarje të vërteta përjetuar nga Julian Biba. Z. Uruçi shpreson ta xhirojë filmin ‘Paftura’ në Shqipëri në 2014 me aktorë shqiptarë. Për më shumë vizitoni www.rolanduruci.com.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira bamausta, perzgjidhet, Roland Uruci, tek Festivali dnerkombetar, The Superintendent, Tirane

”Festa e Kurban Bajramit në Tiranë,Prishtinë dhe viset shqiptare”

October 15, 2013 by dgreca

Mijëra besimtarë muslimanë shqiptarë, e falen në sheshin Skëndërbej sot Kurban Bajramin, një nga ditët me të rëndësishme të fesë islame./

Ne Foto: Falja e Kurban Bajramit ne Tirane/

Nga Tirana BEQIR SINA/

TIRANE : Festa e shenjtë e Kurban Bajramit, e cila  festohet 67 ditë mbas Bajramit të Madh (e martë 15 tetor 2013) në të gjithë Shqipërinë, Kosovë dhe viset shqiptare, u shënua me një lutje të përbashkët për mirësi, paqe dhe bashkëjetes.  Ndërsa, kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptarë, Selim Muça, bëri thirrje për më tepër harmoni, gëzim dhe paqe, në këtë ditë të shënuar.

“Kurban Bajrami është festa e sakrificës, e durimit dhe e varfërisë, tha ai duke shtuar se besimtarët të kenë më shumë begati, dashuri dhe harmoni në familje, pasi Kurban Bajrami është edhe festa e sakrifices, mirëkuptimit, faljes dhe bashkimit”, tha Muça, i cili mbajti fjalimin përpara besimtarëve të shumtë në bulevardin e Tiranës, gjatë mëngjesit të sotmë.

Në ndërkohë që mijëra besimtarë u falen në sheshin “Deshmorët e Kombit” në mes të një shiu të dendur, Kurban Bajramin, një nga ditët me të rëndësishme të fesë islame.

Kështu si miliona besmitarë në mbarë botën edhe besimtarët myslimanë shqiptarë më 15 Tetor 2013, në Tiranë, falen në orën 07:32, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, festën e tyre Kurban Bajramin ose si njihet ndryshe Bajrami i Vogël dhe zgjatë tre ditë . Në kryeqytetin e shqiptarërve në  Tiranë, u mblodhën  dhjetra mijëra besimtarë myslimanë, ashtu si çdo vit, teksa nisën kremtimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, megjithëse binte shi .

Në faljen e namazit ishte kreu i komunitetit mysliman shqiptar, Selim Muça i cili përcolli urimin e rastit, duke thënë se:” Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.”  tha Muça.

Më pasë  në Hutbe, ligjerues ka qenë myftiu i Tiranes Ylli Gurra, i cili  mbajti një ligjeratë të gjatë dhe të thuktë.

Imam Gurra tha se :”Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.”

Ai revokoi gjatë ligjeratës në Hytybe festimin e Kurban Bajramit afro çerek shekulli më par duke thënë: “Disa vite më parë, kur besimi fetar, ishte i ndaluar në Shqipëri,  ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.

Kurse, Kurban Bajrami, tashmë është bërë një ditë feste zyrtare e cila po kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit, në emër të dashurisë për njeriun.” tha Myftiu i Tiranës Ylli Gurra.

Mbas faljes së Kurban Bajramit kan qenë krerët më të lartë të shtetit që vizituan  sot selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit, përfshirë edhe liderit e opozitës dhe ish kryeministrin Berisha.

Njëhereshit, Kurban Bajrami është duke u përjetuar me gëzim edhe në trojet shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanovc, Medvegje, Çamëri dhe Diasporë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi morrën pjesë në kremtimet e mbajtura në xhaminë kryesore të Prishtinës.

Sakaq, në Prishtinë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, të gjithë besimtarëve mysliman shqiptarë  u ka uruar Kurban – Bajramin, me dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturin në familje. ”Lusim Allahun xh. sh. që të largojë çdo kërcim që e vështirëson sigurinë dhe paqen, dhe në botën mbarë të mbretërojë paqja dhe harmonia mes njerëzve”, tha ia.

 

Në urimin e myftiut Tërnava thuhej se ”edhe në këtë festë dashuria ndaj Allahut xh. sh. manifestohet përmes Haxhit dhe prerjes së Kurbanit ku Ibrahimi a.s. dhe Ismaili gërshetuan dashurin mes babait dhe të birit e cila u reflektua me bindjen e thellë në Allahun Një dhe porosit e Tij”.

Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, urime për besimtarët myslimanë kanë dërguar pothuajse të gjithë politikanët e Kosovës, politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Shqipëri ka qenë kreu i shtetit Bujar Nishani, ai që i  ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, me një mesazh të veçantë.Përmes një mesazhi urimi, presidenti Nishani thekson se simbolika e kësaj feste përmban në vetvete progresin njerëzor.

“Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të Jetës; Dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, mëshirën e Tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj Dashurie dhe asaj mëshire. Kurban Bajrami, kjo festë e bukur myslimane, përcjell shumë mesazhe të epërme përmes një veprimi në dukje të thjeshtë, por jashtëzakonisht të dendur në thellësi; Bërjen Kurban të diçkaje, në emër të arritjes së diçkaje tjetër më të lartë. Akt ky, që, i përsëritur, përmban në vetvete thelbin e progresit njerëzor, hapat e njëpasnjëshëm drejt përsosjes duke sakrifikuar nga pak në çdo hap dhe në çdo rast” thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Më tej, presidenti Nishani thekson se mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit.“Kumti madhështor që na sjell Kurban Bajrami na bën ta festojmë çdo herë me më tepër adhurim këtë festë të shenjtë, të cilën edhe një herë ua uroj me gjithë shpirt; Gëzuar!” përfundon mesazhi I urimit I kreut të shtetit.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat duhet t’u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, kurban Bajrami, Tirane

NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR

October 15, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë binte shi kur besimtarët myslimanë me rastin e festës të Kurban Bajramit falën Namazin. I gjithë riti fetar u zhvillua si zakonisht në bulevard – në mënyrën më të pameritueshme dhe më të paemancipuar të mundshme në mungesë të objektit fetar.
Ceremonia u zhvillua e shkurtuar për shkak të kushteve atmosferike, me difekte në foni, të cilat bënin që lutjet të vinin të cunguara, ndërsa njerëzit faleshin mbi asfalt, pak të mbuluar nga tapetet e gjithkund lisho bulevard.
Për 23 vjet tranzicion, politika u tall me këtë komunitet, i cili dallohet për tolerancën fetare, duke qenë një nga faktorët që i ka siguruar shtetit laicitetin e tij. Sa e rëndësishme është kjo kur shohim se diskordancat fetare e kanë kallur në flakë botën mbarë. Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë për çdo vit në Mekë e t’i kërkojnë Zotit t’i falë për mëkatet si ikonoklastë. Jo se kryejnë sulme direkte kundër objekteve të kultit, porse blasfemojmë duke i lënë besimtarët myslimanë të shfaqen në publik si të jenë një komunitet tribal – pa shtëpinë e Zotit – kur në fakt janë një komunitet i qytetëruar, me bonsens dhe tolerancë shembullore.

Toleranca fetare që ekziston në Shqipëri, padyshim që i dedikohet edhe shumicës. Ajo është në shërbim të vëllazërimit dhe harmonisë midis shqiptarëve. Harmonia fetare ndikon pozitivisht edhe në harmoninë kombëtare, të cilën e prish vetëm politika.

Komuniteti mysliman në kryeqytet meriton që të ketë Tempullin ku të falet. Shqipëria është vendi ku identiteti fetar apo krahinor vetëm se e plotësojë identitetin tonë kombëtar, sipas thënies së përherëshme të Vaso Pashës se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ashtu si e pohon edhe Fishta „si t’kshtenë, si muhamedan / Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë/.“ Apo: „Bini, Toskë, ju, bini Gegë! /Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!/A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë! / »

Toleranca fetare është në gjak të shqiptarëve. Jo më kot jemi i vetmi vend në Europë, me shumicë myslimane që i morëm në mbrojtje hebrejtë. Islamizmi shqiptar është unik dhe kombëtar. Im atë, poeti Vehbi Skënderi, më tregonte se i jati i tij dhe gjyshi im, Imam Demir Efendiu, i shkolluar në Stamboll me një bibliotekë të jashtëzakonshme, kishte pikpamje të tilla liberale, sa njërin djalë të tij, dmth xhaxhain tim, e dërgoi të studionte në Shkollën e Fullcit, ndërsa tim atë, duke i parë vokacionin e çoi të ndiqte studimet fetare në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj etj.

E pra ta lësh këtë komunitet pa objekt kulti është mëkat. Ndërtimi i Xhamisë do të plotësojë simetrinë fetare në metropolin e Tiranës, pasi dy komunitetet e tjera tashmë i kanë ndërtuar Tempujt e Zotit. Në zemër të Tiranës ndodhet Katedralja e besimit katolik që mban emrin e apostullit të Shën Palit, një nga figurat më të rëndësishme të Krishtërimit, që e ka vizituar Durrësin, kur daton edhe komuniteti i parë krishterë, rreth viteve 50 të erës sonë. Po në zemër të Tiranës ka dy vjet që është inauguruar edhe Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, me një arkitektonikë madhështore, duke mbuluar një hapësirë rreth 2000 metra katrorë, me një kosto rreth 50 milionë $. Një objekt kulti i rëndësishëm është edhe Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë, gurin e themelit të të cilit e vendosi Ibrahim Rugova, me besim fetar mysliman, por me një vetëdijë shkencore europiane për rrënjët e identitetit kulturor shqiptar, që kërkon respekt të ndërsjelltë fetar prej palëve. Toleranca nuk pranon intolerancën e cila i bën besimtarët myslimanë të kenë 23 vjet që, në festën e Kurban Bajramit, t‘i falen Zotit në mes të bulevardit kryesor të Tiranës nën tempullin e qiellit të hapur.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, kurban Bajrami, ne qiell te hapur, Tirane

Vizitë në “Portën Europiane” të Shqipërisë, Katedralia Shën Pali në Tiranë

October 11, 2013 by dgreca

Reportazh nga trojet shqiptare- Nëna Terese : ” Virgjëresha, dëshiron katedrale që do të ndërtohet këtu, në këtë vend të bukur ”  , kur ajo më shumë se 23 vjet më pare pati vizituar  qendrën e Tiranës , kryeqyteti i vendit të saj të lindjes/

Nga Tirana Beqir Sina/

TIRANE : “Rrno vetëm për me tregue” një vepër monumental e një prifti shqiptar, që 23 vjetë më parë përjetojë “ikuzicionin” komunist, nuk më hiqet nga mendja në udhëtimin tim të gjatë dhe shumë të bukur nëpër trojet shqiptare. Kudo që të shkelësh këtë tokë të bekuar, më bren pyetja ngashëruese “ah bre!” “Përse nuk u bë Zvicër – vendi i im kur Zvicera e cila ka shumë më pak resuerse natyrore se sa vendi i im?!”

Shqipëria, e cila konsiderohet si vendi që kaloi regjimin më të egër komunist, një vend ky që “burgosi” një popull të tërë, duke e rrethuar me tela me gjemba dhe izoluar totalisht nga bota.

Aqsa edhe u bë vendi i pa fe, ku kleri katolik mbetet të ishte ai që u përndoq dhe u presekutua më shumë se kushdo tjetër.

Dhe këtë më së miri e gjejmë sot tek ao që na la pas At Zef  Pllumi, ku lexuesit e tij thonë se :”A do ta hiqte rrobën e priftit, ai për t’u bërë revolucionar, apo do të zinte sërish një qosh për të vijuar misionin e tij, atë të të jetuarit vetëm për të treguar, me shpresë se dikush do të frymëzohet një ditë dhe do t’i thotë ndal mosndëshkimit të krimeve të Enver Hoxhës dhe bijëve të tij që udhëheqin vendin sot”

Titulli i veprës lapidar të At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, gjithmonë më ka bërë përshtypje, në kto reportazhe pa arritur t’a kuptoj, atë, si duhet, megjithëse edhe vetë, natyrisht jo si ai prifti i përndjekur dhe, atë të pushkatuar pa gjyqe, të përndjekur, të burgosur dhe të interrnuar, por si njeri prej atyre mijëra bashkëvuajtësve të mi, i cili ka kaluar kalvarin e vuajtjeve të atij rregjimi, qysh në bark të nënës.

Nuk e kuptoj edhe sot, që po vizitojë vendin tim të dashur, se pse At Zef Pëllumbi zgjodhi këtë titull, e cila vjen si një thirrje solmne, si një betim, ose si një fjalë e fundit para pushkatimit,  deklaratë apo një misioni sublim, pikërisht i këtij prifti që nuk jeton më, dhe e kaloi gjithë jetën e tij i burgosur në qelin e burgut të Spaçit dhe Burrelit, duhej të ekzistonte ende në Shqipërinë  23 viteve të demokracisë.

Një vend ky ndoshta unik në Europën Juglindore,në  ish kampin socialist,(kupto komunist) që nuk ka bërë pothuajse  “kurrëgjë”!, për të gjithë ato familje të ish të pushkatuarve, pa gjyqe, pra të ish burgosurve politik, ish të përndjekurve dhe ineternnuarve.

Dëmshpërblimi, tashmë një shpresë financiare, që do të “ngrohte” sado pak “xhepat e shpuara” të këtyre njerëzve, dhe intergimi i tyre, tashmë është kthyer në një “mission impossibly”, një makth, pa përmendur këtu “Ligjin e Lustracionit” i cili pas 23 Qershorit, është kthyer në “Ligjin e Desertacionit” ose  Ligjin e Tezës së mbrojutur, nga ish bijtë e Bllokut, për tu rikthyer në pushtet.

Mirëpo, megjithë atë sa shkrujata më lart,  një temë tjetër edhe më e gjerë,  e cila kërkon një analizë tjetër, kësaj rradhe po i dedikohem në shkrimin tim “Reportazh nga Trojet Shqiptare”, kryeqyteti të vendit tim Tiranës, metropolit shqiptar, ku po qëndrojë këto ditë vjeshte.

Do të nënëvizoja gjithmonë sipas opinionit tim, se :” Nuk mundet të vizitosh Tiranën, pa vizituar objektet fetare, të cilat sot janë simbolet e presekutimit komunist.Kisha katolike dhe vetë kleri katolik, janë nga më të presekutuarat, në Shqipëri,ashtu si nuk mundet të vizitosh New Yorkun, pa vizituar Katedralen San Patrick në zemër të Manhattanit”.

Andaj, edhe unë vizitën e parë në Tiranë e fillova për shumë arsye në Katedralen Shën Pali në qendër të Tiranës, sepse ajo lidhet edhe me emrin e priftit shqiptaro amerikan – prej nga vijë edhe vetë, të Dom Rrok Kola Mirdita (i lindur më 28 shtator 1939 , Klezna , Mali i Zi ) i cili sot është Arqipeshkvi katolik i Durrës- Tiranë ,primat e Shqipërisë, dhe një amaneti të Nëna Tereses e cila ka thënë se :”Aty duhej ndërtuar një Katedrale”.

Dom Rrok Mirëdita, u shugurua prift më 2 korrik , 1965, në moshën 25 vjeç , dhe shërbeu në famullin etnike shqiptare në Bronx dhe Westchester qarqet e Nju Jorkut, një nga më të mëdhat dhe më të njohurat kisha shqiptare në Amerikë, e cila sot është e pagëzuar me emrin Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, që aktualisht udhëhiqet nga një prift i përkushtuar ndaj fesë dhe kombit të tij Dom Pjetër Popaj.

Më 25 dhjetor , 1992, të moshës 53 vejç , Dom Rrok Kol Mirëdita u emërua kryepeshkop i Kryedioqeza katolike romake e Tiranë- Durrës dhe shugurua më 25 prill , 1993 nga Papa Gjon Pali II dhe Cardinals Camillo Ruini dhe Jozef Tomko , së bashku me tre peshkopëve të tjerë ( Zef Simoni , Frano Illia dhe Robert Ashta ) gjatë vizitës baritore e Papës në Shqipëri . Mirdita është Presidenti i Konferencës së Peshkopëve shqiptar dhe Kryetari i Caritas-it Shqiptar.Me iniciativën e tij, dhe amanetin e të lumnueshmes Nëna Terese, Noblesites shqiptare, është ndërtuar në Tiranë katedralia e Shën Palit me një Arkitekturë të saj si trekëndësh , sipas idesë së arqipeshkvit , e cila thotë ai “simbolizon bashkëjetesën e Islamit , Krishtërimi Orthodhoks dhe katolicizmin në Shqipëri” . Mesha e parë e Shenjtë në katedralen e re u kremtua nga kardinali Anxhelo Sodano , Sekretar i Vatikanit i Shtetit dhe Kryepeshkopi Rrok Mirdita më 27 janar, 2002.

Dom Rrok Mirdita është Qytetar Nderi i Tiranës , Shqipëri .

Në një distancë të shkurtër në këmbë nga shetitoria kryesorë i kryeqytetit “Bulevardi Dëshmorët e Kombit” dhe parkut më të madh dhe më të bukur Rinia, ngrihet madhshtore  Katedralja e Shën Palit, e cila  është një ndërtesë massive  fetare , që ngjason nga vendosja e saj me Katedarlen e Shën Patrick në New York, ose me katedralet e famëshme në mes të kryeqyteteve të Europës, Romës, Parsit, Londrës, Bonit, Amsterdamit, Brukselit, apo Madridit .

Tipari më interesant I Katedrales së  Shën Palit  në metropolin shqiptar , veçanërisht, është se menjëherë të  shfaqen dy figurat emblematike të kohës moderrne të krishtëzimit, ajo e Papa Gjon Palin II dhe Nënë Terezës, e cila ndodhet  në të majtë të portës së  përparme, në hyrjen e Katedrales .

Katedralja e Shën Palit, e cila i takon të jetë Kryedioqeza katolike romake e Tiranë- Durrës, vizitohet çdo ditë nga qindra turistë të huaj shumica e tyre nga Europa perendimore, dhe mund të konsiderohet si “Porta Europiane” për të hyrë në Shqipëri.

Kjo katedarle e cila thirret ndryshe dhe Katedralja Shqiptare , është inauguruar më 27 janar 2002, në një  ceremoni të kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit Anxhelo Sadano. Ndërkohë, që punimet e saj kishin filluar në vitin 1998.  kur  mijëra besimtarë  katolikë të Tiranës, morën  pjesë në festimin e fillimit të punimeve dhe bekimin e punimeve.

Katedralja e Shën Palit në zemër të kryeqytetit të vendit Tiranës,, e cila është projektuar nga arkitekti nga Dortmundi – Gjermani,  Hinz  Winfried , u financua nga Caritas , konferenca të shumta peshkopale , dhe ndihma për të Kishës në Nevojë , e cila ka ndarë më shumë se  600.000 dollarë  për  Dioqezën  Tiranë Durrës.

Sipas një shënimi të ruajtur me kujdes brenda katedrales shkruet se :” Virgjëresha dëshiron katedrale që do të ndërtohet këtu,në këtë vend të bukur “ka  thënë  Nënë Tereza , kur ajo më shumë se 23 vjet më pare pati vizituar  qendrën e Tiranës , kryeqyteti i vendit të saj të lindjes .

Katedralja e Shën Palit me përurimin  zyrtar , në një ceremoni të përurimit qe bër e kryesuar nga kardinali Anxhelo Sodano , sekretar i shtetit të Vatikanit, i cili  mori pjesë si përfaqësues papnor një ditë më pas ka mbajtur aty edhe meshën e parë .

Në këtë meshë  e cila u krye nga Kryepeshkopi i Durrës – Tiranës, Dom Rrrok Mirdita, morën pjesë përveç delegacionit të Vatikanit , edhe Angelo Massafra Arqipeshkëv i Shkodrës, Presidenti i Konferencës Episkopale shqiptare; peshkopët e vendit; dhe priftërinjtë të cilët administrojnë dioqezat në Kosovë dhe Mali i Zi , ku katolikët shqiptarë banojnë, më së shumti.

Në mesin e atyre të cilët në masë të madhe morën pjesë  në këtë moment historik për të krishterët shqiptarë  ishte pjesmarrja edhe  At Segundo Teyado , nga Spanja,  i cili ka punuar në Gadishullin e Ballkanit për 10 vitet e fundit të rënjes së komunizimit .

Vetëm  në 8 vitet e fundit , Katedralja e Shën Palit në Tiranë, nga qeveria e ish Kryeministrit Berisha, për herë të parë u fut në guidën turistike të vendit, dhe u vizitua nga qindramijëra njerëz, kryesisht turistë të huaj të cilët e kanë vizituar kryeqytetin e Shqipërisë – Tiranën, duke hyrë në Shqipëri, pikërisht nëpërmjet “Portës Europiane”. Në këtë katedrale, gjithashtu janë falur dhe kan percjellur lutjet e tyre edhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota, që kan vizituar metropolin shqiptarë, si dhe ambasadorët perendimorë,  të cilët kanë pasur  mundësinë e një jete më të denjë këtu ,në Katedralen shqiptare Shën Palin ë Tiranë  .

Shqipëria, ky vend prej 3.5 milion që për 45 vjet ka përjetuar vështirësi të mëdha politike dhe ekonomike , një nga vendet ish komunsite që përjetojë një nga rregjimet më të egra komuniste,  pavarësisht, këto dhe gjenjden e saj në të cilin ajo u gjend në luftën e Kosovës, pothujase çdo shtëpi shqiptari, me atë të pasurën e thejshtë ua hapi dyert dhe zemëren vëllëzërve dhe motarve shqiptar nga Kosova, duke ua lehtësuar atyre sado pak atë dhemibjen e tmerrshme, që kaluan afro 1 milion të larguar me forcë, me pritjen që ju bën në ato moment aq të vështira në Shqipëri.

Kështuqë, pas vështërsive  të shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë, dhe ardhjen e tyre  në Shqipëri, të afro një milion kosovarve në Shqipëri, rreth  400,000 kosovarë , thuhet se morën ndihmën dhe u vendosën nën kujdesin e drejpërdrejt të Kishës Katolike Shqiptare, dhe organeve ndërkombëtare të krishtera si Karitasi e të tjera që e bënë të mundur më vonë  që  shumica e tyre të kthehen në shtëpit e tyre , në Kosovë.

Ndërkohë, gjatë këtyre 23 vjetëve duhet theksuar se Kisha Katolike Shqiptare, ka luajtur një rolë historik në rikthmin e besimit ndaj Zotit, në Shqipëri, mbas atij presekutimi të pashoqë në të gjithë botën nga regjimi i Enver Hoxhës.

“Sot kudo besimtarët  janë të frymëzuar të fillojnë përsëri për të rindërtuar një strukturë shoqërore shkatërruar nga 45 vitet e komunizmit, në të cilin duhet theksuar se katolikët kan vuajtur persekutimin më  të dhimbëshm, kleri katolik ishte më i presekutuari nga rregjimi komunist në Shqipëri” .

Thuhet sipas At Segundo Teyado , nga Spanja,  i cili ka punuar në Gadishullin e Ballkanit për 10 vitet e fundit të rënjes së komunizimit,dhe ka deklaruar se  ” Dekadat e diktaturës kanë zbrazur këta njerëz në të gjithë përmbajtjen fetare , çmontimin e tyre nga vlerat mbi të cilat është bazuar kultura e tyre , ” ka then  prifti spanjoll , duke shtuar, se gjithashtu ,ardhja e sekteve të shumta fetare, në këtë vend që 45 vjet ishte i “pa fe” i ka hutuar njerëzit dhe çororditur ata pa kutim”.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Katedralja, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT