• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kulla e Rezistencës 7 shekullore e Dinastisë shqiptare të Kapidanëve të Mirditës

July 29, 2023 by s p

“Ata nuk kërkojnë më shërbimet tona, por populli nuk do ta harrojë kurrë kalvarin e duruar nga të përndjekurit politikë të Shqipërisë, gjatë diktaturës komuniste.” (Non hanno più bisogno del nostro servizio, ma le persone non dimenticheranno mai il calvario vissuto dai perseguitati politici albanesi durante la dittatura comunista.) – Bardha Markagjoni

Tomë Mrijaj

Këto ditë online, në websitet më të mëdha amerikane dhe botërore amazon.com dhe barnesandnoble.com etj., doli libri: “Tower of Resistance Markagjoni Family an Albanian Dynasty” (Kulla e Rezistencës: Familja Markagjoni një Dinasti Shqiptare), shkruar nga vajza e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkaj (1914-2011), Bianca Maria Gjomarkaj.

Libri i ri, që botohet me porosi (Paperback, si libër fizik dhe kushton $19.95, si dhe mund të lexohet vetëm për $12.95 edhe në Kindle) në gjuhën angleze në SHBA, ka gjithsej 288 faqe. Vepra e re mund të gjendet dhe porositet edhe duke vizituar në websitet:

www.gjonmarkagjoni.com, www.sarajetgjonmarkagjonit.org,

www.blokukombetarindipendent.com, www.barnesandnoble.com

Çfarë mund të mësojnë më shumë në këtë libër bashkatdhetarët tanë dhe të huajt anglisht lexues nga e gjithë bota dhe qytetarët amerikanë?

Autorja e librit, fatmirësisht në shenjë respekti dhe mirënjohje ndaj të parëve të saj, sot jeton me familje në Kullën e saj të Gjomarkajve, në qytetin e lashtë të Shkodrës, ku për herë të parë aty shkruan një libër me shumë vlerë në gjuhën angleze, për rrënjët e familjës së saj në Orosh të Mirditës dhe më gjerësisht për historinë e lavdishme mbi 7 shekullore të Kapidanëve të Mirditës, që ishin dhe bënë me nder dhe lavdi historinë krenare të Dinastisë, më të famshme në historinë e popullit shqiptar ndër shekuj.

Kjo derë e famshme etnike shqiptare, me shembuj heroizmi mbijetoi mbi fortunat më të ashpra historike, të kohës së pushtimeve të njëpasnjëshme, që kaluan mbi truallin shqiptar dhe më saktë në krahinën zëmadhe të Mirditës, duke filluar para periudhës së pushtimit nga Perandoria Xhihadiste Islame Otomane, pushtimin fashist italian dhe nazizmit gjerman… dhe më pas në periudhën e zymtë të diktaturës komuniste shqiptare të diktatorit anti-shqiptar dhe anti-katolik Enver Hoxhës (1944-1990), ku njerëzit e shquar të Derës së Kapidanëve të Miridtës, kaluan kalvarin e gjatë 50 vjeçarë më të rëndë, me burgje dhe pushkatime, internime dhe përndjekje të njëpanjëshme.

Në faqet e librit në fjalë, del mbi bazën e fakteve dhe provave të marrë nga vetë arkivat e Ministrise së Mrendshme komuniste, arkivat qendore të shtetit shqiptar (AQSH) komunist asokohe, del se pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes Gjomarkaj gjatë Komunizmit të Zi në vitet e errëta të saj, u tregua shumë e ashpër dhe e pamëshirshme ndaj Kapidanëve, që ishte Dinastia apo Dera e Madhe më në zë, në gjithë trojet etnike shqiptare dhe përtej saj në Gadishullin e Ballkanit…

Duke shfletuar dhe rilexuar me shumë kujdes faqet e këtij libri të pasur historik, shohim se autorja italo-amerikano-shqiptare Bianca Maria Gjonmarku, përmbledh në mënyrë sintetike historinë e ilustruar me fakte, shembuj dhe foto të rralla origjinale historike nga Dera e madhe e Kullës së Gjomarkut në krahinën e Mirditës, përbën një rast unikal në historinë e lavdishme në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, përsa i përket origjinës së lashtë të saj, e cila është e dokumentuar që nga koha e Pal Dukagjinit (babait të Lekë Dukagjinit), bashkëkohës i Skënderbeut e deri në ditët tona.

Në tërësinë e saj historike, gjithashtu është e rëndësishme të ritheksohet se Mirdita, i përket përiudhës së gjatë të trashigimisë së Dinastisë Princore, e cila kishte zgjedhur Gjon Markun I, që në vitin 1500, d.m.th. 32 vjet pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit – Skënderbeut.

Nga historia mësojmë, se Dinastia e Gjomarkajve e udhëhoqi për afro 500 vjet Mirditën, me dinjitet dhe me nderë, duke ruajtur besën, fenë, bujarinë e Autonominë e Krahinës, ku nuk shkeli e nuk sundoi kurrë këmba e huaj.

Një ndër këto prijsa të mëdhej, që u dallua për urti e trimëri ishte edhe Marka Gjoni, djali i dytë i Gjon Mark Lleshit (lindur në vitin 1861), nga një nënë fisnike, që ishte e bija e Gegë Përgegës, Bajraktar i Kryeziut.

Pak copëza historie

…Në vitin 1883 Preng Bibë Doda, kapet pabesisht dhe internohet për herë të dytë në Kastamuni. Mirdita zaptohet dhe shtëpia e Gjomarkut në Orosh digjet. Duhet vënë në dukje, se varfëria e tejskajshme tek shqiptarët malësorë, ka qenë asokohe armiku me i madh i tyre.

Perandoria Islame Barbare Otomane, me qëllim për t’a përçarë dhe sunduar sa më shumë Mirditën, e pau të nevojshme dhe të domosdoshme të ripërtërijë edhe një herë tarafin (pushtetin) e vet.

Perandoria në fjalë, mendonte, se me Preng Bibë Dodën e internuar dhe me Marka Gjonin (në moshë të re dhe në varfëri të madhe), paria e Mirditës i kishte kaluar atij tashmë si trashigim. E, duke parë se edhe tarafi i Derës së Gjomarkut ishte tronditur së tepërmi dhe demoralizuar, Bimbashi shtonte guximin (merrte zemër) edhe më shumë e s’kishte gjë që t’ia ndalonte vrullin.

Kështu filluan të kalojnë vitet më të vështira e pakurrfarë perspektive, për të ardhmen e Mirditës dhe Derën e Gjomarkut. E sa më shumë zgjaste kjo kohë, aq më shumë forcohej pozita dhe influenca barbare otomane në Mirditë. Por as Mirdita dhe as Dera e Gjomarkut, nuk flinin dhe nuk ishin shuar ende.

I riu energjik Marka Gjoni, kishte filluar të burrërohej dhe bluante pandërprerje nëpër mend, se si do të mundte me e rimkëmbë Derën e tij dhe të bashkojë Mirditën.

…Dhe me të vertetë Bimbashi Dodë Gega u vra në Malin e Shenjtë, në verën e vitit 1892 nga Ndue Gjoni, vëllai i Marka Gjonit. Me këtë akt atdhetar, Marka Gjoni doli haptas kundër Perandorisë Otomane, me qendër në Stamboll. Në këtë mënyrë, asokohe doli në pah ndjenja e lirisë, u ringjall edhe një here fryma kombëtare, e bashkë me të edhe e gjithë Mirdita.

Trimat fisnik liridashës mirditorë si Marka Gjonin me bashkëluftëtarët e tjerë qëndruan burrërisht në istikame (kalatë apo fortesat natyrore) dhe po të mos kishte qenë kjo vendosmëri e udhëheqësit sypatrembur Kapidan Mark Gjonit, me të cilën e përballuan atë gjendje shumë të rrezikëshme, Perandoria Otomane në pak kohë do t’a kishte shkatrruar gjithë Mirditën, por duke parë fuqinë e tij më luftëtarë dhe bashkimin e popullit mirditas rreth tij, hoqi menjëherë Preng Kolë Prengën nga kajmekamlleku dhe njohu Marka Gjonin kajmekam të Mirditës.

Marka Gjoni, rindërtoi shtëpitë që kishin qenë sarajet e Lleshit të Zi në Grykë të Oroshit, të djegura prej turkut mbas Lidhjes së Prizrenit në vitin 1883 dhe u vendos aty perfundimisht. Emëri dhe zëri i Marka Gjonit, u përhap në të gjithë Veriun e Shqipërisë, nga ku, miqtë e vjetër të Derës së Gjomarkut nuk vonuan t’a përgëzojnë, t’a mbështesin dhe të kërkojnë të takohen me te për bisedime.

Asokohe dihet se, Marka Gjoni nuk e ndërpreu më për asnjë moment veprimtarinë e vet kundër pushtuesit shekullor turk. Dera e Kapidanit asokohe gjithënjë vinte duke e shumfishuar aktivitetin e pasur patriotik, në shërbim të Atdheut të vet.

Marka Gjoni, vendosi menjëherë kontaktet me patriotin dhe prelatin e shquar Abatin e Mirditës Prend Doçi. Sëbashku gjithnjë ata shqyrtonin problemet e Mirditës. Por as Abati nuk e kishte të lehtë të rregullojë klerin e të bashkojë famullitë e Mirditës, sepse një shumicë e tyre vareshin administrativisht nga dioçezat e Lezhës dhe të Sapës së Zadrimës.

Abat Doçi, me bashkimin e famullive të Mirditës, synontë t’a bënte Mirditën jo vetëm një qendër katolike të rëndësishme fetare, por edhe t’a forconte ushtarakisht, sepse bashkimi rreth një prijësi të vetëm: Kapedanit Marka Gjonin, e bënte të aftë të përballonte çdo sulm të armiqve për pushtimin e saj. Pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e mendjes së tij dhe lufta e ashpër, që i bënte Perandorisë Otomane në mënyrë indirekte.

Marka Gjoni, në vazhden e angazhimit të tij total në veprimtarinë kundërturke, me kërkesën e disa katolikëve shkodranë i propozoi mons. abat Doçit të bashkohet me te, për hapjen e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” (Zoja e Shkodrës) në Baçallek, e cila kishte mbetur e mbyllur që me rënien e Shkodrës në duar të turqvet në vitin e zi 1479.

Marka Gjoni, i ndihmuar nga disa murgesha franceze, mundi të arratisej nga Mosuli dhe duke kaluar veshtirësi të panumurta mbërrijti në Kotorr, që në atë kohë ishte nën sundimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Aty gjeti shumë miq shkodran, të cilët e pritën me përzemërsi dhe i siguruan jetesën, për sa kohë do të qendronte në Kotorr.

Marka Gjoni, i përcjellur nga një shumicë e madhe mirditasish mbërriti në Orosh, ku ishin mbledhur shumë miq të ardhur edhe prej krahinave të ndryshme tek shtëpitë (sarajet) e Kapidanit për t’a takuar, përshëndetur dhë përgëzuar.

Ishte Marka Gjoni, ai që gjithashtu e detyroi Stambollin të lirojë Preng Bibë Dodën, sepse në verën e vitit 1910 (kur doli Konstitucioni i Ri, me përfaqsues xhon-turqit e rinj), u përpoqën me çdo mjet që të pengonin lirimin e tij, por Kapidan Marka Gjoni ngriti në këmbë tërë Mirditën dhe u bë gati për luftë.

Në këto rrethana, Stambolli e liroi Preng Bibë Dodën. Ai kur mbërrijti në Shëngjin iu bë një pritje entuziaste jo vetem nga paria e popullit të Mirditës, por edhe nga banorët të Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. Një pritje e tillë nderimi dhe respekti, iu bë gjithashtu edhe në qytetin e Shkodrës, me një darkë madhështore e me fjalime të zjarrta nga mons. abat Doçi, Hilë Mosi e Luigj Gurakuqi.

Në verën e vitit 1912, Mit’hat Frashëri, duke u kthyer mbas një udhëtimi nga Kosova, hyri në Mirditë dhe shkoi në Orosh tek Kulla e Kapidanit të Mirditës Marka Gjonit, ku biseduan dhe ranë dakord me ngritë Flamurin.

…Marka Gjoni, konsiderohej si një pengesë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që synonin sundimin e Mirëditës. Me vdekjen e Marka Gjonit në Fan në vitin 1925, Gjon Marka Gjonit, djalit të tij të vetëm i kaloi paria e Derës së Gjomarkut, i cili, edhe pse në një moshë relativisht të re 37-vjeçare, por i burrëruar, u tregua në lartësinë e misionit të vet. Kësisoj krerë e popull u bashkuan rreth tij si rrallë ndonjë herë.

Në Mirditë, Gjomarkajt vazhduan luftën e tyre anti-otomane, krenar për fenë e tyre katolike, derisa e detyruan Perandorinë Islame Otomane të merret vesh me këtë krahinë krejt ndryshe nga krahinat e tjera të Shqiperisë.

Në shek. XV-XVI, feja e krishterë u ruajt e paprekur vetëm në Mirditë, me të gjitha vlerat e dashurisë dhe humanizmit. Për të mbrojtur katoliçizmin dhe pavarësinë, mirditorët jetuan gjithmonë mes luftrash dhe gjakut, ku Gjonmarkajt ishin të gatshëm gjithmonë të mbronin Atdheun e tyre ndaj armiqve të kombit. Kur kërkohej ndihma e tyre, në bashkimin e trojeve shqiptare ato vraponin të jepnin ndihmën e tyre si në vitet 1444, 1878-1912, 1920, 1944-1990.

Libri i ri, përshkruan historitë e dhimbshme të Derës së Gjonnarkut, gjatë periudhës absurde të komunizmit ateist. Gjatë gjithë shekujve, ata duruan burgun, sfiduan vdekjen në mijëra luftëra, etj., duke lënë përjetësisht në histori emrin e tyre heroik. Të tillë Kapidan mund të përmendim disa, si: Gjon Marku I, Lleshi i Zi, Bib Doda, Preng Bib Doda, Marka Gjoni, Gjoni i Markagjonit, Dr. Mark Gjomarku (Ministër i Brendshëm i Shqipërisë), juristi Ndue Gjomarku kryetar i Blokut Indipend, oficer Llesh Gjomarku, i perskutuari politik Dedë Gjomarku (1944-1990), i cili, provoi të gjithë burgjet dhe kampet e internimit në kohën e komunizmit në Shqipëri, Nikollë Gjomarku, i arratisur nga Shqipëria në kohën e komunizmit të zi, i cili, ndërroi jetë i rrethuar nga familja në shtëpinë e tij në New York.

Pak fjalë për autoren dhe frymëzimin e saj

Italo-amerikano-shqiptarja Bianca Maria Gjomarkaj lindi në Romë, Itali në vitin 1959. Në moshën 13-vjeçare, ajo dhe familja e saj emigruan në SHBA dhe u vendosën në qytetin e New York-ut. Nëna e saj, Maria Teresa Agostini Gjomarkaj, i rrënjosi dashurinë për letërsinë, artin dhe historinë.

Me kalimin e kohës, Bianca u interesua më shumë për historinë e saj familjare, gjë që përfundimisht e shtyu atë të hulumtonte paraardhësin e saj, motrën Maria Rosa Agostini.

Ky interes u rrit me kalimin e viteve nga ekspozimi ndaj një portreti vaji të trashëguar nga gjyshi i saj, Carlo Agostini nga Loreto, i cili varej në dhomën e pritjes (ndenjes) së familjes së saj.

Portreti i tij, ka qenë frymëzimi i saj për këtë libër; një portret i cili tani varet në dhomën e pritjes së Biankës dhe është një kujtesë e vazhdueshme e trashëgimisë së saj italiane.

Para dhe gjatë gjithë shkatërrimit të Shqipërisë nga regjimi komunist nga viti 1944 deri në vitin 1991, familja Marka Gjoni ishte dega më e fuqishme e Shtëpisë së Gjomarkut.

Autorja sot me banim në qytetin historik të Shkodrës, rrëfen histori mbijetese dhe vdekjeje, përmesgjuhës së fakteve historike, kujtimeve personale, fotove dhe dokumenteve origjinale, që demonstrojnë kapjen, burgosjen dhe arratisjet e tyre, ndërsa komunistët përpiqen të dekurajojnë dhe shkatërrojnë shpirtin e familjes.

Humbjet e pasurive të tyre përfshinin: tokat, shtëpitë, sendet me vlerë, lirinë dhe në disa raste edhe jetën e tyre. Ato u fshinë nga librat e historisë shqiptare nga regjimikomunist dhe pak është bërë për të korrigjuar apo mësuar një histori më të vërtetë të valës së vrasjeve komuniste në Shqipëri.

Bianca Maria Gjomarkaj, mbesa e Gjon Marka Gjonit, Kapidan i Mirditës, ndan në gjuhën angleze me lexuesit e huaj dhe shqiptar njohuri mbi emocionet dhe tiparet e anëtarëve të familjes së saj, që jetuan dhe vdiqën, gjatë periudhës së zymtë të komunizmit dhe diktaturës më të eger asokohe.

Ata që mbijetuan e bënë këtë me dinjitet dhe nder, duke kujtuar se kë dhe çfarë përfaqësonin. Komunistët shqiptarë, i nënshtruan poshtërimit, abuzimit dhe privimit, por ata duruan. Ky është udhëtimi i tyre.

Një lexim dhe rilexim i plotë i librit, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, për çdo shqiptar të etur, për njohjen e Mirditës dhe Dinastisë Gjonmarku.

Libri në fjalë, përmban më shumë se 280 fotografi origjinale, të cilat janë shumë përfaqësuese të historisë së Markagjonit nga fillimi i shekullit XX e deri më sot.

E meriton të thuhej

Së fundi është e rëndësishme të pohohet se libri: “Tower of Resistance Markagjoni Family an Albanian Dynasty” (Kulla e Rezistencës: Familja Markagjoni një Dinasti Shqiptare), shkruar nga vajza e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarkaj, Bianca Maria Gjonmarkaj, është një vepër unike, e detajuar dhe shumë e rëndësishme, për të gjithë historianët dhe kërkuesit e së vërtetës, për familjen e Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit dhe vuajtjet e tyre, nën regjimin komunist në Shqipëri në vitet 1944-1991.

“Ai (Komunizmi) degradon, dhunon dhe njollos gjithçka që zotërojnë shqiptarët, duke përfshirë ndjenjat, emrin, pasurinë, virtytet morale, familjen, nderin dhe besimin tonë dhe nuk pranon të njohë Zotin e madh…”, shkruan autorja Bianca Maria Gjomarkaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Tome Mrijaj

Nji pllambë “Mirditë” në New York!

May 6, 2023 by s p

Miqtë e mi e dinë se e kam dashurue librin qysh prej kopertinës e deri në shpirt të kuptimit fletë për fletë deri në të fundit faqe. Ata që ma ngjiten këtë “sëmundje të ambël” kan qenë shkrimtarë të përmasave, poetë e burra të gjurmëve të fjalës së artë. Kam njohur për pak kohë të madhin poet Frederik Rreshpja e me kujtohet fort mirë tryeza e çelçit plot dorëshkrime e gota përzier e kurrë nuk i harroj perqafimet atnore të Frederikut, ato perqafime që për fat të keq kurrë nuk m’u dha rasti t’ia ktheja në ditët e tija të vështira. Sa herë dilja nga ajo lagje, nuk shqitesha kurrë pa u përshëndet edhe me at’ Zef Pllumin.

Kam qënë fort i ri ato vite kur me një turrë rimini në sy, kapesha herë pas herë tek klubi i poetëve ku më të preferuarit ndër miqtë e mi ishin fisniku Zyhdi Morava , i mençuri e i rralli Pano Taçi e i mrekullueshmi ati i poezisë së Re, Fatos Arapi të cilin nuk e ulnim dot në tryezë sepse ai nuk pinte kurrë verë, ndoshta sepse vetë Fatosi ishte vlimi ma i bukur i poezisë shqipe.

Ju betohem, miq lexues e ju premtoj se do të ndalem shpesh ndër stacionet e ktyre gjigandëve duke menduar se kësaj radhë rreshtat e mi i përkasin një zhanri paksa ndryshe, zhanrit të letërsisë historike me muzë Kombi përzier, sikur kam gjetur ne në një  përmbledhje shkruar larg viseve nga mjeshtër të artë të mendimit të sotëm.

Dikush ende jeton plot shendet e vizion fisnikërie, virtyt e traditë malësori dhe burrat e mërgimit i thërrasin në emër, baca Tomë Mrijaj. Emri i tij ishte përzgjedhur fshehurazi dijes se tij nga historiani i njohur Z.Nue Oroshi dhe është sjell ne librin ” Tomë Mrijaj – Një jetë në shërbim të nacionalizmit, humanizmit dhe kulturës shqiptare, botuar në Prizren nga shtëpia botuese “Lumbardhi”, me redaktim te prof.dr Muhamet Shatri, recensent Eugjen Merlika dhe Klajd Kapinova, me interesim dhe shpenzime te kryera nga shoqata patriotike “Trojet e Arbrit” me seli ne Kiel të Gjermanisë.

Libri sjell pranë lexuesit “fytyrën” engjëllore të një njeriu të madh të ditëve tona, të cilin nuk e shohim ndër televizione sepse ai merret me pune të zakonëshme dhe me patriotizëm. Rrënjët  dhe origjina e patriotit Tomë Mrijaj janë Mirdita e vjetër nga ku dy shekuj më parë, të parët e tij mërguan ne Gjakovë. Sikurse mërgimi i bë plagë për trojet shqiptare, qysh shumë vite më parë, edhe Toma largohet prej vendit të tij te lindjes dhe vendoset në shtetin e Lirisë se të gjitha lirive, në Amerikë.

Për vite e vite, Tomë Mrijaj ka qëndruar pranë fisnikëve te Mirditës në New York, kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Monsinior Zef Oroshi, ku kapidan Ndue Gjomarkaj ka qënë drejtues i Bllokut Kombetar Indipendent ndërsa at’ Zef Oroshi ka qënë themelues i kishës katolike “Zoja e Shkodres” në New York.

Unë e kam njohur Tomën pas daljes së librit të jetëshkrimit të tij, dhe nga ai shtrëngim duarsh kam kuptuar arsyen pse një mori shkrimtarësh e publicistësh i janë kushtuar me kaq zell jetës dhe veprimtarisë se tij patriotike dhe nacionaliste.

Në libër sjellin përshtypjet, emocionet dhe përshkrimet e tyre autorët e dëgjuar si: Prof.dr Muhamet Shatri, Prend Buzhala, Eugjen Merlika, Klajd Kapinova, Bianka Gjomarkaj, Mërgim Korça, prof.dr.Riza Sadiku, Msc Kristinë Oroshi, dr. Ermelinda Kashah, dr.Besim Morina, Pal Canaj, Sadri Morina, Beqir Sina, Selman Etemi, prof.Isuf Bajraktari, Pjeter Nikolla, Astrit Tota-skenograf, Avni Bilalli, Mr.sc Rezehana Hysa, Prend Gjokë Prendi, Leonora Laçi, Lekë Mrijaj, Mikel Gojani, Laureta Mrijaj dhe përmbledhësi e organizatori i librit,Mr.sc Nue Oroshi.

Kjo larmi e jashtëzakonshme autorësh përshkrues e sinkronizim librin në një trup të vetëm letrar me të njëjtin qëllim dhe subjekt personazhi  por me modele e stile të veçanta përshkrimi duke arritur më së miri ne zbulimin e ngjyrave dhe notave te rralla te patriotizmit, cilësi që veshin imazhin e ktij atdhetari të shquar ashtu sikurse edhe në realitet. Është rast i rrallë në letërsinë shqipe kur një detektiv autorësh bien heshturazi në të njëjtën gjuhë, sejcili me stilin e tij në përshkrimin e të njëjtit personazh dhe prapë më i rralle mbetet rasti sepse autorët janë te krahinave te ndryshme e pa te njëjtin angazhim të përditshëm, të gjithë pikasur e nuhatur me mjeshtri nga përmbledhesi i librit, z.Nue Oroshi e bashkuar ne një vepër të vetme. Për mendimin tim këtë rast më shumë se asgjë e ka sjellë të ndodhë fakti i nevojës së vetë letërsisë shqipe për t’u përshtatur me realitetin e sotëm historik si fazë letrare sepse vetëm kjo fazë e ndihmon letërsinë shqipe të shkëputet pa shenja e dëmtime të penës nga realizmi stoik socialist. Në një të tillë rast ,letërsia kuptohet sic duhet ne misionin e saj ne raport me shoqërinë ,letërsia bashkeudhëton gjithashtu në një hap me shoqërinë  dhe fiton luftën mbi personazhin imagjinar të shterrur e sajuar si dhe i jep nxënësit dhe lexuesit shembullin e freskët të mishërimit të cilësive të mira të personazhit me qellim dhënien e kuptimit të së sotmes kombëtare duke diktuar llojin e intelektualit dhe të patriotit të cilit ende i rreh zemra për atdhe e vendlindje.

Kushdo është kurioz për këtë vepër të vyer, le të kërkojë adresën t’ime sepse do t’ua mundësojmë kopjen edhe pse për momentin kopjen që më është nënshkruar mua un po ja dhuroj redaksisë së gazetës  “Nacional” në shenjë respekti e mirënjohje për punën e vyer të mbledhjes dhe vlerësimit të letërsisë së sotme shqipe, edhe kjo në fazat më të vështira të saja për te gjitha arsyet.

Tek ky libër un kam zbuluar një copë Mirditë të herëshme në New York e ju falem nderës te gjithë autorëve të cilët kanë përcjell me aq mjeshtri në faqet e librit frymën dhe rolin e rëndësishëm të njeriut të vlerave si shembull të gjallë për sejcilin bashkëkombas pavarësisht se ku ai aktivizohet e jeton.

Artan Lleshi Gjomarkaj

Mirditë

Filed Under: ESSE Tagged With: Tome Mrijaj

“Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”- Dy fjalë hyrëse

October 18, 2017 by dgreca

1 Mrijaj-Kapinova-Kcira E shkuara mund të vritet, po kurrë nuk vdes/

Nga Tome Mrijaj & Klajd Kapinova/Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, indiani i thjeshtë Mahatma Gandhi, thotë: “Në fillim të injorojnë, pastaj të fyejnë, pastaj të luftojnë, dhe pastaj fiton.” Këtë vit jubilar mbushën 50 vjet meshtari nga jeta dhe veprimtaria e meshtarit shqiptaro-amerikanë don Anton Kçirës. Gjatë 5 dekadave, ai ka provuar dhe kaluar me stoicizëm mbi shpinën e tij padrejtësitë, në rrugën e gjatë nga Kosova në SHBA, me shumë mundime,  denigrime, përbaltje, injorime, fyerje, ku, keqdashësit  titistë dhe enveristë, kanë përdorur edhe teknologjinë bashkohore si video poshtëruese, me montime absurde të krijuar nga përfaqësuesit nihilistë të së keqes. E vërteta thjesht vonon, por nuk zhduket dot. Keqdashësit mund ta sulmojnë atë, injoranca mund ta përqeshë, por në fund e drejta, fiton dhe dominon.Në situatën artificiale të krijuar nga antishqiptarët, përballë forcave të errëta, bariu ynë shpirtëror Kçira, me përvujtëri dhe stoicizëm ka ngallnjyer mbi të keqen si një ushtar i pamposhtur i Krishtit dhe atdhedashurisë. Ai kurrë hequr dorë nga bindja e përbashkët Atdheu dhe Feja, të cilat si rreze drite ai ka përçuar gjithëmonë tek populli i tij, me punën dhe kontributin e madh, duke fituar falë durimit të fortë dhe shpresës së bindur tek e vërteta.

Personazhi kryesor i librit të dytë: “Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”, për ne bashkëautorët, është një vijim i pandarë i librit të parë monografik: “Don Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut” (Shkodër, 2002), botuar 15 vjet më parë. E shkuara mund të vritet, po kurrë nuk vdes. 

Tek patrioti bashkëkohorë don Antoni, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, sepse ai vjen nga një familje fisnike me rrënjë të lashta të atdhetarizmit shqiptar. Në veprën e parë voluminoze, kemi trajtuar jetëshkrimin e fisit, familjes Kçira dhe të meshtarit të palodhur për Fe e Atdhe në rrjedhat e historisë, ndërsa tani libri i dytë trajton më gjuhën e fakteve të reja dhe dokumentëve origjinale rrugën e vështirë në të cilën ka kaluar patrioti i palodhur e i përkushtuar don Antoni, mes popullit dhe për popullin shqiptarë, në vendlindje dhe diasporën e SHBA-së.

Faktologjia shkrimore, përfshin jetëshkrimin me realitetin e përzgjedhur historik, të grumbulluar si bleta punëtore gjatë 50 vjetëve histori meshtarake të bariut tonë kristian, të cilat dora-dorës janë seleksionuar dhe sistemuar me kujdes, nisur nga ajo çfarë paraqet sot vetë libri i ri.

Historia si shkencë shoqërore njerëzore, njihet si mësuesja e njerëzimit. Themeluesi i saj filozofi dhe historiani i periudhës antike greke Herodoti, e krijoi duke argumentuar se historia e vërtetë duhet të ndertohet mbi bazën e fakteve burimore historike. E vërteta përkufizohet përgjithsisht si përputhja e çështjeve me faktet dhe realitetin. Kushdo e di se e vërteta është një besim i njeriut, që bazohet mbi faktet dhe ngjarjet e vërejtura historike. Përballë kësaj, ne jemi munduar të kryejmë detyrën para historisë, përmes këtij libri me fakte, duke i qendruar besnik vetëm kësaj aksiome filozofike dhe historike.

I pajisur me gjithë virtytet më të mira të atdhedashurisë, meshtari i pamposhtur Kçira kurrë nuk e ka pranuar nënshtrimin dhe servilizmin, por gjithnjë ka qenë në krahun e së drejtës, pavarësisht se kjo lloj padrejtësie u bë direkt në kurriz të tij.

Ky libër hap dritare të reja në këtë kohë të përmbytur nga politika moçalore pa moral, politikë që i kanë zënë sytë perde dhe shpesh kalon në verbim e tërbim përballë njerëzve të thjeshtë atdhetarë, që një jetë të tërë i kanë shërbyer atdhedashurisë.Kisha katolike shqiptare e shën Palit në Detroit, është më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë.Don Antoni, u shërbeu shqiptarëve të Amerikës për disa dekada, ku gjurmët e punës së tij, duken qartë dhe gjenden në zhvillimet e jetës kulturore e fetare të shqiptarëve në mërgim.

Kushdo nga shqiptaro-amerikanët, që jeton dhe punon në Atdheun tonë të dytë, në Shtetet e Bekuara të Amerikës, gëzohet kur institucionet fetare, kulturore, patriotike, figurat e shquara të komunitetit tonë dje dhe sot, vlerësohen me mirënjohje të thellë, përmes medaljeve falënderuese simbolike, për punën dhe jetën e tyre, në shërbim të komunitetit dhe trojeve etnike shqiptare.

Por nga ana e tjetër lind pyetja retorike: Pse zyrat e shtetit amë të Presidencës së Shqipërisë dhe Dardanisë, ndajnë medalje nderi dhe vlerësimi të njëanshëm duke qenë shpesh subjektive në vlerësimet e tyre?! Ato disa herë fyejnë me “harresë”, tek anashkalojnë me ndërgjegje koshiente personalitetet më aktivë të komunitetit tonë, që vërtetë kanë shkrirë me pasion dhe atdhedashuri të papërshkruar veprimtarinë e tyre atdhetare, në dobi të trojeve etnike arbërore.

Një rast i tillë, që po bën bujë, është shembulli i bariut shpirtëror të nderuar dhe respektuar klerikut të shquar patriotit dhe aktivistit të palodhur të komunitetit tonë, liderit të përvuajtur katolik në Detroit i Përndershmi don Anton Kçira. Ai prej dekadash, ka punuar e luftuar pareshtuar, për ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare të Dardanisë, para senatorëve, kongresistëve dhe miqve të shumtë amerikanë, në shtetin e Michigan-it dhe gjetkë.

Ne mendojmë, se është bërë shumë mirë, që u dekorua kisha e shën Palit në Detroit, gjatë kohës që ka shërbyer Don Anton Kçira. Logjikisht sërisht shtrojmë pyetjen pse nuk është dekoruar për merita të  veçanta patriotike meshtari ynë  don Anton Kçira, që ka shërbyer në kishën e shën Palit!? A nuk e meriton ai një vlerësim apo dekoratë të tillë!?

Dekoratën e mirënjohjes, më të madhe plot zemër, me falënderime të vijueshme nga shpirti i mirënjohjes don Antonit, ia kanë dhënë populli i Shqipërisë Etnike, sepse për t’a ka punuar dhe vepruar (vepron edhe sot edhe pse është në pension), sikurse shprehet shpesh, se: “Unë  do t’i shërbej popullit tim deri në frymarrjen e fundit”, pse kështu është betuar si shqiptar i përkushtuar para Atdheut e Fesë.

Së fundi, ndoshta për lexuesin është mirë të japim një lajm paraprak shumë të mirëseardhur. Gjatë vitit të ardhshëm do të mbahet një simpozium historik kushtuar figurës së shquar të atdhetarit të palodhur don Anton Kçirës, ku shumë intelektualë nga bota shqiptare po përgatitën me kumtesat e tyre, të cilat menjëherë do të botohen në një libër të veçantë.

New York, Tome Mrijaj & Klajd Kapinova

Filed Under: Analiza Tagged With: Dy fjale hyrse, Klajd Kapinova, Tome Mrijaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT