• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË- TRE VJET PA AGIM KARAGJOZIN ”NDER I KOMBIT”…

April 1, 2021 by dgreca

PËR SHPIRTIN FRYMEN VATRANE TË AGIM KARAGJOZIT/*

1 Prilli shënon ditën e mbrame dhe kalimin në amshim të Kryetarit të Federatës VATRA për dy dekada Ing.Agim Karagjozi. Ai na la pas nja Vatër të bashkuar, kombëtare dhe antikomuniste. U mbushën tre vjet nga dita që shkoi të pushojë”Nderi i Kombit” , “Qytetari i Nderit i Gjirokastrës”, atdhetari i nderuar me Urdherin e Shqiponjes nga Presidenti I Shqipërisë, me Medaljen e Lidhjes se Prizrenit nga Presidenti Rugova etj…. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës, frymën Kombëtare, kundër përcarjes. Po po, Vatra është  Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt  atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Na e përcolli këtë aksiomë Persidenti Karagjozi! Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm  të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton ta thuash, port a bësh- duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e  Vatrës, jo të përcarjes. Përcarja nuk . ka shërbyer Vatrës në 109 vitet e jetës së saj. Vatar është familja e madhe vatrane, por askush nuk mund ta “privatizojë” atë për familjen e vet apo për një grup të pakëqaurish. Titujt dhe dneret që të jep Vatra duhet t’i meritosh derisa të mbyllësh sytë!

         Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir, por edhe i vatranëve që me kursimet e tyre paguan vlerën e ndërtesës.

   Në fjalën përcjellëse  që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e  vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.

         Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e  obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup. 

Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”

Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.

       “Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.

  Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët. 

          Kryetari Karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndihma në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj. 

Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. 

          Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse në ceremonine e varrimit, nuk duhet marrë thjesht si  vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.

 Vatranët do ta kujtojnë kryetarin e tre edhe si”kosovari” nga gjirokastra sic e epitetoi gazetari, ish Drejtori i Radios Zeri I Amerikës pëe Euro –Azinë Frank Shkreli, në artikullin e tij përcjellës publikuar në Dielli.

Pusho në Paqë Agim Karagjozi, idelaisti, nacionalisti, vatrani i përjetshëm.

*Per me shume fotografi shih ne FB

Filed Under: Featured Tagged With: 3 Vjet nga Ikja e Agim Karagjozit, dalip greca, pa Agim Karagjozin, tre vjet

Tre vjet më vonë shteti a është më shtet se ishte

July 3, 2016 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/
Premtimi më 2013 i ekipit Rilindja të Edi Ramës ishte rikthimi në Shqipëri i shtetit me të gjitha funksionet e tij.Fjalori në përdorim aktual i Gjuhës së Sotme Shqipe ka dy përkufizime thjeshtëzuese për shtetin: “organizatë politike që përfshin të gjitha organet e qeverisjes së një vendi (organin ligjvënës, organet ekzekutive, organet gjyqësore etj.)” dhe “njësi territoriale-administrative me vetëqeverisje të brendshme në disa vende borgjeze me organizim federativ’. Fjalorët perëndimorë e përkufizojnë shtetin “person juridik territorial sovran, formuar nga organizata politike e një grupi social të shtrirë në mënyrë të qëndrueshme mbi një territor” dhe “një komb apo territory i konsideruar si një bashkësi politike e organizuar nën një qeveri”.

Përkufizimet e mësipërme nuk do të ishin të plota pa sqarimin që bën Enciklopedia Britanike se “shteti dallohet nga grupet e tjera sociale nga qëllimi i tij (vendosja e rendit dhe sigurisë), metodat (ligjet dhe zbatimi i tyre), territori (sipërfaqja nën juridiksion), dhe sovraniteti.

I ashtuquajturi shtet në Shqipëri çalon totalisht në të katër dalllimet e mësipërme.

Dallimi i parë dhe themelor i shtetit nga faktorët e tjerë është qëllimi i tij për të vendosur rendin dhe sigurinë. Nga kjo pikëpamje, me të drejtë gjithkujt i lind pyetja: a ka ndryshim të dukshëm të shtetit të këtyre tri viteve nga ai i mëparshëm. Faktori krim realisht nuk është dobësuar, nuk është bërë më pak alarmant se tri vite më pare. Faktorët që i mbështetin interesat e tyre politike, ekonomike, juridike tek faktori krim nuk janë pakësuar dhe nuk janë dobësuar. Të dyja palët janë rritur dhe janë fuqizuar. Reaksioni ndaj çdo ndryshimi është bërë më i fortë dhe më i sofistikuar brenda në vetë institucionet e shtetit, brenda në vetë pushtetet përbërëse të sistemit. Kundërshtimi ndaj krimit, ndaj partneritetit politiko-ekonomiko-juridik me krimin është zvogëluar dhe dobësuar më shumë. Nga ana statistikore, krime të ndryshme apo lidhje të ndryshme të krimit mund të shprehen me shifra më të ulëta se më parë, të tjera, ndërkohë marrin përmasa të reja gjithnjë e më sfiduese ndaj çdo aspirate për shtet, rend dhe siguri. Më i pasigurt se kurrë, më i pafuqishëm se kurrë është individi i thjeshtë, është qytetari i papërfshirë në formacionet e pushteteve institucionale dhe jashtinstitucionale të vendit.

Edhe dallimi i dytë, ai i metodës, pra roli i ligjit dhe i mënyrës së zbatimit të tij nuk ka ndryshuar në thelb as krahasuar me periudhën e afërt të para tri viteve, as krahasuar me periudhën 26 vjeçare të tranzicionit, as krahasuar  me periudhën 46 vjeçare të diktaturës. Ligji, i shkruar dhe i pashkruar, hartohet dhe zbatohet nga të fortët kundër të dobtëve. Për qytetarin e thjeshtë i vetmi faktor mbrojtës është shteti, sepse qytetari i thjeshtë nuk ka mjetet financiare, nuk ka njohje dhe miqësi, nuk është pjesë e klaneve. Të humburit janë viktimat dhe të dëmtuarit nga shkelësit e ligjeve, nga kriminelët dhe keqbërësit. Të fituarit janë shkelësit e mëdhenj të ligjit, fushëveprimi i të cilit kap vetëm shkelësit e vegjël dhe kundërvajtësit. Më të njerkës janë të miturit, grate, të moshuarit, romët, të papunët, të varfërit, më të nënës janë uzurpuesit, dhunuesit, përdhunuesit, mafiozët. Duke mos gjetur asnjë shkëndijë shprese tek i ashtuquajturi shteti i tij, qytetari i var shpresat, shpesh në mënyrë abstrakte dhe utopike tek ambasadat kryesore perëndimore në Tiranë, tek personaliteti i ambasadorëve të caktuar, si dhe tek ashpërsimi i qëndrimeve të faktorëve të jashtëm aleatë ndaj faktorëve të brendshëm qeverisës.

Në Shqipëri nga të gjithë të zotët e vendit flitet për shtet të qytetarëve. Ta ndërtosh shtetin e qytetarit domethënë ta mbrosh shumë qytetarin, ta përkrahësh shumë qytetarin, t’i shërbesh më shumë e më mirë qytetarit dhe, në shkëmbim, për ta kryer sa më mirë këtë mision, t’i kërkosh më shumë se më parë qytetarit. Në këto tri vite raporti i shtetit ndaj qytetarit nuk është përmirësuar, nuk është më i mirë respekti i ndërsjellët as përkushtimi i ndërsjellët. Raporti mes sundimit dhe shërbimit nga ana e shtetit ndaj qytetarit është rritur në aspektin e pare – të sundimit dhe është zvogëluar në aspektin e dytë – të shërbimit.

Qytetari dhe shteti kanë të drejta dhe detyra ndaj njëri tjetrit. Të drejtat e qytetarit janë detyra të shtetit. Detyrat e qytetarit janë të drejta të shtetit. Sa më shumë të respekohen, sa më pak të shkelen ato, aq më në përkryerje e në harmoni funksionojnë shteti dhe shoqëria.

Këto tri vite është folur shumë për detyrat e qytetarit ndaj shtetit, ku mendohet se ky i fundit në periudhën e tranzicionit kanë çaluar. Edhe në diktaturë flitej për të drejta dhe detyra, për raporte mes tyre. Dhe sllogani më i përdorur ishte: askush nuk mund t’i kërkojë të drejtat pa i përmbushur një për një detyrat. Kështu, çdo qytetari, sapo trokiste në një zyrë të shtetit, menjëherë i mbyllej goja. Në çdo sistem, vërtet, qytetari ka detyra ndaj shtetit. Detyra e tij e pare është pagesa në kohë e taksave dhe tatimeve, pa i fshehur asgjë shtetit. Edhe në sistemet më të përkryera ndodh që qytetari nuk e përmbush si duhet këtë detyrë apo detyrat e tjera. Sistemet, sa më të përkryera, i kanë mjetet e tyre për të bërë që qytetari t’i përmbushë detyrimet, nga më i varfëri tek më i pasuri. Por i kanë edhe mjetet për të nxitur pasurimin e qytetarëve dhe për të penguar varfërimin e tyre. Dhe i përkryejnë ato papushim. Nga ana tjetër qytetari ka të drejta të cilat shteti është i detyruar t’ia përmbushë atij edhe kur qytetari ndodhet prapa hekurave, pra edhe kur është i dënuar me heqje lirie.

Dobësimi i raporteve mes qytetarit dhe shtetit shënon dobësimin e shoqërisë dhe dobësimin e shtetit. Të gjithë kemi pohuar me një gojë, për shembull, se më 1997 ra shteti. Askush në botë nuk e besonte se aq lehtë bie shteti. Raportet mes qytetarit dhe shtetit, mes shoqërisë dhe shtetit kishin një gjysmë shekulli që ishin shkëputur. Qytetari ishte një skllav i shtetit. Më 1990 skllavi u çlirua nga pronari i tij, por nuk ishte në kërkim të lirisë, ishte në kërkim të një pronari tjetër. Nganjëherë krijohet përshtypja se ai, edhe sot e kësaj dite, është në kërkim të një pronari tjetër dhe nuk është i ndërgjegjësuar se shteti është i tij e për të dhe nuk është ekskluzivitet i krerëve të politikës, i krerëve të bizneseve, i krerëve të krimit. Në këtë tranzicion, më e keqja e të këqijave, është rrënuar edhe elektorati, edhe ai pasiv, edhe ai aktiv, të dy kanë mundësuar që vendin, shtetin, shoqërinë ta sundojnë krimi- Dhe të gjithë së bashku ta sundojnë qytetarin e thjeshtë, anëtarin e thjeshtë të elektoratit, anëtarin e thjeshtë të popullit.

Gjithsesi, tre përbërësit kryesorë të çdo shteti janë tre: vendi, populli, sistemi. Shteti ka integritetin territorial (tërësinë tokësore) të paprekshme e të pacënueshme. Ai ka kombin dhe popullin, përkatësisht qytetarët dhe banorët. Ka sistemin politik që rregullon pushtetin. Sipas sistemit politik një shtet mund të jetë monarki absolute, kushtetuese, diktaturë fashiste, komuniste, republikë presidenciale, gjysmëpresidenciale ose parlamentare.

Monarki absolute ishte Franca e Lugjit XIV, kur ai thoshte «Unë jam shteti», çka tregon se pushteti është i përqëndruar në duart e një njeriu dhe shteti ishte në shërbim të tij.

Për një diktator fashist si Musolini shteti është gjithçka e qytetari asgjë: «Gjithçka brenda shtetit, asgjë përjashtë shtetit, asgjë kundër shtetit.» Për një diktator komunist si Lenini: «Sa kohë ekziston shteti, nuk mund të ketë liri; kur ka liri, atëherë nuk ka Shtet.» Të njëjtin kuptim për shtetin ka komunisti anarshist Mihail Bakunin: «Atje ku fillon shteti, mbarojnë liritë individuale, dhe anasjelltas.»

Sistemi politik në shtetet demokratike përbëhet nga tri pushtete: pushteti ekezekutiv (qeveria), pushteti legjislativ (parlamenti) dhe pushteti juridik (drejtësia). Ligji është ai që rregullon pavarësinë dhe bashkëveprimin e këtyre tri pushteteve. Nëpërmjet kontrollit që ushtron secili prek këtyre pushteteve garantohet që pushteti të mos keqpërdoret. Ligji i garanton instrumenet që çdo pushtet të kontrollojë pushtetet e tjera.

Rol të fuqishëm në kontrollin e dy pushteteve të tjera ka drejtësia. Në Shqipëri pikërisht drejtësia, pushteti ligjzbatues në tërësi, është më i korruptuar, është krejtësisht i kontrolluar nga politika. Kryeministri i Shqipërisë tha në një seancë të fundit plenare se bashkëbiseduesit ndërkombëtare e quajnë haptas organizatë kriminale sistemine e drejtësisë së këtij shteti. Në këto kushte, investimet e rëndëssihme perëndimore nuk arrijnë kurrë në Shqipëri.

Prandaj Reforma në Drejtësi është themelore dhe urgjente për Shqipërinë, për fatin e demokracisë dhe të shtetit. Kjo reformë kërkon ndryshime kushtetuese e për këtë nevojitet edhe një gjithëpërfshirje politike. Ata që duan zvarritjen dhe dështimin e reformës, kërkojnë një reformim të plotë të kushtetutës. Në fakt, kushtetuta e Shqipërisë, e merituar më 1998, është kafshuar keqas, është shqyer disa herë deri tash. Për një kushtetutë të re që t’i qëndrojë një kohe të gjatë kërkohet krijimi i një grupi pune dhe i kushteve sa më optimale për të dhënë një projekt sa më të paqortueshëm.

Kjo nuk mund të pengojë kryerjen sa më të shpejtë të reformës në drejtësi. Qëllimi kryesor i kësaj refome është për ta nxjerrë drejtësinë nga kthetrat e politikës dhe për ta pastruar atë nga shtresëzimet kriminale. Politika, ekonomia, shoqëria, krimi, të gjithë janë në konflikt interesi ndaj kësaj reforme. Prandaj edhe miratimi, sidomos zbatimi i saj duket një utopi.

Realizimi i reformës në drejtësi do të ishte fillimi i mbajtjes së një premtimi të dhënë tre vjet më parë. Kjo përbërje aktuale e Kuvendit i ka të gjitha të dhënat për ta dështuar miratimin e reformës. Vajtja në zgjedhje të reja të parakohshme, për një përbërje të re krejtësisht të painkriminuar dhe pa konflikt interesi, si dhe një formulë e re për qeverisjen e vendit dhe për kryerjen e reformës mbase do të ishte zgjidhja.

Titulli/Prandaj Je suis Istambul – ashtu si “Je suis Charlie – Je suis paris – Je suis Bruxelles! 
Nga Elida Buçpapaj

 

Së paku 43 persona janë vrarë dhe mbi 200 persona të tjerë janë plagosur nga sulmi terrorist në Aeroportin Ataturk të Stambollit.

Një masakër e vërtetë kundër civilëve.

Familje të shkatërruara, prindër që presin fëmijët dhe fëmijë që presin prindërit të kthehen në shtëpi nga udhëtimi.

Apo të tjerë që shkojnë të kalojnë pushimet në Stamboll –

dhe nuk do të mbërrijnë kurrë tek të dashurit e tyre apo në destinacionin e dashur –

për shkak të mendjeve të çmendura që vrasin jetë në emër të Zotit,

ndërkohë që Zoti na e ka dhuruar jetën që ta jetojmë deri në fund në respekt të lirive të njeriut,

ku liria e lëvizjes është fondamentale në një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Terrorizmi  me emrin ISIS kërkon që t’i frikësojë njerëzit, t’ua bëjë të pamundur jetën dhe t’ua cënojë liritë e shtrenjta.

Terrorizmi me emrin ISIS në emër të fesë, vret pa dallim feje, vret të krishterë, myslimanë, hebrej dhe hindu.

Vret fëmijë, prindër e gjyshër! Vret njerëz të pafajshëm!

Vret në Siri, në Paris, në Bruksel dhe në Stamboll!

ISIS na kërcënon se mund të na vrasë në qytetet tona, sheshet, klubet apo aeroportet tona në Europë apo botë!

Motivacioni barbar që vret ISIS është një kauzë për çdo qytetar të globit dhe njerëzimin që të bashkohet kundër terrorizmit!

Njerëzimi duhet ta shpëtojë botën nga rreziku i atyre që e ndajnë me raca, etni dhe religjione.

Kjo është kauza se përse njerëzimi do të fitojë kundër ISIS dhe çdo kërcënimi terrorist!

Qytetërimet e emancipuara dallohen prej humanizmit universal.

Njeriu qan njëlloj për viktimat e pafajshme

edhe për viktimat e Charlie Hebdo,

qan njëlloj edhe për viktimat e Parisit, të Brukselit dhe të Stambollit.

Dhimbja nuk ka ngjyrë, fe apo racë,

dhimbja është universale!

Edhe solidariteti nuk ndan në raca të privilegjuara dhe më pak të privilegjuara!

Solidariteti është universal dhe bashkues për të luftuar të gjithë bashkë kundër terrorit!

Prandaj sot qajmë për viktimat e Stambollit dhe prandaj sot ne duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për të luftuar terrorizmin!

Lotët e dhimbjes për viktimat e pafajshme në Siri, Paris, Bruksel, Stamboll e kudo ku jeta bëhet e pamundur prej terrorit, duhet të na bëjnë bashkë!

Deri sa bota të jetë e paqtë!

Prandaj sot ne jemi të gjithë me Stambollin!

Je suis Istanbul – Nous sommes Istanbul!

 

Titulli/ Politikanët e Shqipërisë në delir për Brexit, parashikojnë BExit, SHBAexit!        

Nga Elida Buçpapaj

(Grotesk)

Politikanët e Shqipërisë londineze me maçkë e me kuçkë janë në eufori të plotë duke shijuar Brexit!

I ka kapur aq shumë entusiazmi analizues sa kanë vendosur që me punimet e këtyre dy-tri ditëve botuar në shtypin e Tiranës të mbrojnë në Universitetin e metropolit Europianist nga një Ph.D. për të marrë titullin Brexit-ologë!

Janë gjetur po ashtu sponsorët për një seri botimesh dhe përkthimin e tyre në gjuhët angleze, franceze, gjermane, kineze dhe hindu.

Do të ketë edhe një çmim me emrin David Cameron për Brexit-ologun më të thekshëm shqiptar. Thuhet se do të vijë vetë Cameron në një Gala që do të jepet live në të gjithe televizionet kombëtare shqiptare përfshi BBC.

Maçkë e kuçkë e përdor si eufemizëm përkatërisht për opinionistët dhe portalët  që po shkruajnë e botojnë me një bollëk të paparë oped-e, opinione, editoriale, shkrime, analiza, komente, reagime, polemika, debate, dialogje, monologje duke shkaktuar zili deri në Oksford për mënyrën se si janë duke i qarë hallin dhe përshkruar tash e mbas vetminë e madhe të Anglisë.

Po e analizojnë situatën në nivel kombëtar, kontinental dhe global se çfarë pritet pas referendumit të 23 qershorit, që për koincidencë përkon me datën e zgjedhjeve në Shqipëri, tri vite më parë.

Politikanët e Shqipërisë londineze po shqetësohen tmerrësisht për fatin e botës anglo-saksone, kur ata imagjinojnë shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, ditë e ëndërruar që nga koha e Sir Walter Scott e deri tek Sir Sean Connery, kryespiuni 007, më i famshëm i Mbretëreshës.

Pas shkëputjes së Skocisë i vjen rradha Irlandës së Veriut që t’i bashkangjitet Republikës së Irlandës.

Politikanët e Shqipërisë londineze po u qajnë hallin bursave, miliardave që shkrumbohen, uljes të vlerës së Pound-it, ndërsa nga ana tjetër e shohin legjitime që të qeshin nën hundë me të gjithë ish-Ambasadorët e Britanisë së Madhe në Tiranë që u jepnin leksione me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE!

Dezintegrimin e ishullit, politikanët e Shqipërisë londineze, e shohin si hapin e parë të një efekti domino apo reaksion zinxhir, quajeni si të doni, a nuk doli Marine Le Pen menjëherë me thirrjen për Frexit, që pritet të shkojë deri tek dezintegrimi i BE-së. Nga BE të bëhet BExit!

Në këtë pikë politikanët shqiptarë me maçkë e kuçkë nuk përmbahen, nuk pyesin fare për sjelljen diplomatike dhe tallen për fushë!  Sidomos me zyrtarët e BE-së dhe veçanërisht e kanë pikën e tyre të dobët Ambasadoren Vlahutin e cila do të mbetet pa punë kur të dezintegrohet BE-ja!

Kur të mbetet pa punë, parashikojnë  politikanët shqiptarë,  Ambasadorja Vlahutin do të bëhet ish-Ambasadorja Vlahutin dhe më në fund do ta mbyllë gojën e nuk do t’i lodhë me reformën në drejtësi. E çfarë i duhet Shqipërisë reforma për drejtësi tani kur të gjithë po dalin exit!

Por, politikanët shqiptarë nuk ngopen as me Brexit dhe as me BExit, pas dezintegrimit të BE-së syrin e parashikimeve e kanë përtej oqeanit, aty e kanë pikën e qejfit,  sepse sipas tyre kur arrin të dezintegrohet ish-Mbretëresha e Deteve e përse të mos dezintegrohen sidomos SHBA-të, një ish-koloni e Brexit!

Dhe pastaj ajo puna e reformës në drejtësi is over. Mbyllet përfundimisht.

Nga dezintegrimi i SHBA do të krijohen 50 shtete, që do të kenë 50 DASH e në Shqipëri do të hapen 50 ambasada; nga çdo shtet i ish-SHBA do të dalë një president që do të emërojë në Shqipëri seicili nga një ambasador!

Ndërsa ky aktuali s’do të ketë çfarë të bëjë, aq më tepër që e ka tepruar shumë duke ndërhyrë deri në punët e brendëshme e shkelur sovranitetin!

Dezintegrimit dhe shkërmoqjes i shpëton vetëm Sali Berisha me të tijtë, Edi Rama me të tijtë, Ilir Meta me të tijtë, plus maçkat dhe kuçkat, sidomos ky Fatmir Mediu, me të gjithë të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, me gjithë presidentin, kryeprokurorin e shefin e SHIK-ut.

23 qershori 2016 do të do të hyjë në historinë botërore si data e startExit, ndërsa për klasën politike shqiptare kjo datë përkon me triumfin në rrang global të sistemit të tyre model dhe sfidues ndaj BE, SHBA, NATO, CIA, FBI, Interpol, ku të gjithë rrezikojnë të dezintegrohen përveç sistemit të Shqipërisë londineze që shkëlqen si fener ndriçues i mafies demokratike.

 

Titulli/ Prof.Servet Pëllumbi t’ua nisë ditareve nga i vëllai Lirim Pëllumbi, i njohur në Durrës për burgosjen e të vëllait të Anton Çettës 

Nga Elida Buçpapaj

Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi  me rastin e 25 vjetorit të PS, ka botuar ditarin e tij politik të titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, i cili ka shkaktuar polemika tek personazhet e përmendur. Por, kur ballafaqimi është i hapur, vihen pikat mbi “i” dhe e vërteta zbardhet.

Problemi është për të vërtetat e diktaturës që i mban të fshehura pikërisht kjo klasë politike. Këto të vërteta lidhen me krimet e diktaturës dhe me personat që njihen si persekutorë dhe ekzekutorë të tyre. Hapja e Dosjeve dhe zbulimi i veprimtarisë të eksponentëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit do të ishte rruga e duhur për pastrim të ndërgjegjes në raport me krimet e kryera, sikur kanë vepruar të gjithë vendet që kanë dalë nga regjime diktatoriale, ku Shqipëra zë vendin e parë për nga mizoritë dhe shtazëria e regjimit stalinist.

Por në vend të zbardhjes të krimeve të komunizmit, ka një përpjekje të qartë për rehabilimin e sistemit dhe figurave kriminale siç është rasti i Mehmet Shehut.

Duke u kthyer tek Profesor Servet Pëllumbi që vjen nga garda e vjetër, ish Profesor i Shkollës të Partisë nga ku dilnin kuadrot e sistemit, ai është njëri nga ata që nuk mbështet hapjen e dosjeve.

Kam parë dikund Prof. Pëllumbi thotë se “të hapësh dosjet sikur të hapësh një varr ku mungon skeleti”. Kjo logjikë e Profesorit për të mos hapur Dosjet bie ndesh me veprimet e tij që sot del e boton ditaret, fjalë goje të thëna nëpër raste specifike a veprime të bëra në rrethana të caktuara, shpesh private, shpesh biseda konfidenciale, që kanë shkaktuar reaksion negativ sepse personazhet e përmendur i konsiderojnë ato si spekulim apo lajthitje të profesorit.

Por ndërsa Profesori merret me ditarë e kujtime duke u futur në qendër të vemendjes, qytetarët e Durrësit emri i tij i lidh në mënyrë të tërthortë me plagë të hapura nga diktatura dhe nuk harrojnë rolin e zi të Lirim Pëllumbit, ish-kryetarit të Degës të Brendëshme të qytetit të Durrësit, që është vëllai i Prof.Servet Pëllumbit.

A ju kujtohet këngëtarja e shquar Alida Hisku kur doli publikisht e tha femrat i përdhunonin nëpër burgje dhe gjatë hetuesisë. Iu sulën si çakej Alidës!

Lirim Pëllumbi, shefi i Degës të Brendshme të Durrësit, kujtohet pikërisht për tmerre të tilla se si i merrte vajzat më të bukura të Durrësit dhe i përdhunonte nëpër ambjente të Currilave. Këto kujtime tmerri ka Durrësi për vëllain e Prof.Servet Pëllumbit.

Përse nuk flet Prof.Servet Pëllumbi asnjëherë për vëllain e tij. Prandaj nuk dëshiron Prof.Servet Pëllumbi që të hapen dosjet?!

Prej këtij kapitulli do të duhej që t’i niste ditarët e tij ish-Profesori i Shkollës të Partisë. Aq më tepër kur thirrja për “katharsis” ka qenë një apel i kahmotshëm i liderit historik të PS që është Fatos Nano.

Prof.Pëllumbit i takon ta hapë këtë faqe të nxirë e të fshehur e të tregojë për të vëllain, sidomos sepse në Durrës Lirim Pëllumbi njihet si figura që në fund të viteve ’70 ka arrestuar dhe burgosur kardiologun e njohur të qytetit Beniamin Çetta, vëllain e të madhit Anton Çetta, i njohur në Durrës si Dr.Beni.

Dr.Beni gëzonte reputacion të madh në qytetin e Durrësit, e donte gjithë qyteti sepse ishte i zoti, i përkushtuar dhe i pakursyer. Për fatin e tij të keq Dr.Ben Çetta kishte rënë në dashuri me një vajzë durrsake shumë të bukur. Të dy duheshin pa masë e ndofta do të krijonin edhe familje e do të bënin edhe fëmijë. Por Sigurimi nuk i la. Pak a shumë i njëjti skenar si në filmin gjerman që ka fituar Oscar “Das Leben der Anderen”- “Jeta e të tjerëve”. Ëndërra e tyre u kthye në dramë. Sepse kryetarit të Degës të Brendshme të Durrësit Lirim Pëllumbit i ra në sy e dashura e Dr.Benit dhe sipas stilit të njohur kërkonte ta kthente në një viktimë të tij të rradhës.

Vajza nuk pranoi sepse ishte e dashuruar me Dr.Benin, atëhere Lirim Pëllumbi thirri hetuesin dhe e detyroi që ta arrestonin Dr. Ben Çettën me akuzën për agjitacion dhe propagandë, sepse në vitin 1965 Dr.Beni paskish thënë se, për t’iu shkuar sa më shpejt në ndihmë pacientëve me probleme kardiake duhen makina, pasi me biçikleta nuk arrihet të jepet ndihma e nevojshme. Dhe kjo fjalë goje e shqiptuar vite më parë, që ishte vetëm një vërejtje në të mirë të pacientëve, nga pozita të një profesionisti,  iu kthye në provë krimi dhe Dr.Ben Çettën e arrestuan dhe e burgosën. Dr. Ben Çetta ishte vëllai i të madhit Anton Çettës, shkrimtarit, profesorit të letërsisë dhe patriotit shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Dr.Ben Çetta ishte kopje e vëllait, por në fushë tjetër. Prandaj Durrësi nuk e harron kurrë, nuk ia harron edhe vuajtjet, edhe arrestimin, edhe burgosjen e një njeriu të pafajshëm të burgosur nga një kriminel si Lirim Pëllumbi.

Dr.Ben Çetta doli nga burgu vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Paçka se qyteti e mban në zemër kujtimin e tij, për të nuk kujtohet kush, as PD e qytetit, as PD në Tiranë. As ata që shesin dekorata. Ata merren vetëm me llogaritje për marrje pushteti ndërsa plagët e shkaktuara nga diktatura i harrojnë.

Por Durrësi nuk harron, Durrësi e kujton me dashuri Dr. Ben Çettën dhe me neveri Lirim Pëllumbin.

Dhe kur Prof.Servet Pëllumbi hap e kujton ditarët e partisë, Durrësi i thotë, Ok hapi ato ditarë sepse personazhet e tyre janë gjallë e të japin vetë përgjigje, por nise së pari nga Lirim Pëllumbi dhe kërkoi ndjesë qytetit për bëmat e tyt vëllai, kërkoi ndjesë familjes Çetta. Sepse të paktën këtë e ke për borxh.

Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

 

Titulli/ Petro Zheji, shenjtori, mentori, i persekutuari i gjithë elitës shqiptare këtë çerekshekulli dhe dy fjalë për Artur Zhejin 

Nga Elida Buçpapaj

Në shtypin shqiptar është ribotuar një biografi jo vetëm e Artur Zhejit, por e gjithë familjes së tij, me nënë e babë, me listë familje nga Kastriot Myftaraj.

Për hir të së vërtetës, do të shpreh mendimin tim.

Nuk kisha menduar kurrë se mund të fliste dikush pa superlativa për Petro Zhejin.

Nuk kisha menduar se mund të dilte dikush e mund të hidhte pluhur në figurën e tij poliedrike të një gjeniut-patriot dhe altruistit të përmasave të Petro Zhejit.

Nuk di në botën shqiptare një altruist të tillë përveç Nënë Terezën.

E adhuronin të gjithë, miq e armiq, intelektualë, akademikë, profesorë, ziliqarë, spiunë.

Petro Zheji mund të ishte Kryetari i Akademisë të Shkencave;

Petro Zheji mund të ishte Ministër i Kulturës,

Petro Zheji mund të ishte Ambasador i Shqipërisë në SHBA, Francë, Itali, Gjermani.

Nëse në Shqipëri do të ishte rrëzuar me të vërtetë nga themelet ngrehina e diktaturës.

Petro Zheji është figura më e ndritur e një shqiptari.

I fundmi shqiptar me të gjitha ato vyrtyte, superinteligjencë, mirësi, kulturë, sakrifica, që përbën farën shqiptare.

E gjithë elita e sotme politike në Shqipëri ka dalë prej hundës së Petro Zhejit.

Të gjithë nxënës të përulur të tij, ai në përmasat e Shenjtorit në një apartament të mjerë, ku gjithë rinia elitare shqiptare shkonte dhe i falej.

Sepse ai i mësonte se si të mbeteshin njerëz!

Sepse Petro Zheji rrezatonte dituri, rrezatonte kulturë, rrezatonte shqiptari, rrezatonte antikomunizëm, rrezatonte antikonformizëm, rrezatonte mirësinë e Zotit.

Im atë, i persekutuar nga diktatura e njihte Petro Zhejin kur punonin bashkë në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Petro Zheji ishte përkthyes, ndërsa im atë redaktor.

Im Atë e adhuronte Petro Zhejin, Im Zot Fan Noli i dukej nxënës përpara gjenisë së Petro Zhejit.

Edhe nëse Im Zot Fan Noli do të ishte gjallë ashtu do të ndihej përpara gjigandit të gjuhës shqipe.

Kur nuk më doli e drejta e Universitetit, im atë i shkoi Petro Zhejit në shtëpi dhe iu lut nëse do të ishte e mundur të më jepte mua, bijës së tij të vetme, leksione të frëngjishtes.

Petro Zheji pranoi menjëherë. Shtëpia e tij dhe jona ishin në dy cepe të kundërta të Tiranës. Ai nuk mungoi asnjëherë. Ai nuk mori asnjëherë asnjë lek.

Dita e javës kur na vinte në shtëpi për ne ishte festë e madhe.

Ishte simboli i së mirës dhe ndershmërisë. Tek ne fliste pa doreza, talleshim dhe qeshnim me kukullat e regjimit dhe të pseudoelitës.

Ishte besimtar i madh dhe nuk ka shkelur kurrë dikë në besë. Ka ndihmuar kë ka mundur, cilido që i ka kërkuar ndihmë pa i kërkuar kurrë shpërblim, pa i marrë kurrë shpërblim.

Regjimi komunist me superstrukturën e ka urryer sepse përpara tij ishin liliputë, ndërsa ai gjigandi i mirë.

Familja e Petro Zhejit mund të konsiderohet me gojën plot një nga Familjet e Mëdha të Shqipërisë. Që nga Spiro, i jati, të gjithë të ditur, të shkolluar, të pasur dhe sidomos patriotë, çka binte ndesh me logjikën e diktaturës së proletariatit dhe të çakejve të sodit.

Në fushën e përkthimit, njohjes të gjuhëve, erudicionit, kulturës, poligloti Petro Zheji është unik për kohën që jetoi, për shekullin XX-XXI.

Unë nuk gjej sot një kokë shqiptare që ta krahasoj me të.

Ishte punëtor i madh. I mblidhte të gjitha fjalorët e dialekteve të shqipes për të qëmtuar një perlë të gjuhës shqipe;

Është i pari që e ka mbrojtur tezën se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve, nga ky plan i kalon të gjithë shkencëtarët dhe linguistët shqiptarë prej Eqrem Çabejit e këtej.

Në lidhje me ndryshimin e mbiemrave. Në diktaturë të ndërroje emrin e familjes ishte mënyrë për t’i shpëtuar ferrit të persekutimit, për t’i shpëtuar rrezes së shikimit të diktaturës kriminale.

Marr një shembull brenda gjakut tim, dy dajat e nënës time nga Starova e bënë mbiemrin Darova.

Por Petro Zheji është njohur vetëm me këtë emër. Sikur e gjithë familja e tij. Nga familja e Petro Zhejit kanë dalë intelektualë të elitës, Gjergj Zheji, Vera Zheji e me radhë.

Nuk kam dëgjuar asnjë shqiptar që t’i akuzojë këta emra apo t’i marrë nëpër gojë ! Kanë mbetur të respektuar nga fillimi në fund, me jetë të pastër nga nisja në finish.

Ndërsa Petro Zheji ishte përjashtimi, antirregulli, antirryma, antikonformisti, tallësi dhe përqeshësi ndaj të keqes, adhurues i lirisë, dhe luftëtar i paepur i saj, ishte adhurues i dijes dhe dijetar i përmasave kozmike, ishte adhurues i kulturës dhe ishte një diell që buronte kulturë. E njihte kulturën Perëndimore, të Francës, Italisë, Gjermanisë që zor mund ta njihnin kokat e këtyre vendeve. I adhuronte SHBA, Perëndimin sepse aty e kishte shpresën për shpëtimin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Mbeti i persekutuar në diktaturë, por edhe gjatë çerek shekulli në post diktaturë, sepse u persekutua nga dishepuj e tij, nga ata që Petro u përpoq me gjithë shpirt që t’u mësonte diçka.

Në lidhje me SHBA nëse Petro Zheji paska thënë se  “aty paska gjetur komunistë” nuk besoj kurrëqysh të jetë kjo arsyeja e kthimit të tij.

Në fakt, Petro Zheji ishte ithtar i së vërtetës, ka thënë atë që shumë e kanë thënë pas tij, sepse të parët që shkuan në Amerikë ishin komunistët, ish-sigurimsat, njerëzit e diktaturës dhe Ramiz Alisë, pasi ata kishin mundësi që të merrnin viza, pasi i kishin në dorë të gjitha instrumentat e shtetit.

Arsyeja që është kthyer në Shqipëri mund të ketë qenë zhgënjimi apo malli për vendin e tij, sepse Petro Zheji është Shqiptari më i madh i kohës sonë.

Arsye e kthimit në Shqipëri dhe e jetës së tij është padyshim Artur Zheji. Kur Petro Zheji kishte një zemër për të dashur të gjithë botën, e si të mos e deshte të birin e tij, të cilit i kushtoi jetën.

Artur Zheji nga ana e tij ishte produkt i të jatit dhe një aktoreje të shquar. Ishte i lindur mes kulturës, i rrethuar prej librave, prej dijes, prej elitarizmit. S’kishte nga të dilte ndryshe. Ishte i përkëdhelur. Padyshim që ishte. Por nuk e përkëdhelte shteti, e përkëdhelnin prindërit e tij, rrethi i tij.

Të fillojmë e të diskutojmë jetën private të gjithësecilit do të thotë të vemë në lëvizje logjikën e regjimit kriminal.

Ta kthejmë në krim një  histori dashurie të Artur Zhejit kur ishte 23 vjeçar, është çmenduri. Aq më tepër kur ai ka treguar kujdes atëror për frutin e dashurisë së tij. Nuk e braktisi vajzën asnjëherë.

Në lidhje me formatin e Artur Zhejit. Mos harrojmë se Petro dhe Arturi u larguan nga Shqipëria si refugjatë në vitin 1990, ndërsa në moshën 29 vjeçare Artur Zheji punonte gazetar tek Radio Radicale dhe ishte miku i të madhit Marco Panella! Njihte italishten në mënyrë perfekte dhe kishte fituar një vend pune që ia kishte zili çdo kush sot e jo 25 vjet më parë dhe këtë gjë e kishte arritur me forcat e veta!

Kthimi i Artur Zhejit në Shqipëri mund të shpjegohet me faktin e ngopjes me Perëndimin. Këtë shpjegim e jap duke u nisur nga eksperienca e refugjatëve, që pasi e shohin se çfarë është Perëndimi, kërkojnë të kthehen në vendin e tyre duke shpresuar për një copy paste apo kushedi çfarë.

Fakti është se u kthyen në Shqipëri Ati dhe i Biri, Petro Zheji nga SHBA dhe Arturi nga Italia. Zoti mbeti në qiell, ndërsa shqiptarët nuk gjenjë ende forca që të ringjallen dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar është konformizmi.

Të jetosh në Tiranë nuk ke si të mos konformohesh. Dhe vetëm këtu mund të jem dakord me Kastriot Myftarajn, por kësaj kilisheje nuk i shpëton dot askush, kush dëshiron që të jetojë në Atdheun e tij. Dhe konformizmi shihet si një sakrificë për qëllime patriotike, deri sa elita vijon të dergjet mjerueshëm duke merituar mëshirën dhe neverinë. S’ka Samaritan të Mirë në Tiranë! Asnjë! Petro Zheji po, ishte Samaritani i Mirë!

Më vjen mirë që skulptori i mirënjohur amerikan Thomas Marsh, autor i statujës në nderim të viktimave të komunizmit  “Goddess of Democracy” e vendosur ne Washington, DC ka treguar gadishmëri të plotë të krijojë  statujën e Petro Zhejit, të gjuhëtarit antikomunist dhe të elitarit elitarist, statuja e të cilit e ka vendin përpara Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ashtu sikur edhe Akademia e Shkencave do të nderohej me emrin e Petro Zhejit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Rama, Skender Bucpapaj, tre vjet

TRE VJET PA ALI PODRIMJEN, ME POEZINE E TIJ PERJETESISHT

July 23, 2015 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI-FILADELFIA/*
Me 21 korrik, tri vite me pare, Ali Podrimja u nda nga kjo bote kur po merrte pjese ne nje festival te poezise qe po zhvillohej ne France. Edhe ketu, sikurse edhe herave te tjera ne vende te ndryshme te botes, kishte shkuar per t’ia paraqitur botes vlerat tona shpirterore e kulturore. Ishte ne mesin e poeteve, ne gjirin e poezise – aty ku ishte gjithmone, aty ku gjithmone ndihej mire. Zemra e tij qe gjithmone rrahu per Kosoven, pushoi se rrahuri larg Kosoves se tij te dashur. E ndiejme mungesen e tij, vdekja e tij eshte nje humbje e madhe per letrersine, kulturen dhe kombin tone ne pergjithesi. Por poetet, njerezit e medhenj nuk vdesin kurre, jeta e tyre eshte vepra e tyre dhe ato vepra do te jetojne ne shekuj, sa te rroje njerezimi. Ali Podrimja u nda nga kjo bote, por me vargjet e tij, me vepren e tij, ne krahet e poezise u ngrit lart ne qiellin e perjetesise prej nga do te ndricoje si nje yll qe nuk do te shuhet kurre. Ali Podrimja eshte diamanti i kurores se poezise moderne shqiptare.
Ali Podrimja, si shume bashkemoshatare te brezit te tij, e arriten moshen e pjekurise, u burreruan para kohe. E tille ishte koha. vitet e pesedhjeta te shekullit te kaluar ishin vitet vendimtare per formimin shpirteror e intelektual te poetit. Me 1957 botoi poezine e tij te pare ne revisten letrare “Jeta e re” qe botohej ne Prishtine, me kryeredaktor, Esad Mekulin – babain e poezise shqiptare te Kosoves. Ishin vitet kur shqiptaret e Kosoves po perjetonin njerin nga terroret me te egra shteterore jugosllave, kohen e aksioniot per mbledhjen e armeve dhe trysnine, dhunen qe po ushtrohej ndaj tyre per t’i lene trojet e tyre dhe per t’u shperngulur ne Turqi. Poeti i ri i perjetonte vete keto ngjarje te hidhura dhe e ndjeu nevojen qe te qendroje i paperkulur, duke mos u dorezuar kurre perpara te ligave dhe te zezave qe regjimi serb ushtronte panderprere ndaj popullsise shqiptare te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Ky ishte misioni i tij fisnik qe manifestohet dhe e pershkon tere krijimtarine e tij letrare e publicistike, angazhimet e tij shoqerore e atdhetare. Ai e ndjeu thelle nevojen per te shprehur krenarine kombetare, revolten dhe shqetesimet e tij per fatin e popullit shqiptar. Kjo me se miri shprehet ne poezine e tij “Metafora e jetes sime” dhe ne shume poezi te tjera:
“Nese s flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une
heshtja te te mos shtype
ne gure mulliri
nese s’flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une
plaga ime
le te marre
fryme thelle.”
Ali Podrimja eshte autor i me shume se dhjete vellimesh me poezi te fuqishme dhe mbahet sot nga kritika si perfaqesuesi me tipik i poezise shqiptare, si dhe poet me me emer te madh edhe ne shkalle nderkombetare. Eshte poeti me i perkthyer shqiptar dhe shkrimtari i dyte me i perkthyer, pas Ismail Kadarese. Ali podrimja eshte nder poetet me te shquar shqiptare te lirikes atdhetare (patriotike). Kjo poezi pershkohet nga ndjenja te thella e te pastra atdhedashurie dhe nuk shprehet me parulla, thirrma e brohoritje bombastike, por me fjale e shprehje te zgjedhura, te shpalosura me nje mjeshteri te rralle artistike, me nje figuracion shume te pasur qe perforcon thellesine e mendimit te tij. Vargu i tij tashme shume i njohur, “Kosova eshte gjaku im qe nuk falet”, eshte kredoja, uni i poetit. Ky varg u be burim frymezimi, u be thirrje per te gjithe shqiptaret e ndershem e atdhetare qe u perpoqen dhe luftuan me pushke e me pene per lirine dhe pavaresine e Kosoves
Ne vitin 1982 ai botoi permbledhjen mjeshterore, “Lum Lumi”, e cila eshte e vetmja e llojit te vet ne letersine shqipe dhe shenon nje kthese ne poezine e sotme kosovare e gjithshqiptare. Jane keto vargje intime familjare te poetit qe shpreh dhimbjen dhe pikellimin per djalin qe i vdiq. Eshte dhimbja e prindit poet, eshte dhimbja e poetit prind. Prandaj, jane keto vargje shume te ndjeshme,shume te dhimbshme qe burojne nga thellesia e zemres dhe artistikisht jane shume te persosura, shume origjinale.
Ali Podrimja eshte poet i kursyer qe me mjeshteri e perdor cdo fjale. Ne vargjet e tij nuk ka fjale e shprehje te teperta e ta pavenda, prandaj edhe poezia e tij tingellion bukur. Cdo fjale pozicionohet ne vendin e duhur dhe eshte e sakte, si notat ne kompozimet e Mocartit. Vargu i tij eshte mjaft shprehes me figuracion te pasur ku domonojne metafora, miti e simboli. Ai e ka cliruar poezine shqipe nga disa rregulla te ngurta metrike, sic eshte vargu i thurur, apo nga permbajtja si, fryma apologjike, brohoritese e letersise se realizmit socialist. Por ai sjell disa risi dhe vendos parime te reja krijuese, sic eshte vargu i lire, shqiptimi metaforik, gjuha e alegorise dhe ironuise – mjete keto efikase per te depertuar dhe per te shprehur edhe zonat me te ndjeshme, me te fshehta te natyres njerezore.
Pervec poezise ai ka botuar edhe dy libra ne proze dhe ka botuar mjaft shkrime eseistike e publicistike. Me shkrimet e tij publicistike dhe me veprimtarite tjera artistike, kulturore e shoqerore, ai ka qene mjaft i angazhuar per te afirmuar ceshtjen e Kosoves dhe arritjen e pavaresise se saj. Ne keto shkrime ai trajtonte, shqyrtonte ceshtjet dhe problemet madhore te kombit, duke i paraqitur nga nje nivel i larte intelektual e njerezor, e jo duke u bere pre, apo peng i politikes se dites. Ne shkrimet e tij nuk ka anime, tone ideologjike e politike – ai nuk ishte me kete, apo ate dhe kunder ketij, apo atij. Ai gjithmone ishte me kombin dhe tere jeten punoi per te miren e kombit – tere krijimtarine e tij e vuri ne sherbim te ceshtjeve madhore te kombit tone. Ai gjithmone ka qene kunder atyre qe popullit tone i shkaktuan dhimbje te thella, madje u munduan edhe ta zhduknin nga faqja e dheut.
Kam patur fatin e mire qe ta takoja poetin. Kur studioja ne Universitetin e Beogradit (me vone kam kaluar ne Universitetin e Zagrebit), Shoqata Letraro – Muzikore, “Perpjekja”, e studenteve shqiptare qe studionin ne Universitetin e Beogradit, ne pranvere te vitit 1977 organizoi nje mbremje letrare me shkrimtaret nga Kosova dhe ne ate grup ishte edhe Ali Podrimja. Ne ate takim shkrimtaret nga Kosova lexuan krijimet e tyre dhe disa nga ne studentet qe merreshim me krijimtari letrare, po ashtu lexuam krijimet tona. Pastaj u organizua nje koktej i bukur per nder te mysafireve tane dhe patem rastin qe te bisedonim nga afer me njeri – tjetrin. Ali Podrimja me pyeti se prej nga isha dhe me tha se i kishin pelqyer poezite e mia. Pastaj biseduam edhe per shume gjera te tjera aktuale, per hallet e Kosoves, per rolin tone per zhvillimin e gjithmbarshem te Kosoves, etj. Bisedonim hapur. pa kurrefare rezervash, sikur te njiheshim me vite te tera. Aty e pashe nga afer guximin atdhetar e intelektual te Ali Podrimjes, njeriun e vendosur te cedshtjes sone kombetare, urrejtjen e tij per regjimin e atehershem jugosllasv. Te tilla ishin vargjet e tij, sepse buronin nga zemra e nje krijuesi, nje njeriu me shpirt te paster, nje intelektuali shume te guximshem. Njeriu dhe poeti Ali Podrimja ishin nje.
Poetin tani nuk e kemi me ne mesin tone, ai tani eshte ne boten e lavdise se perjetshme, prehet i qete ne krahet e poezise, prane Lumit te tij te dashur, ne dheun e shtrenjte te Kosoves se lire.
Ali podrimja dhe vepra e tij nuk do te harrohen kurre! I perjetshem qofte kujtimi i tij!
Filadelfia, 21 korrik, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: pa Podrimjen, Sadik Elshani, tre vjet

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT