• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turqia, Erdogan dhe analisti Buzhala

July 27, 2016 by dgreca

Opinion nga Suzana Tahiri/

Askush nuk e mendonte se një shaka në rrjetin social Facebook, e publicistit të njohur Berat Buzhala, do të shoqërohej me një kërcënim qeveritar e diplomatik, madje me një notë të ashpër të ambasadës turke në Prishtinë për burgosjen e gazetarit.

Kjo notë ngjalli zemërim në kancelaritë perëndimore, sidomos në Bruksel e Uashington dhe mori një përgjigje të merituar nga Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.

Akoma më ashpër ajo u dënua nga komunitetet dhe organizatat e gazetarëve dhe institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave njerëzore.

Megjithatë kjo ndodhi dhe më shumë se dëmtoi analistin Buzhala, ishte një argument më shumë që regjimi i sotëm i Ankarasë është autokratik, shtypës i të drejtave dhe lirive njerëzore, denigrues ndaj shtypit dhe medias së lirë, një rudiment i shoqërive të prapambetura.

Pikërisht nga kjo ndodhi dhe nga shumë të tjer,a shumë më të rënda, Turqia ka nevojë të ç’burgoset sepse një shtet demokratik, anëtar i NATO-s, do të kontribuonte më mirë në paqen dhe stabilitetin e rajonit, Europës dhe më gjerë.

Këtë më mirë se kushdo lypset ta kuptojë opozita turke, shtresat më të përparuara të shoqërisë turke, të cilat ndjejnë në kurriz peshëm e një parti që qeveris prej 14 vjetësh dhe të një njeriu që e bën kushtetutën jo në përputhje me standardet demokratike, por në funksion të pushtetit të tij absolut.

Asnjë diktaturë dhe asnjë sistem autokratik nuk ka mundur të jetojë gjatë, por zgjatja e kësaj status quo je rëndon mbi popullsinë 80 milionshe që gjendet brenda një izolomi të madh e të gjithmbarshëm.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe analisti Buzhala, Erdogan, Suzana Tahiri, Turqia

TURQIA PAS GRUSHTIT TE SHTETIT:265 të vrarë, 1140 të plagosur, rreth 3000 të arrestuar

July 16, 2016 by dgreca

Pëfundimisht ka zgjatur vetem 4 ore. Perpjekja për puç ushtarak në Turqi nga disa qarqe të ushtrisë natën e së shtunës (16.07) ka dështuar. Qeveria turke e ka marrë plotësisht situatën nën kontroll. ” Komandantët tanë kanë kontrollin”, ka thënë kryeministri truk, Binali Yildirim të shtunën në Ankara, raporton DW. Por Turqia e ka paguar këtë me numër të lartë viktimash. Sipas kryeministrit turk, Yildirim, numri i të vrarëve është rritur në 265 vetë. 161 të vdekur ka pasur nga forcat e sigurisë, besnike të qeverisë. 104 puçistë janë vrarë. 1140 vetë janë plagosur dhe rreth 3000 ushtarë e oficerë të lartë janë arrestuar.

Kryeministri turk, Yildirim e ka cilësuar puçin si “njollë turpi” për demokracinë turke. Kombi u ka dhënë përgjigjen e duhur terroristëve, ka thënë ai. Presidenti turk Erdogan, i cili bëri thirrje njerëzve të dilnin në rrugë, ka akuzuar kreun e lëvizjes, Gylen, predikuesin, Fetullah Gylen për puçin, por ky i fundit e ka mohuar atë. Erdogan akuzoi puçistët “për tradhti të lartë ndaj atdheut” dhe ka paralajmëruar goditje të fortë. Në një sms dërguar turqve, ai shkruan që ata të qëndrojnë për demokraci dhe paqe. Sipas mesazhit, njerëzit duhet të qëndrojnë në rrugë për t’i dalë kundër një “kaste të vogël”. Kryeministri turk, Binali Yildirim thirri të shtunën, parlamentin turk në një seancë të jashtëzakonshme.

Ndryshim i ushtrisë

“Turqia nuk udhëhiqet nga ushtria”, citohet nga mediat kryeministri turk. Ushtria do të ndryshojë radikalisht, ka paralajmëruar ai. Yildirim ka bërë fjalë për “struktura paralele” tek forcat ushtarake, të cilat kanë bërë përpjekje për marrjen e pushtetit. Gjenerali Ümit Dündar është vendosur përkohësisht si drejtues i shtabit ushtarak, bëri të ditur, agjencia turke e lajmeve, Anadolu.

Ushtria turke me 640.000 ushtarët e saj konsiderohet një nga ushtritë më të mëdha në botë. Brenda vendit ushtarakët e shohin veten si mbrojtës të kushtetutës. Nga viti 1960 ushtria ka ndërmarrë tre puçe ushtarake, kur sipas saj ka qenë e rrezikuar ndarja e fesë nga shteti.

Njerëzit bllokuan tanket

Në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit janë parë natën e së shtunës tanke dhe njerëz që vraponin në panik, kur dëgjoheshin të shtëna. Ndërkohë qytetarë të zemëruar e përkrahës të Erdoganit janë ngjitur vetë në tanke për t’i penguar ata në rrugën e tyre, siç kanë treguar pamjet televizive. Në Stamboll në afërsi të sheshit Taksim ushtarët janë parë të shtunën se si dorëzoheshin në Urën e Bosforit dhe merreshin në pranga nga policia. Ndërtesa e parlamentit turk është dëmtuar pas sulmeve nga ajri të puçistëve. Sipas të dhënave nga qarqet qeveritare, po ashtu në afërsi të pallatit presidencial avionë luftarakë hodhën bomba. Edhe ndërtesa e Shërbimit Sekret Turk është sulmuar natën e së shtunës, bëjnë të ditur, përfaqësues të institucionit. Por kreu i Shërbimit Sekret, Hakan Fidan është dërguar në një vend të sigurtë.

Erdogan nuk e ka vlerësuar si duhet ushtrinë

E përditshmja zvicerane “Tages Anzeiger” e ka komentuar të shtunën (16.07) kështu përpjekjen për puç në Turqi: “Për një kohë të gjatë dukej se Erdogan e kishte fituar luftën për pushtet me ushtrinë, edhe përmes proceseve spektakolare, jo edhe aq të pastra. Kur Erdogan ndërmori përpjekjen për të çuar Turqinë drejt Bashkimit Europian, ai e përdori këtë për të kufizuar kompetencat e ushtrisë. Madje parak pak javësh, u duk se ai bëri një hap afrimi me ushtrinë, duke ia rikthyer kompetencat, por me sa duket Erdogan ka bërë vlerësimin e gabuar për ushtrinë.”

Filed Under: Kronike Tagged With: pas grushtit te shteit, Turqia

A është Turqia shtet mik?

August 25, 2014 by dgreca

Tru shpërlarësit- oficerë të zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit./
Shkruan: Gani MEHMETAJ/
1. Pak histori të hidhur/
Perandoria osmane gjatë pesëqind vjetësh sundimi u shqua me mizori të pashembullta ndaj shqiptarëve. Edhe në fazën e shthurjes, kur ushtria otomane tërhiqej nga tokat shqiptare, nuk tregoi mëshirë ndaj të okupuarve, por i luftonte me egërsi formacionet e armatosura shqiptare që përpiqeshin t’i dalin para ushtrive të koordinuara serbe, malazeze e greke. Në vend të mëshironte tokat e pushtuara të cilat po i braktise, duke ua lëshuar okupatorëve të rinj edhe më mizor, otomanët dogjën qindra katunde e qytete shqiptare, bombarduan me artileri lokalitete duke lënë pas vetës shkrumb e hi. Ua lehtësuan pushtimin armiqve tanë, prandaj nuk e patën vështirë trupat serbe, greke e malazeze të merrnin që në sulmet e para territoret shqiptare, sepse shqiptarët ishin dërmuar nga ushtria qyqare turke që po tërhiqej nga sytë këmbët para serbëve e grekëve më të fuqishëm.
Perandoria turke ua fali më traktate të paqes njëzetë vjet para se të tërhiqej mbi 30 mijë kilometra katrore të territorit shqiptarë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, pa e përfillur vullnetin e shqiptarëve. Për t’ua bërë qejfin Rusisë, Serbisë e Greqisë, Turqia, e shoi me gjak Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, sepse shqiptarët donin t’u dilnin zot tokave të tyre.
Më dashamirës ndaj shqiptarëve nuk u treguan as qeveritë e mëvonshme civile apo juntat ushtarake që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Turqia moderne e ndihmoi Serbinë e Greqinë të dëbonin sa më shumë shqiptarë, duke nënshkruar traktate për shpërnguljen nga Kosova e Çamëria. Traktatet e Paqes me Jugosllavinë ende nuk janë shfuqizuar, ndërsa janë shpërngulur me dhunë disa milionë shqiptarë. Në Turqi shqiptarët e shpërngulur i sistemuan kolonë në tokat kurde, duke i armiqësuar me ta për llogari të shtetit turk.
2. Ku ndryshon Turqia e Edogani nga otomanët?
Mendësia e qarqeve konservatore turke nuk ndryshoi as pas 100 e ca vjetësh. Edhe më tutje kanë ëndrra budallaqe për pushtimet sulltanore dhe për raja. Pas luftës së vitit 1999 në vend të futeshin në Kosovë si Perëndimi: më promovim të demokracisë, me fonde që e rindërtuan vendin, që nga themelet, Turqia promovoi mendësi mesjetare, ndërtoi qindra xhami, ndërsa i kishim me tepri, duke ua zënë vendin shkollave për të cilat fëmijët tanë patën aq shumë nevojë. Pastaj u shpërndau ndihma vetëm myslimanëve, duke i diskriminuar katolikët e protestantët, i kushtëzuan ndihmat e hurmave e bakllavave me lutjet fetare islamike, agjërim, iftarin etj. Shumica e xhamive të ndërtuara në periudhën e pasluftës nuk kanë leje ndërtimi, nuk përfillen plane urbanistike, nuk respektuan ndalesën e zhurmës së lejueshme të altoparlantëve që çirren në kupë të qiellit sa të çmendin, duke shkaktuar kaos e nervoz në mesin e popullatës shqiptare.
Qindra shoqata islamike turke nuk ndihmuan si bota e qytetëruar, por e sollën islamizmin më të egër që e ka njohur ndonjëherë toka shqiptare. Përmes këtyre shoqatave rekrutuan e dërguan shqiptarë për luftërat fetare në Siri e Irak, që është kapitulli më i turpshëm i shqiptarëve në 100 vjetet e fundit, nxiten përçarje fetare dhe ndërsyen fundërrinat shqiptare (ish spiunë të Serbisë, UDB-ist, hajdutë e mashtrues, mercenarë me petkun e fesë, gazetarë e akademikë të shitur më parë të jugosllavët e të ri blerë nga turqit, islamikë profesionist etj) kundër shumicës shqiptare laikë e besimtarë.
Derisa evropianët sollën ekspertë të ekonomisë, politikës e të bujqësisë, Turqia me vendet arabe sollën ekspertë të fesë e “hafuza” të kuranit. Ndërkaq, këta “ekspertë” me hoxhallarët e rekrutuar vendës më shumë ngjasonin me oficerë zbulimi që merreshin më punë të dënueshme se sa devotshmëri feje.
3. Kur oficerët e zbulimit veshin veladonin e hoxhës
Si shpjegohet që imami i xhamisë së Prishtinës, ku u fal kryeministri turk, dhe kryeministri i Kosovës, kapet me armë (snajperë, pistoleta me silencier, granata dore etj) që është veprimtari terroriste, ndërsa nuk gjykohet as nuk ndëshkohet. Është nën mbrojtjen e kryeministrit të Turqisë apo të shërbimit sekret të këtij shteti? Si shpjegohet që një shoqatë e “myslimanëve të Kosovës” (e mbështetur nga Turqia me ish spiunë jugosllavë) kërcënon se do t’i dëbojë shqiptarët katolik përtej detit si para 500 vjetësh, ndërsa asnjë gazetë nuk reagoi, asnjë prokuror nuk e arrestoi kryetarin e tyre. Jemi në Turqi e Serbi apo në shtetin e shqiptarëve të Kosovës? Ende do të na kërcënoj Turqia me dëbimin përtej detit përmes shoqatave myslimane? Shefat e kësaj shoqate që vazhdimisht kërcënojnë shqiptarët në shtetin e shqiptarëve, tërë ditën rrinë në xhamin ku u fal kryeministri turk e kryeministri kosovar. Kjo xhami është bërë çerdhe e antishqiptarëve më të tërbuar që veprojnë si oficerë zbulimi të disa shteteve, kryesisht të Turqisë e Serbisë.
Shoqatat turke e arabe, nën petkun e bamirësve, me sjelljet e veprimet e tyre nuk ndryshonin nga ish- zyrtarët xhonturq: arrogantë e primitiv, fodull e me qëndrim fyes ndaj traditës, kulturës e heronjve shqiptarë. Kudo tjetër ata do të dëboheshin nga vendi, ashtu si do të dëboheshin “edukatorët” e shkollave të mesme që erdhën nga Anadolli, themeluan shkollat e tyre, ndërsa fëmijëve shqiptarë ua shpërlajnë trurin. Nxënësit e shkollave anadollake në debate ta kthejnë me cinizëm: është e dyshimtë a jemi shqiptar a jo, sepse atëbotë otomanët bënë shumë përdhunime! Fatkeqit e tillë tru shpërlarë pranojnë të jenë djem të nënave të përdhunuara e të baballarëve përdhunues që t’i bëjnë turqit vëllezër! Janë të sëmurë psikik këta djelmosha, apo ua kanë shpëlarë trurin me acid? Kthyer ndryshe kjo tingëllon sikur po supozojmë nxënësit shqiptarë qe vijojnë shkollat serbe të thoshin: serbët i kemi vëllezër, sepse serbët përdhunuan mijëra femra shqiptare!
I kemi turqit e serbët vëllezër? Ka mjerim më të madh të shqiptarëve tru shpërlarë? Mund të ndërtohet vëllazëria mbi këto postulate monstruoze?
4. Tru shpërlarësit
Këtë punë të ngulmët antishqiptare, kundër interesave të vendit pos dhjetëra shkollave po e bëjnë shoqatat e hurmave e bakllavave së bashku me hoxhallarë gjysmë analfabetë, të cilët mezi e kryen medresën, sepse ishin nxënës të dobët në shkollën fillore, prandaj nuk i pranoi asnjë shkollë e mesme shqiptare. Ata s’kanë tru as vetëdije kombëtare. Ndërkaq, oficerët e zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit. Të frymëzuar nga kjo teori, por të paguar mirë nga shoqatat islamike, disa kanë nis të vënë në kokë në falje bajrami fes turk, calik anadollak dhe dolloma qesharake. Duan t’ua bëjnë qefin turqve të Davutogllusë, ndërsa duken palaço cirku, nesër po i pagoi Serbia do ta bartnin edhe “shajkaqen” serbe.
Tru shpërlarësit pas vitit 1999 rekrutuan mijëra mercenarë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni. Është e habitshme se si qeveritarët tonë i toleruan. Janë të shitur? U kanë bërë shantazhe? Apo janë nën tutelën e tyre?
Ka edhe veprime të tjera të çoroditura në rinovimet e objekteve kulturore e të trashëgimisë. Ajo që habitë është paralajmërimi që pas rinovimit të një xhamie në Prishtinë të pagëzohet me emrin e një sulltani gjakatar. Kjo i bie sikur të kërkonte Serbia të rinovonte kishën në Prishtinë të cilën e ndali në gjysmë të ndërtimit NATO dhe ta pagëzonte me emrin e kriminelit Milosheviq. Ka absurd më të madh?
5. Bizneset turke në Kosovë
Çfarë të themi për bizneset turke në Kosovë? Nuk e bënë asnjë investim për të qenë. Njëqind herë më shumë investuan në Serbi e Maqedoni (në pjesën sllave) se sa në Kosovë, por e zhvatën palcën kurrizore të ekonomisë sonë: privatizuan për një shumë qesharake Elektro ekonominë e Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës. Kosova u shërbeu si deponi e mbeturinave: zbrazen depot e mallrave të tyre dhe i shitën të ne. Cilësia e mallrave perëndimore i nxori nga tregu, sidomos në teknikë e teknologji, por pjesa e varfër e popullatës i blen gjërat ushqimore serbe e turke, sepse janë më të lira. Cilësinë e mallrave serbe e turke nuk e kontrollin askush.
Industria ushqimore turke e serbe ia ka zënë frymën bujqësisë në Kosovë, Shqipëri e pjesën shqiptare të Maqedonisë.
6. Në BE apo peng i Turqisë?
Kosova është bërë sanxhak i Turqisë. Besa edhe Shqipëria gati në këtë gjendje është, duke ia shkel syrin edhe Serbisë e Greqisë. Pjesa shqiptare e Maqedonisë është territor nën veprimin e grrmrrit-shkombëtarizimit. Sa të jenë këto kohorta islamike shkombëtarizuese, Perëndimi do ta mbështes shtetin e dhunshëm maqedonas e policinë e tyre kriminale kundër shqiptarëve.
Deri kur do të jemi peng i Turqisë? Me veprimet turke në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) dhe më servilizmin e qeveritarëve tonë, po e rrezikojmë qenien tonë shtetërore e kombëtare, po rrezikojmë të mos futemi në BE. Nëse mbesim jashtë BE-se, do të na mbërthej shtjella e kaosit lindor. Turqia e Edoganit nuk i takon Evropës, prandaj pse duhet ta lidhim fatin me te. Interesat e grupeve tona politike nuk janë interesat e shtetit e të kombit, ata janë korruptuar, prandaj na shtyjnë drejtë kaosit. Por duhet ta shkëpusim nga ky orbitë edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë të cilën e kanë mbërthyer islamikët si qeni mishin.
Meqë garniturat politike shqiptare të korruptuara shpejt mund të bien, Turqia duhet ta rishqyrtoj rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve në të tri shtetet. Armiqësia që po e nxisin brenda shumicës shqiptare mund t’u hakmerret. Erdogani me Davutoglllunë nuk do ta kenë kurrë simpatinë e shumicës shqiptare me këtë lukuni mercenarësh.
Brezi i ri i shqiptarëve Turqinë e njohin përmes oficerëve të zbulimit që sillen vërdallë xhamive, përmes ndërmjetësve që i rekrutojnë shqiptarët në Siri e Irak, përmes hoxhallarëve me mjekra e pa mjekra, në vend se ta njihnin përmes Orhan Pamukut, Aziz Nesinit, Jilmaz Gynejit, Nuri Bilge Ceylan e personaliteteve të tjera mëdha të kësaj kulture.
7. Sërish kërkojmë ndihmën e Perëndimit
Prandaj qe të mos lahemi në gjak në emër të islamit e neotomanizmit si në Irak e Siri, që të mos na rrëmbej shtjella e kaosit islamik si në gjithë botën arabe, që të mos e humbasin trenin e fundit për Bashkimin Evropian, ku e kemi vendin me origjinë, traditë, kulturë e qytetërim, është e domosdoshme të shkëputemi nga orbita turke e islamike, ku na futi kasta e papërgjegjshme dhe e korruptuar. Druaj që edhe kasta që po i mpreh dhëmbët për pushtet nuk ka këllqe të na nxjerr nga bataku, prandaj duhet ta kërkojmë sërish ndihmën e SHBA-ve e të Evropë Perëndimore, ashtu sikurse kërkoi para njëzetë vjetësh Ibrahim Rugova, kur gati na mbyti okupatori serb.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, hoxhallaret, Shtet mik, Turqia

KOMBETARJA KOSOVARE, EDHE PSE HUMBI 1 me 6, I GEZOHET GOLIT HISTORIK

May 21, 2014 by dgreca

Albert Bunjaku u shpreh i gëzuar që shënoi golin e parë historik të Përfaqësueses së Kosovës, ndonëse më shumë do ta gëzonte fitorja ndaj turqve.
E shënoi golin e parë historik të Përfaqësueses së Kosovës dhe një për një gjë të tillë është tejet i lumtur.
Megjithatë, Albert Bunjakun më shumë do ta gëzonte një fitore ndaj superfuqisë së futbollit evropian e botëror, Turqisë.
“Ishte kënaqësi që e shënova golin e parë të Kosovës, por pata dëshirë të fitonim. Gjithsesi, Turqia është një skuadër cilësore”, u shpreh Bunjaku.
“Besoj se edhe ndaj Senegalit do të jetë një ndeshje e vështirë dhe ne duhet të përgatitemi edhe më mirë. Shpresoj në një rezultat pozitiv”, shtoi tutje njeriu i cili do të futet në analet e historisë së futbollit kosovar, si futbollisti i cili shënoi golin e parë në një miqësore zyrtare ndërkombëtare.
Rashkaj i gëzohet përvojës së fituar
Në anën tjetër, kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Anel Rashkaj, theksoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të përfitojnë nga kjo ndeshje miqësore.
“Turqia është një prej skuadrave më të forta dhe nëse e shikojmë kualitetin e Turqisë, sigurisht se Turqia e meritoi të fitonte”, tha Rashkaj.
“Ndoshta ishte pak herët që të luanin ndaj Turqisë, marrë parasysh fazën që jemi. Por, gjithsesi kjo ishte një përvojë e mirë për ne për ndeshjet e radhës”, shtoi tutje kapiteni kosovar.

Filed Under: Sport Tagged With: 1 me 6, Kombetarja Kosovare, Turqia

TURQIA, SHTETET SHQIPTARE DHE EVROPA

October 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/

23  tetori  2013 qe një ditë e pazakontë për hapësirën shqiptare, kryesisht për Kosovën. Në afërsi të Prishtinës u përurua aeroporti i ri i shtetit më të ri t’Evropës. Një vepër bashkëkohore që dëshmon përparimin e Kosovës nga një anë dhe pozicionimin zyrtar të saj, në kontekstin gjeopolitik të një periudhe jo të qetë për Evropën, nga ana tjetër.

Aeroporti, që mban emrin e heroit të UÇK-së e të Kosovës, Adem Jasharit, u ndërtua nga një shoqëri franko – turke që quhet “Limak Aeroport de Lyon”, me sponsorizimin e Qeverisë turke. Ai është marrë në konçesion prej kësaj shoqërie për një periudhë prej njëzet vitesh. Kjo është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën zhvillimit në Vende që janë në hapat e para të tij. Shumë vite më parë qe këshilluar edhe për Shqipërinë pas komuniste, por pa asnjë rezultat. Klasa politike shqiptare nuk pati përfytyresën e duhur, u tregua jo larpamëse dhe krijuese në strategjinë e saj të zhvillimit, duke mos pranuar dhënien e konçesioneve, në emër të një ideje shterpë e të gabuar të interesave kombëtare. Ajo e bazoi rimëkëmbjen ekonomike të Vendit në huatë e në “kapitalin” vendas, me përfundime aspak të kënaqëshme, në krahasim me Vende të tjera të nisura në kushte të përafërta.

Ceremonitë e 23 tetorit shpalosën një simbolikë që le shteg për të interpretuar mendimin politik që zotëron sot në një pjesë të mirë të kosovarëve. Skena politike, në të cilën u zhvillua ngjarja, u zotërua nga tri figura : në plan të parë ishte Kryeministri turk Erdogan e mbas tij dyshja kryeministrore e shqiptarëve, Thaçi – Rama. Në dukje është diçka e zakonëshme, një ceremoni zyrtare në prani të Kryetarëve të Qeverive të Vendeve t’interesuara në veprën së cilës i pritej shiriti. Parë më në thellësi, dukuria nxjerr në pah elementë që lejojnë të nxirren përfundimet mbi gjëndjen politike të Kosovës e të Shqipërisë dhe prirjet e tyre në marredhëniet ndërkombëtare të së sotmes e të s’ardhmes. Në Prishtinë mungonte Kryetarja e Shtetit e cila, jo shumë ditë më parë, u shpreh hapur kundër vënies së shamive në kokat e studenteve në mjediset e shkollave, duke e përligjur këtë zgjedhje me shprehjen “Kosova është një shtet laik”. Në përurim mungonte dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, njëkohësisht Kryetar i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Isa Mustafa, një mungesë cilësore që vërteton një farë njëanshmërie të ceremonisë, më shumë e prirur të nxjerrë në pah marredhëniet përparësore me Turqinë dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime zgjedhore. Por n’atë ceremoni, simbas shtypit, nuk ishin as përfaqësuesit e Eulexit, misionit evropian në Kosovë, dhe as ata të ambasadës amerikane, që përfaqëson mikun më të mirë të republikës së re.  Mendoj se këto mungesa nuk janë thjesht rastësi, por kanë domethënien e tyre.

Emërtimi i aeroportit, me gjithë respektin e padiskutueshëm për emrin e dëshmorit të Kosovës bashkëkohore, tregon se udhëheqja aktuale kosovare, në një farë mënyre, ka bërë një shkëputje nga tradita historike e Vendit dhe është e prirur të vlerësojë më shumë periudhën e fundit, që lidhet me luftën e UÇK-së, bijë e së cilës është ajo vetë. Fakti që, për simbol të një vepre madhore të Kosovës bashkëkohore, nuk u huajt nga historia asnjë nga figurat e shumta të saj, personazhe të shquara të historisë kombëtare shqiptare si Ymer Prizreni, Nexhip Draga, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dervish Mitrovica, Tahir Zajmi, Xhaferr Deva, Rexhep Mitrovica, Iljaz Agushi, për të përmendur vetëm disa prej tyre, tregon pikërisht atë prirje. Në këtë kuadër hyn edhe lënia disi në hije e emrit dhe ndihmesës së Presidentit të parë të Kosovës, të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova. Sigurisht, një orientim i tillë është i lidhur me një  mëdyshje  që shqiptarët kanë qenë të detyruar t’a përballojnë në shumë etapa të historisë së tyre, atë të animit nga Lindja apo nga Perëndimi. Pa hyrë në analizën e motiveve dhe arsyeve të këtyre zgjedhjeve, të cilat janë shumë komplekse e paraqesin dritë – hije të pakundërshtueshme në rrjedhë të shekujve, duket qartë se ndikimi i Qeverisë aktuale turke në Kosovën e pavarur vjen duke u rritur.

Më 23 tetor Kryeministri Erdogan, në krye të një dërgate prej 600 vetësh, ku përfshihej gjysma e kabinetit qeveritar, u prit në Prishtinë e Prizren me një ngrohtësi të jashtzakonshme, jo nga pakica turke, por nga populli i Kosovës shqiptare. Nuk është një dukuri e pazakontë kjo, madje e gjithë historia jonë e gjysmës së dytë të shekullit të fundit, paraqet skena të tilla. Mjafton të kujtojmë pritjet e udhëheqësve komunistë të B.S. apo të Kinës në regjimin komunist dhe atë të jashtzakonshmen e Sekretarit amerikan të Shtetit më 1991. Këto pritje nuk janë vetëm shprehje e prirjes tradicionale të respektimit të mikut, por edhe e më shumë e shpresës që lind nga fuqia ekonomike e shtetit që përfaqëson, e iluzionit se vetëm të huajt mund të zgjidhin problemet tona. Ky koncept vazhdon të jetojë ende sot, edhe për inerci të kundërveprimit ndaj teorisë së “mbështetjes në forcat tona” të komunizmit enverian, zbatimi i së cilës solli mjerimin më skajor në historinë e shqiptarëve.

Por a është Erdogani “shpëtimtari i atdheut” që do të zhdukë varfërinë e Kosovës? E cili do të ishte çmimi eventual i një ndërmarrjeje të tillë? Sa do t’ishin t’interesuara Kosova e Shqipëria t’i jepnin përparësi këtij opsioni, kundrejt synimit të tyre për t’u bërë pjesë integrale e Bashkësisë evropiane ? Janë pyetje që klasa politike në Kosovë, kryesisht, por edhe në Shqipëri, duhet t’u përgjigjen. 23 tetori në Prishtinë e në Prizren, në kuadrin e deklaratave të drejtuesve të tre qeverive, i shtron më me forcë.

Turqia konsiderohet sot prej shumë kujt një mbifuqi ekonomike rajonale, një shtet i rëndësishëm i NATO-s, një faktor qëndrueshmërie në Lindjen e Afërt e të Mesme, në një zonë ku kundërshtitë janë gjithmonë të pranishme e ku luftërat mund të jenë përherë në pritë, madje edhe në zhvillim siç është ajo në Siri. Elementi i parë i këtij konstatimi besoj se meriton një analizë më të hollësishme të shifrave. Turqia ka një popullsi prej 74 milion banorësh, me një PPI prej 789,3 miliard dollarë dhe t’ardhura për frymë 10830 dollarë në vit. Përkatësisht këto shifra, simbas BB janë : për Gjermaninë 3400 miliardë dhe 44000 dollarë ; për Francën  2813 miliardë dhe 41770 dollarë; për Britaninë e Madhe 2435 miliardë dhe 38250 dollarë ; për Italinë  2013 miliardë dhe 33840 dollarë. Po të bëjmë krahasimin me   Vëndet kryesore evropiane nuk besoj se fjala mbifuqi ekonomike qëndron në këmbë, mbetet më shumë frut i një propagande se sa një realitet i prekshëm. Ajo ka një rritje të PPI në masën 2,2 %, që nuk është një shifër dragojsh ekonomikë.

Që nga viti 2005 Turqia ka bërë kërkesën për të hyrë në BE. Ishte një kërkesë që, në 2004, gëzonte miratimin e 73 % të opinionit publik turk e që këtë vit ka zbritur në 44 %. Por bisedimet kanë ngecur pa bërë përparime, si pasojë e kërkesave, gjithënjë në rritje të evropianëve kundërshtarë (Franca e Gjermania kryesisht), por edhe për një delir madhështie të Qeverisë islamike të Erdoganit, që ëndërronte një neoperandori otomane në salsë bashkëkohore. Koha duket se i ka zvogëluar këto motive, madje në Ankara nuk është më në plan të parë ministri i jashtëm Davutoglu, idhtar i “neootomanizmit”, por Egemen Baris, ministri për marredhëniet me BE. Në këtë drejtim vlen të përmëndet fakti se numuri i shteteve të BE-së, që miratojnë praninë turke n’Evropë, është shtuar. Nëse do t’i përshtasnim një klasifikim termik opinioneve të antarëve të BE-së, rezulton se të ngrohtë ndaj hyrjes së Turqisë janë sot Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Irlanda, Britania e Madhe, Hollanda, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria ; të vakët janë Lituania, Polonia, R. Çeke dhe Franca ; të ftohtë janë Danimarka, Gjermania, Austria, Hungaria, Greqia dhe Qipro.

Dështimet në politikën rajonale, në marredhëniet me Izraelin, Egjyptin apo Sirinë e bëjnë Qeverinë turke të kërkojë zona ndikimi në Ballkanin ish otoman, kryesisht në shtetet me popullsi myslimane si Bosnja, Kosova, apo Shqipëria. Prirja për t’u kthyer aty ku kanë qenë para më shumë se njëqind vitesh mund të duket si një dukuri e zakontë që haset shpesh në marredhëniet  e ish fuqive koloniale me ish kolonitë e tyre. Por në rastin tonë nuk mund të zbatohet ai parim.

Deklarata e Erdoganit në Prizren se “Kosova është Turqi e se Turqia është Kosovë”, në rastin më të mirë është një lajthitje e në më të keqin një demagogji bajate, që mund të hyjë vetëm në trutë e fanatikëve apo të padijshmëve, sepse nuk mban parasysh historinë e njëqind viteve të fundit e jo vetëm atë. Kryeministri turk “harron” faktin se shqiptarët kanë një shekull që janë të ndarë në katër shtete kufitarë e që problemi kombëtar, me gjithë kufizimet që koha dhe prirjet bashkuese të kontinentit i kanë vënë, mbetet gjithmonë i gjallë në vetëdijen dhe strategjinë e tyre politike. Por në fjalimet e Prishtinës e të Prizrenit asnjë gjysëm fjale nuk doli që t’a kujtonte “dertin” shqiptar të një shekulli. Erdogani shtrembëron edhe historinë, të cilën na ka kërkuar t’a rishkruajmë në frymën që “për shekuj me rradhë kemi jetuar në vëllazëri dhe në unitet në këto toka.”. Me “shkopin magjik” të prestigjiatorit politik kërkon të na paraqesë një realitet historik të paqenë, që le në harresë 54 kryengritje, gjatë më shumë se katër shekuj pushtimi, në të cilët nuk është lejuar të hapet as edhe një shkollë në gjuhën shqipe. Feja, normalisht motiv bashkimi i njerëzve, u kthye në një mjet ndarës, veçimi e dallimi mes folësve të të njëjtës gjuhë. Ndihmesa e shumë shqiptarëve në jetën administrative e kulturore të Perandorisë otomane, është më shumë shprehje e ambicjeve dhe arritjeve vetiake të tyre, se sa një parapëlqim i institucioneve kundrejt tyre.

“Historia na mëson e vetë me sŷt t’anë po shohim se Shqiptarët, megjithë qi atdheun e vet e kanë ruejtun vetëm ata vetë me gjakun e çëmueshëm të tyne, megjithë qi deri vetë jeta e mbretnis otomane qëndron me sakrificat e tyne, me gjithë këto, po themi,  Shqiptarët po gjinden të ndrydhun prej padrejtis mâ të padurueshme, prej sundimit mâ të neveriçëm.” Janë fjalët e një shqiptari që ishte diplomuar në Mylkijen e Stambollit e që mbajnë datën 2 korrik 1912. Vlejnë edhe sot si dëshmi e një historie që nuk mund të tjetërsohet.

Por të gjitha këto konsiderata nuk duhet të paragjykojnë marredhëniet me shtetin turk që duhet të jenë të mira, shumë të mira, por gjithmonë në kuadrin e respektimit të vlerave e të interesave të ndërsjellta, pa kaluar caqet e identitetit e traditës së secilit. Nëse rruga jonë drejt Evropës është e përbashkët, nuk shoh asnjë fitim që atë t’a bëjmë nën ombrellën e Erdoganit, edhe nëse na premtohet ndonjë lëmoshë. Nëse shqetësimi i tij është i sinqertë e pa interes (e vështirë për t’u besuar), nëse ai “nuk mund të durojë dot të shohë Ballkanin të derdhë lot si në të kaluarën”, por bujarisht përpiqet të japë ndihmesën të shërojë plagët e tij, askush nuk duhet të ushqejë paragjykimin për të mos e pranuar a priori atë ndihmë. E kemi ende të gjallë para syve një mospranim të tillë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia kundrejt dorës së shtrirë të Shtrausit e Gensherit, ndërsa shqiptarët ftoheshin “të hanin bar” për të ruajtur ideologjinë kriminale të tyre.

Por ky pranim eventual i ndihmës nuk mund të kushtëzojë në asnjë mënyrë zgjedhjet, traditat, konceptet, historinë, synimet e projektet tona, që nuk mund të jenë të tjera, veç përkatësisë në Bashkësinë e kontinentit në të cilin bëjmë pjesë, në historinë e qytetërimin e tij.

Në traditën shqiptare miku është vënë gjithmonë në krye të sofrës apo të oxhakut, por nuk është bërë kurrë zot shtëpije. Komunizmi u mundua t’a tjetërsojë atë duke bërë zot shtëpije Titon, Stalinin, Mao Ce Dunin. Drejtuesit e shqiptarëve pas komunistë, edhe në ushtrimin e retorikës më të zjarrtë në marredhëniet me të tjerët, duhet t’a mbajnë para sysh atë parim të urtë të të parëve tanë.

Tetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, shteti shqiptar, Turqia

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT