• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKUMENTET ZYRTARE SERBE TREGOJNË SI E VRAU SERBIA UKSHIN HOTIN

August 22, 2020 by dgreca

Ekipi i emisionit “Udhëve” hulumtoi një kohë të gjatë për rrethanat e zhdukjes së veprimtarit shqiptar Ukshin Hoti dhe arriti të zbulojë shumë fakte.

Në bazë të dokumentave të ushtrisë dhe policisë serbe që i ka siguruar redaksia e “Udhëve”, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu I Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet e siguruara nga redaksia e “Udhëve”, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesise për krime lufte. 

Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shteteror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999. 

Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtepisë së një shqiptari. Deshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje per deren dhe oborrin siç i kishte pare në maj të vitit 1999. Pas luftës ai mur është ndertuar me blloka të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës. Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rruges lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose shtallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe. Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjestarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga Komandanti Milićko Janković. Të gjitha këto të dhëna thuhen në dokumentin e siguruar nga redaksia jonë.

Filed Under: Politike Tagged With: dokumentet Serbe, Si u vra, Ukshin Hoti

E pashë Ukshin Hotin nga dritaret e burgut teksa e nxirrnin jashtë

May 16, 2020 by dgreca

Kujtime nga: Sadik Zeqiri/

Më 16 maj 1999, ditë e diel, kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha në gjithë Kosovën, Ukshin Hotin policia serbe e nxori nga burgu i Dubravës, duke dhënë arsyetimin e mëpastajmë për, kinse, lirimin e tij. Por, heroi i mendimit shqiptar, siç e quajti mbrëmë shkrimtari Ismail Kadare, e heroi ynë shpirtëror brenda dhe jashtë grilave, Ukshin Hoti, asnjëherë nuk u kthye në shtëpi pranë fëmijëve të tij e pranë shoqërisë së vet. Ai ishte dënuar më 17 maj 1994, me pesë vjet burgim por, edhe pse e përfundoi dënimin burrërisht, për fatin e tij nuk di gjë kush. Sigurisht që dinë ata që e kanë nxjerrë nga burgu dhe ata që e kanë përcjellë përtej burgut.

Duke evokuar sot kujtime nga burgosja dhe lirimi i tij, një ditë para humbjes së gjurmëve të tij, fati i personalitetit, ndër më të madhit shqiptar, Ukshin Hotit, padyshim se është një nga fatet më tragjike të të burgosurve shqiptarëve të Kosovës. 21 vjet më parë, pra më 16 maj 1999, ai e përfundoi dënimin e shqiptuar nga regjimi fashist serb dhe do të duhej të ishte në liri, për të cilën po atë ditë, teksa dilte nga burgu, u foli shokëve të vet të pavijonit B: “Shokë, shihemi në Kosovën e lirë”. Megjithatë, pas daljes nga burgu, ideologu shqiptar, i përcjellë nga dy roje drejt derës kryesore të burgut të Dubravës, nuk është parë më nga askush, askund.

Ukshin Hoti u lirua nga burgu në një ditë jo të zakonshme për lirimin e të burgosurve. Nuk kishte ndodhur që asnjë i burgosur, i cili e kryente dënimin, të lirohej nga burgu në fundjavë, por as në ditë festive. Lirohej, ai që e kryente dënimin, gjatë ditëve të punës, që i bie një ditë para se ta kryente dënimin e caktuar, por asnjëherë pas tij.Në burgun e Dubravës dënimin, dhënë nga regjimi serb për çështje kombëtare, po e kryeja edhe unë por, jo në pavijonin B ku ishte Ukshin Hoti, por në pavijonin C, dritaret e të cilit ishin me pamje kah dera kryesore e burgut. Natyrisht se edhe brenda burgjeve kërkonim liri. Pak liri horizontesh gëzonim herë pas herë, bërë disi si me radhë nga shokët e dhomës, nga dritaret e dhomës së burgut, kur i lëshonim sytë jashtë dhomës, në oborrin e burgut e hapësirës qiellore. Më 16 maj kisha kohën dhe radhën të shikoja unë në dritare. Dhe kurrë s’më hiqet nga mendja dhe nga sytë burri me ecje vertikale e të drejtë nga pavijoni B drejt daljes kryesore, i shoqëruar nga ata dy gardianë, për të cilin u interesuam shumë me shokë të dinim kush ishte ai. Kuptuam ndërkohë, pasi ndodhi hataja e madhe më 19-24 maj në burgun e Dubravës, se ai që po dilte i shoqëruar nga burgu kishte qenë Ukshin Hoti.

Të njëjtën ditë me Hotin janë liruar edhe dy të burgosur të tjerë, njëri ishte nga Juniku dhe ishte i burgosur në pavijonin C. Atë ditë kur u lirua nga burgu junikasi, e pyeti gardianin që e mori për ta nxjerrë jashtë: “Me çka do të shkoj në shtëpi?” Gardiani iu përgjigj: “Deri në Pejë jemi përgjegjës për juve, më pas shkoni ka të doni”. Këtë bisedë mes tyre e kemi dëgjuar nëpërmjet dritareve të dhomave që i linim hapur. Trupi i të ‘liruarit’ nga Juniku është gjetur në varrezat e Lugut të Baranit në Pejë në vitin 2004, e profesor Ukshin Hoti ende askund.

Më dhemb shpirti që, sa herë vjen ditëlindja e masakrës sonë në burgun e Dubravës, gjatë gjithë këtyre 21 vjetëve përkujtojmë mbetjen tonë gjallë dhe “lirimin” e bacës Ukë, të cilit kisha qejf t’ia jepja dorën, ta kapja ngrykë por që, fatkeqësisht, pata fatin vetëm ta shoh nga dritarja e qelisë sime të burgut.

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Lavdi dhe përkujtim të përgjithmonshëm Ukshin Hotit!

Filed Under: Fejton Tagged With: e Pashe, Ukshin Hoti

PAZARLLËQE PREJ XHAMBAZËSH

September 19, 2015 by dgreca

*Azem SHKRELI-“Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”./

*Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë./

Nga Fadil LUSHI/

Ne Foto:Ukshin Hoti/

  Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një poet që u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai një herë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane sot e gjithë ditën e Perëndisë gjen shprehje pa fije dyshimi te mediet e shkruara dhe ato elektronike (pro, kundër dhe të “pavarura”) të Shqipërisë politike dhe të Republikës së Kosovës. Nuk do mend se ky “komplot” vihet re brenda shkrimeve, opinioneve, kolumneve, analizave politike, editorialeve a komenteve redaksionale dhe debateve televizive, të gjitha këto të ndërtuara nga opinionbërësit e Tiranës, të Shkupit dhe të Prishtinës.   

         Është e drejtë e gjithsecilit të bëjë analiza politike, vështrime si dhe editoriale ekskluzivisht nga këndvështrimi i tij, mandej në pajtim me higjienën e mendjes po, në instancë të fundit, edhe  në përputhje me interesin e tij. Ne këtë logjikë nuk duam ta kuptojmë ndryshe, andaj as që do ta kontestojmë dhe për këtë arsye në këtë shkrim, për të mos krijuar paqartësi eventuale, nuk do të hapim debate, madje as që e kemi ndërmend të krijojmë tarafllëqe të reja…, e ndiejmë për detyrë, që të jemi më të qartë, më të drejtpërdrejtë, më të afërt me lexuesin aq më tepër kur dihet se komentet a vështrimet tona të deritanishme disi paskan qenë jokomplete, të paqarta dhe mbase edhe paksa paragjykuese. Nëse paragjykimi respektivisht mendimi i gabuar është pjellë e ndjenjës së egoizmit, sidomos  egoizmit profesional, atëherë këtë shkrim të radhës do ta mbështesim në fakte a dëshmi të arsyeshme. Që ne “…të vërtetën mos e ndajmë përgjysmë…”, do të bëjmë përpjekje që ky vështrim gazete, të mos na dalë si ai “pazari i vdekur politik” dhe si historia politike të ca njerëzve të cilët dikur me retorizmat e tyre të varfra  a boshe “ngazëllonin” zemrat e njerëzve në hall e në nevojë…, të njerëzve që shpresat e tyre i mbështetnin te fjalët e politikanëve zhgënjyes, të cilët kur nuk kishin gjë për të thënë, atëherë u referoheshin gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, vetëm e vetëm për të ndërtuar patriotizmin e tyre të sajuar a të rremë…, për të ndërtuar atë filozofinë e politikëbërjes së moderuar, për të ndërtuar një mendje krejt tjetër fare…

         Kohë më parë lexova diku një reagim me sa vijon:  “Jam këtu për të refuzuar një shoqëri autokratike, që në mënyrë arbitrare i vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre. Unë dal të reagoj kundër dhunës, kundër totalitarizmit, që kur të më ndodhë mua fatkeqësia, të ketë një zë që të reagojë për mua”, kishte thënë një shqiptar përndryshe shtetas i Republikës së Maqedonisë, thjesht ishte një përgjigje ndaj një ngacmimi të jashtëm që prodhon padrejtësi ndaj fëmijëve shqiptarë dhe prindërve të tyre. Këtë reagim të tij ne assesi nuk mund ta paragjykojmë, nuk kemi të drejtë ta heshtim e as ta anashkalojmë, por ama, as nuk mund ta konceptojmë si një lloj himni a një kënge solemne që i kushtohet vatanit, që ne sa herë të vihemi në siklet të madh ose sa herë të kemi nevojë për “publicitet”, aq herë ta intonojmë si të tillë. Ne duam të dimë se prej kur daton ky shtet arbitrar, na intereson të dimë se prej kur frymon ky shtet autokratik, prej kur ekziston ky arbitrarizëm që vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre shqiptarë…, jemi kureshtarë të dimë se prej kur frymon fatkeqësia kolektive shqiptare, duam të dimë se a mos vallë i gjithë ky arbitrarizëm, autokratizëm, dhe padrejtësi nuk ekzistonin edhe në kohën kur ca prej nesh ishin ministra, deputetë, drejtorë a diç tjetër…, apo mos vallë të gjitha këto të këqija lindën në momentin kur ju, të nderuar, humbët pushtetin apo u përjashtuat nga partia!? Është humane që të ngremë zërin ndaj padrejtësisë që na bëhet dhe që u “bëhet” ish-politikanëve pushtetmbajtës, por parashtrohet pyetja pse pikërisht ata dikur nuk reaguan, pse heshtnin kur punët i kishin në terezi, pse nuk u rebeluan në kohën kur “tambli u dilte mbi përshesh”, pse nuk reagonin kur arbitrarizmi, autokratizmi dhe padrejtësia, të gjithë ne shqiptarëve na kishin kapur për fyti. Edhe ne dikur moti u detyruam të reagojmë ndaj një dhune institucionale, por ama…, fatkeqësisht nuk u dëgjua asnjë zë reagimi për ne dhe për miqtë tanë…, nuk u dëgjua asnjë fjalëbutë a llaf solidarësie…, dhe, nëse nuk gënjejmë, atëherë ç’kuptim do të kishte kundërshtimi ynë dhe i të tjerëve si ne…, ndaj fatkeqësisë sate të sajuar (??). Besojmë se nuk jua kemi borxh shqetësimin, ne jemi të gatshëm po edhe kemi të drejtë për ta mbrojtur fjalën e lirë…, dhe jo ti, zotërote!?

          Reagime paksa të ngjashme bëhen edhe nga njerëz që dikur bartnin poste politike nga më të ndryshmet dhe, kur mbetën pa to, filluan të ndërtojnë mendjemadhësinë dhe çallëmin e tyre prej daltonizmi dhe prej miopie politike…, politikanë të dështuar që padrejtësisht mëtuan të prekin sedrën tonë, sedrën e bujkut, të patriotit, mësuesit, shehërliut e fshatarit fisnik, akademikut dhe cilitdo qoftë prej nesh…, vetëm e vetëm pse nuk gjetën gjë të përbashkët me votuesit dhe me votën deliberative të tyre…, a me mendimin e tyre…, me fjalët e tyre të folura a të shkruara, fjalë që asnjëherë nuk shkuan në vesh të shurdhët…, fjalë që nuk patën takatin për t’ia ulur hundën dikujt…, politikanë që dikur njiheshin a ishin njësoj me atë lugën e sofrës së miletit dhe korrupsionit.., politikanë që në vend të opingave veshën “këpucë Stambolli”, politikanë të cilët kur kryepari i partisë i shporri jashtë, filluan t’ia shajnë fisin, filluan ta fishkëllejnë me gishta…, prej inatit se humbën pushtetin dhe postin prej ministri, deputeti e tjerë, padrejtësisht filluan t’ia tregojnë gishtin e mesëm të dorës së majtë, fillimisht kryeministrit Nikollë, mandej kryeparëve të partive politike shqiptare, siç janë Abduraman Aliti, Imer Imeri, Arben Xhaferri, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Sot të gjithë ata që sadopak kanë haber nga politika dhe historia e saj, me plotë të drejtë mund të thonë se të ndërrosh mendje, të ndërrosh bajrak partie, është një gjë humane dhe mbase emancipuese, por ama ta bësh atë pa e kthyer borxhin dhe ta bësh me aq shumë kollajllëk, po edhe për hir të mungesës së pushtetit a të një pozicioni të caktuar politik, hiç fare nuk është korrekte. Kosovarët thonë se ndejën a mexhlisin e prishin dy vetë, i mençuri që hesht dhe i marri a budallai që flet. Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azem Shkreli, Fadil Lushi, pazarlleqe xhambazesh, Ukshin Hoti

Pullë postare me portretin e Ukshin Hotit

June 17, 2015 by dgreca

Posta e Kosovës ka promovuar dhe lëshuar në qarkullim pullën postare, që i kushtohet veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ukshin Hoti. Filatelia e Postës është pasuruar me pullën postare në ditën kur është edhe ditëlindja e 72-të e Ukshin Hotit.

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se këtë pullë postare po e nxjerrim në qarkullim në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit.

“Sot Filatelia e Postës së Kosovës, po pasurohet edhe me një pullë postare shumë të çmueshme, me portretin e Ukshin Hoti, intelektualit dhe veprimtarit i cili kurrë nuk u ndal së punuari për çështjen kombëtare, lirinë dhe të drejtat e njeriut. Këtë pullë postare po e lëshojmë në qarkullim sot, në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit”, tha Hoxha.

I pari i Postës së Kosovës theksoi se sa herë që emetojnë një pullë të re postare, është procedurë e zakonshme që të tregohet dhe të jepet arsyetimi se përse i kushtohet një personaliteti të caktuar.

“Profesor Hoti u burgos disa herë. Së fundi në vitin 1994. Sot e kësaj dite nuk dimë gjë për fatin e Ukshin Hotit. Zhdukja e tij në maj të vitit 1999 vazhdon të jetë enigmë që rëndon mbi ndërgjegjen e klasës politike shqiptare në Ballkan, bashkësisë ndërkombëtare, si dhe organeve të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Edhe nga ky promovim simbolik i pullës postare me portretin e tij shtrojmë pyetjen: Ku është Ukshin Hoti?”, tha Hoxha.

Ai shtoi se janë të nderuar dhe krenar që Posta e Kosovës nxjerr sot në qarkullim këtë pullë postare për intelektualin, filozofin, diplomatin dhe luftëtarin e paepur të çështjes kombëtare.
Kurse, djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti falënderoi Postën e Kosovës për idenë dhe angazhimin e krijimit të pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit.

“Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë për babin, mirëpo ju falënderoj shumë per idenë dhe angazhimin për krijimin e pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit. Për mua ka rëndësi të veçantë kjo pullë postare duke ditur faktin se sot është ditëlindja e Ukshin Hotit. Njëkohësisht unë mendoj se zarfi shkon aty ku nuk shkon as media. Andaj, konsideroj se përmes kësaj pulle postare do të arrihet sado pak të kemi sensibilizim për fatin e babit”, tha Hoti.

Ai në emër të tij dhe të familjes Hoti ka falënderuar Postën e Kosovës për promovimin dhe lëshimin në qarkullim të pillës postare me portretin e Ukshin Hotit. /Kosovapress/

Filed Under: Kronike Tagged With: ne pulle postare, Ukshin Hoti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT