• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISTO KIRKA-Kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”

February 19, 2015 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/
Në vitin 1908 Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.
Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.
Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore. Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të çështjes kombëtare.
Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.
Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që ai e pranoi.
Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.
Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.
Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”. Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë kombëtare. Oratorët Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.
Mitingje masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në Southbridge, më 14 dhjetor. Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet të pathyer.
Gazeta “Dielli” e datës 28 janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka, luajti një rol të rëndësishëm bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.
“Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910 të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston. Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”. Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.
Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.
Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif Pani. Kryesia e re ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë, u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.
Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.
Në përvjetorin e parë të “Diellit”, më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë “Besa-Besën” dhe të kryetarit të saj, Kristo Kirka:
“Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”
Pas shoqërisë “Besa-Besën”, në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.
Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.
Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.
Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke, përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.
Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:
“Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë që të vejë më përpara shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë koha që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.
Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.
“Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante Kristo Kirka.
Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar. Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:
“Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”
Kështu, me nismën e Kristos, u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.

*Marre nga Monografia e Uran Butkes”Kristo KIRKA)

Filed Under: Histori Tagged With: Besa-Besen, Kristo Kirka, kryetar, Uran Butka

GJENOCIDI KOMUNIST PËRGJAK TIRANËN

November 27, 2014 by dgreca

(… 28 TETOR – 28 NËNTOR 1944 )/
NGA URAN BUTKA/
Krahas luftës për çlirimin e Tiranës nga pushtuesit nazistë, forcat partizane kryen edhe masakra ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe civilëve të pafajshëm. Sipas strategjisë së PKSH dhe skenarit të veçantë për Tiranën, dita e çlirimit duhet ta gjente Shqipërinë dhe sidomos kryeqytetin pa ata nacionalistë e intelektualë properëndimorë, pa figurat e njohura të kulturës dhe të arsimit shqiptar, pa ata oficerë patriotë që nuk u bashkuan me Frontin, nëpunësit e ndershëm, pa pronarët, tregtarët e bisnezmenët që gjallonin në ekonominë e tregut të shtetit shqiptar, pa ata atdhetarë e demokratë që kishin luftuar dhe aspiruar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar dhe demokratike. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës , veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”
Gjithçka projektohej nga kryeterroristi Enver Hoxha. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.” Për masakrat pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”
« Me Mehmetin kemi biseduar që ata elementë reaksionarë t’i zhduknim » – dëshmonte Nako Spiru.
Pra, kemi të bëjmë me një genocid me motive politike. Në Tiranë u vranë pa gjyq dhe pa faj, pabesisht dhe në mesnatë, në grup apo njëpasnjë prapa krahëve, madje edhe në pragjet e shtëpive, në qoshe rrugicash, në breg të lumit, në Sharrë, Priskë e Sauk, pa dhënë asnjë shpjegim, pa lënë asnjë gjurmë, duke i lënë edhe pa varr, figura të njohura nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova e Dibra e Madhe e Çamëria, madje edhe shtetas të huaj, në mënyrë që terrori dhe frika të ndjehej kudo e të përhapej rrathë-rrathë nga Tirana në të gjithë trevat shqiptare. Sepse me terror dhe me gjak do ta merrnin dhe do ta mbanin pushtetin, sepse vetëm kështu mund të ngrihej dhe të funksiononte diktatura më e pashembullt e më e përgjakshme në gjithë vendet e Lindjes komuniste, diktatura e E.Hoxhës.
Kjo vijë terroriste e PKSH është pranuar nga vetë udhëheqësit e saj. Zbatuesi më i vendosur i kësaj vije terroriste ishte padyshim Enver Hoxha dhe klika e tij staliniste, që lau me gjakun e shqiptarëve rrugën drejt pushtetit.
“Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj… Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit.” dëshmonte Tuk Jakova.
Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943, pa u tharë ende boja e Marrëveshjes kombëtare të Mukjes Selim Brahja është një nga viktimat e saj. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës, me shalle të kuq në kokë e qëlluan disa herë dhe u zhdukën për t’u shpëtuar pushkëve të shtëpisë së Selim Brahjes. Kjo vrasje shënon edhe fillesën e terrorit komunist në Tiranë. Përse e vranë këtë njeri që ia kishte kushtuar jetën Zotit dhe Shqipërisë?
Ai vinte nga një familje atdhetare. I ati, Ramazan Brahja, pjesmarrës në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Selim Brahja, intelektual, i lauruar për teologji në Stamboll, iu përkushtua fesë dhe shqiptarizmit. Ai hap shkollën e parë shqipe në Sauk. Gjatë okupacionit italian ai u dënua me burg nga fashistët nga që në shtëpinë e tij priste edhe nacionalistë edhe partizanë që luftonin për lirinë. Ai mori pjesë në Kuvendin e Mukjes bashkë me Ismail Agé Petrelën, Dr. Nroqin e të tjerë nacionalistë tiranas. Prandaj e vranë terroristët me yll e shami të kuqe në kokë.
Më 29 tetor 1943 njësiti ndëshkimor i Pezës masakroi barbarisht Besnik Çanon ( 22 vjeç ) dhe Qeramudin Sulo ( 21 vjeç ), dy të rinj intelektualë nacionalistë, pjesmarrës në Konferëncën e Mukjes që shkonin në jug të Shqipërisë për të përcjellë mesazhin e kësaj marëveshjeje kombëtare.
Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigatën e Parë, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.
Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Shkollën e mesme dhe universitetin i kreu në Austri më rëzultate të shkëlqyera dhe me një doktoratë për linguistikë. Këtë intelektual dhe nacionalist të njohur e pushkatoi pa gjyq më 12 shtator 1944 toga e pushkatimit e batalionit partizan “Dajti”, buzë përroit të Priskës.
Pas këtyre vrasjeve në periferi, i erdhi radha edhe kryeqytetit. Dhe terroristët komunistë zgjodhen kohën më të favorshme për të kryer masakrat në Tiranë.
Çlirimi i Tiranës konsiderohej nga udheheqësit komuniste si marrja e pushtetit. « Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin », udhezonte E.Hoxha. Beteja për çlirimin e Tiranës iu ngarkua Korparmatës I. Qëllimi i krerëve komunistë ishte marrja e kryeqytetit, por edhe likujdimi masiv i kundërshtarëve politikë, por edhe i atyre shqiptarëve jokomunistë, që jetonin apo ishin grumbulluar në Tiranë.
Sipari i kësaj tragjedie hapet natën e 28 tetorit 1944, kur njësitet guerile komuniste dhe forcat e batalionit të Disiplinës, futeshin fshehtazi natën si hienat nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin shqiptarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë tek shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. “Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë.
Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga genocidi sërbo-maqedonas u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojes së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj. gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill1939 luftoi tok me Myftar Jegenin e mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare kundër agresionit italian.
Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte, nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha i futi shokët e liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje potologjike dhe pa asnjë shënjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë.
“Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë “alarm”.
– Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zëmërim.
– Terror? –e pyeta i habitur. – Ku ?
– Në Tiranë, – më përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh ?”
Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit ( 24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale , por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit”
Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve masive të ushtarakëve të karierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë ushtarake ne Stamboll, oficer i gjindërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetsore.
“A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer detyrën e oficerit të prapavijës? – pyet Kujtimi, djali i Hamitit. – kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë”. Djali tjetër, Mustafai, autori i romanit të famshëm ”Gremina e dashurisë” u burgos dhe vuajti në skëterrën e burgjeve komuniste, por qëndroi se kishte genet e të atit, të cilit i kushtoi në qelinë 79 të burgut të Tiranës elegjinë “Qetësi”.
Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake te kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vienë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, rus i bardhë, oficer në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret.
Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri. Ndaj u fut në listat e vdekjes. Më datën 1 nëntor 1944, në orën 3 të mëngjezit, trokitën në portën e shtëpisë. Vrasësit kërkonin Muharremin. Ai doli nga shtëpia sepse e ndjente veten të pafajshëm. Te porta pa njerëz të armatosur dhe oficerin tjetër të Ushtrisë Kombëtre, që kishte studiuar në Europë, Abdulla Saraçin, të arrestuar. Të dy i shoqëruan për diku, ndoshta asgjëkundi. S’kaluan veçse disa minuta në rrugë e sipër, kur krisi automatiku. Më parë ra Abdullai, pas tij plumbat përshkuan Muharremin. Kufomat i futën në një karrocë akulloreje. Kalimtarët e rallë panë në atë gëdhirje një karrocë nga e cila varej një dorë e përgjakur. Mandej edhe dy duar të tjera. Pra ishin dy kufoma. Familjarët i gjetën, i nxorrën trupat e tyre të prishur dhe i varrosën te Varri i Bamit. Njëri gisht i dorës së abdullait ishte i prerë bashkë me unazën e florinjtë.
Po atë natë terroristët komunistë arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formin perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorrën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orendite, makina e shkrimit etj. Tragjedia e kësaj familjeje u mbyll me vdekjen në burg të Frederikut, djalit të Antonit, i dënuar për agjitacion e propagandë, si mijra bij të tjerë të këtyre martirëve.
Genocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944 forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup deliallisi, ish- kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit- sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e allamanëve të Matit. Ç’kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në shqipëri për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitalist dhe ishte drejtori i saj , kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike.
Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua, pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, , Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.
Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit sërbo-malazes tok me dy vëllëzërit e tij, Rustem e Ramë, pjestarë të çetës së Azem galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë.
Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut , filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist.
Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit, oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria.
Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është, quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe , një dënin dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.
Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mënçur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesmarrja në Kuvendin e Mukjes për bashkimin e gjithë shqitarëve dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”
Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz , Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtër, themelues të shtëpisë botuese ”Mesagjeritë Shqiptare” që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre Hamit Kokalarin i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq.
Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan e dhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar si “Revista Pedagogjike”, “Reforma”, “Jeta”, “Arbëria”, “Miku i Popullit”, “Minerva”, “Bota e Re” etj. dhe autor i veprës së njohur “Njimendësia shqiptare” që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi.
Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharrë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalianit ”Besnik Çano” që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij.
Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të të vdekur e të mbuluar me gjak.
Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shënjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Mori pjesë në protestat dhe demonstratat antiitaliane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!
Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit.
Terrori masakroi edhe njerës të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me inisiativë private , hapi një punishte të vogël të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel Bristol sepse ishte njeriu i bisnesit, i inisiativës së lirë, i ekonomisë së tregut.
Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. E morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur.
Epilogu i këtij terrori ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t’i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit. Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve u hodhén në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj. Komunistét e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës “Kristoforidhi”. Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle martirin Jorgji Mema.
Për këto krime, nuk i vrau asnjëherë ndërgjegja ata që i urdhëruan. Në raporine plenumit 9-të të PKSH, Enver Hoxha deklaronte : « Thuhet se Kristo Themelko ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por çëshja më e rëndësishme është se të gjithë ata që u vranë nga ai, ishin armiq.
Para disa ditësh janë botuar në gazetën « Panorama » disa foto të majorit britanik Oliver, që ndodhej pranë shtabit partizan të Mehmet Shehut dhe që ka hartuar edhe një raport për Luftën e Tiranës, ku thotë : Trupat partizane arrestonin civilë », ndërkohë që arriti të fotografonte edhe një numër civilësh të vrarë prej tyre.
Kështu u mbyll ky akt i terrorizmit komunist që përgjaku Tiranën, për t’i hapur rrugën terrorizmit shtetëror që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë.

Filed Under: Histori Tagged With: – 28 NËNTOR 1944 ), ( 28 TETOR, Uran Butka

KUSH E VRAU MUSTAFA GJINISHIN ?

October 19, 2014 by dgreca

(Me rastin e 70-vjetorit të vrasjes)/
Nga Uran Butka/
Mustafa Gjinishi është një personalitet i shquar dhe i veçantë i së majtës progresiste shqiptare në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai u bë i tillë si rrjedhojë e traditës atdhetare e demokratike të trevës së Peqinit dhe të familjes Gjinishi, produkt i kohës, i cilësive dhe e vullnetit të tij të pazakonshmëm. Familja Gjinishi ndikoi në formimin e Mustafait të ri. Babai i tij, Ademi, mori pjesë aktive në ngritjen e Flamurit kombëtar më 26 nëntor 1912 në Peqin. Ai qe delegat i Peqinit në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920 dhe mbështetës i krahut demokrat. U vra nga njerëzit e Shefqet Vërlacit në vitin 1923. Në diturinë e Mustafait ndikoi veçanërisht daja i tij, Mahmud Kaziu, nënprefekt i Peqinit dhe firmëtar i Pavarësisë më 1912, si dhe vëllai i madh, Rexhepi, që ndiqte mësimet në Liceun frances të Korçës. Vetë Mustafai ndoqi mësimet e mesme në Shkollën teknike Amerikane në Tiranë në vitet 1924-1930, në profilin e arsimit, por ai shkëlqeu në të gjitha drejtimet. Drejtori Harri Fuls e vlerësonte shumë, jo vetëm për rezultatet e shkëlqyera, por edhe për karakterin, pjekurinë, diturinë ( qysh në shkollë zotëronte disa gjuhë: anglisht, gjermanisht frëngjisht, italisht etj) dhe idetë perëndimore. Ai e quante Mustafanë “studentin me koncepte si në Perëndim”.
Studenti Gjinishi u bë mendja dhe shpirti i revistës “Laboremus”, ku botoi edhe përkthimin e tij në anglisht të “Lahutës së Malcis” te Gjergj Fishtës dhe vlerësimet për të. “Ashtu si Anglia është krenare për Bajronin, Miltonin dhe Shekspirin, Gjermania për Gëten e Shilerin, Italia për Danten e Virgjilin, Spanja për Servantesin .., ashtu është edhe Shqipëria krenare për Gjergj Fishtën”( Rev. Laboremus, korrik 1929).
Gjithashtu, si drejtues i klubit të letërsisë së shkollës, Mustafai inicioi edhe botimin e revistës letrare e shkencore “Shekulli XX”, ku shkruan edhe penat e Mid’hat Frashërit, Skënder Luarasit, Tajar Zavalanit etj. Pas mbarimit të shkollës teknike, çeli në Tiranë një librari me literaturë përparimtare, po ashtu edhe në Kavajë, si edhe botonte shkrime të thukta në gazetat e revistat opozitare “Bota e Re”, “ABC”, “Jeta dhe kultura”, “Rilindja” “Flaka “, “Besa” etj
Ra në kontakt me idetë komuniste , në modë në atë kohë dhe me mbartësit e tyre: Hasan Reçin, Demir Godellin, Riza Cerovën, Petro Markon etj, si edhe bashkëpunoi me ta si opozitar. Dënohet dy herë me burg për motive politike, mandej, kur ishte në burg, dënohet me vdekje përpjesëmarrje në kryengritjen e Fierit, 1935, dënim që iu kthye me burgim të përjetshëm. Mustafai u përgjigj: Unë kam dhjetë muaj në burg, ku nuk është e mundur të hysh në marrëveshje me kërkënd jashtë. Kërkoj pafajësinë!” ( AQSH, f.257, d.17/3) Edhe në burg, gjen mundësinë e studimit. “Kohën e shkoj duke lexue e mësue” i shkruante motrës Xhemile. U lirua në vitin 1938.
Mustafai nuk e pranoi pushtimin fashist të Shqipërisë, mori pjesë në demostratat e para të prillit 1939 dhe mandej u arratis në jugosllavi bashkë me Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Mustafa Kaçaçin, Hamit Shijakun etj. Atje ata ra në kontakt me Drejtorinë e Veprimeve të Aleatëve, SOE dhe atasheun britanik Xhuliano Emer, që organizuan një grup prej mëse 300 antifashistësh, dhe me në krye baritanikun Oklli Hill, hynë në Shqipëri, prill 1941, për të nxitur kryengritjen antifashiste . Është për t’u theksuar se ky projekt ishte një koalicion forcash, që përbëhej nga krahu i djathtë (Abaz Kupi), qendra ( Gani Kryeziu) dhe krahu i majtë (Mustafa Gjinishi). ( Shih: Xh, Emer, Bijtë e Shqipes, Londër 1949 )
Pikërisht në këtë kohë nis veprimi politik i Mustafa Gjinishit për realizimin e kryengritjes së përgjithshme në Shqipëri, në bashkëpunim me gjithë forcat antifashiste dhe e kordinuar me aleatët perëndimorë.
Vendosja e M.Gjinishit në Pezë, ishte e rëndësishme. Peza ishte bërë vatra kryesore e luftës antifashiste. Nuk është e rastit që në mars të vitit 1941, italianët organizuan një operacion ushtarak ndëshkimor në zonën e Pezës. Çeta nacionaliste e Myslim Pezës vepronte në Shqipërinë e Mesme, ku vepronin edhe çetat nacionaliste të Ismail Petrelës dhe Shyqyri Pezës, vëllait të Myslimit. Mustafai u bë komisar i çetës së Pezës dhe kjo u inkuadrua në Lëvizjen NÇ. Komandanti Myslim Peza e donte si djalin e vet Mustafanë, madje e dhe Xhemilja u bë partizane e ksaj çete, si edhe mjaft peqinas të tjerë. Një nga aksionet e çetës ishte edhe lirimi i të burgosurve politikë nga burgjet e kampet e internimit. Në këtë vështrim duhet parë edhe lirimi prej Mustafait nga kampi i internimit i malazezit komunist Miladin Popoviç, i cili ia shpërbleu më vonë duke i ngrënë kokën. Aksione të tjera kundër italianëve bëri çeta në Peqin, Kavajë, Pezë, Shijak etj. Mustafai luftoi trimërisht edhe kundër pushtuesve italianë, edhe atyre gjermanë, madje në betejën e Arbanës kundër gjermanëve, u plagos në krah.
Po aksioni i madh politik i Mustafa Gjinishit dhe i Koço Tashkos është organizimi i Konferencës së Pezës, 16 shtator 1942. Ishin idetë e Mustafait për një front të përbashkët antifashist dhe bashkëpunimin me nacionalistët në luftën për çlirim. Enver Hoxha ishte ende figurë e dorës së dytë ( mora një pusullë nga Miladini, ku më thoshte të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë, qenë përgatitur referatet…Unë dola të lexoja atë referat, por që ta mbroj tezën jo”- rrëfen E.Hoxha), ndërsa vetë Miladini qëndronte jashtë shtëpisë ku u zhvillua konferenca, ndërkohë që M.Kaçaçi, R. Çitaku dhe H. Lleshi ndërhynë që Miladini të mund të hynte brenda si dëgjues. ( AQSH, f.14 d.5, v.1942).
Është meritë e M.Gjinishit që në këtë konferencë të PKSH, të merrnin pjesë si individë edhe nacionalistë, të ftuar e miq të Mustafait si Abaz Kupi, Ismail Petrela, Azis Çami, Baba Faja, Ndoc Çobo, Ramazan Jarani, Skender Muço, Halim Begeja, Xhemal Herri etj, duke i dhënë konferencës ngjyra pluralizmi politik. Ajo zgjodhi Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm NÇ, me kryetar Kamber Qafëmollën dhe sekretar Mustafa Gjinishin, dhe të përbërë prej 8 vetësh: tre komunistë:Y.Dishnica, E.Hoxha e M.Gjinishi dhe pesë nacionalistë: M.Peza, Baba Faja, A.Kupi, N. Çoba dhe K.Qafëmolla.
Konferenca e Pezës, që hodhi themelete Frontit NÇ, ishte një premisë bashkëpunimi mbi bazën e platformës pluraliste të “bashkimit të të gjitha forcave të popullit shqiptar pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike”. Gjithashtu, vendimarrja në këtë konferencë për luftë imediate kundër okupatorit, duke e lënë pas luftës zgjedhjen e formës së regjimit dhe marrjen e pushtetit, krijoi mundësi mirëkuptimi e bashkëpunimi me faktorët e tjerë politikë e luftarakë në luftën për çlirim. Mirëpo klika e E.Hoxhës, e nxitur edhe nga jugosllavët dhe lufta për pushtet, e tradhtoi platformën e Konferencës së Pezës, e vuri Frontin NÇ nën udhëheqjen e kontrollin e PKSH, i përjashtoi nacionalistët , madje pesë nga tetë anëtarët e Këshillit të përgjithshëm i shpalli tradhtarë dhe i asgjësoi, përfshirë edhe Mustafa Gjinishin.
Në vitin 1943 raportet politike dhe ushtarake kishin ndryshuar mjaft. Italia fashiste po kapitullonte, ndërsa një pushtues tjetër po shfaqej në horizontin shqiptar, ai gjerman, madje me një masakër të llahtarshme në Borovë, korrik 1943. Në vend dominonin dy organizata politike dhe luftarake antagoniste: Balli Kombëtar dhe Fronti NÇ me gjithë mbështetesit e tyre. Ishte një imperativ i kohës bashkëpunimi mes tyre. Madje ky bashkëpunim në luftë nisi nga poshtë. Gati në të gjithë trevat u bënë marrëveshje lokale dhe luftime të përbashkëta kundër pushtuesve, sipsa traditës shqiptare ( Korçë, Gjiirokastër, Tepelenë, Librazh-Polis, Vlorë, Mat, Lurë etj).
Mustafai e kuptoi këtë nevojë të kohës dhe e vazhdoi përpjekjen për bashkimin e të gjithë faktorëve shqiptarë në luftën për çlirim. Ai bashkëpunoi me nacionalistë brenda Frontit si Ymer Dishnicën, Abaz Kupin, Shefqet Bejën, Sheh Karbunarën etj dhe jashtë Frontit me përfaqësues të Ballit Kombëtar si Mid’hat Frashërin, Ramazan Jaranin, Hasan Dostin e të tjerë, duke u bërë elementi kryesor bashkues.
“Njerëzit tanë na raportonin, -shkruante E.Hoxha,- se Mustafai takohej me Lumo Skendon, Sheh Karbunarën, Abaz Kupin e të tjerë. Bënte takime me turli njerëzish: bejlerë, disa prej të cilëve të deklasuar, disa simpatizantë me lëvizjen, disa antikomunistë të lindur e të vendosur. Mustafai kishte muhabet të madh me Ag Petrelën dhe shtëpinë e tij në Tiranë e kishte bazë… Mustafai nuk di të bëjë dallimin mes komunistëve dhe nacionalistëve. Ai arrin të kritikojë proklamatat , që sipas tij, nuk kanë mjaft nacionalizëm brenda. Çudi. Ai ka një mendim të tillë se “Lufta jonë e sotme na qenka vetëm luftë për solidaritet e internacionalizëm dhe jo luftë për të mirën e popullit shqiptar.” (Konsulta e parë e PKSH, 8 prill 1942)
Muatafai ishte një komunist me tharm nacionalist, që shihte në radhë të parë interesat e vendit e të popullit, ishte një demokrat, që bashkëbisedonte edhe me kundërshtarët politikë për interesat madhore të kombit dhe preokupohej për një Shqipëri demokratike, ishte një antifashist i vendosur, që drejtonte luftën për liri, por luftonte edhe vetë, një kordinator i vlefshëm i Aleatëve Perëndimimorë dhe veçanërisht i britanikëve, që ndihmonin luftën antifashiste, si edhe kundërshtar i metodave terroriste dhe politikave jugosllave ndaj Shqipërisë.
Ishin përvijuar dy drejtime brenda PKSH dhe Lëvizjes NÇ, njëri i moderuar, human dhe me sens kombëtar, ku reshtohen Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Omer Nishani, Anastas Lulo, Sejfulla Maleshova, Gjergj Kokoshi, Myslim Peza etj, ndërsa në grupimin tjetër bënin pjesë komunistët stalinistë, ekstremistë të përbetuar dhe me sens terrorist, si Enver Hoxha, Koci Xoxe, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramadan Çitaku, Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Kristo Themelko, Liri Gega e të tjerë, që ishin vegla të bindura të komunistëve jugosllavë, Titos dhe të dërguarve të tij Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës.
Deri në Kuvendin e Mukjes, kryesisht dominonte krahu demokrat, që shpuri edhe në bashkëpunimin me nacionalistët dhe aktorët e tjerë të luftës antifashiste dhe në marrëveshjen e Mukjes, gusht 1943. Natyrisht, për arritjen e Marrëveshjes së Mukjes, ndikuan edhe faktorët e jashtëm: Koalicioni i madh antifashist , sidomos misioni britanik e amerikan në Shqipëri, që kërkonte bashkimin e gjithë shqiptarëve në luftë kundër nazifashzmit.
M. Gjinishi, i quante kundërshtarët politikë dhe faktorët e tjerë jashtë Frontit, si pjesë të popullit dhe të luftës së përbashkët dhe jo si armiq. Me propozim të Abaz Kupit dhe mbështetjen e M.Gjinishit, Këshilli i Përgjithshëm NÇ e quajti të nevojshme aleancën politike e ushtarake me Ballin Kombëtar dhe vendosi në korrik 1943 të bënte takimin me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, përcaktoi çështjet që do të bisedoheshin në Mukje si edhe delgacionin, në përbërje të të cilit ishin Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi dhe Myslim Peza.
Po ashtu edh Kryesia e Ballit Kombëtar e mirëpriti aleancën me Nacionalçlirimtaren dhe caktoi përfaqësuesit e vet, me Mid’hat Frashërin në krye.
Pra ishte një vullnet i përbashkët që prodhoi Marrëveshjen e Mukjes. Kjo marrëveshje kombëtare është një nga më të rëndësishmet në historinë shqiptare, sepse bashkoi dy të kundërtat, dy eksremet politike kundërshtare, për intreresa madhore kombëtare dhe mori vendime tejet të rëndësishme për atë kohë, por edhe për të ardhmen:
1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
2. Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike .
3 .Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.
Komiteti për shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.
Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt. ( Proklamata e Mukjes, AQSH, F.14, d.21v.1943)
M.Gjinishi u zgjodh unanimisht sekretar i Kuvendit të Mukjes. Ai luajti një rol të rëndësishëm në realizimin e marrëveshjes. Ymer Dishnica, kryetari i delegacionit, i shkruante ng Mukja E.Hoxhës, ndër të tjera:
“Një takim paraprakisht ka zhvilluar Tafari (M.Gjinishi, shën.im-UB) me Mid’hat Frashërin dhe Hasan Dostin në favor të tezës sonë… Qëndrimi i Mustafës në mbledhjen e Mukajt ka qenë fare i mirë, i ka mbrojtë vendimet tona me ashpërsi dhe gjallëri të madhe… Tafa ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë si jo më mirë. Ky është jo vetëm mendimi im, por edhe i Hysenit ( Gogo Nushit, shën. im, UB), që ka asistuar si delegat në të gjithë debatet. Ky është edhe mendimi i delegatëve të tjerë…( Letra të Y.Dishnicës, AQSh, F.14 d.21, v.1943).
Ndërsa E.Hoxha, nën diktatin e emisarëve jugosllavë, e quajti tradhti Marrëveshjen e Mukjes dhe gjithashtu tradhti edhe qëndrimin e Y.Dishnicë, Mustafa Gjinishit dhe i dënoi ata në Konferencën e Dytë të Labinotit ( 4 shtator 1943), ku i shpalli edhe luftë Ballit Kombëtar, legalistëve dhe gjithë atyre që luftonin jashtë Frontit kundër pushtuesve, duke i quajtur armiq e bashkëpuntorë me pushtuesin, kur disa ditë me përë kishte nënëshkruar me ta në Mukje marrëveshjen e bashkëpunimit .
E.Hoxha e quati M.Gjinishin edhe spiun të anglezëve, me të dilët ishim aleatë gjatë luftës. Është absurde dhe trashanike politika dyfytyrëshe e E.Hoxhës , që, në njërën anë e quante Lëvizjen NÇ si pjesë e Koalicionit Antifashist dhe kërkonte e merrte mbështetje politike, ushtarake, materiale dhe në flori nga misionet britanike, nga ana tjerër i akuzonte britanikët për tradhti, ndërsa M.Gjinishin si agjent të tyre! Vetë Hoxha dhe Këshilli i Përgjithshëm NÇ e kishin caktuar Mustafanë kordinator dhe përkthyes me britanikët, që ishin aleatët tanë në luftën antifashiste. Ishte diabolizmi, cmirëzia, disniveli, rivaliteti dhe frika e E. Hoxhës ndaj Mustafait, të aftë, të hapur, intransigjent, popullor, të admirueshëm nga Aleatët.
Oficerët britanikë që ndodheshin në Shqipëri në atë kohë, pa përjashtim e kanë vlerësuar Mustafa Gjinishin.
Xhuliano Emeri, shkruante: Nga takimet që kemi pasur me udhëheqës shqiptarë, M.Gjinishi, që ne e njihnim të gjithë, kishte njohuri për zhvillimet ndërkombëtare” ( Xh,Emer, Bijtë e Shqipes).
Hibbert , tek “Fitorja e hidhur” , shkruan : “Po të përdorësh termat komuniste ”Gjinishi ishte oportunist” me kontakte të gjera me shumë nacionalistë dhe sektorë të jetës shqiptare, shprehej në favor të të përpjekjeve të gjera kombëtare kundër pushtuesve, ishte popullor në forcat partizane, kishte dëshirë dhe aftësi për të punuar në mënyrë konstruktive me të huajt nga perëndimi dhe iprerë për të qenë nismëtar i pajtimit kombëtar.”
Shefi i Misionit englez, Gjenerali Deivis, e përshkruan kështu: “Ai e fliste mirë anglishten, që i dha përparësi në marrëdhëniet me ne, por ngjalli dyshime. Kur e njohëm, ramë në një mendje për të bashkëpunuar dhe bisedonim me të pasi ai qe njeri i arsyeshëm. Gjithashtu, ai kishte një prirje të këndshme humori. Nëse Mustafai do të udhëhiqte shtetin në vend të Enverit, vështirë se do të bëhej lodër në duart e Rusisë”. (Gjenerali Deivis, Aventurë Ilire).
Përgjegjësi i Seksionit Aleat për Shqipërinë , nënkolonel Filip Lik që kishte ardhur në Shqipëri më 10 maj për të parë vetë nga afër situatën, refuzoi ftesën e E.Hoxhës për të marrë pjesë në kongresin e Përmetit,. Sipas tij dhe qeverisë britanike ai ishte një kongres i paligjshëm, që angazhonte ushtrinë NÇ për të marrë pushtetin pa mbaruar ende lufta, ndryshe nga ç’ ishte vendosur më parë dhe përjashtonte gjithë faktorët e tjerë politikë, të cilët, sipas Hoxhës, duhet të asgjësoheshin etj. Aleatët nuk e njohën kongresin dhe qeverinë ( komitetin) e dalë prej tij dhe deklaruan se “ nuk do të njihnin asnjë qeveri që do të zgjidhej me forcën e ushtrisë, por vetëm me zgjedhje popullore pas luftës”. ( FO 371 / 43554 PRO)
N/koloneli britanik i dërgoi me adjutantin e tij një letër M.Gjinishit, ku i shpjegonte arsyet përse nuk merrte pjesë në Kongresin e Përmetit. E.Hoxha e paraqet kështu këtë fakt përpara kolonelit jugosllav Stoiniç në Berat: “Ne e pamë kur n/koloneli ia dërgoi letrën Mustafait dhe ky e këndon dhe ia kthen përgjigjen me zarf. Miladini iu afrua Mustafait dhe i tha: “Çështë ajo letër?” S’është asgjë, i thotë Mustafaj. “Ti je njeriu i anglezëve, i thotë shqip Miladini. Mustafai iu përgjigj : “Unë nuk jam tradhtar” (AQSH, f 14 d.2 v 1944) Në këtë dialog, sintetizohet një nga të vërtetat tragjike të Luftës NÇ. Në krye të PKSH dhe të Luftës NÇ ishte M.Popoviçi dhe D.Mugozha, nga të cilët i merrte urdhrat E.Hoxha.
“Kush e ka udhëhequr Partinë tonë? Partinë tonë e ka udhëhequr në punë Aliu ( M.Popoviçi), në udhëheqje ka qenë Aliu, dorë e djathtë e Enverit” – thotë anëtarja e KQ të PKSH, Liri Gega.
Ja ç’thotë vetë Enver Hoxha me gojën e tij: “Ata që ishin kryesorë, ishin Aliu dhe Dushani. Çdo gjë që thoshte Aliu ishte e mbaruar..Vija terroriste është e fortë tek Dushani, që vriste më shumë se Mehmeti. Ke Aliu ishte me hënë. Unë në këtë pikë isha pasqyrë e Aliut, dmth kur thoshte ai se ky po bën kështu, atëherë vendosnim ta vrisnim… Asgjë s’e peshonim Parrula”o me ne o kundër nesh” ishte në rend të ditës.. Sa për Mustafa Gjinishin ajo ka qenë ndryshe. Ne mendojmë se ajo duhej bërë….” (QSH, F.14, d.2, Plenumi i Beratit).
E.Hoxha ka qenë i ndërgjegjshëm dhe i vendosur për vrasjen e Mustafait. “Ajo duhej bërë”- rrëfehet ai. Shihet qartë, Hoxha ishte një terrorist profesionist, qe e ngriti karrierën mbi vrasjet, jo vetëm të kundërshtarëve politikë, por edhe të shokëve më të afërt e më të çmuar të Luftës antifashiste. E.Hoxha ishte një monstër, që ia kalon edhe ustait dhe idhullit të tij, Stalinit, për krimet që ka kryer. Përpjekja tinzare e djeshme dhe e sotme për të manipuluar se E.Hoxha ka qenë “i keq” pas luftës dhe “i mirë” gjatë luftës, është një shmangie nga historia e vërtetë, një mashtrim dhe një përpjekje mjerane për ta reabilituar atë. E,Hoxha i ka bërë krimet më të mëdha gjatë luftës, krime politike dhe krime kundër njerëzimit, siç është edhe krimi kundër M.Gjinishit.
Pikërisht, në Përmet, u vendos nga Miladin Popoviçi dhe E.Hoxha eliminimi fizik i M.Gjinishit. Por asgjësimi i tij ishte menduar qysh mëparë. Në letrën që E.Hoxha i shkruante N.Spirut, i thoshte: “Puna e Mustafait neve nuk na përqen, edhe çështja e Mukjes si edhe mesazhi i Radio Londrës për Tafarin etj. Lidhjet dhe lëvizjet e tij duhet të kontrollohen. Me Mustafanë duhet të lozim një lodër me shumë kujdes… Mua nuk më mbushet mendja dhe po më bëhet një ide fikse çështja e Mustafait. Prandaj duhet t’i hetosh mirë lëvizjet e tij…” (letër N.Spirut 4 tetor 1943). Po kështu E.Hoxha i jep porosi L.Gegës për survejimin e Gjinishit në Dibër.
Nga ana tjetër, M.Popoviçi kërkonte kokën e Mustafait, sepse ky shtronte zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe kundërshtonte politikën “përça e sundo” të emisarëve jugosllavë. Miladini i shkruante K.Tashkos: “Në qoftë se kërkohet se kush e ka bërë pyetjen “Si qëndron çështja e Kosovës, po jua them se e kanë bërë Dinoja (K,Tashko, shën.im, UB) dhe Tafari (M.Gjinishi, shën.im, UB), tue thanë se e tanë Shqipnia asht e preokupueme prej këtij problemi. Të gjitha çështjet vijnë prëj idenave jo të qarta e të errëta që i kombinon ti, shoku Dino me Tafarin për çështjen nacionale. Ju kini mbërritur shumë larg në hipoteza dhe e kini shtrue çështjen e Kosovës shumë tragjike dhe si çështjen më aktuale në Shqipëri”.
Miladini sulmonte Koço Tashkon: “Akuza “përça e sundo” që shkruan ti për mua, është thënie e Tafarit, që e don aq fort ti dhe e merr hua me aq vullnet. Vëtëm se ai do të përgjigjet për këtë një ditë”. Por kërcënimin me jetë e ka për M.Gjjinishin, që e vuri në zbatim bashkë me E.Hoxhën.
Vetë Mustafai e kishte nuhatur që do ta eliminonin. “Kanë frikë nga unë se kam shumë simpati në popull, thotë Mustafai. Kanë frikë nga unë pse kam simpati për anglezët. Kohët e fundit kam pasur një bashkëfjalim me Enverin, me të cilin jam grindur shumë.”(informacion i G.Nushit për Mustafa Gjinishin, 23 gusht 1944)
Edhe e motra, Xhemilja, që rrinte në shtëpinë e M.Pezës, tregon: “Më çojnë në Veri për të më vrarë, i tha Mustafai babë Myslimit. – Ikë jashtë shtetit, i tha Baba. Jo, më mirë të vritem, sesa të iki si dezertor nga Shqipëria. Unë s’kam ba ndonjë faj!- ia ktheu Mustafai. – Për ty do ta çoj gjakun në gju të kalit! i tha babë Myslimi”.
E transferuan Gjinishin nga Peza në Dibër dhe përgatitën skenarin për ta vrarë. Zbatimin ia ngarkuan Liri Gegës dhe Shefqet Peçit. Kur grupi i përbërë prej Liri Gegës, e derguara e KQ në Korp.I, M.Gjinishit , i dërguar i Këshilli i Përgjithshëm NÇ dhe majori britanik Smith pranë korparmatës, si edhe shoqëruesit e tyre, po kalonte nga Peshkopia në Slatinë , atij i ishte bërë një pritë e organizuar nga L.Gega dhe Sh. Peçi. Kaloi pararoja, kaloi edhe Liria me shoqëruesit, ndërkohë që para pritës u shfaq M.Gjinishi dhe majori Smith mbi kuaj, u godit me dy të shtëna vetëm Mustafai, që ra i vdekur përtokë. Majori Smith, u kthye pas për në Peshkopi. Ishte data 23 gusht 1944.
Siç tregon shoqëruesi i Mustafait, Fadil Thartori, prita ishte përgatitur, qysh më parë, për të vrarë Mustafanë. “Ishte qëlluar me dy plumba në ballë dhe në zemër. Duke u dridhur e duke qarë fillova të kontrolloj xhepat. Pasaporta dhe dokumentet e tjera ishin shpuar nga përpara, dmth se Mustafai nuk ishte qëlluar nga prapa shpine, siç u tha më vonë. Dokumentet dhe armatimin e Mustafait ia dorëzovë Liri Gegës në Sllatinë. Mua nuk më pyeti njeri se qysh ndodhi kjo vrasje”.
Menjëherë Liri Gega njoftoi me telefram E.Hoxhën. Ja përmbajtja e telegramit të parë:
Telegram.Rezervat… Shifër sekrete (për Enverin).
Çdo gjë mbaroi sipas porosisë suaj. Prisni radiogramin që vijon.
Muzhiku (Pseudonim i L.Gegës)
E pranon vetë E.Hoxha pwrmbajtjen e telegramit: “Telegrami thoshte “Puna doli me sukses”. Kjo ishte puna e Mustafait”. (AQSH, F14 d.2. v1944).
E pranon këtë vrasje, sepse ajo u bë e njohur nga të gjithë, edhe në shtypin e kohës, madje edhe nga britanikët. E pranon edhe si një kërcënim për të tjerët. Megjithatë, fillimisht, Hoxha u mundua ta mbulonte, si shumë vrasje të tjera politike. Ai, më datën 26 gusht, pra, pas tre ditësh heshjeje, vetëm kur mori një radiogram nga Kuartieri i Përgj.Aleat për vrasjen e Mustafa Gjinishit, e shpalli atë hero, të rënë në luftë kundër gjermanëve. Ç’hipokrizi e llahtarshme.
Po ç’thotw Sejfulla Malëshova:
“Për herë të parë mora vesh punën e Mustafa Gjinishit dhe nuk e di përse. Një nga të dyja: Ose ai ka qënë tradhtar i Partisë edhe i popullit sot kur jemi në luftë dhe atëherë ne duhet ta vendonim hapët, ose ai ka bërë gabim e për gabim nuk vriten njerëz. Përvec kësaj, mënjanë e vrasin Mustafa Gjinishin, me anë tjetër e quajnë hero para popullit dhe organizatave. Këto metoda jezuite s’kanë të bëjnë fare me PK…”
Ja si e përcjell Gogo Nushi përjetimin e Myslim Pezës:
“ Parmbrëmë mësuam nga Radio Bari për vrasjen e M.Gjinishit. Ia njoftuam Myslim Pezës, i cili u hidhërua shumë dhe nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh filloi të pijë raki përpara ma shumë se 50-60 vetësh e filloi të flaës: “Mustafain e kanë vrarë shokët, se ky qe më i zoti se ata. E kërkova të vinte në Pezë si Mustafën ashtu edhe Hasanin(Recin), por nuk më lanë Ramadan Citaku, të cilit i dhjefsha mustaqet. Mustafai para se të largohej nga Përmeti më tha se më dërgojne në Dibër dhe atje do të më zhdukin…Më kishte thënë sh.Enver për Mustafën që duhej pushkatuar” (Nga letra e G.Nushi dërguar KQ të PPSH, F14, D 44).
Trupi i M.Gjiniahit u varros me nderime në varrezat e dëshmorëve të Peshkopisë. Pak ditë më pas, me urdhër nga lart, eshtrat e tij u zhvarrosën natën dhe u hodhën në një përrua, që t’i merrte ato me vete e të mos mbeteshin as gjurmët e varrit. Kjo ndodhi para 70 vjetësh. Po tani? Sot flitet e shkruhet për Luftën Antifashiste, për Pezën, për Aleatët, për E.Hoxhën dhe ata që e vranë Mustafa Gjinishin, por asnjë fjalë për Mustafa Gjinishin.

Filed Under: Histori Tagged With: kush e vrau, MUSTAFA GJINISHIN ?, Uran Butka

ENVER HOXHA URDHËROI TORTURIMIN DHE PUSHKATIMIN E LLAZAR FUNDOS

October 6, 2014 by dgreca

Me rastin e 70-vjetorit të vrasjes/
Nga Uran Butka*/
Llazar Fundo ishte një përfaqësues tragjik i atyre intelektualëve të majtë shqiptarë, që e përqafuan komunizmin si një ideal shpëtimtar për njerëzimin, por që u zhgënjyen plotësisht nga praktika kriminale e komunizmit në Rusi, vende të tjera e në Shqipëri dhe u bë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të atij sistemi çnjerëzor e antidemokratik, madje edhe një nga viktimat e tij.
Llazar Fundo ishte një nga antifashistët dhe një nga luftëtarët e parë të luftës kundër pushtuesve nazifashistë, por që u asgjësua nga Enver Hoxha, sepse luftonte kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë si antifashist, patriot dhe demokrat, por jo si pjesë e PKSH dhe e Frontit NÇ.
Kishte kryer shkollën e mesme në Liceun francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris, njeri me kulturë të gjerë perëndimore dhe mik i personaliteteve të shquara të kohës: E.Heminguejt, A. Barbys, R.Rolan, L.Pirandelo, S.Pertini, A.Anshtajn, Gj.Dimitrov, F.S.Noli, L.Gurakuqi. A.Rustemi etj.
Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve ’30-40 në Shqipëri e më gjerë. Pas vrasjes së Avni Rustemit u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe ndihmësoi në kryengritjen e Qershorit 1924. Më pas mërgoi në Europë dhe bëri pjesë në krahun revolucionar të emigracionit politik shqiptar atje. Shkroi artikuj te gazeta “Çlirimi Nacional” dhe në shtypin europian. Shkoi në BS për të studiuar dhe njohur nga afër përvojën sovjetike të propaganduar me aq bujë, madje u bë pjesë e Kominternit, por atje gjeti në fuqi tiraninë staliniste, krimin shtetëror, shtypjen dhe mashtrimin më të madh, të cilat e denoncoi me kurajo. Nga Moska i shkruante Nolit: “Komunizmi që ne e idealizonim si krishti, ia kaloka edhe Satanait për nga ligësitë”.
Kominterni e dënoi me vdekje “renegatin Fundo” dhe ai mezi mundi të shpëtonte kokën duke kaluar nëpër katakombet e nëndheshme të Moskës e të strehohej sa në një vend të Evropës në tjetrin.
“Ai u shpëtoi spastrimeve,- shkruante E.Hoxha. Pas kësaj ai rronte herë në Francë, herë në Zvicër e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar kundër komunizmit, kundër BS, kundër Stalinit” (E.Hoxha, “Kur lindi Partia”)
Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, u kthye në atdhe dhe e kundërshtoi hapur këtë okupacion. “Në prag të pushtimit fashist, – shkruante E.Hoxha me mburrje, me cinizëm dhe zili,- në kulmin e demonstratës popullore, Zai Fundo u ngjit në shkallëte Bashkisë dhe mbajti një fjalim antifashist gjithë figura e gjeste ekzakte. Ne e njihnim figurën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë ato e bënë efektin” (E.Hoxha, “Kur lindi Partia”).
Abaz Ermenji, organizator i demonstartës së 28 nëntorit 1939 në Korçë, shkruante: “Ne ishim në rreshtin e parë në krye të demonstratës, të gjithë demokratë e nacionalistë, s’kish asnjë komunist në atë rresht. Italianët treguan gjakftohtësi, na morën në pyetje disave prej nesh që e dinin se kishim organizuar demonstartën: mua, Faslli Frashërin, Llazar Fundon, Stavri Skëndon, Selman Rizën, Loni Kriston”.
Për kundërshtimin e hapur që Fundo i bëri pushtimit, në vitin 1941 u burgos dhe u internua në Ventotene të Italisë bashkë me shumë antifashistë të tjerë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Selman Riza, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa, Gani e Said Kryeziu, Hasan Reçi, Sadik Bekteshi etj.
Sandro Pertini e çmonte shumë Llazar Fundon, kur thoshte: “ Zai Fundo është një personalitet me vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën” ( Nga kujtimet e A.Krepashanit, ish i internuar politik në Ventotene).
Të burgosurit në Ventotene, duke përfshirë edhe intelektualët antifashistë shqiptarë, ndihmësuan jo vetëm në qëndresën antifashiste, por edhe në hartimin e një projekti politik për Europën e Bashkuar pas luftës, që u quajt “Manifesti i Ventotenes” dhe u bë baza e ndërtimit të mëvonshëm të Europës së Bashkuar. Pra këta janë edhe prekursorët e Europës sa Bashkuar, ku përpiqemi të integrohet Shqipëria sot. Por, as “Historia e Shqipërisë”, as ajo e Luftës Antifashiste, nuk i përmend këto kontribute të shquara të antifashistëve të parë shqiptarë.
Në Ventotene u krijua një komitet i rezistencës, ku bënte pjesë edhe Ll.Fundo, i përbërë prej antifashistëve të shquar: Alessandro Pertini, Altiero Spinelli, Francesco Fancello, Pietro Secchia, Mauro Scoccimarro, Lazar Fundo, Ante Babich, Antonio Francovich, të cilët kërkonin lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politike “si pasojë automatike e nxjerrjes jashtë ligjit të regjimit fashist “. .( Paolo Spriano: “Storia del Partito Communista italiano”, Torino, 1978).
“Mes të internuarve ndodhet edhe një shqiptar, Lazar Fundo, që ka studiuar në Paris, në Sorbonë dhe ka bredhur Europën mbarë e prapë, ka qenë në Moskë. Pasi u shkëput nga Partia Komuniste, iu afrua asaj Socialiste. Bujar, i hapur, me shumë kulturë, me shpirt djaloshar: bëhet menjëherë mik i Pertinit. Takohen edhe një herë, për herë të fundit, në Romë, në gushtin e vitit 1943. Pertini i lutet që të rrijë, por Fundo do të kthehet në Shqipëri, që të luftojë bashkë me njerëzit e vet.” (shih: Sandro Pertini, “Sei condanne due evasioni”, Milano 1978).
Altiero Spineli, europianisti i shquar, i burgosur në Ventotene, shkruante:” Përbërja politike e kolonisë së Ventotenes ishte në fillim e ngjashme me atë të Ponza-s. Lajmi i parë qe ardhja e nja 50 shqiptarëve. Pjesa më e madhe e tyre qenë meshkuj në moshë të ndonjë fisi barinjsh malësorë… Kishte dhe nja dhjetë intelektualë që kishin studiuar në universitetet më të mira të Europës, flisnin tre-katër gjuhë përveç të tyreve dhe që ishin burgosur për tentativë të organizimit të rezistencës kombëtare. Këta krijuan marrëdhënie të mira me të burgourit italianë, politikisht preferenciale – kush me komunistët, kush me xhelistët (giellisti); njëri, Lazar Fundo, me mua. E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon …që kujtimi i tij të mos zhduket tërësisht. Ishte njeriu më me autoritet mes gjithë shqiptarëve, pasi kishte një përvojë të gjatë dhe të ndërlikuar politike…Kësaj i shtohej edhe zgjuarsia dhe njohja e jo pak gjuhëve; veprimtaria e tij politike shkonte përtej Shqipërisë dhe kur Dimitrovi ishte arrestuar pas djegies së Rajhshtagut, Fundo gjendej në Berlin si një prej bashkëpunëtorëve të tij. Pasi i shpëtoi arrestit, ishte kthyer në Moskë ku punonte te Internacionalja. Kur nisi epoka e spastrimeve të mëdha, ai – komunist besnik – por i edukuar në atmosferën kulturore të lirë të vendeve demokratike dhe intelektualisht tip kurioz, kishte frekuentuar jo pak prej kundërshtarëve të Stalinit. Iu nënshtrua hetimeve të stërgjatura e të lodhshme nga ana e një komisioni të Çistkës së Kominternit. Dëgjova prej tij, por me implikime edhe më dramatike, atë që më kishte thënë Nischio në Ponza. Fundo shihte sesi zhdukeshin në mënyrë misterioze ky ose ai shok dhe e kuptoi rrezikun ku ndodhej, duke mohuar me këmbëngulje gjithçka donin që ta bënin të pohonte, se kishte thënë këtë e atë për këtë person ose një tjetër. ‘Një pjesë e asaj që më vinin në gojë – më thoshte – ishte tërësisht e shpikur, por një pjesë ishte e vërtetë: këtë ose atë gjë e kisha thënë. Unë mohoja gjithçka, pasi e dija se s’kishin ndonjë gjë të saktë për mua dhe pa provën e provave, nuk mund të më procedonin. Presioni i njerëzve të Çistkës ishte i tillë sa- zbrazëtia rreth meje rritej e rritej – më shumë se një herë u tundova të pohoja gjithë atë që më kërkonin, pak rëndësi ka nëse ishte e vërtetë apo jo dhe ta mbyllja njëherë e mirë me torturën psikologjike së cilës i nënshtrohesha. Nuk u dorëzova vetëm sepse dy ose tre shokë ballkanas, që më kishin mbetur fshehurazi miq, më luteshin që të rezistoja. Nëse do kisha hequr dorë, nuk do më kishin lënë të qetë por do më përdornin për të shkatërruar të tjerë dhe të gjithë do binin më pas si zinxhir.’ (Altiero Spinelli për Fundon: “Come ho tentato di diventare saggio”, Bologna, 1984 etj. Nxjerrja dhe përkthimi i materialeve italisht nga E.Petriti).
Dhe sërish Spinelli kujton mikun e tij, Lazar Fundo, në faqen e dedikimit të një libri: “Për kujtim të Lazar Fundos, Eugenio Colornit, Ernesto Rossit”.
Është e kuptueshme pse Llazar Fundo, pasi u lirua prej Aleatëve nga internimi, erdhi bashkë me Gani e Said Kryezuin në Kosovë dhe u angazhua me lëvizjen “Kryeziu”. “Mendja e tij e ndritur, – shkruan britaniku P.Kemp, – ndershmëria dhe guximi i tij kishin bërë të fitonte besimin dhe admirimin e tyre (Kryezinjve – UB) duke u caktuar si kryekëshilltar politik në fushën e betejës. Njohja nga ana e tij e shtatë gjuhëve të huaja, e bënin atë jashtëzakonisht të dobishëm në këtë shërbim. “(P.Kemp “Pa flamur apo emblemë”).
Të gjitha dokumentat që ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar, dëshmitë e bashkohësve, konstatimet e misionarëve britanikë (Emeri, Kemp, Simkoks, Hill, Hibbert etj), pohimet e letrat, radiogramet e vetë udhëheqësve komunistë (E.Hoxha, F.Hoxha, etj), bile edhe disa udhëheqësve të PKJ (Stoiniç, Dizdareviç etj); pra, gjithçka provon se Kryezinjtë, e bashkë me ta edhe Fundo, luftuan kundër pushtuesve gjermanë në Tropojë, Gjakovë etj..
Lëvizja “Kryeziu” është një nga lëvizjet e rëndësishme çlirimtare në Malësinë së Gjakovës dhe më gjerë. Në krye të saj ishin vëllezërit Hasan, Gani dhe Said Kryeziu, si edhe Llazar Fundo. Ata organizuan rezistencën antifashiste dhe më pas edhe kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve nazifashistë. Rruga që zgjodhën Kryezinjtë, ishte ajo e luftës patriotike të shqiptarëve kundër okupatorëve, në bashkëpunim me të gjithë faktorët antifashistë, veçanërisht me aleatët perëndimorë. Prandaj ata u lidhën qysh në fillim dhe u rreshtuan përkrah tyre, kryesisht britanikëve, që mbulonin Ballkanin e Shqipërinë.
Kryezinjtë si luftëtarë nacionalistë, nuk pranuan të hynin në Frontin NÇ të Shqipërisë, sepse shikonin tek Fronti NÇ Partinë Komuniste Shqiptare, që realisht drejtohej nga emisarët e PK Jugosllave M.Popoviç, D.Mugosha,V.Tempo, V.Stoiniç etj.. Por nuk u inkuadruan as tek partitë e tjera. Kryezinjtë mendonin që nuk duhet ta bënin lëvizjen e tyre pjesë të partive apo të organizatave politike dhe , duke qëndruar si forcë e paangazhuar ndërmjet dy grupimeve kryesore të rezistencës shqiptare, por edhe duke luftuar në bashkëpunim me ta e faktorët e tjerë, do t’i shërbenin më mirë luftës për çlirim dhe çështjes kombëtare.
Edhe propozimit për të hyrë në Lëvizjen NÇ të Kosovës, Kryezinjtë iu përgjegjën negativisht, sepse Lëvizja NÇ e “Kosmetit” ishte pjesë e Lëvizjes NÇ të Jugosllavisë dhe varej nga KQ i PKJ, që mbante qëndrime paternaliste dhe kishte synime shoveniste e gllabëruese ndaj Kosovës , madje edhe ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër populli shqiptar i Kosovës, për shkak të robërisë 30 vjeçare serbe, politikave koloniale, genocidiste dhe shkombtarizuese serbomëdha, nuk mund të mbështeste asnjë lëvizje që vinte nga Serbia apo aleatët e saj , aq më pak komunizmin që mbartte lufta e tyre nacionalçlirimtare.
Llazar Fundo sqaron: “ Pas përpjekjes së Çerefit ( bile po atë ditë), Fadil Hoxha me shokë i bënë Ganiut propozimin të hyjë, jo në Çlirimtaren, por në Kosmet. Ganiu refuzoi duke thënë se hyrja e tij në Kosmet do t’ia humbte krejt influencën në popullin e Kosovës, gjë që nuk i jepte dorë Kosmetit..” (AQSH,F.14, d.86, v.1944)
Kështu, Lëvizja “Kryeziu” ruajti një fizionomi të vetën dhe një filozofi të vetën: një Kosovë e lirë mbi bazën e luftës antifashiste , pa flirte e bashkëpunim as me serbo-komunistët dhe as me okupatorët nazifashistë. Mirëpo kjo lëvizje çlirimtare, ngjalli kundërshtimin e komunistëve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, që u përpoqën bashkërisht ta asgjësonin.
Pothuaj në çdo letër, radiogram, qarkore etj, që Titoja i dërgonte PKSH dhe E.Hoxhës, porosiste asgjesimin e Llazar Fundos, duke përcjellë jo vetëm vendmin e Kominternit, por edhe shqetësimin e tij për Lëvizjen “Kryeziu” e Zai Fundon, që përbënin një kërcënim pë interesat jugosllave në Kosovë e në Shqipëri.
Nga ana e tij, E.Hoxha, pothuaj në të gjithë letrat, qarkoret, radiogramet, që i dërgonte Divizionit të parë dhe Korporatës I, urdhëronte vrasjen e Zai Fundos.
Edhe udhëheqësit koministë të Kosmetit e dëshironi këtë dhe bashkëpunimin me E.Hoxhën për likuidimin e Zai Fundos e të Kryezinjve. “Suksesi i vëllezërve Kryeziu shihej me xhelozi nga partizanët kosovarë të udhëhequr Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha”. – shkruan Hibbert te “ Fitorja e Hidhur”, f.311-312).
Në radiogramin dërguar Liri Gegës, datë 8.8.1994, E.Hoxha udhëzonte: “Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade. I thashë fadilit ta vrasë pa marrë parasysh asnjë rrethanë”. (A.Q.SH,F.41,D.158). Udhëheqësi i PKSh dhe i Luftës Nacionalçlirimtare shqiptare i kërkonte Fadil Hoxhës që “ta vrasë Zai Fundon pa marrë parasysh asnjë rrethanë!” Vetëm një terrorist e kriminel mund të vepronte kështu. “Ka dijeni Dushani e Rade!”- thoshte E.Hoxha. A nuk flet qartë edhe kjo për koordinmin midis udhëheqjes së PKJ, udhëheqësve komunistë të Kosmetit dhe udhëheqësve të PKSH për vrasjen e shqiptarëve, dhe në mënyrë të veçantë të LL.Fundos?
Kur luftëtarët e Gani Kryeziut, ku bënte pjesë edhe Ll.Fundo dhe britaniku Simkoks, luftonin kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës, shtator 1944, u sulmuan pabesisht nga të dy anët e kufirit: nga Ushtria NÇ e Shqipërisë, Brigada V S e komanduar nga Shefqet Peçi dhe Manush Myftiu dhe nga aradhet e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të komanduara nga Fadil Hoxha.
Asgjësimi i Lëvizjes “Kryeziu” ishte rezultante e marrëveshjes dhe bashkëpunimit ndërmjet udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave, e bashkëveprimit të ndërsjelltë të forcave nacionalçlirimtare shqiptaro-jugosllave. Këtë e provojnë të gjitha dokumentat arkivore, e pohon edhe vetë E. Hoxha: “Interesi i dy partive tona dhe i luftës sonë të përbashkët kërkon që këta armiq ( Kryezinjtë –shën im. UB) të dënohen ashpër Njerëz të tillë meritojnë plumbin ballit…Ushtria jonë nacionalçlirimtare i kapi këta banditë dhe i dënoi me vdekje” (E.Hoxha vepra I)
E. Hoxha i dërgoi më 21 .09. 1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH ne Veri, përgjigjen e mëposhtme: “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët” (AQSH, Fondi 41, D.158, v.1944)
E. Hoxha i konsideronte kosovarët kundërshtarë. Ai merrte me gjakftohtësi autorësinë e këtij krimi: “U dhamë urdhër forcave tona t’i gjurmonin, t’i ndiqnin, t’i kapnin dhe t’i shpartallonin Kryezinjtë së pa filluar mirë puna.. Urdhëri ishte zbatuar, tradhtarët ishin kapur. Zai Fundoja, Said Kryeziu dhe majori anglez Simkoks në mal të Dobrejt, ndërsa Gani Begu në fushë të Bytyçit, ku kishte ngritur çadrat e kuartierit të luftës, të sjella nga Anglia.” (E.Hoxha, Rreziku Anglo-amerikan”)
Komandanti i Korparmatës I, Dali Ndreu dhe komisari politik, Hysni Kapo, i dërguan më 21.09.1944 një njoftim të shkurtër, por entusiast Tuk Jakovës: “Po të japim një lajm gazmor: Tradhtari, trockisti i famshëm Llazar Fundo u kap prej brigadës V . Bashkë me të u zunë edhe Said Kryeziu edhe anglezi Simkoks. Ganiu është i rrethuar. Sigurisht do të kapet. Mbaje konspirative për këta të fundit” ( AQSH, F.202, d.13, v.1944)
Kur Dali Ndreu e njoftoi E.Hoxhën për arrestimin e Z.Fundos, udhëheqësi i PKSH dhe i Luftës Nacionalçlirimtare, Hoxha i ktheu menjëherë këtë radiogram Korpormatës I:
“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni.
T’i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve. Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këtej. Zain e vrisni andej… .”(E.Hoxha, Radiogram për Korp.I 21.09.1994).
Komandanti i Brigadës V të Ushtrisë NÇ , Shefqet Peçi, e tërhoqi Fundon zvarrë, të lidhur pas samarit të një kali, nga Mali Dobrej në Kolesian të Lumës dhe pasi e torturoi për vdekje, sipas porosisë së E.Hoxhës, e detyroi të jepte shpjegime për pyetjet që i dërgonte Pons Pilati me radiogram. Pyetjes: Pse erdhe në Kosovë? Fundo iu përgjigj: “ Pranova të vij në Kosovë dorë për dorë. Kryezinjtë ngulën këmbë. Më parë se të niseshim, Partia Italiane me anë të Kusovacit më lypi të hyj në Partinë Socialiste Italiane. Iu përgjigja se, me gjithë simpatinë që më tregojnë krekët e Partisë Socialiste ( që i kisha njohur në Ventotene dhe meqënëse këta ishin të njohur si miq të Partisë Komuniste), unë nuk hyra më në asnjë parti, se kariera ime politike kishte e mbaruar. Dëshiroja vetëm që të kurorzoja këtë karierë me luftën kundër gjermanëve…Erdha se këtu gjeta një shesh ku mund të luftoj kundra gjermanit…Ata që më njohin mua, e dinë që un nuk jam njeri me dy faqe dhe nuk jam prej atyre që marrin direktiva ngado që të vijnë. Kush të më dërgonte mua në Kosovë?…”
Në përgjigje të pyetjeve të tjera para pushkatimit, Fundo u përgjigj: “Unë s’jam komunist. E vërteta është se s’kam qenë kurrë komunist tamam… Afati kaloi. S’di më ç’të them. Po të kisha pasur gjëra për të thënë, do t’i kisha thënë. Po s’mund të shpif për të shpëtuar kryet. Nuk mund ta shkel ndërgjegjen time. Prandaj po e vulos vdekjen time. Lutem, në është e mundur, fotografitë që kam në çantë, t’i çohen nënës sime, në qoftë se rron” Ll. Fundo (Firma).(AQSH, Fondi 14/AP d.101 v 1944)
Shefqet Peçi e pushkatoi menjëherë pa gjyq më 23 shtator 1944, sipas porosisë së kriminelit sadist Enver Hoxhës : “Zain ta torturoni për vdrkjredhe ta pushkatoni andej“ ( AQSH, F.14 d.158 v.1944), sikur ai të mos ishte një njeri, një shqiptar, një peronalitet i kombit dhe një luftëtar i shquar antifashist, por si një qen: “Zain ta vrisni andej”. Që të mos i dihej as varri.
“Vrasja brutale e Fundos, shkruante britaniku Hibbert, ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit komunist” ( Hibbert, Fitorja e hidhur).
Ndërsa F.Noli, kur e mori vesh pushkatimin e Ll. Fundos, shkroi: “‘Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundoja!”
Ernesto Rossi, në një letër dërguar nga Roma drejtuar Stavro Skendit, një nacionalist shqiptar i internuar në Ventotene, mik i Spinellit dhe Rossit, e kujton Llazar Fundon kështu: “Mora vesh me dhimbje të madhe vdekjen e Fundos. Ishte njeri bujar, inteligjent, që mund të kish dhënë një kontribut të shquar në rindërtimin e vendit të vet, po qe se bota nuk do shkonte drejt greminës, siç po bën tani.” (Ernesto Rossi: Epistolario 1943 – 1967)
Giorgio Braccialarghe, antifashist i burgosur në Ventotene, shkruante për Llazar Fundon : “Mes shqiptarëve shquhej Fundo, një intelektual që kish qenë anëtar drejtues i partisë komuniste të vendit të vet, dhe që më pas kishte kaluar në opozitë. Jetonte tërësisht i izoluar, i zhytur në studimin e greqishtes, sikur të kërkonte prej Homerit miqësinë që nuk gjente mes bashkëkohësve të vet. Me rënien e fashizmit, u kthye në atdhe për të luftuar kundër gjermanëve. Ish-shokët e tij i përgatitën një fund të tmerrshëm, duke treguar edhe njëherë se për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri tjetrit!” (Giorgio Braccialarghe: “Nelle spire di urlavento, il confino di Ventotene”, Firenze, 1970).
Kjo është e vërteta e vrasjes makabre të Llazar Fundos, si edhe shumë atdhetarëve, antifashistëve e demokratëve të tjerë gjatë Luftës NÇ, që përbën edhe një krim komunist kundër njerëzimit.
*Falenderojme studuesin dhe shkrimtarin Uran Butka, qe pati miresine te na e dergoi per Gazeten Diellin punimin e tij rreth fatit tragjik te Llazar Fundos.

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Hoxha, Llazar Fundos, per torturimin, pushkatimin, Uran Butka, urdher

KRISTO KIRKA- Me mision në Stamboll

September 6, 2014 by dgreca

Nga Uran BUTKA*/
Shpallja e Kishës Autoqefale Shqiptare ishte një arritje kombëtare. Por, sipas rregullave kishëtare, duhej të njihej edhe nga Patriarkana. U vendos që një përfaqësi e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të shkonte për bisedime me patriarkun e Kishës Ikumenike në Stamboll. Një komision kleriko-laik me në krye at Vasil Markon, kryetar i Këshillës së Lartë Kishëtare dhe i përbërë prej kryetarit të bashkisë së Korçës, Vasil Avramit, at Harallamb Tarkës, Thoma Orollogait, Dhosi Havjarit, Simon Shuteriqit dhe deputetëve Kristo Kirka e Dhimitër Kacimbo, u zgjodh për të shkuar atje. Delegacioni kishte një përfaqësi të gjerë, sipas kërkesës së Patriarkut të Stambollit, që delegacioni të kishte edhe përfaqësues të shtetit.
Korçë, më 24 mars 1923
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Këshilla e lartë Kishëtare
Zotit Kristo Kirka
I nderuar Zot,
Ju bëjmë të njohur se Këshilla e Lartë Kishëtare, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, që bëri më 14 të këtij muaji për punën e zgjedhjes së komisionit, i cili do të dërgohet këto ditë në Patriarkin Ikumenike, për të bërë përçapjet e duhura përsa i përket çështjes së kishës sonë, e pa të pëlqyer t’ju zgjedhë anëtar të këtij komisioni.
Besojmë se kini për ta pranuar këtë detyrë të shenjtë dhe se do të përpiqi me tërë fuqitë tuaja, duke mbrojtur interesat e kësaj kishe, në bazë të statutit të Beratit, të siguroni për Kishën tonë Autoqefale nga Kisha e Madhe gjithë sa kanë siguruar edhe kishat e tjera simotra të Ballkanit.
Përfundoj me bekime dhe duke pritur përgjigjen tuaj,

Kryetari i Këshillës së Lartë Kishëtare
Ikonom at Vasil Marko

Ministri i punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli, e pajisi Kriston me pasaportë diplomatike si deputet, për të udhëtuar për në Kostandinopojë.
Facsimile 11( Kopje e pasaportës)
Kristoja pranoi me kënaqësi të madhe, sepse ky do të ishte hapi i fundit për kurorëzimin e Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare.

“Ishte një veprim i guximshëm, me kokën në torbë, si i thonë fjalës, në gojën e ujkut, – kujtonte Kristo Kirka. – Aty ishte strofka e armiqve tradicionalë të Shqipërisë, nga ishin thurrur aq shumë intriga e platforma antishqiptare. Udhëtuam me vapor. Ishte një udhëim i bukur, por kur hymë në lagjen e Fanarit, ndjemë një pështjellim të rëndë. Godina e madhe e Patriarkanës, sikur të shtypte me ato mure të lartë e të heshtur, që mbanin brenda tyre aq shumë të fshehta të frikëshme.
Na futën në një sallë të madhe, zhytur në një gjysmerrësirë. Ishte një atmosferë e zymtë, angushti. Ajri ishte i rënduar nga era e temjanit dhe e qirinjve të djegur. Në krye, në një poltronë të lartë, rrinte Patriarku Ikumenik, i rrethuar nga shumë klerikë të lartë dhe priftërinj shërbestarë.
At Vasil Marko, në emër të Këshillës së Lartë Kishëtare, i paraqiti kërkesën për njohjen e kishës sonë autoqefale, duke parashtruar argumentet, si edhe dokumentet e Kongresit të Beratit dhe të dekretimit nga ana e shtetit shqiptar.
Patriarku na dëgjoi me vëmendje, mandej, me mospërfillje, na u përgjigj:
“Keni vepruar në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe urdhrat tona, kështu që ne nuk e njohim kishën tuaj të vetëshpallur. Autoqefale mund të jetë, vetëm nëse e dekretojmë ne me Tomos të veçantë. Ndryshe, është sakrilegj.”
Kjo përgjigje na indinjoi, por e mbajtëm veten. Sotir Peci e mori fjalën dhe foli me një urtësi e kulturë të admirueshme. Ai foli për vlerat universale të krishtërimit dhe për detyrat e kishës për t’i përcjellë ato tek njerëzit. Po shqiptarët nuk e kuptojnë gjuhën greke, nuk i marrin vesh predikimet kishëtare në atë gjuhë, as ungjillin, as meshën, as pagëzimin, as kurorëzimin, as përshpirtjen. Përse të mos i bëjmë në gjuhën tonë këto rite, për të qenë të krishterë të devotshëm?
Unë fola pak për themelimin e kishës shqiptare në Amerikë dhe për shërbimet që u solli ajo shqiptarëve ortodoksë. “Jemi kthyer në Shqipëri për ta vazhduar këtë mision të shenjtë. Tani që kemi shtetin tonë të pavarur, duhet të kemi edhe kishën tonë të pavarur, siç e kanë edhe vendet e tjerë” – përfundova unë.
Po Patriarku sërish mohoi. Mund të bisedojmë për një autonomi të kishës, por jo autoqefali, – tha ai.
Atëherë, at Vasili nuk vonoi: “Hirësi, ne erdhëm në selinë e shenjtë me mendimin se do të kishit mirëkuptim për çështjen tonë të drejtë. Por ju, për interesa jashtëfetare dhe në kundërshtim me nomet dhe frymën e besimit tonë të krishterë, po vazhdoni me historinë e vjetër. Por kohët kanë ndryshuar. Duhet ta dini mirë se kisha jonë tanimë është autoqefale dhe do të jetë e tillë në jetë të jetëve. Meqenëse ju po thoni se nuk na njihni, edhe ne po ua themi troç, që në këto kushte, edhe ne nuk ju njohim!”
Kjo ishte një shuplakë e fortë, për ata që ishin mësuar me bindje dhe nënshtrim të verbër. U kthyem shpinën dhe ikëm nga ajo botë e errësirës dhe e mallkimit. Por, gjithsesi, vizita dhe fjalët tona nuk mbetën në ajër, ato e bënë efektin e tyre dhe, në mos ai patriark, tjetri që do të vinte pas tij, do ta njihte faktin e kryer. Ne e bëmë detyrën tonë”
Për këtë akt kombëtar, Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë e dekretoi Kristo Kirkën dhe pjesëtarët e tjerë të Komisionit kishëtar që shkoi në Stamboll, me një dekoratë të veçantë nderi.
* Fragmenti eshte marre nga libri”Kristo Kirka” i autorit Uran Butka, Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për esenë në vitin 2012- Vepra eseistike “Kristo Kirka”, me motivacionin:-“Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kristo Kirka-Me sherbim, ne Stamboll, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT