• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URAN KOSTRECI, NJËRI PREJ QENDRESTARËVE MË TË NJOHUR ANTIKOMUNISTË SHQIPTARË

July 15, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

Vdekja e Uran Kostrecit, njërit prej legjendave të qendresës antikomuniste në Shqipëri u njoftua nga Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve.  Ai ndërroi jetë të henën në moshën 83-vjeçare pasi dy vitet e fundit të jetës së tij u përball me disa sfida serioze shëndetsore.  Ai vdiq ashtu si jetoi gjithë jetën, luftëtar i patundur kundër regjimit komunist dhe një dëshmitar i rrallë i vuajtjeve të bashkatdhetarëve të vet gjatë komunizmit enverist, njërës prej periudhave më të errëta të historisë së Kombit shqiptar.

Kush ishte Uran Kostreci: Sipas Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, themelues i të cilës ishte ai vet, Uran Kostreci ka lindur më 1938, në Sarandë në një familje me tradita e kontribute të spikatura patriotike.  Me vendosjen e regjimit komunist  në Shqipëri, familja Kostreci banonte në qytetin e Korçës. Kur ishte ende fëmijë komunistët i arrestuan dhe i dënuan të atin si eksponent i Ballit Kombëtar. Me mundime arriti të mbarojë shkollën normale në Elbasan dhe për një kohë të shkurtër punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës deri sa u arrestua me 5 gusht 1961.  Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi atë “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe me humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.  Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit e dënoi me 8 vjetë burg, “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”. Uran Kostreci kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Por pas burgut u dënua prap me 5 vjet internim, (1983-1988) në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua edhe me 3 vjet burg të tjera për largim pa leje nga internimi.  Ka filluar të shkruante poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist. Uran Kostreci ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.  Ai ishte edhe themelues i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë dhe anëtar i kryesisë kombëtare të kësaj organizate. Ishte gjithashtu kryeredaktori e botuesi i parë i gazetës Liria, gazetë e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Unë kam patur nderin dhe privilegjin të takoj disa prej dëshmitarëve të gjallë të krimeve të regjimit komunist — kundërshtarëve dhe qendrestarëve të komunizmit dhe të regjimit të Enver Hoxhës — përfshir Uran Kostrecin.  Uran Kostreci, (në foto me kapelën e tij karakteristike) dhe të tjerë ish-të përndjekur të regjimit të mëparshëm, ishin të pranishëm në promovimin e tre vëllimeve të mia, “Demokracia Nuk Pret”, shtator, 2018, në Tiranë.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, i ndjeri Uran Kostreci u përfshi fort në lëvizjen demokratike në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë kryetar i Partisë Demokratike, dega e Elbasanit.  Ishte në krye të forumit për dënimin e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan disa prej krerëve të lartë të diktaturës komuniste. Në një intervistë me Zërin e Amerikës vite më parë — Uran Kostreci, i dënuari i diktaturës komuniste dhe i vuajturi për një kohë të gjatë në burgjet e komunizmit – ka thenë se nga pikëpamja morale dhe juridike, asnjë nen kushtetute nuk mund të lejojë të jetë gjykatës një njeri i cili ka dhenë dënime politike për mendime dhe për ide në kohën e komunizmit. Është ky një subjekt aktual edhe sot ndërsa bëhen përpjekje – me ndihmën e ndërkombëtarëve — për një regjim të ri drejtësie në Shqipëri me njerëz, që sipas analistëve, kanë dhenë dënime politike në ish-regjimin diktatorial komunist. Ashtu siç jam shprehur disa herë, edhe Uran Kostreci mendonte se është vështirë të besosh në “drejtësinë e re” me protagonistë të drejtësisë së vjetër të komunizmit. Fatkeqsisht, Shqipëria po bëhet një vend — siç ka thenë Sami Frashëri – ku, “Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohen kriminelët.”

Pas kalimit në amshim, vitin që kaloi, të një tjetër disidenti anti-komunist shqiptar, Maks Velos, Frank Shkreli: Maks Velo shkoi në amshim | Gazeta Telegraf, ikja e nga kjo botë e Uran Kostrecit është një humbje tjetër e madhe për të gjithë ne, por sidomos për viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre, pasi siç shprehej edhe vetë Kostreci, ai kishte ende shumë për të na dhënë e mjaft për të na thënë.  Sipas platformës “Edhe Muret kanë Veshë”, e cila dokumenton dhe ruan historitë personale të njerëzve të përsekutuar gjatë regjimit të dhunshëm komunist, 1944-1992 në Shqipëri — të qëndronte i heshtur për të shkuarën e tij — për Uran Kostrecin, ishte e pamundur.  “Jeta e Uranit ishte shembull rezistence dhe mbijetese. Kur ishte i ri, i mbijetoi diktaturës në Shqipëri përmes forcës së mendjes dhe vendosmërisë për të mos iu dorëzuar padrejtësive që e rrethonin. Strategjitë e tij të përshtatjes për ta mbajtur mendjen të shëndoshë përfshinin mësimin përmendsh të një poezie 88 faqe të gjatë, përgjatë 20 viteve që kaloi në burgjet politike të Tiranës e Burrelit dhe kampet e internimit të Tiranës, Laçit, Elbasanit e Kurtajt. Kjo krenari dhe ky refuzim për të rënë në dorë të armikut mund ta kenë shpëtuar nga pushkatimi”, thuhet në platformën “Muret kanë Veshë”.

“Na shpëtoi, së pari Zoti, po dhe urrejtja e madhe që kishim për komunizmin”, thotë ai. Kishim një urrejtje të madhe përbrenda dhe ishim të vetdijshëm për të. E dinim në duart e kujt ishim. Përballimi për ne ishte më i lehtë, sepse kishim krenarinë tonë që nuk na lejonte t’i shfaqnim dobësitë përpara armikut. Mund të pyesni veten se si është e mundur, por ja që është”, është shprehur ai për platformën “Edhe muret kanë veshë”. “Këto ndjenja të forta na mbajten gjallë”, ka shtuar qëndrestari i njohur antikomunist shqiptar.

Epopeja e karkalecave & Agonia e karkalecave është një libër, një pasuri shpirtërore që Uran Kostreci e ka krijuar gjatë kohëve të burgimit e në të cilën ironizon Enver Hoxhën dhe regjimin e tij.

Gjatë këtij tranzicioni të pafund politik, kemi mësuar shumë histori vuajtjesh të kundërshtarëve të komunizmit në Shqipëri. Ndër mijra bashkvuajtës të tij nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, Uran Kostreci është dalluar ndër ta si shembull qëndrese dhe vullneti për të mbijetuar dhunën e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke e kundërshtuar atë me “forcën e mendjes dhe me vendosmërinë për të mos iu dorëzuar padrejtësive që e rrethonin”, thuhet në parathenjen e tregimit të tij në “Edhe muret kanë veshë”.  Vullneti i tij edhe për të mbijetuar, me qëllim për të treguar — ashtu siç ka shkruar edhe At Zef Pllumi, françeskani i madh që vuajti dhe jetoi për të treguar krimet dhe torturat mizore të komunizmit – si një detyrim moral e kombëtar ndaj të gjallëve sot dhe për brezat e ardhëshëm, por edhe si një obligim njerëzor ndaj atyre që nuk jetojnë më, dhjetra mija viktimave të komunizmit enverist që nuk mbijetuan dot burgjet dhe kampet e internimit të gulagut të Enver Hoxhës. Ai u qendroi besnik atyre viktimave por dhe vuajtjeve të veta, pa u korruptuar kurrrë, ka shkruar ditët e fundit shkrimtari i njohur shqiptar dhe ish i përndjekuri i regjimit komunist, Visar Zhiti, duke kujtuar mikun e tij bashkvuajtës të burgjeve dhe kampeve çnjer[zore të Enver Hoxhës:

“Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekoratë.”  Falënderojmë Zotin që Uran Kostreci mbijetoi burgjet dhe kampet e regjimit komunist në Shqipëri dhe njëkohësisht i jemi mirënjohës atij që për 30-vjet ndau me ne vuajtjet e veta dhe të tjerëve ashtu siç ka bërë At Zef Pllumi e të tjera viktima të komunizmit duke na treguar se sa i fortë është njeriu — shpirtërisht dhe fizikisht — për të mbijetuar ato kushte djallëzore të jetës në burgjet dhe kampet e Enver Hoxhës.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Te perndjekurit politike, Uran Kostreci

NË GJURMËT E TRADITËS

July 14, 2021 by dgreca

-“Lundërtari dhe deti – sonete” i Uran Kostrecit-/

Nga Anton ÇEFA/*

Duket sikur poezia shqipe, mbas rrebeshit përmbysës të realizmit socialist, po rifillon të zhvillohet e lirë dhe e shëndtshme në dy hulli kryesore: në hullinë e traditës dhe në atë të poezisë moderne.

            Uran Kostreci na prezentohet me vëllimin me sonete “Lundërtari dhe deti” si një poet që po i lidh mjeshtërisht fijet e poezisë sonë të sotme me atë të traditës, me një profil të përcaktuar poetik e një mesazh shumë të qartë filozofik dhe, mbi të gjitha, larg çdo hermetizmi, që fatkeqësisht po abuzon sot mbi artin e vërtetë poetik shqiptar.

            Tradicionalisht si në zgjedhjen e motiveve, ashtu edhe në trajtimin e tyre, në mjeshtërinë artistike e në elementet poetike, në përgjithësi, ai gjithashtu e ushqen poezinë tonë edhe me motive të reja apo me nuanca të reja motivesh origjinale.

            Kur mendon se poeti, i arrestuar në moshën 23 vjeçare, ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, e natyrisht më të buklurën, në burgje e internime – afër 30 vjet – të rrënqethet shtati, duke hamendësuar se gjatë leximit do të përjetosh përplasjen e rëndë të prangave a kërcitjen e shkopinjve të gomës mbi gjymtyrët e mpira të të burgosurve ose do të hasësh në imazhet e errëta, të lagështa e të ftohta të qelive. Në të kundërtën, poeti rrallëherë kujton zinxhirët, torturat, burgjet e internimet. Ato i rëndojnë frymëzimet, si dikur jetën, dhe ai pothuajse i braktis, duke i lënë në periferi të këngës.

            Poezia e tij do ajër, hapësirë, dritë, qiell e det, erë e furtunë:

T’ harroj un’ dua shpellën me beton

Ku më përgjonte llampa e sporteli…

Frëngjin’ prej ku e shihja pas kangjeli

Coptuar qiellin nga i ziu hon !

                                                            (“Mjaft më”, f. 14)

            Me dashuri të madhe ndaj Atdheut, me një pathos të vërtetë demokratik e më një moral të lartë qytetar, poeti nuk kërkon shpagim “për plagët që më shpoi me gjemba teli”.

            Sot në shtypin shqiptar, në mbledhje e biseda, shpesh me një nevralgji të shfrenuar e mllef shtrohet problemi i dënimit të shkaktarëve kryesorë, që me krimet e tyre i sollën Atdheut aq vuajtje e mjerim. Dhe objektiviteti i së vërtetës historike kërkon që të ballafaqohen me fajin ata, fajtorët e vetëdijshëm, komunistët. Por poeti është gjithnjë poet, gjithnjë fisnik. Dhe kjo në emër të humanizmit dhe të dashurisë së madhe për Atdheun, sepse Atdheu na lutet deri në përgjërim dhe na kërkon:

                        “T’ mos jemi ne Kaini dhe Abeli”

                                                (Idem, f. 14)

            Një kredo patriotike të vërtetë përbëjnë poezitë “Mendohu shqiptar!”, “Mjaft më” dhe “Përkushtim”. Mbasi i gëzohet lirisë së fituar dhe demokracisë që po vendoset, poeti zotohet me solemnitet:

            “Të qaj për gjithë ata që ranë theror

  E të këndoj për diell-demokracinë.”

Motivet mbizotëruese në vëllim i përbëjnë lirikat me një kuptim të thellë filozofik e që parashtrojnë një mesazh të qartë e të shëndoshë për kuptimin e jetës e qëllimin e saj, dashurinë si ndjenja më njerëzore, bukuritë e natyrës dhe vlerën e bukurisë, në përgjithësi, si koncept jo vetëm artistik, po edhe moral e shoqëror, etj. Këto, përgjithësisht janë më të realizuarat artistikisht se të parat. Kemi të bëjmë me një poezi filozofike të ndjerë, larg logjikës së ftohtë arsyetuese, një poezi të frymëzuar, që kultivohet në një mjedis të gjallë, lëvizës, dinamik, me tone optimiste.

“Shpesh mendjen vras a ka kuptim kjo botë?” shqetësohet poeti në poezinë “Kulari i jetës” (f. 28). Si tërhiqet nga dilema e dy poleve të kundërta, hiçi i mbytur në pije dhe ideali i lartë për t’i shërbyer njerëzimit, poeti kalon tek fataliteti i njeriut që dërmohet në punë si kafshë dhe përfundon:

“Oh varrin kur mendoj e vdekje shkretën,

Ngre sytë nga qielli…dua të shoh dritë…”

                                    (“Kulari i jetës” f. 28)

Dritë e kërkuar nga Zoti për të kuptuar qëllimin e njeriut në jetë. Po për poetin është më se i qartë misioni jetësor i njeriut dhe misioni i tij si poet. Është kuptimplotë fakti që poeti ka parapëlqyer titullin “Lundërtari dhe deti”, titulli i poezisë së parë të vëllimit, që sendërton frymën e krejt vëllimit.

            Tradita e poezisë sonë e ka të gdhendur figurën stoike të detarit, që triumfon mbi tallazet e detit, në perlën poetike të Serembes “Dejtënori” dhe në poezitë e Lasgushit. Edhe tek kjo poezi, lundërtari lufton me vdekjen me vendosmëri dhe optimizëm të plotë.

            Poeti jetoi në një kohë shumë të vështirë për popullin tonë dhe sidomos shumë të vështirë e të rrezikshme për poetët, në kohën kur mungonte liria e fjalës. Merita e Kostrecit është se ai i ruajti thellë në veten e tij frymëzimet dhe tani ia kushton rinisë sonë, të freskëta, të gjalla, plot jetë e dritë. Kur shëmtimi i jetës dhe përdhosja e idealeve fisnike lavroheshin nga diktatura, ai u dashurua pas së bukurës në të gjitha shfaqjet e saj konkrete, po edhe si koncept universal i botës, i jetës, i njeriut, i artit. Ja dy vargje lapidare që dëshmojnë:

                        “Lart u ngjit shpirti n’qiellin tramundanë

                         I etur për të bukurën sublime.”

                                                (“Kënga e mjelmës”, f. 36)

            Erotika zë pjesën më të madhe të vëllimit. Po është një erotikë në gjurmët më tepër të Naimit e më pak të Lasgushit, përsa i takon kahjes së vet filozofike. Koncepti për dashurinë është koncepti për vetë qëllimin e jetës. Vetëm një dashuri reciproke është burimi i një lumturie të vërtetë. Dashuria trajtohet si një ndjenjë e lartë, sublime e natyrshme, njerëzore dhe, në të shumtën e rasteve, ajo përsiatet si një ndjenjë e universalizuar. Nëpërmjet të saj, himnizohet gëzimi i jetës, vetë jeta.

            Poeti i drejtohet vashës:

                                    “Pa ty kuptim s’ka jeta as lezet;

                                     Pushtet e pasuri janë fjalë kote,

                                     Veç ti je lumturi e kësaj bote.”

                                                            (Bukuria, f. 37)

            Bukuria e vashës më shpesh jepet në një mënyrë të tërthortë, pa detaje konkrete në portretin e saj fizik. Përpara bukurisë femërorë veniten dhe stepen të gjitha bukuritë e madhështitë, jo vetëm ato të natyrës së planetit tonë, po edhe ato kozmiket.

            Naimi si panteist ka njëjtësuar dashurinë me bukurinë dhe këtë të fundit me Perëndinë. Kështu përligjet adhurimi i tij ndaj vashës deri në nënshtrim. Por çuditërisht, ja që del sot një poet që i bën Perënditë të falen para bukurisë femërore. Ndoshta sepse trillit poetik i lejohet çdo gjë. Ndoshta për një arsye tjetër. Dhe kjo ka të bëjë me periudhën që kaluam, kur nuk mund t’i këndoje lirshëm vashës dhe dashurisë.

            Motivi i nënshtrimit ndaj vashës arrin skajin final:

                                    “I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.”

                                                                        (Lëngimi i ëmbël”, f. 42)

Sigurisht këtu kemi të bëjmë me ndikime nga poezia jonë e traditës, kryesisht nga Naimi e Poradeci. Remenishencat në shtjellimin dhe teknikën e lirikës erotike shkojnë deri tek poezia e dikurshme persiane dhe letërsia klasike italiane, të cilën Kostreci e shijon aq mirë në origjinal. (Kujto simbolikën erotike të Saadiut dhe sonetet e Petrarkës për Laurën).

            Tablo lirike shumë të bukura, të vizatuara me ngjyra të gjalla e shije të hollë, përbëjnë poezitë për natyrën, të denja për t’u renditur në antologji lirike dhe në librat shkollorë, si p. sh. , “Mbas furtunës”, “Deti”, “Hëna”, “Trishtim vjeshte”, etj.

            Të njëjtit nivel arttik i përkasin edhe disa motive të tjera të trajtuara rrallë ose të patrajtuara në letërsinë tonë, në disa raste me vlera të theksuara edukative e didaskalike. Të tilla janë: poezia me nota elegjiake “Prindërve të mi”, një himn i vërtetë për dashurinë ndaj prindërve, ku një syrgjyn vajton sepse u ka vrarë prindërve ëndrrën e thurur për ardhmërinë e tij, ose “Soditje”, ku vazhdimësia e jetës së prindërve tek fëmijët e zhduk vrazhdësinë e vdekjes, e mohon atë, duke i dhënë jetës njerëzore përmasat e amëshimit. Me interes dhe të bukura janë poezitë: “Veneracion”, ku përgjithësohet denjësisht, si në folklor, figura e vajzës shqiptare, dhe “Dy mbesave”.

            Elemente novacioni në fushën e gjetjes dhe të shtjellimit të motiveve na përcjellin edhe poezitë” “Lumi i shqetësuar”, “Kur ndizen dritat”, “Vetëvrasja e Narçizit”, etj. Në këtë të fundit ngjizet një ridimensionim i kësaj figure mitologjike. Narçizi   që “në shterp idil meskin u përvëlua” vetëvritet, kur bindet se ai nuk mishëron bukurinë fizike njerëzore në superlativ.

            Sonetet janë shkruar me një teknikë të saktë dhe më një figuracion të pasur e të zhdërvjelltë. Mbizotërojnë krahasimet, antitezat e më pak epiteti. Kadenca ritmike,  gjithnjë e përdorur me mjeshtëri, në bashkëveprim me shkallëzimet dhe aliteracionet e pasura e të zgjedhura me kujdes krijojnë një muzikalitet sugjestionues dhe harmonik. Me këto elemente dhe me gjuhën e pasur popullore, ku nuk mungon edhe ndonjë fjalë e huaj, poeti ka krijuar lirika të bukura, që e pasurojnë poezinë tonë. Në fushën e figuracionit, të sintaksës dhe të fjalorit poetik ndihet qartë ndikesa dhe vazhdimësia e artit nolian  dhe lasgushian.

            Në njërën prej poezive tingëllon angazhimi i poetit. Është “Kënga e mjellmës” (f. 36). Jo e asaj mjellme që sipas legjendës këndon vetëm një herë pas vdekjes, por si kënga e një krushku që niset për dasmë:

            “Përpjetë në parnasin e thepisur,

             E t’mjellmës këngë, tash, në mugëtirë…

             Me qejf ia merr…si krushk për dasmë nisur.”

            Lexuesit do ta vlerësojnë poetin e do t’i urojnë shëndet e jetë që të vazhdojë ta pasurojë e begatojë me realizime të reja dhe më të bukura sofrën e letërsisë sonë.

 *Shtypur në Tipografinë Ushtarake, Tiranë, 1993

Botuar në “Dielli”, Nëntor-Dhjetor, 1993

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa, Lundertari dhe Deti, Uran Kostreci

Kushtim për Uran Kostrecin

July 14, 2021 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

Kushtim për Uran Kostrecin/

Uran-us , i shtati planet prej Diellit tek Dielli,/

“Zot i qiellit” !/

U njohëm në ferrin e Dantes./

Unë i pajetë … villja gjak!  Ti i pashpresë… pështyje “helm”. /

“Epope e Karkalecave” na njohu në atë kapërcyll  prove,/

ku   vargjet tona  përpëliteshin si peshku në rrjetat therëse të xhahilëve./

Reveranca jote prej xhentëlmeni çalonte… 

buzë  kungullit që  shitej  si shalqi . 

E shalqini  ishte “Mollë e Ndalueme”, o miku im.

Ti lozje me kungujt : “ Si urdhëron , Zotëri!”

E  Zotëria-kungull: – Nuk ka zotërinjë , por shokë !

Shtrëngoje këllëfin e jastëkut me kothere të thara

për të vrarë urinë me shpresë tek  “Viti i Ri”:- No sir ! Yes Sir!

Oh,  dhe Hygo , do të tronditej në atë mizanskenë therëse

                           ku dhimbja e ujës ia kalon dhimbjes shpirtit !

U bëmë miq , por mbetëm larg… se  “Monumenti” ciflosi

kështjellën e pamposhtur, krenarinë mizore , flamurin pa-shtizë.

Ti ike… O mik i vuajtjes krenare. O mbret i Sonetës në Shqipëri! 

                                            O tribun i fjalës zhveshur  si shpata !

Ti ike tek miqtë tanë…, Frederiku, Pjetri, Panoja , Kosta…, 

                                                                                       tek shpirtërat në amshim. 

Tek pema e mistershme  që njerëzia dridhet dhe loton… paditur se loti është gjëma e shpirtit. 

Unë nuk kam lot  për njerëz që lindin në vdekje, 

as për vdekjen e rinisë që  riciklohet në përjetësi. 

Mik,  kënga ime :

        Atje  Solomoni! Beatriçe dhe Dante…më i madhi poet.

Atje vëlla Eduardi , Bruti … dhe  Jul Çezari  i shkretë”. 

        Se  Zoti vuri një shenjë barazie për të  varfër e mbret,

I njëjti udhëtim për të gjithë , atje do vij dhe vetë.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Kushtrim, Uran Kostreci

KONT URANI – POETI ME REPUBLIKË MBI KRYE

July 13, 2021 by dgreca

Nga Visar Zhiti/

       Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. 

       Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej.  

       Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë… .  

KARTELA E DHËMBSHME 

E URAN KOSTRECIT

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike.

Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak.

Kur ishte në vitin e 15–të, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg, e lirojnë, sipas tij nga shkaku I “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike.

Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe tani që është 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, por a dini pse e mban borsalinën, nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi. E ka që nga atëhere, kur eqëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë.

Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – shkruan studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

*   *   *

       Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë, sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësia ka që ai pa, edhe ferr edhe parajsë dhe sytë i xixëllinin njëlloj.

Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali, Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. 

Lajmi u dha se do të ketë homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që e ndan popullin. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kon t Urani, mbi Krye, Poeti me republike, Uran Kostreci, Visar Zhiti

SHUHET URAN KOSTRECI, VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA

July 12, 2021 by dgreca

Në Tiranë ka ndërruar jetë legjenda e qëndresës antikomuniste, luftëtari i paepur i deologjisë komuniste, miku i Vatrës, shkrimtari URAN KOSTRECI.

Vatra i shpreh ngushëllimet me të thella vëllait Hasan Kostreci me familje dhe të gjithë të afërme e miqëve. Ngushëllimet e saj Federata Panshqiptare e Amerikës ia drejton edhe Shoqatës të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërise dhe Kryetarit të saj z. Nebil Çika si dhe të gjithë bashkëvuajtësve!

Uran Kostreci ishte një mik i mirë i Vatrës dhe përsa kohë qëndroi në SHBA ai ishte pjesë e lidhur shpirtërisht me Vatrën.

Pushoftë në Paqë shpirti i Uran Kostrecit!

                               ***

NJOFTIM I KRYETARIT TE SHOQATËS TË PËRNDJEKURVE POLITIKË ANTIKOMUNISTË TË SHQIPERISË

Me pikëllim të thelle iu njoftojmë se legjenda e qendresës sonë antikomuniste Uran Kostreci,, ndërroi jetë sot . Në emrin tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërise, iu shpreh ngushllimet me te sinqerta familjarve, miqve, bashkëvujtësve dhe bashkëluftëtarëve të tij .

Qofsh i parajsës vëllai ynë, kampion i qëndrës, asketi i lirisë e demokracisë !

Homazhet do të zhvillohen nesër

date 13.korrik 2021 nga ora 08.00-11.00 tek godina e te perndjekurve politike Ruga e Elbasanit Tiranë . Përcjellja në orën 12.00 ne Varrezat e Sharrës.

Nekrologji

Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë ne një familje me tradita e kontribute të spikatura patriotike . Kur ishte ende fëmije i arrestuan dhe i denuan të atin si eksponent i Ballit Kombetar . Me mundime arriti te mbaroje shkollën normale Elbasan dhe per një kohë te shkurtër punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës deri sa u arrestuar 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.

Ai është themelues i Shoqates Antikomuniste e të Përndjekurve politikë te Shqipërisë dhe anëtar i kryesisë kombëtare . Ishte kryeredaktori e botuesi i pare i gazetës Liria gazete e te perndjekurve politikë.te Shqipërisë .

U përfshi fort në lëvizjen demokratike dhe u zgjodh, dy herë, kryetar i PD dega Elbasan . Ishte në krye të forumit për dënimin e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan krerët e lartë të diktaturës komuniste . Për qendresën dhe veprimtarinë kundër diktatures komuniste dhe aktivitetin e shquar politik, intelektial e patriotik, Presidenti i Republikës e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” .

Ikja e tij nga kjo botë eshte një humbje e madhe për të gjithë ne ,pasi sic thoshte edhe vete kishte ende shume per të na dhënë e thënë . Me sakrificën dhe veprën e tij jam i sigurt që e ka rezervuar vendin e tij në parajsë . Po nuk qe Atje Urani, kush tjetër mund të jetë? !

Filed Under: Opinion Tagged With: shuhet, Uran Kostreci, Vatra

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT