Emocione që më vijnë e nuk mund t’i mbajë për vete…/
Nga Abdurahim Ashiku/
E diele, 17 shkurt 2008 ! Athina është nën pushtetin e dëborës dhe akullit. Bora ka kap edhe bregun e detit, edhe ishujt, deri në jugun ekstrem të gjeografisë së saj, brigjet jugore të Kretës…
Unë jam ngrirë përpara ekranit ku sinjali, pasi ngjitet lart e lart në qiell, vjen e ulet i qartë në xhamin e kristaltë. Shtyp butonat duke e kaluar sinjalin herë në njërin stacion e herë në tjetrin, herë në Shqipëri e herë në Kosovë, herë në stacionet e vendit ku jetoj e herë në stacionin më prestigjioz të botës, CNN. Kërkoj Kosovën, kërkoj Prishtinën, kërkoj Thaçin e legjendës së UÇK –së, kërkoj Krasniqin zëdhënës të saj, kërkoj Sejdiun e gandistin ballkanik Rugova…
I gjej. Më vijnë ndryshe.
Thaçi nuk është më ai i Rambujesë, ai që udhëtonte nga kështjella mesjetare franceze në drejtim të kështjellës shekullore të qëndresës shqiptare, maleve të Drenicës së Azem Galicës e kullës së bërë shoshë nga plumbat të Adem Jasharit, për tu dhënë e marrë qetësi luftëtarëve të lirisë…
Zëri i Krasniqit nuk ka më tingullin e zërit të luftës e të luftëtarëve të UÇK –së, nuk bie erë baruti e plagësh të rënda të një populli që shkulej me gjithçka nga trojet e veta shekullore…
Edhe Sejdiu më vjen ndryshe. Nuk vjen më me zërin e Rugovës që kërkonte paqe kur vendin e kishte mbuluar tymi i armëve dhe pluhuri i zinxhirëve të tankeve…
Njeri pas tjetrit ngjiten në tribunë, me dinjitetin e njerëzve që kanë marrë mbi shpatulla nderin dhe përgjegjësinë e shpalljes së një akti të madh, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës…
E përjetova tërë ditën këtë ngjarje të madhe. E përjetova me emocion dhe krenari. Kufijtë e shqiptarëve shkuan atje ku e kishin vendin. Shqiptarët, për herë të parë, pas një shekulli e ndjenë se shtylla e tyre kurrizore po merrte formën e saj natyrore, se malet përmes të cilëve e kishin ndarë ishin bashkuar. Bashkimi i maleve të ndarë nga tërmetet njerëzore është diçka e madhe, diçka që i bën sfidë kohëve. Shqiptarët e Kosovës i bashkuan malet. I bashkuan jo me lutje, por me pushkë. Nuk i bashkuan vetëm. I bashkuan me ndihmën e dy aleatëve të mëdhenj, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian…
Nuk kam derdhur ndonjëherë lot gëzimi sa kam derdhur atë ditë…
Nuk do t’i shkruaja këto radhë në qoftë se një zë i largët, një zë fëminor, nuk do të më ngucte. Këtë thjesht se lotët e mia të gëzimit nuk ishin vetëm të miat, ishin vetëm disa pika që atë ditë derdheshin në detin e madh të emocioneve mbarëshqiptare.
Ishte im nip, Gurjoni që në vjeshtë mbush katër vjet jetë. Ishte zëri i tij fëminor “Gëzuar gjysh !“ dhe Kosova Republikë !“ që m’i përzjenë emocionet. Atë fjalën “Republikë“ nuk e përtypte dot, edhe pse vajza ime Erblina i vinte në ndihmë.
Gurjonit i duhet kohë ta kuptojë çastin e sotëm, përjetimin e gjyshit dhe të gjithë “gjyshërve shqiptarë“ për momentin historik. Do ta kuptojë kur të rritet dhe të shkojë në shkollë, kur të mësojë gjeografinë e botës ku jeton, kur mësuesi do t’i thotë se Kosova është shteti më i ri i Evropës së Bashkuar…
Në kohën dhe shoqërinë që ai do të jetojë, historia e stërgjyshit të tij, Haki Shehut që një natë shtatori të vjeshtës së parë të vitit më të mbrapshtë të historisë shqiptare, vitit 1913, do të kalonte Drinin e Zi në koshat e kalit së bashku me motrat e vëllezërit duke lënë vatrën e vet në zemrën shqiptare, Dibrën e Madhe, do t’i duket si një përrallë…
Gurjoni, edhe në këtë moshë, teksa shihte flamuj e njerëz të gëzueshëm, teksa dëgjonte fjalën e madhe të ditës “Gëzuar !” e “Kosova, Kosova !“, gëzohej dhe kërcente, gëzohej dhe shqiptonte fjalët e reja, gëzohej dhe mësonte historinë e re të shtetit më të ri në botë, histori që niste atë ditë, më 17 shkurt 2008…
Me kë të qeshim,me veten apo politikanët tanë!
NGA LEK MIRAKAJ/ NEW YORK/
Po e kopjoj ashtu si është shkruar pika tretë e draftit që i dha fund bojkotit të Kuvendit nga ana e P.D.«Opozita dhe mazhoranca angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale,me ndihmen e Bashkimit Evropian,për çështjen e individve me rekorde kriminale,që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike,bazuar në standartet evropjane dhe me asistencen e komisionit të Venecias.»
Pse them me kë të qeshim, e thjeshtë, ose ata d.m.th. ploitikanët tanë na kujtojnë debila që mund të gëlltisim çfardo çorbe që na servirin,ose ata vetë jo vetëm janë të pafytyrë ,po janë edhe budallenj.Le të shohim çfarë na kanë servirur.Na thonë se në marrveshje me njëri tjetrin do përjashtojnë të inkriminuarit nga e drejta për tu zgjedhur!!!…Ose emëruar.E drejta për tu zgjedhur është e drejtë kushtetuese e çdo individi aq më tepër nëse personi i ka shlyer detyrimet ligjore për aktin që mund të ketë kryer.Që të kemi një Parlament që reflekton vlera morale dhe intelektuale është kërkesë e të gjithve dhe përgjegjësi e kryetarve të partive që mos ti kandidojnë,personat me të kaluar kriminale.Po ta frysh malin e të pjellë një mi, kjo është medet o zot.Nu kam lajthitur,po kur po këta politikanë shqetësohen se duke u hapur dosjet e krimit komunist dhe duke u aplikuar lustracioni pa kompromis,u shkelkan të drejtat kushtetuese të kriminelve,kjo është cinike dhe skandaloze.Një individ që ka kryer çfardo krimi ka një periudhë ku krimi,i parashkruhet. Individët që kanë kryer krime kundër njerzimit nuk e kanë ate privilegj,krimet kunder njerzimit nuk parashkruhen.Me parimet e bashkimit evropian na thonë.Po a nuk është kjo evropë që e ka dënuar krimin komunist,a nuk është kjo evropë që edhe sot megjithse kanë kaluar 70 vjetë nga lufta e dytë botërore i dënon kriminelët nazistë.Është emblematik rasti i një gruaje gjermane që në vitin e largët 1945 kishte qënë 15 vjeçare.E mobilizuar kur gjermanija naziste i kishte shteruar rezervat, dërgohet si gardiane në një kamp përqendrimi dhe kishte shërbyer vetëm një muaj, pasi lufta mbaroj.E pra kësaj gruaje sot mbi 80 vjeçare,kjo Amerika që ka një kushtetutë që respektohet e zbatohet ,jo si ajo e jona të cilën dy individ të cilët në një moment e shohin vehten në krye të vëndit,e ndryshojnë ate pa pyetur asnjeri ,thjeshtë për ti dhënë vehtes pushtet të pa kufizuem.E pra Amerika që respekton të dretat e njeriut,jo vetëm i hoqi shtetësinë kësaj gruaje, po edhe e deportoj në Gjermani për tu gjykuar , e të mendojshë,se ishte vetëm 15vjeçare dhe vetëm gardiane.Është mir ti kujtojmë z.Velija se burgu i Spaçit, i Qafë Barit ,I Burrelit me dhjetra e qindra burgje e kampe përqëndrimi të mbjelluna si këpurdhat mbas shiut në Shqipëri, nuk kanë pasur gardianë si ajo vajza,po kanë pasur kriminelë si Edmond Caja e Shefki Drenova që janë ekzemplarë të rrallë të krimit.Ju zotërinj, të majtë e të djathtë ashtu si gjeni gjuhen e përbashkët ,për të shkelur kushetuten ,ose për ta amenduar ate ,për individë me të kaluar ordinere ,provoni të gjeni gjuhen e përbashkët edhe për lustracionin ,që ti shërbejë të ardhmes dhe ti leni brezit të ri një shoqëri pa skelete në sirtarë .Zoti Velija dhe z. Paloka bëjuni ortak me inisjativen e zonjave Doda -Ballauri e z.Idrizi ,mos u bëni mbrojtës të kriminelve komunist,mos harroni se kush mbron kriminelin ,mbron krimin,bëhet pjesë e krimit.Po bëtë detyren tuaj ndaj të vërtetës, at-herë ne nuk do qeshim as me vehten dhe as me ju.Nuk do mbaroj Shqipërija po larguat kriminelët komunist nga administrata dhe parlamenti,përkundrazi ,do i bëni shërbimin më të dobishëm të ardhmes,shërbimin më të vlefshëm të karierës tuaj politike.Edhe njëherë po përsërisë ate që është normë në ate evropë ku aspirojmë të shkojmë.
KRIMET KUNDËR NJERZIMIT NUK PARASHKRUHEN.
Të qenit vetëm si shans për të njohur veten
Nga Aida Dismondy /
Përgjatë viteve kam biseduar e hasur shumë gra të cilat ,sapo kanë përfunduar një lidhje qoftë kjo dashurore a martesore, fillojnë të përsërisin me vete dhe me shoqërinë se ato ndjehen vetëm, se jane vetëm, se “s’ia var kush” në shprehjen më popullore. Këto pohime, këto mendime marrin shumë hapesire në mendjen e tyre saqë qëllon të bëhen paralizuese për të ecur përpara dhe bëhen shpesh aq verbuese sa ndodh edhe të errësojnë edhe të qenit koshient për të mirat që kanë në jetën e tyre. Me një fjalë ato pohime ndodh të shumëzojnë me zero ekzistencën dhe tërësinë e vlerave të këtyre grave apo femrave. Po i mëshojmë gjinisë femërore, pasi ndodh që femrat shprehen me pesimizem për mungesën e një partneri. Kam hasur femra që edhe pse në mes të divorcit të thonë “duhet me gjet një burrë më të mirë se ky”. Apo femra që kanë jetuar në një marrëdhënie të keqe apo kanë qenë në proces të largimit nga një marrëdhenie ku dhe kanë përjetuar horrore, e kanë pohuar se një nga zgjidhjet e mundshme për veten ka qenë gjetja e “një mashkulli që të më trajtojë më mirë se ai.” Janë femra që mbase dhe mund të kenë fëmijë në jetën e tyre e janë përgjegjëse për ta si nëna, por që e gjejnë veten të konsumuara me mendimin “s’më do askush”, kur dashuria më e madhe ndodhet përballe tyre. Në keto rastet e fundit paradoksi është i qartë. Ndonjë lexues mund të mendoje por femija nuk do më jape dashurinë që partneri do më japë. E drejtë, por është vlerësim sidosi është dashuri që ekziston në jetën e dikujt, për rrjedhojë zhvlerëson thënien “s’më do askush, dhe jam vetëm.” Një arsye tjetër dhe më e rëndësishme është se femrat janë ato që shpesh kalojnë nga një marrëdhenie e keqe në një tjetër akoma më të keqe, ose siç thotë populli “nga shiu në breshër”. Eshtë një përpjekje pa kohë për ndalim, për pushim për veten. Për hir të qartësisë nuk po dënojmë kërkimin për një partner apo dëshirën për të pasur dikë në jetë. Këtu po i mëshojmë atyre rasteve, kur dëshira për të qenë me dikë luan rol primar në disavantazh më pas të personit.
Ndonëse po flasim për gjininë femërore principi është universal pavarësisht gjinisë pasi nevoja për t’u ndierë të dashuruar apo të dëshiruar dhe i vlerësuar është e lindur me njeriun. Eshtë kjo arsyeja që ne shtyhemi të kërkojmë për njerëz dhe dëshirojmë të kemi njerëz në jetën tonë që na bëjnë të ndjehemi të dashuruar, të dëshiruar, dhe të vlerësuar. Nëse kur e gjejmë personin do të jemi të lumtur apo jo kjo është çështje tjetër, pasi të përfunduarit në lumturi apo në mizerje është produkt më pas i lidhjes. Dëshira e brendshme e lindur na bën gjithashtu që në momentet, kur nuk kemi partner të ankohemi ose të përsërisim refrenin “askush s’më do, e jam vetëm”.
Të qenit vetëm është parë si një semundje dhe një virus prej të cilit duhet të shpëtojmë shëndetin, në vend që të shihet si një mundësi, një shans që na jepet për të qenë me veten dhe të marrim kohën për ta njohur veten. Kjo qenësi vetëm si sëmundje është më dominuese, kur femrat kanë qenë dhe janë shkëputur nga lidhje jo të shëndetshme, jo funksionale, dhe shpesh abuzive, ose ose nga të jetuarit në një mjedis familjar ku sundon më tepër indiferenca dhe abuzimi sesa dashuria për pjesëtarët e familjes. Dëshira për ta hequr qafe vetminë është e lidhur me nevojen që përmenda më sipër për të qenë e për t’u ndjerë të vlerësuar, të mbështjellë në ngrohtësinë e dashurisë. Kështu, nevoja për të pasur dikë barazohet me vlerësimin personal, thënë ndryshe, nëse dikush është prezent në jetën e një femre, në mendjen e saj ka gjasa kjo përkthehet si të pasurit vlerë si njeri. Kjo nevojë për t’u ndjerë i vlerësuar është e lidhur shpesh me të pasurit një vleresim të ulët e të pakët për veten apo mungesë konfidence dhe besimi në vetvete. Si rezultat kërkojmë afirmim nga jashtë për të mbushur atë çfarë mungon brenda. Dhe ajo që mungon është njohja e vetvetes.
Monologu i lartpërmendur duhet ndaluar çfarë kërkon vendim-marrje nga personi për ta ndërprerë shiritin e magnetofonit që luhet në mendjen e tij/saj dhe të fillojë luajtjen dhe incizimin e një rekordi të ri. Sepse të luajturit e muzikës së vjetër në mendje nuk do të sjellë rezultat të kundërt, ose më saktë nuk mund të presësh rezultate të ndryshme duke ndjekur të njejtat procese a hapa. Kur nuk merret koha për të ndaluar muzikën e vjetër ndodh shpesh që të gjeturit e një personi të ri rezulton të jetë një person jo i gatshëm emocionalisht apo dikush që mund të ketë pasiguri të tjera e kështu shpesh femrat gjenden në pozitën e të ecurit apo rendurit në të njejtin rreth vicioz. Në rrethet e avokatëve dhe psikologëve që merren me persona të abuzuar ky rreth vicioz njihet si rrethi i dhunës për të ilustruar mes të tjerash të shkuarit nga shiu ne breshër. Këto veprime janë rezultat i të qenit në marrëdhenie jo funksional. Të qenit ne marrëdhenie jo funksionale është përkufizuar si një kontratë emocionale me dikë për të plotësuar një nevojë që rezulton në shkaterrim vetjak. Pra nuk do te thote qe personi ka te meta apo mangesi te karakterit qe e bejne ate manget thjesht se ne jeten e tij/saj ndodhen zona te fshehura ne subkoshience te cilat veprojne e manifestohen ne zgjedhjet e vendimet qe bejme. Këto marrëdhenie përsëriten. Lëvizja nga një marrëdhenie jofunksionale në tjetrën çon rrjedhimisht në drejtimin e gishtit kah personit tjetër për gjendjen jo të lumtur në të cilën këta individë e gjejne vetën dhe përpiqen të gjejnë si të vetmin solucion largimin nga personi. Largimi nga persona të caktuar është shpesh hapi më i drejtë dhe zgjidhja më e mirë pasi shpesh situata të tilla ku konfliktet janë të shumta kanë çuar në humbjen e jetës së shumë personave që kanë zgjedhur të qendrojnë në ato lidhje jo të shëndetshme.
Por në këtë proces të largimit të ikjes prej dikujt dhe të kerkimit te dikujt tjeter ndodh dukuria e te bërit të njejta gjëra që manifestohen në versione të ndryshme të së njejtës gjë në thelb. Prandaj kur femrat a individët gjenden në pozitën e të qenit pa partner është e rekomandueshme ta shikojnë këtë situatë si një shans që u afrohet për të njohur veten. Eshtë një shans që u jepet për të bërë një inventar të vetvetes. Ndonjë skeptik mund të thotë “si i rritur që jam e njoh veten”. Kjo është e vërtetë deri diku, por jo tërësisht përndryshe nuk do të rrotulloheshin në të njejtat rrethe e situata por do të shkonin drejt trajektores, pra duke iu larguar rrethit. Rrethit mund t’i largohesh kur merr vendimin të njohësh më parë veten. Të njohësh veten kërkon një hulumtim të sinqertë të emocioneve që qëndrojnë e jetojnë brenda saj, të eksperiencave të akumuluara gjatë jetës që manifestohen me pas si emocione apo reagime në botën e jashtme apo në mënyrën se si ne e përjetojmë jeten, apo dhe në marrëdheniet që kemi apo kërkojmë të kemi, qofshin këto intime apo jo. Të shkuarit brenda vetes nuk do të sjellë menjëhere fundin magjik të perrallava, por ndihmon të bëjë individin koshient të thelbit të tij: të frikës, të pasigurisë, të tolerancës apo mungesës së saj, të inatit, të dhimbjes, të fajit, por dhe të anëve të shëndosha e të forta që ekzistojnë në çdo individ: të dëshirave, të ëndrrave, të aftësive, dhe mundësive. Të njohurit e vetvetes merr kohë e është një proces që shpesh nuk merret vetë por bëhet me ndihmën e profesionistëve në fushat perkatese, por hapi i parë eshte ndërrmarrja e këtij procesi, të pranuarit se është një proces që duhet ta marrim. Por nëse shkojmë në këtë proces pa ndihmën e kujt si fillim mund të bëjmë dhe meditim apo të lexojmë materiale që do të na bëjnë të reflektojmë për çfarë qëndron brenda nesh, e që përjetohet në mendjen e emocionet tona. Meditimi në princip është të qenit në heshtje me veten dhe të vëzhguarit e mendimeve që shkojnë në të. Eshtë një proces që na bën koshient të trafikut që lëvron trurin. Duke vepruar kështu duke u bëre koshient të vetvetes bëhemi koshientë të kufizimeve që kemi dhe kufijve që duam për jetën tonë. Kufijtë presupozojne çfarë ne jemi gati të tolerojmë apo të biem në kompromis me të tjerët pa kompromentuar vlerat tona personale. Të qenit koshient për çfarë ekziston është hapi i parë në marrjen e vendimeve, qoftë ky vazhdimi i statusit quo qoftë ky lançimi në një drejtim ku ne vendosim ta drejtojmë jetën. Për këto arsye, femrat e kushdo duhet ta konsiderojnë momentin e të qenit vetëm si një shans flori për të hulumtuar vetveten dhe të shkeputen nga vetja e djeshme.
Rëndësia e shkëputjes jo vetem nga rrethi por dhe nga vetja e djeshme nuk mund të nënvlerësohet, është një princip të cilit psikologët i mëshojnë gjithmonë, sepse përvoja dhe shkenca ka treguar se e shkuara të mban të lidhur e ndikon shumë në perceptimin e jetës dhe si e jetojmë atë. Dr. Wayne Dryer, një udhëheqës shpirtëror në SHBA dhe autor i mjaftshitur i librave self-help, e shpjegon mirë këtë kur thotë se nuk mund të presësh lëng molle kur shtrydh një portokall. Pra, kur brenda vetes mbajmë bagazhet e të shkuares dhe i terheqim ato nga një lidhje në tjetrën sigurisht që keto bagazhe do të shfaqen dhe në marredheniet që krijojmë ngaqë nuk leme hapësirë për asgjë të re të hyjë sepse hapësira është e zënë prej tyre e bagazhet e vjetra shpesh prej jetëgjatësisë së tyre shnderrohen në plehra e fillojnë vijnë erë jo të mirë. Në jetën e njeriut kjo erë manifestohet në mënyrën se si jeta na paraqitet ne. Shembulli më i mirë i kësaj është kur femrat shprehen “të gjithë meshkujt janë njësoj.” E vërteta është se meshkujt iu shfaqen këtyre femrave njësoj pasi mendimet “bagazhet” që ato mbartin jane te mbushura me po ato perceptime dhe çfarë ato mendojnë atë terheqin. Populli më kot s’thotë “kujdes çfarë kërkon se do ta marrësh.” Pra, nëse mendojmë se të gjithë meshkujt a njerezit janë njësoj rrjedhimisht dhe partneri tjetër do t’i ngjajë atij që iku. Ndaj këto bagazhe duhen vënë mënjanë duhen pranuar për çka janë e hedhur për të krijuar hapësirë të re për diçka të bukur e të mirë. Mandej do të shtonim se pikërisht versioni i vetes me bagazhe shërben si larguesi i dëshirave dhe ëndrrave që duam të manifestojmë në jetën e jashtme. Pasi bagazhet kanë marrë tërë hapësirën, nuk mund të shikojmë dritë kur gjithçka rreth nesh është errësirë; duhet ose të ndezësh një shkrepse a të krijosh hapësirë për dritën të hyjë. E të tëra këto burojnë e kërkojnë anagazhim me vetveten, njohjen e vetvetes.
Të njohësh veten, pra është themeli i çdo gjëje pasi është themeli ai që e mban strukturën të fortë. Të njohësh vetveten çon në pranimin e vetvetes me tërë anet e forta dhe të dobëta të saj dhe rrjedhimisht me të qenit i/e lumtur me vetveten. Kur të kemi njohur vetveten do të jemi të zotë me pas të kemi mundësinë për të gjetur lumturinë dhe në botën perreth nesh. E nëse një partner qëllon të dëshirojë të hyjë në jetën e individit do të mirepritet si një shoqerues i këndshëm që i shton lumturisë që posedojmë brenda nesh dhe jo si sjellës i saj apo shkaktues i saj. Për të tëra arsyet që permenda më sipër është e rendësishme madje jetike që femrat sidomos ta shohin kohën që iu është dhënë për të qenë vetëm si shans për të festuar këtë dhuratë që iu jepet të njohin veten, pasi kështu do të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre të kalojnë në trajektoren e një jete të re që i përputhet dëshirave të tyre dhe që është e mbushur me njerëz që ofrojnë respket, mirenjohje, e dashuri ndaj tyre.
© Aida Dismondy 8 Qershor 2014